Shkruan: ARTUR VREKAJ, WORCESTER, MA – SHBA /
Riorganizimi i Diasporës së Amerikës pas vitit 1992 është njëlloj si në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo pamje. Lulëzojnë përmbi dyqind shoqata shqiptare por rreth 20 janë aktive. Ka shoqata edhe me një njeri përgjegjës dhe anëtar për përfitime personale. Edhe me bazë familje a fisi. Janë në çdo qytet amerikan ku ka shqiptarë. Asnjë organizim shqiptar në Amerikë nuk ka kontrollin e Diasporës në të gjitha qytetet amerikane ku banojnë shqiptarët dhe shqiptaro-amerikanët.
Nuk ka një program të përbashkët kombëtar të shoqatave aktive. As edhe një platformë të vërtetë mbarëkombëtare ( të të gjitha shoqatave bashkë) për të përmbushur çdo vit misionin kombëtar. Ajo që është më e rëndësishmja është fat që ka edhe shoqata aktive si në New York, Worcester dhe Boston,MA , Filadelfia, Dallas, Konektikut, Clevland, Detroit,Florida,Uashington apo edhe gjetkë që janë të pozicionuara në programin e Identitetit Kombëtar pa përkrahje palësh politike në Shqipëri. Sepse Diaspora duhet ti rrijë larg politikës. Por segmente të Diasporës së Amerikës, individë apo organizata shqiptare në Amerikë herë-herë përqafojnë hapur segmente të politikës shqiptare apo edhe politikanë me pushtet më së shumti në New York apo edhe në Washington duke e dëmtuar imazhin kombëtar. Kjo lloj sjelljeje e dëmton imazhin kombëtar të një shoqate atdhetare apo edhe të një veprimtari të Diasporës.
Shqip fut përçarje në Diasporë dhe në popullin shqiptar në vendlindje. Siç edhe nuk i kemi parë bashkë presidentin e Shqipërisë, kryeministrin dhe liderin e opozitës në Diasporën e Amerikës të japin duke qënë së bashku një mesazh bashkimi. Sepse edhe organizime shqiptare në New York herë-herë janë shfaqur se ja kanë mbajtur më shumë anën njërit krah. Pa qënë në ekuilibër atdhetar. Shqipëria me këtë klasë politike sot e mbi 70 vjet ka sjellë mesazhe negative në Amerikë. Edhe pse ka ardhur për qoka! Por, ka ikur koha e qokllëkut. Edhe e rregullimit të biografive të politikanëve shqiptarë me mbështetje krahinore apo fisnore sipas modelit të organizatës shqiptare apo degëve të tyre në Amerikë!
E dinë mirë në Shqipëri se po të bëhen të gjithë shqiptarët e Amerikës bashkë kanë fuqi më shumë për Çështjen Kombëtare, sepse ka një vendnumëro edhe në Diasporën e Amerikës. Sepse ende nuk e kanë në program një Kuvendim për RiBashkim të gjitha shoqatat atdhetare aktive të Amerikës sot sikur i bëri bashkë Noli dhe Konica 101 vjet më parë! Sot ne jemi të parcelizuar sipas qyteteve edhe të ndarë me shoqata. Vetëm në New York operojnë 160 organizime shqiptare!
Shqiptarët e Amerikës kanë protestuar kundër klasës politike të Tiranës, Nanos kur ishte në pushtet dhe Berishës muajin e kaluar para OKB-së por nuk e kanë bërë këtë më të organizuar për cilindo shtetar tjetër që ka bërë zullume krizash politike në dëm të integrimit në BE apo afera korruptive duke përfituar nga shitja e pasurisë kombëtare, apo kanë cënuar të drejtën e Lirisë së shqiptarëve në këtë tranzicion demokratik edhe pse Amerika ua ka dhënë qartë mesazhin çdonjërit nga këta!
Ne e duam si kombin, Shqipërinë edhe Diasporën të pastër në Amerikë! Sepse Qeveria, Senati, dhe Kongresi janë tashmë në ndihmë të mirëfilltë për kombin shqiptar, demokracinë shqiptare dhe popullin shqiptar në veçanti!
Nëse Amerika thotë se, komunizmi vdiq edhe me përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, kjo nënkupton se ai nuk është më rrezik për Shqipërinë – anëtare e NATO, e favorizuar më shumë nga vetë ajo!
Hapni sytë mirë shqiptarë të Shqipërisë dhe Amerikës! Diaspora duhet të jetë në një linjë me Amerikën që bën thirrje për zgjedhje me standarte ndërkombëtare që zgjidhjet e problemeve që ka sot Shqipëria të marrin përparësi. Të mos ushqejmë asnjë krah politik me deklarata të papërgjegjshme! Të lëmë popullin të vendosë për fatin e tij! Dhe ta respektojmë zgjidhjen e tij! Ciladoqoftë ajo, sepse ne duam ta shohim Shqipërinë në BE siç është në Europë edhe gjeografikisht! Duam të shkojmë një zë! Të gjithë për ta ndritur kombin! Nëse duam ti shërbejmë ardhmërisë së Shqipërisë dhe jo të një krahu politik!
Nuk kemi shumë këllqe ne në Diasporë, në Amerikë për të ndrequr katrahurën e klasës politike shqiptare nëse nuk bashkëbisedojmë me palët përfaqësuese në Parlamentin shqiptar për të kthjelluar deputetët shqiptarë se e kanë gabim kur nuk janë të vetëdijshëm kombëtarisht për ardhmërinë e Shqipërisë!
Shqipëria filloi Asocim-Stabilizimin me BE me kusht varrezat greke në Shqipëri! Noli me Konicën që ne mburremi sot edhe pse s’u kemi bërë ndonjë shtatore as në Tiranë e as në Boston nuk do ta lejonte këtë gjë, as dhe Janullatosin të mbretëronte jo e jo! Kjo bie erë klientelizmi, e bërje e syrit qorr nga shqiptaro-amerikanë që drejtojnë organizime shqiptare në Amerikë.
Ja pra, sa bosh dalim ne në Diasporën e Amerikës! Sepse kemi mes nesh që janë në drejtim të organizatave shqiptare edhe nga ata që fshihen ende pas lavdisë dhe emrave të kollosëve si Noli e Konica! Tashmë, nuk mund të jemi më dritëshkurtër! Të biem pre e ndikimeve politike të Tiranës në pushtet apo edhe në opozitë! Kombëtare është të mos heshtim përpara zullumeve të klasës politike të Tiranës në Amerikë siç është bërë këto 23 vjet tranzicion demokratik edhe me farsën e zgjedhjeve jotransparente në numërim?
Ne në Amerikë si edhe populli shqiptar vërtet nuk duam që në Shqipëri të vegjetojnë praktika komuniste të lyera me interesa klanore a fisnore si deri më tani në 23 vjet .Tirana zyrtare kurrë nuk e ka parë me syrin e lobuesit punën e Diasporës në Amerikë, sepse lobuesit e vërtetë siç është Lidhja Qytetare e DioGuardit luftojnë praktikat komuniste dhe korrupsionin në Shqipëri në veçanti. Ndaj edhe Tirana zyrtare kurrë nuk e ka nderuar punën e DioGuardit si i vetmi lobist dhe misionar përbashkues i Çështjes Kombëtare Shqiptare sot e 27 vjet në Amerikë .
Ashtu si edhe për Nolin dhe Konicën a për vëllezrit Frashëri edhe për DioGuardin ka patur një heshtje varri për tu dhënë vendin që u takon përgjatë ceremonive të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në Tiranë, sepse këta nuk kanë qënë nga krahina e pushtetit! Ndryshe, do ti mbetej qejfi edhe Janullatosit që e ka pagëzuar pushtetin në Shqipëri ose bën sikur nuk e kupton pse shqiptarët besojnë më shumë tek SHQIPTARIA! Aq më keq që Tirana zyrtare e ka harruar për 23 vjet ku bie Frashëri i Përmetit të Shqipërisë!
Shtetarët shqiptarë me vdekjen e Antoni Athanas në Boston dhe zhvendosjen e zyrës së VATRA në New York shkojnë e bëjnë qoka në New York. Po shqiptarë nuk ka vetëm New York! Ka kudo e sidomos në bregun Lindor të Atlantikut.
Shqiptarët e Amerikës ja mbushën arkën shtetit shqiptar kur ishte në hall më 1917! Por shteti i sotëm i Shqipërisë ka shpenzuar miliona dollarë për lobim me angjeci amerikane lobuese private në Zyrat e shtetit , Kongresit apo Senatit Amerikan.
Le ta marrim se janë pak para të takspaguesve shqiptarë dhe se shqiptarët janë aq të pasur sa thonë televizorët e shtetit shqiptar sot e 23 vjet! Po pse është anashkaluar Diaspora e Amerikës nga shteti shqiptar këto 23 vjet? Ku janë shkollat shqipe në Amerikë të hapura nga Shqipëria që brezi i ri të rritet me ndjenjë kombëtare? Ku janë strategjia kombëtare për një Diasporë dhe komb të përparuar?
Pse ç’kujtojnë shtetarët shqiptarë me harxhimin e miliona dollarëve për lobim privat në Amerikë? Mos vallë Kongresmenët dhe Senatorët amerikanë nuk e dinë se çfarë ata bëjnë dhe se çfarë ndodh në trojet shqiptare kur në stafet e përfaqësuesve amerikanë janë të punësuar shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve shqiptare? Se kemi edhe dy rrugë të mirëfillta të informacionit publik për përfaqësuesit e lartë amerikanë. Njëra është ajo zyrtare në takime direkte me shoqatat aktive në veprimtaritë kombëtare, tjetra është takimet e lira të drejtëpërdrejta me shqiptaro-amerikanë, sepse ne tashmë jetojmë në Amerikë, por falë sistemit demokratik jemi votues, por edhe me të drejtën e plotë të përfaqësimit lokal, shtetëror apo edhe më lart.
Pra, e mira apo zullumi i qeverisjeve shqiptare në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup vjen ashtu siç është në Amerikë, e paredaktuar nga shtetarët shqiptarë, sepse ne shqiptaro-amerikanët që aspirojmë për një Shqipëri të të gjithë shqiptarëve jemi të përkushtuar për ta ndihmuar ardhmërinë e trojeve shqiptare duke u thënë të vërtetën përfaqësuesve tanë amerikanë ashtu siç ne e shohim kur vizitojmë vendlindjen apo edhe nga të afërmit tanë që jetojnë atje.
Ky mesazh ndihmon edhe përfaqësuesit tanë amerikanë në Senat dhe Kongres të qartësojnë më mirë Washingtonin që mbështet Shqipërinë e shumëvuajtur nga proceset zgjedhore me shumë probleme në Shqipëri.
Synimi dhe kapja e Diasporës së Amerikës nga segmente shtetërore apo politike të shqiptarëve të trojeve shqiptare kurrë s’do ta ndihmojë ardhmërinë e kombit! Ndaj të jemi vigjilentë që misioni kombëtar i Diasporës së Amerikës të mos korruptohet nga politikanët shqiptarë qoftë edhe me dhjetëra mijëra dollarë apo edhe me favore në vendlindje për individë që banojnë në Amerikë.
Shqiptarë të Amerikës hiqni dorë nga politika! Edhe nëse individë apo kushdo segment i organizatave të Diasporës ka përkrahur parti politike në Shqipëri apo kudo tjetër dje dhe sot, është bërë largim i pastër nga misioni kombëtar.
Sepse Diaspora nuk është pronë e askujt. Nuk mund të përfaqësosh shqiptarët e Amerikës kur nuk ndjek frymën e Rilindasve, të Nolit, Konicës dhe DioGuardit që kanë treguar vërtet se janë të pastër për frymën kombëtare!
Prandaj, ka vend për një kthjellim të Diasporës! Sidomos shoqatat shqiptare të Amerikës kurrë nuk duhet të jenë vegla të partive! Kurrën e kurrës! Sepse liderët shkojnë e vijnë kurse kombi mbetet! E çfarë do lëmë pas? Pa vepruar shqiptarisht edhe në Amerikë? Sepse Shqipëria e vuan që korrupsioni është praktika më kanceroze pas komunizmit që po e ha edhe vetë shtetin dhe popullin e pambrojtur. Që institucionet janë bolshevikisht të varura në Tiranë! Që bota është ulur këmbëkryq në Tiranë dhe klasa politike bën lojën e pistë me shitjen e pasurive kombëtare, me tjetërsimin e pronës me ligjin famëkeq 7501, me vjedhjen sistematike të gurit të themelit të demokracisë – votës së bardhë të shqiptarëve, etj.
E ka parë mirë bota se e ardhmja e Shqipërisë mbahet peng nga kjo klasë politike që bën pazare ditën dhe natën që kapin miliona dollarë për klane e koalicione që kanë prodhuar deri tani varfëri e vendnumëro e pak përparim! Sepse nuk e kanë dënuar shtetarët shqiptarë a liderët partiakë komunizmin ndaj edhe kanë katandisur Shqipërinë si jetime .
Në e duam Shqipërinë, Kosovën dhe trojet shqiptare se rrojmë me ëndrrën e tyre, që të jenë më mirë, më afër botës demokratike. Ne e ndihmojmë kombin vetëm me mision atdhetar për ta mbajtur Diasporën të kthjellët për Çështjen Kombëtare Shqiptare sepse edhe shoqatat i regjistrojmë me statute që kanë për mision shërbimin ndaj kombit shqiptar dhe vetëm atij! Ndaj, larg politikës së ditës në Shqipëri dhe bërjes vegël e partive shqiptare!
Shteti dhe institucionet e (pa)varura shqiptare të Shqipërisë janë të kapura prej dekadash nga një grusht politikanësh që qeverisin ende. Urojmë kjo të mos ndodhë me Diasporën e Amerikës.