• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Lista Serbe s’mund ta rrëzojë Qeverinë

April 2, 2018 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës me opozitën shumicë, Qeveria e Kosovës vazhdon me shumë punë/
_Opozitën e bëjnë: Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, më i madhi në Kuvend, me 27 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje me 19,  i ndarë nga ajo Grupi i Deputetëve të Pavarur me 12 dhe e larguar nga koalicioni qeverisës Lista Serbe me 10./
1 Largii i Serbeve
Në Foto: Largimi i Serbëve/
-Partia me grupin më të madh parlamentar, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është në opozitë, deklaronte javën e kaluar se në asnjë rast nuk do të lejojë që ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës deputetët e Listës Serbe, e cila u largua nga qeveria dhe doli në opozitë në Kuvend/

-Nuk u realizuan skenaret serbe për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës me daljen e Listës Serbe nga koalicioni qeveritar e kalimin në opozitë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 PRISHTINË, 2 Prill 2018/ Në zhvillimet e reja në Kosovë, pas daljes së Listës Sebe nga Qeveria, Kuvendi 120 anëtarësh ka ndryshime që e bëjnë opozitën shumicë e koaliconin qeverisës pakicë.

Opozitën e bëjnë: Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, më i madhi në Kuvend, me 27 deputetë, Lëvizja Vetëvendosje me 19,  i ndarë nga ajo Grupi i Deputetëve të Pavarur me 12 dhe e larguar nga koalicioni qeverisës Lista Serbe me 10.

Koalicionin qeverisës e bëjnë: Partia Demokratike e Kosovës me 23 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 11 – pas kalimit në te të një deputeteje të Vetëvendosjes, Nisma me 6, Grupi 6 Plus i komuniteteve pakicë me 6 dhe Aleanca Kosova  e Re me 2 deputetë, të cilët janë pa grup parlamentar.Pa grup parlamentar jnë edhe 4 deputetë tjerë, një prej të cilëve serb – i Partisë Liberale Serbe e tre të tjerët të komuniteteve tjera pakicë.Pas këtyre zhvillimeve, Lidhja Demokratike e Kosovës deklaronte javën e kaluar se në asnjë rast nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës.“Në këtë gjendje të re të krijuar, LDK-ja garantonte qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës”, siguronte partia më e madhe opozitare pas daljes së Listës Serbe nga koalicioni qeverisës.Paralajmërohej se, qëndrimet e lidershipit të LDK-së, edhe në ditët në vijim, do të jenë në dobi të përmirësimit të situatës dhe të kthimit të saj në favor të Kosovës.Javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës  doli Lista Serbe, e cila kishte tre ministra, njëri prej tyre edhe zëvendëskryeministër. Por, kështu nuk bie Qeveria e Kosovës, e cila vazhdon me shumë punë. Nuk u realizuan skenaret serbe për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës me daljen e Listës Serbe nga koalicioni qeveritar e kalimin në opozitë.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, nga Lista Serbe, nuk bie, qeveria

Demarkacioni-Qeveria e Kosovës dy mbledhje në një ditë

February 20, 2018 by dgreca

-Kosovë, qeveria sot dy mbledhje drejt ratifikimit në Kuvend të demarkacionit me Malin e Zi/1 Qeveria Demarkacioni -Në mbledhjen e parë të qeverisë u konstatua se tre vota ishin abstenim dhe siç u pa janë nga përfaqësuesit e Listës Serbe/

1 Behluli

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 20 Shkurt 2018/ Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, zhvillon sot dy mbledhje, ndërkohë që nuk është mbajtur dhe është shtyrë për një ditë të pacaktuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e cila ishte ftuar për në mbremjen e 18 shkurtit, në orën 18:00.

Në mbledhjen e parë të qeverisë së orën 10:00 në axhendë ishte “Miratimi i kërkesës drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës për tërheqje të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”.

Në komunikatën zyrtare nga mbledhja thuhet: “Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar mbledhjen e tridhjetë e një me radhë, në të cilën ka miratuar vendimin për tërheqjen nga procedurat e miratimit në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Vendimi për tërheqje nga shqyrtimi në Kuvend të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, është bërë me qëllim të plotësimit dhe ndryshimit të këtij Projektligji duke reflektuar në rrethanat e reja, përkatësisht në Aneks Marrëveshjen e nënshkruar më 16 shkurt 2018 ndërmjet presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, për rishikimin dhe korrektimin e sektorëve në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit.

Projektligjin e ndryshuar, Qeveria do ta ri procedojë për miratim në Kuvendin e Kosovës, po sot, në mbledhjen e thirrur që do të mbahet në ora 16:00”.

Pas mbledhjes, kryeministri Haradinaj në konferencë shtypi deklaroi se ishte mbledhja e 31-të e qeverisë së Republikës së Kosovës me vetëm një pikë të rendit të ditës. “I drejtohemi Kuvendit për të tërheqë Projektligjin me qëllim të inkorporimit në ligj të marrëveshjes së dy presidentëve, të Kosovës e Malit të Zi. Brenda ditës së sotme, rreth orës 16:00, Projektligjin ia kthejmë Kuvendit dhe që nesër jemi të gatshëm për seancë”, deklaroi Haradinaj.

Pas votimit në mbledhjen e qeverisë u konstatua se tre vota ishin abstenim dhe siç u pa janë nga përfaqësuesit e Listës Serbe.

Megjithatë, pas mbledhjes, kryeministri Haradinaj, tha se “kjo ishte shumë shenjë e mirë që ishin në takim të qeverisë, zakonisht në disa tema të ndieshme e keni vërejtë kanë munguar”.

Në mbledhjen e dytë të qeverisë sot në ora 16:00 në axhendë është “Plotësimi dhe ndryshimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit te Zi’”.

Në 16 shkurt, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, në mbledhjen ku morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar kërkesën e presidentit dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme, për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.“Konform kërkesës, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet të dielën, më 18 shkurt 2018, në orën 18:00”, theksonte njoftimi i mbrëmjes së të premtës.

Të premtën paradite presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë shtypi ka prezantuar deklaratën e përbashkët që ka nënshkruar me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç.

“Tani ka hapësirë të mjaftueshme për të proceduar me ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duke i hapur rrugë kështu liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, është shprehur ai.

Liberalizmi i vizave, vijoi presidenti kosovar, është dhurata më e mirë që mund të ndodh në këtë 10 vjetor të pavarësisë së Kosovës.

“Prandaj, jam i sigurt se partitë politike parlamentare do të kenë vullnet politik që pa humbur kohë ta ratifikojnë marrëveshjen”, theksoi Thaçi.

Deklarata e përbashkët e presidentëve u njoftua pas dy ditëve të vizitës zyrtare në Kosovë të kryeministrit të Malit të Zi,  Dushko Markoviç.

Të shtunën ë 17 shkurtit në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Haradinaj prezantoi para kabinetit qeveritar, siç u tha, aneks marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, për rishikimin dhe korrektimin e drejtimit të Çakorrit dhe Kullës, e cila mori aprovimin e kabinetit qeveritar për t’ia përcjellë Kuvendit të Kosovës për miratim.

Kryeministri Haradinaj tha se kjo është një e arritur e institucioneve të Kosovës, në këtë rast e të gjithëve që ishin përfshirë në këtë temë. “Mendoj se me këtë deklaratë të përbashkët të presidentëve, si aneks i marrëveshjes së mëhershme janë krijuar rrethanat dhe mundësitë që e drejta e Kosovës në territor të respektohet në tërësi dhe bazuar në këtë po ashtu janë krijuar rrethanat që Parlamenti i Kosovës të jetë unik dhe të votoj marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se kjo marrëveshje si e tillë ka po ashtu një element shumë të rëndësishëm që është vullneti politik i institucioneve të Kosovës por edhe atyre të Malit të Zi që vërtet rishikimi dhe korrektimi të jetë substancial dhe të respektohen të drejtat e bazuara në të gjeturat e trupave punuese, në këtë rast të Komisionit të ri shtetëror të Kosovës dhe njëkohësisht krijimi i trupës së përbashkët Kosovë-Mali i Zi.

Kryeministri Haradinaj përgëzoi Kosovën për këtë marrëveshje të arritur, duke theksuar se institucionet po e tregojnë zotësinë që të gjitha temat e vështira në tavolinë t’i zgjidhin duke e respektuar të drejtën e popullit të Kosovës.

Ndërkohë që marrveshja për demarkacionin pritet të jetë në axhendë të një seance plenare të Kuvendit partitë parlamentare kanë ftuar konferenca për shtyp dhe kanë dhënë qëndrimet e tyre edhe me deklarata. Nga ana e opozitës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do e votojë ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin ashtu si është.

Sias shtypit të sotëm të Prishtinës, Lista Serbe nuk ka garantuar se do ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi, duke i kushtëzuar votat me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë se nuk do ta votojë.

“Kështu koalicioni qeverisës pa votat e Listës Serbe dhe të Vetëvendosjes besohet se nuk i ka më shumë se 77 vota për Demarkacionin, ndonëse për një marrëveshje të tillë ndërkombëtare duhen së paku 80 vota të deputetëve”, thekson shtypi.

“Jemi në proces të zgjidhjes së çështjes së demarkacionit”, deklaroi dje kryeministri Haradinaj, dhe shtoi: “Historia do ta tregojë që nga e gjithë kjo ne kemi fituar të drejtën territoriale të vendit dhe lirinë e lëvizjes dhe e kemi nxjerrë Kosovën nga një pozicion shumë i rëndë. Këtë nuk kishim arritur  ta bëjmë të vetëm, pa mirëkuptimin e shumë të tjerëve dhe tash ka rëndësi ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, Listës Serbe, Vetëvendosjes dhe çdo deputeti në Kuvend, se është një moment që duhet të jemi të gjithë bashkë”.

Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi është nënshkruar në 26 gusht 2015 në Vjenë. Për palën kosovare e ka nënshkruar atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Në 4 gusht 2016 qeveria e  Kosovës, e udhëhequr atëherë nga kryeministri Mustafa, në mbledhjen e 103-të, njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjespër Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Si kryeministër i Kosovës konsideroj se sot nuk janë rrethanat dhe nuk është situatë ku duhet të votojmë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Qeveria e tërheq sot këtë projektligj nga procedura kuvendore. Me bashkëbisedim do të provojmë të gjejmë një marrëveshje në lidhje me ligjin. Nuk është mënyra e duhur që të procedojmë me këtë ligj kur kemi presione mbi deputetët. Tërheqja e këtij ligji nuk do të thotë se do të ndryshojmë marrëveshjen, mirëpo do ta procedojmë në Kuvend kur qeveria e vlerëson se është gati”, tha kreu i atëhershëm i qeverisë, Mustafa.

Më pas, qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Mustafa u rrëzua në 10 maj 2017 në seancën e Kuvendit me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallë  ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh. Ky votim në Kuvend u pasua me shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare për datën 11 qershor 2017.

Plot tre muaj pas zgjedhjeve, në ditën e parë të punës të qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej se kryeministri Ramush Haradinaj i ka propozuar qeverisë shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqin, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion.

Në 22 shtator, qeveria e re e Kosovës, në mbledhjen e katërt, mori vendim për emërimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. “Komisioni do të kryejë detyrat në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror dhe Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimindhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente që ta ndihmojnë Komisionin në kryerjen e detyrave të tij”, u theksua në mbledhje.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike rinisi të shqyrtohet në 26 dhjetor  2017  në një mbledhje  ku përfaqësues të Komisionit shtetëror për kufirin prezantuan raportin e  prezantuar më parë para qeverisë në 4 dhjetor.

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike u mblodh edhe pse më parë ishte njofuar se  Kuvendi i Kosovës ishte në pushim dimëror.

“Konform përfundimit të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratimi në shqyrtim të dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 ka shënuar edhe përfundimin e sesionit vjeshtor të punimeve të Kuvendit.

Nga data 23 dhjetor 2017 deri në 15 janar 2018, Kuvendi është në pushim dimëror”, theksohej në njofimin zyrtar në 25 dhjetor.

Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për  Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/ Raporti i Vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për  Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit  Shtetëror Kosovë-Mali i Zi (2012-2015) ishte pikë e parë e axhendës  në mbledhjen e qeverisë së Kosovës në 4 dhjetor 2017.

Qeveria miratoi Raportin e vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Kosovë-Mali i Zi (2012-2015). “Raporti ka vlerësuar dokumentacionin dhe të gjeturat nga puna e komisionit të kaluar dhe ka vlerësuar shumë mangësi dhe lëshime faktografike dhe shkencore”, u theksua në mbledhje.

Qeveria vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhjen e qeverisë mori  pjesë edhe Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, kryesuesi i të cilit, Shpejtim Bulliqi, tha se kufiri mes Kosovës e Malit të Zi sipas marrëveshjes së nënshkruar nuk është plotësisht në përputhme me vijën kufitare të Kosovës në kohën e autonomisë së vitit 1974, kur ishte element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëherëshme.

Qeveria e Kosovës, e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, demarkacioni, dy mbledhje ne nje dite, qeveria

Kosovë-Qeveria mbledhje solemne në 10 vjetorin e pavarësisë

February 17, 2018 by dgreca

-Kryeministri Ramush Haradinaj: Kosova në këtë dhjetëvjetor ka të arritura të mëdha, por edhe shumë sfida, për të cilat besoj se në një unitet politik e institucional do t’i kapërcejmë/

1 qeveria mbledhje solemne

 -Në vijim të mbledhjes kryeministri prezantoi para kabinetit qeveritar aneks marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, për rishikimin dhe korrektimin e drejtimit të Çakorrit dhe Kullës, e cila mori aprovimin e kabinetit qeveritar për t’ia përcjellë Kuvendit të Kosovës për miratim/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/PRISHTINË, 17 Shkurt  2018/ Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj zhvilloi sot mbledhje solemne për shënimin 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ku fillimisht nderoi të rënët për liri e pavarësi edhe me një minutë heshtje.

 “Përulemi me respekt para sakrificës së rënëve për liri e pavarësi të Kosovës”, u shpreh kreu i qeverisë.Kryeministri u uroi 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës të gjithë qytetarëve të vendit dhe shqiptarëve kudo që janë.“Kosova, në shënimin e dekadës së parë të pavarësisë është sot një shtet, shtëpi për qytetarët e saj e ngritur me flijimin e shumë brezave, një shtet që ndërton paqe në një shoqëri të të gjithëve, që ec në liri me miqtë e vet të shtrenjtë, në miqësi të përhershme me SHBA-në dhe e rreshtuar me Perëndimin, por e hapur për të gjithë ato kombe që e njohin dhe e respektojnë”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Ne, vijoi kru i qeverisë së Kosovës,  po ndërtojmë një shtet model, ku secili qytetar, grup etnik ose fetar, gra dhe burra, me diversitet etnik, kulturor e gjuhësor si dhe në pluralizëm politik dhe ideor, e projektojnë vullnetin e tyre për të jetuar së bashku në një shtet, pra me unitet shtetëror dhe kohezion shoqëror, duke krijuar vepra të mëdha që na mbajnë bashkë në shtet.

“Dhjetë vjet pavarësi të Kosovës dhe 19 vjet liri, do të thotë mbyllje e konfliktit të tmerrshëm që rrënoi shumë jetë njerëzish dhe nisje e një jete të re”, u shpreh ai.

Kryeministri Haradinaj theksoi se, Kosova e pavarur do të thotë një shtet më shumë në hartën gjeopolitike të globit, një shtet pretendent për t’u anëtarësuar në OKB, NATO dhe BE si dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare që i shërbejnë paqes dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve e kombeve.

“Kosova në këtë dhjetëvjetor ka të arritura të mëdha, por edhe shumë sfida, për të cilat besoj se në një unitet politik e institucional do t’i kapërcejmë”, tha ai.

Kosova, vijoi kryeministri, është një vend i vogël por Republikë zemërgjerë, që respekton dhe nderon aleatët, që i kanë qëndruar afër në kohë të vështira dhe që i qëndrojnë afër edhe tash në festë.

“Andaj jemi të nderuar me të gjithë që sot festojnë bashkë me ne në Kosovë”, tha ai.

Në vijim Haradinaj vlerësoi se, shteti i Kosovës e ka përmbushur kërkesën e njerëzve të vet për liri dhe po e përmbush përcaktimin për një jetë të përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim të të gjithë atyre që Kosovën e shohin si shtëpi të tyre.

“Jemi të vetëdijshëm se ende nuk janë përmbushur në tërësi pritjet e qytetarëve për një shtet modern, por jemi në një rrugë të pakthyeshme, që bashkërisht me partnerët tanë, të mbërrijmë aty! Të ndjekim të drejtën për lumturi! Kosova e këtyre idealeve do të bëhet, sepse atdhedashuria dhe besnikëria e qytetarëve tanë për shtetin është e lartë”, u shpreh më tej kryeministri.

Kosova, vijoi ai, sot po promovon vlerat demokratike, të një shteti të barabartë për të gjithë, ku liritë dhe të drejtat e njeriut si dhe barazia përpara ligjit janë themelet e palëkundura të tij.

“Kosova në dekadën e dytë të jetës së saj do ta arrijë stadin zhvillimor, që do thotë një vend pune për secilin që dëshiron një punë dhe një perspektivë e dinjitet për secilin.

T’ia besojmë lirinë ligjit!
T’i japim dashuri e besnikëri atdheut tonë Republikës së Kosovës!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!
Me fat dhjetëvjetori i Kosovës-shtet”, përfundoi  fjalënHaradinaj në mbledhjen solemne të qeverisë.

Në vijim të mbledhjes kryeministri Haradinaj prezantoi para kabinetit qeveritar aneks marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, për rishikimin dhe korrektimin e drejtimit të Çakorrit dhe Kullës, e cila mori aprovimin e kabinetit qeveritar për t’ia përcjellë Kuvendit të Kosovës për miratim.

Kryeministri Haradinaj tha se kjo është një e arritur e institucioneve të Kosovës, në këtë rast e të gjithëve që ishin përfshirë në këtë temë. “Mendoj se me këtë deklaratë të përbashkët të presidentëve, si aneks i marrëveshjes së mëhershme janë krijuar rrethanat dhe mundësitë që e drejta e Kosovës në territor të respektohet në tërësi dhe bazuar në këtë po ashtu janë krijuar rrethanat që Parlamenti i Kosovës të jetë unik dhe të votoj marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se kjo marrëveshje si e tillë ka po ashtu një element shumë të rëndësishëm që është vullneti politik i institucioneve të Kosovës por edhe atyre të Malit të Zi që vërtet rishikimi dhe korrektimi të jetë substancial dhe të respektohen të drejtat e bazuara në të gjeturat e trupave punuese, në këtë rast të Komisionit të Ri shtetëror të Kosovës dhe njëkohësisht krijimi i trupës së përbashkët Kosovë-Mali i Zi.

Kryeministri Haradinaj përgëzoi Kosovën për këtë marrëveshje të arritur, duke theksuar se institucionet po e tregojnë zotësinë që të gjitha temat e vështira në tavolinë t’i zgjidhin duke e respektuar të drejtën e popullit të Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Mbledhje solemne, qeveria

Kosova 10 vjet pavarësi, Presidenti i adresohet Qeverisë

February 5, 2018 by dgreca

-Kosova 10 vjet pavarësi, presidenti Thaçi në mbledhjen e qeverisë: Rrugëtimi ynë është i qartë, i saktë dhe me vizion euroatlantik/

1 Qeveri President

  -Presidenti bëri tre propozime: Për ndërtimin e një Kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të Lirisë në Prishtinë/

2 Thaci-qeveri

 -Kryeministri Haradinaj ka theksuar angazhimin e qeverisë që tre propozimet e presidentit t’i procedojë në një afat sa më të shpejtë/

1 Behlul Kamera

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 5 Shkurt 2018/ Rrugëtimi ynë, i Kosovës, është i qartë, i saktë dhe me vizion euroatlantik, tha sot presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, ndërkohë që nisin aktivitetet festës së 10 vjetorit të pavarësisë/

“Qeveria e Kosovës e ka pasur, e ka dhe do ta ketë mbështetjen  time të plotë në thellimin  e reformave në legjislacion, në ekonomi, në politikë, në konsolidimin e brendshëm e ndërkombtërar si shtet”, u shpreh presidenti.Duke theksuar të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës dhe rajonit ai tha se, “është momenti i duhur që Bashkimi Evrlopian të konfirmojë se i përket tërë Evropa Juglindore”.
Në mbledhjen e qeverisë së Kosovës presidenti Thaçi bëri tre propozime: Për ndërtimin e një Kompleksi rezidencial të institucioneve shtetërore, të Muzeut të Pavarësisë dhe Obeliskut të Lirisë në Prishtinë.Duke folur për këto tre propozime presidenti i Kosovës, Thaçi tha:“Në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë dhe dekadat e ardhshme, duhet t’i kultivojmë dhe kompletojmë shenjat e identitetit tonë shtetëror.

Në shërbim të këtij qëllimi, kabinetit qeveritar i bëra tri propozime, të cilat shpresoj se do të marrin përkrahjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të vendit tonë.Së pari, shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e Kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore, si domosdoshmëri e kohës dhe prezantimit real të zhvillimit të Kosovës.

Së dyti, e dimë se vuajtjet tona shekullore dhe përpjekjet për liri janë të ngulitura në mendjen e secilit nga ne. Por ,kjo nuk mjafton. Kujtesës sonë kolektive historike, patjetër i duhet një objekt muze, të cilin unë propozoj ta quajmë ‘Muzeu i Pavarësisë’, ku do të ruhen dhe ekspozohen artefaktet materiale të një procesi të gjatë historik që pasqyron vuajtjet dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Dhe, së treti, kryeqyteti i Kosovës, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e Obeliskut të Lirisë, si monument i kujtimit dhe i nderimit për sakrificën e të gjitha gjeneratave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para të cilët do të nderonin qytetarët e Kosovës dhe të gjithë miqtë tanë nga bota”.

Për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ishte ftuar që me një fjalë t’i adresohej Qeverisë në mbledhjen e sotme.Në vijim të mbledhjes, pas adresimit të presidentit Hashim Thaçi për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar angazhimin e qeverisë që tre propozimet e presidentit t’i procedojë në një afat sa më të shpejtë.Kryeministri njoftoi kabinetin qeveritar me zhvillimet e përgatitjeve për shënimin e dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë që mbahen nën patronatin e presidentit të Republikës së Kosovës.

Kosova në 10 vitet e pavarësisë ka bërë progres të gjithanshëm, ka vlerësuar presidenti Thaçi, në fillimin e këtij muaji, kur kremtohet jubileu i dhjetëvjetorit të 17 Shkurtit historik 2008.

 “Këto kanë qenë 10 vite të progresit të gjithanshëm, të konsolidimit të brendshëm dhe të jashtëm shtetëror të Kosovës, të 115 njohjeve ndërkombëtare, të anëtarësimit në shumë e shumë organizata ndërkombëtare”, ka theksuar Thaçi në takim me mediat, ku ishte edhe korrespondenti i akredituar i Gazetës DIELLI.

Kosova e pavarur deri tani ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Presidenca e Kosovës është duke bërë akreditimin e gazetarëve për mbulimin medial të aktiviteteve për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë.

“Në kuadër të manifestimeve për Dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, nga 8 deri më 18 shkurt 2018, do të organizohen një sërë aktivitetesh kulturore, sportive dhe politike. Në këto aktivitete do të marrin pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë dhe të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare”, theksojnë në Presidencë.

Presidenca e Kosovës bën të ditur se ndonëse shumica e aktiviteteve do të jenë të hapura për mediat, aktivitetet e planifikuara në 17 dhe 18 shkurt 2018 do të jenë më të kufizuara, prandaj për të lehtësuar punën  dhe për t’iu mundësuar qasje në këto aktivitete, gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët, si vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë, duhet të pajisen me kartelat e veçanta të akreditimit për shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Me mbështetje e organizim nga Ministria kosovare e Punëve të Jashtme, gjatë fundjaves së kaluar në Prishtinë janë mbledhur dhjetëra wikipedian vullnetarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, ndërkohë që javën tjetër do të ketë edhe nga Evropa për ta pasuruar enciklopedinë e lirë wikipedia me artikuj dhe fotografi mbi Kosovën.

Ky aktivitet, është organizuar me rastin e shënimit të vitit jubilar të 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që synohet që të vazhdojë të shtrihet në gjithë Kosovën, duke përfshirë vullnetarë të ri dhe kreativë.

Wikipedianët vullnetarë nëpërmjet Wiki-Academy Kosovo 2018, vetëm gjatë fundjaves së kaluar kanë pasuruar enciklopedinë Wikipedia me qindra artikujt dhe fotografi, ndërkohë që po aq pritet të shtohen edhe gjatë ditëve të ardhshme të punës dhe brenda dy punëtorive të radhës, që do të mbahen në fundjavën e ardhshme,  në 10 e 11 Shkurt 2018 në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK).

FILLOJNË PËRGATITJET PËR MANIFESTIMIN “EPOPEJA E UÇK-së”

Gjatë mbledhjes së sotme, qeveria e Kosovës miratoi vendimin për t’i rekomanduar presidentit të Republikës që të autorizojë ministren e Integrimeve Evropiane për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit zhvillimor të asistencës teknike në procesin e integrimeve evropiane.U miratu edhe vendimi për t’i rekomanduar presidentit të Republikës që të autorizojë ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Erasmus Plus”, program i Bashkimit Evropian për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport.Qeveria mirtoi edhe nismat për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të grantit në mes Kosovës dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) për financimin e projektit për menaxhimin e mbeturinave të ngurta dhe projektit për shërbime profesionale të pranuesit në kuadër të Programit II të menaxhimit të mbeturinave.Me kërkesë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës qeveria vendosi që të përjashthet nga procedurat e Ligjit të Prokurimit Publik  blerja e pajisjeve të ndjeshme për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.Kreu i qeverisë, Ramush Haradinaj, kërkoi nga Ministria e Forcës së Sigurisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Zyra për çështjen e kategorive të dala nga lufta, të fillojnë përgatitjet për manifestimin “Epopeja e UÇK-së”, që do të zhvillohet në javën e parë të marsit nën patronatin e kryeministrit të Kosovës.

***

-Fjalimi i plotë i presidentit Hashim Thaçi drejtuar kabinetit qeveritar për nder të 10 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës -5 Shkurt 2018/

I nderuari Kryeministër Haradinaj
Të nderuar zëvendës-kryeministra, ministra
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj

Ju faleminderit shumë i nderuar kryeministër Haradinaj për ftesën që të marr pjesë në këtë mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës.Jemi në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë, që për mua, për secilin nga ju, e mbi të gjitha për qytetarët tanë, duhet të jetë një moment krenarie për rrugën tonë të shtet ndërtimit.Gjithashtu, jemi në prag të publikimit të strategjisë së BE-së për Ballkanin Perëndimor e cila patjetër që duhet të krijoj mundësi unike për anëtarësim në BE për Kosovën dhe tërë rajonin.Është momenti duhur që Bashkimi Evropian të konfirmojë se tërë Evropa Juglindore i përket BE-së, e jo ideologjive tjera që cenojnë vlerat dhe parimet perëndimore. Nënshkrimi i MSA-së për ne ka qenë mirënjohje për reformat që kemi bërë në të gjithë sektorët: në ekonomi, në politikë dhe në sundim të ligjit.Por është edhe udhërrëfyes për rrugën tonë integruese në BE.Duke ju uruar dhe përgëzuar për punën i nderuari kryeministër dhe kabinetin tuaj, unë ftoj qeverinë që të punoj më intensitet të madh për zbatimin e MSA-së dhe të Agjendës Evropiane të Reformave. Në kuadër të kësaj edhe të gjitha institucionet, edhe Presidenca, edhe Parlamenti, edhe nivelet lokale në një bashkëpunim të ngushtë edhe me shoqërinë civile, edhe me mediat, personalitet publike dhe me të gjithë njerëzit kontributdhënës.Natyrisht, fokus i vazhdueshëm i yni duhet të jetë zhvillimi ekonomik, ishte historike nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re nga Qeveria e Kosovës, për çka ju uroj dhe përgëzoj i nderuari kryeministër për rolin tuaj udhëheqës.Rritja e mirëqenies së qytetarëve, rritja e cilësisë së arsimit, shërbimeve mjekësore, rritja e kujdesit për familjet e dëshmorëve dhe kujdesi i vazhduar për veteranët e UÇK-së, hapja e vendeve të reja të punës, e shumë e shumë çështje tjera mbeten prioritete të të gjitha institucioneve të vendit.

I nderuari kryeministër Haradinaj, 
Kabinet qeveritar, 
Qytetarë të Republikës së Kosovës, 

Mua më vjen mirë që në këto dhjetë vjet të shtetit tonë kemi shënuar progres të vazhdueshëm, edhe pse jo gjithmonë aq sa meritojnë qytetarët tanë.

Kërkesat e qytetarëve kanë qenë  shumë më të mëdha, se mundësitë që kemi pasur si shtet.

Por trendët janë pozitive dhe një gjë e tillë duhet të na motivoj të gjithëve që të ecim përpara.

Shtet-ndërtimi për ne, nuk ka qenë aspak një proces i lehtë për arsyet që ne të gjithë i dimë.

Kosovës i është dashur që të përballet me sfida shumë të mëdha për të konsoliduar shtetësinë tonë jo vetëm në arenën ndërkombëtare por edhe në planin e brendshëm.

Vetëm para dhjetë vitesh, pjesa veriore e Kosovës ishe nën kontrollin e strukturave ilegale të Serbisë.

Ndërsa realiteti i sotëm atje është krejt ndryshe. Kemi arritur të mbajmë zgjedhje komunale dhe qendrore, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, përmes të cilave qytetarët tanë kanë zgjedhur liderët e tyre që janë të përfaqësuar në Parlament, në Qeveri dhe në institucionet lokale.

Kemi instaluar policinë dhe gjyqësorin tonë.

Në pikat kufitare në veri të Kosovës janë policët dhe doganierët kosovarë.

I nderuari kryeministër Haradinaj, 
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Brenda kësaj periudhe kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me shtetet e rajonit.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 ka dhënë rezultate pozitive, ani pse ka mbetur për tu bërë edhe shumë.

Tani jemi futur në fazën përmbyllëse të këtij procesi dhe jemi duke punuar që të arrijmë një marrëveshje përfundimtare e cila nënkupton normalizim të plotë të marrëdhënieve dhe pajtim nder shtetëror.

Pa asnjë dyshim, sot jemi shembull i mirë i paqes dhe pajtimit, shembull i dialogut dhe ndërtimit të marrëdhënieve të mira me të gjithë.

Për një shtet të ri, të vogël, të shkatërruar nga lufta, këto të arritura, për një kohë kaq të shkurtë, janë inkurajuese.

Derisa po përgatitemi të festojmë ditëlindjen e dhjetë të shtetit tonë, jemi krenar me të arriturat e njerëzve tanë në shumë fusha.

Medaljet në sport, shpërblimet në art e kulturë, të arriturat në shkencë e inovacion të të rinjve kosovarë e bëjnë krenar çdo qytetar të Republikës sonë.

Sukseset e tyre meritojnë edhe më shumë vend në hapësirën tonë publike dhe vëmendje më të madhe të institucioneve tona.

I nderuari kryeministër Haradinaj, 
Të nderuar anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, 

Derisa numërojmë të arriturat e shtetit të Kosovës, sigurisht që nuk mund të mos i përmendim edhe aspiratat për të ardhmen si dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi.

Edhe pse e dimë se cili është destinacioni ynë, rruga deri në NATO e BE nuk është e lehtë dhe e shpejtë.

Kjo kërkon përkushtim dhe punë të përqendruar në përballimin e sfidave, atyre të menjëhershme si dhe të atyre afatgjata.

Sfidat e menjëhershme mbesin plotësimi i të gjitha kushteve për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, transformimin e shpejtë e të suksesshëm të Forcës së Sigurisë në Forcat e Armatosura të Kosovës, luftimi i radikalizmit dhe ekstremizmit si dhe ruajtja e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve tjera negative.

Por duhet qenë inkurajues në angazhimet që kemi bërë deri më tani, sepse kemi plotësuar kriteret për liberalizim, natyrisht duke mirëpritur dhe janë shumë të mirëseardhur përpjekjet e fundit që të gjendet një rrugëdalje për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Është për lëvdatë edhe puna e pjesëtarëve të FSK-së që të përfshijnë të gjitha komunitetet dhe të shtojnë nivelin e profesionalizmit, ndërtimin multietnik të kësaj ushtrie, duke bërë të mundur  themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Si shoqëri kemi qenë të vendosur dhe kemi vepruar bashkë, në nivel institucional dhe në nivel të përgjithshëm shoqëror, që ta parandalojmë depërtimin e ekstremizmit dhe radikalizmit në shoqërinë tonë.

Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet pjesë aktive e luftës antiterroriste, pra e koalicionit global antiterrorist.

Duke qëndruar prapa obligimeve tona ndërkombëtare, nga njëra anë demonstrojmë  përgjegjësi të lartë para bashkësisë ndërkombëtare dhe, nga ana tjetër, ruajmë dhe forcojmë partneritetin me aleatët tanë ndërkombëtarë.

Ndër sfidat afatgjate janë ato të njëjtat që kanë qenë sikur të gjitha shtetet tjera fqinje – zhvillimi ekonomik dhe forcimi i sundimit të ligjit.

Edhe sa i përket gjykatës speciale ani pse e padrejtë historikisht, Kosova ka marrë obligimet e veta dhe do t’i kryej me përpikëri marrëveshjet që kemi arritur.

Edhe ky vendim është bërë për të ruajtur partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n.

I nderuari kryeministër Haradinaj,  
Kabinet qeveritar

Është e vërtetë që në historinë tonë, nocioni shtet shumë gjatë ka qenë sinonim  i një trupi të huaj dhe armiqësor.

Por, fatbardhësisht, prej çlirimit të Kosovës, e sidomos dekada e fundit dëshmon faktin që për herë të parë në histori kemi shtetin tonë, që punon për paqe, siguri dhe mirëqenie të qytetarëve tanë.

Ndërtimi i shtetit kërkon sakrifica dhe punë të përhershme.

Ne e kemi për detyrë që të punojmë me përkushtim për forcimin e mëtutjeshëm të shtetit tonë.

Për këtë qëllim, ne duhet t’i kultivojmë dhe kompletojmë shenjat e identitetit tonë shtetëror.

Qeveria e Kosovës, e ka pasur e ka dhe do ta ketë mbështetjen time të plotë.

Do ta ketë mbështetjen time të plotë në thellimin e reformave në legjislacion, në ekonomi, në politikë, konsolidimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar si shtet.

Prandaj, ju uroj i nderuari kryeministër Haradinaj ju dhe ekipin tuaj, për hapat që i keni ndërmarrë në këtë periudhë të shkurtër kohore.

Jam shumë i vetëdijshëm për lëshimet, dobësitë, sfidat që mund të ballafaqohemi në punët tona ditore, por rrugëtimi ynë është i qartë i saktë, dhe me vizion euroatlantik.

Në shërbim të këtij qëllimi, si presidenti i Republikës së Kosovës, duke ju falënderuar edhe njëherë për ftesën tuaj që të marrë pjesë në këtë mbledhje të Qeverisë në prag të shënimit të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, duke përfituar nga kjo mundësi e sotme, por edhe traditë e re që uroj që të vazhdon edhe në të ardhmen, unë dua të bëj sot me mirëkuptimin tuaj tri propozime të cilat shpresoj se do të marrin përkrahjen e kabinetit qeveritar dhe të qytetarëve të vendit tonë.

Së pari, shteti i Kosovës ka nevojë për ndërtimin e kompleksit rezidencial të institucioneve shtetërore si domosdoshmëri e kohë dhe prezantimit real të  zhvillimit të Kosovës.

Së dyti, vuajtjet tona shekullore dhe përpjekjet për liri janë të ngulitura në mendjen e secilit nga ne. Por kjo nuk mjafton.

Kujtesës sonë kolektive historike, patjetër i duhet një objekt muze, të cilin unë propozoj ta quajmë Muzeu i Pavarësisë, ku do të ruhen dhe ekspozohen artefaktet materiale të një procesi të gjatë historik që pasqyron vuajtjet dhe përpjekjet për liri dhe pavarësi.

Dhe së treti, kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prishtina, gjithashtu ka nevojë për ndërtimin e një Obelisku të Lirisë, si monument i kujtimit dhe i nderimit për sakrificën e të gjitha gjeneratave për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para të cilit do të nderonin qytetarët e Kosovës dhe të gjithë miqtë tanë nga bota.

Unë dua të besoj së shteti ynë, përkundër sfidave të mëdha që kemi, do të gjej mënyrën e duhur për t’i bërë realitet këto projekte të rëndësishme, të cilat do të bëhen pjesë e trashëgimisë sonë historike pozitive.

I nderuar kryeministër Haradinaj, 
Kabinet qeveritar,
Qytetarë të Republikës së Kosovës,

Këto dhjetë vite kanë qenë vite të suksesit por edhe të mësimit me përgjegjësitë dhe obligimet që kemi përballë institucioneve tona shtetërore.

Kemi ecur shumë dhe kemi arritur suksese të pamohueshme.

Jemi mirënjohës për sakrificat e bëra nga gjenerata të tëra për shtetin tonë.

Pas pak do të shënojmë edhe 20 vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, dhe Epopejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

E dimë se cili është destinacioni ynë, integrimi i Kosovës në OKB, BE dhe NATO, për këtë na nevojitet punë dhe përkushtim i të gjithëve, i Qeverisë, Presidencës, Parlamentit, partive opozitare, shoqërisë civile, mediave, të gjithë njerëzve vullnetmirë në Kosovë dhe mbështetjen e diasporës, por unë kam besim se bashkë do t’ia arrijmë.

Kam besim tek qytetarët tanë, ne duhet ta kultivojmë besimin e qytetarit tek politika dhe institucionet që duke punuar së bashku dhe me përkushtim, jo vetëm që do të ecim me hapa të sigurt drejt familjes euro-atlantike, por do të forcojmë edhe më tepër dashurinë dhe respektin për shtetin tonë, për të kaluarën tonë, por para së gjithash për të ardhmen tonë.

Edhe njëherë Gëzuar dhjetëvjetorin e shtetit të Kosovës juve kryeministër i nderuar, juve Kabinet qeveritar, qytetarë të Republikës së Kosovës, është një nder dhe kënaqësi e veçantë që kisha këtë mundësi që t’ju drejtohem sot dhe ju falënderoj për këtë mundësi edhe njëherë i nderuari kryeministër.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosova 10 Vjet Pavaresi, Presidenti Thaçi, qeveria

Kosovë-Qeveria miraton Raportin e Komisionit të ri për Demarkacionin

December 4, 2017 by dgreca

-Qeveria vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës/

-“Raporti ka vlerësuar dokumentacionin dhe të gjeturat nga puna e komisionit të kaluar dhe ka vlerësuar shumë mangësi dhe lëshime faktografike dhe shkencore”, u theksua në mbledhje/

-Në 26 gusht 2015 në Vjenë është nënshkruar Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi/

-Në 4 gusht 2016 Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/

-Në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi/

1 cMarreveshja-ne-Vjene-26 gusht 2015

Ne Foto: Ja kush e firmosi marreveshjen ne gusht 2015 ne Vjene/

SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul  JASHARI/

PRISHTINË, 4 Dhjetor 2017/ Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, zhvilloi sot mbledhjen e 17-të, me pikë të parë në axhendë: Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për  Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/ Raporti i Vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit  Shtetëror Kosovë-Mali i Zi (2012-2015).

Qeveria miratoi Raportin e vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Kosovë-Mali i Zi (2012-2015). “Raporti ka vlerësuar dokumentacionin dhe të gjeturat nga puna e komisionit të kaluar dhe ka vlerësuar shumë mangësi dhe lëshime faktografike dhe shkencore”, u theksua në mbledhje.

Qeveria vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhjen e qeverisë mori  pjesë edhe Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, kryesuesi i të cilit Shpejtim Bulliqi tha se kufiri mes Kosovës e Malit të Zi sipas marrëveshjes së nënshkruar nuk është plotësisht në përputhme me vijën kufitare të Kosovës në kohën e autonomisë së vitit 1974, kur ishte element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëherëshme. Në mbledhje kanë folur edhe anëtarë të tjerë të Komisionit.

Të premtën e javës së kaluar, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Haradinaj njoftoi për gatishmërinë e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror për të prezantuar raportin e gjetjeve për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Kryeministri paralajmëroi se ky raport do të prezantohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme, pas konsultimeve që do të zhvillohen mes institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës.

Muajin e kaluar, në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës ka raportuar kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi, dhe anëtarë tjerë të këtij Komisioni.

Sa i përket punës së Komisionit të mëhershëm për demarkacionin, Bulliqi tha se nuk ka pasur një proces të qartë, profesional dhe transparent. Ndërsa, sa i përket ecurisë së punës së Komisionit të ri, të cilin e kryeson ai, tha se janë në proces të përfundimit të raportit dhe se po bëjnë përpjekje që sa më shpejtë kjo çështje të procedohet në qeveri e më pas në Kuvend.

Ndërsa, në një deklaratë për median në Prishtinë, Florim Isufi, anëtar i Komisionit për demarkacionin ka thënë se gjatë punës së tyre kanë arritur të sigurojnë informacione të reja, por pa dhënë detaje. “Kemi marrë elemente të reja, të cilat do t’i shfaqim në raport dhe me siguri që qeveria do ta publikojë. Ka gjëra të reja, të mos them befasuese”, është cituar ai në 1 dhjetor.

Në 26 gusht 2015 në Vjenë është nënshkruar Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi. Marrëveshjen e kanë nënshkruar, për palën kosovare atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, FillipVujanoviq, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Në 4 gusht 2016 Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga atëherë kryeministri Isa Mustafa, në mbledhjen e 103-të, njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi,

“Si kryeministër i Kosovës konsideroj se sot nuk janë rrethanat dhe nuk është situatë ku duhet të votojmë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Qeveria e tërheq sot këtë projektligj nga procedura kuvendore. Me bashkëbisedim do të provojmë të gjejmë një marrëveshje në lidhje me ligjin. Nuk është mënyra e duhur që të procedojmë me këtë ligj kur kemi presione mbi deputetët. Tërheqja e këtij ligji nuk do të thotë se do të ndryshojmë marrëveshjen mirëpo do ta procedojmë në Kuvend kur qeveria e vlerëson se është gati”, tha keu i atëhershëm i qeverisë, Isa Mustafa.

Në ditën e parë të punës të qeverisë së re, në 11 shtator, njoftohej se kryeministri Haradinaj, i ka propozuar qeverisë shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqi, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion.

Në 22 shtator, qeveria e Koosovës, në mbledhjen e katërt, mori vendim për emërimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. “Komisioni do të kryejë detyrat në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror dhe Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente që ta ndihmojnë Komisionin në kryerjen e detyrave të tij”, u theksua në mbledhje.

Qeveria e Kosovës, e zgjedhjeve të 11 qershorit, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.

Kuvendi i Kosovës këtë javë mblidhet në dy seanca plenare, të martën e 5 dhjetorit për Buxhetin e Shtetit 2018 dhe të enjten për Programin e qeverisë 2017-2021.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Mali i Zi, ok Demarkacion, qeveria

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 8
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT