USAID dhe qeveria suedeze do të financojnë 6 mln dollarë për zhvillimin e turizmit, përmes një konkursi që do të përzgjedhë idetë më të mira për shfrytëzimin e potencialeve turistike në vend dhe rritjen e punësimit në këtë sektor. “Çdo projekt do të përfshijë një investim të USAID dhe SIDE-s, në vlerën nga 250 mijë në 750 mijë dollarë dhe do të zgjasë të paktën dy vjet”, deklaroi Marcus Johnson, përfaqësues i USAID. “Shpresoj që ky projekt t’i japë grave mundësi më të mëdha punësimi dhe fuqizim ekonomik”, tha më tej Brigitta Jansson, shefe e zyrës së SIDE-s në vendin tonë. Ndërsa ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj u tha aplikuesve se, “mund të sillni ide në ekoturizëm, turizëm historik dhe atë sportiv”. Thirrja për aplikim për organizata të ndryshme që do të paraqesin projektet e tyre për zhvillimin e turizmit do të qëndrojë e hapur për një vit dhe do të kryhet përmes portalit të qeverisë amerikane grants.gov.
Egnatia, një mundësi tjetër për turizmin shqiptar
TIRANË, 12 Gusht / Nga Nikolla Lena/ – Agjencia Kombëtare e Bregdetit bën të ditur se nga data 18 deri në 31 gusht, në bashkëpunim me Universitetin e Venecias, do të ndërmarrë të parin udhëtim në gjurmët e rrugës antike, Via Egnatia.
Ky udhëtim i paraprin një projekti ambicioz për shndërrimin e kësaj rruge të vjetër, në një produkt të mirëfilltë turistik.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare thotë se “çdo ditë, për katër javë do të sjellim imazhe dhe shënime nga ky udhëtim, duke shpresuar se shumë shpejt Via Egnatia, e cila dikur lidhte Romën me Kostandinopojën, Orientin me Oksidentin, do të jetë një mundësi e madhe në zhvillimin e turizmit rural nëpërmjet udhëtimeve kulturore, shpirtërore, religjioze, artit, filozofisë, teatrit e kulinarisë”, shprehet Tare.
Kjo do të ishte një tjetër mundësi që i shtohet mundësive të egnatiashumta të vendit tonë për të tërhequr sa më shumë vizitorë të huaj si dhe për ta parë këtë rast si një burim për ekonominë e vendit.(Sipas ATSH)