• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ne nuk duam të jemi “zë në shkretëtirë”

June 14, 2018 by dgreca

Njëzetepesë vjet më parë /

1-reshat-kripa

Në kuadrin e një përvjetori jubilar/

Nga Reshat KRIPA/

Në këtë përvjetor jubilar të rivarrimit të eshtrave të 22 martirëve të masakrës së pashembullt që rregjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin  pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s’ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve.

I vendosën të pesë familjet në një depo qymyri. Mendonin t’i linin aty vetëm për pak ditë, pastaj t’i dërgonin në Tepelenë. Një urdhër i dytë anulloi të parin. Midis tyre edhe një plakë e moshuar, nëna e Tefik Shehut, apo siç e thërrisnin “Nana kosovare“. Nënës së ngratë nuk i kishin treguar për birin e pushkatuar. Nusja e djalit, Sevdija, për t’i hequr vëmendjen këndonte me të këngën “I kam hyp vaporit“. Por zemra e nënës e kishte ndjellë mandatën që e kishte pllakosur. I mbylli sytë shumë shpejt. Ishin plotësisht të izoluar nga bota. Vetëm disa kurajozë, njerëz të shtresës së tyre, vinin fshehurazi natën dhe u sillnin sende me të cilat ato mbijetonin.

Kush ishte ajo forcë që u dha mundësi këtyre heroinave për të mbijetuar në ato kushte ferri? Padashur më kujtohet thënia e filozofit të shquar gjerman Friedrich Nietzsche, që një shekull më parë shkruante:

Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere?  Gjaku….

Po, ishte gjaku dhe origjina fisnike që i mbajti aq lart këto gra, vajza dhe djem. Fisnikërinë e tyre nuk mundi ta thyente as terrori dhe as metodat e tjera djallëzore të përdorura nga rregjimi.

Në takimin e organizuar për pesëdhjetëvjetorin e kësaj ngjarje, në shkurt të vitit 2001,  së bashku me mikun tim, Cane Agaj, takuam Ida Temalin, që tashmë ishte plakur.  Përqafohemi  me  mall  dhe  nga  sytë  e saj shohim të rrjedhin lotë. Me një zë të dridhur na thotë

– Kam nostalgji për Vlorën. Mendonim se atje do të gjenim vetëm bisha të etura për gjak, por gjetëm njerëz të thjeshtë e të ndershëm, që na ndihmuan në ato çaste të vështira.

Sot ajo dhe motrat e saja kanë mbyllur sytë.

Takoj shpesh herë Hysenin. Bisedojmë për tema të ndryshme. Një ditë e pyeta për Xhonin krenare, me të cilën kam punuar në ndërmarrjen bujqësore. Kishte dëshirë të vinte për të punuar në brigatën e ndërtimit, ku isha edhe unë, pasi aty kishte shumë persona nga shtresa e jonë, por nuk e lejuan. Ishte e dënuar të punonte në bujqësi. Hyseni heshti për një çast, pastaj foli me një zë të dridhur:

– Xhoni  e ka mbyllur jetën e saj!

Takohem me Lulin. Ai më tregon se Tefta, Violeta dhe  Rexhepi nuk jetojnë më. Po ashtu

edhe Adhurimi i Jegenëve i kishte mbyllur sytë.

Homazh për këto figura të paharruara!

Fola vetëm për këto pesë familje, pasi këto erdhën në qytetin tim dhe e kemi ndarë vuajtjen së bashku, por nuk mund të rri pa përmendur edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera të shpërndara nëpër Shqipëri, fati i të cilave ishte i njëjtë me këtë të këtyre që përmenda më sipër.

Para syve më del rezoluta e miratuar para disa vitesh nga Këshilli i Europës. Në njërën nga pikat e saj shkruhet:Asamblea  beson  që  viktimat  e  atyre  krimeve  që  u realizuan nga rregjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara.

Lidhur me këtë rezolutë edhe parlamenti shqiptar ka miratuar një të tillë, ku solidarizohet me atë të Këshillit të Europës. Por çfarë është bërë deri tani? Si në asnjë nga vendet e tjera ish-totalitare, në Shqipëri nuk ka asnjë burg apo kamp të punës së detyruar që të jetë kthyer në muze. Nuk ka asnjë lagje, rrugë apo shesh, institucion kulturor apo shëndetësor që të ketë marrë emrin e ndonjërit prej viktimave të shumta të genocidit komunist. Në memorialin e  varrezave të dëshmorëve vazhdon të jetë ende ylli i komunizmit dhe mua më duket sikur ai yll po i bren ende eshtrat e 22 martirëve tanë që prehen aty pranë. Si në asnjë vend tjetër në Shqipëri nuk ka një varrezë për viktimat e komunizmit, nuk ka një përmendore apo pllakë përkujtimore për mijrat e të rënëve që akoma nuk u dihen as varret. Shteti komunist i mblodhi eshtrat e të rënëve dhe u dha një varr ashtu si e meritonin. Po shteti demokratik si nuk kujtohet t’u jap një varr eshtrave të të rënëve nga plumbat e rregjimit totalitar? Në organet qeveritare mbretëron heshtja për genocidin komunist. Kush harron të kaluarën nuk mund të ndërtojë të ardhshmen

Në Ëashington është ngritur madhështor memoriali në kujtim të viktimave të komunizmit. E pra Amerika nuk e provoi diktaturën komuniste. Megjithatë memorialin e ngriti, pasi e konsideronte si një obligim të saj. Po te ne kur do të ngrihet ky memorial? Ka disa vite që Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e tij por qeveritë vijnë dhe shkojnë dhe asnjera nuk është kujtuar për ngritjen e këtij memoriali. Përse? Ne mendojmë se ai duhet të ngrihet pikërisht në vendin ku dikur qëndronte monumenti i diktatorit. Ky  do  të  ishte hapi i parë në luftën për çrrënjosjen e ideologjisë komuniste.

Edhe dy fjalë për ditën e kujtesës. Me nismën e ish-Ministrit të Kuturës, të nderuarit Bujar Leskaj, u caktua 21 maji, dita e protestës së famshme të Spaçit ku u ngrit flamuri kuq e zi pa yllin e  komunizmit më 1973. Pa kaluar shumë kohë ajo u ndërrua dhe u caktua 20 shkurti, dita e rrëzimit të monumentit të diktatorit. Por edhe kjo datë kaloi në heshtje si ajo e para. Duhej vizita e ambasadorëve amerikanë dhe gjermanë në Spaç që dy presidentët e fundit, zotërinjtë Nishani dhe Meta, ta përkujtonin datën e ngritjes së flamurit. Kohët e fundit po qarkullon mendimi i caktimit të datës 26 shkurt. Unë jam i mendimit se kjo është data që simbolizon më së miri genocidin komunist kundër shqiptarve sepse pikërisht në këtë datë janë arrestuar, hetuar, gjykuar dhe ekzekutuar 22 persona, të gjithë intelektualë të shquar përfunduar studimet në vendet më të zhvilluara të botës perëndimore, brenda një peridhe prej një jave, madje vendimi i gjyqit të jetë shpallur pas ekzekutimit te tyre? A keni dëgjuar të ndodhë një ngjarje e tillë në ish-vendet e tjera socialiste? Një gjë e tillë mund të ndodhte vetëm në Shqipërinë tonë. 26 shkurti është data që përfaqëson më së miri genocidin komunist në Shqipëri, ndaj jam i mendimit që përfundimisht të caktohet kjo datë  për kujtimin e viktimave të terrorit komunist por, vini veshin çfarë është më e  rëndësishmja, të mos lihet në harresë si datat e tjera të  sipërpërmends

Në këto çaste më dalin parasysh vargjet e një poezie të një poeti anonim:

Në këtë kaos, këtë vend të nxirë,

Nga këta “bandillë”, këta “xhevahirë”,

Zërat tonë të fortë, zërat tonë të mirë,

Zërat tonë të lirë, zë në shkretëtirë.

E pra, ne nuk duam të jemi “zë në shkretëtirë”.

Filed Under: Politike Tagged With: pervjetor, reshat kripa, ze ne shkretetire

Dom Ndoc Nikaj, në përvjetorin e lindjes

June 16, 2015 by dgreca

Përkujtojmë sot përvjetorin e lindjes së priftit e atdhetarit shqiptar, dom Ndoc Nikaj. Lindi në Shkodër më 15 qershor 1865. Dom Ndoc Nikaj hyn në radhën e atyre priftërinjve e shkrimtarëve të cilët veprimtarinë meshtarake dhe shkrimin e kuptuan si mision në shërbim të Zotit e të popullit, duke mbështetur idenë kombëtare. Dom Ndoc Nikaj qe shkrimtar dhe punëtor i palodhshëm, njeri i zellshëm i cili për mëse 50 vite me radhë punoi duke mos lëshuar pendën prej dorës për të lëvruar gjuhën shqipe dhe për të ringjallë tek populli idenë kombëtare, për të përforcuar identitetin etnik e shpirtëror.
Si i tillë, dha kontribut me rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e kulturës shqiptare, edhe sa i përket krijimtarisë së tij të madhe e poliedrike, e sidomos duke pasur parasysh kohën kur dom Ndoc Nikaj punoi, kohë kur gjuha shqipe ishte rreptësishtë e ndaluar nga ana e qeverisë turke.
Veprimtarinë letrare e fillon kur ishte ende nxënës në seminarin Papnor në Shkodër, ku po përgatitej për meshtari. Librin e parë e botoi në vitin 1888 e cila mban titullin “Vakinat e Kishës”, vepër e cila u botua në shtypshkronjën e Propaganda Fide-s në Romë. Dom Ndoc Nikaj në këtë vepër pati dy qëllime të larta: të njihet sa më mirë historia e Kishës, e populli të ketë njohuri mbi Kishën dhe krishterimin, dhe e dyta të nxisë e ringjallë tek populli shqiptar dëshirën e shijen për lexim në gjuhën shqipe. Një vit më vonë (1889) boton romanin “Marcja”, i cili së shpejti u përhap pothuaj në të gjitha familjet e Shkodrës e ato shqiptare.
Abati i Mirditës, Imzot Prenkë Doçi një ditë bashkë me disa bashkëpunëtorë shkon në Shkrel ku Dom Ndoci ishte famullitar. Bashkë me Dom Ndocin vendosin të formojnë një shoqëri që do të kishte për qëllim përhapjen e idesë kombëtare dhe çlirimin e tokave shqiptare nga sundimi otoman. Kjo shoqëri thirrej “Lidhja e Mshehtë”. Lidhja u përhap sidomos duke iu falënderuar punës së palodhshme të Dom Ndoc Nikajt dhe më vonë përgatiti kryengritjen kundër sundimit otoman. Dom Ndoci qe transferuar prej Shkrelit në Dajç të Bregut të Bunës. Ideja për kryengritjen kundër qeverisë turke vinte gjithnjë duke u pjekur, kur dhe pas përgatitjeve të duhura ajo plasi më 25 mars 1910 dhe zgjati deri më 1912 me fitimin e pavarësisë. Prifti shqiptar dom Ndoca Nikaj qe ai që kryengritjen e ndihmoi në çdo mënyrë, madje ai ishte frymëzuesi i saj.
Kur imzot Prenkë Doçi përpiloi programin për formimin e shoqërisë letrare “Bashkimi” (1899), Dom Ndoci qe punëtori më i zellshëm dhe puna e veprimtaria e tij e madhe e këtij krijuesi bëri që shoqëria të përhapej dhe të fitonte rëndësi të madhe. Më 1909 solli në Shkodër një shtypshkronjë në të cilën do të botohen fletore dhe libra në gjuhën shqipe.
Kështu më 1910 boton një ndër të parat fletore politike në Shqipëri. Kjo fletore qe botuar me emra të ndryshëm: numri i parë u quajt “Koha”. Ky titull i bie qeverisë osmane në sy, prandaj e detyroi Dom Ndocin të ia ndryshonte titullin dhe u quajtur “Bashkimi”, pastaj “Besa Shqyptare”, “Zani i Shkodrës”, sipas kushteve të politikës së brendshme që ekzistonin asokohe në Shqipëri. Kjo fletore u botua në vitin 1921.
Në të pati artikuj plot guxim, me frymë kombëtare, për çka edhe Dom Ndoci qe dënuar me burgime, goditje të rënda, kërcënime etj.
Më 1897 Faik Konica fillon botimin e përkohshëm “Albania”. Në këtë revistë dom Ndoc Nikaj merr pjesë pothuaj rregullisht me artikuj me përmbajtje politike, shoqërore dhe atdhetare.
Këtu kishte pseudonimin “Nakdomonici” ku Atë Gjergj Fishta në poezinë satirike “Nakdomonicipedija” “përqesh” përpjekjet fisnike dhe atdhetare të këtij prifti të madh shqiptar.
Dom Ndoc Nikaj punoi pa u lodhur edhe për ta njohur Evropën me çështjen e lirisë së tokave shqiptare. Për këtë qëllim mbante kontakte të rregullta me të gjitha shoqëritë shqiptare të krijuara nëpër qendra të Evropës.
Krijimtaria letrare
Krijimtaria letrare e këtij shkrimtari përfshin më se 30 vepra me përmbajtje të ndryshme. Elementi kryesor i të gjitha veprave pothuaj është i marr nga jeta shqiptare: përshkruhen zakonet e lashta dhe fisnike të shqiptarëve, bëhet fjalë për historinë e kombit, subjektet e tija janë të gjitha nga jeta e njerëzve tanë. Vepra më e rëndësishme është “Historia e Shqypnis”, vepër me 414, botuar në Bruksel më 1902.
“Përshkrimet e luftimevet të Shqyptarëvet kundra Turkut, nën kryesin e fatosit Skenderbeg, deri në ramjen e Shkodrës në vjetin 1478, janë të gjalla e të shkrueme me nji entuziazëm kombtar, prej të cilit shihet zemra e ndezun e shkrimtarit për fisin e vet”. (Shkrimtarët Shqiptarë, Tiranë, pjesa II, fq. 93.)
Bashkë me Dom Kolecin, i cili është autor kryesor i fjalorit të njohur “Bashkimi” (1908) edhe Dom Ndoc Nikaj punoi në përmbledhjen e fjalëve dhe të thesarit popullor nëpër famullina kishtare ku veproi si prift famullitar.
Ja disa nga veprat e botuara prej autorit në fjalë:
“Vakinat e Kishës” (1888), “Marcja e Turkis” (1902), “Historija e Turkis” (1902), “Bleta ndër lule të Parrizit” (1907), fletorja “Koha”, Bashkimi, “Besa Shqiptare” etj. (1910 – 1921), “Kalendari me diftime gjithfarësh” (1910), “Diftime të natyrshme” (1912), “Bleta e re” (1912), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa I, 1913), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa II, 1913), “Abetari i vogël për Msojtore” (1914), “Të ndollmet e Kishës” (1914 – botim i dytë), “Abetari i madh” (1914), “Libri i Blertë i Italis” (1915), “Kndime të Para” (1915), “Diftime të Natyrshme të unjishme” (1915), “Tivari i marrun” (1915), “Bisedime Shqyp – tedeshk” (1915), “Abetari” (dorë e dytë 1916), “Përmbledhje e historis së Shqypnis për shkolla” (1917), “Bukurusha” – roman historik (1918), “Ulqini i marrun” – roman historik (1918), “Burbuqja” – roman historik (1920), “Motra për vllan” (1924), “Kalendari”, “Shqyptari” (1906, 1914, 1915) etj.
I mbeten të pabotuara edhe shumë dorëshkrime, ndër të cilat janë edhe shtatë romane: katër historik të vendit dhe tre në përkthim të lirë. Këta janë: “Lulja e Veshkun”, “Dashuni e Mshehët”, “Për mik”, “Ç’pat thanë gjyshja”, “Han Islandi”, “Nji Testament”, “Te Shpella e Murosun”.
Dom Ndoc Nikaj qe vërtetë një apostull i kulturës shqiptare, apostull dhe luftëtar i palodhshëm e i patrembur i idesë kombëtare. Tërë jetën e vet e shkriu në shërbim të ngritjes shpirtërore dhe kulturore të popullit të vet shqiptar. Puna e palodhshme e këtij shkrimtari duhet çmuar edhe më tepër, kur dihet se tërë jetën, talentin dhe pasurinë e shkrini në botimin dhe përhapjen e librave të kulturës shqiptare.(Kortezi:Radio Vatikani)

Filed Under: Histori Tagged With: Dom Ndoc Nika, lindje, pervjetor

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT