NGA ANTON CEFA/
Portret për Nënë Terezen/
Larminë dhe ndërlikimet e përcaktimeve të rrymave më të ndryshme filozofike për qëllimin, funksionin dhe idealin e njeriut në jetë, Nënë Tereza i shpjegoi qartë, tejdukshëm me presonalitetin e saj, fjalën e veprën, me shpirtin e saj. Dhe bota u step para kthjellimit që i bëri ajo kësaj vorbulle njerëzore dhe do të çoroditet nëse nuk do të mund të ndjekë sadopak gjurmën e këmbës së saj të zbathur.
Ajo krijoi një urdhër fetar, që u shtri mbi njëqind vende të rruzullit tokësor, duke ndërtuar institucione për më të varfërit e të varfërve, për të gjymtuarit, leprozët, jetimët, të braktisurit. Kjo është vetëm pjesa e ndriçme e veprës së saj. Ajo më rëndësorja, që duket sikur përhumbet në zonën e hijes, është ngrehina madhështore e tempullit shpirtëror të dashurisë e të vëllazërimit në kraharorin e gjerë të njerëzimit. Kjo është vlera më universale e veprës së saj.
Dashuria përtej caqeve të vetëmohimit, feja deri në adhurim, sakrifica në apoteozën e flijimit dhe energjia e brendshme – një mrekulli e vërtetë – duket se i dhanë asaj forcën e veprimit.
Në botën pagane, ajo të kujton një Promete, por me një ndryshim. Prometeu iu kundërvu Olimpit, Nënë Tereza iu mishnue Qiellit: “Jam një penë në dorë të Zotit”. Në botën monoteiste, ajo të kujton një Galileas, që e pati zbuluar 2000 vjet më parë ligjin e dashurisë, të dhimbjes e të flijimit për të tjerët. Nënë Tereza rizbuloi dimensionet e shpirtit kristian: “Jemi të gjithë bij të një Ati”.
Në orvatje për të vlerësuar veprën e saj, mbretër e presidentë, qeveri e parlamente, forume e organizma ndërkombëtare i dhanë asaj një mori titujsh nderi. Popujt – që dinë të vlerësojnë më mirë se kushdo – i dhanë titullin më të madhërishëm Nënë. Nga një “Madre” e murgeshave të bamirësisë, ajo u bë Nënë e të gjithëve, Nënë e mbarë botës. Kush mund të matet me dashurinë e një Nëne të tillë ?
Për mbarë njerëzimin, Nënë Tereza është një vlerë ekumenike. Për ne shqiptarët, ajo është diç më tepër, një vlerë etnike: frymë prej trojeve tona, lëndë prej dheut tonë, plazmë prej gjakut tonë, afsh prej gjoksit të fisit tonë. Të falemi nderit, Nënë Terezë ! Do të të duam me dashuri birnore.
Ilir Ikonomi- një portret te gazetës austriake per Isa Buletinin, 104 vjet më parë
-Gazetarët e huaj e quanin privilegj të bisedonin me Isa Boletinin. Një korrespondent, i cili e kishte takuar Isën në kullën e tij në Boletin, na jep një përshkrim të shkurtër që e gjeta në gazetën e Vjenës, Neue Freie Presse, të 6 prillit 1911. Në atë kohë, malësia e Mbishkodrës ishte përfshirë nga revoltat kundër xhonturqve. Përpara kësaj, revoltat kishin tronditur Kosovën dhe emri i Isa Boletinit përmendej në gazetat e mëdha. Vendosa ta përkthej këtë artikull, sepse korrespondenti e përshkruan Isën thjesht dhe pa ato fjalët e mëdha që lexojmë shpesh për të.
___________
Në kohën e regjimit të Abdyl Hamitit, Isa Boletini jetonte në kullën e tij pranë fshatit Boletin dhe për të arritur atje, duhet të ecje nëpër një shteg fare të ngushtë. Kulla ishte e ndërtuar me gurë të mëdhenj, deri në një metër të gjerë dhe ngrihej mbi një kodër, në këmbën e së cilës rrjedh lumi Ibër. Kanatat e dritareve ishin prej pllakash të trasha hekuri dhe krejt kulla kishte një pikë vëzhgimi, prej nga mund të shihje si në pëllëmbë të dorës vendin rreth e qark. Nga kjo fortesë, Isa Boletini vëzhgonte gjithçka dhe, kur kërcënohej nga ndonjë rrezik, mjaftonte të shtinte një herë me pisqollë në ajër, që shqiptarët të rrëmbenin armët.
Për mendësinë tonë, Isa Boletini mund të konsiderohet si një grabitës ose vrasës, por për shqiptarët ai është njeri me një mision të shenjtë, i cili nuk ka bërë tjetër përveçse detyrën si shqiptar, sepse ka marrë hakun e të vëllait, kunatit dhe disa të afërmve të vrarë.
Isa Boletinit i ndalohej hyrja në Mitrovicë, e megjithatë të paktën dy herë në javë njerëzit kishin rast ta shihnin zotërinë nga Boletini në rrugët e qytetit, hipur mbi kalin e tij arab. Mbante jelekun e shkurtër tipik shqiptar të qendisur me fije ari, ndërsa në brezin e gjerë ngjeshte një pisqollë të madhe me dorezë argjendi. Në qafë varte një martinë, edhe kjo plot me stolisje argjendi. Vazhdimisht rrethohej nga 40-50 burra, që të gjithë të armatosur deri në dhëmbë, disa që ecnin në këmbë e të tjerët mbi kuaj.
Në Mitrovicë turqit kanë një garnizon ushtarak, por askush nuk guxonte ta shqetësonte këtë burrë të respektuar.
Një ditë të bukur, Isa Boletini u bë mik me Sulltan Abdyl Hamitin, i cili i dhuroi një mulli dhe i caktoi një pagë mujore prej 50 lirash. Isa jetoi ca kohë në paqe me rrogën e qeverisë turke, por me rivendosjen e Kushtetutës në vitin 1908, të ardhurat e tij u shterën me shpejtësi, sepse qeveria nuk e paguante më dhe mulliri iu mor.
Mund të kuptohet kësisoj se përse Isa Boletini nuk është shumë miqësor me regjimin e ri turk. Ai nisi një propagandë antiturke dhe u shpall i jashtëligjshëm. Disa batalione turke shkuan për të sulmuar kullën e tij, mirëpo u sprapsën me humbje të rënda. Pas kësaj, kulla u rrafshua me top, por Isa Boletini kishte ikur dhe thuhet se ishte plagosur rëndë. Ai u tërhoq në pronat e veta në Pejë dhe kur filluan revoltat e shqiptarëve doli përsëri në skenë si luftëtar. Pas shtypjes së revoltave, Isa u tërhoq në Mal të Zi, por hyri disa herë në territoret shqiptare për të përgatitur kryengritjen. Të gjitha përpjekjet e turqve për ta dobësuar fuqinë e tij dështuan.
Isa Boletini është 45 vjeç, ka trup të gjatë dhe të derdhur, fytyrë të zbehtë dhe sy të zinj e melankolikë. Kur flet për familjen e tij, që është vrarë thuajse e gjitha për lirinë shqiptare, ai trishtohet dhe bie në mendime. Ka një djalë, të cilin e do shumë dhe e ngushëllon në heshtje.
Portret i intelektualit Sokol Demaku që jeton e vepron në Suedinë e largët
Gazetar, mësues, krijues e veprimtar i mirëfilltë/
Me një energji, elan, vullnet e dëshirë për punë, ky intelektual me sukses po udhëheq kanalin shqip të radios, TV-së dhe gazetën “ Dituria”, pastaj QKSH “ Migjeni” me anë të të cilave komuniteti i këtushëm shqiptar po informohet për gjithçka e për shumëçka në interes të tyre si dhe po organizohen aktivitete të shumta kulturore, letrare e sportive.- Është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë dhe anëtar i Kryesisë të asaj shqiptare “Papa Klementi XI Albani”.- Deri me tash ka botuar 16 libra të zhanreve të ndryshme
Nga XHAVIT ÇITAKU/
Në karvanet e gjata shqiptare që ia kishin mësyer shteteve në kontinente të ndryshme të botës për shkak të dhunës që shkaktonte regjimi fashist serb, kishte edhe shumë intelektual të fushave të ndryshme, të cilët më pastaj pas marrjes së lejeqendrimit me dijen dhe kapacitet e tyre të larta prej ekspertëve të mirëfilltë kanë dëshmuar e po dëshmojnë bindshëm se edhe pjesëtarët e këtij komuniteti kanë potencial të fuqishëm për të hap rrugën e perspektivës dhe të prosperitetit të shumë mjediseve punonjëse ku ata janë të kyqur. Me një fjalë, tashmë ekspertët shqiptarë në shumë fusha kanë bërë emër dhe se fjala e tyre është vendimtare për shumë çështje e projekte madhore e të rëndësishme në ato ambiente ku ata janë të punësuar. Kësisoj kontributi i tyre intelektual me admirim flitet në opinionin publik dhe shkruhet shumë në mediat e shkruara e elektronike.
Në mesin e këtyre njerëzve radhitet edhe intelektuali i shquar Sokol Demaku, i cili me sukses ka bërë të mundshëm një informim të plotë për gjithçka që ndodh në vendlindje, në Shqipëri dhe në të gjitha trojet etnike shqiptare, në organizimin e shumë aktiviteteve kulturore, letrare, sportive, të hapjes së ekspozitave të zhanreve të ndryshme si dhe të mbajtjes së kontakteve të përhershme me personalitete të shquara të pendës dhe dijes në mbarë hapësirën shqiptare. Veprat e tij, mendimi, projektet e programet dhe fjala e mençur të prezantuara në çdo takim me përfaqësuesit e organeve dhe institucioneve komunale dhe të nivelit qendror, ishin vendimtare për të dhënë dritën jeshile , përkatësisht për të plotësuar pothuajse në plotni të gjitha kërkesat e arsyeshme të komunitetit shqiptar që jeton me vite në komunën e Borosit të Suedisë. Është si një sihariq personal që veprimet e tij të jenë gjithnjë frymëzuese, por edhe shembull intelektual dhe udhërrëfyes për të tjerët.
Sokoli në këtë shtet skandinav erdhi në vitin 1999. Kishte studiuar në Fakultetin Filozofik- Dega e gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. I etur për dije dhe i nisur nga ndjenja dhe vendosshmëria se mosha kurrë nuk është përcaktuese për realizimin e qëllimeve madhore, përkatësisht të ngritjes së dijes nëpërmjet të arsimit të lartë shkollor, ishte një frymë, forcë e princip që e inspiroj këtë njeri që ta kryej edhe një fakultet dhe atë në gjuhë të huaj që kurrë më parë nuk e kishte dëgjuar fizikisht. Kështu, ai troket në dyert e Universitetit të njohur të Geteborgut dhe regjistron një fushë krejt tjetërfare , që dallon si “ nata me ditë”nga ajo e gjuhës dhe letërsisë shqipe – matematikën të cilën e mbaron në afatin rekord, përkatësisht në vitin 2009. Me marrjen e diplomës në këtë fushë ekzakte fillon punën në shkollën fillore “ Fjerdinskolan” në Boros, në ciklin e lartë,një qytet që shtrihet afro 60 kilometra në lindje të Geteborgut, që është qendra kryesore e prodhimit të tekstilit në Skandinavi. Me shembullin e një edukatori të shkëlqyeshëm, të një kolegu bashkëpunues në çdo kohë dhe të një aktivisti të dalluar në punë me nxënësit, ka bër që ky mësimdhënës shqiptar të jetë shumë i respektuar në këtë mjedis shkollor. Një vit e gjysmë ka punuar edhe si gazetar në gazetën “ Wimerby Tidningen”. Është duke magjistruar në drejtimin e udhëheqësit- prijësit në fushën e arsimit dhe pritet që diplomën e këtij rangu akademik ta fitoj vitin e ardhshëm.
Aktivitet jashtëzakonisht përmbajtësor i QKSH “ Migjeni”
I prirë të befasoj gjithnjë për të mirë komunitetin shqiptar Sokoli me disa bashkatdhetarë tjerë në mars të vitit 2007 në qytetin e Borosit formoj QKSH “ Migjeni” e cila është bërë bartëse kryesore e zhvillimit dhe organizimit të shumë aktiviteteve të rëndësishme që janë të lidhura kryesisht me ruajtjen e traditës, zakoneve, kulturës e historisë kombëtare si dhe kultivimin e gjuhës amtare si një obligim moral e atdhetar. Pos përkujtimit të të gjitha datave të rëndësishme kombëtare, kjo shoqatë një rëndësi të veçantë ia kushton punës me fëmijë duke marrë parasysh faktin se në këtë qytet jetojnë rreth 400 familje shqiptare. Thënë me gjuhën e fakteve, fëmijët shqiptar janë të kyqur aktivisht në të gjitha organizimet e kësaj qendre si dhe po bëhen përpjekje të vazhdueshme që në mësimin e gjuhës amtare të përfshihen sa më shumë sish. Një punë shumë e madhe është bërë edhe në aspektin e bashkëpunimit të shkollës të këtij qyteti “ Fjerdinskolan”dhe “ Demokracia” të qytetit të Durrësit, të cilat tashmë janë binjakëzuar dhe janë realizuar vizitat e para të pedagogëve të këtyre dy institucioneve arsimore. Do përmendur edhe hapjen e ekspozitave të ndryshme në Shtëpinë e Kulturës e në këtë kontekst interesim tëmadh kishte zgjuar ajo e Mimoza Veliut me titull “ Të pathyeshmit” me më së 70 fotografi të fëmijëve dhe grave shqiptare në luftën e fundit dhe pas saj në Kosovë. Mijëra dashamirë të këtij zhanri kishin vizituar këtë ekspozitë dhe kishin çmuar lartë punën e kësaj femre shqiptare. Po ashtu edhe mjetet e informimit e kishin vlerësuar lartë këtë aktivitet të zhvilluar nga kjo QKSH. Në këtë organizem shqiptar nuk është lënë pas dore as përkujdesja dhe ndihma që duhet ofruar familjeve me kushte të vështira ekonomike. Kështu, anëtarët e saj të vyeshëm pas kontakteve të ndryshme e të shumta arritën që të bindin disa shofër të ndërmarrjes “ Vesttrafik” tëkëtij qyteti për të ndihmuar disa familje të varfëra në Kosovë. Edhe ndihma materiale e bashkatdhetarëve tanë të këtij qyteti erdhi në shprehje për t’iu bashkangjitë aksionit të RTV21 “ Edhe unë jam Kosovë”. Një përjetim të veçantë kënaqësie kishin pasur 50 fëmijët shqiptarë me vizitën që ia kishin bërë vendlindjes së shkrimtares së njohur suedeze Astrid Lindgren në Vimerby, gjë të cilën e kishte mundësuar kjo qendër kulturore. Mjaft interesant ishte edhe prezantimi i bukurisë shqiptare përmes veshjes kombëtare, që u organizua për herë të parë në këtë qytet, aktivitet ky që u realizua në bashkëpunim me Agjencinë e modës “Bora fashion” nga Gjakova. Këtë manifestim e përcolli edhe hapja e ekspozitës me fotografi me veshje kombëtare nga të gjitha trevat shqiptare punuar me mjeshtri nga fotografi i njohur kosovar Shkelzen Rexha. Ndërkaq, nga takimet e shumta letrare do veçuar organizimin e një mbrëmjeje me “ Bubulinon” dhe krijuesin e tij Viron Kona nga Tirana, i cili erdhi në vizitë me ftesën e kësaj qendre. Viron Kona është një shkrimtar i njohur për fëmijë, i cili pas përfundimit të atij takimi të këndshëm me komunitetin shqiptar fëmijëve u ndau dhuratë nga një libër. Një kontribut të madh që po lënë gjurmë në punën e QKSH” Migjeni” po jap edhe shkrimtari e publicisti i njohur nga Tirana Murat Gecaj. Ka edhe shumë aktivitete e manifestime kulturore, letrare e sportive që janë organizuar dhe se për një punë jashtëzakonisht të madhe që po bën kjo qendër duhet të jetë një shembull i mirë edhe për shoqata e qendrat tjera kulturore në mbarë Suedinë dhe më gjerë.
Shqiptarët me tri “ dritare” informative
Nuk kaloi as një muaji të fillimit të punës të QKSH “ Migjeni”dhe Sokol Demaku ndërmerr edhe një hap të guximshëm e mjaft të qëlluar duke e nxjerr në dritë numrin e parë të revistës së përmuajshme “ Dituria” organ i kësaj qendre. Revista “ Dituria” është një gazetë për fëmijë, të rinjë dhe prindër shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Suedinë e largët, e cila ka krijuar një rrjet të gjerë bashkëpunëtoresh në këtë vend skandinav, Kosovë, Shqipëri e po ashtu edhe në mesin e mërgimtarëve nga shumë shtete të ndryshme të botës. Kjo revistë shpërndahet falas për komunitetin shqiptar në Boros e rrethinë, por ajo mund të lexohet edhe në internet. Ajo dërgohet edhe në Gjermani, Zvicër, Finlandë, Angli, SHBA, Rumani e vende të tjera me të cilat QKSH ka një bashkëpunim të frytshëm. Ky njeri i punëve të mbara nuk ndalet me kaq. Ai vazhdon tutje dhe në shkurt të vitit 2008 hap kanalin e radios në gjuhën shqipe, zëri i së cilës dëgjohet pothuajse në gjithë Krahinën e Vestrajytalandit , në të cilën jetojnë mijëra shqiptarë. Programin e vet kjo radio lokale e shfaq çdo të mërkur nga ora 18- 19. Në valet e këtij mediumi mund të urohet e përshëndet çdo familje shqiptare, të dëgjohet muzikë shqipe e lajme më të reja nga gjithë hapësira shqiptare. Ndërkaq, me mjaft rëndësi është të përmendet programi për fëmijë, të cilin e përgatisin dhe e udhëheqin vetë ata. Sihariqi i tretë për komunitetin shqiptar është prapë i fushës informative. Në të vërtetë, Sokol Demaku vitin e kaluar pas një pune të pandërprerë arriti që të hap edhe kanalin televiziv në gjuhën shqipe, i cili për shumicën e komunitetit të këtushëm shqiptar në fillim iu dukej e pamundshme për t’u realizuar. Programi i këtij kanali është i larmishëm dhe shfaqet çdo të ënjte nga ora 18- 19. Të gjitha këto dritare të informimit shqiptar punojnë e veprojnë në kuadër të QKSH “ Migjeni”.
Të gjitha këto të arritura nuk do të mund të realizoheshin pa një bashkëpunim të mirëfilltë brenda vetë komunitetit shqiptar si dhe ndihmës materiale dhe të mbështetjes në çdo nismë të organeve dhe institucioneve komunale dhe të atyre qendrore, të cilën gjë diti aq mirë ta shfrytëzoj Sokol Demaku.
Bëri shumë edhe në fushën afirmative për shqiptarët
Në këtë artikull nuk kemi pretendime të tjera, pos asaj që në opinion dhe në media të prezantohet vërtetë ajo që i takon këtij intelektuali të vyeshëm. Sa bëri shumë e shumë punë të mbara për komunitetin shqiptar, po aq la gjurmë të pashlyeshme edhe në rritjen e “ imigjit” të shqiptarisë në përgjithësi në opinion, subjekte, institucione, media të shkruara e elektronike e organe komunale e shtetërore. Thënë konkretisht, duke njohur historinë dhe kulturën shqiptare, e cila gjë, siç duket, e cyste të inkuadrohet në rritjen e “migjit”të popullit shqiptar në mënyrën shumë dimensionale, të afirmoj para opinionit suedez në mënyrën e tij çështjen shqiptare si një intelektual, shkrimtar, gazetar e publicist. Në këtë aktivitet të pandërprerë e të palodhshëm të Sami Demakut vjen në shprehje shpërthimi i cilësive vetanake si në formimin dhe funksionimin e organizmave përkatës shqiptar po ashtu edhe në fushën afirmative të kombit tonë që është ndër më të vjetrit në Europë.
Punë të madhe bëri edhe një fushën e krijimtarisë letrare
Cilësitë prej një intelektuali të shquar erdhën në shprehje edhe në fushën e krijimtarisë letrare. Deri me tash ka botuar gjashtëmbëdhjetë libra të zhanreve të ndryshme, të cilët me mjeshtrin e të shkruarit kanë zgjuar interesim të kënaqshëm tek lexuesit. Është anëtarë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë, i Shoqatës së Shkrimtarëve të Vesterjytalandit dhe anëtarë i Kryesisë së Shoqatës së Shkrimtarëve dhe artistëve Shqiptar “ Papa Klementi i XI Albani”. Është njeri ndër anëtarët më aktiv të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptar dhe shlirshëm mund të thuhet promotor i lidhjes së kontakteve me personalitete të shquara të pendës dhe të dijes në mbarë tokën shqiptare. Me një fjalë, fal punës së tij të palodhshme po bëhet i mundur në masë të madhe afirmimi i këtij asosacioni krijues kudo dhe kurdo edhe në të gjitha mjetet e informimit dhe në opinionin e gjerë shqiptar kudo që ata jetojnë e veprojnë.
Dhe krejt në fund: Sokol Demaku u angazhua, punoi, dhe dha e po jep kontribut në ato fusha ku manifestohet , zhvillohet e afirmohet aktiviteti intelektual i komunitetit shqiptar, të cilat më parë ishin të panjohura për popullin mik suedez.