• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DUHET TE AFIRMOJE IDENTITETIN SI SHTET I LIRE DHE I PAVARUN

July 10, 2020 by dgreca

Shkruan: Sami  Repishti, PhD/

Ridgefield, CT. Me 17 shkurt 2008, Parlamenti i Kosovës, në mbledhje plenare dhe solemne deklaroi “Pavarësinë” e Kosovës, dhe Republikën e Kosovës si shtet i lirë, i pavarun, dhe demokratik, me orientim pro-europian. Ky sukses ka qenë rezultati i luftës kundër diktaturës millosheviqiane, luftë që ka marrë formët e saj simbas konditave politike të vendit: paqësore nen udhëheqjen e LDK-së e të ndjerit Dr.Ibrahim Rugova, “presidenti historik” dhe të ndjerit Prof. Fehmi Agani –me të cilët kam bashkëpunue pa rezerva-, dhe aspektin ushtarak me krijimin e UÇK-së në vitet e para-çlirimit, e drejtueme nominalisht nga nji grup të rijsh aktivistë me tendenca marksiste, në mes të cilëve edhe Z.Hashim Thaçi, sot president i Republikës së Kosovës. Kosova nuk harron kurrë ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, sidomos përkrahjen e NATO-s, të udhëhequn nga Shtetet e Bashkueme të Amerikës, dhe operacionet ushtarake që gjunjëzuen agresorin serb. U formue kështu nji lidhje strategjike e qendrueshme!

    Ma shumë se tetë miljonë shqiptarë të shpërndamë nepër botë festuen këte eveniment që vuloste njiherë e përgjithëmonë fundin e tiranisë së militarizmit serb, dhe krijimin e nji situate ku, qytetarët e Kosovës, me ndërgjegje të plotë, morën përsipër ndërtimin e “atdheut” të tyne të lirë mbas nji pesëqind vjeçari okupimesh, otomane dhe serbe, që dështuen në përpjekjet e tyne me shkombëtarizue popullsinëe dendun shqiptare në trojet shekullore arbënore.

Bota e jashtëme aprovoj këte akt çlirimtar, dhe historikisht të pa evitueshëm, me njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Shteti i ri kosovar bani hapat e parë, ma të vështirë të jetëssë tij tëlirë.”A country is born!” ishteparulla e ditës.!

    Rreth vitit 2010, filloi nji fushatë e terbueme diplomatike serbe kundër “pavarësisë” së Kosovës, fushatë që vazhdon akoma edhe sot. Për fat të keq, pesë vende europiane me problematikë të pazgjidhun të “pakicave kombëtare” në përbamjen e tyne, dhe disa shtete të vogla, të vorfna dhe pa asnji interes në marrëdhanjet me Republikën e Kosovës, ranë viktimë e kësaj fushate diplomatike serbe. Åsnji nga vendet e mëdha europiane nuk tërhoq njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

     Krahas me këte “ofensivë” diplomatike serbe, nji përpjekje tjetër u çfaq nëWashington,D.C.: qarqe pro-serbe ngritën tezën e “shkembimit të territoreve me pakica kombëtare serbe dhe shqiptare”. Nji grup lobistësh (?) organizoi nji séancë “informative”. Ishin të pranishemeksperti për Ballkanin, Prof. Daniel Serwer, i Universitetit Johns Hopkins, ish Ambasadori William Walker, dy të panjohun emni i të cilëve nuk më kujtohet, dhe unë, si shqiptaro-amerikan. Audienca kishte mjaft shqiptaro-amerikanë.

      Bisedimet u zhvilluen në nji atmosferë akademike serioze. Ma në fund nji ndigjues më drejtoi këte pyetje:”Pse nuk bahet nji shkembimi territoreve të banueme me pakica kombëtare në Serbi dhe në Kosovë, tue eliminue kështu nji element irritant në mes të dy vendeve?”

    Përgjigja e ime ka qenë (simbas kujtesës): “Kosova ashtë sot nji shtet i lirë, i pavarun, funksjonues me demokraci parlamentare, injohun nga ma shumë se 100 vende nga të katër anët e botës, por jo anëtare e OKB-së, si rezultat i obstruksionizmit rus dhe kinez.Ajo ka nji Kushtetutë të aprovueme nga Parlamenti i Kosovës i zgjedhun lirisht, ku theksohet se liria, pavarësia, integriteti territorial i“shtetit” të Kosovës janë vlera të patjetërsueshme. Kosova ka sot nji Qeveri të ligjëshme. Kjo Kushtetutë siguron lirinë e plotë dhe trajtimin e barabartë të pakicave kombëtare me qytetarë të bashkësisë shqiptare që përban 92 përqind të popullsisë së vendit.

    Ka gjithashtu edhe nji element parimor në këte qendrim: Republika e Kosovës ashtëe destinueme me qenë pjesë e kontinentit europian. Historia dhe gjeografia e bajnë Kosovën nji pjesë të pandashme nga Europa. Mbetet plotësimi i formaliteteve të duhuna (“kushteve”) për anëtarësim formal në Bashkimin Europian. Kosova duhet të veprojë si shtet europian!

   Ky konceptim real dhe progresiv         që synon “europianizimin” e Republikës së Kosovës në nji kontinent me kulturë të përbashkët mbetet ylli polar i orientimit të Kosovës. Trajtimi i “pakicave kombëtare” në Europë ashtë nji pasunim i shoqënive europiane dhe ka gjetë zgjidhjen e vet fatlume me legjislacionin demokratik, liberal, që garanton të drejtat e plota përtë gjithë. Duhet të heqim dorë nga politikat e së kaluemes së dhimbëshme kur pakicat kombëtare –sidomos ajo shqiptare në ish-Jugosllavinë- janë përdorue si “mollë sherri” nga politikanët e vendeve tona. Le të drejtojmë sytë drejt Europës, të ndjekim shembullin e Europës, dhe të përparojmë pa probleme artificiale”.

    Kjo eksperiencë krijoi nji shqetësim për mue: Serbia në Kushtetutën e re kon- sideron Kosovën pjesë të Republikës serbe. Serbia do të përdorë këte propagandë për trazimin e gjendjes në mes të dy vendeve; dola nga “tubimi”i bindun se e ardhmja e Republikës së Kosovës ashtë antarësimi në Bashkimin Europian…..

Me nji konditë: ky antarësim duhet meritue, jo të arrihet si nji “dhuratë”, ose “lëmoshë” për nji vend që nuk e meriton, qendrime që damtojnë randë dinjitetin e Republikës së Kosovës para botës së jashtëme”.

************

    Me 26 mars 2020, fletorja Panoramabotoi shkrimin tim “Për dinjitetin…e Kosovës” ku citohet botimi i analizës së diplomatit amerikan Shaën Byrnes,ish shef i MisionitDiplomatik në Kosovë (1998-99).  Aty thuhet se Presidenti Thaçi dhe ai i Serbisë Vuçic besohet të kenë përgatitë nji projekt-marrëveshje gjithëpërfshimëse, dhe ligjërisht të detyrueshme, dhe se ishte gati për firmën nga të dy palët kontraktuese. Pengesa vinte për dy arsye:

e para, simbasKushtetutës së Kosovës marrëveshje të këtilla duhen firmue nga Kryeministri e jo nga Presidenti;

e dyta, dyshohej se projekti përmbante klauzola ku të dy palët janë të gatshëme me ba shkembime territoriale. Me nji fjalë, diplomaci personale për nji problem thelbësor siç ashtë shkembimi i territoreve, që shkel parimin e paprekëshmënisësë integritetit territorial. Le të mos harrojmë se çdo ndryshim kufijsh shtetnorë sjellë në mënyrë të paevitueshme shkembime popullsishë, nji akt barbar në vete e që shqiptarët njohin shumë mirë. Mbyllja në suazën e shteteve kombëtare monolite i përket së kaluemes, dhe ka dhanë rezultate shkatërruese; ajo duhet abandonue!

Për nji komplikim matë madh, Administrata e Presidentit Trump që favorizon nji “zgjidhje” tëkëtill kercënon Kosovën, në rast mospajtimi, me tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, dheme ndërpremjen e ndihmave amerikane për Kosovën.“….Shohim se Administrata e jonë bllokon ndihmën për Kosovën,” deklaroi ish Ambasadori Frank Wiesner,Jr. në nji Intervistë për gazetën DIELLI te dates 3 korrik; “Sipas meje, ështëgabim thelbësor. Mendoj se kercënimi që mund të tërhiqen trupat nga Kosova është, po ashtu, shumë i gabuar.Ne nuk trajtojmë miqtë tonë në Kosovë më kercënime. Ne i trajtojmë me mirëkuptim. Tani, na duhet të rindërtojmë besimin dhe respektin që Kosova meriton….Tani, kryesorja është  të stabilizohet ambienti politik…” përcaktoi Ambasadori Wiesner,Jr.

    Çuditërisht, Presidenti Thaçi abuzoi këte presion amerikan për “luftën” e tij kundër ish KM Kurti., me kercënimin pa bazë se nji “mospajtim me SHBA-në rrezikon pa mëdyshje Kosovën dhe se nuk mund të lejohet.Tue komentue mbi këte vijë të gabueme, diplomati amerikan Byrnes sqaronte se “….udhëheqsit e Kosovës duhet të dijnë se miqësia me SHBA-në ashtë sot, dhe do të mbetet edhe nesër, e fortë. Ajo ashtë realiste dhe nuk devijon pa nji arsye të shkallës së parë, siç janëdamtimet einteresave të SHBA-së”. KM Kurti ka mbajtë nji qendrim parimor dheka pasë përkrahjen e Bashkimit Europian.

    Nga këtu lindi dyshimi se ndërhymja e Presidentit Trump motivohet nga përpjekjet e denduna me arrijtë“nji fitore diplomatike” nga nji marrëveshje Kosovë-Serbi që do të paraqitej “nji fitore” para zgjedhjeve të 3 nandorit. Eksperti Daniel Serwer, në nji intervistë me gazetën “Bota Sot” u shpreh : ” …Ashtë shumë e qartë që populli iKosovës nuk dëshiron shkembim territoresh….Ambasadori Grenell nuk ashtë mik i Kosovës. Ashtë fakt i njohun që ka lobim proserb shumë aktiv në SHBA“ (tue përfshi Nen-Presidentin Mike Pence, ish përkrahës i S. Millosheviqit. SR)

    Para nji gjendje të këtill unë përshëndeta Deklaraten e ASHAK të 10 qershorit 2020 (VoA) si “…pozitive, substantive dhe udhërrëfyese…” dhe çfaqa bindjen time se “…mundësitë e nji fitoreje të Partisë Demokratike të SHBA-së nëzgjedhjet e 3 nandorit 2020 janë të mëdha. Ardhja në fuqi e kandidatit demokrat, ish N/Presidentit të SHBA-se,Joseph R. Biden,Jr. do të ishte nji sukses për vendin tonë dhe botën mbar, dhe trajtimi i problemit kosovar do të kishte vemendjen e duhun….” Këte opinion e forcova nga takimet e mia personale me ish Senatorin Joseph R. Biden, Jr., ish kryetar iKomisionit Senatorial për Punët e Jashtëme dheme deklaratën etij në nji mbledhje shqiptaro-amerikanësh në Hilton Hotel, N.Y. :

   “….Fati i shtatë miljonë shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik ashtë gjithashtu kritik për interesat e vetë Amerikës. Në se legjitimiteti etnik i popullit shqiptar nuk do të njihet dhe nuk do të mbrohet, të gjitha njisitë që përbajnë atë regjon do të bijnë, dhe në se nuk jemi gati me stabilizue Ballkanin, na, Amerikanët, do ta paguejmështrenjtë.”(Panorama 26 mars 2020).

  Gjatë nji takimi në zyrëme kriminelin S.Millosheviq,Beogradprill 1993, Z. Biden rikujton, qortimin e ashpër: ” Unë mendoj se ju (Millosheviq) jeni nji kriminel lufte i damkosun dhe se ju duhet të dilni para Gjykatës si i tillë”. (Original: “I think you’re a damn war criminal and you should be tried as one!”) Z. Rubin, ish zadhanësi i Departmentit të Shtetit që ka asistue këte skenë shtoi:”Ka qenë nji përballim intensiv që unë nuk kam pa ndonjiherë; nji udhëheqës amerikan të ketëatakue kaq randë nji udhëheqës të huej. Ai (Biden) doli nga mbledhja me bindjen se Z. Milosheviq ashtënji“Satan” dhe Shtetet e Bashkueme duhet të bombardojnë forcat serbe…Z. Biden ka qenë nga të pakët zane që kanë këshillue Presidentin Bill Clinton me ndermarrë aksione ushtarake kundër Serbisë”(The New York Times, 6.VII.2020)

     Përpjekjet për përmbylljen e suksesshme të procesit të normalizimit të marrëdhanjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë kanë fillue nga BE. qysh në vitin 2011. Për arsye të ndryshme nuk kanë arrijtë qellimin e tyne.. Afër 30 marrëveshje të arrijtuna në Bruxelles nuk janë zbatue. Në këte gjendje të padëshirueshme erdhi ndërhymja amerikane. Në tetor 2019, Presidenti Trump emnoi përfaqsuesin e tij tëposaçëm, Ambasadorin Grenell, për bisedimet Kosovë-Serbi, nji hap diplomatik i papritun me qenë se pak kohë ma parë, Departmenti i Shtetit kishte emnue diplomatin e karrierës, Matthew Palmer, si përfaqsues të veçantë për  Ballkanin Perendimor. “Emërimi i tyre, deklaronte VoA, ndonse kishte nxitur pikëpyetje tek shumë veshgues, u mirëprit në Kosovë, ku roli i SHBA-sëvlerësohet i pazevendsueshëm në të gjitha proceset diplomatike”. Ambasadori Grenell rriti autoritetin e tij me suksesin në marrëveshje Kosovë-Serbi për linjet ajrore.

