Vizita e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Serbi mori një vëmendje të gjerë nga agjencitë e njohura të lajmeve, ku binte në sy veçanërisht fakti i të konsideruarit të kësaj vizite si historike dhe fakti i përditësimit të kësaj vizite me komente dhe analiza.Më poshtë vijojnë komentet e disa prej tyre:
DPA
Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi mendohej se do të dërgonte një sinjal pozitiv pas dekadash marrëdhëniesh të ftohta mes dy vendeve, por që nuk rezultoi e tillë pas takimit të parë me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiç. Në fillim të konferencës për shtyp, Vuçiç theksoi se vizita e Ramës, e para e një shefi qeverie që nga 1946, “ktheu faqen, jo të kaluarën, por të ardhmen e Serbisë dhe Shqipërisë”. Por, kur erdhi koha për të folur Rama, ai iu kthye çështjes sensitive të Kosovës. Ai tha se ”Kosova është e pavarur në mënyrë të pakthyeshme nga Serbia”.
ANSA
Incident në konferencën e shtypit mes kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç dhe homologut të tij shqiptar, Edi Rama, në një vizitë historike në Serbi. “Çështja e Kosovës është e zgjidhur”, deklaroi Rama, çka solli reagimin e fortë të Vuçiçit që tha se ”jam i pakënaqur që Rama përdori këtë rast për të folur për tema për të cilat nuk biem dakord. Megjithatë, pavarësisht këtij incidenti, Vuçiç theksoi se kërkonte të vazhdonte diskutimet me Ramën.
AFP
Vizita historike e kryeministrit shqiptar, Edi Rama në Serbi u zbeh nga një mosmarrëveshje verbale me homologun serb, Aleksandar Vuçiç mbi çështjen e Kosovës, incident që ilustroi edhe një herë antagonizmin e thellë mes serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan.
Të gjitha fjalët e bukura të mbajtura nga kryeministri serb, Vuçiç dhe homologu shqiptar, Rama në hapje të një konference shtypi duke u përqendruar në bashkëpunimin dhe harmoninë rajonale si dhe në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, kanë ndryshuar kur Rama ka përmendur fjalën ”Kosovë”.
ANA-MPA
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, viziton sot Beogradin, ku u takua me homologun e vet serb, Aleksander Vuçiç. Vizita është me rëndësi historike, përderisa kanë kaluar 68 vjet nga vizita e fundit e një udhëheqësi të lartë shqiptar në Beograd, më 1946, nga Enver Hoxha.
ANADOLU
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiç kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas takimit kokë më kokë të zhvilluar mes tyre. Pasi ka falënderuar homologun e tij serb për pritjen e organizuar për vizitën e tij, kryeministri Rama ka vazhduar të flasë rreth marrëdhënieve midis dy shteteve respektive, perspektivës së tyre evropiane dhe Kosovës.
Edi Rama në Serbi do të qëndrojë dy ditë. Nesër ai do të vizitojë Luginën e Preshevës. Pas më shumë se gjashtë dekadave, vizita e Edi Ramës është vizita e parë e një zyrtari të lartë shqiptar në Beograd. Herën e fundit kryeqytetin e ish-Jugosllavisë në vitin 1947, e vizitoi udhëheqësi komunist shqiptar Enver Hoxha ku u takua me Josip Broz Titon