Doli në Tiranë libri i prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika “Mosdënimi i krimit është krim i ri” (OMSCA-1 2016, 452 f.). Aty ka shumë artikuj e studime për vepra të I. Kadaresë, V. Zhitit, P. Kullës, S. Repishtit, M. Bungos, H. Kostrecit, F. Konicës, F. Nolit, etj, disa ese për veprimtarë të kulturës e shkencës që janë shquar këto 25 vjetët e fundit si E. Mërlika, L. Pervizi, Ilia S. Karanxha, Fotaq Ll. Andrea, etj, si dhe kujtime për disa personalitete të shquar të shkencave albanologjike si profesorët E. Cabej, R. Qosja, E. Sedaj, S. Fetiu, A. Vinca, etj. Meqenëse ky vit është viti i 80-vjetorit të prof. Qosjes, po riprodhojmë këtu pjesën ku jepen kujtimet e Thanas Gjikës për të. Këto kujtime botohen për herë të parë./
(Kujtime për disa stujues e krijues të Kosovës)/
Nga prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika/
Gjatë kohës që punova në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (më vonë u quajt Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë) nuk m’u dha rasti të shkoja në Kosovë. Kisha rënë në sy si një studjues i pasionuar i historisë së Shqipërisë që kaloja në shpërthime të zjarrta romantike kur hapej biseda për Kosovën dhe shqiptarët në Jugosllavi. Ndoshta këto shpërthime dikush i kishte përmendur në drejtori dhe më kishin hequr nga lista e atyre që duheshin dërguar në Kosovë, ku dërgoheshin kolegët e mij për kërkime bibliografike e arkivale, ose për të mbajtur ndonjë leksion. Kjo mundësi nuk m’u dha edhe pasi përfundova monografinë Mihal Grameno publicist demokrat, mars 1979 dhe as pasi e botova, korrik 1980. Mirëpo jam i kënaqur se në vitet 1972-1981 pata rast të shoqëroja disa grupe stujuesish që vinin nga Kosova. Njohja dhe bisedat me ta më ndihmuan të krijoja një ide disi të qartë për Kosovën e kosovarët e asaj kohe dhe të krijoja bindjen se shpirti shqiptar i tyre ishte në lulëzim dhe i patjetërsueshëm. Ata ishin në përgjithësi djem azganë nga trupi dhe trima nga mendja, nga përkushtimi ndaj albanologjisë dhe çështjes kombëtare. Në pak vite ata e morrën formimin e nevojshëm shkencor dhe shkruan e botuan vepra që ne të Shqipërisë nuk i kishim shkruar e nuk mund t’i shkruanim. Përmes bisedave me ta dhe leximit të veprave të tyre krijova bindjen se Jugosllavia e Titos e kishte humbur Kosovën. Gjendja e mirë ekonomike dhe politika e hapur kishte mundur të gënjente disa shqiptarë, por jo elitën intelektuale dhe as masat e gjera të popullit.
Në Kosovë po lulëzonte një sasi e madhe me intelektualë që shquhej për përkushtim të lartë ndaj studimeve shkencore, për aftësi interpretimi të problemeve albanologjike dhe mbi të gjitha për dashuri ndaj atdheut mëmë. Përveç bijve të vetë Krahinës Autonome të Kosovës aty ishin grumbulluar dhe po vijonin të grumbulloheshin dhe shumë shqiptarë që kishin lindur në republika të tjera të Jugosllavisë. Përbërja 90 përqind e popullsisë shqiptare dhe përkushtimi i saj atdhetar ishin faktorët që në Jugosllavinë e asaj kohe, Kosova po quhej prej vetë sllavëveShqipëri e Vogël.
Unë pata rast të njihja në takime të ndryshme ose gjatë kohës që i shoqërova për t’i ndihmuar në Bibliotekën Kombëtare, etj, disa studjues si Rexhep Qosja, Isak Shema, Sadri Fetiu, Rexhep Ismajli, Engjëll Sedaj, Mark Krasniqi, Masar Stavileci, Ali Aliu, Agim Vinca, Zekirja Canaj, Anton Çeta, Isak Shema, Mahmut Hysa, Salajdin Mehmeti, Abdullah Zymberi, Abdyl Kadolli, etj dhe poetët Enver Gjergjeku e Azem Shkreli. Disa të tjerëve ua kam harruar emrat, prandaj ju lutem të më falin.
Më ka mbetur merak që nuk pata rast të njihja nga afër të urtin Ibrahim Rugova, largpamësin Fehmi Agani, historianin e shquar Ali Hadri, autoritetin e gjuhësisë Idriz Ajeti. Njoha shumë pak studjuesen e sjellshme Emine Arifi (Bakalli), por nuk njoha dhe as e takova studjuesen shumë simpatike e të kulturuar Resmie Kryeziu…
Natyrisht nuk kam kujtime që vlejnë të shkruhen për të gjithë, prandaj do të riprodhoj vetëm kujtime për profesorët Rexhep Qosja, Sadri Fetiu, Agim Vinca, Engjell Sedaj dhe poetin e përkthyesin Mazllum Saneja.
MË I TALENTUARI I TË GJITHËVE
(Kujtime për Profesorin Rexhep Qosja)
Në vitin 1970 erdhi në Shqipëri studjuesi i parë nga Kosova për të mbledhur materiale për jetën dhe veprën e Asdrenit. E quanin Rexhep Qosja. Drejtoria e institutit vuri studjuesin Jorgo Bulo për ta shoqëruar disa ditë në Bibliotekën Kombëtare, në Arkivin e Shtetit, si dhe në bibliotekën dhe arkivin e Institutit të Historisë e të Gjuhësisë. Unë kisha disa muaj që kisha filluar punën në këtë institut. Pikërisht në sallën e bibliotekës së institutit pata rastin ta shikoja nga afër studjuesin e parë që kishte ardhur nga Kosova. Rexhepit i kishin vënë mbi një tavolinë një grumbull me libra që do t’i merrte me vete. Unë hyra në atë sallë rastësisht për të kërkuar ndonjë revistë ose libër. E pashë mikun, por Jorgua nuk na prezantoi.
Më bëri përshtypje pamja e tij prej malësori tipik. Atë vit ai do të mbushte 34 vjet, por dukej më i ri. Kishte trup të gjatë dhe elegant, kishte fytyrë të gjatë. Kur fliste me Jorgon fliste ngadalë dhe me zë të ulët. Sivjet në qershor, pas 46 vjetësh nga ai takim, ai do të mbushë 80 vjet, por ka vite që fytyra i ka marrë pamjen e një shenjti, të kujton fytyrën e Jeronim De Radës. Me jetën dhe veprën e tij Rexhep Qosja është kthyer në një ikonë madhështore e mbarë botës shqiptare.
Më vonë Jorgua, shoku im i zyrës, më tha se ky studjues kishte ardhur për të mbledhur materiale për jetën e veprën e Asdrenit, sepse do të hartonte një studim me të cilin do të mbronte gradën Doktor i Shkencave. Sipas porosisë që i ishte dhënë ai nuk tha asgjë lidhur me përgatitjen e tij dhe as për tre veprat shkencore që kishte botuar. Më vonë mora vesh se Universiteti i Prishtinës, kur ai kërkoi për të mbrojtur Magistraturën, i kishte marrë parasysh tre veprat e tij dhe i kishte dhënë të drejtën të mbronte menjëherë gradën Doktor i Shkencave. Ai kshte shkuar për të mbledhur materiale dy herë në Bukuresht, dy herë në Beograd, një herë në Sarajeve dhe pastaj kishte ardhur në Shqipëri, ku mbodhi materialet e fundit.
Nga fundi i marsit 1970 në Prishtinë u organizua Java e filmit shqiptar. Rexhep Qosja i kishte lënë tim vëllai, regjisorit Viktor Gjika përshtypjen e një intelektuali erudit. Gjatë bisedave të tij për filmat shqiptarë dhe letërsinë shqipe, Rexhepi e kishte mahnitur me mendimet e tij për romanin Kështjella të Kadaresë. Në fund ai e kishte mbyllur bisedën me fjalinë: Më vjen mirë që kultura shqiptare ka jo vetëm një Ismail Kadare në letërsi, por edhe një Viktor Gjika në kinematografi. Viktori i kishte thënë se kinematografia shqiptare ishte e re dhe ishte shpejt për krahasime të tilla. Rexhepi i kishte dhënë dorën si shënjë respekti për këtë shfaqje të modestisë.
Nga vjeshta e vitit 1972, Instituti Albanologjik i Prishtinës dërgoi në bibliotekën e institutit tonë monografinë Asdreni Jeta dhe Vepra 500 faqshe. Me të Rexhep Qosja kishte mbrojtur Doktoratën. Ishte një punë madhore. U habitëm me shpejtësinë e hartimit e të botimit, me nivelin e lartë shkencor, analizat e zhdërvjellta, gjuhën e pastër e të pasur, aparatin shkencor të sistemuar saktë, nivelin e lartë të botimit nga ana tipografike, etj. Ishte një model për ne. Askush prej profesorëve tanë të Tiranës nuk kishte hartuar e nuk mund të hartonte një vepër me cilësi të tillë dhe për më tepër në një kohë kaq të shkurtër. Për hartimin e një vepre të tillë ne studjuesve të rinj të Tiranës do të na duheshin të paktën 8-10 vjet punë.
Ky studjues tregoi se përveç pasionit të madh ishte i pajisur dhe me talent të fuqishëm, formim shkencor solid dhe mendje pjellore. Që herët atë e kishte tërhequr ideja për t’i dhënë dimensionet e vërteta jetës dhe veprës së Asdrenit, këtij poeti të begatë por pak të studjuar. Brenda tre vjetësh e shkroi të gjithë disertacionin e tij dhe e botoi. Studimi monografik i Rexhep Qosjes për jetën e veprën e Asdrenit tregoi se ne studjuesve të Tiranës na mungonin talenti dhe formimi i tij shkencor, si dhe metoda e tij aq prodhimtare. Jorgo Bulua studjonte Naim Frashërin, Klara Kodra Zef Sermben, Floresha Haxhiaj (Dado) Çajupin dhe unë Mihal Gramenon. Ne ishim porositur që ta copëzonim studimin e jetës e të veprës së autorit që na ishte ngarkuar në disa kapituj e nënkapituj. Gjatë një viti duhej të kryenim grumbullimin e materialit dhe hartimin e një kapitulli, ose nënkapitulli. Vitin tjetër grumbullonim material e shkruanim kapitullin / nënkapitullin tjetër, e kështu me radhë. Kjo metodë pune e zgjaste kohën e grumbullimit e të hartimit të krejt monografisë për shumë vjet. Asnjëri prej nesh nuk ishte dërguar e as u dërgua në vendet ku kishin jetuar e ku ishin formuar këta autorë.
Ne ishim përgatitur në Fakultetin Histori Filologji të Universitetit të Tiranës për të punuar si mësues të gjuhës e të letërsisë shqipe. Formimin shkencor po e merrnim ngadalë gjatë viteve të punës në institut duke dhënë provime plotesuese herë pas here, duke dëgjuar seminaret teorike prej shefave tanë e duke diskutuar artikujt e njëri tjetrit. Pasi i mbaronim së shkruari veprat tona procesi i mbrojtjes së gradës shkencore vononte dhe një vit tjetër, po aq dhe procesi i botimit të tyre në shtypshkronjë. Për ne, shpejtësia e hartimit dhe e botimit të veprës së Rexhep Qosjes, ishte një shpejtësi marramendëse.
Me studimin për Asdrenin dhe veprat e tij madhore Kritika Letrare (1969), Vdekja më vjen prej syve të tillë (roman 1972), Panteoni i Rralluar (përmbledhje studimesh 1973), Historia e Letërsisë Shqipe – Romantizmi (vol. I-II 1984 dhe vol. III 1986), Porosia e Madhe (monografi për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, 1986) dhe me disa drama, etj, etj, Rexhepi u shfaq si personaliteti më i shquar midis studjuesve të mbarë botës shqiptare. Ai na mahniti me talentin e tij të rrallë si studjues dhe shkrimtar. Veprat e tij polemike Morfologjia e një fushate dhePopull i ndaluar, lexoheshin me kënaqësi si të ishin poema. Ai u bë profesori im i admiruar dhe jo vetëm i imi. Leximi i veprave të tij më shërbente si një shkundje nga klishetë dhe kërkesat standarte të shkencës zyrtare të asaj kohe. Leximi i këtyre veprave ishte një nga kënaqësitë e mia më të mëdha, e njëjtë me kënaqësinë që më jepte dhe leximi i veprave të Ismail Kadaresë. Në vitin 1972 profesor Qosja u emërua drejtoir i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe pas kësaj erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Unë pata rast të ulesha në një tavolinë me të te kafeneja e Pallatit të Kulturës, ku ai zhvilloi një bisedë me profesorët Koço Bihiku e Dhimitër Shuteriqi.
Dy profesorët tanë ngulnin këmbë se periodizimi që ata kishin bërë për letërsinë shqipe prej Rilindjes e deri në ditët tona, ishte një periodizim shkencor e i saktë. Ata e kishin ndarë letërsinë e kësaj kohe në katër periudha:
Letërsia e Rilindjes Kombëtare, shtrihej në vitet 1878 – 1912.
Letërsia e pavarësisë, shtrihej në vitet 1912-1939.
Letërsia e Luftës Nacional – Çlirimtar, shtrihej në vitet 1939-1944.
Letërsia e Realizmit Socialist, shtrihej nga viti 1945 e këtej.
Profesor Qosja dha sqarimet e veta duke treguar se ky periodizim ishte bërë mbi kritere historike politike, pra mbi kritere jashtëletrare. Ky lloj periodizimi nuk mbështetej në tiparet e krijimtarisë letrare, në tiparet e shkollës letrare së cilës i përkisnin veprat më të mira të sejcilës periudhë. Ai tha shkurt disa nga parimet metodologjike të periodizimit dhe dha emra të rinj për çdo periudhë:
Romantizmi.
Mes romantizmit, realizmit dhe simbolizmit.
Letërsia sociale.
Realizmi integral.
Këto koncepte ai i shtejlloi plotësisht në veprën Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne. Me të tillë periodizim të letërsisë shqipe, profesor Qosja aplikonte në shkencën shqiptare të letërsisë koncepte të shkencës europiane. Ky studjues aq i ri në moshë diskutoi me kompetencë shkencore dhe i rëzoi mendimet e dy profesorëve tanë të moshuar. Natyrisht ata nuk e pranuan konceptin e tij, sepse në mendësinë e tyre sundonte politizimi.
Ishte kënaqësi për mua të shkruaja një recension për përmbledhjen me studime të këtij kolosi që u botua në Tiranë. Ai recension u botua në revistën Studime Filologjike. Simpatia ime për Rexhep Qosjen u rrit edhe më mbasi lexova veprat Fjalori demokratik dhe Popull i ndaluar si dhe disa shkrime me përmbajtje politike e shoqërore, ku ai ka shpalosur më gjerë e më hapur fizionominë e një qytetari të shqetësuar që nuk arratiset nga aktualiteti, por lufton guximshëm. Ai është shprehur shpesh për çështjen kombëtare shqiptare dhe për gabimet e proceseve demokratike në Shqipëri.
Në fillimet e lëvizjes demokratike tek ne, të rinjtë, duke pasur konsideratë të lartë për të dhe për Ismail Kadarenë, dolën me fotografitë e tyre nëpër rrugë të disa qyteteve, për të kërkuar që të tillë personalitete të viheshin në krye të kësaj lëvizjeje. Unë, pasi u botua numëri i parë i gazetës Rilindja Demokratike, shkova te Frok Çupi, kryeredaktor i saj dhe i sugjerova që t’i kërkonte këta dy intelektualë të vinin në Tiranë për të mbajtur leksione e biseda mbi demokracinë. I dorëzova dhe një artikull ku sqaroja pse u bëra anëtar i PD-së. Artikulli im nuk u botua dhe as Ismaili e Rexhepi nuk u ftuan në Shqipëri. Mesa dukej, njerëzit që do të jepnin ndihmesën e tyre për zhvillimin e proceseve demokratike në Shqipëri ishin paracaktuar…
Në muajt e parë të vitit 1991 me sugjerimin e disa politologëve europianë u hodh mendimi që populli shqiptar i Shqipërisë, si popull i vogël e me problemin kombëtar të pazgjidhur ende, duhej të ecte në proceset për demoktratizimin e vet në rrugë paqësore, pa shkaktuar hakmarrje e viktima. Për këtë arsye duhej zhvilluar procesi i pajtimit kombëtar midis forcave politike.
Me dëshirën e mirë për të ndikuar në ecurinë e proceseve demokratike e të pajtimit kombëtar, erdhi nga Kosova dhe profesor Qosja. Mendimet e tij u mirëpritën prej drejtuesve të partive e shoqatave politike. Përjashtim bënë Shoqata e të Përndjekurve Politikë, Partia Demokratike që drejtohej prej Sali Barishës dhe Partia Republikane, që drejtohej prej Sabri Godos. Sali Berisha ish-komunist prej 20 vjetësh dhe Sabri Godo ish-oficer i Sigurimit të shtetit, ishin futur në lëvizjen demokratike prej Ramiz Alisë. Ata i urrenin intelektualët demokratë dhe i mbanin sa më larg. Sali Berisha nxiti Bujar Hoxhën, ndihmësin e tij, një ish-sigurims, që të shpifte ndaj profesor Qosjes gjëra të paqena. Kundër këtyte shpifjeve doli në shtypin e kohës profesor Jorgo Bulua, kurse ne të tjerët heshtëm. Na kishte rrëmbyer entusiazmi i antikomunizmit dhe ishim trullosur prej propagandës zhurmëmadhe të Partisë Demokratike…
Sigurimi i shtetit gjatë diktaturës, duke luajtur rolin e shpatës së mprehtë të partisë shtet kishte lënduar e plagosur mbi 75 përqind të familjeve. Prandaj mund të pranohej vetëm mendimi iShoqatës së të Përndjekurve Politikë që kërkonte në ato momente para se të kalohej te pajtimi kombëtar duhej të dënoheshin bëmat vrastare të diktaturës komuniste, duke dënuar kupolën drejtuese të PPSH-së dhe duke përjashtuar disa nga deputetët socialistë, që kishin pasur funksione gjatë diktaturës.