Shkruan: Rafaela Prifti/*
Kandidate e Shkencave për Antropologji Sociale/
“There have been as many plagues as wars in history. Yet always plagues and wars take people equally by surprise.”- Albert Camus, The Plague
Filozofi francez-algjerian, autori dhe nobelisti ishekullit të 20-të, Albert Kamy, në romanin Murtaja shkruan:“Në histori ka pasur aq shumë murtaja sa edhe luftëra. Megjithatë njerëzit gjithmonë befasohen njësoj si nga murtajat ashtu edhe nga luftërat.”
Në kohën e pandemisë globale,të shkaktuar nga infektime masive me një virus të ri të identifiluar si Novel Coronavirus, në shumë qytete amerikane shpërthyen protesta kundër racizmit dhe dhunës policore. Kjo skicë jep një varg me mendime personale dhe vëzhgime të protestave në Nju Jork, ku përfshihen biseda me përfaqësues të komunitetit dhe zyrtarë vendorë.
Mendësia e krijuar në momentet e përballjes me të keqen e përbashkët ka vecoritë e saj të kushtëzuara jo më nga individi por nga një fat kolektiv. Gjendja e pandemisë krijoi një lloj solidarizimi që ndodh kur njerëzimi ndeshet me një fatkeqësi të përmasave madhore. Kjo situatë u shoqërua me krizë ekonomike si mbyllja e bizneseve, humbja e vendeve të punës, pakësimi i të ardhurave, rrezikimi i sigurimeve shëndetësore. Rastet e fundit të vrasjeve të afrikano-amerikanëve nga policia nxorrën në sipërfaqe disa pyetje për problemin racor në Amerikë. Autori, eseisti dhe aktivisti amerikan i shekullit të kaluar, James Baldwin,e shtjellonte temën në shumë rrafshe për të evidentuar marrëdhëniet e ndërlikuara raciale në Amerikë. Për Baldwin, njeriu mund të ndryshojë gjithcka me të cilën përballet por asgjë nuk mund të ndryshohet pa u përballuar.Shumë nga anketimet e opinionit tregojnë se protestat kanë fituar përkrahje të gjerë në publikun amerikan. Brenda një kohe të shkurtër, grupe demografike të ndryshme dhe me bindje jo të njëjta politike janë të të njëjtit mendim se duhen kryer reforma të menjëhershme në legjislacion si edhe në praktikat policore. Nga një sondazh i Schar School of Policy and Government (Fakulteti Schar për Studime Politike dhe Qeverisje) 81% e të anketuarve thonë se duhet të ketë më shumë reforma policore.
A kanë lidhje protestat me komunitetin?
Nga vëzhgimet e protestave në Nju Jork dhe bisedat e mia me anëtarë të shoqatave shqiptare kam vërejtur se pjesëmarrja e komunitetit është sporadike. Kam takuar individë dhe nxënës që protestojnë por jo në formë të organizuar.Në parim ata solidarizohen me luftën kundër diskriminimit, ndërsa në realitet,komuniteti nuk duket se e shikon revoltën të lidhur me kauzën e vet.Përjetimi i represionit të egër komunist dhe persekutimi politik nga regjimi totalitar në Shqipëri janë temë më vete nga shtypja dhe robërimi fizik dhe mendor i një shtrese të popullsisë në Amerikë. Në valën e dhunshme të shthurrjes së rendit publik dhe akteve të vagabondazhit në ditët e para të protestave u dëmtuan një numër i bizneseve në disa zona të Bronksit. Nga intervistat e mia me përfaqësuesit zyrtarë rezulton se pronarët italianë dhe shqiptarë në ato pjesë të Bronksit ishin përgatitur dhe nuk pësuan dëme ndërsa bizneset portorikane dhe pakica të tjera patën shkatërrime të mëdha.
C’është më kryesorja, komuniteti shqiptar ka raporte të tjera me forcat e ruajtjes së rendit. Një pjesë e brezit shqiptar-amerikan të ardhur apo të rritur këtu janë të punësuar në agjenci të ruajtjes dhe mbrojtjes, kanë kryer akademi ushtarake apo janë arsimuar në sajë të mobilizimit të tyre.Gjatë bisedave, ata thonë se janë në krahun e forcave policore. Në debatin e hapur në Nju Jork për eliminimin e fondeve të policisë, ata paraqesin pozitën e tyre për shtimin dhe jo pakësimin e fondeve në një vend që është në shënjestër të akteve terroriste.
*Shënim: Ky shkrim paraqet opinionin tim personal dhe nuk përfaqëson qëndrimin e gazetës Dielli dhe Federatës Vatra.