Nga B.Jashari/.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Bundestagut gjerman, i kryesuar nga Johannes Selle dhe i shoqëruar nga ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Blomeyer.
Presidentja Jahjaga vlerësoi vizitën e delegacionit të Bundestagut dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën në përmbushjen e vizionit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Presidentja Jahjaga theksoi se axhenda evropiane gëzon konsensus të gjerë kombëtar dhe nivel të lartë të mbështetjes nga të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet e Kosovës. Presidentja tha se përshpejtimi i procesit të integrimit evropian të Kosovës do të ishte nxitje e mëtejshme për reforma, konsolidimin demokratik, rritjen ekonomike si dhe do të dërgonte sinjalin e duhur për të gjithë qytetarët e Kosovës se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian.
Presidentja Jahjaga e njoftoi delegacionin e Bundestagut gjerman edhe për procesin e dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të cilin e cilësoi si të vetmen mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kryesuesi i Delegacionit të Bundestagut gjerman, Johannes Selle, theksoi se Gjermania përkrah synimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai tha se projekti i Evropës së bashkuar ka qenë i suksesshëm dhe ne dëshirojmë që edhe Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e Evropës. Ai theksoi se kjo rrugë do të jetë e gjatë, por Kosova tashmë ka bërë hapat e parë dhe të rëndësishëm në këtë rrugë.
Zyrtarët gjermanë, duke folur për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve, theksuan se Kosova duhet të vazhdojë të fuqizojë infrastrukturën e investimeve me qëllim që më shumë investime të bizneseve gjermane të mund të vijnë në Kosovë. Kosova gjithashtu duhet të orientohet në ofrimin e arsimimit modern dhe praktik që i përshtatet nevojave të tregut dhe investitorëve, thanë ata.