Takimet që filluan në Serbi dhe që do të përmbyllen në Serbi janë ambalazh i ri i projekteve të vjetra/
Nga Bardhyl Mahmuti/
Në samitet që u mbajtën në Berlin (28 gusht 2014), në Vjenë (27 gusht 2015), në Parisi (4 korrik 2016) dhe në Trieste (13 korrik 2017) përfaqësuesit më eminent të BE-së u përpoqën të mbanin të hapur perspektivën evropiane për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjën.
Është plotësisht e vërtetë se në përputhje me nivelin e takimeve, në të gjitha këto samite shteti i Kosovës është përfaqësuar me udhëheqësit e institucioneve të veta.
Në të gjitha këto takime u tha në mënyrën më të qartë të mundshme se “ardhmëria e shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është investim strategjik për paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet të Europës në tërësi”. Nga ky këndvështrim, “ata përshëndetën angazhimet që shtetet e Ballkanit Perëndimor të promovojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë regjional”.
Pjesëmarrja përfaqësuesve të institucioneve të shtetit të Kosovës në këto takime ka qenë në përputhje të plotë me orientimet politike të vendit tonë për integrim në BE. Të përmenden “darkat dhe drekat që udhëheqësit e Kosovës paskëshin ngrënë me përfaqësuesit e Serbisë gjatë këtyre takimeve”, ashtu siç bën z. Edi Rama dhe tellallët e tij /gazetarë që janë futur në paketën e “ligjit antishpifje”, janë manipulim i neveritshëm. Të gjithë ata që përmendin takimet paraprake, të udhëhequra nga BE-ja, dhe fajësojnë udhëheqësit e Kosovës se gjoja “kanë futur vendin në rrugë qorre dhe kanë izoluar Kosovën” pse nuk morën pjesë në tri takimet e “Mini-Shengenit” serb, janë vënë në shërbim të fshehjes së realitetit dhe përhapjes së gënjeshtrave.
Përhapja e gënjeshtrave dhe fajësimi i udhëheqësve të Kosovës për mospjesëmarrje në takimet që nuk kanë asgjë të përbashkët me procesin e filluar nga BE-ja nuk është asgjë tjetër pos strategji e shfajësimit të palës serbe.
E vërteta qëndron në faktin se iniciativat e BE-së për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor u minuan nga serbët e Bosnjës. Të rikujtojmë se edhe gazetarët që sot hungërojnë kundër “hipokrizisë së politikanëve të Kosovës”, më 6 korrik të vitit 2019 publikuan lajmin se “Për shkak të ‘ftesës denigruese’, Thaçi refuzon ftesën e Dodik për në Samitin e Sarajevës”. Në shkrimet që publikuan këtë lajm thuhet në mënyrë të qartë se “kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik ka thënë se Hashim Thaçi nuk është ftuar në cilësinë e Presidentit të Kosovës, në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që do të mbahet në Banja Llukë, por si përfaqësues i Prishtinës” dhe se “Dodik ia ka bërë të qartë Hashim Thaçit se ai duhet të kuptojë që Kosova është pjesë e Serbisë”.
Nuk ka turp më të madh sesa të fshihet ky fakt dhe të fajësohen udhëheqësit e Kosovës pse nuk marrin pjesë në takime të tilla.
As z. Edi Rama e as tellallët e tij nuk mund ta fshehin faktin se refuzimi i pjesëmarrjes në këtë samit nuk ishte futje e “Kosovës në rrugë qorre” nga ana e udhëheqësve të Kosovës, por qëndrim në përputhje të plotë me interesat e shtetit të pavarur të Kosovës. Të mos harrojmë se në atë kohë, edhe Kryeministri i Shqipërisë e refuzoi pjesëmarrjen në samitin e Banja Llukës dhe për këtë veprim askush nuk e akuzoi z. Edi Rama se “po e futë Shqipërinë në rrugë qorre”. Përkundrazi! Solidarizimi me Kosovën ngjalli një simpati të madhe te qytetarët e Kosovës.
Në të njëjtën periudhë kohore kur kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik i kujtonte Hashim Thaçit se “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe e ftonte të merrte pjesë në samitin e Banja Llukës “si qytetar i Prishtinës”, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev doli me qëndrime të njëjta. Në intervistën dhënë “Kurir TV” të Serbisë, Zoran Zaevi mohoi gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët, deklaroi se gjoja “Kosova është zemra e Serbisë dhe se aty është historia e Serbisë” dhe përsëriti qëndrimin e vet kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.
Në përputhje të plotë me pikëpamjet e lartpërmendura, më 24 dhjetor 2019 Zoran Zaev deklaroi: “Kosova mund t’i bashkohet iniciativës, por Kosova dëshiron të ftohet si një shtet më vete, e cila nga ana tjetër është pjesë e një problemi të pazgjidhur me Serbinë, ku vendet e tjera nuk mund të ndërhyjnë”.
Ndryshimi i rregullave të lojës që ishin vendosur nga BE-ja dhe përpjekja për t’i imponuar Kosovës kushte të papranueshme është njëra anë e medaljes. Anën tjetër të medaljes e përbëjnë përpjekjet ruso-serbe për grusht-shtet në Mal të Zi dhe mbështetja e forcave maqedonase që janë kundër BE-së dhe kundër NATO-s. Strategji ruse ka për qëllim të krijojë zonën e saj të influencës në këtë pjesë të Europës Juglindore dhe ta kthejë në digë kundër BE-së dhe NATO-s.
Takimet në Novi Sad, në Ohër dhe në Durrës nuk janë vazhdimësi e samiteve që u mbajtën në Berlin, në Vjenë, në Parisi apo në Trieste. Madje edhe vetë z. Edi Rama e titullon publikimin si “Takimi i 3-të Rajonal për Ballkanin Perëndimor”.
Takimet që filluan në Serbi dhe që do të përmbyllen në Serbi nuk janë asgjë tjetër pos një ambalazh i ri i projekteve të vjetra. Për këtë veprim që nuk ka përkrahjen e fuqive të mëdha të BE-së dhe të SHBA-ve, në intervistën ekskluzive për emisionin “Stav” të TV O2, të datës 23 dhjetor 2019, Aleksandar Vuçiq deklaroi se “Edi Rama ka treguar një guxim që rrallë shihet te politikanët ballkanas. Unë e di sesa është e rrezikshme dhe aspak naive kur u kundërvihesh të mëdhenjve evropianë apo të tjerë”.
“Kushdo qoftë që e ka përmendur apo kërkuar bashkimin të Ballkanit dhe të ballkanasve, ai e ka pësuar. Edhe mbreti Alekdandar edhe Svetozar Markoviqi e kanë pësuar në mënyra të ndryshme (…) Mbreti Aleksandar Karagjorgjeviq ka qenë një njeri mjaft i dijshëm dhe jashtëzakonisht i guximshëm. E akuzojnë se ka vendosur diktaturën në kohën kur e ka shpëtuar shtetin që e ka formuar dhe ka mbrojtur të drejtën e serbëve që të jetojnë në një shtet. Ka rrëfimet, për të cilat nuk kemi fakte, se Zhorzh Klemanso (Georges Clemenceau) i ka thënë që ta vizatojë deri ku është Serbia e Madhe dhe ta marrë atë territor. Edhe pse një gjë e tillë nuk dëshmohet me asgjë, shumica e serbëve kanë qëndrim negativ ndaj mbretit Aleksandar Gjorgjeviq, pikërisht për këtë arsye. Ka qenë plotësisht e qartë se ka qenë e vetmja formë shtetërore që ka mundur të krijohet, ku serbët do të jetonin në një shtet. Dhe për herë të parë një gjë të tillë ka arritur ta bëjë mbreti Aleksandar së bashku me serbët e asaj ana të Drinës dhe të Danubit (…). Dhe për atë e ka vrarë organizata ku kanë qenë ustashët si Ante Paveliqi, VMRO-ja por bullgare e Vlado Çernozemskit, shërbimet sekrete italiane, angleze dhe të vendeve të tjera. Si ka mundur të jetë i keq për Serbinë kur të gjithë kanë dashur ta likuidojnë?!”.
Në ndërhyrjen e gazetarit Milovan Jovanoviq se “kritikuesit e Mini-Shengenit thonë se ky projekt parasheh krijimin e Jugosllavisë së Re, në Prishtinë flitet se po bëhet Serbia e Madhe, ndërkaq në Serbi thonë se je duke bërë Shqipërinë e Madhe” Aleksandar Vuçiq deklaron në formë sarkastike: “Të gjithë e kanë kuptuar! Mendoj se ajo është mirënjohja më e mirë për iniciativën tonë”.
Po, po! Në Kosovë të gjithë kanë kuptuar se në kohën kur shteti serb u heq nënshtetësinë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjes, me qëllim që t’i shpallë si apatrid, presidenti serb Aleksandar, njëlloj si dikur mbreti serb Aleksandar, përpiqet të heq kufijtë e shteteve përreth, që serbët të jetojnë në një shtet. Në këtë kontekst, z. Edi Rama duhet të sqarojë pse pranoi të shkonte në takimin e Novi-Sadit në Serbi, atje ku nuk ishte ftuar Kosova, dhe pse ka pranuar të bëhet tellall i një projekti që Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë.
Aleksandar Vuçiq sqaroi qëllimet politike të “Mini-Shengenit” serb. Ndërkaq, propaganda për krijimin e të ashtuquajturës “zonë e lirë e qarkullimit të kapitalit” nuk është asgjë tjetër, pos zhurmë për të fshehur qëllimin e vërtetë të krijimit të një “zone” ku do të qarkullojnë lirshëm paratë e pista, ku “kapitali” i grumbulluar nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni do të shitet si “investim i jashtëm”.