• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadorja Çitaku i dorëzoi Letrat Kredenciale Presidentit Obama

September 18, 2015 by dgreca

-Kosova dhe ShBA-të ndajnë një partneritet të fuqishëm dhe të qëndrueshëm/

Nga Behlul Jashari/ Prishtinë/

Uashington D.C./Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, te Enjten, me 17 Shtator, 2015, i dorëzoi Letrat Kredenciale Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, duke u akredituar si Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës në ShBA.Me këtë rast, Ambasadorja Çitaku në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga i përcolli urimet më të sinqerta për Presidentin Obama dhe popullin amerikan dhe njëkohësisht shprehi përkushtimin dhe vendosmërinë e Institucioneve të Republikës së Kosovës për thellimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve dy-palëshe në mes dy vendeve dhe dy popujve.

Ceremonia zyrtare e dorëzimit të Letrave Kredenciale u zhvillua në Shtëpinë e Bardhë, thekson njoftimi dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës.

Më poshtë e mund të gjeni përmbajtjen e letrës që Presidenti Obama, i dorëzoi Ambasadores me rastin e pranimit të Letrave Kredenciale:

 “E nderuara Ambasadore,

Është kënaqësi e veçantë që të pranoj Letrat e Juaja kredenciale, përmes të cilave Ju bëheni Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Kosovës.

Po ashtu Ju njoftoj se kam pranuar letrën e tërheqjes për pararendësin Tuaj Ambasadorin, Akan Ismaili, i cili ka bërë punë të jashtëzakonshme në përfaqësimin e Kosovës në ShBA. Ju shpreh mirëseardhje të ngrohtë dhe pres me padurim, që të punoj bashkë me Ju në thellimin e marrëdhënieve tashmë të afërta në mes dy vendeve tona. Kosova dhe ShBA-të ndajnë një partneritet të fuqishëm dhe të qëndrueshëm. Ne jemi të lumtur që kemi qenë ndër të parët që kemi njohur Kosovën, si shtet të pavarur dhe sovran, në vitin 2008 dhe mbesim të përkushtuar që të punojmë përkrah jush, përderisa ju vazhdoni të punoni në fuqizimin e institucioneve demokratike dhe multi-etnike.

Vendi Juaj ka demonstruar shpejtë se është anëtarë i besueshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe vend i përkushtuar në thellimin e stabilitetit rajonal dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare.

Kosova ka ndërmarrë disa vendime të vështira dhe sfiduese këtë verë. Këto vendime kanë avancuar perspektivën euro-atlantike të Kosovës. Ne përgëzojmë Qeverinë e Kosovës dhe Parlamentin për miratimin e amendamenteve Kushtetuese dhe legjislacionit për themelimin e Gjykatës së Speciale, e cila do t’i adresojë krimet e pretenduara, pas konfliktit në Kosovë në vitin 1999. Ky veprim, ka qenë vendimtar në afirmimin e Kosovës, si shtet i përcaktuar për rend, ligj dhe pajtim. Lidershipi Juaj, po ashtu ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me fqinjin Tuaj Serbinë.

Këto marrëveshje do të fuqizojnë shtetin Tuaj dhe do të çimentojnë paqen dhe stabilitetin në rajon. Nënshkrimi i Marrëveshjes historike për demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi me 26 Gusht, demonstroi edhe më tutje përcaktimin e Kosovës për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe vendosshmërinë Tuaj, që çështjet rajonale të adresohen në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit.

Përcaktimi i Kosovës që sfidat e lartpërmendura t’i adresojë në mënyrë të përgjegjshme dhe konstruktive ka vënë Kosovën në një rrugë solide drejt rritjes së stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit në një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe.

Ka shumë punë në rrugën drejt fuqizimit të demokracisë dhe ekonomisë dhe drejt integrimit në Institucionet rajonale dhe ndërkombëtare. ShBA-të do të vazhdojnë t’ju mbështesin në këto sfida dhe në sfida tjera.

Zonja Ambasadore,

Pres me padurim që të punojë bashkë me Ju në avancimin e axhendës tonë të përbashkët dhe në thellimin dhe fuqizimin e miqësisë në mes dy popujve tanë. Është kënaqësi t’ju mirëpres në Uashington”.

Filed Under: Rajon Tagged With: Ambasadorja Çitaku, Behlul Jashari, i dorëzoi Letrat Kredenciale, Presidentit Obama

STRATEGJIA E PRESIDENTIT OBAMA KUNDËR GRUPIT TERRORIST ISIL

September 11, 2014 by dgreca

Ne Foto: Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama duke mbajtur fjalimin drejtuar kombit mbi strategjinë e tij për të shkatërruar grupin terrorist ISIL, 10 shtator, 2014/
Nga Frank Shkreli/
Të mërkurën mbrëma, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama mbajti fjalimin që ishte paralajmëruar më heret në lidhje me grupin terrorist ISIL. Në fjalimin e tansmetuar “live” nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Obama njoftoi kombin amerikan dhe botën mbi strategjinë e gjithëanëshme të Amerikës “për të degraduar ose për të dobësuar dhe më në fund për të shkatërruar grupin terrorist ISIL”.
Presidenti Obama theksoi në fjalimin e tij se si Krye-Komandant i Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, “prioriteti më madhor është siguria e popullit amerikan”. Z. Obama tha se megjithëse janë shënuar suksese në luftën kundër terrorizmit, “ne vazhdojmë të përballemi me kërcënime terroriste.” Udhëheqsi amerikan shtoi duke thënë se, “Ne nuk mund të zhdukim çdo të keqe nga faqja e dheut.Kjo ishte e vërtetë para sulmit të 11 shtatorit 2001 dhe kjo është e vërtetë edhe sot. Prandaj, kjo është arsyeja që ne duhet të mbetemi vigjilentë, përballë kërcënimeve të reja.” Presidenti amerikan nënvijoi se “Momentalisht, kërcënimet më serioze vijnë nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika Veriore, ku grupet radikale po shfrytëzojnë për qëllime të veta, problemet dhe moskënaqsitë me të cilat përballet ai rajon.Një prej këtyre grupeve është ISIL — i cili e quan veten, “Shteti Islamik”, vazhdoi Presidenti, duke theksuar se grupi terrorist ISIL, “nuk është as shtet dhe as islamik.” Asnjë fe tha Presidenti Obama nuk lejon vrasjen e njerëzve të pafajshëm, duke shtuar se shumica dërmuese e viktimave të këtij grupi terrorist janë vetë myslimanët dhe theksoi se grupi terrorist ISIL, “Nuk është shtet, pasi nuk njihet nga asnjë qeveri dhe as nga populli që ai grup terrorist ka skllavëruar”, në disa zona të Irakut dhe të Sirisë.
Presidenti Obama vazhdoi duke thënë se ky grup terrorist dallohet për nga brutaliteti që pjesëtarët e tij përdorin, “Duke ekzekutuar të burgosurit që ata kanë kapur si pengje. Ata vrasin fëmijtë.Ata skllavërojnë, dhunojnë seksualisht dhe detyrojnë femërat të martohen.Ata kërcënuan me gjenocid një grup të një pakice fetare. Dhe me barbarizmin e tyre ata ekzekutuan dy gazetarë amerikanë — Jim Foley dhe Steven Sotloff”, tha Z. Obama.
Në fjalimin e tij Presidenti amerikan nënvijoi se grupi terrorist ISIL përbën një kërcënim jo vetëm për popullin irakian dhe popullin sirian, por edhe më gjërë sidomos në rajonin e Lindjes së Mesme, përfshirë shtetasit, personelin dhe objektet amerikane në atë rajon. Prandaj, nëvijoi Presidenti Obama, “Nëqoftse nuk merren masa të menjëhershme, këta terroristë mund të paraqesin një kërcënim gjithnjë e më të madh përtej këtij rajoni, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara”. Z. Obama informoi se agjencitë sekrete besojnë se mijëra të huaj — përfshirë europianë dhe disa amerikanë — janë bashkuar me këtë grup në Siri dhe në irak. Këta terroristë të trajnuar mirë dhe me përvojë lufte mund të këthehen në vendet e tyre dhe të ndërmarrin sulme me pasoja të rënda”, theksoi Z. Obama.
Duke nënvijuar shqetësimet e shumë amerikanëve në lidhje me këto kërcënime, Presidenti Obama e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara po përballen me këto kërcënime, me fuqinë dhe vendosmërinë e nevojshme. “Qëllimi ynë është i qartë. Ne do t’a dobësojmë e degradojmë dhe më në fund do t’a shkatërrojmë grupin terrorist ISIL, nepërmjet një strategjie të gjithanshme dhe të vazhdueshme anti-antiterroriste”, e siguroi ai popullin amerikan.
Në fjalimin e tij të mërkurën mbrëma, Presidenti Obama njoftoi një strategji për të shkatërruar grupin terrorist ISIL: “nepërmjet një fushate sistematike sulmesh ajrore kundër terroristëve të grupit ISIL”. Z. Obama tha se, “E kam bërë të qartë se ne do t’i ndjekim terroristët të cilët kërcënojnë vendin tonë, kudo qofshin ata. Kjo do të thotë se unë nuk do të hesitoj të urdhëroj sulme kundër tyre në Siri apo në Irak. Presdienti amerikan Obama tha se, “Ky është parimi bazë i presidencës time: Nëqoftse kërcënoni Amerikën, ju nuk do të gjeni askund vend të sigurt për tu strehuar.”Si pjesë e strategjisë së tij kundër grupit terrorist ISIL, Presidenti Obama nënvijoi planet për të shtuar ndihmën ushtarake për forcat në Irak dhe në Siri, që janë duke luftuar kundër grupit ISIL, dhe u zotua se do të dërgojë edhe afër 500 ekspertë të tjerë ushtarakë amerikanë në Irak për të trajnuar forcat irakiane dhe ato kurde kundër grupit terrorist ISIL. Ai premtoi se së bashku me partnerët e Amerikës, Shtetet e Bashkuara do të dyfishojnë përpjekjet e tyre për të zbuliuar dhe për ndërprerë burimet e financimit të grupit terrorist ISIL dhe për të ndaluar luftëtarët e huaj që të shkojnë e të vijnë si dëshirojnë nga Lindja e Mesme. Pjesë e strategjisë së Presidentit Obama kundër grupit terrorist ISIL, janë edhe ndihmat humanitare për vikitmat e pafajshme të cilët, nga vendbanimet e tyre, janë shpëngulur me forcë nga terroristët ISIL. Ndër këta, tha Presidenti Obama, përfshihen, myslimanët e sekteve shia dhe sunni si dhe dhjetëra mijëra të krishterë dhe pakica të tjera fetare. “Ne nuk mund të lejojmë që këto komunitete të dëbohen me forcë nga vendlindja e tyre e vjetër”.
Kjo, tha Presidenti Obama, është strategjia jonë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë siguruar në këtë orvatje, mbështetjen e një koalicioni të gjërë partnerësh ndërkombëtarë. Këto përpjekje, tha Presidenti Obama, janë pasqyrimi më i mirë i udhëheqjes amerikane në botë, duke shtuar se, “Ne jemi pranë popujve që luftojnë për lirinë e vet dhe njëkohësisht përpiqemi të sigurojmë edhe mbështetjen e vendeve të tjera, në emër të sigurisë dhe të humanizmit të përbashkët.
Ndërkaq, Presidenti Obama paralajmëroi duke e bërë të qartë se shkatërrimi i grupit terrorist ISIL nuk do të ndodhë mbrenda një kohe të shkurtë dhe siguroi amerikanët tanimë të lodhur nga lufta, se kjo strategji anti-terroriste është ndryshe nga luftërat në Irak dhe në Afganistan — duke thënë se atje nuk do të dërgohen forca ushtarake tokësore, por se kjo fushatë është në përputhje me qendrimin e njoftuar prej tij në fillim të këtij viti, sipas të cilit ai “do të përdor forcën kundër çdo njërit që kërcënon interesat bazë të Amerikës, por që në këtë përpjekje do të mobilozohen, kurdoherë që jetë e mundur, partnerët ndërkombëtarë, për tu përballur me sfidat më të gjëra që kërcnojnë rendin ndërkombëtar.
Në vazhdim të fjalimit, Presidenti Obama e cilësoi udhëheqjen ose “lidershipin” amerikan në botë si të “qëndrueshme dhe të përhershme, në një botë të pa sigurt.” Në luftën kundër terrorizmitdhe në përpjekjet për të siguruar mbështetjen e botës kundër agresionit rus në Ukrainë, dhe së fundmi në luftën kundër sëmundjes Ebola në Afrikën Perëndimore, janë Shtetet e Bashkuara ato që vazhdojnë të luajnë gjithnjë rolin udhëheqës anë e mbanë globit. Në lidhje me përgjegjësitë e udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara në botë, Presidenti Obama tha këto në fjalimin e tij të mërkurën mbrëma:
“Është Amerika ajo që ka mundësitë dhe vullnetin për të mobilizuar botën kundër terrorizmit. Është Amerika ajo që mobilizoi botën kundër agresionit rus në Ukrainë dhe në mbështetje të së dretjës së popullit ukrainas për të vendosur vetfatin e tij. Është Amerika — shkencëtarët tanë, mjekët tanë, shkenca dhe teknologjia jonë, ajo që mund të ndihmojë në izolimin dhe në kurimin e sëmundjes Ebola. Ishte Amerika, ajo që transferoi dhe shkatërroi armët kimike të Sirisë, ashtuqë ato të mos përbëjnë një kërcënim tjetër për popullin sirian dhe as për botën. Dhe është Amerika, ajo që po ndihmon komunitetet myslimane anë e mbanë botës, jo vetëm në luftën kundër terrorizmit, por edhe në luftën për mundësi më të mira jetese, për tolerancë dhe për një të ardhme më shpresëdhënse.”
“Bekimet tona të pashterrëshme”, tha Presidenti Obama, “na imponojnë një barrë të përhershme. Por si amerikanë, ne e mirëpresim përgjegjësinë tonë për të udhëhequr. Kur ne ndihmuam në parandalimin e një maskare të civilëve (nga grupi ISIL) në maje të një mali të izoluar, shtoi Presidenti Obama, ja se ç’tha njëri prej tyre: “Ne ua kemi borxh jetën miqëve tanë amerikanë. Fëmijtë tanë do të kujtojnë gjithmonë se dikurë na ishte dikush që i kishte dëgjuar vuajtjet tona dhe ai dikush (Amerika) bëri një rrugë të gjatë për të mbrojtur popullin tonëtë pafajshëm”, nga zhdukja.
Presidenti Barak Obama e përfundoi fjalimin e tij duke thënë se, “Ky pra, është roli që ne luajmë për një botë më të mirë, pasi edhe vet siguria jonë varet nga gatishmëria dhe vullneti ynë për të mbrojtur kombin tonë duke jetuar dhe duke zbatuar vlerat njerëzore në të cilat besojmë — ideale dhe vlera të përherëshme këto, të cilat do të mbijetojnë edhe pasi të jenë zhdukur nga kjo tokë, ata që ofrojnë vetëm urrejtje dhe shkatërrim.
Në fjalimin e tij, Presidenti Obama nënvijoi gjtihashtu edhe mbështetjen e dy partive kryesore për strategjinë e tij dhe fushatënushtarake amerikane kundër grupit terrorist ISIL, duke mirëpritur mbështetjen e përfaqsuesve të Partisë Republikane në opozitë dhe të Partisë Demokrate në Kongresin amerikan, për t’i treguar botës, siç tha ai, se “Amerikanët janë të bashkuar përballë rrezikut që i kërcënon.”

Filed Under: Editorial Tagged With: Frank shkreli, GRUPIT TERRORIST ISIL, Kunder, Presidentit Obama, STRATEGJIA E

LETËR PRESIDENTIT OBAMA DHE SEKRETARIT TË SHTETIT JOHN KERRY

April 11, 2014 by dgreca

NË SHQIPËRI NË 23 VJET PASDIKTATURË ËSHTË KRIJUAR NJË SISTEM SOVJETIKO-MAFIOZ/

1.Në Shqipëri nuk është shkruar ende historia pasdiktaturë, kështu shoqëria ushqehet me manipulimet e historisë bërë nga diktatura. Shembull konkret: të gjithë fëmijët e shkollave kanë vizituar në Durrës statujën e Mujo Ulqinakut, i cili në librat e historisë komuniste përshkruhet si një individ që luftoi pushtimin italian, kur në fakt operacionin kundër invadimit fashist e drejtonte Abaz Kupi, të cilin historiografia komuniste e paraqet si „tradhtar“.
2.Klasa politike pas rrëzimit të sistemit komunist nuk ka mbajtur qendrim akuzues dhe distancues ndaj diktaturës dhe krimeve të saj. Nuk e ka vënë shenjën e barazimit midis Hitlerit dhe Enver Hoxhës. Politikanët shqiptarë konsumohen me sharje dhe akuza të ndërsjellta në mënyrën më sharrlatane në kuvend, ndërkohë që me ardhjen në pushtet të koalicionit PS-LSI, shihet qartë prirja për rehabilitimin e diktatorit.
3.Politika shqiptare e pasdiktaturës për të mbajtur në këmbë luftën e klasave në kushtet kur Shqipëria është anëtare e NATO-s manipulon historinë duke vënë shenjën e barazimit midis luftës antifashiste dhe diktatorit, ku dënimi i diktatorit dhe krimeve të diktaturës manipulohet si denim i luftës antifashiste .
4. Mos hapja e Dosjeve të diktaturës dhe refuzimi ndaj ligjit të Lustracionit, ka bërë që klasa politike dhe përfaqësuesit e insitucioneve të drejtësisë, mediave dhe shoqërisë civile të jenë njerëz me integritet të cënuar, të cilët janë vënë në funksion të një sistemi paralel që ekziston në Shqipëri, i cili është kundër shtetit ligjor.
5.Në Shqipëri nuk ka liri të shprehjes, megjithëse ka pa fund televizione dhe gazeta, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veç merren me trushplarjen e opinionit publik. Pjesa më e madhe e opinionbërësave janë ish-eksponentë të Sigurimit të Shtetit. Le të marrim si shembull Artan Hoxhën, një inxhinier minierash që nuk ka asnjë lidhje me opinionbërjen ka pushtuar gazetat dhe televizionet e Tiranës. Dhe të kësaj kategorie janë pjesa më e madhe. 
6.Mjerisht lajmërimi i mbylljes të programit të Zërit të Amerikës në Shqip është një lajm i mirë për klasën politike të Tiranës, shkaktarja e korruptimit dhe degradimit të sistemit. Që vjen krahas ndalimit në Rusi nga Putini të transmetimit të Radios Zëri i Amerikës dhe Evropa e Lirë
7.Ish-Ambasadori i SHBA në Tiranë Withers në intervistën e tij më të fundit tek VOA tha se korrupsioni në Shqipëri është kancer për shoqërinë, ndërsa vuri re se sistemi i drejtësisë është i diskretituar pasi politika e përdor drejtësinë për të mbrojtur veten.
8.Uzurpimi i politikës për 23 vjet rresht nga një klan njerëzish, të njëjtat emra majtas – djathtas, është si një reflektim adeguat i klikave diktatoriale. 
9.Në Shqipëri është kthyer frika e hapjes të gojës. Elita e krijuar pas rrëzimit të diktaturës është pothuaj e ekskomunikuar, duke marrë sinjale të qarta nga politika se nëse do të kritikojë, do të ketë pasoja.
10.Para disa ditësh, mediat botërore lajmëruan se sipas statistikave nga 25 mijë universitete të botës, ato shqiptare janë të rradhitura në tridhjetshen e fundit. Prej këtej merrni me mend sistemin piramidal të krijuar nga pseudoelita shqiptare për të lënë në injorancë dhe errësirë rininë.
11. Televizioni italian në një dokumentar të ditëve të fundit lajmëroi edhe një herë se në Lazarat prodhohet marihuanë me vlerë sa gjysma e prodhimit bruto të vendit. Një “Kolumbi” në zemër të Europës e toleruar nga shteti për 23 vjet rresht, është akuzë për klasën politike.
12.Shoqëria civile është derivat e politikës, me qëllim dhe e obliguar që t’i shërbejë saj. Kush del nga sistemi mbetet jashtë projekteve dhe pa para për të ekzistuar.
13.Gazetarët në Shqipëri po ashtu janë derivat i politikës. Nuk ka zëra kritikë. Emrat me më pretendime shpërblehen me poste dhe detyra dhe shërbejnë si dordolecë dhe megafonë.
14.Modeli i Shqipërisë është imituar në Kosovë e Maqedoni.
15. Politika bën gjithçka për t’ia marrë frymën edhe diasporës, duke e sjellë modelin e saj të shëmtuar edhe në Europë, si dikur diktatura enveriste.
16.Klasa politike e Tiranës që riciklohet në pushtet këta 23 vjet në bashkëpunim me homologët e tyre në Kosovë dhe Maqedoni ka përdorur të gjitha mjetet për të penguar dhe mos lejuar zërin e intelektualëve. Nuk lejohet asnjë zë kritik. Nëse kritikon të shpallin armik. Nëse je me integritet politika nuk të pranon automatikisht sepse të shikon si rrezik. 
17. Qendrimet armiqësore dhe diametralisht të ndara e të kundërta të klasës politike, pa e njohur gjuhën e bashkëpunmit dialogut, konsensusit, konkordancave, qendrimeve bipartizane, kompromiseve tregojnë se nuk ka shpresë për strategji të përbashkët me qëllim shpëtimin e vendit nga katastrofa. 
18.Aleanca e LSI me PD dhe PS në zgjedhjet e 2009 e të 2013 tregon se klasa politike shqiptare për hir të pushtetit bën gjithçka, por jo detyrën sipas përgjegjësisë që i ka dhënë vota e Sovranit. Në këto kushte janë të rrezikuara interesat e vendit dhe të qytetarit.
19. Faktori Ndërkombëtar, përfaqësuar nga SHBA, BE, NATO, OSBE kanë dhënë orientimet e tyre, por deri tani, politika i ka konsumuar këto orientime vetëm për të sulmuar njëra-tjetrën.
20. Klasa politike shqiptare po penalizon popullin shqiptar, duke e lënë më të varfërin në Europë dhe të paintegruar në BE, ndërkohë që vetëdija e sovranit është në stadin minimalist, sepse populli shqiptar e sheh shpëtimin tek partia që voton, jo tek shteti i së drejtës, i cli në Shqipëri nuk ekziston.
21. Ky sistem sovjetiko-mafioz që është i instaluar në Shqipëri, është i rrezikshëm jo vetëm për vendin dhe rajonin. Gjatë peridhës të izolimit diktatorial, Shqipëria ishte një bunker, sot rezulton vend i hapur. Dhe shansin për të lëvizur e kanë ata që kanë para, pra jo shqiptarët e varfër.
Në këto kushte shumë dramatike, si një gazetare me integritet, e cila është përballur që fëmijë me mizoritë e diktaturës dhe tani po përballet me mizoritë e këtij sistemi të përçunduar, ju lutem dhe kërkoj që të veproni sa më shpejt. 
Ngjarjet në Ukrainë le të shërbejnë si mësim për të gjithë ne.
Me respekt,
Elida Buçpapaj 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, leter, Presidentit Obama

BETIMI I PRESIDENTIT OBAMA

January 21, 2013 by dgreca

RRETH 800 MIJE NJEREZ NDOQEN CEREMONINE NGA LENDINA , NGA 2 MILIONE QE ISHIN NE MANDATIN E PARE/

 Disa qindra mijëra njerëz janë mbledhur në lëndinën qëndrore të kryeqytetit për të marrë pjesë në inaugurimin publik të presidentit Barack Obama për mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Obama morri pjesë në një shërbesë në kishë sot në mëngjes.
 Gati 800 mijë njerëz, shumica duke valvitur flamuj amerikanë kanë mbushur lëndinën qëndrore për të parë ngjarjen. Ky është një numër më i vogël sesa gjatë inaugurimit të tij të pare kur gati 2 milion njerëz erdhën për të pare ceremoninë e betimit të presidentit të parë afrikano-amerikan.  
 Zoti Obama bëri betimin zyrtar dje pasi kushtetuta amerikane kërkon që presidenti të bëjë betimin më 20 janar. Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts drejtoi betimin, ashtu si edhe katër vjet më parë.
 Zoti Obama do të ribëjë betimin sot duke përdorur dy Bibla historike – një të presidentit Abraham Lincoln, dhe atë të udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luther King Jr., i cili u vra në vitin 1968.
 Inaugurimi sot përkon me festën federale që shënon ditëlindjen e Martin Luther Kingut.
Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dan Robinson, na informon për aktivitetet para ceremonisë së sotme në parkun kombëtar të Uashingtonit, ku do të zhvillohet ceremonia publike e inaugurimit në praninë e qindra mijëra njerëzve.
  Ndoshata sot nuk do të vinë këtu 1.3 milionë njerëz si katër vjet më parë, kur vendi ndoqi inaugurimin e presidentit të parë afrikano-amerikan në vitin 2009, por sot pritet të mblidhen në Uashington më shumë se 600 mijë njerëz që do të mbushin parkun nga Kapitoli tek Memoriali i Linkolnit.
 Zoti Obama dhe zv/presidenti Baiden e fillojnë ditën sot në kishën episkopale të Shën Xhonit në Uashington, kur shefat ekzekutivë kanë ndjkur shërbesat fetare gjatë gjithë historisë amerikane.
 Pastaj ata do të shkojnë në Kapitol, ku Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhon Roberts do të administrojë berimin e presidentit. Anëtarja e parë hispanike e Gjykatës së Lartë, Sonja Sotomajor, do të administrojë betimin e zv/presidentit Baiden.
 Ky vit shënon gjithashtu edhe 50 vjetorin e marshimit të të drejtave të njeriut në Uashington në vitin 1963 dhe 150 vjetorin e Proklamatës së Emancipimit të Presidentit Abraham Linkoln që shënoi fillimin e procesit të lirimit të skllevërve në Amerikë.
 Në ceremoninë e sotme të inaugurimit do të marrin pjesë muzikantë si Xhejms Tejlor, Kelli Klarkson dhe Bijance, si dhe do të lizohet një poemë nga poeti kobano-amerikan, Rikard Blanko. Zoti Obama dhe zv/presidenti Baiden do të marrin pjesë në drekën tradicionale në Kapitol, pastaj do të ndjekin paradën e inaugurimit nga tribuna e ngritur para Shtëpisë së Bardhë. Më vonë ata do të marrin pjesë në dy ballo festive.
Presidenti Barak Obama bëri zyrtarisht betimin për mandatin e tij të dytë dje. Po ashtu edhe zv/presidenti Xho Baiden bëri betimin. 
 Presidenti Obama bëri betimin pak para mesditës, në një ceremoni që zgjati rreth 30 sekonda në dhomën blu të Shtëpisë së Bardhë që shikon nga monumenti i Uashingtonit.
 Zonja e parë Mishellë Obama, vajzat Malia dhe Sasha, si dhe një grup i vogël gazetarësh ishin të pranishëm, kur Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhon Robert administroi betimin.
 Zoti Obama i dha dorën gjykatësit Robert, puthi të shoqen dhe vajzat dhe i tha famljes: “ E bëra betimin”.
 Kjo është hera e shtatë në historinë amerikane që një president bën betimin të djelën, para ceremonisë publike një ditë më pas. Kushtetuta parashikon që mandati i presidentit të fillojë më 20 janar.
 Zoti Obama përdori biblën e gjyshes së të shoqes, LaVaughn Delores Robinson.
 Në ceremoninë pupublike sot në shkallët e Kapitolit, Presidenti Obama do të bëjë betimin përsëri me dorën mbi biblën që pëdori Presidenti Abraham Linkoln për inaugurimin e tij në vitin 1861.
 Zoti Obama do të përdorë një bibël të dytë që dikur i përkiste udhëheqësit të të drejtave civile Dr.  Martin Luther King, i Riu. Ceremonia e inaugurimit përkon këtë vit me festën kombëtare për nder të Dr. Kingut.
 Më herët, zv/presidenti Baiden bëri betimin në rezidencën e tij zyrtare në Observatorin e Marinës në Uashington, duke përdorur biblën e familjes.
 Betimi i tij u administrua nga gjykatësja Sonja Sotomajor, hera e parë në histori nga një gjykatës hispaniko-amerikan.
 Presidenti dhe zv/presidenti vunë një kurrorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezet Kombëtare në Arlington për të nderuar të rënët e ushtrisë amerikane.  
Presidenti Obama fillon mandatin e tij të dytë mes një përzjerjeje të optimizmit dhe pesimizmit për ekonominë dhe aftësinë e udhëheqësve për të lënë mënjanë përplasjet partiake dhe për t’u përqendruar në krijimin e vendeve të reja të punës dhe zgjidhjen e problemeve fiskale.
 Miratimi për punën e vetë presidentit dhe për të si person është i lartë. Anketat tregojnë se shumica e amerikanëve janë optimistë për mandatin e tij të dytë. Por më pak se gjysma besojnë Presidenti Obama dhe republikanët do të jenë në gjendje të punojnë sëbashku.
 Xhon Hudak është ekspert i qeverisjes në Institutin Brookings.
  “Zgjidhja më e mirë tani është çfardo që ai të realizojë nëpërmjet Kongresit dhe që është i predispozuar të nënshkruajë. Sa më shumë që ai të bashkëpunojë me Kongresin sipas konceptit të marrëdhënieve ekzekutiv – legjislativ, aq më e dobi prurëse do të jetë në trajtimin e problemeve që ne kemi”. 
 Motoja zyrtare e inaugurimit të dytë të zotit Obama është “populli ynë, e ardhmja jonë”. Hollësitë për fjalimin e tij të sotëm nuk dihen. Ndihmësit e tij thanë se ai vazhdon të bëjë ndryshime në fjalimin e tij.
 Rreth tri javë e ndajnë fjalimin e inaugurimit të Presidentit Obmaa sot dhe atë për gjendjen e vendit që do të mbajë më 12 shkurt. 
Ai do të parashtojë në atë fjalim objektiva specifike të politikës së tij për mandatin e dytë, duke u përqendruar tek ekonomia, reforma e imigracionit, ligjet e reja për kontrollin e armëve dhe vazhdimi i tërheqjes së trupave luftarake amerikane nga Afganistani.(Kortezi: VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: Betimi, Presidentit Obama

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT