• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PIANISTI

August 4, 2014 by dgreca

Nga KRISTAQ TURTULLI/
Zilja e telefonit tringëlloi me potere. U drodha dhe me inat ngjesha fytyrën pas nënkresës së lagur prej djersës. Mbrëmë erdha vonë në shtëpi, për shkak të trafikut të rënduar. Ndërsa gjatë natës ishte zagushi, mungesë ajri dhe gjumin e bëra me copa. Tringëllima acaruese e cërres më shkaktoi një shije jo fort të këndshme. U ngrita ndenjur, fërkova sytë dhe vështrova hijet gjarpëruese që dridheshin në mur.
Tingëllima e ziles u përsërit gjithë këmbëngulje, gati urdhëruese. Flaka mbulesën e qullur nga djersa, duke sharë e mërmëritur nëpër dhëmbë. Ngrita dorezën e ftohtë të telefonit dhe shtrëngova tëmthat.
– Alo, – fola mbytur dhe u kollita.
– Halo! Më dëgjon? Halo, jam Belbani, – foli zëri i zvargur përtej linjës telefonike.
– Fol, të dëgjoj, – i thashë. Ndërsa me vete shtova: Belbani! Hej dreq. Mugëtira e kohës lëvizi me ngërç dhe më thërrmoi gjumin e copëtuar. Për çfarë i paska shkrepur plakushit Belban të cilit pothuajse ia kam harruar figurën. Pa më telefonuar kurrë, më shkund dhe kur akoma nuk ka feksur agu i mëngjesit.
– Halo. E more vesh? Ka vdekur Poli, Polikroni.
Nuk i ktheva përgjigje. Nga ta merrja vesh mijëra kilometra larg! Shtrëngova tëmthat.
– Halo. Më dëgjove? – ngulmoi Belbani.
– Të dëgjova, – i fola thatë: – Të dëgjova. Perëndia e ndjeftë!
– Halo, – vazhdoi Belbani. – I gjori vdiq i vetëm në fshat. I varfër, si Jeronim de Rada. More për çudi edhe Polikronit i gjetën një cironkë të thatë në xhep. I gjori Poli, amanet e la; ta varrosin në bashtën e shtëpisë, jo në varrezat e fshatit, prapa kishës pa kambanore.
‘Nuk dua të kullosin mbi mua derrat e dosat. Të mos më shkelin harbutët.’shkruante…
– Halo, më dëgjon? U fyen katundarët. Shuk e bënë letrën prej inatit dhe thanë, si gjallë dhe vdekur s’u mor vesh. Allasoj ky njeri. Eh! Merhumi Poli, se mos dëgjon dhe shikon…
Mu bë sikur fryu erë prej dritares gjysmë të hapur dhe më ftohu damarët e qafës. Hodha krahëve xhaketën e pizhames. Fërkova përsëri sytë dhe gogësiva. Belbani vazhdonte të fliste, më kërkonte të falur:
– Halo. Jam plakur mik. Më ka zënë veshi se andej nga ty mëngjesi vjen vonë dhe harrova…
Por unë nuk dëgjoja…
Allasoj njeri, përsërita instinktivisht me vete. Plaku Belban më zgjoi kujtimet e shumë viteve të shkuara. Atëherë, kur isha mësues i ri, i gjuhës ruse…

II

Dita ishte e bukur por e ftohtë. Përpara kafesë së vjetër ‘Kuçi gota’ dëgjova që më thërrisnin:
– Hej presor!
Ishte Belbani, përgjegjësi i shtëpisë së kulturës së qytetit.
Belbani qe së bashku me Polikronin, që e thërrisnin shkurt Poli. U gëzova që i takova. Nuk do ngrysja pasditen vetëm si murg.
– Dhe Poli tashi zbriti, – tha Belbani dhe më vendosi dorën miqësisht në shpatull.
Poli luajti kryet në shenjë aprovimi e më përshëndeti.
Belbani ishte burrë i shkurtër, këmbështrembër, po të ecje pranë tij të godiste me bërryl. Ai qe fjalëshumë, baballëk, rrumbullak, me flokë të rëna dhe vetulltrashë. Fytyra e mbushur që i djersinte me shkak e pa shkak. Atij i pëlqente të mbante kapelë dhe rroba doku kaki si kinezët. Këpucët e vjetra, të zbardhëlluara ushtarake me qafa nuk i hiqte dimër dhe verë. Këmishën prej doku kaki nuk e fuste brenda pantallonave, por e linte të varur, ndoshta për shkak të barkut.
Poli qe e kundërta e tij. Burrë i gjatë, hundëmadh, kockor, me flokë të dallgëzuar, gështenjë, të lyera me xhelatinë. Ishte i vetmi në qytet dhe në rrethinat përreth që lyhej me xhelatinë. Cepat e ballit i qenë zbuluar dhe i kishin marrë formën e një gadishulli. Poli qe burrë i heshtur, i qetë, i mbyllur. Rrobat i mbante të pastra akull dhe jaka e bardhë e këmishës i qëndronte gjithnjë e pa kopsitur e ngritur. Si të ndalte erërat e forta, të mos i ftohnin qafën. Këpucët me shollë i shkëlqenin, i lustronte me kujdes. Në kontrast me natyrën, këmisha e ngritur i ndriste dhe ngjante si njeri i hekurosur. Poli nuk jetonte në qytet, por në cepin më të skajshëm të fshatit Boro dhe ish i pamartuar.
Me Belban Shakën më lidhi bilardoja. E luanim ndonjëherë në muaj në shtëpinë e oficerëve. Kur i gjenim të lira, se shpesh ato ishin të zëna. I shkoja pas ujërave Belbanit, ishte njeri me huqe. Por ai kish fletë të përhershme anëtarësie për të hyrë në shtëpinë e oficerëve dhe luajtur bilardo.
Belbani m’u gjend në mot të ftohtë janari, me ngricë. Disa ditë më parë dëgjoi që kërkoja të blija jorgan, por s’gjeja. Me dy kuvertat e holla nuk ndjeja të ngrohtë, në hotelin e ftohtë pa ngrohje. Ai erdhi në dhomën time të akullt dhe më dha të mbulohesha me perden e kuqe të skenës deri sa të blija jorgan.
Dikur Belbani bëri kërkesë në komitet të vinte bilardo në shtëpinë e kulturës.
‘O shokëni, sa të bredhin ftujakët rrugëve të qytetit, le të luajnë bilardo.’
‘Kërkon të vesh bilardo në shtëpinë ku bëhet art dhe kulturë, do të ndezësh kumarin! Të ushqesh shfaqjet e huaja,’ i thanë shokët e partisë.
‘Nuk është Belbani për ato punë të fëlliqura. Vetëm një gjë nuk kuptoj; përse vetëm shtëpia e oficerëve ka bilardo?’ u foli ultas, me druajtje Belbani.
‘Shtëpia e oficerëve është në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtëpisë Qendrore. Detyra jote si përgjegjës është të përmirësosh punën. Të tërheqësh rininë më pranë artit dhe kulturës revolucionare.’
Belbani i vuri kyç gojës për çështjen e bilardos. Ndërsa veten e shau mbarë e prapë: T’ëmën e s’ëmës, buf i dreqit, shkove e kërkove si breshka gozhdën. Mos do të ta shkulin prej goje dhe këtë kafshatë?
Belbani i kishte qejf karambolet. Të fuste disa bila njëherësh dhe të fërkonte barkun me kënaqësi. Por karambolet i bënte rrallë e për mall dhe për këtë tërbohej. Poli vinte rrallë e luante rrallë, me ngathtësi. Nuk qe fort i vëmendshëm në lojë, humbiste gjithnjë. Prandaj më shumë parapëlqente të ulej në stol. Pinte cigare e ndonjë gotë fërnet dhe sypicërruar ndiqte në heshtje lojën. Të dy ishin rreth të pesëdhjetave, ndërsa unë njëzetepesë vjeç.
Që prej tre vjetësh jepja lëndën e rusishtes në gjimnazin e vetëm të qytetit të vogël jugor. Shtëpitë e gurta, të ngucura njëra pas tjetrës, ngjanin sikur donin t’i kacavirreshin me ngut shpatit të malit. Buzë mbrëmjeve, në postafët e gurtë, anës dyerve, uleshin gratë, thurnin triko me shtija dhe ternin thashethemnaja. Pensionistët luanin shah ose domino në lulishten e vogël përballë stadiumit të lojërave me dorë. Anës oborreve të shtruar me plloça guri, harliseshin trëndafila të bardhë e të kuq dhe nëpër saksi rriteshin karafila e borzilokë. Qyteti ishte i vogël por me vajza të bukura, të hijshme, të cilat përgjoheshin hap pas hapi nga sytë vigjilentë të familjarëve dhe miqve.
Kur miqtë më pyesnin: si shkon atje? unë fare lehtë mund t’ua ktheja: ‘Pa m’u gremisni tutje! Më pyesni si shkoj atje, hë? Merreni me mend, ç’mund të bësh në një qytet ku vajzat shkojnë flenë me pulat.’
Për inat të tyre, u thosha:
‘Jo keq. Qyteti ka trëndafila e borzilokë dhe vajza të hijshme.’
S’doja t’ua bëja qejfin. Por shpesh qyteza më ngjante me një guaskë are e flakur në vrimë. Ishte gjëja më e mërzitshme e botës dhe frynin vazhdimisht erëra. Netëve të thella nëpër rrugë e rrugica dilnin dhe bridhnin qen të dobët rrugaçë e mace kobashe. Të dukej sikur turreshin me kope prej malit. Përmbysnin koshat e plehrave, ziheshin, kacafyteshin dhe lehnin e mjaullinin me potere.
Nuk duhet t’ia haja hakën qytetit të vogël. Nuk gjeje të dytë për glikonë e famshme që përgatitej nga kokrrat e pa arrira te arrës së cilës i fusin një bajame e një karafilkë. Përveç kësaj, qytetarët kishin shumë për zemër rrushin, ullirin, fikun etj.
Shokët i shkelnin syrin njëri-tjetrit dhe qeshnin me ironi. Ata e mbanin mend mirë sa gurë u lëvizën dhe sa sherr u bë nga unë e familja ime të mos shkoja në atë qytet. Pa ndarë të qeshurën e keqe, më thoshin:
‘Ore birbo, shiko mos ngecesh me ndonjë të hijshme jugore!’
Tundja kokën dhe nuk u ktheja përgjigje.
Qeshnin, përse të mos qeshnin. Përfundova një shkollë të lartë dhe ëndrrat e mia përfunduan në shkumë sapuni. Qyteti im ndodhej larg, në lindje. Dhe s’ishte e mjaftueshme dita e diel për të shkuar në shtëpi dhe kthyer brenda ditës. Autobusët dhe makinat numëroheshin me gishtat e dorës. Rruga për në qytetin tim qe e keqe, me kthesa, të përpjeta dhe tatëpjeta. Një pjesë e rrugës e paasfaltuar, e shtruar vetëm me zhavorr.
Nuk është turp ta them. Në muajt e parë të emërimit, më shkundte rruga, më bënte për qepë me kripë. Më përziheshin zorrët, më zinte makina dhe villja. Kjo ma ndizte më tepër marazin. Ndërkohë shumë prej bashkëmoshatarët e mi, shëtisnin dhe argaliseshin çdo mbrëmje lulishteve të qytetit tim të lindjes.
Me kohë m’u regj lëkura. E pranova pa kushte largesën dhe nuk më bënte përshtypje. Më duheshin të paktën dy ditë të shtrënguara për të shkuar pranë familjes dhe miqve. Prandaj më binte ta bëja këtë rrugë pak a shumë një herë në muaj. Me bezdi dhe inat të heshtur i shkoja dhe merrja lejë drejtorisë së shkollës. Të më jepte pushim ditën e shtunë dhe dy tre orët e para të ditës së hënë. Rami Dërrmaku, drejtori pa ngritur kokën, vinte vërdallë, përtypej dhe pa parë nga unë, më jepte lejë me gjysmë zëri. Psherëtinte thellë, mërmëriste, sikur të mos isha në zyrë:
– Hej bela, me kë mësues ta zëvendësoj për rusishten.
Dreq o punë, sikur ishte faji im që qyteti im i lindjes gjendet larg dhe përsëri faji im që isha diplomuar për rusisht. Së paku një herë në muaj a nuk kisha të drejtë të shkoja pranë familjes? Kërkesat e mia për afrim pranë shtëpisë ishin bërë kapicë në zyrën e kuadrit.
Qyteti si gjithnjë ishte sy e veshë. Djalë isha, më ziente gjaku, e ndonjë simpati e vakët më tretej në çast prej frikës së përgojosjes. Më dukej vetja jetim në një qytet jetim që ngucej me nervozizëm në gji të malit. Preferoja të barisja pa ndonjë qëllim në trotuare, nën blirë.
Kur lodhesha së shëtituri, kthehesha në dhomë, përktheja për qejf Eseninin. Ose bridhja shikimin përtej dritares për të humbur mendjen. Herë shihja me indiferentizëm plakën e vetmuar Efigjeni të ulur në stolin prej kashte, me macen bardhoshe në prehër. Flokët e argjëndë, të mbledhur topth prapa kokës. Me jakë të madhe punuar me grep, si nxënëset e shkollës fillore. Ajo çdo mëngjes dhe mbrëmje bisedonte me macen bardhoshe. Së paku plaka e kish një mace që thyente gjuhën. Dy herë më ftoi të pija kafe me të. Por ajo ngaqë ish miope, katër herë në vend të merrte filxhanin e kafesë, gabimisht më kapte për gjuri…

III
Vështrova me bisht të syrit nga shtëpia e oficerëve, oxhaku i së cilës nxirrte tym të bardhë. Me siguri tymi dilte prej kuzhine. m’u bë sikur ndjeva në hundë erën kundërmuese dhe provokuese të paçes së kokës, gatuar prej Listo kuzhinierit.
– Shkojmë bëjmë një dorë bilardo, – u thashë. Ndërkohë mendova, me këtë rast mund të haja një pjatë të shijshme paçe koke. Rrëkëlleja e një birrushkë të freskët Korçe.
Belbani hapi këmbët dhe futi duart në xhepa. U përtyp me bezdi. Ia bëri me kokë nga shtëpia e kulturës që gjendej përtej bulevardit:
– S’e lë vetëm shtëpinë e kulturës. Duhet të pres një studente të përfundojë provat në piano.
– Një studente luan në piano! – ia bëra me habi.
– Ëhë! Bija e doktorit. E njeh doktor Samiun? – më pyeti Belbani.
– E njoh doktor Samiun, – u përgjigja.
– Çupën e doktor Samiut e mban mend?
– Më kujtohet, – i thashë.
– Paska vajzë studente doktor Samiu, – ia bëri Poli me vështrim të perënduar diku.
– Përse habitesh, – ia ktheu Belbani: – Është çupë për kokën e çupës, lozën në piano.
– Luan në piano! – mërmëriti përhumbshëm Poli.
– Ëhë, lozën që ç’ke me të, – pëshpëriti Belbani.
– Kur ka ardhur bija e doktor Samiut? – pyeta. Dodonën, të bijën e doktorit e pata nxënëse në vitin e parë të emërimit tim në qytet. Ajo ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme. Për bukuri e hijeshi dallohej mbi të gjitha vajzat e tjera të shkollës.
– Ka ca javë. Doktor Samiu m’u lut të sillte çupën pasdite në shtëpinë e kulturës, më tha: lëre të lozë në piano.
– Me sa më kujtohet, Dodona duhet të jetë në vitin e dytë të konservatorit, – i thashë.
– Nuk e di, – ia bëri Belbani dhe më vështroi me bisht të syrit.
Ndërsa unë e dija si dreqi, Dodona ishte në vitin e dytë të konservatorit. Kur jepja mësim ndjehesha si në gjemba prej zhbirimeve të shikimeve. E qeshura e saj kumbuese gjithë çiltërsi, më turbullonte. Ajo nuk tregonte shumë interes ndaj lëndës së gjuhës ruse dhe unë nuk e vlerësova me notën maksimale. Në muajin e fundit të vitit shkollor drejtori Rami Dërrmaku më tha një ditë si gjoja rastësisht:
‘Dje piva kafe me doktor Samiun. Ai më tha se mendon ta dërgojë të bijën në konservator të studiojë për muzikë.’
‘Shumë mirë,’ i thashë.
‘Muzikës nuk i nevojitet gjuha ruse,’ më tha.
‘E di,’ thashë pa e pasur mendjen plotësisht aty.
‘Ngrije ndonjë herë të përmirësojë mesataren.’
E folura e drejtorit Rami Dërrmaku ish midis miqësores dhe urdhërores.
Më erdhi t’i bërtisja në fytyrë. Ore buf që fshihesh pas karriges së drejtorit. Ç’më di mua, të bëj allishverishe me profesionin e mësuesit? Isha në vitin e parë dhe drejtori, si të m’i kish blerë mendimet, më vështroi ngultas, me qesëndi. Më hodhi një shikim autoritar, si të më thoshte: ‘more djalë je akoma tek A-ja e profesionit, dëgjona ne të vjetrit’. Më tha:
‘Shiko ti, bëj detyrën ti,’ nënqeshi.
Sugjerimin e drejtorit ma përforcuan edhe disa kolegë të tjerë. Ndërsa shikimet e tyre më thoshin: djalë, nuk e vret njeri mendjen për rusishten. Kjo gjuhë ka mbetur aksidentalisht në tekstet tona shkollore. Ne tani nuk jemi më miq me rusët. Pra, tani ajo është një gjuhë e vdekur. E vdekur! Si guxoni! Më fyeni lëndën që e jap me shumë dëshirë. Fyeni gjuhën e një populli të madh. Gjuhën që i kënduan me aq patos, Tolstoi, Pushkini, Esenini, Çehovi… I gëlltita menjëherë fjalët që doja të thosha. E dija, do më futnin me shumë dëshirë në qerthullin e shëmtuar të politikës, për të mos dalë kurrë. U ndjeva bosh, lëviza shpatullat i nervozuar dhe pa i vështruar, ika.
Dodonën e ngrita në mësim ditën e nesërme. Qerpikët e saj të gjatë e të zezë dridheshin. Ishte përpjekur të mësonte, por jo aq sa të meritonte notën maksimale. Me dorë të dridhur dhe me gjysmë zemre i vura dhjetë. Fundja nuk do shkojë në universitet të studiojë gjuhën ruse, do mësojë për muzikë, e ngushëllova veten.
Prandaj nuk e mora fort me qejf vajzën e doktor Samiut edhe pse kurmi i derdhur i asaj bukurosheje më pështjellonte.
Nuk e dëgjova përgjigjen e Belbanit. Poli pinte cigare sy picërruar dhe qëndronte indiferent.
Belbani vështroi i mërzitur orën e dorën dhe eci i pari drejt shtëpisë së kulturës. Mesa kisha dëgjuar, ai pat përfunduar shkollën dy vjeçare për metodist kulture. I binte pak fizarmonikës. Vite më parë në një stërvitje ushtarake i ndodhi një plasje në stomak, e çuan urgjent në spital. Pas kësaj e liruan prej ushtrie dhe e caktuan përgjegjës të Shtëpisë së Kulturës.
I ramë pas. Belbani qëndroi në krye të derës së madhe dhe puthiti këmbët si ushtarak. Mbajti vesh.
– Dëgjoni gjë? – pyeti.
M’u bë sikur dëgjova disa tinguj të lehtë pianoje që lëviznin nëpër erë. Por nuk isha i sigurt. Belbani u kthye nga ne. Vuri duart në mes dhe luajti kryet si të na thoshte: Bah, sa punon kjo e bija e doktorit. Lodhet shumë e gjora.
– Presim dhe ca, – foli pas pak Belbani.
– Si të duash. Presim.
U ula galiç dhe mbështeta shpinën në murin e ftohtë. Prej oxhakut të shtëpisë së oficerëve vazhdonte të dilte tym i bardhë. Era e mrekullueshme e paçes më përkëdheli hundët.

IV

Poli u fryu shkallëve prej graniti e shtroi mbi to shaminë e bardhë. U ul mbi shami. Me majat e gishtave ngriti me kujdes pantallonat te vijat e hekurosura, të mos i zhubroseshin. Plogështisht vazhdoi të thithte cigaren dhe të largonte tymin me dorë. M’u qesh. Isha gati t’i thosha: kur s’e duron duhanin përse e pi? Ishte njeriu më fjalë pakë që kisha njohur. Nuk kishte shumë dëshira dhe gjëra të veçanta që t’i interesonin. Prania e tij nuk mërziste e bezdiste njeri. Më dukej sikur në personin e Polit ish tipiku i magazinierit të fshatit. I vetëm, i gërmuqur mes shkresave, thasëve të fasuleve, fruta-perimeve, mullarëve me kashtë në magazinën e vjetër të fshatit Boro. Ai më shumë dëgjon, mbyllet në magazinë dhe bën mbledhje e zbritje për hyrjet e daljet. Fshatarët grinden, llomotisin, ndërsa ai dëgjon vetëm një melodi, gërr-mërin e pandërprerë të minjve. Nuk e di për çfarë arsye, por kur zbret në qytet vishet me kujdes, me sqimë dhe këmisha e bardhë i ndrit. Trupderdhur, në dimër i ka hije palltoja gub dhe kostumi që mban. Duket snob, maniak, njeri i vogël që i ka perënduar koha.
Me siguri fshatari Poli zbritjen në qytet e quan ritualin më të rëndësishëm të jetës. I gjori, kërkon të bëhet qytetar me zor. Mua nuk më prish punë. Le ta jetojë si të tjerët botën e tij të vogël katundare.
Dikur më tërhoqi paraqitja dhe veshja impozante e Polit. Me lirshmëri zgjata dorën ta takoja. Me shpresë se mos gjeja një njeri interesant. Më tërhoqi lëkura e bardhë dhe paraqitja e tij e hekurosur.
– Është presor i rusishtes, – i tha Belbani.
– Bukur, – mërmëriti Poli dhe luajti kryet: – Fort bukur.
Shprehja e fytyrës së tij qëndroi pa lëvizur. Më preku vetëm majat e gishtave dhe dorën e tërhoqi menjëherë. Vështrimin e kish të përgjumur, të ftohtë. Gishtat e tij m’u dukën të akullt. U ndjeva bosh.
Nuk gjeti ndonjë fjalë tjetër të thoshte, por ‘bukur, fort bukur!’ ia bëra me vete. Mos donte të tallej?! Kur edhe shqipen nuk e fliste mirë. Në mbledhjet e këshillit pedagogjik të shkollës, shpesh ndjehesha si biri i njerkës, më poshtë se mësuesi i punës në dru. E gjitha kjo për faj të politikës. Çdo gjuhë të huaj të mësojë njeriu është një dritare e re në jetë, më thoshte nëna. Ajo ngulmoi të studioja për gjuhën ruse. Për shkak të miqësisë e nostalgjisë që kishte me disa gra ruse të cilat i njohu kur punonte për tharjen e kënetës.
Poli qëndroi në heshtje gjatë gjithë kohës. Një hop më hipi inati, t’i bërtisja në fytyrë: Pa thuaj edhe njëherë ‘bukur’. Sigurisht për një tip si ti është ‘bukur’, ndërsa për mua është skëterrë.
Ai dukej moskokëçarës, me mosinteresim të plotë për çfarë bluaja unë në mendje. Më la përshtypje të turbullt. Nuk thonë kot, të pret veshja po të përcjell mendja. Të mos ishte Belbani, me Polin nuk shtyhej pasditja. Qe një gjë si e gërvishtur, me grënçka në tokë të thatë. Shpesh kur fliste ia këpuste kot, roma për toma. Më dukej sikur mendja i punonte për shkarpa. Aq sa mezi prisja të shkëputesha prej tij.

‘Nuk më ke thënë, me çfarë i pëlqen të merret Poli?’– pyeta një ditë Belbanin.
‘Poli, hëm! Siç e di i mbyllur në atë magazinë fshati, – më tha Belbani, – Pa grua, pa fëmijë, pa njeri.
‘Nuk më kuptove. Të pyeta, me çfarë i pëlqen të merret, përjashto magazinën?
‘Me përjashtim të magazinës, me asgjë, absolutisht, asgjë,’– më tha Belbani.

V

U mpiva ashtu, i ulur në bisht. U ngrita në këmbë. Belbani vështroi përsëri orën e dorës dhe mërmëriti me zë të ndryshuar:
– Doktor Samiun e kemi mik të mirë dhe kjo luan shumë.
– Kush luan shumë? – pyeti me përtaci Poli.
– Të thashë, çupa e doktor Samiut.
– Aha, – ia bëri Poli indiferent dhe u ngrit në këmbë. Vështroi pantallonat me shqetësimin e ndonjë zhubrosje të papritur, – Ikim.
– Presim edhe pak, – tha Belbani.
– Presim, – ia bëri Poli apatik.
– Ka kohë që luan në piano? – e pyeta.
– Nja tre a katër orë të mira, – u përgjigj Belbani.
Me thënë të drejtën më brente kureshtja të shihja Dodonën, ish nxënësen time. Si do t’i kish ecur shëndeti dhe sa ishte zbukuruar gjatë këtyre dy vjetëve të jetës studentore. Ndoshta sëmundja mund ta kish zbehur pak. Në mbrëmjen e maturës së klasës së saj, Dodona i ra sallës mes për mes dhe më ftoi në vallëzim. U pështjellova, ajo vetëtinte e gjitha. Sa e magjishme ishte dreqja. Ajo ma vendosi lehtësisht dorën bardhoshe e topolake mbi shpatull. E tërhoqa pranë. Dora ime shkau lehtë në trupin e saj të derdhur dhe u preh e druajtur në belin e hollë. Ajo u drodh pak prej prekjes sime, por unë bëra sikur nuk e vura re. Më dukej sikur e gjitha farfurinte dhe kurmi i saj i derdhur përhapte aromë dehëse. Ajo më shihte çiltërsisht në sy dhe buzëqeshte. Mua më dukej sikur fluturonte. U drodha. Befas më hipi një trill i çmendur, t’i thosha, je e mrekullueshme dhe t’i thosha: të dua! Por kur u kujtova që isha mësuesi i saj… Më erdhi inat me veten. Përse atë moment duhej të isha në pozitën e mësuesit e jo të një djaloshi të ri që magjepset prej bukurisë dhe hijeshisë së femrës? Për të përzënë plogështinë time i thashë:
‘Pra vendose të ndjekësh studimet e larta, kështu?
Ajo luajti kryet e gëzuar.
‘Ëhë’, ia bëri.
‘Të pëlqen muzika?’
‘Shumë. Dua të bëhem muzikante e madhe.’ Ajo m’u duk shumë e lumtur. Ishte e shpenguar, gjendej akoma në shilarësin e adoleshencës. Nuk kuptonte pështjellimin e një mashkulli pranë një bukurie ndezëse femërore. Ajo kërkoi të rrotullohej sipas muzikës dhe unë dallova cepin e tulipanit të bardhë të gjoksit. U tërhoqa i trishtuar. M’u duk vetja i marrë. Përnjëherësh e ngushëllova veten: në detyrën e mësuesit do të hasja pothuajse çdo vit bukuri të tilla provokuese, me tulipanë dhe zambakë gjoksi të mrekullueshëm. Prandaj duhet t’i frenoja ndjenjat. Më vonë atë natë erdhën të tjera vajza, më ftonin të vallëzoja, nuk pranova. Nuk doja ta përzieja aromën kundërmuese të kurmit të Dodonës.

VI

Filloi të frynte erë dhe Poli shtrëngoi pas qafës jakën e bardhë të këmishës. Belbani hoqi kapelën, la t’i freskohej koka. Fërkoi me shami djersët që i kishin mbuluar çaçkën e zhveshur të kokës. Shkundi kapelën pa qenë nevoja dhe me inat e rrasi në kokë. Mbajti vesh mos dëgjonte gjë. Mblodhi buzët dhe tha:
– Hymë brenda. Ta kujtojmë çupën e doktorit, të mos lodhet shumë. Kemi përgjegjësi qytetare po u sëmur çupa e doktor Samiut.
Vështrova nga Belbani. M’u duk ironik.
– Shko ti, shko, – i tha Poli.
Belbani hyri në korridorin e Shtëpisë së Kulturës. Pastruesja kish lënë në cep të murit, kah derës kovën dhe leckën që lante parketin. Belbani mori kovën duke sharë dhe luajtur kryet me inat, për pakujdesinë e pastrueses. I fshehu pas një të ndare. Unë pa e bërë të gjatë i rashë Belbanit pas.
Poli qëndroi në krye të derës në mëdyshje. Belbani ia bëri me dorë ta ndiqte dhe preu nga korridori i majtë. Unë afër tij. Pas meje dëgjova këpucët me shollë të Polit. Belbani mbajti këmbët dhe ktheu kryet ngadalë. Vuri gishtin tregues mbi buzët si të na thoshte; mos flisni. Qetësi. Vështroi ngulët nga ne.
– Të ketë ikur dhe ne nuk e kemi vënë re? – pëshpëriti.
– Kush? – pyeti për herë të tretë Poli me zë të vakët.
– Çupa e doktorit. Kaq shpejt harrove? – shfryu me inat Belbani.
Poli nuk u fye. Fytyra i qëndroi pa lëvizur, vetëm sytë i brodhën gjetiu. Unë ngrita supet. U pendova që isha bashkuar me ta. Më mirë të kisha qëndruar vetëm dhe të mendoja diçka tjetër. Më mundonte një strofë e një poezie të mrekullueshme që po përktheja prej Pushkinit. Poezia fliste për një dashuri të tradhtuar, vrasje dhe një shall të zi. Vetëtimthi më mbiu në mendje pyetja: përse duhej të fshihej prej nesh e bija e doktor Samiut, ajo nuk e di që ne presim jashtë në korridor?
Belbani mori frymë thellë dhe ndenji një hop i menduar. Vështroi me mëdyshje nga korridori. Dukej i hutuar. Nuk e kuptoja Belbanin. Ç’e kish këtë hutim në ambientin që drejtonte për vite me radhë. Ai njihte më mirë se kushdo çdo vërë dhe vërushkë të shtëpisë së kulturës. U lëkund si të ish i dehur dhe vështroi shpejtas nga ne.
– Të ketë ikur, – përsëriti i zhgënjyer.
– Le të ketë ikur, – ia bëri i bezdisur Poli.
– Duhej ta shihja. Nuk u shkula prej pemës, – pëshpëriti i nervozuar Belbani.
Ai na bëri shenjë të dilnim jashtë. Si të shushatur i ramë pas. Nuk kuptonim se çfarë donte të bënte dhe ku donte të dilte. Belbani zbriti shkallët me nxitim. Ndaloi në cep të Shtëpisë së Kulturës, nga e majta, nën blirin e vjetër. Vështroi nxitimthi nga ne.
– Ka ditë, vjen e ikën si era dhe unë e pres si debil tek dera, – pëshpëriti dhe shtoi: – Herë e gjej dhe herë s’e gjej. Kur kthej krahët, dëgjoj gërvishtjen e kanatës, nuk shoh njeri të hyjë dhe të dalë prej dhomës. S’e marr vesh është era apo është ajo. Herë dëgjoj muzikë që shkund gjithë godinën dhe herë më duket sikur më zukasin veshët.
– Të bëjnë veshët, qysh dhe përse? – pyetëm të habitur unë dhe Poli në një gojë.
– Nuk mendoj se më bëjnë vërtet veshët, jo. Të gjitha e kanë një shkak, një pikënisje. Shkaku i shkaqeve është çupa e doktorit: – tha Belbani.
– Bija e doktorit! – ia bëra i çuditur.
– Ëhë, – psherëtiu Belbani dhe shtoi: – U gëzova që ju gjeta. Më qenë ngulur si shtiza në brinjë; çudia, mërzia dhe bezdia.
– Po përse!? – fola gjithë ankth.
– Hëm… Ti presor je i zënë me ftujakë dhe mësime, ndërsa Poli është i zënë me veten. Nga fshati vjen me hope, rrallë e për mall: – ia bëri Belbani me zë të errët. Heshti një hop dhe shtoi me zë misterioz: – Do t’u thom një gjë të rëndë, të tmerrshme. Skandal e shkuar skandalit. Veç mos e bëni me fjalë. Më premtoni? Jo për gjë, por nuk dua që fjala të dalë prej meje.
– Të premtoj, ç’e diskuton, – i thashë me plot gojë, i paduruar për të mësuar diçka rreth Dodonës, nxënëses sime.
Poli lëvizi kryet me mërzi dhe ia këputi më tym:
– E mbarsur bota prej skandalit.
– Poli, më lër rehat. Këtu ka hata, turpe, gjëma të mëdha, – ia ktheu me inat Belbani dhe filloi të tregonte: – I tregova Bules, gruas sime hallin që më mundonte. Të shurdhimit nga muzika e lartë dhe heshtjes. Të daljes, ikjes, zhdukjes dhe shfaqjes së papritur të çupës së doktorit. Çupa e doktorit më dukej gjithnjë e mbështjellë me tymra. Ia tregova gruas me një frymë. Se i thonë fjalës, burrë e grua mish e thua. Bulja u kthye nga unë, më pa nga koka deri te këmbët, pastaj më tha: Goxha direktor kulture je dhe nuk ke kuptuar gjë. Nuk jam drejtor kulture, por përgjegjës, e korrigjova gruan. Më thanë, na i lër ca kohë pianon për t’u stërvitur, i duhet së bijës së doktorit, të mos mbetet prapa në mësime. Këtë kërkesë ma përforcoi dhe instruktori i partisë, shoku Rapi, ia dhashë. Kaq. Deri këtu përfundon detyra ime. Për mua je direktor dhe shkuar direktorit, ma pat gruaja. Për kulturë nuk kam ç’të them, s’ta ha qeni shkopin. Për çështje delikate dhe të rëndësishme grash, i shkon problemit anash. Grua, mos çaj kokën, i bërtita, mos më shit bojëra të skaduara. Unë të çaj kokën, unë të shes bojëra të skaduara? ma ktheu Bulja me vrer. Prit këtu, pas gjysmë ore e ke të vërtetën sagllam si bukë me qiqra. Vetëm gratë janë të zonja t’i hapin petët lakrorit. Të zbulojnë të fshehtat e qytetit dhe brengat e njerëzve. Zgjidhi mësallën dhe iku gruaja shkallëve tatëpjetë. Pas gjysmë ore më kthehet e fryrë e krekosur. Ma solli të ngrehtë, më tha: burrë hapi veshët dhe dëgjo; çupa e doktor Samiut nuk është e sëmurë prej gripit, por prej veremit, merakut. Ajo është shkrehur prej dashurisë së nxirosur. Damllaja, flamëmadhja, korbecka, ka bërë një mynxyrë andej nga shkolla, nga kryeqyteti. U pleks me një student me ngjyrë, ardhur prej andej, nga mbajnë vëthë në hundë. Doktor Samiu, sa e mori vesh skandalin e së bijës, i hipi taksisë dhe e solli të bijën peshqesh, në mes të natës në shtëpi, më tha gruaja.
Që thoni ju, dje mbrëma më erdhi në zyrë doktor Samiu. Doktor Samiun e njoh prej vitesh. Ai gjithnjë është mbajtur hijerëndë. Të më falni, por si i thonë fjalës, vriste lart, hidhte shurrën me kallmë. Helbete, doktor burri i botës, specialist i zemrës. Dje, nuk ishte më ai i pari. Dukej shumë i leqendisur. Më erdhi keq për doktorin. Zërin e kish të lodhur:
‘Në piano luan vajza ime o Belbo?’ më pyeti.
Ama ç’pyetje! E vështrova me vëmendje, të kuptoja ku donte të dilte doktori. U hoqa sikur nuk dija gjë.
‘Në piano lozën, ku gjetkë,’ i thashë dhe shtova: ‘Po ulu o Sami, ulu. Këmbejmë dy fjalë e të shkojmë të pimë nga një gotë.’
‘Të më falësh Belbo. S’kam mendje e kohë për fjalë e raki. Më zien koka. Erdha vetëm për vajzën, të pyesja a luan në piano?’
‘E unë të thashë bre, çupa juaj lozën në piano,’ i thashë. E vështrova drejt në fytyrë dhe e pyeta: ‘Ke ndonjë hall o Sami?’
‘Hallet për të gjallët janë more Belbo,’ më tha. ‘Ti e shikon atë, e shikon?
Më erdhi inat, isha gati t’i thosha: Hej kokë, jam përgjegjës kulture unë, nuk jam qen roje. Doktor Samiu dukej i dërmuar. Nuk dashka të këmbejë dy fjalë, e të pijë një gotë me mua. Hë! S’e lë hunda. Por dije, nuk ndreq asgjë nga ajo që ndodhi dhe kërkon të bësh, mendova. I thashë:
‘E shikoj o posi. Kur vjen, kur ikën. Çupë për kokë të çupës ke o doktor. Mendjen te muzika e ka. Sa vjen në shtëpinë e kulturës, mbyllet në studio dhe lozën në piano. Përse më pyet?’
Samiu, më vështroi me dyshim dhe psherëtiu:
‘E di sa e ka mendjen te muzika ajo.’ Heshti një copë herë. Hapte dhe mbyllte me zhurmë stilolapsin aq sa më shastisi kokën. Pastaj tha: ‘Të pyes, se kur kthehet në shtëpi, duket e lodhur e zbehtë. Jo sikur i bie pianos por sikur zihet me djajtë’
U ngrit me nxitim dhe iku. Harroi të më përshëndeste. Burri i botës, doktori, t’i thërresë mendjes. Nuk duhet të bëhet humbameno. Ç’ta bën fëmija, s’ta bën zoti!
E që thoni ju, më shkoi mendja tek fjalët që vërtiten në qytet: I ziu, i dashuri i çupës së doktorit, bredh vetëm, si fantazmë nëpër qytet dhe nuk kapet. Punë dreqi. Ku shkoi ajo çupë i gremisi sytë te vulëhumburi. Njeriu me ngjyrë, ardhur prej prapa diellit, mbajnë vëthë në hundë. Duke qeshur dhe ngjeshur, vuri nën zgjedhë më të bukurën qytetit. U shuan djemtë tanë. Hë, nuk të vjen të pëlcasësh. Kjo zuzarit me meshkuj të huaj, ndërsa qyteti e pret si ujë të pakët. Kemi nevojë për koncerte neve. Kemi nevojë për muzikantë të mirë neve, – foli Belbani i trishtuar.
Ne dëgjonim gojëhapur. S’flisnin. Belbani i kënaqur që na i kish marrë gojën, kroi xhepat e xhaketës, mbushi grushtin me fara luledielli dhe i rrasi në gojë.
– Bulja më tha se i dashuri i çupës së doktorit është i biri i njërit prej anëtarëve të partive të vogla marksiste-leniniste, – foli Belbani duke u mbllaçitur.
– Nga u gjend studenti me ngjyrë! Kur dihet që ne jetojmë dhe punojmë si në rrethim, – mërmërita me mëdyshje.
– Hë, nga u gjend! – ia bëri Belbani. Pështyu lëvoret e farave dhe qeshi me të keq. – Kësaj i ndodhi si në historinë që tregojnë; përpara ke një thes me mollë të kuqe, të shijshme e gjithë lëng. Diku në cep të thesit është edhe një kastravec. Fut dorën, zë kastravecin. Çfarë i thonë kësaj!
– Mbase janë fjalë, – thashë dhe shtova me gjysmë zëri: – Nuk e di, nuk e di… Mbase ai, studenti me ngjyrë është njeri i mirë.
– Ç’na the! Qenka njeri i mirë! Ku e ka të mirën qymyri i zi, – ia ktheu gjithë maraz Belbani dhe vazhdoi: – Ju brezi i ri i thjeshtoni gjërat. Partia dhe qyteti i dha bursë. E dërgoi të studiojë në piano dhe jo të merret me zagarllëqe.
Nuk i ktheva përgjigje, ngaqë nuk doja të bëja sherr. Për një çast mendova se Dorina kish mbetur një provinciale e vogël e gjorë. E paditur, inferiore ndaj së resë, qytetit të madh, të papriturës dhe joshjes pa kthim.
– E gjora, e bija e doktorit, – foli ultazi dhe mugët Poli.
– E gjora, çupa doktorit! Përse mos themi i mjeri doktor Samiu. Qyteti u bë me turp. Ne jemi mbajtur si qyteti më i pa njollosur i republikës. Çupa e doktor Samiut na damkosi, na vuri dërrmën. Ajo bëri me turp qytetin, traditat, të gjithë ne. t’i vësh njollën familjes, të ndryshosh gjakun, erën dhe ngjyrën! – ngriti zërin Belbani.
U mbush me frymë, na vështroi vëngër dhe shtoi zë zvargur:
– Gruaja më tha se studenti me ngjyrë, i dashuri i çupës së doktorit, zbret në qytet në mes të natës. Vrapon nëpër rrugë dhe ikën kur feks mëngjesi. Na vuri në kolaps. E kuptoni çdo të thotë për një qytet të papërlyer si i yni? Qytet i emancipimit tradicional, kulturës, arsimit, patriotizmit të kulluar, që nuk njeh krimin, vjedhjen. Qytet që nuk përdor kyçe të mbyllë portat e shtëpive. Qytet mikpritës e bujar. Hë, nuk të vjen të pëlcasësh. Shkulet një mashkull i tjetër lloji. Prej fundit të botës, vjen e vërtitet si fantazmë e shtënë nëpër rrugë. E dini, qentë e macet i ndruhen, nuk dalin e gërhasin si më parë. Por për fat të keq, asnjë s’e dallon ku gjendet ai, është katallan i zi. Jeni kureshtarë të mësoni më të renë e fundit, veprimin, mynxyrën e kuçkës së doktor Samiut? ‘Njeriu i mirë,’ studenti i zi, mbarsi të bijën e doktorit. Doktori tërhoqi të bijën e mbarsur prej shkolle. E çoi në shtëpinë e motrës së gruas, në një qytet nga veriu, deri sa… Gruaja nuk e mësoi saktë, nëse zdërja e doktorit e dështoi fëmijën, apo e dorëzoi pasi e polli në ndonjë shtëpi fëmije…
– Dreq o punë, – psherëtiva. Pse ta fsheh, psherëtima ime më vinte drejt prej shpirtit. M’u kujtua përsëri dridhërima e lëkurës së belit të saj nëpër gishtat e mi, natën e maturës. Ndjeva të ftohtë në trup dhe shtova me gjysmë zëri, – Dodona…
– E gjora, e bija e doktorit, – ia bëri përsëri Poli në mënyrë enigmatike: –Është më shumë se një dreq o punë. Asgjë në jetë nuk është e pamundur, skandaloze dhe mynxyrose. Çdo arsyetim moral është krejtësisht i kotë. Unë më shumë kuptoj se sa gjykoj…
Pashë Polin me habi, ndërsa Belbani mblodhi buzët me inat dhe tha:
– Është e kotë të prashit e të broçkullit me ju. Filozofoni në të thatë dhe në një vërë i bini fyellit.
I fyer u mata të mbrohesha, t’i thosha: mos më vë në një shenjë barazimi me Polin. Ti e njeh më mirë se unë, kush është Poli. Belbani bëri shenjë të mos e zgjatnim me fjalë dhe eci në majë të gishtave, me vendosmëri drejt korridorit. Përpara derës qëndroi. U përkul, mbajti vesh. Ne u zgjatëm pas tij. Belbani një copë herë nguli shikimin larg, në fund të korridorit. Si të gjente atje të fshehur njeriun e ardhur përtej kontinenteve që dalldisi mendjen e bijës së doktorit. U mbush me frymë dhe me vështrim të tretur lëvizi me kujdes dorëzën e derës.
Ambienti ish i ftohtë, dergjej në një gjysmë dritë të portokalltë, të zbehtë. Kanati i dritares ish pak i hapur dhe prej saj vinte erë e ftohtë. Perdja e kuqe prej mëndafshi përkundej, ulej dhe ngrihej, sikur valëzonte. Na u bë sikur mërdhimë. Në cep të dhomës pranë dritares dalluam bijën e doktorit. Ajo kish qëndruar në pozicion të çuditshëm, trup gjysmë të përkulur, shpatulla shtrirë, e lëshuar dhe e mbështjellë me zbehtësi hënore. Mos po flinte, dremiste, ëndërronte? Apo mos po risillte nëpër mend krijesën e njomë, të pafajshme që e nxori me mundim prej vetes e nuk duhej ku mund të ishte?
Krahët e kolmë dhe bardhoshë i qenë vendosur mbi kapakun e pianos dhe mbi to kish mbështetur kokën. Flokët e dredhur të errët, të veshur si vello me portokallinë e dritës së dhomës, dukeshin si me shkumë. I derdheshin rrëmujshëm mbi shpatullat e hijshme. Ndërsa perdja e mëndafshët vazhdonte të ngrihej, të ulej prej erës. Me fëshfërimë të lehtë, si një simfoni e pambaruar. Për një çast menduam se pas perdes së mëndafshtë, diku në cep ngjitur me kanatën e dritares, ishte i dashuri. Luante rolin e erës, për ta hedhur më keq në përhumbje vajzën e mjerë. Ai njeri na dukej i largët, tmerrësisht i huaj, i tjetërsueshëm, i pakapshëm. Kaq të rëndë e kish gjumin bija e doktorit sa nuk na ndjeu! Vështruam njëri-tjetrin, pa vendosur se çfarë duhej të bënim. T’i flisnim, ta zgjonim prej përgjumjes ku fshihej një mister?
Këpucët me shollë të Polit kërcitën të paduruara në dyshemenë e vjetër. Belbani e vështroi me inat, si t’i thoshte: Hej shush, çfarë bëre! Nuk e sheh? E zgjove. Ti doje ta linim gjithë natën në përgjumje, ia kthyen sytë e akullt të Polit. Bijës së doktorit iu drodhën shpatullat, lëvizi kokën dhe shtriu këmbën e majtë. Befas lëshoi një klithmë të lehtë, të pakontrolluar dhe ngriti kryet me vrull. Perdja e mëndafshtë qëndroi pezull, era u tret, u pengua diku. Kanata e dritares u mbyll pa zhurmë, sikur e shtyu dikush me dorë. Fasha e dritës lëvizi dridhshëm mbi trupin e vajzës. Ne të tre burrat ngrimë, na u tha buza. Ajo dukej gati e tejdukshme dhe enigmatike.
Bija e doktorit fërkoi sytë. Ishte tmerrësisht e zbehtë.
– Ku jam këtu? – bërbëliti.
– Shkoni në shtëpi, keni nevojë të qetësoheni, – i foli Belbani ftohtë.
Dodona i hodhi Belbanit një vështrim të mjegullt, pa shprehje. U ngrit në këmbë duke u lëkundur.
– Më falni, – mërmëriti. Zëri e kish të dobët, si të këputur. Vështroi nga ne. Në fillim me habi, gati e fyer për guximin që morëm. E zgjuam prej gjumit, i prishëm dhunshëm ëndrrën e pritshme. Më pas shikimi i saj i trembur, i hutuar u ngul tek unë. Kërkonte të ikte nga sytë këmbët ose të fshihej me ngut. Dridhja e trupit u bë më e theksuar. U kalamend, donte të mbahej diku. Nuk dinte se ku. Më në fund u mbështet mbi kapakun e pianos. Nuk mundi të mbahej gjatë aty. Menteshat e kapakut të pianos lëvizën, kuisën të trishtuara. Kapaku i shpëtoi prej dorës dhe u përplas me zhurmë. Dhoma oshtiu. Bija e doktorit u drodh dhe ne bashkë me të.
Dodona lëvizi qafën e derdhur ngadalë, kah dritës. Instinktivisht ngriti krahun dhe futi gishtat në flokët e gjatë e të dredhur. Nuk ishte më e para. Dukej shumë e ndryshuar: më trup derdhur, më e ngjeshur, më epshore, më grua, por e vrarë në shpirt. Njëri cep i shallit të bardhë i shkau nga shpatullat.
– Ndjehem keq. Më dhemb gjoksi, – pëshpëriti.
Mezi e dëgjova. Sytë e saj të bukur kishin trishtim të madh.
– Çfarë tha, – më shkundi për mënge Belbani.
S’i ktheva përgjigje.
Dodona qëndroi një copë herë në mëdyshje e papërqendruar. Uli kokën, u kalamend përsëri. Eci me hapa të pasigurtë, të ngadaltë, pa vështruar njeri. Sikur të mos ekzistonte kush, në dhomën që po mposhtej prej mugëtirës. Shalli i bardhë i zvarritej pas si një brengë e shpallur. Ne vazhdonin ta vështronim ngulët. Ajo doli prej dhome enigmatike, si një peng. Sa kish ndryshuar e bija e doktorit, Dodona!

VII

Qëndroja i hutuar, ndërsa Belbani psherëtinte dhe rënkonte.
– U përdhos qyteti, u nëpërkëmb tradita dhe kultura, u nxi morali. Phu, sa shpejt u bë errësirë, – mërmëriti me trishtim dhe sa për t’u gjendur me punë, ndezi dritën e dhomës.
Ndryshe nga ne, Poli dukej çuditërisht i tjetërsuar. Ai nuk e kishte mendjen në ikjen e hutuar të Dodonës, por diku gjetkë. Sikur nuk ishte ai që njihja, po dikush tjetër. Me hapa të mëdhenj eci drejt pianos. Këpucët me shollë kërcisnin në parket, aq sa më cingërisnin nervat. Qëndroi një çast përpara pianos si të qëndronte përpara një falltari. Mbylli sytë ngadalë, bashkoi pëllëmbët mbi gjoks dhe uli kryet përpara, si të falej. Ç’kërkon Poli në piano, pa u interesuar kurrë më parë për të! Mos do të tallet, të bëjë ndonjë shaka, lojë bajate ndaj plagosjes në shpirt të bijës së doktorit? Polikroni, katundari, maniaku deri në lodhje i rrobave të hekurosura dhe këmishëve të bardha. Vdes të duket pak qytetar. Nuk është dalluar ndonjëherë për shakara. Prandaj interesimi i tij ndaj pianos më dukej një pështirosje magazinieri fshati. Të cilit i janë shurdhuar, lodhur veshët prej zhurmës monotone të minjve nëpër skutat e magazinës. Tani kërkon të shkarkohet prej stresit, duke prekur me duart e tij të rëndomta, prej fshatari, tastierat e pianos, të ledhatuara pak më parë nga gishtat e brishtë dhe të bukur të Dodonës. Vështrova nga Belbani s’i të thosha:
‘Çfarë bën ky, a është në vete? Të lutem ndale.’
Por fytyra e Belbanit, përgjegjësit të shtëpisë së kulturës ishte pa shprehje.
Poli nuk i kushtoi rëndësi pështjellimit tim. Dukej tejet serioz dhe i preokupuar. Mori frymë thellë. Mbushi gjoksin me ajër, si të bënte një kërcim të hatashëm. U përkul me ceremoni, i vuri veshin pianos, si të gjente zërat e fshehur, sekretin e madh dhe të prekte zemrën e saj. Ngriti me kujdes kapakun dhe përtheu trupin shumë më tepër, gati sa nuk e puthi. Lëvizi gishtat mbi taste, pa i prekur, lehtë, me kujdes. Më pas vetëm sa i çiku, me majat e gishtërinjve, si të prekte dhe ledhatonte trupin e hijshëm të një femre.
Fërkova sytë. Nuk më besohej. Ai u ul. Drejtoi trupin dhe shtriu këmbën e djathtë. Fytyrën e kish të ngurtësuar, ndërsa sytë i flakërinin. Ngriti dhe shtriu jakën e bardhë të këmishës. I mbështeti butë gishtat mbi taste, u mëshoi pakëz, si një përshëndetje. U epuan, u ngritën pak si të ishin pulëbardha mbi dallgë shkumëbardha. U larguan. Poli ishte i përhumbur. Filloi t’i fërkonte me nervozizëm gishtat njëri pas tjetrit. Më pas i kërciti, si për t’i zgjuar prej plogështisë, shkriftuar. Ndenji një hop dhe pak mëdyzaj, lëvizi krahët. Befas u tendos, tërhoqi kokën pas dhe mbylli sytë. Mos donte të përfytyronte të bijën e doktorit tek luante në piano!
Për herë të parë vura re me vëmendje duart e Polit. Gishtat e tij të gjatë, të bardhë si prej femre, plot me nerva, dridheshin dhe lëviznin të paduruar nën vete. Gishtat u hapën dhe u mbyllën ngadalë. Më pas u përthyen, u ulën butë mbi tastet e pianos…
– Të jetë e vërtetë, – gati sa s’klitha.
Për habinë time, Poli nisi të luante në piano. U shkunda. Përnjëmend m’u duk sikur një tufë shpendësh, duke cijatur dolën prej pianos, u vërtitën nëpër dhomë, pastaj ikën, fluturuan tutje. Menjëherë dhoma u mbush prej një melodie të ëmbël, këndjellëse, gurgulluese, si ujërat burimeve. Shqeva sytë nga habia dhe u tërhoqa pas. Shpina m’u ngjesh pas murit të ftohtë të dhomës. Të ishte reale! Poli magazinieri, njeriu apatik, që nuk shfaqte interes për gjërat më elementare, luante në piano, me mjeshtëri të rrallë! Flokët i ishin shpupurishur, flegrat e hundës i regëtinin, sikur donin të thithnin me vrull të gjithë ajrin përzierë me melodinë që ishte ndehur në dhomë.
Ai luante pjesë nga Moxarti. Gishtat e Polit lëviznin mbi tastierë me shkathtësi dhe shpejtësi të habitshme. Më pas dhoma u përmbyt prej një melodie të vrullshme, shpërthyese. Filloi të luante në mënyrë të madhërishme, pjesën nga opera e Verdit ‘Nabuko Donosor’, Kori i të burgosurve. Atje kish dhembje, trishtim, revoltë, shpërthim. M’u ngjethën mishtë. Më dukej sikur përpara kisha një tjetër njeri, ku pasioni pat shpërthyer haptas. Sytë i shkëlqenin prej një drite të fortë dhe shkëndijimi i mbuloi fytyrën. Poli ishte veshur me një pelerinë të purpurt dhe po ngrihej ngadalë në ajër. Tingujt shpërthyen sikur donin të shtynin muret e dhomës, të zgjonin qytetin. Më pas u bënë të shtruar, më të butë, si fllad, si fëshfërimë erë të lehtë pranverore. Gishtat u ulën ngadalë, lehtë mbi tastet e pianos. U prehën si zogj të lodhur, pas një fluturimi të gjatë. U dëgjua një fërfërimë e qetë, si cijatje…
Muzika u ndërpre. Zotëroi qetësi e thellë. Më ishte tharë buza prej së papriturës dhe çudisë. Poli u ngrit ngadalë si me dhembje në këmbë. Drejtoi trupin si kalorës, pastaj zgjati përpara këmbën e djathë, përtheu pak trupin, uli kryet dhe bëri një reveransë ceremoniale më shumë pianos se sa neve. Si të kish dhënë koncert përpara një auditori të gjerë.
– Bravo! Bravo! – bërtita i emocionuar dhe përplasa duart. Më pas vazhdova: – Djall i madh, luajte në piano si mjeshtër i vërtetë.
Nuk dija çfarë t’i thosha tjetër në ato çaste. Por menjëherë e kuptova që i a futa kot si fëmijë dhe kafshova buzën. Ai nuk ishte në një moshë me mua, për të bërë shaka, krahasuar me djallin madh.
Belbani më pa me inat dhe më shkundi prej bërryli.
– Je i marrë apo çfarë, – më pëshpëriti.
– Jam i marrë! – ia bëra i habitur: – Përse?!
Poli bëri sikur nuk dëgjoi. Shkundi kryet si të përzinte thirrjet e largëta. U kthye ngadalë nga unë dhe më hodhi një shikim që më shtangu. Vështrimin e kish të madhërishëm e fyes, tallës e krenar.
– Kështu luajta për të fundit herë, shumë vite më parë. Përpara se të ndodhte ikja nëpërmjet tuneleve qindra vjeçare, – foli Poli me zë të mbytur, të akullt si të fliste për dikë tjetër dhe iku.
– Hë, – ia bëra i habitur, – hë!
Vështrova nga Belbani i cili qëndronte si i gozhduar pas derës. Më vinte ta pyesja, të bërtisja: O Belban çfarë ka bërë vaki. Ky Poli, Polikroni, magazinieri i rëndomtë i fshatit, më la pa mend. I ra pianos me virtuozitet si askush tjetër. Kjo botë qenka e paradokseve dhe në qytetin e vogël të strukur në sqetullën malit. Ngujohet burri i botës si murg në magazinën e përmbytur prej errësirës, erës së ndyrë dhe minjve. Kur mund të shkëlqejë në skenat e mëdha të mbushura me dritë, jetë e qindra mijëra spektatorë. Pak më parë more Belban, më the me pikëllim: qyteti ynë ka nevojë për muzikantë e pianistë. Qorr e shurdh je o Belban, apo çfarë! Ja ku e ke mjeshtrin. A mund të gjesh të dytë pianist si ky!
Fytyra e Belbanit qëndronte e ngrirë, pa shprehje. Dukej haptas i bezdisur. Mezi priste që të dilja prej dhome, të kyçte shtëpinë e kulturës.

VIII

Qyteti i futur si në xhep të malit po pështjellohej. U thye monotonia dhe u ndez kureshtja, smira. Ngjarjen e bujshme të bijës së doktor Samiut e mbanin nëpër gojë dhe e thurnin me shtija gratë. Turpi, mbarsja me një të zi, pjellja e bijës së doktorit lëvizte si dallgë deti nëpër punishte, zyra, postafë dhe dritare. Dodona nuk dukej më në rrugët e rrugicat e ngushta të qytetit. Thuhej që hija e të ziut ende vërtitej nëpër qytet dhe qentë e macet nuk pipëtinin. Përflitej që doktori e kish shpënë të bijën tek e motra. Disa thoshin që e martoi me përdhunë me një burrë të ve, syvëngër, andej nga bregdeti të cilit i kish vdekur gruaja. Shtëpia trekatshe e doktor Samiut, hijerëndë në hyrje të lagjes së përroit, u mblodh si esh dhe qëndroi e mbyllur për muaj me radhë. Të sëmurët me probleme në zemër u hipnin autobusëve dhe shkonin për t’u vizituar në qytetin fqinjë.
Sytë e alarmuar dhe kureshtarë të nxënësve, kryesisht të vajzave, vështronin rreth e rrotull për të zbuluar sekretin dhe magjinë. Për fat të keq të tyre Dodona nuk gjendej që ta pyesnin. Ndërsa mua po më shpërthente dhembja e kokës. Nuk më bëhej të jepja mësim.
– Kush qe ai që ndezi pishën, – foli një ditë në këshillin e mësuesve Rami Dërrmaku, drejtori i shkollës.
– Shkëndija dhe pisha qenë, – ia bëri Sania, sekretarja e partisë së shkollës dhe brodhi shikimin nëpër sallë, – Kush qe ai ose ajo që hodhi benzinën.
Ne mësuesit e tjerë nuk flisnin.
Disa javë nuk e pashë Polin të zbriste prej fshatit dhe për habinë time Belbani më shmangej. Nuk më ftoi të shkonim të luanin bilardo në Shtëpinë e Oficerëve.

IX

Belbani iku në kryeqytet në mbledhjen e zgjeruar të përgjegjësve të Shtëpive të Kulturës dhe la pas të ndezur sherrin me të shoqen. Ajo iu lut të ndërronte lëkurën. Të vishte kostumin gri, dopiopet. Belbani e kundërshtoi prerë:
– Moj grua. Nuk di kaq gjë. Udhëheqja lart në qendër, mban kapelë dhe rroba doku kaki si kinezët. Apo jo o Poli?
Poli heshtte. Unë qëndrova si mbi gjemba.
Ngelëm vetëm. Më hante trupi. Çudi si nuk shtyhej me këtë njeri, por përsëri, me një lloj magneti, nuk të linte të largoheshe, të mbante varur! Poli u mbyll përsëri në kullën e tij të fildishtë, kish një zbehtësi të pazakonshme. Pinte cigare dhe vështronte i vrenjtur derën e kyçur të shtëpisë së kulturës. Si të priste të hapej dera dhe të dilte Dodona. Mbase e kisha unë këtë ndjesi dhe më dukej sikur ishte e tij. Atij mund t’i shkrepej sërish, të turrej drejt dhomës ku dremiste pianoja e vjetër dhe të luante si i çmendur. Shumë gjëra ishin përmbysur në sytë e mi.
Isha lodhur së luturi, të më shuante habinë e kureshtjen time. Ai vazhdonte të qëndronte i mbështjellë me mister. Mbase dashuria, aventura e Dodonës ishte pjesë e mendje-shkrepjeve të qytetit të ngucur pas malit, ku bënte pjesë dhe ky njeri. Unë, a jam pjesë e këtij qyteti? Pak a shumë, po…
– Bëre mirë që nuk e gjykove vajzën, – më foli papritmas Poli, pa parë nga unë dhe nisi të fërkonte gishtat e zverdhur prej nikotinës së duhanit.
– Kë, Dodonën, të bijën e doktorit?
– Po atë…
– Për kësi rastesh nuk kam të drejtë të gjykoj. Së pari s’u besoj fjalëve të hedhura lart e poshtë. Dhe së dyti, pa ditur të vërtetën lakuriqe, – fola me seriozitet. Pa e kuptuar u bëra nervoz dhe me zë të grindur shtova: – Dhe sikur ta di të vërtetën…Mendoj që përsëri nuk është plotësisht e vërtetë. Mbasi i ngjan majës së aisbergut që shfaqet mbi ujë. Duhet të hysh në lëkurën e tjetrit përpara se të gjykosh dhe të japësh verdiktin për iksin apo ipsilonin. Ajo vajzë nuk duhet ndëshkuar por as dhe mëshiruar.
Poli më pa me interesim.
– Kështu mendon?
– Po.
– Ashtu mendoj dhe unë, – tha dhe iku.

X

Filloi të frynte erë. Mbërtheva kopsën e parë të këmishës dhe vendosa të ikja. Poli u kthye ballas nga unë dhe më pa me trishtim.
– Eja shkojmë në lokal dhe kthejmë nga një gotë, – më tha.
Me sytë përtokë dhe duke vërtitur nëpër gishta gotën me lëngun e kuqërremtë të konjakut filloi të fliste zë ulët:
– Ajo buzë mbrëmje më shkundi… Bija e doktorit… Vajza e bukur, e dëshpëruar, e lëshuar, tregonte një shpartallim të plotë. Gjysmë errësira ishte thithëse, si hon pa fund. E dëgjova rënkimin e thellë të saj kur tha: ‘Ndjehem keq. Më dhemb gjoksi.’ U ndjeva keq. Edhe mua më dhëmbi gjoksi. Dhimbjet e dashurisë janë shumë më të mëdha. Mirë e the; ajo vajzë nuk duhet ndëshkuar por as mëshiruar, apo nëpërkëmbur. Forcat, zërat, ngjarjet e largëta, të fshehura, u zgjuan tek unë. Përhumbja dhe dhimbja e hapur e bijës së doktorit më shtynë të ulem dhe të luaj në piano mbas njëzet e tetë vjetëve, – foli befas mbytur Poli. Pastaj heshti.
Lëviza në stol dhe u përqendrova tek ai. Më në fund, do më tregojë diçka, thashë me vete. Do mësoj prej tij anën tjetër të medaljes. Ai kishte ndryshuar në sytë e mi.
Poli vështroi një copë herë përtej dritares. Dy të rinj qenë mbështetur te një bli. Vajza kish veshur bluzë të hollë, të kaltër me mëngë të shkurtra. Dukej sikur mezi mbante gjoksin e plotë dhe të kërcyer. Flokët i kish të gjatë e të zinj. Djali kishte veshur pardësy fëshfëshe të gjelbër dhe flokët i kish të prera shumë shkurt, si ushtarët. Vajza mblodhi krahët rreth vetes, siç duket mërdhinte. Djali hapi pardësynë dhe vajza iu struk si zog në gji.
Vështrova ngulët profilin e mprehtë të Polit. Një damar i hollë blu i pulsonte me vrull në tëmth. Ai lëvizi kryet ngadalë nga unë dhe me zë të qetë filloi:
– Nuk mendoja kurrë t’i kthehesha pianos, të luaja me të. Bëra një betim të fortë me veten. Qysh kur u detyrova të kaloja nëpërmjet tuneleve qindra vjeçare, dhjetëra metra nën tokë të Napolit. U betova. Gjysma pjesë më e shtrenjtë e jetës sime mbeti atje, mes rrëmujës, luftës dhe rrëmetit. Vendosa të mos flisja për atë që ndodhi dhe lashë pas…
Poli e preu fjalën dhe vështroi nga bliri. Çifti kish ikur. Shtoi:
– E shoh, ndjeheni i fyer dhe mbase keni fare pak të drejtë. Takimi me mua nuk të kënaqte fort o profesor. Me Belbanin qëndroje për shkak të bilardos. Kuptohet je shumë më i ri se ne dhe…
U bëra gati ta kundërshtoja, por ai ngriti krahun si të më thoshte mos më ndërprit.
– Profesor, je djalë i mirë, serioz, pa hile. Me sa kam vënë re, nxënësit të duan dhe qyteti të respekton, kudo je i mirëpritur. Një ardhacak të krijojë mirëdashjen e një qyteti, nuk është pak. Në njëfarë mënyre je mes njerëzve të një gjuhe dhe të një zemre. Në moshën tende isha, kur u gjenda i vetëm i pashpresë, i tmerruar, në tunelet e ngushta. Të mbyste era e tmerrshme, errësira dhe të rrëmbente vdekja.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kristaq Turtulli, pianisti

Flet Redi Llupa,një nga emrat më në zë të interpretimit pianistik

January 18, 2014 by dgreca

Intervistë me pianistin Redi Llupa, nga Amerika-performon në Shqipëri/

Intervistoi DEMIR GJERGJI/

Kur vëmë gishtat mbi tastierë na kujtohen shumë mjeshtra të tastierës, deri tek Van Vang pianist i madh kinez e shumë të tjerë, por kjo s’do të thotë që edhe ne shqiptarët s’kemi nxjerrë mjeshtra të tillë. Unë kam këtu njërin prej tyre, ai është Redi Llupa. Ai ka ardhur nga Amerika për të performuar këtu në skenat shqiptare. Por si ka arritur ai të jetë sot një nga emrat më në zë të interpretimit pianistik. Këtë do të na i thotë vetë, pra Redi, cila ka qenë rruga për të arritur deri aty ku je tani?

Kureshtja, studimi dhe mbështetja e prindërve. Studioj shumë, akoma studioj. Mbështetja e prindërve ka qënë maksimale, por kur futesh në botën e artit duhet një ingredient i tillë si kureshtja, kureshtje për të njohur botë të ndryshme në art, dëshirë të njohësh përvoja të ndryshme, njerëz të tjerë të artit.
Kur ti flet për kureshtjen unë si një njeri që vetëm e dëgjoj pianon më shkon mendja tek pjesa e pasme e pianos, tek ajo e padukshmja.
Është shumë interesante se pianoja të bën të interesuar edhe pas shkencës akustikore. Pianoja është një miniorkestër dhe kjo lloj kureshtje bëhet e pafundme kur trupi yt bashkohet me këtë krijese jo jetësore në fillim, por kur merr shpirt nga ty ajo bëhet e jashtëzakonshme.
A të kujtohet moment i parë kur ke vënë gishtat mbi pano?
Vështirë e kam ta kujtoj tani, por më kujtohet impresioni i parë nuk di se çfarë më ndodhi se brenda meje ndryshoi diçka, sikur të shpon diçka, unë kujtoj që jam impresionuar nga tingulli.
Në ç’moshë keni qënë kur ka ndoshur kjo? A të kujtohet?
Unë fatmirësisht kam prindërit muzikantë, mamja ime është pianiste dhe që në vogëli e kam prekur pianon. Dëshira për tu bërë pianist më erdhi më vonë.
Veç asaj kureshtje që ju përmendët, çfarë dhuntish të tjera duhet të ketë dikush që të shkojë me besim drejt instrumentit të pianos, që të bëhet pianist?
Mua më pëlqen që njerëzit të më etiketojnë me dhunti, por ju përmendët besimin. Profesori im Pressler, thotë “që po të kesh besim ti je i plotfuqishëm në skenë ” e po s’pate atë, pra besimin, nuk ke as shpresë, asgjë. Kjo është për të gjitha profesionet, po nuk pate ti vetë besim nuk mund të ecësh, besimi të çon tek puna, mëndja punon dhe trupi punon.
Cila ka qënë ajo fazë e vështirë e punës tuaj për tu bërë ky që jeni, ky pianist që jeni sot?
Mposhtja e mungesës së durimit, kam qënë fillimisht i paduruar doja ta mësoja pjesën shpejt, por ti luan shpejt dhe harron që duhet të kuptosh. Është si të lexosh një libër, ti mund të lexosh pesë romane a më shumë brenda një kohe të shkurtër dhe mund të mos kuptosh ç’ka shkruar Remark, Stendal e shumë mund të përmëndim autorë të tjerë. Duhet të kesh durim, dhe problemi qëndron në atë që: a përballesh ti dot me këtë apo jo? Problemi bëhet bardh e zi pastaj, ose po ose jo.
Cili ka qënë pedagogu juaj i parë dhe ç’ kujtoni në atë fazë.
Në jetë pedagogja ime e parë ka qënë mamaja ime, por në shkollë ka qënë Nadjezhda Porodini. Ajo kish besim që unë mund të zhvilloja diçka në instrument, besoj që veçantia e saj ishte që më mësoi që çdo tingulli ti jepja kuptim, ashtu si në poezi që secili varg duhet të ketë thellësi mendimi.
Po a mendoni që pedagogia juaj e parë, pra nëna juaj, është më e mira që të ka mësuar pianon, apo ke pasur të tjerë pedagogë më të mire pas saj?
Mendoj që nëna ime është pedagogia më e mirë e pianos për mua, sepse ajo më mbush shpirtin, asnjë pedagog tjetër pas nënës time nuk ma dhuron këtë kënaqësi as Porodini, as Presleri i madh, as Rodrigues apo të tjerë.
Redi do të doja të dija: periudha e Shqipërsië ç’farë vendi zë në përgatitjen tuaj për tu bërë një pianist i zoti?
Sa herë kthehem këtu edhe si turist përmbildhen gjithë kujtimet, të afërmit mësuesit, kushdo që ka kontribuar në karakterin tim. Këtu të rritet përgjegjësia dhe privilegji, e them me mburrje që jam shqiptar vij nga një vënd i vogël por me shpirt të madh. E kur luaj kompozitorët shqiptarë akoma më shumë emocionohem.
Kujton ndonjë ngjarje që të ka mbetur në mend nga vendi yt, me që vendlindja është një vend kyç në përgatitjen tënde, kur je ngjitur për herë të parë në skenë apo diçka e tillë?
Vëshitrë ta thuash me fjalë, por sa herë që vij këtu ndjej ashtu siç thotë Naimi aromën e fushave diçka ndryshe është edhe në skenë.
Mos doni të thoni që kur vini këtu ju i bini diçka ndryshe pianos?
Mund të themi që ajo influencon e ndofta një gjykues më i imirë është audienca, veçanërisht një audiencë që më ka ndjekur në disa vënde të ndryshme, unë besoj që më ndodh diçka e veçantë kur luaj në Shqipëri.
Si e gjykonit atëhere muzikën shqiptare pianistike dhe si e gjykoni tani pasi ktheheni pas një përvoje nëpër skenat e ndryshme të botës?
Pyetje shumë interesante për mua tani që pasi kam luajtur repertor të pasur edhe gjeografikisht të jap një mendim. Muzika shqiptare është rritur në vetvete se jemi në një repertor origjinal shqiptar. Une e trajtoj në mënyrë të barabartë me repertorin botëror. Të gjithë artistët shqiptarë poetë, piktorë e interpretues janë të barabartë me atë botëror.
Kur bisedon me ty padashur krijon bindjen sikur ke një jetë prej burri por unë do të gaboja në moshën tënde, cila është mosha juaj e vërtet?
25 vjeç është mosha ime, nuk di është shumë a pak por unë shfrytëzoj çastin për të studiuar e kapur gjithçka dhe jam i kënaqur që jam 25 vjeç se kam akoma shumë kohë për të mësuar.
Tani që mësova moshën tënde them se më hoqe nga arsenali i pyetjeve të mia një armë pasi doja të të pyejsa për muziken e para viteve 90 por ti atëhere ke qënë vetëm 2 vjeç. Cila ka qëne mosha kur jeni larguar nga Shqipëria?
U largova në gusht të 2005 e në tetor bëja 17 vjeç, kam qënë në një kolegj britanik në Itali ku 200 nxënës nga 80 vënde të ndryshme të botës tregonin eksperienca të ndryshme, jo vetëm si artistë por edhe si persona p.sh. shoku im i dhomës ka qënë nga Afrika, një tjetër nga Spanja, Egjipti e plot të tjera vënde. Gjuha, psikologjia e ndryshme kanë influencuar shumë. E bukur është të reflektosh çdo moment në mënyra të ndryshme.
Ç’ndodhi me ju në raport me pianon kur raporti me vendin u bë nostalgjik pas largimit tuaj nga Shqipëria, atdheun e kishit larg por e kishit në zemër?
Raporti me pianon u pasurua, pianoja është një shoqe që s’të ndahet orë pas ore, është aty, të dëgjon pa fjalë aty ku fjalët nuk punojnë më, ndërsa personaliteti im u pasurua. Këtë e them me kënaqësi pasi kam pasur fatin të jem me gjithë këto takime me njerës e kultura nganjëherë edhe ekzotike.
Student të kulturave të ndryshme, po para pedagogut si ishit, ju ishit më pranë tij se një egjyptian apo afrikan apo francez, apo ishin ata para teje.
Në muzikë mund të flasësh me gjuhën e muzikës, gjuhën shpirtërore unë mund të ndërlidhesha shumë thjesht me të tjerët, pedagogët shkojne pas egos së studentit, pra egos dhe ambicjes time për punë për tu bërë më i mirë, për tu bërë ajo që unë synoj, Pedagogët janë të hapur ndaj shpirtit tënd për tu bërë i dobishëm edhe ata donin të ishin të dobishëm ndaj meje.
Ma përshkruani dot itinerarin pasi keni ikur nga Atdheu?
Pas Tiranës shkova në Trieste në Itali në kolegj, pas Italisë stacioni im ishte Amerika me 4 vite studimi në Masachustes në Konservatorin e Bostonit ku edhe u diplomova për piano, pastaj në Indiana University kryeva masterin, aty pata mundësinë të isha student i pianistit legjendar Pressler e më pas tashmë jam në Majemi ku kam filluar doktoratën në piano dhe jam edhe asistent pedagog i pedagogut tim Rodrigues.
Ju ka çuar shansi, fati në këtë itinerar, vëmendja e pedagogëve ndaj teje apo këmbëngulja e familjes që të ka mbështetur vazhdimisht?
Mbështetjet nga familja e pedagogët kanë qënë të padiskutueshme, por propabilitetet janë shtuar me anë të punës e përzgjedhjes time, këmbënguljes se sa doja të mësoja, ku doja të arrija. Profesori im Pressler thotë që gjithmonë duhet të jetë edhe 5% fat, pra edhe fati ka bërë punën e vet, unë s’di ti përgjigjem tamam por unë besoj se është edhe puna.
Nëse në vend të kësaj tavoline do të kishit një piano, cilën pjesë do të luanit më parë?
Janë shumë pjesët që mund të luaj, por di të them që këtë vit kam luajtur çdo ditë Apasionatën e Bethovenit, kështu që do të zhytesha me pasion në të.
Juve keni patjetër një disk të regjistruar se këtë emision do ta pasurojmë edhe me pjesët tuaja.
Po pjesë kontemporane të ndryshme, një pjesë e tyre janë edhe në youtube.
Gjykimi yt për muzikën klasike që nga kolosët e saj e deri në ditët e sotme, si ka ndryshuar muzika pianistke në vite që nga koha e Chladermanit, Lan Langut etj që ju mund të na përmendni më shumë.
Pyetje interesante pasi piano ka historinë e saj të evolucionit teknologjik që kur u shpik si instrument. Sa herë që ajo evolonte si instrument evolonte edhe vetë pjesa, muzika që luhej. Pjesët klasike të Bahut kanë qenë të parat që kanë ndryshuar nga 12 tonalitete minor-maxhor, para tij bëheshin vetëm pesë tonalitete se po të bëheshin më shumë pianoja çakordohej, për këtë arsye Bahu u quajt avangard e kompleks për kohën dhe nuk dëshirohej të luhej. Apo Apossionata, me që e përmendëm, ka shkuar nga nota më e ulët deri tek nota më e lartë. Pjesët e tjera të Bethovenit nuk shkonin me këtë diapazon kështu u rrit gama, u shpërnda dhe tingulli u pasurua . Kjo ish arsyja që në disa raste Bethoveni u quajt si kompozitori që kompozonte gabim. Për kohën ai ishte i avancuar, kontemporan le të themi.. Heroika simfonia nr. 3 e Bethovenit është bërë në kohën e revolicionit francez, atëhere kishte topa, klithma heronjsh shpata etj. tani teknologjia ka ndryshuar e gjithsesi një arkitekturë që i është dhënë shpirt si janë ato të Gjirokastrës apo Beratit për shkak të dedikimit qëndrojnë. Ne prandaj luajmë Bethoven akoma, sepse ai qëndron. Pjesët kontemporane të huajat apo tonat luhen sepse reflektojnë kohën. Ne vetëm pasurohemi kemi kompjutera, avione, makina etj ashtu edhe muzika reflekton prandaj ne luajmë edhe kontemporanët tanë Aleksandër Peci dhe Ermir Bejo.
Por përse luhet Bethoven akoma, (një frazë kjo që unë do ta maj mend), nga mënyra se si ai ka kompozuar kuptohet, apo …
Këtu ndoshta do të kundërshtoj pak se mënyra se si ai donte ta luante Apassionatën ka vdekur. Ne thjesht e kemi të vështirë ta luajmë si ai donte ta luante atë. Një analitik muzicist Buczoni apo Adorno muzikant dhe filozof gjerman kanë thënë që transkriptimi i një partiture kalon tre faza: vjen nga mëndja tek pena në letër, i dyti nga zemra dhe nga mëndja tek performuesi, ndërsa transkiptimi i 3 tretë është nga performuesi tek audienca. Fundin nuk mund t’ja gjejmë është e vështirë, Bethoveni do të luhet sepse ne nuk dimë se si ai ka dashur ta luajë Apassionatën psh.
Një 25 vjeçar, pianist i zoti a mendon se zhvillimi i pianos si instrument ka ecur drejt në ditët e sotme?
Po ka ecur, është akoma në ecje po muzika bëhet më komplekse si teknologjia e saj. Po ta krahasojmë me instrumenta të tjerë si perkusionet që kanë një big bang në ditët e sotme se janë mjaft afër teknologjisë së sotme dhe mund të imitojnë shumë tinguj. Po ashtu edhe piano që ka brenda saj çekiça që përdoren në marinba ne nuk i shohim çekiçat se shohim vetëm “dhëmbët” e pianos. Mund të themi që edhe painoja është një instrument perkusional pasi është një instrument edhe me tela, edhe me taste, por gjithsesi jo perkusoinal tërësisht, Amerikanët si eksperimentuesit më të mëdhenj kanë kompozuar pjesë që duhen luajtur nga prapa pianos, jo në tastirë. Pianoja ështe dhomë e hapur ta jep mundësinë të luash edhe brenda saj.
Në vende të ndryshme, në skena te ndryshme si në Rusinë e largët, Itali a Japoni a tingëllon ndryshe e njëjta pjesë në piano të ndryshme?
Unë në Indiana pata fatin të studioja teknologji pianistike e tani di të akordoj dhe të rregulloj vetë piano. Jam çuditur sa ndryshe janë pianot me njëra tjetrën, sepse disa pjesë të saj bëhen ende nga dora e njeriut kjo i bën jo shumë perfekte. Hapësita më e vogel në milimetër jep një tingull çares tjetër dhe një piano mund të jetë vetëm për ninulla, balada dhe imagjino të bashkohet me akustikën e Veronës, Balshoj teatër apo edhe në TOB. Piano përçon ndryshimin një piano tjetër në të njëjtën skenë tingëllon ndryshe.
Madje fatntazia të çon që në Henë do të tingellojë ndryshe fare se s’ka gravitet. Por le të futemi pak në jetën tënde. Një 25 vjeçar ke qënë 18; 20 vjeçar që ka jetën e vet. Mbase me duar ke dashur të luash në fytyrën e një vajze ç’ka ndodhur me ty gjatë kësaj kohe?
Frymëzime të ndryshme normal. kam dashur të bëj edhe profesione të tjera shtyrë nga kuriozitete të ndryshme. Kam edhe unë muzën time, unë tezen time e kam poete, shkrimtare Eva Gavani, shkruan jashtëzakonisht bukur dhe kam dashur edhe unë aq pak ta imitoj sa do pak me fjalët e mia primitive. Kam dashur edhe me mjete shumë të thjeshta të pikturoj, por edhe me shkencën kam dashur të jem në kontakt të vazhdueshëm. Duke gjetur kohë për studim unë kërkoj të gjej kohë edhe për kohën time të lirë.
Në një koncert, në një sallë të mbushur plot cili do të ishte për ty spektatori ideal apo një person për të cilin do të doje të luaje, një person që të inspironte të interpretoje më mirë nga të gjitha netët e tjera në atë koncert?
Do të përdor përgjigjen e profesorit tim duke perifrazuar profesor Presslerin: nuk ka rëndësi se për kë luan por ka rëndësi se kush frymëzohet nga performanca jote, ajo është audienca më perfekte qoftë edhe një person i vetëm që mund të jetë një fëmijë, një i moshuar por që ti me tingujt e tu e ke ndryshuar sa do pak, e ke prekur atë. S’ka rëndësi numri i spektatorëve, pasi ti mund të bësh koncerte të ndryshme, albume që të gjithë ti blejnë e njëkohësisht mund të ndihesh bosh, pasi nuk je bërë i dobishëm me muzikën tënde. A ka rëndësi muzika jote për dikë? Kjo është.
Këmbëngul në pyetjen time në një version tjetër. Do të luaje në një teatër të Pekinit e pastaj në TOB, a ka ndryshim ky interpretim?
Pyetje pak e vështirë se ndryshimin vështirë ta gjesh. Se kur futesh në muzikë del me mendimin se nuk ka ndryshim, sepse audienca do të kuptojë nëse ti shprehesh, por gjithesi ka një farë ndryshimi që përbën paradoksin – është si muzika kontemporane apo si një film i regjizorit Belatar, janë filma simbolikë se nuk të japin përgjigje në moment, ti duhet ta rishohësh e rishohësh derisa ta kuptosh.
Ikën nga Amerika vjen në Shqipëri: si ndryshon Redi, pra ta lëmë pianistin një çast në marrdhënie me shpirtin tend çfarë ndodh?
Unë qëndroj ashtu si më ka bërë nëna i takoj të gjithë me të njëjtën dashuri, më i apasionuar për dituri. Shqipëria më duket si e njohur ashtu edhe e pa njohur, se vazhdimisht ndryshon.
Gjithë kjo karrierë ç’farë ju ka dhënë, ta lëmë anën mateiale ç’keni marrë prej saj? …vlerësime, diploma?
Dua ta përmledh përgjigjen kam marrë dashamirësinë, jam bërë më mendjehapur e kjo lidhet me atë që unë insistoj të jem i dobishëm për dikë, metamorfoza ime është e lidhur me këtë dhe ja ku jemi, duartrokasim.
Do të doja të dija se a mendoni se jeni në majë tani që jeni në moshën 25 vjeçare?
Jo nuk jam në majë, absolutisht nuk e mendoj, nuk e ka ndjerë në majë veten asnjë muzikant besoj. Unë kam një ambicje: dua të tejkaloj Presslerin profesorin tim. Ne studentët e tij themi që të bësh mësim me Presslerin është si të jetë Sokrati gjallë, e pra pak si shumë ego por unë dua të kaloj Sokratin (qesh)
Maja juaj është që të jeni më mirë se profesori juaj.Keni ardhur kësaj here në Shqipëri nga Majemi, për ç’motiv?
Unë isha i ftuar në Pianodrom dhe luajta disa pjese kontemporane të autorëve të juaj dhe shqiptarë, por do të vi gjithmonë në vëndin tim sepse dua të tregoj se sa më ka dhënë vëndi im, qoftë edhe thjesht gjuha shqipe më jep shumë.
Njeriu yt më i dashur që do doje të të dëgjonte në këtë intervistë të sotme?
Nuk dua të ndaj askënd nga njerëzit e mi, janë të gjithë shumë afër zemrës time kështu që s’do të veçoj asnjë. të gjithë famljen time…
Në fund, Eva Gavanit një pyetje, na ka ndjekur me vëmendje,madje është bërë ajo shkaku për tu takuar sot. Ç’dini për Redin dhe për pianon e tij.
Të flas për Redin dhe pianon e tij kam një emocion më të madh se të flas për Evën, Demirin si poet apo edhe për vetë poezinë. Redi është një produkt i shkëlqyer i prindërve të tij, i familjarëve të tij, ai fëmijërinë e tij e ka të lidhur edhe me mua e kjo më bën të ndihem mirë. Po ti rikthehem një pyetjeje tuajën, do të thoja që njeriu të cilin Redi do të donte ta kishte në koncertet e tij e ta dëgjonte në intervistat e bukura që ka dhënë këto ditë të media është mamja ime, pra gjyshja e Redit e cila e ka rritur dhe e ka ndjekur në sazhot e tij të para, e ka duartrokitur e është përlotur që kur Redi ishte fëmijë. Redi ka duart më të bukura në botë, ka qenë një fëmijë shumë human, i dashur dhe i ëmbël. Redi ka njohuri në letërsinë shqipe historinë dhe gjeografinë. Njeh mirë filozofinë si daja i tij i ndjerë, dhe unë mund të them që Redin e kam dobësi. Të telefonova se Redi ka luajtur dhe është promovuar në skena botërore dhe mua më vjen pak keq që në Shqipëri njihet më pak, por Demir Gjergji veç të tjerash do të mbahet mënd si një nga intervistuesit më të mirë të një talenti shqiptar me famë botërore, që do të kapë shumë shpejt majat. Nuk dua të të marr më shumë kohë Demir, por për gjithë buzëqeshjen, duartrokitjet dhe krenarinë ne e falenderojmë Redin familjarisht.

Intervistoi DEMIR GJERGJI

Filed Under: Interviste Tagged With: Demir Gjergji, Interviste, pianisti, Redi Llupa

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT