• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Sot, është tepruar shumë me fjalën e artë- poezi”

September 17, 2014 by dgreca

Rrëfehet Shkrimtari dhe Publicisti i njohur në Diaspore, Pierre Pandeli Simsia:Jeta ime mes SHBA-së, Shqipërisë dhe letërsisë./
Bisedoi Raimonda MOISIU/
Në mesin e shkrimtarëve në ekzil, anëtar i hershëm i SHSHSHA-së është shkrimtari dhe publicisti Pierre Pandeli Simsia. I lindur në qytetin antik të Beratit, në familje autoktone, intelektuale e qytetare beratase, e njohur në fushën e farmaceutikës. I diplomuar për ekonomi-financë, ai u dashurua me muzikën e letërsinë në adoleshencën e hershme. Autor i disa librave në prozë e publicistikë, romancier, shkrimtar profilik, shtjellon tema të ndryshme si; fëmijëria nën diktaturë, dramat sociale, zakonet e tradita, emigrimi, shtjellimi i dukurisë së gjakmarrjes, etj, janë pjesë e rrëfimeve të autorit. Prej vitit 1997-ë jeton, punon e krijon në Neë York. Në vitin 2005 doli para lexuesit me vëllimin me tregime “Le të jem unë Zamira”, promovimi i të cilit u bë në Sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Tiranë. Në muajin korrik, 2005 Revista KULT nga Çelësi, këtë libër e ka renditur të parin në klasifikim. Një vit më vonë botoi romanin “Një dashuri e vrarë” dale nga Shtëpia Botuese ARBËRIA, roman që është mirëpritur nga lexuesi dhe kritika letrare. Sukses të madh pati në Vlorë libri monografik “Dr. Selahedin Velaj, Legjenda vlonjate në Amerikë” i cili u promovua po në Vlorë në sallën e Bibliotekës “Shefqet Musaraj” Në vitin 2013 doli para lexuesit me romanin “Nuse në derën e hasmit” botuar nga Shtëpia Botuese TOENA. Promovimi i këtij romani u bë në sallën Tefta Tashko Koço në Ministrinë e Kulturës në Tiranë. Deri tani ka botuar gjashtë libra: 1) “Le të jem unë Zamira” (Tregime) 2) “Një dashuri e vrarë” (Roman) i cili edhe u ribotua. 3) “Kafeja” (Tregime) 4) “Faleminderit, shënime nëpër vite” (përmbledhje publicistikë, esse…) 5) Dr. Selahedin Velaj, Legjenda vlonjate në Amerikë”, 6) “Nuse në derën e hasmit” (Roman). Është aktiv në artin e kulturën shqiptaro-amerikane, prodhimtar në letërsi e publicistikë, boton në median shqiptare e Diasporë. Për krijimtarinë e tij është nderuar me disa çmime, në SHBA, si: “Pena e artë”, “Petro Marko”, Cmimin e Parë në gjininë e romanit nga Revista FotjonArt dhe Cmimin e Parë në gjininë e tregimit.Nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është vlerësuar me çmimin “Pena e Artë” në gjininë e romanit: “Një dashuri e vrarë”. Për këto merita, ai është zgjedhur sekretar i SHSHSHA-së, në dy mandate.
-Disa vëllime me prozë;romanedhe tregime, që dëshmojnë gjithnjë e më shumë se jeni ndër autorët e mirënjohur, në dy dekadat e demokracisë në atdhe dhe Diasporë. A ka dicka të tillë në fëmijërinë tuaj që ju hapi rrugën për t’u bërë shkrimtar?
Dëshira për të shkruar, apo për të interpretuar diçka, mendoj se është e lindur, por edhe një shtysë nga familja.Unë jam lindur dhe rritur në një familje që e kanë dashur librin dhe muzikën.
Prindërit tanë lexonin. Ata na kanë nxitur ne katër fëmijët e tyre për të lexuar që në fëmijërinë tonë të hershme.Kemi patur në shtëpi një bibliotekë të pasur me librat e ndryshme të kohës.
Them nxitje, sepse kur shikonim babin tonë që lexonte shumë libra dhe çdo libër i ri që dilte në atë kohë ai e blinte, e sillte në shtëpi dhe e lexonte, na nxiste edhe neve për të lexuar.
Mbaj mend nga fëmijëria ime, libri i shumëlexuar dhe i suksesshëm: “Bubi dhe çufoja kaçurrel” i shkrimtarit të mirënjohur Gaqo Bushaka, por edhe librin “Bonjakët” më ka tërhequr aq shumë, sa duke e lexuar, unë i jetoja ato ngjarje shumë të ndjeshme. Më kujtohen disa nga titujt e tregimeve nga ai libër: “Një kuti e rrezikshme”, “Në mbretërinë e merimagave”

-Çfarë ju ka pëlqyer në adoleshencë për të lexuar, cilët nga autorët tanë pëlqeje më shumë?
Në adoleshencën tonë, ne kemi patur praktikën mësimore në shkollë që shpesh mësuesit e letërsisë na jepnin një libër, ( na “detyronin”) zakonisht roman për ta lexuar dhe më pas për ta reçensuar, që në gjuhën e nxënësve njihej me emrin, referat.
Ajo ishte një praktikë e mirë se doje apo nuk doje, ishe i detyruar, jo vetëm për të lexuar një roman, por edhe ta analizoje; të nxirje temën, idenë, personazhet kryesore, qellimi, mesazhi që na jep autori i librit. Dihej që në atë kohë ishin emrat e disa shkrimtarëve të njohur që ne na rekomandonin për ti lexuar.Më kujtohet kur doli libri “Trëndafili në gotë” i shkrimtarit Dritëro Agolli, që për vetë titullin e tij të tërhiqte për ta lexuar.
Nuk prita që të na e sillte babi në shtëpi, por kam shkuar vetë në librari dhe e kam blerë me mendimin se mund të shitej shpejt dhe nuk mund ta gjejë në dyqan. Atë libër e kam lexuar në kohë rekord.Gjithashtu kam lexuar librat e Ismail Kadaresë, tregimet e Naum Priftit…
Poezia më ka pëlqyer shumë gjithashtu për ta lexuar dhe pastaj edhe për ta recituar. Hyja në botën e magjishme në vargjet e poetëve tanë: Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Agim Shehu, Zhuliana Jorganxhi…

-Cilat janë temat më të pëlqyeshme në krijimtarinë tuaj, sa janë motivet vetiake? Cila ka qenë poezia apo tregimi i parë që keni shkruar?
Po e filloj nga pyetja e dytë. Unë e kam përmendur edhe herë të tjera, madje edhe ish mësueset e mija të nderuara të letërsisë, Parashqevi Sahatçiu, Lira Zaka… e kanë përmendur në komentet e tyre, unë kam qenë nxënës që më ka tërhequr shumë letërsia që në bankat e shkollës dhe jam vlerësuar me notë maksimale. Hartimet e asaj kohe që ne bënim në shkollë, ishin edhe ndër krijimet e mija të para letrare që unë të shkruaja prozë. Si çdo shkollë edhe ne kishim këndin e letrarit të ri, ku krijimtaria ime letrare bashkë me krijimtarinë e nxënësve të tjerë përzgjidhej për t’u vendosur atje. Gjithashtu, meqenëse kam qenë shumë i dashuruar me këngët e bukura shqiptare të festivaleve në radiotelevizion, dëshiroja në ato vite me hovin dhe pasionin rinor të vetë moshës që të shkruaja edhe vjersha. E ripërsëris: ato që hodhën themelet e para të letërsisë tek unë kanë qenë Mësuesja e vlerësuar, e mira Parashqevi Sahatçi, që unë dua ta quaj “Nderi i Beratit”, Elpiniqi Papa. Ndërsa në vitet e ardhshëm kam patur përsëri fat, sepse kam patur dy mësuese të tjera të përgatitura në lëndën e letërsisë: e nderuara Lira Zaka dhe Zyma Berisha nga Kosova. Madje ato kanë qenë udhëzueset dhe “redaktoret” e mija të para kur unë fillova të shkruaj vjersha. Në vitet e shkollës së mesme, disa nga vjeshat e mija u morën nga kompozitorët Teki Luari, Asqeri Kadëna, Fatmir Agalliu dhe u bënë këngë. Me Fatmir Agalliun kemi fituar edhe çmimin e dytë. Një peng që më ka mbetur nga vitet e mija të rinisë dhe që e përsëris shpesh, është, kur unë shkruajta një reportazh nga Kalaja e Beratit në fillimvitet 80-të, sepse në ato vite, Kisha e Shën Gjergjit ishte kthyer në pikë turistike ku qytetarët beratas ngjiteshin në fundjavë mes gjelbërimit të pishave dhe ajrit të pastër, bukurisë që të ofron ai vend dhe nga ku qyteti duket si në pëllëmbë të dorës; dhe një vjershë për gjyshen time që kishte pak vite që kishte ndëruar jetë. M’i refuzuan, nuk m’i botuan në gazetën e asaj kohe DRITA ( Nuk e di pse ia dërgova asaj gazete, kur ne në qytetin tonë kishim gazetën lokale).Dhimbjen më të madhe e ndjeva më vonë, kur i pash pas disa javësh të botuara në gazetë me autor tjetër…
U ndjeva shumë shumë keq shpirtërisht dhe pesimist, por falë ndihmës së madhe të familjes sime, u mundova ta përballoja.Temat më të pëlqyera për mua janë temat nga realiteti i jetës sonë. Tema, që mbajnë peng dhe janë shqetësuese, të dhimbshme për jetën, shoqërinë, familjen e sotme shqiptare, por pa haruar edhe dhimbjen e madhe që kemi kaluar. Përshembull, në vëllimin me tregime “Le të jem unë Zamira…” midis temave të ndryshme, unë kam shkruar edhe për jetën shqiptare në kohën e komunizmit, duke trajtuar problemin e empancipimit social e psiqik të shoqërisë shqiptare. Zamira, personazhi kryesor në tregimin me të njëjtin titull paguan haraçin e njohjeve të moshës, por një flirt i rastit, një gabim i zakonshëm, iu kthyen në një rrugë të mbyllur për të ardhmen e martesës dhe krijimit të një familjeje normale.Motivet vetiake në krijimtarinë time, mund të ketë një përqindje shumë të vogël, sepse nuk më pëlqen që një ngjarje e jetuar apo e dëgjuar të ulem e ta shkruaj. Unë dëshiroj të shkruaj thjesht me imagjinatën time, por, ajo që mendoj të shkruaj ka lidhje me jetën tonë reale.I vetmi motiv vetiak, madje 100% vetiak, është tregimi “KAFEJA” i përmbledhur në vëllimin me tregime me të njëjtin titull.

-Në tërësi ju jeni një autor i shëndetshëm, profilik, me besimin solid për jetën; megjithatë herë herë vihen re doza melankolie të ndjeshme, Si bashkëjetojnë optimizmi me pesimizmin te ju?
Krijuesit letrarë kanë ndjenjë, imagjinatë, fantazi… për atë që ata mendojnë për të shkruar.
Në veprën e tij, krijuesi letrar shpreh ndjenjat që burojnë nga shpirti i tij për t’ia dhënë lexuesit dhe këto zakonisht krijojnë atë, melankolinë e ndjeshme.Melankolia, mendoj unë, është dhe duhet të jetë pjesë e krijimtarisë letrare sipas ngjarjes, personazheve që krijuesi ka menduar për të shkruar.Duke qenë edhe tip i ndjeshëm për ngjarje të ndryshme, sigurisht që edhe doza e melankolisë të del vetvetiu sipas asaj që shkruaj, zakonisht në monolog apo në dialog.
Unë kam shumë vite larguar nga atdheu dhe këtu ku ne jetojmë bashkë nuk mund të ndjehesh pesimist, por, meqenëse unë gjatë këtyre viteve kam shkruar për jetën shqiptare, i kam trajtuar ato elementë që kanë mbjellë pesimizën në popull. Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga ndryshimi i sistemeve politike, pjesa më e madhe e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, vazhdojnë akoma të ndihen pesimistë.Është ai pesimizëm që ka mbërthyer pjesën më të madhe të shqiptarëve që, duke mos patur një të ardhme në vendin e vet, dëshirojnë të largohen nga atdheu…

-Unë vecanërisht, do të përmendja romanin më të fundit tuaj, “ Nuse në derën e hasmit”- që pati jehonë në letrat shqipe, por dhe mjaft i vlerësuar nga kritika e kohës, e i promovuar në pjesën më të madhe të trojeve shqiptare. Cfarë ju tërhoqi për të shkruar këtë roman? Përse ky titull? Si kini arritur ta realizoni botimin e tij?
Romani “Nuse në derën e hasmit” është libri im i fundit, botuar në vitin 2013 nga Shtëpia Botuese TOENA, promovimi i të cilit u bë po vjet në sallën Tefta Tashko Koço, në Ministrinë e Kulturës në Tiranë.Siç po e përmendni edhe ju, romani është mirëpritur nga lexuesi dhe nga kritika letrare ashtu si edhe romani tjetër “Një dashuri e vrarë”.Ajo që më tërhoqi për të shkruar atë roman me temë gjakmarrjen dhe që ngjarjet unë i kam vendosur në Nju Jork dhe në Shqipëri, ishte pengu im që unë të shkruaja për atë plagë tepër të dhimbshme që vazhdon edhe sot e kësaj dite të kullojë dhimbje.Gjakmarrja, femonemi i përhapurnë Shqipëri, është një çështje e dhimbshme që kanë shkruar edhe autorë të tjerë. Por çdo krijues letrar ka mënyrën dhe metodën e tij për ta shkruar. Menjëherë pas viteve 90-të shoqëria shqiptare, midis të tjerash po përballet me dy “plagë” të mëdha infektuese që kanë mbjellë dhe vazhdojnë të pikojnë dhimbje të mëdha në familjet shqiptare: prostitucioni dhe gjakmarrja.Këto dy plagë të dhimbshme, ishin si një peng që unë mbaja në veten time për të shkruar. Ishin një gërvishtje në shpirtin, një goditje në ndërgjegjen time që trokisnin shpesh herë në mendjen time që unë duhet të shkruaja për këto dy plagë të dhimbshme. Dhe pas një pune këmbëngulëse, ia arrita dhe jam çliruar nga ai peng.
Për të parën, prostitucionin, shkruajta romanin “Një dashuri e vrarë” dhe tjetra, romani që përmendët ju. Titulli “Nuse në derën e hasmit”, është përzgjedhja më e mirë që ka marrë libri, madje është një frazë e shkëputur nga libri, kur mamaja Evelinë, pasi mësoi lidhjen e vajzës së saj me hasmin e familjes së tyre, midis të tjerash, kur flet me veten e saj thotë: “Çna bëre moj bijë, po hyn nuse në derën e hasmit…”. Botimi i atij romani, siç e kam përmendur edhe më sipër, u arrit të botohej nga Shtëpia Botuese prestigjoze TOENA në Tiranë. Libri si fillim u dërgua për botim, por, pasi kaloi në “filtrin” e këshillit botues dhe u pëlqye, u vendos që edhe të botohej, madje, redaktor u përzgjodh po nga TOENA, i miri Prof. i respektuar Bardhyl Xhamo.

-A kanë diçka nga jeta reale në librat tuaj? Cfarë lloj kërkimi keni bërë për to?A keni pasur materiale apo ngjarje që ju kanë ndihmuar në shkrimin e tyre?
Unë e kam përmendur edhe më sipër, që më pëlqen të shkruaj vetëm me fantazinë dhe imagjinatën time, por që ngjarjet që mendoj të shkruaj kanë lidhje me jetën reale, kudoqoftë ajo, në Shqipëri a diku tjetër.Unë nuk kam bërë asnjë kërkim dhe asnjë material nuk kam shfletuar për të më ndihmuar për të shkruar. Jetën e sotme në Shqipëri për të cilën unë edhe kam shkruar librat e njoh vetëm nëpërmjet shtypit të përditshëm që lexojmë në internet. Por, kur sheh në televizor apo në gazetë një fëmijë shqiptar të pafajshëm, i ngujuar nga gjakmarrja, me sy të përlotur kërkon pafajësinë e fëmijërisë së tij, ai lot, të bëhet plumb; të godet dhimbshëm në shpirtin tënd. Dhe shpirti ynë, nuk e ka atë forcë magjike sa ta shpëtojë atë fëmi, ata qindra fëmijë të tjerë të pafajshëm të ngujuar nga kthetrat e kuçedrës së mallkuar me emrin e dhimbshëm dhe të frikshëm: GJAKMARRJE.Shpirti ynë, nuk e ka forcën të ndalojë dorën vrastare, të fshijë ata lot të rrjedhshëm fëmije, të rënduar nga pesha e madhe e dhimbjes…
Dhe, meqenëse nuk i kemi këto forca ndalese, mendojmë, imagjinojmë dhimbshëm se si mund të nxjerrim një vepër letrare për ti dhënë fund këtyre plagëve. Unë kam zgjedhur mënyrën time në roman duke i dhënë një zgjidhje, nëpërmjet gjakfaljes, e cila nuk ishte e lehtë, madje shumë e vështirë për një besimtar të thekur tek Zoti. Kjo është edhe ironia e fatit, që nga njëra anë kemi besimtarë në Zot dhe nga ana tjetër po ata besimtarë dëshirojnë të shkrepin armën vrastare me të njëjtën dorë me të cilën i luten Zotit në kultet e shenjta fetare.

-A keni shkruar ndonjë poezi? Po qe se po, cfarë shërben si frymëzim për të shkruar poezi, dhe për të dhënë një poezi cila është pjesa më e vështirë?
Poezi! Mendoj, se sot, është tepruar shumë me fjalën e artë, poezi.
Të shkruash poezi është shumë vështirë; e kam fjalën për poezi të mirëfilltë, jo vargëzime të rimuara siç lexojmë shpesh.Po harrohen fjalët, bejte, vjersha… dhe këto, nga autorët janë zëvendësuar me fjalën poezi.Krijues letrarë sot ka shumë dhe, çdo varg që ata shkruajnë e titullojnë, poezi, pavarësisht se mund të jetë bejte, vargje të lira, rimim vargjesh… apo edhe vjershë e thjeshtë.Poezia është një zhanër sa i bukur, po kaq edhe i vështirë për t’u shkruar. Jo çdokush shkruan poezi.Unë më sipër kam përmendur se, që në rininë time të hershme kam shkruar vjersha, disa prej të cilave u bënë këngë. Por, për të shkruar edhe poezi, siç po e përmend edhe ti, patjetër që duhet edhe frymëzimi, ndjeshmëria. Unë kam shkruar vargje poetike që ia kam kushtuar prindërve të mi të ndjerë dhe, sigurisht, jam frymëzuar nga mungesa, malli, dashuria që kam ende për ata dhe do të kem sa të kem frymë në jetën time. Unë kam shkruar edhe vargje poetike, kushtuar qytetit ku unë jam lindur dhe ritur, Beratit tonë të ndritur dhe, sigurisht, dashuria që ndjej për të, largësia, mungesa… më kanë frymëzuar të shkruaj.Pjesa më e vështirë është, si mund ta vargëzosh, ta shprehësh atë ndjenjë, mall… që të frymëzon, në mënyrë figurative. Nëse një krijues letrar, kur shkruan një poezi, sikur edhe katër rreshta të jenë dhe në ato katër rreshta ka arritur të shkruajë atë, që një shkrimtari do ti duhej një prozë e tërë për ta pasqyruar në libër, mendoj se, e ke arritur kulmin e krijimtarisë poetike… Kjo është edhe pjesa më e vështirë, sigurisht edhe më e suksesshmja për një poet.

-A keni ndonjë ndjesi të veçantë kur ju shkruani një poezi të bukur, të ndjeshme e të mirë, me ton qytetar e intelektual?
Ndjesi të veçantë! Nuk mund të them se kam ndonjë ndjesi të veçantë, por vetë realiteti ku ne jetojmë ka plot ndjesira.
Ndjesia e veçantë e poetit është kur vargu i tij poetik pëlqehet dhe vlerësohet nga lexuesi…

-Kur shkruani, cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
(Qesh) Të shkruarit nuk ka ndonjë vend të caktuar, sepse edhe muzën nuk e komandon dot të të vijë e të frymëzojë për të shkruar atje ku mund të ndodhem.Nëse e ke menduar dhe fillon të shkruash, imagjinata të shoqëron ngado që shkon. Ka raste që edhe në tren kur shkoj në punë, vijnë mendimet dhe i shkruaj në letër, për ti hedhur pastaj në kompjuter kur shkoj në shtëpi. Madje ka patur raste që edhe kur shtrihem për të fjetur, nëse më vjen në mendje, më kujtohet diçka për të cilën kam filluar të shkruaj, çohem dhe vazhdoj mendimet që më vijnë.Por edhe kur jam ulur përpara kompjuterit dhe lexoj atë çfarë kam shkruar më parë, i përqendruar i tëri duke e jetuar ngjarjen, mendimet vijnë vetë për ta vazhduar…
-Çfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?
Muza është një dhunti e lindur.Lum kush e ka atë fat të ketë muzë për të krijuar e për të shkruar.
Por unë e pranoj se muza është edhe aftësi gjenetike. Kam rastin e babit tim të ndjerë; atij i pëlqente të shkruante, madje në rininë e tij ka shkruar një poezi apo vjershë më mirë të them, të gjatë me 22 strofa. Ia kishte dedikuar vetes së tij. (Meqenëse është rritur jetim, sepse babai i tij e ka lënë shumë të vogël, gjashtë muajsh foshnjë). Ajo vjershë e tij ka qenë e njohur ndër miqtë, shokët, gjithë të afërmit tanë. Edhe ne kur ia kërkonim në shtëpi, e recitonte shpesh.Edhe në gëzime të ndryshme familjare mes miqve, sajonte shpesh batuta të çastit, vargje humoristike… Prandaj e them se është edhe gen.

-Ju keni një karrierë krijuese edhe në publicistikë, vecmas në rubrikën, për artin dhe kulturën shqiptare, me profile këngëtaresh jashëzakonisht të talentuar ndër dekada.Kam lexuar diku se ju kanë cilësuar si gazetari: “Mbret i Kujtesës”, plot 1000 tekste këngësh që ju i kini ngulitur në memorien tuaj.Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional?
Muzika! Muzika e bukur shqiptare! Këngët e festivaleve në radiotelevizion, të anketave muzikore, Koncertet e Majit… Këngëtarët tanë të mrekullueshëm, kanë qenë ushqimi im shpirtëror, miqtë e mi më të afërt që më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës sime qysh kur kam qenë fëmijë. Dua t’ju korrigjoj pak, kur thua se di plot 1000 tekste këngësh. Janë mbi njëmijë, sepse unë nuk i kam numëruar, por, këtu përfshi edhe këngët e ndryshme e të bukura popullore nga krahinat shqiptare.Për kujtesën time të të mbajturit mënd të teksteve të këngëve, unë, përveçse kam shkruar shpesh në web site dhe gruplista të ndryshme në internet, kam dhënë edhe prova direkte në ekranet e ndryshme të kanaleve televizive shqiptare: Vision Plus, Top Chane, RTSH, si edhe në redaksi gazetash të ndryshme. Kam qenë i ftuar në programet e tyre televizive drejt përsëdrejti me telespektatorin dhe çdo kënge që më jepeshin, i jam përgjigjur menjëherë duke e vazhduar këngën.Përveç këngëtarëve që i kanë kënduar nëpër vite të ndryshme, në shumë këngë, mbaj mend edhe autorët e tekstit dhe muzikës.Më jepnin të dëgjoja 4-5 sekonda hyrjen muzikore të një kënge (introduksionin) kënduar para 10, 20, 25…, vitesh dhe e ndërprisnin, duke më lënë mua të vazhdoja këngën ta këndoja. Përveç se e vazhdoja këngën, thoja dhe se në cilin aktivitet është kënduar dhe nga kush këngëtarë. Madje edhe me poeten e nderuar të Kombit tonë e mirënjohura mikja jonë Zhuliana Jorganxhi, kur u takuam në Trieste biseduam edhe për këngët e ndryshme nëpër vite, të cilat i kujtuam dhe i kënduam bashkë me Zhulianën tonë të mrekullueshme, që edhe ajo ka një kujtesë për fortë…Rasti më i fundit ka qenë vitin e kaluar kur u takova me kompozitorin e suksesshëm Aleksandër Lalo në Tiranë… dhe unë i kujtoja këngët e ndryshme sipas radhës nëpër vite. Po kështu edhe me këngëtaren e mirënjohur Alida Hisku, Frederik Ndoci, etj.Për vetë këtë kujtesë që kam për këngët, unë kam shkruar shpesh për aktivitetin artistik nëpër vite për këngëtarë të ndryshëm dhe i kam përmbledhur në librin FALEMINDERIT shënime nëpër vite, si: Lindita Theodhori, Tonin Tërshana, Alida Hisku, Ema Qazimi, Frederik Ndoci, Luan Zhegu, Ludmilla Baballëku, Eduard Jubani…

-Gjatë hulumtimit rreth krijimtarisë tuaj kam hasur titullin e veprës tuaj monografike “Legjenda vlonjate”.Pse zgjodhët Prof. Selaudin Velaj, si fokus të librit monografik? A mund të na jepni disa mendime rreth librit?
Në gjashtë librat e mi që më janë botuar deri tani, është edhe libri: “Dr. Selahedin Velaj, Legjenda Vlonjate në Amerikë”. Dr. Selahedin Velaj, me origjinë nga Kanina e Vlorës, prej gati 70-të vitesh që jeton në Sh.B.A. është një figurë e ndritur në diasporën tonë. Ky personalitet, intelektual që gëzon respektin, vlerësimin, mirënjohjen nga të gjithë ata bashkatdhetarë që e kanë njohur, nuk ka rreshtur kurrë duke dhënë kontributin e tij personal, madje edhe material për çështjet e ndryshme shqiptare.Nuk dua të zgjatem shumë, sepse pak a shumë janë përmbledhur në librin që cituat ju, por po veçoj disa prej tyre: Me iniciativën e Dr. Selahedin Velaj-t, në bashkëpunim me disa miq e shokë të tij, në vitin 1965 u hap shkolla shqipe në Nju Jork. Për disa muaj mësimi zhvillohej në Kishën Ortodokse “Shën Nikolla”.në qendër të Manhattanit.
Në vitin 1972 gjatë periudhës së satrapit serb, Dr. Selahedin Velaj mori kontakte me Kryetarin e Partisë Republikane të Shtetit të Connecticut, Senatorit Lowell Weicker. Edhe në Departamentin e Shtetit, ku ata shkuan, trajtuan të njëjtat shqetësime.Përsëri, në tetor të vitit 1992, Dr. Selahedin Velaj ishte një nga iniciatorët dhe themeluesit e rihapjes së shkollës shqipe në Nju Jork.
Ai ishte njëri nga anëtarët e Kryesisë së Këshillit të Arsimtarëve. Dr. Velaj dhe një grup tjetër shokësh, bënë të mundur për hapjen edhe të tri shkollave të tjera shqipe: një në Bronx, një në Staten Island dhe një në Brooklyn.Në pranvera e zezë dhe e hidhur shqiptare të vitit 1997… Dr. Selahedin Velaj bashkë me mikun e tij, zotin Gjekë Gjonlekaj, duke qënë se ai kishte punuar me qeverinë federale amerikane në Radion Zëri i Amerikës për një kohë të gjatë, shkuan posaçërisht në Washington DC në zyrën e senatorit Helmes, një konservator, ndoshta më i madhi që ka patur Sh.B.A. në senat, një antikomunist që ishte kryetari i komisionit të senatit për marëdhëniet me botën e jashtëme. Atje biseduan për gjashtë orë të tëra duke u shprehur shqetësimin e tyre për situatën tronditëse që ishte krijuar në Shqipëri.Pastaj shkuan po për të njëjtin qellim në zyrën e kongresmenit Beniamin Gillmen në Washington.Përsëri me zotin Gjekë Gjonlekaj, në shkurt të vitit 1999 shkuan në Rambuje-Francë, ku po diskutohej fati i Kosovës; marrëveshja e përkohshme për paqe dhe vetqeverisje në Kosovë.Në Rambuje, Dr. Velaj shkoi vullnetarisht për t’iu gjendur pranë popullit të Kosovës, për t’iu dhënë zemër, entusiazëm, ashtu si edhe zoti Gjonlekaj. Dr. Velaj ka përkthyer në gjuhën shqipe edhe librin: Struktura Etike e Kanunit dhe Nënkuptimet e saj Kulturore” të profesorit japonez Kazuhiko Yamomoto
Në muajin Shtator 2005 Dr. Selahedin Velaj-t i erdhi një ftesë zyrtare nga Universiteti KVUSHO i ishullit Fuokoka, i cili e ftonte të mbante një ligjëratë prej 90-të minutash në muajin Dhjetor.
Për dy ditë resht doktori i nderuar Selahedin Velaj mbajti dy referate prej 90 minutash. Një në Universitetin e KYUSU ne FUKUOKA dhe tjetra në Tokio. “The true fact about Kosova’s problem with Serbia”. Flamuri Shqiptar u valëvit i bukur dhe krenar në qiellin e Japonisë, i çuar personalisht nga Dr. Velaj. Në fund, falë kontributitpersonal të Dr. Velaj-t u nënshkrua një Rezolutë për Pavarësinë e Kosovës në më tepër se 135 njerëz, intelektualë japonezë të ndryshëm.Menjëherë pas rrënies së komunizmit në Shqipëri, Dr. Velaj bashkë me dy djemtë e tij, ndërmorën një fushatë ndihme për popullin dhe spitalin e Vlorës, duke shkuar vetë në Shqipëri.
Shuma e ndihmës shkonte disa dhjetëra mijë dollarë.Të njëjtën ndihmë ata e dhanë edhe për popullin vëlla të Kosovës gjatë kohës së luftës.Për këto e shumë raste të tjera, duke e njohur vetë edhe nga afër, megjithëse Dr. Velaj është njeri i heshtur, punon dhe nuk i pëlqen të ekspozojë atë që bën, unë mendova të shkruaj një libër, ashtu siç e përmendët edhe ju duke e quajtur Legjenda Vlonjate në Amerikë.
-Pas disa librave shumë të sukseshëm për të shkruar prozë të mirë, me shkrim të qartë e gramatikisht korrekt, cila është lidhja midis veprave tuaja?
I kam përmendur më sipër emrat e mësueseve të mija të letërsisë në shkollë.
Është merita, puna e tyre e madhe ndaj ne ish nxënësve që na kanë mësuar me shumë përkushtim gramatikën dhe korrektësinë në të shkruar.Tani e kuptojmë dhe e vlerësojmë punën e tyre të shkëlqyer që kanë bërë me ne, ish nxënësit e tyre.Çdo njeri e ka të vështirë të flasë për veten e tij, por për ta plotësuar pyetjen tuaj po ju jap një shembull: Jam ndjerë shumë i emocionuar kur mësuesja e talentuar Lira Zaka në orën e korrigjim hartimit, pasi foli për rezultatin e hartimit, papritur më thërret mua të çohem në dërrasën e zezë. U emocionova shumë. Mësuesja më lexoi disa fjali që unë ti shkruaja. Pasi mbarova, e lexoi vetë ato çfarë kisha shkruar dhe u tha nxënësve të tjerë. Ja si shkruhet hartimi pa gabime ortografike… Është i vetmi nxënës që ka marrë notën më të lartë…
-Si ndjeheni pas gjithë kësaj periudhe që shkruani si prozator apo publicist?
E kam të vështirë të përcaktoj në krijimtarinë time letrare. Unë kam shkruar edhe prozë edhe publicistkë. Në të dyja këto gjini letrare kam botuar libra.Le të jetë lexuesi ai që mund të më vlerësojë edhe për atë çfarë unë kam shkruaj dhe do vazhdoj të shkruaj…

–A ka kritikë të mirëfilltë letrare sot?
Kritikë letrare të mirëfilltë sot, për mendimin tim ka pak, shumë pak.
Vendin e kritikës letrare sot, më tepër po e zënë mburrjet dhe lëvdatat e krijuesve letrarë ndaj njëri tjetrit. Kjo, në vend që ta ndihmojë krijuesin letrar, e dëmton, sepse, siç e kam përmendur në shkrimet e mija të mëparshme, pa kritikë letrare, vepra s’ka vlerë.Po ju jap një shembullin tim: Në vitin 2005, kur mua m’u botua vëllimi me tregime “Le të jem unë Zamira” Revista KULT nga Çelësi, e kishte klasifikuar të parin. Promovimi i librit u bë në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë. Sigurisht, pati diskutime, vlerësime për librin. Por, kur diskutoi shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur Hysen Sinani, midis të tjerash dha mendimet e tija të vyera për çdo krijues letrarë, mendime, të cilat mua më vlejtën shumë për t’i patur parasysh në krijimtarinë time letrare të ardhshme.
Ja pse duhet sot kritika e mirëfilltë letrare, e cila edhe duhet vlerësuar.

– A keni përjetuar fëmijëri të lumtur?A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit shkrimtar?
Për vetë kohën dhe kushtet që ne jetonim ne në atë kohë, si të gjithë moshatarët e mi edhe unë kam kaluar një fëmijëri të bukur e të gëzuar.Kemi qenë një familje e shkëlqyer, e lumtur, e gëzuar, ku prindërit tanë të mrekullueshëm, të pazëvendësueshëm, me aq sa kishin, mundoheshin të na i plotësonin kërkesat, sipas kohës.
Ndërsa rinia ime…
(Hesht! Përqendrohet duke i hedhur sytë diku i pavëmendshëm, sikur mendohet dhe sikur don të fshehë diçka nga ato vite…Pas një heshtjeje, vazhdon të flasë)
Rinia ime ka qenë shumë e vështirë. Jeta, fati, më dënuan që në moshën time më të bukur të adoleshencës, të më ikte njëherë e përgjithmonë nga kjo jetë që kurrë s’e kisha menduar, njeriu më i shtrenjtë në botë, MAMAJA! E përjetova shumë keq, shumë shumë dhimbshëm humbjen e mamasë sime te mrekullueshmes, të mirës mama, Athina që, edhe pse po afrohen 35 vjetë nga vdekja e saj, kur shkoj në Shqipëri e kujtojmë me mall, pse jo edhe përlotem kur e kujtojmë emrin e saj. Ndjehem krenarë për ata prindërit e mi të ndjerë e të mrekullueshëm, të pafatë…
Ai fat i keq i imi, bëri, që unë të jetoja gjithë rininë time, të vrarë, që nuk kishte melhem të ma ndalonte dhimbjen dhe mungesën e mamasë edhe pse dashurinë e gjeta tek babai, vëllai dhe dy motrat e mija. Për t’u bërë shkrimtar, apo krijues letrar më pëlqen më shumë të them, edhe e ëndëroja, sepse letërsia kishte filluar të më tërhiqte që në bankat e shkollës siç e kam përmendur më sipër. Por kam patur ëndër të madhe muzikën; të këndoja, të interpretoja…Meqenëse profesioni im është ai i ekonomistit, unë kam studjuar edhe për trompë, kam interpretuar në instrumentin e trompës.

Këto kohët e fundit ju jeni bërë protagonist në radio dhe televizionin gjerman. Mund të flisni diçka rreth kësaj?

Po! E kam thënë dhe është shkruar edhe herë tjetër.Vitin e kaluar jam njohur me gazetarin gjerman Fritz që, edhe pse në largësi, njohja jonë tashmë është kthyer në miqësi.Gazetari gjerman është i interesuar për artin dhe kulturën shqiptare dhe kishte menduar të bënte një emision, i cili, për këtë duhet vlerësuar shumë.Nëpërmjet skype, u mundësuan dy bashkëbisedime në formën e intervistës midis meje dhe gazetarit ( ishte interesimi i tij për të më intervistuar mua) transmetuar në radio televizionin gjerman.Po vitin e kaluar, ky gazetar më nderoi, duke ardhur posaçërisht nga Berlini në Tiranë, për të qenë pjesëmarrës në promovimin e librit tim “Nuse në derën e hasmit” në sallën e Ministrisë së Kulturës në Tiranë, ku edhe diskutoi.Para pak javësh, ishte një e papritur tjetër për mua; në postën time private në shtëpi, më erdhi nga Gjermania një kartolinë urimi bashkë me CD e përgatitur nga gazetari ku unë midis të tjerash shikoja dhe dëgjoja veten time.
– Cfarë është dashuria për ju?
Dashuria është ndjenja më e shenjtë e çdo njeriu. Jeta pa dashuri nuk ka kuptim. Kur flasim për dashurinë nuk duhet të kuptojmë vetëm atë ndjenjë të shenjtë intime që e ka çdokush nga ne. Njeriu ka shumë dashuri; dashuri për jetën, për familjarët, të afërmit, miqtë, shokët… dhe të gjitha këto dashuri janë të shenjta.rë është dashuria për ju?
– Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj të larmishme letrare?
Sigurisht, familja ime, bashkëshortja dhe dy djemtë e mi janë mbështetësit në çdo kohë.
Me bashkëshorten shpesh herë shkëmbej mendime të ndryshme. Ajo është lexuesja e parë. Sa herë unë mbaroj së shkruari atë që kam menduar, ia lexoj asaj dhe, sigurisht edhe ajo jep mendimin e saj.I falenderoj dhe i vlerësoj që, jo vetëm janë mbështetësit e mi, por më krijojnë edhe kushtet pa më shqetësuar sa herë mua më vjen frymëzimi dhe ulem e shkruaj.Ndjehem një bashkëshort i nderuar dhe një baba i lumtur.
Ju faleminderit!
Faleminderit ju Monda për këtë bashkbisedim dhe për kontributin e çmuar që ju jepni me shkrimet e tua dhe bisedimet me personalitetet e shumtë shqiptare nga fushat e ndryshme të jetës.
Suksese edhe juve në krijimtarinë tuaj letrare.
Bisedoi:Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: Bisede, Pandeli Simsia, Pierr, Raimonda Moisiu

Rajna Kovaçi: Kujtimet për Krujën dhe gratë që u grisën maskat diktatorëve

September 15, 2014 by dgreca

Shkrimtarja dhe studiuesja e njohur tregon jetën e saj/
Bisedoi: Raimonda MOISIU/
Kujtimet, mbresat dhe imazhet e fëmijërisë deri në detajin më intim, i ruan si relike të çmuara brenda vetes dhe në atë bibliotekën e moçme të Kovaçëve, simbolikës magjike të elementëve që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës. Do të mbetet e paharruar në jetën e saj, “Shtëpia e Kovaçëve”, që ndodhet poshtë kalasë së Krujës, një familje e madhe autoktone krutane e njohur për erudicionin e mençurisë dhe urtësisë, pathosit patriotik dhe liridashës, djepi i shumë historive dhe i Shkollës së Parë Shqipe në Krujë, por edhe si themeluesja e një prej lagjeve më të vjetra të qytetit, që sot gëzon emrin “Kovaçe”. E lindur, e rritur, mes legjendave dhe rrëfenjave për Krujën e krutanët, dhe kur shihte atin e saj teksa dilte çdo mëngjes në bahçen e Kovaçëve dhe fillonte të këndonte mes pemëve e dafinave me aromë magjike,dhe zëri melodioz i tij, do të zgjonte tërë qytetin, apo kur i fliste për artin e kulturën, për muzikën shqiptare dhe botërore, për kompozitorët dhe këngëtarët e mëdhenj, paraklasikë dhe klasikë. E edukuar në një ambient familjar mes dy kulturave të ndryshme, shqiptare nga babai dhe bullgare nga nëna, por që i bashkuan virtyte mirësie dhe njerëzore, vlera intelektuale e qytetare, të qenit artistë dhe ballkanas, do të luanin një rol shumë të rëndësishëm në formimin e dijes, kulturor, social, intelektual e qytetar, mes tradicionales e europianes, të bijës së tyre. Është interesant fakti se të dy gjyshërit nga babai dhe nga nëna, i përkisnin bindjeve monarkiste. Shkrimtarja, publicistja studiuesja, përkthyesja, psikologja dhe juristja, Rajna Kovaçi Tullumani konsiderohet tashmë si një ndër kronistet më profesionale e më të mira të fund shekullit të kaluar dhe këtyre dekadave të shekullit 21, dhe themeluesja e një gazetarie të re, përsa i përket studimit të kulturës ballkanase, europiane, angleze dhe amerikane, duke forcuar reputacionin e saj si një nga publicistet me përkushtim të jashtëzakonshme dhe depërtim të pazakontë në të përditshmen njerëzore. Është nga autoret e para në letërsinë shqipe që shkruan dhe trajton fakte nën optikën reale dhe me stilin brenda fakteve të vërtetuara në disa gjuhë të huaja. Kombinimi i së tashmes me të shkuarën, i letërsisë me publicistikën në fushën e letrave përbën bazën e letërsisë së suksesshme, por edhe një teknikë e vështirë për ta pasqyruar në krijimtari. Pena krijuese e Rajnës me inteligjencë dhe me vetëdije të thellë për të trajtuar gazetarinë në letërsi me art, duke luajtur kështu një rol të veçantë për një rotacion mediatik. Në këtë intervistë interesante, bija e vetme e këngëtarit dhe baritonit të shquar lirik, Artistit të Popullit, Ramiz Kovaçi, Rajna Kovaçi rrëfehet si kurrë më parë, për vete, familjen e prindërit, për ngjarje e histori të patreguara më parë, me optikën e qartshme të mendimit filozofik e artistik, nën aureolën e dashurisë njerëzore.
-Kam shfletuar dhe lexuar me interes të veçantë biografinë e aktivitetit tuaj krijues. Sinqerisht jam ngazëllyer nga mjeshtëria e kulturës profesionale që ju lëvroni në disa zhanre. Cila ka qenë eksperienca tuaj e parë në letërsi, publicistikë apo përkthim?
Kam shkruar që e vogël, ishte kënaqësi kur merrja lapsin në dorë filloja të shkruaja, ende kam emocion, duhet të ulem menjëherë të shkruaj nëse më vjen ajo energjia e brendshme pozitive krijuese. Desha ta hedh në letër atë që ndjeja brenda meje. Në fillore kam patur një mësuese letërsie shumë autoritare, kërkonte që çdo orë mësimi të sillnim krijimet tona.Për mua ishte një nga lëndët më të dashura, si gjuha dhe letërsia shqipe, por edhe historia, gjeografia, kimia, fizika dhe gjeometria. Kam qenë një fëmijë i ndrojtur,i përmbajtur, shumë e edukuar. Një rol shumë të rëndësishëm në kompletimin tim kulturor–socialo-njerëzor ka familja ime, mamaja dhe babai që më pajisën me një kulturë dhe sjellje si tradicionale ashtu edhe europiane. Nga çdo bisedë që bëja me mamanë (e cila në atë kohë punonte në bibliotekën e lagjes nr 8), kisha se çfarë të mësoja. Pjesën më të madhe të kohës së lirë e kaloja në bibliotekë pranë saj, në dimër me një sobë të vogël me dru që na ngrohte dhe na i bënte bisedat më të dashura. Përherë të parë në sajë të mamasë u njoha me libra dhe me shkrimtarë të klasikëve botërorë por edhe me ata që për kohën ishin të ndaluar.Babai me ndjenjën, pasionin e një artistit të madh më fliste shumë për artin dhe kulturën, për muzikën, operën shqiptare dhe botërore.Është e vërtetë që kam pasur një fëmijëri shumë të larmishme, por që në të vërtetë ishin prindërit që mundoheshin ta bënin të tillë, më të bukur dhe më të lumtur. Kuptohet jo nga aktivitetet që kishte për fëmijë, por ata mundoheshin ta bënin të tillë. Kisha një kanarinë të verdhë si dielli që na zgjonte çdo mëngjes nga gjumi, për të kujdeseshim të gjithë, kishim shumë lule, shumë libra, piktura të bukura, mbulesa të qëndisura nga duart e mamasë dhe të gjyshes time. Të gjitha këto luajtën një rol të rëndësishëm në formimin tim të përgjithshëm, ma zbukuruan dhe pasuruan shijen dhe fantazinë time. Me mamin krijonim shumë gjëra të bukura… Kam shumë kushërinj dhe kushërira, sepse Kovaçët janë familje shumë e madhe dhe unë e pëlqeja shumë këtë gjë.Më pëlqente shumë kur shkonim sëbashku të tre në Krujë sepse babai im ishte krutan dhe atje kishim një shtëpi shumë të bukur mes dafinave që ishin bërë si pemë dhe ullinj, lule shumë ngjyrëshe dhe gurë të bukur.Shtëpia e Kovaçëve ndodhet poshtë kalasë së Krujës dhe nga që ishte një familje shumë patriote dhe liridashëse themeluesja e asaj mëhalle, kështu që lagja mori emrin “Kovaçe”. E kujtoj me shumë nostalgji shtëpinë e gjyshërve të mi sidomos dhomën e gjyshit që ishte për ne një dhomë muze me korrespondencën e tij, plot me libra me kopertina lëkure vishnje të errët. Sa bukur që ishte atje gjyshi im dinte në mënyrë të shkëlqyer turqishten, persishten, italishten dhe disa gjuhë të tjera. Ajo dhomë me dërrasa, me qilimin e bukur të punuar me tezgjah nga duart e bukura të gjyshes time me ato ngjyra të ngrohta, me sënduqe të gdhendura, kolltuqe dhe me derën e gdhendur që kur mbyllej kërciste me një tingull të ëmbël që nuk e di përse por më bënte sikur me mua hynte edhe gjyshi dhe kënaqej, që dhe unë po hyja në dhomën e tij. Babai im më shpjegonte çdo gjë nga ato librat që kishin mbetur në atë bibliotekë të moçme të Kovaçëve. Por bashkë me portën kërcisnin edhe dërrasat e bardha të dyshemesë prej hapave tona të lehta. O sa bukur ishte atje! Shtëpia e Kovaçëve ka qenë shkolla e parë shqipe në Krujë, djepi i shumë historive plot me pathos dhe patriotizëm. Mendoj se ajo duhet të bëhet shtëpi muze, Pleqtë e Krujës ende tregojnë histori shumë të bukura për gjyshin tim që ishte një personalitet intelektual dhe kishte pasur detyra shumë të rëndësishme në kohën e Mbretit Zog. Një njeri shumë i dashur për mua ka qenë edhe halla ime Fatimja, një grua e mrekullueshme një zonjë e vërtetë që gjithmonë më ka falur shumë dashuri. Pushime të mrekullueshme për mua ishin ditët që kaloja në shtëpinë e xhaxhait tim në Durrës, zhurma, hareja, humori i kushërinjve të mi dhe sidomos i xhaxhait tim Hysenit, do të mbeten të paharrueshme për mua. Shpesh Kovaçët mblidheshin në shtëpinë e gjyshërve të mi dhe këndonin shumë bukur, Kamberi (njëri nga xhaxhallarët e mi) ishte një tenor që këndonte në grupin e pleqve të Krujës, Aliu, pedagogu i madh i kimisë që kishte përfunduar studimet në Pragë, Ceni po ashtu ekonomisti si dhe Hasani një intelektual i shquar me një fund tragjik dhe kuptohet babai im Ramizi, që ishte më i vogli i fëmijëve që këndonte shumë dhe aq bukur këngën popullore si të Shqipërisë mesme por edhe të veriut, por edhe këngët beratase, korçare. Nuk e di ç’do të jepja, që të kthehej edhe njëherë ajo kohë!Bazat e gjuhëve të huaja i kam marrë nga mamaja ime e dashur Nikoleta (që është bullgare) por edhe nga xhaxha im Hasani-një njeri i mrekullueshëm me një edukatë, inteligjencë dhe mirësi pafund. Nuk do ta harrojë kurrë babanë tim të dashur që shpesh në mëngjes kur ishim në Krujë dilte në bahçen e Kovacëve dhe fillonte të këndonte mes pemëve të dafinave aromë magjike, pranë një guri të madh që kishte rënë nga kalaja, pas një tërmeti të rëndë para qindra vjetëve. Të gjithë krutanët zgjoheshin në mëngjes nga zëri melodioz i babit, kam kujtime të mrekullueshme në Krujë.Në fëmijëri i kam njohur shumë pak të afërmit nga mamaja ime, ose më mirë të them pothuajse fare, por i kam admiruar, shpesh fantazoja për ta në bazë të përshkrimeve që më bënte mamaja.Ashtu ishte koha, diktatura nuk lejonte marrëdhëniet me të afërmit që ishin jashtë vendit. Mamaja ime kaloi një jetë të vështirë, që kur erdhi nga Sofia, ishte vajzë e vetme me dy vëllezër, shumë e bukur, e kulturuar, e respektuar, e mençur, përparimtare dhe shumë e edukuar. Vinte nga një familje e pasur dhe e shkolluar.Gjyshi im kishte qenë inxhinieri zbatues i Operës së Sofies, mbështetës i Mbretit dhe me shumë kulturë. Është interesant fakti se të dy gjyshërit i përkisnin bindjeve monarkiste. Edhe gjyshi nga ana e mamasë dinte gjuhë të huaja dhe ishte admirues i muzikës simfonike dhe asaj operistike.Gjyshja ime Rajna (e parë) ishte një grua me shumë vlera dhe virtyte i mungonte shumë e bija dhe nuk kishin mundësi as t’ia dëgjonin zërin njëra tjetrës në telefon. Në atë kohe as letrat nuk i jepnin, i shkaktuan shumë vuajtje mamasë por edhe babit që e shihte sa shumë vuante ajo. Por ishim me fat se kishim një familje të shëndoshë ku ekzistonte harmonia e mahnitshme mes nesh, prindërit e mi kishin një dashuri shumë romantike me njëri-tjetrin, babai e admironte mamanë time. Gjithmonë thoshte “nëse nuk do të ishte Nikoleta, unë kurrë nuk do të bëhesha ai që jam”.Familja jonë kaloi shumë vështirësi ashtu si i gjithë populli shqiptar, të gjithë jetonim në një burg të stërmadh. I kaluam sepse mes nesh ekzistonte ajo lidhja e fortë që askush nuk mundi ta shpërbëjë.Kur erdhën ndryshimet demokratike babai im e mori gjyshen nga Bullgaria dhe ajo jetoi këtu tek ne në Tiranë derisa mbylli sytë përgjithmonë, ne e kemi këtu dhe ka një varr modest, që ne ia mbulojmë me lule me shumë dashuri sa herë që shkojmë. Dëgjoja muzikë pafundësisht bisedoja shumë me mamanë dhe me babin, bisedonim për kompozitorët dhe këngëtarët e mëdhenj klasikë si edhe për ata paraklasikë.Legjenda dhe tregime për Krujën dhe krutanët.Bashkëbisedimi është shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e familjes.Shkollën e mesme e kam kryer në gjimnazin “Ismail Qemali” kam bërë krijimet më të mira të cilat donin apo s’donin mësueset i mbanin si të veçanta dhe i lexonin para nxënësve.Temat e ndryshme si detyra në lëndët e gjeografisë apo historisë ishin më të mirat.Vazhdova studimet në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Histori Filologjisë për degën Anglisht. U përpoqa shumë të isha përsëri e para si në gjimnaz por në atë kohë në atë fakultet lufta e klasave ishte shumë e fortë dhe unë i përfundova studimet me shumë vështirësi. Përsëri edhe në fakultet kam shkruar temat e ndryshme të kursit që ishin më të bukurat, më të ndjerat dhe më të veçantat. Mamaja është kujdesur shumë për të më edukuar shijen dhe kulturën jo vetëm në sjellje apo edukatë, por edhe në mënyrën e veshjes, qëndrimit, sjelljes. Në edukatën që më kanë dhënë prindërit e mi një vend të rëndësishëm zënë edhe morali, të qenurit modest, e përmbajtur, trime, e guximshme dhe e matur para çdo gjëje. Është shumë bukur kur prindërit janë nga kombe të ndryshme, secili prej tyre mundohet t’i japë fëmijës më të mirën që ka, si nga vetja, por edhe nga vendi që përfaqëson. Të jepet mundësia të njohësh kulturat, natyrat apo dy botë të ndryshme që kanë ndryshueshmëritë dhe specifikat e vecanta. Por e bindur them, e ndjej që të qenurit shqiptar tek unë dominon mbi gjithçka. Tashmë jam një nënë dhe një gjyshe shumë e lumtur, vajza ime Ramona po bëhet një artiste shumë e njohur e skenës operistike dhe një zë që do të ketë një të ardhme shumë premtuese. Vajza ime Ramona po nderon veten dhe ne, në të gjitha drejtimet, ajo është një këngëtare shumë e mirë që e di fare mirë se për tu bërë një e madhe nuk mjafton vetëm talenti por edhe puna, dhe asaj nuk i mungojnë as dëshira, vullneti për të punuar dhe për tu përpjekur.Por ajo është edhe një bashkëshorte dhe nënë e mrekullueshme. Sëbashku me bashkëshortin e saj kujdesen mrekullisht për djalin e tyre të vogël, engjëllin që na erdhi si dhuratë e zotit mes nesh Borisin e mrekullueshëm. Ne të gjithë i jemi dedikuar shumë Ramonës, fëmija nuk mund të bëhet i mirë dhe i përgatitur për jetën vetë ashtu kot po nuk pati përkushtimin, dashurinë dhe durimin e prindërve.
-Do të thotë se ju keni nisur aktivitetin krijues që në moshë të re. Kjo duhet të ketë qenë me të vërtetë emocionuese dhe inkurajuese.Çfarë mendoni se ju ka frymëzuar për të shkruar apo përkthyer?
Mundohesha të gjeja burime frymëzimi por në përgjithësi në atë kohë kam akumuluar dhe mbledhur shumë. Frymëzohesha shumë nga deti Adriatik që më bënte dhe më bën të meditoja me orë të tëra, lindja dhe perëndimi i diellit ka një forcë shumë të madhe tek unë e shoh dhe e ndjej sepse bëj joga. Kam qenë dhe jam vëzhguese shumë e mirë. Kam një dashuri të madhe për lulet, natyrën dhe për njeriun, mundohem tek çdo njeri që njoh të gjej apo të zbuloj tek ai ose ajo veti pozitive.
Dëgjoja muzikë pafundësisht, bisedoja shumë me mamanë dhe me babin, për kompozitorët dhe këngëtarët e mëdhenj klasikë si edhe për ata paraklasikë. Pasi u linda në Sofje me mamanë erdhëm në Tiranë por nuk kishim shtëpi dhe jetuam njëfarë kohe tek xhaxhai im në Durrës, i mbetem përjetë mirënjohës atyre për atë mikpritje që mamaja ime e kujton përherë. Më pas tek familja e mikut tonë Ibrahim Tukici, edhe atyre u jam mirënjohëse. Më pas tek kushërira e babait tek familja Korbi-Tauzi, dhe atyre ju mbetem mirënjohëse gjithë jetën. Jam e lumtur që jam rrethuar me shumë dashuri nga njerëzit e afërt.
-Gjatë hulumtimit rreth krijimtarisë tuaj hasa librin e titulluar; “Diktatorët, burra të pangopur me gra”. E shtyrë nga kurioziteti që në titull, do të dëshiroja të dija se si keni arritur ju të procedoni “në udhëtimin monografik të ndjenjave të këtyre diktatorëve”, ndikimin e faktorit femër në jetën e tyre politike, social-ekonomike kulturore dhe drejtimin e shtetit? Ju jeni aq kreative, sa vërtet ka një shtrirje të gjerë të kombinimit të fakteve historike, kujtesës dhe marrëdhënieve mes tyre. Pse zgjodhët pikërisht “diktatorët” dhe këtë titull?
Jam nga krijueset e para që në letërsinë shqipe shkruaj dhe trajtoj fakte reale me stilin ku brenda fakte të vërtetuara në tre apo katër gjuhë të huaja. Në këtë libër hyn gazetaria e trajtuar në letërsi me art. Kjo lloj letërsie është e njohur në botë dhe këta lloj shkrimtarësh të bazuar në fakte nuk janë shumë por njihen në të gjithë botën…..në përgjithësi më ka pëlqyer që në jetë të jem avangarde- si në veshje, në mënyrën e të menduarit, të vepruarit por edhe të shkruajturit. Në rininë time kam patur probleme në mënyrën si vishesha. Më pëlqen e veçanta dhe bashkëkohorja, nuk jam kundër traditës, sepse jam rritur në një familje shumë tradicionale me rregulla, por me metoda moderne. Edhe mamasë time i pëlqente dhe dinte ta gërshetonte shumë mirë modernen me tradicionalen, si në teori dhe praktikë. Mamaja më edukoi disiplinën në jetë, forcën e karakterit, optimizmin dëshirën për të vlerësuar jetën dhe bukurinë e saj, privilegjin që jemi në këtë jetë. Të çuarit deri në fund të punëve të filluar, durimin, pritjen, ndihmën për njerëzit në nevojë, dhembshurinë, fjalë pak dhe punë shumë. Kujtoj me nostalgji kur shkonim në Krujë, babai më merrte me vete nëpër vizita tek miqtë e të afërmit, më kujtohen ato bisedat apo kuvendet e burrave të mencur krutanë ku unë isha e pranishme dhe burrat e Krujës flisnin për tema të ndryshme, do të mbeten të skalitura në mendjen time ato bisedat e takimet. Ata ishin si malet me borë shekullore, unë kisha fatin t’i dëgjoja, t’i prekja dhe t’iu puthja dorën. Babai më merrte kudo, ndoshta kishte nevojën e të pasurit një djalë, por nuk e shprehu kurrë, më thërriste: ”thesari im më i çmuar” kam mësuar shumë, e kam qenë e pranishme në shumë ngjarje të rëndësishme. Përse “Diktatorët, burra të pangopur me gra”?-ose do të thosha ndryshe, këta djaj të pangopur me gra. Ishte një botim që dokumenton në shqip historitë e grave në krahët e diktatorëve. Kush ishin ata që çuan botën drejt kataklizmës, ndërsa kanë rendur në kërkim të imazhit të femrës së paarritshme.Të bindura dhe potente, janë ato që rezistuan prej dhunës apo vullnetit të lirë të Hitlerit, Stalinit, Maos, Titos, etj. Janë këto gra që u çorën maskën këtyre personazheve me shënimet, ditaret apo kujtimet e tyre për t’i treguar të vërtetën botës se kush ishin në të vërtetë këta diktatorë. Cian Cin, gruaja e diktatorit kinez Mao, kishte pamjen e një burri të shëmtuar me rroba ushtarake, me kasketë dhe me flokë të prera shumë shkurt.Edhe këto ishin shenjat e revolucionit kulturor kinez, të cilin e drejtoi ajo vetë, ish artistja e madhe me trup të hijshëm, dhe shumë sensuale, poshtë fustaneve tafta. Cian Cin e bindi vetë Presidentin amerikan Nikson gjatë premierës së baletit të famshëm ”Detashmenti i kuq i grave” sepse kjo ishte një vepër e masave. Faktet historike dhe kujtimet e babait tim artistit të madh të skenës shqiptare baritonit Ramiz Kovaçi qëndrojnë bashkë në librin tim.Duke qenë se jam vajzë me mama bullgare dhe me baba shqiptar që në fëmijëri e kam provuar frikën si gjithë familjet me probleme të atyre viteve, ku burrat shqiptar ishin martuar me gra të huaja. Duke jetuar në diktaturë e kemi provuar presionin e vazhdueshëm psikologjik, edhe se im atë ishte Artist i Popullit, që në fëmijëri u rrita me frymën e “Kujdes”;- “Mos fol, ki mendjen se çfarë thua”. Kështu motivet për të shkruar këtë libër u bënë më të qarta në Bullgari, në vendin e nënës sime. Me të rënë në kontakt me lirinë e të shprehurit, rashë në kontakt me fakte shumë interesante, ku flitej për gra të keqpërdorura në diktaturat sidomos të majta por edhe të djathtat si naziste, fashiste apo komuniste, marksiste, të diktaturave të proletariatit.I kisha të gjalla kujtimet e babait tim me gruan e Maos, atëherë kur artistët dhe kuadrot e larta të shtetit shqiptar udhëtonin drejt Lindjes së Largme, jo për leksionet e pavdekshme të Budës, por për lojën mediokre, “shakanë” e egër, por serioze të revolucionit kulturor kinez për të cilin ose duhej të mendoje dhe luftoje si revolucionar ose në të kundërt ishe një zero me xhufka. Isha e vogël kur babai përpiqej pafundësisht të mësonte brenda disa ditësh tekstin aq të vështirë të këngëve kineze, para nisjes në Kinë në provën gjenerale ku do të paraqitej gjithë programi përfshirë edhe këngën e babait, -mendoni se çfarë presioni. Nëse nuk i dinte përmendësh kush e di se çfarë mund t’i ndodhte. Babai tregonte për vlerat e jashtëzakonshme të Orientit, që u dhunuan dhe u shpërdoruan në atë periudhën e mallkuar, ku tempujt e mrekullueshme të Budës, u dhunuan njëlloj si kishat dhe xhamitë këtu tek ne. Kam shumë foto të bukura dhe me vlerë që i ruaj me fanatizëm, por ndoshta i përkasin të ardhmes. Deri tani desha të rrëfeja përmes fakteve shumë të komentuara dhe sensacionale të historive të diktaturave të diktatorëve që ishin edhe lufta gjinore mes burrit dhe gruas.Ndërsa në socializëm gruaja ishte krejtësisht e shpërfytyruar.Jo më kot Cian Cini apo Krupskaja ngjanin si burra, edhe pse për të arritur në majë të kupolës kineze, kishte përdorur energjinë femërore negative. Po ashtu edhe Jovanka e Titos se si nën hijen e bashkëshortëve p.sh. të Maos ajo drejtoi për disa dekada deri në vitet ‘70, milionat e turmave kineze. Ajo ishte krijuesja dhe themeluesja e revolucionit kulturor kinez.Ajo ishte e kundërta e Eva Braunit, një naziste e bindur dhe e përulur për hir të frikës ndaj Hitlerit, me të cilin u martua vetëm 2 muaj para vdekjes.Eva Braun ka bërë disa herë tentativë për t’u vetëvrarë, por rojet vigjilente të Hitlerit e shpëtuan, ajo e dinte fare mirë se ai e tradhëtonte, por e pafuqishme përballë tij duronte në heshtje mënyrat dhe metodat perverse të tij.Apo gruaja mjerane e Leninit, Krupskaja që u martua me urdhrin e Partisë, që duroi dhe suportoi shumë sjellje perverse të Leninit si bashkëjetesën me Anisa Armand në të njëjtën çati, por edhe sjelljet e tij homoseksuale.Apo për Stalinin këtë pushtues të dhunshëm të grave, Musolinit, koleksionisti i femrave, Titos dhe haremit të tij, etj.Kam punuar katër vjet për këtë libër dhe kam gjetur fakte në tre gjuhë të huaja, shpesh jam tmerruar nga dhuna dhe krimet e këtyre bishave me fytyra njerëzore shpesh kam qarë sepse nuk më besohej se si njeriu mund dhe bën kështu.Dhe i ballafaqoja këto fakte në gjuhët e ndryshme ato ishin të vërteta. E shkruajta këtë libër për t’u treguar sidomos shqiptarëve se nuk ishte Lenini, Stalini, Tito apo Fidel Kastro ashtu si na e kishin mësuar nëpër shkolla. Ata ishin krejt ndryshe nga vëllimet dhe librat që shkruanin.Ishin në kundërshtim me moralin komunist që predikonin, ishin njerëz pervers dhe hipokrit në mënyrën e sjelljes me gratë dhe të dashurat e tyre. Ata ishin ashtu si thotë populli: ”Mos bëj si bëj unë por bëj si them unë”.
-Cili ka qenë motivi që ngjalli te ju interes për të përfshirë në edukimin tuaj arsimor për Gjuhë-letërsi, kulturën bullgare dhe për drejtësi. Më pas në krijimtarinë tuaj ju dialogoni përmes tyre, mos kjo erdhi si një reflektim i brendshëm i inteligjencës tuaj?
Më ka pëlqyer gjithmonë gjuha dhe letërsia shqipe, jam munduar të flas me rregulla dhe me gjuhë letrare, megjithëse në shtëpinë time është folur përherë gegërisht, babai në vogëli më ka folur për gjuhën e Fishtës por edhe të Naim Frashërit. “Lahutën e Malësisë” e dinte përmendësh por edhe “Bagëti e Bujqësi” dhe recitonte me zë të ulët sa herë që do të dilnim bashkë, pra krahas këngëve të vjetra të kohës së Skënderbeut nuk harronte kurrë të recitonte dhe më pas ma shpjegonte në gjuhën letrare. Por vetë ai nuk e ndryshoi kurrë dialektin e të parëve.Krahas gjuhës shqipe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja unë vazhdova për gjuhë dhe letërsi angleze dhe amerikane. I lexoja librat që na jepnin pedagogët me shumë dëshirë dhe më dukej sikur i përpija kur i lexoja. Kur isha fare e re kisha dëshirë të madhe të studioja mjekësi dhe drejtësi. Mjekësinë nuk munda ta arrij, ndërsa drejtësinë munda ta vazhdoj.Të dyja universitetet shtetërore që i përfundova më kanë ndihmuar shumë në punën dhe në jetën time. Pasi përfundova Drejtësinë ndjehesha më e kompletuar tashmë në mendjen time ishte shtuar edhe një dije tjetër shumë e rëndësishme,jo vetëm për mua por edhe për familjen time. Vëzhgimit dhe intuitës time ju shtua edhe një dije tjetër e cila më ka çuar në përfundime të pagabueshme dhe shumë të drejta. Dua të them që intuita dhe ligji kur bashkohen ndoshta jo shpesh por kur arrijnë të gërshetohen ta dini se nuk të lënë të gabosh kurrë. Përsa i përket kulturës bullgare ka qenë për mua një mister, mamaja ime ma mësoi gjuhën bullgare me zë të ulët në shtëpi qetësisht pa shumë bujë. Askush nuk e dinte që unë dija bullgarisht,jo vetëm të folur por edhe me gramatikë dhe të shkruar. Mamaja ime kishte mbaruar gjuhë dhe letërsi ruse dhe bullgare dhe e dinte gjuhën me themel.Sapo u hapën rrugët unë shkova në Sofie dhe ndoqa një kurs pasuniversitar për Gjuhë- Letërsi dhe Kulturë Bullgare.E përfundova me sukses ku mora edhe Diplomën nga Universiteti Shtetëror i Sofies “Kirill i Metodi”.Atje u njoha me shumë shkrimtarë të mëdhenj ku kishin liri për të ushtruar artin e tyre.Diktatura në Bullgari kishte qenë më e butë, mua më dukej se ata kishin qenë të “përkëdhelurit e socializmit”.Ata nuk e dinin se ç’ishte tolloni, apo mohimi i muzikës perëndimore, mohimi i besimit ndaj Zotit, dhe kur unë ju tregoja ata çuditeshin dhe nuk besonin.Më pëlqyen disa autorë por më shumë Radickovi dhe kur u ktheva zgjodha të përktheja novelën e tij “Shtamba e Blertë”.Më pas vazhdova të përktheja poezi, tregime dhe novela të tjera.Ishte vepra e parë nga bullgarishtja që u përkthye në shqip pas viteve ‘90 në revistën “Bota Letrare”.Në këtë vëllim përkthyem disa autorë ballkanas për tu bërë të njohur lexuesit shqiptar edhe letërsinë e vendeve fqinjë.Kjo revistë u botua disa numra por mbetet nga më të mirat deri më sot.Për herë të parë në ato vite përktheva jetën e “Bitëllsave” në një nga numrat e fundit të revistës “Nëntori”.Në faqet e fundit i bashkangjita të gjitha tekstet e këngëve të tyre.Pati shumë sukses. Në shkrimet e mia kam trajtuar tema tabu në mënyrë që ti shpjegoja lexuesit shqiptar se tashmë ne nuk ishim të verbër na kishin ardhur sytë dhe duhet ta vëzhgonim botën ashtu siç është.
Fund i pjesës së parë
Bisedoi: Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: maskat diktatorëve, Raimonda Moisiu, Rajna Kovaçi: Kujtimet për Krujën dhe gratë që u grisën

Plaka:“Kemi detyrimin të përballemi seriozisht e korrektësisht me të shkuarën tonë diktatoriale”

September 6, 2014 by dgreca

(Intervistë me gazetarin, përkthyesin dhe studiuesin, Armand Plaka)/
Armand Plaka është gazetar, përkthyes e studiues, diplomuar për gjuhë e kulturë gjermane nga Universiteti i Tiranës. Ka kryer disa studime pasuniversitare e trajnime në fushat e politikës, shkencave të komunikimit e diplomacisë, në Shqipëri, RFGJ, e rajon. Ka bashkëpunuar me të përditshme të ndryshme shqiptare si “Panorama”, “Shqip”, “Shqiptarja.com”, dhe revista periodike si “Shqip” e “KLAN”. Ka qenë bursanti i parë shqiptar në Bundestagun Gjerman, dhe po ashtu edhe bursanti i parë shqiptar në Berlin, pranë Fondacionit “Konrad Adenauer”. Kontributi i tij është sidomos i spikatur në fushën e studimeve deontologjiko–mediatike; në trajtimin e figurave e fenomeneve të ndryshme, duke i vlerësuar ato në aspektin profesional gazetaresk, atë politik e historik. Është njohës i mirë i kulturës e politikës së vendeve të Europës Qendrore e Lindore, Gjermanisë, e të ish–republikave sovjetike. Njeh disa gjuhë dhe ka përkthyer qindra artikuj në shtypin e përditshëm, si dhe tri libra. Armand Plaka ka lindur në Tiranë më 1975. Është i martuar, dhe ka një fëmijë.
Bisedoi:Raimonda MOISIU
-Përshëndetje z. Armand, Ju falenderoj për kohën e vyer në përkushtim të kësaj interviste dhe rastësinë e mrekullueshme për të diskutuar fillimisht rreth librit tuaj studimor “Shqipëria moniste në mediat perëndimore, 1945-1990”. Sinqerisht jam kurioze të di motivin dhe interesin që ngjalli te ju personalisht, shkrimi i këtij libri dhe pse vendosët të dialogoni përmes etapave historike? Përse ky titull?
Përshëndetje Raimonda!
Në fakt ngacmimi për ta botuar këtë libër më erdhi nga vetë puna ime në mediat shqiptare, por sigurisht edhe nga një thirrje e brendshme e kahershme, që lidhet me pasionet e mia në një ndërthurje sa të llogjikshme, aq edhe intriguese. Është një përpjekje për të parë larg dhe afër, duke katapultuar një të djeshme që paradoksalisht, ndikon fort në të sotmen e sidomos në të ardhmen e këtij vendi. Pasioni im për historinë nuk është i vetmi shkak, sepse jam shumë i ndërgjegjshëm se shqiptarët, si popull ballkanik, apo europianojugor, janë shumë të dhënë pas historisë, e sidomos asaj politike kryesisht të vonë, për vetë gjurmët dhe pasojat që ajo la në fatet e tyre të përbashkëta. Janë etapa historike që me konsensusin e të gjithëve, tashmë njihen gjerësisht në Shqipëri, të konsumuara në fakt gjatë të njejtës periudhë monizmi, por të veçuara si me thikë, dhe paradoksalisht, të lidhura e ngjizura si me zamk. Pasi shumatorja e tyre fatkeqësisht, solli të njejtin rezultat që dimë të gjithë: gremisjen në një humnerë të vërtetë, së pari ekonomike e politike, por jo më pak edhe njerëzore. Titulli erdhi vetvetiu, si një reagim spontan, apo një zhvendosje realitetesh, të cilat dikur ishin domen vetëm i njerëzve të veçantë: i atyre që e shihnin këtë vend si të huaj, gjë që njëkohësisht u jepte atyre “privilegje”, të cilat vendasit nuk mund t’i kishin. Pra, nëse i referohemi shprehjes së famshme latine “veni, vidi, vici”, pjesa e fundit, ajo e pushtimit mbetej, le të themi, evazive, por vetëm në një farë kuptimi, pasi “pushtimi” i të huajve, apo fitorja që mendohet më së shumti kur sillet ndërmend kjo shprehje, ishte vetë hyrja në atë vend të izoluar hermetikisht e raportimi në redaksitë përkatëse. Ishte një titull preçiz, i shkurtër dhe plot mesazhe. Në fakt nuk u mundova shumë, pasi ajo ishte diçka që shquhej lehtësisht mes rreshtave, jo në mënyrë eksplicite, sigurisht, por si një përpjekje e sinqertë e dy gazetarëve gjermanë në vitet ’80 në reportazhin e tyre në revistën “Stern”. Kështu që pa drojë e instiktivisht mendova në çast, se ky duhej të ishte edhe titulli i librit tim.
-Ky libër, vlerësuar tashmë nga kritika e kohës, nuk është fantazi, por një realitet i pastër historik. Cilat janë elementët thelbësorë dhe sfida që u përballët me ndërtimin e tij dhe idetë tuaja?
Si fillim do shtoja se është jo vetëm një realitet i pastër, por edhe i dhimbshëm historik. Shumëkush nga brezat e mëparshëm, apo madje një pjesë edhe nga ky i yni, mund të shohë aty vetveten; në fëmijëri, në rini, në adoleshencë, mund ta gjejë atë në një fabrikë prodhimi, në kinema, duke shëtitur në qytet, ulur në një stol a në një park, e ndoshta edhe duke pëshpëritur me shokët e lagjes për bëmat e ish-regjimit monist në Shqipëri. Por sigurisht se mund të bëjë edhe një bilanc e krahasim me arritjet e dështimet tona të përbashkëta në këto vite të demokracisë, duke i parë shumë paragrafë të tij, pse jo, edhe me sy kritik e diku edhe me nostalgji. Elementët bazë në hartimin e kësaj përmbledhje kanë qenë materialet më kryesore të shtypit perëndimor, të cilat më duhej t’i veçoja, duke i marrë si etalon i raportimit publik e në ndonjë rast edhe atij sekret në “botën e lirë” përgjatë atyre viteve. Një sfidë e vërtetë ka qenë në radhë të parë, sigurimi i materialeve në fjalë, kryesisht reportazhe, por edhe analiza e opinione, të cilat në shumë raste më është dashur t’i mbledh si kopje origjinale, të marra sa në arkiva të huaja, aq edhe si dhurata nga miq e të apasionuar, ashtu të zverdhura nga koha e pluhuri, por në ndihmë sigurisht se më kanë ardhur edhe mundësitë moderne, pra dixhitalizimi i shumë prej platformave, për të cilat shpesh më është dashur të rrëmoj gjatë, të shpenzoj kohë e para. Merret me mend pastaj se sfida më e madhe pastaj ka qenë përzgjedhja, përkthimi e komentimi – shpeshherë shumë i zgjeruar – para se publiku shqiptar, thuajse në të gjitha rastet, t’i merrte ato të plota e pa shkurtime nga origjinali, në mënyrë që në fund ai të analizonte vetë e lirshëm mbi përmbajtjen e tyre. Një sfidë reale ka qenë vetë ideja për t’a sjellë këtë përmbledhje, e cila realisht më përballte me frikën se mund të cilësohesha edhe thjesht një përkthyes, pa asnjë meritë autoriale, ndërkohë që prej kohësh, e dija se tashmë po sillja një kontribut, sado modest, por gjithsesi të vërtetë e që bazohej tërësisht në përpjekjet e mia.
– Si keni arritur ju të procedoni “në udhëtimin historik”, të jeni kaq kreativ, ku ka një shtrirje të gjerë të kombinimit të fakteve historike, kujtesës, marrëdhënieve ndër-etnike, kombëtare, europiane veçmas asaj ballkanike, që perceptojnë vlerën e madhe të edukimit kuptimplotë të vetëdijes njerëzore, në pikpamje me të kaluarën, të tashmen e të ardhmen?
Udhëtimet – sikurse e paramendoni dhe ju me të drejtë – nuk lidhen thjesht dhe vetëm me një zhvendosje gjeografike, nga pika A në pikën B, por ato njohin përmasa shumëplanëshe, e kësaj dore ndodh që të udhëtojmë edhe në histori, apo letërsi, politikë apo dhe kulinari. Por udhëtimi, sikurse dhe lufta, ka ca rregulla: nuk mund të nisesh pa plan, armë, para, apo strategji. Kështu mendoj se më ndodhi dhe mua. Kreativiteti ka ardhur si pasojë e një instikti e pasioni të vjetër për letërsinë, muzikën, gjuhët e huaja e kulturën në përgjithësi. Këto kanë qenë në fakt armët e mia. Njohja e hershme e botës me anë të tyre, edhe kur nuk kishim shkelur kurrë një vend të huaj, dhe “rikonjicioni” në terren pas viteve të demokracisë, e sidomos eksperiencat studimore e jetësore që kam pasur në Berlin e Gjermani, ma mundësuan e poqën plotësisht në kokë idenë e kësaj përmbledhje. Berlini është një qytet ku edhe pse tashmë gjendemi më shumë se dy dekada pas rrëzimit të Murit, në mentalitetet e tyre, shumë njerëz ndahen akoma në “perëndimorë” e “lindorë”. Por të përbashkët kanë përpjekjen për një jetë më të mirë, duke arritur tashmë prej kohësh t’i tejkalojnë barrierat: jo domosdoshmërisht ato ekonomike e infrastrukturore – megjithë përpjekjet e shumta e në shumicën e tyre tashmë të realizuara – por kam këtu parasysh detyrimin për t’u përballur denjësisht, seriozisht e korrektësisht me të shkuarën e tyre diktatoriale. Gjë e cila nuk është bërë në Shqipëri, e nuk ka gjasa se mund të bëhet sa më shumë që koha kalon. Sidoqoftë përpjekje ka dhe do të ketë, por Shqipëria duket se nuk i ka shpëtuar dot politizimit e abuzimit, selektimit e keqpërdorimit, gjë e cila ka çuar në pseudopërpjekje, apo dhe heshtje, harrim e mohim. Kombinimi i fakteve historike, apo kujtesa që ju përmendni, është shumë e rëndësishme. Ajo na lidh pastaj me pasojat e sjelljeve njerëzore e politike në marrëdhënie të tjera, siç janë edhe ato ndëretnike e kombëtariste, duke na katapultuar sa nga njëra epokë në tjetrën, për të parë gabimet e korrigjuar shënjestrën.
-Ju keni një eksperiencë vërtetë mbresëlënëse në aspektin professional, përsa i përket studimeve deontologjiko–mediatike; Si operoni ju në trajtimin e figurave e fenomeneve të ndryshme, që të japin përshtypjen në kuptimin e tyre simbolik, importin moral, qytetar e intelektual, dhe substanca humaniste në përputhje me interpretimin gazetaresk, historik, shkencor dhe filozofik?
Më ka pëlqyer gjithmonë rrënimi në kohë, por edhe në mentalitetet njerëzore. Kush më mirë se sa personalitete e figura të veçanta, por edhe fenomene “origjinale”, i mbartin tiparet e mendimit shoqëror përkatës, në kohë e hapësira të ndryshme? Ndodh që dikujt i është “ngrënë haku”, dikush tjetër ka marrë më shumë në kurriz të një tjetri, ndodh që dikush është mallkuar e anatemuar e dikush tjetër, lartësuar e mbivlerësuar. Në këtë lëmi kam operuar shpesh edhe unë, pa dashur të jem paragjykues; kam vënë re kontribute të mohuara e i kam nxjerrë në dritë tek-tuk, u kam hedhur pak “kripë e piper” në ndonjë rast tjetër, apo u kam shtuar edhe balsamin në ndonjë rast, le të themi. Por nuk e kam pasur në fakt si qëllim primar. Më ka interesuar të sjell gjithmonë diçka të re, ta padalë, të panjohur e mundësisht nga burime të huaja, nisur nga motive realisht profesionale, për të ngjallur më pas debat në rrethe të interesuara, sidoqoftë të prera në formatin gazetaresk më shumë. Në të gjitha rastet, kam cituar sigurisht burimin, qoftë online apo në print, në mënyrë që kushdoqoftë, të përballet me të vërtetat ashtu siç janë, paçka se kam hasur edhe në nihilistë, nostaligjikë etj., por edhe në interpretues e vlerësues të përpjekjeve reale. Besoj se kam vepruar gjithmonë në përputhje me instiktet e mia, por edhe me vlerat e një morali universal njerëzor, duke u përpjekur të mos bie pre e ideologjive, pasioneve, krahinarizamave e bindjeve, apo mosbindjeve religjoze. Në punë e sipër kam gjetur sigurisht, substanca të filozofisë e moralit human, shkencës dhe historisë, që më kanë bërë të thellohem e mendoj më shumë tek-tuk, apo dhe të ndaloj gjatë e të kthehem shpesh në drejtime të tjera.
-Ju keni një karrierë personale jo të shkurtër tashmë në shtypin shqiptar, e pjesërisht edhe në atë gjerman. Që do të thotë se keni përjetuar momente mbresëlënëse, të këndshme, por edhe kritike, dëshpëruese e të trishta. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj?
Në fakt eksperienca ime është relative në këtë drejtim, pasi më është dashur që ta ndërpres kontaktin fizik me mjedisin gazetarek për disa kohë, falë angazhimeve të mia në punë e fusha të tjera, që nuk kanë lidhje direkte me gazetarinë, por gjithsesi në një, apo një tjetër mënyrë, jam me fat qe kam arritur ta mbaj gjallë atë kontakt. Sidoqoftë, unë kam qenë shpesh i angazhuar në rubrika, apo sektorë që realisht nuk të bëjnë shumë të dalësh në pah, siç janë dossieret, suplementet kulturore, historike, politike e diplomatike, përkthimet, apo dhe “bota dhe rajoni”, të cilat madje shpesh botohen edhe në anonimat, duke bërë që të të humbin realisht gjurmët e kontributet, pavarësisht vulumit e kualiteteve që sjell në redaksi. Po ashtu, një handikap tjetër në këtë drejtim, megjithë eksperiencat studimore e praktikat në radio e TV në Gjermani, ka qenë edhe angazhimi im thuajse vetëm në median e shkruar, minuset e të cilit përballë medias elektronike, tashmë dihen. Përtej tyre, besoj se çdo njeri ka momente mbreslënëse, apo dhe dëshpëruese e të trishta. Kam përshtypjen madje se vetëm mediokri, nuk i përjeton të tilla ndjesi. Zhgënjime kam pësuar në terrenin ku kam punuar, duke përfshirë këtu edhe vetë gazetarinë, apo shoqërinë civile, elementë brenda radhëve të së cilës, shpesh po mbajnë peng procese normale evidentimi, promovimi e vlerësimi, me të cilët jam përballur drejtpërdejt e pa ekuivoke, duke i besuar më shumë instikteve të mia, për të cilat u shpreha edhe më lart.
-Kam lexuar me interes të vecantë artikujt tuaj studimorë; dossier, trajtesa, analiza politike, reportazhe, intervista e publikime të tjera në fushën e publicistikës. Si keni arritur ju, të harmonizoni aktualen mbizotëruese historike, sociale e politike, në kurriz të pavarësisë tuaj intelektuale?
Në fakt besoj se jam një viktimë e dy pasioneve në dukje pa lidhje me njëri-tjetrin: teknologjia dhe historia. Por unë besoj se ato më mbajnë realisht të balancuar e më lidhin ngushtësisht më pas edhe me letërsinë e politikën, por edhe me fusha të tjera, të cilat vetëm me përpjekje e pasion, them se harmonizohen vetvetiu tek çdokush. Sidoqoftë, do këmbëngulja më shumë tek një bashkëjetesë e tyre me individin dhe jo tek kthimi i tyre në një barrë ndaj pavarësisë intelektuale, të paktën nisur nga eksperienca ime.
– A ka ndonjë moment paralel gjatë eksperiencës tuaj, që si rrjedhojë ka sjellë edhe këndvështrimin paralel mbi përvojën jetësore, social-politike e historike?
Po keni të drejtë. Janë edhe ato momente për të cilat nuk mund të flas konkretisht, por lidhen kryesisht me të djeshmen time e të familjes sime, por që i hasim edhe në përditshmërinë tonë të shndërruara në shqetësime sa personale, aq kolektive në një shoqëri që po kalon një tranzicion të stërzgjatur e shumë të lodhshëm.
-Z. Armand, Ju jeni edhe përkthyes e keni sjell në shqip disa libra. Cfarë ju lidh me përkthimin dhe si i keni marrëdhëniet me të? Ç’mund të na thoni për ndonjë peng të së djeshmes apo plan aktual?
Në fakt, arsimimi im primar është përkthimi e i përkas madje brezit të parë të të diplomuarve në atë drejtim, në vitin 2000, pas një “eksperimenti” që u bë atëherë për herë të parë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, ku u realizua ndarja mes specialiteteve; mësuesi e përkthim. Por katapultimi në profesione të tjera (kam qenë koordinator në një institucion shumë të rëndësishëm të edukimit politik gjerman), fusha të tjera studimore, si dhe marrja me gazetari, më ka bërë që t’a përdor përkthimin më shumë si një vegël e mirëfilltë për të arritur synime të tjera, ku siç theksova edhe më lart, shumë kontribute edhe kanë humbur e nuk kanë arritur të dokumentohen dot. Sidoqoftë, sigurisht se letërsia e përkthimi letrar mbeten një nga pasionet e mia të hershme, të cilit i rikthehem sa herë kam kohë e mundësi. Kjo lidhet shumë edhe me trajtimin joadekuat e shpesh jodinjitoz ndaj përkthyesve, çka më ka bërë shpesh të tërhiqem nga planet e mia. Duhet të dini se në ambientin ku jetojmë, është një luks i vërtetë që të përkthesh vërtetë ato që do, pasi këto procese janë një “konsensus” i njëanshëm, le të themi, mes përkthyesit e botuesit, çka bëjnë që produkti të mos jetë domosdoshmërisht shija jote. Kjo lidhet edhe me arsye të tjera siç janë tregu, tendencat e lexuesve, kriza në botën e librit etj. Mjafton t’ju them se së fundmi jam marrë me autorë të letërsisë bashkëkohore austriake, të cilët megjithëse vijnë si një përzgjedhje e Ministrisë austriake të Kulturës, për t’u sjellë në shqip, fatkeqësisht nuk kanë gjetur shumë terren. Mua më mbetet vetëm të falenderoj sponzorët dhe botuesin, të cilët me logot e kontributin e tyre, janë edhe një konfirmim për punën time, në një ambient ku tashmë prej kohësh gjithkush shkruan, përkthen e boton ç’të mundet, e ku mungon kritika. Më anë tjetër, kam patur mundësi të përkthej e botoj plot cikle studimore, kryesisht të sferës politike e historike, në shumë të përditshme e revista, të cilët me kalimin e kohës mendoj t’i katagolizoj e t’i përpunoj, duke i sjellë si botime të mirëfillta në format libri. Po ashtu, po merrem edhe me një “fiction” historik të një autori gjerman mbi periudhën e Princ Vidit dhe një studim voluminoz mbi një teori interesante të një filozofi po gjerman të viteve ’20 të shekullit të kaluar, i cili në realitetet e sotme globale, merr një vlerë edhe më të madhe, duke e katapultuar atë si një parashikues ekzakt të fateve të njerëzimit edhe, thuajse 100 vjet, pas asaj që ai shkroi.

-Në punën tuaj si përkthyes i disa autorëve, a e ka nxitur përkthimi i tyre ndjenjën tuaj të krijimtarisë, intensitetin dhe kërkesat në artin tuaj të të shkruarit?
Ekziston një shprehje që lidhet me shëndetin, apo formën fizike: Ne jemi, çfarë hamë!. Kjo aksiomë, do të thoja, shkon më së miri si një përgjigje ndaj pyetjes Suaj. Pikësëpari, leximi i tyre e pjesërisht edhe përkthimi – jam ndikuar shumë nga autorë le të themi, klasikë rusë, e gjermanë (perëndimorë) të para e Pasluftës, por edhe nga trendet bashkëkohore angloamerikane – më kanë ndikuar gjerësisht në formimin tim, duke ndikuar në një farë mënyre edhe në vetë kërkesat ndaj vetes në lidhje me ato që Ju pyesni. Sidoqoftë, mund t‘ Ju pohoj se ashtusikurse edhe në artet e bukura, ku format abstrakte, shpesh amorfe e të ngurta, ku fillimi shpesh është fund e anasjelltas, ku kontrastet shpesh zbehen e ndokund thellohen paqartësisht, edhe në të shkruar e rrjedhimisht në përkthim, hasim tendenca që kërkojnë shumë mund e përqëndrim për t’u kuptuar.
-A mendoni se “OLD TIMES” rezonojnë ndryshe me audiencën e sotme dhe shoqërinë, krahasuar me audiencën e viteve ’70-të?
Pyetje me vend. Për mendimin tim, ka të bëjë shumë mënyra se si ia përcjell ti lexuesit, apo teleshikuesit. Nëse ti tenton vetëm të hapësh dosje – të cilat madje me shumë gjasa nuk ke marrë mundimin as të shkosh vetë në arkivë për t’i marrë, por t’i kanë bërë dhuratë si pasojë e qokave që i hasim në terrenin “alla-shqiptar” – duke i rishkruar nga shqipja e daktilografuar në shqipen e sotme në format “ëord”, pa ulur asnjë minutë kokën e të nxjerrësh përfundime, të shtosh e citosh materiale, të ndërlidhësh e të krahasosh, me burime të tjera shqiptare, apo dhe më mirë akoma, me ato të huaja, sigurisht se pastaj ato kthehen thjesht dhe vetëm në ca materiale të rëndomta, të cilave dalëngadalë tashmë do t’u dalë boja. Jo më kot, shumica e gazetave e revistave më të njohura botërore, por edhe fonde arkivore të bibliotekave kombëtare e arkivave më në zë, prej vitesh i kanë hyrë një procesi dixhitalizimi (që po përparon me ritme të përziera në fakt), duke i dhënë kësisoj më shumë mundësi brezave të rinj të njohin më mirë historinë nëpërmjet materialeve arkivore, apo dhe artikujve të gazetave, në mënyrë që të përmbushet më së miri aksioma se “nëse nuk njeh mirë të shkuarën, nuk do të ndërtosh dot si duhet të ardhmen”. Kam këtu parasysh për shembull 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore dhe të gjithë artikujt e iniciativat që i janë kushtuar, sidomos në Britani të madhe, Francë, Gjermani e Austri për asye që gjithkush i merr me mend. Kështu që në këtë kuptim, kjo punë ia vlen e sidomos në rastin e Shqipërisë, kur zbulon papritur se si në një gazetë austriake për shembull të vitit 1869, apo një amerikane të vitit 1913, ajo që shkruhej për shqiptarët atje, na bën të jemi herë krenar e herë t’i vemë gishtin kokës. Pastaj, për mua dhe jo vetëm, shumëçka “Oldie” është njëkohësisht edhe shumë moderne, sikurse ndodh edhe në shumë fusha të tjera, apo jo?

Filed Under: Interviste Tagged With: Armand Plaka, inter viste, Raimonda Moisiu

“…Një shportë sa Qielli – me Dashuri…”

September 5, 2014 by dgreca

Sjellim ne diten e lindjes nje Intervistë me poeten Iliriana Sulkuqi ( Kësulkuqja)/
Bisedoi Raimonda MOISIU/
Aty nga fundi i viteve ’70 , në një rreth miqësor, do të më jepej rasti për herë të parë, fizikisht , të takoj poeten dhe shkrimtaren Iliriana Sulkuqi. Ishte e veshur ushtarake e ndodhej mes nje grupi ushtarakësh me grada të larta si, Arif Hasko, Vehip Fejzulla,…por qe kjo vajzë simpatike e hijshme me uniformë,me flokët e gjata mbi supe, i kishte bërë ” zap” gjeneralët, duke ju recituar vargjet e saj poetike që sapo kishte krijuar. Ekspresiviteti i vargut të saj poetik, plot dashuri , ndjenjë e mirësi, më bëri që gjatë gjithë jetës sime ta ndiqja,këtë talent të lindur vetëm për poezi, në gazetën “Zëri i Rinisë”, Drita “, revista “Shqiptarja …”…si dhe në organe të tjera letrare të shtypit shqiptar.
Por bota është e vogël ! Ja ku unë përsëri takohem me këtë urtësi e mençuri, madhështi për nga krijimmtaria e saj, këtu në USA.Ajo nuk ndalet! Vargu dhe pena e saj krijuese vërshon vrullshëm ,kudo, në listat virtuale, shtypin shqiptar në Diasporë , Shqipëri ,Kosovë e kudo në botë! Meraku i vetëm i poetes , shkrimtares , është :Dhuro sa më shumë dashuri, tek të gjithë njerëzit pa dallim feje,race apo ideje!
Meraku i saj janë fëmijët e lindur në tokën e huaj, për brezin e ardhshëm shqiptar në Diasporë ,USA, e kudo ku ka komunitet shqiptar në botë dhe mesazhi që transmeton kjo poete , shkrimtare , nënë , gjyshe: Mësojuni fëmijëve gjuhën e Mëmëdheut , gjuhën shqipe ,trashëgoni të ta,traditën, zakonet e vlerat më të mira kombëtare dhe IDENTITETIN tonë KOMBËTAR!
Duke lexuar intervistën e Lili -t (Sa më pëlqen ta thërras me këtë emër!), ju do të befasoheni , nga forca dhe e vërteta e fjalës së saj, nga ” vrapimi” i saj për të krijuar, nga virtyti i mirësisë dhe i dashurisë (me plot bindje do ta quaja Binomi Poet-Njeri), që e karakterizon këtë perlë të letrave shqipe!
-Kam shumë kohë që kam dashur të realizoj një intervistë me ju. I jeni përgjigjur me heshtje. Përse ?
-Ke të drejtë Monda, kur thua se disi jam shmangur, por pa të keq. Intervista është portreti i dyfishtë, ose më saktë, një portret me dy personazhe. Prandaj, unë me “heshtjen” time kam patur dhe merakun, që të justifikoja “fjalën” time para jush dhe lexuesit. Duhet të flasësh kur diç ke për të thënë. Edhe kur pi një kafe me një shoqe apo shok duhet të shkëmbesh informacion, aq më tepër në një bashkëbisedim publik siç është intervista….
Pastaj, për të qenë e sinqertë, a do të të them të vërtetën e vërtetë që më dhemb në shpirt?
Të tilla intervista, me postime pyetjesh dhe me postime përgjigjesh, për mua janë hipokrizi. Vetëm se i bëjmë qejfin vetes dhe njera-tjetrës apo njeri – tjetrit. Por këto janë kushtet e sotme..
Tjetër, kujt i shërbejnë? I bëjmë për njeri -tjetrin? Kjo s’ka kuptim. I bëjmë për brezin pas nesh, d.m.th, për fëmijët tanë? Edhe kjo s’ka asnjë vlerë. Ku janë, ku i kemi? Ku kanë kohë ata të lexojnë “bëmat” tona… Ata, ende vrapojnë, sa nga një shtet në tjetrin, sa nga një “fshesë”, në tjetrën. Sa nga një shkollë në tjetrën… Harrojnë edhe gjuhën e mëmës, harrojnë edhe ata që i kanë lindur… Mirë, ata që kanë prindërit, gjyshër apo gjyshe pranë, diçka mësojnë … Po pastaj… çfarë do të lexojnë? Sa të rinj lexojnë gazetën shqiptare, këtu në Amerikë, sa të tjerë qoftë edhe në Shqipëri apo nëpër shtete të tjerë mërguar…? Ndoshta vetëm për ndonjë lajm mërgimi, punësimi, shkollimi, biznesi… dhe këtu mbaron gjuha. Fillon artikulimi i saj drejt mbijetesës, drejt së panjohurës, duke hedhur pas shpine të njohurat e trashëguara…
Ka edhe shumë arsye të tjera…
-Jeni një krijuese shumë prodhimtare, ç’mund të na thoni për botimet tuaja të fundit?
-Shkruaj. Pa shkruar nuk mund të rri. Por jo çdo gjë e shkruar ka vlerat e botimit. Këtu është “udhëkryqi” midis poetit dhe lexuesit. Krijimtaria është e poetit (shkrimtarit), sa nuk i janë venë kapakët librit dhe ISBN-ja e Shtëpisë Botuese. Pastaj bëhet pronë e lexuesit. Kështu ndodh edhe me ato krijime që hidhen për lexuesin në faqet e internetit. Pra, për botimet e mia le të flasë lexuesi im.
-Ju jeni një emër i dëgjuar. Ne ju lexojmë vazhdimisht, në shtypin shqiptar në Shqipëri e Diasporë, edhe pas ardhjes në SHBA. Çfarë ka sjellë në krijimtarinë tuaj ky ndryshim gjeografik?
-Njeriu në gjithë jetën ka vetëm një Atdhe, ose Mëmëdhe, që mua më duket më intime si fjalë. Njeriu mund të lëvizë në të gjithë kontinentet e rruzullit, mbase dhe në Hënë, por Atdheun nuk e tjetërson dot. Dhe kush thotë se “… m’u bë Atdhe i Dytë”, mashtron veten dhe atë që e lexon apo e dëgjon. Kam lexuar një mikun tim-poet, i ikur dhe ai jashtë Shqipërisë. Kur e pyetën nga je? U përgjigj: Nga vendi më i bukur në botë!” Sikur Dantja të kishte shkruar vetëm për Parajsën, nuk do të ishte e pavdekshme “Komedia Hyjnore”. Duhej dhe Ferri, që t’i jepte vlerë e kuptim. Dhe kjo ndjenjë e Mëmëdheut të mirë e të bukur nis nga Gjiri i Nënës, nga Vendlindja, porta, rrugicat e deri në bulevardet e qytetit, në malin e Krastës, në ujin e Shkumbinit, në… Pra, Atdheu është si Atomi në një Molekulë-jete. Edhe krijimtaria aty nis dhe… aty mbaron. Ardhja ime në SHBA, më ka pasuruar me ndjesitë pranë familjes, me aromën e dy nipërve dhe mbesës, aq të dashur e të domosdoshëm për mua… Pastaj dhe ngopjet e syrit me pamje të tjera. Të qenit këtu i ka dhenë vlera të tjera Dashurisë dhe Mallit, pa të cilat nuk punon dot “Shpirti i Poetit”.
-Ju kaluat një periudhë të gjatë në Greqi, me çfarë mbresash vjen Iliriana që andej dhe diçka rreth aktivititetit e krijimtarisë suaj atje.
-Greqia për poetin është thesar. E lakmuar në të gjitha kohët. Greqia ka statujat e Perëndive dhe shtatoret e filozofëve të lashtësisë, ka diellin, detin, gjelbërimin, ka rreth 2000 ishuj. Më i madhi është Kreta, ku edhe unë kam jetuar. Por unë nuk vajta turiste për t’u frymëzuar si Gëtja, apo Gorki… Unë isha emigrante, që doja të jetoja duke mbijetuar. Dhe, në këtë mbijetim, frymëzimi ishte i pranishëm.
Sa bukur e kemi ne fjalën “Frymëzim”! Ka në rrënjë fjalën “Frymë”, domethënë të zihet fryma. M’u zu edhe mua fryma në Kretë dhe shkruajta poezi e tregime, që nuk më pëlqejnë vetëm mua. Disa prej tyre, do t’ia rijap lexuesit edhe tek libri i ri që kam në proces botimi… Të jetosh në Kretën e Kanzanxaqit të madh, është fat, edhe kur je i pafat! Edhe pse punoja për bukën e gojës, një javë shkundje ullinjsh ia bëra hallall Kanzanxaqit. I vajta deri te varri, shumë larg nga vendqendrimi im, me një kurorë lulesh të freskëta, thuajse të gjitha ngjyrat e trëndafilave. Sa varr i thjeshtë. Vetëm një kryq dhe mbishkrimi, epitaf i lënë prej tij: “Sot dhe përgjithmonë…”. Sikur të kisha mundësi, do të kisha mbledhur lule malesh e fushash e do ta kisha thurrur vetë kurorën… Do t’i shkonte më shumë këtij varri…
-Ndryshimi midis dy mërgimeve
-Emëruesi ka të njëjtin emër-mërgim.
Numëruesi ndryshon si nata me ditën. Nëse në Greqi, edhe pse punova familiarisht për shumë kohë, edhe pse kisha miqësi me familje greke (të cilat i ruaj edhe sot), prapë racizmi dhe “fshesa e hekurt” e politikës greke janë të pashembullta në kohën e sotme, aq më tepër nga një shtet që pretendon se është fillesa e Botës dhe vetë kultura …
Ndërsa Amerika, tjetër gjë, edhe pse dua të iki një orë e më parë prej këndej… Ama, për këtë, nuk ma ka fajin Amerika, e cila më ka pajisur me të gjitha dokumentet legale dhe sigurimet sociale, që pas një jave të ardhjes këtu; që jam e lirë të lëviz ku të më çojë edhe ëndrra, që gati 120 kombe, të racave dhe të ngjyrave të ndryshme-punojnë së bashku dhe respektojnë njeri-tjetrin pa asnjë dallim…
– Poezia juaj është e arrirë dhe e vlerësuar nga kritikët . Çfarë mund t’ju ofroni krijuesve në përgjithësi nga përvoja juaj?
-Sot, dhe fjala “sot” mban gati dy dekada brenda, kritika e specializuar ka heshtur. Apo nuk qëndron më si “institucion”. Është zëvendësuar nga “mendimi i shokëve”. Kjo ka të mirën dhe të keqen e vetë. Mendimi shoqëror ka sinqeritetin dhe vërtetësinë brenda, por mund të ndodhë dhe e kundërta. Sot, brenda ditës, bëhesh poet, pa ditur se ç’është poezia. Ose dhe e kundërta, harrohesh po nuk “trokiti” kush në dyert e krijimtarisë tënde. Sa për përvojën? Nuk ka shkollë. Çdo krijues ka përvojën e vet, që ndryshon nga e tjetrit. Përvoja është si e ndjej unë jetën-botë, si e shoh unë botën-jetë,… si puna e numërave të syzave, dikush i ka 0, 75, dikush i ka, 2.5 dhe unë…(e kam treguar numrin në një poezi). Veç ka një të vërtetë të përbashkët: Të jemi të vërtetë në krijimtari. Poeti s’duhet të gënjejë kurrë… Poeti është si Profetët… (flas për ata që s’gënjejnë)…
– Keni qenë ushtarake në Shqipëri, kur filloi poezia të trokasë në shpirtin tuaj? Çfarë ndikimi ka patur në krijimtari jeta ushtarake?
-Kam qenë me fat që kam qenë ushtarake. Këto fjalë do të thoshja edhe po të kisha një profesion tjetër. Por të qenit ushtarake më ka dhënë një “Botë” tjetër që nuk e kanë pasur të tjerët. Privimet që më ka krijuar jeta ushtarake (për femrën janë më të mëdha) kanë bërë që unë sot jam Iliriana, siç jam! Si mund të isha nuk e di. Letërsia botërore ka shumë shembuj të poetëve ushtarakë, ku model është Lermontovi, por dhe unë kam pasur shokë e shoqe në ushtri që mund të quhemi “Familja e Poetëve me Uniformë” si:, Lirim Deda, Ibrahim Gani, Thanas (Nase) Jani Julia Naçi (Gjika), Lida Rrapo (Grazhdani), Merita Caci, Sotir Lashova, Nevruz Shehu, Kujtim Halili (i ndjeri), Bashkim Çepele, Hysni Milloshi, Thanas Tane, Apostol Duka, Roland Musta, Bashkim Kozeli, Fuat Çeliku, Fluturak Germenji, Mina Qirici, Afrim Himaj, Luan Malaj, Bardhyl Gosnishti, Kasem Saliasi, Riza Lahi, Kujtim Boriçi, Milianov Kallupi, Fation Pajo, Thanas Mustaqi, ….
-Ju keni një revistë për fëmijë të titulluar “Kësulkuqja”. Ç’mund të na tregoni për të?
-“Kësulkuqja” ime ka një ndryshim. Erdhi me mua në SHBA, fle me mua në “ninulla fëmijësh”, zgjohet me “vogëlushët” e gjyshe Ilirianës… Është “Kësulëkuqja”, tashti “Pelegrine” nëpër botë…
Ndoshta do të “trokasë” edhe te “Bota e gruas shqiptare”. Aty, ka shumë nëna dhe gjyshe. “Ajo” do t’i lutej që kur të shkruajnë për të rritur, mos harrojnë të shkruajnë e t’i “postojnë” vjershat, tregimet, përrallat për fëmijët. Apo jo, “teta” Drenusha? Edhe ju “tetat” dhe gjyshet e tjera…
– Reportazhet janë po aq të bukur si edhe poezia. Cila është gjinia juaj më e preferuar?
-Reportazhi është gjini e publicistikës, ku shprehesh lirshëm. Reportazhi ka ngjarjen, mendimin e mençur, personazhet, mjedisin ku veprohet… Pra, është një gjini që ngjason më tepër me tregimin. Poezia është “e shenjtë”. Një krahasim: Në një vazo lulesh është vazoja, dheu, plehu, krimbat e dheut, pika e ujit, rrezja e diellit, rrënjët e lules, trupi i lules, gjethet e lules,… dhe çelja e lules, që është vetë lulja. Qoftë lule-thane, lule-pjeshke apo bajame, lule-ftoi apo manushaqe,… (nuk them për trëndafilin, se ai të josh dhe me gjembat) për mua, ajo është poezia. Dhe këtë dua më tepër!
– Kush janë rrënjët e origjinës së Ilirianës?
-Devolli dhe Elbasani, ose anasjelltas.
-Po citoj diçka, nxjerrë nga parathënia e vëllimit tuaj: “(F) Shihemi në sy”:
“…Të udhëtosh në jetën e kësaj femre (një jetë që do ta lakmonin shumëkush prej shkrimtarëve për ta pasur subjekt të prozës së tyre, e kësaj shoqe-madheje, e kësaj gjyshe-fëmije, e kësaj ëndërr-zgjimi dhe bukuri-plage, e kësaj mall-pritjeje, është njësoj si të shkosh përtej, sikur të hysh brenda mrekullisë dhe të ndodhesh si hy mes hyjnive. Nga ai shtat i bukur vajze, para të cilit turpërohej edhe fustani me vellon e nusërisë, tashmë ka mbetur një trup që thua se tallet përditë e për çast me gravitetin dhe, kur ia do puna, mund të fluturojë si hareja më e natyrshme ose mund të peshojë sa gjithë tragjeditë e kësaj bote. Vazhdimisht në lëvizje… së bashku me sinqeritetin e fjalës së saj. Ku i merr energjitë?!…Me këtë pyetje të befasishme ti ke trokitur pikërisht në portën e përtejshmërisë, atje, tek mrekullia…”. Pra, Ilirianë,cilat janë lëvizjet e tua më mbresëlënëse. A kanë ndikuar në krijimtarinë tënde? Diçka për udhëtimin tuaj nëTeksas, ku ju ishit ftuar para disa ditëve… Dhe vërtetë, ku i gjeni energjitë tuaja…?
-Që kur “mora këmbët” siç thonë, nuk ecja por vrapoja..(nuk lija dy gurë bashkë). Dalëngadalë fillova të “vrapoja” me këmbë, me mendje, me zemër… Më vonë, jeta ushtarake e bëri “profesion” vrapimin. Por nuk është kjo e gjitha, në të gjitha stinët e jetës njeriu gjen llojet e “vrapimit”, duke bërë stafetë me veten dhe me fëmijët, me miqtë e shokët… Është “vrapim” i pashpallur, i padukur, por shumë i domosdoshëm. Jeta për njeriun është e duhet të jetë lëvizje. Për poetin lëvizja është më tepër se lëvizje. As dy vjet plot (1786-1788) nuk iu deshën gjeniut-Gëte, që të ikte nga Vajmari, drejt Italisë dhe shkruajti veprat aq të bukura “Elegji Romane” dhe “Epigramet Veneciane”. Ndryshon mjedisi, ndryshon dhe njeriu. Unë nuk kam shkruar “Elegji” e “Epigrame”, por disa poezi, mbresa, tregime etj. I kam shkruar pikërisht nga jetimet e përjetimet e lëvizjeve të mia. Poezia dhe proza ime nuk janë thjesht fantazi, por një realitet i prekshëm dhe i ndjeshëm, sigurisht, i ngritur në art, aq sa ka arritur pena ime ta bëjë.
Jam munduar që lëvizjet e mia, qoftë të detyruara apo spontane-të jenë deduktive, prej nga kanë dalë mesazhet që i kam dhënë nëpërmjet krijimeve…
Nëse, kur isha e vogël, nuk lija “dy gurë bashkë”, tani, lëvizja ka tjetër kuptim. Sot dëshiroj dhe përpiqem që jo vetëm “dy gurë”, por të gjithë “gurët” e çmuar, t’i bëj bashkë…
Po ndalem pak , tek udhëtimi, prej të cilit sapo jam kthyer – Teksas (Dallas), reportazhin për të cilin e kam titulluar. “Kësulkuqja në Botën e çudirave…”.
Pa dashur të sjell detajet dhe përshtypjet e plota, doja të theksoja diçka specifike për këtë udhëtim, pasi kjo bisedë është kryesisht në kuadrin e forumit “Bota e Gruas Shqiptare”. Pikërisht e veçanta qëndron tek personazhi kryesor i këtij reportazhi, e cila u bë shkak i realizimit të njërës prej ëndrrave të mia të para shumë viteve dhe që nuk e mendoja se do ta realizoja ndonjëherë, kaq befas dhe kaq mrekullisht.
Znj. Media Vraniqi dhe vajza e saj Vanesa, të cilat i takova në Nju Jork në Qershorin e kaluar, në promovimin e librit tonë të përbashkët “Nënës”. Aty lindi idea dhe dëshira e një ftese udhëtimi, sidomos nga Vanesa, e cila më përkëdhelte me fjalën e dashur, siç më thërrasin binjakët e vajzës, gjyshe. Ky udhëtim, u realizua në shtator! Kur të lexoni reportazhin do e kuptoni pse flet “Kësulkuqja” për botën e çudirave, por këtu ka vend ajo, realja, bota e madhe e Prizrenases së Teksasit, e cila më ka mahnitur me forcën dhe energjinë, me pjekurinë dhe zemërgjerësinë, me ngrohtësinë motrore dhe bujarinë.
E tillë është Media e tillë dhe e bija dhe jo vetëm ajo, por edhe fëmijët e tjerë si yje, Vepra dhe Vendimi si dhe bashkëshorti i denjë i saj, z.Mustafë, patritot i mirënjohur në qarqet e gjera shqiptare.
Ja pra, e dashur, Mondë, çfarë mrekullie dhe pasurie shpirtërore të japin lëvizjet, sidomos, kur ato shkojnë në drejtim të dashurisë njerëzore… Edhe բse nuk ke fuqi, merr energji edhe për vite të tjera jete.
-Çasti më i vështirë…
-Nuk e di a do të kem të tjera, për t’i krahasuar me ato që kanë shkuar dhe që mundohem t’i harroj.
-Po më i lumtur?…
-Është në arkivën e shpirtit tim dhe nuk mund ta rrëfej. Kam frikë nga lumturitë..
-Cila është dashuria më e madhe për Ilirianën?…
-Vetë Dashuria, kur ajo është e tillë.
-Po urrejtja?
-Thuhet se po nuk di të urresh, nuk di as të dashurosh. Unë nuk jam plotësisht dakort me këtë përcaktim…
– A ka në jetën tënde ndonjë ngjarje që ia shihni apo ndjeni gjurmët ende?-
-Sigurisht që ka, ashtu si tek të gjithë. Mundohem të mos m’i shohë as gjysma tjetër e vetes. Megjithatë: -Dita e dasmës (pa dasmë); një piano e lënë gati në kulmin e karrierës sime dhe një kitarë e thyer, për të mos i rënë më kurrë…, thinjat, që si në legjendë, m’u shfaqën brenda 12 orëve; çasti, kur ndahesha me fëmijët në aeroportin e Rinasit, në drejtim të një klinike të huaj për kurim. Befas, veshi më zuri fjalët:”… gjynah, e shkreta, nuk e di që s’ka për t’u kthyer më…”
-Çfar të kënaq më shumë?
-Kur luaj me fëmijët; kur ma pëlqejnë atë që kam gatuar; kur shkruaj një poezi që ende më pëlqen, pas dhjetë herëve të lexuar; kur flas dhe marr mesazhe nga miq që më duan dhe më respektojnë. U jam borxh gjithë jetën, të gjithëve.
-Çfarë të shqetëson?
-Largësia me njerëzit, sidomos me krijuesit, sidomos me poetët, si me ata që janë në Shqipëri, në vendlindjen time, ashtu edhe ata që janë këtu, në Amerikë, apo nëpër shtete e kontinente të tjerë…
-Cilët autorë të ndjekin në muzë…

-Janë shumë jashtë dhe brenda vendit tim, shkrimtarë e poetë, të ikur dhe në jetë, por të përjetshëm… Për hir të respektit të veprës së tyre po përmend disa: Çehov, Cvajg, Remark, Simonov, Anna Ahmatova, Bërns, Alen Boskie, Pavlo Neruda (e veçoj), Pol Elyar, Agolli, Reshpja, …
-Cilën ëndërr nuk keni realizuar
-Aty ku mbaron ëndrra mbaron dhe jeta. Pas ëndrrës vrapon njeriu dhe nuk e zë dot kurrë…
-Po atë që nuk doni ta kujtoni?
-Ëndrrën e vrarë, ëndrrën e mashtruar, ëndrrën e fjetur… Por edhe pse nuk do ato janë brenda trurit, brenda kujtesës së jetës dhe njeriu gdhihet me ‘to, fle për t’u gdhirë përsëri… Njeriu ka vetëm kujtesë, nuk ka harresë…
-Po atë që nuk doni ta prekni?
-Dhimbjen. Dhimbjen as nuk e ftojmë, as nuk e përzejmë dot. Ajo vjen e paftuar është bashkëudhëtare e pashmangshme me jetën e secilit… Puna është mos i biem në gjunjë e të na mbysë loti. Nuk jam dakord me shprehjen: “Nga dhimbje të mëdha dalin vepra të mëdha”. Mos paçim kurrë vepra të tilla dhe nuk ia uroj asnjë krijuesi të tilla vepra…
-“Sikur të isha djalë!” Këtë libër të Haki Stërmillit sikur ta afronim në vite dhe shkrimtari t’ju kishte Juve “personazhin” kryesor, do e pranonit?
-Kam një kujtim të bukur, si ushtarake. Marshoja me studentët mbi një javë, me ata marshimet e gjata. Një natë e kaluam te Kasollja, në Prodan, ku ka jetuar Haki Stërmilli dhe ka shkruar romanin “Sikur të isha djalë!” Na ndrinin urat e zjarrit. Aty një kolegu im më tha: “Iliriana sikur të ishe ti, personazh i romanit të Stërmillit, do të doje të ishe “djalë”? “Nuk do ta ndërroja, mbase jam më mirë kështu?!”-fola, pa u shpjeguar. Ndoshta do të isha e para, që në atë kasolle, të meditoja për romanin e H. Stërmillit, por ndjehesha e sigurtë në gjininë time. E doja veten, siç më kishte lindur nëna, e doja nënën dhe doja t’i ngjaja…
Pra, kam rënë në “mirëkuptim” me veten për të qenë “personazhi” femër, në të gjitha etapat e jetës. Dhe nuk do e ndërroja.. Kulmi, apo qendra e jetës së një femre është “të qenurit Nënë”. Edhe pse kohët e kanë shtypur më tepër femrën, përsëri ajo ka qenë dhe është në rolin e vetë më të patjetërsueshëm. Le të flasin mençuria e popujve dhe gjenitë më mirë: “Nëna, ju e keni në dorë shpëtimin e botës!” thotë Tolstoi. (Le të bëj edhe unë, detyrën time për këtë!). ” Zoti nuk mund të jetë gjithkund prandaj bëri nënat”… (le të jem edhe unë një krijesë për të bërë “punët e Zotit”). “Grua do të thotë udhëheqëse shpirtërore!” (le të jem dhe unë sadopak e tillë!)… “Një nënë fal kurdoherë, për këtë ka ardhur në botë”- thotë Aleksandër Dyma. (Le të bëj dhe unë aktin e faljes, për të qenë më të mirë e më të dashur njerëzit).”Për gruan dhe tokën le kokën” – thotë poeti ynë Dritëro Agolli, duke e shenjtëruar rolin e gruas… (Le të jem dhe unë një varg i asaj poezie)… “Për nënë dua të kisha një shqiptare”-shkruan anëtaria e Akademisë Franceze, shkrimtaria Marguerite Yorcenar. (Nuk ka koment kjo thënie!) Dhe le ta mbyll me një thënie të kandidates për presidente të SHBA-ve, Hillary Klinton: “Të drejtat e gruas janë të drejtat e njeriut!”… Ç’mund të them unë më shumë?! Ja pse nuk e ndërroj të qenit grua!
-Keni shumë miq këndej e andej kontinentit, të hershëm e të rinj, cili është sekreti i këtyre lidhjeve të qëndrueshme?
-Nuk ka asnjë “sekret”. Është Dashuria, më universalja fjalë e bukur, pa motivin e së cilës nuk mund të bëjmë as edhe një hap, nuk mund të kapërdijmë as edhe një kafshatë bukë, apo një gllënkë ujë. Që të duash të tjerët apo të të duan-është më e thjeshta që mund të bëjmë, pa paguar as një cent. Ta duam njëri-tjetrin, me të mirat dhe me të metat (gabimet) njerëzore; të njohim, pranojmë dhe të respektojmë vlerat e njëri-tjetrit. T’i “fshijmë” lotin, pa e pyetur “pse qan” dhe, kur ka nevojë për dikë , ta kuptojmë pa na e thënë dhe në çast t’i ndodhemi pranë (edhe duke qenë larg), me një fjalë , me …ç’mund të jetë më e duhur sipas mundësisë. Dhe, kjo ka rëndësi , asnjëherë të mos ia përmendësh (ka një shprehje populli, nga më të vyerat: “Kur e jep njëra dorë, nuk duhet ta dijë dora tjetër”); t’i kuptosh dhe të të besojnë se, kur ke kohë i merr (apo të marrin), në telefon edhe disa herë në ditë. Kur nuk mundesh ti apo ata (ato), nuk duhet të dyshohet tek dashuria, miqësia… Kur heshtja vonon, shqetësimi nuk është dyshim për dashurinë, por për gjendjen shëndetësore apo probleme të tjera…
Kur erdha këtu, në Amerikë (detyruar nga detyra prej gjysheje), qaja me vete në çdo sekondë të njëzetekatërorëshit. Telefoni rrinte non-stop në veshin tim (në orët, kur latantët-binjakë të vajzës, më shumë flinin se ishin zgjuar), në drejtim të të gjitha hapësirave që mbulonte shpirti im, nga shtëpiza e vendlindjes, deri nëpër shtete e kontinente ku ishte i fluturuar…
Sot, nuk kam mundësi ta mbaj telefonin në vesh. Ma rrëmbejnë vogëlushët e “rritur”. Por, edhe pse nuk mund të jem në “linjë” me ‘ta jetoj më shumë se kurrë pranë tyre. Mendoja se do t’i humbja miqtë e jetës sime. Ndoshta do të mendonin se më “rrëmbeu” Amerika… Gabova. Më njihnin më mirë ata mua se unë veten time. Çdo ditë dhe në çdo orë të saj, më marrin në telefon, më dërgojnë një mesazh, më postojnë libra të sapo dalë në librari, apo pa dalë ende në “treg”. Pra, më japin motivin e shenjtë të të jetuarit, edhe pse në largësi humbëtire…
-A ka emra të përveçëm?
-Të gjithë kanë emrat e tyre të përveçëm. Janë shumë t’i përmend. Janë nga të gjitha fushat, poetë , shkrimtarë, gazetarë, këngëtarë, piktorë e aktorë, ushtarakë, mësues(mesuesit e mi dhe të fëmijëve që nga fillorja…), shoqet dhe shokët e mi, që nga klasa e parë fillore, të tjerë nga jeta në ushtri…,komshinj…; shumë e shumë të tjerë në Shkup, Tetovë, Strugë, Kumanovë, Kërçovë, Gostivar.., në Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Vushtri, …Ulqin… Secili (secila) ka emrin në kujtesën e zemrës sime…
-Ju kanë kushtuar poezi miq poetë, të cilët i kanë postuar në forume apo botuar nëpër organe të ndryshme të shtypit… Po citoj vargje nga disa prej tyre…

Kësulëkuqes
s’ka plakje për ty, mikja ime e fëmijërisë
mpleksur tërë jetën me ëndrra pyjesh
me panja e bredha e dhelpra që fshihen
e të ndjekin tinëzisht nëpër lirishtat e botës…
… (Kolec Traboini – Boston)
Urim, Ilirianës
Sot është e Diel, 9. 9. 2007.
E Diel ka qenë edhe para
gjysmë shekulli e ca…
E diel do të jetë edhe pas
gjysmë shekulli e ca…
Në gjithë Ditë Lindjet e Tua!…
Dhe Dielli do të ketë diell…
Dhe deti do te ketë dallgë…
Dhe mali do të ketë erë…
Dhe fëmijët do të dijnë të qeshin…
Dhe nënat do të kenë mall…
Dhe Njeriu do të ketë emër…
Si Poezia jote.

(Nase Jani…. Athinë)

Ilirianës, në vend të portretit

Një fluturz e bukur
Më çiku nën vetull.

Më qeshi si kukull
Dhe më foli heshtur…

…

Një dritëz universi
Nën vetull më çiku
Aizbergët m’i ndezi
Vullkanet m’i fiku
(Demir Gjergji -Tiranë)
Kthjellët…
-poetes I.Sulkuqi-
E tejdukshme krejt:
Me kocka të holla zogu…-
Lot borziloku.
(Qazim Shemaj -Tiranë)

Si të kam njohur dikur..
-poeteshës Iliriana Sulkuqi-
Si të kam njohur dikur…
Je dhe sot
Një princeshë e pagjumë
Që të bukurës,
Bukurisht i flet
Jo më kot.
(Fation Pajo – Çikago)

…Si e keni ndjerë veten kur i keni lexuar…?

-Si në ëndërr. Mrekullisht mirë. Pse, a nuk do të ndjehej çdokush kështu? Kjo më bën të besoj se do të jetoj për t’i larë këto borxhe … Se nuk ka jetë tjetër. Këtu lahemi dhe lyhemi. Lyhemi dhe lahemi. Paguajmë ose na paguajnë. Askush nuk ikën nga kjo botë pa larë borxhet e bukur dhe të shëmtuar… Faleminderit, shpirtërisht, miqve të mi poetë për dhuratën kaq humane, siç është Kushtimi Poetik.
-Janë shprehur për ju “… Do të kërkoja që Sulkuqi dhe të tjerë poetë në mërgim të vendosen në antologjitë që botohen nga shteti dhe në librat e shkollës dhe të përmenden sidomos autorët që jetojnë në mërgim që kanë pasuri shpirtërore e vlera shumë më tepër se disa që jetojnë këtu dhe ende me miq zenë vend nëpër libra shkollore. A është e mundur që poezitë e këtyre të jenë edhe pikë referimi për ato dhjetëra universitete shqiptare ku studiohet për letërsinë shqipe?
-Shteti sillet indiferent ndaj njeriut. Si për shumë pjesë të jetës, që nuk i siguron dot normalitetin (drita, ujë, rrugë, spitale, paisje spitalore, shkolla, antingujimin, punësimin, etj. etj.) edhe për letërsinë dhe mbarëvajtjen e saj. Kush ta përzgjedhë të bukurën dhe letërsinë me vlerë? Më tepër harrohet, apo nuk njihet vlera dhe hyjnë nëpër antologji ata që duken, që “kapin nga xhaketa”, apo lenë xhaketën me gjithë xhepa. Janë bërë disa Antologji nga botues, me “të përzgjedhurit” e tyre. Tekstet shkollorë, që nga gjimnazet e deri në universitete, mbajnë brenda më tepër “letërsi hatëri”. Kjo është një e keqe e madhe, që s’dihet kur do të ndreqet në të mirë të përfaqësimit të letërsisë shqiptare dhe të pasurimit të kulturës shqiptare.

-Ç’mendime keni për femrën krijuese dhe intelektuale në Diasporë?
-Është gjë e mirë që Femra të ketë organizmat e veta të bashkimit, ku të dalin vlerat e femrës deri tek virtyti. Por nuk e konceptoj dot emërtimin “krijuese femra e meshkuj” Unë mund të bëj një libër duke i dhënë poezisë “gjininë” mashkullore. Siç mund të bëjë dhe një poet në gjininë tonë. Në Greqi është “Mali i Shenjtë” me manastire, kisha, priftërinj e murgjër. Venë vizitorë nga gjithë bota, por vetëm meshkujt. Thuhet se vetëm Shën Mëria ka shkelur në atë Mal. Pse? “Unë duke lexuar “Krishti u ngjall përsëri” të Kanzanxaqit, kam shkuar në atë Mal të Shenjtë. Për Shpirtërat s’ka doganë dhe policë-ndalimi… Shpirti poetik nuk njeh gjini.
-Ka shumë shoqata shkrimtarësh si në SHBA, apo në vende të tjerë të Europës, ku jetojnë krijues shqiptarë, si ju duken këto bashkime?
-Letërsia bëhet vetëm, është punë individuale, por ka nevojë edhe për “tavolina” shokësh e miqsh… Konti i letërsisë ruse Leon Tolstoi mblidhte shkrimtarët e kohës, që nga Turgenievi e deri tek Çehovi që ishte më i ri dhe lexonin tregimet, apo fragmente romanesh nga njëri-tjetri. “Ja kështu shkruhet tregimi!”- thoshte Turgenievi për novelat e Çehovit. E harronte gjeninë e vetë mjeshtri i letrave, se duhej harruar. Këtë rol duhet të luajnë edhe “tavolinat”, shoqatat, apo Klubet e shkrimtarëve të ikur nga Shqipëria. Më pëlqen kjo fjala “Klub” si Klubi “Petëf ” ( kam pasur fatin të marr pjesë në një mbrëmje poetike. Recitova “Atdhe”të Petëf-it, shqip dhe hungarisht, duke i rënë edhe pianos, me një pjesë nga Shophen. Kjo ka ndodhur më 1989, një natë para operacionit, në Budapest), apo ata të Parisit etj. Jam njohur me veprimtarinë e Klubit të Shkrimtarëve “Drita” në Athinë, që ka edhe një Revistë Letrare me emrin “Pelegrin”, ku bashkon krijues të ikur nga Shqipëria, kudo qofshin ata. Bën Antologji e organizon konkurse me krijues edhe jashtë Greqisë… Vetë liria e të shkruarit i jep edhe liri gjeografike poetit apo shkrimtarit. Siç ka ky Klub anëtarë deri këtu në Amerikë edhe bashkimet e tjera të poetëve mund të kapërcejnë “kufijtë”… Pra, çdonjëri mund të bëjë zgjedhjen e vetë, ku ndjehet më mirë, larg fallciteteve letrare e mendjemadhësive vulgare… “Shokët (shoqet) i zgjedh, motrën e vëllanë nuk e zgjedh dot.”, thotë mençuria popullore…
-Ju jeni anëtare e Forumit Bota e Gruas Shqiptare, forum të cilit ju i keni dhuruar shumë si me krijimtari ashtu edhe me komunikim që në ditën e anëtarësimit. Ç’mendim keni për këtë Forum dhe a keni ndonjë sugjerim për organizimin apo pasqyrimin e krijimtarisë në blogun revistë të tij?
-Faleminderit që çmoni kontributin tim modest në këtë forum special.Them modest se nuk kam dhënë shumë. Por ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se pavarësisht nga kontributet individuale në këtë forum, si në krijimtari apo komunikime të ndryshme, diskutime dhe përshëndetje, kjo bashkësi e jona ka një të vërtetë të madhe. Një miqësi dhe një harmoni që na jep frymëzim dhe motivim, na qetëson dhe na jep forca. Një bashkësi intelektuale dhe krijuese. Një bashkësi nënash dhe motrash që gjejnë veten dhe ripërtërihen nga komunikimi dhe mbështetja shpirtërore. Një oaz qetësie dhe besimi reciprok. Ne që jemi të shpërndara nëpër skajet e globit gjejmë këtu njëra-tjetrën, ndajmë hallet e shqetësimet, mbështesim, frymëzojmë e frymëzohemi dhe krijojmë. Mësojmë për njëra-tjetrën, rritemi e piqemi shpirtërisht dhe artistikisht. Fakti i realizimit të librit “Nënës”, përmes një grupimi të tillë specifik, flet më shumë se sa mund të flasë Kësulkuqja!
Por, megjithëse krijuesja e këtij forumi, të cilën e adhuroj, për organizimin, fantazinë kreative, për inteligjencën, shkathtësinë dhe dashamirësinë, Merita Bajraktari McCormack dhe ju moderatoret, Monda, Aida , meritoni fjalët më të mira e të sinqerta dhe përkedhelje mbas shpatullave, për punën e madhe që keni bërë e bëni, si me grupin, si me revistën letrare në internet, mendoj se ka vend për një sugjerim,meqe jam edhe pak “më e moshuar” në vite dhe krijimtari.Mendoj se duhet t’i hapet vend një rubrike për fëmijët shqiptarë në emigracion.
-Çfarë po shkruan Iliriana?
-Mendoj tregime e shkruaj poezi… Kështu ndodh me krijuesit. Dhe kur mendon dhe shkruan nga ato gjinitë e mëdha, si novela apo romani, poezia të shfaqet befas.

– Si një poeteshë me përvojë, ç’farë mesazhi kini për talentet e rinj, për inkurajimin e tyre në zhanrin e poezisë?
-Veç një gjë i them vetes që ta dëgjojnë dhe të rinjtë. Gjithë jetën e mendoj veten “Letrare e Re”. Njeriu nuk është si e mendon veten, por si e mendojnë dhe e vlerësojnë të tjerët…
-Sa citova me lart, profesioni i juaj është ushtarake. Një pyetje paksa delikate: Si ju duken përpjekjet e politikës ndërkombëtare, asaj shqiptare e kosovare e në Diasporë për çështjen e Kosovës e në përgjithësi për çështjen kombëtare shqiptare?
-Të qenit ushtarake nuk ka ndonjë të veçantë për këtë pyetje, se ushtria tashti ka dalë nga “kornizat” për “Mbrojtjen e Atdheut”. Atdheu sot (për ne) “mbrohet” më tepër nga politika ndërkombëtare dhe strukturat ndërkombëtare. Sa aktive janë ato sot s’kanë qenë kurrë në historinë e të qenit Shqipëri apo Komb Shqiptar. Edhe lëvizja e emigrantëve, nëpër shtetet e Europës dhe SHBA, kanë bërë që “Bota” të na e dijë emrin, pastaj të na kushtojë vëmendje më të madhe. Intelektualët shqiptarë nëpër botë dhe veças njerëzit e letrave, të artit e të kulturës, janë bërë “ndërgjegja” e kombit… Shoqatat, veprimtaritë, kanë shërbyer për njohjen dhe integrimin tonë aty ku na shpuri “fati”. Sa për politikën dhe diplomacinë? Ajo është e kontrolluar, e udhëzuar, e rekomanduar dhe shpesh e vonuar… Kur hapet ndonjë “dritare” duhet shfrytëzuar. Po e humbe? E humbe. Kosova sot është “Emër i përvetshëm” në politikën botërore dhe në njohjen qytetare. Pastaj vjen dhe Shqipëria… I vaftë mbarë Kosovës, në Fitoren e Pavarsisë se i ka munguar në shekuj dhe e ka ushqyer me gjak “Pemën e lirisë”! I vaftë mbarë dhe Shqipërisë! Asgjë nuk mund të parashikohet. Se, më tepër ndodh e pamundura sesa e mundura. Kështu ndodh, duam apo s’duam ne…
-A do kthehet Iliriana ndonjë ditë në Atdhe!
-Unë s’jam e ikur nga Atdheu. Aty kam njerëz, kam shokë e shoqe, kam fëmijërinë, rininë, jetën… Kam nënën mbi të gjitha dhe varrin e babait… kam Atdheun, me një fjalë. “Atdheu fillon nga zemra”, shkruante para disa vjetësh një poet tepelenas. I jap të drejtë Poetit. Dhe trupërisht vete në Atdhe, dua të vete dhe do të vete…
-Si një njeri i letrave shqipe, cili është mesazhi i juaj, për krijuesit në Diasporë, në veçanti për femrën krijuese, për ruajtjen e vlerave dhe identitetit kombëtar?
-Femra lind njeriun, por kur lind dhe poezinë apo bën letërsi, është dy herë krijuese… Dhe kur është jashtë vendlindjes, është krijuese më e dashur e më e dhembshur. Vlerat kombëtare ruhen duke krijuar dhe ruhen duke ruajtur simbolet e jetës e të kombit. Tre janë simbolet, sipas meje: Emri-Shqipëri, Flamuri-kuq e zi, Gjuha-shqipe. Ruajtja më e madhe dhe më me vlerë është gjuha shqipe. Të mos e harrojmë vetë, t’jua mësojmë fëmijëve, nipërve e mbesave. Ky është shërbimi më i madh që i bëjmë familjes, fisit, historisë së kombit…
Ju faleminderit dhe Suksese ne krijimtarine Tuaj!

Filed Under: Interviste Tagged With: "...Një shportë sa Qielli - me Dashuri...", iliriana Sulkuqi, Raimonda Moisiu

ENTELA KASI, AMBASADORE E KULTURËS SHQIPTARE NË BOTË

September 1, 2014 by dgreca

Flet për ” Diellin” Presidentja e PEN International- Qendrës së Shqipërisë-, romancierja dhe përkthyesja, fituesja e shumë cmimeve ndërkombëtare në fushën e letrave-Entela Safet Kasi/
Bisedoi: Raimonda MOISIU/
Entela Safeti Kasi është poete, romanciere, përkthyese dhe eseiste. Është autore e librave “Ëndërr e paemër”,“Koha e Kalit”,“Pasion dhe Krim”, “Në këtë muzg pikëllimi”. Për veprën e saj janë shprehur kritikë vendas dhe të huaj. Është vlerësuar në Finlandë nga Federata Ndërkombëtare e Përkthyesve të Letërsisë,(FIT), për “Përkthim letrar dhe të drejtat e autorit” në vitin2005. Poezia e saj është përfshirë në “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”2001 dhe 2002, si edhe nga “Festivali Ndërkombëtar i poezisë në Izmir” i organizuar nga PEN International dhe PEN Qendra e Turqisë në vitin 2007, ku është lauruar me “Kupën e Kristaltë” të këtij festivali, midis poetëve të vitit. Është ftuar në aktivitet më të rëndësishme për letërsinë nga PEN International, dhe FIT, në Ballkan, Europë, SHBA, Azi, Afrikë, Kinë, Japoni, dhe në Korenë e Jugut. Është përkthyer në: Maqedonisht, Turqisht, Anglisht, Frëngjisht, Arabisht,etj, dhe është botuar në antologji dhe revista letrare në vende të ndryshme të botës. Ka sjellë në gjuhën shqipe romanin ‘Kujtime të Mirelës’ të Eugene Schoulgin dhe veprën e përzgjedhur të Casimiro de Britos, ‘Muzika e botës”. Ka përkthyer dhe botuar antologjinë e poezisë bashkëkohorë të autorëve PEN, ‘ Metafora që s’falen’, në shtëpinë botuese Serembe, Shkup. Aktualisht është Presidente e PEN Qendrës së Shqipërisë dhe anëtare e bordit ‘In search Commite’, të PEN International. Është ftuar si shkrimtare e gjuhës shqipe nga Universitete te ndryshme në botë, si: Univeristeti i Xhorxhias në Shtetet e Bashkuara, Universiteti i Haifas, Izrael, Universiteti i HANKUK, Seul, Univeristeti i Maltepe, Turqi, etj. Ajo mban titullin ‘Ambasadore e Paqes’, akorduar nga Federata Botore për Paqe Universale në vitin 2013.
***
-Faleminderit për kohën e vyer në përkushtim të kësaj interviste. Kam shfletuar dhe lexuar me interes të veçantë biografinë e aktivitetit tuaj krijues. Sinqerisht jam ngazëllyer nga mjeshtëria e kulturës profesionale që ju lëvroni në zhanre të ndryshme. Cila ka qenë eksperienca tuaj e parë me poezi, prozë, përkthim, esse….apo….?
Më lejoni t’ju falënderoj për vëmendjen tuaj. Kam filluar të shkruaj herët, gati në fëmijëri, që kur nisa të mësoj të lexoj dhe shkruaj shqip. Kam shkruar vargje dhe shënime nëpër fletore të ndryshme, të cilat ende janë në bibliotekën e familjes. Nëna ime i ka mbajtur të gjitha me shumë kujdes.
-Isadora Duncan shkruan:Nuk më habit aspak fakti që një grua mund të bëhet artiste e vërtetë, megjithëse arti është “mbikëqyrës” i vështirë e i rreptë , sepse kërkon përkushtim fizik dhe inteligjencë në gjithçka, ndërsa një grua që e dashuron atë jep gjithçka nga përvoja e jetës së saj. Sa qëndron kjo thënie, për ju ?
Për mendimin tim, në çështjet e krijimit nuk ekziston gjinia! Në këtë rast, si shkrimtare, mendoj se talenti, intelekti dhe inteligjenca janë tre fakultetet bazë për të krijuar bukuri në art. Talenti dhe inteligjenca janë të lindura. Intelekti kultivohet. Mendoj se përsosmëria në art, është një lloj dashurie që i duron të gjitha sfidat….
-Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, -prindërit, artet, letërsia apo njerëzit e thjeshtë , qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të veçantë në frymëzimin tuaj?
Nuk ka persona të veçantë, të thjeshtë apo të rëndësishëm të cilët mund të ndikojnë në çështjet e krijimit. Frymëzimi është një lloj komunikimi që i takon universit përtej lëndës, është gati mistike të shpjegohet se si ndodh shkrimi i një fjale apo i mijëra fjalëve në letërsi, por burimi është gjithmonë atje, brenda qenies, në trurin e shkrimtarit.
Kur shkruani poezi, cili është vendi juaj më i preferuar, në studio, në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
Nëse shkruaj, nuk ka rëndësi ku jam, sepse mjedisi zhduket në çast.
– Cfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj?
Muza! Një mister. Misteri i krijimit.çfarë më shtyn mua? Ajo që lë gjurmë e shtresohet në shqisën time.
-Cfarë është dashuria për ju? Si arrini ta reflektoni kë të në krijimtarinë tuaj letraro-artistike?
Dashuria është vetë jeta, është durimi i pasosun për të marrë frymë . Është përjetimi më i lartë i qenies njerëzore, plotnia dhe bukuria e totalit. Gjithë universi letrar dhe mjeshtrat e artit kanë pasur qasjen ndaj kësaj teme të njerëzimit duke e dëshmuar atë në vepra të mrekullueshme, të cilat i kanë rezistuar kohës. Që në fëmijërinë e vet njerëzimi rrugëton drejt saj si në një udhëtim të pafundmë, galaksish duke përtërirë vetveten e dëshmuar tek vetvetja.
– Romane, tregime, poezi: në cilën prej tyre ndjeheni më mirë ?
Kur jam përballë fletës së bardhë dhe shkruaj, në atë çast shuhet çdo lloj pasigurie, sepse është pikërisht ai momenti kur përmes ndjenjës më të lartë të krijimit sublimohesh me vetveten dhe botën, e cila hyn brenda teje prej të gjithë anëve të errëta dhe të ndritura të saj. Fjala ndjek fjalën sikur në një shtrat koralesh përmes një arkitekture të projektuar sipas mendimit të cilin e ka shtresuar shqisa pasi ka përthithur muzën. Muza është mistike, është ajo që vjen tek ti, dhe nuk je ti që ndjek atë .
-“Të korrat e Krishtlindjeve”- tashmë ju ka bërë një shkrimtare të afirmuar, jo vetëm autore librash. çfarë mendoni se ka mbetur konstante? Cila ishte shtysa?
Mbetet libri! Rikthimi tek ai! Rikthim në funksion të estetikës ndaj tekstit dhe frazës, çka është edhe ngjizja fillestare e këtij romani, i cili është pjesë e një trilogjie, sepse pas ‘Të korrave’, vijnë edhe dy libra të tjerë, Haannaah K, dhe Voyage.Desha të shkruaj një rrëfim për kaosin, i cili për një shekull pushtoi brezat midis ndarjes, izolimit dhe tranzicionit, ndërsa monumenti i Lirisë akoma dhe sot, endet somnambul në ëndrrat e njerëzve të këtij mjedisi në shekullin XXI.
– Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve? Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?
Unë jam përpjekur ti qasem mjedisit duke u përpjekur të sjell personazhin më të pafajshëm në historinë e letërsisë botërore, Edipin, kompleksin e tij në qendër të ngjarjeve të në shekulli, sepse kam dashur të them që asnjë shqiptar nuk e ka merituar një fatalitet të tillë tragjik. Kasnadra nga ana tjetër parandien të keqen, e parathotë vazhdimisht, madje me qëllim të caktuar dorëshkrimi i Kasandrës për gruan e parlamentit të viteve 92, në fund të librit bëhet hi, hidhet në zjarr digjet, pasi ky rrëfim është e vërteta e krimeve që janë kryer ndaj njerëzve në diktaturë, bazuar mbi një doktrinë të programuar nga zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar të kohës, krime asnjëherë të pranuara, dhe ç’është më e keqja, në tranzicion shumica e atyre që i kryen u gjend në jetën publike të vendit dhe në instancat më të larta të shtetit shqiptar. Edipi i librit tim është një njeri i zakonshëm, me fatin tragjik të Edipit të antikitetit, i cili mbetet i bukur në pafajësinë e vet, pasi të tjerë ishin ata që e hodhën në vorbullën e kaosit dhe krimit, ndaj në fund të veprës, Klea e djeg dorëshkrimin pa i treguar asgjë, sepse në të kuptuarin tim, vetë shoqëria shqiptare ka nevojë të shërohet, e kësaj here shërimi mund të vijë përmes shpëtimit nga kujtesa e mbushur me gjëma, nga trauma e saj, si mundësi e vetme për të jetuar në ekuilibër, duke besuar se dashuria, bukuria e saj, mund të shërojë njeriun, kudo qoftë ai, në çdo cep të harruar a të ndritur të botës.
-Romanin “e bëtë ju që të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?
Romani ishte tek unë, sepse e kishte burimin tek lënda që ekzistonte në trurin tim, në mendimet e mia dhe në qasjen time kah botës, si një mënyrë për ta kuptuar gjithçka që kishte ndodhur dhe po ndodhte me ne shqiptarët në shekullin e XX dhe në kapërcim të Mileniumit.
-Shquheni në prozën tuaj për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtare që i përket lëvizjes feministe, pas periudhës postkomuniste të realizmit socialist?
Mendoj se nuk i përkas asnjë lëvizje të caktuar, sepse liria nuk e pranon sistemin e përkatësisë. Nëse do ti përkisja qoftë edhe lëvizjeve shoqërore të grave, do të isha në rrathë të caktuar duke e humbur kështu mardhënien me plotninë e lirisë të mendimit. Periudha në të cilën më ka takuar të shkruaj i takon ndryshimit dhe në këtë kapërcim rendesh, fuqia për ti rezistuar kohës është vetë burimi i forcës.
-Kur ju shkruat romanin “ Të korrat e Krishtlindjeve”, i vlerësuar shumë nga kritika e kohës, si shkuat ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë ;burim-rrëfim-frymëzim-kulturë ?
Kur shkruaja romanin në vitin 1998, me një makinë shkrimi Oliveti, në shtëpinë e prindërve në fshat, nëna ime here pas here u kthehej fletëve të mbushura me tekst, dhe gjente rastin me shumë delikatesë të më sillte në vëmendje se gjithçka i dukej e njohur, sidomos personazhet në vorbullën e ngjarjeve prej fragmenteve që lexonte. Dikur i thashë: ‘po sepse është jeta e gjithkujt, dhe në të vërtetë është jeta e gjithkujt. Kritika e përcaktoi si një roman për kaosin dhe vdekjen! Unë kisha dashur të shkruaj pikërisht këtë.Ky ishte mendimi i Profesor Ali Aliut, në leximin kritik të romanit në kohën e botimit të parë, në vitin 2003. Të njëjtin mendim shtjelluan më tutje Profesor Sadik Bejko në përcjelljen e ribotimit, të vitit 2013, po ashtu edhe Basri Capriqi, Virion Graçi, Ibrahim Kadriu dhe Ndue Gjika. Si shkrimtare besoj se ia kam arritur të shkruaj një rrëfim për kaosin dhe vdekjen në një shoqëri aksidentesh pavarësisht hapësirave gjeografike, cepave të botës në të cilën jetojmë….përkohësinë tonë fizike.
-A keni menduar ndonjë herë të shkruani skenarë filmi? Në se provoni ta bëni atë , ç’mund të na tregoni për aktin e të shkruarit të një skenari, me trillimin e karaktereve dhe të shkruarit e dialogut. Shumë duan të jenë shkrimtarë dhe besojnë se janë të tillë. Pra, a ndikon letërsia në skenarin e një filmi?
Libri, letërsia është atdheu im! Kinemaja është një botë tjetër, gati e huaj. Të jesh shkrimtar do të thotë të jesh në universin e letërsisë së shkëlqyer.
– Ju jeni edhe përkthyese! Casimiro de Brito nën përkthimin tuaj ishte fituesi i“Unazës Poeteka 2008”, në Shqipëri.
Kur vepra e një poeti apo shkrimtari lë gjurmë tek unë, vetëm atëherë e përkthej.Kështu ka ndodhur me përmbledhjen poetike të de Britos, ‘Muzika e Botës’ dhe romanin ‘Kujtime të Mirelës’ të Eugene Schoulgin. Kur përkthej një vepër letrare i afrohem tekstit me po aq dashuri sa krijuesit e tij, dhe kujdesem që të mos humbasë asgjë. Shkrimtarët që përkthej janë miqtë e mi, me të cilët bisedoj për çdo detaj të veprës së tyre, dhe i përfshij përmes një komunikimi të vazhdueshëm në procesin e rishkrimit të veprës së tyre në një gjuhë të ndryshme nga gjuha në të cilën kanë shkruar, ku gjuha e krijimit mbetet e pandryshueshme, e njëjtë. Po ashtu kam përkthyer antologjinë e poezisë me vargje të poetëve të cilët sot janë në majat e poezisë botërore, por të gjithë ata i kam njohur nga afër, kam biseduar dhe i kam takuar në festivale të poezisë në vende të ndryshme të botës.
-Ju jeni Presidente e PEN Qendrës në Shqipëri dhe anëtare e Bordit “In Search Committee” të PEN International. Krijimtaria tuaj dhe aktivizimi në PEN Internacional, nënkupton aktiviteteve të ndryshme, si brenda dhe jashtë Shqipërisë ?
Të gjitha aktivitetet e PEN lidhen drejtpërsëdrejti me letërsinë, gjuhën, kulturën, mediat, lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut. Janë konferenca, takime ndërkombëtare shkrimtarësh, kongrese, botime, promovime, festivale poezie, panaire ndërkombëtare të librit, ftesa për leksione të hapura me shkrimtarë në universitete të ndryshëm në botë,konferenca shtypi, relacione dhe deklarata për çështje të lirisë së shprehjes në ato raste dhe vende ku liria është e kërcënuar dhe jeta e autorëve rrezikohet, promovim i autorëve përmes përkthimit, krijimi i kushteve të stabilitetit për shkrimtarët të cilët kanë emergjenca civile apo janë të rrezikuar për shkak të censurës, etj. Pak a shumë këto janë aktivitetet e PEN.Në këto aktivitete që ndodhin në vende të ndryshme të botës organizuar nga qendrat PEN nën mbështetjen e International PEN, marrin pjesë shkrimtarë aktualisht me vlera letrare të ksonsiliduara por njëkohësisht edhe intelektualë me integritet.Temat që diskutohen janë nga më të ndryshmet në varësi të problematikës dhe një axhende të përcaktuar. PEN- Qendra e Shqipërisë ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e kësaj natyre në rang ndërkombëtar dhe ka mundur të organizojë disa aktivitete të përbashkëta në Tiranë me PEN Qendrën e Kosovës, Maqedonisë, Italisë, Finlandës e qendra të tjera të Evropës. Ne aderojmë automatikisht në të gjitha komitetet e PEN International,dhe në të gjitha rastet dërgojmë përfaqësuesit tanë nga Shqipëria, të cilët janë pjesëmarrës në konferenca, dhe takime të ndryshme ndërkombëtare.
– Pse shkruan Entela Safeti- Kasi …?
Sepse nuk mundem të ndalem!
-Jetoni në Tiranë , Cfarë ju lidh me vendlindjen e Dritero Agollit?
Vendlindja, rrënjët!
Ju Faleminderit
Intervistoi: Raimonda Moisiu

Filed Under: Interviste Tagged With: AMBASADORE E KULTURËS, BISEDE ME, ENTELA KASI, ne bote, Raimonda Moisiu, shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT