• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRIMI I VEPRAVE HOMERIKE ILIADA dhe ODISEA prej ILIA V. BALLAURIT

November 1, 2017 by dgreca

2 Thanas-Gjika

Nga Thanas L. Gjika/Pas botimit shqip të poemave të Homerit prej përkthyesve të talentuar Gjon Shllaku (“Iliada”) dhe Pashko Gjeçi (“Odiseja”), mendohej se nuk do të guxonte kush të përkthente dhe një herë këto dy kryevepra të letërsisë botërore. Mirëpo në vitin 2013 ndodhi e papritura: studiuesi i botës së lashtë greke i heshtur, Ilia Vasil Ballauri, e befasoi botën e letrave shqipe duke publikuar përkthimin e poemës “Iliada” përmes një botimi në një numur të kufizuar kopjesh, luksoz, realizuar jashtë vëndit me ISBN të nxjerrë nga Libraria KOTTI, Korçë dhe me shpenzimet e veta dhe më 2017 përkthimin e poemës “Odisea”. Të dy këto poema janë botuar në format të madh A 4 të ndara sejcila në dy vëllime:
Iliada vëll. I përfshin rapsoditë 1-12 në 411 faqe dhe vëll. II përfshin rapsoditë 13-24 në 528 faqe.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Odisea vëll. I përfshin rapsoditë 1-12 në 354 faqe dhe vëll. II përfshin rapsoditë 13-24 në 383 faqe. Faqet e hyrjeve të sejcilës poemë hartuar prej përkthyesit, si dhe shënimi i gjatë në fund, nuk bëjnë pjesë në këtë numërim.Dr. Ballauri ia dërgoi si dhuratë me anën e mikut të tij z. Thoma Karamitro, bibliotekës së qytetit tonë Uster (Public Library of Worcester MA) të katër vëllimet, që kushtojnë gjithsej 112 Euro / 11.200 lekë të rinj. Si dhuratë e ka shpërndarë ai këtë vepër ndër miq e shokë dhe në biblioteka e institucione të tjerë nëpër botë. Prej British Library, London, biblioteka më e madhe në botë me rreth 150 milion vëllime dhe me 3 milion dhurata në vit, ka mare dy here (për të dy veprat) vlerësim dhe falenderim nga drejtorët e sektorit për Evropën.

Ilia Ballauri mes tre vëllezërve është vëllai i vogël i poetit dhe përkthyesit Aleko Ballauri. Të dy këta bij të Korçës janë djemtë e muzikantit Vasil A. Ballaurit, pinjoll i një familjeve të vjetër e të pasur korçare me origjinë nga Voskopoja. Kjo familje është shquar për punë cilësore intelektuale të kryer pa bujë. I ati i tyre, Vasili, njohës i mirë i greqishtes si dhe i një sere gjuhëve të tjera por sidomos i muzikës (violinist e pjanist), la në dorëshkrim një libër me shumë të dhëna nga historia e përhapjes së muzikës qytetare korçare, libër të cilin e botoi Ilia bashkë me serinë e tij prej shumë librave, mbi jetën e veprën e filozofëve, historianëve e shkrimtarëve të antikitetit grek, etj. Kjo seri botimi parapriu botimin e dy poemave madhore të Homerit, atit të letërsisë artistike europiane.
Djali i madh i Vasilit, mësuesi i matematikës Aleko Ballauri, i cili kaloi jetën në fshatra të Gramshit, pas vitit 1992 iu kushtua letërsisë, sidomos poezisë. Ai shkroi e botoi disa vëllime me poezi origjinale dhe shumë vëllime me përkthime poezish nga letësia ruse.
Me jetën dhe veprën e tyre, Vasil Ballauri dhe djemtë e tij Aleko dhe Ilia treguan se familjet e vjetra e të pasura korçare, që u luftuan aq ashpër prej regjimit komunist, kishin në vetvete potenciale të mëdha mendore, të cilat ai regjim nuk ia shfrytëzoi e as ia vlerësoi sa e si duhej. Bijtë e kësaj borgjesie po ia dhurojnë arritjet e veta kulturës, artit dhe shkencës sonë kombëtare pas shkërmoqjes së diktaturës, me dinjitet e pa bujë duke punuar me pasion mbas punës për të mbijetuar, ose në vite penisoni, pra jo duke qenë rrogëtarë institucionesh shkencore a kulturore si shumica e kuadrove të përkëdhelur të ish diktaturës ose të qeverive pasdiktatoriale.
Fatkeqësisht qeveritë pasdiktatoriale, ku mbizotërojnë ish komunistë e ish sigurimsa, po humbin kohë dhe energji për të mbuluar dhe jo për të dënuar krimet e komunizmit, si dhe jo për t’u kthyer gjithë pronat pronarëve të shpronësuar dhe as për të vlerësuar arritjet e ish të përndjekurve të regjimit komunist, që punojnë për të mëkëmbur dinjitetin e kombit tonë të abuzuar në shekuj.
Ilia është nga ata djem që e kryen gjimnazin shkëlqyshëm, por për shkak të “biografisë së keqe”, në vend që të dërgoheshin për studime në Tiranë në degët që donin, u dërguan të kryenin shërbimin ushtarak në brigadat e punës me lopatë në dorë, si Eugjen Merlika me shokë. Ai arriti të fitonte të drejtën e studimit në Institutin e Lartë Bujqësor, Korçë, ku nuk mori asnjë notë më poshtë se maksimalja. Punoi fillimisht si agronom në malësitë e Librazhdit dhe më pas në Korçë u muarr me punë shkencore në fushën e gjenetikës së bimëve. Ai kreu eksperimente dhe studime në këtë fushë, dha leksione për rreth 20 vjet në Universitetin Fan Noli Korçë dhe gjithë aktiviteti i tij shkencor pasqyrohen në rreth 3500 faqe botim librash, tekstesh, artikujsh e kumtesash.
Për shkak se qeveritë pasdiktatoriale nuk e morrën seriozisht krijimin e shtetit ligjor dhe përmirësimin e kushteve të jetës së mësuesve dhe pedagogëve, studiuesëve e krijuesëve, Ilia si dhe shumë të tjerë të cilët për fat të keq vazhdojnë edhe sot të emigrojnë, u detyrua të merrte rrugën e mërgimit në shtetin fqinj, në Selanik të Greqisë. Këtu, njohja e gjuhës dhe përgatitja profesionale e ndihmuan të punësohej si studiues në fushën e virusologjisë për shumë vite.
Pasioni për mësimin e gjuhëve të huaja dhe shfrytëzimin e tyre i lindi Ilias që në fëmijëri, kur në familjen e tij babai, xhaxhallarët e miq të tyre recitonin në greqishten e vjetër pjesë nga poemat e Homerit. Dashuria për atë kulturë dhe pasioni për të mësuar gjuhët e huaja e mbajti Ilian të mbërthyer gjithë jetën që fëmijë, gjatë viteve të gjimnazit, të shërbimit ushtarak e gjatë punës si pedagog e studiues. Për të arritur tek përkthimi enciklopedik i poemave “Iliada” dhe “Odisea” ai ka shfrytëzuar përkthime të këtyre veprave dhe enciklopedi e libra të ndryshëm në tetë gjuhë të ndryshme.
Ky botim është i mbushur me sqarime, komente, analiza, etj, si dhe ilustrime, nga veprat më të mira të piktorëve dhe gravurat e krijuara gjatë shekujve për ilustrimin e kryeveprave homerike. Përfitimi gjatë leximit të kësaj vepre madhore është i shumanshëm: artistik, letrar, filologjik, historik, filozofik, thjesht përfitim encilkopedik shumëdimensional.
Pyetja e parë që i bën lexuesi vetes gjatë leximit është: si ka pasur mundësi Ilia Ballauri të arrijë një përkthim shkencor enciklopedik pajisur me kaq shume shënime sqaruese dhe ilustrime, punë për të cilën do t’i duheshin dy jetë njerëzore, pa u marrë me gjë tjetër. Kurse ai këtë punë që përfshin përkthimin e 28.000 vargjeve (3000 faqeve) homerike në nivel të paarrritshëm në përkthimet e mëparshme, e ka kryer krahas punës pedagogjike e hulumtues dhe përkthimeve të ndryshme, duke u ndihmuar vetëm prej bashkëshortes së tij.
Si askush, Ilia Ballauri me librat e tij ka krijuar një bibliotekë të tërë: ai ka botuar artikuj e kumtesa, ka përkthyer e botuar 31 libra mbi jetën e veprën e njerëzve të shquar të Antikitetit Grek, mbi 600 faqeve me studime e dokumente për vendin e origjinës, Voskopojën e magjishme dhe 700 faqe me dokumente e studime për vendlindjen, Korçën frymëzuese dhe të paharrueshme.
Kur e pyesin se cili është për ty vlerësimi më i madh sot, përgjigjet i përmalluar: fletëlavdërimi i klasës së parë prej mësueses Julia dhe puthjet e saj sa here që më shikonte fletoren e bukurshkrimit të cilën ia tregonte pastaj gjithë klasës si shëmbull.
Për kryeveprën e tij të re, duke dashur të nënkuptohet se nuk do lavdërime, thotë fjalët e Lazgushit: Vepra flet vetë. Kënaqësi e madhe që midis ne shqiptarëve ka të tillë punëtorë të mëdhenj pa mburrma, të cilëve u jemi shumë borxhllinj për pasurimin e kulturës, artit, shkencës dhe botës sonë shpirtërore…

Filed Under: LETERSI Tagged With: prej ILIA V. BALLAURIT, SHQIPËRIMI I VEPRAVE HOMERIKE ILIADA dhe ODISEA, Thanas L Gjika

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT