Mendime e vlerësime rreth librit me të njëjtin titull të Enver Memishaj – Lepenica/
Nga Petrit Derraj – Smokthina/
Në fund të vitit 2013, studjuesi i njohur tashmë në fushën e historisë Enver Memishaj – Lepenica nxorri në dritë librin e tij të trembëdhjetë “Parti komuniste apo parti terroriste”
Në këtë libri me afro 600, faqe autori ka përmbledhur dokumenta historike të Ballit Kombëtar, të nxjerra nga arkivat e Shtetit Shqiptar.
Libri hapet me gjykime dhe mendime të Prof. Dr. Beqir Metës, Prof. Dr. Muharrem Dezhgiut, dhe udhëheqësit të Ballit Kombëtar Mid`hat Frashërit.
Sapo nis e shfleton këtë libër të bije në sy fakti se autori siç thotë edhe vetë ai, ia ka hequr të drejtën vetes që të mbaj qëndrim rreth dokumentave që botohen në libër, por ua lë këtë të drejtë lexuesve që të shfaqin lirshëm përshtypjet, mbresat dhe ndiesitë e tyre ndaj dokumentave që autori boton, në këtë libër.
Libri është i ngjeshur me dokumenta interesante që pasqyrojnë ngjarje të Luftës së Dytë Botërore 1939- 1944, me përplasje idesh, me deklarata të shumëllojta, me fakte, me argumenta, me kurthe, intriga, vrasje, tmerre, krime që u vunë re kur në gjirin e popullit tonë nisi vëllavrasja, një virus hibrid ky i ardhur nga jashtë, i cili bëri hatara të papara e gjëma të padëgjuara.
* * *
Siç dihet, nevoja e luftës për çlirim nga pushtuesit, nxorri në dritë si një domosdoshmëri imperative krijimin e dy forcave kryesore politike, të cilat i vunë detyrë vetes që ta orientonin e ta udhëhiqnin popullin tonë në luftë kundër armiqëve nazifashistë: atë të Ballit Kombëtar dhe të Partisë Komuniste, më pas doli edhe Lëvizja e Legalitetit. Të dyja forcat u shprehën për mobilizimin e popullit në luftë, por bazat ideologjike dhe mënyrat e organizimit të asaj përpjekje qenë krejtësisht të ndryshme.
Balli Kombëtar qe e para forcë që reagoi kundër ekspasionit fashist, ku nëpërmjet “Dekalogut”, të hartuar prej përsonalitetit të shquar të historisë sonë, Mid`hat Frashërit lëshoi kushtrimin dhe i bëri thirrje popullit për luftë, për mobilizimin e të gjitha fuqive të gjalla të kombit kundër armiqëve për realizimin e idealit kombëtar për një Shqipëri të lirë Etnike, demokratike me baza shoqërore moderne për flamurin kuq e zi , për një Shqipëri të drejtuar nga shqiptarët të cilët nuk ishin kursyer në çdo kohë e rrethanë për të mirën e shpëtimin e këtij vendi.
Edhe komunistët kishin në programin e tyre luftën kundër pushtuesve, por lanë jashtë vëmëndjes Shqipërinë Etnike e veçanërisht Kosovën, dhe për të realizuar qëllimin e tyre patën më shumë favore të ndihmuar prej disa faktorëve të brendshëm e të jashtëm. Komunistët u favorizuan nga fakti se pjesa dërrmuese e popullit ishte e pa rasimur, të varfër dhe, si pasojë të varfërit duke mos pasur mundësi për analiza të thella u besuan premtimeve boshe dhe ëndërrave të bujshme. Komunistët propoganduan se kasta e vjetër politike ishte plakur dhe e lodhur, ishte e paaftë të përballonte lëvizjen e re demokratike.
Edhe aleatët duke parë këtë lloj gjëndje pothuajse përkrahën komunistët. Po ashtu influencoi edhe përçarja e brendshme. Balli Kombëtar ishte për republikë, Legaliteti, veriorët, nuk qenë dakort me ta sepse shumica mbështesnin mbretërinë. Kjo gjendje lehtësoi udhën e komunistëve për të dalë hapur, kundër platformës së Ballit Kombëtar dhe udhës drejt marrjes së pushtetit. Edhe pse udhëheqësit e Ballit Kombëtari ftuan komunistët ose Nacionalçlirimtaren, për bashkëpunim e bashkërendim të forcave në luftë, edhe pse u bë Marrëveshja e Mukjes, komunistët të nxitur prej jugosllavëve: Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës e tradhëtuan Mukjen, minuan linjat e mirëkuptimit, mobilizuan çetat partizane dhe i shpallën luftë të hapur Ballit Kombëtar, u nxit vëllavrasja, e cila solli dëme të papara e pasoja fatale për vendin. Edhe pse udhëheqësit e Ballit Kombëtar u tradhëtuan pabesisht prej komunistëve, Nacionalçlirimtares, ata nuk bënë krime në popull, por vazhdimisht e ftuan popullin që të bashkohej pa dallim krahine për luftë për çlirimin e vendit. Ata kundërshtuan propogandën demagogjike të Nacionalçlirimtares se gjoja Balli Kombëtar lindi si reaksion i Frontit Nacionalçlirimtar, apo si një krijesë e pushtuesit dhe provuan se ata ishin një alternativë me një program për bashkimin e popullit në luftë kundër pushtuesit.
* * *
Këtë pamje të Luftë së Dytë Botërore 1939 – 1944, ka marrë përsipër ta tregojë Enver Lepenica në librin që analizojmë “Parti Komuniste apo parti terroriste”, në një formë të re: pa foluar ai vetë, por nëpërmjet dokumentave të Ballit Kombëtar, të nxjerra me mundim nga arkivat e Shtetit shqiptar.
Në këtë pikpamje libri paraqet interes për lexuesin dhe studjuesin e historisë, pasi kemi një vështrim të ri të historisë, e pa njohur për masën e gjerë të popullit shqiptar.
Autori librit vë të gjith potencialin mendor dhe i server lexuesit një libër me vlera, me fakte tronditëse, krime të papara çnjerzore, plane djallëzore, prapaskena të rrafinuara, kurthe të mirëkurdisura të udhëheqies komuniste kundër Ballit Kombëtar, duke vrarë e prerë këdo që nuk mendonte si ata.
Dokumente të shumta, që autori ka sjellë në këtë libër, pasqyrojnë skenën tragjike të Lëvizjes Antifashiste: vëllavrasjen e inicuar prej Jugosllavëve dhe e zbatuar në praktikë nga Nacionalçlirimtarja, shkakëtoi gjakderdhje në gjirin e popullit shqiptar, skenarë serial tragjik me vrasje primitive ta luftëtarëve të Ballit Kombëtar, vrasje që nuk ishin parë as në mugëtirat e shekujve të kaluar.
Dokumentat provojnë se ishin vënë në shënjestër intelektualë përparimtarë që e donin vendin e tyre dhe lirinë, por ishin kundër ideologjisë komuniste, për këtë “faj”, komunistët e Enver Hoxhës, të Hysni Kapos e Mehmet Shehut realizuan eleminimin fizik të tyre nëpërmjet atentateve të njëpasnjëshme. Kjo tragjedi e popullit tonë u pasqyruar edhe në vajet dhe këngët e popullit. Një nënë dukatase lëshon klithmën:
Vendin e mbuloi zija,
Se na u vra djalëria,
I vrau dhelpër Partia!
Dokumentat që ka publikuar në këtë libër Enver Lepenica, flasin me emra konkret dhe për krime konkrete: Më 29 janar 1944, Shefqet Peçi, një kriminel legjendar me urdhërtë Enver Hoxhës pasi kapi dhe vrau filozofin, që ishte shkëputur nga ideologjia komuniste, Zai Fundon, e lidhi pas kalit dhe e tërhoqi zvarrë, për të ngjallur frikë, tmerr, terror e panik në popull. As në zakonin e hershëm të gjakmarrjes nuk keqpërdorej viktima, përkundrazi para se të qëlloheshin u bëhej thirrje që të mos vriteshin në pabesi, pastaj kufomën e kthenin mbarë e i vihej diçka e but nën kokë. Këto ishin zakonet e popullit tonë, ndërsa terroristët komunistë me zakone dhe urdhëra të marra nga serbët u tregun të pa shpirt dhe shpërfillës të çdo lloj zakoni e traditë të mirë të popullit tonë.
Dokumentat që siell Enver Lepenica, autori librit, provojnë se politikanët e shquar të Ballit Kombëtar u përpoqën vazhdimisht që të mos prisheshin marrëdhëniet me komunistët, Nacionalçlirimtaren, dhe gjithmonë tentuan të shmangin konfrontimet, të ndalin gjakderdhjen, kështu kur kapeshin robër nga ana e Ballit Kombëtar, respektoheshin dhe liheshin të lirë, e kundërta ndodhte me komunistët ata i torturonin dhe i vrisnin ballistët.
Në këtë libër autori ka botuar dokumenta me fakte tronditëse kriminale, dëshmi të llahtarshme krimesh, krime të pa imagjinueshme kundër popullit të pafajshëm sipas urdhërave që komunistët merrnin nga padronët e tyre jugosllav.
Në dokumenta del qartësisht përçarja që me aq kujdes kanë mbjellë në tokën shqiptare Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, të sjelljeve të ulta çnjerzore që mbollën vazhdimisht urrejtje ndaj kundërshtarëve të tyre politik ballistëve dhe zogistëve, duke krijuar disa ndiesi çnjerzore dhe larg traditës sonë: djali partizan kërkonte të gjente baban t`i jepte një kokërr plumbi, sepse nuk qe partizan si ai!, vëllai partizan mohon vëllan sepse ishte luftëtar i Ballit Kombëtar!, motra partizane nuk qan për vëllan sepse ishte ballist!, Halim Xhelo, Dukati, mohon babanë dhe veten e quan Halim Stalini!, etj., etj.
Dokumentat e botuara, në këtë libër, flasin për emra dhe mbiemra konkret të vrarë pabesisht, në prita, si kundërshtar të komunistëve, apo pse ishin dëshmitar të veseve çnjerzore të Enver Hoxhës si: Skënder Çami, Veli Vasiari, Tasim Bishqemi, Daut Çarçani, Shyqyri Borshi, Gjysh Deda, Zefa Kadare, Javer Hrushiti, Kol Tromara etj., etj.
Në dokumentat e shumta del i qartë dhe pohohet nga vetë komunistët se qëllimi final i tyre ishte marrja e pushtetit me grykën e pushkës, nëpërmjet vrasjeve të kundërshtarëve të tyre, propogandës demagogjike se nën udhëheqien e tyre populli do të jetonte i lumtur dhe do të hanin me lugë floriri!. Për këtë qëllim komunistët luftuan më shumë për eleminonin pa gjyq të kundërshtarët e tyre politik, sesa luftën kundër pushtuesit.
* * *
Libri “Parti komuniste apo parti terroriste”, të shtyn në mendime të thella, leximi tij, e detyron lexuesin të kthejë kokën prapa dhe të shoh se ç`ka ngjarë të tokën e tij, në fshatin e tij, në fisin e tij, pra të reflektojë për atë që ka ndodhur, kështu më ngjau edhe mua: libri më futi në mendime të thella për vendlindjen time, Smokthinën, ku kuçedra komuniste hodhi kthetrat makabre dhe e përgjaku rëndë atë me gjak vëllai. Krahina jonë Smokthina, nëpërmjet këngëve, që për atë kohë ishin edhe shtyp, edhe kronikë, edhe arkiv, demaskoi e denoncoi pa mëshirë këtë gjakderdhje që erdhi si mallkim, si pasojë e vëllavrasjes. Tragjikisht shembujt janë të shumtë:
Djalin 20 vjeçar të Isak Metes, në pragmartese, e rrëmbejnë nga fshati, Ramica, dhe e torturojënë aq barbarisht sa ai dha shpirt në duar të komunistëve vlonjatë. Populli e përjetësoi në këngë:
Një kuje te xha Isaku,
Rëndë u godit oxhaku,
Si krua derdh lotët plaku,
Se nxinte brenda konaku…
Helmi për humbjen e jetës së këtij djaloshi, qe aq i madh sa nuk e nxinte brenda konaku, dhe shumë preks është amaneti që djaloshi 20 vjeçar u lë të afërmve të tij para se të largohet nga kjo botë:
Vëllezër, prindër mos qani,
Me gazep po më del xhani,
Dhe ti nënë mos u sëmur,
Se vuaj e heq torturë,
Jam kurban për diktaturë…
Po ashtu nëpërmjet këngës, populli ka gdhendur në kujtesë Fejzo Rukën, kundër të cilit komunistët derdhën plumba pabesije në një pritë, për të vetmin faj se ai ishte simpatizant i Ballit Kombëtar:
Mbi Ramicë të zunë pusinë,
Ktheu Fejzo me partinë,
Hiq shkabën dhe vur yll,
Ja lëshuan breshërinë,
Të dy çapokët ia grinë…
Një bir i denj i Smokthinës Edison Musaraj, në librin e tij “Smokthina dhe smokthinjotët”, akuzon rëndë komunistin e kësaj krahine Mevlan Dervishin me njësitin e tij gueril:
Se mohuan nënë e babë.
Dhe për prind njohën Dushanë,
Dhe për nënë partinë putanë…
Në dokumentat e librit të Enver Lepenicës, që analizojmë, janë evidentuar krimet e Njësitit gueril terrorist komunist të Smokthinës nën udhëheqien e Mevlan Dervishit dhe Bako Dervishit, që kanë vrarë pabesisht në prita, pa asnjë faj, mbi 25 fshtarë të tyre, vëllezër të tyre, sepse ata nuk u pajtuan me Partinë Komunistë që urdhërohej nga Dushan Mugosha, si: Halim Derraj, Hasan Osmën Deliaj, Muharrem Derraj, Mahil Shaban Leskaj, Qani Liçaj, Malo Zigur Lelaj, Hysni Jaupaj, Murat Sullaj, Hasan Muçohasani, etj.
Populli gjith zgjuarsi në krijimtarinë e vet lavdëron ata që nuk bënë krimë dhe derdh urrejtje ndaj atyre që bënë vëllavrasjen:
Smokthinë të treti meraku
Mxorre një celulë nga barku,
Të mbyti kërma e gjaku,
T`u nxi porta e oxhaku,
Dëgjuat ca popoviçër,
Ca rrufianë ca dobiçër
Në Tërbaç s`u vranë as qentë,
Ju smokthinjotë pse u çmëndët?!…
* * *
Libri i Enver Lepenicës “Parti komuniste apo parti terroriste”, Dokumenta të Ballit Kombëtar, është shumëvlerësh. Ky libër të tërheq për vërtetësinë e ngjarjeve, të provuara me dokumenta, ku ne disa raste trishtohe e ligështohe kur njihesh me krimet makabre të vëllavrasjes dhe pasi e mbaron së lexuari këtë libër me dokumenta bindesh plotësisht se Balli Kombëtar nuk u mund me argumenta e drejtësi, por me intriga, prapaskena, pabesi, hipokrizi e kurthe karakteristike për komunistët shqiptarë.
Nuk është hera e parë, që Enver Lepenica, të dallohet për studime të thelluara, të vlerësuara edhe nga personalitete të shquara të historisë.
Ai i ka vënë vetes si detyrë të çmontojë e të çvidhos mekanizmin e egër të diktaturës komuniste dhe të denoncojë krimet që ata ushtruan për afro 50 vjet ndaj popullit shqiptar.
Kur njihesh, nëpërmjet dokumentave të këtij libri, me krimet komuniste, del e qartë se Partia Komuniste e udhëhequr nga Enver Hoxha e Mehmet Shehu, nga Hysni Kapo e Manush Myftiu, e kupton se ata veç krimeve në luftë, ushtruan dhunë dhe terror edhe në kohë paqie. U pushkatuan dhe u shfarosën pothuajse të gjith komandantët e komisarët që udhëhoqën njësitet e armatosura gjatë luftës, eleminuan dhe mënjanuan gjith personalitetet e luftës, vranë aspirantët e vërtetë të demokracisë.
Në krye të kësaj bande për afro 50 vjet qëndroi Enver Hoxha, kriminel shumëplanësh, paranojak, diktator specifik, kësaj mostre i duhen faturuar edhe mëkatet që u bënë pas vitit 1990, sepse shumë elementë të atij sistemi “të kalitur në kudhrën e Partisë së Punës”, infiltruan në partitë e pas 90-tës duke i sjellë dëme të mëdha demokracisë së brishtë shqiptare.
Lexuesi shqiptar duke lexuar librin që analizojmë do të njohë nëpërmjet të dokumentave të vërtetat historike të asaj kohe, dhe kështu do të ndihmohet për të mësuar historinë e vendit të tij, sepse vetëm e vërteta i bën njerzit më të lirë fizikisht dhe moralisht dhe për këtë ka dhënë ndihmesën e tij edhe Enver Lepenica me veprën e tij.