• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ylber Dauti, avokati shqiptar që diktoi ndryshimin e ligjit në shtetin e Nju Jork-ut

January 8, 2014 by dgreca

Avokati shqiptar Ylber Dauti fiton një çështje gjygjsore që tërheq vëmendjen e shtypit amerikan. Klienti i tij shqiptar, i aksidentuar një vit pasi kishte marrë deportim nga emigracioni, fiton një shumë prej 1 milion e 680 mijë dollarë/

Nga Dalip Greca/

Ne Foto: Avokati Ylber Dauti në zyrën e tij në katin e 28 në 233 Broadway në Nju Jork./

Çështja ka bërë bujë dhe është lakuar gjatë në mjediset e gjykatave njujorkeze dhe në shtypin amerikan. Gazeta “New York Law Journal” në numërin e saj të 18 qershorit 2009, e kishte klasifikuar si çështjen më të veçantë atë që kishte mbrojtë avokati shqiptar Ylber Dauti përballë Jurisë dhe gjyqtarit Massaro. Shkrimi që trajtonte gjyqin trejavor, ku personazhe ishin dy shqiptarë, paditësi, që po e shënojmë vetëm me  incialet MJ, (me kërkesën e tij) dhe avokatit mbrojtës Ylber Dauti, ishte botuar në faqen e  parë të gazetës, shoqëruar me një fotografi të gjyqtarit Massaro dhe me vijim në Faqen e  dytë, ku opinioni i avokatit zinte vend qendror.

“NewYork Law Journal” është gazeta më me reputacion në Amerikë në fushën e ligjeve. Për shkak të natyrës së veçantë të çështjes gjyqsore, për shkak të verdiktit të Jurisë për një shumë të madhe dëmshpërblimi (1 milion e 680 mijë dollar), për shkak të vendimit unik që mori gjykata, për herë të parë në historinë e Gjykatave të Nju Jork-ut dhe që mund të shërbejë edhe për ndryshimin e ligjit me  kalimin e kohës, ka botuar vendimin e plotë të gjykatës në gazetën e datës 19 qershor 2009.

Gazetari që ka shkruar artikullin (Daniel Wise) është nga gazetarët me përvojë të gjatë dhe me reputacion në gazetë. Nga të gjithë avokatët që ishin përfshirë në këtë çështje të vështirë, ai ka zgjedhur opinionin e Dautit për lexuesit e gazetës.Madje gazetari sjell edhe një kritikë të avokatit shqiptar ndaj një aspekti të vendimit të gjykatësit. Konkretisht Dauti dhe gjykatësi kishin një ndryshim opinioni përsa i përket interpretimit të ligjit, që ishte vendosur nga Gjykata në vitin 2006, që kishte përqasje me çështjen që gjykohej atë kohë. Në fakt çështja që vihej në referencë nuk bënte fjalë për urdhër deportimi, por për një person të punësuar në të zezë. Dauti kërkoi që Juria duhej të përcaktonte jo vetëm dëmshpërblimin për të ardhurat për shkak të paaftësisë për t’u rikthyer në punë, por njëkohësisht edhe dëmshpërblimin për shpenzimet mjekësore. Gjykatësi vendosi që dhe shpenzimet mjeksore t’i fuste në shumën e përcaktuar nga Juria, ndërsa Dauti debatoi duke kërkuar që këto shpenzime të ishin plus. Gazeta i ka dhënë hapësirë interpretimit të avokatit shqiptar, i cili e cilësoi të gabuar vendimin e gjykatësit për aspektin e shpenzimeve mjeksore.

Çështja e bujshme që mbrojti avokati shqiptar u bë ogjekt edhe në gazetën e qytetit të Nju Jork-ut,  “Gotham Gazzete”, e  cila me 29 qershor 2009 botoi shkrimin me titull ”Intrigë politike në një gjyq civil”. Autorja e shkrimit, Emily Goddman, e cila është gjyqtare e Gjykatës së Lartë të Nju Jork-ut, që ndodhet në Manhattan, ka sjellë në faqet e gazetës opinionin e saj për çështjen gjyqsore, dhe në dy paragrafë të shkrimit citon avokatin shqiptar Ylber Dauti, duke vlerësuar profesionalizmin e  tij.

 

Historia e emigrantit nga Kosova

 

Emigranti shqiptar kishte vendosur të provonte ëndrrën amerikane pasi jeta në Kosovë i ishte bërë e pamundur. Ai e pat përjetuar dhimbshëm tragjedinë e shkaktuar nga serbët që patën okupuar Kosovën dhe kishte humbur babanë, i cili kishte vdekur ndër masakra në kohën e luftës, ndërsa ai vetë pat kaluar në Shqipëri. Kur NATO mori në mbrojtje Kosovën pas bombardimeve, shqiptari i Kosovës u kthye në vendlindje, por për shkak të aktivitetit të tij politik, ai sërish pati probleme.

MJ  kishte marrë rrugën për këtej oqeanit në vitin 2003, pa pasur një mundësi ligjore që të vinte këtu me dokumente të rregullta.

Me një pasaportë fallso ai ia kishte dalë që të mbërrinte në SHBA. E vetmja rrugë që të pajisej me dokumente të rregullta ishte kërkimi i azilit politik, por Gjykata e Emigracionit ia refuzoi dhe i dha atij urdhër deportimi. Shqiptari, si shumë të tjerë nuk iu bind urdhërit me shpresë se koha do të bënte të vetën. Pikërisht, një vit pasi kishte marrë urdhërin për të ikur nga Amerika, ai aksidentohet në punë dhe pëson lëndime të rënda fizike që e kthejnë në invalid.

 

Betejë e ashpër mes avokatëve

 

Avokati Ylber Dauti, ishte ndër të paktët që i kishte afruar ndihmë përmes firmës së tij ”The Dauti Law Firm, Inc” shqiptarit të dëmtuar. Aspektet e çështjes ishin delikate dhe avokatët e patën refuzuar asistencën e  tyre. Pala kundërshtare në gjyq pretendonte se niveli i dëmshpërblimit që duhej të merrte shqiptari në këtë rast duhej të kufizohej në mënyrë automatike për shkak të statusit të emigracionit. Avokatët e palës së paditur e kishin ndërtuar strategjinë e tyre me rrëzimin automatik të padisë sepse paditësi nuk kishte status qëndrimi në SHBA, jo vetëm kaq por  ai kishte marrë edhe një deportim, para se të aksidentohej.

Duke qenë se aplikimet e shqiptarit për azil politik nuk janë vendosur ende nga gjykata,(ai sërish e ankimoi çështjen pas aksidentit dhe Gjykata e Apelit e riktheu për shqyrtim) problemi mbetej ende i komplikuar. Për shkak të kësaj, pala tjetër insistonte që ky individ, edhe nëse dëmshpërblehej(ata i patën afruar vetëm 25 mijë dollarë) nuk duhej ta gëzonte të drejtën e  dëmshpërblimit mbi bazën e kostos së jetesës në SHBA. Arsyetimi i tyre bazohej në mundësinë që ekzistonte për humbjen e kërkesës për statusin e azilit politik. Në këto kushte, argumentonin ata,  ai do të detyrohej që të kthehej në vendin e tij, në  Kosovës, ku standardet e jetesës kanë kosto tepër më të ulët se në SHBA. Avokati i palës së paditur këmbënguli që t’i bllokohej shqiptarit “mashtrues” e drejta e dëmshpërblimit sepse ai nga dita në ditë mund të merrte vendimin përfundimtar të emigracionit që të kthehej në vendlindje.

Mbrojtja e avokatit Ylber Dauti, qe shumë bindëse, e ndërtuar me argumente juridike e njerëzore, duke i lënë hapësirë humanizmit.Ai e orientoi mbrojtjen në të drejtën ligjore të  klientit të tij për të përfituar shpërblim sipas kostos të standarteve të jetës në Amerikë sepse këtu ishte aksidentuar. Klientit të tij, nuk kishte arsye që t’i bllokohej në mënyrë automatike e drejta e dëmshpërblimit për shkak të statusit të pavendosur të emigracionit. Duhej të ishte Juria ajo që të vendoste nëse shpërblimi do të bëhej mbi standartet  amerikane apo ato të Kosovës!

Gjykata arriti në përfundim se kërkesa e avokatit shqiptar ishte e drejtë. Kjo ndodhte për herë të parë, ç’ka dikton ndryshimin e ligjit në shtetin e Nju Jork-ut për raste të ngjashme. Vendimet e më parshme për ndodhi të përafërta kishin qenë të pafavorshme për klientët.

Paditës që kanë qenë në të njëjtën situatë si klienti i avokatit Dauti, kanë qenë humbës të dëmshpërblimeve. Ligji në shtetin e  Nju Jork-ut nuk e ka të prerë se si duhen trajtuar raste të kësaj natyre?

 

Situatë konfliktesh mes ligjeve federale

 

 

Avokatiu Dauti spjegon për Illyria-n se situata e klientit të tij si emigrant përcaktohet nga Ligji i emigracionit, që diktohet nga Qeveria Federale dhe Ligji i shtetit të Nju Jork-ut. Në rastin konkret  paraqitej një situatë konfliktuale mes asaj çfarë kërkojnë ligjet federale për çështjen e emigracionit dhe asaj çfarë kërkojnë ligjet e dëmshpërblimit civil për një person që jeton në shtetin e Nju Jork-ut, kur aksidentohet. Dëmshpërblimi civil bazohet në bazë të rregullave shtetërore të shtetit të Nju Jork-ut, kurse çështja e emigracionit përcaktohet nga ligjet Federale, që funksionojnë për të gjithë Amerikën.

Beteja në këtë gjyq zhvillohej për konflikt të interpretimit të ligjit dhe dy palët e avokatëve provonin aftësitë juridike. Argumenti i përdorur nga pala tjetër ishte se  Ligji Federal e pengon ose e ndalon ligjin shtetëror të Nju Jork-ut, që të japë përfitime në dëmshpërblimet civile për perosna që janë ilegalisht në Amerikë. Në fakt, vetë ligji nuk ishte i qartë. Ka interpertime jo të qarta për situata që nuk kanë qenë identike me raste të tilla. Ka pasë raste në të kaluarën për emigrantë, që kanë hyrë ilegalisht në Amerikë dhe askush nuk e ka ditë. Mirëpo në rastin e avokatit Ylber Dauti, shqiptari i Kosovës, që ishte aksidentuar, dihej se kush ishte, madje kishte dhe një urdhër deportimi për të.

Detyra e avokatit vështirësohej sepse vendimi për deportim ishte dhënë para se klienti i tij të aksidentohej. Argumenti i palës tjetër ishte se ky njeri që kërkonte dëmshpërblim nuk kishte pse të ndodhej në Amerikë në çastin e aksidentit sepse duhej t’i ishte bindur urdhërit të deportimit një vit më parë. Ky njeri, sipas tyre, ka shkelë ligjet e  Amerikës sepse nuk i është bindur një urdhëri deportimi që ka lëshuar Gjykata Federale, Bordi i Apelit të Emigracionit.

 

Edhe halla e presidentit Obama ka marrë deportim, por jeton në SHBA

 

 

Avokati Dauti, pohon se e kishte të qartë shkallën e vështirësisë së misionit të tij. Në të kaluarën gjykatat janë marrë me raste kur nuk ka pasur urdhër deportimi ndaj dikujt. Dhe në raste të tilla ka pasë lehtësi sepse  personat nuk kishin shkelë një urdhër gjykate, si në rastin e  shqiptarit të Kosovës. Ishte fakt i pamohueshëm se veprimi i klientit të tij ishte në kundështim me ligjet federale për emigracionin sepse nuk kishte respektuar vendimin e deportimit.Mirëpo ai këmbënguli se ky njeri i aksidentuar duhej të jetonte dhe për këtë duhej të dëmshpërblehej. Mirëpo pala tjetër këmbëngulte se një shkelës ligjesh nuk kishte pse të dëmshpërblehej.

Si kundërpërgjigje, avokati Dauti u çoi në vëmendje se ligji i shtetit të Nju Jork-ut nuk ka asgjë të shkruar për raste kur një person ka urdhër deportimi e më pas aksidentohet. Pala tjetër protestonte duke argumentuar se nëse ky përfitonte atëhere shkelej ligji federal për emigracionin, që personit i kishte dhënë deportim.

Argumenti që Dauti përdori ishte se pavarësisht se Ligji i shtetit të Nju Jork-ut nuk e përcakton këtë, logjika njerëzore dhe aspekti i filozofisë së ligjit, është i tillë, që kur dikush dëmtohet për faj të dikujt tjetër, ai duhet të përfitojë, pavarësisht se ai ka shkelë ligjet federale për emigracionin.

Logjika juridike dhe njerëzore e avokatit shqiptar i dhanë kthesë gjyqit. Ai tha se nëse klienti i tij nuk do të përfitonte dëmshpërblimin vetëm për arsye se kishte marrë deportim, atëhere gjykata do të promovonte marrjen në punë nga punëdhënësit amerikanë të personave që kanë urdhëra deportimi, për shkak se atyre u ligjërohej mosdëmshpërblimi i tyre në rast aksidentesh. Ai tërhoqi vëmendjen se po krijohej një situatë që do të stimulonte marrjen e këtyre njerëzve në punë, që jo vetëm kanë një kosto të ulët, por dhe lehtësira në rast aksidentesh.

Analiza e avokatit Dauti bazohej në krahasimin e kostos dhe të përfitimeve, që gjykatësi duhet t’i merrte në konsideratë gjatë nxjerrjes së vendimit. Argumenti i avokatit Dauti ishte se në rast se gjykatësi do të vendoste, që ky njeri i aksidentuar nuk kishte të drejtë që të kompensohej vetëm për shkak se kishte shkelë ligjin federal, ku kishte një urdhër deportimi ndaj tij, atëhere, ne duhet ta shohim në sy realitetin e këtushëm.

Ka shumë njerëz që kanë urdhëra deportimi, por ende qëndrojnë këtu sepse kanë ardhur pas ëndërrës për të jetuar në Amerikë. Shumica e këtyre njerëzve nuk largohen, edhe pse ndaj tyre ka urdhëra deportimi, që u diktojnë largimin nga vendi i ëndërrave. Madje, avokati shqiptar, ia kujtoj gjykatësit (off the record) se edhe halla e presidentit Barack Obama ka pasë urdhër deportimi që në vitin 2004, por nga ky vit e deri tani në 2009 vazhdon që të jetojë në Amerikë në kundërshtim me urdhërin e  Gjykatës. Jo vetëm kaq, por ajo ka jetuar në Publick House.

– E përmenda këtë rast, jo për ndonjë arsye politike, por vetëm për t’i treguar gjykatësit se thyrja e urdhërit të deportimit në Amerikë është një gjë e zakonshme. Pra nuk është vetëm klienti im që po kërkohet të penalizohet vetëm për këtë arsye, spjegon për Illyria-n, avokati Ylber Dauti.

 

 

Argumentet që bindën Jurinë

 

 

Pala kundërshtare po e paraqiste shqiptarin si një rast të jashtzakonshëm, si një monstër, gati si një përbindësh që nuk pyet për ligjet federale dhe se në ato kushte nuk duhej të meritonte asnjë dëmshpërblim. Ndërsa Dauti, në të kundërt u kap në aspektin human të trajtimit të problemit, duke arritur në përfundimin se një shkelje të tillë të ligjit e bëjnë dhe shumë njerëz të tjerë këtu. Penalizimi i klientit të tij do të përbënte një shkelje të drejtave të njeriut; nuk do të ishte humane që atij t’i mohohej shpërblimi për dëmin shëndetësor, që iu shkaktua nga pala e paditur. Do të ishte antiamerikane, arsyetoi para gjykatësit dhe Jurisë avokati Dauti, sepse ky është një vend i ndërtuar me ëndrrat e emigrantëve nga e gjithë bota, shumë nga të cilët kanë ardhur këtu edhe ilegalisht dhe kanë qëndruar derisa e kanë marrë statusin qoftë nga amnistitë, qoftë edhe përmes ligjeve, duke u stabilizuar një herë e përgjithëmonë këtu. Përveç humanizmit, të qenurit emigrant, arsye e tretë, që paraqiti Dauti, ndoshta më e rëndësishmja, që ndikoi tek gjykatësi dhe juria, ishte:Në përgjithësi punëdhënësit në shtetin e Nju Jork-ut, veçanërisht ata të fushës së ndërtimit, përpiqen që ta bëjnë punën sa më lirë në kosto dhe nuk krijojnë kushtet e  duhura të sigurisë për jetën e  punëtorëve në përshtatje me kërkesat e ligjit. E vetmja arsye, që ata përpiqen që të shpenzojnë diçka për kushte sigurie është se ata i friken penalizimit nëse dikush u dëmtohet në punë.Nëse gjykata do të vendoste se një grup njerëzish që ishin ilegalisht në Amerikë në çastin e  dëmtimit, nuk u takonte dëmshpërblimi, atëhere të gjithë punëdhënsit do të preferonin që për të ardhmen të merrnin në punë vetëm këtë kategori personash sepse edhe nëse dëmtoheshin ata nuk do t’u paguanin atyre dëmshpërblim.Kjo praktikë do të ndihmonte në krijimin e një filozofie, që do të kishte efekte negative edhe për punësimin e shtetasve amerikanë. Këta do ta kishin më të vështirë për të gjetur punë nga që punëdhënsit do të preferonin kategorinë e atyre që nuk dëmshpërbleheshin në rast aksidentesh.

 

Gjykatësi, në përpilimin e vendimit, vendosi, që klienti shqiptar dhe të tjerëve si ky në ardhmen, t’u njihet e drejta e dëmshpërblimit, pavarësisht se ka pasur një urdhër deportimi nga emigracioni përpara se atyre t’u ndodhte aksidenti. Pala tjetër nuk kishte më argument për të kundërshtuar.

Avokatit Dauti kishte fituar admirim, kur solli në vëmendje të gjykatësit se në bazë të rregulloreve të Departamentit të Sigurisë, nuk është shkelje ligji të punosh pa letra, por është shkelje ligji për punëdhënsin, që punëson një punëtor ilegal.Pasi kishte sjellë argumentet ligjore dhe njerëzore, avokati shqiptar kërkoi që klienti i tij nuk meritonte të paraqitje si monstër para Jurisë nga pala kundërshtare, vetëm për shkakun se kishte punuar pa letra apo pse kishte marrë deportim si emigrant i paligjshëm.

 

Përse e shkeli këshillën e shkollës së ligjeve, Ylber Dauti?

 

I drejtoj një pyetje avokatit: -Pasi ka përfunduar gjithë kjo histori dhe keni triumfuar, si ndjehet avokati Dauti nga ana profesionale dhe njerëzore?

– Një nga ndihmësit e mi amerikan, pasi përfundoi gjyqi, më tha se gjatë procesit, kur unë mbaja për një orë e gjysëm fjalimin mbrojtës, klientin tim e kishte parë duke derdhur lot.

Më mallëngjeu ky rrëfim. Do të ishte mirë ta kishte parë Juria duke qarë se pala kundërshtare e paraqiti si përbindësh, thotë Ylberi.

Avokati, në përgjigje të pyetjes, kujton se në kohën kur ishte student në Shkollën e ligjit, një nga postulatet, që u përcillnin profesorët amerikanë dhe specialistët e ligjit ishte që të mos përfshiheshin emocionalist në çështjet që prezantonin para jurive dhe gjykatësve. “Bëni atë që duhet të bëni për klientin, por emocionalisht mos u përfshini kurrë në çështje”!

-Është i vetmi rast, thotë Ylberi, që e kam shkel këtë këshillë –aksiomë të profesorëve të mi.

Ai e  ka përjetuar shpirtrisht ngjarjen dhe është emocionuar gjatë mbrojtjes. Klienti i tij vinte nga ferri i vuajtjeve nën regjimin serb dhe atij i duhej ta mbronte sa më me dinjitet. Avokati u indinjua kur pala tjetër përpiqej ta prezantonte klientin para jurisë si një njeri të keq, që nuk meritonte asgjë.

Një nga aspektet që ata ishin përpjekur të realizonin ishte që ta tipizonin shqiptarin si produkt të së keqes. Avokati kundërshtar kur ka mbajtur fjalimin e fundit para jurisë, ka përmendur emrin musliman të  klientit shqiptar, dhe i ka thënë Jurisë:”Ju mund të kuptoni shumë gjëra nga një njeri, duke u nisur nga emri që ai ka”.

Në një fjali më poshtë ai ka thënë se “ky është një njeri gënjeshtar dhe mos harroni se ka ardhë në Amerikë pas 11 shtatorit me pasaportë fallso”!

Kjo ishte tendencë për ta nxitur jurinë që të mendonte se ky ndoshta ishte një prej terroristëve, që ka ardhë në Amerikë, po jeton si i paligjshëm dhe nuk dihet se kur do ta ngrerë kokën dhe të bashkohet me monstrat e tjera të terrorizmit.

Avokatët kundërshtarë po përpiqeshin që të nxirrnin nga shpirti dhe zemra e jurisë atë reagimin që ka ardhë nga popullsia amerikane ndaj atyre që shkaktuan tragjedinë e 11 shtatorit 2001. Ata po përpiqeshin që të ndikonin tek juria që ta paragjykonte shqiptarin si të rrezikshëm dhe si i tillë ai nuk meritonte asnjë dëmshpërpërblim.

Sipas tyre shqiptari po gënjen sepse të gjitha dëmtimet që ai pretendon se i kanë ndodhur pas aksidentit, nuk i janë shkaktuar këtu, por i ka pasë që në Kosovë.Pra ai po paraqitej si gënjeshtar, si mashtrus, më keq akoma, për shkak të emrit musliman, por paraqitej edhe si terrorist.

Kundëragumentet që përdori Dauti i dhanë mundësinë që t’i neutarlizojë kundërshtarët dhe akuzat se klienti i tij ishte shpirti i së keqes, gënjeshtar, mashtrus, terrorist, dhe të gjitha këto vetëm pse ai ishte musliman dhe se kishte ardhur pas 11 shtatorit me pasaportë fallso. Dauti doli para Jurisë dhe u kujtoi anëtarëve të saj një shprehje që ka thënë Franklin D Rusvelt, ish president i Amerikës,se “ne të gjithë e kemi prejardhjen prej emigrantëve.”

Avokati, i kujtoi jurisë një udhëtim të tij që kishte bërë për herë të parë, kur kishte ardhë në Amerikë në prill të 1999 tek Statuja e Lirisë, dhe se atje, në krah të simbolit,  kishte lexuar fjalët monumentale :”Më jepni njerëzit e popullit tuaj të uritur, të përdhosur, të mashtruar sepse unë i pres të gjithë me krahët hapur”! Edhe klienti im , tha ai, prandaj erdhi këtu.

Avokati shqiptar u kujtoi anëtarëve të jurisë dhe një shprehje të Dr. Martin Luter King, i cili tërhiqte vëmendjen se padrejtësia në një vend çon tek padrejtësi në çdo vend. Duke hyrë në thelbin e çështjes, ai tha se pala tjetër po ju bën thirrje ju, që t’i bëni padrejtësi këtij njeriu, që ta ndëshkoni këtë njeri, për një gjë që nuk ka të bëjë me këtë çështje, ta ndëshkoni për origjinën e tij.

Avokati Dauti, duke perifrazuar Dr.Martin Luter King, tërhoqi vëmendjen e Jurisë se nëse ju i bëni padrejtësi këtij njeriu, i keni bërë padrejtësi gjithë njerëzimit!( Marre nga libri ne proces “Histori shqiptare ne Amerike)

Dhe Juria reagoi; shqiptari fitoi maksimumin e  shpërblimit!

Filed Under: Histori Tagged With: avokatin shqiptar, dalip greca, ju tregoj, qe ndyshoi ligjin e NY, Ylber Dauti

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT