• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOFRA E DIELLIT- CIKËL POETIK NGA PETRIT DERRAJ

February 11, 2017 by dgreca

 deraj2-300x150

Petrit Derraj/

 POROSI TIM BIRI/

Qeveria , bir, të do injorant,/

Të të xhvat me taksa e me kamat,/

Bankat të duan për të të të mbytur,/

përherë në borxhe të zhytur,/

Të pasurit të duan  të përkulur/

E ca të tjerë të duan të përgjunjur,/

Kumari të fton në gjirin e tij,/

Të të lërë pa bukë e shtëpi,/

Paret ruaji se hajdutet ,po t`i gjetën,/

Të marrin edhe ato, edhe jetën,

Ndaj  mëso, që  të jesh i lirë,

Se dija gjithnjë është arma më e mire.

KUR SHOH FEMIJE QE VUAJNË

Kur shoh fёmijё qё vuajnё pёrherё,

Krejt qёnia sikur mё mpaket,

Edhe shpirti mё brengoset,

E sikur vazhmisht ai mё plaket,

Kur  jeta disa fёmijёve u shndёrrohet,

Nё njё pavjon tё vёrtetё mjerimi,

Kur u shkёrmoqet e tashmja e shpresa u errёsohet,

Mё pushtojnё, mё vrasin ethe trishtimi.

PER VITET QË IKËN NDJEJ MALL

Një pentagram rrudhash mbi ballë,

Kërkon të ma relativizoje freskinë,

Per vitet qe ikën ndjej mall,

Peri i nostalgjisë më grish, më mendime,

Edhe pse globi i viteve mbi supe më rëndon,

Dhe mbi flok ka rënë pak argjend  mënҁurie,

Shpirti im i ri më ngjason

Krejt me një ëndër të bukur rinie,

Aksi i vrulleve rinore më pëshpërit,

Nis e më ngjallen mijëra kujtime,

Shpirti më mbushet  gjithë dritë,

Teksa shuaj etjen te oazi me gëzime,

Kur arshivën e ngjarjeve shfletoj,

I madh ngjan panairi i ndodhive të rinisë,

Kur shpesh miqtë e shokët kujtoj,

Per ta flake ndizet zjarri i dashurise.

 PYET  NËNA  ZEMËRTHYER

E pushtojnё nёnёn ca kujtime

Ca brenga e ca hidhёrime

Pyet nёna rrёkenё e lotit

Ç`faj i pata bёrё Zotit?

E pyet pёr halle e derte

Qё s`ja shuajnё as 7 dete

Pёr brengat qё e vranë

Gati sa ja morёn xhan

Nёna pyet kasapin fat

Qё e godititi rёndё me shpatё

Pastaj zё e nis vajtimin

Thelle nga shpirti nxjerr mallkimin

– Ah kurbet, kurbet i shkretё

Ç’pate qё m`i hëngre djemtё?!

Emigrim, ah emigrim

Pse ma thave shpirtin tim?!

 ZBRISJE SI THЁLLEZЁ TE BREGU

Zbrisje si thёllёzё te bregu

Lehtё –lehtё gjithё naze

Un tё zija pritё te shtegu

Tё tё zbrazja ca maraze

Moj burbuqja nё livadhe

Çelur nё freski mёngjesi

Ma bёre etjen tё madhe

Belkёputura te mesi

Qerpikut e tu halorё

Ma plagosёn shpirtin fare

S`mё shёron asnjё doktor

Veç ti labja lozonjare

E ngjeshur me hire plot

E gjitha njё mrekulli

Gjithё tiparet e fytyrёs

Janё gosti pёr sytё e mi

 DALE MOS ME IK NXITUAR

Dale  mos më ik nxituar,

T`i bëjmë hesapet shtruar,

Balli si qiell i qëruar,

Për nën të dy sy të shkruar,

Digjesh flake e digjesh  shpuzë,

Mjalti me hoje në buzë,

Dale, moj të bëjmë paqe,

Gjithë aromëlulesh në faqe,

Kur vjen te kroi e ule,

Siku vjen maji me lule,

Mos më ik ashtu nxituar

Si Hënë në të perënduar

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: cikel poetik, Petrit Derraj

ASNJË POEZI NUK MUND TË KONSIDEROHET ABSOLUTE PËR TË GJITHË

September 15, 2015 by dgreca

Rreth librit “I flet zemra zemrës”, me parathënie te ish deputetit dhe shkrimtarit IbrahimVasiari./

Nga Enver Memishaj/

Sapo ka dalë në qarkullim libri me poezi i poetit tashmë të njohur Petrit Derraj. Mësuesi dhe aktivisti shoqëror Petrit Derraj, i njohur edhe si Petrit Smokthina, është diplomuar në vitin 1968 mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Që nga ai vit ka ushtruar detyrën fisnike të mësuesit dhe drejtuesit të shkollës së vendlindjes, Bashaj.

Por ai bëri emër edhe si poet, publicist dhe aktivist shoqëror. Si njeri me ndjenja të holla dhe shpirt poetik, ai doli në vijën e parë të luftës dhe propogandës për përmbysjen e diktaturës komuniste. Në krye dhe në udhëheqie të lëvizjes demokratike, ai nuk u lodh asnjëherë, duke u bërë shembulli i demokratit popullor të Smokthinës krahinës së tij dhe më gjerë.

Në librin e tij të parë me poezi të zgjedhura ai ka përmbledhur 58 poezi me tema të ndryshme pateriotike, lirike, fabula, etj.

Poezia patriotike shquan nga forca artistike dhe historike që e bën lexuesin ta jetojë ngjarjen dhe e vë atë në mendime. Poeti nuk mund të rrinte pa skalitur në vargje krenarinë e vendlindjes së tij, në poezinë “Kur u vra Cane Myftari”. Me një forcë të madhe artistike dhe emocione ai tregon se gjithësia ra në heshtje dhe përulet në çastin kur u vra patrioti i shquar Cane Myftari:

Gjithandej u hap një gjëmë,

Dhe zia mbuloi vendë.

Kur u vra Cane Myftari,

Humbi jeshillëkun bari…

Dafina degët i vari,

Për t`iu bërë kurorë varri.

Po me këtë forcë poeti përshkruan e ngre lart patriotin Tafil Buzi. Me ndjenjë të veçantë dashurie ai përshkruan edhe xhaxheshën e tij, Qeriba Derraj, që kur ra dëshmore e atdheut:

Labet vunë perçet e zisë,

Qielli sikur u gremis.

Nuk mund të rrinte poeti pa i kënduar edhe vendlindjes dhe krahinës së tij Smokthinës, me një dashuri të pa kufishme që vihet re në çdo varg e në çdo strofë, për të parët e tij që:

Të shquar për trimëri,

Shumë burra smokthinjotë,

Qysh herët në lashtësi,

Për liri janë bërë copë.

Poeti krenohet edhe për origjinën e tij, fisin Derraj, si fis i dëgjuar, për zakone të mira, për besë dhe për atdhetari:

Derrajt, një fis i dëgjuar,

Për besë e zakone shquar,

Për liri, nder e sinuar.

Të kësaj natyre janë edhe poezitë “Kullë e gjyshërve të mi”, “Vatrat s`u braktisën”, “Ura”, etj.

Poeti u këndon e ngre lart edhe vlerat e disa artistëve të ditëve tona duke shfaqur kështu ndjenjat e tij të holla, qytetarinë dhe vlerat intelektuale. Me vlerësim, dashuri e respekt ai i ka kushtuar poezi këngëtartit zëbilbil Hysen Rukës, poetit popullor të krahinës së tij Perlat Hasanit, ndërsa për këngëtaren famëmadhe Maja ai shkruan:

Maja me shikim të gjallë,

Sytë kush t`i bë të shkruar,

Apo mos deti me valë,

Bukur t`i ka pikturuar.

Në poezinë lirike poeti këndon me talent, me ndjenja të holla njerëzore, me passion dhe me ide e kuptim që lexuesi jo vetëm e ndien, por edhe mëson prej lësaj poezie:

Balli yt si hënë e plotë,

Unë për ty s`duroj dot.

Faqe të kuqe si shegë,

Mos më hidh degë më degë.

Ose në një poezi tjetër autori e krahason bukurinë e vajzës me diellin e cila i drejtohet diellit:

Kur ecje, lëshoje dritë,

Kush të pa e s`u mahnit.

Pyesje diellin dritëshumë

-O dil ti, o të dal unë?

Shkurt kjo është poezia e Petrit Derraj, poezi e idesë, e ndjenjave të holla, poezi që prek zemrën dhe mëndjen e lexuesit, poezi që është vazhdim i traditës së Smokthinës, krahinës së tij të njohur.

Poeti duke qënë shumë kërkues ndaj vetes dhe duke qënë i bindur ndaj vlerës së poezisë ka lënë jasht këtij libri shumë poezi të tjera dhe rapsodi disa prej tyre të botuara në shtypin e përditshëm, shkruar nën frymën dhe traditën e Labërisë. Unë jam kundër këtij gjykimi të rreptë, pasi edhe pse ato vjersha të lëna jasht librit nuk u përmbahen rregullave dhe teknikave të artit poetik, por në to mbizotron ndjenja e shpirtit e shprehur në vargje.

Për të mbrojtur këtë ide po u drejtohem kritikëve dhe dijetarëve që janë munduar të japin përkufizimin e poezisë. Ata kanë qënë shumë si Volteri që thosh: “Poezia është muzika e shpirtit”, por ka shumë të tjerë që japin përkufizime të ndryshme si Samuel Johanson, Sheglli, Eliot, Ajshtajni etj.

Nëpërgjithësi kritikët e shumtë arrijnë në përfundim se poezia është muzika e shpirtit dhe se asnjë poezi nuk mund të konsiderohet absolute për të gjithë, prandaj presim librin e dytë të autorit ku të ketë përmbledhur të gjithë poezitë e tij të lëna jasht këtij libri.

Shkrimtari Ibrahim Vasiari që ka bërë parathënien e librit arrin në përfundimin se në poezinë e Petrit Derraj “ndiejmë ëmbëlsinë e vargut dhe sinqeritetin e fjalës, na jepet rasti të njihemi me një këngëtar të “formatit” tipik lab, i cili hyn në skenën letrare me hap të padrojë… por që shpejt arrin të na bëjë për vete me thjeshtësinë dhe bukurinë e një shpirti të pastër poetik, një zemër e pastër njerëzore…”.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Enver Memishaj, I flet zemra zemres, Ilirian Vasiari, Petrit Derraj

DUKE SHFLETUAR FOLKLORIN E SMOKTHINËS

September 12, 2014 by dgreca

Nga Petrit Derraj – Smokthina/
Krahas luftës e punës shumë shekullore banorët e Bashit gjatë gjithë kohëve folklorin (këngët, valet, përrrallat, legjendat, vajet, fjalët e urta dhe gjë a gjëzat), me një fjalë gjithë gurrën e krijimtarisë popullore e kanë pasur të shumëllojtë e me vlera përgjithësuese.
Shume ngjarje të rëndësishme, shumë kthesa të forta që ka marrë shoqëria, shumë probleme që kanë tërhequr vëmëndjen e të tjerëve, populli me talent e passion i ka fikësuar në këngë të llojeve të ndryshme. Edhe vuajtjet, hidhërimet, dhimbjet, gëzimet, ndjenjat kanë lënë gjurmë të shpirtin e ndieshëm të banorëve të këtij fshati. Si për çdo popull veçanërisht për popullin tonë fisnik, vital e të shumë vuajtur, ka qënë edhe shtyp, edhe film, edhe, muzikë, edhe arshiv.
Në stuhi e tufane zogjtë e ndalën cicërimin e tyre, kurse populli nuk e ka ndërprerë këngën, duke e shndërruar atë në një dimension të veçantë të jetës së vet. Kur kënga labe këndohet me mjeshtëri, të bën për vete të krijon vatra të forta emocionesh: Sa e bukur kënga labe/ Si ujë i pastër burimi/ Sa e gjerë sa e lashtë.
Ndoshta sa vetë njerëzimi, thekson një rapsod. Kënga labe ka lënë gjurmë të pashlyeshme e ka mrekulluar shumë personalitete. Noli thoshte se dëshëroj të përcillem në atë jetë me këngë labe. Kënga labe, thotë një tjetër krijues të bën skllav e s`të vë pranga/ behet erë e s`të rrëzon/ Si mjalti të ëmbëlson.
Në Bashaj një vend të dukshëm zënë këngët e humorit, të cilat qysh herët i ka kënduar Avdul Imeri, një rapsod brilant dhe një këngëtar me një zë të veçantë shumë meliodioz:
U plake mike u plake/ Mbete si dhia sakate/ T`u zhduk lezeti që pate/ Bran i heq ato çarape
Duke si dele zeqate (zeqate = ndihma që i jepej një fukarai një dele)
Po ashtu gjith humor kënga vazhdon rrjedhën e sajë: U plake o mik dhe tinë/Mbete si kau në brinjë/ Si bualli në Xhuherinë (Xhyherinë = fshat )
Te kengët e Avdul Imerit spikaste humori i hollë e i rrafinuar, nga ndonjë herë përdorej ironia therëse, apo sarkazma diskriminuese. Ja me ç`humor të këndshëm i drejtohet vërmiqotit Hasan Bleta, që së bashku me shokët e vet, shkonin të shkundënin ullinjtë e Kaninës, kundrejt një mëditje të ulët: Hasan Bleta feste zi/ Tu duk përrali ulli/ Ç`u duhet sinor huduti/ Që në vjesht e sa hyn shkurti/ S`u hiqet shufra nga supi/ Nuk janë ullinjtë e Kaninës/ Po janë përrejtë e Smokthinës.
Edhe Hasani që i ngatërroi ullinjtë me përrallin i përgjigjet po me humor:
O Avdul, Avdul aga/ Ato dërcka mos i nga/ Se është vendi fukara/ Se ytatë ngarkohej me tra.
Para disa vitesh udhëtoja me një autobús të linjës Vlorë Fier, ku para meje në dy sedile bisedonin dy plaka të shumë vuajtura. Nga biseda e tyre më kapi veshi një thënie interesante: “Sa qemë të reja – i toshte plaka shoqes – s`na qeshi buza nga vjehrrat, tani që u plakëm s`na qesh buza nga nuset”.
Mu kujtua kënga gjith humor e Avdulit që fliste për konfliktin vjehërr – nuse:
Vajti vjehrra në gosti/ Nusen e la në shtëpi/ Kur u kthye s`gjeti njeri/U shyqyr o Perëndi
Do martoj djalin përsëri/Nusja e fshehur pas derës/I dëgjon fjalët e vjehrrës/“O vjehërr të bëj rixha/Mos bën lutje në hava/Se ajo nusja e dytë/ Me gjilpërë do t`i nxjerr sytë.
Veç acarimeve midis vjehrrës e nuses në folklor pasqyrohet edhe linja e harmonisë midis tyre. Në një rast vjehrrën s`e mba vendi, merakoset së tepërmi për vonesën e së resë, e cila nuk po kthehej në kohën e duhur prej pune: / Ç`të bëj korba ç`të bëj nata/Tek prisja ca dru të thata/ Me doli bishti nga spata/ Në rrugë më doli plaka/Moj nuse pse mbete prapa?!
Alem Ruda ishte i pranishëm në çdo fejesë, martesë e dasëm, ku shquhej jo vetëm pët të kënduar bukur e mirë, por edhe për përmbajtjen e larmishme të këngëve: Shero vela, Velo Shera/ Me ca poture të çjerra/ Lepuri që rri në ferra/ Mos më bëj të them të tjera/ Se do futemi në të thella/ Sa të mos i nxejë dera.
Në këngët e dashurisë bie në sy ndjenja admiruese ku barinjtë adhuronin me gjithë forcën e shpirtit labet baresha, të bukura e tërheqëse. Barinjve u digjej xhani e u gufonte zemra për to, gati po u luante mendja e po marroheshin për së gjalli ku bishte i syrit i trembte por nuk i shëmbte: Me bishte të syrit më trembe/ Më hutove por s`më shembe/ Varësen që ke grykë/
Të shtërngoftë e mos të mbyttë/ Ma bleve mendjen ma bleve/ Edhe zemrën ma rrëmbeve.
Në këngë të tilla vihet re një lirizëm shumë i sinqertë. Ja disa vargje ku pasqyrohen ndjenjat e ngrohta lirike ku vihet re zeri melodioz i këngëtarëve Skënder Bushaj e Njazi Derraj. … Moj barash atje në brinjë/ Që freskon gush edhe llërë/ Nuk e zbërthen një çikë gjinë/ Të të shoh ç`zjarr të ka rënë/ Në kë gisht në Perëndinë/ Hajde te stani të flemë.
Po aq të bukura e magjepse janë vargjet e fjalët ku baresha gjoja nguron, bën ojna, finte, kinse heziton për të marre vendime të plota përfundimtare ku sikur e gënjën të dashurin me gënjeshtra e djeg siç digjet eshka e i thotë të paktën të pres deri nga vjeshta.
Piktorët nëpërmjet ngjyrave, harmonisë së shqisave, kthjelltësisë mendore, arrijnë që të bëjnë portrete prefekte të vajzave, ndërsa rapsodët në vend të ngjyrave, gjejnë fjalë të goditura, epitete e krahasime të përsosura duke gdhendur tipare të magjishme të femrës labe:
Lesht e tu si pendë korbi/ Te larë e të krehur – o/ Syri yt kokërr ulliri/ Të shikon shajtuar – o
Hunda jote si qiriri/ Ndezuar e pa shuar – o/ Buza jote hua mjalti/ Po për të mëlcuar – o/ Gusha si një copë dëbore/ Me flori mbuluar – o.
Rapsodët e talentuar të këtij fshati nëpërmjet këngëve të improvizuara në çastin që i këndojnë nuk i tërheq vetëm pamja, bukuria fizike, por edhe kujdesi që tregojnë bareshat për t`u veshur: Me shëndet fustan, moj Vitë/ S`ta kam parë më plaçin sytë/ – E kam vesh kam ca ditë/ Të pëllcasin inaçijtë/ Ca të tut e ca të mitë.
Krahas këngëve të këtij lloi për ta ndezuar atmosferën e gëzimit këndohen këngë gazmore, si: Bajame fustane brane/ Krevati me bojë arre/ Dëgjoje culën dyjare/ Nënën e babën i shaje/ Që të dhanë në Moçale.
Humori bëhet edhe më i kripur ku vihen në lojë veprime e vese si: Te porta me zavëza/
Hyn e del mandileja/ Çitajanet bran se ç`i mba/ Moj t`u këndoftë laneti/ Pse s`i mba si është adeti/ -Kështu me do çelo qejfi/ T`u pëllcas disave nepsi.
Po ashtu në dasma nëpërmjet këngëve herë lartësohet nusja e përçmohet dhëndërri dhe anasjelltas, krenohen për dhëndërrin e s`kënaqen nga pamja e nuses:
Nusja shufër dyfeku/ Dhëndërri plëndës shelegu/ Dhëndërri kavak i gjatë/ Nusja si kukumjaçkë.
Për këngë të këtij lloi janë dalluar Lame Sakaj, Elmas Derraj, Pajo Xhelaj, Astrit Zogaj, Esmere Ferrunaj, Piro Hodaj, Damën Xhelaj, Skënder Bushaj, Hava Muçaj, Njazi Derraj. Këngët e krijuara e të kënduara nga këta banorë ku në to sintetizohen gjithë burimet e gëzimeve, lotët e vuajtjeve, ëndërrimet fantastike shpresëmëdha për të ardhmen, plasaritjet shpirtërore, pothuaj se gjithë plagët, gëzimet, hallet e dertet e jetës.
Dihet që kurbeti edhe në të kaluarën ka qënë një plagë e rëndë, hemoragji e vazhdueshme dhe e dëmëshme e kombit, por nizmllëku ka qënë edhe më i tmerrshëm: Ku e ke burrin moj tinë/ Ikën shoqet e s`të prinë/ – Se kam argat në Janinë/ As redif në kurbet/ Po nizam për shtatë vjet.
Një fshatar i vërmëqot Beqir Aliu ishte marrë forcërisht tek tufa e bagëtive dhe së bashku me disa bashiotë të tjerë u degtis në nizam në vende të largëta aziatike që ishin nën sundimin e Turqisë. Atje ku ishin nizamët i vriste meraku për gratë e fëmijët, i digjte malli për të afërmit dhe, teksa pushonin pas një beteje, nisën një valle të kënduar labçe: I shkreti Beqir Ali/ Treqint dhën, katërqint dhi/ Gjashtë vjet pa vajt në shtëpi/ Dovleti pastë lanet/ Erdh e në kope më gjet/ Shokë do na marrë malli/ Nuk do na tret as varri/
Sa të ikim nga nizami.
Kur ia përkthyen përmbajtjen e këngës bimbashit, ai urdhëroi që të liroheshin nga nizmallëku. Pra, këngët thureshin aq bukur e këndoheshin me aq pasioun sa zbusnin edhe sundimtarët zemërgur e gjakatar. Kënga labe, veç emocioneve që ngjall të bën përshtypje mënyra se si këndohet, madje edhe isua është një mërmërimë zërash të akorduar përsosmërisht dhe kjo mermërimë thotë Ismail Kadare ngjason me korin antik grek. Kjo lloj ngjashmërie është dëshmi e lashtësisë së kombit tonë. Nga vepra antike greke mësojmë se Akili po bëhej gati të vriste Hektorin, ku ky i fundit i lutet të mos ia shëmtojë fytyrën më mbas, ku krijohet një zinxhir imagjinar midis të gjallëve dhe atij që ikën. Këtë veçori e vëmë re edhe tek këngët tona ku nizami i lutet që të mos ia shëmtojnë fytyrën as njerëzit dhe as shpesët: O ju korba që më hani/ Vetëm sytë mos m`i ngani/ Vetëm sytë mos m`i ngacmoni/ Se jam djalë e më shëmtoni.
Veç këngëve të dashurisë, të vajtjes në nizam, janë kënduar aq shumë këngë për Partinë tonë që lindi me triskë e vdiq me tollon, sa gati shteroi burimi për asi këngësh të politizuara. Shumë këngë të tjera krijuar për sivëllezërit e vrarë kot së koti pa faj, ruheshin të fshehura sirtarëve e sënduqeve deri sa dha shpirt pjella e keqe komuniste e u përmbys sistemi i premtimeve boshe e i gënjeshtrave me brirë. Shumë djem e burra smokthinjotë midis tyre edhe nga Bashi, kanë lëngur e janë torturuar burgjeve vdekjeprurëse, shumë të tjerët kapeshin në luftë e pushkatoheshin arbitrarisht, pa faj vetëm se luftën kundër pushtuesve nuk e kishin nisur nga llogorja komuniste. Këtë e dëshmon qartë, saktë në mënyrë të përkryer krijimtaria e rapsodit të talentuar smokthinjot Xhevit Zeneli. Ja si jepen në këngë tortura që provon Uran Isak Dule në burg, familjarët e të cilit i derdhën lotët si shiu për vuajtjet e të afërmit të tyre kur dha shpirt nga plagët e marra: Një kuje te xha Isaku
Rëndë iu godit oxhaku/ Si krua derdh lotët plaku/ Se nxinte brenda konaku/ Vdiq Urani atje ngeli/ Prerë duart te teli.
Janë shumë prekse vuajtjet e Uranit, 20 vjeçar në burg, që ia ndërprenë jetën në lulen e rinisë duke e lënë pa marrë nusen në prag martese. Ja se si u drejtohet ai para se të ipte shpirt të afërmve: Nga burgu flet Urani/ Vëllezër e prindër mos qani/ Me gazep po më del xhani/ Dhe ti nënë mos u sëmur/ Se vuaj e heq torturë/ Jam kurban për diktaturë.
Partia i mësoi bijt e sajë që të shndërroheshin në mostra të vertetë ku tjetrin e vrisnin për një fjalë goje apo pse nuk dëgjonte me vëmëndje tellallët injorantë e demagogë që si papagallë të kualifikuar sajonin pallavra premtimesh boshe. Në rrethana pabesie i zunë pritë Fejzo Rukës duke derdhur mbi trupin e tij breshëri plumbash vdekjeprurës, vetëm sepse simpatizonte Nacionalistet: Mbi Ramicë ta zunë pusinë/ Ktheu Fejzo me Partinë/ Hiq flamur edhe vur yll/ Ia lëshun breshërinë/ Të dy çapokët ia grinë.
Xhixhia, e shoqia e Fejzos mbeti vejush në moshë të re me dy fëmijë, u plagos shpirtërisht, u vesh me të zeza e i rriti me njëmijë mundime fëmijët në konak bote: Qëndroi si pasha veziri/ Rriti fëmijë si kalliri/ Me lakra e qumësht gjiri.
Qani Liçaj vritet nga i afërmi tij komunistnë në Velçë tek Selvia në qendër, pa pasur asnjë argument e arsye: Me trupin e tij të stisur/ Sy e vetulla qëndisur/ Thoshje kush e ka stolisur
Me sevda rrugën kish nisur/ Njeriu i tij i tha: Nuk të vras, të kam vëlla/ Një çikë do bëj shaka/ Tre plumba në ballë i dha.
Njësiti gueril i Smokthinës u zuri prita dhe vrau pabesisht shumë të rinj smokthinjotë, ku populli i zgjuar i Smokthinës me krijimtarinë e tij derdh urrejtje ndaj shkakëtarëve të kësaj gjakderdhje: Smokthinë të treti meraku/ Nxorre një celulë nga barku/ Të mbyti kërma dhe gjaku/ T`u nxi porta e oxhaku/ Dëgjuat ca popoviçër/ Ca Dushan e ca dobiçër/ Në Tërbaç s`u vranë as qente/ Ju smokthinjotë pse u çmëndë?!
Edhe “Vangjua”, Neki Imeri komandanti i çetës “Plakë” të Vlorës, vritet prej një smokthinjoti komunist: Nekiun s`e vrau armiku/ Po Shyqyriu dhe Sadiku/ Të dërguar nga “Besniku”
As në mugëtirat e shekujve të kaluar nuk janë bërë krime si të komunistëve ku ata pasi vrisnin njerëz të pa fajshëm i linin mbi dhe ose i groposnin së toku. Ja e ç`thotë një i afërm kur kërkon eshtrat e njeriut të afërm: Në çarçaf i bëmë tok/ Zemra plagë e syri lot/ Të shkretët s`i njohëm dot/ Pastaj i ndamë me short.
Në Smokthinë tregoja interes për mbledhjen e këngëve të këtij lloi ku puna më shpuri tëk një burrë i moshuar i cili pat kënduar mirë e ishte nje minierë e pa shfrytëzuar këngësh. I thashë që dua ato këngë që këndoje kur ishje i ri, në kulmin e qejfit, uluar këmbëkryq në trapeze burrash këngëtarë ku së bashku gjithë passion ia merrnit labçes shtruar shtruar.
– Nuk kam mundësi të të jap këngët – m`u përgjegj prerazi – në se i do, bëmë të ri gjejmë edhe shokët , gjysma e të cilëve u ka perënduar jeta, më jep fuqi të pi raki e zë të ia marr këngës.
Më shumë vështrirësi mezi i mora disa vargje ku pasqyrohej dashuria e nënës për të birin dhe dhëmbshuria e motrës për vëllanë: Në më zëntë mali mua/ Sa vjet zi do mbash o nënë? – Sa të zbardhet pend a e korbit/ – Në më zëntë plumbi në luftë/ – Sa vjet zi do mbash o motër? / – Sa të zbardhet delja llajë/ -Në më djegtë zjarri i luftës/ Sa vjet zi do mbash o grua? – Sa të mbush ujë në krua/ Sa të laj rrobat e tua.
Në krijimtarinë e pasur gojore armiqtë, sundimtarët, pushtuesit, diktatorët pasyqohen me epitete poshtëruese, si: shllavarebran, mendjehu, mendjefyell, dhëmbëçakall, nofullderr, ndërsa bijte e vet i përshkruen me epitete të meteortë, si: gjalmëzesë, pallëlarë,
mendjendritur, pallexhveshur, gjoksshkëmb etj.

Filed Under: Kulture Tagged With: DUKE SHFLETUAR, FOLKLORIN E SMOKTHINËS, Petrit Derraj, Smokthina

PARTI KOMUNISTE APO PARTI TERRORISTE

August 8, 2014 by dgreca

Mendime e vlerësime rreth librit me të njëjtin titull të Enver Memishaj – Lepenica/
Nga Petrit Derraj – Smokthina/
Në fund të vitit 2013, studjuesi i njohur tashmë në fushën e historisë Enver Memishaj – Lepenica nxorri në dritë librin e tij të trembëdhjetë “Parti komuniste apo parti terroriste”
Në këtë libri me afro 600, faqe autori ka përmbledhur dokumenta historike të Ballit Kombëtar, të nxjerra nga arkivat e Shtetit Shqiptar.
Libri hapet me gjykime dhe mendime të Prof. Dr. Beqir Metës, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiut, dhe udhëheqësit të Ballit Kombëtar Mid`hat Frashërit.
Sapo nis e shfleton këtë libër të bije në sy fakti se autori siç thotë edhe vetë ai, ia ka hequr të drejtën vetes që të mbaj qëndrim rreth dokumentave që botohen në libër, por ua lë këtë të drejtë lexuesve që të shfaqin lirshëm përshtypjet, mbresat dhe ndiesitë e tyre ndaj dokumentave që autori boton, në këtë libër.
Libri është i ngjeshur me dokumenta interesante që pasqyrojnë ngjarje të Luftës së Dytë Botërore 1939- 1944, me përplasje idesh, me deklarata të shumëllojta, me fakte, me argumenta, me kurthe, intriga, vrasje, tmerre, krime që u vunë re kur në gjirin e popullit tonë nisi vëllavrasja, një virus hibrid ky i ardhur nga jashtë, i cili bëri hatara të papara e gjëma të padëgjuara.
* * *
Siç dihet, nevoja e luftës për çlirim nga pushtuesit, nxorri në dritë si një domosdoshmëri imperative krijimin e dy forcave kryesore politike, të cilat i vunë detyrë vetes që ta orientonin e ta udhëhiqnin popullin tonë në luftë kundër armiqëve nazifashistë: atë të Ballit Kombëtar dhe të Partisë Komuniste, më pas doli edhe Lëvizja e Legalitetit. Të dyja forcat u shprehën për mobilizimin e popullit në luftë, por bazat ideologjike dhe mënyrat e organizimit të asaj përpjekje qenë krejtësisht të ndryshme.
Balli Kombëtar qe e para forcë që reagoi kundër ekspasionit fashist, ku nëpërmjet “Dekalogut”, të hartuar prej përsonalitetit të shquar të historisë sonë, Mid`hat Frashërit lëshoi kushtrimin dhe i bëri thirrje popullit për luftë, për mobilizimin e të gjitha fuqive të gjalla të kombit kundër armiqëve për realizimin e idealit kombëtar për një Shqipëri të lirë Etnike, demokratike me baza shoqërore moderne për flamurin kuq e zi , për një Shqipëri të drejtuar nga shqiptarët të cilët nuk ishin kursyer në çdo kohë e rrethanë për të mirën e shpëtimin e këtij vendi.
Edhe komunistët kishin në programin e tyre luftën kundër pushtuesve, por lanë jashtë vëmëndjes Shqipërinë Etnike e veçanërisht Kosovën, dhe për të realizuar qëllimin e tyre patën më shumë favore të ndihmuar prej disa faktorëve të brendshëm e të jashtëm. Komunistët u favorizuan nga fakti se pjesa dërrmuese e popullit ishte e pa rasimur, të varfër dhe, si pasojë të varfërit duke mos pasur mundësi për analiza të thella u besuan premtimeve boshe dhe ëndërrave të bujshme. Komunistët propoganduan se kasta e vjetër politike ishte plakur dhe e lodhur, ishte e paaftë të përballonte lëvizjen e re demokratike.
Edhe aleatët duke parë këtë lloj gjëndje pothuajse përkrahën komunistët. Po ashtu influencoi edhe përçarja e brendshme. Balli Kombëtar ishte për republikë, Legaliteti, veriorët, nuk qenë dakort me ta sepse shumica mbështesnin mbretërinë. Kjo gjendje lehtësoi udhën e komunistëve për të dalë hapur, kundër platformës së Ballit Kombëtar dhe udhës drejt marrjes së pushtetit. Edhe pse udhëheqësit e Ballit Kombëtari ftuan komunistët ose Nacionalçlirimtaren, për bashkëpunim e bashkërendim të forcave në luftë, edhe pse u bë Marrëveshja e Mukjes, komunistët të nxitur prej jugosllavëve: Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës e tradhëtuan Mukjen, minuan linjat e mirëkuptimit, mobilizuan çetat partizane dhe i shpallën luftë të hapur Ballit Kombëtar, u nxit vëllavrasja, e cila solli dëme të papara e pasoja fatale për vendin. Edhe pse udhëheqësit e Ballit Kombëtar u tradhëtuan pabesisht prej komunistëve, Nacionalçlirimtares, ata nuk bënë krime në popull, por vazhdimisht e ftuan popullin që të bashkohej pa dallim krahine për luftë për çlirimin e vendit. Ata kundërshtuan propogandën demagogjike të Nacionalçlirimtares se gjoja Balli Kombëtar lindi si reaksion i Frontit Nacionalçlirimtar, apo si një krijesë e pushtuesit dhe provuan se ata ishin një alternativë me një program për bashkimin e popullit në luftë kundër pushtuesit.
* * *
Këtë pamje të Luftë së Dytë Botërore 1939 – 1944, ka marrë përsipër ta tregojë Enver Lepenica në librin që analizojmë “Parti Komuniste apo parti terroriste”, në një formë të re: pa foluar ai vetë, por nëpërmjet dokumentave të Ballit Kombëtar, të nxjerra me mundim nga arkivat e Shtetit shqiptar.
Në këtë pikpamje libri paraqet interes për lexuesin dhe studjuesin e historisë, pasi kemi një vështrim të ri të historisë, e pa njohur për masën e gjerë të popullit shqiptar.
Autori librit vë të gjith potencialin mendor dhe i server lexuesit një libër me vlera, me fakte tronditëse, krime të papara çnjerzore, plane djallëzore, prapaskena të rrafinuara, kurthe të mirëkurdisura të udhëheqies komuniste kundër Ballit Kombëtar, duke vrarë e prerë këdo që nuk mendonte si ata.
Dokumente të shumta, që autori ka sjellë në këtë libër, pasqyrojnë skenën tragjike të Lëvizjes Antifashiste: vëllavrasjen e inicuar prej Jugosllavëve dhe e zbatuar në praktikë nga Nacionalçlirimtarja, shkakëtoi gjakderdhje në gjirin e popullit shqiptar, skenarë serial tragjik me vrasje primitive ta luftëtarëve të Ballit Kombëtar, vrasje që nuk ishin parë as në mugëtirat e shekujve të kaluar.
Dokumentat provojnë se ishin vënë në shënjestër intelektualë përparimtarë që e donin vendin e tyre dhe lirinë, por ishin kundër ideologjisë komuniste, për këtë “faj”, komunistët e Enver Hoxhës, të Hysni Kapos e Mehmet Shehut realizuan eleminimin fizik të tyre nëpërmjet atentateve të njëpasnjëshme. Kjo tragjedi e popullit tonë u pasqyruar edhe në vajet dhe këngët e popullit. Një nënë dukatase lëshon klithmën:
Vendin e mbuloi zija,
Se na u vra djalëria,
I vrau dhelpër Partia!
Dokumentat që ka publikuar në këtë libër Enver Lepenica, flasin me emra konkret dhe për krime konkrete: Më 29 janar 1944, Shefqet Peçi, një kriminel legjendar me urdhërtë Enver Hoxhës pasi kapi dhe vrau filozofin, që ishte shkëputur nga ideologjia komuniste, Zai Fundon, e lidhi pas kalit dhe e tërhoqi zvarrë, për të ngjallur frikë, tmerr, terror e panik në popull. As në zakonin e hershëm të gjakmarrjes nuk keqpërdorej viktima, përkundrazi para se të qëlloheshin u bëhej thirrje që të mos vriteshin në pabesi, pastaj kufomën e kthenin mbarë e i vihej diçka e but nën kokë. Këto ishin zakonet e popullit tonë, ndërsa terroristët komunistë me zakone dhe urdhëra të marra nga serbët u tregun të pa shpirt dhe shpërfillës të çdo lloj zakoni e traditë të mirë të popullit tonë.
Dokumentat që siell Enver Lepenica, autori librit, provojnë se politikanët e shquar të Ballit Kombëtar u përpoqën vazhdimisht që të mos prisheshin marrëdhëniet me komunistët, Nacionalçlirimtaren, dhe gjithmonë tentuan të shmangin konfrontimet, të ndalin gjakderdhjen, kështu kur kapeshin robër nga ana e Ballit Kombëtar, respektoheshin dhe liheshin të lirë, e kundërta ndodhte me komunistët ata i torturonin dhe i vrisnin ballistët.
Në këtë libër autori ka botuar dokumenta me fakte tronditëse kriminale, dëshmi të llahtarshme krimesh, krime të pa imagjinueshme kundër popullit të pafajshëm sipas urdhërave që komunistët merrnin nga padronët e tyre jugosllav.
Në dokumenta del qartësisht përçarja që me aq kujdes kanë mbjellë në tokën shqiptare Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të sjelljeve të ulta çnjerzore që mbollën vazhdimisht urrejtje ndaj kundërshtarëve të tyre politik ballistëve dhe zogistëve, duke krijuar disa ndiesi çnjerzore dhe larg traditës sonë: djali partizan kërkonte të gjente baban t`i jepte një kokërr plumbi, sepse nuk qe partizan si ai!, vëllai partizan mohon vëllan sepse ishte luftëtar i Ballit Kombëtar!, motra partizane nuk qan për vëllan sepse ishte ballist!, Halim Xhelo, Dukati, mohon babanë dhe veten e quan Halim Stalini!, etj., etj.
Dokumentat e botuara, në këtë libër, flasin për emra dhe mbiemra konkret të vrarë pabesisht, në prita, si kundërshtar të komunistëve, apo pse ishin dëshmitar të veseve çnjerzore të Enver Hoxhës si: Skënder Çami, Veli Vasiari, Tasim Bishqemi, Daut Çarçani, Shyqyri Borshi, Gjysh Deda, Zefa Kadare, Javer Hrushiti, Kol Tromara etj., etj.
Në dokumentat e shumta del i qartë dhe pohohet nga vetë komunistët se qëllimi final i tyre ishte marrja e pushtetit me grykën e pushkës, nëpërmjet vrasjeve të kundërshtarëve të tyre, propogandës demagogjike se nën udhëheqien e tyre populli do të jetonte i lumtur dhe do të hanin me lugë floriri!. Për këtë qëllim komunistët luftuan më shumë për eleminonin pa gjyq të kundërshtarët e tyre politik, sesa luftën kundër pushtuesit.
* * *
Libri “Parti komuniste apo parti terroriste”, të shtyn në mendime të thella, leximi tij, e detyron lexuesin të kthejë kokën prapa dhe të shoh se ç`ka ngjarë të tokën e tij, në fshatin e tij, në fisin e tij, pra të reflektojë për atë që ka ndodhur, kështu më ngjau edhe mua: libri më futi në mendime të thella për vendlindjen time, Smokthinën, ku kuçedra komuniste hodhi kthetrat makabre dhe e përgjaku rëndë atë me gjak vëllai. Krahina jonë Smokthina, nëpërmjet këngëve, që për atë kohë ishin edhe shtyp, edhe kronikë, edhe arkiv, demaskoi e denoncoi pa mëshirë këtë gjakderdhje që erdhi si mallkim, si pasojë e vëllavrasjes. Tragjikisht shembujt janë të shumtë:
Djalin 20 vjeçar të Isak Metes, në pragmartese, e rrëmbejnë nga fshati, Ramica, dhe e torturojënë aq barbarisht sa ai dha shpirt në duar të komunistëve vlonjatë. Populli e përjetësoi në këngë:
Një kuje te xha Isaku,
Rëndë u godit oxhaku,
Si krua derdh lotët plaku,
Se nxinte brenda konaku…
Helmi për humbjen e jetës së këtij djaloshi, qe aq i madh sa nuk e nxinte brenda konaku, dhe shumë preks është amaneti që djaloshi 20 vjeçar u lë të afërmve të tij para se të largohet nga kjo botë:
Vëllezër, prindër mos qani,
Me gazep po më del xhani,
Dhe ti nënë mos u sëmur,
Se vuaj e heq torturë,
Jam kurban për diktaturë…
Po ashtu nëpërmjet këngës, populli ka gdhendur në kujtesë Fejzo Rukën, kundër të cilit komunistët derdhën plumba pabesije në një pritë, për të vetmin faj se ai ishte simpatizant i Ballit Kombëtar:
Mbi Ramicë të zunë pusinë,
Ktheu Fejzo me partinë,
Hiq shkabën dhe vur yll,
Ja lëshuan breshërinë,
Të dy çapokët ia grinë…
Një bir i denj i Smokthinës Edison Musaraj, në librin e tij “Smokthina dhe smokthinjotët”, akuzon rëndë komunistin e kësaj krahine Mevlan Dervishin me njësitin e tij gueril:
Se mohuan nënë e babë.
Dhe për prind njohën Dushanë,
Dhe për nënë partinë putanë…
Në dokumentat e librit të Enver Lepenicës, që analizojmë, janë evidentuar krimet e Njësitit gueril terrorist komunist të Smokthinës nën udhëheqien e Mevlan Dervishit dhe Bako Dervishit, që kanë vrarë pabesisht në prita, pa asnjë faj, mbi 25 fshtarë të tyre, vëllezër të tyre, sepse ata nuk u pajtuan me Partinë Komunistë që urdhërohej nga Dushan Mugosha, si: Halim Derraj, Hasan Osmën Deliaj, Muharrem Derraj, Mahil Shaban Leskaj, Qani Liçaj, Malo Zigur Lelaj, Hysni Jaupaj, Murat Sullaj, Hasan Muçohasani, etj.
Populli gjith zgjuarsi në krijimtarinë e vet lavdëron ata që nuk bënë krimë dhe derdh urrejtje ndaj atyre që bënë vëllavrasjen:
Smokthinë të treti meraku
Mxorre një celulë nga barku,
Të mbyti kërma e gjaku,
T`u nxi porta e oxhaku,
Dëgjuat ca popoviçër,
Ca rrufianë ca dobiçër
Në Tërbaç s`u vranë as qentë,
Ju smokthinjotë pse u çmëndët?!…
* * *
Libri i Enver Lepenicës “Parti komuniste apo parti terroriste”, Dokumenta të Ballit Kombëtar, është shumëvlerësh. Ky libër të tërheq për vërtetësinë e ngjarjeve, të provuara me dokumenta, ku ne disa raste trishtohe e ligështohe kur njihesh me krimet makabre të vëllavrasjes dhe pasi e mbaron së lexuari këtë libër me dokumenta bindesh plotësisht se Balli Kombëtar nuk u mund me argumenta e drejtësi, por me intriga, prapaskena, pabesi, hipokrizi e kurthe karakteristike për komunistët shqiptarë.
Nuk është hera e parë, që Enver Lepenica, të dallohet për studime të thelluara, të vlerësuara edhe nga personalitete të shquara të historisë.
Ai i ka vënë vetes si detyrë të çmontojë e të çvidhos mekanizmin e egër të diktaturës komuniste dhe të denoncojë krimet që ata ushtruan për afro 50 vjet ndaj popullit shqiptar.
Kur njihesh, nëpërmjet dokumentave të këtij libri, me krimet komuniste, del e qartë se Partia Komuniste e udhëhequr nga Enver Hoxha e Mehmet Shehu, nga Hysni Kapo e Manush Myftiu, e kupton se ata veç krimeve në luftë, ushtruan dhunë dhe terror edhe në kohë paqie. U pushkatuan dhe u shfarosën pothuajse të gjith komandantët e komisarët që udhëhoqën njësitet e armatosura gjatë luftës, eleminuan dhe mënjanuan gjith personalitetet e luftës, vranë aspirantët e vërtetë të demokracisë.
Në krye të kësaj bande për afro 50 vjet qëndroi Enver Hoxha, kriminel shumëplanësh, paranojak, diktator specifik, kësaj mostre i duhen faturuar edhe mëkatet që u bënë pas vitit 1990, sepse shumë elementë të atij sistemi “të kalitur në kudhrën e Partisë së Punës”, infiltruan në partitë e pas 90-tës duke i sjellë dëme të mëdha demokracisë së brishtë shqiptare.
Lexuesi shqiptar duke lexuar librin që analizojmë do të njohë nëpërmjet të dokumentave të vërtetat historike të asaj kohe, dhe kështu do të ndihmohet për të mësuar historinë e vendit të tij, sepse vetëm e vërteta i bën njerzit më të lirë fizikisht dhe moralisht dhe për këtë ka dhënë ndihmesën e tij edhe Enver Lepenica me veprën e tij.

Filed Under: Kulture Tagged With: APO PARTI, Enver Memishaj, Lepenica, Parti Komuniste, Petrit Derraj, terroriste

KATËR POETË NË SOFRËN E DIELLIT

May 30, 2014 by dgreca

QAZIM SHEHU/

RIT…/
E lexuam jetën si një libër/
me frikën të mbërrinim tek faqe e fundit/
ndonëse fundin e dinim,/
me pafundësi përkundemi./

Faqe më faqe i kthehemi shpesh,
me nënvizime të mëdha,
Aty na duket se afër nesh,
Jeta ndjehet ,dhurata mba.

Sa mësohemi egër me to,
Sa na bezdisen dhe i lëmë,
Në faqe të tjera kalojmë,
Kotësinë e dhuratave ndjejmë.

Kështu gjithnjë vazhdon ky rit,
Rit i leximit të lodhur,
Pa u menduar, pa pasur frikë,
Për fundin që ka për të ndodhur…

THIKË HARRIMI
Me çelikun e saj që thinjet nga prerjet,
Thika në dorë njeriu loz.
Në lojën e saj të verbër,
Pret instiktin verbosh.

Kam parë gjithnjë si e nxjerr
Një prerës molle, një kriminel,
Gjak i harrimit i errët
Ngrihet lart si një shtjellë.

Dhe bie poshtë e na pllakos,
Si një vullkan nga qielli,
Dhe thika durimin vulos,
Në një urrejtje prej të vjelli.
DASHURIA
Po të ishim gjithnjë të dashuruar,
Dashurinë kishim me e mallkuar.
Po të ishim në zemër të saj,
Do ishim shkrirë me të pafaj.

Edhe kur i largohemi pak,
Ajo na thërret e na vë lak,
Na vë stërkëmbsha dhe leqe,
Viktima mbetemi me pengje.

Më tepër se trup mbetet dalldi,
I shpirtit që trupat shkri.
… ato mos shkrihen të rrinë në këmbë,
Largohet pak e vjen na godet rëndë

ZHVESHJE E HIJSHME

Mu në mes të një gjiri,
Rri një kokërr kalliri..
Nuk desh të copëtohej në mulli,
Erdh e mes gjirit rri.
Kafshuar me dhëmbë dëshire,
Brilant i ri prej lashtësie.
+++
Dua të të zhvesh si një kalli,
Nën natën me hënë.
Hijen madhështore të tij,
Ta vesh ty, moj hapargjendë.
A hijen tënde t`ia jap kallirit,
Me hir tundues që të çmend,
Kur vjen kokrra mes gjirit,
Plumb i ckërmitur me dhemb…
+++
Lëngu i tokës për tek kalliri,
kalliri u paqtua,
lëngu i mashkullit fluturoi tek gjiri,
Gjiri u tërbua…

+++
Kur botën zhveshim, veshim me fjalë,
Kur fjalën zhveshim e turpërojmë,
Harrojmë se jemi njerëz të gjallë,
Në sosje të moralit jetojmë…

NGJYRA
Në gjakun e bardhë të heshtjes,
Terrohet hija e një kobi të zi,
Ngjyrë e bardhë për të mos iu dorëzuar vdekjes,
Kthehet në gri…

HESHTAT
Heshtat e vështrimeve mbi kështjellë të indiferencës,
Ranë.
Në tym të epshit u kryqëzuan,
U thyen
Ti kërkoje harkëtarin,
Të hapje portën sekrete,
Ndërsa heshtat hidheshin,
Shi që s`di nga vete…

***
RAMIZ LUSHAJ/
LUTJE MBI ATLANTIK /

Kushtim D…./

Me Diellin e Mëngjezit
Po ta çoj një grusht dhè
Nga trolli i Plavë-Gucisë,
Nga Monumenti Natyror i Luftës në Nokshiq…
Nga Varri i fshehur i Masakrës së Previsë.
Vnoje në prehnin e Statujës së Lirisë.

Vrellomë Diell Atlantiku,
Si Hark Triumfi Alpin e Arbnor,
Mbi Lim e mbi Moraçë…
Po na kapicë e zeza Natë.
Due t’ja flladiti sytë Lirisë…
T’ia lajë plagët e reja Gjergj Elez Alisë…

“KRYEQYTETI” I LURËS

Nga Ramiz Lushaj/

Malet e luginat alpine i ngjasojnë njana-tjetrës
Lura në etno-histori i përnget vetëm vetëvetes.
Miq e udhëtarë i presin sikur të ishin mbretër
Po për mbret ata njofin t’vetin e askënd tjetër.

Lura – Illuri, emer i lashte, burimor nga iliret
Mendja lurase ndritë në Alpe e nëpër vitet.
Aty gjen Platon, Aristotel, Ciceron, Sokratët…
Lulojnë e thinjen në Amfiteatrin e Fjalës.

Lura -herë Mal, herë Dheu, herë Bajrak.
Njerëz e male i rrijnë kryelartë.
Lurasit në vetëqeverisje janë aristokratë.
Pleqtë si Parlament, Dhetarët si Senat.

Lura nën një kulm kulle pati edhe dy fe…
Në zemrën e vet gjithmonë vetëm një Atdhe
Nuk i them kujt se është më i bukuri në botë
Po Lura është ndër vendet më të rralla mbi tokë.

Si “Amerikë e Vogël” kjo Lura me vrri e bjeshkë
T’ardhunit nga gjithato vise aty hodhën rrënjë e degë.
Çdo fis i Lurës hyjnore e ka “Itakën” e vet.
Ata, në shekuj, e banë kit’ Lurë “Kryeqytet”.

Shqipëri Etnike, 29 maj 2014
***
PERPARIM HYSI/
1. Ku venë pulëbardhat? Ku venë?

Ku venë pulëbardhat? Ku venë?
Pse s’më marrin dhe mua me vete?
S’e shohin që jam bërë ujem?
S’e shohin që unë jam me “ethe”?

Ku venë pulbëardhat? Ku venë?
Ato që fluturojnë mbi dete
Pse s’më marrin mua e t’më çojnë
Tek mikja që ka ikur, sa vjete?
Ka vjete ajo që ka ikur,
Po mua peng më ka marrë
Për syrin e saj të ndritur
Sa herë syri im ka qarë.

Pulëbardhat ikin, fluturojnë
Nga toka unë i ndjek me sy
O shpirti im si duron?
O shpirt si nuk fluturon dhe ti?

Krahë nuk kam si Ikar
Po malli për miken më bloi
Ah, s’duron dot një kokëbardhë
Mike, moj, të dashuroj.

Tiranë, 30 maj 2014

2. U takuam përsëri

U takuam përsëri
Pas sa vitesh? Pas sa vitesh?
Unë i thinjur jam tani
Thinjur ti ( s’ke pse çuditesh?!)

U takuam përsëri
Po sa mall që zbrazëm sot
Zbrazëm mall e dashuri
Puth e puth e s’ndaheshim dot.

Malli fshehur nën sy
Mu si lumë dol nga thellësia
Pllaq e plluq unë e ti
Se vërshonte dashuria.

Dashuri që s’e zbehu koha
Por e ruajti në thellësi
Dhe regëtimë të dy nga “oha!”
Oh, nga shpirti dashuri.

Eh, se ç’vajti nga takimi
Nga takimi përsëri
E zu qiellin Përparimi
Qiellin e zure dhe ti.

Tiranë, 29 maj 2014

3. Kur vije

Kur vije sa për një konsultim
Kuptohet: diçka fshihje në thellësi
Më thoshe: – Si do t’ia bëj, Përparim?
Dhe skuqeshe sikur bëje blasfemi.

Konsultën ta dhashë sinqerisht
Dhe thashë: – Audienca mbaroi.
Po ja tek ktheheshe sërish
Dhe pyetje e “sqarime” gjithëfarësoj.

Kështu një ditë, dy apo tri
Dhe java gjithësesi kështu
Po durimi a nuk ka kufi?
Dhe skuqja vazhdonte “pupu!!!”

Një fshat që duket nuk do kallaus
Moj mike që vije për “konsultim”
Dhe unë s’jam nga ata që rrija “sus”
Pas konsultës, të mora në “provim”.

“Provimin” e dhe me sukses
“Konsulta” ia arriti qëllimit
Ia dole mbanë dhe more “lincencë”
Urime me këtë vjershë prej Përparimit.

Tiranë, 28 maj 2014
***
***
PETRIT DERRAJ – SMOKTHINA

EDHE TY TË VRANË, MOJ PËLLUMBESHË
Pëshëumbeshë, moj, që shëtit dynjanë
Që çdo ditë shpërndaje paqe
Ç`patën që të vranë, a gjeçin belanë
Si moj ta gjakosën, ty të bardhën faqe?!
Pëllumbeshë, moj, që shkon në çdo anë
Që çdo herë po lind pëllumba
O sa keq, moj, ç`patën që të vranë
Edhe përmbi ty moj derdhën plumba?!

BËJ Ç`TË BËSH, E BËMË DERMAN
Qerpikët si halë gruri
Të ndrit balli të qesh nuri.
Balli yt si hënë e plotë
Unë për ty mos s`duroj dot.
Faqe të kuqe si shegë
Mos më hidh degë më degë.
Shtai yt moj si selvi
Sytë e tu një mrekulli.
Dhe të faqia një nishan
Bëj ç`të bësh e bëmë derman.

VAGU IM I POEZISË

Vargu im i poezisë
Ngjan me pjergullën e hardhisë
Është me rrokje e me rrimë
E shpesh vjen si cicërimë
Të tërheq e të bën mik
Asnjëherë nuk të thot ik
Ka dhe maje edhe thumb
Herë të grish e herë të tund
Me shpoti e me lezet
Të qëllon po nuk të vret
S`është bombë e s`është predhë
Ngjan me pjergullën që do vjelë.

Humoristike
SELIM MËNDJEFIRAUNI
Selua gjith jetën bëri prapësira
Gjith jetën gjerdhe shkeli.
Bëri aq punëra të ndyra,
Sa sevap do bën ta mirr Exheli.
Ai kaloi gjerdhe e prishi punë,
Por… njëherë si për dreq
Atij, Selos, mëndjefiraunë
Një hu e grisi në vend të keq.
***

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: e Diellit, KATËR POETË, NË SOFRËN, Petrit Derraj, Qazim Shehu, Ramiz Lushaj

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT