Presidentja Atifete Jahjaga: NATO i hoqi pushtetin Serbisë nga Kosova/
Fillimi i bombardimeve të NATO-së kundër caqeve serbe, në historinë e re të Kosovës, është një nga ditët më domethënëse dhe kuptimplotë për lirinë e vendit, dhe paraqet krenari për të gjithë kosovarët, vlerëson presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Presidentja e shtetit ka nënvizuar se fushata e bombardimeve, rezultoi me kapitullimin e forcave serbe të sigurisë, që shënoi edhe largimin përfundimtar të pushtetit të Serbisë nga Kosova.
“Pikërisht sot para katërmbëdhjetë vitesh, Aleanca Veri-atlantike i nisi sulmet ajrore mbi caqet e caktuara në ish-Jugosllavi që rezultuan me kapitullimin e forcave të armatosura dhe me largimin përfundimtar të pushtetit të Serbisë nga Kosova”, thuhet në komunikatën që ka dërguar Presidenca të dielën.
Katërmbëdhjetë vjet pas këtij akti, kryetarja e shtetit thekson se ky veprim i Paktit Veri-Atlantik demonstroi se secili popull e ka të drejtën që të jetojë i lirë në tokën e vet, i barabartë dhe i dinjitetshëm.
“Ne sot jemi krenarë dhe ndiejmë falënderimin më të thellë për të gjithë ata burra dhe gra, ushtarë dhe oficerë të vendeve anëtare të NATO-s që dhanë kontributin e tyre të pakursyer që të ndalet gjenocidi mbi një popull dhe që në këtë pjesë të Evropës përfundimisht të mbretërojë paqja, që popujt dhe vendet të jetojnë në bashkëpunim dhe në mirëkuptim ndërmjet vete”, thuhet në komunikatë.
Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, më 24 mars të vitit 1999, pas negociatave disa mujore me Beogradin nuk kishte arritur që ta bindë atëbotë ish-presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviq, të ndalë dhunën në Kosovë, dhe t’i tërheq trupat policore dhe ushtarake.
Andaj, NATO kishte vendosur që të nisë një fushatë ajrore për të arritur qëllimin e vet.
“Republika e Kosovës, një sukses i yni i përbashkët, sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, është shtet sovran dhe i pavarur, i ndërtuar në parimin qytetar dhe me shoqëri demokratike, në të cilën të gjithë njerëzit i gëzojnë të drejtat dhe liritë e barabarta, pa asnjë dallim.”
“Vendi ynë sot falë angazhimit të të gjithë qytetarëve, përkushtimit të të gjithë shoqërisë, po ndërton një shoqëri të drejtë, të mundësive të barabarta, një shtet me rend dhe sundim të ligjit dhe me perspektivë të qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatën e presidencës.
Për 78 ditë me radhë, vendet e NATO-së nuk ndalën bombardimet, përderisa Serbia nuk pranoi kapitullimin.
Më pas, Serbia dhe Pakti Veri-Atlantik nënshkruan Marrëveshjen e Kumanovës, përmes së cilës iu mundësua hyrja e trupave paqeruajtëse si garantues për sigurinë në Kosovë.
Paralelisht, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si organi më i lartë vendimmarrës global-edhe pse nuk ishte pyetur për bombardimet-nxori Rezolutën 1244, e cila vendosi një misioni të përkohshëm të administrimit të Kosovës, UNMIK, deri në zgjidhjen e statusit të vendit.