• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONGRESI I PARË MBARËKOMBËTAR I ALFABETIT NË MANASTIR-BASHKOI KOMBIN DREJTË PAVARËSISË

November 22, 2013 by dgreca

Nga: Prof. dr. Vebi Xhemaili/

Menjëherë pas shpalljes së  Kushtetutës, ku faktori shqiptar luajti një rol të rëndësishëm në jetën konstitucionale të Perandorisë Osmane, nisën përsëri kërkesa dhe konsultime midis rretheve atdhetare për thirrjen e një mbledhje mbarë kombëtare, ku do t’u jepej zgjidhje problemeve arsimore por do të shqyrtoheshin edhe probleme tjera të kohës. Vendosja  e një alfabeti unik u përgatit gjatë kohë nëpër shoqëritë shqiptare u gatua gjerë e gjatë,  shpeshherë midis rilindësve tanë pati edhe polemika tejet të ashpra, pasi bëhej luftë për vendin e parë  se cili alfabet duhet të dominojë në trevat shqiptare. Këto tone polemizuese vazhduan për një kohë të gjatë, pasi duhej kaluar “vija” midis jugut, veriut dhe asaj turke-arabe. Ky tranzicion shqiptar dhe përzierja e pushtetit turk, së bashku me kishën greke, kishin lënë pasoja të rënda në mentalitetin e vetë shqiptarëve, pasi shumica shqiptarëve në këtë kohë nëpër shtëpitë e tyre flitnin me kurajë gjuhën turke, bile disa krenoheshin me turqishten dhe fare nuk donin të dëgjonin për gjuhën e nënës, e cila duhej të ishte si gjuhë zyrtare në Shqipëri. Pas vdekjes së Skënderbeut, gjuha shqipe ishte në margjina të vetë intelektualëve dhe nëpunësve shqiptarë, që flitnin vetëm turqisht dhe krenoheshin me  këtë gjuhë aziatike. (V.Xh.) Për fat të keq të popullit, nëpunësit shqiptarë, apo më mirë thënë, klasa sunduese politike shqiptare e cila luftonte për të mbrojtur interesin e Perandorisë,  kurrë nuk e përdorte gjuhën e nënës, as edhe në biseda private sa për t’i bërë qejfin pushtetit dhe administratorëve turq. Në të shumtën e rasteve edhe këta nëpunës dhe ushtarakë, identifikoheshin me ata, si osmanlinj, duke e  harruar kombin dhe origjinën e vet.

Por, falë rilindësve historiku i kombit dhe Flamuri i Skënderbeut nuk u lanë në harresë, ashtu siç dëshironte politika asimiluese  turke. (V. Xh).

Rilindësit aktualizuan gjithnjë e më shumë këtë çështje kombëtare, problemi shqiptar për gjuhën u aktualizua deri në organet më të larta të pushtetit, aktual turk. Rol të rëndësishëm kanë luajtur disa shoqëri e shoqata të ndryshme kombëtare gjatë epokës së Rilindjes. Ky problem jetik ndër shqiptarë do të përfshijë edhe revistat dhe gazetat e ndryshme të kohës. Në këto momente tejet kritike për kombin shqiptar, kur administrata turke favorizonte vetëm ata qytetarë që deklaroheshin osmanlinj, atdhetarët shqiptarë i thanë jo kësaj politike antikombëtare dhe morën  iniciativën për mbajtjen e Kuvendit mbarëkombëtar në Manastir. Në këto kthesa të mëdha historike, kur ishte në pyetje mbrojtja e identitetit kombëtar, rol historik ka luajtur Klubi Shqiptar i Manastirit “Bashkimi”. Ky klub ndër të parët  ngriti zërin lart, duke i dalë zot kombit brenda dhe jashtë Shqipërisë, u bë një ndër klubet më të rëndësishme që luajti rol të veçantë  në formimin  e klubeve të tjera dhe në zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare  në periudhën e regjimit xhonturk.[1] Prandaj, shumë shpejt mori mbështetjen edhe të klubeve të tjera në tërë Shqipërinë etnike dhe të diasporës shqiptare.

 

KONGRESI I MANASTIRIT

 

Thirrja e këtij Kongresi historik u bë në qendrën diplomatike të shqiptarëve në Manastir, prej 14-22 nëntor 1908. Në Kongres morën pjesë përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore: intelektualë e personalitete të dalluara të Lëvizjes sonë kombëtare, numri i mysafirëve arrinte në më shumë se 300 veta, por nga ata që përfaqësonin të katër vilajetet ishin 50 përfaqësues, prej tyre kishin të drejtë vote 32 ku bënte pjesë edhe Emin bej Shkupi dhe 18 përfaqësues të tjerë pa të drejtë vote, një ndër ta pa të drejtë vote ishte edhe Rog Berisha që vepronte në Shkup.[2]

Në Kongres kishin përfaqësues edhe shoqëritë shqiptare nga Egjipti, Stambolli, Selaniku, Italia, Bullgaria, Rumania dhe Amerika. Sipas raportit të konsullit rus I. Zhivnojevit, në Kongres morën pjesë së bashku myslimanë, katolikë dhe ortodoks nga të gjitha trojet e Shqipërisë Etnike.[3] Në Kongres merrnin pjesë edhe ushtarakë me grada të larta; si gjeneral Fadil Pasha, Zija Pasha dhe valiu i Vilajetit të Manastirit, Hivzi Pasha dhe udhëheqës të çetave shqiptare; Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno.[4] Në këtë Kongres nuk ishte i pranishëm atdhetari i palodhshëm i çështjes kombëtare, Dervish Hima, i cili nuk mundi të marrë pjesë, pasi që turqit e rinj mbanin të burgosur në Selanik, me akuzë se ka kërkuar  ndarjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, shpalljen e autonomisë së Shqipërisë dhe zyrtarizmin e shkollave dhe përdorimin e gjuhës shqipe.[5]

Kongresi i Manastirit u hap në mënyrë solemne më 14 nëntor 1908. Në seancën plenare, Kongresin e ka udhëhequr dhe përshëndetur Fehim Zavalani, kryetar i Klubit të Manastirit, ku ishin të pranishëm mbi 400 veta, mysafirë dhe përkrahës të Kongresit.[6] Sipas të dhënave më të reja historiografike dhe dëshmive nga terreni, Kongresin e ka përshëndetur edhe myftiu nga Tetova, Rexhep Nuredin Voka, i cili në këtë kohë ka qenë aktiv edhe në Klubin politik “Bashkimi” të Manastirit.[7] Ky nga viti 1900 mbante lidhje të ngushta me familjen Qiriazi, para se të emërohet myfti në Manastir, për të mësuar shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe.[8]

Nga Manastiri merrte pjesë si delegatë edhe Selahedin Beu[9], sëbashku me Gjergj Qiriazin,  ky i fundit ishte edhe anëtar i Komitetit të Fshehtë Shqiptar për lirinë e Shqipërisë, themeluar në Manastir, në vitin 1905. Në këtë Kongres, Qiriazi ishte zgjedhur për nënkryetar, po ashtu këtë post e mbante edhe në klubin “Bashkimi”. Shtëpia  e tyre ishte qendër e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Shqipërisë, ku mblidheshin patriotët më të shquar të kohës, si Bajo Topulli, kolonel Halit Berzeshta,  Fehim Zavalani e të tjerë.

Në prag të Kongresit, Rexhep Voka tashmë ishte personalitet i njohur politik, pasi kishte marrë pjesë si përfaqësues i  Tetovës, në Kuvendin e Ferizajt, më 23 korrik 1908. Në këtë Kuvend, Rexhep Voka kishte mbrojtur fuqishëm lëvizjen xhonturke, duke favorizuar “Hyrijetin” dhe ishte shprehur haptazi kundër absolutizmit të Sulltan Abdyl Hamitit. Nga kjo kohë, në qarqet xhonturke, Rexhep Voka gëzonte autoritet të madh si përkrahës i ideve liberale. Ky në saje të qëndrimit pro lëvizjes xhonturke, u emërua në postin më të lartë fetar, myfti i Vilajetit të Manastirit.[10] Ky vilajet, në atë kohë  përfshinte Manastirin si qendër, me disa qytete të tjera të Shqipërisë Lindore, ku bënin pjesë  edhe 2200 fshatra.[11]

Seanca solemne u mbajt në sallën e klubit politik “Bashkimi” të Manastirit.  Në orët e pasdites kishte filluar  seanca plenare e Kongresit, ku delegatët për mirëmbajtjen e punës së Kongresit, me vota të fshehta zgjodhën kryesinë e punës. Delegatët zgjodhën kryetar Mid’hat Frashrin, delegat i klubit të Selanikut dhe Janinës[12], për nënkryetar Luigj Gurakuqin dhe Gjergj Qiriazin nga Manastiri, për sekretar Hil Mosin, Toma Abrahamin dhe Nyzhet Vrionin.[13]

Është me rëndësi të theksohet se Kongresi mbajti gjashtë seanca të mbyllura, tejet sekrete. Më së shumti, këto seanca u mbajtën në hotelin “Liria” të Themistokli Gërmenjit, ku ishin vendosur shumica e delegatëve. Edhe pse Kongresi ishte i monitoruar nga  pushteti i atëhershëm, delegatët arritën të diskutonin në këto seanca edhe për çështje politike. “Në këto seanca u morën vendime të rëndësishme politike në lidhje me statusin juridik-shtetëror të Shqipërisë”.[14] Pjesëmarrësit njëzëri u zotuan se këto vendime me peshë kombëtare nuk do të publikohen, por do të ruhen në sekretin më madh nga vetë anëtarët.[15]

Në ditët e para të mbledhjeve të kongresit dominuan diskutimet rreth zgjidhjes së çështjes së alfabetit unik të gjuhës shqipe. Rexhep Voka, pasi ishte  myfti i Vilajetit të Manastirit, u bë nikoqiri dhe përkrahësi kryesor i Kongresit për alfabetin arab[16]. Rexhep Voka bashkë me Fehim bej Zavalanin ishin nikoqirë  dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi. Të dy lexuan referate; Fehim beu lexoi referatin e tij me titull: “Përhapja e civilizimit dhe shkencës në Shqipëri”, ndërsa Rexhep Voka më 19 nëntor, mbajti kumtesën e tij me temë: “Dobitë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve dhe bashkëpunimi i tyre me Komitetin xhonturk.[17]

Në ditën e tretë delegatët e zgjodhën komisionin për çështjen e alfabeti.[18] Siç dihet, që në fillim zgjidhja e këtij problemi dominues ndeshi në vështirësi, sepse ende fuqishëm ndiheshin ndarjet krahinore, të cilat luftonin për dominim lokal mbi pjesët e tjera të Shqipërisë. Disa veprimtarë shkuan aq larg sa që tentuan të tregonin alfabetet e tyre të shkruara deri në atë kohë, përpiqeshin me dhe pa argumente të tregonin për lashtësinë e alfabetit të tyre. Ata synonin që alfabeti i tyre të zgjidhet prej Kongresit si alfabet i vetëm i gjuhës shqipe.[19] Por, pas një kohe u qetësua paksa situata, filluan diskutimet koncize dhe të qenësishme nga ana e një pjese të delegatëve të shquar, siç ishin Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta e të tjerë. Në këtë situatë për qëllime kombëtare  që ti kontribuojë unitetit  në punën e Kongresit doli në foltore Gjergj Fishta, delegati i shoqërisë “Bashkimi” nga Shkodra. Në diskutimin e tij rreth alfabetit të shoqërisë së përmendur të Shkodrës  tha: ”Unë s’kam ardhur këtu që të mbroj asnjërin nga alfabetet por kam ardhur që të bashkohem me ju dhe do ta pranoj atë alfabet të cilin do ta caktojë Kongresi si më të dobishëm për të mirën e popullit tim”. Këto fjalë bindëse të Gjergj Fishtës lanë përshtypje te delegatët e Kongresit. Pas mbarimit të fjalës së tij delegati i Shkupit, Hafëz Ibrahim efendiu u lëshua drejt tij dhe me dy duar e përqafoi fuqishëm me lot në sy. Ky shembull vëllazëror midis shqiptarëve pa dallim feje e kishte forcuar edhe më fortë unitetin e të gjithë delegatëve në sallë në  ruajtjen e frymës kombëtare të Kongresit.[20]

Në këtë kongres, Parashqevi vepron si sekretare e komisionit të alfabetit që mblidhej në shtëpinë e Qiriazëve në Manastir.[21] Ishte nënkryetare e Klubit “Bashkimi” dhe njëherësh u zgjodh  edhe nënkryetare e Kongresit të Manastirit. Me këtë rast, mes tjerash pat thënë: ”Ky kongres të na nxjerrë faqebardhë dhe me një vëllazëri dhe bashkim të pandarë”.[22]

Konsulli rus, atmosferën e punës në Kongres e përshkruan në mënyrë tejet objektive, pasi diplomacia ruse ishte  e interesuar për të pasur ndikimin e saj në këtë Kongres. Ky, për delegatët deklaron: “Ata, delegatët, në seancat e Kongresit merrnin pjesë me veshje kombëtare, sipas krahinave që prezantonin”. Delegatët e Kuvendit, edhe në mbledhjet e hapura, nuk fshehin  urrejtjen e tyre kundër Turqisë dhe haptazi kritikonin politikën asimiluese të qeverisë turke, e në veçanti me nxjerrjen e ligjit për zgjedhje, “e cila përpiqej me të gjitha mënyrat të asimilojë dhe çrrënjos vetëdijen nacionale të shqiptarëve, duke i ndjekur edhe për gjuhën e tyre”.[23]

Në Kongres u fol edhe për marrëdhëniet shqiptare-greke, ku u konstatua se Greqia po bën me të madhe propagandë kundër kulturës dhe historisë shqiptare. Ajo në Jug të Shqipërisë i trajton shqiptarët për grekë, posaçërisht më lehtë e kishte të asimilojë shqiptarët e besimit ortodoks. Patriotët  shqiptarë të cilët i kundërviheshin kauzës greke, ajo kundër tyre organizonte atentate, duke  vrarë edhe Mitropolitin e Korçës, Fotisin.[24] Shumë delegatë të Kongresit, në diskutimet e veta deklaruan se Greqia po bën haptazi masakrime të papara në territorin e Epirit. Për ta qetësuar atmosferën në Kongres, sipas raportit të konsullit rus, ndërhyri udhëheqësi i Kongresit, Mithat  Frashri, duke ndërprerë oratorët shqiptarë, ku prekej armiqësia kundër grekëve.[25] Makineria e propagandës greke, në atë kohë vepronte me të njëjtin intensitet edhe kundër vllehve. Këta, për të shpëtuar nga terrori grek u bashkuan me shqiptarët, në luftë të përbashkët kundër terrorit dhe politikës asimiluese greke.[26]

Në atë kohë shqiptarët përveç vllehve, edhe me bullgarët kanë mbajtur marrëdhënie të mira miqësore. Në kongres u folën fjalë miradije për politikën e mirëkuptimit të shtetit bullgar. Sipas konsullit rus, Bullgaria e ndihmonte lëvizjen shqiptare në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit, ku sipas tyre, Bullgaria kishte interesin e vet politik-strategjik. Ajo duke përkrahur kërkesat e atdhetarëve shqiptarë për Autonomi, shpresonte se do ndërpritej rruga e serbizimit dhe e përhapjes së influencës serbe në luginën e Vardarit. Po ashtu, Bullgaria nëpërmjet nacionalizmit shqiptar mbronte nga Jugu, depërtimin e fuqishëm të helenizimit-ortodoks grek drejt Shkupit dhe Manastirit, që në atë kohë këto dy qytete shqiptare ishin qendra diplomatike dhe administrative të Perandorisë Turke. Prandaj, bullgaria kërkonte aleatë kundër armiqve të përbashkët; Greqisë dhe Serbisë. Kjo ishte një ndër arsyet më kryesore pse diplomacia bullgare ndihmonte atdhetarët shqiptarë në luftën e tyre nacionale për autonomi në disa rrethe të Prilepit, Ohrit, Strugës dhe Manastirit.[27]

Pasi u dorëzuan ftesat në mënyrë zyrtare nga Klubi “Bashkimi” i Manastirit më 14 shtator 1908,[28] xhonturqit në këtë kohë mbanin të burgosur atdhetarin e flaktë të autonomisë shqiptare, Dervish Himën, në burgun e Shkodrës. Me përhapjen e lajmit për mbajtjen e Kongresit mbarëshqiptar, xhonturqit nga frika e masave shqiptare e transferojnë  Dervish Himën në burgun e Selanikut, më 31 tetor 1908. Ata fshehurazi  e nisën rrugës tokësore, natën, nga Shkodra për në Selanik.[29] Hima, më 17 nëntor duhej të dilte para gjyqit, mirëpo, si shënon gazeta “Korça”, kishte kaluar një muaj prej asaj dite “e puna e tij nuk kishte marrë fund, as për të mirë e as për të keq’’.[30]

Dervish Hima, kur gjendej në burgun e Selanikut, pat deklaruar: “Ne kërkojmë që Turqia të na pranojë si komb të veçantë dhe kërkojmë decentralizimin e vendit”.[31] Sipas raporteve të diplomacisë austriake, Dervish Hima,  aty kah  fundi i janarit 1909, u lirua nga burgu.[32]

Në të njetën kohë kur mbahej kongresi i të gjithë shqiptarëve në Manastir xhonturqit, për të frikësuar popullon shqiptar sulmuan me topa dhe dogjën kullat Isa Boletinit  më 21 nëntor 1908. Turqit  sulmuan me 18 topa dhe 5 kompani, ndërsa kullat e Isës mbroheshin vetëm me 14 vullnetarë, beteja zgjati tërë ditën, nga ushtarët e Isës u vranë tre veta dhe u plagosën 5, ndërsa nga pala turke ka pasur shumë më shumë të vrarë, por pala turke nuk ofron të dhëna.[33]

 

SHPALLJA E PROGRAMIT KOMBËTAR NË MANASTIR

 

Konkluzionet e diskutimeve që u zhvilluan në seancat e fshehta u përfshinë në Programin kombëtar, prej 18 pikave. Ky program iu paraqit Parlamentit turk në emër të popullit shqiptar, përmes deputetit  të Korçës, Shahin Kolonja, i cili njëherësh ishte edhe pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit.[34] Ndër vendimet kryesore, përveç alfabetit, ishte edhe: Kërkesa për njohjen e Autonomisë së Shqipërisë dhe të gjuhës shqipe.[35]

Konsulli rumun nga Stambolli, në lidhje me vendimet politike të Kongresit të Manastirit, do të deklarojë; “Në ditët e kaluara, në një nga mbledhjet në përbërje  të ngushtë të punës të  Kongresit shqiptar, nga krerët e tij caktohet qartë Programi politik i shqiptarëve. Ky program i është besuar vetë Shahin Kolonjës, deputetit shqiptar nga Korça. Në të pohohet se qëllimi i shqiptarëve nuk ishte vetëm problemi i shkollave, hapja dhe zhvillimi i tyre në gjuhën shqipe, por problem kyç për ata ishte njohja e kombit shqiptar nga politika zyrtare e qeverisë turke, por edhe autonomia e Shqipërisë në kuadër të Perandorisë Osmane. Në kuadër të autonomisë u kërkua që nëpunësit shqiptarë të jenë civilë dhe me veshje kombëtare, që deri atëherë e kishin të ndaluar të shkonin në punë në administratën turke me veshje kombëtare. Po ashtu, u kërkua që shqiptarët mos të dërgohen nëpër vendet e largëta të Perandorisë, por shërbimin ushtarak ta kryejnë në vendlindje.[36]

 

 

Komisioni i Kongresit të Manastirit qi hartoi alfabetin

 

Kryetar i Kongresit është zgjedhur Mit’had Frashëri, Kryetar i komisionit të abece-së, Gjergj Fishta /1/, anëtar të komisionit janë zgjedhur këto personalitete: 2. Mit’had Frashëri, 3. Luigj Gurakuqi, 4. Gjerasim Qiriazi nga Manastiri, 5. Dom Ndre Mjeda, 6. Grigor Cilka, 7. Taq Buda, 8. Shahin Kolonja, 9. Sotir Peci, 10. Bajo Topulli, 11. Nyzhet Vrioni. 5

Kongresi i Manastirit edhe pse nuk e zgjidhi përfundimisht çështjen e unifikimit të alfabetit, në përfundimin e Kongresit, në fjalën  e tij  Fishta i madh do të deklarojë: “Komisioni qe i detyruar të marrë dy abe-ceda”.  Vendimet e tij patën rëndësi të  madhe historike dhe politike për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit e të kulturës shqiptare drejt bashkimit kombëtar. Një gjuhë, një komb, një shtet. Kongresi i Manastirit ka shqyrtuar më së shumti çështje me karakter politik. Në fund u vendos që Kongresi i ardhshëm të mbahet në vitin 1910.[37]

Në fund, Kongresi dha rezultatet e pritura, edhe pse vendosi pranimin e dy alfabeteve, por që mbështeteshin kryesisht në alfabetin latin,[38] që të përdoreshin bashkërisht në mesin e shqiptarëve, të dy alfabetet do të përdoreshin detyrimisht nëpër shkolla, me disa modifikime dhe me disa shtime germash. Më 22 nëntor, Kongresi vendosi që të thirret një kongres tjetër në Janinë në korrik 1910, për çështje të gjuhës.[39]

Vendimet e Kongresit të Manastirit kishin një rëndësi të veçantë, po të merret parasysh vendosmëria e shqiptarëve për të mbrojtur identitetin e tyre nacional. Nga ky aspekt historik, përfaqësuesit shqiptarë patën vizion të qartë në vendimin e tyre që për bazë të merret alfabeti latin. Në veçanti pati jehonë të fuqishme kombëtare diskutimi i profesorit të teologjisë në Stamboll, Haxhi Vildan Faik Dibra, i cili merrte pjesë së bashku me dy delegatë të tjerë të dërguar nga klubi xhonturk “Bashkimi” i Stambollit.[40] Gati të gjithë të pranishmit qëndronin me një skepticizëm, kur e mori fjalën Haxhi Vildani. Delegatët gati u shtanguan, pasi e dinin se ky ishte aktivist i fuqishëm i xhonturqve dhe se kishte ardhur me mision nga ana e tyre në këtë Kongres. Të gjithë pritnin se çfarë qëndrimi do të mbajë Haxhi Vildan Dibra në lidhje me alfabetin, a do të përkrah atë arab apo atë latin. Ky, në fjalimin e tij tejet patriotik, në mes tjerash, potencoi; “Se besimi dhe Kurani  nuk kanë kurrfarë lidhje me alfabetin”. “Shqipëria tani është e lumtur, sepse tani ajo është e bashkuar me anën e alfabetit, që është një nga instrumentet më të fuqishme e më të mira, për të përhapur përparimin në mes të popullit”.[41]

Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ai me vendimet e marra për një alfabet unik kombëtar, si dhe me programin e miratuar prej 18 pikash, bëri që Lëvizja kombëtare të hyjë në fazën përfundimtare të avancimit të çështjes sonë për autonomi. Klubet shqiptare të organizuara gati në çdo vend të banuar me shqiptarë u shndërruan në qendra të përhapjes së idesë kombëtare, të përhapjes së arsimit e të kulturës, me fjalë të tjera, këto  vatra e bënë të mundur kalimin  nga lufta me pendë në luftë të armatosur të kombit shqiptar për pavarësi. Klubet e para shqiptare që u hapën në trojet tona gjatë muajit gusht-shtator ishin nga Vlora, Elbasani, Pogradeci, Shkodra, Kumanova dhe Tetova.[42] Me rëndësi të veçantë është të theksohet roli i klubit shqiptar në Shkup. Ky klub, në bazë të aktit zyrtar, me titull: “Rregullorja e klubit shqiptar” në Shkup, është themeluar si “klub arsimor shqiptar”, më 1 tetor 1908.[43] Më vonë u hapën edhe 40 klube të tjera; si në Strugë, Ohër, Dibër, Gjilan, Vushtrri e  tjerë. Në tërë Shqipërinë Etnike, pas Kongresit u hapën mbi 40 klube shqiptare.

Mbarimi me sukses i punimeve të Kongresit Mbarëkombëtar në Manastir dhe marrja e vendimeve jetike në favor të çështjes kombëtare, patën rëndësi jetike për zgjidhjen e rrugës drejt autonomisë. Këto vendime të rëndësishme historike në Manastir vulosën rrugën e Shqipërisë dhe popullit shqiptar, se ajo i takon Evropës dhe nuk ka asgjë të përbashkët me lindjen. Marrja e këtyre vendimeve kolosale nga krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me të madhe u pengonte reaksionarëve xhonturq. Ata tanimë ishin të bindur se vendimet e marra në Kongres çonin drejt vetëvendosjes, pra, ishte fillimi i rrugës drejt shkëputjes nga Perandoria Osmane. Prandaj, politika xhonturke për të penguar rrugën e unitetit politik të shqiptarëve të arritur me sakrifica të mëdha në Kongresin e Manastirit, i shtyri xhonturqit të veprojnë me të gjitha metodat për të përçarë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo përdori metodën e vjetër romake, devide et impera. Në radhë të parë ajo e filloi luftën për  të përçarë klubet shqiptare, ndërsa disa udhëheqës të Lëvizjes i bleu me lekë (dukatë), që të propagandonin  vetëm alfabetin Arab, në vend të atij Latin. Disa veprimtarë nga shqiptarët myslimanë ranë në grackë, të nxitur nga politika xhonturke, që të luftojnë për idenë panislamike, “një fe, një komb”.

Kongresi i Manastirit hyri në histori si “Kongresi i Abesë”. Kongresi i alfabetit mori vendime të rëndësishme në shumë fusha të jetës politike, shoqërore, ekonomike, arsimore dhe fetare.  Duke zgjidhur rrugën e njësimit të alfabetit, ai zgjodhi edhe një problem të prehtë politik, duke i dhënë një kapital të fuqishëm Lëvizjes sonë Kombëtare në rrugën e tij për autonomi. Në këtë Kongres u bë bashkimi i shqiptarëve dhe krahinave të ndryshme të Shqipërisë Etnike. Ky tubim mbarëkombëtar forcoi lidhjet midis tyre. Kongresi forcoi edhe më shumë ndjenjat kombëtare, u  dha mundësi atdhetarëve për një qëndrim unik në strategjisë politike të popullit shqiptar, të cilët me platformë shërbyen në rrugën e saj drejt pavarësisë së Shqipërisë.

Duke folur për rëndësinë e Kongresit të Manastirit, gazeta “Lirija” e Selanikut do të shënojë; “Ishte pra një ngjarje më rëndësi për ne, ku pamë  shqiptarët të ardhur nga veriu, jugu, lindja e nga perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë…, atëherë kuptuam se vërtet paska një komb, dhe se ky komb qenka i gjallë”. Kjo gazetë, pas përfundimit të Kongresit, do të shënojë: ”Mbledhja e Manastirit na rrëfeu neve fuqinë tonë, ashtu edhe botës i tregoi qenien  dhe rrojtjen  e një kombi shqiptar”.[44]

Kundër këtij qëllimi të shenjtë kombëtar shërbente roli i klerit reaksionar me klerikët dhe institucionet e tyre fetare, të cilët duke u shërbyer të huajve, iu kundërvunë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë fushatë antishqiptare u përfshi edhe qeveria turke. Ajo vendosi të luftonte me të gjitha mjetet e saj  kundër mësimit të gjuhës shqipe, përdori mjete financiare, u premtuan poste të ndryshme politike për deputetë dhe myftinj. Kleri mysliman, por edhe ai katolik, ishte vu në shërbim të të huajve. Po ashtu, shumë agresiv ka qenë kleri ortodoks, ndihmuar nga qeveria greke, e cila bëri çmos dhe aplikoi të gjitha mënyrat për mbylljen e shkollave shqipe, që ishin çerdhet nga ku përhapeshin çdo ditë e më tepër shkronjat shqipe. Ai ndihmoi me zell pushtuesit e administratës turke, për ndjekjen e gjuhës shqipe.[45] Rrënjët e kësaj politike ishin shumë më të thella se sa dukej në sipërfaqe, politika e tyre çonte në shkombëtarizimin e  shqiptarëve. Këta ishin kundër përparimit të gjuhës dhe shkollës shqipe, ishin kundër shkrimit shqip përparimtar me shkronja latine. Këta ishin kundër klubeve dhe shoqërive të kohës dhe kundër çdo gjëje tjetër shqiptare, u munduan ta kanalizonin ujin në mullinj të huaj, të perandorëve të tyre. Kjo që u tha më lartë, më së miri do ta kristalizojë K. Kristoforidhi, kur do t’i shkruajë në një letër N. Naços, ku midis të tjerave i shkruante, “se ata që nuk duan fare të shkruhet gjuha shqipe janë; mitropolitët, dhespotët e priftëria”.[46] Ndërsa  gazeta “Drita “ e Sofjes vinte me të drejtë shenjën e barazisë midis rolit negativ të fesë dhe të çështjes kombëtare dhe qëndrimit armiqësor të qarqeve reaksionare turke, greke e tjera.[47]Në këto rrethana të vështira politike për kombin shqiptar, qarqet qeverisëse turke organizuan në të njëjtën ditë, më 22 nëntor, një ekspeditë ndëshkuese kundër shqiptarëve, me qëllim që të kapet ose të vritet  Isa Boletini, si kundërshtar i regjimit xhonturk. Ata dërguan  kundër tij në Boletin 1 500 ushtarë  të pajisur me artileri. Pas përleshjes që pati tërë ditën,  në të cilën u vranë rreth 30 ushtarë turq dhe vetëm 3 shqiptarë, Isa Boletini u tërhoq natën  në fshatrat për rreth  për t’u vendosur më pas në Isniq të Pejës.[48]

Austria si gjithnjë deri në shpalljen e pavarësisë, financoi klerikët katolikë për interesa të saj politike, edhe pse ata kanë vepruar kundër alfabetit shqip. Këtë radhë diplomacia austriake kinse kontribuon për çështjen shqiptare[49], në të vërtetë ajo ishte shumë më e interesuar për të pasur një pasqyrë më të pastër në punët e Kongresit. Roli antikombëtar i klerikëve katolikë kundrejt njësimit të alfabetit u pa me rastin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit. Jezuitët e Shkodrës, duke vazhduar më tej veprimtarinë e tyre armiqësore, nuk pranuan të dërgonin përfaqësuesit e tyre në Kongresin e Manastirit.[50]

Kleri mysliman shqiptar pas revolucionit xhonturk iu përshtat shpejt ndryshimit të gjendjes politike. Ata që kundërshtuan këtë regjim antishqiptar, turqit  e rinj i burgosën, siç ishte rasti me Dervish Himën, i cili gjatë mbajtjes së Kongresit të Manastirit ndodhej në burgun e Selanikut. Ndërsa disa hoxhallarë fanatikë u vunë në shërbim të xhonturqve, u shitën për poste dhe interesa të ngushta personale, këta ishin elementë të korruptuar si Arif Hiqmet Kumanova, Sahit Hoxha i Shkupit dhe Rexhep Voka nga Tetova. Ndërsa  Hafëz Ali Korça, shkonte edhe më larg, duke predikuar anë e mbanë Shqipërisë Etnike,  “se mos u hupet dini me abecenë latine”,  e tjera e tjera turpe.[51] Këta fanatikë injoronin kombin në emër të turqizmit, shumica nga këta nuk flisnin shqip. Organizuan “mitingje” kundër Alfabetit latin në Manastir, Selanik, Shkup, Kumanovë, Tetovë, e shumë qytete tjera të Shqipërisë Lindore.[52]

Kongresi i Manastirit, me zgjidhjen e çështjes së alfabetit, si dhe me shqyrtimin e çështjeve të tjera me karakter politik dhe nacional, konsiderohet si njëra nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar.

 

 



[1] Historia e popullit shqiptar…, f. 391; Nexhat Abazi, Zhvillimi i shkollave.., f.196.

[2] Raporti i konsullit italian nga Manastiri, dërguar kontit de Visari; nga Shkupi merrnin pjesë tre  delegat; me të drejtë vote ishin të dërguar nga Klubi i Shkupit, Emin Beu dhe Hafëz Ibrahim Efendiu. Ndërsa Rok Berisha po ashtu përfaqësues nga Shkupi  bënte pjesë në grupin e delegatëve pa të drejtë vote, së bashku me Parashqeva Qiriazin, Abdyl Yipn, Lef Nosin Çerçiz Topullin e tjerë; Grup autorësh, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003, f. 175.           

[3] Raport i konsullit rus nga Manastiri, më 14 nëntor 1908; Stjepan Antoljak,  Prillog historijatu albanaca za svoj alfabet, “Gjurmime albanologjike’, nr. 1, Prishtinë, Prishtinë, 1969, fq. 46-48; Historia e Shqipërisë, vëll. II. 1908-1912…f. 10-11.

[4] Po aty,  raport nga Manastiri.Poashtu në këtë Kongres ka marrë pjesë edhe i riu Rauf Fico, që më vonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në diplomacinë shqiptare, veçanërisht kur ishte i emëruar në Beograd. Pati disa takime me studentët shqiptarë dhe disa krerë të nacionalizmës shqiptare që vepronin në Jugosllavinë e para luftës, në ngritjen e nacionalizmës shqiptare dhe luftën e tyre për çlirim dhe bashkuim kombëtar. 

[5] Manol Pandevski, Politiçkite partii…, vep. e cit. f. 287; Shukri Rahimi, Shkaqet e konfliktit në mes lëvizjes shqiptare dhe Turqve të Rinj, “Jehona”, Shkup 1968, nr. 6, f. 143.

[6]Shaban Demiraj, i Kongresi i Manastirit…, 87. Në këtë kohë përmendet vetëm një Rexhep Hoxha. Por nuk thuhet asgjë për biografinë e tij. Si ka mundësi të përshëndes Kongresin një person që në atë kohë nuk ka pasur ndonjë funksion shtetëror apo fetar. Ndërsa ky, Rexhep Hoxha ishte  i lindur në Prilep, që  në kohën e Kongresit ka qenë Profesor i Medresesë në Stamboll, e quajtur “Medrese Fatihut”. Shi, Hasan Kaleshi, Disa aspekte të luftës për alfabetin shqip në Stamboll, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë, 1969, f. 106.

[7]Hasan Kaleshi, Neki problemi izuçavanja kulturne istorije Pologa za vreme turskog perioda,“ Bigorski nauçeno-kulturni sobiri”, Gostivar 1971, f. 182.

[8]HHStA, PA XXXVIIi/390, Raport i Konsullit Kral nga Manastiri, më 15.07.1900); Konsulli austriak në raportonte: se Gjergj Qiriazi i cili kishte një librari të “Bible society: ”Në shkurt të vitit 1900 gjatë muajit ramazanit, në dyqanin e tij kishte hyrë një hoxhë që duke u ruajtur e kishte pyetur nëse kishte libra shqip; ai mori ato që lejoheshin, ungji, psallme, etj, dhe meqë ai kërkonte ndonjë gjë tjetër, iu dha së fundmi me kujdes edhe një abetare, sepse ai mund të ishte një agjent sekret, siç ndodh shpesh tani. Hoxha pyeti nëse dikush mund ti mësonte alfabetin dhe u gëzua kur u ftua që të vinte çdo ditë për të mësuar nga pak me vëllain e të zotit të dyqanit. Me një zell djaloshar ai u fut punës dhe mësoi kaq mirë sa që pas disa leksionesh  ai mundte që të lexonte shqip  në mënyrë të mjaftueshme. Shumë shpejtë ai zuri miqësi me patriotët lokalë dhe iku nga Manastiri me një pako të vogla librash (për shkak të mungesave), libra që në shumicë ishin fetarë dhe të krishterë. Ky njeri është Rexhep Çudi  Hoxhë nga Tetova.

[9] Rauf Fico, Shtetar dhe diplomat i shquar shqiptar (monografi), Tiranë 2007, f. 182.

[10] Natalyie Clayer, Në fillimet nacionalizmit shqiptar, Tiranë 2009, f. 561-562.;

[11] Feti Mehdiu, Vilajeti i Manastirit  në Kamus Al-A’Lam, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1983, f.240. Në atë kohë vilajetit të Manastirit përfshinte këto qytete;  Manastir,  Prilep,  Florinë, Ohër, Korçën, Starova  Kolonja, Elbasanin, Peqin, Strugë,  Dibër, Mat, Dibra e Poshtme, Krahina e Rrekës,  Kërçova me gjithsejtë  2 220 fshatra. 

[12] Gazeta “Dituria”, nr.3, v,1908, f.41.

[13] “Leka”, nr. VIII-XII, 1937, f. 35.

[14] Manol Pandevski, Politiçkite parti…, vep. e cit. f. 287.

[15] Po aty,  raporti i njëjtë.  Mahir Domi, Alfabeti i gjuhës shqipe  dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë 1972, f.. 35.

[16] Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f.152.

[17] “Bashkimi i Kombit” (nacionallno Edinstvo), Shkup 2001, f 20; Ali Vishko, ndante mendimin se ky ka qenë nikoqir kryesor në Kongres në bazë të pozitës fetare që ka pasur në atë kohë. Në fillim poashtu ka qenë shumë i afërt me të gjithë veprimtarët që vepronin në Manastir dhe Shkup. Tetovë, deklarata e tij në dhjetor 2002.

[18] Stjepan Antolak, Prilog historiatu borbe albanca za soj alfabet, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1 Prishtinë 1969, f. 48.

[19] Stavro Skendi, vep. e cit, f. 370-371; Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit Tiranë 2004,  f. 76.

[20] Stavro Skendi, vep. e cit, f. 371.

[21] Gjergj Qiriazi, vëlla i Sevastisë dhe i Parashqevës. Motrat Qiriazi pas luftës jetuan të izoluara në Tiranë nga pushteti komunist,  Sevastia vdiq në vitin 1949 dhe u varros vetëm nga katër gra. Pasi pushteti e kishte shpallur si armike të pushtetit komunist.

[22] Milto Sotir Gura, Kongresi i Manastirit për alfabetin shqip, (nga kujtimet e Mihajll Gramenos), “Bashkimi i Kombit”, Tiranë 12 gusht 1944.

[23] A.M. Shkup, Raport i konsullit  rus nga Manastiri, më 14 nëntor 1908.

[24] Po aty, raporti i njëjtë.

[25] Po aty. Qysh në fillim të Kongresit Mithat Frashëri, Abdyl Ypi, Ferid Ypi, ndanin mendimin  se në këtë Kongres të Alfabetit të shqyrtohet  vetëm çështja e alfabetit jo edhe probleme të tjera të karakterit politikë.

[26] Po aty.

[27] Po aty, raporti i njëjtë.

[28] Nexhat Abazi, Zhvillimi i arsimit…, f.196.

[29]  Raport i konsullit. astro-hungarez  nga Selaniku, nr. 2852, 27 dhjetor 1908.  

[30] ‘’Korça’’ nr.2, 24 dhjetor 1908.

[31] ”Konstituciona Zarja”,1/23, Selanik, më 15 nëntor 1908.

[32] Raporti i konsullit austro-hungarez nga Shkodra, nr. 5, 3 janar 1909.

[33] Raport i konsullit rus nga Manastiri, dërguar ambasadorit rus në Stamboll N.V. Carikov. 24 nëntor 1908.

[34] INI-Tiranë, Raport i konsullit austro-hungarez, nga Manastiri dërguar Vjenës, më 30 nëntor 1908.

[35] I. G. Senkieviç, osvoboditelnoe dvizhenie albanskogo naroda…, f. 123; Aktet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vep. e cit  dok. 113.

[36] Raport i konsullit rumun Breileanu nga Manastiri, dërguar Ambasadorit Rumunisë në Stamboll, më 19 nëntor 1908.

[37] Manol Pandevski, Politiçkite partini i organizaciji…, f. 286.

[38] Falë kontributit të Gjergj Fishtës, shqiptarët sot përdorin shkrimin latin.

[39] Raport nr.85 i konsullit A. Ristovskit nga Manastiri, dërguar Zinojevit,  më 14 (22) gusht 1908.

[40] Stavro Skendi, the albanien National-Aveking 1878-1912, Printon Univesity Press, 1967, f. 373; Nga Kubi “Bashkimi” ishin edhe  Fazli Pashë Toptani,  nga Tirana dhe Riza Beu nga Dibra, kolonel i shtabit madhor osman.

[41] HHStA, PAA. Raport i konsullit austriak në Manastir, më 30 nëntor 1908; Hasan Kaleshi, Disa aspekte të luftës për alfabetin shqiptar në Stamboll, “Gjurmime albanologjike”, nr. Prishtinë 1969, f. 82; Veprimi i Haxhi Vildan Efendiu nga Dibra, që kishte ardhur nga Klubi “Bashkimi”  i Stambollit, me gjashtë përfaqësues në Kongresin e Manastirit të cilët ishin: Manastirasi Ismail Hakiu, Shaqir Efendiu, Fazli Pashë Toptani, deputeti i Prishtinës Fuat pashë Prishtina, Riza bej Dibra, dhe Maliq bej Luma. Diskutimi patriotik i Haxhi Vildanit  zhduki skepticizmin që  kishin shumica e delegatëve të Kongresit, veçanërisht midis anëtarëve të  Klubit “Bashkimi” të Stambollit. 

[42] Historia e populli Shqiptar…, f. 381.

[43] AQSH, Tiranë, Fondi 102, viti 1908, dosja, 201 f. 1 (Rregullorja e Klubit Shqiptar në Shkup); rregullorja ka 8 faqe e 26 nene dhe është shtypur në shtypshkronjë me Alfabetin e Stambollit. Sipas nenit 1 “Klubi Shqiptar i Shkupit është një vend për mbledhjet shqiptare ku shokët nuk do të shikojnë punë tjetër veç atyre qëllimeve që ka klubi dhe të cilat janë të shënuara me program”.[43] Anëtari i klubit kishte të drejtë të bëhet çdo shqiptar nga Shkupi  dhe jashtë tij (neni 2). Ky klub, në kongresin e Manastirit, kishte dërguar si delegat Hafëz Ibrahim Efendiun dhe Emin Beun

 

[44] Gazeta “Liria”, nr.17, Selanik , 22 nëntor 1908.

[45] Gazeta “Atdheu”, Konstancë, nr. 2, 15 gusht 1912.

[46] Petro Nino Luarasi, Mallkimi i shkronjave shqipe dhe përfolja e shqiptarit, Manastir 1911, f.31.

[47] Gazeta “Drita”, Sofje, nr. 81,15 korrik 1908.

[48] Historia e popullit shqiptar,  vep. e cit, f. 398.

[49] HHStA, PA, Raport nr. 128, i konsullit Kral, dërguar Erentalit, më 22 nëntor 1908.

[50] AQSH Fondi, Klubi Shqiptar në Manastir, Dos. 5, dok. 50092: Revista “Leka”, nr. i veçantë, vj. XII, 1940, Shkodër 1942, f.14.

[51] Nexhat Abazi: Nga veprat e tradhtarëve edhe atdhetarëve shqiptarë, gazeta “Nacional” Tiranë 2011.

[52] Hysni Myzyri, Lufta e Shqiptarëve të Maqedonisë, (Botuar në librin Shqiptarët e Maqedonisë), punim i cit. f. 300.

Filed Under: Histori Tagged With: Kongresi i Manastirit, Prof. Dr. Vehbi Xhemaili

BETEJA TË MËDHA MBI MAVROVË DHE PJESËMARRJA E SHQIPTARËVE TË REKËS

October 25, 2013 by dgreca

ME RASTIN E  NJËQIND VJETORIT TË KRYENGRITJES SË SHTATORIT QË TRONDITI DIPLOMACINË BALLKANIKE DHE EVROPIANE/

Shkruan:   Prof.dr.Vebi Xhemaili/

Pas pushtimit të fushës së Pollogut nga ushtria serbe, ajo hasi në rezistencë dy javore në fshatrat e Rekës mbi Mavrovë. Në këto beteja filloi lufta më e përgjakur e shqiptarëve të kësaj ane. Kryengritësit i bënë rezistencë të paparë ushtrisë së rregullt serbe që ishte e organizuar mirë, edhe me artileri dhe teknikë moderne, numerikisht shumë më e madhe. Për këtë arsye, forcat kryengritëse kërkuan ndihmë nga Komanda e Përgjithshme Shqiptare që ndodhej në Dibër. Qeveria e Përkohshme e Dibrës, pas një analize, më 29 shtator vendosi që kryengritësve mbi Mavrovë t’u dërgojë përforcime  të reja, nga radhët e luftëtarëve që ishin në vijën mbrojtëse Ohër-Strugë, pasi që forcat serbe në këtë drejtim gjithnjë e më shumë po forcoheshin.[1]

Lajmi i përhapur për dorëheqjen e ministrit të Luftës, për shkak të sukseseve të mëdha të kryengritësve shqiptarë që po i afroheshin Tetovës, tronditi edhe vetë Mbretin e Serbisë, ndërsa Gjenerali i Armatës serbe, Zhivoin Mishiqi, u detyrua të japë dorëheqje.[2] Në këto rrethana politike,  “çështja shqiptare” po mbushte faqet e para të gazetave evropiane. Gazeta zyrtare “Srpske Novine”, nga data 25 shtator 1913,  botonte  dy dekretet e Mbretit Pjetër, ku ai në bazë të nenit 5 të ligjit mbi organizimin e artilerisë dhe të Divizionit të Moravës, së bashku me regjimentin I dhe II, vihen menjëherë në gjendje të mobilizimit të plotë e të gatishmërisë.[3] Po ashtu, edhe gazeta “Samouprava”, në faqen e parë të saj, jep të dhëna për rrezikun që i kanoset Serbisë nga kryengritësit shqiptarë. Ajo shkon aq larg sa që kryengritësit shqiptarë i pagëzon edhe me emra fyes, në stilin e njohur serb: “Banda të armatosura”. Kjo gazetë vazhdon me akuzat se këta rebelë, “banda”, po e rrezikojnë “tokën e posa pushtuar serbe” dhe se kanë çliruar Dibrën, Strugën, Gjakovën, Gostivarin, Kërçovën dhe mbanë të rrethuar edhe Tetovën. Pra, ushtria serbe u tërhoq para një sulmi të fortë prej nga Manastiri dhe Shkupi.[4] Po ashtu, edhe gazeta “Politika” e Beogradit lajmëron se Dibra është marrë nga shqiptarët dhe se lufta me të madhe është përhapur në Kosovë dhe  Maqedoni, kurse në të gjitha frontet janë të mëdha humbjet nga të dyja anët

Ushtritë serbe pasi e pushtuan Gostivarin e dogjën dhe u hakmorën për rezistencën e bërë. Regjimi serb  vendosi për t’u hakmarrë dhe shfarosur popullsinë e pafajshme me burra, gra, fëmijë dhe pleq, duke djegur fshatrat për rreth dhe duke rrafshuar ato me tokë. Nga këto masakrime, mbi 5000 banorë e lëshuan Gostivarin me rrethinë dhe u nisën në mërgim kah Elbasani.[5] .[6] Kjo kryengritje përfshiu shtatë qarqe shqiptare dhe zgjati mbi dy muaj në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar.

 

 

BETEJA E MAVROVËS

 

Në betejën e Mavrovës, ushtria serbe në fillim u mbraps, Shqiptarët e Rrekës nën komandën e Hoxhë Tanushës, dukej se janë në prag të fitores.[7] Në këto çaste të vështira për ushtrinë serbe komandanti i tyre detyrua me revole në dorë të ndalë ushtarët e tij që filluan të iknin nga fushëbeteja.[8] Komanda serbe, për të shpëtuar nga disfata e plotë, kërkoi përforcime të reja. Asaj i erdhën në ndihmë njësitet e regjimentit XII, XX dhe njësiti “Car Llazar”. Forcat serbe filluan sulmin më 27 shtator, me artileri prej së largu, pasi me armë të tjera nuk mund të afroheshin në pozicionet e luftëtarëve shqiptarë. Sipas raporteve serbe, në këto sulme përmenden afër 40 vullnetarë të vrarë shqiptarë.[9] Më 28 shtator, forcat serbe arritën para Mavrovës, kurse këtyre njësiteve iu bashkëngjitë edhe regjimenti VII, që u kyç në sulmin e mëtutjeshëm. Më 29 shtator, serbët pasi pushtuan Mavrovën, vazhduan marshin nga fshatrat e Rekës, nëpër rrethinën  e Zhirovnicës dhe Grykës të Lumit Radika, duke iu afruar Dibrës. “Raportet serbe japin një numër të madh të vrarësh nga kryengritësit”.[10]

Raportet e diplomatëve të huaj flasin për luftime të ashpra në të gjitha frontet e luftës, duke theksuar se përkundër epërsisë së ushtrisë serbe me armatim, kryengritësit shqiptarë të krahinës së Rekës në komandën e Hoxhës së Tanushës nuk zmbrapsën. Në vazhdim të raportit, konsulli austriak nga Beogradi thekson se vazhdojnë luftimet e ashpra, me humbje nga të dyja palët.[11] Për sukseset e dobëta të depërtimit të ushtrisë serbe në të gjitha frontet, lajmëronte edhe Zhitkovski nga Manastiri, sipas të cilit ushtria serbe nuk ishte në gjendje që të ripushtojë territoret shqiptare në vijën Strugë-Dibër-Kërçovë, kurse luftime tejet të rrepta ishin zhvilluar në territorin mbi Gostivar, në vijën Vracë-Mavrovë, me fshatrat përreth.[12] Derisa mbi Gostivar bëheshin luftime të ashpra, Jeliçka nga Shkupi njoftonte me telegram se kryengritësit paskan sulmuar në fushën e Pollogut, midis Tetovës dhe Gostivarit, një kolonë furnizimi të përbërë prej 4 kamionësh dhe 350 karrocash me bukë, ku “automobilat u dogjën, ndërsa ushqimi u rrëmbye”.[13]

Ata shqiptarë që nuk u nënshtruan urdhrave të komandës serbe, dënoheshin dhe dërgoheshin në burgjet e Shkupit. Krerëve të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare u grabiteshin fëmijët e tyre nga mosha 8-10 vjeçare dhe dërgoheshin në Serbi, kurse “deri tani vetëm në Tetovë janë grabitur 4 fëmijë”.[14] Sipas raportit të konsullit austriak, Von Storck nga Beogradi, po veprohet vërtet pa mëshirë kundër “arnautëve” të zënë rob, kështu që shfarosja e filluar e elementit jo sllav, do të kryhet tërësisht “me këto ekzekutime të shumta që u bënë në Tetovë dhe Gostivar”.[15]

Në betejën e Mavrovës përleshja me armë ka zgjatur 13 ditë, duke lënë një numër të vrarësh nga kryengritësit shqiptarë, por edhe pse mungojnë raportet serbe për numrin e të vrarëve nga ana e tyre, ka pasur të vrarë edhe nga ushtria serbe.122 Komanda dhe ushtria e saj më 30 shtator po përparonte kah lumi Radika në drejtim të Dibrës. Ushtria serbe sulmonte edhe nga Kërçova, ajo pasi mori përforcime të reja, kaloi në kundër ofensivë, kështu pas sukseseve në afërsi të Kërçovës te fshati Izvor, mori drejtimin e Dibrës. Në këtë betejë u plagos çetniku i njohur serb Vasilije Trbiq.[16]

Ushtria serbe pasi e shoi me gjak këtë kryengritje, u soll si e çoroditur mbi tërë popullsinë e pafajshme, shkruante gazeta “Radniçke Novine”. “Më kap tmerri kur i shoh dhe pyes vetveten, se si njerëzit mund të jenë kaq barbarë sa të kryejnë kaq shumë mizori”.[17] Për sjelljet serbe dhe pastrimin etnik njofton edhe Mitropoli i Durrësit, ku thotë se “duke ikur nga barbaria serbe kanë ardhur shumë njerëz nga Dibra, Gostivari, Gjakova, Prishtina, Tetova, Prizreni, kurse me ta edhe mjaft bullgarë (bëhet fjalë për sllavo-maqedonasit)”.[18] Deri më 25 tetor nga Tetova dhe Gostivari janë shpërngulur me dhunë mbi 400 familje.[19]

Gjendjen faktike në Kosovë dhe trevat lindore më së miri e përshkruan nipi i Bajram Currit, Daljan Curri, i cili vetë u paraqit në konsullatën austriake në Shkodër, për t’u ankuar për gjendjen dëshpëruese të popullsisë në rrethet e Gjakovës dhe Prizrenit, për t’u lutur për këshillë dhe ndihmë. “Sipas dëshmive” të tij, serbët, respektivisht malazezët, bëjnë masakra më çnjerëzore në ato vise, kështu që Bajram Curri është i mendimit se ata i kanë caktuar vetes si qëllim për të shfarosur me gjithë gra dhe fëmijë shqiptarët që jetonin përbrenda kufirit të ri serb dhe malazez.[20]

Në letrën dërguar Mis Durhamit nga Manastiri, më 21 tetor 1913, përshkruhen krimet dhe masakrat që kanë bërë serbët në Dibër, Strugë, Ohër, Mavrovë, Gostivar, Tetovë dhe Shkup.[21] Ushtria serbe u soll shumë keq edhe në pjesën e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur, ku bëri kërdi në Prefekturën e Elbasanit, edhe pse popullsia e saj e mbajti me bukë. Ajo, kur u tërhoq nga këto anë, shkatërroi çdo gjë, madje duke plaçkitur edhe mobiliet e shtëpive.[22] Para këtij tmerri, një pjesë e madhe e popullsisë së këtyre krahinave u shpërngulë, ndërsa një pjesë e saj u vendosë në Shqipërinë e Mesme.[23] Për këtë situatë të krijuar, Serbia  akuzonte Qeverinë e Vlorës, e cila me ndihmën e Esat Pashës dëshironte të dilte përsëri në det. “Serbia ëndërronte asgjësimin e Qeverisë së Vlorës” dhe pushtimin e Shqipërisë nga veriu, kurse Greqia nga jugu ende i mbante me këmbëngulje viset e pushtuara përreth Vlorës.

Më 18 tetor, Austro-Hungaria i dërgoi një ultimatum Serbisë, që brenda 8 ditëve të tërheq ushtritë e saj nga kufijtë politikë, të caktuar me vendimin e Londrës. Me “këshillimin” e Francës dhe të Anglisë, ushtria serbe në afatin e caktuar tërhoqi ushtrinë. Pra, lakmitë e daljes në detin shqiptar dhe politika pushtuese sllave pësuan një disfatë të plotë. Serbia deshi të dalë në det, edhe të ketë një koloni të saj: “Prandaj mbeti edhe pa det, edhe prej kolonisë së ëndërruar bëri një armik gjakatar”.[24]

Qeveria e Vlorës ndodhej në një pozitë të palakueshme: grekët assesi të largoheshin nga Shqipëria Jugore, ndërsa serbët nga Shqipëria Verilindore. Serbia këto qëllime ekspansioniste në tokat e pushtuara shqiptare mundohet t’i forcojë edhe më tepër me ndihmën e Esat pashë Toptanit dhe Arif Hiqmet Kumanovës, që ishin shpallur publikisht aleatë të Nikolla Pashiqit dhe “miqtë e Serbisë”.[25]

Në anën tjetër, Qeverinë e Vlorës nuk e njohu as Turqia. Ajo vazhdoi edhe më tutje që Shqipërinë e Pavarur ta radhisë si vend i pandarë të Perandorisë.  Xhonturqit gjatë luftërave ballkanike përhapën një propagandë të fuqishme midis shqiptarëve mysliman, ku munduan të bindin popullatën shqiptare për çlirimin e trojeve të okupuara e të shkelura nga armiqtë, premtuan njohjen e Shqipërisë me kufijtë e saj Etnik, kjo ide gjeti mbështetje të fortë te forcat liridashëse kur panë se armiqtë sllavë morën vendin nëpër këmbë.  Edhe Fuqitë e Mëdha vendosën të vënë “gurët e ndarjes”, pasi Shqipëria në këtë kohë nuk paraqiste forcë kombëtare midis Ballkanit. Dobësitë e shqiptarëve dhe përçarjet tyre për interesa të ngushta karrieriste bënë që Fuqitë e Mëdha ta ndajnë Shqipërinë copa-copa, sipas interesave të tyre politiko-strategjike, ky popull kreshnik u shndërrua një mall tregu për ta. (V.Xh).

Nga kjo situatë e paraqitur, shqiptarët e panë se nuk mund të pritej më shumë nga Fuqitë e Mëdha, ngase vetëm Austro-Hungaria nuk mund t’u bënte ballë shteteve të tjera evropiane. Prandaj, një pjesë dërmuese e popullatës shqiptare filloi ta kthejë kokën “prapa”, kah Turqia, duke thënë se është më mirë një Shqipëri autonome, se sa një shtet i “përgjysmuar” dhe gjoja i pavarur. Këtë ide më së shumti e propagandonin turkomanët e zakonshëm, të cilët assesi të bindeshin se “Shqipëria mund të ekzistojë edhe pa Turqinë”. Ideologët e kësaj ideje ishin turkomanët Ali Tetova dhe Beqir Grebeneja, dhe ideatori i unionit serbo-shqiptar, Arif Hiqmet Kumanova, të cilit Nikolla Pashiqi i kishte premtuar postin e princit të Shqipërisë në tokat e pushtuara që nga Dibra Tetova deri në Shkup. Ndërsa rryma turkomane ishte paguar nga pushteti xhonturk, për të rrëzuar Qeverinë e Përkohshme, duke  përgatitur “komplot” kundër Ismail Qemalit.[26]

Por Ismail Qemali, si diplomat i shquar me një peshë të jashtëzakonshme në diplomacinë kombëtare dhe njohës i mirë i rrethanave politike në Ballkan e më gjerë, ishte shumë i  interesuar për ruajtjen e unitetit kombëtar në këto çaste kritike për Pavarësinë e vendit. Prandaj, njerëzit e Qeverisë pasi e burgosin Beqir Grebenenë, vetë Ismail Qemali urdhëroi që ta lëshojnë në liri, ndërsa për Esat Pashën ka deklaruar se “ky tradhtar duhet të vritet”.[27]

 

SHTYPI I HUAJ PËR KRYENGRITJEN E SHTRATORIT 1913

 

Shtypi i huaj i dha Kryengritjes së Shtatorit dimensione të mëdha politike. Në anën tjetër shtypi serb luajti anën e prokurorit ku shpeshherë ishte kontradiktor dhe i rezervuar. Gazeta “Pijemont”, më 23 shtator 1913, në vend të dukshëm shkruante për Kryengritjen Shqiptare, por vazhdonte më poshtë se Kryengritja Shqiptare i paska rrënjët diku jashtë vendit, duke involvuar në këtë kryengritje influencën dhe strategjinë austriake, kinse municioni dhe armët janë siguruar nga Mbretëria e Vjenës. Poashtu edhe gazeta tjetër serbe “Narodni list” duke shkruar për Kryengritjen Shqiptare kundër malazezëve dhe serbëve, konstatonte se shqiptarët janë të pajisur me armatim modern, ku vihet në pah se për shqiptarët ka prodhuar shumë armë “fabrika e Shtajerskës”.[28] Më poshtë, kjo gazetë vazhdon të sulmojë politikën italiane e cila shumë “subjektivisht” mundohet t’i sqarojë ngjarjet në Shqipëri dhe më gjerë në Ballkan. Ajo, kryengritjen dhe luftën shqiptare për çlirim e pavarësi dhe bashkëngjitje me shtetin amë, e shikonte si një grindje të re në Ballkan, në mes shteteve ekzistuese, ku Bullgaria dhe Turqia presin ngatërresa të reja për ndarjen e re të Ballkanit. Këto momente dhe trazira  në Shqipëri mund t’i shërbejnë si “instrumente” shumë të lira interesave bullgare dhe atyre turke.[29]

Gazeta serbe “Pijemont” shkon edhe më larg, ku i jep vetes të drejtë që Serbia dhe Mali i Zi të okupojnë të gjitha pikat strategjike që janë në gjendje të garantojnë në të ardhmen “paqen, qetësinë dhe rregullin në Ballkan”. Kjo gazetë serbe, më në fund, pranon se përveç copëtimit të tokave të Shqipërisë, me një ngatërresë “të re” mund të copëtohet edhe ndonjë shtet tjetër që do t’ua shtrinte dorën e bashkëpunimit kryengritësve shqiptarë.[30] Edhe gazeta tjetër serbe “Samouprava”, si organ gjysmë zyrtar i pushtetit, boton në tërësi historinë e kryengritjes dhe merret me studimin e etnogjenezës së saj, duke i involvuar në këtë ngjarje me rëndësi disa shtete, si nxitëse dhe pjesëmarrëse në ndihma materiale.[31]

Shtypi serb në atë kohë ishte i mbushur plot mllef ndaj shqiptarëve. “Veçernje Novosti”, duke folur në kryeartikull, pos të tjerash, kërkon nga udhëheqësit e Malit të Zi dhe Serbisë jo vetëm dëbimin e shqiptarëve nga kufijtë e caktuar në Konferencën e Londrës, por të hyhet edhe brenda Shqipërisë së Pavarur dhe të “pushtohen” të gjitha ato pika dhe lokalitete që do të jenë më të nevojshme për ruajtjen e qetësisë dhe të rendit në kufijtë e posa caktuar, si dhe të kërkohet garancë nga Fuqitë e Mëdha, “që Shqipëria të mos e prishë më paqen dhe qetësinë në mes të Ballkanit”.[32]

Kjo gazetë vazhdon më poshtë me një porosi, se Serbisë dhe Malit të Zi nuk u  mbetet asgjë tjetër veçse ta pushtojnë tërë Shqipërinë e Veriut deri te lumi Shkumbin, ndërsa kah deti të merret njëherë e përgjithmonë Durrësi, Lezha dhe Shëngjini, kurse atje “të valojë flamuri serb”.[33] Serbia dhe Mali i Zi kësaj radhe nuk kanë bërë mobilizim kaq serioz për të bërë “për herë të dytë shëtitje nëpër Shqipëri”, por për ta shkelur dhe gjunjëzuar përgjithmonë Shqipërinë, “atë tokë të pashkelur”, duke vu atje qetësinë dhe rregullin, duke i mbajtur përgjithmonë të nënshtruar nën regjimin serb.[34] Serbia, për këtë projekt, mobilizonte ushtarë të rinj, për t’i çuar në pozicione të tokave shqiptare, të pushtuara në Luftën e Parë Ballkanike, kinse për të shuar kryengritjen shqiptare. Si duket, përparimi i serbëve në Mat, tregon qëllimin e e vërtetë të shtrirjes deri në Adriatik.[35]

Propaganda serbe, për të mobilizuar sa më shumë ushtarë serbë, kishte përhapur lajmin se mbi 80 000 vullnetarë shqiptarë i kanë kapur pushkët dhe janë nisur kundër Serbisë.[36] Komanda serbe, me këtë mobilizim të ri të gjashtë regjimenteve të mobilizuara të Divizionit të Moravës, përgatiste një ofensivë të re luftarake të pushtimit të ri. Ky operacion u pagëzua: “Ekspeditë ndëshkimi”. Qëllimin e kësaj ekspedite kundër etnosit shqiptar, më së miri e shpreh koloneli Stojanoviq, i cili thotë se “sulmet e shqiptarëve do t’i zmbrapsim aq keq, sa që për një mënyrë të tillë vite me radhë do t’u mungojë qejfi për të përsëritur aksione të tilla si kjo kryengritje”.[37]

Koloneli Stefanoviq u deklarua haptazi para diplomatëve të huaj se për humbjet dhe shpenzimet e luftës së tanishme me Shqipërinë, Serbia ka për të kërkuar dëmshpërblime, “por ato do të jenë vetëm kompensim për rritjen e territoreve në favor të Serbisë”.[38]

Gazeta serbe “Samouprava” shkoi aq larg, sa që kërkoi nga Fuqitë e Mëdha thirrjen e sërishme të Konferencës për shpalljen e Pavarësisë së shtetit shqiptar, duke kërkuar arsye që ky vendim i marrë nga Fuqitë e Mëdha është në dëm të shtetit serb.[39] Ky akt është i pavend, sipas shtypit serb, dhe nuk i plotëson nevojat e kohës, “prandaj sot shtetet e tjera ballkanike pësojnë dëme të mëdha financiare dhe politiko-strategjike”.[40]

Opinioni serb shtronte pyetje: në qoftë se Evropa nuk i ndihmon Serbisë që të revidohet vendimi i Konferencës së Londrës dhe Shqipëria të ndahet në mes Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi, atëherë pushteti serb është “i detyruar” që në vendet e pushtuara etnike shqiptare të ndryshojë kursin e veprimit politik: të shkojë në asimilim total, duke përdorur masa rigoroze: “Serbizim me çdo çmim”.[41] Kjo parullë ogurzeze e politikës serbe ishte lëshuar në të gjitha regjimentet e ushtrisë, policisë dhe aradhet çetnike-serbe. Prandaj, djegiet, plaçkitjet dhe vrasjet masive ishin shndërruar në një “sëmundje kronike”, duke filluar prej lart, nga komanda, deri te ushtari i fundit serb.[42]

Derisa komanda serbe mobilizonte ushtarë të rinj kundër kryengritësve shqiptarë, forcat shqiptare nën komandën e Isa Boletinit ishin duke përparuar në të gjitha drejtimet. Isa Boletini, në strategjinë e vet të kryengritjes, ishte shumë i interesuar për çlirimin e Tetovës dhe Gostivarit, për të dominuar me Grykën e Dervenit mbi Zhelinë, pasi kjo pikë strategjike kishte rol dominues për kryengritësit shqiptarë në bllokimin e rrugës Shkup-Tetovë dhe Shkup-Gostivar. Kjo rrugë e vjetër turke, që në luftërat  e tij e kishte shfrytëzuar edhe Skënderbeu në luftërat e tij për ta marrë Shkupin, ka peshë të madhe strategjike ngase kalon rrëzë Malit të Thatë mbi fshatin Çellopek, Miletinë, Çegran, Forinë, Çajle dhe lidhë Shkupin me Gostivar.[43]

Kundër kësaj kryengritje të pastër shqiptare, regjimi i egër serb ishte kundërvu me tërë arsenalin e vet. Politika serbe, në këto rrethana, kishte angazhuar diplomacinë e saj me ndihmën e miqve të vet rusë e frëng.  Ajo, me ndihmën e tyre, do të mundohet të bindë Fuqitë e Mëdha, se shqiptarët janë “fajtorë” që prishin qetësinë në mes Ballkanit, të ndihmuar nga Austro-Hungaria dhe Bullgaria. Për këto arsye, më 26 shtator, në Manastir arriti nga Beogradi shefi i sektorit konsullor në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, zoti Rakiq, për të ndihmuar kinse Komisionin Internacional. Pas arritjes së tij në Manastir, ai ka deklaruar para mjeteve të informimit, duke dashur të minimizojë kryengritjen shqiptare, se “në mesin e kryengritësve shqiptarë janë shumë oficerë bullgarë, me komandantin e tyre, kolonelin Markov”.[44]

Po ashtu, edhe gazeta “Pravda”, boton lajme fantastike, “gjoja për një aleancë të Shqipërisë me Bullgarinë dhe Monarkinë Austriake”. Kështu i kishte deklaruar zoti Pashiq, në vizitën që i bëri Vjenës, ministrit të punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë, kontit Berthold.[45]

Kjo propagandë e hegjemonizmit serbomadh ishte shumë aktive edhe në eshalonët ushtarako-policore. Ekzistonte hidhërimi i madh kundër Austrisë dhe Bullgarisë, për arsye të akuzave serbe se këto kanë nxitur kryengritjen shqiptare me përpjesëtime kaq të mëdha, që, nga kronistët e kohës, u quajt edhe Lufta e Tretë Ballkanike. Prandaj këto forca haptazi deklaronin se “kundra arnautëve të kapur rob do të sillen pa mëshirë dhe do të bëhej shfarosja e tyre”.[46] Gazeta “Odjeg”, organi i “Partisë Radikale Serbe”, shkruante pa zbukurime se “arnautët komandohen prej oficerëve austriakë”.[47] Po ashtu, duhet theksuar se propaganda serbe kishte arritur të “bindë popullatën serbe” se nxitëse të lëvizjes shqiptare është Monarkia Austriake, së bashku me Bullgarinë. Si duket, ajo merr si pretekst për fillimin e kryengritjes, “takimet” e Irfan bej Ohrit  me Millan Matovin.[48] Por këto takime sipas të dhënave më të reja fare nuk kanë pasur ndonjë peshë për udhëheqësit e Kryengritjes së Shtatorit, të cilët kërkonin me çdo kusht çlirimin e trevave të Shqipërisë Lindore dhe bashkim me shtetin amë. (V.Xh)

 

GJENOCIDI SERB NË TREVAT LINDORE SHQIPTARE PAS SHUARJES SË KRYENGRITJES SË DIBRËS

 

Komanda serbe, në këto rrethana, në vend që të qetësonte situatën, ajo ndërmerrte masa tejet të ashpra kundër popullsisë së pafajshme. Arrestimet e shqiptarëve myslimanë dhe turqve vazhdojnë pa ndërprerë. Shqiptarët e arrestuar në burgun e Tetovës nxirren  jashtë qytetit dhe pa gjykim ekzekutohen.[49] Sipas raportit të nënkonsullit austriak, të përpiluar me të dhëna nga terreni në Tetovë, më 8-9 tetor, thuhet se “me të vërtetë po veprohet pa mëshirë kundër “arnautëve” të zënë rob dhe shfarosja e filluar më parë e elementit shqiptar do të kryhet tërësisht”. Posaçërisht shumë keq po sillet ushtria serbe në trevat lindore, ku pati kryengritje të armatosura. Ushtria serbe dhe komitët e  saj po bëjnë  ekzekutime të papara në fshatrat e Tetovës dhe Gostivarit.[50]

Raporti i konsullit Jeliçka në Shkup përshkruan më së miri situatën dhe rrethanat politike në Tetovë dhe më gjerë në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit, pas mbarimit të Kryengritjes së Shtatorit. “Mjerisht, një monotoni e trishtuar duhet ta karakterizojë raportin e këtushëm, duke marrë parasysh përdhunimet dhe shtypjen e pjesës jo sllave të popullatës, zor se mund të ketë vend për të regjistruar të gjitha aksionet e regjimit serb”. Në veçanti, për sa u takon shqiptarëve myslimanë dhe turqve, ka pushuar së ekzistuari çdo siguri e pronës, lirisë individuale, të ndërgjegjes, si dhe e jetës.[51] Më poshtë në raport vazhdon: “Të gjitha xhamitë po mbyllen, pasi imamët e qyteteve dhe të fshatrave refuzojnë që ditën e premte, lutjen e Allahut ta zëvendësojnë me lutjen për sovranitetin e vendit, dhe në vend të Zotit, të përmendet emri i Kral Pjetrit”. Thirrja e ezanit nëpër minaret e xhamive është ndaluar rreptësisht, kështu që me të gjitha mjetet po punohet për “kthimin në fenë ortodokse”.

Sukses më të madh kanë pasur në krahinat kufitare, ndërsa në krahinën e Rrekës dhe Dibrës sot nuk ka mbetur askush prej konfesionit islam.[52] Më 29 nëntor kanë arrestuar shumë shqiptarë në Tetovë dhe Gostivar, shumë prej tyre të besimit islam kanë filluar të braktisin shtëpitë. Vetëm nga Tetova dhe Gostivari, prej 25-29 tetor, mbi 140 familje kanë ikur për në Shkup, për të vazhduar rrugën e migrimit për në Turqi.[53]

Konsulli austriak thekson, më 29 nëntor për të parë gjendjen faktike të shqiptarëve: “vetë e vizitova Tetovën, me qëllim që të bindem për gjendjen dhe situatën faktike, ku me sytë e mi pashë gjendjen trishtuese të shqiptarëve myslimanë”. Ata ishin të terrorizuar nga arrestimet e shumta, endeshin rreth e rrotull të druajtur e të ndrydhur, duke pritur në ankth rastin e vetëm për të shpëtuar nga zgjedha e sundimit serbo-sllav, duke sakrifikuar tërë pasurinë e patundshme, të cilën nuk guxojnë ta quajnë si të vetën”.

Në Teqen e Tetovës, njëra ndër më të pasurat në kohën e Perandorisë Osmane, ku para ardhjes së serbëve jetonin mbi 50 dervishë, duke shërbyer në një qendër të kulturës islame dhe duke dalë në ndihmë kalimtarëve të ndryshëm, të cilët  gjenin strehim dhe ushqim pa pagesë. Me ardhjen e sunduesve serbë në Pollog, ata së pari plaçkitën vendet më të pasura dhe më të bukura të kësaj ane, e pastaj filluan t’i shfrytëzojnë për kazerma dhe nevoja ushtarake, si depo për municion dhe strehimore kuajsh.[54] Në raportin e vet konsulli austriak thotë: Unë dhe nënkonsulli britanik patëm një takim me udhëheqësin e fesë islame, Mutiveliun e Pollogut, Abdyrahman Beun, një shqiptar shumë i zgjuar dhe i nderuar, që kryente detyrën e Mutiveliut të Tetovës. Ky udhëheqës i shquar ishte shumë i pakënaqur me sjelljet barbare të ushtrive serbe dhe se kishte planifikuar të emigrojë në Shqipëri, për t’u bashkangjitur me patriotët e tjerë shqiptarë. Ai mbante lidhje të përhershme me Mehmet pashë Tetovën, Halim Beun dhe patriotë të tjerë që ndodheshin në taborin e Ismail Qemalit, që luftonin për bashkimin e trojeve shqiptare.[55] Ky mbante kontakte me diplomatët e huaj, duke i mbrojtur shqiptarët nga sjelljet e egra të ushtrisë dhe policisë serbe. Deri tani kishte luajtur rol të rëndësishëm me autoritetin që kishte, që të ndalë shpërnguljet e shqiptarëve për në Turqi.[56]

Se çfarë barbarizmash ka kryer ushtria serbe në Pollog dhe më gjerë, mund të konstatojmë nga raporti që na jep konsulli Jeliçka, pasi e vizitoi Tetovën nga fillimi i muajt nëntor të vitit 1913, pas mbarimit të Kryengritjes së Shtatorit. Në rrugën ndërmjet Shkupit dhe Tetovës, e cila është e gjatë 47 kilometra, në të cilën kryhen të gjitha shkëmbimet e prodhimeve në fushën tepër pjellore, e cila shtrihet deri në Gostivar, por edhe në krahinën e pasur dhe të populluar të Dibrës, “nuk takova një njeri dhe as një shtëpi të banuar, me përjashtim të dy haneve nga koha e turqve”.[57]

Shtypi shqiptar i kohës, në artikujt e vet ngriti lart idealet dhe luftën e popullit shqiptar, për çlirim e bashkim kombëtar. Përkrahje të madhe i dha kryengritjes shqiptare edhe shtypi progresiv botëror, duke folur haptazi për terrorin serb, që kryenin paramilitarët serbë dhe pushteti në viset e posa pushtuara shqiptare. Sipas shtypit të kohës, shqiptarët treguan haptazi me veprimet tyre luftarake se kurrë nuk do të njohin sundimin e egër policor serb në trojet e tyre historike, dhe se janë në gjendje çdo herë e  në çdo kohë t’i mbrojnë vatrat e veta edhe me armë.

Pra kjo kryengritje edhe pse zgjati mbi dy muaj fare pak njihet në historiografinë botërore dhe nuk mund të krahasohet as me atë të Ilindenit,  e cila ka zgjatur vetëm një ditë dhe ka përfshi vetëm një qark. Pra, Ilindenit i jepet shumë më shumë peshë në politikën shtetërore maqedonase, ku është e përkrahur edhe nga disa historianë shqiptarë. Ndërsa Kryengritja Shqiptare e Shtatorit, minimizohet nga vetë politikanët shqiptarë dhe institucionet  e saja, nuk mbahet asnjë manifestim as në Kosovë, as në Shqipëri, as në Maqedoni.



[1] Qeveria e Përkohshme e Vlorës… dok. 280.

[2] Telegram nr.618 i Storckut  nga Beogradi, më 27 shtator 1913; shtypi serb mundohet të arsyetojë dorëheqjen e gjeneralit serb Mishiq,  kinse bëhet fjalë për daljen e tij në pension për shkaqe shëndetësore.

[3] Po aty, raport i Strockut  marrë nga gazeta “Srpske novine” nr.198 më 25 shtator 1913.

[4] Gazeta “Samouprava” , Beograd, më 23 shtator 1913.

[5] Gazeta“ Liria e Shqipërisë” më 3 tetor 1913.

[6] Gazeta “Politika”, Beograd, më 23 shtator 1913.

[7] Shënime të mbledhura nga vetë autori i librit,  prill, 2012.

[8] A.M-Shkup, filmi 41-30, “Ratna hronika” ,  f. 396.

[9] Po aty.

[10] Po aty, filmi 41-30 f. 396; sipas të dhënave serbe në këto beteja u vranë nga forcat shqiptare te 400 kryengritës, ndërsa nga ushtria serbe u vranë 4 ushtarë dhe u plagosën 9 veta, këto të dhëna i japim të pa korrigjuara, pasi nuk kemi pasur mundësi t’i verifikojmë në mungesë të dokumentacionit.

[11] HHStA-PAA, Raport i Storckut nga Beogradi drejtuar Vjenës më 4 tetor 1913.

[12] Telegram nr.222 i Zhitkovskit nga Manastiri dërguar Vjenës më 8 tetor 1913.

[13] HHStA-PAA Telegram i Jeliçkos nga Shkupi nr. 131 dërguar Vjenës më 11 tetor 1913.

[14] Po aty,  raporti i njëjtë.

[15] Raporti nr. 218, i nënkonsullit nga Nishi Hofleuer, konsulli austriak Von Storck në Beograd, më 14 tetor 1913.

122 A.M.-Shkup, “Ratna hronika”, filmi 41-30 f. 395.

[16] Petar Stojanov, Makedonija vo vremeto na Ballkanskite i Prvata Svetsaka vojna 1912-1918, vep. e cit. f.198.

[17] Gazeta“  Radniçke novine” ,  Beograd, më 22 tetor 1913.

[18] AQSH-Tiranë, Fondi 136, dos.11 viti 1913.

[19] Raporti nr.145 i konsullit Jeliçka në Shkup,  më 3 nëntor 1913.

[20] Raport nr.143 i konsullit austriak Majerhauser nga Shkodra, më 29 shtator 1913

[21] AQSH- Tiranë, Fondi 170 dos.13 viti 1913.

[22] AQSH-Tiranë, Prefektura e Elbasanit, Fondi 271, dos.34 viti 1913.

[23] AQSH-Tiranë, Fondi 136 dos.11 më 28 nëntor  1913.

[24] Dimitrije Tucoviq, Serbia e Shqipëria, vep. e cit. f. 83.

[25] Bogumil Hrabrak , Arbanashki upadi i pobune, vep. e cit. f.98.

[26] Gazeta “Populli”, Vlorë më 7 maj 1914: ArifHiqmet Kumanova punonte kinse për dovlet,  në anën   tjetër mbronte interesat serbe për shtrirjen e saj në Shqipëri

[27] Telegram nr. 192,  nga Durrësi,  më 3 tetor 1913

[28] Gazeta “Pijemont, Beograd, më 23 shtator 1913.

[29] Po aty.

[30] Po aty.

[31] Shtypi serb kundër politikës austro-hungareze “Samouprava”, “Politika”, “Pravda”,  raport i Von Strock. më 21 tetor 1913; Telegram nr.199. i konsullit austriak nga Beogradi, dërguar Vjenës më 29 shtator 1913.

[32] “Veçrnje novosti”, Beograd,  më 27 shtator  1913,  f.1.

[33] Po aty.

[34] Po aty.

[35] Telegram nr.219, i Bertholdit nga Vjena dërguar Di San Guilano Romë më 18 tetor 1913.

[36] Po aty.

[37] Raport i atasheut austriak Gilinek nga Beogradi më 27 shtator 1913; (qëllimet serbe në lidhje me Shqipërinë.).

[38] Po aty.

[39] Po aty.

[40] Po aty.

[41] Raport i konsullit Jeliçka nga Shkupi Ministrit të punëve të Jashtme të Austrisë, Markagraf, më 29 shtator 1912.

[42] Po aty, Raport i konsullit Jeliçka nga Shkupi.

[43] Vebi Xhemaili, Sundimi i Parë  serb në Pollog 1912-1915, (fejton), ”Flaka e Vëllazërimit”, Shkup 1992.

[44] Raport nga Selaniku, telegram nr. 18 më 28 shtator 1913; Diplomati Milan Rakiçi i ka takuar rrethit të ngushtë të Nikolla Pashiqit,  ka qenë delegat i dërguar në Konferencën e Londrës, me deklaratat e veta dhënë shtypit të asaj kohe njihet në opinion si diplomat shumë tendencioz  kundër zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare në Konferencën e Londrës. Ai Konferencës i ka paraqitur gjithmonë të dhëna të falsifikuara në lidhje me kufijtë dhe popullsinë e Shqipërisë Etnike para diplomacive të huaja.

[45] Telegram nr. 121 i zëvendës konsullit nga Nishi,  më 11 tetor 1913.

[46] Telegrami nr. 218, i konsullit austriak Strock nga Beogradi,  më 14 tetor 1913.

[47] Gazeta “Odejg” Beograd,  më 29 shtator 1913.

[48] Album Almanaha “Struga” vep. e cit. f.102; Shpifjet serbe janë të pabaza, pasi çeta e Millan Matovit dhe Petar Çaulevit që ka vepruar në mes Kërçovës dhe Ohrit nuk ka pasur më shumë se 100 komitë.

[49] Telegram nr.148 i konsullit austriak nga Shkupi,  më 6 tetor 1913.

[50] Raporti i nënkonsullit austriak nga Shkupi,  më 11 tetor 1913.

[51] Raporti i konsullit Jeliçka nga Shkupi,  më 3 nëntor 1913.

[52] Raporti i konsullit Jeliçka po aty, më 3 nëntor 1913.

[53] Po aty.

[54] Po aty ; në këtë raport shihet qartë se serbët në këto anë kanë plaçkitur gjithçka, edhe në këtë raport të konsullit austriak dhe zëvendës konsullit britanik, të cilët në mënyrë energjike ndërhynë te gjenerali i ushtrisë serbe Mishiq, që të urdhërojë oficerit serb, për të kthyer kalin arab të Sheh Babës të grabitur nga teqeja e “Harabatit” në Tetovë, i cili shërbente për nevojat e teqesë.

[55] Raporti i konsullit austriak nga Shkupi më 3 nëntor 1913; Abdyrahman beu mbante lidhje të ngushta me Shkupin, Prizrenin, Sofjen, Bukureshtin dhe qytete tjera me rëndësi për çështjen tonë shqiptare. Ky patriot kishte lidhje të ngushta patriotike edhe me Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Elez Jusufin. Ai i informonte ata për të gjitha ngjarjet që ndodhnin në Tetovë dhe Gostivar. Ky atdhetar mbante lidhje të ngushta me Qeverinë e Përkohshme të Vlorës duke e informuar për të gjitha rrjedhat politike në Pollog.

[56] Po aty.

[57] Po aty, raporti i njëjtë.

Filed Under: Histori Tagged With: 100 vjetori i kryengritjes, Beteja mbi Mavrove, Prof. Dr. Vehbi Xhemaili

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT