Busulla e identitetit/
Nga Halil RAMA/
Orientimi drejt vlerave, rikthimi tek etërit themelues, që anija e identitetit kombëtar të mos e humbasë busullën dhe të ecë përpara është domosdoshmëri e kohës. Pikërisht këtë domosdoshmëri evidentoi kreu i shtetit Bujar Nishani gjatë një takimi me elitën e intelektualëve dibranë. Vetëm në këtë mënyrë, sipas z. Nishani, shpirti i frymëzimit të gjithsecilit do të jetë kurdoherë i gjallë, do të gjejë dritë dhe eksperiencë, forcë dhe besim për të punuar për atdheun me përkushtim, ashtu siç bënë patriotët e Rilindjes Kombëtare. Gjatë një ceremonie në qytetin e Peshkopisë kreu i shtetit i akordoi Urdhrin “Nderi i Kombit” (as vdekjes) veprimtarit të lëvizjes sonë kombëtare Elez Isuf Ndreu, një rast fatlum dhe një detyrim për të si President i Republikës për të nderuar me mirënjohje të thellë kontributin patriotik dhe liridashës të njërit prej bijve të kësaj treve. Duke iu drejtuar qytetarëve dibranë Presidenti Nishani vlerësoi gjithashtu se mirënjohja shqiptare do të flasë përjetësisht për figura të tilla heroike si Elez Ndreu, të cilët u vetësakrifikuan për të ruajtur trojet shqiptare.
Mësim nga diplomacia popullore
Veprimtaria kushtuar patriotit Elez Isuf Ndreu vijoi me një dokumentar kushtuar kontributit të tij në lëvizjen kombëtare shqiptare dhe një program të pasur me këngë patriotike dibrane.
Mbresëlënëse ishte një foto e rrallë e Elez Isufit në Vjenë më 1917. Në këtë foto nga Pjetër Logoreci, marrë nga arkivi e Ministrisë së Jashtme të Austrisë, dallohen qartë Elez Isufi me dorën në kësulë dhe medalja në të majtë.
Në Vjenë, në takimin me kancelarin austriak ky i fundit i kishte futur krahun dhe e kishte marrë për të shëtitur në lulishten e tij gjeneralin me shajak. Ai kishte marrë edhe të shoqen. Përkthyesi shqiptar tregonte se Elezi ia hoqi krahun kancelarit dhe doli në krahun tjetër, duke futur në mes bashkëshorten e kancelarit, e nga kjo kancelari kishte mbetur i habitur. Në këtë takim ai i kishte kërkuar Elezit që populli shqiptar të mbante ushtrinë austriake me bukë e ushqime dhe përgjigjja e tij qe: “I thuaj perandorit se shqiptarët janë vrarë me turqit, se na kanë kërkuar nizamë e xhelepe dhe ne nuk ua dhamë. Jemi vra me Serbinë se na kanë kërkuar tokën, ushqime e veshmbathje e nuk ua kemi dhënë, prandaj pa u vra edhe me ju nuk do t’ju japim asgjë, sepse edhe në desha unë nuk më lanë 300 Elezat e tjerë që janë në Dibër.”
Diplomacia e Elez Isufit shkëlqeu edhe në takimin që pati me komisionin ndërkombëtar në Dibrën e Madhe. Elez Isufi u kishte thënë: “Ç’ashtë kjo ndarje e qytetit nga rrethi i vet?! A jeton njeriu pa kokë?!” Do të çuditej konsulli anglez Ajros, i cili qe ndërmjetës në takimin që kishte Elez Isufi me Ahmet Zogun në lëvizjen e marsit 1922. Në kujtimet e tij ai tregon se kishte mbetur i habitur se si ranë dakord këta dy burra, njeri 26 vjeç e tjetri 60, pa protokoll zyrtar, vetëm duke i dhënë dorën njëri-tjetrit. Në takim, që pati me Shefqet Durgut pashën, i cili kishte ardhur me hu të zjarrit në dorë për të djegur Dibrën, vetë pasha do të habitej që ky malësor i thjeshtë dinte gjithçka për Portën e Lartë, për opozitën turke, për deputetët e parlamentit turk, për xhonturqit e deri te kundërshtarët e vetë Turgut pashës.
Elez Isufi u shndërrua në simbol të trimërisë, besës, bujarisë, thjeshtësisë, fjalës së mençur e me peshë të maleve të Dibrës, karakter i paepur njerëzor, njeriu që dinte të respektonte mikun dhe të urrente armikun, pabesinë dhe tradhtinë. Shtëpia e Elez Isufit ishte shtëpi bujare. Aty do të hynin e dilnin burrat me emër, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Islam Spahia, Ismail Strazimiri, Murat Kaloshi, Dine Hoxha, Halit Lleshi, Sulë Shehu, Hysni Dema, Ali Maliqi, Fiqiri Dinia e shumë të tjerë. Do të vinin në këtë shtëpi edhe të huaj, duke filluar nga Fulci, zonja angleze Sibil Llojd, ambasadorë, konsuj, gazetarë, shkrimtarë etj.
Në këtë ceremoni mbresëlënëse moderatorja perfirazoi edhe Sabri Godon, sipas të cilit “sikur Elez Isufi me nipin e tij Suf Xhelilin e miqtë e tij Bajram Curri, Islam Spahiu, Ramiz Daci, Hoxhë Kadriu e të tjerë të mos kishin luftuar ashtu siç luftuan, sot kufiri i Shqipërisë mund të ishte përtej Drinit, ndofta te lumi i Matit”.
Këta burra të mëdhenj të kombit u bënë simbol i odës dibrane si askush tjetër. Populli i ka konsideruar si heronj legjendarë, janë shkruar dhjetëra libra nga autorë të ndryshëm, janë kënduar mbi 40 këngë para dhe pas vdekjes; janë mbledhur kujtime e mbresa nga analistë të vendit dhe të huaj. Elez Isufi u shndërrua në simbol të trimërisë, besës, bujarisë, thjeshtësisë, fjalës së mençur e me peshë të maleve të Dibrës, karakter i paepur njerëzor, njeriu që dinte të respektonte mikun dhe të urrente armikun, pabesinë dhe tradhtinë. Elezi dhe Sufa ishin si dy luftëtarë binjakë, frymëzues dhe udhëheqës për mbarë forcat kryengritëse dibrane në ballë të çdo lufte, duke qenë vetë heronjtë që luftonin përkrah luftëtarëve të tjerë.
Elez Isufi nuk shkonte sipas thënies “shtatë hile e një trimëri”, por “shtatë trimëri e pa asnjë hile”. Ai bëri një punë kolosale duke dhënë shembullin i pari në pajtimin e gjaqeve. I zgjati dorën e pajtimit Dacit, i dha besën Islam Spahisë për t’i shkuar në ndihmë në luftën kundër serbëve, të cilët marshonin drejt Lumës. Lidhi besën me Bajram Currin, Haqif pashë Elbasanin, Selim Petrelën, Hysen Krujën në lëvizjen e Marsit, por i vetëm hyri në Tiranë dhe tronditi regjimin e asaj kohe. Kapedani i Mirditës kërkonte të dorëzohej vetëm tek Elez Isufi, sepse e dinte që në besë të tij do të shpëtonte. Shtëpia e Elez Isufit ishte shtëpi bujare. Aty do të hynin e dilnin burrat me emër, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Islam Spahia, Ismail Strazimiri, Murat Kaloshi, Dine Hoxha, Halit Lleshi, Sulë Shehu, Hysni Dema, Ali Maliqi, Fiqiri Dinia e shumë të tjerë. Do të vinin në këtë shtëpi edhe të huaj, duke filluar nga Fulci, zonja angleze Sibil Llojd, ambasadorë, konsuj, gazetarë, shkrimtarë etj. Në odat ku ishte Elez Isufi e Sufë Xhelili këngëtarët nuk guxonin të këndonin këngë për trimëritë e tyre. Të thjeshtë ishin e pa shkollë, por ata kishin shkollën e madhe të odës dibrane, ku bëhej testi i mençurisë.
Populli i Dibrës i deshi me gjithë zemër Elez Isufin e Sufë Xhelilin, prandaj dhe u shkoi pas jo pak. por për dy dekada. Kur u rrethua nga serbët shtëpia e Elez Isufit, bashkëluftëtarët e tij për gjithë natën hapën një kanal nëntokësor dhe nxorën në heshtje të plotë 70 pjesëtarët e familjes Ndreu të rrethuar nga ushtarët serb, ku mbi 200 burra i përcollën nga Sllova deri matanë Drinit. Kur më 26 dhjetor 1924 u vranë në Peshkopi malësorët trima të Reç-e- Dardhës e Ujë e m’Ujës, si një vargan gjigant, sollën heronjtë legjendarë në vendlindjen e tyre.
Për bëmat e vlerat e patriotëve Elez Isufi e Sufë Xhelili folën shumë historianë e bashkëkohës. Pikërisht këto vlera u identifikuan si busulla të identetitetit tonë kombëtar.
Vepra e pasardhësve të patriotëve
81-vjeçari Jonuz Ndreu është djali i parafundit nga fëmijët e Cen Elezit, të birit të Elez Isufit nga Sllova e Dibrës, i cili edhe gjatë periudhës së regjimit komunist është njohur dhe vlerësuar si një nga patriotët më të mëdhenj përkrah Bajram Currit. Duke qenë se Cen Elezi ishte një nga nacionalistët dhe antikomunistët më të njohur në të gjithë Veriun e Shqipërisë, në marsin e vitit 1946 regjimi komunist e shpalli atë armik. Nisur nga kjo dhe për t’i shpëtuar arrestimit nga brigadat e ndjekjes, Cen Elezi u largua nga shtëpitë e tij në Sllovë të Dibrës dhe qëndroi i fshehur në male së bashku me disa nga vëllezërit dhe djemtë e tij. Pasi qëndroi për disa kohë në arrati, në vitin 1949 ai u arratis nga Shqipëria dhe doli në Jugosllavi. Aty vdiq nën tortura nga komunistët sllavo-maqedonas në burgun e Shkupit, ku u mbajt i izoluar për disa muaj me radhë. Që nga viti 1946, kur Cen Elezi doli në mal në arrati, regjimi komunist i Tiranës ia internoi familjen, me gra dhe fëmijë, në Kalanë e Beratit. Një nga ata fëmijë që u internuan në atë kohë në Berat ishte dhe djali i parafundit i Cen Elezit, Jonuzi, i cili në atë kohë nuk ishte më shumë se 14 vjeç.
Pas shumë peripecish në ish-Jugosllavi, në kampin e Gerovës në Kroaci, në Itali si azilant politikë, në Republikën Federale Gjermane, ku shërbeu për disa kohë në një nga bazat amerikane që ishin vendosur asokohe në atë vend, Jonuzi arriti të emigrojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u bashkua me disa pjesëtarë të tjerë të fisit të tij, të cilët prej vitesh jetonin aty si azilantë politikë.
Që nga ajo kohë e deri më sot ai vazhdon të jetë me banim në Nju-Jork, ku është njohur në të gjithë komunitetin e shqiptarëve që banojnë në SHBA, edhe si veprimtar e anëtar i kryesisë së shoqatës patriotike “Vatra” dhe për aktivitetin e tij në radhët e mërgatës antikomuniste që jeton prej vitesh në atë vend të largët përtej Atlantikut.
Por më krenarë se kurrë ai është ndier të shtunën e kaluar, kur arriti t’i përurojë përmendoren Elez Isufit në Peshkopi dhe kur në të njëjtën ditë mori Urdhrin “Nderi i Kombit”, që Presidenti i Republikës Bujar Nishani i akordoi (pas vdekjes) patriotit të madh Elez Isufi. Ky pasardhës i denjë i “gjeneralit me shajak” është kontribuuesi kryesor i kësaj përmendoreje, së bashku me nipin Eduard Ndreu. Është kjo vepra e pavdekshme e pasardhësve të patriotëve.
Në këtë ceremoni të organizuar në pallatin e kulturës “Haki Stërmilli” merrnin pjesë autoritetet vendore të qytetit të Peshkopisë, të qarkut, deputetë të zonës, qytetarë dibranë.
Më herët Presidenti i Republikës u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Peshkopisë Ilir Krosi, në prani edhe të prefektit të qarkut të Dibrës Genci Sharku; kryetarit të komunës së Dibrës së Madhe Ruzhdi Lata dhe kryetarit të Bashkisë së Bulqizës Roland Keta. Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, duke e falënderuar Presidentin Nishani për këtë vizitë, shprehu mirënjohjen për miratimin e propozimit për nderimin me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit” një prej figurave të njohura historike të Dibrës. Kreu i shtetit u shpreh se Dibra ka nxjerrë figura të shquara të historisë, ndaj me vlerësimin e një figure të tillë si Elez Ndreu nderohet edhe vlerësimi që qytetarët dibranë u bëjnë kontributeve të etërve të tyre. Presidenti Nishani vlerësoi se Dibra dhe dibranët përfaqësojnë një simbolikë në aspektin e qytetarisë, traditave dhe historisë. Në mbyllje të takimit kryetari i Bashkisë së Peshkopisë në shenjë mirënjohjeje i dhuroi Presidentit Nishani simbolin e Bashkisë, emblemën e qytetit të Peshkopisë.