• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Meta përshëndet 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

June 10, 2018 by dgreca

Presidenti Meta përshëndet 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit/

Prizren, Kosovë

     

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm në veprimtaritë përkujtimore të 140-vjetorit të Lidhjes historike të Prizrenit, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Së bashku me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe Rifat Jasharin në prani të deputetëve e përfaqësuesve të qeverisë së Republikës së Kosovës, akademikëve, historianëve, pasardhësve të pjesëmarrësve të Lidhjes së Prizrenit, krerëve të bashkësive fetare, ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, etj., Presidenti Meta fillimisht mori pjesë dhe përuroi gurthemelin e kompozicionit të shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit: Ymer Prizeni, Abdyl Frashëri dhe. Më tej Presidenti Meta dhe Kryeministri Haradinaj vizituan ekspozitën e hapur me këtë rast në Kompleksin Memorial të Lidhjes.

Presidenti i Republikës përshëndeti seancën solemne të mbajtur në Kompleksin Monumental të Lidhjes së Prizrenit, duke iu drejtuar të pranishmëve:

“Jemi mbledhur sot në këtë qytet të bukur dhe historik për të përkujtuar të gjithë së bashku 140-vjetorin e krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kësaj ngjarje lapidare në historinë e kombit tonë.

Krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte vazhdim i Lidhjes së Lezhës të krijuar nga Gjergj Kastriot Skënderbeu shekuj më parë dhe shënonte në vetvete një kulminacion të rizgjimit dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare për të shpalosur identitetin kombëtar dhe politik të Kombit tonë, për të legjitimuar aspiratat e tij për shtet-formim dhe për t’ia bërë ato të ditura të gjithë botës.

Qysh në themelimin e saj Lidhja Shqiptare e Prizrenit u përball me sfida të jashtëzakonshme të brendshme dhe ndërkombëtare.

Në rrafshin e brendshëm Lidhja u përball me vështirësi të panumërta për bashkimin politik të katër Pashallëqeve, për formimin e strukturës së saj organizative mbarëkombëtare, për ndërtimin administrativ, për krijimin e ushtrisë dhe për ndërmarrjen e aksionit politik, diplomatik dhe ushtarak për realizimin e programit të saj.

Në planin ndërkombëtar Lidhja Shqiptare e Prizrenit u krijua dhe ushtroi veprimtarinë e saj në një prej situatave rajonale dhe ndërkombëtare më të rrezikshme dhe më kërcënuese për fatet e kombit shqiptar dhe territoreve të tij.

Kriza Lindore Ruso-Osmane dhe Traktati i Shën Stefanit që e pasoi atë, tentonin të fshinin nga faqja e dheut kombin shqiptar dhe të aneksonin territoret e tij në dobi të interesave të shteteve të reja të sapokrijuara të Ballkanit dhe të disa Fuqive të mëdha.

Kongresi i Berlinit i mbledhur për të adresuar Krizën Lindore njohu shumë shtete të reja të pavarura në Ballkan, por as që i përfilli aspiratat legjitime të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi.

Në këto rrethana Lidhja Shqiptare e Prizrenit do të përballej nga njëra anë me rrezikun shovinist të politikave aneksioniste të shteteve fqinje dhe nga ana tjetër me injorimin dhe heshtjen ndaj çështjes kombëtare shqiptare prej Fuqive më të mëdha të kohës.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u gjend e rrethuar fqinjësisht dhe ndërkombëtarisht qysh në gjenezën e saj.

Prandaj asaj iu desh të ndërmerrte një veprimtari shumëplanëshe politike, diplomatike dhe ushtarake. Politikisht për ndërtimin e platformës shtet-formuese të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, diplomatikisht për bërjen e saj të ditur te Fuqitë e kohës dhe në vendet fqinje, ushtarakisht për të mbrojtur me armë, gjak dhe sakrifica popullin shqiptar dhe territoret e tij.

Për shkak të rrethanave jashtëzakonisht të vështira të krijuara nga agresiviteti militarist i shteteve fqinj si dhe nga koalicioni ushtarak i Fuqive të kohës për zbatimin e vendimeve të Kongresit të Berlinit, Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk jetoi gjatë.

