• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

29 PRILL 1967 ARRESTOHET 
AT PJETER MESHKALLA S.J.

April 29, 2020 by dgreca

AT PJETER MESHKALLA S.J. –1901 – 1988)  (Grafikë nga F.Radovani)/

Shkruan:Fritz Radovani- Instituti Pedagogjik Shkoder, ora 17.00… Organizohet demaskimi e arrestimi i Klerikut të Madh të Shqipnisë “ateiste”, At Pjeter Meshkalla, figurë e njohun antikomuniste dhe e papersëriteshme në historinë e lavdishme të Klerit Katolik Shqiptar. Ai hyni në Institut, ku të gjithë ishin me ftesa. Në sallë zakonisht hynin të zgjedhunit dhe të “porositurit” që do të flisnin si dhe duertrokitësit e njohun ndër këto mbledhje të Gjenocidit të vertetë.

Mbledhja drejtohej nga një presidium i përbamë nga Luigj Shala, Vat Deda, Arif Gashi dhe Palok Kraja, që mbajti edhe referatin e hymjes. Filluen mbas tij diskutimet e zjarrta kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste At Mëshkalla. Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu agjenti i njohun i Ramiz Alisë,  Jup Kastrati, i porsazgjedhun “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luejtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue Jupi në emnin e vet. Mbas tij foli mjeku Ramiz Hafizi që u mundue me shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por At Mëshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli e u “duartrokitën” diskutimet e Luçije Gerës, Dedë Kullës, Mandica Jovani etj. Nga salla u ndigjue zani i dy komunistave: Vasil Kafesë dhe Xhemal Dinit, që pyeti At Mëshkallën:“Ti i ke shkrue Kryeministrit për Inkuizicionin, çka ke dashtë me thanë?” – At Mëshkalla, me qetësinë e Tij, iu përgjegj: “Shif fjalorin se ka shumë kuptime, ti merr cilin të duesh!”…Asht kërkue me folë aty edhe mjeku Kolë Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kanë pranue. Xhemal Dini njoftoi: “Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” – At Mëshkalla Ju përgjegj: “Digjeni edhe ju që sonte, se ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin, e Feja e Krishtit veç sa vjen e forcohet! 

Nga rreshtat e parë u çue në kambë xhelati i njohtun i Sigurimit Xhevdet Miloti (që ishte edhe Shef i Seksionit Katolik në Degën e Punve të Mbrendëshme të Shkodrës), e tue u ngërdheshë i vuni prangat. Parase të hynte At Mëshkalla në gjips të Sigurimit që priste tek dera e Institutit, Xheudet krimineli si gjithmonë e shtyni me shqelm… 

Arrestimi u ba per Letren që At Pjeter Meshkalla i ka shkrue kriminelit Mehmet Shehu:

                          Kryetarit të Këshillit të Ministrave 

                                             Mehmet Shehu                         Tiranë

                        Shkëlqesë,

Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli. 

Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe. 

Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit. 

Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen. Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet. 

Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.

Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? 

Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të? 

Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té. 

Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vetit. 

Nuk më ka shty me Ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira. 

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                       Me nderime 

          Mehmet Shehu                                                 Pjetër Mëshkalla 

   në Kryeministri – Tiranë                    meshtar katolik i Shoqënisë Jezu. 

             5 Prill 1967.

30 PRILL 1967, ora 08.00. Në Degen e Punve të Mbrendshme Shkoder:

Oficeri pyetës asht Llambi Jegeni, asistues Skënder Myftafaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani. Arrestimi dhe kontrolli i shtëpisë u ba me urdhën të prokuror Faik Minarollit. 

19 KORRIK 1967. Ditë e nxehtë si ditët e korrikut në Shkodër, që me gojën e popullit thirrëshin “djegagurë”, pra me plasë edhe guri nga nxehtësia. Hapet gjyqi dhe jepet vendimi me 10 vjet heqje lirije, punë të detyrueshme dhe konfiskim të pasunisë…

At Mëshkalla iu afrue mikrofonit, rregulloi koletin e këmishës dhe tha fjalën e fundit: 

“Ju më dënoni sa të doni mbasi mue nuk keni shka më bani. Unë prapseprap do të dal sepse ju, shpejtë keni me mbarue mbasi shoshojnë keni me hanger e aty, asht fundi i juej. Feja e Krishtit nuk mbaron kurr!” (Dosja 4191|1 Arkivi M. M. Tiranë, 1998).

Prof. Arshi Pipa shkruan për At Mëshkallën: “…Por, 25 vjet burg ndër burgjët staliniste, peshojnë ndoshta, edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi”.  

SOT, 29 PRILL 2020…

At Pjeter Meshkalla S.J., asht le në vitin 1901. Asht arrestue në vitin 1946. U lirue në 1961.

Mbas 15 vjetve burg, arrestohet heren e dytë në 1967 e lirohet në 1977. Ka ba 25 vjet burg.

28 KORRIK 1988 Populli i Shkodres, pa dallim Feje e percolli në banesen e fundit.

•Populli Shqiptar asht krenar per qendrimin Atdhetar, Burrnor dhe Heroik të Klerit Katolik, që ndoshta, me veprat e Tij, asht kenë model i qindresës së pakthyeshme në krejt Europen Lindore komuniste perballë diktaturës barbare të tiranit Enver Hoxha dhe pasuesit tij anadollak, Ramiz Alia, që ushtruen Gjenocid të vertetë, gjatë gjithë sundimit tyne antinjerzor në Token e Bekueme Shqiptare të Gjergj Kastriotit dhe Nanës Tereze… 

   

Filed Under: ESSE Tagged With: Pjeter meshkalla

PËRKUJTOJMË AT PJETËR MËSHKALLEN

October 21, 2018 by dgreca

Pergatitë nga Fritz RADOVANI/

 21 Tetor 1946Arrestohet në Tiranë At Pjeter MESHKALLA…/

U dënue dhe bani 15 vjet burg në Burrel dhe kampe shfarosje…

U arrestue prap me “Revolucionin Kultural”, me 29 Prill 1967 në Shkoder dhe, u dënue edhe 10 vjet të tjera…

Gjithsejt ka ba 25 vjetë burg.

Arrestimi i dytë u ba në mbledhjen e organizueme nga Fronti Demokratik i Lagjes, në Institutin Pedagogjik të Shkodres, me 29 Prill 1967, ku hymja ishte me ftesa…

Në fjalen e Tij në Institutin Pedagogjik para arrestimit At Meshkalla ka thanë:

“…Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot  këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!”

NGA  AT  PJETER MESHKALLA S.J.:

HIPOKRIZIA

Hipokriti kërkon të duket ndryshe nga ç’është.                                                                                                                 Shtihët si i mirë për të gënjyer të tjerët. (Fjalori)                                                         .                                                                                           

          Mos iu afro Perendisë me zemër dy faqesh…

 Mos ban hipokrizi para njerëzve! (Ecili. 1. 36-37).

                                   E kundërta: I çiltër, flet e vepron pa u shtirë, është i

             pastër nga zemra, i sinqertë. (nga Fjalori).

                                  I. DEFINICIONE   

         Një maskë e zbukurueme

që hollë mbulon fytyrën e shemtueme.

         Sa vojna lyrë-ngjyrë

që mëshefin rrudhat e një plakës mënxyrë.

         Një pare kallpe e zbehtë

që në treg na del porsi flori i vërtetë.

         Thesi që në grykë ka molla

e poshtë der’në fund, ka veç gjarpinjë e bolla.

         Një monument mermeri

mbi kryma, mbi skeleta e kafka tméri,

por zemra ndinë si’ i akull në ty, që ngrinë,

por shpirti i drejtë… nuk di… nuk di, nuk di sesi…

por, ndinë….

                     se jé  h i p o k r i z i !  

KUADRA 

         Jé Judë, që fjalën ké si shpirt – njeri,

e për trathti ndaj Mësuesit psherëtitë,

në sa me një të puthun Mësuesin jé tue shitë,

                                   hipokrizi

                                      për treqind pare argjënd!

         Joab jé, që pret në besë e vé pusi:

hasmin e falun përqafon miqësisht,

kur të msheftën thikë atij ia ngulë tinzisht

                                  hipokrizi

                                      fillë në zemër, si gand…!

            Ti Sirenë magjepsore, shtrigë unjî:

tërhjek e detarët i thithë në pasqyrë të qétë

dhe, ia përplasë anijën té’ i shkamb nën détë

                                   hipokrizi

                                      me knaqun synin tand!

              Të njoh mirë, hipokrizi…

                                      ti jé trathti, lubi!

                                     Gënjen synin pa sherri,

por, zemra ndinë një erë gjaku në ty, që ngrinë,

por, shpirti i drejtë nuk di… nuk di sesi,

por, ndinë….

                                       se jé  h i p o k r i z i !

 

            III.  TË  KAM GJETË  !                                                                                         

      Të kam gjetë, hipokrizi, në çerdhët që ké:

Labirintët tueja janë pa krye,

por me çka pashë e ndjeva unë mbi këte dhé,

mjaft mësova e mjaft mu çilën këta dy sy.

       Në shoqninë njerëzore isht’ kenë një gja për bé:

Sinqeriteti kapun në luftë me ty,

e ti, kolonë e pestë, me dinakri,

të sinqeritetit në kështjellin barkas shtri…

      Të kam gjetë nën doreza të buta humanitare,

me çapojt e përgjakun të njaj skyftéri…

Në çajë të ngrohta të pashë “bamirëse-kërcimtare”,

me’i zemër si natë dimni kur frynë véri:

      Mbi borë përjashta dridhet një lypcarë,

ndërsa…për té (!) gjithë natën krisë Valcëri!

P’aj, të kishte veç një kokë kjo botë e tanë,

për t’ia këputun ma shpejtë, mundim pa i dhanë!!

      Nën maskë të kam gjetun Aristokracije,

me lule e lajle dhe “virtyte Oborri”…

Po, u zbè me’i herë çdo rreze qytetnije,

kur ia zbulova petët këtij laknori….

      Të kam gjetë nën xhamadan burri Malsije,

( kujtim i largtë herojsh’ që koha i mori),

hèu, gardh Kanuni thyemun njëqind herë,

për me i lanë burrit shteg “me dalë me ndérë”…

      Të kam gjetë nën frakun e njaj Liberali,

që të ngopë me “tolerancë” – “liri-mendimi”,

por, furinë fanatike s’di ta ndali,

kur gjenë përballë një idé të vendosun trimi.

      Të kam gjetë mbas syzash të Markës “ideali”,

në dy gropa syshë të thella e të êrrta shqîmi

që botës, dritë s’i dhanë m’sa ‘i natë varri,

sido që të ndrisin syzat me rrathë ari.

     Të kam gjetë në xhep të Nacionalistit vlershëm

me dhjetra flamuj tubë të shtrênjtë e të lirë,

mbishkrue me shirit etiketë “ i ndérshëm”,

p’r inat të atij që asht veç Shqiptar i mirë!

    Në çantë të kam gjetun të Demagogut të tmérshëm

(anmik intrigash, qytetar i dëlirë).

Ndër disa fletë të mshefta, si po i thona:

“Ndani e përçani…me çdo kusht e jona!”.

      Të kam gjetun nën petkun e Fétarit tonë,

brumë Farizeu, që pjesën rri tue luejtë:

Tartuf buzë-rrudhë e vetull-vrênjtë gjithmonë,

e mbas perdje asht laksist-gaudent i prunjtë.

      Ai e di mirë se dy shelqinjë – si’i thone –

në një dorë, bèsa, me i mbajtë askush s’ka mujtë: 

Detyra e shénjtë në “Sherbim të Perendisë”,

nuk i lè kohë të shikojë plagët e njerzisë…

     Të kam gjetë ndër thonjtë e gishtave të Tregtarit,

sa me shkathtësi tespi e rruzare hjedhin,

si të ishin bash verdhukët e bukur t’arit,

që, pikë prej gjakut të fukarasë, i vjédhin…

S’do mend, nga fryti i shtrydhun n’djersë të mendqarit

barkthatë e lakuriq, do fije drédhin,

e ndezë ndo’j dritë në faltore, si “mëkatnorë”,

e, për “me shkelë” Zotin me’i bakshish nën dorë!!…

      Të kam gjetë atje ku e ka selinë Drejtësia,

në lagênin e Pilatit, plot gjak të vjetër,

rrjedhun me baltë të Mamonës duerve të tija

dhe, gjak në duer të lame, gatshëm për gjak tjetër!

      Të kam gjetun té kamxhiku Flakë e shkëndija,

të apostullit të kulluet të moralit… në letër,

që shkallët e poshtërsive hypë, me rrëzue

monstrat prej froni dhe, …aty  vétë me u shtrue!

      Ku nuk të kam gjetë hipokrizi, të dalët fara!

Plaka botën kafshon e, puthë figure…

Moralin së bijës ia mësueka lara-lara…

Djalin me renë ngatrrueka… lesh tue lënurë…

      Miqtë s’po shikohen në sy ma si përpara

pse, mbas shpine i diktuen sho’ shojt’ kusure…

sé, ma, pallavrat e paundyrë të servilit!!

Se, ma, sadizmi në puthjet e katilit!!!

                         Të njoh mirë hipokrizi!

                                Jé dhunë e poshtërsi!

                                    Gënjen synin e pasherri,

por, zemra ndinë jarg ferri në ty, q’e ngrinë,

por, shpirti i drejtë… nuk di… nuk di sesi,

por, ndinë…

                            se jé  h i p o k r i z i ! 

 ANATHEMA !

Toka me qiellin……………-valën e mallkimeve,

të shkrepi mbi kokën      -e gjithë hipokritëve!

Breshni i shigjetave         -të dyndi, e rebéshi,

kudo që të ndeshi                 hipokrizinë!

Asht lëkundun bésa         -e miqve dhe e vëllazënve,

mbrenda brenë ténja         -ndër votra të familjeve;

e pranë blerimëve             -të njâj gêmi ullini,

shpallë shkrûmi e hini           hipokrizinë!

 

Era helmuese                     -prej gropës së errësinave,

po u prishë pranverën        -rinisë edhe luleve!

Kudo që të dredhuna         -rranjët të kétë ngulë,

bini me e zhgulë                     hipokrizinë!

 

Karikaturë                         -e fésë dhe e shenjtënve,

që ban të përbuzet             -era e virtyteve!…

Por, jo, se luleve                -u përgjegjë fryti,

nuk lidhë virtyti                      hipokrizinë!

 

Farizé i kalbun,                  -lësho puthje figureve,

zhyt në ujë të békuem        -tier lamshin e lutjeve

e të filaktérëve                    -s’rrêhët njerëzia,

as Perendia                            me hipokrizinë!

 

Toka me qiellin                   -valën e mallkimeve,

të shkrepi mbi kokën           -e gjithë hipokritëve!

Breshni i shigjetave             -të dyndi, e rëbéshi,

kudo që të ndeshi                       hipokrizinë!

 Anathema – dëbim, mallkim.

                                             V.  CONFITEOR

      O Zot, hipokrizisë unë ia vervita

shigjetat e mallkimet pa u kursye;

por, trupin me trup vrava, pse në sy të Tú

jam vétë, përlye me hipokrizi!

    Mbi mue randojnë e më shtypin ato “Vaje”,

që lëshove Ti njëditë mbi Farizéj…

Mos jam unë Farizé i tipit të ri ?!

    Pastroj përjashta ênën me kujdes,

e mbrenda asht mbushun plot me kalbësinë,

mizen pështyj’e dévën kapërdijë…

Shikoj qymen në sy të tjerëve e, vetë kam tranë…

Për të fitue ‘i shpirt kërkoj unë tok’e détë

e, kur ta gjejë, e baj ma të zi se vehtën…

    Me kyçin që më besove, o Zot, unë derën

vedit ia mbylla, e të tjerë nuk lashë të hyjnë mbrêndë

e, me të verbtit prijës i vérbët, të dy në gropë ramë…

    Emnin Tand në gojë e, zemrën larg prej Téje,

vegël tue të ba e kapak ndër të zeza të mija,

Tý, që, jé veç Drejtësi, Tý, që, për hir’ 

Të së Vërtetës Shênjte, çove vehtën në Kryq!…

    Mallkime dhe shigjeta unë meritoj,

që, lëshova gurë mbi të tjerë, si t’ishëm vetë

i dlirtë… Confiteor!…Po, mos vállë ky rrëfim,

asht prap hipokrizia e hipokrizisë ?!!…

Confiteor: Rrëfej fajin (shih: Matt.H. 23, 1-33 etj.)

 VI.   L U T J E !

    O Zoti em, ma fal sinqeritetin,

ma jep instinktin me e njohun n’erë

hipokrizinë; Ti më jep edhe guximin,

të vërtetën vehtës me ia thanë pa frikë,

si kirurgu m’ia vue thikën gangrenës;

hydren me e shtypë, sa herë kërkon t’ çojë krye,

mos të jém’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji,

as varr i zbardhun jashtë e, mbrêndë kufomë!…

    O Zoti em, ma jep sinqeritetin

e fëmijës së pafajshëm, të thjeshtë e pa mashtrim!

    O Zoti em, ma jep sinqeritetin

e njerëzve vullnet-mirë, që paqë lypin,

me vehtën e me shoqin e, me Tý!

    Oh, kjo lutje nuk asht,

                    nuk asht   h i p o k r i z i !

Shenim F.R.:Kjo poezi e shkrueme nga At Mëshkalla S.J., vlersohet nder krijimet ma të mira të Tij. Ndonse sot, këto Vepra nuk studjohen nder shkollat Shqiptare, mendoj se ne, asht mirë t’i Perkujtojmë Martirët e Atdheut dhe Veprat e Pavdekshme të Tyne.

            Melbourne, 20 Tetor 2018.

Filed Under: Histori Tagged With: e perkujtoj, Fritz radovani, Pjeter meshkalla

KUJTESE- PJETER DOMETHANË…GUR

July 27, 2013 by dgreca

25 vjet ma pare ka nderrue jete Pjeter Meshkalla/

Nga Fritz RADOVANI/

Shkoder, 28 Korrik 1988.

25 vjet ma parë…Një ditë krejt e veçantë në qytetin ku Pjetri, u kishte tregue “dyerve të ferrit” forcen e Gurit në Shkoder, të vendosun që në vitin 65 mbas Krishtit, në Kështjellen “Rozafat”. Dielli ishte marrë dhe dukej krejt qyteti në pragun e një eklipsi, kur “gjysëhana” po i merrte driten e frymen… Vapa kishte kalue kufinin, frymëmarrja e njeriut ishte randue, sa dukej se je në një gropë të thellë ku ngjet edhe shembja!

Fjala u hap si rrëfeja e mori dheun… Ka vdekë At Pjeter Mëshkalla S.J…Vetem termet nuk ra…atë ditë! Muret e Gurit të skalitun të Kështjellës ishin trandë me kohë! Pikë shiu nuk binte…

Vorret e Rrëmajit, jo ma larg se 200 ml. larg shtëpisë së Tij, ishin mbyllë që në vitin 1970… At Pjetri do të vorrosej në vorrezat e Stom Golemit… Edhe atje kishte nevojë per Prift!..

Në vitin 1967, kur Nana ime e takon në rrugë P. Mëshkallën, i cili e thirri në shtëpi dhe i dha me vedi disa skica që kisha fillue me ilustrue vjershat e Tija tue i thanë: “…Merri me vedi mbasi unë nuk do t’i mbajë ma, sepse mund të më arrestojnë e nuk due me m’i gjetë kush skicat e Fritzit këtu!..”, Nana e pyet nëse kishte dëgjue gja në lidhje me arrëstimin, Ai i tha: “Jo!..por, kjo do të ndodhë, mbasi para pak ditësh jam ulë në gjunjë para statujës së Zojës (aty ku Ai thonte meshën çdo ditë në dhomën e Tij) dhe i kërkova Asaj me më mësue se shka me ba në këte kohë kaq të vështirë. Zoja ma shndriti mendjën dhe unë i shkrova një letër Mehmet Shehut, kështu kjo letër do të bahet shkak me më arrestue; njëkohësisht këta do të më dënojnë për përmbajtjën e letrës që i kam shkrue atij dhe nuk kanë me më pyet se shka kam bisedue sa në një shtëpi e sa në një tjetër, mbasi unë ashtu do të marr në qafë gjithë njerëzit, sepse unë kam hy e dalë në të gjitha shtëpijat e Shkodrës. Mbasandej, ajo që ka randësi asht se edhe ndonjë meshtar që ka pasë kenë në burg, ka vdekë, e asht e nevojshme me hy dikush prej nesh mbrendë, se aty ka shumë nevojë për meshtar, mbasi ndër burgje janë shumë të rijë dhe njerëz që janë dëshprue nga mërzia dhe vuejtjet e randa, që janë tue kalue tash sa vite. Asht e nevojshme prania  jonë aty...” Mandej i kishte lexue letrën që i kishte dërgue xhelatit …

At Pjeter Mëshkalla asht arrestue me 21 nandor 1946, dhe ka ba 15 vjet burg në Burrel…

Me daten 29 Prill 1967, At Mëshkalla u arrestue per të dyten herë…dhe, ka ba 10 vjet burg.

Imz. Mikel Koliqi, ka thanë: “Ai e meriton me u dekorue, mbasi Ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti Ai ndër mend atyne arrestimin, gja të cilën na të tjerët nuk e kemi ba.”  (1992)

Ja dhe disa kujtime nga bashkvuejtësit e At Mëshkallës:

●Prof. Arshi Pipa: “ …në kjoftë se kam shpëtue nga burgu i Burrelit e jam sot i gjallë, i detyrohem lutjeve të njerëzve si Padër Meshkalla e të tjerëve, të cilët kujtoj se kanë kontribue në determinimin e fatit tem.” (Intervistë e dhanun për revistën “Kumbona e së Diellës” Shkodër, 1993).

●Xhemal Alimehmeti, bashkvuejtës i Tij në Burrel: “Drejtori i burgut të Burrelit, njëfarë krimineli i regjun, Njazi Tunxhi, po u fliste të burgosunve për disa rregulla në lidhje me rininë… Pader Mëshkalla nga rreshti i kërkon me hapë shkolla në burg për të rijtë, por drejtori e ndërpret: -Të qanë zemra ty për rininë, ke për ta parë sonte shkollën atje poshtë në birucë! Pader Mëshkalla qeshet. Ai nervozohët dhe i thotë: – Ç’e ke atë buzëqeshje, or jezuit i poshtër?….Pader Mëshkalla i thotë: -Unë po qeshi me ty! Ende nuk e keni kuptue, se unë do të ishe i lumtun  me vdekë i kryqëzuem si Zoti  em, Jezu Krishti! Ende nuk e keni kuptue? E çka ke me më ba ti ma shumë se aq sa i kanë ba shokët tuej Krishtit?”…

●Zotni Pjeter Dedë Deda, i pranishem në gjyqin e parë tregon: “Ai, nga i akuzuem u kthye në akuzues, dhe mund të themi në kuptimin e plotë të fjalës, e mbërtheu me shpatulla për muri trupun gjykues… At Meshkalla u përgjegj, se dy letra i kishte dërgue Enver Hoxhës, tue ia vu në dukje këto shkelje të lirisë së fesë e të mendimit, por asnjë përgjegje nuk kishte marrë as nga ai…Unë nuk dij kujt me i shkruar më nalt, tha Ai…” (1947)

●Zotni Agim Musta, bashkvuejtës i At Mëshkallës, shkruen: “Padër Mëshkalla ishte kthyer në një mësues shpirtëror i të gjithë bashvuajtësve të çdo Feje. Atë e respektonin të rinjtë, pleqtë dhe e adhuronin të gjithë për forcën e Tij shpirtërore”.

● Zotni Leka Toto, shkruen: “Ai të tëra gjërat që kishte, i ndante me të burgosurit e varfër, pa bërë asnjë dallim. Ai i ndante ato, siç do t’i ndante vetë Jezusi!”.

●Zotni Riza Kuçi, shkruen: “Në vitin 1972 ra një epidemi e rendë gripi në kampin e Ballshit. Në një moment, tek shtrati ku lëngoja unë, u afrua Pader Mëshkalla dhe më dha një gotë çajë të ngrohtë, të përgatitur nga Ai vetë. Mund të merret me mend se çfarë emocionesh shkaktoi në përsonin tim vëprimi njerëzor i Padër  Mëshkallës…”

●Kryeministri Mehmet Shehu ishte në burgun e Burrelit me gjeneral Gjin Markun, dhe tue vizitue të burgosunit e ngucën At Mëshkallën, për me pa a ia ka dobësue guximin vuejtja, e Ky u tha atyne:  “Na jemi nën dhé e ju mbi dhé, por na jemi ma të fortë se ju!”.

●Tregon një plakë në Gjuhadol (Shkoder): “Ishte tue kalue rrugës Dava, një murgeshë që ka shkue ndër dyert e të gjitha burgjeve e kampëve  të shfarosjes së komunizmit, mbasi ndër të gjitha e gjithnjë kishte priftën. Ajo lypte ndihma nga të vorfnit për me ushqye të uritunit… Në kthesë të rrugës ajo takon  P. Mëshkallën dhe i tregon se mbas pak ditësh donte me shkue në një kamp pune, mbasi kishte grumbullue paksa të holla e ndonjë plaçkë… P. Mëshkalla, menjëherë, i thotë Davës me e pritë një minut aty dhe drejtohet nga plaka që ishte në derë të oborrit… Ajo habitet për një çast, kur Ky hyn mbas kapakut të derës që nuk hapej, i jep asaj xhaketën me ia mbajtë, çveshë një xhup që kishte të veshun dhe mbi këmishë veshë xhaketën, e ashtu në atë natë të ftohtë vjeshte del dhe drejtohet nga Dava, tue i thanë: “Sa mirë që të takova para se me ikë ti atje, na këte xhup dhe nepja X, se ai nuk ka shka me veshë e po afrohet dimni!..”.

● Prof. Arshi Pipa, shkruen këto fjalë me rastin e vdekjës së At Pjetër Mëshkallës, viti 1989: “Çka i ndriste syni, ia shkrepte gjuha…”.

***Disa thanje të At Pjeter Mëshkallës: (Dosja 4191|1 Arkivi M. M. Tiranë, 1998)

●”…Këtu, në Shqipni, jo vetëm që nuk lejohet asnjë parti politike opozitare dhe asnjë shtyp opozitar, por për një fjalë të vetme në kundërshtim me vijën e partisë komuniste, arrëstohesh dhe të sjellin para gjyqit, siç keni veprue me mue.”(1946).

●“Pushtetin komunist e kam luftue në të gjitha predikimët e mija… unë nuk jam pajtue me komunistët… Aktivitetin propagandistik kundër Partisë Komuniste Shqiptare e kam fillue në vitin 1943. Kjo parti atëherë drejtonte Luftën N.Çl., por unë, tue kenë kundër komunizmit, kam luftue edhe punën e tyne… Mendimi em ishte se, në Shqipni, Pushtetin nuk duhet ta marrin komunistët, mbasi nuk do të na ndihmojnë shtetet e Europës.”

●“Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhe, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut”.

●“Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni.”

●“Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta me dashni të madhe. Qellimi em ka kenë gjithmonë i mirë…me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!… Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një ZOT, jemi të një gjaku, sepse, jemi të gjithë Shqiptarë… Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça e nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini servile e hipokrite, që nesër nuk do t’u durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët, e një ditë ka me ju hangër kryet… Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni… Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu fëmijëve para me hangër, sepse, të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës…”

●“Kjo asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të Shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij… Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi… Ju i përgjithësoni veprimet, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX…Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri feje e ndërgjegje….Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija.”

●“Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot  këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!”

●Kishin hy në zyrën e drejtorit te kampit dy oficera nga Tirana dhe kanë kërkue nga             Padër Mëshkalla mos me shkue ma në punë tek kryporia, por me u angazhue me përkthime në një dhomë të veçantë, sigurisht mbrenda kampit. Materiali që do të përkthente Ai aty ishte në gjuhën gjermane dhe do t’i sillej nga Tirana. Bahej fjalë për veprat origjinale të materializmit… Por P. Mëshkalla, i fortë, i palëkundun dhe trim si gjithmonë, nuk i le me vazhdue bisedën tue ua ndërpre fjalën: “Nuk pranoj me u marrë me këte punë mbasi nuk i jap as rinisë, as pleqëve, të përkthyem me dorën teme helmin e marksizëm – leninizmit, atë helm  kundër të cilit jam kenë gjithë jetën teme!”. Atëherë, ata e pyesin: “Çfarë punët tjetër di me ba ti?” –Ai u përgjigjët: “Vetëm Meshtar!”.(1968)

●“Po të shprehin lirisht mendimët e tyne (njerëzit), ky Pushtet nuk ka për të zgjatë shumë.”(1967)

●“JU MË DËNONI SA TË DONI, MBASI MUE NUK KENI SHKA MË BANI, UNË PRAP SE PRAP DO TË DAL, SEPSE JU, SHPEJT KENI ME MBARUE, MBASI SHOSHOJNË KENI ME HANGËR E ATY ASHT FUNDI JUEJ!

FEJA E KRISHTIT NUK MBARON KURRË!” (Fjala e fundit në gjyq, 1967)

***

●“VËLLAZEN ME TË GJITHË!

Kësodore kemi me provue me fakte se, asht e mundun bashkëjetesa ma paqësore e ma e frytëshme, me besime të tjera: Pa kenë nevoja me e mënjanue Fénë tonë, madje, ma shumë tue e ndjékë  besnikrisht.”

•At  Pjeter Mëshkalla thonte: “Asnjëherë Shqipnia nuk asht kenë e pergatitun për një parti demokristjane, mbasi kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa brezi i inteligjencës, ishte ende në formim. Partia nuk bahet me aq pak njerëz të pergatitun sa kishte ajo kohë. Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje një shkatrrim për të gjitha fushat, sëpse, as që, mund të bahej ma fjalë për qeverisje demokratike. Shkollat marksiste-leniniste kanë me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas përmbysjes së komunizmit. Shkaqet dihen!”

 ●Prof. Arshi Pipa, shkruan për Padër Mëshkallën: “…Por, 25 vjet burg ndër burgjët staliniste, peshojnë ndoshta edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi”. 

***●Ata gurë po mbroheshin nga Pjetri, që tha: “Ju, Kishat rranoni, por Toka nuk lot! Ju, prishni  Kisha e Xhamija, por Ata, do të ndërtohen prap njëditë!..”(1967)

•Ky klerik… “Nuk asht vue në listë… per Shejt” !!

Melbourne, Korrik 2013.

 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: 25 vjet ma pare, Fritz Radovanai, ka nderrue jete, Pjeter meshkalla

Artikujt e fundit

  • “Dialogu Kosovë–Serbi”, një interpretim politik
  • At Zef Valentini, ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare
  • QË DRITA E DITURISË PËRPARA TË NA SHPJERË…
  • Në 44 vjetorin e rënies se Tahir e Nebih Mehës
  • Çfarë përmban projektligji i madh i Trump? Triliona në ulje taksash, ndryshime në Medicaid…
  • Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar
  • “Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”
  • 63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH
  • Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”
  • “Le të ulërijmë”
  • SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT
  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT