• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KA NDËRRUAR JETË VEPRIMTARI DHE POETI YNË NË MËRGIM FEHMI KORÇA

August 29, 2013 by dgreca

Shkruan:Shaban Cakolli/

Kurbeti kjo bukë e hidhur,për shqiptarët mbetet dhimbja më e madhe kombëtare.Atdhetarët shqiptarë të  përndjekur nga dhuna e hekurt pushtuese,qenë detyruar të braktisin trojet e tyre dhe të strehohen nëpër vende të ndryshme të Europës,por asnjëherë nuk e kanë rreshtur punën për ngritjen e vetdijës kombëtare.Ata edhe me pushkë edhe me penë kanë luftuar për të mirën e mëmëdheut.Jetë e hidhur në mërgim,atje ku njeriu dergjet me mallin për atdhe.Shumë njerëz kanë vdekur me mallin e atdheut,në kohën kur kryevrasësi sërb nuk i linte as të vdekur të i bënin varr në tokat e tyre.Edhe pas çlirimit,shqiptarët e mërguar janë kthye në vendlindje,kanë shuar pak mallin,por malli për atdhe gjithnjë i gërryan  mërgimtarët.Jetës nuk i dihet,ajo është si hije,sot për nesër.Njeriu sonte mund të bie në gjumë,nesër të mos zgjohet.

Jetës nuk i dihet,të vjetrit nga përvoja kanë thënë”Vdekjen e kemi më afër se këmishen në trup”,unë them se është më mirë që nuk e dijmë kur e kemi vdekjen.Vdekja sikur po ngatërron rendet nganjëherë,ajo po na i ha poetët,për pak kohë na i mori:Shkrelin,Podrimen,Ibrahim Ibishin,Adem Berishën,Ferit Ramadanin,na i mori në kohën më të mirë,i qajtëm nga dhimbja,i përkujtuam në shumë forma,kujtesën për ta nuk e shuam dhe për ne mbeten të pavdekshëm.Dje morëm lajmin e dhimbshëm se në Gjermani vdiq  bashkëvendasi im,veprimtari i shquar kombëtar,poeti jonë i madh Fehmi Korça.Thjesht e papritur,ishte i ri vetëm 43 vjeçar,i shëndoshë në vlugun e jetës,punës e aktiviteteve,por vdiq nga një sulm në zemër.Vdekja nuk pyet,njeriu është i pafuqishëm ndaj fenomenit të vdekjes. Ky lajm i kobshëm ishte bombë në zemrën time,qava sa munda,duhej të më dilnin lotët,ndryshe nuk mund  i mbaja  në thellësinë e shpirtit.Njeriu rrugëton me vdekjen,por mërgimtarët vdesin dy herë,njëherë në kurbet,e së dyti kur i kthejnë të i varrosin ndër varret e të parëve.Kjo është dhimbje,e cila nuk do të na liroj kujtesën e pikëllimit për te.Fehmi Korça ishte mik i madh,i dashur,i urtër,poet i madh,bashkëpunonte me ne në LSHAKSH në Gjermani,e kanë dashur  gjithë miqët,poetët,gjithë mërgimtarët.Sot shumë mërgimtarë,shumë poet,në faqe interneti shprehen ngushëllime për te,shumë telefonata me zëra të përvajshëm na shprehen ngushëllim qetësimi.

Nuk është në mundësinë tonë të bëjmë tjetër,do e qajmë,do e përkujtojmë,do të ia shfletojmë e botojmë veprat,do të mbetët gjithnjë i paharruar për ne,kurse e jona është për familjarët e tij të shprehim:

Ngushëllim

Shumë e nderuara  familja  Korça,

Humbja e të dashurit tuaj  Fehmiut është e madhe,por krenaria që lindët dhe rritët këtë veprimtarë,intelegjent dhe poet duhet të jetë më e madhe.Ne jemi të bindur se ju do të bëheni të fortë,dhimbjet të i ndajmë dhe përballojmë së bashku.Unë personalisht,shoqëria e jonë e mërgimit,LSHAKSH në Gjermani,shprehim ngushëllimet nga zemra,juve familja e çmuar  Korça, farefisit tuaj, shokëve, miqëve, mërgimtarëve që e njohën,letrarëve e poetëve,si dhe urojmë që nga gjiri i familjes suaj të dalin edhe qindra-mijëra djem,si ishte veprimtari, poeti e intelektuali Fehmi Korça.

I nderuar dhe i kujtuar për jetë do të mbetet emri i veprimtarit dhe poetit  Fehmi Korça,në mërgatën shqiptare dhe kudo në trojet tona.

 

Fehmi Korça

 

Fehmi Korça i lindur më vitin 1969 në fshatin Gminëc Komuna e Dardanes (ish-Kamenica e Kosovës) Shkollën fillore dhe ate të mesmën e mbaroi në Gjilan,ish-Student i fakultetit filozofikë dega Gjuhë letërsi shqipe në Prishtinë në vitin 1989-1991. I emigruar në Gjermani në vitin 1991.Në Gjermani për pos që ndjeki kursin intensiv të gjuhës gjermane 1992-1993 ,është i kulifikuar ndërkombëtarisht  në siguri të lart dhe punon në Bazën Amerikane.Për momentin është duke i ndjekur studimet në Kosovë dega drejtimi Juridik semestri i -IV-.I martuar babai i dy fëmijve.

Me shkrime mirret që nga bankat e shkollës fillore kurse më vitin 1996 në Gjermani shkroi dramën “Plisi në shtizë ” se cilës i bëri edhe regjin dhe u luajt në disa qytete të Gjermanisë . Më vitin 2011 në Tiranë botoi vëllimin poetik “Nuk jam larg” nga muaji shtatorë i këti viti pritet të dalë për botim edhe vëllimi i dytë poetik në Tiranë.

 

1. Në ikje pa kthim

 

Diku u tret mendimi yt,

në ikjen pa kthim.

Vonesat i përqafove prore.

Mungesa në dasma

Aty, ku shtrohej buka e misrit.

… Aty, ku kërcehej vallja.

Aty, ku me gjogun tënd,

more gjithmonë “mahramen ”

 

Na harrove ?

Poret e jetës ishin degdisur.

Nuk i kuptove lajkat gjarpërore,

theve kristalet në galerinë tënde.

 

 

Ike,diku në harresën e kohës,

ku rritet cdo stinë pa shpresa.

Këpute lulen e blirit

dhe more me vete ëndrrën.

 

Shpresat le nën oxhakun e gjyshit,

trashëgim brezash.

Fyellin,armën e mallit

nën sqetull fute.

 

Lokja nuk të pa,do ta mbyste loti…

-Do t´i bie në pyllin e panjohur !-the

atje ku perëndon,jo vetëm dielli.

Atje, ku perëndon gjithcka

dhe lind malli.

 

2. Dua

 

Dua !

Dua këngë për Flamur.

Dua melodi.

Dua kohën që erdhi,

bashkimin me Ty.

Dua ëndrra të më ofrojnë,

atje ku këmba nuk shkel.

Të zgjasë në përjetësi

bashkimi me Ty.

Dua kohës t´i kthehen akrepat

Dua aromën pranverore

Dua të bredh kryeqytetit

Dua t´i përulem Gjergjit.

Dua bashkimin me Ty,

Mëma ime Shqipëri !

 

3. Plisi

Plisi në shtizë

skëterrë,bubullimë

Mjerë për ne,mjerë për Atdhe!

Të degdisur në gjashtë degë,

të poshtëruar nga të tjerë.

Njëri jam nga Lugina,

tjetri nga Janina,

nga Tivari e Tetova,

tjetri nga Kosova.

Nuk ndjejnë për fis,as për farë.

Sot shqipëtari është i përcarë.

Kënga e burrit është vaji.

Mjerë për ne mejrë për Atdhe !

Lëkura jonë është bërë gëzof,

shegertët e huaj presin si të duan.

Mjerë për ne,mjerë për Atdhe !

Njëri thotë kam terleme,

njëri kësulë e tjetri plis,

por të gjithë janë shqipëtar nga një fis.

Mjerë për ne,mjerë për Atdhe !

Ulërini e vajtoni !

Dje shqiptari i katandisur,

sot shqiptari i degdisur,

nesër shqiptari i copëtuar,

edhe gjuhën ka për ta harruar…

Mjerë për ne,mjerë për Atdhe !

Plisi në shtizë prapë ka mbetur !

Deri kur ?!

 

4. Lindja

Skalita fjalën e përbotshme

Rrënjët peshojnë më tepër

se cdo lis në mal.

Vdekjen mos e thirr !

Do vij sikur lindja.

Lindja ime ishte rastësi,apo dëshirë ?

Heshtje,predikim etik mbi moralin.

Kur më solli lejleku ishe e gëzuar,

apo thoshe:Ah,edhe kjo barrë !

Djall o punë si të flas ? Prapë heshtje ?

Nga të gjej të vërtetën,ku fshihet vallë ?!

Në sirtarin e ëndrrave të gjyshes sime,

koha plagët shëron.

Po kur plagët shtohen ?

Ikje në kortezhin e përmotshëm.

Ku mbetem unë,

tek fillimi apo fundi

i episodit jetë ?!

Më gjëmon fjala e nënës në shpirt:

Lindja ka kuptim vetëm në tokën e lirë,

në prag e në sofër,bir !

 

5. Poeti

 

(Poetit dhe dëshmorit të Kombit-Agim Ramadanit-Katana )

 

Ti që u rropate me hijen

pa ngjyrë pa shije,

i dhe ngjyra jetës

solle dhuratë

margaritarë,

lule zambaku

ujitur nga Drini i Bardhë.

Ti që shpalose histroinë,

palë më palë,

thure vargje,

nga ty mësuam fjalën:Nënë.

Ti,poet.

Ti që nuk e ndale penën

edhe kur të privuan.

Të anatemuan në cdo skutë

në dallgët dhe furtunat e jetës.

Ti që i këndove atdheut

me ndjesin e zemrës.

Ti, kandil i ndezur në horizont

Ti, pishtar në histori.

Atdhemëmëdheut i dhe shpirt !

 

6. Marsi i thyer

 

Rropollimë e ditve të thyera.

Katrahurë e netëve të errëta.

Katandisje aritmetike

Në mortin e marsit të thyer.

Zhurmë,shumë zhurmë,

Dritë ,shumë dritë

Errësir,sa shumë errësirë

në këtë hapësirë!

Kontrast monoton i koloriteve

në marsin e thyer.

Vërvitet koha e humbur,

rilind dhe prapë vdes shpresa,

kthehet kujetsa.

Ndero dhe kujto!

Mos rënko as në marsin e thyer !

Pranvera do të trokasë sërish.

 

7. Ndërgjegja

 

Gjarpri kafshon,lëndon,helmon.

Nga lëkura e tij më lirove,

të falem përjetë o mik!

Gjarpri befason,shokon,bishtron.

Nga lëkura e trashur përjtësisht

më lirove,të falem,or mik!

Gjarpri gëlltit,emër të trishtuar ka.

Të falem o Perëndi,më shpëtove

nga lëkura e gjarprit,

mbeta prapë NJERI!

Edhe gjuhën e helmuar largove

Të pacim për jetë,or mik!

Tik-taku i orës dymbëdhjetë pa pesë.

U kumtua lajmi se kryegjarpri vdiq.

Lum Lumi

a ke patur gëzim më të madh ?

Po,kur u Rilindem prapë

dhe hoqëm lëkurën e gjarprit.

Tani më lejo or mik,të lundroj,

në barkën e ndërgjegjes sime,

në ujëvarën e lotëve të popullit tim.

Të lutem,më lejo ta thërras kohën e humbur!

Do t´i pranoj edhe fyerjet.

E di dikujt nuk do t´i pëlqejë.

Të lutem,t´i hapi vetëm dosjen e X-it dhe Y-nit.

E di !Kundërmon erë e pistë,

e ndrydhur ndër shekuj.

Të lutem,të gjitha masat janë marrë,

nuk do të ketë epidemi apo virus!

Thonë se gjarpri shtatë lëkura ndërron,

dhe prapë gjarpër mbetet !

 

8. Vetëm ti

Ti je rreze dielli,

fllad pranveror.

Engjëll,

Nje flakadan me kurorë.

Je zemër,të kam xhan,

dua të të kem sa më pranë.

Je agimi i mëngjeseve

zjarri i dashurisë

që shuan furtunat

dimirit me acar.

Je Borëbardha e ëndrrave të mia,

të kam xhan!

Je romancë nën dritën e qirinjve,

kitara për ty thur melodi.

Rrugëtimi im i zemrës,

më je ti.

Në udhën e kurorave,

je oqean i pashtershëm

me plot dashuri!

 

9. Potreti

Kërkon hijen time lakuriq në potret.

Nuk dua paragjykime!

Lajthitjet e tua i dua,

kur fshehurazi më shikon

në potretin tim nudo.

Nuk je mëkatare.

Shijoje në qetësi!

Jam piktori e dashur!

Ngrihu nga ky ankth.

Potreti im është këtu

Kontrast koloritesh,ankthi,vepra-

Demonët fillojnë vallen,

mbeta farisht pa mbulojë.

Jeta rropatet hileqare,

djallëzit me ferexhe të zezë

Mëkatar i shekullit të ri jam unë apo ti ?

Potreti im ka shije

Potreti yt ka hije të dyfishtë.

Je zog në kafaz.

Je pranverë e vonuar në këtë botë.

Kalendar i vjetër ke mbetur.

Mos mallko të tjerët sikur veten…

Sikur jemi të bastarduar dhe jemi t´pafe.

Sikur bota të përmbyset,e sikur…

Ti do jesh xhelate e t´pafeve.

Kërko ndjesë!

Nëna në këtë botë,

nuk ta mbuloi as nurin,as lakuriqësin.

Mëkatare je,kur ndjell urrejtej

për të tjerët që mendojnë ndryshe nga ti.

Thuaj dhe shkruaj:

Bota paska dy hije,dy fytyra,dy ngjyra,

paska dy djallëzi,dy mëkatarë bardhezi.

Batica dhe zbatica-formula e jetës.

Këdoji së bukurës,shijoje,

kjo është vlera e Universit.

Preke realitetin lakuriq,jo lugatin e zi.

Mallkimi i gjyshes përjetësisht të mbolli zi

ferexhe dhe saf në kokë ?

Edhe ajo lindi lakuriq.

Lakuriq shkoi në amëshim…

Ndjesë pastë!Amin!

 

MOS MË TRAZO

 

Hyra këmbëzbathur në pafundësi ,

zgjata dorën ta shpëtoj,më refuzoi

ose kishte mëri djaloshare,

ose kishte vendosur fundin

katrahura jetësore.

Të lutem,mik!

Mos më trazo plagën

në metropolin e gjenezës sime,

më kurse, të paktën në këtë moment!

Mos kërko zanafillën e dhimbjes,

diku,në harresë të kohës është përvjedhur.

Mos!Thinjat e flokut tim nuk përcaktojnë kohën,moshën,as intelektin.

Mos!Mos më ngatrro me”Plakun dhe Detin”,jam enigmë në vete,jam ai që jam.

Do të mbetem kështu edhe nëse vdes.

Kështu si jam,me çmimin që do ta paguajmë të gjithë .

Mos me vete do t’i marr të gjitha nga kjo botë,

hidhërimet dhe gëzimet e pakta?

Nuk dua paragjykime,qofsha i harruar për jetë!

Hyra edhe atje,ku nuk dija ç’ka më priste,

rezunoja një pritje të pakuptimtë,për pos natës,dita sikur mungonte,

lugetërit vallën kishin filluar

dhe prtnin nuse pa dhëndërr

Hyra,po pse hyra?!

Të prek realitetin në palcë të njeriut.

*Fehmi Korça-Poezi nga vëllimi poetik-Nuk kam larg-2011-Tiranë

Filed Under: Kulture Tagged With: Fehmi Korca, nderroi jete, poeti, Shaban Cakolli

TË QENURIT NJERI, KA BRENDA VETITË, QË TË JETOSH E TË PUNOSH SI QYTETAR

February 4, 2013 by dgreca

-thotë poeti, shkrimtari dhe gazetari Vlonjat në mërgim Arqile Gjata/

Nga Sokol Demaku/

 Të flasësh e të vlerësosh veten, mendoj se ka një kufi, përtej së cilës është mendjemadhësia dhe egoizmi!

Jeta, në çdo stinë të saja është e bukur dhe duhet jetuar dhe atëhere kur mendon se nuk ka më hapsira për ti shkelur! Këtij parimi i jam përmbajtur gjatë ecurisë së jetës time.Të qenurit Njeri, ka brenda vetitë,  që të jetosh e të punosh si qytetar.Kur të pyesin, apo dhe kur vetvetja të bënë pyetje, ‘’se si e ndjen veten në emigrim?’’, është shumë të thuash, shumë mirë, të thuash e të shkruash se po përjeton ditë të lumtura. Gënjen veten dhe opinionin po të pranosh se, tani ke gjetur një Atdhe si Atdheu që lam pas ikjes prej tij..!

Atdhe ka vetëm një!

Të qenurit ‘’Poet’’ nuk është titull, as relikte që blihet, apo shitet.Nuk them, as kam për ta pranuar se unë jam –poet, pasi nuk është dëshira dhe vullneti im që vendos.

Nuk do dëshëroja një bashkim mekanik të trojeve tona, por një ribashkim shpirtëror, institucional e demokratik me rrënjë të thella në traditat tona e duke mos lënë teritore bosh me pikësynime për të populluar zona të tjera për interesa të çastit e jo perspektive.

Shqiptarë janë krenarë për qenien Shqiptarë, mund të them, se ka kohë që Athina flet shqip, këndon shqip, botohen gazeta në shqip, fëmijët, në pjesën më të madhe flasin shqip! Në Athinë ka një jetë shumë aktive artistike, letrare e shoqërore!

Zoti Arqile Gjata, ju jeni i lindur në qytetin e Vlorës.Shqipëri, ju lutem një vështrim të shkurtër rreth vetes tuaj!

Arqile  Gjata:-Është kënaqësi e vlerë të bashkëbisedoj me Ju Zoti Sokol! Ju falenderoj që po më jepni mundësinë , që nëpërmjet këtij bashkëbisedimi të shpreh disa çaste jete, dhe pse janë jetuar, ato duhen të rizgjohen.

-Për ata që nuk më njohin…Unë jam Arqile Vasil Gjata, qytetar nga Vlora, lindur më 24-6-1942 në një nga lagjet më të vjetra të qytetit me emrin ‘’Vrenes’’, më saktësisht në Shenin e Kateqit. Rrjedh nga një familje qytetare me të kaluar zanatçinj! Dhe gjyshi nga babai dhe xhaxhallarët e nënës time provuan qysh në vitet 1914 emigrimin. Xhaxhallarëve të nënës time iu kanë ngelur eshtrat në Amerikë.

Keni ndjekur shkollën shtatëvjeçare dhe të mesmen, më pas Institutin e lartë të Shkodrës për Gjuhë-letërsi Shqipe…

A.Gjata:-Sigurisht, jam shkolluar në sistemin shtatëvjeçar të asaj kohe, më pas vazhdova Gjimnazin ‘’Ali Demi’’, të cilin nuk e mbarova normalisht, pasi nevojat ekonomike ishin të atilla, që unë të ndihmoja me punën time familjen, e cila nuk e përballonte dot jetën në ato vite.Gjimnazin e mbarova vite më vonë në sistemin pa shkëputje nga puna. Mbas përfundimit të gjimnazit dëshëroja të studjoja për gjuhë-letërsi në universitetin e Tiranës si student i zakonshëm, por për fatin tim jo të mirë, pas disa vjetësh më dhanë të drejtën të studjoja me korespondencë në Institutin e Lartë të Shkodrës, në degën gjuhë-letërsi shqipe. Këmbëngulja ime për të studjuar për letërsi e gjuhë shqipe ishte e përligjur,pasi kam ëndëruar(kisha pasion) për letërsinë. Në familjen tonë libri ishte pjesë e jetës së përditshme, ku vazhdimisht librat e ndryshëm mbushnin raftet dhe tavolinën ku rrinim ne, fëmijët për të lexuar.

Qysh në vitin 1958 fillova punën fillimisht si nxëns në ekonomi(ndihmës) në profesionin elektriçist dhe shkallë-shkallë u kualifikova deri në shkallën më të lartë profesionale në profesionin elektriçist. Kam punuar në disa ndërmarje në qytetin e Vlorës, 20-të vitet e fundit punova në Uzinën e riparimit të anijeve luftarake në Pashaliman. Gjatë dekadave të jetës, në çdo kohë kam qenë njeri punëtor i përkushtuar për profesionin, duke mos lënë mënjanë punën artëdashëse e letrare në shumë aktivitete të atyre viteve, sidomos puna me rininë më ka dhënë shumë energji, vizion dhe aftësi organizuese. Ato vite të jetës time kanë qenë të mbushura me dëshirë e zell për t’u pasuruar me kulturë, dije e për të lexuar sa më shumë. Kam provuar të shkruaj dhe vargje, artikuj të ndryshëm dhe reportazhe në gazetën lokale të qytetit të Vlorës, në gazetën ‘’Zëri i Rinisë’’. Ato pak vargje, që më mbetën i kam pasqyruar shumë vite më vonë kur iu qasa së afërmi artit të të shkruarit pas viteve 1996 e deri më sot!

Çka ju shtyti të emigronit nga Shqipëria dhe çfarë njohurish kishit për shtetin fqinjë Greqin ju atë kohë?

A.Gjata:-Nuk mund të them se jam i ardhur rishtas në Greqi.Kam afërsisht 18-të vjet që jetoj e punoj me familjen time në emigrim-Athinë. Erdha jo rastësisht, por me mendim dhe dëshirë që të ‘’largohesha’’ nga një fatkeqësi që na ndodhi! Pas humbjes së dhëndrit(ata ishin 10-të vet të ikur me varka të ndërtuara vet për në itali në Qershor të vitit 1991, që nuk u gjend deri më sot dhe nuk ka akt vdekje.) Për të ‘’harruar’’ sado pak dhimbjen e vajzës së madhe u nisëm për në Athinë me mënyra që na i diktoi koha. Shkalla e njohurive të mia për historinë, kulturën dhe artin nuk ishte e ulët përsa i përket gjeopolitikës së saja, kulturës dhe artit të antikitetit Grek. Po kështu kisha njohuri shumë të mjaftueshme gjeografike dhe ekonomike për shtetin  Grek. Natyrisht që e njihja, jo  shumë, por mjaftueshëm i kisha njohuritë rreth letërsisë dhe autorëve Grekë.

Jeni ardhacak në greqi, si e ndjeni veten  në këtë shtet fqinjë?

A.Gjata:-Dihet, që,edhe kur ndërron një vend banim nga një shtëpi në një shtëpi tjetër jashtë lagjes, do ndjesh vështirësi. Më e madhe është dhimbja, lodhja, shqetësimi, sidomos kur emigron matanë kufijve që realisht ishin ditë, javë e muaj shumë të vështira për t’u përshtatur jetës ndryshe…Nuk mund të them, se erdhëm në parajsë, as në një lumturi të përhershme, por me punë, me sakrifica, me ndershmëri dhe respekt ndjaj popullit grek mundëm të mbijetonim, të ndërtonim një jetë me dinjitet, me kulturë e të mira materiale, pa iu nënshtruar politikisht e shpirtërisht askujt!

Kur të pyesin, apo dhe kur vetvetja të bënë pyetje, ‘’se si e ndjen veten në emigrim?’’, është shumë të thuash, shumë mirë, të thuash e të shkruash se po përjeton ditë të lumtura. Gënjen veten dhe opinionin po të pranosh se, tani ke gjetur një Atdhe si Atdheu që lam pas ikjes prej tij..! Atdhe ka vetëm një!

Të qenurit Njeri, ka brenda vetitë,  që të jetosh e të punosh si qytetar. Qysh në muajtë e parë këtu në Athinë pas viteve 90-të rashë në gjurmë dhe në idetë e bashkëatdhetarëve të mi, disa dhe i njihja qysh në Vlorë.Ishte formësuar një grupim shoqëror e intelektual, të cilët kërkonin ura dhe forma lidhje midis emigrantëve. Nga fillimi i vitit 1996 i jam bashkëngjitur të parës Shoqatë të emigratëve Shqipëtare pas vitit 90-të, asaj me Emrin Shoqata Atdhetare ‘’Vëllazërimi’’. Shoqata ‘’Vëllazërimi’’ tashmë është një pjesë e jetës time. Si shumë të tjerë dhe unë kam dhënë ndihmesën dhe kontributin tim modest gjatë gjithë këtyre viteve dhe për këtë jam krenar. Shoqata ‘’Vëllazërimi’’ ka një histori të ngjeshur me suksese  për punën e saj ndër vite, për ruajtjen dhe promovimin e vlerave atdhetare, kulturore, të traditave më të mira të popullit tonë, në veçanti për të ruajtur e mbajtur gjallë gjuhën tonë Shqipe. Unë, familja ime dhe qindra e qindra emigrantë Shqiptarë janë krenarë për qenien Shqiptarë, mund të them, se ka kohë që Athina flet shqip, këndon shqip, botohen gazeta në shqip, fëmijët, në pjesën më të madhe flasin shqip! Në Athinë ka një jetë shumë aktive artistike, letrare e shoqërore!

Me çka merret sot A.Gjata?

A.Gjata:-Dhe pse në moshë ca të madhe, unë përsëri punoj kur gjej punë në profesionin tim si elektriçist.Në këto 17-18 vite kam punuar në çdo skaj të Athinës në profesionin tim. Këto dy vjetët e fundit kohën më të madhe ia kushtoj punës time modeste krijuese, duke pasur dhe si dëshirë të merem me organizimin e shumë aktiviteteve letrare e artistike.Nuk mund të mohoj se, mbi njëqindshkrime të ndryshme me tematikë të larmishme në gazetat që botohen këtu në Athinë në gjuhën shqipe janë frut vetjak . Jam munduar që krijimtarinë time letrare mos ta reduktoj  vetëm tek mesazhet që mund të përciell, por dhe të krijoj një realitet individual në fushën krijuese, që sigurisht sot, apo nesër do më gjykojnë. Dëshëroj të shpreh një të vërtetë, një dukuri timen që vazhdimisht e kam kultivuar. Më është rrënjosur thellë në ndërgjegjen time porosia e Anatol Frans se: ‘’Ligji i parë i artit është: në se ke gjë për të thënë, thuaje dhe mos gënje, në të kundërt hesht.’’ Koha është e rreptë me këdo, por më e rreptë është  në fushën krijuese. Them, se fjalët i mer era, e shkruara, e jetuara vizive mbetet.Por sa vlerë kanë ato çka një individë lë pas? I lumtur do isha të kujtohesha dhe si një gjethe e veçantë! Si kudo, dhe këtu në emigracion ndihet një mangësi, një formë jo e natyrshme për ti thënë gjërat.Do të doja ta bëja pjesë të punës time një mësim, një të vërtetë që ka thënë Abraham Linkolni, se si duhet të bashkëbisedojmë midis njeri-tjetrit. Kam parë tek njerëz të veçantë në sjellje vlerësuese me takt, ashtu si thotë A.Linkolni: ‘’Takt do të thotë ti përshkruash të tjerët në atë mënyrë, ashtu siç e shikojnë ata veten e tyre.’’

Ju jeni aktiv në jetën kulturore të emigrantëve(të Komunitetit) Shqiptarë. Si është përvoja juaj?

A.Gjata:-Të flasësh e të vlerësosh veten, mendoj se ka një kufi, përtej së cilës është mendjemadhësia dhe egoizmi! Nga kushdo, të folurit për vetveten duhet të jetë ‘’memece’’. Nuk është në natyrën e karakterit tim të flas për Unin tim, mjafton të citoj disa vargje nga krijimtaria ime:

‘’Në shumë vite mblodha një grusht me dritë. E dhurova…e shpërndava, por ende dritë nuk pashë!’’.

 Gjithëkush që krijon në letërsi duhet ta dijë mirë një aksiomë që thotë: ‘’Krijimtaria poetike (letrare) i ngjanë  vijës së horizontit, të cilës sa më shumë i afrohesh, aq më shumë ne (krijuesit) i jemi larg asaj’’. Botimet e mia janë në një periudhë kohore të shkurtër prej vitit 2000 mijë e deri më sot, ato jan në gjininë e poezisë, të prozës dhe të estetikës letrare. Kam gati për botim vëllimin e gjashtë me poezi, në se gjej mundësi finaciare për ta botuar.Vëllimi i fundit të porsa përgatitur ka një tematikë sa të ndryshme e të shumëllojtë, aq dhe të veçanta në problematika, të cilat kanë individualitet e pozicionime të qarta estetike e kompozicionale.

Sa për ta ravizuar realitetin që thashë, po paraqes për lexuesin një nga ato poezi.

NJË DITË FESTE ME TË ÇMENDURIT

Në nderim të kujtesës!

Unë e di…

ku e kanë derën e mendjes të çmendurit.

Ata,

janë kalimtarë të ëndrrave, shtratin e kanë të thyer,

brohorasin,

si epshorë tundin mendjen e tyre!

Nuk janë të dhunshëm,

me kokë poshtë e shikojnë kohën,

janë pa sy,

kujtesën e kanë të ngujuar në nervin e ballit!

Të çmendurit numërojnë kokrrizat e rërës,

nuk ndjejnë uri, as ngopje

festë kanë në çdo orë në mendjen e tyre.

Një ditë

më ftuan…

më gostitën me fjalë çmendurisht të bukura,

nuk ju gënjej, kanë fantazi e trillime reale!

Janë të besueshëm

e kanë njohur botën pa mëkate e dëshira seksuale!

Në kopsht,

aty ku dëfrehen, nuk shajnë

veç përgjërohen  për dashurinë.

Në gji,

kanë të palosur një letër

a fotografi të heronjve të tyre.

Qajnë e qajnë deri sa qeshin me  veten e të thonë:

-Nuk jemi të çmendur…

Ju të qytetit jeni të sëmurë, vidhni dashuri,

fëlliqni biblioteka e shtëpi publike!

Më dhanë shumë kartolina e letra…

më dhuruan nga një buzëqeshje pa maska!

Dy Nëntor 2012

Çfarë konsideroni si suksesin më të madhdhe si është nga natyra Arqileja?

A.Gjata:-Suksesi më i madh për mua do jetë: ‘’unë të jem deri në fund të jetës -Njeri!’’ e si një Shqiptar  dua më shumë Mëmëdhenë, Familjen dhe dinjitetin tim! Por, jo vetëm kaq, është koha të jemi aktivë e të përkushtuar për çështjet që janë madhore për jetën në emigracion. Dhe në këtë drejtim, këtu në jetën intelektuale e krijuese ka një dukuri shumë pozitive dhe të vazhdueshme.Bëhet jetë e mirëfilltë letrare e kulturore nga shoqatat, nga grupimet me drejtim letrarë  e individë të veçantë. Në këtë kënd vështrim, dhe unë kam një pjesë modeste të punës time si dhe shumë të tjerë ndër vite. Jam një njeri shumë i ndjeshëm, sakrifikoj e dua të nderoj më shumë shokun,mikun e të jem pjesë e atyre që kanë dëshirë e vullnet për ti dhënë komunitetit tonë në emigracion sa më shumë vlera dhe arritje!

Tham se jeni poet i shquar, nga vjen inspirimi juaj çfarë është temetika në veprat tuaja?

A.Gjata:-Të qenurit ‘’Poet’’ nuk është titull, as relikte që blihet, apo shitet.Nuk them, as kam për ta pranuar se unë jam –poet, pasi nuk është dëshira dhe vullneti im që vendos. Si shumë e shumë të tjerë, kam dhe unë ca vëllime të botuara me vjersha. Duke ndjerë peshën e moshës, nga një përvojë jetësore të përfituar nga koha jam munduar të mos përsërisë të tjerët, jam munduar të kem një mendim poetik ndryshe , por se sa ia kam aritur qëllimit… veç lexuesi e koha e di! Sapo kam mbyllur vëllimin e gjashtë me vjersha, kam besim se diçka do i përciell lexuesit…‘’Me krahë të hedhur mbi dritën e njohjes/pashë veten time aq të vogël,/sa një fije kashte.’’

Ku mendoni konkretisht që duhet ndryshuar diçka për të mirë?

A.Gjata:-Kur jeton në emigracion, për një intelektual, për një krijues detyrimet ndaj Komunitetit janë më të mëdha, sidomos në fushën e publicistikës, të informimit dhe detyrimit që ke ndaj jetës shoqërore për të dhënë maksimumin e mundshëm. Mundësitë dhe problematika e jetës sot është e atillë që duhet të veprojmë për të mbrojtur dinjitetin tonë Kombëtar, intelektual, artistik e në shtrirjen sa më shumë të mësimit të gjuhës shqipe tek fëmijët.Mendoj, se ky dhe kryesisht vëmendja e Komunitetit Shqiptarë duhet të përqëndruar tek gjetjet e rrugëve, mundësive dhe bërja realitet mësimi i gjuhës Shqipe nga fëmijët emigrant, jo vetëm hapjen e disa klasave me kontribut vullentar e me një numër të kufizuar nxësish, por në rrugë ligjore, të hapen klasa të mirëorganizuar e të ligjëruar nga Shteti Grek që fëmijët e Komunitetit të mësojnë  gjuhën e tyre amtare si një detyrim ligjor!

Çfarë kushte kanë krijuesit emigrant për krijimtari letrare e poetike?

A.Gjata:Gjithkush krijues duhet të jetë i ndërgjegjshëm se, krijimtaria e seicilit është vetjake, dhe si e tillë, në kushte të një ekonomie tregu ndaj pronës tënde krijuese do i përgjigjesh vet, nuk ka detyrim askush të botojë ato çka ka krijuar dikush. Në këtë këndvështrim dhe këtu në emigracion ndihet shumë pamundësia finaciare për të botuar. Askush nuk të pengon të shkruash, të krijosh e të botosh. Kjo ka sjellë dhe një det me botime letrare, ku një pjesë e madhe, që dallohen si zhurmuese e mediokre e kanë mbushur shtëpitë botuese dhe tregun e librit artistik.Mendoj se, disa Shtëpi Botuese janë ende shumë larg për të përzgjedhur botimet e tyre, ato janë kthyer në biznese jo të ndershme dhe aspak dinjitoze.

Sa jeni ju të kënaqur me punën në shkollat në emigrim për mësimin e gjuhës Shqipe dhe sa produktiv realisht është  mësimi i gjuhës Shqipe nga fëmijët?

A.Gjata:-Stadi i tanishëm i komunitetit Shqiptar në Greqi ka arritur në pika të përcaktuar mirë, të dallueshme dhe me problematikë të specifikuar.Dhe ajo më e qënësishmja, më e domosdoshmja është ndërgjegjësimi i tërë shtresës së intelektualëve, të Shoqatave dhe të vet Shtetit Shqiptar,por në veçanti  Shoqata e Mësuesve (që deri tani ka bërë një punë shumë të lavdërueshme me programe të hartuara e të miratuara dhe nga Ministria e Arsimit në Shqipëri.) Është detyrë e kusht i këtyre hallkave që, me punë të mirëorganizuar për ruajtjen dhe mësimin e gjuhës Shqipe në tër hapsirën ku jetojnë emigrant Shqiptarë të punohet sistematikisht e të bëjnë realitet që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën e Nënës. Mendimi im është, që këtij objektivi i duhet një përkushtim dhe organizim cilësor, jo thjesht për të hapur kurse për mësimin e gjuhës shqipe…por ka ardhur çasti të bëhen përpjekje të mëdha për çeljen e shkollave shqipe në vendbanimet me shumicë shqiptare.Por, por, kjo nuk është thjeshtë çështje vullneti e dëshirash! Ky problem madhor për fatet e mijëra fëmijëve emigrantë në masën më të madhe varet nga politikat arsimore që shteti e Qeveria Shqiptare ka vullnet, kapacitete e vendosmëri politike për ta zgjidhur e për ta çuar realisht në rrugën e realizimit të një nga të drejtat kushtetuese e ligjore që ia jep Kushtetuta e vendit tonë!

Çka mendoni ju për gjendjen politike shqiptare në përgjithësi, parë në prizmin Shqipëri-Kosovë dhe troje të tjera!?

A.Gjata:-Sa për  gjendjen politike në Atdheun tim, shpreh indinjatën dhe revoltën time personale se, klasa politike në Shqipëri është e konsumuar moralisht, e korruptuar deri në qelizat e saja më të thella dhe më e keqja, atje nuk ka pavarësi pushtetesh, mbizotëron krimi, jeta në varfëri ekstreme dhe një kaos në institucionet qeverisëse në të gjitha nivelet.

Nuk do dëshëroja një bashkim mekanik të trojeve tona, por një ribashkim shpirtëror, institucional e demokratik me rrënjë të thella në traditat tona e duke mos lënë teritore bosh me pikësynime për të populluar zona të tjera për interesa të çastit e jo perspektive.

Krahas punës krijuese, si e kaloni kohën e lirë?

A.Gjata:-Jeta, në çdo stinë të saja është e bukur dhe duhet jetuar dhe atëhere kur mendon se nuk ka më hapsira për ti shkelur! Këtij parimi i jam përmbajtur gjatë ecurisë së jetës time.Krahas punës pak a shumë sistematike për të lexuar dhe krijuar kam detyrime familjare, sidomos në përkujdesjen ndaj nipërve e nbesave e familjes time. Vend të veçantë në jetën e përditshme ka dhe kontaktet e herëpasherëshme me shokë e miq, por sidomos për të qenë sa më pranë Shoqatës ‘’Vëllazërimi’’, por sidomos takimet e shpeshta me miq e koleg krijues ku bisedojmë për letërsinë. Ka kohë, që këtu në Athinë është krijuar një shtrat  krijuesish që tashmë njihen për vlerat e tyre  letrare në prozë, poezi e në gjini të tjera si: Myslim Maska, Murat Aliaj, Nase Jani, Novruz Abilekaj, Grigor Jovani, Stefan Martiko, Alush Avduli, Thanas Boçi, Filip Prifti, Gëzim Strora, Andrea Petromilo,Luan Xhuli, Leon Leka e të tjer!

Çka ju bënë të lumtur dhe çka ju mundon më shumë në jetë?

A.Gjata:-Të lumtur më bën realiteti i shëndetshëm i familjes time, i fëmijëve dhe nipër e mbasave, vëllezërve e motrave të mi! Dhe kundërta…ajo që më mundon…të këthehem në qytetin tim të lindjes e të shijoj deri në çastet e fundit lindjen dhe perëndimin e diellit, hënën përmbi Karaborun, këngët e pavdekshme të detit dhe aromën e këngëve popullore vlonjate!

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Arqile Gjata, gazetari, ne emrgim, poeti, Sokol Demaku

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT