-mbledhur nga IDAJET JAHAJ- Vlorë/
Patriotizmi është qielli i zemrave të bashkëkombasve për dheun e lindjes.Eshtë deti i aspiratave për komb-lulëzim. Eshtë drita dhe fari, optimizmi dhe kuptimi i ekzistencës, frymëmarrja dhe kënga nën këtë qiell…Sa mendime të kristalta janë thënë për këtë atdhe, sa fjalë të urta e të arta, vargje të florinjta, esenca, sentenca , vrunduj filozofikë,…nëpër shekuj e mijëvjeçarë, nëpër vite e dekada…Ja disa maksima prej tyre , nga korifej të mendimit tonë filozofik, poetik e të atdhetarisë sonë :
-Nëpër majat e lisit tonë kombëtar po fryn një erë hyjnore. (De Rada)
-Kur do të vijë ajo ditë kur mbi kështjellën e Rozafës në Shkodër të ngremë flamurin e dielltë të Ilirisë sonë ?…(Dora d’ Istria )
-Shqipëri, o jetëgjatë, / Ty të kemi mëmë e atë… (Naimi )
-Mëmëdhe quhet-ë toka / Ku më ka rënur-ë koka. (Çajupi )
-Se për mua ti, o atdhe / je një lule aq e vyer / sa nuk gjendet përmbi dhe / shpirtin tim për ta ushqyer… (Asdren)
-Unë jam mirë, kur asht Shqypnia mirë… (Isa Boletini)
-Fund e maje nji a Shqipnia / e nji gjuhë t’ gjithë na bashkon…(Ndre Mjeda )
-E përqark ksaj rrokullie / si Shqipnia nji vend nuk ka…(Fishta)
-Patriotizmi është një lule që nuk vyshket kurrë… (Noli)
-Ç’ do të thotë patriot ?/ -Një tufë ah e një tufë lot…/Dhe një diell-Shqipëri…(Ali Asllani)
-Shqipëri- o hallemadhja ime shekullore…(Agolli)
-Atdheu- një prill i pikëlluar në shpirt…(Fatos Arapi)
-Vizioni rilindas mbetet bazë edhe për botën e sotme shqiptare… (Kadare)