Me rastin e 80 vjetorit të vdekjes-
Nga Nikë Gashaj-At Gjergj Fishta vdiq më 30 dhjetor 1940 në Shkodër. Ceremonitë iu bënë në Kishën e Gjuhadollit nën përcjelljen e autoritetëve më tëlarta fetare dhe politike të kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Imzot Gaspër Thaqi, arqipeshkvi i Shkodrës.Shtypi i kohës e pasqyroi tërë vdekjen e tij. Jehonë vdekjes së tij krahas shtypit fetar dhe jo fetar në Shqipëri i dha dhe shtypi botëror, sidomos ai italian, sepse personaliteti i Gjergj Fishtës i kishte kaluar kufijtë kombëtarë. Impresionues ishte edhe fjalimi i Aleksandër Xhuvanit në varrimin e tij, i cili theksoi: Si Vetimë u përhapë an ‘e kand të Shqipërisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zamadh t’autorit të Lahutës së Malcisë që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin e besën e fisit t’onë, që ka ndezë zemrat e shqiptarëvet, si dikur Tirteu i vjetësisë. E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipërisë, se, sikurse ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e Spartanëvet për luftë, njashtu edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit ‘ e Mrrizit të Zanave e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s’onë dashunin’ e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare. Nji këto dy ideale, Atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi dhe përparimi i saj kanë qenë polet, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi nëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit e tij, që e çmon ma mirë veprën zamadhe të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj. Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe një edukator i rinisë s’onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t’ona vetëm artin e tij poetik, bukurin e harmonin e vargut, rrjedhshminë e dlirsin e stilit e të gjuhës së tij, që asht një thesar i pashterun frazelogjije të kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si një nektar të hyjnueshëm të bletës attike, idealet ma të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashurinë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën.
Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën ladvimadhe të At Fishtës. Asht historija, që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zamadh të tij, asht letërsia e jonë, që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbimranda deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit Za-ambël të tyne; asht djelmënija shqiptare, që ka për t’ u ushqye e për t’u vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit asht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.
Na të gjithë ladvimtarë të veprës së tij, shokë e nxanës të tij, të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë veprat e tij, fjalët e ambëla e plot atdhedashtëni e këshillat e tij, le t’i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në ket dhe, prej kah të vijojë me iu lutë për lumnin e Shqipërisë.
Me qenëse, Fishta ka qenë antar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe të Arteve, Kryetari i asaj Akademi, Luigj Federzoni, me rastin e vdekjes i dërgon telegram ngushëllimi Ernest Koliqit, Ministrit të Arsimit të Shqipërisë në të cilin, ndër të tjerat thuhet: se me ndamjen nga jeta të At Gjergj Fishtës, “Akademia e tyre humbi nji ndër pjestarët e vet më të shkëqyeshëm”.
Ndërsa, Karl Gurakuqi shprehet: “ Ky hyll i shkëlqyeshëm u këput prej qiellit shqiptar, ky njeri i madh u nda nga mesi i ynë, por Ai nuk do të harrohet kurr prej shqiptarëvet; Shqipnia do t’a kujtojë me mirënjoftësi, vorri i tij do të bahet vend shtegtimi; rinia do t’a ket si shembull atdhetaria, si udhëheqës n’idealet kombëtare, fytyrën e tij do t’a thadrojë në mermer dhe emnin e tij do t’a përjetësoj në sheshet e qytetevet me përmendore, për t’u lanë kujtim brezavet të ardhëm. Këto ia ka për detyrë Shqipnia, të cilën Ai e deshti aq fort sa qe gjall e për të cilën shkrini krejt jetën e vet. Shqipëria qe ideali i tij, për te punoi, për të vuajti e me emnin e saj në gojë dha frymën e fundit. Për të pat këndua:
Dersa t’ muendem me ligjrue
E sa gjall me frym’ un jam.
Kurr, Shqipni, s’kam me t’harrue
Edhe n’vorr me t’ përmend’ kam! “.
Më tutje Gurakuqi, thotë: “Në qoftë se sot mburret Italia për një Dante Alighieri dhe Francesco Petrarca, në qofttë se krenohet Albiona plakë për një Milton e Schakespeare, Gjemanët për njëGoethe e Schiller, Francezët për Corncille e Racine; atëherë Fishta është krenaria e Kombit tonë, është gjenia më e naltëe fisit arbnuer, është pjella më fisnike e më e bukur e tokës së parëvt tonë… Fëtyra e tij rrall përsëritet në historinë e qytetërimit, emni i tij do të shkruhet me germa ari në historinë e Rilindjes sonë, vepra e tij është monument i shekujvet të historisë kombëtare…”.
At Gjergj Fishta( 23 tetor 1871-30 dhjetor 1940) është poeti kombëtar, dramaturg, prozator, estet, publicist, pedagog, klerik dhe politikan. Lindi më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë të Zadrimës, në paralagje të Shkodrës. Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër. Më 1886 u dërgua nga françeskanët në Bosnjë – Sutjeskë, Livno dhe Kreshevë, ku studioi telogji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinishten, italishten dhe kroatishten.
Më 1894 u shugurua prift dhe u pranua në Urdhërin françeskan. Po atë vit u kthye në Shqipëri dhe filloi punën si mësues në Kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famulltar në fshatin Gomsiqe.
Fishta u emërua në vitin 1902 drejtor i Gjimnazit françeskan në Shkodër, i cili qysh prej themelimit të tij në vitin 1861 drejtohej nga të huajt. Me ardhjen për drejtor, Fishta në shkollë bëri shtiemen e gjuhës shqipe si gjuhë mësimi. Pra, zëvendësoi italishten me shqipen, për herë të parë si gjuhë në shkollë.
Nën drejtimin e tij shkolla mori një hov të ri -Shkolla e Patër Gjergjit – kështu e quajshin shkodranët. Ajo u bë qendra e atdhetarëve, ku në mbrëmje mbledhshin rinia e qytetit për të marrë këshilla e mësime nga goja e Mjeshtrit t’ idesë kombëtare Gjergj Fishtës.
Një kontribut jashtëzakonisht të madh Fishta e dha si Kryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit (Bitoli i Sotëm-Maqdonia e Veriut) , më 1908.
Rëndësia e madhe e Fishtës është si sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, më 1919-1920. Po ashtu në zgjedhjet e qershorit 1921, Gjerg Fishta zgjedhet deputet i Shkodrës dhe nënkryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Prandaj, është me rëndësi angazhimi i tij politik për përfaqësimin dhe artikulimin me dinjitet të interesave të popullit dhe të shtetit shqiptar.
Fishta ka meritë të madhe për mbrojtjen cilësore të interesave të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes së drejtave njerëzore të vëllëzëve shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, si pjesëtar i delegacionit shqiptar në Konferencat ballkanike: 1930 në Athinë, 1931 në Stamboll, 1932 në Bukuresht dhe më 1933 në Selanik.
Kontributi i madh i Fishtës është si bashkë themelues dhe antar i Shoqërisë letrare “Bashkimi” në Shkodër, më 1899, qëllimi i së cilës ishte zgjimi kombëtar i popullit me anë botimesh në gjuhën amtare.
Fishta së bashku me patriotin Luigj Gurakuqin formuan “Komisin Letrare”, në Shkodër, më 1916, e cila kishte për qëllim me i vë themelet e një gjuhe të përbashkët letrare të shqipes.
Fishta duke iu mbajtë gjithnjë parimit të vet themelor se shtypi asht arma ma e mirë për të përhapë mendimet, e mjeti ma i përdorshëm për t’i çelë syt popullit, themeloi revistën letrare, filozofike dhe diturore “Hylli i Dritës”, më 1913. Po ashtu, më 1916, themeloi dhe drejtoi gazetën politike-letrare “Posta e Shqypnisë”. Përveç, këtyre, për një kohë të gjatë drejtoi dhe revistën “Zani i Shdout”.
Në vitin 1923 Shoqëria “Rozafa” organizoi në Shkodër një ekspozitë pikturash kombëtare. Në këtë Ekspozitë, Fishta paraqiti 24 copë piktura origjinale të tij të punuara me një mjeshtri aq të madhe sa disa prej tyre u miratuan nga Akademia e Vjenës.
Zotësia e Fishtës si poet i cili ka lënë emër pothuaj në të gjitha gjinitë dhe zhanret e krijimtarisë letrare shprehet sidomos në kryeveprën “Lahuta e Malcisë”, në të tridhjetë këngët e së cilës poetizohet historia e popullit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit 1878 e deri në pavarësinë e Shqipërisë më 1912. Në këtë vepër Fishta këndon luftën e popullit shqiptar për pavarësi të zhvilluar në dy drejtime: Kundër Perandorisë Osmane në periudhën e shthuerjes së saj, dhe luftës kundër coptimit të truallit etnik shqiptar nga fqinjët.
Gati e tërë lënda me të cilën Fishta ndërtoi këtë vepër, është nxjerrun nga jeta e pasuria shpirërore e popullit shqiptar(Martin Camaj). Kot mundohen Grekët e sotëm – thotë Faik Konica-të gjejnë në letërsinë e vet një vepër më të plotësueme se “Lahutën”.
Eqrem Çabej thekson: “Vepra e Fishtës i ka rrënjët në tokën e në jetën popullore të Shqipënisë, ajo nuk do t’ishte çka është pa njohjen e thellë të vendit nga ana e poetit, dhe nuk mund të kuptohet pa njohur vëndin dhe njerëzit e Shqipërisë. Veçse ç’i fali vendi poetit, ky ia përligji në trajtë të fisnikruar të artit. Sepse vepra e tij u bë pasqyra besnike, fytyra e kthjelltë e gjithë vërtetësisë etnike, trimërisë së ashpër, burrërisë luftarake, krenarisë raciale që ka mundur të ruaj gjer sot jeta shqiptare”.
Lasgush Poradeci thotë: “Fishta është shkëmb i tokës dhe shkemb i shpirtit shqiptar”.
Fishta nihet si poeti më popullor i shqiptarëve, si poeti më i përzëmrt i këtij populli. Ai ka qenë figura emblematike e gjuhës dhe kulturës shqipe dhe apostulli i Atdheut të vet. Prandaj, ai është nderi dhe krenaria e shqiptarisë.Ai e meriton këtë ndrim dhe vlerësim. Është një botë e tërë që e ka nderuar si të tillë, që e ka cilësuar si poetin më tëmadh të kombit shqiptar.
Poezitë e tij epike, lirike e satirike, jo vetëm u njoftën, u studiuen dhe u çmuan në tërë botën shqiptare, duke lënë vragë të pashlyeshme, por jehuan edhe në botën letrare të jashtme, duke e bë të njohur emrin shqiptar ndër rrethet intelektuale të botës së qytetëruar.
Gjergj Fishtën e nderoi dhe ngriti bota shqiptare, por dhe bota e jashtme duke i dhënë atij dekorata e tituj nderimi. E dekoroj Mbreti i Austro-Hungarisë me Ritterkreuz (1912), Paria e Përgj. E Urdhnit Françeskan me titullin Lector Jubilatus(1929), mbreti i Turqisë me dekoratën Mearij, kl.II (1912) dhe Greqia me dekoratën Foenix (1931).
Mirëpo, sikurse është e njohur, Fishta në periudhën e sistemit komunist, për arsye politike dhe ideologjike, u ndalua më se dyzet vjet nga mësimi në shkolla e në universitete, si dhe nga botimi dhe studimi në trojet shqiptare: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe në Luginë të Preshevës. Kjo ndalesë bëri që disa gjenerata të mos kishin mundësi ta njohin këtë figurë të madhe të kulturës shqiptare.
Pas rënjes së komunizmit në Shqipëri, Fishta përsëri këthehet në institucione arsimore, kulturore dhe shkencore pët t’u mësuar dhe studiuar, por jo dhe sa duhet. Prandaj, ekziston nevoja për njohjen më të mirë të gjeneratave të reja me veprën e rëndësishme letrare-artistike të tij, si dhe me kontributin e madh të përgjithshëm të Fishtës për kulturën dhe çështjen kombëtare shqiptare.