Kryetari i Komunës së Gostivarit, çmimin “Qytetar Nderi” ia ndau z. Branko Manajlloskit, ku thuhet “TI JE KRENARIA E KOMBIT, SEPSE ME VEPËRN TËNDE KORRIGJOVE FAQET E HISTORISË. /
Me një manifestim të veçantë, nga ky vit si Ditë e Komunës së Gostivarit u shënua 29 Qershori, kur për herë të parë me 29 Qershor të vitit 1992, u formua Kuvendi Komunal i Komunës së Gostivarit.
Në ceremoni morën pjesë kryetari aktual i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, kryetari i Këshillit Komunal, Nasir Musliu, kryetari i parë i komunës i zgjedhur në zgjedhjet shumë partiake, Enver Zenku, nënkryetari i parë, Nasir Selimi, këshilltarët komunal që nga përbërja e parë e deri më tani, Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Musa Xhaferri, Ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari, i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani, Ministri Pa Resor, Furhan Çako, Muftiu i BFI-së në Gostivar, Shaqir Fetahu, deputet e zonës, si dhe shumë drejtues të institucioneve lokale dhe qendrore.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, çmimin “Qytetar Nderi” ia ndau z. Branko Manajlloskit, ku thuhet “TI JE KRENARIA E KOMBIT, SEPSE ME VEPËRN TËNDE KORRIGJOVE FAQET E HISTORISË.
“Në emrin tim si kryetar, në emrin e të punësuarve dhe në emrin e gjithë qytetarëve, në qytetin tonë shpallim “Qytetar Nderi” i vitit 2014, Mixhën Branko, njeriu i cili e donë natyrën, njeriu i cili e donë njerëzinë, njeriu i cili e donë gjuhën dhe kombin e vetë, njeriu që e donë flamurin e vet. Ne Mixhës Branko në emër të gjithë qytetarëve ia japim “Çelësin e qytetit të Gostivarit”, tha Nevzat Bejta kryetar i komunës së Gostivarit.
Në fjalën e tij, Branko Manajlloski i emocionuar tha: “Me nder qofshi, shumë bukur është. Bukuria e madhe është se rekan ma dha atë. Me nder qofshi të gjithë, shumë llafe nuk di se çfarë thotë zemra e shpirti nuk mund ti thuash me gojë, Me nder qofshi Zoti edhe juve u gëzoftë”, tha Manajlloski.
Manifestimi për Ditën e Komunës vazhdoi me prezantimin e punëve të realizuara gjatë periudhës Prill 2013 – Qershor 2014, ndërsa më pas foli kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
“Pas 22 viteve demokraci, qytetarët e Gostivarit e festojnë 29 Qershorin e vitit 1992, si ditë e komunës, sepse në këtë ditë është bërë kthesë e madhe në shoqërinë shqiptare, maqedonase, turke dhe në përgjithësi në shoqërinë tonë, për shkak se për herë të parë qytetarët me votën e lirë zgjodhën këshilltarët dhe kryetarin e parë të demokracisë, pluralizmit dhe njerëzisë. Sot një vit pas marrjes së detyrës, ne dalim para qytetarëve për të treguar për punët që kemi bërë, për të thënë se atë që kemi premtuar jemi duke e realizuar. Komuna ka qenë e hapur për çdo qytetar, pa marrë parasysh përkatësisë etnike, apo fetare, i kemi dëgjuar hallet dhe kërkesat e mbi 4 mijë qytetarëve dhe u kemi ndihmuar aty kemi pasur mundësi dhe gjithnjë do jemi në shërbimin e tyre. Ne kemi punuar që t’ju dalim në krye të gjitha premtimeve të dhëna para qytetarëve, për ta realizuar programin e premtuar. Kemi bërë reforma të mëdha në gjitha sferat që ne menaxhojmë, urbanizëm, arsim, kulturë, sport, dhe sferat tjera. Për një vit, ne kemi realizuar shumë prej punëve të premtuara të cilat ishin pjesë e programit tonë dhe që ishin kërkesa të qytetarëve. Reformat janë të vështira dhe nuk janë të lehta, por reformat i kërkojnë qytetarët dhe ata bëhen për interesat e shoqërisë tonë”, tha në fjalimin e tij Bejta duke thënë se Bashkë do vazhdojmë të punojmë në interes të shoqërisë, bashkë do ta ndërtojmë qytetin tonë, për të larguar injorancën, varfërinë dhe përçarjen, se vetëm në këtë mënyrë Bashkë mund të shkojmë përpara.
Para të pranishmëve fjalën e mori edhe kryetari i parë i komunës së Gostivarit, Enver Zenku i cili falënderoi këshilltarët komunal dhe kryetarin e komunës, Nevzat Bejta të cilët e bënë 29 Qershorin si datë të Ditës së komunës. Zenku gjithashtu foli edhe për sfidat dhe për vështirësitë me të cilat është përballur ai si kryetar komune në periudhën që ka drejtuar komunën e Gostivarit.
“Me takon një përshëndetje, një mirënjohje të garniturës së këshilltarëve të tashëm aktual të komunës së Gostivarit, kryesinë e kryetarit aktual Nevzat Bejta që për herë të parë i thanë PO demokracisë, për votimin e datës së 29 Qershorit, datës së parë të konstituimit të Kuvendit të parë të pluralist politik në komunën e Gostivarit. Kur jemi me rastin e konstituimit, unë do të përmendi disa fjali më kryesore. Në vitin 1991 u zhvilluan zgjedhjet e para të lira pluraliste në Maqedoni dhe në ato zgjedhje ne i fituam zgjedhjet Partia për Prosperitet Demokratik dhe kishte dy këshilltarë Partia Popullore. Mirëpo, përkundër asaj se ne kishim 38 këshilltar dhe vetëm 10 ishin të nacionaliteteve tjera, u pengua konstituimi i këshillit komunal edhe atë jo pak, po gati një vjet e gjysmë dhe konstituimi u bë në vitin 1992 edhe atë me 29 Qershor, them dhe kështu ka qenë me reagimin e faktorëve posaçërisht ndërkombëtar. Atëherë ishte e pamundur që prej 34 komunave e fundit e konstituuar ishte Komuna e Gostivarit. Për këtë edhe njëherë i përshëndes dhe i falënderoj udhëheqjen dhe këto këshilltarë të komunës së Gostivarit, për herë të parë e respektuan demokracinë. Prandaj në vazhdën e kësaj ishte edhe ajo vonesë e cila zgjati një vit e gjysmë, shkaku ishin marrëdhëniet e brishta ndërnacionale dhe marrëdhëniet e acaruara ndërpartiake. Gjitha ato ishin faktor kryesor që e penguan konstituimin për një vjet e gjysmë. Ishte e vështirë të udhëhiqet atëherë për arsye se ne funksionuam pa ligj për vetëqeverisje lokale, funksiononim me një buxhet jo një milion e gjysmë marka gjermane të plota. Do ishte e pamundur funksionimi dhe më takon një përshëndetje atij stafi të udhëheqjes apo ministrave tonë të pushtetit qendror të atëhershëm të cilët nuk kursyen nga ndihma që të ndërtojmë, të realizojmë në komunën e Gostivarit. Edhe njëherë i shpreh punë të mbarë kësaj udhëheqje të Kuvendit Komunal të komunës së Gostivarit, sëbashku me gjithë këshilltarët në sjelljen e vendimeve të cilat do jenë pozitive dhe do të jenë vendime që do ta ndihmojnë komunën e Gostivarit në pikëpamjen zhvillimore”, tha Enver Zenku kryetar i parë i komunës së Gostivarit.
Në emër të përfaqësuesve pushtetit qendror, foli Musa Xhaferri, Zëvendëskryeministër i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
“Përgëzoj kryetarin e komunës dhe stafin e tij për të gjitha ato suksese për gati një vit. Ndaj mendimin që Gostivari meriton si një qendër e madhe në rajonin e Pollogut si një qytet shumë i madh që të ketë një infrastrukturë të mirë, kushte të mira për shkollim dhe kryetari i komunës ta zhvilloje edhe turizmin malor ku do të ketë më shumë vizitor, më shumë të hyra. Do bëjë një apel që qytetarët e Gostivarit të jenë më patriot ti paguajnë taksat për buxhetin e komunës, se ajo u vjen në shërbim të atyre, do ketë shkolla më të mira dhe të rinovuara, do të ketë rrugë më të mira, do ketë pastërti. Ne si pushtet qendror do të insistojmë në programin e ardhshëm dhe ashtu e kemi programin që t’ju japim më shumë financa komunave, më shumë pushtet”, deklaroi Xhaferri.
Për punën njëvjeçare të Këshillit Komunal, foli kryetari Nasir Musliu.
“Gjej rastin të falënderoj kryetarin e komunës së Gostivarit Nevzat Bejta dhe administratën komunale me të cilët kemi një bashkëpunim të shkëlqyer dhe të ndërsjellë dhe rezultat janë tonat, janë rezultate të përbashkëta. Nga 11 mbledhje të mbajtura deri më tani, Këshilli i komunës së Gostivarit ka sjellë vendime të rëndësishme në dobi të qytetarëve dhe në këtë mënyrë ne realizojmë obligimet që ne i kemi para qytetarëve. Vendimet që i kemi sjellë kanë qenë një zgjidhje e shumë nevojave që ekzistojnë në shumë sfera, si në atë te arsimit, urbanizmit, kulturës, sportit, mirëmbajtjes se ambientit etj”, tha Musliu.
Fjalë rasti mori edhe përfaqësuesi i komunës së Smolenit nga Republika e Bullgarisë, me të cilën komuna e Gostivarit është binjakëzuar.
Programi u shërua me pikë muzikore nga Orkestra profesionale nën dirigjim të Prof. Jeton Pustina
Kryetari i komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta në fund ndau mirënjohje për të gjithë ata të cilët kanë kontribuuar në zhvillimin dhe promovimin e qytetit, afaristët, sportistët dhe gazetarët.
Viti 2013 dhe 2014 ka qenë historik për sportistët tanë, të cilët na bëjnë krenar neve si Gostivar, prandaj falënderoj të gjithë për sukseset e arritura, Bellma Bebën, Berat Jakupin, Shëndrit Dearin, Admir Mehmedin, Shkordran Mustafin, Nuri Seferin, por edhe sportistët tjerë për kontributin që japin për ta promovuar kombin dhe shoqërinë e Gostivarit sa më mirë në vend por edhe në mbarë botën”, tha në fund Nevzat Bejta, kryetar i komunës së Gostivarit.
Dita e komunës këtë vit u shënua me shumë aktivitete kulturore, ku pjesë e shënimit të kësaj dite ishin edhe vendosja e fotografive të të gjithë kryetarëve të komunës së Gostivarit, kolonia artistike “Gostivari 14”, komedia “Stjuardesat” dhe ekspozita në Qendrën për Kulturë në Gostivar, me krijimtarinë e pjesëmarrësve në koloninë artistike. Drejtuesit e Shoqatës së Artistëve Figurativ të Maqedonisë “Draudacum”, të udhëhequr nga profesor Reshat Ameti ndanë mirënjohje për kryetarin e komunës, Nevzat Bejta dhe shefin e kabinetit të kryetarit, Bashkim Hasani, artistët pjesëmarrës dhe mediumet.
Dita e komunës më parë festohej me datë 23 Dhjetor.(Kortezi:INA)
Kamza nderoi Haradinaj, e shpalli “Qytetar Nderi” gjeneralin e UÇK-së
Bashkia Kamëz ka shpallur “Qytetar Nderi ” të saj, Gjeneralin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, i dorëzoi titullin e lartë Haradinajt, me motivacionin “për kontributin e paçmueshëm në pavarësinë e Kosovës”.
Ndërsa ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shprehu falenderime për vlerësimin e bërë, ndërsa tha se ky vlerësim është jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Ceremonia e dorëzimit të titullit të lartë “Qytetar Nderi” i Bashkisë së Kamzës, ndaj zotit.Haradinaj u zhvillua në kuadër të veprimtarisë “Binjakët e lirisë”, organizuar nga Bashkia Kamëz dhe Unioni Artistik i Kombit, kushtuar dy figurave emblematike të kombit, Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, si dhe Heroit e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Mitrovica, “Qytetar Nderi” per Lulzim Bashen
Mitrovica do të shpallë “Qytetar Nderi” kryebashkiakun e Tiranës Lulzim Bashën. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri. Kryetari i komunës se Mitrovicës i shoqëruar nga nënkryetari Safet Kamberi, kryetari i asamblesë Bislim Imeri dhe Gazment Boletuar u prit në një takim të veçantë nga kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha.
Kreu i komunës së Mitrovicës ka shprehur mirënjohjen e tij dhe qytetarëve të Mitrovicës për ndihmë që zoti Basha ka dhënë në kuadër të iniciativës “Ndihmo dhe ti” për rindërtimin e shtëpive të shkatërruara nga lufta.
“Sot kam pasur kënaqësinë e veçantë të pres këtu në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Kryetarin e ri të komunës së Mitrovicës z. Agim Bahtiri të cilin pasi i urova suksese në detyrën e tij të lartë, në besimin që i kanë dhënë qytetarët e Mitrovicës, e garantova se bashkëpunimin mes Bashkisë së Tiranës dhe komunës së Mitrovicës, i cili ka nisur prej kohësh, do të konsolidohet dhe do të rritet në të gjitha fushat. Bashkia e Tiranës, qytetarët e Tiranës, janë ndër kontribuuesit e parë të projektit “Ndihmo dhe ti”, i cili ka për qëllim ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara gjatë luftës, të qytetarëve të Mitrovicës. Kjo është një ndihmë simbolike, por që shpresoj që do të ketë rolin e saj modest, jo vetëm në ndërtimin dhe rindërtimin e shtëpive të shkatërruara në Mitrovicë por edhe tërheqjen e vëmendjes ndaj këtij procesi kaq të rëndësishëm për rindërtimin e lagjeve, e shtëpive, banesave të qytetarëve të këtij qyteti simbol të Kosovës, por po kështu të një qyteti i cili për nga zhvillimi i tij do të jetë edhe treguesi më i mirë i përparimit të Kosovës në tërësi, drejt arritjes të objektivave të saj si një shoqëri e hapur, e lirë, europiane dhe e përparuar”- deklaroi Basha.
“Kam ardhur për të falënderuar me ndihmën që ka dhënë prej 100 mijë dollarëve, për të ndihmuar aksionin “Ndihmo dhe ti”. Ju e dini që Mitrovica është në gjendje të rëndë ekonomike sepse ka qenë një qytet më i rrezikueshmi deri më tani. Mitrovica, e dini që është një qytet specifik, ka probleme edhe politike edhe ekonomike. Përpara ka qenë një qytet shumë i pasur dhe tani pas zhdukjes, pas luftës, gjatë luftës gjithë industria e rëndë është shkatërruar dhe tani është në gjendje të rëndë ekonomike”-u shpreh kryetar i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Kryetari i bashkisë së Tiranës ndërsa është njohur me disa nga projektet e kryetarit të Mitrovicës ka ofruar mbështetjen dhe angazhimin e tij personal dhe të bashkisë së Tiranës për të ndihmuar në realizimin e çdo projekti që do të përmirësoj cilësinë e jetës së qytetarëve të Mitrovicës.
“Unë kam kërkuar nga qeveria e Kosovës që të shpallë zonë të lirë ekonomike, e cila do të më japë mundësi mua si kryetarë i komunës që të ftoj ndërkombëtarët e bizneset dhe më tej unë e di se shumë biznesmen të globit do të vinë në Mitrovicë dhe do të investojnë, kështu që kam kërkuar edhe nga qeveria e Kosovës që ligji mbi Trepçen të dal në shqyrtim dhe të hiqet nga protektorati dhe të kthehet në menaxhmentin e saj, për arsye se, unë nuk mund të duroj dhe nuk mund të toleroj që në komunën e Mitrovicës qytetarët e mi të flenë mbi ari dhe të kërkojnë miell, dhe unë do të jem zëri i tyre shumë i fuqishëm që ajo të kthehet në gjendjen e mëparshme dhe unë po shpresoj se gjendja ekonomike në Mitrovicë do të kthehet për së mbari. Njëkohësisht edhe nga ana politike jemi duke folur edhe me EULEX dhe me KFOR dhe me të gjithë ata që e dëshirojnë një qetësi normale dhe europiane që të jetë në dy krahët si nga ana e veriut dhe e jugut, sepse është në interesin e të gjithë neve që ajo të bëhet sa më parë, të normalizohet dhe unë e kam gjetur një pikë të dobët e cila ka qëndruar, jemi duke punuar ngushtë me policinë e Kosovës që kontrabanda që ka qenë deri tani të ndërprehet dhe është duke u ndërprerë, që një muaji e gjysëm ju garantoj nuk ka as një lëvizje tjetër, dhe unë po shpresoj që brenda 2-3 muajve zalli do të jetë i panevojshëm në atë urë të Ibrit. Njëkohësisht ne biseduam ngushtë edhe me planin i cili do të jetë në të ardhmen, bashkëpunime të ngushta. Unë kam një simpati të veçantë për kryetarin tuaj dhe shpresoj që ne do të gjejmë gjuhë të përbashkët për çdo ndihmë njëri-tjetrit”-theksoi kreu i komunës se Mitrovicës.
Basha theksoi se, “Kryetari Bahtiri më njohu me axhendën e tij ambicioze që ka në qendër punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve të Mitrovicës përmes aktivizimit dhe riaktivizimit të mundësive dhe potencialit të madh ekonomik të qytetit të Mitrovicës dhe potencialeve, resurseve të shoqëruar në këtë qytet. Siç jemi sot në krah të njëri-tjetrit do të vazhdojmë të jemi në bashkëpunim, në bashkëbisedim dhe në kontakt të vazhdueshëm si dy kryetarë, si dy njësive vendore të cilat janë të interesuara për mbarëvajtjen e punëve të njëri-tjetrit dhe në këtë kuptim Bashkia e Tiranës do të vazhdojë të ketë një interes të vazhdueshëm në mbarëvajtjen e punëve në komunën e Mitrovicës dhe në ndihmën e drejtpërdrejtë për qytetarët e qytetit të Mitrovicës. Dua ta garantoj kryetarin e Mitrovicës për mbështetjen time të plotë në të gjitha sfidat dhe projektet që ka përpara”.
Zoti Basha dhe zoti Bahtiri me kërkesë të familjes Boletini ranë dakord për ngritjen e një komisioni të përbashkët për të organizuar ceremoninë e varrimit të eshtrave të Isa Boletinit.
“Diskutuam edhe për një ngjarje shumë të veçantë, shumë domethënëse në raport me historinë kombëtare dhe një nga figurat kryesore të historisë që është Isa Boletini. Autoritetet kosovare konfirmuan përfundimisht përmes analizave të ADN-së identitetin e eshtrave të ruajtura me fanatizëm nga familjarët e Isa Boletinit dhe sot ne diskutuam dhe rakorduam së bashku një angazhim të përbashkët të qytetit të Isa Boletinit, Mitrovicës dhe kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës për të bërë përgatitjet e nevojshme për një ceremoni dinjitoze të rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit”- deklaroi Basha.
Kryetari i komunës së Mitrovicës e ka ftuar zotin Basha ta vizitojë Mitrovicën, kohe në të cilën do t’i dorëzohet edhe titulli “Qytetar Nderi” i Mitrovicës.
I Ndjeri Hafiz Ibrahim REPISHTI-“Qytetar Nderi” I SHKODRES
Me rastin e 100 vjetorit te Pavaresise:Keshilli i Bashkise Shkoder akordon Titullin “Qytetar Nderi”/
Te ndjerit Hafiz Ibrahim REPISHTI, D.D. Univ. Istanbul/
(Ridgefield,CT.USA.- Keshilli i Bashkise Shkoder, ne mbledhjen e tij te dates 23.XI. 2012, me vendimin nr. 131, ne mbeshtetje te Ligjit nr. 8652 “Per Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore”, neni 32,pika m, Vendosi t’i akordoje titullin e larte “Qytetar Nderi” Z. Hafiz Ibrahim Repishti, D.D.Universiteti i Istanbul (Turqi)(1912), me kete motivacion:
“Personalitet i shquar i jetes qytetare, politike, shoqerore e fetare, luftetar ne mbrojtje te trojave tona dhe kontribues ne arsim, si kryetar i Keshillit Arsimor te Bashkise Shkoder(1919), anetar i Asamblese Kombetare e deputet, klerik i perkushtuar per Fe e Atdhe”.Dokumenti nenshkruehet nga Z.Bardhyl Lohja, kryetar, dhe mban vulen zyrtare te Bashkise Shkoder. Hafiz Ibrahim Repishti ashte babaj i Prof. Sami Repishtit, aktivist shqiptaro-amerikan me banim ne SHBA.
Si student universitar ne Istanbul, Hafiz Ibrahim Repishti u bashkue me studentet demonstrues per ndryshimin e Kushtetutes se Perandorise Otomane, ne vitin 1908. Mbas kthimit ne Shqiperi, luftoi per shtate muej me rradhe kunder trupave te Malit te Zi. Ai kundershtoi metodat e rrepta te ushtrise austro-hungarez ne Shqiperi dhe u arrestue,(1916); perkrahu Komitetin Kombetar per Mbrojtjen e Kosoves (1918-1824) i kryesuem nga Hoxha Kadriu. Hasan Prishtina, Bajram Curri, Sali Nivica etj. Ne vitet 1923-24, ai bashkepunoi ngushte me grupin “Ora e Maleve” organizate politike katolike ne Shkoder, dhe u ba shembull bashkepunimi nderfetar. Fotografite e kohes e tregojne Hafiz Ibrahim Repishtin ne shoqeni te At Gjergj Fishtes, Luigj Gurakuqit, At Marlaskaj. Xhemal Bushatit e tjera figura kryesore te kohes. Ne qershor 1924, ai perfaqsoj Shkodren (bashke me Luigj Gurakuqin) ne Komitetin e Vlores per pergatitjen e Revolucionit te qershorit, 1924, nen kryesine e Imzot Fan S.Noli. dhe per kete u denue me vdekje (ne mungese) ne janar 1925. I amnistuem nji vjet ma vone, ai u dedikue krejtesisht sherbimeve fetare. Ne vitin 1939, kundershtoi okupacionin italian dhe refuzoi oferten me marre persiper Myftinine e Qarkut te Shkodres. Vdiq viktime e terrorit fashist italian ne Shqiperi, shtator 1943. Vorrimi i tij ne Shkoder ka qene nji manifestim i vertete popullor. S.R.)
***
Kush ishte Hafiz Ibrahim Repishti, klerik shkodran i diplomuem nga Universiteti Istanbul, Turqi, ne degen teologji/drejtesi ?
Ne botimin “ Enciklopedi-100 Personalitete Shqiptare te Kultures Islame, shekulli XIX-XX” botue ne Tirane nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, me 2012, ne faqet 93, 94,95, jepet ky pershkrim:
“Hafiz Ibrahim Repishti (1882-1943): Deputet, klerik, politikan,
Hafiz Ibrahim Repishti eshte nje personalitet i shquar i jetes qytetare, politike, shoqerore e fetare ne qytetin e tij te lindjes, Shkoder.
Nga nji veshtrim pergjithesues i jetes dhe i veprimtarise se Hafiz Ibrahim Repishtit dallohen dy periudha:
Njera eshte e ngjeshur me perpjekje te shumeta atdhetare, luftarake, politike dhe shoqerore, gjate se ciles ai luan nje rol teper aktiv ne lufte per mbrojtjen e atdheut kunder sulmeve sllave, ne lufte per interesat kombetare, ne perpjekje per themelimin e shtetit shqiptar dhe te institucioneve te tij demokratike. Ne kete etape te jetes ai i shkriu ne nje kontekst interesat kombetare me pikepamjet islame.
Periudha e dyte e veprimtarise se tij lidhet me idealet dhe moralin e larte islam. E gjithe pergatitja e tij, dituria dhe pervoja e tij, tashme drejtohen ne kete objektiv, ne perhapjen e besimit islam.
Hafiz Ibrahim Repishti ka linde ne vitin 1882 ne lagjen Dudas, ne Shkoder. Dudas ishte nje lagje me tradita te vjetra islame ku shquhej edhe per devotshmeri fetare dhe atdhetarizem. I ati i Hafiz Ibrahimit, Haxhi Jusuf Repishti, do te nenshruente Memorandumin e 13 qershorit 1878, derguar Kongresit te Berlinit, per mbrojtjen e tokave shqiptare. Haxhi Jusufi ishte zgjedhur gjithashtu kryetar i komisionit per financimin e forcave te Lidhjes se Prizrenit per Shkodren, komision i cili mblidhte ndihma per ushtrine vullnetare qe te mbronte tokat shqiptare nga ushtrite e Malit te Zi.
Hafiz Ibrahimi, duke ndjekur traditen e familjes merr nji edukate te shendoshe fetare, ndjek mejtepin e njohur te lagjes dhe pastaj vazhdon studimet ne Medrezene e Pazarit. Ne vitin 1907 shkon ne Stambolle per te ndjekur studimet e larta teologjike dhe diplomohet ne degen e Sheriatit. Kthehet ne vendlindje ne vitin 1912.
Ne rrethimin e Shkodres nga forcat malazeze ne vitin 1913 u be nji mbrojtje e rralle nga qytetaret shkodrane me ne krye Hasan Riza Pashen. Ne radhet e luftetareve vullnetare krahas shume klerikeve myslimane, u rreshtua edhe Hafiz Ibrahim Repishti. Ai gjithashtu mbulonte pjesen me te madhe te shpenzimeve per ushqimin e vullnetareve te lagjes Dudas, Per shtate muaj rresht ai nuk u largua asnje dite nga vija mbrojtese e vullnetareve.
Me mbarimin e luftes, Hafiz Ibrahim Repishti angazhohet ne veprimtari arsimore. Keshtu krijohet keshilli arsimor prane Bashkise. Kryetari i pare i ketij keshilli ka qene kadiu i Shkodres, Xhemal Naipi. Pastaj, Hafiz Hysejn Vuthi, e ne shtator 1919, Hafiz Ibrahim Repishti. Anetaret e ketij Keshilli ishin personalitete te shquara si Hafiz Abas Golemi, drejtor i shkolles se Parruces, At Gjergj Fishta, drejtor i shkolles se Freterve, Gasper Mikeli, drejtor i shkolles popullore, Hafiz Hysejn Vuthi, drejtor i shkolles Haslikaj, Sheuqet Muka etj.
Si kryetar i ketij keshilli arsimor ai do te luaj nje rol me rendesi per arsimimin e bijve te qytetit te Shkodres. Nje rendesi te veçante i kushton edhe mesimit te besimit ne shkollat e shtetit. Ne arkivin e Muzeut te Shkodres ka nje dokumentacion te pasur lidhur me kete problem.
Me mbarimin e Luftes se Pare Boterore dhe krijimin e Komitetit Kombetar per Mbrojtjen e Kosoves ai perkrahu kete levizje duke bere te mundur zhvillimin e disa mbledhjeve te ketij Komiteti ne shtepin e tij.
Hafiz Ibrahim Repishti vazhdoi pa nderprere te punoje per atdheun dhe per fene si dhe pasuroi biblioteken e trasheguar nga i ati duke e bere nje nga ma te mirat ne qytet.
Ne luften politike ne vitet 1920-24, Hafiz Ibrahim Repishti ze nje vend te veçante. Ne votimet e dhjetorit 1923, Hafiz Ibrahim Repishti zgjidhet perfaqesues i qytetit te Shkodres, anetar i Asamblese Kushtetuese, e me vone deputet.
Gjate qendrimit te tij ne Parlament ka krye funksionet e nenkryetarit te komisionit parlamentar per jurisprudence dhe te komisionit parlamentar per arsimin. Delegacioni parlamentar i Shkodres perfshinte klerike katolike dhe myslimane si At Gjergj Fishta dhe Hafiz Ibrahim Repishti.
Hafiz Ibrahimi, ne shenimet e tij biografike do te vinte theksin te kjo harmoni nderfetare, e cila ishte e rralle dhe unikale per te gjithe Ballkanin e atyre viteve.
Ai ka qene pjesetar i qeverisjes se Nolit dhe pas shpalljes se Monarkise ne Shqiperi terhiqet nga jeta politike. Keshtu, nga viti 1925 deri ne vitin 1943, ka sherbyer si Imam i Xhamise se Dudasit, duke u perkushtuar teresisht jetes fetare islame dhe edukimit te banoreve me besimin ne Zotin dhe edukimin me moralin e larte islam. Ai dinte disa gjuhe te huaja dhe shfrytezonte rregullisht bibilioteken e tij te pasur.
Pas vitit 1925 ai ka qene gjithashtu mesues per shume te rinj qe i ishin perkushtuar studimeve islame. Sipas familjareve, Hafiz Ibrahimi ka shkruar mjaft artikuj ne revista te ndryshme te Egjiptit dhe Marokut.
Hafiz Ibahim Repishti si nje qytetar i mbrujtur me idealet me te larta atdhetare dhe demokratike, si nje Imam i shquar i pajisur me cilesi te larta morale e fetare beri qe me pushtimin fashist te 1939, te gjendet si kundershtar i ketij pushtimi. Lidhur me kete, i biri, prof. Sami Repishti, ne librin e tij “Pika Loti” shpjegon bastisjen dhe torturat e fashisteve ne shtepine e tyre gjate nje nate te erret, tortura te cilat sollen hemorragji cerebrale dhe shkaktuan nderrimin jete pas disa javesh, 29 shtator 1943, te Hafiz Ibrahim Repishtit.
Familja e tij u ndoq dhe u persekutua edhe nga rregjimi komunist, te cilat prof. Sami Repishti i ka shpjeguar ne tregimet dhe librat e tij.
Hafiz Ibrahim Repishti si demokrat, si atdhetar dhe si fetar, la nje emer te nderuar ne te gjithe plejaden e ndritur te hoxhallareve te shquar te Shkodres, dhe te mbar Shqiperise.”
(Marre nga Luli,Faik; Dizdari,Islam; Bushati, Nexhmi;”Ne kujtim te brezave” Rozafat,1997, ff. 263-280)
FATMIR LIMAJ-“QYTETAR NDERI” I VLORËS
NGA GEZIM LLOJDIA/
Në sallën e Teatrit “Petro Marko”, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi”, Fatmir Limajt, personalitet i politikës në Kosovë, një prej ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akorduar nga këshilli bashkisë të qytetit të flamurit.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe bashkëluftëtarë të Limajt, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve të UÇK, qytetarë vlonjate. Në fjalën e vet, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, u ndal tek figura dhe kontributi i Limajt për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar atë një nga personalitetet më të spikatura të UÇK dhe të politikës aktuale. Sipas Gjikës, duke nderuar Fatmir Limajn me titullin “Qytetar Nderi” i Vlorës, qyteti i Flamurit nderon gjithë ata bij e bija të Kosovës që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e saj, të gjithë ata që luftuan për Kosovën martire. “Akordimi i këtij tituli përbën një vlerësim për Fatmirin, ashtu si për të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe për mbarë bashkatdhetarët tanë kudo në botë. Vlerësimi i tij me këtë titull, është vlerësim për kombin shqiptar, është vlerësim për historinë tonë të vjetër dhe të re, është vlerësim për të gjithë patriotët, për të gjithë ata që kanë luftuar për çështjen kombëtare, për të gjithë ata që i thonë Flamurit Flamur, është vlerësim për vetë Shqipërinë dhe Kosovën”, theksoi Gjika. Sipas tij, Fatmir Limaj renditet mes personaliteteve më të shquara të Kosovës, një staturë e shkëlqyer e luftës së saj për çlirim. Është ai që shkëlqeu me mendjen dhe vizionin e vet, duke e gdhendur emrin në faqet më të ndritura të luftës së lavdishme për pavarësinë. Por, akordimi i këtij titulli, shtoi Gjika, është edhe një vlerësim dhe nder që i bëhet Vlorës dhe të gjithë bashkëqytetarëve tanë. Sepse përfshirja e tij në listën e emrave që na nderojnë në Librin e madh të Nderit, është simbolika më e mirë e dimensioneve të vendit që zë Vlora në historinë e të gjithë shqiptarëve. “Jo më kot, ky titull jepet në përvjetorin e madh të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Kjo përbën edhe domethënien më të kuptimplotë të saj. Sepse të tillë përvjetorë evidentojnë më mirë dhe më shumë njerëzit, kontributet, evidentojnë mesazhet e mëdha që na sjell dhe përcjell më tej historia. Dhe historia e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, e Shqipërisë dhe Kosovës, vjen më e kthjellët se kurrë sot, në këtë prag 100 vjetori. Vjen përmes emrave më të ndritur të saj, përmes emrave si Fatmir Limaj me shokë, që kanë ditur sit ë hedhin hapat, kanë ditur e dinë se ku duhet të shkojë Kosova, dinë gjithashtu se cilat janë vlerat tona të përbashkëta”. Për zotin Gjika, 28 Nëntori është një festë për të gjithë shqiptarët, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Çamëri, në diasporë. “Kjo ditë na bën të ndihemi më mirë, na bën të ndihemi më besimplotë, na bën të ndihemi më optimistë për gjithçka kemi arritur dhe për atë që do të realizojmë në të ardhmen. Mesazhet e mëdha të 100 Vjetorit ne dimë t’i marrim, ashtu siç edhe dimë t’i përcjellim me përgjegjësinë që na ka ngarkuar historia”, theksoi ai. “Prandaj dhe unë kam kënaqësinë që në emër të të gjithë bashkëqytetarëve të mi, por, pse jo edhe të të gjithë shqiptarëve t’i dorëzoj këtë titull, duke i thënë: Faleminderit Fatmir për kontributin tënd. Vlora dhe shqiptarët ndihen krenarë me ty i dashur Fatmir
Fatmir Limaj, duke vlerësuar vendimin e këshillit bashkiak të Vlorës për këtë titull, tha se, përmes tij vlerësohet lufta për liri dhe pavarësi e bijve dhe bijave të Kosovës. Kjo, sipas tij, merr një kuptim edhe më të veçantë kur jepet nga qyteti i Flamurit, në këtë 100 vjetor të Pavarësisë Kombëtare. “Është shumë e vështirë të gjesh fjalët e duhura për të folur këtu në Vlorë, në qytetin e Flamurit”.
Të udhëtosh në Vlorë, është njëlloj si të udhëtosh për në Mekë, sepse Vlora është Meka e shqiptarëve dhe shqiptarizmit”, shtoi më tej ai. Duke u ndalur tek 28 Nëntori, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare ai theksoi se, “me aktin e shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, u zgjidhën dy çështje në të njëjtën kohë; u shmang rreziku i zhdukjes së shqiptarëve si komb dhe njëkohësisht u hodhën themelet e shtetit të ri shqiptar. Prandaj, nënvizoi ai, Ismail Qemali, quhet babai i shqiptarëve, krahas baballarëve të tyre biologjikë. Sipas Limajt, jo më kot, u zgjodh Vlora për të ngritur Flamurin dhe për të shpallur Pavarësinë. “Bijtë dhe bijat e Vlorës ishin të gatshëm që, me vetmohim të mbronin atë Shqipëri të mbetur me gjakun e tyre”, u shpreh personaliteti i shquar i Kosovës. Ai tha se, sot Shqipëria dhe Kosova janë më afër dhe më të bashkuara se kurrë dhe alternative e vetme mes tyre, mbetet bashkimi. Duke ju drejtuar të pranishmëve ai solli përshëndetjet e djalit të tij dhe një mesazh kuptimplotë të tij, të përcjellë përmes facebook: Prej ditës së sotme unë vetë jam nga Prishtina, ndërsa babanë e kam nga Vlora.
Kryetarja e këshillit bashkiak, Etjona Hoxha, i dorëzoi titullin “Qytetar Nderi i Vlorës, Fatmir Limajt, ndërkohë që më pas për të pranishmit u kundëuan këngë patriotike. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, si dhe deputeti i kësaj force politike, Dashamir Tahiri.
Titulli “Qytetar Nderi, ju akordua Fatmir Limajt, pak javë më parë me vendim të këshillit bashkiak të Vlorës, krahas 8 personaliteteve të tjera, mes të cilëve Ismail Kadare, Rrexhep Qosja,Rexhep Ferri Ramush Haradinaj, ish Ambasadori i SHBA në Tiranë, Xhon Uidhers etj