Opinion nga Skënder Buçpapaj/*
Në ditën e tij të tretë në çadër, kryetari i PD-së Lulzim Basha iu tha gazetarëve se nuk largohet andej pa zgjedhje të lira, siç iu ka premtuar qytetarëve dhe shtoi: “Zgjedhje të lira ka e do të ketë vetëm me një qeveri pa Edi Ramën kryeministër.”
E vërteta është se, edhe sikur në krye të qeverisë të vijë paraardhësi i Ramës, edhe sikur të vijë automatikisht menjëherë vetë mëtuesi për pasardhës të Ramës, edhe sikur të vijë cilido prej pjesëtarëve të politikës, aktivë apo pasivë, në krye të çdo qeverie, me këtë klasë politike, zgjedhje të lira në Shqipëri, siç nuk ka pasur, as nuk do të ketë.
“Edhe ne, sikur ju, duam zgjedhje të lira,” i tha në reagimin e tij të parë, në ditën e parë të çadrës, kryeministri njëherësh “kryesocialisti” Rama “kryedemokratit” kryeopozitar Lulzim Basha. Zgjedhjet në Shqipëri secila palë i konsideron të lira kur i jepet mundësia për të vjedhur më shumë se pala tjetër. Palët në pushtet, gjithsesi, nuk mund të ankohen pse opozitat vjedhin më shumë vota. Vetëm Partia Demokratike, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve me shumë palë, duke qenë vetë në pushtet më 2013, u ankua se opozita ia vodhi votat, ia bleu votuesit dhe komisionerët me para të thata në dorë dhe me premtime boshe elektorale.
Nga reagimi i Ramës merret vesh lehtë tundimi i tij i pafshehur dhe, nëpërmjet tij, i Partisë Socialiste, që edhe ai dhe partia e tij të jenë në çadër me Bashën dhe me Partinë Demokratike. Sepse kauza e shprehur, ajo e zgjedhjeve të lira, por edhe kauza e pashprehur, ajo e mbrojtjes nga reforma në drejtësi, janë të përbashkëta.
Madje Rama e tha shkoqur në mbledhjen me grupin parlamentar “socialist” se “çadra e protestës” po përdoret si strehë “për t’u mbrojtur nga reforma në drejtësi”. Pra, vendi i Partisë Socialiste është pikërisht aty, në çadrën e ngritur nga Partia Demokratike. Sepse, duke mbrojtur veten e tyre nga reforma, “demokratët” po i mbrojnë edhe “socialistët”.
Rama tha se bojkotimi i Kuvendit nga opozita “ka për qëllim bllokimin e Vettingut”. Pra, opozita është edhe misionare e qeverisë në “protestën” e saj në çadra.
“Protesta” e opozitës po bëhet në një kohë kur Kuvendi i Shqipërisë duhet t’ia japë vendit reformën zgjedhore, duke e nxjerrë përbërjen e re të këtij institucioni nga kthetrat e kryetarëve të partive, në radhë të parë Ramës, Bashës e Metës, por edhe Blushit, Mediut, Idrizit, Ndokës e të tjerëve. Dhe duke ua dhënë zgjedhësve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë mundësinë të sjellin në kuvend të parapëlqyerit e tyre dhe jo kriminelët e radhës.
Basha gjoja kërkon qeveri teknike për ta çuar vendin në zgjedhje të reja të lira, të drejta, të ndershme. Asnjë qeveri e vendit, asnjë qeveri e importuar nga jashtë, as më e mira e të mirave, nuk mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve sa më të besueshme nga qytetarët pa një reformë zgjedhore e cila të garantonte një përbërje të re sa më të pranueshme të Kuvendit.
Në vend të reformës ai kërkon votim elektronik, diçka që edhe vetë Zvicra, me tekonologjinë e saj të përkryer, e ka në fazë eksperimentale, ende vetëm në dy kantone. Diçka që ia kërkon Partisë Socialiste sot, asnjëherë nuk provoi ta bënte vetë Partia Demokratike kur ishte në pushtet, qoftë edhe në zgjedhjet e pushtetit lokal, në zona sado të kufizuara.
Rama, në mbledhjen me grupin parlamentar të PS-së, i urdhëroi deputetët t’i shtojnë lidhjet e tyre me bazën: “qe te mos merren me komente ne rrjetet sociale per protesten e opozites” dhe “te dalin ne zonat ku jane caktuar se bashku me te deleguarit e qarqeve per te takuar qytetaret”.
Gjoja opozita, në vend që të jetë më e shkrirë se kurrë me bazën e saj të mundshme, me elektoratin, me “popullin demokrat”, ka zgjedhur çadrën e “protestës”, ku nuk mungon asgjë tjetër me rëndësi përveçse Partia Socialiste.
*Opinioni është i autorit