• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nderim e Mirënjohje, për një Loke punëmadhe,Nanë Gjystja (Ivezaj)

May 8, 2016 by dgreca

Me rastin e Ditës së nënave/

Nga Pertefe Leka*/

Heroina  e kohës së re, që ruan me bujari  relike të kohëve të vjetra.Kam pasur fatin  ta vizitoj  shtëpinë  e  Zotit Shtjefen Ivezaj, së bashku me Zonjën Drita Ivanaj.Në Tuz, ishte organizuar një konferencë për të nderuar vëllezërit Ivanaj.

Pas vizitës në Triesh ku ishin varret e të parëve dhe kulla shekullore e fisit Ivanaj, na drejtuan  të shihnim muzeun në Lekaj të Tuzit.Ishte një surprizë e bukur  dhe e paimagjinueshme  se  si një shtëpi e vogël njëkatëshe,ku jetonin dy të moshuar,ishte muze.

Shumë të nderuarit zoti  Shtjefen,i kishte dalë zani për punën e madh që kishte ba në mbledhjen e relikeve  të çmueshme  me të cilat kishte krijue muzeumin e vjetërsisë të periudhave të ndryshme, per t’ia lënë trashëgim brezave.

Sapo hyje  në ate shtëpi të vinin në vesh fjalët e ëmbla të traditës “MIrë se ju ka pru zoti ,e kjoshi faqebardhë”.  Në ate takim  të përzemërt ballafaqohesh menjëherë me banorin e malit që i kishte punue këta mjete, të cilat transmetonin mendjen e urtë,bujarinë, trimërinë, nderin dhe Idealin shqiptar. Si rrjedhojë  gjeje shpirtin e kombit, traditat e gjyshërve, shqiptarin e vrullshëm për natyrë  por edhe të durueshem në vuajtje.

Me shoqërimin e ngrohtë, e shumë miqësor që të bënin Zoti Shtjefen e Nanë Gjystja të jepnin mundësinë ta shijoje atë punë fisnikësh.

Muret e dhomave  të vogla, ishin veshur si dekor  me ata visare të  mbledhura  prej tyre.Nuk kishte një hapësirë të lirë, edhe në dysheme e deri në  tavan ishin vendosur reliket e vjetra.Përllogaritja  e distancave  ndërmjet sendeve  të varura  ishte vetëm me centimetra,por kur gjendesh mes tyre, ambjenti  të zgjerohej para syve.

Në se do të ruheshin  ata relike në kutija xhami, si në muzetë klasike, do të duheshin  shumë kate t’i shtoheshin asaj shtëpie, por jo, ata  sende  bashkëqëndronin ngjitur e ngjitur  sipas klasifikimit, që  vetëm ata dy  njerëz me zemër të madhe dinin t’i bënin.

Nanë Gjystja të shoqëronte dhe të spjegonte me urtësinë e saj për ata sende  që i përkisnin më shumë asaj. Ajo përfaqësonte aty të gjitha Loket e Malësisë, sepse aty kishte mbledhur prej tyre, furkën, saçin, buljeren e shtamat e ujit, djepin,…..por mbi të gjitha xhubleten.Aty u ndala edhe më shumë, për ta parë nga afër  këte veshje të hershme të qytetërimit Ilir, këte relike te vyer, që e ka vetëm Malësia dhe që është krenaria e kulturës sonë  kombëtare.

Aty  më zuri syri  një mjet  të vogël prej druri  prej  ku  rrotullonte bashkimin e  tri fijeve  prej leshi që të bëheshin shirita dhe pastaj, siç ma spjegoi nanë Gjystja, qepeshin  me mjeshtëri me pjesët e tjera  në mënyrë horizontale  për të krijue xhubleten në formën e kumonës së valëzueme, një teknologji sa primitive aq dhe  e sofistikuar.

Në pamjen e jashtme, Nanë Gjystja, si në trup, në ecje edhe në veprime  e sjellje të kujtonte Nanë  Terezen.Ajo, tërë qenien e saj ia kishte kushtuar atij thesari që do t’i rritej vlera  në vazhdimësi për t’i shërbyer  brezave.

Në ate mori sendesh  nuk pashë vendin ku ajo pushonte. Për moshën që kishte, për punët e rënda  që bënte, duhet ta kishte një qoshe te ngrohtë, por ajo nuk e njihte rehatinë. Ishte gjithë ditën në lëvizje, me një pupël në dorë, përkëdhelte ata relike te vyera. Ajo malësore  stoike ishte  përshtatur me ato orendi që e rrethonin përqark, ishte shkrirë me to dhe aty mes tyre ndihej mirë.

Ajo ishte një grua e thjeshtë, por  që kishte bërë shkollën, në shtëpinë e saj. Ajo ishte edhe mësuesja edhe nxënësja e asaj shkolle me drejtor bashkëshortin  e saj, Zotin Shtjefen.

Ajo nuk i ndahej të shoqit, e respektonte dhe e dëgjonte  me kënaqësi kur Ai  u spjegonte vizitorëve në detaje, vendin ku  i kishte  gjetur  ata sende të çmuara, kohën kur ishin përdorë, lënden dhe mjetet me të cilat i kishin punuar etj. Zoti Shtjefen ishte nje ciceron i vertetë ishte historian, e kishte  harmonizuar më së miri  kohën e vjetër me të renë. Këte e plotësonte edhe nepërmjet fotografisë, një pasion tjetër i tij, e për këte ruante  një koleksion aparatesh fotografikë të periudhave të ndryshme.

Shtjefen Ivezaj nuk kishte tituj shkencor, por hulumtimet e tij për të vertetuar historinë e bënin  që  tashmë t’i kishte fituar ata. Me zgjedhjet që kishte rënditur në ate shtëpi-studio,  ia ka bërë gati studiuesve lënden e parë. Aty, mund të shkojnë e të ulen studentët në ato ndejset prej druri të gdhendura me mjeshtëri.Të shkojnë aty, ku jane ulur të Urtët në kuvendet e malësisë dhe të dëgjojnë të Urtin Ivezaj, i cili  është në një drejtim me Gjeçovin, që për nga ngjashmëria i bashkon edhe emri, Shtjefen, e prej të cilëve,mëson shumë.

Aty  mund të dëgjosh për  traditat e banorëve të Cemit  siç  i ka cilësuar  Pater Anton Arapit te “Andrra e Pretashit “se Hoti,Gruda dhe Triepshi  janë të përmendun për gisht e trimni, për  urti dhe bukëdhënës.

Aty do të gjesh armët e trimave te Dedë Gjo Lulit të cilat flasin dhe tregojnë historinë e lavdishme te Malësisë Madhe dhe të popullit shqiptar.

Aty do të dëgjosh tingujt e çiftelisë dhe këngët trimërore të burrave,një folklor brilant.

Në ate mrekulli që kishin krijuar bashkëshortët Ivezaj,mungonin njerëz të kualifikuar  që  ta inkuadronin ate visar kombëtar  në kuadrin shkencor. Atyre u mungonte ndihma e institucioneve shtetërore  si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjithë ky aktivitet zhvillohej jashtë kufijëve të Shqipërisë, por trashëgimia kulturore  kombëtare nuk njeh kufij ajo i përket shqiptarëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë.

Gjithë  pasuria e dy bashkëshortëve  të nderuar, ishte urtësia dhe modestia, por mbi të gjitha krenaria se gjithë ky investim i tyre ishte bërë për  një ideal, për shqiptarii’

Vitet po i rëndojnë të moshuarit, deri tani, në emër  të atyre relikeve kanë folur e kanë treguar të dy bashkë, po në vazhdimësi, kush do t’i mirëmbajë, kush do ta ruaj ate muze pa financë.?!

Është një rast shumë i rrallë, një sakrificë vetëmohuese e dy prindërve, që përveç rritjes dhe edukimit të fëmijëve  të tyre  biologjik e kanë shtrirë edukimin e tyre  edhe më  tutje duke u bërë shembull i një pune madhështore,që do t’u sherbejë brezave.

Ata ndertuan një shtëpi, aty krijuan një muze, që shërben si shkollë për të gjithë, për njohjen e kulturës, të zakoneve e dokeve dhe virtyteve ma të mira që trashëgojmë  nga  të parët tanë.

Jemi mësuar t’i  shohim në fotografitë  e Marubit veshjet e bukura të Malësisë apo visare të tjera të çmueshme dhe jemi mrekulluar, por në Shtëpinë e Ivezajve,ata relike i sheh me sy dhe i prek me dorë, ata flasin edhe ma shumë.

* Ne Foto:Pamje nga muzeu i Lekaj.Shtjefen Ivezaj.

Filed Under: ESSE Tagged With: Nane Gjystja(Ivezaj), nderim e mirenjohje, Pertefe Leka

Rrugëtimi i gjatë i Zonjës Ivanaj me flamurin shqiptar,Një shembull i përkryer

March 6, 2016 by dgreca

Një nyjë e përjetshme martesore e Prof.Giuseppina Pogliotti me juristin shqiptar, Dr. Martin Ivanaj/

Nga  Pertefe  Leka/

Nuk ishin rastësi martesat e një djali shqiptar me një vajzë të huaj dhe anasjelltas. Historia ka treguar se janë bërë martesa të largëta në nivele të larta të shoqërisë, për të krijuar miqësi të reja, për të bërë aleanca paqësore ose për të siguruar mbrojtje. Në kohët e reja koncepti i martesave  ka pësuar ndryshime duke u mbështetur në barazinë morale dhe juridike, në ndjenjat e dashurisë, të respektit dhe mirëkuptimit. Duke u bazuar në parimet e funksionet e saj, në detyrat dhe obligimet, çiftet janë kombinuar në mendime dhe në lidhje shpirtërore. E tillë ishte edhe martesa e Dr.Martin Ivanaj me profesoreshen Giuseppina Pogliotti. Bashkimi i tyre qe një kombinim ideal.

‘Pina’ Pogliotti, vinte nga një derë e vjetër fisnike, siç ishte   familja Nasi në Gheme të Italisë, e cila datonte në shek.16. Kjo familje zotëronte prona të mëdha në Ghemme dhe ishte e përmendur, sepse nga gjiri i saj kishin dale: doktorë, juristë, bile edhe Prelatë.

Nga ana e nënës, halla e madhe e Giuseppin-ës i përkiste familjes angleze Collins dhe ishte zotëruese e ishullit Caprera. Ajo ishte vajzë e nderit e Mbretëreshës VIKTORIA në Londër.

Po ashtu ishte edhe prejardhja e Dr. Martinit. Pema e fisit Ivanaj. është e dokumentuar që nga viti 1444.Doda, babai i Martinit, kishte një histori të pasur në luftën kundër okupatorit turk. Ky aktivitet i luftëtarëve Ivanaj u projektua më vonë me pjesëmarrjen e xhaxhait të Martinit, në Lidhjen e Prizrenit.

Prioritet i familjes Pogliotti, ishte edukimi shkollor i vajzave.

Giuseppina, si edhe motrat e saj, vazhduan Shkollën Normale për Femra(‘Rosa Stampa’ College) në Vercelli dhe  më pas studimet e tjera në Torino.

Motra e madhe, u gradua në Universitetin e Grenoble dhe tërë jetën e saj jepte mësime në frëngjisht në Novara. Ndërsa Giuseppina vazhdoi studimet në Torino, duke punuar njëkohësisht si Sekretare Ekzekutive në “Fashion House” në Itali, një pozicion jo i zakontë për femrat në ate kohë.

Kur Profesoresha Pogliotti pas studimeve në Torino, shkoi  ne Romë për një garë konkursi për stenografi, ( pasi ajo ishte një ndër 7 studentet e Prof.Vincenzo Cima, editor i” La Stampa” dhe shpikës i sistemit të stenografisë), u takua me Dr.Martin Ivanaj.Të dy vëllezërit Ivanaj, Martin e Mirash, ishin studentë në “La Sapienza” të Romës dhe jetonin së bashku në një shtëpi me qira, drejt së cilës ishte në kërkim edhe Zonjusha Pogliotti.

Atje u njohën rastësisht të ftuar në një darkë dhe prej aty  njohja  mori përmasa të tjera.

Ajo që i bashkoi, ishte dashuria e ndërsjellë e cila i orientoi dhe i drejtoi kah njeri tjetri.Dr.Martini iu drejtua një vajze që ishte e harmonizuar në vetvete me identitet dhe personalitet. Ishte e shkolluar   dhe me një edukatë për punën, gjë që i bënte edhe më dinamike marrëdhëniet  ndërpersonale  dhe  për vazhdimësinë në çift.Tashma Zonja Ivanaj, nuk e pati të vështirë të përshtatet më së miri në një bashkjetesë të re, duke e lënë Italinë ku kishin të gjitha mundësitë të jetonin atje dhe për të punuar në nivele të larta punësimi, pasi të dy ishin të shkolluar në Itali.

Zonja Ivanaj në tërësinë e saj, kishte aftësi të mëdha adaptimi që bëri hapin vijues, duke e njohur, pranuar dhe nderuar bashkëshortin me plot besim që: ne i takojmë njeri tjetrit.

Duke pasur fuqinë e dashurisë, ajo u drejtua kah tjetri, pa mohuar vetveten. Edhe pse vinte nga nje vend me kulturë dhe gjuhë të ndryshme, e kapërceu atë sfidë me edukatë, dhe angazhim për të ushqyer harmoninë familjare.

Ata vendosen që ta ndërtonin folenë e tyre në Shqipëri, sepse vendi kishte nevojë më shumë për njerëz të shkolluar e sidomos në fushën e drejtësisë, për të cilën Dr.Martini kishte mbrojtur Lauren për Jurisprudencë në ‘La Sapienza’ të Romës.

Zonja Ivanaj u përshtat krejt natyrshëm me traditat dhe zakonet e vendit. Shumë shpejt ajo arriti të fliste edhe gjuhën shqipe.

Në shtëpinë që ndërtuan vëllezërit Ivanaj, në Tiranën e Re, Zonja Ivanaj jetoi në harmoni të plotë edhe me kunatin, Prof.Mirashin, i cili nuk u martua pas vdekjes së të dashurës së zemrës, një vajzë  Romane, që ishte pasardhëse  e familjes se GIUZEPPE  MAZZINI, (politikan, gazetar, aktivist revolucionar për bashkimin e Italisë, antimarksist)

Këte lidhje të fortë me vashën e zgjedhur, Mirash Ivanaj e  ruajti  deri në fund të jetës, duke mbajtur si kujtim  deri në vdekje, Gërshetin e saj.(Për dijeni, pas vdekjes në burg të Prof.Mirashit, “Gërsheti” mundi të dilte jashtë burgut,  vetëm pas viteve 90-të me Dr.Lazër Radin i cili e kishte ruajtur amanetin e bashkëvuajtësit dhe ia dorëzoi Dritës, të vetmen relike të lënë nga xhaxhai i saj, Mirash.)

Ndërsa Dr.Martini po kalonte ditët më të bukura me Profesoreshen Pogliotti. Ai, duke parë përshtatjen e Zonjës në familjen Ivanaj i drejtohej asaj duke i thënë: Ju jeni Mbretëresha e kësaj shtëpie.

Ambienti, ku jetuan së bashku, nuk ishte thjeshtë një strehë, por ishte një shkollë, ishte një qendër kulture, ku gjeja më e vyer ishte biblioteka, e cila mbante mbi 16 mijë tituj librash.

Në dhomat – studio të asaj shtëpie, u projektuan nga  Dr.Martini  (atëhere Kryetar i Gjykatës së Kasacionit ) dy kode të shkruara; kodi civil dhe ai penal dhe nga Prof. Mirashi u projektua Reforma Arsimore që edhe sot mban po ate emër, ‘Reforma Ivanaj  1935.’

Pra, kemi të bëjmë me dy mendimtarë, studiues profesionistë dhe një Zonjë me të cilën mund të diskutonin për probleme të ndryshme sepse edhe ajo ishte e përgatitur në shumë fusha.

Gëzimin e familjes, e shtoi kur erdhi në jetë vajza e Martinit dhe e Giuseppin-ës, Drita, të cilët e pagëzuan me ate emër,si për të ndriçuar pemën shekullore të fisit Ivanaj.

Zonja në fjalë, edhe pse me origjinë italiane, nuk pati asnjë kundërshtim për emrin, por e shqiptoi me kënaqësi duke njohur simbolikën e asaj fjale të bukur shqipe, Dritë, që i dha  ndriçim gjithë familjes.

Zonja Ivanaj, e krijoi familjen në Shqipëri në një shoqëri, ku ekzistonte familja patriarkale, por liria e mendimeve dhe qëndrimeve në ate familje i dha një shtysë të mëtejshme   gjykimit, se suksesi në jetën familjare ka para kushte që të jetë i tillë edhe në veprimet e jetës shoqërore.Mekanizmi më i suksesshëm që lëviste në personalitetin e Zonjës Ivanaj, ishte ekuilibri me veten dhe të tjerët.

Kështu marrëdhënia e re me vajzën, hapi dritare të reja duke iu përkushtuar asaj jo vetëm si nënë por si një edukatore dhe mësuese e mirefilltë.

Në një fletore kushtuar së bijës, ndër të tjera ajo shkruante:Çelësi i artë:…. Kur  je e etur për diçka të madhe, qoftë ajo e natyrës materiale apo shpirtërore, mos harro se një çelës i vetëm mund të hapë të gjitha dyert, të hapë çdo kthinë,dhe të zhdukë si me magji, çdo pengesë. Ai çelës i artë quhet  BESIM!”

Këte bashkëjetesë lumturie në familjen Ivanaj, e prishi pushtimi fashist në Shqipëri, me të cilin vëllezërit Ivanaj nuk mund të përshtateshin kurrë, përkundrazi ishin gati të luftonin kundër okupatorit.

Pengesa e organizimit të rezistencës  nga qeveria, bëri që vëllezërit Ivanaj të emigronin si azilantë politikë në Stamboll.

Zonja Ivanaj e mbetur me Driten 6 vjeçare e cila vazhdonte shkollën fillore në Tiranë, fillimisht rezistoi që të mos e linte shtëpinë dhe Shqipërinë, por kur fashistët pa mëshirë i sekuestruan pronën dhe çfarë kishte deri në kërcënim fizik, u detyrua të shkonte në drejtim të Italisë ku kishte prindërit, me mendimin se do të bashkoheshin së shpejti në Shqipëri.

Kjo Zonjë e fortë në karakter, me një inteligjencë të rrallë, nuk e humbi orientimin por me kurajo dhe besim mblodhi dokumentacionin më kryesor që zotëronte kjo familje dhe xhesti më fisnik i saj, ishte kur në pamundësi për të marrë plaçka, palosi FLAMURIN SHQIPTAR dhe e vendosi në vendin më të sigurtë për ta marrë me vete. Një veprim i rrallë  që tashma i njohur, e lartëson moralisht Zonjën në fjalë.

Ajo kurrë nuk i harroi fjalët e Prof.Mirashit kur përsëriste citate nga Mazzini, ithtar i të cilit ishte: ”Patriotizmi është detyrë dhe dashuria për Atdheun është mision hyjnor.”

Ajo e dinte se me sa dhimbje u larguan vellezërit nga Atdheu, prandaj nuk e la flamurin ta shkelnin pushtuesit, duke e konsideruar si simbol kombëtar dhe të historisë. Ajo e ruajti me fanatizëm ate pëlhurë të kuqe me shkabën dykrenare me të cilën udhëtoi drejt Italisë dhe më vonë  deri në Amerikë, kur emigroi së bashku me Driten.

Të dyja, nënë e bijë, kishin pasaporta shqiptare, prandaj qëndrimi në Itali ishte i vështirë. Nuk ishte i lehtë  punësimi I Zonjës Ivanaj, tashmë si qytetare e huaj(shqiptare)  dhe  po ashtu shkollimi i Dritës me emrin shqiptar, që ajo kurrë nuk pranoi ta ndërronte, por e mbajti me krenari.

Drita në Shqipëri mundi të bënte vetëm një vit shkollor, pastaj shkollën elementare, gjimnazin dhe më vonë Liceun Shkencor e mbaroi me 1951 në Itali me rezultate të larta. Ajo  hodhi poshtë  mentalitetin e të huajve për shqiptarët, duke kaluar nga dy klasa në një vit shkollor, gjë që i solli të drejtën e përfitimit të bursës në ate  vend.

Pas vdekjes së Dr.Martinit në Stamboll me 1940, nëna italiane, e mbetur e ve, e shtoi dy herë më shumë përgjegjësinë ndaj vajzës.

Ajo edhe pse jetonte tek prindërit e saj, nuk mund t’ia pengonte të ardhmen Dritës.

Ata të dyja, nënë e bij, me pasaporta shqiptare, kishin mundësinë të emigronin në SH.B.A. nën përkrahjen e Kombeve të Bashkuara.

Në ditarin e Zj. Ivanaj, ka mbetur i pashuar udhëtimi  i dhjetorit  i vitit 1951 në bordin e një anije ushtarake amerikane, përmes dallgëve të tërbuara oqeanike, ku ruanin me kujdes pasaportat shqiptare  dhe Flamurin Kombëtar.Me këte relike të vyer, simbol i qëndresës, ato bashkuan edhe vetëmohimin e tyre, duke lartësuar vehten si pjesë e këtij etniteti.

Zonja Ivanaj, duke njohur aftësitë e Dritës, pa u stabilizue mirë ekonomikisht, kërkoi shkollimin e saj, të cilin Drita e fitoi të vazhdonte në Hunter College të N.Y.

Në qershor të vitit 1960, Drita diplomohet  në degën e ekonomikut në drejtim të biznesit, duke marrë disa dëshmi nga I.B.M. për kompjuter.

Drita i dha shumë kënaqësi nënës, megjithëse të dyja punonin rëndshëm për të mbijetuar dhe për të fituar progresin e nevojshëm që kërkonte koha.

Ndërkohë Zonja Ivanaj, nuk i shkëputi lidhjet me kunatin,

Prof.Mirashin edhe kur ai u kthye në Atdhe, edhe kur Ai  ishte në burg.( Ministri Ivanaj, i preu bursën Enver Hoxhës nga që nuk kishte dhënë asnjë provim)

Ajo e njoftonte për zhvillimet e reja të mbesës së tij të dashur, Drita.

Kunata  bëri shumë, duke shkruar letra deri në organet më të larta të Italisë për pafajësinë e Prof.Mirashit, por rregjimi I Hoxhës nuk njihte drejtësi, sidomos për njerëzit e ditur.

Ajo e njihte forcën e karakterit të Prof.Mirashit, si mësues erudit, si drejtor gjimnazi organizator, si Ministër Arsimi reformator, si kapacitet juridik deri në Këshillin e lartë të Drejtësisë, ku dha një kontribut shembullor, paçka se ishte kundërshtar i monarkisë. Ajo e njihte vetëdijen e tij, se I kishte shërbyer popullit të vet që kishte shumë nevojë për mësuesin dijetar e poliglot.

Ajo Zonjë e nderuar, kurrë s’e uli penën për të kërkuar drejtësi për Kunatin martir, M.Ivanaj.

Zj.Ivanaj, përveç punës së përditshme që bënte në N.Y. shkruante në një revistë letrare italiane për qindra biografi të emigrantëve italianë në Amerikë.

Pas 8 viteve punë të pandërprerë, në janar të vitit 1960, ajo ndërroi jetë duke e lënë Dritën në pikëllim, por me porosi  për ta vazhduar jetën me optimizëm.

Drita e ruajti në mendje dhe në zemër shembylltyrën e saj. Ajo nënë, e frymëzoi dhe vazhdon ta frymëzojë edhe sot për të jetuar me dinjitet dhe egzigjente ndaj vetes. Porositë e Nënës, për të qenë në shërbim të tjerëve si misionare, por pa mohuar vetveten, kanë gjetur zbatim të përkryer  te Drita. Ajo edhe sot i kujton fjalët e saj, kur nëna i shkruante:

“Unë vetëm lakmoj ata të cilët ‘japin’, jo ata që ‘kanë’ ose ‘marrin’. Kush jep, dhuron një gëzim dhe i jep vetvetës po të njëjtën ndjenjë, jo më pak të vlefshme. Gjithashtu, lehtësisht dhe me kënaqësi,ai ose ajo i siguron vetes lumturi të përjetshme”.

Pina Pogliotti ved.Ivanaj

Drita, si rralle kush, ka përvetësuar në themel teknologjinë e kohës për t’i dhënë zgjidhje shumë problemeve, por çuditesh kur thotë: po konsultohem me prindërit. Ajo, me forcën e vullnetit, kapërcen të gjitha barrierat dhe këte magji zotësie e ruan akoma nga urtësia e nënës, e cila i shkruante:“Kur, pra, dëshiron diçka, mos ju lut Zotit për ‘ate gjë’, por për BESIM; jo një besim në dukje, por besim në vetvete. Me te, mund të arrish jo vetëm një pushtim, por mund të pushtosh  botën tërë. Atëhere do të jesh një zot në tokë dhe të lartësosh veten mbi te, të shtrihesh në kohë dhe hapësirë pa kufi, jo vetëm si njësi e dijës dhe e jetës, por të fitosh fuqi mbi veten dhe njerëzit.” Pina Pogliotti ved.Ivanaj.

Shumë vite, Drita i kaloi e vetme në shtëpi, por pa krijuar boshllëk në jetën shpirtërore, sociale dhe profesionale. Ajo ishte gjithmonë në progres. Aftësia e saj menaxheriale dhe drejtuese në sistemin kompjuterik të Universitetit të Kolumbias, e bëri që të jetë e vlerësuar dhe e nderuar në ate dikaster dhe në jetën shoqërore.

Endrra e Dritës ishte, që eksperiencën e saj t’ia transmetonte rinisë shqiptare, nepërmjet sistemit shkollor,  ishte e pamundur ta ushtronte në sistemin diktatorial të Shqipërisë.

Pas shumë vitesh në pritje, për të ardhë në Tiranë, Dritës iu dha mundësia që ta prekë tokën shqiptare pas 54 vitesh, kur asnjë nga të afërmit e zemrës nuk jetonin më.Një ftesë nga drejtoria e Gjimnazit të Shkodrës në vitin 1993, për të marrë pjesë në ceremoninë e dhënies së dekoratatës ”Martir i Demokracisë”, për Prof.Dr.M.Ivanaj, e bëri me krahë të fluturonte drejt Shqipërisë.

Ishte prekëse kur ajo zbriti nga avioni, duke u  përkulur  deri në gjunjë për të puthur tokën mëmë. Lotët e saj i pasuan të gjithë pritësit në aeroport. Ishte moment shumë emocional dhe lajmërues, se diktatura nuk do të kthehet më, për t’i     përlotur shqiptarët.

Ardhja e Dritës në Tiranë, nuk qe thjeshtë një vizitë për të shuar mallin.Ajo erdhi me vizione të qarta për të vënë gjithë potencialin e saj intelektual në shërbim të Atdheut.

Fillimisht kërkoi të sillte në Atdhe eshtrat e të atit nga Turqia, duke përballuar një situatë shumë të rëndë psikologjike, pas një ndarje gjysmë shekullore me atin e saj.

Ajo i vendosi në një memorial të përbashkët të dy vëllezërit, Martin e Mirash Ivanaj me epitafin: Së bashku në jetë dhe në vdekje, për Atdheun.

Vendosmëria për të kapërcyer të gjitha barrierat burokratike, e bënë më konseguente drejt kërkesave të drejta të saj.

Vetëm për të marrë shtëpinë e okupuar, të shtetizuar nga komunistët, kaloi përmes një kalvari të gjatë ecejakesh deri sa më në fund e realizoi.

Në ate shtëpi, Drita vendosi zyrat  e Fondacionit  “Martin e Mirash Ivanaj, Institut”, i ngjashëm me simotrën e tij në New York.

Projektet e fondacionit, që shprehin idealet e Vëllezërve Ivanaj për zhvillimin e kulturës shqiptare, do të rrezatojnë dituri për rininë, po nga ajo shtëpi.

Aty, në ballkonin e shtëpisë, Drita shpalosi Flamurin Shqiptar, të ruajtur nga nëna, Pina Poglioti Ivanaj.

Aty, Flamuri kuq e zi e ndaloi rrugëtimin e gjatë, Shqipëri, Itali, SH.B.A dhe më në fund në Atdhe.

Tani në Tiranë, Flamuri, simbol i historisë së popullit shqiptar, valon i lirë në ballin e Shtëpisë Ivanaj, për të treguar edhe një pjesë të historisë së dhimbshme gjatë diktaturës komuniste.

Filed Under: Featured Tagged With: Pertefe Leka, rrugetimi me Flamurin shqiptar, Zonja Drita Ivanaj

ME 13 GUSHT 1983 U SHUA MUSINE KOKOLARI

August 9, 2015 by dgreca

Nga Pertefe Leka/
Musine Kokalari, personazh në Romanin “Para Agimit” të Sh.Musarajt/
Besa,Shpresa,Dashuria, ata pra na lartësojnë.Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë.M.K./
Koncepti “ E bukura“, si dukuri estetike në letërsinë e realizmit socialist, kishte karakter klasor.Ta paraqesësh të bukur një personazh në gjithë përfshirjen dhe pastaj ta konsiderosh personazh negativ vetëm pse mendon dhe vepron si jokomunist, këte e bënte vetëm ajo rrymë famëkeqe.
Po jap një shembull të jetuar, për ta bërë më bindës, se sa e vështirë ishte për një mësues letërsie të argumentonte karakterin klasor të dukurive estetike.
Nuk do ta harroj kurrë një vizitë në “Lidhjen e Shkrimtarëve” me një grup maturantësh të gjimnazit “Kristoforidhi”, pasi shkolla ishte pak metra larg kësaj ndërtese.Në ate mbledhje, promovohesh një libër me poezi nga një poet i ri, i cili ndër të tjera lexoi edhe një poezi “Lules”.Kur e mbaroi së recituari dikush nga salla u ngrit e tha:-kjo poezi nuk ka karakter klasor.Shefqet Musaraj që e drejtonte mbledhjen iu përgjegj: kësaj poezie shtoji nje varg: “O moj lulja për merak /Ruhu mos të këpusi ndonjë kulak”Kështu poezia e kaloi testin dhe për mua si mësuese më ndihmoi për ta “kuptuar nxënësit“ate falsitet
Ndërsa për personazhin në fjalë (Ermira Velo) që është, Musine Kokalari, e cila është paraqitur e bukur në pamje,e bukur në shpirt e në mendime, autori Sh.M. nuk gjeti dot një varg të tillë që ta kalonte Musinenë në krahun e “të mirëve”, sepse ajo mbeti deri në fund konsekuente e pikëpamjeve të saj:” nuk jam komuniste”
Musine Kokalari, është një personalitet i njohur i historisë dhe letërsisë shqipe .
Gjatë 50-viteve të diktaturës, është njohur nga rinia shqiptare si armike e popullit .
Fotografia e saj shfaqej herë pas here në Muzeumin e Ministrisë së Brendshme, ku ishim të detyruar ta vizitonim me nxënësit e shkollës . Unë personalisht nuk e kam njohur Musinenë por nepërmjet personazhit (Ermira Velo ) në romanin “Para Agimit “, e kam lakuar këtë emër në dhjetra orë mësimi duke e komentuar në menyrë të përsëritur .
Ajo hyri ilegalisht në letërsinë e realizmit socialist me emrin, Ermira Velo, pasi autori e ka njohur dhe ka bashkëpunuar me te gjatë periudhes se luftës kundër okupatorit. Megjithëse i detyruar nga tendenca për të luftuar pozitën e saj klasore dhe pikëpamjet ideologjike,autori e ka paraqitur me kurajo figurën e saj reale të mishëruar në emrin e personazhit( Ermira Velo).
Në përshkrimin e portretit të saj autori shkruan :” Ermira (M.Kokalari) ishte e thjeshtë, e afruar me çdo njeri dhe nuk bënte kurrë dallim midis njerëzve me pozitë dhe atyre që nuk kishin as strehë ku të fusnin kokën. Prekej pa masë nga vuajtjet e të tjerëve dhe nuk kursehej t’i ndihmonte me ç’t’i kish dora .v.1,f.20,”Para Agimit”
“ ..Si mbaroi shkollën e mesme ajo njihej si një nga vajzat me prirje përparimtare “v.1,f.18”Para Agimit”
…Dhe qe një gëzim i madh për te, kur pa të botuar në një revistë shkrimin e saj të parë,shkrimi kish dalë me të vërtetë një xhevahir i vogël letrar siç e gjykuan shumë nga të njohurit e saj .”v,1,f.21”Para Agimit”
Musineja dhe familja e saj, jane paraqitur në një taban të shëndoshë kulturor e patriotik, ashtu siç ishin në të vërtetë . Babai i saj gjykatës dhe vëllezërit me profesione: Jurist,profesor,përkthyes,të cilët ishin njëkohësisht edhe shokët e saj .
Ermira Velo (M.Kokalari) shkruan autori kish nje respekt te madh për të vëllanë dhe ushqehej vazhdimisht nga idete e tij” v1,f.18,”Para Agimit”
Familja Kokalari, në të cilën u rrit dhe u edukua Musineja, kishte gjithë potencialin ekonomik, kulturor dhe patriotik që ajo të trashëgonte vlera pozitive për formimin e saj intelektual.Falë zgjuarësisë krijuese të saj, vullnetit dhe karakterit të fortë, ajo mbaron me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme “Nana Mbretëreshë “dhe më vonë arrinë të bëhet një nga studentët më cilesorë ne Universitetin e Romës ku u diplomua “Doktoreshë në Letërsi”ne vitin 1941, me temën “Literatura Albanese, Naim Frashëri”.
Në Romë iu krijuan të gjitha kushtet për të qëndruar pranë atij Universiteti, por ishte vendosmërisht e bindur se kontributi i saj i duhej Shqipërisë.
Miqësia e familjes me Mit-hat Frashërin ndikoi direkt në pikëpamjet e saj për të ardhmen e Shqipërisë.
Shumë diskutime bëheshin në familjen e saj lidhur me fatin e Shqipërisë në prag të Luftës së dytë Botërore. Cila do të ishte e ardhmja e këtij vendi? Çfarë rruge do të ndiqte Shqipëria? Këto pyetje dhe të tjera e kishin munduar Musinenë dhe e munduan deri në fund të jetës .Vajza e re universitare, hyri në kuvend me elitën e njerëzve më të mënçur që kishte Shqipëria e asaj kohe dhe për këte Shefqet Musaraj nuk e kurseu konsideraten për të gjithë familjen në terësi:
”Mbi të gjitha Ermiren (M.Kokalari) e entuziasmonte një fakt tjetër që provonte se shtëpia e saj kish për të qëndruar gjithmonë një fole patriotizmi, kish filluar të vinte shpesh njeriu që nuk është komprometuar asnjë majë thoi gjatë regjimit të zogut dhe që ka një urrejtje të tmerrshme për italianet.” V1,f.67”Para Agimit”
Nje ndikim tjetër tek Musineja, kishte Branko Merxhani,drejtor i Revistës “Përpjekja Shqiptare”.
Kryeartikulli i shkruar prej B.Merxhanit “Pse nuk jam Marksist ,“me anën e të cilit
argumentonte se komunizmi ishte një eksperiment pa të ardhme, e kishin bërë Musinenë të mendonte akoma më shumë se bolshevizmi ishte një rrezik për Shqipërinë, prandaj ajo rrugë nuk duhej ndjekur. Këte ide,Musineja, e kishte forcuar akoma më shume kur kishte lexuar romanin“Nena “te M.Gorkit, per të cilin kishte thënë: “se s’janë të përshtatshme për në ato gjëra .
Bashkëpunimi me Branko Merxhanin, Shefqet Musarajn,Nexhat Hakiun,Vedat Kokonen e të tjerë, kishin bërë që të njiheshin këto lidhje, të cilat u konfirmuan më vonë nga profesor Nexhat Hakiu në një rreth të ngushtë, se pas figurës se Ermira Velos,është M.Kokalari.
Autori Sh.Musaraj, e ka rritur më shumë figurën e Musinesë në roman,edhe pse e kishte vënë në anën e kundërt të ideologjisë sunduese, si personazh negativ. Figura e saj është vënë midis ideologut të saj Mit-hat Frashërit, nacionalistit dhe demokratit më të madh të kombit shqiptar,(emrin e të cilit autori nuk e ka ndryshuar në roman) dhe Branko Merxhanit,pionierit të filozofisë progresive shqiptare, që në roman njihet me emrin, Zoti Bardhi .
Ajo i adhuronte këto dy personalitete, jo vetëm për nivelin kulturor dhe mendjen e ndritur, por edhe si njerëz të pa komprometuar nga rregjimi. Ajo veproi si ata,duke ndjekur rrugën antikomuniste dhe luftëtare për çështjen e Shqipërisë Etnike;
veçanërisht për Kosovën dhe për një shoqëri demokratike të tipit evropian.”Pa Kosovë e Çamëri,nuk ka Shqipëri”M.K
Për aktivitetin e saj politik e revolucionar gjatë luftës, është më mirë të theksohen fjalët e saj të cilat i ka deponuar në gjyqin special se sa të jepen fragmente nga romani ku autori nuk mund t’i shpëtonte tendencës klasore.Ndër të tjera ajo pohon në gjyq:
Mbas mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në Ballin Kombëtar si social demokrate dhe kam qenë përgjegjëse e Gazetës, “Zeri i Lirisë “ në të cilën kam botuar artikuj ku flitet për çeshtjen e Kosovës në bazë të kartës se Atllantikut dhe çështjen për të luftuar, jo për qëllime e përfitime të disa klikave, por për demokratizimin e vendit .

Autori, Sh.Musaraj, e ka dhënë personazhin në fjalë deri në mbarim të luftës por dhe aty e lë për të kuptuar se do të fillojë kalvari i vuajtjeve të saj. Ne gjyq ajo pohoi vendosmërisht :“S’jam fajtore, s’jam komuniste dhe ky s’mund të quhej faj .Unë jam nxënëse e Sami Frashërit, me mua ju doni të dënoni Rilindjen “.
Kjo deklaratë e fuqishme, ia shtoi vuajtjet: Burg,internim,punë të rënda fizike, deri te sëmundja e pashërueshme e cila ia mori jetën me 14 gusht 1983.
Duke iu referuar epilogut, ajo vete shkruan: “Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha nje gjyq special .Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej e këndej. Njoha punën e punëtorit me norme individuale, njoha punën e punëtorit me normë kolektive në bujqësi e ndertim. Njoha vetminë e vetëkërkuar,shoqerinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky termet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit .Kam 38 vjet që nuk di çdo me thënë familje “
Me pikëllim të madh ajo e thekson fjalën,Familje,sepse tragjedinë më të madhe e pësoi vatra familjare ku ajo mori ngrohtësinë. Dy vëllezërit e saj, Vesim e Mumtaz, u pushkatuan në nëntor të vitit 1944 pa gjyq .I jati vdiq sapo mori vesh menxyrën qe i kishte ndodhur në familje. Në ato mejtime, kur gjendja e rëndë shëndetësore e paralajmeroi se po bashkohej me të dashurit e saj, u kujtua për të lenë diçka nga shpirti i saj bujar që kurrë nuk iu shua. Me mendje të qartë deri në fund ajo shkruan:”Ne se vdes në valixhen e vogël kam disa sende me vlerë etnografike për Muzeun e Gjirokasters. Ato pak kursime edhe gjithçka tjetër le të hyjnë në fondin e shtypit që duhet të krijohet për punëtorin e krahut i cili është i domosdoshëm që të demokratizohet dhe të kultivohet punëtori i thjeshtë “
Thesari tjetër i vyer qe la Musineja, që diktatura e egër nuk mundi t’ia shuante, ishte krijimtaria letrare e cila e radhiti ate në plejaden e shkrimtarëve të viteve 30.
Në botimet e para “Seç me thoshte Nenua plakë “,”Rreth vatrës “,”Sa u tunt jeta “e deri te botimi i fundit “Sikur të isha një lule “, ajo mbetet një vëzhguese e hollë e realitetit . Ideali i saj për barazi shoqërore, i kalonte kufijtë e klasës së cilës i përkiste, duke mos pasur asnjë pretendim material përpara asaj ideje të madhe që donte të realizonte.
Temën për lirinë e individit, e mbronte haptazi dhe me kurajo duke e përjetësuar që në skicat e para .Për të mbrojtur këtë ide, ajo dha shembullin me të lartë, doli e para në Demonstratat Antifashiste dhe në të tjera aktivitete që tani janë bërë të njohura.Tema që e tërhoqi më shumë ishte ajo për emancipimin e gruas dhe pjesëmarrjen e saj në jetën shoqërore. Që kur ishte studente në Romë u dërgonte mesazhe vajzave shqiptare që të luftonin dhe të merrnin rrugën e shkollimit për t’u bërë forca aktive në progresin shoqëror .
Të gjitha këto e bënë të dalluar Musinenë, si shkrimtare të talentuar, si revolucionare të vendosur në mbrojtjen e pikëpamjeve të saj demokratike dhe si një intelektuale përparimtare .
Pas viteve 90, ajo është ndër të parat disidente që u dekorua me medaljen “Martir i Demokracisë “ Edhe të mbijetuarit e familjes bënë çmos për rehabilitimin e veprës së saj.
Fondacioni “Musine Kokalari, “kryen shumë aktivitete që e plotësojnë njohjen e saj të ndaluar prej shumë dekadash. Shkolla që mban emrin e Musinesë e përjetëson duke e mbajtur si pishtar drite e diturie.
Nga Piedestali ku e vendosi koha, Musineja u flet gjeneratave: ”Besa,Shpresa,Dashuria, ato pra na lartësojnë .Përçarja dhe marrëzia na poshtërojnë dhe na mjerojnë .
p.s.Musine Kokalari u lind me 10 shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë. Në vitin 1921 Familja e saj kthehet në Shqipëri .Në nëntor të 1944 arrestohet për herë të parë. Me 23 janar 1946 arrestohet për së dyti, gjyqi komunist e dënoi 20 vjet heqje lirie Me1961 e nxjerrin nga burgu dhe e internuan ne Rrëshen.Me 1981 sëmuret nga kanceri ku nuk u tregua aspak kujdes nga shteti komunist,vdes me 1983.

Filed Under: ESSE Tagged With: ditevdekja, me 13 gusht 1983, Musine Kokolari, Pertefe Leka

Prof. Repishti, vizita e pare ne Shqiperi

July 12, 2015 by dgreca

Nga Pertefe LEKA/
Është kënaqësi për mua të shpreh konsideratat e mija për punën e pakursyer të Prof.Sami Repishtit
në të gjitha fushat:Të historisë,sociologjisë,filozofisë,diplomacisë dhe letërsisë.
E kam ndjekur viziten e parë te Prof.Repishtit që nga Aeroporti i Rinasit deri në përcjellje.
Njerëzit që u bashkuan në këte pritje erdhen pa bujë,pa altoparlante,por me dashuri dhe respekt
për të pritur mikun e tyre,bashkevuajtësin,dajen,xhaxhanë,të afermin e tyre familjar.
Ishte madheshtore pritja që bëri prof.Repishti në oborrin e shtëpisë së madhe te Repishtëve.
Për 15 ditë hynin e dilnin miq e familjarë për të komunikuar,me Prof.Repishtin për ta ndarë së bashku zjarrin përvëlues të komunizmit që kishin akumuluar ndër vite.Në një bisedë me Zonjën Diana Çipi Repishti e cila më tregonte për përshtypjet nga Shqipëria.Më tha:”U kënaqa shumë
kur takova miqtë e Samiut,kanë mbetur të paharruara ato mbrëmje vere kur qëndronim në oborr
dhe prisnim deri vonë njerëzit.Të gjithë kishin dëshirë të komunikonin dhe të bashkonin mendimet e tyre me solidaritet.Edhe pse nuk arrita të vizitoj as Kalanë e Rozafës as shtëpinë time në Gjirokastër unë erdha e mbushur me dashuri dhe respekt për ata njerëz bujarë dhe mikpritës.”
Po ju dergoj nje fotografi kur Prof.Repishti vizitoj shtëpinë tonë në Tiranë përpara nisjes,im shoq,Luani ftoj edhe Mandelen e Shqipërisë Zotin Osman Kazazi i cili ndodhet në foto nga e majta e Prof.Repishtit
Po ju dergoj te fotografuar edhe artikullin që kam botuar për Zotni Repishtin në disa gazeta të kohës,kur ai ishte në Shqipëri.

Filed Under: Featured Tagged With: Pertefe Leka, Prof. Repishti, sipas meje

Letêr Mirënjohje nga Izraeli familjes Veseli, për Nanen Duke dhe Baba Veselin

May 9, 2015 by dgreca

Nga Pertefe Leka/
Përmbajtjen e letrës në fjalë e dokumenton një foto monumentale, në mes Nana Duke dhe Baba Veseli të rrethuar nga dy familjet izraelite Mandili dhe Josef Ben Josefit.
Gavra Mandili nga Izraeli,(në foto, djali në të djathtë të Nanës Duke ,viti 1944) fton mikun e zemrës, Refik Veselin në Jeruzalem, për të marre pjesë në ceremoninë e dhenies se titullit “Njeriu Fisnik” .
Kjo letër e gjatë prej 10 faqesh e vitit 1987, analizon periudhën e Holocaust-it në Shqipëri, periudhë tragjike për izraelitet në të gjitha vendet e botës, ku ata kaluan të kërcënuar nga vdekja.Por tek shqiptarët, ishte ndryshe: Fisnikëria e shpirtit të tyre i nxori faqebardhë në këtë mbrojtje.Nuk është vetëm ajo që shqiptari e ka mbrojtur mikun jabanxhi,por më e madhja është se çdo sakrificë e tyre bëhej në emër të dashurisë njerëzore dhe kodit të veçantë të Shqiptarëve ,BESA.
Kjo letër ruan sot vlerat e saj njohëse e historike.Ajo është një kujtesë dhjetravjeçare nga familja Mandili .
Mosha Mandili me të shoqen dhe dy fëmijët e tyre, erdhën në Shqipëri nga Novi-Sadi i Vojvodinës për të shpëtuar nga ndjekja naziste.
Në fillim kjo familje u strehua ne Tiranë në shtëpinë e Refik Veselit, i cili jetonte atje me Neshat Dizdarin, një fotograf i njohur nga Kosova.Më vonë erdhi tek i vëllai Refikut, Hamidi, edhe një familje tjetër izraelite, Josef Ben Josefit, vete i tretë ,me gruan dhe motren.Ishte koha kur nazistët paguanin shuma të mëdha për ata që dorëzonin izraelitët Rreziku po afrohej për të dy familjet që jetonin në Tiranë, prandaj vëllezërit Veseli, Refik e Hamid vendosen t’i dërgonin në Krujë, ku ishin prindërit e tyre dhe e gjithë familja.Rrugën e kaluan pa asnjë dëmtim, sepse miqtë i veshen me rroba krutane, gjë që nuk ra në sy të armikut që i gjurmonte. Në familjen e madhe krutane ata gjetën mbështetjen,ndihmën,sigurinë,dashurinë.Sa herë afrohej ndonjë kërcënim,i zoti i shtëpisë u thoshte të rrinin të qetë.Ata i siguronin miqtë se mund të rrezikoheshin vetëm po të kalonin ndjekësit mbi trupat e tyre .
Nana Duke, u thoshte fëmijëve të ardhur ‘Lulet e shtëpisë “.Gavra dhe Irena e mësuan gjuhën shqipe shumë shpejt dhe nuk dalloheshin nga fëmijët e tjerë të familjes Veseli.Në letren e gjatë, shkruar nga Gavra Mandili me shumë vlera njerëzore,(pas 43 vjet ndarje 1944-1987 )e shkruan me nderim emrin e nanës duke e quajtur Zonja Duke..
Të huajt në këte shtëpi nuk ishin një e dy por shtatë dhe ky numër nuk mund të mbahej sekret përpara fqinjëve,të cilët hynin e dilnin më shpesh si në kohë të vështira,ku njerëzit lidhen me shumë me njeri tjetrin .
Zoti Veseli e pohonte “Keto s’i kemi mbrojtur vetem ne si familje, por e gjithë lagjja Mezini.Kështu paratë e nazistëve për të paguar ata që zbulojnë një izraelit nuk gjeten përdorim në vendin tonë,sepse shqiptarët vlerësonin më shumë jetën e mikut, se sa paratë e nazistëve.”
Momenti i ndarjes erdhi fill pas çlirimit.Mysafirët e strehuar nuk u larguan me nxitim.Ata pritën që të kthehesh nga ushtria partizani 17–vjeçar, Refiku, i cili me guxim deri në vetëmohim i kishte shoqëruar në shtëpinë e prindërve.Pasi u bashkua e gjithë familja, mysafirët,kërkuan që të bënin një shetitje në Bulevardin e Tiranës për të kurorëzuar triumfin e fitorës së përbashkët kundër nazizmit. Ndarja ishte shumë emocionuese dhe shume e vështirë për t’u kapërcyer,sepse mysafirët donin të likuidonin të zotin e shtëpisë për shpenzimet që kjo familje bujare bëri per ta. I zoti i shtëpisë nuk pranoi ta vlerësonte me para mikëpritjen,duke u thënë atyre :”Kruja s’ka hotel,shtëpitë tona janë për miq,pagesa e juaj është miqësia” Moment shumë prekës ishte kur femijët Gavra dhe Irena nuk ndaheshin nga Zonja Duke,ajo s’i mbante dot lotët kur dy femijët e përqafonin me shumë dashuri për ta falenderuar zemërgjërësinë e saj.Ajo i përcolli duke u thënë :” Ju na dhatë shumë gëzim” .
Pas luftës,familja Mandili u kthye përsëri në Novi –Sad dhe nuk shkoj shumë, ata i bënë një ftesë Refikut 19 –vjecar,në shenj mirënjohje,të jetonte së bashku me ata për të perfeksionuar profesionin e fotografit.
Ardhja e Refikut në këte familje u prit ngrohtësisht,Zonja Mandili e përqafoi me fjalët në shqip”erdhi djali i nënës”
Ngjarjet rrodhën shpejt dhe për izraelitet erdhi çasti i shumëpritur.Ata do të bashkoheshin në shtetin e tyre duke lënë vuajtjet dhe mbresat në të gjitha vendet ku ata jetuan të shpërndarë.Kur familja Mandili vendosi që të largoheshin nga Novi- Sadi, donin ta merrnin me vete edhe Refikun, por ai vendosi të kthehej në Atdhe,pas qëndrimit prej dy vjetësh me familjen Mandili,Ata u ndanë miqësisht me njeri tjetrin me një mirënjohje të thellë.
Pas shumë dekadash ndarjeje por jo harrese,vjen letra nga Izraeli për Z.R.Veseli e cila ishte një gjë jo e zakonshme për qytetaret shqiptarë që jetonin në izolimin komunist.Ishin vitet 1987 kur sionistet vazhdonin të konsideroheshin armiq nga qeveria komuniste, ndërsa të ftuarit në ate leter do t’i vihej një pikëpyetje e madhe nga sigurimi i shtetit .
I ndodhur përpara kësaj dileme,ai nuk mund të jepte asnjë përgjigje .
Ftesa që i bëhej Z. R.Veseli ishte për një ceremoni të jashtëzakonshme në Jad-Vashen ,vend ku nderohen viktimat e pafajshme të Luftës se Dytë Botërore.Atje do të shkonte për të marre titullin” Njeriu Fisnik”,titull i akorduar për Z.Refik Veseli dhe për prindërit e tij,për sakrificat e bëra gjatë Lufës së Dytë Botërore duke strehuar familje izraelite.Sipas traditës izraelite Ai do të mbillte pemën në emër të njerëzve fisnikë, në kopshtin e Jad-Vashen-it. Por, Z.Veseli e kishte të pamundur të çante në atë kohë kur qeveria propagandonte kundër sionistëve një urrejtje të pajustifikuar.
Kërkesa për zotin Veseli u përsërit disa here,nga Komisioni Special e firmosur nga drejtori Dr. Modecai Paldiel (Director Dep,for Righteous) 23.12.1987.
Udhëtimi i zotit R.Veseli për në Izrael u realizua vetëm në vitin 1990,kur demokracia po trokiste në portën shqiptare .Udhëtimin e bëri me të shoqen, Drita, në përgjigje të ftesës së mikut,duke marrë me vete edhe mesazhe të ngrohta nga Shqipëria që ajo po ndryshonte.Ky njeri i thjeshtë, i ftuar jo si qeveritar,por si perfaqësues i denjë i popullit të vet, pritet në Izrael me të gjitha nderimet e duhura .
Aeroporti Ben-Gurion ne Tel-Aviv me 16 Korrik 1990 priti me madhështi Shqiptarin e Parë që vinte për të marrë pjesë në ceremoninë e nderimit të” Njeriut fisnik”.
Telekronistët,fotoreporterët,nxitonin duke xhiruar ketë takim interesant dhe tepër emocionues,ndërsa intervistat ishin pambarim.Qendra Televizive e Tel-Avivit dhe rrjeti televiziv kombëtar transmetuan disa herë intervistën e Z.Veseli.
Me bujë të madhe,shkruan edhe organet e shtypit për këtë takim të parë nga Shqipëria.
Jehonë iu bë kësaj vizite edhe në Amerike .Jay Bushinsky shkruan për Middle East në Chicago në “Sun-Times” ku ndër të tjera thekson: “Refik Veseli is a member of this international Legion”.
Ceremonia e dekorimit u bë në Jeruzalem .Drejtori i institucionit dr.M.Paldiel,theksoi sakrificat e popullit shqiptar për shpëtimin e Izraelitëve nga murtaja naziste,njëkohësisht çmoi rëndësinë e këtij titulli të lartë, duke vlerësuar vepren humane të familjes Veseli dhe të familjeve shqiptare në përgjithësi .Ai vazhdoi duke thënë se familja Veseli vendosi në Harten e Jad-Vashen-it emrin e Shqipërise (Jad-Vashen, vend ku nderohen 6 milion viktimat izraelite të Luftës së Dytë Botërore).
Nje zonje izraelite, pasi i takoi miqtë nga Shqipëria,ju dha atyre një dhurate simbolike,duke ju thënë:Aty ku ju vendoset kurorën,gjendet hiri i njëzet pjesëtarëve të familjes sime.Sikur ata të kishin qenë në Shqipëri edhe unë sot do të isha me prindër, vëllezër e motra,sepse në vendin tuaj asnjë izraelit nuk iu dorëzua nazistëve.Mbrojtja e izraelitëve në Shqipëri vertetohet nga vetë ata, të cilët kanë zbuluar te shpëtimtarët e tyre norma morale qe s’i kanë popujt e tjerë.(The Albanians are very concerned about honor.When an Albanian give his “Besa”or word of honor,he is bound by it.the jews of Albania).
Mysafiri i parë nga Shqipëria gjatë vizitave të bëra në Izrael dha opinionin e tij:Njohëm një popull punëtor dhe liridashës, që mbi të gjitha vlerësonte kohën.Transformimet e mëdha të shkretëtirave dhe të ranishteve shekullore në toka prodhuese e me rendimente të larta ishte dëshmia më e qartë”.
Kënaqësinë më të madhe, çiftit Veseli, ia dha miku i tij që planifikoi brenda periudhës që ai do të qëndronte në Izrael martesen e djalit dhe shpejtoi edhe martesen e vajzës, njerën pas tjetrës, edhe këto në shërbim të mirënjohjes .Gëzimi dhe hareja e atyre dy dasmave e gërshetoi miqësinë e tyre në emër të dashurisë njerëzore.
Krijimi i dy familjeve të reja u bë simbol për përtëritjen dhe vazhdimësinë e kësaj lidhje shpirtërore duke e shtrirë hapësiren ndërmjet dy popujve.Ata evidentuan virtytet që i bashkojnë njerëzit:Fjala e dhënë e shqiptarit me mirënjohjen e Izraelitit,prodhoj vetem dashuri, një shembull që i kontribuon Paqës dhe të Drejtave njerëzore.Kur ky gërshetim virtytesh bëhet institucional vlerat e tij janë universale.
Materialet i kam marrë nga korrespondenca me Zotin Refik Veseli,në vitet 1993-94-95” në atë kohë Kryetar i Shoqatës “Shqiperi –Izrael dhe nga Z. Gavra Mandili në vitet 1994-95nga Izraeli “S, HAYARDEN str.RAMAT-HASHARON” në atë kohë Kryetar i Shoqatës Izrael- Shqipëri.Te dy miqtë nuk jetojnë më, por jeton shembulli i përkryer i miqësisë së tyre i përjetësuar në Lapidarin e Njeriut Fisnik.

Filed Under: ESSE Tagged With: familaj Veseli, Leter mirenjohje, nga Izraeli, Pertefe Leka

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT