Nga Pertefe Leka/
Në Kujtesën tim- Një takim i parë dhe i fundit me kolosin e letrave Petro Marko në Prill të vitit 1991 në redaksinë e gazetës “Republika”. Sapo kishin filluar të dilnin numrat e parë të kësaj gazete dhe në leximin e disa artikujve më kishte bërë përshtypje një shkrim për këngëtarin e famshëm të operas,Lukë Kaçaj , i denuar nga rregjimi i kohës , pse propagandonte Fishten e Madh . Në shkrim tregohej së edhe pse i arrestuar Luka, me karakterin e Malësorit, ia kishte recituar hetuesit vargjet nga poezitë e poetit, për të vertetuar se sa kombëtar dhe sa i vertetë ishte Poeti Gjergj Fishta. Duke e njohur ngjarjen, sepse e njihnim në Shkodër , Anen Jakova ,Zonjën e tij , si gruan me të bukur dhe me karakter të forte, që e përballoj me dinjitet burgun e të shoqit, më nxiti të shkruaja, për fundin e kësaj ideologjie famekeqe që i solli kaq të këqia njerëzimit, e denoncuar publikisht gjysëm shekulli më parë, nga B.Merxhani . Për këte u paraqita të zyrat e kësaj redaksie me një shkrim në dorë me titullin” Pse nuk jam marksist“ sipas artikullit të B.Merxhanit në Revistën “Perpjekja Shqiptare”(isha e njohur me këte revistë sepse Im atë mësues, i kishte ruajtur me kujdes të gjithë numrat e publikuara dhe më afronte shpesh të lexoja shumë shkrime në të me vlera edukative dhe kulturore. Më kishte rënë në sy edhe artikulli “ Pse nuk jam marksist”, por e mbytur nga ideologjia e kohës nuk i kisha dhënë rëndësinë e duhur asaj teorie të gabuar që po na helmonte çdo ditë).
Kur hyra brenda në dhomën e Editorit ishin instaluar aparate të thjeshta, telefon dhe makinë shkrimi, gjeta të ulur Zotin Petro Marko. E njoha menjëherë nga fotot e publikuara, dukej i lodhur por sytë i shkëlqenin.Si u përshendeta, e në komunikim e sipër i tregova së çfarë më shtyu të shkruaja me këte titull. Sa dëgjoi titullin e shkrimit u ngrit në kembë me një energji ,por i emocionuar më tha “ Oh ç’ ma kujtove mësuesin tim …Branko më kishte thënë, tani je i ri, por më vonë do të më kuptosh …” tani do të shkruaj për këte .
Me 28 prill 1991 në gazetën “Republika” dolën të dy shkrimet në një faqe, ku në vazhdimësi të artikullit tim ishte publikuar “Si u shkrua një kryeartikull” nga P.Marko dhe një foto e tij me B.Merxhanin . Në artikullin e tij, P.Marko, ndër të tjera shkruante:
“Si i ri që isha e admiroja Brankon për karakterin e kulturën e gjerë dhe penden e tij .Ai u bë mësuesi im.Branko mendonte për një revistë që të bëhej “shkollë “për rininë e etur për dije Kështu lindi revista kulturore e përmuajshme “Përpjekja Shqiptare”.
Botimi i kësaj reviste për publikun intelektual dhe për rininë shkollore u cilësua si një eveniment I rëndësishëm kulturor rreth së cilës u bënë bashkëpunëtorë nga elita intelektuale më e shquar e kohës:Aleksander Xhuvani,Lumo Skendo ,Skender Luarasi,Lasgush Poradeci,Eqrem Çabej,Ernest Koliqi,Vangjel Koça,Veli Stafa dhe të rinjtë : Sh.Musaraj,Nexhat Hakiu,Vedat Kokona, Musine Kokalari …….
Lënda merrej nga dijetarë, filozofë e shkencëtarë botëror.Kjo revistë fitoi terren, sepse po kryente funksionin e një instituti studimor, prandaj nuk mbeti pa rënë në sy të qeverisë .
Petro Marko vazhdon në shkrimin e tij : “Pasi botuam tre numrat e parë u thirrëm të dy në ministrinë e brendshme, ku vetë Musa Juka na tha: Kam urdhër nga lartmadhëria t’ju komunikoj së në qoftëse doni që revista juaj të vazhdojë të botohet , duhet të bëni një deklaratë në faqen e parë së nuk jam komunist” Si i ri që isha nxitova të përgjigjem : Nuk kam bërë deri më sot asnjë deklaratë që jam komunist ,që të bëj një tjetër e ta mohoi “
Brankoja më pjekuri u përgjegj : “ Zoti Ministër ,kërkoj një fare kohë që të mund të mendohem dhe të vij e të përgjigjem “ ……… Revista nuk u botua për tre muaj……
Pas tre muaj heshtje Brankoja më tha : “ E gjeta .Unë vërtetë nuk jam as marksist, as fashist, jam një demokrat, prandaj ulu të diktoj të shkruash.” U ula para makinës së shkrimit dhe për habinë time dëgjova titullin “ Pse nuk jam Marksist” Pa iu kundërvënë mësuesit tim të respektuar shkrova në makinë kryeartikullin e tij .Kur mbaroi së diktuari, i thashë :”Atëhere unë po e heq emrin tim nga revista “Branko më përkëdheli flokët dhe më tha : “Je akoma i papjekur, je shumë i ri , më vonë do të më kuptosh, jam më së i sigurtë “
P. Marko e njihte mirë filosofinë pozitiviste të B.Merxhanit, e njihte atë edhe si polemist me T.Zavalanin e N. Çikën …. dhe që fitoi autoritet për zhvillim miqësor të pikëpamjeve që donte vetëm të ndërtonte dhe jo të asgjësonte.Petro e kishte shtypur vetë në makinë artikullin “Pse nuk jam marksist “ një shkrim , i mirëstudiuar dhe I argumentuar me fakte, së socializmi ishte një utopi, dhe eksperiment pa të ardhme..,Petro e dinte edhe se Neo-Shqiptarizma e Merxhanit ishte një levizje kulturore ku Shkruante:
“ Politikë s’ka ! Vetëm Kulturë !”
E kishte dëgjuar me dhjetra here citatin e Niçes nga Merxhani “ Njeriu duhet të organizojë kaosin që gjendet brenda vetes në “Unin” e tij .E kishte kuptuar. më së miri kerkesën e Merxhanit që të krijojme një jetë mendore për Shqipërinë me një gjurmim shkencor serioz të vazhduar, për realizimin dhe spjegimin e vonesave historike ….. Nuk e kishte kundërshtuar mësuesin e tij se për Shqipërinë ishin të domosdoshme reformat e Ataturkut , dhe do të ishin një bekim për shqiptarët të behej një transformim i tillë …. Petro të gjitha i këto i mësoi,por ishte i vendosur në idetë e tij.
Si i ri,idealist e revolucionar internacionalist , më mendimin e barazisë dhe të lirise njerëzore, u nis drejt Spanjës më 1937. Atje bashkohet me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” dhe po atje merr pjesë në mbledhjen e shkrimtarëve antifashistë ku ishin dhe Ernest Hemingway,P.Neruda……Kthehet në Shqipëri me 1940 më mision nga Kominterni si komunist. Nuk shkon shumë dhe burgoset nga italianet, si antifashist dhe internohet në Palermo Ustika . Sa çlirohen me përleshje nga Ustika , po në Itali , e arrestojne Gjermanët 1944 dhe shpeton nga ndërhyrja e mësuesit të tij në shkollën tregtare të Vlorës, nga shkrimtari i mirënjohur shkodrane ,Ernest Koliqi. Peripecitë e tij s’kanë të sosur, por kurrë nuk mposhtet .Ai i kishte shfaqur edhe më përpara pikëpamjet e tij si patriot luftarak e atdhetar I devotshëm , kur ishte në fakultetin e Letersise në Athinë. Atje kishte pasë ferkime me rektorin I cili ia njihte për turp që Petroja si Himariot të ishte mësues i shqipes,( Petron e kishte emëruar mësues, I nderuari patriot e luftëtar shkodrani, i Hilë Mosi, atë kohë, Ministër Arsimit.Petro e ka përshkruar me respekt figurën e mësuesit shkodranë Kolë Kamsi që i mësoi gjuhën e bukur shqipe:”Kamsi ishte i heshtur, por punëtor i madh.E them me plot gojën së na e mësoi shqipen mirë, gramatiken, poetët tanë,historinë e shkrimit të shqipes dhe kulturën tonë.” ) Pergjegjja e Petros ndaj rektorit ishte .”.turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit “. replikë që i kushtoi përjashtimin. ….Po ashtu kur u mbyll revista “ABC” nga regjimi i Zogut , ku botonte me Migjenin ,Zavalanin e Merxhanin, pas një gjyqi e internojne në Porto Palermo , por edhe prej aty lirohet shpejt nga interesim i B. Merxhanit
Por më e rënda për P. Markon ishte arrestimi nga shokët e idealit vet komunist. Fillimisht e denuan me pushkatim por fati e deshi që bëri burg ,nga ndërhyrja e shokut të shkollës në Vlorë, H. kapo. Të gjitha këto i përballoi me një qendrim stoik por I pagoi me varfëri ekonomike, persekutime e përndjekje të vazhdueshme, deri me burgosjen e djalit poet,Jamarbër …Tashma besoj së i kishte ndër mend porositë e Mësuesit tij të cilin e vlerësonte si “Korifej I publicistikës shqiptare.”
P.Marko nuk ishte më pak se mësuesi i tij. Ai la një pasuri të Madhe të përjetshme në krijimtarinë artistike .Ai në moshën 17 vjeçare kishte botuar vjershën “Flamurit”, në gazetën “Shqipëria e Re “ të Kostancës.Proza e P.Markos e shtrirë në më shumë së 20 vepra , si Romane, Tregime ,Vepra Autobiografike…. me vlera artistike e historike e pasqyrojnë më së miri triumfin e dashurisë e të humanizmit .Njësimi i personazheve me veten e tij, solli vërtetësi në traditën e letërsisë sonë, duke mbetur i pamposhtur nga mizoritë e botës, nepër të cilën kaloi. Petro Marko ishte një ndër personalitetet më të persekutuara të kohës , që mbijetoi me dinjitet. Pena e tij nuk pushoi së shkruari deri në ditën e fundit të jetës ,me 27 Djetor 1991 .
Kryengritja e Malësisë Madhe në Poemen“Mbi Ta“ e L.Poradecit
-Kryengritja e “Malësisë së Madhe”, që bashkoi kombin mbarë, në Poemën “MBI TA”, të L. Poradecit-
Shkruan:Pertefe LEKA-
Titull i poemës “Mbi ta” i shprehur me pesë tinguj në dy fjalë, dëshmon për një ngjarje historike të lavdishme.
Lasgush Poradeci si poet i fjalës së urtë e të fisme në tërë krijimtarinë e tij, i këndoi lirisë në të gjitha poezitë e tij: patriotike, erotike e filozofike.Si Poet erudit dhe shumë dimensional ishte një luftëtar I vendosur dhe mbrojtës I traditave më të mira edhe për etninë dhe albanologjinë. (kujto letërkëmbimin e M.Kokalarit me L.Poradecin të cilët mundësuan hapjen e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Romës dhjetor 1939)
Për Festën e Flamurit, që kurorëzoi përpjekjet shekullore të popullit shqiptar për mvehtësi, Lasgushi thurte poezi në harmoni me zjarrin e shpirtit dhe stilin e mendjes së tij të ndritur, duke i dhënë muzikalitet vargut si në Marshet Heroike – Patriotike.
25-Vjetorit të Pavarësisë, i kushtoi poezinë “Naim Frashërit”, ideologut të Rilindjes Kombëtare dhe poetit më popullor që ka edhe sot shqiptaria, mbrojtësit më të madh të gjuhës shqipe që e quan:”Shpat’e ndritur e lirisë”
Përvjetorin e 60-të të Pavarësisë, e kremtoi me botimin e poemës “Mbi Ta”, dedikuar kolegut, vjershëtorit, luftëtarit të paepur, për liri e pavarësi,”Poetit e Pushkatarit Rilindas” Risto Siliqit.
Si poet e historian ka paraqitur artistikisht sakrificat e një populli, të drejtuar nga heronjtë strategë të cilët si yje të pashuar kanë lënë një dritë të pashembullt.
Poema fillon,me vargjet, që në strategjinë e luftimeve, mund ta titullojmë si faza e Sulmit:
Risto Siliqi- nisu shpejt// ku shfren me kob e liga/
Ku ndeshet kombi i ngritur krejt //Me tri Kuçedra shtriga/
Shpejt me mauzerin tënd zemrak// dhe penden e praruar/
Ku mposht halldupin turkoshak//Atdheu duke u dëshmuar/….
Është fjala për kryengritjen e Malësisë Madhe të vitit 1911, një epope e lavdishme e luftërave heroike që brezat e sotëm dhe ato që do të vijnë duhet ta mësojnë, jo vetëm për misionin që kreu duke bashkuar shqipëtarët e të gjitha trevave, por edhe për jehonën që pati në botë nga shtypi i shkruar se si një popull i vogël, që betohet vendosmërisht për liri e pavarësi, mundi të mposht një armik shumë të fuqishëm.
Ky shembull solidariteti mbarë kombëtar na duhet më shumë se kurrë, kur fqinjët verior e jugor dhe forca të errëta, përpëlitën me penetrue në forma të ndryshme përtej kufijëve shtetëror të Shqipërisë, vazhdojnë avazin e vjetër me pretendime. ( për kufijtë: tokësorë,ujorë, ajrorë, për varret,për kishat, për heronjtë, për lahutën e fustanellen …)
Shembull I lartë organizimi ishin edhe drejtuesit e kësaj kryengritje si Dedë Gjo Luli, Mehmet Shpendi…. të cilët, kullat e tyre të thjeshta, i kthyen në institucione të rëndësishme, në kuvende ku pleqëroheshin planet e luftimeve, me miratim të përgjithshëm.Ata ishin jo vetëm kuvendar të urtë e të arsyeshëm, por për veprimet e tyre konsultoheshin, kërkonin dhe pranonin këshilla edhe nga intelektualët luftëtarë, si Risto Siliqi, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, mësuesi i ri Palokë Traboini…., të cilët u bënë njësh me kryengritësit, dhe pas tyre u përfshi;
“kombi mbarë” në luftën “Me tri kuçedra shtriga”( 1- ballë për ballë me pushtuesit turq, 2-me tinzarët pas shpine serbo- malazezët,dhe 3- me fuqitë e mëdha që padrejtësisht copëtuan trojet shqiptare.)
Poema “Mbi ta” ka një lidhje edhe me krijime të tjera të poetit, me vargun:
”mes për mes për Shqipëri//Drini plak e i përrallshëm që mburon prej Shendaumi.”
Gjë që e ka përsëritur dhe e ka mbartë edhe nga poezitë “ Poradeci”, “Naim Frashërit”…..
Nuk i mungonte aftësia poetit për të krijuar vargje të reja e të skalitura, por diçka tjetër e shqetësonte ….që e kishte kaq për zemër këte varg…
Lumi për Poetin nuk ishte thjeshtë një nocion gjeografik a peisazhi, por kishte ngarkesë emocionale, historike, …sepse në Shqipërinë natyrale të Lasgushit Drini kalon ” mes për mes për Shqipëri”.
Ndaj lumin më të gjatë, do ta paraqesi si vijë mesi të fushës Arbërore…Lasgushi si mjeshtër i simetrisë, ia ka lënë “Drinit plak”ta kallxojë historinë që mbart….sepse edhe lumin edhe liqenin edhe tokën e etërve i deshi të pandarë, siç na e ka falë Krijuesi. (kujto vargun:”Perëndim I vagëlluar mi liqerin pa kufir”)
Në se do të Isha përpara nxënësve në vitet 1965 dhe më tej dhe ta komentoja këtë varg, duhet të kisha të varur në tabelë “Hartën e Shqipërisë Etnike” të projektuar nga Prof.Ahmet Gashi, dijetar e patriot kosovar ( koleg i Lasgushit dhe mësuesi i Zonjës tij, Nafijës, në Institutin “Nana Mbretëreshë.”) Në atë kohë nuk mund ta paraqisja, një mjet të tillë për ilustrim sepse ne njihnim vetëm hartën e cunguar të Shqipërisë, ndërsa Lasgushi çdo gjë që kompozonte kishte parasysh, Shqipërinë Etnike, për të cilën mendonte, shkruante dhe për ate vuante.
Për të vërtetën historike, kufijtë nuk ishin pengesë për poetin. E paraqiti luftën e Malësisë me vullnetarë nga të gjitha trojet, duke bërë një paralelizëm me lumin Drin që gjatë udhëtimit mbledh ujërat e të gjitha degëzimeve malore duke u qetësuar deri në grykëderdhje.
Lumi Drin si vijë mbrojtëse, që rrethon gjithë Fortesën Alpine I jep Dritë ( dritë emër i përafërt me Drin) gjithë këtij pejsazhi natyror, ku autori ka përshkruar ngjarjet e Malësisë Veriore,
Në se te” Vdekja e Nositit”, poeti e ka personifikue vetëflijimin në emër të dashurisë për jetën,apo te “Gjeniu i Anijës“, ku shpirtin e fatosit “aspak nuk e thyen rreziku”, në poemën
“Mbi Ta”poeti është i drejt për drejtë, me ngjarje dhe personazhe historikë që veprojnë shpejt dhe flijohen për të drejtat e tyre kundër masave represive të armiqëve shekullorë.
Ky është edhe misioni që ka marrë përsipër poeti: sakrifikimi për Ideale të larta si një patriot I lirë, e shprehur në të gjitha poezitë patriotike me frymën e Rilindjes. (në poezitë “Naimit”,”Gjuha e zjarrtë”,“Lundra dhe flamuri”, “Bjeri telat” ..)
që lidhen ngushtë me momentin aktual , ku fqinjët e ardhur nga ana anës pretendojnë me makinacione nga ma absurdet, të përvetësojnë territore, për të ngushtuar hapësirat legjitime te kombit shqiptar, autokton mijëra vjeçarë.
Ndaj dhe poema “Mbi ta “ është një thirrje për unitet për shqiptarët kudo në botë, dhe të harmonizojnë kërkesat ndaj çdo përpjekje shoveniste si në vargjet e poemës:
“Ku ngrihet kombi peshë //Ku mposht t’urryerin armik //Malsija burrëreshë;//
Kështu forca e bashkimit ka produkt fitoren :“Rrok pushkën plaku qindvjeçar//Dhe shtatëvjeçar çunaku// “Atdheu duke u dëshmuar”
Poeti duke njohur krenarinë natyrale të malësorve dhe kurajon e lindur, të cilët dallohen në ecjet e lehta e të shpejta, kur i thërret i pari tyre, i drejtohet Risto Siliqit:
“ Nisu shpejt”, sepse veprimet luftarake ishin në drejtimin e duhur. Kryengritësit kishin nevojë për njerëz si R.Siliqi, mendimtar e jurist; organizator i shquar e luftëtar, që ishin në një Frymë ndaj: ”Fluturonim plot hare// si t’ ishin zogj me fletë//
(Risto Siliqit (1882-1936) poet, publicist, avokat, aktivist i çështjes kombëtare shqiptare.I ndjekur nga regjimi turk e malazes, i denuar dy herë me vdekje, jetoi 10 vite në syrgjyn. Pasurinë që dispononte e shiti, për të ngritur hotelin “Albania” në qendër të shqiptarëve të Malit Zi,që të ishte një vend takimi për patriotët shqiptarë.Udhëtonte shumë në vendet ku ishin mërgimtarët shqiptarë për çështjen kombëtare.Mori pjesë aktive në kryengritjen e 1911 bashkë me Hilë Mosin, luigj Gurakuqin ….Si jurist e luftëtarë mori pjesë në Kuvendin e Greçës dhe ishte një ndër përpiluesit e memorandumit të quajtur “Libri i Kuq”.Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, punoi si gjykatës në Vlorë dhe më vonë sekretar i Ministrisë së Drejtësisë.Me 1923 lidhi miqësi me Fan Nolin por pas 1924, nuk mori pjesë në jetën politike. Ishte themelues i klubit patriotik “Lidhja Shqiptare” dhe redaktor i organit “Shqypnija e Re”.Libri “Pasqyra e ditëve të përgjakshme “ është një vepër dokumentare letrare,ku detajohen, kryengritja e Kosovës 1910 dhe ajo e Malësisë Madhe 1911, ku evidentohen heronjte,Isa Boletini,Idriz Seferi,Dedë Gjo luli, Mehmet Shpendi…. Ku ngjarjet janë paraqitur me vërtetësi sepse ishte vetë pjesëmarrës në luftë.Protesta ndaj padrejtësive shoqërore ndihet në vjershën e gjatë “Burim Poetik” Vepra “Mrika në Shkangull” një vepër romantike,proteston kundër shoqërisë patriarkale.me zakonet e egra.Mbi bazën e së cilës djali i tij, shkrimtari,Llazar Siliqi, shkroi libretin e Operas Mrika. Ernest Koliqi në emër të djemnisë shqiptare, me rastin e ndarjes nga jeta, e krahason me Pashko Vasë Shkodranin dhe me Naim Frashërin duke theksuar: “Poet me ndjenjë të hollë, gazetar me kurajo, avokat me zotësi dhe ndershmëri” Duke vazhduar me Risto Siliqin, të cilit ia njihte vlerat si poet I kryengritjes se Kosovës me 1910 dhe i Malësisë Madhe si dhe aktiv me armë në dorë në luftime ravijëzon në poemë të gjithë bashkëluftëtarët me të cilët bashkoi forcën fizike dhe mendore, në aksione dhe kuvende. Lasgushi nuk i ndanë malësorët e veriut, ata s’njohin kufij, kanë një qellim të përbashkët duke përshkuar rrugë të vështira:
“Kur zbritëm në shtegim jugor //Nga Drini i Zi matanë // këndonin me zë burrëror //Hotjanë dhe Shaljanë//“
Shqiptarët ngjiten majave si dragoj me fletë.Ata vijnë edhe nga ana tjetër e Drinit, për t’u bashkuar: “Në kulm të Malësisë”. Lasgushi emrin e “Kosovës sokoleshë” nuk e ka përmendur ne poemë. Sa jetoi, digjej e përvëlohej për te, bile edhe lotonte,( e pashë në një video) kur ia përmendnin ngrinte zërin me ton “ Kosova është zemra Shqiptare, është Dardani “
Në kohën, kur poeti e shkroi poemen më 1965, si duket e kujtoi mikun e zemrës, Mitrush Kutelin, që shkroi “Poemin Kosovar “ të cilit, jo vetem që ia ndaluan veprën, por desh e futën të gjallë në dhe.
Ndaj në poemë përmend – Istogun -dhe ja le “Drinit plak” të tregojë vendet ku përshkon.
Eshtë Peja tokë Shqiptare ku buron Drini i Bardhë dhe bashkohet me Drinin e Zi një arterie shekullore që lidhë Kosovën shqiptare me pjesën tjetër të Shqipërisë, “Ku Drin’ i bardhë nën Istog//merr fill drejt Shqipërisë.”
( Istogu shtrihet në pjesën veriore të Rrafshit të Dukagjinit, ku ngrihen lart “Bjeshkët e Rugovës”. Gjatë pushtimit turk I përkiste Sanxhakut të Pejës. Një zonë e banuar që nga kohët e prehistorisë. Këte e dëshmon rruga e vjetër që lidhte Detin Adriatik, gjatë kohës së Dardanëve dhe Romakëve e me tej, me Pejë,Mitrovicë,Shkodër.)
Për të vertetuar lashtësinë e kësaj bashkësie poeti ka gjetur një toponim shumë interesant ku përdorë një fjalë të vjetër të gegërishtës “drumi”në vargun:
“ Mes Arbërit,me mall rinor,// E zbret kalitas drumi” //Ku Drini plak e përrallor// Buron prej Shendaumi.”
Fjalë që e gjejmë edhe në dialektin Çam( -drom-dhrom -rrugicë ). (Në veri ka kuptimin e një arterie kryesore që lidh krahinat e largëta, edhe kuptimin e një ure që dikur lidhte përmes drumit të telit Pejën me Gjakoven.Në një këngë kreshnikësh këndojnë: “ kuer u ba Kotuzi ndan vjeç//Aj ndan vetë në mejdan i ka pritë //Aj ndan drume ka zaptue //Aj ndan shehre tuj urdhnue// …. “drum” rrugë përmes lumit, që kalohet me një mjet lundërues ose me një urë me tela. Dikur një vig që lidhte dy brigjet e lumit… )
Kur poeti jetonte , tregonin miqtë e tij, në ngjarjet e vitit 1981, buçiste zëri I tij “Kosova vullkaneshë”.E këte tokë të dashur ia kishin ndarë padrejtësisht nga trungu mëmë. Lasgushi vlon në shpirt ndaj shpërthente me krenari: ”Kush është lulja në Ballkan //Që bota i ka sevdanë /Kosova që s’njeh sulltanë /plot difë e kapedanë /Kosova që bën sulm në zjarr/porsi dragoj me fletë/siç bënte sulm ngadhimtar/ Gjergj Kastrioti vetë./…
Edhe kosovarët e kanë nderuar e respektuar Lasgushin. Veprat e tij studioheshin, komentoheshin dhe botoheshin prej tyre. E ftonin në Kosovë, por për poetin kishte vështirësi të kalonte kufirin, kishte mospërputhje me rregjimin. Edhe kur filluan të vinin individ të caktuar në tokën mëmë e kërkonin ta takonin, nuk lejohesh takim privat,me kollosin e Lirikës shqiptare. Njëherë kur donte ta takonte prof. Hasan Mekuli, nuk e lejuan t’i shkonte në shtëpi, kur gjendja shëndetësore e pengonte të dilte jashtë.
(Në dëshpërim e sipër u shpreh “ Pra s’u takova me Kosovën vullkaneshë .Pse? Sepse nuk lejohet takim privat në Vendin Tim (Shqipëri), të mos takohem me Vendin Tim (Kosovë). Pastaj “privat” jam unë – unë Lasgushi i kombit? Sa më dhemb! dhe sa më dëshpëron ! / nga Gazeta Liberale.)
Ky është “Lasgushi I Kombit”, lasgushi I Poradecit që e gjenë vetën me vullnetarët: ”Mes Arbërit me mall rinor”…
Edhe pse në poemën “Mbi Ta”,luftimet janë fokusuar në betejat përfundimtare,harta gjeografike e kryengritësve, vjen e zgjerohet, për ta zbuar njëherë e përgjithmonë armikun shekullor deri në fitore:
“Për t’u mbuluar me lavdi/Në sulmet fitimtare”/
Shtimin e rradhëve të luftëtarëve e vlerëson edhe si rezultat i virtyteve të larta që trashigojnë,bujarinë, shpirtin e sakrificës, mikpritjen,besën…
“Kaptuam shtatë male rresht //Malësisë për t’ju falë /..Dhe ja shtatë burrat tok //Në kulm të Malësisë/…
Të kujton heronjtë e legjendave si te Gjergj Elez Alia nandë vjet,nandë plagë…apo legjenda “Kush e solli Doruntinen” nandë djem,nandë nuse, nandë djepa…..
Në se do t’i referohemi historisë për shtatë burrat e malsisë,numri shtatë, nuk është vetëm një inspirim folklorik i autorit nga legjendat , sepse janë të njohura bëmat e shtatë shaljanëve, të cilët nuk janë legjendë, por u bënë legjendar, ata janë shtatë emra të gdhendur në Përmendoren, buzë “Lumit të Shalës” dhe të përjetësuar nga Aktori i Madh, Ndrekë Luca,në Dramën “Shtatë Shaljanët”.
Atje, në betejën e Deçiqit, u betuan edhe shtatë prijësit e Bajraqeve të Malësisë: Hot,Grudë,Kastrat,Kelmend,Shkrel,Triesh,Kojë,(keto dy të fundit edhe pse ishin nën Malin e Zi morën pjesë në kryengritje). Atje në luftime të përgjakshme,për Majën e Deçiqit ranë edhe shtatë trimat e Kojës, bashkëluftëtarë të Dedë Gjo Lulit.
Ndërsa në poemën ” Mbi Ta” të Lasgushit ata “shtatë burrat tok” vinin nga Malësia e Kosovës, sepse Malësia gjeneronte heronj.
Ata vinin fill pas kryengritjes së Kosovës më 1910, të vendosur për t’u ngjitur …“Në kulm të Malësisë”
“Mirë se të gjejmë atdhe bujar! /Malësi e lavdëruar!/
Pranon ti,oh! Pak gjak shqiptar /Që vjen për të dëshmuar./
Atje, në “malësinë e lavdëruar”,
u mblodhën tok dhe dëshmuan se kush janë:
Një solidaritet i paparë nga të gjitha anët , u bënë si një forcë e vetme duke arritur një kulm me 6 Prill 1911.
“ U nismë shokë e miq//Prej shkodrës në malsitë//Ku Dedë Gjo Luli me Deçiq //I mbron atdheut kufitë//
Me të vërtetë ishte simbolike, ngritja e flamurit në Deçiq, por betejat e luftimeve dhe diplomatike do të vazhdonin …
Dhe nga kjo luftë e drejtë për të mbrojtë tokën e të parëve, kundër armiqëve shekullorë poeti është optimist:
“luftëtarët do të fitojnë lavd e nder,.. ta ndjejë Evropa Mbarë”
Duke ngritur lart jehonën e revolucionit të një populli mijëra vjeçarë në truallin e vet, me gjuhën më të vjetër, vargu i mësipërm bjen si këmbanë për shtetet e mëdha që e ndanë sipas oreksit tyre, duke e tkurrur në një shtet të vogël por të papërkulur.
Një përmendore për kryengritjen e Malësisë Madhe, ka ngritur Gjergj Fishta, me kryevepren e historisë së letërsisë shqiptare,”Lahuta e Malcisë”, që është ruajtur si librat e shenjtë edhe kur ishte e ndaluar.
Lasgushi e adhuronte Fishtën e quante “shkëmb i Tokës dhe shkëmb I shpirtit shqipëtar”.Kur Lasgushi vizitoi Shkodrën me Asdrenin dhe këmbyen librat me Fishtën, i bëri këte kushtim: ”Njeriut të Zotit meditans dhe militans,Burrit Shqiptar përfaqësonjës. Më të madhit epik të shekullit”.Liriku i madh, dinte përmendsh vargjet e lahutës dhe i citonte kur ishte me miqtë e tij ( Ah kadalë, Nikollë, t’vraftë Zoti// Se s’ke pa shqiptar me sy // Mu më thonë Oso Baroti// që e djeg veten megjithë ty)
Edhe poema “Liria” e Ndre Mjedës i përket vitit 1911.Vargje kushtruese na ushtojnë edhe sot ”Lirim, Lirim.bërtet gjithkah malsia” të cilën në tekstet shkollore e kishim të përgjysmuar sepse përmendej Washingtoni si frymëzues i lirisë.Kurrë nuk patëm guximin të komentonim me nxënësit vargjet e mëposhtme nga poema “Liria” e Ndre Mjedës
“Të lumtë o Washington! u zhvillat qielli//E njom toka për mall me brohorië//E mbi flamuj të zotnuem ndejt Luani// Pushoi te drita që shpërndan si dielli//Lirim, tuj britun në Filadelfia:”Amerikën zhgon Amerikani”
Me vlerë për këto ngjarje është edhe poema “Lufta e Maleve” me 1500 vargje e Palokë Traboinit. (1888-1951) I lindur në Traboin, i shkolluar në Shkodër,mësues në Prizren,Shkodër, Tuz,Bajzë,e shumë fshatra të Malësisë, autor i shumë artikujve në revistat e kohës. Bashkëluftëtar dhe sekretar i Dedë Gjo Lulit.I ngarkuar prej tij të sillte në Hot nga Vjena përmes Dalmacisë flamurin që ngritën në Deçiq.Martuar me mbesen e Kolë Idromenos,vajza e motrës Tone. P.Traboini ishte i pa njohur për ne si edhe në historinë e letërsisë gjatë periudhës së diktaturës.
Ashtu edhe vepra e Risto Siliqit,”Pasqyra e Ditëve të Përgjakshme”, paraqet me vërtetësi kryengritjet e Kosovës 1910 dhe të Malësisë 1911.E njëjtë ishte edhe veprimtaria e Hilë Mosit të cilin Fishta te Lahuta e përshkruan:“Ky Hila djalë shkodran…,pushkën n’dorë//N’prazme flamurin kuq e zi//….” Na mburremi me këto intelektualë luftëtarë, që përveç kontributit shpirtëror e mendor ishin aktiv me armë në dorë,në Komitetin e Kryengritjes së Malësisë së Veriut.
(H.Mosi 1885-1933 ishte poet i ”Zanit Atdheut “, botues e publicist në shumë organe shtypi,përkthyes, por me gradë shkencore arsimtar.Me 1908 kthehet në atdhe nga Bukureshti me “Himnin e Flamurit “ të thurur nga Asdreni. Pjesëmarrës në shumë kongrese si i Manastirit….Ishte senator e deputet I Shkodrës 1920-24,Prefekt në kohen e Nolit. E mbylli karrierën si Ministër Arsimi ku pati rastin të emërojë si mësues në Dhermi të riun P.Marko.)
Nuk mund të paraqiten të gjithë poetët, sepse janë shumë vepra letrare e studime historike për këte ngjarje madhështore, që përgatiti Pavarësinë e Shqipërisë 1912.
Në këte vazhdimësi të këtyre poetve, poema “Mbi Ta” shkruar nga kollosi i lirikës shqiptare e plotësoi tablonë e kësaj ngjarje të rëndësishme kombëtare aqë më tepër, që merrte vlerë, sepse zëri i poetit vinte nga Poradeci.
Kështu Lasgushi(1899-1987) ishte në vazhdimësi me këte plejadë autorësh të përmendur për ta mbajtur të gjallë në kujtesen historike,artistikisht, këte ngjarje të lavdishme që çuditi botën, të bashkuar në luftën për liri. Lasgushi ishte koshient për çfarë shkroi sepse e jetoi Rilindjen në perjudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha, prandaj shqetësimin atdhetar të mbrojtjes së kombit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare e ka shprehur edhe në poezi të tjera si te “Këng’e lashtë “ ku “do këndoj një mall’ të ri”
Edhe në poezinë filozofike, Ai është tokësor e kombëtar sepse në vargun e tij zotëron Dheu, mali, liqeni,lumi,që janë jetësore, prandaj kanë edhe ngarkesë emocionale. Këte lidhje me tokën, poeti i gjenë edhe te malësorët e alpeve Shqiptare të cilët betohen:
” Për at qiell e për ket dhe”
“Për kët votër” apo përshëndetjet,”bre burrë i dheut” që kanë forcën e Anteut të lidhur me tokën dhe që shprehin vendosmërinë e betimit “Pasha besën .
Nisur nga kjo lidhje shpirtërore vargjet në poemën “Mbi Ta” rrjedhin si ujëvarë, ku trimat si rrufe përshkojnë, maja e gërxhe të thepisura, për t’i treguar gjoksin armikut turk , sllav a kush tjetër.
Në krye të kësaj lëvizje gjithëpopullore, ngrihet madheshtorë kryetrimi 70 vjeçarë Dedë Gjo Luli: Figura e tij është e njohur botërisht; në publicistikë,në letërsi, në folklor,në studime shkencore …
Në figurën e Dedë Gjo Lulit, të dalin para syshë gjithë luftëtarët nga të gjitha anët që iu bashkuan Sulmit, kushtrim, “Mbi Ta!Mbi Ta!”
Shqiptarët kudo që janë, duhet ta përjetësojnë Heroin e Maleve edhe jashtë atdheut , siç bënë emigrantët italianët për Garibaldin,ku ngritën statujën e tij në
“Washington Square Park in Manhattan,N.Y. C”. E gjetkë….
Pra edhe “Dedë Vigani “ ishte Garibaldi Shqiptar,që bashkoi shqiptarët në beteja vendimtare.
Ky Deda “Mbi krepat tmerrimtare//Ku as shqiponjat s’ngjitën dot,..”//
Një figurë shumë e dashur për poetin, një luftëtar që e entuziazmon sa herë përmend bëmat e tij duke i dhënë përmasat si të Skenderbeut.
(Dedë Gjo Luli,(1840-1915),udhëheqës popullor,një strateg,i ndërgjegjësuar në odat e kuvendeve,i stërvitur në beteja të përgjakshme në mbrojtje të Hotit e të Grudës,kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit,
Anëtar I Lidhjes së Prizrenit , e vazhdoi luftën edhe kur ishte i moshuar për vendimet e padrejta të Konf.së Ambasadorëve në Londër.Ishte Dedë Gjo Luli që u prini djemëve të Hotit për të shpëtuar Oso Kukën nga flaka e barotit në kullë të Vraninës.(i përjetësuar edhe te Lahuta e Fishtes.) Si udhëheqës u dallua në luftën kundër ushtrisë së Malit Zi të drejtuar nga Mark Milani,që ishte më i plotësuar ushtarakisht ,por që malësorët e zmbrapsen me turp, si në betejën e Rrzhanicës….
E gjithë familja dhe fisi i Dedës ishin të angazhuar në luftërat për liri,
Pas tij vinin djemtë,vajza Nareja, nusja e djalit Kolë,Nora …Ai nuk u step kurrë edhe kur mori lajmin e hidhur të djalit, Gjergjit 22 vjeçar, që ra heroikisht në një betejë të përgjakshme,e priti burrërisht dhe vazhdoi po me ate vrull luftën për mbrojtjen e trojeve të ndara padrejtësisht. Kryengritja që e ngriti në majë figurën e tijë ishte Beteja e Daçiqit në Prill-Maj 1911, kundër Osmanëve, ku ngritën flamurin shqiptar, aty ku u plagos edhe Nora..Kjo ngjarje bëri bujë të madhe në botë vuri në lëvizje të gjithë luftëtarët të penës e të pushkës për të bërë një agjendë ndërkombëtare për kryengritjen. Në ate kohë,Ismail Qemali vjen nga Italia I jep një impuls bashkimit të shqiptarëve,ku mblidhen në Greçe,luftëtarë, të pushkës e të penës, me 23 Qershor 1911……
Po aq e rëndësishme për Poetin në poemë është edhe figura e Mehmet Shpendit,i përmendur në betejen e përgjakshme të Qafa e Agrit ku për 14 ditë me forca të pabarabarta i thyen me turp forcat turke që mbaheshin si të pathyeshmit, Shefqet Turgut Pashën.(10-24 ,1910)
….Mirditë e Shalë e Dukagjin /Puth Mehmet Shpend Luanin /… Dhe puth kuvendin heroik ,/
Ku ngrihet kombi peshë,/
ku mposht t’urryerin armik, /Malsija burrëreshë./
Dedë Gjo Luli dhe Mehmet Shpendi, ishin bashkë në Lidhjen e Prizreni 1878,ishin bashkë në Betejën e Rrzhanicës, bashkë në Deçiq, bashkë në Greçe, ….dhe të dy i vranë tradhëtisht veç e veç me 1915 nga forcat serbo-malazeze.
(Mehmet Shpendi,1851-1915, i njohur me emrin Sokol Shpendi,një nga themeluesit e Djelmnisë së Shalës.Me 1908, kur po festohej Hyrjeti në Shkodër, mbledh shokët në aksion që të nxjirrnin luftëtarët e burgosur, duke thënë: ” të festojnë edhe ata me ne, se të drejtat dhe liritë po na i garantoka kushtetuta…”. Me 1911 në Memorandumin e Greçës do të firmoste në emër të “Djelmnisë së Shalës”.
Me 1912 përkrah B.Currit, do të hynin në Shkup si triumfator.
Me shpalljen e Pavarësisë, me trimat e Shalës e të Dukagjinit, ngritën flamurin Kombëtar në Logun e Kuvendit të Shalës në Abat.Por trupat malazeze nuk i rreshtën sulmet, për të avancuar në Shqipërinë e Veriut. Gjenerali malazes, Radomir Veshoviq, e thërret për bisedime dypalëshe për një marrëveshje armëpushimi me shqiptarët, si duket sa për ta larguar andej dhe futën 1500 forca në trojet shqiptare.Shqiptarët e fituan betejen, por Mehmet Shpendin e prenë në besë,e masakruan bashkë me shoqëruesit e tij 15 Korrik 1915.
Para se të mbyllte sytë la amanet “Tokë e Qiell dorëzanë ju paça,besë anmikut kurrë me i n’zanë.)
Lufta e drejtë kundër pushtuesit u jepte forcë trimave që nuk ndaleshin për asnjë çast edhe pse ishin të pabarabartë në numër “dy mijë me njëzet mijë” thirrja për një sulm përfundimtar do të ishte humbja me turp e pashait me njëzetmijë
“Dhe prap sulm: Mbi Ta! Mbi Ta! // Mbi mijërat e tjera, //Iu shtir përmendsh të ziut pasha// sikur vërshoj skëterra “//
“Prapo-u shpejt, bre derbede,//Marsh!Me gjithë ushtrira!//Vjen Luma dhe t’i shtrin përdhe //Të majmet egërsirat.//
Kurorëzimi i kësaj fitoreje ishte ngritja e Flamurit në Deçiq, por për fitorën përfundimtare lufta do të vazhdonte në të gjitha drejtimet.
Ata prijës të maleve janë edhe të urtët e “kuvendit heroik “ siç e cilëson poeti sepse me emrin e tyre janë bërë peticionet,memorandumet, strategjia dhe organizimi i luftimeve. Ata trashëgonin përvojën luftarake dhe diplomacinë e etërve të tyre.
Me 10 Qershor 1878 Lidhja e Prizrenit, 22 Qershor 1911 Kuvendi I Greçës, që nga rëndësia janë si Kuvendi i Lezhës me 1444.
Në poemë Lasgushi I drejtohet heroit, M.Shpendi “ Puth Kuvendin heroik” që ishte “Kuvendi i Greçës” vepër e malësorëve dhe e ideologve luftëtarë si R.Siliqi, Luigj Gurakuqi,Hilë Mosi, Ismail Qemali,Nikollë Ivanaj… ku patën përkrahjen edhe nga kuvendet e tjera; nga Vlora, Berati, Mitrovica, Çamëria, Arbëreshët e Italisë dhe të diasporës të dërguar nga Vatra.
> Kryengritja e malësisë ishte e mirëstudiuar : në krye kishte një komitet, që përgatiti një tubim, që i la historisë një dokument me 12 pika (si më vonë 14 pikat e Pres. Wilson) i paraprini dokumentit të pavarësisë 1912. Kjo Greçe e bekuar e katundit Bëkaj të Trieshit, ku dallohen edhe sot vendbanimet Ilire, ishte e ndarë nga trungu mëmë, ashtu si Prizreni ku u bë kuvendi historik,si Manastiri, ku u vendos Alfabeti shqip…
Në Greçe doli deklarata më e fortë e bërë ndonjëherë nga shqiptarët para ngritjes së flamurit të Pavarësisë që e detyroi Portën e Lartë të fillonte negociatat me krerët e kryengritjes dhe të pranonte shumicën e kërkesave, të cilat i hapën rrugën autonomisë. Ato kërkesa edhe sot nuk e kanë humbur aktualitetin, derisa Shqipëria të realizojë bashkimin kombëtar në Evropën e Bashkuar.
Lasgush Poradeci në këte zjarr betejash nuk e ndanë kontributin e grave malësore në luftime dhe në kuvende.Nuk ka dhënë emra të veçantë se ato janë shumë.
Dhe prap djem e pleq e gra//Ngarendin t’armatosur//
Një ndër këto luftëtare është e përmendur Tringa sokoleshë , të cilës shtypi botëror i bëri jehonë, me 1911 “Le Petit Journal” e përshkruan Tringë Smajlin si (“Yannitza,Albanian Joan of Ark” ) Virgjeresha (burrëresha) shqiptare Zhan D’Ark po të njëjtën gjë e përshkroi edhe gazeta” New York Times “ ndërsa Fishta I madh e kishte ngritur heroinën , në piedestalin e pavdekësisë te” Lahuta e Malcisë” …
Në kryengritjen antiotomane të vitit 1911, Tring Smajlja u shqua së bashku me bashkëluftëtaren e sajë Norën (nusja e djalit e Dedë Gjo Lulit), bija e Kolë Baca Kurtit dhe shumë të tjera….
Kur vëllezërit e Tringës ranë deshmorë, ajo veshi çakçirët, ngjeshi armët brezit, dhe iu ngjit malit përpjetë duke marrë pjesë në luftime direkte si luftëtare e sprovuar deri në majë të Deçiqit të Grudës, ku u valviti flamuri i Skenderbeut me 6 prill 1911. Ajo u dallua si pjesëmarrëse direkte në kuvendin historik të Greçës 10-23 qershor 1911, gruaja e parë që merr pjesë në një kuvend historik duke u trajtuar si e barabartë me hartuesit e memorandumit, që kishte në themel autonominë. Ajo e vazhdoi luftën edhe mbas 1912 kundër padrejtësisë, në aneksimin e trojeve shqiptare nga Konferenca e Londrës 1913, ku përfshihej edhe Gruda e saj e shtrejtë. Duke dhënë gjithë potencialin e saj fizik, shpirtëror e mendor për lirinë e Atdheut ajo mendoi edhe për përparimin shoqëror nepërmjet shkollimit, për këte shkrini gjithë pasurinë e saj për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe si një traditë e hershme, që pranë çdo Kishe ngrihej një Shkollë.
> Një shembëlltyrë tjetër si e Tringës dhe e vashave shqiptare, Lasgushi e përjetësoi edhe te poezia “Lavdurim”botuar më 1931.
> Një dedikim për Parashqevi Qirjazi,që punoi pa pushim për çështjen kombëtare.( Një nga themelueset e institutit femëror “Kyrias” në Tiranë e Kamëz (1922-23). E para grua shqiptare dhe në botë që merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Paris me 1919, si burrneshat malësore,pjesëmarrëse në kuvende.)
Nuk mund ta ndajmë nga këto ngjarje edhe “Mbretëreshen e Maleve”. E.Durham e cila shkruan te “Brenga e Ballkanit”:Unë nuk gjej tjetër gjë që ata i besojnë vërtetë, përveç “Kanunit”dhe thënies që përbën kodin e tyre :”Nuk ka ushtri që të na nënshtrojë “
Edith Durham, ishte prezent në grupimet e malësorëve me 1911, por në një funksion tjetër,në fushën diplomatike e cila me deputetin e parlamentit Britanik,Aubrej Herbert,lobonin për Shqipërinë,duke u bërë thirrje fuqive të mëdha, për dramat që po luheshin në kurriz të shqiptarëve.Ata shkuan edhe më tej, me 1912 krijuan Shoqatën Anglo-Shqiptare.
Lasgushi (1899-1987)si progresist i jep prioritet pjesëmarrjes të të rinjëve të cilëve u përket e ardhmja, ashtu si heronjtë e poemës që shtuan radhët me pasonjës të vendosur për të vazhduar rrugën e tyre:
“Ky Deda që nuk njeh sulltanë// Na dha Kolë Marash Vatën// Ky Shpendi që s’njeh Turk Osman// Na dha Zef Bua Shpatën//
Nga një djalosh për luftë e zjarr //nga kull’e vet krenare //nga gjaku i zemrës, gjak shqiptar // Për Motrën shqiptare//
Edhe Lasgushi ishte një luftëtar I paepur, edhe pse fizikisht kishte kaluar sëmundje jo të lehta,arma e tij e fuqishme ishte fjala e urtë dhe e zjarrtë (siç e thotë te poezia Sokrati “Zoti ynë quhet Dituri”)
(Vetë Lasgushi qe një shembull i shkëlqyer në rininë e tij: studioi 17 vite nepër Universitetet e Evropës duke mbrojtur tri doktorata dhe tëre diturinë që akumuloi ndër vite e ndriçoi me yje në
veprat e tij “Vallja e Yjeve”1933 dhe “Ylli i Zemrës”1937.Lasgushi si mjeshtër i penelit dhe skalitës i vargut, luftoi me vargjet që i përzgjodhi me mjeshtëri për t’i dhënë jetë dhe vazhdimësi idealit tij si njeri i lirë për një shoqëri të emancipuar në një shtet të bashkuar e të pavarur. Pena e tij e Artë, e shkroi gjuhën e bukur shqipe, me një stil të ri elegant e te zhdërvjelltë. Veshja gjuhësore e zgjedhur prej tij dhe e inspiruar nga folklori I ka dhënë poezive të tij ngjyrimin dhe përmbajtjen kombëtare.Nga kjo, poezitë e kollosit të lirikës shqiptare, kanë ritëm e melodi, kanë qenë dhe janë produkti më i mirë për kompozitorët. Poezitë e tij të hedhura në pentagram janë përjetësuar nga këngëtarë të famshëm si sopranoja e pavdekshme Tefta Tashko, apo këngëtari i fuqishëm i këngëve patriotike Ilir Shaqiri …..
Duke qenë Lasgushi i tillë i pamposhtur, me një qëndrim dinjitoz dhe i pakomprometuar gjatë rregjimeve të ndryshme, kishte besim te rinia, që energjinë mendore e fizike ta vejë në funksion të zhvillimit, të progresit si te vargjet që nxitë edhe sot djalërinë të lidhin besën për Atdhe e komb, për liri, për lumturi, se Ata i duhen Shqipërisë më shumë se kurrë, sepe Ai vdiq me brengën e Shqipërisë të ndarë në pesë shtete dhe të pavarësisë së Kosovës dhe bashkimit të saj me trungun mëmë, si dikur në Iliri.Le të udhëhiqet sot Rinia nga ky Himn Maratonomak….
“MARSHI I DJALËRISË”
Urdhëroj I madhi Zot/
Zu ndrin yll I Shqipërisë /
Ndrine më s’ përmbahet dot /
Po rreh zemr’ e djalërisë /
Djalëri lart pë liri/
Lart për Zonjën Shqipëtare! /
Yll në ballë e zjarr në gji /
Zjarr në gji për Shqipëri /
Digjen zemra djaloshare /
Lidhni besën për Atdhe
Ju me gjak të Kastriotit /
Lidhni e shpejt e bëni be/
Be që vret porsi rrufe
Para kombit, para Zotit /
Djalëri hen Yll I ri/
Djalëri keng’ e shendetit/
Për Liri, për lumturi/
Rrofsh e lumja Djalëri! /
Rrofsh e qofsh sa val’e deti.
L.Poradeci
“Ministri i Hekurt,Mirash Ivanaj”- Një Përmendore nga Prof. Lazer Radit
Prof. Lazër Radi i ngre një përmendore ,Mësuesit tij të nderuar dhe Reformatorit të Shquar të Arsimit Shqiptar, në librin “Ministri i Hekurt,Mirash Ivanaj”….
Nga Pertefe Leka-
“Mirash Ivanajn (1891-1953) e kam pasë konsiderue gjithmonë njeri të jashtëzakonshëm,qoftë kur e pata profesor në gjimnaz,qoftë kur u shfaq si Ministri ma reformator I Arsimit Shqiptar,qoftë kur në kohën e dhunës,e pata shok vuajtjesh e sakrificash, po edhe përkthimesh në burgun e Tiranës.” L.Radi
Kam pasë fatin ta takoj Z.Lazër me fisnikën e tij, Zonjën Vitore, pasi ishin kthyer nga internimet, kur i vizituam me Dritën Ivanaj në vitin 1993.
Kam përjetuar emocione të papërshkrueme.Isha prezent kur Z.Lazër pas një bisede të çiltër e me shumë urti, I dorëzoi Dritës sendet e ruajtuna në burg të Axhës saj, Mirash.
Mënyra se si ia dha të jepte përshtypjen se Ai ndrydhte një ndjesi të brendshme,por i përmbajtur, u shfaq natyrshëm përpara Dritës për të mos e lënduar Ate.
Me pamjen e tij si burrë i qëndresës dhe me një krenari prej zotnije i transmetoi Dritës fillin e lidhjes me familjen e saj, duke hapur para thesarin e kujtimeve.
Nuk mund ta harroj kënaqësinë, që ndjeu Z. Lazër, kur i dha Dritës me dorën e vet, torbën me beze të bardhë, të ruajtur me fanatizëm ndër vite, nga Axha I saj në emigracion dhe në burg,dhe më vonë amanetin të ruajtur nga Z.Lazër në internimet drithëruese. I lehtësuar nga ky detyrim moral dhe i plotësuar se kishte respektuar me devocion misionin e Besës, që profesori dhe miku i tij ,Mirash e kishte aq për zemër, u përqaf me Dritën dhe shprehja e fytyrës tij foli,” vazhdo në rrugën e xhaxhait.”
Këte ngrohtësi që mori Drita në këte familje ishte si zjarri i Zeusit,që i duhej Dritës për ta shpërndarë në vijimësi,si trashigimtare e denjë e Ivanajve.
Shkrimtari dhe publicisti I shquar Prof. Lazër Radi në librin “Ministri i Hekurt, Mirash Ivanaj”( është libri I tretë që botohet për M.I. pas “Misteret e një Ministri” L.Radi 1995, “Epopeja e Njeriut “ Perkthim i poezive të vëllezerve Ivanaj nga L.Radi e shumë artikuj ) ka përshkruar ngjarje e fakte reale nga jeta e tij si student I Profesor Mirashit , nga Reforma Arsimore Ivanaj dhe jeta e përbashkët në burg, të dy si dijetarë e përkthyes. E kam lexuar me lehtësi librin, pasi kisha pak a shumë dijeni për të dy personalitetet.Epiteti i hekurt të jep përshtypjen fillimisht se do të ketë një përmbajtje të ftohtë, të trishtë, por hekurin e librit e shkrinte fjala e ngrohtë e plot dashuri e Prof. Radit për Mësuesin dhe mikun e zemrës,Mirash. Pastërtia e gjuhës në gegnishte, fjalitë e goditura dhe dialogjet e sinqertë rreshqitnin me shpejtësi në lexim,të jepnin kënaqësi për ta asimiluar shpejt mendimin.
Jam përqëndruar më shumë në tregimin nga jeta në burg, nga ku kam nxjerrë detaje që i shërbenin kërkeses sime për shkrimin në fjalë.
Prof. Iljaz Gogaj në librin e tij “Mirash Ivanaj ” e ka nxjerrë të përkryer figurën morale dhe intelektuale të Ivanajt duke i dhenë përmasat e një gjeniu shkencëtar, me një përkushtim ndaj kultit të Punës dhe me idetë e tij antikonformiste të palëkundura.Gogaj e ka realizuar çdo gjë nepërmjet dokumenteve,korrespondencave, nga bisedat me njerëzit që ruanin kujtimet për mesuesin,drejtorin,juristin,publicistin,humanistin etj. Ndërsa Prof. Radi, i ka sanksionuar superlativat e kolegëve duke e përshkuar karakterin e tij, nëpërmjet filtrave të vuajtjeve dhe vështirësive të njohura nga afër, aty , kur ishin në izolim, ku shkruan:”Mirash Ivanaj,ishte nga ata që në vështirësitë më të egra dhe mungesash të mëdha, shkëlqente si të ishte fitimtar në ndonjë betejë të rëndësishme.”L.Radi
Nga kjo shprehje e Prof. Radit mora një nxitje për të argumentuar historikisht,betejat e rëndësishme jo vetëm të Mirashit por edhe të paraardhesve të fisit Ivanaj që kontribuan me armë në dorë apo me rrugë diplomatike për Lirinë,Pavarësinë dhe në përgatitjen e njeriut të ndërgjegjshëm me dashuri dhe sakrificë për Atdheun.
Fisi i Ivanajve asht i dokumentuar që nga viti 1944.Prof. Radi e përmend origjinen e tyre nga Bëkaj e Trieshit,Malësi e Madhe.Njihen si njerëz me kontribute për qeverisjen e vendit,për ruajtjen e zakoneve të mira e të gjuhës shqipe edhe pse te rrethuar prej elementit të huaj etnik.Kanë mbetur në histori të njohur për trimëri e mençuri, si pjesëmarrës në ngjarje të rëndësishme të Malësisë Madhe. Babai i Martinit e Mirashit, Doda, ishte dënuar tri herë me vdekje nga pushtuesit otoman,
Xhaxhai,Leka ishte përfaqësues i Malësisë në “Lidhjen e Prizrenit “.Me 4 Prill 1880,Krerët e Maleve në marrëveshje me degën e Lidhjes së Prizrenit në Shkodër i drejtuan ambasadorëve të fuqive të mëdha një protestë për mbrojtjen e trojeve shqiptare të aneksuara nga Mali i Zi. Midis nënshkrimeve ishte edhe ai, i Lekë Ivanajt.Si aktiv në çështjen kombétare, Leken e vranë Malazezët në pabesi në Shkodër me 1884.Ai ishte i përmendur jo vetëm për Trimëri, zgjuarësi e humanizëm por edhe si veprimtar i dalluar në pajtim gjaqesh.Për të gjitha meritat populli e therriste Kapedan dhe për marrëdheniet e mira vëllazërore në Triesh e Grudë përmenden si “Leka e Doda” ashtu si edhe sot “Martini e Mirashi”
Edhe Nikë Bardh Ivanaj ishte një tjetër pinjoll i kësaj familje. Si luftëtar i njohur në luftë kundër malazezëve, për te,ka shumë episode se si i ka shpëtuar ndjekjeve të tyre në pabesi.
Në faqen 65 të librit në fjalë, prof. Radi ia kushton edhe një figure tjetër të rëndësishme të Ivanajve, Nikollës edhe ky, nga Bëkaj e Trieshit. I lindur në Grudë, i rritur në Pdgoricë, i shkolluar në Beograd,Vjenë,Zagreb…
Me gamen e veprimeve të tij, si pjesëmarrës në kuvendin e Greçës, mund të konsiderohet ambasador i kryengritësve shqiptarë,në rrethet Evropiane, në prag të shpalljes së Pavarësisë.Merr pjesë në shumë konferenca të organizuara në Romë,Paris,Londër,Boston e tjere …..Duke qenë aktiv në lëvizjen ilegale italiane të Mazzinit, u përpoq të ndikonte në Shqipëri me idetë e tij,duke marrë drejtimin e një lideri të lëvizjes Nacional Shqiptare.
Fillimet e këtij ndikimi u dukën në Shkodër me 1905, ku ishin ngritur disa komuna sociale të vogla por qe ranë ne sy te qeverise turke të cilat i shkatërruan që në embrion.Për t’i dhënë më shumë forcë këtij ndikimi, Nikollë Ivanaj,botoi në Raguzë,Trieste e Romë, gazetën “Shpnesa e Shqypnisë” ku propagandoheshin idetë e Mazzinit, të përshtatura për
Shqipërinë e tre besimeve me divizën e Pashko Vases, një mazzinian i fjalës dhe i aksionit, “Feja e Shqyptarit asht Shqyptaria.”
Ka mbetur në histori fjalimi i zjarrtë i N.Ivanajt ,me 26 Janar 1911, përpara shoqatës së shtypit italian në Romë,në prag të kryengritjeve të mëdha të veriut dhe të një aktiviteti të dendur politik e diplomatik.Atehere kur Kristo Dako kishte ardhur në Shqipëri me Charles Richard Crane,i cili lobonte për Shqipërinë në Qeverinë Amerikane gjatë Konferencës së Londrës 1912-13.(Crane i njohur si sponsorues i Robert Kolegjit në Turqi, ku studiuan shumë studentë shqiptarë me sponsorizimet e tij, si motrat Qirjazi po ashtu edhe sponsor i shkollës së Dakës . Crane, duke qenë këshilltar i Woodrow Wilson, bëhej ndërlidhës i shqiptarëve me Presidentin Amerikan, për çështjen e mbrojtjes së Pavarësisë.)
Me oratorinë që e karakterizonte, N. Ivanaj bënte thirrje në ndihmë të Atdheut:”Po ju sjell,o njerëz të lirë, jehonën e thirrjeve kryengritëse të Atdheut tim të robëruar…”Fjalimi u botua në Romë pas një viti,kur Shqipëria fitoi Pavarësinë.
Me 10 Nëntor 1999 Fondacionet Ivanaj,me insistimin e Drita Ivanajt, e botuan këte dokument të rëndësishem “An Albanian Revival” në përputhje me kërkesat e kohës, kur Kosova me Luftën e saj të drejtë,po shkonte drejt Lirisë e Pavarësisë.
Për këte aktivitet,Nikollën, së bashku me shumë arbëresh dhe patriotë të tjerë të aktivizuar për çështjen shqiptare, i dëbuan nga Italia. Atëhere u vendos në Francë,ku takoi me bashkëluftëtarë të Garibaldit dhe me Leninin, një takim shumë i përfolur dhe i publikuar gjatë periudhës së diktaturës në Shqipëri,sepse me 1917 Lenini kishte denocuar traktatin e fshehtë të Londrës, ku likujdohej Pavarësia e Shqipërisë”.
Ne gusht të vitit 1912, merr pjesë në një konferencë të rëndësishme në Sofje për të cilën shkruan gazeta franceze “La Temps ” deklaratën e N.Ivanajt me dy qellime kryesore: Aktivizimin e ndergjegjës Kombëtare në mes të popullit dhe paraqitjen e problemit shqiptar perpara Europës me rrugë diplomatike ( një dokument i përkthyer dhe i publikuar nga Aurenc Bebja )
Me rëndësi është pjesëmarrja e tij në Kongresin Shqiptar të Triestës, 1913,të organizuar nga Faik Konica dhe Sotir Kolea….për njohjen politike dhe ekonomike të Pavarësisë së Shqipërisë drejtuar fuqive të mëdha.(e dokumentuar edhe në librin “Shpresa e Shqypnisë “ ,”Shpnesa e Shqypennis” me autor Paolo Muner,simbol i shqiparizmës)…
I pandarë nga qyteti i Shkodrës, Nikolla, organizon atje klubin “Lidhja Kombëtare ” dhe gazetën me të njejtin emër, ku shtronte pikëpamjet e vetëqeverimit shqiptar, në mbrojtje të drejtave të popullit tonë.Mirashi nga ana tjetër edhe pse më I ri në moshë së Nikolla,po me këte vrull dhe kurajo civile, organizon protesten me studentët e Romës në Shkurt të 1917. Kur profesori i Universitetit të Romës Dr.Oracio Pedroci, kishte mbajtur një konferencë historike në sallën e Universitetit, për të mbrojtur të drejtat Italiane në Dalmaci dhe ndër të tjera kishte mbështetur pretendimet e Serbëve për dalje në Detin Adriatik me anën e Bunës,Shengjinit e Durresit. Mirashi, si studiusi i historisë së lashtë të popullit shqiptar, nuk mund ta kalonte lehtë këte incident, ndaj mblodhi studentët me aktiv, si Demir Vila, Lef Nosi,Teofik Mborja, etj.në një protestë kolektive për ta botuar në një gazetë të Romës ku shprehte indinjatën, kundër pikëpamjeve të padrejta që iu servirën opinionit publik.Ky qëndrim I studentit atdhetar përforcohet në korrespondencën me Ideologun e Levizjes Kombëtare,Mit-hat Frashëri.
Më 1919, N.Ivanaj si delegat i “Partisë Politike” shqiptaro -amerikane merr pjesë në “Konferencën e Paqës në Paris” së bashku me Kristo Dakon,i cili e drejtonte ate Parti dhe kishte kontaktuar dy herë me Presidentin Wilson për t’i spjeguar aspiratat e popullit shqiptar.
Letrat e N.Ivanajt, dërguar Kristo Dakos më 1920, pas Konferencës së Paqës në Paris,ishin urgjente, sepse Italia vazhdonte pretendimet për Vlorën dhe Greqia për Shqipërinë e jugut “Popullin Shqiptar nuk duhet ta komandojë as Italia,as Greqia dhe as cilido mandat tjetër kushdo qoftë”.Atëhere duhej nxitur opinioni i diasporës dhe fuqia e një autoriteti siç ishte Presidenti Wilson,të cilit i drejtohet me letër :
“Unë apeloj në të mirë të popullit tim shqiptar, përfaqësues i të cilit jam në të drejtat e mija të njeriut dhe në principe që përfshihen në 14 Pika të Pres.Wilson duke u lutur se shqiptarët nuk mund të lëshojnë shtetin e vet, kërkesave të Italisë e Greqisë”
Viti 1923,ishte viti i një pune intensive, për Mirashin.Ai po përgatiste tezën e Laurës së dytë, kur lajmërohet prej Nikollës se kishte blerë një shtypshkronjë.Pa asnjë hezitim,iu përvesh punës dhe me 24 Tetor 1923 doli në Shkodër numri i parë i gazetës javore “Republika” me termin e së cilës shikonte fillimin e një levizjeje për një trajtë rregjimi që rridhte nga idetë demokratike,sipas shprehjes se M.Ivanajt :”Të të gjitha klasave që përbajnë nji shtet”. Artikujt që shumica dilnin nga Mirashi por edhe nga Nikolla e Martini shpalosnin idetë e Lirisë,Demokracisë dhe te Shqiptarizmit.
Zgjodhen publicistikën, si fusha më e përshtatshme për të dhënë kontributin e tyre në të mirë të zhvillimit, emancipimit dhe përparimit të bashkësisë shqiptare,ku shfaqeshim mendimet politike e shoqërore.Edhe gazeta “Bashkimi” e përditshme në Shkodër,e drejtuar prej tyre, ishte për të ndihmuar shtetin e asaj kohe për të zgjidhur problemet që i përkisnin popullit,sidomos arsimimi në shkolla shtetërore të kontrollueme prej qeverisë.”Besimet do të hyjnë vetëm sa i përkasin historisë e jo të marruna si bazë ekskluzive të një morali të caktuar.”
Kur ishte drejtor shkolle në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër,Prof.Mirashi, përveç punëve organizative,edukative,mësimore,kulturore, në normalizimin e anarshisë dhe në strukturën e shkollës (kur krijoi degën normale), përsëri shikonte se faktorët e jashtëm ishin pengues e dëmtues për gjimnazin e shtetit.Për këte evidentonte shkollat private, propaganden klerikale dhe ate të shteteve fqinj. Synimi ishte të nxirrte qytetar të devotshëm me mendim të njësuar nacional.Në programin mësimor përveç kërkesave shkencore pedagogjike i dha prioritet formimit kombëtar mbi themele shqiptare për ecurinë e përparimit të shkollës në dobi të vendit . Ngjarja e demostratës në Shkodër, në festën e Flamurit 1927 është një provë e mirëfilltë për qëndrimin patriotik të Prof.Mirashit. Flamuri shqiptar, në Bankën e Shtetit, ishte vendosur në të majtë, ndërsa flamuri italian në të djathtë. Studentët duke parë këte nënvleftësim, të flamurit shqiptar,demonstruan të bashkuar për këte qëllim,ndërsa grupi i studentëve që ishin në prag të maturës,(Jahja Domnori,Jup Kazazi,Jahja Baçe,Agustin Shestani ..marrë nga libri M.Ivanaj I Iljaz Gogajt) u përpoqën,me anë të një shkalle, ta hiqnin flamurin italian, por nuk arritën sepse i arrestoi policia.Pas këtij aksioni,Drejtori i mblodhi studentët, i këshilloi ëmbëlsisht dhe ndër të tjera u tha :”Ju tashmë jeni të rritur dhe dini vetë si të veproni” Kjo këshillë sipas Dr.Milajt ishte më shumë se aprovim. Prof.Radi këte moment e ka paraqitur,në f.165 por personi M.T.i shkruar në libër nuk është në dokumentin historik të shkollës.
Pyetjes së prof. Radit, drejtuar Mirashit (f.209) në lidhje me studentët i përgjigjet :M.I.—-“Në Gjimnazin e Shkodrës kam pasë disa nxanës shumë të mirë, sidomos të edicionit të parë të maturës që edhe sot i kujtoj me respekt ” ( Ata janë :Qamil Golemi,Jahja Domnori,Rexhep Berdica,Xhemal Lopçi, Refik Shpuza,Ahmet Ashikja, janë edhe në foton e vitit 1928 ku mes tyre hijeshon ,Drejtori Mirash Ivanaj ,P.Leka )Në bisedë e sipër, përveç atyre evidenton edhe shumë të tjerë,si Abaz Ermenji,Vasil Konomi,Gafurr Çomo,e sidomos Jakov Milajn të cilin e konsideronte si inisiatorin e “Shoqërisë Besa” . Kanë mbetur edhe sot emblematike në këte Gjimnaz, fjalët shpresëplote të Drejtorit Ivanaj, kur po përgatiteshin për provimet e maturës së parë në gjuhë shqipe: “Të jetë fatlum dhe me fillim të mbarë, indipendenca në fushën arsimore të kombit”
Një vend të rëndësishem në libër (67-91) Prof.Radi ia kushtoi rëndësisë së Reformës Arsimore të Ivanajt për të cilën thotë se mori dimensionet e një shkolle kombëtare .Në Gjimnazin e Shkodrës ishin regjistruar nxënës nga të gjitha krahinat e Shqipërisë edhe nga Kosova e Çamëria.Reforma ishte për forcimin e shtetit shqiptar, sepse ndërhyrjet e huaja, qoftë nëpërmjet shkollave apo
kulturat e ndryshme politiko-ekonomike,realizonin synimet lakmuese të fqinjëve .Në shkollat e minoritetit thekson Prof.Radi këndohej “Flamur me kryq ,me kryq,//Një dy,një dy//Vra shqiptar,Vra Shqiptar//”Nga Ana tjetër Fashistët italian nuk e kishin harruar disfatën e Vlorës 1920,siç shkruan Radi, Musolini donte La Rivinta (hakmarrje) Situatë të cilën edhe të huajt,miq të Shqipërisë, e kishin nuhatur se ku po shkonte vendi me kreditë e shumta të Italisë. Vepra e Telford Erickson “Little kingdom,what next “(“Mbreteria e vogël, por më pas çfarë do të ndodhë “)një ndër pesë veprat të përmbledhura në “Enigma e Ballkanit” Parashikon katastrofën që do të sjellin kreditë e shumta dhënë Italisë. Në këto kushte, reforma,për mbylljen e shkollave të huaja, nepërmjet tyre dhe të influencave të huaja u mirëprit nga elementi patriotik përparimtar. Mund të themi se Dr.Martini i kishte paraprirë i këtij vendimi i cili, që me 1930 kishte shfaqur mendimin se shkolla fillore duhet të jetë tagër vetëm e shtetit:”Shkolla fillore ka ate mision historik ku unjisohen të gjitha forcat morale dhe politike që ka kombi” Ajo që pritej erdhi ,Viti 1939. Prof. Radi i ka përshkruar vëllezërit si djemtë e traditës në mbrojtje të Atdheut me armë në dorë.”Ditët e fundit të Mbretërisë shqiptare, vëllezerit Ivanaj e në mënyrë të veçantë Mirashi,bënë përpjekje për të organizuar një repart ushtarak në mbrojtje të kufijëve të Atdheut .Me nji karabinë në krah, i kishte ra kryq e tërthor Tiranës, por në rrugët e boshatisura nuk kishte takuar asnji grupim të organizuar të armatosur.”f. 263 Për ta përforcuar këte mendim, shton edhe përshkrimin e Dr. Milajt “Shokët e mij më kanë thënë se janë çuditur ,kur me 5-6 Prill kanë parë Profesor Mirashin me të vëllanë, që kishin lënë zyrat dhe bashkë me turmen ,brohorisnin rrugëve ,Duam pushkë,Duam pushkë,duke shkuar para M.P.B.,Komandës së Mbrojtjes dhe Pallatit Mbretëror ” Të ndodhur në këto rrethana,si antifashistë dhe nëpunës të lartë të shtetit u larguan nga Shqipëria . Pohimet e Mirashit në hetusi dhe në bisedat me Radin në burg f.140 “Në Stamboll nuk kemi formuar ndonji organizatë ….Kemi ba disa akte dhe mbledhje kur ka filluar Lufta Italo-Greke, kemi ba nji protestë në lidhje me fjalimin e Çurçillit dhe nji herë tjetër kundër Greqisë,kur kërkonte viset tona të Korçës dhe të Gjirokastrës .Nuk kam pasë lidhje me asnji organizatë jashtë Shqipnisë, sa për Sterling- u, unë nuk e kam takuar kurrë. Duke u nisur nga gjithë ky aktivitet, me një patriotizëm të shkallës më të lartë,po të mos i ndërpritesh hovi i punës, të vazhdonte me ate guxim qytetar, me ate kulturë të pasur, me ate karakter të fuqishëm , Mirash Ivanaj do të ishte një Lider që do ta çonte vendin në udhën e përparimit evropian. Prof Radi, i përkushtuar që të nxirrte në dritë, se Ivanajt e donin Atdhenë duke u përballë me të vërteten, i jep vlerë universale betimit të Malësorëve “Për Qiell e për Dhe” Mbi çdo gjë Dheu dhe Liria .Mbi bazën e kësaj filozofie popullore janë ngritur shtyllat e kontributit tyre së bashku me mendimin e veprimin si Mazzinian, të cilët e mbajtën të gjallë thënien profetike të Mazzinit ,kampioni i drejtimit intelektual të lëvizjes “Risorgimento “(Riperteritja) me frazën e tij Apostolike : “Patriotizmi si një detyrë, dashuria per Atdhe si njé mision hyjnor “.Gjithë ky ndikim patriotik e filozofik është pasqyruar edhe në veprat e Ivanajve,edhe pse studiuan nepër shkolla te huaja ,ata e shkruanin gjuhën shqipe perfekt pa barbarizma, bile gjuhë shqipe të të gjitha krahinave, që kërkon një vëmendje të veçantë. Studimi i teorisë Pellazgjike nga Mirashi,për të pasuruar sa më shumë historinë e lashtë të popullit tonë apo tema e Laurës “Historia e gjuhës shqipe në marrëdhënie me gjuhët e vjetra “, Temat e hartimeve qe jepte në shkollë”Atdheu nuk madhnohet me fjalë por me vepra “,”Secili shtetar në çdo situatë që të ndodhet mund t’ i shërbejë Atdheut . Ato pasohen me tezën e Laurës së Martinit nga Kanuni i maleve dhe me vepren e Nikollës “Historia e Shqypnisë së Re” duke shtuar publicistikën,fjalimet,veprat letrare, që bëjnë së bashku një monument Atdhetarie dhe fashisin çdo insinuatë apo thashemnajë ndaj tyre, si bolshevikë,mason,antifetar etj. Për këte Prof.Radi e ka evidentuar me një dialog Mirash dhe Gjergj Bubani f.205 Gjergji–A keni ardhur nga mërgimi vetëm për hatër të librave ? M.Ivanaj—Jo o Gjergj — nuk asht ashtu! Librat mund të jenë nji nga arsyet, por jo kryesore.Unë erdha në Shqipni, në Atdheun tim, Zani i këtij Atdheu asnjëherë nuk rreshti së thirruri, këtij Zani iu binda . ndër të tjera thekson: “Midis dorëshkrimeve kam pasë dokumente origjinale dhe një korrespondencë të bollshme , po të gjënden do të sqarojnë disa momente të rëndësishme të historisë së Shqipnisë. Kam një shpresë të zbehtë mos ndoshta një pjesë e këtyre materialeve i janë dorëzuar arkivit të shtetit,po të jenë atje, diçka e mirë prej tyre do të dalë në Dritë.” Me keqardhje mund të shprehem, se gjithmonë pushtuesit, kanë synuar të shkatërrojnë trashëgiminë kulturore të një populli, kanë djegur bibliotekat. Kur e bënë ate edhe vetë shqiptarët komunistë me bibliotekat e Ivanajt, Lef Nosit, apo biliotekën dhuratë të Konteshës Carnarvon me 1928 “Biblioteka për Djelmërinë “që ia kushtoi birit të saj,mikut të madh të shqiptarëve,mbrojtësit të të drejtave të shqiptarëve Sir Abrey Herbert 1880-1923 , e sa e sa të tjera kjo eshtë fatale.Këtu qëndron merita e Dritës,mbesa e Prof. Mirashit e cila sapo ka vënë këmben në Shqipëri ,interesimi më i madh për te ishte, për të kërkuar trashigiminë kuturore të familjes Ivanaj, dokumente dhe studime historike të tyre, për t’ia lënë trashigimi një Instituti studimesh për Rininë Shqiptare të cilën e realizoi pas një maratone të gjatë me themelimin e Fondacioneve “Martin e Mirash Ivanaj ,Institut” në Tiranë e N.Y..Ky institucion është sot një qendër kulturore ,ku realizohen projekte bashkëkohore, Konferenca Jubilare,Promovime Librash , (siç u realizue edhe libri në fjalë ),aktivitete shkencore për rininë ku janë bashkuar shumë të Rinj Vullnetarë të etur për dije .
FISHTA PËR SHQIPTARËT DHE ALBANOLOGJINË
NGA PERTEFE LEKA/
Albanologu Robert Elsie, përkthyesi i veprës madhore të Fishtës shkruan: “Lahuta e Malcisë” është një kryevepër e cila ka vend në radhën e eposeve të mëdha botërore … e kam quajtur “veprën e parë letrare që i përket Botës “
Viti 2020 është viti i personalitetit më të shquar shqiptar, ku në vleresimin e Dr. N.Jokl shkruhet:
“Shqipnia pati nji fat t’madhe t’jashtzakonshëm, shka nuk e patën popujt e tjerë,veçse mbas qinda vjetësh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin, përmbi t’gjithë, atë, që u pshtet në popull t’vetin e n’gjuhën e tij e që me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishta…..Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë “….Dr.Norbert Jokll Abanolog me prejardhje Hebre (përkthimin e gjeta në dialektin verior)
Fishta ishte një individ që i përkiste të gjithëve me pseudonimin Gegë Toska, sepse me modestinë, tolerancën dhe rrafshimin e diferencave nën emrin shqiptar fitoi madheshtinë dhe pavdekësinë.Me punën e parreshtur studimore, krijuese, shkencore, u bë Ai vetë Institucion i shqiptarisë dhe albanologjisë.
Lajmi I shumëpritur I hapjes së katedrës Albanologjike në Universitetin më të vjetër katolik DePaul në Çikago na kujton përpjekjet e Fishtës 100 vjet më parë, në këte fushë si pasionant i gjuhës shqipe.
Për këte të kujtojmë përpjekjet e Fishtës, drejtuar autoriteteve pushtuese ( ashtu si edhe Noli )që të shpëtonin Albanologun me prejardhje hebre nga Hollokausti, që edhe sot mund t’ i shërbejë lektorëve për organizimin e Konferencave për Holokaustin dhe shpetimin e Hebrejve në Shqiperi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte Fishta vullnetmirë që i drejtohet autoriteteve të larta italiane ku shkruan:” Qendra jonë e studimeve shqiptare do donte nji impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës, ku me inisiativen e tij po organizohet nji grup të rinjsh, veçanërisht të përkushtuar ndaj Albanologjisë”…Në këte gjithëpërfshirje Fishta si institucion më vete duhet të jetë prezent edhe në Amerikë që t’ju flasi jo vetëm shqiptarëve por edhe etnive të tjera të interesuara në albanologji. Statuja e tij nuk është për dekor por do të sjelli filozofinë e tij kombëtare siç e përshkruan Prof.Çabej : “Ky burrë me pamje madheshtore, që në të folur I dashur dhe I kthjellët, mik i kallzimeve të këndshme aq tërheqëse si njeri, sa ka qenë origjinal e i madh edhe si shkrimtar”. (marrë nga studimi “Poeti shqiptar, Gjergj Fishta”E.Çabej)
Kur Italianët emigruan në Amerikë sollën me vete, dy monumente, kushtuar
dy përfaqësuesve të mendimit progresiv të vendit të tyre : Mazzinin edhe Garibaldin bashkë me to edhe filozofinë, kulturën dhe revolucionin që I sollën Italisë bashkimin kombëtar.
Idetë e tyre I përkrahu Presidenti Willson. Kur ishte në Paris 1919 vizitoi Monumentin e Mazzinit në Itali,.ku u përkul me respekt përpara ideologut tij, duke shprehur mirënjohjen për frymëzimin që mori nga themeluesi i Risorgimentos, duke krijuar kështu, Filozofinë Willsoniane, siç e cilësoi Fishta në fjalimin historik të Konferencës, në Paris. Edhe Fishta kështu veproi, kur ishte në Paris me 1919 e vizitoi në Itali, Atë De Martinon 90 vjeçar, ithtar i Mazzinit, duke shprehur konsideratat më të larta për mësuesin e tij. Ja, sa afër janë njerezit e mençur, kur i bashkon mendimi i lirisë dhe pavarësisë së popujve. Shqiptarët kanë detyrimin e madh ndaj Fishtës për ta pasur prezencën e tij kudo ku janë, në diasporë, sepse është nder për kombin tonë dhe histori kulture gjithëpërfshirëse për etnitë e tjera.
Në të vërtetë, Fishta erdhi në vendin e Statujës së Lirisë, me 8 Mars 1922 dhe realizoi njohjen diplomatike të Shqipërisë si shtet i pavarur. Ishte vizita e parë dhe takimet me zyrtarë të lartë dhe senatorë katolikë amerikanë. Kjo përpjekje e bëri arkitekt të marrëdhenieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SH.B.A.-së .
Ne u jemi mirënjohës të huajve që kanë luajtur rolin e ambasadorëve për përhapjen e kulturës shqiptare. Albanologu , shkrimtari e përkthyesi Robert Elsie(1950-2017) ia kushtoi gjithë jetën Albanologjisë, ku shkroi 60 libra dhe artikuj për letërsinë, etnografinë,mikpritjen …. dhe I përhapi kudo nepër botë . Në përkthimin e kryeveprës së Fishtës shkruante: “Lahuta e Malcisë” është një epos kombëtar, është një kryevepër e cila ka vend në radhën e eposeve të mëdha botërore…në botimin anglisht të Fishtës e kam quajtur “Veprën e parë letrare shqiptare e cila i përket botës”
Në qoftë se Fishta i bëri Monument Malcisë Madhe me kryeveprën e tij, Robert Elsie kërkoi të Varrosej me kostum kombëtar në Alpet shqiptare ku Murana e tij u bë një përmendore për përkthyesin e Lahutës së Malcisë, sepse ishte Ai që nepërmjet përhapjes së veprave tij lartësoi vlerat e kombit shqiptar : Besen,trimërinë, dhe virtytet e tyre edhe atje në vendet, ku nuk ishin shqiptarët.
( R.Elsie ishte lindur në Vankuver të Kanadasë dhe kishte studiuar në Universitetet më të larta të Evropës për filologji klasike dhe gjuhësi (Paris,Bon, Dublin). Edhe pse i doktoruar në perëndim, Robert Elsie, u lidh shumë me Shqipërinë e Kosovën. Me 1978 vizitoi Shqipërinë disa herë,ku mori pjesë në shumë takime shkencore. Si luftëtar për çështjen e Kosovës dhe kulturën shqiptare Ai u bë Anëtar i Akademisë së shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Anëtar nderi i shoqatës së shkrimtarëve të Kosovës, ku do të nderohet përjetë.)
Unë si mësuese letërsie në disa dekada, kam detyrimin të shkruaj dhe të flas me zë të lartë,për Poetin e Madh, dramaturgun, përkthyesin,pasionantin e veçantë për gjuhën shqipe,kur gjatë veprimtarisë time nuk pata guximin të citoja një herë , përpara nxënësve, poezitë e tij Hymne.
Në se e shohim Fishtën si mësues Ai do të na mësojë në vazhdimësi…..Fishta e deshi mësuesinë dhe e quajti “Zeje të shenjtë” duke qenë një nxënës I zellshëm u përgatit nga ana shkencore -pedagogjike sipas kërkesave të kohës, duke shfrytëzuar mendimin bashkëkohor evropian për ta ngritur në lartësi anën mësimore-edukative në shkollë. Kur ishte deputet në Parlamentin Shqiptar, diskutimet e tij brilante për arsimin janë të vyera edhe për ne sot, per zhvillimin e kulturës dhe të arsimit shqiptar. Fishta, edhe pse ishte pedagog i shkëlqyer, e mbante veten si nxënës, që studimet e tij nuk do të mbaronin kurrë…
Si vazhdues i Rilindësve, ndër shumë artikuj, shprehte idetë e tij pedagogjike,
çdo gjë për gjuhën dhe shkollën shqipe. Po ashtu si poet vizionar vuri gjithë potencialin e tij intelektual në përkrahje të çdo lëvizje kulturore e arsimore që krijohej në ate kohë. Si bashkëthemelues i Shoqërisë “Bashkimi” në programin e kësaj shoqërie hartuan, Abetaren, Gramatikën, Fjalorin e gjuhës shqipe… si dhe kryevepren e kohës, Alfabetin e Gjuhës Shqipe që do të miratohej në Kongresin e Manastirit 1908 nën kryesinë e Gjergj Fishtës. Një alfabet që të përmbushte të gjitha kriteret shkencore, dhe do të përdorej në të gjitha trojet shqipfolëse. Për të provuar identitetin e të qenit shqiptar Fishta theksonte :” Me këte gjuhë u ka folë Kastriota ushtarëve që ngadhënjyen “
“Prandaj, pra n’e doni fisin /
mali, bregu e Malcija /
prej njaj goje sod t’brohorasim /
me gjuhë të veten rrnoftë Shqypnia”
Prandaj në vargun e Fishtës gjuha shqipe tingëllon “si kanga e zogut të veres” dhe ka forcë “Si ushtima e nji termeti”.
Me 1902 kur Fishta u bë drejtor i Shkollës Françeskane futi shqipen si gjuhë mësimi, sepse me ate gjuhë dha kushtrimin për lirinë e trojeve Shqiptare në kyevepren e tij” Lahuta e Malcisë” dhe me ate gjuhë luftoi për mbrojtjen e kulturës, të gjuhës dhe të arsimit shqip.
”Nepër gjuhë shqipe bota mbarë ka me ju njoftë ju për shqiptarë
Trima n’za sikurse jena” Gj.Fishta
Me rëndësi për kolosin e letrave shqip ishte përhapja e shkollave në gjuhën amtare, qe do të sillte emancipimin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare. Forca e fjalës së Fishtës zinte vend, ishte jo vetëm mësues me diapazon të gjerë por ishte krijues, filozof,pedagog,sociolog,diplomat,historian,piktor ,muzikant,shkencëtar,që kërkon të mobilizojë të gjitha forcat intelektuale të penës e të dijeve në shërbim të gjuhës e shkollës shqipe për zhvillimin e përparimin gjithë kombëtar: “Nji shtet qe nuk përparon….jetë të gjatë nuk ka” citonte Fishta..
RESPEKTI I FISHTËS PËR MESUESIN E TIJ
E vlerësonte pa masë mësuesin e tij, misionarin, Atë Leonardo De Martino, (1820-1923) që u impenjua në mbarëvajtjen e Shkollave pranë famullive duke dhënë mësime” në gjuhën shqipe.
Atë De Martino ishte Arbëreshi nga Greçi i Puljes, i cili shërbeu për 4 dekada në Dioqezën e Sapës (sot e përfshirë në qytetin e Vau-Dejës ) duke kontribuar njëkohësisht
në arsimimin dhe ripërtëritjen politike të kombit shqiptar. Në këte vazhdë ndihmoi shumë për hapjen e shkollës së vajzave. De Martino duke pasë miqësi me Françesko Krispin, ministër në atë kohë në qeverinë italiane, i cili e adhuronte Atë Leonardon, ia mundësoi kërkesën e tij që të dërgonte për studime në Firence vajzat shqiptare.
(Francesco Crispi, 1818-1901, arbëresh, siç shprehet vetë:”Një shqiptar në gjak dhe në zemër.” Mik i afërt i Mazzinit dhe Garibaldit që luftuan për unifikimin e Itaisë në 1860. Pati funksione të larta në qeverinë italiane pas 1870-tës, ministër, dy herë kryeministër i Italisë.. Shqipërinë e parashikoi si shtet të pavarur, ishte kundër Pan-sllavizmit .Stimuloi shumë marrëdhëniet etno- kulturore midis arbëreshve dhe shqiptarëve, mbante lidhje me Abdyl Frashërin dhe Thimi Mitkon, hapi shkollën stigmatine në Shkodër. Giuseppe Verdi e kishte pershëndetur -Një Patriot I Madh-)
Nga kjo ndihmesë,dy vajzat e para, Lulib Malja nga Shala dhe Dile Gjonaj nga Shllaku dhe më vonë edhe 4 të tjera, do të përgatiteshin për motra- mësuese për të dhënë mësime në Shkollën Femërore Stigmatine, që ishte e para në historinë e vendit tonë.
Vajzat nga Malësia ishin misionaret e para, që po përgatiteshin për t’i sherbyer vendit të tyre. Në këte shkollë përveç mësimeve fetare, merreshin njohuri nga kultura evropiane pjesë e së cilës ishte edhe Shqipëria, ku mësonin për historinë e popullit tonë,si dhe për personalitete te shquara të mbarë kombit shqiptar.
Për këte De Rada shkruante “I përndrituri De Martino, ka merita me shumë se ne të gjithë, se po ngre lart shpirtrat e banorve të Shkodrës dhe të provincës saj ku Ai shërben.”
Vepra e Fishtës dedikuar shkollës femërore: “Shqyptarja e Qytetnueme”
Ideja e Fishtës se “Edhe bijave me u dhanë mësime në gjuhë amtare” u kuorëzua me veprën “Shqyptarja e Qytetnueme” botuar në Shkodër me 1929 me pseudonimin Gegë Toska, me rastin e 50 vjetorit të shkollës femnore te motrave stigmatine. Shkolla për Fishtën ishte ‘Tempulli i dijes’ ku aftësohet dhe mprehet mendja e njeriut e cila bëhet e plotëfuqishme me punë te vazhdueshme që të çon në drejtim të progresit. S’ka dyshim se rezultatet e shkollimit i përkasin gjithë njerëzimit duke krijuar kështu një unitet njerëzor. Në vatrat e dijës , sipas Fishtës , duhet të mësojnë të gjithë, pa dallime fetare, shtrese shoqërore, gjinie apo ideje. Këte lidhje të ngushtë të vajzave të varfëra me mësonjëtoren i ka dhënë në këte melodramë me personazhin e Siles. Duke shkëputur një dialog ne mësojmë nga personazhi i skalitur nga Fishta—
>>> se Silja, një vajzë e bukur, e zgjuar , e sinqertë, e dashur, e etur për dije ka dalë me mbledhë lule për mësueset, sepse asht ditë e shenueme për këte shkollë gjysmë shekullore. Pyetjes së Zanës se Madhe se pse ndodhet Vajza në këte lëndinë, ajo i përgjigjet:
“Na kremtojmë pesdhetvjetorin e t’ndertuemit të njasaj shkolle/ ku na zam ……
për shka msojn mësuesit me ne “
Dhe, Silja vazhdon t’ i përgjigjet me krenari Zanës Madhe se jam prej Shqypnijet,/shqyptare e bijë shqyptarit, kam le n’at mollë Shkodre n’krye t’Gegnisë’/Prej kah s’parit Shqyptarisë/ Zu me i shndritë hylli i lirisë/
Ky bisedim i amel, i ngrohtë me vajzen e vobektë asht i mushun me dashni për mësueset, të cilat me shumë përkushtim kërkojnë të përgatisin vajza siç thotë Fishta :
“për me rritë varza fisnike/ gra shqiptare e shpijanike/Nderë e fesë e nderë e Atdheut / Njimend mesa t”Skanderbeut”
Këto Vajza si Silja dhe Jerina te “Mbretnesha e Luleve” kanë mishëruar brishtësinë, urtësinë, pafajësinë, bukurinë hyjnore…. Ideali i Fishtës për gruan heroinë ka evoluar, nga burrneshat te “Lahuta e Malcisë” të mishëruar nga Tringa. Ajo përveç bukurisë fizke, kishte një karakter të fortë, që me guxim e trimëri, luftoi kundër armikut, për të ruajtur nderin e Atdheut, nderin e familjes dhe nderin e vet. Në vazhdimësi, Fishta, ngre po aq lart vajzat, që me armën e diturisë, nepërmjet shkollimit , do të kontribuojnë për zhvillimin shoqëror dhe për përparimin Atdheut ku kulmojnë vargjet lapidare: “Se për rreth kësaj rrokullije, Si Shqypnia vend nuk ka”.
E në këte Atdhe me bukuri të rrallë, dhuratë të Zotit, vajzat do të përgatiten dhe do të ushtrojnë misionin e tyre.
Pse Atë De Martino i lidhi vajzat e kësaj shkolle me shqiptaren e madhe Elena Gjika, e pse Duhet theksuar ky fakt ..
Në shkollën stigmatine mësonin edhe vajza nga religjionet e tjera, ku merrnin edhe një kulturë të gjerë përendimore. Ndër të tjera,nxënëset e kësaj shkolle, paten fatin të njohin shumë personalitete te shquara të kulturës shqiptare dhe evropiane. Ku u njohën me famën e madhe të princeshës romune me kombësi shqiptare, Elena Gjika, gruaja më e kulturuar e kohës. Duke e pasë si shembull në rrugën e dijës, ato menduan që nepërmjet At Martinos, t’i dërgonin një dhuratë të vogël, një penë argjendi, të cilën vajzat shqiptare të shkollës stigmatine ia dërgonin princeshës në shenj mirënjohje, admirimi dhe dashurie, për rilindësen e shquar duke e cilësuar “Yll i Gjallë i Albanisë”. Këte dhuratë të bukur të vajzave Shqiptare, At Leonardo e shoqëroi me një poezi që ia bashkoi dedikimit:”Shkrimtarës së përndritshme, princeshës Dora D’Istria”, së bashku me veprën e përkthyer në shqip” Vaji I të burgosurës “( Il Lamento della prigionera) e Tomass Gross, të cilën ia kushtoi rilindasës shqiptare, Elena Gjika.
Pse pikërisht vajzat i dërgojnë një penë, sigurisht për simbolikën që mbart ai mjet i vyer për shqipen e shkruar. Kjo shkollë femërore e themeluar nga motrat stigmatine në vitin 1878 u bë një burim frymëzimi dhe emancipimi kulturor, por edhe qendër për gjallërimin atdhetar të vajzave shqiptare. Ky veprim njerëzor i vajzave në fjalë, ka bërë jehonë që vjen deri sot tek ne.Ata i benë një nder jo vetëm institucionit të tyre, kulturës qytetare shkodrane por mbarë Shqipërisë duke lartësuar një zë të fuqishëm të kulturës evropiane dhe botërore. Ata me mirënjohjen që ishte karakteristikë e misionit tyre, ngriten princeshën në fronin e mbretërisë së diturisë të fituar prej saj si nga të rrallat gra që qëndrojnë në krye të inteligjencës shqiptare, evropiane e botërore.
(Elena Gjika (1828-1888) e klasifikuar si enciklopedi e gjallë ishte edukuar me pedagogë më në zë të Europës.Një humaniste e pashoqe, një studiuse me vizione të qarta politike në sherbim të popujve të shtypur të ballkanit e veçanërisht të Shqipërisë. publiciste e shkrimtare përparimtare në lëvizjen kulturore te Europës, me mendime progresive për emancipimin e gruas dhe barazinë gjinore. Mjafton të përmendim vetëm një prej shumë veprave të saj,”Gratë e Orientit”, në të cilën thekson edhe vlerat e gruas gege, gruas toske, e veçanërisht të gruas çame nga ku kishte prejardhjen nga nëna. Ajo ishte përkrahëse e zjarrtë e Rilindjes Kombëtare, e Lidhjes shqiptare te Prizrenit, korrespondenca (109 letra) me veprimtarin e shquar De Rada e bënë shumë të njohur për çështjen shqiptare.Ajo shkoi deri në Amerikën e largët,
ku, kembeu mendime me Poetin Henri Longfellou(1807-18820) i cili kishte shkruar poemen “Skanderbeg” etj.etj. )
Letra që I dërguan vajzat shkodrane është sa e thjeshtë aq edhe e madhërishme.
Nderim
Thonë se je e ambël, e mirë, se zemren e ke të madhe, po si të hollë ke menden, bijë kreshnikësh, por edhe motra jonë; Thonë se natyra yte asht e denjë për SKEPTER, prej njenit pol te tjetri, gjithkush kështu shprehet. E në zemrat arbnore tashma ke një mbretni; Por na qi nuk kemi nji skepter ari, nji Fron …
Nji Pende argjendi, dhunti ta japim. Asht dhunti e vogël, njmend, por difton sa të don e të nderon secili Arbnor!
Shkodër e Arbnisë 2 prill, 1881
Kjo dashamiresi e tyre ka shërbyer si mjet ndërlidhës për të ofruar raportet njerëzore. Ata ishin shumë larg fizikisht nga Elena Gjika, por xhesti i tyre sa njerëzor dhe fisnik u bë parim, u bë institucional, duke marrë vlerë universale të dobishme për njerëzimin, E me të drejtë mbretëresha shpirtërore e vajzave shkodrane u përgjigjet denjësisht:”E mora me mend penden e bukur të shqiptareve të mia të dashura, të cilat do të kisha dëshirë t’i përqafoja një ditë.
Uroj që kjo pendë më e fortë se një skeptër të përdoret gjer në fund të jetës sime për mbrojtjen e nderit dhe të drejtave të Shqipërisë, atdheut tim të nderuar.”
U zgjata me këte shembull për të arritur në qellimin e Fishtës që kishte për emancipimin dhe shkollimin e vajzave shqiptare.
Kur shkruante:”…që grueja do të jetë zojë e jo robneshë në shpinë e vet….grueja asht po njaj diell qe tue shndritë me urti e njerëzi, shpinë robit do t’a kthiell…Shpirti i saj asht i njemendtë, bartës i dinjitetit dhe përgjegjësisë njerëzore, me fjalë të tjera, shpirti për të cilin flasin të gjithë religjionet, profetet e poetët.”
E çmonte rolin e gruas në jetën familjare dhe shoqërore, me krenari permendi në fjalimin e gjatë historik në Konferencën e Paqës në Paris, “Mbretëreshen e Malësorëve” Edith Durham, për vlerësimet që i beri luftëtarëve shqiptarë dhe historisë tyre, në mbrojtje të tokës së etërve dhe dinjitetit njerëzor.
(E.Durham 1863-1944, shkrimtare britanike, udhëtoi 20 vjet nepër ballkan e fokusuar më shumë në çështjen shqiptare, duke pikturuar dhe shkruar për artin e folklorin e zonave nga kaloi. Nga 7 veprat , “High Albania “1909, është një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe traditave të malësorëve të veriut, dhe” burrneshave shqiptare”, duke u bërë e njohur në fushën e Antropologjisë dhe pjesëtare e “The Royal Anthropological Institute”. Ajo denoncoi politikën serbe që synonin shkëputjen e territorit të Kosovës të banuar nga shqiptarët duke i quajtur “Krimbi serb”)
>>> Pra Fishta eci në rrugën e mësuesit të vet, arbëreshit Atë De Martino, që kishte pasë fatin ta kishte në të dy kuvendet françeskane, të Shkodrës dhe të Troshanit, e aq më tepër duke qenë edhe famulltar në Fishtë i kishte takuar ta pagëzonte edhe poetin e porsalindur, me emrin Gjergj. De Martino duke shërbyer për një kohë të gjatë, 40 vjet, në veri të Shqipërisë e përvetësoi dialektin verior sa shkroi edhe poezitë e tij me një shqipe të bukur, të cilat i përmblodhi te “Harpa e një italo-arbëreshi”(Sckjuptaar prej Italies).Me këte vepër mësuesi dhe poeti De Martino, hyri në radhën e parë të shkrimtarëve kombëtar shqiptar,
(“L’arpa di un italo-albanese”. Venecie, 1881,442f.)
Në poezitë të shkruara italisht dhe shqip ndihet ndikimi Manxinian, ku shfaqet shpirti patriotik, në luftën për Pavarësi.
Për këte thuhet se Fishta e ka mbajtur të hapur mbi tryezë këte libër në rininë e hershme dhe ishte ndikuar shumë prej talentit tij. Po ashtu ishte edhe vepra e De Martinos, e shkruar italisht “Luani i Shqipërisë, jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit, Skenderbeut, Princ i Epirit dhe Shqipërisë “ Greci 1822. Një akt i lartë patriotik, kur At De Martino ia dhuroi kryebashkiakut të Greçit, Pikturën e Skenderbeut, që heroi kombëtar të mbetej i gjallë në kujtesën e Arbëreshve.Të gjitha këto e frymëzuan Poetin e Madh, Gjergj Fishta, për kryeveprat e ardhshme që hapën rrugën e lirisë e të pavarësisë. Respektin për këte figurë të ndritur Fishta (1871-1940) e mbajti gjatë gjithë jetës. Kur u kthye nga Konferenca e Paqes në Paris 1919-1920, shkoi ta takonte At Leonardo de Martinon në Kuvendin françeskan të Sarnos (Itali) për t’i shprehur mirënjohje mësuesit të tij 90 vjeçar.
>>> Ne nuk patëm fatin ta mësonim në shkollë poetin tonë kombëtar, as kur ushtrova profesionin e mësueses së letërsisë, megjithëse e lindur dhe e rritur në Shkodër, isha njohur me veprat e Fishtës, me revistat gazetat e kohës tij, të cilat ishin te pranishme në çdo familje shkodrane. Ne ishim brumosur me to në fshehtësi, por në kohën kur u rritëm nuk kishim të drejtë të diskutonim rreth gjenialitetit tij . Ndihemi borxhli ndaj mësuesit të Madh Fishta që nuk patëm kurajon të përhapnim mësimet e një dijetari, me fjalën e zgjedhur artistike dhe këshillat e vyera të tij nga urtësia e popullit . Shembulli i tij për t’i dalë zot kombit nuk njihte pengesa, gjithë veprimtaria e tij ishte në luftë për të mirën e Atdheut dhe përparimin e kombit që të ishim si gjithë popujt e tjerë të qytetëruar.
Një gjë eshtë e vërtetë se Gjergj Fishta edhe pse i ndaluar, pa shkak, nga politika e gabuar, kurrë nuk ka qenë i harruar. Kam pasë nxënës që më pyesnin -pse nuk e mësojmë Fishtën—(edhe sot e mbaj mend studentin tim, Ilir Demaliaj ,kur insistonte me pyetje rreth Fishtës, e merrja për provokim ) ndihesha “fajtore”që nuk mund t’i përgjigjesha, por gëzoja që mendjendrituri Fishta ka depërtuar e nuk do t’i shuhet kurrë drita e tij . Kam përjetuar një ngjarje të trishtë, kur në Gjimnazin tonë, K.Kristoforidhi, merrnin mësime edhe nxënës të një shkollë profesionale, ku jepte mësim Prof.Pal Doçi, mësues historie, njeri shumë i ditur, të cilin në mes të ditës e arrestuan në shkollë. Atë kohë bëri bujë të madhe dhe përflitesh se citonte vargjet e Fishtës… Këto ngjarje na bënin të mbyllnim gojën e të mos i përmendnim personalitete të shquara shqiptare.
>>> Por sot, veprat e Fishtës duhet t’i njohi në themel çdo mësues letërsie, siç kanë shkruar nxënësit e tij “interpretonte para nesh si aktor”sepse veprat e tij përveç anës artistike e përshkrimeve madhështore, në të gjitha gjinitë, kanë vlera njohëse për historinë, gjeografinë, estetikën, gjuhësinë, filozofinë, dramaturgjinë….
Fishtën duhet ta njohin edhe nxënësit e arkitekturës, Ai edhe pse ishte autodidakt pa një akademi arti, Ai e quante veten nxënës sepse e lexonte dhe e studionte literaturën përkatese. Ai qe arkitekt i një varg kishash në veri të Shqipërisë dhe bibliotekash: Kisha e re e Motrave Stigmatine në Shkodër 1927, një Kishë e Re në lagjen Rus dhe te Arra Madhe…..e shumë të tjera tregojnë madhështinë, magjinë dhe frymëzimin e tij në këto ndertesa monumentale. Me 1907 themeloi me Gjeçovin të parën biliotekë shkollore në viset shqiptare.
Fishtën duhet ta njohi edhe një piktor a mësues vizatimi. Mësuesi im i nderuar në shkollën pedagogjike, piktori i famshëm shkodran, Prof.Simon Rrota (1887-1961) atëhere i ndaluar të na fliste për artin e Fishtës, në kujtimet e veta shkruante : ”Fishta më aktivizoi në punime të ndryshme artistike si piktor në kishë. Më vonë në përgatitjen e skenave teatrale siç ishte te Komedia e Molierit “Mjeku i përdhunë” të cilën e kishte përkthyer vetë. Kur përgatitnim skenat, punojshim bashkë, edhe Fishta pikturonte dhe në punë e sipër vetëm recitonte poetët e mëdhej klasikë ose lëshonte batuta humoristike, unë kënaqesha pa masë ”
Fishtën duhet ta njohi edhe një mësues muzike, sepse vetë vargu I tij në poezi ka muzikalitet edhe kur e reciton duket sikur e këndon. Nikolla i vogël 7 vjeçar nga Lezha reciton sot me lehtësi mijëra vargje nga “Lahuta e Malcisë”. Ky shembull duhet përhapur në shkolla sepse po harrohet poezia patriotike.
>>> U mësua brenda ditës himni i 1913 ”Porsi fleta e Ejllit t’Zotit”..shkruar nga Fishta dhe u përhap prej nxënësve të shkollës Françeskane. Kompozimi u bë brenda ditës dhe u përhap si rrufe, ku u mbushën rrugët e qytetit nga të rinjtë duke e kënduar me entuziazëm ditën e ngritjes së flamurit. E jashtzakonshme, këto vargje me melodi i mbanin mend të vjetrit tanë,(baba dhe axhallarët e mi ) dhe i këndonin edhe në pleqërinë e tyre refrenin….
“Bini Toskë e bini gegë
Si rrufe që shkojn’tu u djegë Bini lekë, bini malcorë
Trima lidhnju dorë për dorë”…… ( për dijeni : Fishta me 12 qershor 1913 ngre flamurin kombëtar në Kishën Françeskane që dëshmoi se edhe Shkodra u bashkua me Shqipërinë pas muajve të gjatë të rrethimit malazez.Gëzimi I valvitjes së flamurit e frymëzoi ta shkruante aty për aty himnin dhe po brenda ditës vargjet u kompozuan dhe ua mësuan nxënësve nën drejtimin e fretënve. Përhapja e këngës ra në sy të ndërkombëtarëve që kishin marrë nën kontroll qytetin. Koloneli De Philips kur mori vesh ngritjen e flamurit në kumbanorën e kishës i kërkoj takim patër Gjergjit për heqjen e flamurit, përndryshe do t’ishte i detyruar të gjuaj me topa kumbanoren.Fishta me guxim e krenari i përgjigjet se”
FLAMURI I SKENDERBEUT E KA PËR NDER TË VALOJË NËN GJUAJTJET E ARTILERISË SË TYRE”
Nga kjo De Philips ndryshoi qendrim….—nga wikipedia)
Kam detyrim të them se, as mësuesit e mij e as unë si mësuese letërsie në disa dekada nuk ju kemi transmetue nxënësve komente letrare rreth gjeniut të letrave, kryemesuesit gjithë popullor. Ne mësuesit e realizmit socialist e patëm të ndaluar të ushqenim nxënësit tanë me kryeveprat e letërsisë shqiptare, si E. Koliqi, V.Prendushi, Ali Asllani, Haxhiademi, Musine Kokalari, P.Marko, M.Kuteli …….
Poetët Kosovare, e shumë nga kryeveprat e letërsisë botërore.
Nxënësit sot duhet ta njohin Fishtën në të gjitha veprat e tij epike, lirike e satirike sepse si një e tërë ata kanë një emër,”Histori shqiptare,”ku lëvizin të gjitha shtresat shoqërore, me një tolerancë fetare të lavdërueshme. Nxënësit duhet ta kenë si shembull kolosin e guximshëm që u doli ballëpërballë shteteve më të fuqishme të Europës moderne, Rusisë dhe shtetarëve primitive të Ballkanit që edhe sot janë njësoj si të parët e tyre që punojnë për të errësuar shpresat e shqiptarëve për bashkimin e terësisë territoriale sipas kufijëve që i ka përcaktue I Madhi,Gjergj Fishta. Edhe sot ndihet jehona e oratorit me zë të fuqishem nga konferencat ndërkombëtare, në Ballkan dhe kryeqytetet e Europës për lirinë dhe pavarësinë kombëtare e deri përtej oqeanit, në Amerikë, kur shkoi atje e realizoi njohjen diplomatike të Shqipërisë nga SH.B.A.-të. Të gjithë jemi të detyruar ndaj këtij Mendimtari të Urtë, por më shumë detyrim e ka Malësia e Madhe të cilës i ngriti një përmendore me kryevepren “Lahuta e Malcisë”, pa qenë i lindur atje, por me fjalën e tij të fuqishme si “ushtima e një termeti “ zbuloi burimin e lirisë duke u bërë bashkudhëtar dhe përhapës i saj në tërë trojet shqiptare.
>>>
>>> Të ngresh një Monument për Fishtën në Malësinë e Madhe është shumë e lehtë sepse poeti e ka bërë gati piedestalin,tribunën,podiumin, në ato maja.
>>> Tani, mirënjohësit, me mendim të përbashkët, të vendosin Statujen e oratorit që të bëhet një me Alpet dhe t’u flasi shqiptarëve përjetësisht nga lartësia ; “ku natyra dhe pyjet e veriut-siç shkruan Konica- bëhen më madhështor kur në krah ke një njeri virtuoz si Gjergj Fishta”
>>> Jemi në Vitin e Fishtës (1940-2020) të gjithë të kemi vëmendjen te Mendimtari I Madh që kontriboi në shumë fusha, ku shumë studius I kanë evidentue dhe analizue veprat e tij duke tejkaluar dhe shpërfillur të gjitha trillimet dhe insinuatat për Kryetrimin Shqiptar.
A ka ndonjë gjë të keqe që Fishtën dhe veprën e tij “Lahuta e Malcisë”, e adhuronte, Hasan Riza Pasha, komandanti I Shkodrës në periudhën 1911-1913, dhe përfaqësues I shtetit Osman që I akordoi Poetit Kombëtar medaljen “Mesarif” te Sulltanit, një mirënjohje me shumë vlerë.
Hasan Riza Pasha, me nanë Shqiptare, mbrojtësi I Shkodrës gjatë rrethimit malazez, iu lut Fishtës të përpilonte në gjuhën shqipe tekstin e një marshi që do të këndonin ushtarët shqiptarë gjatë parakalimit, sepse Hasan Riza Pasha e simpatizonte mjaft Lëvizjen Kombëtare Shiptare, sidomos veprat me frymë patriotike, ja disa nga vargjet e himnit:
“Prej kah lene sa merr hana // M’u çu shekulli kundra nesh,// Djem kreshnikë na ban nana ,// Vetëm na I dalim ndesh,// Të parët tanë burra çeliku // Bota mbarë sot I nderon,// Ata I binin ndesh armikut,//Si rrufeja, kur veton,//
Fishta në respekt të komandatit turk që u ba fli për shpëtimin e Atdheut tonë, i vrarë tradhëtisht nga Esat Pasha, mori pjesë në rivarrimin e eshtrave me 1936. Përveç fjalimit, Fishta shkroi edhe epitafin që është gdhendur në gurin e varrit:….”Hasan Riza Pasha, burrë si motit, ushtar trim, besnik, komandant i ushtrive osmane në Shkodër, mik i Shqipnisë e i Shqiptareve…..”
Ndërsa me autoritetet pushtuese të luftës së parë botërore e më pas ka mbajtë qëndrim të palëkundur duke demaskuar synimet e tyre grabitqare. SI ideator i shumë memorandumeve po përmend memorandumin në emër të malësorve Hot e Grudë.Fishta bashkë me Patër Anton Harapin dhe Luigj Gurakuqin e përpiluan dhe me firmen e malësorëve ia dërguan 4 kancelarive të fuqive të mëdha: Washington, Londër, Paris, Romë për trevat që ia kishin lënë padrejtësisht “Malit Zi “ t’i ktheheshin Shqipërisë së cilës i përkisnin.
Letrat e Fishtës nuk ishin për të demonstrue vlerat e tij, por vlerat e një populli të lashtë që lufton me dinjitet për mbrojtjen e territoreve dhe të kulturës së tij. Një letër e vitit 1934, drejtuar autoriteve të larta italiane, ju kërkon të botohet e plotë vepra e tij,në 7 vëllime, ku të përfshihen: Poezia epike si edhe” Lahuta e Malcisë”, Lirike, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthime nga Iliada e Homerit, nga Molieri etj, duhet të njiheshin këto vepra nga të huajt, sepse aty ishte kredhur shpirti i një populli. Ai nuk shkruante për pasuri, sepse paratë që do të merreshin i kishte caktuar të shkonin për fshatin Fishtë. Me 2 Qershor 1939 Fishta emërohet Akademik i Italisë, këte titull vlerësues e kishte fituar me kohë nga personalitete të larta botërore.Të ishe pjesë e Akademisë Italiane në ate kohë, kur pushtuesit kishin ardhë si “civilizues”, siç shkruante Prifti italian Cordignano, vertetonte të kundërten sepse shqiptari Atë Gjergj Fishta ishte bërë i njohur si poet I madh dhe si dijetar shumë dimensional që do të thotë se ishte produkt i këtij “vendi të prapambetur”. ( për dijeni ,Fulvio Cordignano 1887-1952,merr mësime në Kolegjin Severian në Shkodër, 1926-41, shërben si misionar jezuit, duke udhëtuar në gjithë Shqipërinë e Veriut. I apsionuar ndaj folklorit dhe veshjeve popullore, boton me 1925 ”Epopeja kombëtare e popullit shqiptar “në dialektin gegë. Gjatë pushtimit fashist shkruan artikullin famëkeq kundër shqiptarëve ku i kundërvihen Fishta me nxënësit e tij, Profesorët e Shkodrës dhe në përgjigje të ketij artikulli, Atë Mazrreku shkruan me pseudonimin Nikë Barcolla, broshurën “Skandali Cordignano dhe mbrojtja e popullit shqiptar” 1941, 36 f. përkthyer në Italisht 1942 nga 18 vjeçari Agim Leka Borshi, gjë që bashkoi rezistencën e Rinisë Shqiptare , kundër pushtuesit italian)
Kjo tregon se italianët nuk gjetën një vend të shkretë, kultura Shqiptare kishte rrënjë të thella dhe Fishta ishte në krye.Pushtuesi duhet ta njihte se me çfarë personalitetesh përfaqësohesh Shqipëria.
Këtu e ka bazën edhe nxitja që i bëri Fishta, Ernest Koliqit, që të pranonte emërimin si Ministër Arsimi, se mund ta shfrytëzonte ate post për t’i shërbyer përhapjes së shkollave shqipe në trojet shqiptare të bashkuara. Ashtu ndodhi, u dërguan në Kosovë e tjera..400 mësues, ku u hapen shkolla në gjuhën shqipe ….(.Im atë, Jahja Domnori u përfshi në këte valë emërimesh, ku hapi shkollën shqipe në Ulqin me 1941 dhe të tjera në rrethinat e Ulqinit me Prenkë Jakoven e të tjerë ku në kujtimet e tij e quan “Gezimi më i madh në jetën time, që ulqinakët do të shkolloheshin në gjuhën shqipe, të cilën e kishin ruajtur si prushin në gji”..)
Nuk kanë të mbaruar bëmat e Fishtës, edhe në shërbim të ALBANOLOGJISË…..siç shkruan Prof.Çabej:”Fishta si dijetar i madh në punën shkencore ishte klasik i vërtetë i studimeve shqiptare “
Letra e Fishtës e Prillit 1940, në emër të studimeve shqiptare, që i drejtohet po autoriteteve të larta italiane që të nxisin inisiativën e profesorit të universitetit të Bolonjës, për pjesëmarrjen e një grupi të rinjsh të përkushtuar ndaj albanologjisë, ku lutet ndër të tjera që të ndihmohet albanologu Norbert Jokll(1877-1942) që ishte piketuar nga nazistet për ta eliminuar fizikisht.
(Dr.N.Jokll kishte lidhje të ngushtë me intelektualët shqiptarë të asaj kohe,si F.Konica, A.Xhuvani, Çabej,E.Koliqi, Shantoja, Sqiroi…,me arbëreshët, por ishte admirues I madh I Fishtës. Me 1937 kishte vizituar Shqipërinë, në 25 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Shkencëtari u prit me respekt të lartë duke u nderuar me dekoratën “Urdhni I Skenderbeut”.
I dashuruar pas gjuhës shqipe, Abanologu N.Jokll la për Shqipëtarët, gjithë bibliotekën dhe veprat e shkruara prej tij ….Si “shpërblim” të këtyre studimeve të gjata mori torturat naziste dhe vdiq me 1942)
Fishta si prelat Françeskan, poet dhe dijetar i dëgjuar në pritjen e rezervuar nga Papa Piu XII 1942 u nderua nga një audiencë e gjatë në selinë e shenjtë në Vatikan. Ishte një tjetër vlerësim për Shqiptarin e Madh. Kështu që sa më shumë do të kalojnë vitet aqë më shumë do të njihet në botë e do të shtohen studiuesit rreth veprave të tij siç shkruan Prof.Çabej “…Artin letrar të Fishtës do ta pranonte bota kurdoherë më mirë, për shkak të plotësisë më të madhe të vlerave etnike dhe kulturore të një populli”
Feja e Fishtës asnjëherë nuk u ba pengesë që t’i shërbente Atdheut dhe kombit të tij me kaq përkushtim sepse i printe binomi “ Zot e Atdhe” Por bashkëpunëtorët e diktatorit edhe pas vdekjes e kishin frikë emrin e Fishtës, si për të gjithë njerezit e shquar.
Veladoni priftëror nuk e pengoi Fishtën të merrej me politikë. Ai ishte deputet i Shkodrës bashkë me ajkën e intelektualëve te qytetit të madh verior, edhe pse ishte në opozitë, fjalimet e tij për arsimin edhe për ekonominë, që nuk ishte fusha e tij, vlejnë edhe për sot. Ishte përkrahës i Nolit në revolucionin e 1924, sepse përputheshin në shumë drejtime: Parimet e presidentit amerikan në 14 pikat i quajti Willsoniane, filozofi që u përkrah me zjarr prej tyre, siç u shpreh Fishta me 1919 në Paris “Por çka pse, simbas teorisë Vilsoniane, për me mujtë nji popull me u sundue me vetvedi, posë kombësisë duhet të merret parasysh dhe ndërgjegjja e tij kombëtare”..Ashtu siç bëri Fishta me autoritete italiane për shpëtimin e Dr.Norbert Joklit , Noli iu drejtua direkt Hitlerit për ta shpëtuar Albanologun që i dha zemrën dhe mendjen studimeve të gjuhës shqipe……
Në fushën diplomatike Fishta shkëlqeu kudo që shkoi. Çdo plitikan, apo diplomat shqiptar duhet të njohin fjalimet e Fishtës në parlamentin shqiptar, në kongrese dhe konferencat ndërkombëtare. Fjalimi i një prelati kishtar, në Konferencën e Paqës në Paris ishte historik, i guximshëm, realist,ku të vërtetat thuheshin hapur , ishte fjalimi i një intelektuali shqiptar që akuzonte në emër të gjithë shqiptarëve pa dallim feje. Fishta si pedikues i kristianizmit dhe mbrojtës tolerant i të gjitha religjioneve, kurrë nuk pranoi para shtetarëve evropianë se Skenderbeu kishte luftuar për të mbrojtur Krishtërimin, ku ndër të tjera shkruan : “Se sa e pathemeltë kishte me kenë kjo fjalë, duket prej punëve të Skenderbegut, i cili, në mos me ate mëni, ai luftoi me aqë trimni kundra Venecianëve, sa ç’pat luftue, kundra turqve atëherë, ku Venecianët deshtin të pushtojnë vise të reja në Shqipni, Dejën e Drishtin.”
Fishta guxoj me fakte të denonciojë tmerret e gjenocidit Serb e Grek ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare, edhe në fjalimin brilant të Konferencës….kur shkruante:”Kombi shqiptar nuk asht diftue aspak i egër e barbar si disa kombe të tjera të qytetnueme…, Serbët në kohën e Luftës Ballkanike, me shpata ua kanë çilë barkun nanave shqiptare dhe foshnjat e nxjerruna sosh, i kanë ndezë flakada……” “Grekët dogjën 360 katunde të Shqipërisë jugore tue i mbytë të gjithë ata qe dishmoheshin shqiptar…..” Ndërsa “Pamvarësia e Greqisë asht nji lule e rimun me gjak shqiptari. Zhavellët e Boçarët kanë kenë shqiptar e shqip kanë folë dhe me trimni shqiptare kanë luftue…….”
Për Kosovë, Çamëri dhe treva të tjera shqiptare të lëna padrejtësisht jashtë kufijëve shtetëror e bënë Fishtën luftëtarin e paepur për shqiptarinë me emrin bashkues,GEGË TOSKA.
I bindur në lashtësinë e popullit shqiptar ngriti zërin në ate kuvend ndërkombëtar me një vendosmëri të ligjshme :”Nji popull i vjetër sa fosilet, sa stalagtitet e shpellave jehuese të maleve të veta vigane dhe i lidhur të thuash prej vetë rrajve të vjetra, ai asht edhe sot ZOT AUTOKTON i PAKUNDËRSHTUESHËM I TOKAVE TË VETA. ”Prandaj. Fishta i revoltuar nga padrejtësitë që i janë bërë shqiptarëve ndër shekuj nuk kurseu as Romen e Bizantin, as turkun e rusin, as fqinjët dhe autoritetet e Evropës të cilët i ndanë tokat tona: Serbisë,Greqisë, Malit të Zi duke mos ia shuar oreksin edhe sot grabitqarëve fqinj. Ata edhe sot, vazhdojnë të diskutojnë për kisha, për varre, për Epirin, për Veriun e Kosovës, për kufirin detar, për monumentet mijëra vjeçare … dhe s’kane të mbaruar, për Lahutën, për Skenderbeun, për legjendat ……
Zoti na ruejtë !? Mjaftë ma!? për ata që fusin grindje mes popujve !?
Për të sqaruar propaganden armiqësore për “egërsinë” e shqiptarëve Fishta shkruan:
” Çeshtja e gjakmarrjes nuk asht nji argument i cili shërben për me përcaktue barbarinë e kombit shqiptar …..Kurrkush ma fort se unë,- si nji prelat kishtar,- nuk mund ta denojnë punën e gjakmarrjes në vetvedi…..por mbas Kanunit, I cili asht të shprehunit e shpirtit të Kombit Shqiptar, se çdo vrasje asht e ndeshkueme me dekë…”
>>> Armiku me armë i popullit shqiptar, Mark Milani (1833-1901), që Ishte ballafaquar shumë herë në fronte të luftës kundër shqiptarëve, edhe pse ishte me origjinë Shqiptare, arriti ta dëshmojë të vërteten. Ishte personazhi më armiqësor i përshkruar te “Lahuta e Malcisë”, kujto përballjen me Dedë Gjo Lulin te Ura e Rrzhanicës ku triumfuan strategët e maleve. M.Milani në vepren e tij “Shembuj burrërie dhe trimërie …Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”.ngre lart cilësitë më të vyera të shqiptarëve:Trimërinë, burrërinë,Besen, nderin, zakonet, traditat…..
I njihte shqiptarët, nga përvoja në luftë, si njerëz pa stërvitje ushtarake, por të rritur me pushkë në krah, pa përgatitje akademike, por të sprovuem në luftime të vazhdueshme kundër shkjaut. I njohu si luftëtarë, me shpirt sakrifice për mbrojtjen e Atdheut, të cilët u ngritën si strategë. Kjo e detyroi kundërshtarin të thoshte atë që përjetoi. Ai njihte edhe vëllezërit e vet serbët e malazezët dhe pabesitë e tyre. Në fund të jetës la këto fjalë: “Puno o Serb,o vëlla, me shqiptarët, së do të fitosh !Trokit në dyert e tyre dhe ato do të hapen .. Puno më besnikëri dhe vetëmohim, mos u mbështet në shkathtësinë tënde dhe as në thjeshtësine e tyre duke menduar së mund t’i mashtrosh lehtë! Ata nuk duhet ta kuptojnë së punon më tepër për nderin dhe lavdinë tënde së sa të tyre ! Nuk guxon që t’u japësh shkas për t’i ngulur mbi ty njëmijë shikime për t’i zbuluar dredhitë dhe të metat e tua. Ata janë populi I thjeshtë, dhe kur të shohin tek ti të vërtetën e pastër, hidhen bashkë me ty në flakë dhe në ujë!….përkthyer nga Pjetër Lucaj…
Thëniet e tij në veprën e shkruar hedhin poshtë dashje pa dashje shumë komente të papranueshme dhe tendencioze në fjalorin enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi, duke përforcuar se shqiptarët në Mal të Zi janë autoktonë, dhe pabesitë e shteteve të mëdha dhe egërsia çnjerëzore e fqinjëve e kanë copëtuar, duke ia mohuar gjuhën, tokën dhe historinë.
Sa I fuqishëm ishte Fishta në fjalimet kur nxirrte në shesh shpifjet dhe krimet e armiqëve, aq i ndjeshëm I butë, I qeshur, I dashur ishte me bashkëpunuesit, me nxënësit, me koleget, me popullin e thjeshtë . Mjafton të përmendësh, angazhimin dhe përgatitjen për fjalimin miqësor me rastin e ardhjes në Shkodër të Asdrenit nga Rumania. Me ftesë nga ministri i arsimit, Ernest Koliqi, Asdreni i shoqëruar nga Lasgush Poradeci dhe të tjerë nga elita intelektuale shqiptare, morën pjesë në shfaqjen e organizuar enkas për mysafirin nga larg, në qytetin e kulturës ( viti 1937) Fjalën e hapjes para shfaqjes e mbajti Fishta, ku përveç fjalëve të ngrohta të mirëseardhjes së mikut të shtrejtë, theksoi peripecitë e popullit shqiptarë, që janë flijue për zhvillimin e idealeve kombëtare, ku ndër të tjerë ngriti lart kontributin e Asdrenit në këte çështje. Oratori Fishta, vlerësoi me admirim popullin e Shkodrës, që nepërmjet Shoqnisë Rozafa, i bënë nderimin e duhur poetit të shquar. Këto fjalë e mallëngjyen aqë shumë Asdrenin sa nuk mundi të nxirrte fjalë nga goja, por duke lotuar e përqafoi përzemërsisht, Atë Fishtën, shprehje e respektit dhe mirënjohjes për mikpritjen e shkodranëve. Ky afrim vëllazëror u përmbyll me këngët e Tefta Tashkos, shoqëruar në piano nga Lola Aleksi. Në takimin me Fishtën Lasgush Poradeci la këte dedikim në librin që i dhuroi: ”Njeriut të Zotit meditans dhe militants, Burrit shqiptar përfaqësonjës më të Madhit epik të shekullit”
>>> Jam munduar të gërmoi në thesarin e artë të Fishtës, por s’ka të mbaruar, sa më shumë të gërmosh aqë më shumë do të nxjerrësh nga ajo minierë Dijesh. Studiusit në vazhdimësi do ta plotësojnë panoramën madhështore shumë dimensionale të eruditit enciklopedist, Atë Gjergj Fishta.
E kam përmendur arbëreshin F.Crispin më sipër por disa hollësi po i detajoj në këte përmbledhje. Sepse mund të vlejnë për studiusit sepse Giuseppe Crispi, ( xhaxhai i F.Crispit ) shkroi të parën monografi në gjuhën shqipe.
Kush ishte Francesco Crispi (1818-1901) që ndihmoi në hapjen e shkollave në Shqipërinë nën sundimin otoman. Ishte arbëreshi patriot dhe shtetar shumë aktiv në periudhën Risorgimento. Ishte mik i afërt I Giusepe Mazzini, ku u përndoq, si aktiv në revolucionin e 1848, figurë kryesore pranë Giusepe Garibaldi në fushatën e tij në Siçili në lëvizjen për indipendencën, dhe një nga arkitektët e unifikimit të Italisë në vitet 1860.Pas viteve 1870 ishte President I Dhomës së Deputetëve 1877,Ministër I brendshëm, dhe dy herë kryeministër I Italisë (1887-1891), (1893-1896).I pari ministër dhe kryeministër nga Italia e jugut.
Paraardhësit e tij erdhen në Siçili nga fundi i shekulli 15, pas pushtimit të Shqipërisë nga otomanët,ishin arbëreshet e Greqisë.
Studioi për drejtësi,në Palermo,ku rektor i këtij Instituti ishte Giuseppe Crispi, xhaxhai i tij, i cili shkroi të parën monografi në gjuhën shqipe. Si gazetar shkroi në L’Oreto, ku ngrinte problemin e edukimit të njerëzve të varfër e sidomos të grave që të kenë të drejta të barabarta përpara ligjit. Një ndihmë i dha, Garibaldit të një mijë luftëtarëve, me të cilët zbarkuan në Siçili, kundër qeverisë së Burbonëve 1860. Edhe pse qe një aventurë e rrezikshme, përfundoi me një plebishit. Kjo solli bashkimin e Napolit dhe Siçilisë në mbretërinë e Sardinës që ishte territori i fundit në bashkimin e Italisë në Mars 1861. Ky aksion i guximshëm e bëri me emër dhe e radhiti me katër figurat më të shquara të kombit italian: G.Garibaldi, G.Mazzini, Viktor Emanueli || dhe Camillo Cavour.
Si Italo-Shqiptar.
Mendimi i tij për Shqipërinë: e parasheh si një shtet të pavarur, dhe është kunder Pan-
sllavizmit…. Si njeri me karakter të fortë patriotik dhe shumë energjik, stimuloi dhe intensifikoi marrëdhëniet etno- kulturale midis Arbëreshëve dhe shqiptarëve, hapi shkollën stigmatine në Shkodër 1888 dhe mbante lidhje me Abdyl Frashërin,Thimi Mitko…. Ithtarët e tij duke u nisur se si e kishte filluar jetën, si demokrat liberal revolucionar e kishin përcaktuar:
“Ai u lind si një urë zjarri, dhe vdiq si zjarrfikës “ Si figurë dominante në politikën italiane për disa dekada, ishte përshëndetur edhe nga Giuseppe Verdi si “Një Pariot i Madh.” Francesco Crispi për origjinen e tij shprehet: “Një Shqiptar në gjak dhe në zemër”.
Jeta e një Zonje të varfër, me pasuri të madhe shpirtërore…
Nga Pertefe Leka /
Një letër shkruar nga një Zonjë Shkodrane, dërguar Dr.Agim Lekës, në N.Y.
më nxiti të shkruaj për një grua të rrallë, fisnike, që dallgët e jetës e kishin përplasur pa mëshirë, por ajo si besimtare u kishte bërë ballë me dinjitet.
Letra fillon me fjalë mirënjohje për Dr.Lekën.
“Unë që po ju shkruaj në ket letër jam Marije Mazrreku Gjoka, motër e të ndjerit Monsinjor
Nikollë Mazrrekut ……Qellimi i kësaj letre asht për t’ju falemderue, për artikullin e shkrumun
nga ju, në gazetën Shqiptare , për vllaun tem D.12 Prill 2001.
U befasuem kur e pamë artikullin të argumetuem aq bukur.”……..,..
Artikulli për të cilin bën fjalë letërshkruesja është me titullin ” Nikë Barcolla dhe profesorët e Shkodrës në mbrojtje të kombit shqiptar” botuar te Gazeta Illyria me 29 Janar 2001.Një kujtim i hershëm i i Dr. Lekës në moshën 18 vjeçare, kur kishte lexuar broshurën , “Skandali Kordiniano dhe mbrojta e kombit shqiptar.” e Nikollë Mazrrekut me pseudonimin Nikë Barcolla
Ishte viti 1942, kur ky shkrim u bë shkëndijë frymëzimi, jo vetëm për të riun A.Leka, por për të gjithë rininë shqiptare. Me këte entuziazëm i Riu Leka mori përsipër ta përkthente broshurën në italisht, që ta shpërndante si trakt në vendqëndrimet e zyrtarëve fashistë, ne rezidencat e tyre dhe në institucionet diplomatike të huaja.
Kështu, i Riu me origjinë nga Borshi e bashkoi rezistencën e tij me profesorët e Shkodrës dhe të At Fishtës, i cili para vdekjes ishte shprehur ” Çka i ka ba Shkodra Kordinianos…….”
Në ate kohë Dom Nikolla ishte në famullinë e Tiranës, ku Leka gjeti rastin ta takonte, për t’i marrë leje për ta botuar përkthimin në italisht .
E përshkruan me mallengjim këte takim: ” Fjala e ëmbël e tij dhe idealizmi i tij për Atdheun të shtypur ishin mbizotëruese në bisedën tonë ….penda e tij kishte nxitur mijëra studentë të demonstronin për liri… pas këtij takimi Dom Nikollën nuk e takova më, sepse e larguan nga Tirana për veprimtari kombëtare.”……..
Në Tetor të vitit 1994, me anë të një kolegut tim, shkruan Dr.Leka ,i dërgova Dom Nikollë Mazrrekut përshendetjet e mija më të përzemërta. Ai m’u përgjegj me një fotografi të tijën si kujtim me shenimin “Të fala me shumë mallë.”……
Letren e Zj.Marije , Dr. Leka ma solli, kur une isha në Shqipëri, me porosi për ta takuar. Takimin e bëmë në Shkodër, pasi e kisha numrin e tel. të shkruar në letër. Në atë kohë ajo ishte mbi 70 vjeç, kur erdhi me biçikletë më habiti shkathtësia dhe pamja e saj sikur të ishte një amazonë. Folëm pak, sepse kishte shumë për të me
treguar, por në librin që më dhuroi i kishte përmbledhur të gjitha.
Libri ” Cirka kujtimesh të hidhura ” shkruar prej saj, në gjuhën letrare, hera herës edhe në dialekt,në fletën e parë, në vend të parathënies kishte të shkruar
I ra drurit, e dogji
I ra gurit,e copetoi
I ra zemrës, e duroi
Këto vargje me një domethënie të thellë, të paralajmërojnë jetën e saj plot vuajtje.
Nga libri mësova siç e ka shkruar vetë “E kam kryer shkollën pranë murgeshave stigmatine, e rritur me ndjenjën e fesë dhe me dashni për njeni tjetrin. Ndihesha e lumtur, kur ndihmonim në punët e kishës edhe pse ishim të varfër…….
Kur vellai Dom Nikolli, që ishte famulltar në Tiranë, iu përgjegj Jezuitit Kodiniano me broshurën “Skandali Kordiniano ” si masë denimi, Ministria e brendshme e largoi nga Tirana dhe e dergoi si famulltar ne Kryezi të Pukës.” ………
Këtu fillojnë peripecitë, vështirësitë dhe vuajtjet e saj deri në ngjarje tragjike. Në moshën 18 vjeçare, ajo me nënen dhe vëlla Rrokun e ndoqën nga pas Dom Nikollen në një fshat te largët të Pukës, pa infrastrukturë dhe me një klimë të ashpër.Ata ishin të katert bashkë edhe pse bënin punë të rënda, ishin rreth familjes.Nëntori i vitit 1943 solli trupat gjermane që vinin nga Kukësi, ndërsa forcat partizane ishin vendosur në periferi të fshatit. Ajo i përjetoi përleshjet mes dy forcave dhe pati fatin e keq të dëgjonte britmat e një vajze të re që thërriste “ku,ku ma vranë baben…Marija, e prekur thellë i shkoi afër vajzës, e ndihmoi për t’ia bërë vetë shërbimet e rastit pasi nuk kishte njerëz perreth, sepse ishin larguar prej bombardimeve. Nuk shkoi shume dhe vitet e luftës me okupatorin,shpejt u zëvendësuan me një luftë më të ashpër, me diktaturën komuniste, ku u prek edhe familja e saj. U arrestuan dy vëllezërit e Marijes pa shkak,me akuza absurde. Në Kryezi, kishte njohur shumë nga ata të sigurimit me të cilët kishte debatuar sepse e kërcënonin. Kishte parë gjithashtu talljen që u bënin kufomave të fshatarëve të vrarë, si M. Bajraktarin apo N. Kolë Biba e të tjerë, duke i shetitur nepër katund për t’i tmerruar njerëzit e thjeshtë. E ndodhur në këto kushte, e mbetur vetëm me nënen, pa mbrojtje, Marija vendosi të martohet me nje fshatar shumë të varfër por të ndershëm, sepse ishte e veshtirë t’i shpëtoje shpifjeve të njerëzve të sigurimit që qarkullonin në ate vend. Mbas 10 muaj martesë,kur i lindi fëmija i parë, Nëntor të 1947 i arrestojnë edhe burrin pa asnje shkak. Këtij momenti i ka kushtuar vargjet të cilat i ka përmbledhur në librin “Lot nane”. Tani ishte e detyruar të ndiqte tre të dashurit e saj në hetusite dhe burgjet e shfarosjes . Ngjarja ma tragjike që ajo përjetoi ishte kur Naten e Krishtlindjeve të vitit 1950, i pushkatojnë vëllaun e pafajshëm Rrokun, me ceremoni para popullit. Porosia e tij që i la familjarëve ishte “Unë po pushkatohem për nji faj të pabamë . Më çoni ndonjë medalje sermi, që të më gjindet varri ndonjëherë” ….”Zemrën teme, shkruan Marija , e përshkoi një dhimbje ma e hidhur se një shigjetë, por Zoti më dha forcë me ja krye porositë vëllaut deri në nji. Hidhërimin, motërshkreta e thuri në vargje ” Festë fetare pat qillue//Dit motmoti e dallueme // Kje caktue jo pa qëllim // Me kthye festen në trishtim” …. Plumbat që i vranë Rrokun e pafajshëm, vranë edhe shpirtin e nji nane që nuk e duroi dhimbjen, ajo nuk vdiq, por plasi nga vdekja makabre e padrejtësisë. Vajza e mbetur tani edhe pa nanën, lotët i derdh në vargje …… Nana shkret, shumë e vajtoj//T’tana hallet ia numroi//Për torturat qi ka kalue// Faj t’ pakryem me pranue// Pas vdekjes së nanës, Marija, atëhere , e martuar , shkoi të banonte në qelë ( Shtepia e kishës), sipas këshillës së Imzot Vinçens Prendushit i cili ma vonë vdiq në burgjet komuniste. Si motër prifti, amanetin e vëlla Nikollës “Kishën, nanën dhe qelën” duhej ta çonte në vend.Ta mbante kishen të hapur, në mungesë të meshtarit, të ndihmonte të interesuemit me dëshmi pagëzimi nga regjistri përkatës, t’u binte kumonëve tri herë në ditë…. Por nuk shkoi shumë, shtëpinë ia morën për të hapë shkollën,duke i lanë vetem guzhinën për banim, por ma vonë edhe ate ia morën, ku u strehuan dy mësuese nga Shkodra. Kështu u detyrua të shkojë në familjen e burrit me 30 frymë në një varfëri të tejskajshme, si në tregimet e Migjenit. Atje e humbi fëmijën e parë, mungesa e ushqimit, sëmundja, i ftohti i papërballueshëm ia morën frymën ferishtës.
Vitet iknin dhe ngjarjet rridhnin njera pas tjetrës. Pas lirimit të shoqit nga burgu, familja po shtohej. Me besim të fortë, ajo ndihej e kënaqur në jetën e saj familjare. “Zoti m’i fali 6 femijë si drita. I rritëm fëmijët në vorfni, nën persekutimin komunist.Vërtetë me punë të rënda dhe rroga të vogla e me shumë mundime, por harmoninë, bekimin e mirëkuptimin i patëm më të fortë se varfërinë.”…………Duke pasë përkrahjen e të shoqit, Marija ishte në gjendje ta ndiqte Dom Nikollën nepër burgje. I përshkruan me detaje rrugët e gjata, e ngarkuar me trasta deri në kripore të Vlorës, në Tepelenë dhe e quante më të lehtë rrugën kur e transferuan në Lushnje, sepse atje kishte ndonjë mundësi të merrte edhe fëmijët për ta gëzuar dajen e respektuar. Ajo e bënte gjithçka me dashuri e përkushtim dhe çdo sakrificë që bënte e quante sprovë njerëzore.
Një përshkrim të veçantë ia ka kushtua takimeve me Dom Mikel Koliqin, të cilin e takonte saherë që shkonte për të vëllanë .”Ai me priste me zemërgjerësi dhe respekt të veçantë dhe me natyrën e tij te butë shprehte keqardhje për mundimin tim e për mërzitjen qe kisha për vllanë e pushkatuar. Me thjeshtësine e tij e pa përtesë më jepte uje, kafe…..Bisedonim të tre bashkë ngadalë si njerez të zhuritur nga malli për të afërmit tonë, për Shkodrën që e donte aq fort ….. Me Dom Mikelin më ka lidhe jeta që heret kur isha 10 vjeç, bëja pjesë në korin e kishës se “Shën Kollit” në Rus ku ishte famulltar Dom Mikeli……… Kur fëmijët kishin filluar të bëheshin zot të vetës, ajo gëzonte “m’u rriten ndër sy si 6 lule. Bamë çmos që t’u jepnim një edukatë të mirë me mesime në shkollë dhe me ndjenja fetare.” Një shkrim të veçantë nanë Marija ia ka kushtuar djalit Andrea…..” AI dallohej në shkollë, në punë dhe përmendej për talentin e tij si muzikant. Shpesh e merrnin edhe në grupet amatore, sa kojshitë e kishin cilësuar si ” bylbyli i mahalles”.Nuk ishte larguar asnjëherë nga shtëpia, por thirrjen për ushtar ishte i detyruar ta zbatonte . Sikur ia ndjeu zemra nanës shkretë se djali nuk do t’i kthehej ma, e përcolli atë ditë me lot…….. Lajmi i tmerrshën u përhap shpejt, aksidenti ishte shkaktuar nga një kapter i dehur, i cili e detyroi ushtarin e ri, ta mbante mbi supe për të kaluar Drinin në këmbë. Kur djali i lodhur e nxori në breg katilin, ishte e pa mundur të dilte vetë, kështu e përpiu vala e Drinit. Ishte në moshën më të mirë, 21 vjeç, e me andrra të bukura për jetën. Pa u tharë lotët e motrës për vellanë, lotët për djalin nuk po shteronin, por besonte dhe lutej…..lutej , e gjithmonë lutej duke thënë :
” Zot ,Ti qi m’ ke çue prova kaq të randa, më dërgo edhe forcën tande qi të mund t’i përballoj, më ruej mendte e kresë dhe dritën e syve që të mos më humbin, se po qaj pa pushim.” Ardhja e vitit 1990 gëzoi zemrat e gjithë shqiptarëve e sidomos për ata që u përsekutuan ….lindi një ditë e re. Dom Nikolla e shpreh këte moment në një letër që la të shkruar për motrën Marije: Vërtetë kam vuajtur shumë në burgje të cilat zgjatën 37 vjet, por burgun e madh e ka ba kjo ! Kjo motër e nderueme ishte tepër e re, në fillim e në vazhdim kishte nevojë për mbështetjen vllaznore, por ja që mbeti vetem për t’i dale zot vetes edhe ne. Ka kalue shumë raste vuajtje dhe trishtime, për t’u renqethë trupi. Padrejtësitë, presionet, keqtrajtimet, përbuzjet, kurthet e ulëta të djajëve komunistë e sa të zeza të tjera….udhetimet mbi kamionë të ngarkuar…….Po kjo motër, nuk më asht ndarë asnjiherë , edhe pse mbi te randonte barra e familjes, me te ardhuna të pakta, tue rritë 6 fëmijë . Burri i saj, Bibë M Gjoka, ishte i urtë e zemërgjanë, jo vetem nuk e ka pengue me ardhë tek ne, por vinte edhe vete në takimet, e për shkakun tonë ka ba dy vjet burg politik…….. Ma në fund, arrita pragun e lirisë, motra e dashtun Marije, me dishirën dhe zemërbardhësinë e të gjithë familjes saj, erdhën e më morën nga burgu, më strehuan në shtëpinë e tyne dhe organizuen ma s’miri festën e lirimit tem.”
Marija, kjo Zonjë e rrallë që u rezistoi goditjeve me forcën e karakterit, arma e saj e fuqishme, gëzonte kur shihte vëllaun të lirë që po aktivizohej në punët e Kishës, në Mesha e sidomos kur e merrnin për konsultime, për rindërtimin e Altarit të Katedralës (Kishës së Madhe) …….. Por , edhe viti 1993, erdhi i zymtë për Nanë Marijen, gëzimin e ndryshimeve ja errësoi një pikëllim tjetër. Një sëmundje e pashërueshme i goditi djalin e martuar me dy fëmijë,Paulinin 37 vjeçar .Ai kishte bërë punë të rënda si i persekutuar dhe kishte pësuar edhe dëmtime që e kishin parapërgatitë trupin e tij për këte sëmundje edhe pse ishte vigan.Me përkrahjen që pati nga bashkësitë fetare iu krijua mundësia të shkonte në spitalet më të mira të Italisë, por I Riu, nuk gjeti shpëtim . …. Cilin të qante më parë nanëshkreta. Dhimbjen e thellë , Marija poete e përshkroi me vargje, në një poezi të gjatë, ku vajton shpirti i një nane të plagosur, si Ajkuna kjanë Omerin … More bir, nji fjalë ma thuej //.Si e kalove n’ dhe te huej// Larg nga Shkodra e nga shtepia // A t’u dhimt’ ndopak rinia // A t’ u dhimt’ ndopak nanë shkreta // Që me halle i kaloi jeta//………. Si gjithmonë ajo grua me besim të fortë qëndronte e nuk e jepte veten para femijëve, nipërve e mbesave që e rrethonin me dashuri. Ajo, e nisur nga ekperiencat e hidhura, nuk donte ta kishin të tjera nana fatin e saj. Me optimizëm e kurajo shkruan poezi të bukura duke transmetuar mesazhe pozitive për shoqërinë, len porosi të vlefshme për femijët e saj që vlejnë për të gjithë. Shkruan kundër ikjes së rinisë, kundër vellavrasjes, kundër padrejtësive të gjyqësorit….disa vargje të shkëputura: …..” Sa ma parë kthehuni, o bijtë tanë// Se ju pret vendi, nana e shpia// Asht tokë e bukur aty ku jeni // Por ma e bukur asht Shqipnia//.. ………….”Tek ne s’ denohet kush faj ka ba // por dënohet ai që s’ ka // Vriten sa njerëz, bahet rrëmujë // por ferrë në këmbë nuk i hyn kuj”…………….etj etj. Me 2 Maj 1996 ndërron jetë edhe Dom Nikollë Mazrreku në krah të motrës vet, Marije. I ndjeri kishte lindur në ditën e pavarësisë 28 Nëntor 1912. por që nuk e gezoi lirinë për 37 vjet. Nderimi dhe respekti që iu ba në ceremoninë mortore ishte madhështore, jo vetëm ceremonia fetare nga drejtuesit me të lartë, por edhe pjesëmarrja nga familja e farefisi deri tek njerëzit më të thjeshtë të qytetit. Përpara pjesëmarrësve, oratorët evidentuan vlerat e një kleriku të sakrifikuar për Zot dhe Atdhe e një dijetari të shquar shumë dimensional. Ai la një bibliotekë të pasur me vepra letrare e historike, në prozë e poezi e në publicistikë me tema patriotike, shumica të pabotuara. Vlen për t’u përmendur, vepra madhore “”Flamujt e Kastriotit” ku evokon kohën e lavdishme të Gjergj Kastriotit, Skenderbeut. Porosia që na ka lanë, vlen për sot e për çdo kohë ” Mos me u idhnue kur duhet, asht marri ” është një motiv për ta luftue të keqen në çdo rrethanë që të ndodhesh. Studiusit, besoj se do ta marrin në konsideratë punën e tij kolosale me vlera historike për ta njohur brezat në vazhdim. Motra bëri sa mundi,mblodhi dhe ruajti shkrime e dokumente të vlefshme për sa fuqi kishte por gjithmonë me kryet lart: “Me ndihmë të Zotit ” Ajo në libër e plotëson figurën e vëllait, Dom Nikollës edhe me figura tjera dijetarësh klerikë si Kardinali Mikel Koliqi, Atë Pjetër Meshkalla, Atë Zef Pellumbi e të tjerë figura të ndritura të persekutuara që i kishte njohur personalisht, duke shprehur mirënjohje për gjithë veprimtarinë e tyre, në dobi të mirës së përgjithshme.Libri mbyllet me poezi malli e dashurie, ku ajo i përjetësoi me fjalë zemre djemtë e shpirtit saj, vellezërit dhe bashkshortin të cilëve iu gjend pranë deri në frymën e fundit. Kjo zonjë e rrallë,Marie Mazrreku Gjoka, do të mbetet shembull i qëndresës, i guximit, i sakrificës në emër të dashurisë njerëzore.
- « Previous Page
- 1
- 2
- 3
- 4
- 5
- …
- 7
- Next Page »