Por pavarësisht kësaj, platforma politike e saj, aksioni diplomatik ndërkombëtar, vlerat e shquara të identitetit kombëtar shqiptar që ajo lartësoi, rezistenca dhe sakrificat e jashtëzakonshme që ajo ndërmori do të mbeteshin të gjalla përjetë dhe do të ushqenin përgjithmonë aspiratën e pashuar të popullit shqiptar për liri e pavarësi.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit shkaktoi një jehonë të madhe në qarqet politike të vendeve fqinje, por edhe të Fuqive më të mëdha të kohës.

Mediat e tyre e pasqyruan gjerësisht platformën dhe veprimtarinë e saj, duke vënë në dukje aspiratat e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, identitetin e tij kombëtar, vendosmërinë për të themeluar shtetin e tyre të pavarur dhe sovran, por njëkohësisht edhe fuqinë ushtarake kundër një bashkësie shtetesh fqinj dhe një koalicioni fuqish kundër tyre.

Ndonëse në një kohë relativisht të shpejtë kjo Lidhje u shua, ajo avancoi programin e saj të bartur në ngjarje të tjera mbarëkombëtare.

Lidhja e Pejës, Kongresi i Manastirit, Lidhja e Junikut janë hapat e hedhura nga populli shqiptar për të jetësuar hap pas hapi programin madhor që nisi pikërisht këtu në Lidhjen e Prizrenit.

Në historinë e popullit shqiptar sa më shumë kohë do të kalonte aq më shumë do të lartësohej Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe do të kuptohej mesazhi i saj frymëzues përgjithmonë. Shpallja e pavarësisë së Shtetit Shqiptar në Vlorë në vitin 1912, shpallja e pavarësisë së Shtetit të Kosovës, zgjerimi i lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në hapësirat e tyre në Ballkan nuk ndahen asnjë çast nga Lidhja Shqiptare të Prizrenit, nga programi, vizionet dhe aspiratat e saj për të lartësuar identitetin kombëtar dhe evropian të shqiptarëve.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit qëndron edhe sot e gjithë ditën në përpjekjet e mëdha të mbarë shqiptarëve për të zgjeruar hapësirat e tyre të lirisë, demokracisë dhe integrimit Evropian dhe Euro-Atlantik. Si e tillë ajo nuk është një relike historike, por është edhe sot një vepër e gjallë frymëzuese për të gjithë ne dhe për të gjitha kohërat.

Prandaj sot përkulemi me ndjenjë të jashtëzakonshme të respektit dhe mirënjohjes për Abdyl Frashërin, për Ymer Prizrenin, për Sulejman Vokshin e gjithë ata burra të mençur e atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka pikërisht për të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe mbarë kombit tonë. Sot përkulemi me respekt të jashtëzakonshëm edhe përpara sakrificave të Adem Jasharit dhe të gjithë heronjve të Kosovës, që janë në themel të këtyre arritjeve që Kosova ka shënuar gjatë 10 viteve të pavarësisë së saj.

Veçanërisht Lidhja Shqiptare e Prizrenit, udhëheqësit e saj vizionarë dhe legjendarë, pasuesit e tyre janë një frymëzim për rininë shqiptare, që të rritet me frymë atdhetare, me shpirtin e lirisë, me formim qytetar e demokratik, me kulturë bashkëkohore dhe evropiane. Vetëm me një rini të tillë ëndrra e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit jo vetëm do të mbahet gjallë, por aspiratat e saj legjitime do vijojnë të jenë frymëzim mbarëshqiptar në kohët që do vijnë.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!
E paharruar jeta dhe vepra e themeluesve dhe drejtuesve të saj!
Zoti bekoftë Shqipërinë, Kosovën dhe mbarë shqiptarët kudo në botë!”

Filed Under: Politike Tagged With: 140 vjet, pershendetje, Presidenti Meta, Prizren

Qoftë bekue emni i Gjergj Kastriotit, Skenderbeu, për jetë të jetëve!

May 11, 2018 by dgreca

Nga Sami Repishti, Ph.D./*

Graduate Center,  C.U.N.Y- 6 maj 2018/ E ndiej vehten të privilegjuem me përshëndetë këte Tubim për lavdinë e Herojt tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, me rastin e ditëlindjes. Më lejoni të kujtoj nji shkrim, afër dy shekuj ma parë, nga Princesha shqiptare Elena Gjika, e njohun si Dora D’Istria, me banim në Rumani:

  “ Mund të dukej se shqiptarët të vendosun prej nji kohe shumë të gjatë në bregun tjetër të Adriatikut (ashtë fjala për Arbëreshët tonë në Itali) nuk do të kishin ruajtur veçse një kujtim të vagëlluar për bëmat e Herojt të Krujës. Po s’është kështu, dhe fjalët që thuhen mbi mosmirënjohjen e popujve nuk mund t’u zbatohen këtyre shqiptarëve. Në qoftë se pushtuesët e huaj nuk lejojnë të ngrihet një monument Kastriotit të Madh në vendin e tij të lindjes…. emrin e Herojt vazhdojnë ta bekojnë dhe kujtimin e tij do ta lavdërojnë për sa kohë të rrahë edhe një zemër shqiptare në të dy gadishujt” (e Ballkanit dhe Italik)(1)

  Në këte pozitë dhe në këte moment historik jemi na sot në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, dhe emnin e tij do ta bekojmë dhe  do ta lavdërojmë deri sa te rrahë edhe nji zemër e vetme shqiptare në këte vend.

   Qoftë bekue emni i Gjergj Kastriotit, Skenderbeu, për jetë të jetëve!

   Sot, tekstet e historisë sonë kombëtare na përforcojnë se “kujtimi i Skenderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi. Ai pati nji shtrirje që kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit, kishte nji rendësi europiane. Skenderbeu i bëri të gjitha kohërat të flisnin për te”.(2)

   Homeri, poeti i Greqisë antike, e përcaktoi fjalën “hero” nji njeri që ka nji forcë të mbinatyrëshme, guxim të jashtëzakonshëm, dhe nji aftësi që favorizohet nga perenditë; dhe ky epitet e ban atë të përjetëshëm. Në këte sallë që mban emnin e shenjtores “Nana Tereza” na bekojmë dhe lavdërojmë sot emnin e Skenderbeut, siç ban nji komb i qytetnuem, të krishtenë e myslimanë, pa dallim. Sot, Shqipëria ashtë i vetmi vend në botë me popullsinë në shumicë myslimane që respekton nji hero kombëtar të krishtenë. (Prof. Stavro Skendi). Kështu vepron nji komb i qytetnuem!

   Por “heroj” duhet të jap nji kuptim emnit tij, duhet të luftojë për nji kauzë ose nji ide. “Ka shumë pak vend për herojt e luftave që kërkojnë pushtet, që ndryshojnë kufijtë, etj …” (3)  Heroj Skenderbeu luftoi të huejin e paftuem, dhe mbrojti lirinë e jetën e nji popullsie që dëshironte nji jetë në paqë. Luftëtari i madh ishte mik i paqës. Dhe për këte ai admirohet dhe adhurohet nga të gjithë shqiptarët pa dallim!. Kështu tregon historia!

    Pyetja themelore: “ç’ashtë historia”? duhet të shoqënohet me pyetje konsekutive: ashtë nji kronikë, nji “tregim interpretues”, përshkrim ngjarjesh të thjeshta apo evenimente që kërkojnë analiza politike, studimin e orientimeve ekonomike, traditave kulturore, ideologjive konfliktuoze dhe ndryshimeve të institucioneve të vendit. Kështu duhet qasë edhe studimi i epokës kastriotiane. Kjo ashtë edhe përshtypja e ime sa herë që lexoj shkrime në shtypin e botime shqiptare, kur ashtë fjala per ri-interpretim të ngjarjeve historike të së kaluemes sonë, akoma të pazbulueme. Vendi i jonë ka nevojë për “dritë”, me ndriçue sa ma shumë të jetë e mundun botën e errësinës që e ka mbulue shekuj me rradhë.

   “Nga kaosi, drita krijon nji botë!” (Thomas Carlyle) Ka mjaft kaos në fushën e historiografëve shqiptarë sot në vendin tonë. Dhe kjo për arsye të “vlerave” të historianëve tonë: perspektivat e tyne të ndryshme për arsye të ndryshimeve, mosha sidomos për ata që kënduen bashkë me Neronin shqiptar kur Shqipëria digjej flakë, dhe vrulli rinor për ata që vuejtën, u lindën dhe u rritën në vuejtje dhe dëshmuen përfundimin tragjik të prindëve në atë Shqipëri të mjerë që, unë pa dëshirë, e quej “republika e vuejtjes”.

   Klasa shoqënore që ndau vendin tonë në dy kategori me zjarrin përvlues të “luftës së klasave”, shprehja ma barbare e sistemit ma anti-njerëzor të shekullit njizet: -“diktatura e proletaratit”, dhe efektet e së cilës, e konceptet ideologjike të saj ndiehen akoma sot në vendin tonë të indoktrinuem pa sherim:

– botëkuptimi personal i “historianëve” që përqafojnë orientimin pro-perendimor si nji paevitueshmëni historike për Shqipërinë, dhe të tjerëve që shohin në këte orientim vazhdimin e përherëshëm të diktaturës së kuqe.

– logjika e “historianit”, përzgjedhjet, përjashtimet, sistemimi, tregon prirjen e gjykimit të tij me paraqitë si “të vertetë” atë që i pëlqen.

***

Pak kohë ma parë, unë shkruejshe sa vijon:“…Mbas vdekjes së Skenderbeut, Traktati i vitit 1479 në mes të Venedikut dhe Turqisë njohu pushtimin e Shqipërisë. Dritarja e “Botës së Perendimit’ u mbyll për Shqipërinë pikërisht në nji kohë kur fryma jetëdhanëse e Renesances dhe idetë fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europë të re me nji etje gargantueske për njohuni të  reja, për hapësina dhe nji botë të re, me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem të shpirtit kërkues, e thellësisht njerëzor. Pavarësisht nga faktori fetar – që mbetet gjithmonë nji çeshtje krejtësisht intime për çdo ndërgjegje personale- okupacioni otoman ka nxjerrë Shqipërinë nga historia e kontinentit europian, dhe e ka denue atë të jetë nji krahinë e harrueme mbrenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Europës, që po rilindte në Perendim…”

  Ajo që deshta me thanë ashtë se epoka e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastritoti-Skenderbeu, bashkë me lavdinë e rezistencës heroike kundër agresionit otoman ka përmbajtë në vehte edhe nji dëshirë, nxitje e mbrendshme, e papërmbajtun, logjike ose instinktive, me u orientue plotësisht, qoftë edhe me sakrificën e jetës, kah bota perendimore – natyrisht, në atë kohë Krishtenimi Perendimor, me epiqendër Vatikanin. Ky orientim i ndjemë thellësisht nga luftarët shqiptarë, që nga Skenderbeu deri tek ushtari i thjeshtë që e ndoqi udhëheqsin për 25 vjet me rradhë, parashikonte triumfin e luftës së ndërmarrun si nji kryqëzatë që luftonte jo vetëm për mbrojtjen e Shqipërisë, por edhe kundër “besimit të ri”, kundër orientimit kah shoqënia otomane, rivale e Perendimit.

    Shqipëria nuk ka njohë atë kohë entuziasmin e Renaissance-s dhe frymën e Humanizmit që transformuen Europën Mesjetare. Por Shqipëria, përmes përvojës tragjike që solli invazioni otoman, mori nji qendrim kambëngulës kundër tij, dhe interpretoi ardhjen e Perendimorëve në vendin tonë si nji dorë shpëtimtare. Krishtënimi Perendimor ka qenë, në ato kohëna, zemra e muskujt e Europës, me pozitën superiore të Papës së Romës. Në Shqipëri krishtënimi perendimor ka qenë nji agjent historik thelbësor, sidomos mbas ardhjes së Anzhuinëve në vendin tonë, në vitin 1272. Ashtë shumë e vështirë, ndoshta e pamundun, me përfundue se nji ndermarrje e këtill epike, si ajo e herojt tonë kombëtar, Skenderbeu, mund të fillonte e të mbahej nga nji udhëheqës jo-katolik.

  Ashtë nji detyrë e historianit të sotëm në Shqipëri, që për arsye objektiviteti duhet të përqendrohet në shkrimin e “monografive”, tue lanë punën e hartimit të historisë sonë për ditë ma të vona, dhe nga grupe ekspertësh të çdo epoke, të shliruem nga “elementët infektues”. Shpresa e jonë mbetet në sallat e Instituteteve të Historisë së Shqipërisë, Kosovës dhe Tetovës, dhe qendrave të jashtëme të studimeve shqiptare, si dhe degëve të tyne sekondare, të dedikuemë në profesionin e nderuem të historisë.

***

Shenime:

1)Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Historia e Popullit Shqiptar, v. I (Botimet Toena: Tiranë, 2000) f. 492

2) REVISTA SATURDAY REVIEW,  New York, datë: 13.IX.1862

3) Trollope – Cleaverings XXIII – 1866. Quoted by The Oxford English Dictionary, 1989,   2nd Edition, v. VII, f. 171

4) “Parathanje”. Ardian Ndreca. Kur Skenderbeu nuk ashtë “Historia e Skenderbeut”(Onufri:Tiranë, 2009)  

  • Pershendetja qe Prof. Sami Repishti dergoi me 6 maj 2018 ne Akademine perkujtimore me rastin e 613 vetorit te Lindjes se Heroit Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Pershendetja u lexua nga Tonin Mirakaj.

 

Filed Under: Politike Tagged With: 613 Vjetori, Lindja e Skenderbeut, pershendetje, Sami repishti

SHKRIMTARËT QË NA ERDHËN NGA SUEDIA/

July 25, 2016 by dgreca

Kadri Tarelli shkruan nga Durresi/*

 “Unë, nëse do të jetoja edhe një herë,

do të punonja me shqiptarët dhe për shqiptarët”.

Ullmar Kvik (Qvick)/

 PËRSHËNDETJE SHKRIMTARËVE TË ARDHUR NGA SUEDIA/

Si koleg dhe gazetar, prej më se 10-vjetësh kam qenë pjesëtar i grupit që ka pritur e përcjellë miq, drejtues komune, drejtues arsimi, drejtor shkolle, mësues, nxënës, prindër, suedezë dhe shqiptarë, të kryesuar nga Sokol Demaku, atëherë mësues, mërgimtar prej Kosove i vendosur në Suedi. Çdo vit, shpesh edhe dy herë në vit, ata e mësyjnë Durrësin, në kuadër të një lidhje, apo siç i themi ne “Binjakëzim” mes dy shkollave: “Demokracia” në Durrës dhe “Fjardingskolan” në Boras të Suedisë. Prania ime e përhershme ishte falë përkujdesjes së ish drejtorit Avdyl Buçpapaj, që nuk më ndau asnjë herë nga kolektivi, për të qenë i pranishëm në të gjitha vizitat, bisedat dhe diskutimet në shkollën e tij, por edhe në takimet në shkolla të tjera, publike dhe jopublike dhe në institucionet e pushtetit vendor, Bashki, Drejtorinë Arsimore Rajonale, Bibliotekën Publike dhe në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës, njëkohësisht edhe në takime të nivelit të lartë, siç është rasti i pritjes në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës të Shqipërisë, në tetor të vitit 2011, takim ky i koordinuar nga shkrimtari Viron Kona.

Në një shkrim, në Qershor të vitit 2011, kushtuar Sokolit shprehesha: “Si fillim në krye të shkrimit mendova të vendosja titullin, “Sokol Demaku “Ambasador” i shqiptarëve në Suedi”. Shpejt ndërrova mendje. Kostumi i “ambasadorit” është shumë i ngushtë për trupin dhe shpirtin e Sokolit”. Tani bindem vetë, njëkohësisht binden edhe të tjerët, që e njohin dhe bashkëpunojnë me të, se Sokoli i kalon përmasat e “ambasadorit”, kur është fjala për t’i shërbyer çështjes shqiptare. Koha më dha plotësisht të drejtë, sepse pak dit më parë, pas disa takimeve në Tiranë, Lezhë dhe në Shkodër, ai erdhi në Durrës së bashku me dy shkrimtare suedeze, znj. Anna Mattsson, bashkë me të edhe znj. Britta Stenberg, shoqëruar me ta edhe shkrimtari i njohur Hamit Gurguri, edhe ky banues në Suedi. Ky veprim tregoi se Sokoli e tejkaloi pritshmërinë ndaj vetes dhe ndaj nesh. Ai nuk po mjaftohet vetëm me shkollat dhe bibliotekat, as me vajtje-ardhje të shkrimtarëve shqiptarë në Suedi dhe Shqipëri, por duke gjetur mbështetjen, gatishmërinë dhe mikpritjen e letrarëve dhe institucioneve shqiptare, kërkon dhe realizon vizita, takime, lidhje, njohje e bashkëpunim edhe me shkrimtarë suedez. Një veprim ky i lavdërueshëm, i lakmueshëm dhe i dobishëm për letërsinë dhe kulturën shqiptare, dhe më së shumti në formimin dhe forcimin e lidhjeve dhe miqësisë mes krijuesve të të dy vendeve. Veç kur e mendon një gjë të tillë, të duket e bukur dhe fisnike, ndërsa kur e prek është e mrekullueshme.

Nuk është hera e parë që shkrimtarë e studiues suedezë vizitojnë Shqipërinë. Pa hyrë në thellësinë e viteve po përmend vetëm Ullmar Kvik (Qvick), shkrimtar e studiues, njohës i përkryer i gjuhës shqipe, i cili u bë mik i shqiptarëve dhe i Shqipërisë, botues i librit, “Më shumë heroizma se sa grurë”, kushtuar historisë së Shqipërisë. Përpara tij, ndonëse nuk dihet se kur ka ardhur në Shqipëri, suedezi Erik Hans Tunman(1746-1778), një hulumtues mbi gjenezën e shqiptarëve, shkroi në vitin 1774, punimin shkencor “Hulumtime në lidhje me historinë e popujve evrolindor”. Në këtë vepër, tema “Mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarëve dhe të vllahëve”, përfshin faqet 171 – 366… Ku, si një çështje kardinale e konsideron ai problemin me ilirët dhe shqiptarët. Tunmani vjen në përfundimin se ilirët janë stërgjyshërit e shqiptarëve…

I përmenda këto raste për të thënë se, është e çuditshme kjo raca e studjuesve, shkrimtarëve dhe krijuesve. Kudo që shkojnë shkruajnë nga një libër. Kështu ndodhi me Edith Durham, që shkroi librin “Brenga e Ballkanit”, Çarls Telford Erikson, librin “Pesë vjet në Shqipëri (1908-1913), Historiani francez Zhan Klod Faveirial, librin “Historia (më e vjetër) e Shqipërisë”, e shumë të tjerë që u dashuruan me Shqipërinë dhe shqiptarët. Po kështu ndodh edhe me shkrimtarët tanë. Viron Kona, sa herë ka shkuar në Suedi ka shkruar nga një libër, e konkretisht: “Bukuri suedeze”,  “Për Ju miqtë e mi”,  “Zonja nga Borasi” dhe “Ju dua më shumë se veten”, ndërsa prof. dok. Murat Gecaj shkroi librin “Me zemër në vendlindje” (Shënime e mbresa, nga Suedia). Kështu mund të rendisim edhe plot shkrimtarë, poetë dhe krijues, që njohjet, ndjesitë, përjetimet dhe përshtypjet gjatë udhëtimeve apo qëndrimeve në vende të tjera, i hedhin në letër. Ata na sjellin shkrime me vlerë për natyrën, jetën shoqërore-ekonomike-politike, letrare-artistike-shkencore-sportive, më tej, karakterin, mentalitetin dhe traditat e popullit, pra një pasqyrim i historisë në një çast të dhënë. Gjë e bukur dhe e dobishme, që na ndihmon të njohim veten, në të njëjtën kohë të njohim edhe të tjerët. Mbase ky është misioni i shkrimtarëve dhe krijuesve, si “Ambasadorë” pa dekret, të njohin popujt dhe të lidhin popujt. Misioni më fisnik dhe hyjnor që ata zotërojnë, që i dallon nga të tjerët dhe që i bën të përjetshëm.

Koha rrjedh ndërsa jeta vazhdon. Nuk di se ç’kanë ndërmend të bëjnë dy shkrimtaret suedeze, mikeshat e nderuara të Lezhës, Shkodrës, Tiranës dhe Durrësit. Është në dëshirën dhe vullnetin e tyre, por unë, si edhe shumë të tjerë që patën mundësi të njihen me to, shpreh kënaqësinë dhe shpresën që t’i kemi përsëri mes nesh, me veprën e tyre të përkthyer në shqip.

Përshëndetje dhe urime shkrimtarëve të ardhur nga Suedia, duke shpresuar për vepra të bukura, që t’i shërbejnë dy popujve tanë.

Kadri Tarelli

Durrës, korrik, 2016.

NE FOTO:Nga majta.A.Buçpapaj, S.Demaku, A.Mattsson, H.Gurguri, B.Stenberg, V.Kona

Filed Under: Komente Tagged With: Kadri Tarelli, pershendetje, shkrimtaret nag Suedia

NE DITEN E CELJES SE SHKOLLES SHQIPE NE JACKSONVILLE

June 19, 2014 by dgreca

NGA HASAN HAKRAMA/Jacksonville-Florida/*
… Ne sot se bashku po hapim shkollen e pare ne Gjuhen Shqipe ne kete vend ku banojme dhe punojme. Po hapim kete shkolle ashtu sic bene te paret tane 100 e ca vjet me perpara.
Sot ne ndjehemi krenar pasi po perpiqemi qe femijet tane te mesojne gjuhen e bukur shqipe, gjuhen e Buzukut, Bogdanit, Mjedes, Naimit, Cajupit, Samiut, Fan Nolit e shume e shume patrioteve te tjere Shqiptare qe ju perkushtuan me zemer e me shpirt gjuhes sone, ruajtjes se shkrimit te saj.
Ne sot edhe pse shume vite me vone po bejme ate qe bene motrat Qirjazi, duke hapur shkollen e pare Shqipe 100 vjet me pare ne qytetin e Korces nen sundimin Otoman. Nese ato e hapen shkollen ne kushte shume te veshtira, ne bashke po e hapim kete shkolle shqipe ne kushte te tjera, midis miqve tane te shtrenjte amerikane, qe po na mbeshtesin me shume dashamiresi dhe per kete I falenderoj nga zemra.
Ne sot edhe pse shume vite me vone po bejme ate qe bene motrat Qirjazi, duke hapur shkollen e pare Shqipe 100 vjet me pare ne qytetin e Korces nen sundimin Otoman. Nese ato e hapen shkollen ne kushte shume te veshtira, ne bashke po e hapim kete shkolle shqipe ne kushte te tjera, midis miqve tane te shtrenjte amerikane, qe po na mbeshtesin me shume dashamiresi dhe per kete I falenderoj nga zemra.
Ne po hapim kete shkolle qe femijet tane te mesojne e te flasin gjuhen e nenes dhe te babes se tyre, te mesojne se si u shkrua kjo gjuhe, te mesojne historine e lavdishme te popullit tone, te mesojne edhe te ruajne traditat e shtrenjta shqiptare ne breza, te mesojne perpjekjet e patrioteve dhe te dijetareve shqiptare si Kristoforidhi, Xhuvani, Ceka, Fishta, Noli e Konica etj etj gjuhetare e dijetare. Krijuan edhe vendosen ne Kongresin e Manastirit ne Vitin 1908 Alfabetin (shkronjat) e kesaj gjuhe te bukur e melodioze. Te Kesaj gjuhe qe studiuesi Albanolog I diteve te sotme nga Izraeli Noam Chomsky (Naum Comski) qe duke perdorur gjuhe te vjetra Indo-Europiane shqipen e quajti “Thesar Ari”, pasi me fjalorin e gjuhes shqipe, zbertheu fjale edhe shprehje te nje gjuhe tjeter te panjohur qe nuk e kishte bere dot me pare duke perdorur gjuhen e vjeter Indiane.
Me kete rast pershendes Ambasadorin e Republikes se Kosoves Z. Bekim Sejdiu qe na dhuroi Abetaren e bukur shqipe, librin e shenjte qe na ndricon rrugen edhe na udheheq ne mesimin e gjuhes sone Kombetare.
Falenderoj Drejtuesit e Vatres dhe Bordin e saj dhe Vecanerisht, Kryetarin e Deges Vatra Z. Adriatik Spahiu, dhe Z. Bukurosh Curre, qe bene te gjitha keto perpjekje qe ne sot te hapim Shkollen tone Shqipe.
Falenderoj mesuesit e pare te kesoj shkolle, Znj. Lavdie Mato, Leta Coca, Emanuela Hysesani qe moren persiper keto detyra te medha, vullnetare dhe patriotike.
Falenderoj te gjithe juve Prinder qe na Mbeshtesni ne kete aksion te madh Atdhedashes, dhe jut e dashur nxenes te kesaj Shkolle te pare Shqipe ketu ne Jacksonville. Ta mesoni, ta gezoni, me dashuri e pasion, gjuhen e prinderve tuaj te dashur. Ta gezoni edhe ta ruani si syte e ballit kete gjuhe te mrekullueshme. Do te jete detyra juaj ta mbani gjalle, edhe tu’a mesoni femijeve tuaj, gjuhen e bukur shqipe.
Kjo qe ne po bejme sot eshte nje ngjarje e madhe per ne Shqiptaret e Amerikes.
Edhe nje here, te gezojme se bashku, Shendet e gezime ne Familjet tuaja.
Jacksonville, 18 Maj 2014
* pershendetje me rastin e hapjes se shkolles shqipe ne Jacksonville

Filed Under: Vatra Tagged With: Hasan, Jacksonville, ne hapjen e shkolles, pershendetje, shqipe, Zani Hakrama

PËRSHËNDETJE, NË 5-VJETORIN E RADIOS “DITURIA”-SUEDI

March 29, 2013 by dgreca

Prof. MURAT GECAJ-Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarwve të Shqipërisë/

Ma.KOZETA HOXHA-Moderatore dhe gazetare, në Radiotelevizionin Shqiptar-Tiranë/

Ne Foto:Nga e majta: V.Kona, K.Hoxha, S.Demaku e M.Gecaj(Boras-Suedi, prill 2012)/

 -Të dashur kolegë e vëllezër të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni”, /

-Anëtarë të Redaksisë së Radios Lokale “Dituria”, në Boras-Suedi/

-Te nderuar miq suedezë!/

Në këtë ditë të shënuar për  Bashkësinë Shqiptare, në Boras e më gjerë në Suedi, por dhe për ju miq suedezë,  ju dërgojmë përshëndetjet dhe urimet  tona më të përzemërta, me rastin e festimit të 5-vjetorit të emisionit të parë në gjuhën amtare shqipe, në Radion Lokale “Dituria”! Në vetë emërtimin e kësaj Radioje, shprehet kaq bukur përmbajtja dhe detyra  kryesore e saj, të cilën ajo e ka kryer dhe po vijon ta kryejë: me sukses të plotë, me atdhetarizëm e profesionalizëm.

Ne jemi të gëzuar e të kënaqur, kur kujtojmë me emocione se, një vit më parë, festuam aty së bashku me ju, 5-vjetorin e Qendrës  Kulturore Shqiptare “Migjeni” dhe të Revistës “Dituria”. Kështu, edhe manifestimi  juaj  sot, është në vazhdimësinë e veprimtarive të bukura, që organizohen nga Bashkësia Shqiptare në Suedi. Sigurisht, kjo është meritë  edhe e shoqatave  tjera  atdhetare e kulturore shqiptare, të cilat veprojnë në Suedi dhe e Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë, “Papa Klementi XI”.

Ne, kolegëve, miqëve dhe dashamirëve në Shqipëri, na gazojnë dhe na entusiazmojnë arritjet tuaja, duke përhapur e propaganduar historinë dhe traditat tona të lashta shqiptare, si përmes valëve të Radios “Dituria”, me shfaqjet kulturore e artistike dhe me anën e botimeve të shumta të autorëve shqiptarë atje.

Duke u ndodhur me mendje e zemër ndërmjet jush, në atë festë të bukur të 5-vjetorit të Radios Lokale “Dituria”, ju urojmë sinqerisht për punën fisnike, që keni bërë deri tani. Njëkohësisht, jemi të bindur që, edhe në të ardhmen, ju do të ecni në në këtë udhë të drejtë, duke vazhduar të jeni misionarë të popullit shqiptar,  në mjedisin e ngrohtë dhe mikpritës demokratik suedez, ku keni gjetur mbështetje dhe ndihmë bujare e të pakursyer.

Me shumë respekt për të gjithë ju, dëshirojmë të keni kurdoherë:

Shëndet të plotë, arritje në punë e begati, gëzime dhe lumturi në familjet tuaja!

Tiranë, 29 mars 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: me ratsine 5 vjetorit, ne Suedi, pershendetje, te Radios

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT