Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë të vitit 2016, në 8 janar/
-Rritja e pensioneve, vendimi i parë i qeverisë së Kosovës në vitin 2016/
-Komision për njohjen e stazhit të punës në vitet e 90-ta në institucionet e Republikës së Kosovës të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990/
-Qeveria e Kosovës rimbledhjet sot edhe në orën 15:30, për herë të dytë ditën e sotme, kur nga ora 00:09 mbajti mledhjen e parë në 2016-të, të 68-tën që nga zgjedhja në Kuvend në 9 dhjetor 2014/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Janar 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës nisi vitin 2016 me rritje pensionesh, me plan pune të miratuar në fundvitin 2015, njofton nga mbledhja korrespondenti i gazetes Dielli.
Rritja e pensioneve të kontributdhënësve, në pajtim me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, ishte vendimi i parë i qeverisë së Kosovës në vitin e ri 2016, në mbledhjen e mbajtur sot paradite, ku u paralajmërua edhe formimi i një komisioni për njohjen e stazhit të punës në vitet e 90-ta në institucionet e Republikës së Kosovës të Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, në rrethanat e okupimit, në lëvizjen për liri e pavarësi.
Qeveria e Republikës së Kosovës rimbledhjet sot edhe në orën 15:30, për herë të dytë ditën e sotme, kur nga ora 00:09 mbajti mledhjen e parë në 2016-të, të 68-tën që nga zgjedhja në Kuvend në 9 dhjetor 2014.
Kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e parë për këtë vit, kërkoi nga ministrat dinamizim të punës së qeverisë, sidomos në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik, plotësimin e plotë të rekomandimeve të fundit që kanë mbetur lidhur me liberalizimin e vizave, çështjen e implementimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, si dhe për përgatitjet për ligjin për pagat.
Sipas vendimit të sotëm të qeverisë për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve, në pajtim me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, çdo pensionisti i cili ka 15 vjet përvojë pune në mënyrë automatike do t’i njihet përvoja shtesë e punës prej 25 vitesh. Kjo nënkupton që pagesa e pensionit kontributiv i cili është sot 140 euro të ngritët në 158 euro si bazë fillestare për kalkulimin e kontributeve apo kualifikimeve tjera.
Kryeministri Mustafa tha se ky është një vendim shumë i rëndësishëm, sepse praktikisht po ju njihet përvoja e plotë e punës të gjithë atyre që kanë pasur 15 vjet përvojë pune si kusht për ta fituar statusin e pensionistëve kontributdhënës.
“Në mungesë të dokumentacionit të kompletuar për këtë pjesën tjetër të përvojës qoftë gjatë okupimit, qoftë gjatë luftës dhe me këtë po arrinë baza e pensionit kontributdhënës në 158 euro. Mbi këtë 158 euro mbetet që pastaj të hartohen dhe të qartësohen kriteret nga komisioni lidhur me efektet që do t’i ketë kualifikimi në pensionet kontributdhënëse”, tha kryeministri Mustafa, duke bërë të ditur se efektet e këtij vendimi më pas do të jenë në përputhje me nivelin e shkollimit dhe kualifikimeve.
Kryeministri Mustafa tha po ashtu se afati që kjo të përfundohet është deri në fund të shkurtit me kusht që shtesën tjetër për pensione ta marrin nga 1 janari i këtij viti.
Lidhur me çështjen që hapi në mbledhjen e sotme të qeverisë ministrja Edita Tahiri që ka të bëjë me zgjidhjen e çështjes së punonjësve të cilët kanë punuar në institucionet e Kosovës në kohën e okupimit, kryeministri Mustafa tha se mbetet çështje në të cilën duhet të punohet, duhet të përcaktohen kritere dhe të gjithë atyre pastaj që kanë punuar në atë periudhë dhe kanë kontribuar t’ju njihet ajo përvojë e punës, dhe që në kritere të përcaktohet se në çfarë forme do të identifikohet ajo përvojë dhe do të dëshmohet përvoja e tillë.
Kabineti qeveritar miratoi edhe konkluzionet e dala nga takimi i Këshillit të Ministrave për Reformën e Administratës Publike.
Po ashtu, në mbledhjen e sotme të qeverisë u mor vendimi për themelimin e Grupit Negociator për përkrahje Buxhetore lidhur me Reformën e Administratës Publike.
Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e 68-të, të parën në vitin 2016, të cilin e nisi me plan pune të miratuar.
Plani vjetor i punës së qeverisë së Kosovës për vitin 2016, i miratuar në mbledhjen e fundit të 2015-tës, në 30 dhjetor, është koordinuar dhe përgatitur nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Integrimit Evropian, pas pranimit të propozimeve fillestare nga të gjitha ministritë.
Plani vjetor i punës përmban 5 prioritete strategjike të qeverisë, objektivat sektoriale dhe planet e ministrive, përfshirë dokumentet strategjike dhe programin legjislativ për 2016-tën.
Në mbledhjen e miratimit u theksua se, plani i punës për 2016-ën është instrumenti kryesor i cili shërben për zbatimin e prioriteteve dhe të politikave të përcaktuara në programin e punës së qeverisë së Kosovës dhe njëkohësisht edhe mekanizmi institucional vjetor i cili shërben për të zbatuar në praktikë planin katër vjeçar të qeverisë 2015-2018, i cili buron nga programi i saj politik.
Po ashtu, Plani vjetor i punës së qeverisë për 2016-tën është në përputhje me objektivat dhe synimet e përcaktuara në dokumentin e programit qeverisës, duke nisur nga prioritetet e vendosura edhe dokumentet tjera të rëndësishme të qeverisë së Kosovës si Strategjia kombëtare për zhvillim 2015-2020, programi i reformave ekonomike etj, drejt integrimit evropian.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, ka më shumë se një vit që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.
Ndërsa, për nesër në Prishtinë, opozita kosovare ka paralajmëruar protestë. “Nesër në ora 14:00, do të mblidhemi tek Biblioteka Kombëtare, për të nisur kështu protestën për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë antikushtetuese”, deklaruan sot Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës. Manifestimi ishte ftuar nga opozita në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë, veçmas asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe kundër marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
KOSOVË-KRYEMINISTRI MUSTAFA NJOFTON PENSIONISTËT ME VENDIMIN E QEVERISË PËR RRITJEN E PENSIONEVE
PRISHTINË, 8 Janar 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, priti në takim drejtuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të kryesuar nga kryetari Shaban Kajtazi. Ky takim vjen menjëherë pas vendimit të sotëm të qeverisë për rritjen e pensioneve të kontributdhënësve.
Kryeministri Mustafa i ka njoftuar pensionistët për vendimin e marrë nga qeveria e Kosovës për rritjen e pensioneve bazë të kontributdhënësve nga 140 në 158 euro, duke e konsideruar këtë si një vendim shumë të rëndësishëm që merret në fillim të këtij viti.
Kryeministri Mustafa po ashtu shprehu mirënjohjen e qeverisë së Kosovës për kontributin e madh që pensionistët kanë dhënë për Kosovën, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Qeverisë së Kosovës për të gjithë pensionistët kosovarë.
Pas takimit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, mbajtën konferencë për gazetarë.
“Sot kemi marrë një vendim i cili përcakton bazën dhe njeh përvojën e punës pas 15 viteve punë, ashtu siç e përcakton ligji, dhe krijohet baza e re e pensionit kontributdhënëse e cila është 158 euro. Mbi këtë bazë do të bëhen kalkulimet e tjera të nevojshme për kategorizimin e mëtutjeshëm të bazuar në kualifikimet shkollore të cilat do t’i sjellin pensionistët kontributdhënës”, tha ministri Abrashi.
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, në emër të pensionistëve falënderoi kryeministrin Mustafa, ministrin Abrashi dhe qeverinë në përgjithësi, për përpjekjet e tyre që pensionistët kontributpagues njëherë e përgjithmonë t’i realizojnë të drejtat e tyre. “Ligji për skemat pensionale është miratuar dhe ka hyrë në fuqi më 20 qershor 2014, por që erdhi deri te 1 janari i vitit 2016 i cili do të aplikohet. Ligji dhe udhëzimi administrativ i parasheh kategorizimin. Ne arritëm një marrëveshje me Kryeministrin dhe Ministrin që të fillohet me 158 euro bazë, ndërsa pjesa tjetër, diferenca për kategorizim të paguhet sipas kategorive, koeficientëve dhe ato kurdo që të mbërrijnë dokumentet në Ministri, realizimi i kompensimit të bëhet nga 1 janari. Ka edhe shumë çështje të tjera që do t’i bisedojmë, siç është çështja e përvojës së punës, çështja e kompensimeve të marra nga Serbia, por edhe çështje tjera që bashkë me Ministrinë duhet t’i realizojmë për këto kategori”, tha kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës./b.j/