    Nji veprimtari e këtill amerikane detyroi Bashkimin Europian me rifillue procesin e ndërpremë, dhe në prill, diplomati M.Lajçak u emnue si perfaqsues i posaçëm në procesin e bisedimeve. “Unë pres që të sjell këte proces në përfundim tësuksesshëm” deklaroi Lajçak. Dhe shtoi:”…ajo që dij ashtë se BE. ka punuegjithëmonë shumë afërme SHBA-në dhe gjithçka që ashtë arritun në bisedime ishte rezultati i nji bashkëpunimi shumë të ngushtë në mes të SHBA-së dhe BE-se Kjo ashtë ambicia e jonë…” raportoi VoA.

    Mbas takimit Thaçi-Lajçak, Presidenti Thaçi bani tëqartë: ”Ne besojmë në angazhimet e sinqerta të Administratës Amerikane. Në fund të fundit, për ne ashtë me randësi jetike….që SHBA dhe BE të kenë nji koordinim të suksesshëm të partnerëve strategjikë për Kosovën, Serbinë dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perendimor” shkruente gazeta Illyria e 16 qershorit. Presidenti Thaçi ka deklarue se “…dialogu Kosovë-Serbi duhet të mbyllet me njohjen reciproke të dy vendeve”.

    Nji ferkim pakënaqsie në mes të Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës mbi rolin e tyne në negociatat shkaktoi ramjen e Qeverisë Kurtime 3 qershor, me anë të nji vote mosbesimi në Parlament, që dyshohet të jetë manipulue nga Presidenca. LDK-ja fuqia ma e madhe në qeverinë Kurti tërhoqi mirëbesimin, flitet me plotësue nji dëshirë amerikane, Ngjarjet u zhvilluen në nji periudhë kritike të përhapjes sëvirusit Covid 19 qërrezikoi jetët e qytetarëve dhe Kosova kishte nevojë për nji qeveri aktive, pa shqetësime politike.

Me ramjen e qeverisë Kurti, u formue nji qeveri e re nen kryesinë e Z.Abdullah Hoti.Ai mori përsipër me gjetë nji rrugëdalje për kërkesat amerikane e europiane Nji zhvillim i këtill favorizoi pozitën e Presidentit Thaçi, dhe nxiti atë të kerkojërolin kryesor në bisedimet me Beogradin, megjithëse Parlamenti ashtu si Gjykata Kushetuese janë tëmendimit se bisedimet me Beogradin janë përgjegjsia e Qeverisë, e jo e Presidentit, komentoi eksperti Daniel Serwer, nëThe AdriaticReporttë datës 6 qershor. Parlamenti mbikëqyrë bisedimet!

    Për sqarime të nevojshme, KM i ri Hoti deklaroi se “platforma e jonë për dialogun përjashton ndarjen apo shkëmbimin e territoreve”, dhe se “…për ne, si qeveri e si shtet, roli i BE-së dhe i SHBA-së ashtëkomplementar”.Nji pohim i këtill ashtë esencial në përcaktimin e rolit të Qeverisë së Kosovës në bisedimet dypalëshe. Ai shtoi se “…nuk ashtë i sigurtë nëse marrëveshja për normalizim të marrëdhanjeve me Serbinë mund të arrihet para nentorit, ku pritet të bahen zgjedhjet në SHBA”. Logjikë solide!

    Me 15 qershor Ambasadori Grenell lëshoi këte komunikatë: “Lajm i mirë! Kam marrë premtimin nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për të ndërprerë përkohësisht fushatën e tërheqjes së njohjeve dhe kërkesave për anëtarsim në organizata ndërkombëtare. Të dy palët do të takohen me 27 qershor nëWashington, në Shtëpine e Bardhë”.  Ai paralajmëroi “…në se ndonjera palë mbetet e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit atëherë do të kthehen në ‘status quo’pasi të largohen nga Washingtoni. Siç kemi thanëvazhdimisht, së pari duhet të përparojmë në zhvillimin e ekonomive. Ky është përqendrimi. Pres me padurim këto diskutime”, shkroi ai të hanën (15 qershor) raportoi VoA.  Nji ditë ma vonë, Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brian, tha se “është i kënaqur të presë udhëheqsit e Serbisë dhe Kosovës me RichardGrenell-in në Shtëpinë e Bardhë. Shtetet e Bashkuara janë duke pritur me padurim këto diskutime të rëndësishme”. Me këte rast, Presidenti H.Thaçi u përgjegjse  kjoështë thënë qartë në letrat qëi ka derguar vetë Presidenti Trump, ai është për njohjen e ndërsjellë në mes tëKosovës dhe Serbisë”. Njikohësisht, Presidenti i Serbisë, Alexander Vuçic tha se “njohja e Kosovës nuk do tëjetëtemë diskutimesh nëWashington”……

     “Zëri i Amerikës’” theksoi se “Ftesa për takimin në Shtëpinë e Bardhë u bë diten kur Bashkimi Europian nisi për në rajon të derguarin e tij të posaçëm, Miroslav Lajçak që të provojë rifillimin e bisedimeve të pezulluara (në vjeshtën e vitit 2018) ndërmjet dy vendeve.“

    Me 15 qershor, gazeta The New York Times botoi lajmin :”Udhëheqsi i Kosovës Përballohet me Akuzën për Krime Gjatë Luftës së Viteve 1990-ta” Udhëheqsi, Presidenti Hashim.Thaçi dhe kolegu i tij, (Kadri) Veseli, , akuzohen me dhjetëpadi shkelje dhe krime lufte para nji Gjykate Speciale në Hollandë. Prokurorët akuzojnë Presidentin Thaçi dhe luftarë të tjerë…si përgjegjës kriminalisht për afërsisht 100 vrasje….”

    Këto akuza që priteshin me dalë në shesh kohëma parë duhej të aprovoheshin nga anëtarët e Gjykates Speciale; prandej, momenti ipublikimit të tyne ka ardhë si nji e papritun e madhe, në Ballkan e nëWashington. Z. Thaçi pritej të takojë Presidenti Vuçic të Serbisë(me 27 qershor SR)për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, dialog i ndërmjetësuem nga zyrtarët amerikanë. Para kësaj situate, Presidenti Thaçi dhe Kryministri Hoti me delegacionin Kosovar u kthyen në Kosovë. Kthimii KM Hoti, mendoj unë, ka qenë nji gabim taktik, sepse ai ishte krytar i delegacionit që gëzonte besimin e amerikanwve. Ai duhej tëkishte vazhdue me bisedimet në Shtëpinë e Bardhë, dhe çeshtja Thaçi do të zgjidhej me mjete paqësore dhe legale. Kështu KM Hoti do të kishte afirmue identitetin e Republikës së Kosovës si shtet i lirë, kushtetues e funksionues, nji arritje meshumë randësi për Kosovën.

    “Nji zhvillim i këtill prekë Kosovën në të gjithë aspektet e problemit dhe prekë procesin e dialogut, në të cilin Presidenti (Thaçi) ashtë interlokutor kryesor për BE.-në dhe SHBA-në; prandej do të ketë nji efekt shumë të madh në skenën politike në Kosovë” reagoi Agron Bajrami,kryetar i agjensisë prestigjoze Koha Media Group (Prishtinë)raporton The Times, dhe komenton: “ Prokurorët  në Gjykatën Speciale janë detyrue me publikue  akuzat të merkurren (24 qershor SR) për arsye se disa akte jo të specifikueme nga ana e Z.Thaçi e Z.(Kadri) Veseli kishin për qellim me asgjasue punën etyne…” Akuzat e Prokurorit marrin nji kuptim ma të gjanë nga nji Gjykatë Speciale të themelueme nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2016, i paisun me juristë jo-kosovar, e qendrim nëThe Hague, me sigurue punën e tyne pa ndërhymje.

    Nji ditë ma vonë, 26 qershor, Administrata Amerikane shtyni afatin e mbledhjes për nji ditë të pacaktueme nëWashington. “Zyrtarët amerikanë kanë ushqye shpresën se “takimi” nëWashington do të kishte zbritë tensionin në mes të dy vendeve ballkanike dhe do të përfundonte në nji marrëveshje,’ shkruente The Times.. Z. Thaçi nuk ka komentue. Z. Veseli ka mohue akuzën.

   Nji aspekt i këtij denoncimi ka tërheq vemendjen e publikut të edukuem: shpallja e “akuzave” ashtë ba pa aprovimin e gjykatësit, nji praktikë e domosdoshme nproceduren penale. Në se Gjykata nuk e aprovon, akuza bien, dhe hetimet pushojnë.

    Komenti i parë i Departmentit të Shtetit pranon se “…ngritja e akuzës nga Prokurori i Specializuar (ashtë) nji hap përpara për drejtësinë në Kosovë. Njoftimi është esencial për avancimin e shtetit ligjor dhe drejtësisë, për viktimët në Kosovë, si dhe për vendin, që të kapërcejë këte periudhë të tmerrshme e të bashkohet me komunitetitn euro-atlantik,” tha për VoA zedhënsi i Departmentit.

   Nji eksperti jashtëm, Z.Peter Beyer, raportues për Kosovën në Këshillin e Europës dhe koordinator i Qeverisë gjermane në marrëdhanjet transatlantike, shkruente në Panorama të datës 26 qershor :”….të gjithë duhet të shohin qartë se nuk ashtë UÇK-ja që ashtë në bankën e të akuzuarëve këtu, por disa individë me pozicione drejtuese në UÇK, në atë kohë. Meritat e UÇK-së janë të padiskutueshme. Ky zhvillim duhet të shihet si nji shenj pozitiv nga populli i Kosovës, pasi tregon se vendi është në rrugën e shtetit kushtetues funksionues.

    Pajtimi është një element shumë i rëndsishëm në trajtimin e së kaluarës. Ai mund të funksonojë vetëm në se identifikohen krimet e së kaluarës. Ai mund të funksionojë vetëm nëse identifikohen krimet e luftës- posaçërisht kush ka krye krimin– dhe ndiqen e dënohen në përputhje me tëdrejtën. ”Gjykata Speciale” dhe prokurorët e saj luajtën këtu një rol vendimtar dhe duhet të mbështeten fuqimisht nga të gjitha forcat shoqërore dhe politike në Kosovë dhe partnerët europianë….”

    Nji mendim të njajtë çfaqen edhe firmuesët e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë: “…Pa dashtë me paragjykue drejtësinë ndërkombëtare, këto akuza nuk do të jenë në gjendje me errësue gjendjen e luftën e Kosovës për liri” (Tiranë,25 qershor)

    “…..Njizetë vjet pas lufte”, shkruenanalisti  mirënjohun Veton Surroi, “në opinion publik botënor fillohet të flitet për krimet e supozueme të guerrilëve shqiptarë karshi një gjendje në Serbi, ku tashmë janë rehabilituar të gjithë kriminelët e luftës dhe ashtë përfaqsuar në shumicë publike ideologjia serbo-madhe që solli këto krime. Në qarqet ndërkombëtare vrehet nji “sulm” i papritun kundër Kosovës në një moment kritik konsideroheht si “dënimi i ‘viktimës’dhe përkrahje e ‘fajtorit’”…” (Panorama, 2.korrik) Burime serioze si Humanitarian Law Center janë të mendimit që ma shumë se 10.000 kosovarë janë masakrue nga forcat serbe gjatë viteve tëluftës….por pakë serbë janë dënue!

    Ashtë nji fakt i pamohueshëm i luftës për liri të popullit të Kosovës bashkëpunimi i plotëi forcave të rezistencës kosovare- tue përfshi edhe UÇK-në- me forcat e ndërhymjes ushtarake të aleancës së NATO-s, nën drejtimin e SHBA-së. Ashtë absurde me mendue se nji bashkëpunim i këtill do të kishte qenëi mundun në mes të dy palëve, sikur UÇK-ja dhe forcat e rezistencës kosovare  të ishin konsiderue si“terroristë” ose “grupe kriminelësh” që veprojnë pa kontroll.

    Në nji konferencë shtypi për mediat nëKosovë, KM Hoti spjegoi:”Eshtë me interes për shtetin e Kosovës që ky proces (dialogu me Serbine,SR) të mbyllet sa më shpejt, duke qenë se ka interesim të madh nga Bashkimi Europian, nga vendet kyçe të BE. dhe nga SHBA-.Pavarësisht ndryshimeve, mbesim të përkushtuar për dialogun sepse dialogu nuk ka alternativë. Këte e kemi tregue në Bruxelles..Tani jemi duke berë angazhimet për Samitin e Parisit…” deklaroi ai, tue theksue se bisedimet janë krye me Ambasadorin Grenell, dhe interesimin e Presidentit frances E. Macron e kancelaren e Gjermanisë A.Merkel. KM Hoti spjegoi se Kosova takimet në Bruxelles e Paris nuk mund të konsiderohen të ndarë dhe të dy takimet kanë të përbashkët arritjen e marrëveshjeve përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. “Në publik duken takime të ndara. Nuk janë të ndara. Ka koordinim të ngushtë dhe të plotë në mes tëWashingtonit dhe qendrave europiane….Nuk bisedojmë për integritetin territorial dhe sistemin unitar.” Tue folë për “akuzat” e Prokurorit, KM Hoti tha se:” institucionet shtetnore duhet të tregojnë maturi dhe të respektojnë obligimet kushtetuese dhe marrëveshjet ndërkombëtare…”

    Në këte mes lajmesh shqetësuese, gazeta Express e datës 2 korrik njofton seKomisioni i Senatit Amerikan për Shërbimet e Forcave të Armatosuna në raportin e tij per buxhetin 2021, porositëqë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohjen reciproke., si elementi qendror i bisedimeve.”

    Ç’duhet të bajmë Nji mik i mirëi shqiptarëve, jep këte këshillë:

”Kosovës i duhet uniteti kombëtar. Në se ka nji moment kur duhet të ngrihen mbi dallimet personale dhe partiake, dhe të bashkohen në nji qendrim të përbashkët kombëtar, që të ruhet stabiliteti i vendit dhe të krijohet nji qeveri e përkushtuar që mund të përballojë edhe problemet ekonomike edhe shëndetsore si duhet në krizën aktuale, atëherë ky ashtë ai moment. Unë besoj se të gjithë miqtë e Kosovës nga jashtë duhet të përkrahin nji përbashkim të këtillë”, porositë Ambasadori F. Wiesner,Jr ish përfaqsues i SHBA-së në procesin e negociatave për statusin e Kosovës.

    Sot, Nana Kosovë ka nevojë për ne, të githë ne, pa përjashtim pa dallim!

7 korrik 2020

Filed Under: Featured Tagged With: identitetim, kosova, PhD, Sami repishti

RREZIKU I INFEKSIONIT DHE PESHA E COVID-19 NË SISTEMIN SHËNDETËSOR

June 23, 2020 by dgreca

Brunilda Alushi, MD, PhD, e specializuar në mjekësi të brëndshme dhe kardiologji në klinikën  universitare Charite´ në Berlin, Gjermani, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, specifikat e krijimit të vaksinës anti-covid dhe trajektoren e shifrave në shtetin gjerman. Me Dr.Brunilda Alushin, bisedoi gazetari Sokol PAJA.

GJERMANIA PËRMES SHIFRAVE TË COVID-19

Aktualisht situata në Gjermani në lidhje me SARS-CoV2 është nën kontroll. Më poshtë ju paraqes të dhënat më të fundit për situatën, të publikuara nga Instituti Robert Koch, i ngjashëm me CDC-në amerikane. Në figurën nr.1 më poshtë tregohet numri total i pacientëve CoVID19 positiv në Gjermani dhe në botë, si edhe numri i të shëruarve, i të vdekurve dhe grafiku i rasteve të reja në 60 ditët e fundit.

Figura 1. Situata e CoViD19 në Gjermani e në botë në datën 22.06.2020

Deri më sot në Gjermani janë raportuar 191,216 raste positive që dmth 2300 raste/1 milion banorë. Ndër ta, 174,663 janë shëruar dhe 8,961 kanë vdekur. Siç duket edhe në grafikun e më poshtëm, tendenca e infeksionit është dukshmërisht në rënie të vazhdueshme. Figura 2 tregon numrin e rasteve të reja (duke diferencuar nga ana kohësore kohën e raportimit të simptomave dhe kohën e regjistrimit të rastit në bankën e të dhënave).

Figura 2. Numri i rasteve të reja të CoViD19 në Gjermani nga 24.02-15.06.2020

Këto të thëna dëshmojnë se situate aktuale e infeksionit është nën kontroll dhe numri i të infektuarve është në rënie të dukshme. Bazuar në këto të dhëna, në Gjermani filloi gradualisht ulja e masave të lock-down dhe momentalisht vendi i është kthyer pothuajse normalitetit, me disa ndryshime të vogla në menaxhim nga shteti në shtet (çdo Bundesland=shtet gjerman, ka pavarësi vendosjeje, ngjashëm me shtetet amerikane). Shifra më e rëndësishme, e ashtuquajtur  numri i reproduksionit, i cili tregon ecurinë e infeksionit, është aktualisht mbi 1. Ky fakt tregon se momentalisht numri i rasteve të reja nuk është ende në rënie. Meqënëse në Gjermani numri i të infektuarve ka qenë përgjithësisht i ulët, nuk pritet një rritje e mëtejshme e numrit të të infektuarve.

ECURIA NË GJETJEN E VAKSINËS

Tema e vaksinës është tepër e rëndësishme. Ne duhet të jemi të kujdesshëm e të mos mendojmë se do ta kemi patjetër një vaksinë anti-CoViD19. Suksesi nuk është kurrë i garantuar në botën e shkencës. Disa viruse janë tepër të vështirë përsa i përket krijimit të një vaksine dhe aktualisht ende nuk e dimë nëse CoViD 19 i përket ose jo kësaj kategorie. Shpesh vaksinat e prodhuara kanë edhe probleme lidhur me toxicitetin pasi futen në trup. Megjithatë komuniteti shkencor i eksperteve virologë mendon se është e vlefshme të ndiqet rruga e prodhimit të vaksinës. Edhe nëse vaksina e prodhuar nuk do të ofrojë imunitet të plotë, ajo mund të japë mbrojtje të pjesshme duke e bërë sëmundjen më të lehtë. Dmth edhe nëse vaksina e prodhuar nuk është tepër efikase, mjafton të jetë aq efikase sa të ulet numri i fataliteteve nëse vaksinohet një numër i mjaftueshem qytetarësh.

MESAZHI PËR LEXUESIT E DIELLIT DHE DIASPORËN NË USA

Kujdesi për shëndetin është një e drejtë themelore e mbrojtur me kushtetutë. Një shoqëri e shëndetshme është shoqëri e fortë dhe e pasur. Informohuni për shëndetin dhe bëni kontrolle të rregullta tek mjeku që të siguroni parandalimin e sëmundjeve. Në lidhje me CoViD19, situata është tepër dinamike dhe duhet marrë seriozisht. Rreziku i vdekshmërisë  mbetet i lartë, ose shumë i lartë, për shtresa të caktuara të popullsisë në rrezik, si të moshuarit ose qytetarët me sëmundje kronike. Ju lutem bëni kujdes në lidhje me këto pika: Rreziku i infeksionit: varet tepër nga përhapja krahinore, kushtet e jetesës dhe sjellja individuale. Dmth në zonat me popullsi të lartë e numër të lartë të infektuarish, në kushte jetese ku shumë persona jetojnë së bashku në të njëjtën banesë (p.sh hospicet) dhe në raste të mos mbajtjes së masave mbrojtëse, rreziku i infeksionit është tepër i lartë. Rëndshmëria e sëmundjes: në rastet më të shumta infeksioni kalon lehtë. Probabiliteti që të shkallëzohet në sëmundje të vështirë rritet me moshën dhe prezencën e sëmundjeve preeksistuese. Pesha e CoViD 19 në sistemin shëndetësor: edhe kjo varet nga shpërdarja gjeografike e rasteve pozitive, nga kapaciteti i sistemit shëndetësor dhe masat parandaluese të marra në kohë. Përfundimisht i këshilloj bashkëatdhetarët që jetojnë në SHBA që të informohen në lidhje me pikat e mësipërme në zonën në të cilën jetojnë e të modifikojne sjelljen në bazë të probabilitetit të rrezikut në zonën përkatëse.

KUSH ËSHTË MD, PhD BRUNILDA ALUSHI

Brunilda Alushi, MD, PhD, mbaroi studimet për mjekësi (MD) në Universitetin e Torinos në Itali, e më pas kreu studimet e doktoraturës në mjekësi molekulare që i dhanë titullin PhD. Më pas ajo specializohet në mjekësi të brëndshme dhe kardiologji në klinikën e famshme universitare Charite´ në qytetin e Berlinit, në Gjermani. Përveç kërkimeve shkencore në fushën e mjeksisë eksperimentale, ajo u trajnua në biostatistikë të avancuar në Universitetin e Shëndetit Publik Harvard T.H. Chan School of Public Health, në Boston, USA. Aktualisht kërkimet shkencore të Dr.Brunilda Alushi përfshijnë teknikat moderne të imazhingut të zemrës si ekokardiografia dy-dhe tredimensionale, rezonaca magnetike dhe TC-scanner e zemrës, si dhe teknikat përkutane transkatetër për trajtimin e sëmundjeve valvulare të zemrës. Me punën e saj shkencore ajo ka qenë fituese e disa çmimeve ndërkombëtare, ndër të tjera Best Poster Award në Kongresin Europian të Kardiologjisë ESC 2018 dhe fituese e vendit të parë për grantin europjan 2020 të Shoqërisë Europiane të Imazhit Kardiovaskular (European Association for Cardiovascular Imaging). Ajo është autore dhe bashkëautore në shumë punime shkencore publikuar në revista prestigjoze ndërkombëtare dhe pjesëmarrëse aktive në kongreset ndërkombëtare të kardiologjisë. Aktualisht Dr. Alushi punon si specialiste kardiologe në fushën e kardiologjisë interventiste dhe merret me trajtimin e sëmundjeve koronare dhe valvulare të zemrës në departamentin e Kardiologjisë Interventiste të Helios Klinikum Erfurt dhe kryen kërkime shkencore pranë departamentit të kardiologjisë në klinikën Universitare Charite´, në Berlin, Gjermani.  

Filed Under: Politike Tagged With: Brunilda Alushi, COVID-19, Infeksioni, MD, PhD, Sokol Paja

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT