• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDERIM VIKTIMAVE DHE TË INTERNUARËVE TË KAMPIT TË TEPELENËS

August 26, 2018 by dgreca

Presidenti Meta nderon kujtimin e të internuarve dhe viktimave të kampit famëkeq në Tepelenë: Të reflektojmë së bashku në këtë ditë përkujtimore e kujtese!

 Presidenti Meta nderon kujtimin e të internuarve dhe viktimave të kampit famëkeq në Tepelenë: Të reflektojmë së bashku në këtë ditë përkujtimore e kujtese!/

Tepelenë

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë në veprimtaritë përkujtimore për të internuarit dhe viktimat e kampit famëkeq në Tepelenë, që u zhvilluan në bashkëpunim me Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e të Bashkisë Tepelenë, në kuadër të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare.

Me këtë rast, Kreu i Shtetit vlerësoi, duke dekoruar me Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile” Drane Jakjën (pas vdekjes); zonjën Mrikë Gjikola; zonjën Gjelë Gjikola si dhe zotin Lekë Pervizi në shenjë nderimi e respekti, e me mirënjohje të veçantë për vuajtjet e sakrificat e tyre si dhe dokumentimin historik nëpërmjet pasqyrimit e vizatimit të kushteve çnjerëzore të mbijetesës nëpër kampet e internimit, situatava dhe portreteve të papërsëritshme njerëzore.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh:

“Të nderuar dhe të dashur të mbijetuar të ish-kampit të Tepelenës dhe familjarë të tyre,
Të nderuar përfaqësues të shoqatave të përsekutuarve politikë,
I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë z. Peçi,
E nderuara zonja Ministre Kumbaro,
E nderuara zonja Kryetare e Bashkisë së Shkodrës Ademi,
E nderuara Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit znj. Sulaj,
I nderuar zoti Brian,
Të nderuar deputetë dhe përfaqësues të institucioneve,

Jemi sot në një ditë shumë të rëndësishme kujtese, por mbi të gjitha reflektimi.

Dita Europiane e përkujtimit të viktimave të sistemeve totalitare sjell ndërmend miliona njerëz që u bënë viktima të këtyre sistemeve, dhe kryesisht të burgosurit e kampeve të përqëndrimit, kampeve të vdekjes, gulagëve, kampeve të punës, e burgjeve.

Gjatë gjithë historisë, regjimet totalitare kanë prodhuar dhe shkaktuar dhunim të të drejtat njerëzore e mohim të dinjitetit njerëzor.

Kujtimi i tmerreve të së kaluarës është detyrë e të gjithëve ne, si shenjë respekti dhe detyrimi për të gjitha viktimat që kanë vuajtur dhe kanë vdekur dhe si një mënyrë për t’u siguruar që kjo nuk do të ndodhë më për gjeneratat e ardhshme.

Ky kujtim gjithashtu mbështet dhe ushqen angazhimin tonë për të zhvilluar demokracinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të luftuar shfaqjet e sotme të intolerancës, përjashtimit dhe ekstremizmit.

Vlerat e demokracisë qëndrojnë në principet themelore të saj si barazia, gjithëpërfshirja, transparenca, dhe kjo e fundit është thelbësore për viktimat e sistemit totalitar.

Keqinterpretimi i historisë mund të nxisë urrejtje dhe racizëm, ndërkohë që pajtimi mund të arrihet vetëm përmes nxjerrjes në dritë të të vërtetës, nëpërmjet transparencës së fakteve dhe ngjarjeve të ndodhura në këto kampe vdekjeje.

Pajtimi me të kaluarën mund të arrihet vetëm duke ndarë dhe duke promovuar të gjithë së bashku, kujtimet e heronjve që sakrifikuan jetën dhe vitet e tyre më të bukura në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, të besnikërisë ndaj idealeve të tyre, të drejtësisë, të lirisë dhe të së vërtetës!

Sepse disa nga këta heronj, po perifrazoj titullin e librit të At Zef Pllumit ”Rrno vetëm për me tregue”, jetuan dhe jetojnë për të treguar tmerret e terrorit komunist dhe totalitarizmit. Tregojnë që ne të mos harrojmë! Sepse siç na ka mësuar përvoja njerëzore, tragjeditë e së shkuarës janë të destinuara të përsëriten nëse e harrojmë historinë.

Pajtimi, gjithashtu, mund të arrihet duke kërkuar të falur, duke pranuar përgjegjësitë, duke shprehur respekt për të gjitha viktimat e regjimit totalitar dhe duke respektuar ata që luftuan kundër tiranisë dhe shtypjes.

