(Intervistё me poetin dhe publicistin Demir Gjergji)/
Bisedoi:Raimonda MOISIU/
Poetёt ndikojnё individёt nё veçanti dhe shoqёrinё nё pёrgjithёsi. Veprat dhe vargjet e tyre poetike janё gjithmonё, reflektimi i klimёs filozofike dhe sociale tё jetёs, mes tё bukurёs dhe sё pёrditshmes njerёzore dhe pёr kёtё arsye, ata janё quajtur pasqyrё e shoqёrisё. Fjalёt e pёrdorura nga poetёt janё fjalёt ndjellёse dhe kanё tonin qytetar, intelektual, social dhe lirikё tё pastёr dhe tё drejtpёrdrejtё, ndjejnё sensin qё pёrshkon çdo poet qё krijon. Poeti dhe publicisti Demir Gjergji ёshtё njё nga poetёt me reputacion tё ndjeshёm dhe tejet tё admiruar nё letrat shqipe. Vargjet poetike tё poetit Gjergji, pёrshkruajnё situatat nga mё tё zakonёshmet tё njeriut me kompleksitetin dhe ankthet e jetёs urbane qё pёrcaktojnё rolin e pёrbashkёt nё eksplorimin e marrёdhёnieve tё ndёrlikuara njerёzore, pёrplasjet e tё kundёrtave nё forma tё ndryshme. Ai ёshtё gjithmonё nё kёrkim tё identitetit, qё nuk ngurron tё rrёfejё realitetin e kёndvёshtrimeve, muzёs, personazheve dhe mendimeve me idetё dhe shpirtin artistik, botёn dhe ёndrrat, magjiken, realen dhe filozofiken. Burimi kryesor i muzёs, frymёs dhe imazheve qё rrethon jetёn e tij, vёzhgimet akute dhe ironike tё jetёs, i kanё bёrё poezitё e poetit Demir Gjergji, tejet tёrheqёse dhe jashtёzakonisht tё pёlqyeshme pёr audiencёn e dashamirёsve dhe lexuesve tё poezisё. Poeti Demir Gjergji ёshtё mjeshtёr i fjalёs poetike nё tё gjitha zhanret e saj. Ato janё shprehje e zjarrtё e filozofisё sё jetёs dhe mendimeve mistike. Nё gjeneratёn e poetёve bashkёkohorё, Demir Gjergji konsiderohet si njё poet i pёrsosur, se si ai pёrdor gjuhёn, imazhet dhe tema tё ndryshme, duke na pёrcaktuar se cfarё ёshtё poezia. Ai flet me botёn njerёzore tё pajisur me ndjeshmёri mё tё gjallё, mё shumё enthusiazёm, optimizёm dhe butёsi shpirtёrore tё jashtёzakonёshme dashurie, dhimbje, malli e proteste, njohёs i thellё i natyrёs njerёzores, mistikes e filozofikes.
“Unё mbetem poet. E pandryshueshme pёr mua ёshtё poezia. Poezia nuk ёshtё pёrvojё, ёshtё aventurё, frymё, peng ose mё saktё ёshtё mall (nё kuptimin e ndjenjёs), mё shumё se mall (nё kuptimin e gjёsё),-shprehet poeti Gjergji”. Nё kёtё intervistё ekskluzive pёr Tirana Observer, poeti dhe publicisti i njohur Demir Gjergji, na rrёfen udhёtimin e tij mbresёlёnёs krijues nё disa zhanre tё letёrsisё, dhe pse ai mbetet poet. Na flet pёr emisionin nё radio qё ai promovon me njё titull tejet interesant, letraro-artistik, e nga mё jetёgjatёt: “Fjala si Fillim. Fjala si Flijim”. Sё fundi ka botuar njё roman, i vlerёsuar nga kritika e kohёs, -pse e shkroi dhe pse e titulloi:Biri i botёs”,-poeti dhe publicisti Demir Gjergji, na i rrёfen nё kёtё bashkёbisedim.
Pёr mё shumё ndiqni Intervistёn.
-Përshëndetje i nderuar Demir, besoj se na shkon një bisedë arti, packa se mes nesh është Atlantiku! Disi larg por arti i afron kufijtë.
Ju vetë vini nga ndonjë familje shkrimtare dhe artistike? A ka qenë letërsia një interes shumë i hershëm i juaji apo diçka që lindi si pasion e dëshirë më vonë?
– Përkundrazi, vij nga një familje që nuk i donte librat. Disa herë im atë m’i flakte në oborr librat, kur unë fillova t’i fus për herë të parë më shtëpi. Mbase kjo është arsyeja që unë kam rendur pas tyre më me këmbëngulje. Njeriu është i prirë drejt asaj që ia ndalojnë. Por kjo s’do të thotë se letërsia nuk ishte e pranishme na familjen time. Babai thoshte përmendësh kapituj të tërë nga “Lahuta e Malcis” dhe vargje të shumta nga Ethem Haxhiademi apo të tjerë. I kishte mësuar në burg. Po ashtu, ime më, kur ishte vetëm e kujtonte se nuk e dëgjonte njeri këndonte duke ndryshuar çdo herë fjalët e këngës. Në ato çaste unë harroja lojën, botën dhe veten dhe bëhesha i tëri vesh për ta dëgjuar me ankth. Këndonte apo qante? Vështirë ta kuptoje menjëherë. Dhe kjo mikrobotë përfshihej nga bota e madhe e oshëtimës së erës në ullinj, e ngjyrave të fushës, kodrave detit, e klithmave të patave në qiell, ulërimave të egërsirave në pylli, këngës së zogjve ndër drurë. Pastaj leximet: Esenini, Lazgushi, Ali Asllani, Du Fu, Uitman… Dher belbëzimi i parë poetik, si një e qarë e dytë e lindjes sime.
– A ju kujtohet kur ju së pari këni shkruar një poezi, tregim apo ndonjë gjini tjetër dhe i keni thënë vetes: Ja dola! Kam krijuar diçka që është me të vërtetë krijimi im. Kur ka ndodhur kjo, herët apo më vonë?
– Ah, kjo ka ndodhur vonë, shumë vonë! Pasi kisha humbur dashurinë e parë, pasi kisha botuar librin e parë, pasi i kisha kthyer krahët asaj mikrobotës së çuditshme të fëmijërisë, kur im atë nuk më rrihte më, kur nëna hapte sytë sa herë i shfaqesha te porta, se mos i shkoja me ndonjë “nuse”. Po cili ka qenë ky krijim? Nuk mund ta them saktë, gjithsesi, më duket se është një baladë për kurbetin. Mbase është një strofë e saj: “Zunë rrallohen yjtë,/ Ku të t’i gjej sytë?/ Ku të ta ndjej zënë?,/Në ç’rënkim, në ç’gjëmë?”. Kjo baladë është shkruar në orën e folklorit, në auditor. Kurse libri i parë dinjitoz për mua mbetet “Mërgimi i bukurisë”. Aty e shoh veten poet të vërtetë!
-Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, -prindërit, artet, letërsia apo njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj?
– Një pjesë të kësaj përgjigjeje mund ta marr nën pyetjen tuaj të parë. Megjithatë po shtoj, se vërtet poetët si çdo talent, më shumë lindin se bëhen. Mjedisi, peizazhet, vëmendja e të tjerëve, perceptimet, përjetimet, leximet, errësira apo të fshehtat, ndalimet apo dhuna fizike qoftë a psikike, dashuria, frika, guximi janë faktorë të rëndësishëm që shkaktojnë big-bangun e madh të krijimit. Kështu ka ndodhur edhe me mua. Veç tyre, në jetën time ka pasur edhe shumë njerëz rastet m’i kanë sjellë pranë dhe që kanë ndikuar fort në udhëtimin tim lartësive drejt krijimtarisë.
– Ju shkruani poezi. Cila ka qenë poezia e parë, kur dhe si lindi ajo?
-Poezia e parë….? Mbase poezinë e parë nuk e kam shkruar, por mund ta kem kënduar në vetminë time, si nëna këngët e saj, ose mund ta kem thënë si melodi të improvizuar me pipëzat e fëmijërisë, a më bukur akoma, mund ta kem shkrepur te sytë, për të shprehur së pari dashurinë. Poezia e parë që kam shkruar, më ka humbur. Mbaje mend vetëm një strofë të saj, të cilën e kam përfshirë te vëllimi poetik: “Ishujt e mbrëmjes”. Ajo poezi ka lindur, siç nuk do të doja të ,ë lindte asnjë poezi tjetër: e shkrova pasi pashë në këndin letrar të shkollës një lajmërim që na ftonte të shkruanim nga një krijim :me temë aktuale”.
–Ju jeni poet. Qindra vargje poetike dhe disa vëllime me poezi: “Ngjyrat e tokës”, “Në sytë e mi”. “Mërgimi i bukurisë”, “Vera në ikonë”, “Digjet ylli i ikur”, “Ishujt e mbrëmjes”, “Vetëm (V)era vjen”, “Bibla e buzëve”, “Orë akulli”etj. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?
-S’di ç’të them. Përvoja e poetit nuk është si çdo përvojë tjetër. Tek e fundit për mua poezia nuk është përvojë, është aventurë, frymë, peng ose më saktë është mall (në kuptimin e ndjenjës), më shumë se mall (në kuptimin e gjësë). Mund të them vetëm se vitet e fundit jam lidhur keq me prangat e fjalës dhe për çudi kjo më bënë të ndihem më shumë i lirë në hapësirat e mendimit dhe të emocionit. Mbase kjo qenka përvoja.
– Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
-Poezinë e hedh në letër, (këto kohë në monitor celulari a kompjuteri) kur ajo vjen befas për të më shkruar mua. Çuditërisht, kam filluar të shkruaj edhe në kafe, mes njerëzve, gjë që më parë, më vinte turp ta bëja!
-Çfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?
Muza… frymëzimi, dhuntia, talenti…. Ç’t’ju them? Njeriu është univers në kalim. Ashtu si Gjithësinë edhe këtë univers është e pamundur ta zbulosh. …Nuk e di, mund të jetë krijuar në qiell, para se të lidhet në mitrën e nënës, mund të jetë ushqyer me gjenet e të parëve, para se të ndikohet prej atyre që përmenda më lart. Nganjëherë tronditem para krijimeve të mia. Si mund t’i kem shkruar?! Në fakt ato më kanë shkruar mua.
-Ju shkruani lirika dashurie “të pastra dhe të drejtpërdrejta në të shprehur” –dhe vërtet jeni ndër poetët e rrallë që me vargjet tuaja shpërthyese ilustroni dashurinë njerëzore.Çfarë ju ka shtyrë për të shkruar lirika të tilla?
-Dashuria është ndjenja më sunduese e njeriut. Le të çirret sa të doja urrejtja, e kundërta e saj, se është më e fuqishmja. Urrejtja të err vetëm sytë për të bërë gjëra të liga, kurse dashuria të bënë të gjithin rob të saj, duke të bërë njëherësh njeriun më të bukur në botë. Lum, kush e botën me sytë e dashurisë! Ai mund të thotë se ka jetuar! Kur u kthehem si lexues krijimeve të mia, sidomos atyre me motive dashurie, ndjehem tjetërkush, gati qenie hyjnore. E shoh botën të përkryer e të pafund!
-Ç’është dashuria për ju” Kur e ndjen një burrë se është i dashuruar? Si ia arrini ta reflektoni në poezitë tuaja?
Dashuria për mua? Po ua them me katër vargje po të miat: “Dashuria, portë ferri,/Kalamend një kolovajzë! Dikush shkruan te qemeri:/ Mirë se erdhët në Parajsë. Një burrë ndjehet i dashuruar kur është i mbështjellë trupeshpirt në pezhishkën e dashurisë dhe sa më shumë të ndjehet i lidhur aty, aq më i dashuruar është! Këtë gjendje kam thënë në poezitë e mia me këtë kryemotiv të poezisë sime.
-Çfarë ju shtyn të shkruani një poezi protestë me ton qytetar e intelektual?
– Në poezinë time do të hasni shumë rrallë motive të tilla. Nuk e di…më duket deklarative!
-Romani juaj “Biri i Botës” i vlerësuar shumë nga kritika e kohës për strukturën narrative dhe imagjinatën letraro-artistike, mes tradicionales, modernes dhe post-modernes. Një prozë që nuk është fantazi, por është bota e brendshme njerëzore, dëshmon më së mirë edhe penën tuaj të prozatorit. Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë; burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?
– Përvoja e shkrimit të këtij romani më ka bindur se, ndërsa poezia krijon një çast, proza krijon një botë.
-Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë në prozë, në rastin tuaj, të romanit. Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?
– Romani në fjalë është i lidhur drejtpërdrejt me jetën time. Asnjë personazh në të nuk është i trilluar. Shumë pak vende m’i ka ofruar fantazia, ngjarjet po ashtu. Është një roman në shtratin e së vërtetës, por që duhet lexuar si krejt i trilluar, sepse, nëse gjatë leximit do të përfytyrohet vetëm jeta ime, ai nuk do t’i shërbejë kujt. E kujt i duhet, fjala vjen, se si kam qarë unë, kur humba stilografin, apo si më rrahën kur isha fëmijë, sepse, qëllova me gur në çatitë e fshatit?
-Zhanrin e prozës “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?
-Romani “Biri i Botës” është procesi më i çuditshëm i krijimit gjatë gjithë jetës sime si shkrimtar. Para se të filloja ta hidhja në monitor, kujtoja se e kisha të gjithin brenda vetes, dhe, thjesht, më duhej ta kopjoja, por sapo ulesha për ta bërë këtë, ngrihesha i tmerruar. Më dukej se po lozja me një minë të kurdisur, ose me një gjarpër të fjetur. Në këtë gjendje tmerri arrita të shkruaj 20 faqet e para dhe më pas ndjeva i entuziazmuar se e kisha mbërthyer ose më kishit mbërthyer ai mua. Për tre muaj ia dola. Ai lindi në të njëjtën datë me autorin e tij. Me 11 gusht.
-Vend të veçantë në letërsinë biografike zënë veprat tuaja; profile shkrimtarësh “Shtëpia e shkrimtarit” dhe monografia “Haxhi Gjyli, një jetë për shkollën”. “Jetë e ndershme”. Pse vendosët të dialogoni përmes personalitetesh të tillë?
-Mbase ky është një tjetër profil në krijimtarinë time, e cila është shkruar për motive dhe arsye nga më të ndryshmet, ndonjëherë edhe të rastësishme.
-Letërsi artistike, poezi, publicistikë, dhe esist. Në cilën prej tyre ndjeheni më mirë? Çfarë mendoni se ka mbetur e pandryshueshme? Si lindi shtysa për të kaluar nga vargjet në prozë, apo nga proza në vargje?
– Unë mbetem poet. E pandryshueshme për mua është poezia. Edhe në sprovën e romanit, kam qenë i pazoti t’i fshihem poetit e të përqafoj prozatorin klasik. Kalimi në prozë nuk e quaj ikje nga poezia. Kurrë!
-Shquheni në prozë për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një autor që i përket dy epokave – realizmit socialist dhe periudhës postkomuniste?
-Ah, Realizmi Socialist! Shpesh mendoj me tmerr: po sikur ta ngrysja jetën dhe karrierën time në atë letërsi me të cilën e fillova krijimtarinë. Në një farë mënyrë e thashë në fillim se nga ajo periudhë e kam shumë të vështirë një krijim me të cilin mund ët mburresha sot. Ndryshimet politike në atdheun tim, ndërsa për të shpronësuarit sollën të drejtën e pronës, për mua, ashtu si për shumë kolegë të tjerë, sollën lirinë e krijimit. Ku ka pasuri më të madhe se liria e krijimit?
-Ju keni një karrierë të gjatë në gazetari, si një nga gazetarët më aktivë në mediet e vendit. Edhe si folës në radio në një nga emisionet më jetëgjata dhe më interesante “Fjala si Fillim. Fjala si Flijim”, i cili i kushtohet tërësisht letërsisë dhe autorëve të saj. A mund të na përshkruani detaje nga përvoja tuaj me këtë emision?
-Puna si gazetar në Radio përbënë periudhën më të bukur e me të pasur ët jetë sime. Nga emisioni “Fjala si Fillim. Fjala si Flijim” kam aq ngjarje, sa nëse do të guxoja t’i afrohesha përsëri romanit, mund të ma jepte guximin kjo periudhën me ngjarjet e saj që lidhet me shkrimtarët dhe poetët.
-Si jeni ndjerë kur keni dalë për herë të parë në këtë emision?
-Si atëherë, fëmijë, kur kam dëgjuar për herë të parë radio. Dhe gjithnjë kur flas nga mikrofoni i radios, më duket se po më dëgjon vetja ime fëmijë. Kjo më jep motiv për të qenë i përgjegjshëm dhe pasion para atij mikrofoni të shenjtë.
-Mu kujtua shprehja e një shkrimtari të madh, Stefan King, kur e pyetën: “ Se si mund të bëhesh shkrimtar. Ai iu përgjigj – “Merrni ndër duart tuaja libra të shkrimtarëve të tjerë dhe lexoni çdo gjë të tyre, –mos mendoni jo vetëm si të shkruani libra.” A ndani të njëjtën filozofi me të?
– Në një pikëpamje, po! Leximi dhe krijimi janë pothuaj i njëjti proces. Nuk mund ëtë ndahen. Është njëlloj si të ndash burimin nga delta e lumit.
-Si jeni ndier përballë botës së frikshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit? Çfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymmtim dhe vetëvrasje intelektuale”?
-Mediokrit, hipokritët, e keqja në përgjithësi janë shumë të fuqishëm se talente, mendjehapurit, e mira në përgjithësi. Prandaj bota ekziston, ndryshe e mira nuk do të kishe motiv ekzistence…
-Projektet tuaja në të ardhmen? Çfarë iu ka mbetur peng?
– Kam frikë ta shpall të nesërmen. Më duket sikur po tregoj se kur do të bëj seks, me kë dhe në ç’vend..
– A është i lirë shtypi sot? Pse shkruan Demir Gjergji?
– Liri absolute është pranga më e frikshme për mua. Aty ku flitet për liri shtypi, natyrshëm dyshohet në të. Shkruaj se nuk rri dot pa shkruar
-Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot.
-Të jetë pak më shumë idealiste, dmth, pak Naim Frashër, Fan Nol, Kipling, Uitman. Pra të jetë më shumë poete, rrjedhimisht idealiste
Ju faleminderit!
Bisedoi: Raimonda MOISIU