NDEROHET ME RESPEKT NGA FAMILJA, KOMUNITETI DHE VATRA, JONUZ NDREU/
-Me rastin e një vjetorit të ndarjes nga jeta u organizua veprimtaria përkujtimore, u vendosën kurora e buqeta me lule tek varri, dhe u shtrua drekë për shpirtin e Jonuz Ndreut-
Të shtunën, 3 Prill 2021, në një vjetorin e ndarjes nga jeta u kujtua me respekt Jonuz Hysen Elezi(Ndreu), një nga ikonat e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ceremonia përkujtimore nisi në orën 11 paradite në varrezat Totowa, në New Jersey. Një masë e madhe nga komuniteti kishin ardhë për të nderuar fisnikun e Dibrës, pinjollin, nipin e Heroit Kombëtar Isuf Elezi, të birin e antikomunistit Hysen Elezi, nëntogeri i Ushtrisë Amerikane, vatrani shembullor,i nderuar me Mirënjohjen e lartë të Vatrës .
Përkujtimi ka nisë me ceremoninë fetare, ku imamët e Qendrës Islame Shqiptare në Garfield, NJ u lutën për shpirtin e Jonuz Ndreut. Më pas e bija e Jonuz Ndreut, Desi, përmes lotëve kujtoi e nderoi të atin dhe falenderoi të pranishmit e shumtë që kishin ardhë për ta nderuar qytetarin ikonë të komunitetit, qytetarin shembullor amerikan, atin e saj të dashur.
Në ceremoninë përkujtimore ishte e pranishme edhe një përfaqësi e Vatrës me Kryetarin Elmi Berisha, nën/kryetarin Pashko Camaj, sekretaren Nazo Veliu, anëtarët e Kryesisë: Marjan Cubi me zonjën Dila, Anton Raja, Mark Mernçaj, Dalip Greca, nipërit Çezar Ndreu(anëtar i Këshillit të Vatrës), Ramiz Ndreu etj. Në ceremoni dhe drekë ishin të pransihëm edhe një numër i konsiderushëm vatranësh.
Kryetari dhe Kryesia e Vatrës kishin përgatitur një kurorë në nderim dhe respekt të vatranit të përjetshëm Jonuz Ndreu.
Pas ceremonisë përkujtimore familja shtroi drekën përkujtimore për shpirtin e njeriut të dashur të saj Jonuz Ndreut në restorantin Venetia, në Garfield.
Përveç Imamëve që përcollën lutje fetare, gjatë drekës ka përshëndetur edhe Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA” z. Elmi Berisha. Kryetari Berisha tha se Jonuz Ndreu ishte vatrani model, siç ishte dhe qytetar model i Amerikës, atdhetar i përkushtuar, prind i dashur dhe i respektuar, që na la pas modelin se si duhet ta duam dhe të luftojmë për ta nderuar Kombin, kudo ku jetojmë, si të respektojmë familjen dhe komunitetin!
I përjetshëm kujtimi dhe vepra që la pas Jonuz Ndreu!
Siç u tha gjatë drekës, edhe ish kryetari i Vatrës, dr.Gjon Buçaj kishte dërguar një përshëndetje me e.mail për familjen e Jonuz Ndreut.
(Më hollësisht për veprimtarinë përkujtimore do t’ju informojmë në Diellin në print)