Drejtësia për viktimat e regjimit komunist dhe totalitarist është thelbësore. Kërkimi i së vërtetës, hapja e arkivave, procedurat e lustracionit, rehabilitimi, integrimi dhe dëmshpërblimi i tyre janë disa nga mënyrat për t’u shprehur atyre dhe familjarëve të tyre mirëkuptimin, simpatinë dhe njohjen e vuajtjeve të tyre.

Dhe sot jemi së bashku në ish-kampin e Tepelenës pikërisht për të bërë këtë homazh, për të nderuar dhe vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e të mbijetuarve të Kampit të Tepelenës, që i dhanë përmasë njerëzore përballjes me totalitarizmin, si personalitete frymëzuese për shoqërinë e sotme shqiptare.

Znj. Gjelë Gjikola, znj. Mrikë Gjikola, dhe z. Lek Pervizi që janë sot këtu, por dhe kujtimi i znj. Drane Jakja janë disa nga figurat më frymëzuese që vlerësohen edhe sot këtu në Tepelenë, në vendin ku u zhvillua drama e tyre jetësore dhe u kalit mbijetesa, në emër të sakrificës dhe humanizmit të njerëzve të thjeshtë.

Jeta e tyre ka qenë një kalvar i gjatë dhimbjesh dhe vuajtjesh, por humanizmi, sakrifica dhe heroizmi i tyre duhet të bëhen shembuj frymëzimi veçanërsiht për brezat e rinj.

Nuk ka dhimbje më të madhe për një nënë sesa humbja e jetës së fëmijës së saj. Por tre gratë, që nderojmë sot, u ngritën mbi dhimbjen dhe me sakritificë dhe vetmohim, pa marrë parasysh pasojat e rënda që mund t’u vinin kryen akte heroizmi e vetmohimi.

Dy prej tyre, znj. Gjelë Gjikola dhe znj. Mrikë Gjikola, varrosën vetë vajzat e tyre 3-vjeçare pranë kampit për t’i rigjetur, rizhvarrosur dhe për t’ju siguruar një vend prehjeje të identifikueshëm vetëm pas 55 vitesh.

Znj. Drane Jakja varrosi dhe më pas zhvarrosi djalin e saj 2-vjeçar, duke e mbajtur për shtatë javë trupin e tij pranë vetes, për ta rikthyer në vendlindje e për ta varrosur sipas zakoneve.

Ndërkohë që z. Lek Pervizi i ka bërë një shërbim të paçmueshëm historisë nëpërmjet dëshmive në formën e vizatimeve, të sjella deri në ditët e sotme. Duke përdorur thëngjill e laps, ai ka dokumentuar me saktësi figura, ndërtesa, situata, portrete dhe njerëz. Të dhënat që vijnë nga vizatimet e tij, të cilat i pamë në hyrje në kampit, shprehin gjendje, njerëz dhe situata të papërsëritshme me qartësinë dhe besnikërinë e një fotografie.

Këta janë vetëm 4 nga shumë heroina e heronj që kanë vuajtur në këtë kamp famëkeq, që sot nderohen në respekt të një bashkësie që kërkon paqësisht të përballet me të kaluarën dhe kërkon paqësisht të jetojë të ardhmen.

Për merita të veçanta civile, në kujtesën e kombit ata janë shembuj të vetëdijes qytetare, por dhe kombëtare për të ardhmen.

Nderim përjetë të gjithë disidentëve dhe ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë që dhanë jetën në emër të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor!”

Në përfundim Presidenti i Republikës pasi falenderoi organizatorët për këtë iniciativë u shpreh se:

“Është detyra jonë që të ndriçojmë historinë tonë, me qetësi dhe drejtësi, në emër të forcimit të paqes sociale e të realizimit të një pajtimi kombëtar të vërtetë. Kjo sakrificë e jashtëzakonshme duhet kujtuar në mënyrë të vazhdueshme, për të mos përsëritur drama dhe tragjedi të tilla për shoqërinë dhe për popullin tonë, për mos e ndarë më atë siç ka ndodhur në të kaluarën dhe për të patur gjithmonë parasysh atë që ka thënë Shën Nënë Terezës: ‘ne të gjithë i përkasim njëri-tjetrit’.

Faleminderit të gjithëve, për këtë iniciativë kaq kuptimplotë për të ndriçuar këtë vend dhe sidomos për këtë zgjidhje kaq të mençur, për të mbjellë filiza të rinj këtu në Tepelenë që na kujtojnë se këto sakrifica të jashtëzakonshme duhet t’i vëmë në shërbim të mbarë kombit për një të ardhme më të mirë dhe më të paqtë!”.

Filed Under: Featured Tagged With: - Kampi i internimit, . Tepelenë, nderim, Presidenti Meta, viktimave

Ilir Meta dhe një rast për të kuptuar balancimin e pushtetit

July 28, 2018 by dgreca

6 Ilir-Levonja-300x298

NGA ILIR LEVONJA/

Sot Ilir Meta është njeriu më i sulmuar dhe më i diskutuar në opinionin e turbullt shqiptar. Kjo nga mos aprovimi që i bëri një ligji emergjent për prishjen e teatrit kombëtar. Eshtë një listë e tërë me argumenta dhe e mirë mbështetur në librin themeltar të një shteti, siç është Kushtetuta. A mund të konsidorehet vendim politik? A mund të gjykohet si një veprim me strategji politike me që ai është edhe babai i LSI-së? Forca politike e anatemuar si një tepsi tjetër për shfryrjen e dështimeve në 4 vjeçarin e parë qeverisës të çiftit Rama-Veliaj? Forca që mbart brenda vetes sabotatorët, shushunjat. Dhe ata që herë zgjohen majtas dhe herë djathtas etj.? Të gjitha janë. Dhe nuk e luan as topi i nemces, siç e kemi për qejf të themi ne shqiptarët. Që Ilir Meta është një ujk i vjetër, kjo as që diskutohet. Por të tillë nuk e kishin konsideruar çifti në ekstazë, pra Rama dhe Veliaj. Për ato arsyet e tyre efemere prej çunash Tirone, krijesën e pazarit të vjetër, presidentin e marrëveshjeve të shpejta mendonin se e kishin në xhep. Aq më tepër që në këtë gjashtë mujor luftrash mediatike mes artistëve, çartistëve, ambientalistëve, qytetarëve dhe militantëve të të dy krahëve, ai ruajti qetësinë duke mos u prononcuar asnjëherë. Një president tjetër, një kapter partie, nuk do ta kthente ligjin. Ilir Meta e ka këtë fuqi pikërisht nga fakti i të qenit lider i LSI. Dhe në raport me presidentët e deritanishëm është vetëm ai në nivelin kushtetues. Të tjerët erdhën nga radhët dytësore dhe nga marrëveshjet e sforcuara politike, kësisoj prodhuan dy soje presidentësh, vasalë të bindur të forcës nga erdhën, ose vasal i vetvetes dhe jo i kushtetutës. Ndaj ne shqiptarët duhet urgjentisht të ndryshojmë mënyrën e të zgjedhurit të presidentit tonë. Ta zgjedhim atë nga populli. Dhe në fakt ky është ose ishte ai momenti për të kutpuar se sa i vlertë është institucioni kur funksionon si duhet. Deri tani ky institucion nuk ka funksionuar dhe asnjëherë nuk e arriti ndonjë shkallë niveli si garant i librit themeltar, i ndarjes dhe balancimit të pushtetit, arterja vitale në demokraci. Megjithatë, ndaras nga këto luftra mediatike idesh e projektesh, ky është rasti më i qartë për të kuptuar se si funksion demokracia. Se sa të rëndësishëm janë balancimet e pushtetit. Aq më tepër që tek ne tashmë është bërë e modës grabitja me ligj. Ky rasti më flagrant, ky partneriteti privat… me aksioma politike të këtij gagarelit të mjaftit që u thotë shqiptarëve gjithë ditën, në të gjitha emisionet e lajmeve që, ai boti jep lekët, jep para, na bën moderne këtë e atë…, me paratë e tia etj. Kurse ne nuk duam. E bën ai ore se shteti nuk ka lekë. Ta dini mirë se shtetarë qaramanë nuk vlejnë për ju, por për horlliqet e tyre të radhës. Kjo është e verifikueshme lehtë, aq më tepër kur në dhjetë të mëngjesit i shikon në periferi të të flasin për zgjerimin, bulevardet etj… në drekë u kthehen qendrave të vjetra urbane. Dhe nuk e di se si e shtyni ditën duke e parë gjithë kohën në tv. Akoma nuk u janë kthyer muret e shtëpisë, në mure me portret e tyre. Eshtë bajate, por veç parave po u vjedhin dhe lirinë familjare. Si jetoni brenda atyre mureve me buzëqeshjet e tyre fallco, me fytyrat e tyre në ekran…? Prishni teatrin kombëtar sot. Dhe nesër shkoni e prishini me radhë… atë të Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Korçës, Lushnjës, Elbasanit, Fierit… Pse? Se ca janë amortizuar, ca i ka ndërtuar italia, një a dy regjimi. Dhe aq më tepër me para të partneritetit publik. Po aq janë të ururarit… me gishta numërohen. Dje lexoja ca naivër që sugjeronin atë që lërini ta prishin, të ndërtojnë të riun…, po qe se vjedhin se ju kështu thoni, nesër kur të vini në pushtet futini në burg. Harrojeni se bëhet vendi me mendësi të tilla. Deri sot asnjë burgosje nuk e ka përligjur dëmin social. Aq më keq akoma që tek ne veç Nexhmije Hoxhës për filxhan kafeje, apo për ca fonde ushqimesh si Nani dhe ministri minoritar askush tjetër nuk ka bërë burg… Ndaj balancimi i pushtetit është funksionimi real i demokracisë.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Presidenti Meta

Presidentja e Kroacisë, mysafire në Shqipëri

July 18, 2018 by dgreca

Presidenti Meta mirëpret në një vizitë shtetërore në Tiranë, Presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović/

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Presidentes së Republikës së Kroacisë, Sh.S.Znj. Kolinda Grabar-Kitarović, e cila me ftesë të Kreut të Shtetit, po zhvillon një vizitë shtetërore në Shqipëri.

Pas ceremonisë së mirëseardhjes dhe ekzekutimit të himneve kombëtare të të dy vendeve, Presidenti Meta dhe Presidentja Grabar-Kitarović zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin e zgjeruar midis dy delegacioneve zyrtare.

Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e forta historike të miqësisë midis dy popujve, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit shprehën angazhimin dhe mbështetjen për ngritjen e këtyre marrëdhënieve në nivel të partneritetit strategjik, duke nënvizuar se kjo do ta intensifikojë më shumë dialogun politik dhe do t’i nxisë më tej marrëdhëniet ekonomike e tregtare.

Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua bashkëpunimit në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë e të qartë të Kroacisë dhe personalisht të Presidentes Grabar-Kitarović për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nënvizoi se të gjitha institucionet e shtetit shqiptar janë të angazhuara për të përmbushur me sukses të gjitha standardet dhe detyrimet përkatëse.

Duke u ndalur në bashkëpunimin rajonal, të dy Presidentët nënvizuan nevojën e një angazhimi dhe koordinimi më të mirë në mënyrë që stabiliteti dhe siguria e rajonit të konsolidohen dhe procesi i mirëkuptimit e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit të vijojë në mënyrë të qëndrueshme.

Presidenti Meta vlerësoi edhe rolin e kontributin e Kroacisë në kuadër të Procesit të Brdo-Brijunit, si dhe shprehu besimin që Samiti i ardhshëm që do të zhvillohet në Shqipëri, në vitin 2019, do ta gjejë rajonin dhe vendet e saj në një situate edhe më të favorshme, si në marrëdhëniet me BE-në ashtu edhe me NATO-n.

Në fund të bisedimeve zyrtare të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, si dhe iu përgjigjën interesit të gazetarëve për çështje të ndryshme me interes dypalësh e rajonal.

Në vijim deklarata e Presidentit Meta në konferencën e përbashkët për shtyp:

Sot kisha kënaqësinë që t’i uroja mirëseardhjen në Tiranë, në një vizitë shtetërore, mikes së shqiptarëve dhe Presidentes së Republikës së Kroacisë, zonjës Kolinda Grabar-Kitaroviç.

Kemi bashkëbiseduar si për marrëdhëniet dypalëshe, edhe për ato rajonale dhe zhvillimet e ndryshme ndërkombëtare.

Që në fillim dua të konfirmoj menjëherë se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë mëse të shkëlqyera. Në themel të tyre qëndron miqësia shumëshekullore midis dy popujve dhe kombeve tona dhe lidhjet e forta historike.

Prania e Arbanasve të Zarës prej më shumë se 300 vitesh në Kroaci, por edhe e një komuniteti të ri shqiptar nga të gjitha trevat, të cilat kanë luftuar dhe shumë prej tyre dhe kanë dhënë jetën për lirinë e Kroacisë, e bëjnë edhe më të fortë këtë miqësi.

Albanologu i shquar kroat Milan Shuflaj (Milan Šufflay) apo dhe albanologu tjetër i apasionuar, Arbanasi nga Zara, Aleksandar Stipćević, kanë shërbyer si ura lidhëse të jashtëzakonshme midis dy popujve tanë sepse ata u bënë zëdhënës të besueshëm të historisë së shqiptarëve, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin dhe të ardhmen e kësaj miqësie.

Së bashku me Presidenten Grabar-Kitaroviç, kemi rënë dakord gjithashtu që gjatë vitit të Skënderbeut të bëjmë dhe një vizitë të përbashkët në zonën ku banojnë Arbanasit.

Sot pata kënaqësinë t’i shprehja edhe njëherë mirënjohjen Presidentes për mbështetjen që Kroacia i jep procesit të integrimit të Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të rajonit tonë.

Kroacia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e çeljes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Modeli dhe eksperienca e Kroacisë në BE, është shumë e vyer për ne shqiptarët.

Po kështu, si dy vende anëtare në NATO, ne ndajmë vizion dhe interesa të përbashkëta edhe në fushën e sigurisë dhe për këtë kemi një bashkëpunim shumë të mirë e të konsiderueshëm dhe që do ta shtojmë akoma më tej në të gjitha aspektet.

Dy vendet po punojnë që së shpejti ta ngrenë nivelin e bashkëpunimit, në atë të “partneritetit strategjik”.

Në kuadrin dypalësh, një vëmendje shumë domethënëse i kushtojmë bashkëpunimit ekonomik, pasi potencialet dhe burimet e të dy vendeve, si në aspektin dypalësh edhe në atë rajonal, janë të jashtëzakonshme.

Interesat e të dy vendeve janë të përbashkëta dhe komplementare dhe kuadri i përbashkët ligjor në fuqi na krijon të gjitha mundësitë për të forcuar bashkëpunimin, veçanërisht në fushën e turizmit, energjetikës, infrastrukturës, etj.

Realizimi në mënyrë të veçantë i projekteve madhore rajonale të gazifikimit TAP-it, por dhe IAP-it, si dhe Korridori Blu, do t’i bëjë dy vendet tona edhe më të ndërlidhura me njëri-tjetrin.

Një bashkëpunim me interes është edhe ai detar, si dhe ndërmjet porteve shqiptare e kroate. Si dy vende të Adriatikut, bashkëpunimi në këtë aspekt është shumë i dobishëm, bashkëpunim që shtrihet edhe në çështjet e mbrojtjes së ambientit dhe menaxhimit të ndotjeve.

Me këtë rast i shpreha mirënjohjen Presidentes për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë edhe projektit të përbashkët me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD) për menaxhimin e ndotjeve të ujërave detare (Marine) dhe të Bregdetit (Coastline) për rritjen e sigurisë në det dhe në porte, në përputhje me Ligjin dhe Politikën e BE për Detin.

Në këtë drejtim ne shohim mundësinë e mbështetjes dhe shtrirjes së këtij projekti edhe në formatin rajonal trilateral, duke përfshirë edhe Malin e Zi.

Sigurisht që bashkëpunimi rajonal ishte një prej çështjeve qendrore të bisedës sonë. Theksuam vendosmërinë për të vijuar me kontributin konstruktiv për të forcuar qëndrueshmërinë dhe bashkëpunimin në rajonin tonë.

Po kështu patëm kënaqësinë që të mirëprisnim edhe njoftimin e Komisionerit Avramopoulos sot se, Kosova i ka plotësuar të gjitha kërkesat për liberalizimin e vizave dhe të gjithë urojmë që qytetarët e saj sa më shpejt të udhëtojnë në hapësirën Shengen.

Njëkohësisht ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi, për një zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare e cila ndihmon perspektivën evropiane të të dy vendeve të gjithë rajonit tonë dhe pa dyshim që jemi shumë të lumtur për ftesën që ka marrë Maqedonia për t’u anëtarësuar në NATO, pasi ky vend e ka nisur këtë proces së bashku me dy vendet tona, me Kroacinë dhe Shqipërinë përmes Kartës së Adriatikut, prej kohësh.

Ashtu sikurse kemi diskutuar dhe shpresojmë për zhvillime më pozitive edhe në Bosnje-Hercegovinë në të ardhmen.

Në vitin e ardhshëm, në Shqipëri do të organizohet Samiti i radhës së Krerëve të Shteteve të vendeve të rajonit të Procesit të Brdo-Brijunit, ku dihet që është një iniciativë ku Presidentët e Kroacisë dhe Sllovenisë kanë një rol shumë të rëndësishëm që nga themelimi dhe vijimësia e kësaj nisme. Kemi diskutuar së bashku edhe për të koordinuar për një organizim sa më të suksesshëm dhe të dobishëm në vendin tonë gjatë vitit të ardhshëm.

Presidentja e Kroacisë nuk mund të mos vizitonte Shqipërinë gjatë vitit të Skënderbeut. Unë kam kënaqësinë që ajo ka gjetur kohën e mjaftueshme për të ndarë tre ditë me të gjithë ne, ku do të pritet edhe nga autoritetet e tjera më të larta të vendit, por dhe do t’i adresohet me një përshëndetje të veçantë Kuvendit të Shqipërisë.

Duke e uruar edhe për performancën e jashtëzakonshme të ekipit të Kroacisë në Kampionatin Botëror të Futbollit, besoj se ka qenë një përfaqësim i shkëlqyer jo vetëm për Kroacisë, por mendoj dhe i mundësive që ka çdo vend që beson tek suksesi, që i përkushtohet atij dhe që mbështet talentet e tij për të arritur majat, dua edhe njëherë tjetër t’i uroj suksese gjatë kësaj vizite mjaft të rëndësishme dhe ta ftoj për të dhënë mesazhin e saj.

Faleminderit!

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Kolinda Grabar-Kitarović, Presidenti Meta, prêt Presidenten e Kroacisë

Presidenti Meta përshëndet 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

June 10, 2018 by dgreca

Presidenti Meta përshëndet 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit/

Prizren, Kosovë

     

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në veprimtaritë përkujtimore të 140-vjetorit të Lidhjes historike të Prizrenit, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Së bashku me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe Rifat Jasharin në prani të deputetëve e përfaqësuesve të qeverisë së Republikës së Kosovës, akademikëve, historianëve, pasardhësve të pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit, krerëve të bashkësive fetare, ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, etj., Presidenti Meta fillimisht mori pjesë dhe përuroi gurthemelin e kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit: Ymer Prizeni, Abdyl Frashëri dhe. Më tej Presidenti Meta dhe Kryeministri Haradinaj vizituan ekspozitën e hapur me këtë rast në Kompleksin Memorial të Lidhjes.

Presidenti i Republikës përshëndeti seancën solemne të mbajtur në Kompleksin Monumental të Lidhjes së Prizrenit, duke iu drejtuar të pranishmëve:

“Jemi mbledhur sot në këtë qytet të bukur dhe historik për të përkujtuar të gjithë së bashku 140-vjetorin e krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kësaj ngjarje lapidare në historinë e kombit tonë.

Krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte vazhdim i Lidhjes së Lezhës të krijuar nga Gjergj Kastriot Skënderbeu shekuj më parë dhe shënonte në vetvete një kulminacion të rizgjimit dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare për të shpalosur identitetin kombëtar dhe politik të Kombit tonë, për të legjitimuar aspiratat e tij për shtet-formim dhe për t’ia bërë ato të ditura të gjithë botës.

Qysh në themelimin e saj Lidhja Shqiptare e Prizrenit u përball me sfida të jashtëzakonshme të brendshme dhe ndërkombëtare.

Në rrafshin e brendshëm Lidhja u përball me vështirësi të panumërta për bashkimin politik të katër Pashallëqeve, për formimin e strukturës së saj organizative mbarëkombëtare, për ndërtimin administrativ, për krijimin e ushtrisë dhe për ndërmarrjen e aksionit politik, diplomatik dhe ushtarak për realizimin e programit të saj.

Në planin ndërkombëtar Lidhja Shqiptare e Prizrenit u krijua dhe ushtroi veprimtarinë e saj në një prej situatave rajonale dhe ndërkombëtare më të rrezikshme dhe më kërcënuese për fatet e kombit shqiptar dhe territoreve të tij.

Kriza Lindore Ruso-Osmane dhe Traktati i Shën Stefanit që e pasoi atë, tentonin të fshinin nga faqja e dheut kombin shqiptar dhe të aneksonin territoret e tij në dobi të interesave të shteteve të reja të sapokrijuara të Ballkanit dhe të disa Fuqive të mëdha.

Kongresi i Berlinit i mbledhur për të adresuar Krizën Lindore njohu shumë shtete të reja të pavarura në Ballkan, por as që i përfilli aspiratat legjitime të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.

Në këto rrethana Lidhja Shqiptare e Prizrenit do të përballej nga njëra anë me rrezikun shovinist të politikave aneksioniste të shteteve fqinje dhe nga ana tjetër me injorimin dhe heshtjen ndaj çështjes kombëtare shqiptare prej Fuqive më të mëdha të kohës.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u gjend e rrethuar fqinjësisht dhe ndërkombëtarisht qysh në gjenezën e saj.

Prandaj asaj iu desh të ndërmerrte një veprimtari shumëplanëshe politike, diplomatike dhe ushtarake. Politikisht për ndërtimin e platformës shtet-formuese të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, diplomatikisht për bërjen e saj të ditur te Fuqitë e kohës dhe në vendet fqinje, ushtarakisht për të mbrojtur me armë, gjak dhe sakrifica popullin shqiptar dhe territoret e tij.

Për shkak të rrethanave jashtëzakonisht të vështira të krijuara nga agresiviteti militarist i shteteve fqinj si dhe nga koalicioni ushtarak i Fuqive të kohës për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk jetoi gjatë.

Por pavarësisht kësaj, platforma politike e saj, aksioni diplomatik ndërkombëtar, vlerat e shquara të identitetit kombëtar shqiptar që ajo lartësoi, rezistenca dhe sakrificat e jashtëzakonshme që ajo ndërmori do të mbeteshin të gjalla përjetë dhe do të ushqenin përgjithmonë aspiratën e pashuar të popullit shqiptar për liri e pavarësi.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit shkaktoi një jehonë të madhe në qarqet politike të vendeve fqinje, por edhe të Fuqive më të mëdha të kohës.

Mediat e tyre e pasqyruan gjerësisht platformën dhe veprimtarinë e saj, duke vënë në dukje aspiratat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, identitetin e tij kombëtar, vendosmërinë për të themeluar shtetin e tyre të pavarur dhe sovran, por njëkohësisht edhe fuqinë ushtarake kundër një bashkësie shtetesh fqinj dhe një koalicioni fuqish kundër tyre.

Ndonëse në një kohë relativisht të shpejtë kjo Lidhje u shua, ajo avancoi programin e saj të bartur në ngjarje të tjera mbarëkombëtare.

Lidhja e Pejës, Kongresi i Manastirit, Lidhja e Junikut janë hapat e hedhura nga populli shqiptar për të jetësuar hap pas hapi programin madhor që nisi pikërisht këtu në Lidhjen e Prizrenit.

Në historinë e popullit shqiptar sa më shumë kohë do të kalonte aq më shumë do të lartësohej Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe do të kuptohej mesazhi i saj frymëzues përgjithmonë. Shpallja e pavarësisë së Shtetit Shqiptar në Vlorë në vitin 1912, shpallja e pavarësisë së Shtetit të Kosovës, zgjerimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në hapësirat e tyre në Ballkan nuk ndahen asnjë çast nga Lidhja Shqiptare të Prizrenit, nga programi, vizionet dhe aspiratat e saj për të lartësuar identitetin kombëtar dhe evropian të shqiptarëve.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit qëndron edhe sot e gjithë ditën në përpjekjet e mëdha të mbarë shqiptarëve për të zgjeruar hapësirat e tyre të lirisë, demokracisë dhe integrimit Evropian dhe Euro-Atlantik. Si e tillë ajo nuk është një relike historike, por është edhe sot një vepër e gjallë frymëzuese për të gjithë ne dhe për të gjitha kohërat.

Prandaj sot përkulemi me ndjenjë të jashtëzakonshme të respektit dhe mirënjohjes për Abdyl Frashërin, për Ymer Prizrenin, për Sulejman Vokshin e gjithë ata burra të mençur e atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka pikërisht për të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë kombit tonë. Sot përkulemi me respekt të jashtëzakonshëm edhe përpara sakrificave të Adem Jasharit dhe të gjithë heronjve të Kosovës, që janë në themel të këtyre arritjeve që Kosova ka shënuar gjatë 10 viteve të pavarësisë së saj.

Veçanërisht Lidhja Shqiptare e Prizrenit, udhëheqësit e saj vizionarë dhe legjendarë, pasuesit e tyre janë një frymëzim për rininë shqiptare, që të rritet me frymë atdhetare, me shpirtin e lirisë, me formim qytetar e demokratik, me kulturë bashkëkohore dhe evropiane. Vetëm me një rini të tillë ëndrra e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit jo vetëm do të mbahet gjallë, por aspiratat e saj legjitime do vijojnë të jenë frymëzim mbarëshqiptar në kohët që do vijnë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!
E paharruar jeta dhe vepra e themeluesve dhe drejtuesve të saj!
Zoti bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe mbarë shqiptarët kudo në botë!”

Filed Under: Politike Tagged With: 140 vjet, pershendetje, Presidenti Meta, Prizren

45-vjetori i Revoltës së Spaçit: Një ditë kujtese, por edhe reflektimi!

May 22, 2018 by dgreca

Presidenti Meta në 45-vjetorin e Revoltës së Spaçit: Një ditë kujtese, por edhe reflektimi!/

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë në veprimtarinë përkujtimore të 45-vjetorit të Revoltës në burgun e Spaçit, ku ishin gjithashtu të pranishëm deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe autoritetet vendore, Ambasadorja e Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin, Ambasadori italian Alberto Cutillo, Ambasadorja e Francës, Christina Vasak, përfaqësues të bashkësive fetare, të organizatës “Komisioni Drejtësi dhe Paqe”, ish-të burgosur e të përndjekur politikë, familjarë të tyre si dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Spaçi, sikurse gjithë burgjet dhe kampet e diktaturës ka gjurmët e një persekucioni të pamëshirshëm, por edhe të një qëndrese që na bën krenar si popull.

Akti vetëmohues i martirëve të demokracisë Hajro Pashai, Dervish Bejko, Pal Zefi, Skënder Daja dhe gjithë kryengritësve të Revoltës së Spaçit ishte shkreptima që ndriçoi në errësirën e kohës egërsinë dhe të vërtetën e hidhur të shtetit totalitar.Heronjtë e Spaçit sakrifikuan jetën dhe vitet e tyre më të bukura në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, të lirisë dhe të së vërtetës!

Në kujtesën e kombit ata do të jenë shembuj të vetëdijes qytetare dhe kombëtare për të ardhmen.

Sot është një ditë kujtese, por edhe reflektimi!

Prandaj përballja me të shkuarën dhe çlirimi i shoqërisë nga makthi i krimeve të diktaturës ngelet prioritet serioz për të gjithë politikën dhe shoqërinë tonë.Përvoja botërore na mëson se tragjeditë e së kaluarës, nëse harrohen, janë të destinuara të rikthehen në një formë apo mënyrë tjetër.Kështu zbehja e kujtesës historike krijon premisa jo vetëm për tendenca të totalitarizmit, por edhe të ksenofobisë, racizmit, ekstremizmit, krimit dhe përjashtimit.Në këtë aspekt trajtimi me objektivitet dhe paanshmëri i të vërtetave historike merr një rëndësi të veçantë.Ne jemi një komb evropian dhe historia jonë nuk mund të trajtohet jashtë perspektivës evropiane të Shqipërisë.Mos harrojmë se vetë integrimi evropian është krijuar dhe ka në themel një aleancë kundër tmerreve të diktaturave të kaluara fashiste e komuniste.

Ky projekt vazhdon.

Në këtë këndvështrim vendi ynë duhet të vazhdojë trajtimin e të kaluarës me transparencë dhe drejtësi, për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e plotë të shtresës së të përndjekurve politikë.Disidenca shqiptare meriton jo vetëm të kujtohet në ngjarje të veçanta si kjo e sotmja, por edhe të shkruhet e të plotësohet e gjithë historia e saj.Ngritja e një përmendoreje në kujtim të disidencës, viktimave të pafajshëm të diktaturës, vuajtjeve dhe përpjekjeve të tyre është një detyrim i të gjithë shoqërisë ashtu sikurse është edhe obligim gjetja dhe nderimi i të gjithë eshtrave të të vrarëve e të zhdukurve gjatë kësaj periudhe.Uniteti shoqëror, paqja dhe mirëkuptimi social janë atribute të shoqërive të hapura, që nuk harrojnë tragjeditë e së shkuarës, që respektojnë njëri-tjetrin dhe kontribuojnë së bashku kundër çdo forme despotike të qeverisjes.E vlerësoj lart misionin tuaj për ndriçimin e së vërtetës së përndjekjes dhe të terrorit të diktaturës komuniste për lartësimin e figurave të rezistencës demokratike dhe do të mbështes çdo nismë për ndërtimin e përmendoreve përkujtimore dhe në veçanti, të Muzeut të Burgut të Spaçit.

Në përfundim dua të theksoj se revoltat demokratike në të gjithë botën në përgjithësi kanë përdorur simbolika të veçanta nga kultura dhe identiteti shpirtëror e artistik i popullit të vet!Para 45 vjetëve heronjtë e Spaçit zgjodhën simbol të aspiratës së tyre flamurin kuq e zi të Skënderbeut!Këtu në Spaç ra për herë të parë ylli komunist, i cili do të binte një herë e përgjithmonë nga flamuri ynë kombëtar në dhjetor të vitit 1990.Sot ky flamur padyshim që është një plotësim i ëndrrës së heronjve Spaçit për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe evropiane!

Lavdi martirëve të Revoltës së Spaçit!

Nder përjetë gjithë luftëtarëve, disidentëve dhe ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë!

Rroftë Shqipëria Evropiane!”

Filed Under: Featured Tagged With: 45 vjetori, Presidenti Meta, Revolta e Spacit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT