• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DASHURITË E JOSIFIT: POEZIA, MUZIKA DHE KITARA

April 9, 2014 by dgreca

Realitetet themelore të ekzistencës njerëzore i hedh në vargje ashtu sikundër i ndjen brenda psikikes, shpirtërores dhe filozofikes. Poezitë e Josif Gegpriftit përshkruajnë situata të zakonëshme të njeriut me kompleksitetin e jetës dhe shoqërisë në të cilën jetojmë, dhe rolin e marrëdhënieve të tyre në kërkim të identitetit poetik. Vargjet lirike të poetit e kitaristit Josif Gegprifti  janë shprehje e zjarrtë e një shpirt shumë të ndjeshëm, që është gjithmonë në kërkim të dashurisë së pastër dhe intensive pa ndonjë kufizim.  Josif Gegprifti është nga ata poetë,  që  përshkruan realitetet bashkëkohore me humor të athët dhe shquhet  për aftësinë e tij për t’i hedhur në vargje, ndjeshmëritë poetike të dashurisë, mallit, brengës, dhimbjes, gëzimit, jetës e vdekjes. Ndjeshmëri poetike këto, që prekin metafiziken, janë shprehje e filozofisë së jetës dhe mendimeve mistike, ashtu sikundër është edhe origjina e poetit,-nga treva e Enkelejve, e Lasgushit të Madh dhe Kutelit të Papërsëritshëm. Poezia e Gegpriftit është e këndshme dhe e kënaqëshme, në lëvizje e frymëzuese, me aftësi të shkëlqyera për poezi lirike. Në këtë intervistë poeti e prozatori pogradecar Josif Gegprifti, na rrëfen dashuritë e tij, që janë :Poezia, Muzika e Kitara.  

Bisedoi:Raimonda MOISIU /

-Kam lexuar recencën tepër speciale dhe domethënese të Hyqmet Haskos, për poezinë tuaj. Si jeni ndjerë për këtë recencë kaq dinjitoze e profesionale. 

Ka qënë një ditë jashtëzakonisht e bukur për mua. Teksa mbaja gazetën në dorë, më dukej se vështrimi i të gjithëvë ishte përqëndruar tek unë. Ndihesha, sikur kisha arritur pranë finishit për t’u quajtur poet. E pa besueshme dhe emocionuese kanë qenë telefonatat e shumta, që më vinin nga miqtë e miket e mia, kryesisht nga Pogradeci e Tirana. Është një ditë  nga ditët e mija, që mund ta quaj se kam jetuar, se kam marrë frym, se kam ndjer, që jetoj, që kam një emër e në shpirt, ndjenjë e ëmbël të kënaqësisë dhe kurajos për më tej.

-Cilat kanë qënë përfytyrimet më të herëshme se një ditë do të bëheshit poet ?  Kush ka qënë dashuria tuaj e parë e  lidhja tuaj me artin e poezisë?

Më lejoni  të bëj pak histori e biografi nga jeta ime. Nuk dua t’u lodh, ndaj dhe nuk do zgjatem. Unë jam Josif Pasko Gegprifti. Me shumë sinqeritet shkruaj e përgjigjem, se kurrë në jetën time, nuk e kisha menduar, se do të bëhesha poet! (Buqzëqesh) Mos e teprova që deklamova se jam poet? Kam shkruar një poezi “ Unë nuk jam poet”, e kam shkruar me ngrohtësinë e  sinqeritet dhe aty tregoj se jam i apasionuar pas poezisë, se e shkruaj atë si të mundem, me ndjenjën e shpirtit tim, por kjo nuk më bën mua Josifin ta quaj veten poet. Këtë ja kam lënë në dorë lexuesit, ai është “kritiku më i mirëfilltë” që të quan poet.  Pra asnjëherë nuk e kisha menduar këtë.Edhe pse kam qenë, qysh gjimnazist i lidhur me letërsinë, me vargun, me muzikën dhe ëndërroja fillimisht të bëhesha kompozitor. Talenti im për muzikën u pat rënë në sy  edhe mësuesve  të  mij  të muzikës në Pogradec, pasi unë  edhe pse nuk kisha studiuar për   muzikë, kisha arritur me punën time autodidakte dhe me ndihmën e mësuesve të mij, në shtëpinë e pionierit apo në shtëpinë e kulturës, të njihja mirë pentagramin e të luaja  disa vegla muzikore. Gjithashtu, kam qene edhe anëtar i Orkestrës Frymore të qytetit të lindjes. Kam punuar në katër vitet e gjimnazit, muajve të beharit, kur ishin pushimet, me kitarë në orkestrën e Hotel Turizmit e të  lulishtes “ 1 Maj” në Pogradec.

Por jeta nuk erdhi ashtu si dëshiroja. Për kushtet ekonomike të familjes, u detyrova të shkoja në shkolln ushtarake. Pra brenda shpirtit im, përplasen ndjenjat e muzikës, me dashurinë dhe disiplinën ushtarake. Falenderoj Zotin, që duke qenë me shpirtin e muzikantit e të muzës poetike, i tillë kam qëndruar edhe në jetë e në profesionin e vështirë të ushtarakut.

-Cfarë ju ka pëlqyer të lexonit  në adoleshencën tuaj?

…Mbaj mend se në fëmijërinë time, lexohej shumë libri “Cufua dhe Bubi kaçurel”.

Më pëlqente të lexoja përralla, apo t’i dëgjoja me vëmendje, kur m’i tregonin gjyshërit. Më pas, në adoleshencë filluan romanet, që asnjëherë nuk jam shkëputur prej tyre.Theksoj se kam qenë i apasionuar edhe mbas gjuhëve të huaja. Në mënyrë autodidakte, kam studiuar anglishten, italishten e gjermanishten, deri sa mbarova shkollën.Dëshiroj të theksoj se me mbarimin e shkollës dhe daljen në punë,  tepër të vështirë, u shkëputa nga studimi i gjuhëve të huaja. Kjo edhe për faktin e ambientit ku jetoja e punoja.Duke mos e folur apo lexuar gjuha e huaj harrohet.Kjo ka ndodhur edhe me mua. Më është dashur në vitin 2000, t’i rikthehem anglishtes, dhe dhashë provim në Universitetin e Tiranës.

– Ju gjithashtu merreni edhe me muzikë, kitarë. Më tregoni dicka për  “udhëtimin tuaj krijues ” me muzikë dhe poezi.

Po është e vërtetë, që në rininë tim, kam qenë i apasionuar pas muzikës dhe i dashuruar me kitarën. Mësimet e para për kitarë,  i kam marrë nga i ndjeri i talentuari Agim Darova, -një nga pesë vëllezërit orkestrantë me emër, në Pogradec. Kur fillova të ndihem i lidhur dhe i dashuruar me letërsinë, fillova të shkruaj tekste këngësh e t’i kompozoj ato vetë. Kështu janë disa këngë që i këndonim me shoqet e shokët e gjimnazit. Kujtoj,  nëherë, ish e dashura ime, pasi dëgjon një këngë nga goja e shoqes së saj e pyet:-Ku e ke mësuar këtë këngë, dhe tekstin kush e ka shkruar? Ajo i përgjigjet se këtë këngë e kemi mësuar nga Josifi, ai e këndonte, për tekstin nuk di gjë. Dhe ish mikja ime e mirë, tepër e xhelozuar, -në atë kohë kemi qenë pak të larguar- më afrohet e më thotë: -Kush ta  ka dhënë të drejtën të kompozosh vargjet, që kam shkruar unë? Pasi vura re se fliste shumë e nervozuar, me qetësi i thashë, se nuk është faji im, por i dashurisë që kam për një vajzë. Eh, nga ta dij unë se vargjet I ke shkruar ti? Ajo u qetësua dhe me  vështrimin e zjarrtë, ku ndihej dashuria e parë por edhe e munguar te të dy,  u largua duke lënë pas  “portën e dashurise hapur…”

-Cilat janë shprehitë tuaja kur meditoni apo  shkruani . Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi?

Nuk kam të përcaktuar kushte për të shkruar poezinë. Vargjet e mia kryesisht kur jam në shtëpi, më pëlqen të dëgjoj muzikë të qetë, të lehte e romantike, por unë shkruaj kudo që ndodhem, edhe në kafene, edhe kur eci rrugës,  poezinë e krijoj në mendje. Këto janë vërtet caste, që herë më trishtojnë, më shqetësojnë, dhe herë më bëjnë tëqesh e të sillem si një fëmijë që gëzon, kur merr në duar dicka që i pëlqen.Vitet e fundit kam konstatuar se në qytetin tim të Pogradecit, më pëlqen të ngrihem herët nga gjumi, të shëtis buzëgjolit e të pres rrezet e para të dielli. Aty gjej një frymëzim,  që më jep mundësinë të krijoj ëmbël vargun, më pëlqen në  “sy” valn e liqenit dhe  shklqimin e saj, të argjendëruar nga rrezet e diellit.

-Cfarë është një “muzë”. Është aftësi gjenetike sipas mendimit tuaj?

Muza  është ushqim për çdo njeri të apasionuar me letërsinë, sidomos me vargun e poezisë. Mendoj, se kjo është ndjenjë shpirtërore, që tek poetët është më e zhvilluar, se te njerëzit e thjeshtë. Nuk mund të them, se është  tërësisht gjenetike, pa përjashtuar, se edhe e tillë është.

-Zhanrin e poezisë  “e bëtë ju që të vinte te ju” apo është preferenca tuaj? Cilat janë elementët thelbësorë të tij?

Mendoj, se poezia tek unë,  ka ardhur ashtu si unë kam shkuar tek ajo. Pa e kuptuar,  e gjetëm njëri tjetrin pranë dhe u dashuruam bashkë. Unë e ndjej se e dashuroj shumë, por nuk di nëse me dashuron Poezia? Duke qenë se bashkë kemi gati 40 vjet që jetojmë, mendojmë, lotojmë, dashurojmë e frymojmë në një akord, duhet të jetë edhe preferencë e imja. Nuk do dëshiroja, të vija në plan të dytë muzikën, të shkruarit tregime, prozë apo roman, të cilat presin rradhën të shkojnë drejt botimeve.

-Cila është sfida për të shkruar një poezi?

Dua, që vargu im të jetë i lirë, të fluturoj kaltërsive qiellore e përsëri të kthehet në veshin ngacmues, si një melodi. Unë kur lexoj vargun tim, më duket sikur dëgjoj një ujvarë, që shpërndaj tinguj të magjishëm.

-Poezitë  tuaja janë të një kalibri  artistik dhe vargje lirike  të admirueshëme. E ndjeni reagimin e lexuesve dhe ç’farë sekreti ka Josifi, që e ka bërë te ketë një audiencë të gjerë lexuesish e dashamirës të poezisë?

Po është disi e vërtetë kjo që më pyesni. Unë sa herë hedh në Facebook vargjet e mia, nuk di pse ndjej ankth e dridhem në shpirt, deri sa vijnë klikimet e para. Të them të drejtën, në fillimet e mia në Facebook, ashtu si edhe krijueë të tjerë bënim “tag”, për miket e miqtë adhurues të vargut, por me kalimin e kohës, mendova se do ishte më mirë, që vargjet e mia t’i hidhja në faqen kryesore dhe kjo ishte liri për lexuesin të lexonte, të komentonte. Konstatimi është se adhuruesit janë njësoj.

Krysore në vargjet që shkruaj, është fakti, se unë shkruaj thjesht, me gjuhën e lirë të vëndit tim, ndoshta edhe më e kufizuar, atë pogradecare. Në vendlindje mëndoj unë, që vargjet kanë mbështetësit e shumtë, se vargu e përcjell ndjenjën drejt e tek zemrat e njerëzve, në mënyrën më të lehtë.

-Poezia juaj të cilën për hir  të së  vërtetës e lexoj me kënaqësi, vetëm si një këngë serrenatë  dhimbjeje, por pasqyrohet me një larmishmëri gjendjesh poetike, jetësore, ku meditimi dhe imazhet poetik krijojnë struktura emocionale. Përvec talentit që është merita tuaj, kujt ia dedikoni arritjet?

Vargjet e mia në  tërësi i drejtohen  dashurisë së parë, sikur shkruhen, për një mikeshë e sikur i dashuruari në vargje, jam vetë unë autori. Dua të sqaroj se vërtet dashuria ka ndikimet e saja, kur shkruaj, por unë përpiqem e mundohem që të gjej fjalë, histori, të sjell ato ndjenja, që i dëgjojme në jetën tonëë që i jetojmë edhe vetë, por që në tërësi, ato janë krijime artistike, janë edhe fantazi e mendjes. Unë qoftë edhe nga jeta ime, kap dicka të bukur dhe e përshtas për jetën e gjerë të lexuesit. Dua, që ajo të prekë e të mbetet në mendjen e lexuesit. Mendoj se edhe këtu diçka kam arritur.

-Sa ju ndihmon angazhimi profesional në kultivimin e pasionit tuaj për letërsinë?

Nuk themse jam profesionist në këtë drejtim. Ju tashmë e dini që profesioni im ka qënë ushtarak. Por duke qënë se kam lexuar gjithë jetën kryesisht romane, poezinë ,prozën, kam mundur të rris nivelin tim në këtë drejtim dhe të këm njohuritë e duhura për të shhkruar.Mundohem edhe sot e kësaj dite, që të mësoj, sa më shumë nga puna dhe jeta e autorëve të dëgjuar, të mbaj kontakte me miqtë e mij, që shkruajnë e të mësoj prej tyre.

-Ju i keni kushtuar vargje të larmishme dhimbjes, dashurisë, mallit brengës,  natyrës,  njerësve, vendlindjes, traditave dhe raporteve njerëzore të së përditëshmes, të përmbledhura në dy vëllime poetike. Cili është “çelësi sekret” që ju mbartni në muzën tuaj?

Nuk mund të them se ka ndonjë “çelës sekret” apo ndonjë rrugë që nuk njihet nga të tjerët. Unë mendoj se në këtë drejtim, është jetëgjatësia e vargut, që kam shkruar. Siç e thashë edhe më lart, janë gati 40 vjet që unë shkruaj. Nuk e kisha menduar ndonjëhereë, se do vinte një ditë që shkrimet e vargjet e mia do botoheshin. Nxitës i kësaj pune është miku im i nderuar, shkrimtari, poeti e dramaturgu Sulejman Mato, i cili pasi lexoi disa nga poezitë e mia në Facebook, më kërkoi takim dhe pas një bisede të këndshme me të, më kërkoi poezitë,  për t’i redaktuar e pastaj t’i botonim. Mendimi i tij është se poezia ime është e veçantë, ka brenda saj ciltërsi e dashuri, është e ëmbël dhe e lexueshme, është lasgushiane.Kjo vjen se edhe unë vetë kam  natyrë romantike, melankolike, kam shpirt të ndjeshëm,  prekem shume shpejt, qaj si fëmijë,  qesh me lot dhe gjithë jetën time në punë, në jetë e shoqëri, dashamirës me shpirt bujar dhe masovik. Jam i thjeshtë e di të qëndroj,  të komunikoj  me njerëzit fare të thjeshtë, di të ulem e të pi verën e rakinë deri edhe të dehje, më pëlqen të udhëtoj shumë, të qëndroj deri ne orët e vona të natës. Duke qenë, se kam punuar gati 15 vjet fshatrave,  e njoh jetën e fshatit. Ashtu sikundër njoh jetën në qytet dhe kontekstet e shumta me njerëz të ndryshëm, që janë  faktorë jetësorë, që unë shkruaj me dashuri, me dhimbje, me brengë, për njerëzit, për natyrën, vendlindjen e traditat. Këtu mendoj se është edhe “ Celësi sekret “.

-A e keni provuar të shkruani në gjininë e prozës?

Po, kam disa tregime që së shpejti do t’i botoj me temë nga jeta në fshat, për marrëdhëniet midis njerëzve, tregime rozë, kun ë qendër të sargumentit është romantikja, lirikja.

Jeni lindur dhe e keni kaluar fëmininë në Pogradec, që është edhe vendlindja e dy korifejve të letrave shqipe, Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit.. A ka ndikuar  kjo në krijimtarinë tuaj?

Shtëpia ku kam kaluar fëmijërine time, ka qenë pranë shtëpisë së poetit të madh Lasgushit. Me vajzën e tij të madhe Kostandinën, kemi  qenë shoqe klase në gjimnaz, ndërsa vajza tjetër Maria, është dy vjet më e vogël se unë.Në bahcen e Lasgushit, ne fëmijët e lagjes luanim vazhdimisht me lodrat tona, bënim shumë zhurmë, gjë që e shqetësonte shumë poetin dhe ai shpeshherë na fliste për t’u larguar. Kujtoj në dimër, kur i vinin drutë Lasgushit, ai na thërriste ne fëmijëve dhe e ndihmonim atë. Ai na recitonte vargje dhe ne ngjisnim drutë në katin e dytë. Janë kujtime të pashlyeshme të fëmijërisë time. Eh,  sa kujtime kam aty me Lasgushin apo xhaxhi Llazarin,  si e thërrisnim ne fëmijët. Pogradeci, sigurisht me bukurinë e tij të magjishme, gjolin,  përgjithësisht të kaltëruar, sepse ai i ndërron ngjyrat e tij vazhdimisht, me Drilonin, kalanë dhe kodrat e gjelbëruara përreth,  me një rini të dhënë mbas artit kryesisht muzikës, ka ndikuar në krijimin e personit tim si muzikant e më vonë në drejtim të të shkruarit të vargjeve poetike.

-Cilat janë projektet tuaj në të ardhmen?

Tashmë unë kam hyrë në këtë udhëtim të bukur shpirtëror e letrar.  Po mundohem që të nxjerr në dritë gjithçka nga puna ime prej vitesh. Janë gati edhe 3 libra me poezi, një roman e një libër me tregime.

-Kur ktheni kokën pas ndër vite si e shikoni krijimtrainë tuaj gjatë viteve? Cilat janë drejtimet dhe objektivat interesante për të ardhmen?

Eh,kur kthej kokën mbrapa në shkrimet e vjetra, të them të drejtën, ka momente, që shtangem, mbërthehem keq tek vargu dhe them me vehte; -si është e mundur, që kam shkruar me kaq zjarr dashurie. Por ka edhe momente, që më bëjnë të qesh   me vargun tim, -sa fëminor paskam qenë!

Për të ardhmen siç e shkruajta edhe më lart,  dëshira ime është të botoj romanin. Jam shumë I përkushtuar dhe në ankth derisa ta botoj. Dua ta lexojnë para botimit, dy tre nga miqtë e mij të mirënjohur, pastaj me një redaktor dashamirës ta përfundojmë e botojmë. Them dashamirës sepse, është tepër e dhimbëshme, kur shikon gërshërën pa vend të redaktorëve në shkrimet e tua. Unë kur dorëzoj një libër për redaktim, më dhemb shpirti dhe jam në ankth deri sa ta shoh punën e redaktuesit. Me duket sikur dorëzoj fëmijën në cerdhe tek një edukatore dhe pastaj pres orarin për ta marrë.

-C’farë dëshiron të ndash me kolegët dhe audiencën e lexuesve, që janë duke e lexuar këtë  intervistë?

Mirënjohjen e tyre, respektin dhe shpirtin bujar.

-Mesazh tuaj për botën e artit?

Mesazhi im është shkruani pahezitim, por sa më shkurt,  sa më të lexueshëm e të kuptueshëm. Kur shkruani për dashurinë, kam mendimin se nuk duhet zhveshur. Një ndjenjë e fshehtë, shpirtërore dhe e vetme në dashuri është e mrekullueshme e plot  ëmbëlsi e jetë!

 

Filed Under: Interviste Tagged With: DASHURITË E JOSIFIT: POEZIA, DHE KITARA, MUZIKA, Raimonda Moisiu

Todo Vaso: “Alarmi i Byrosë Politike kur në Tiranë erdhën futbollistët e Këlnit”

March 28, 2014 by dgreca

*“Porosia e Beqir Ballukut para ndeshjes Partizani-Këlni. Si na survejoi Sigurimi në Gjermani”/

– Si ishin marrëdhëniet tuaja, kur humbnit apo fitonit me skuadrën kundërshtare? A kishte ndonjë qejfmbetje?/

Pyeteësori kërkon karakteristika të edukatës, kulturës,  por dhe dukuritë e përmbajtjes etike të lojrave, për një kohë tjetër të kaluar. Atëhere dhe tani,  dy janë faktorët, që ndikojnë në pastërtinë etike të lojrave sportive; edukata dhe kultura e lojtarëve që përbëjnë ekipet, e dyta, disiplinimi i veprimeve sportive në lojë dhe ambjentet rrethues të saj. Ky faktor kushtëzohet nga zbatimi i rregulloreve sportive dhe detyrimeve ligjore,  që aplikon shteti për mbarëvajtjen pa incidente dhe akte të dhunëshme gjatë zhvillimit të ndeshjeve. Lojtarët me stafin e ekipit, FSHF, gjyqtarët, dhe organet policore të ruajtjes së rendit në mënyra dhe forma të ndryshme vec e vec dhe bashkërisht, sipas funksioneve dhe detyrave, që kanë,  krijojnë kushte të rregullta apo probleme në zhvillimin e ndeshjeve.                                                                                

Marrëdhëniet lojtar -lojtar dhe lojtar- trajner në lojë dhe jashtë saj me përjashtime të rralla,  ishin korrekte. Ato, jo vetëm krijonin situata të një luftë sportive të ndershme, por përcillnin dhe në publik mesazhe educative,  për miqësinë ndërrmjet klubeve dhe qyteteve. Rivaliteti sportiv në fushën e lojës i nxirrte marrëdhëniet e lojtarëve nga lidhjet vëlla, shok apo mik. Lidhjet në një masë të konsiderushme ishin aq të sinqerta dhe të natyrëshme, sa krijonin miqësi familiar,  të cilat i kemi edhe sot. Në funksionin  e katërshes në atë kohë përvec punës së organeve sportive në mbarëvajtjen e zhvillimit të ndeshjeve,  angazhoheshe dhe shteti, i cili në situata të vecanta merrte dhe masa drastike. Në Kampionatin Kombëtar të vitit futbollistik 1966-67-ë  për një lojë jo korrekte, [me shfaqje të huaja, sikurse thuhej në atë kohë], gjatë ndeshjes 17 Nentori–Partizani u dënuan të dy ekipet,  dhe me këtë masë, 17 Nentori,  që po shkonte drejt sigurimit të titullit kampion,  e humbi atë dhe u shpall kampion ekipi i Dinamos së Tiranës.

– Ju keni dalë edhe jashtë vendit në atë kohë. Që do të thotë; se ju shihnit vendet me demokraci të zhvilluar, në një kohë kur  populli shqiptar ishte i izoluar nga  bota perëndimore. Cfarë ke menduar  për  Shqipërinë e asaj kohe? A vije re ndryshimin?

Më duket më favorëshme ta përcjell përshtypjen,  ashtu sikurse e kam jetuar pa frazeollogjizma. Perëndimorët e futbollit [për klubet], për herë të parë zbritën në Shqipëri nga vendet Skandinave me 1962-shin, ishte Norcepingu e Suedisë. Dy vjet më vonë, në 1964ën,   gjermanët e Këlnit [RFGJ]  mbërritën në Tiranë bashkë me kuzhinën e tyre të kompletuar. Lajmi shkaktoi konfuzion në qeveri. Ministri i Mbrojtjes, të asaj kohe Beqir Balluku, një nga liderët e kupolës së lartë të shtetit shqiptar dha porosi urgjente në drejtorinë e hotel ”Dajti”, që në menynë e ekipit gjerman të mos mungonte asgjë. Nëse nuk ka në kuzhinën e ”Dajti”-it, porosia të plotësohej duke dërguar avionin qeveritar në Itali. Kuzhina e restorantit të hotel ”Dajtit”afronte me ato të lokaleve evropiane, sepse aty qëndronin edhe të huajt me qëndrim në Shqiperi apo kalimtarë. Informacionet, që dilnin nga jeta,  që bënte populli, krijonin përshtypje shqetësuese, vecanërisht për trajtimin e një ekipi kampion,  që kërkonte kushte speciale. Nisur nga ky opinion i diskutueshëm, gjermanët e Kelnit erdhën në Tiranë me një bagazh ushqimor,  për të plotësuar nevojat e ekipit deri në largim, dhe me asortimentet, që në tregun shqipëtar të kohës në të vërtetë mungonin. Porosia shqetësuese e Zv/Kryeministrit ishte metaforike që të alarmonte se  ”edhe qumësht dallëndysheje,  të kërkojnë gjermanët ta sillni nga Italia!” Sa e vërtetë është kjo ndodhi, aq e vërtetë është që kushtet [me përjashtime të vogla], të  Hotel ”Dajti”[dhe kuzhinës] ishin superklas. Ato bënin diferencë te dallueshme jo vetëm me kuzhinën e jetesës familjare shqiptare,  por dhe me lokalet më të mira të kohës,  që quheshin Hotel Turizmi. Në banketin brenda hotel Dajtit,  që u bë mbas ndeshjes,  në mbrëmje  u dha shfaqje nga një grup i vogël i Teatrit të Operas dhe Baletit,  me pjesëmarjen dhe te këngëtarit,  Xhoni Athanas. Presidenti i klubit të ”Keln”-it,  u shpreh në atë  banket mbresëlënës :”Jemi shumë të kënaqur nga pritja juaj! Andaj pyes veten se a do të jemi në gjendje ne,  që në Gjermani t’i përgjigjemi,  kaq mirë mikpritjes suaj”? Domosdo ligjërata e tij kishte tepër modesti dhe gjithashtu komplimenti ndoshta ishte pasojë e opinionit të trazuar,  që kishin dëgjuar para nisjes për  vendin e shqiponjave. Në dt.12-09-1964-ës,  gazeta e vetme sportive ,”Sporti Popullor”shkruante për ndeshjen Partizani–Këlni [0–0]. Rezultati i Tiranës na mbante me shpresë. U pergatitëm dhe u nisëm për në Europën perëndimore,  që ishte udhëtimi i parë për një skuadër klubi, pas ndeshjes në një nga vendet skandinave, që bëri Partizani në Suedi. Në tokën gjermane po hynim nga ajri. Avioni i afrohej Këlnit nga një afërsi e vogël. Në rrugën Bruksel–Këln, poshtë nesh, lëviznin dy fije të zjarrta kundrejt njëra- tjetrës. Nga lart, ato dy fije të stërzgjatura, e të shëndrritëshme, jepnin një bukuripërrallore. Dukuri të tilla i kishim parë vetëm nëpër filma. Avioni dukej sikur përtonte të shkonte në qytet. Fluturonte drejt aeroportit shtruar. Të bënte të mendoje  se dikush e kishte porositur, të ulej ngadalë që pasagjerët, të soditnin qytetin në perëndim të RFGJ-së, afër kufirit me Belgjikën. Tashmë,  para nesh ishte gjithë Bota e Perëndimit. Mbrëmja ishte shumë e bukur. Këlni nga lart, me një bukuri përrallore të mrekullueshme, të hutonte. Gjermania e famëshme, Gjermania naziste e Luftës së Dytë Botërore, Shteti që u bë tmerri Europës dhe më tej, vendi i famshëm i racës arjane, u shpalos para syve tanë nën vezullimin e dritave. Shikonim një qytetërim kapitalist. Një javë më vonë u ktheva në qytetin tim. Më  dërguan fjalë, se  më kërkonte mjeku i famshëm, Sotir Polena, i bërë mit për shpëtimin e një raprezaljeje të qytetit në kohën e luftës së  dytë botërore, kur  gjermanët po largoheshin nga Korca. Në dhomën e mjekut e mbushur plot, Dr.Polena më pyet : -Vaso, si t’u duk Gjermania? Duhej të vendosje  “Veshjet anti plumb”!  Gjermania kapitaliste –Jo, jo,-të kuptova doktor, ju nuk e kini për marrëdhënjet në prodhim. Ai  buzëqeshi dhe më tha:” Qyteti!! Kur isha me studime në Austri,  shkonim aty në fundjavë për pushime.” Pra ajo që mua më impresionoi e cuditi se, 20 vjet pas luftës, gjermanët në një kohë shumë të shkurtër kishin ngritur mbi gërmadhat,- një mrekulli. 8o% e qytetit u bombardua nga aviacioni aleat. 20% ishin vetëm kishat, spitalet dhe shkollat e dallueshme. Nga një vend,  si i yni, ku ndricimi natën ishte një ngjyrësh, pamja magjepëse e ndricimit shumë ngjyrësh të qyteteve perëndimore, natën , të hutonte; lumë makinash dhe mizëri njerëzish nëpër trotuare nxitonin drejt stadiumit të Këlint,  që u mbush me mbi 50000 spektatorë. Udhëtonim në qendrën e qytetit. Gra e vajza të bukura, fytyra me lëkurë të praruar, veshje firmato, këpucë llustrafinë. Duke parë nga xhami i autobozit,  meditoja teksa shikoja kualitete modern, jo vetëm veshjet, moden e flokëve,  karficat, syzet, vathët, cantat,  lidhëset , rripat, byzylykët, format,  ngjyrat, stilet,- aty shikoja diferencën luksoze dhe moderne nga tonat. Aty- këtu shikimet që kapnin flamurin Kuq e zi ëe xhamin përpara autobozit,  dërgonin përshëndetjen ”Partizan -Tirana”. Kishte shumë shqiptarë nga treva të ndryshme të Shqipërisë.

-A ju survejonte sigurimi i shtetit? Sa ishit të lirë të dilnit jashtë hotelit?

Sa më shumë ta kontestosh, ta shash atë që përkon me dëshirat dhe interesat e përkatësisë të interesuar, je i drejtë, je realist, ashtu sikurse përkatësia tjetër, që kontestimin e konsideron jo të drejtë,  nuk e pëlqen ndoshta dhe të urren. Pyetja për saktësinë e përgjigjes së saj gjendet në dy të vërteta. Të vërtetën e plotë e dinë vetëm ata,  që i organizonin ato punë. E dyta, ata që ishin dëshmitarë mund të tregojnë vetëm c’kanë jetuar. Unë jam një nga ata. Në të gjitha ndeshjet jashtë Shqipërisë,  ekipet e futbollit Zv/përgjegjësin e ekipit e kishin Oficer të sigurimit të shtetit dhe kjo dihej nga të gjithe antarët e ekipit. Informatorë dhe persona të tjerë me detyra të vecanta në të gjitha kohët dhe kudo,  nuk bëhen kurrë prezent. Ekipi i futbollit nuk ruhej dhe as mund të ruhej nga brenda, në konceptin për të ruajtur të gjithë pjesëtarët e ekipit, sepse është praktikisht e pa mundur. Lëvizjet e lojtarëve me përjashtim të realizimit të programit të ekipit, nuk bëheshin kurrë në bllok monolit. Kishte vetëm këtë porosi: mos dilni kurrë vetëm, por mbi dy shokë, sepse  qytetet e mëdhenj kanë probleme dhe mund të ketë dhe të papritura. Kur tq takoheni me njerës tq ndryshëm vecanërisht me shqiptarë, duhet t’i njihni origjinën e tyre, sepse mundet të kompromentoheni pa dashje. Ata që e njohin mirë cështjen në fjalë e dinë shumë mirë që syrvejimet e tilla bëhen nga njerës jashtë ekipit, të cilët shteti i kishte apo i ka në detyrë jashtë vendit të tij.-Sa ishim të lirë të dilnim jashtë hotelit..?.Në RFGJ,  në  1971-in,  në ndeshjen Gjermani –Shqipëri jam shoqëruar me një zote\qri shqiptar të arratisur nga Shqipëria,  në vitin 1950-ë, korcarin Mysledin Glina, i cili jetonte  ne Gjermani. Ai vetë e ka treguar këtë ngjarje pas 1990-ës, në Korcë. Historinë e tij ma bëri të qartë vetëm ditën e fundit, para se të ndaheshim. Nuk më pyeti kush, askush nuk dha ndonjë shenjë për ateë histori. Kur ja bëra prezent ngjarjen oficerit të sigurimit, më tha këto lloj histori janë të zakoneshme,  sepse personi e dinte shumë mirë, që po qe se do të  tregonte të vërtetën, që në fillim ti nuk do ta shoqëronje dhe do të humbiste rastin për të biseduar me një korcar si vetja. Sa mund ti qaset temës,  nuk e di, por për kuriozitet të lexuesve po them; nga ekipet e futbollit janë arratisur tre lojtarë: dy lojtarë, Bari Kavaja dhe [Muhamet] Bule Vathi u larguan nga ekipi ne vitin 1950,-ë nëpërmjet Dardaneleve në Turqi dhe Qemal Vogli nga ekipi i Dinamos në 1956ën,  në RFGjermane.

– A i ndiqni zhvillimet në sportin shqiptar, c’mund të na thoni për futbollin sot në Shqipëri? Po, për skuadrën  “Skënderbeu” c’mund të na thoni?

Regresi i sportit në Shqipëri është më i dukshëm dhe më i ndjeshëm në diferencë nga ai i kohës para vitit 1990-ë. Këtu bëhet fjalë në raportet ndërmjet zhvillimit dhe mangësive, që u krijuan në krahasim me sportin e kohës që lamë pas. Dukuria është në dy aspekte; në cilësi dhe në masivitet. Në cilësi tre ekipet e lavdishme të futbollit të kryeqytetit, tashmë nuk krahasohen kurrsesi me cilësinë  e dikurshme, por në një regres shumë të dukshëm,  janë dhe dy ekipet e dikurshme –elite- Vllaznia dhe Flamurtari, që janë larg madhështise së tyre të dikurshme. Për sportet e tjera mjafton të cilësojmë gjendjen e ekipeve të lojrave me dorë të Skënderbeut të Korcës, që jo vetëm nuk krahasohen, por as nuk i afrohen shkëlqimit të lojrave të viteve para 1990-ës. Fatkeqësia më e madhe,  shumë shqetësuese vijon tek disa  sporte të tjerë, të cilët nuk ekzistojnë më, në shumë qytete të medhenj e të rëndësishëm në Shqipëri si;  Korca, Elbasani, Vlora, Shkodra, Durrësi, Fieri ku edhe nëse  ndonjë prej tyre ka ekipe të sporteve të rënda apo atletikë, në disa të tjerë nuk ka fare, mundja, ciklizmi, gjimnastika, shahu, qitja, pingpongu,etj.  P.sh në Korcë janë fshirë si sporte.  Fillozofia ka shumë deviza për të qartësuar thelbin e një cështjeje apo problemi. Ajo thotë: dy të vërteta nuk e përjashtojnë njëra tjetrën, apo edhe kur janë më shumë dhe kur bëjnë fjalë për të njëjtën cështje. Sot futbollistët kanë më shumë fanella, këpucë, topa futbolli të cilat janë më të bukura e të forta, profesionale, kanë kushte më moderne në ambjentet sportive. Tek ne ekipet e futbollit kanë dhe një sasi të vogël fusha tapeti, që janë më cilësore se fushat e dikurshme. Por saktësisht me gjithë këto të vërteta dhe disa të tjera, trajneri modern i aktualitetit dhe shumë rezultativ. Murinjo ka deklaruar  në media me frazën  bombastike: ”Futbolli sot nuk është emocional, sepse futbollistët luajnë me para”. Më sipër cilësuam të vërtetat produktive të kohës,  por njëheësh me to,  ka dhe mjaft mangësi. Shumë ekipe të tjera stërviten në fusha më keq se 50 vjet përpara, kësisoj nuk mund të ketë cilësi me një masivitet cilësor të shkallës më të ulët.  kur masiviteti mazhoritar stërvitet në kushte të këqia. Elementi i talentuar është i reduktuar,  sepse një sasi e madhe fëmijësh nuk kalojnë stërvitje profesionale,  se nuk kanë mundësi financiare, për të paguar  stërvitjet dhe lëvizjet me ekipin. Për të gjithë futbollin në Shqipëri, sot e kësaj dite shprehem: nuk më pëlqen futbolli i sotshëm shqiptar. Domosdo,  shprehja nuk i adresohet maksimalisht të gjithë përmbajtjes së futbollit të sotëm,bndaj do të cilësoja: Futbolli i ynë i sotëm ka më shumë mangësi në raport me kohën që ai jeton, prandaj në këtë konceptim më e plotë për të dhënë idenë,  duhet të kujtoj titullin e një artikulli, që  kam botuar para do kohe në shtypme titull:”Fabrika e futbollit shqiptar është e vjetëruar”. Nëse bëhet fjala më konkretisht duhet të kujtojmë, që në mjaft ekipe të klubeve tona, stërvitjet janë të vjetëruara, jo nga ana figurative. Metodat stërvitore janë empirike e cila nuk mbështetet në kërkesa teorike shkencore. P.sh. mungojnë testimet fiziko -teknike, matjet fiziollogjike gjatë stërvitjes në  ndeshje dhe stërvitja e forcës muskulore etj. Futbolli i sotëm nuk më pëlqen,  sepse ai është futboll i kategorisë së dytë [ me emërtimet e vjetra i kat. së parë]. Rreth 200 futbollistë shqiptarë të pergatitur në ekipet tona luajnë jashtë Shqipërisë,  nëse do të ishin këtu, do të mund të bënim  kampionatin e kategorisë së parë  me 10 ekipe,  me nga 20 lojtarë. Në shtypin e shkruar, ka pak ose aspak shkrime analitike të interprtuara me treguesit e futbollit bashkëkohor. Kjo gjendje dhe dukuri përbën atrofizim të analizave profesionale të cilat ja lenë zhvillimin e futbollit actual,  spontanitetit. Ekeqja e madhe qëndron se në atë kohë një pjesë e këtyre kërkesave ishin në funksion,  prandaj me gjithë kushtet deficitare materiale të asaj kohe ekipi ynë kombëtar, barazoi me një lojë brilante me  kampionet e botës, si RFGJ,  dhe e eliminoi atë me një lojë më shumë se të barabartë. Kjo pikë referimi ka vlera të jashtëzakonëshme, kur në vitet që jemi duke jetuar, nuk matemi dot me një vend të vogël si Islanda. Një ëndërr që nga ”lashtësia” e futbollit në Shqipëri [78 vjet përpara ]. Në pritje pa fund nga viti 1933 –e, për t’u ngjitur në krye të skuadrave shqiptare, Skënderbeu i dytë [sepse i pari është kampion në vitin1933], rifitoi titullin kampion Kombëtar në  2011-ë. Ka ëndërruar, ka luftuar, ka protestuar, ka rivalizuar, por do t’i duhej mbi trecerek shekulli, që të ngjitej aty ku mendonte, se e meritonte. “L’argant fait tout, l’argant fait la guerre” [Paraja i bën të gjitha, paraja e bën dhe luftën]- është një shprehje e vjetër franceze. Ekipi i Skënderbeut [të dytë],  që në titullin e parë kampion [2011-ë],  u financua nga një bord financuesish, që i krijuan ekipit mundësitë më të larta nga ekipet e tjera, në Shqipëri për të konkuruar në futbollin shqiptar, me në krye Presidentin Agim Zeqo,  dhe tanimë me Presidentin tjetër, Ardjan Takaj. Investimi financiar, material, moral, institucional, me kapacitet,  që të bën të sillesh e të veprosh realisht si kampion, janë motive,  që të cojnë drejt kurorëzimit të objektivit,  kampion kombëtar. Shumë nga këta faktorë kanë qenë të dukshëm e të prekshëm. E para, është mundësia, pa të cilën nuk mund të arrihet objektivi,  pas saj vjen  realizimi si faktor i dytë,  pa të cilin është e kuptueshme,  që nuk arrihet askund,  sepse paratë, fushat e futbollit,  kushtet materiale nuk lëvizin,  nuk luajnë, në fushën e lojës luajnë. Futbollistët nën drejtimin e trajnerëve, prej këtu vjen kontributi i ekipit,  që ju jep emrin përfundimtar gjithë investimeve. Sa e vërtetë e vyer është kjo,  c’ka cilësuam,  aq e vërtetë është,  që në titullin kampion të vitit 1933-e,  Skënderbeu kishte vetëm një të huaj [vinte nga Turqia dhe shkonte prapë aty] Servet Teufik Agaj, të gjithë të tjeret ishin djemtë e Korcës. Tashmë për rastësi është e kundërta- Skënderbeu ka vetëm një futbollist korcar Bledi Shkëmbi, lojtarët e tjerë janë jo korcarë dhe të huaj. K.F.Skënderbeu dhe ”Radio Korca”me 1999-ën,  me rastin e 90 vjetorit të Shoqatës kulturale Sportive ”Vllazëria” e Korcës organizuan anketën ”10 futbollistët më të mirë të shekullit” të futbollit korcar dhe dy portierët më të mirë, e cila konfirmoi këtë,  renditje: Teodor Vaso, Dhimitraq Dembo, Gjergji Ballco, Dhimitraq Xhambazi, Aleko Pilika, Milutin Kërcic, Veteran Topciu, Gilbert Rapo, Gëzim Muhaxhiri, Gentian Lici dhe portierët më të mirë: Koco Dinella dhe Jani  Kaci. Anketa futbollistët e  shekullit me reparte,  përcaktoi Futbollisti me i mire i Shekullit, Portierin Koco Dinella dhe Jani Kaci, Teodor Vaso[mbrojtës], Milutin Kërcic [mesfushor), Teli Samsuri[sulmues. Duke cilësuar disa futbollistë të elitës së  epërme në formatin e 11-shes,  si ”futbollisti më i mirë i shekullit”, theksoj se nuk e mundëte këtë,  asnjë madhështi në një fushë futbolli bosh. Fusha e lojës është me plot lojtarë të tjerë që janë cilësuar dhe ”ata i dhanë lavdi Korcës”. Bashkë me ta lindi madhështia jonë,  e cila ishte vetëm disi më e mirë se e kolegëve tanë të tjerë. Në atë fushë përcollëm entusiazëm, bukuri, edukatë dhe kulturë futbollistë si  T.Veriga, N.Kola, M.Lara, M.Prodani, S.Tole, R.Shëllira, E.Dvorani,  G.Strati, A.Deli, Xh.Mborja,  M.Kita, V.Bicolli,  Gj.Shule, P.Dhëmbi, K.Kotomelo, A.Toshi, Gj.Lika, Gj.Avramushi, I.Tërpo, R.Kallco.-H.Shkurti, Gj.Prifti, V.Thimo, P.Qiriazi, I.Papa, P.Bode, C.Stratobërdha, R.Rapo, L.Sërbo,  A.Tytka.

-Një fenomen i shëmtuar sot në sportin shqiptar është shitja e ndeshjeve. A ndodhte kjo në atë kohë? Si ndjeheni kur lexoni dhe dëgjoni se ka korrupsion në sportin shqiptar? Dhe nuk ka më futboll  spektakolar, të maturur, pa dhunë,  në fushat sportive si dikur?

-Cështja e disa fenomeneve të këqija është komplekse. Duhen veprime të përbashkëta të lojtarëve dhe stafit të ekipit. Organizmit qëndror futbollistik[FSHF], koligjumit të arbitrave [dhe arbitrave vec e vec], masave policore për parandalim dhe disiplinim të situatave problematike,  dhunës dhe shtetit, i cili brenda kopetencave të tij,  të ndihmojë në krijimin e kushteve lehtësuese, që ndeshjet të zhvillohen normalisht së fundi me shumë ndikim të jashtëzakonshëm,  faktor jashtë loje është sjellja e spektatorëve. Në vitin 1971-ë,  në një ndeshje 17 Nëntori – Skënderbeu në Tiranë për tendencë të gjykimit të keq të arbitrave [njëri faktor] dhe dhunës së disa lojtarëve të 17 Nëntorit [faktori tjeter],  lojtarët e Skënderbeut me ndërhyrje të trajnerëve të tij [faktor tjetër],  në shenjë proteste,  e braktisën fushën, por mbeti në fushë vetëm një lojtar- kapiteni i skuadrës, unë [T.Vaso],  që kërkonte nga trajnerët ta kthenin ekipin në fush,  sepse masat ndëshkimore pas saj, ishin shumë të rënda deri në largim nga kategoria e parë. Ky veprim ndihmoi në parandalimin e një skandali. Ekipi u kthye në fushë. Në atë kohë, që ndeshjet të shiteshin dhe të bliheshin,  duhej  shumë para. Asaj kohe sasira të tilla kurrsesi,  nuk mund t’i nxirte nga xhepi, asnjë individ, sepse ato i kishte vetëm shteti, qoftë dhe ato të klubeve sportive, që financoheshin nga shteti. Njëherësh, kontrollimi i veprimeve të tilla ishte shumë i rreptë dhe nëse mund të realizoheshin [psh teorikisht], dënimet ishin shumë të renda. Kishte kompromise klubesh, ku interesat sportive ishin të përbashkëta, për të dy ekipet, të cilat nuk ishin brenda shtratit të shitblerjes dhe korrupsionit. Realizimi i tyre,  bëhej tepër i kordinuar dhe asnjëherë nuk merrnin pjesë të gjithë lojtarët e një apo të dy skuadrave. Në kampionat, për t’u kualifikuar Gjermania Lindore, ”pranuan” të mundeshin nga Lindorët[1-0],  që ata të kualifikoheshin dhe RFGJ të klasifikoheshe e dyta,  sepse ajo i krijonte mundësinë të ndeshej në gjysëm finale,  jo në grup me Hollandën, Brazilin dhe Argjentinën,-grupi i ”Ferrit”, por  të ndeshjej me evropianët,-  Poloni, Suedi, Jugosllavi. Në këtë grup e konsideronte më të lehtë kualifikimin ashtu sikurse ndodhi.  Republika  Demokratike Gjermane  u kualifikua në grupin e të mëdhenjve me Brazilin. Këto dukuri nuk shuhen kurrë,  sepse janë interesa sportive të cilat, nuk kanë prapavijë shitblerje apo korrupsion për efekte financiare. Jetojmë në një  kohë kur shitblerja dhe korrupsioni, janë bërë fenomene shqetësuese. Trajneri portugez i Celsit Jose Mourinho [Chelsea], pak javë më parë ka deklaruar publikisht: ”Futbolli i sotëm nuk është emocional, sepse lojtarët luajnë për para”. Korrupsioni,  shitblerja e lojtarëve dhe ndeshjeve,  janë produkt i sistemit capitalist,  që nxjerr kokë herë herës, në shumë shtete të botës. Ato gjenerojnë akte të korruptimit të lojtarëve të stafit të tyre, gjyqtarëve, funksionarëve të klubeve të cilat me pasojat që vijnë prej shprishjes së lojës së rregullt. Dy korifej të futbollit botëror Franc Bekenbauer, Mishel Platini dhe të tjerë ja kanë deklaruar opinionit botëror që: futbolli do të jetë i pastër me rezultate reale, kur të mos ketë skedinat e ndeshjeve. Nëse klubi I madh Juventus, dhe së fundi Presidenti i FCBajern Uli Henes,  u përfshinë në skandale të rënda të manipulimeve dhe evazionit fiscal,  tek ne   në Shqipëri vetëm sa janë hedhur dyshime për manipulime të ndeshjeve. Por tek ne, aktet e dhunës janë në vendin e parë në Europe. Në një periudhë tranzicioni, ku lirija, morali, qytetaria konceptohen nga një  masë,  që kanë munguar dhe tashmë nuk ka më  rregulla dhe ligje,  kalohet deri në absurditete. Presidenti i klubit të Bylisit godet rëndë  të deleguarin e ndeshjes Bylisi –Laci,  Besnik Cela. Në tribunën e stadiumit të Vlorës, para do kohësh goditet Presidenti i klubit Skënderbeu Ardjan Takaj, janë goditur rëndë, në stadiumet e Shqipërisë, trajnerët -Sulejman Mema dhe Nevil Dede.

– Si mund të ndihmojë shoqëria shqiptare për reduktimin e këtij fenomeni të shëmtuar?

Një gotë me ujë kristal e ndotin vetëm 2-3 pika bojë. Për të helmuar një buall duhet vetëm një lugë e vogël helm i fortë. Aktet e dhunës, në një masë prej mijëra vetë, i gjeneron vetëm një grup njerëzish, e cila më pas merr përmasa të tjera. Rregulli, disiplina, respektimi i normave njerëzore nuk janë produkt vetëm i shtetit komunist apo socialist. Liria e fituar pas 1990-ës,  nuk do të thotë anarshi. Luftën për fenomenet e shëmtuara duhet ta bëjmë në fushën e mendimit, duke kërkuar nëpërmjet edukimit, shkollimit, kulturës në familje, shkollë e shoqëri, të krijojmë së bashku me organet dhe organizmat sportive, një klimë mbytëse, të gjesteve dhe akteve të paedukuara dhe të pamoralëshme. Pse para vitit 1990-ë, në shkallët e stadiumit, në të gjitha qytetet e Shqipërisë,  shikoje gra dhe vajza,  të cilat për natyrën  e tyre e zbusin dhe e edukojnë mjedisin. Për fëmijët dhe femrat, duhet të ketë trajtime të tjera financiare deri dhe hyrje të lira, duke përjashtuar vende që  detyrimisht duhet të jenë me biletë.

–Prof.Vaso këtë vit shorti i Euro 2014-ë na nxori në një grup të vështirë. Kemi dhe me Serbinë,  ndeshje të cilat historikisht kanë pasur një specifikë problematike. Takimi i fundit është bërë 47-t vjet më parë. Cfarë kujtime keni nga ndeshjet me Jugoslloavinë?

Në kohët modern,  shtetet ”armike”afrimet i bëjnë duke këmbyer fillimisht ekipe sportive. Më 1972 –shin, para normalizimit të marrëdhënieve SHBA – Kinë u takuan në Kinë,  ekipet e pingpongut,  në prag të vizitës së Presidentit Richard Nikson aty. Ishte shorti i eliminatoreve të Kampionatit Evropian të vitit 1968-ë,  që nxori një ngjarje interesante dhe të papritur. Indirekt kreu funksionin,  që bëjnë ndeshjet miqësore. Mbas 20 vjet heshtjeje sportive dhe një mërie, që vinte nga kontradiktat ideollogjike të kohës, në Tiranë sipas shortit, do të zbriste,  për të lujtur në Stadiumin “Qemal Stafa” Kombëtarja e Jugosllavisë. Shqipëria kishte luajtur, ndër  ato vite me perëndimorët; danezë, Zviceranë,  gjermanë [Këlni]. Hollandezët dhe me lindorët; bullgarët dhe  rumunët. Flitej nëpër dhëmbë për kapitalistë dhe revizionistë, por me jugosllavët,  propaganda ja mëshoi rëndë. Ngarkesa psikollogjike përfundoi para ndeshjes, kur u bë shtrimi i detyrave, që i dha ”dorën e fundit” emocioneve. Jugosllavët luajtën shumë bukur dhe fituan 2-0, në një lojë që nuk pati asnjë shenjë parregullsie. Golat i shënoi qendërsulmuesi Zampata,  me dy topa ”Asist”,  të dërguar nga sulmuesi i majtë më i mirë i kohës dhe i Europës- Dragan Xhaic. Morrëm ashtu goditjen e dytë. Një humbje e harruar me rumunët [6–0] 17 vjet më parë në [1950-ën] në Rumani, u kujtua kur luajtëm në Dortmund, një muaj para jugosllavëve dhe gjermanët fituan 6–0. Problemi ishte, që humbja e dytë me Jugosllavinë,  konsiderohej një disfatë dhe e karakterit politik, sikurse interpretohej në atë kohë nga sistemi politik. Na prisnin dy takime të jashtëzakonëshme. Vlerat e rivalëve dilnin thjesht, nga treguesit e kohës: Jugosllavia që ishte në lulëzimin e saj, më të shkëlqyer, dhe prandaj në atë edicion, doli  në finalet e Evropianit -N/Kampione e Europës, dhe Gjermania që na kishte mundur 6–0, një vit më pare ishte shpallur N/Kampione e Botës, në Kampionatin botëror, Angli, 1966-ë. Me këtë lloj skede, u nisëm për në veri në drejtim të Beogradit. Kur u afruam në rrethinat e kryeqytetit, ramë në një pritë. Na preu rrugën një furgon, që e detyroi autobuzin të devijojë. Përfunduam në hendek me stopat anësore dhe pasqyrën të thyer. Shkuam katër ditë përpara.  Kështuqë pas 20 vjetëve, himni i flamurit shqiptar u këndua në Beograd, në stadiumin ”Armata”. Kënduan hymnin shqiptar dhe  mërgimtarët në korr, e kishin vrarë frikën. Të shpërndarë gjithandej nëpër Jugosllavi,  ata nuk ishin jetimë në atë tokë të huaj,  sepse ishin bashkë me ne. Nga shkallët, përballë tribunës qendrore, ushëtonin fjalët shqip inkurajuese: KUQ e ZI, KUQ e ZI, KUQ e  ZI ! Ishte inkurajimi,  që nuk e kishim dëgjuar kurrë në atë lloj thirrjeje. Ndërmjet asaj thirrjeje,  dëgjoheshin edhe fjalet: “Jemi dhe ne këtu, nuk jeni vetëm! Ishin fjalë malli që vërshonin  në shpirt. Ndër  venat derdhej energji dhe afshi i saj na frymëzonte. Mbas një  “lufte” dhe qëndresë heroike, kur ora e stadiumit tregonte minutën e fundit të pjesës së parë që po mbyllej 0–0 nga një distancë disi 50-ë m,  u shënua një gol në portën tonë, që ishte më shumë shans, se sa meritë teknike. Jugosllavët fituan 4–0. Ajo ndeshje më vuri përballë kapitenit të kombëtares jugosllave D.Xhaic,  për të cilin shtypi sportiv shkroi,  që skuadra e tyre, do të shënonte 10 gola, dhe katër prej tyre,  do t’i bënte  kapiteni Xhaic,  i cili në fakt nuk shënoi asnjë gol në atë ndeshje. D.Xhaic, i befasuar nga dueli jonë, kur ra bilbili i fundit,  më priti,  për të hyrë bashkë në dhomat e veshjes. Më përgëzoi për lojën në prani të shumë sportdashësve shqiptarë,  që na rrethuan në fushën e lojës. Me përjashtim të incidentit të ndodhur,  përfaqësuesit sportive krijuan klimë miqësore, gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Beograd. Epilogu i eliminatorëve të Europianit, 1968 –ë, do të mbyllej në Tiranë me Kombetarën e RFGJ-së.Vecantia e atij edicioni mbetej shorti, që na futi në grup me dy të mëdhenjtë e Evropës: RFGJ- N/Kampione e Botës dhe Jugosllavia, që u bë në atë sezon N/Kampione e Europës.  Kishim marrë 6 gola nga gjermanët dhe 6 gola për dy ndeshje nga jugosllavët. Ky bilanc ishte katastrofik. Ditët e futbollit të kombëtares sonë u bënë të zymta. Zyrat e FSHF-së,  u bënë të ftohta. Brenda tyre davaritej mërzi vetëm mërzi. Nga emërtesat sportive të shtetit filluan të dilnin lajme ogurzeza. Kupola e shtetit shqiptar,  nuk mundi t’i kapërdinte ato lloj humbje. Sistemi socialist, që kishim, konsiderohej më i përparuari i kohës, ndaj rezultatet diskredituese vinin ndesh me atë apollogji. U krijua një klimë kapitullimi e cuditëshme, por më se e vërtetë. Kombëtarja e futbolli pas ndeshjes së fundit me RFGJ-në, do të ”pushonte”. Menjëherë u ndalua pjesëmarja në eleminatorët e kampionatit botëror të vitit 1970-ë, Meksikë.

Ndeshja  e SHEKULLIT -17.12.1967-ë! Kishin mbetur një muaj e pesë ditë për ndeshjen- Shqipëri – RFGJ-e. Ekipin kombëtar e gjeje në Kovalishencën ushtarake në Durrës. Humbjet e fundit kishin mbledhur aq mllef,  sa që askujt nuk i shkonte ndërmend të habitej, që Kombëtarja e Futbollit Shqiptar udhëtonte me një ”rrangallë”, xhama të ciflosur dhe llamarina të shtrëmbuara. Ishe hera e parë,por ishte. Nuk duhej, sikurse nuk duhet që dikush në ditët e sotme ta përsëritë disa herë. Frymëzimi për t’i shërbyer Shqipërisë ishte burim i pa shtershëm, vetmohim, për një përkushtim total, ashtu sikurse ndodhi. Një ditë përpara ndeshjes gjigandët e lojës së futbollit, u shfaqën në stadiumin ”Dinamo”. Një masë e jashtëzakonëshme, u turr nga të gjithë anët e qytetit të Tiranës. Dëshironin të shihnin para syve dhe këmbëve të tyre,  të mëdhenjtë: Bekenbauer, Shulc, Overat, Netxer, Veber, Held, etj. Kërkonin në grupin e lojtarëve gjermanë, Bekenbauerin,  por ai nuk ishte. Ndeshja pritej, jo vetëm si garë sportive, por edhe ndeshje ndërmjet dy botëve rivale. Skeptikët lëshonin slloganët; ”do të ndeshet miza me ariun”! Kuturisja e guximtaëeve ngrihej në pretendime deri në zenit: “do të fitojmë, dikur fituam në luftë”! Nga tërë viset e Shqipërisë u lëshuan ëndërrimtarët dhe kureshtarët, me dhe pa bileta. Biletat u mbaruan sapo dolën në treg. Shitblerja në tregun e Zi bëhej tek kulla e sahatit. Me cmime të shumëfishuara, biletat rrëmbeheshin, këmbeheshin  me pardesy, këmishë, sahate, orë dore, bicikleta, këpucë. Frika ndrydhte kondrabandën e madhe. Tabela e orës së stadiumit tregonte shifrat 0–0 kur ra bilbili i fundit i lojës me RFGJ-në. Disa nga lojtarët gjermanë ranë në gjunjë. Perëndimorët e Gjermanisë shpëtuan paq,  sepse gjyqtari i ndeshjes ishte austriak,  që bëri sikur nuk e pa golin në portën e RFGJ-së në min. e ‘52. Për këtë ndeshje  një agjensi lajmesh e huaj [që shtypi ynë nuk di përse nuk ja cilësoi emrin ] shkroi .”.porta e mysafirëve shpëtoi për pak, nga një rast qind për qind gol i favorshëm për gol”. Në fakt ai ishte gol dhe është fotografuar gol. N/Presidenti i FGJ[P]F deklaroi: ”ne gjetëm një kundërshtar shumë të fortë.Jam i habitur nga forca juaj. Ju kini luajtur bukur, me zgjuarsi dhe vendosmëri”. Trajneri i madh Shen u shpreh: ”Edhe njëherë komplimenta,p er Shqipërinë, për futbollin shqiptar dhe për skuadrën e mirë, me shpirt të madh luftarak”. Më pëlqyen Shllaku, Pano, Mema, Zhega dhe Vaso”.                                          “Për 60′ të tëra përfaqesuesja jonë luajti gati me 10 vetë për shkak të traumatizimit të rëndë të Vasos, i shkëlqyer deri para aksidentit. Megjithatë, i vendosur për 60′ të tëra, ai qëndroi në fushë, ashtu duke sakrifikuar, vetëm e vetëm për t’i dhënë ekipit”. Kështu kanë shkruar  në librin “SPORTI YNË”,  tre autorët gazetarë Besnik Dizdari, Ismet Bellova dhe Osman Palushi. Kanë shkruar  shumë për këtë ndeshje, gjermano-perëndimorët që i eliminuam,  aluduanm me absurditet: “ju luajtët për t’ju shërbyer jugosllavëve, prandaj dhe na eliminuat!”. Është folur dhe stërfolur nga spekullantë politikë sportivë për praninë në ekipet e futbollit të  figurave të larta të partisë apo shteti. Para ndeshjes në minutat e nisjes për në fushë,  është parë vetëm shoqërimi i Kapitenit Lin Shllaku me Ramiz Alinë [Sekretar i KQ të PPSH-së]. Kjo ngjarje dhe  barazimi me RFGJ-në  bëri bujë në qarqet sportive botërore.Komentatori legjendë i sportit shqiptar Ismet Bellova në librin e tij “SPORT E MIQËSI”,  shkruan: “Ai shpirt i paepur e ajo vendosmëri e admirueshme e futbollistëve tanë në fushën e blertë, janë mbajtur mend dhe kanë jetuar gjatë. Edhe rezultati 0-0, që për ne ishte një fitore e cmuar, nuk është vënë asnjëherë përpara cilësive të larta morale e volitive, që kanë demostruar futbollistët tanë dhe  kanë mbetur karakteristika të bukura dhe të paharuara në mëndjet dhe zemrat e mijëra sportdashësve. Ajo ndeshje është njohur si një nga më luftaraket e më emocionueset e futbollit tonë. Mbas 47 vjet dhe mbas 13 ndeshje me RFGJ-në,  ne nuk kemi marrë asnjë pikë në të gjitha ndeshjet. Është fitorja kundër Torinos, në përmasat e një kampioneje të një shteti me tradita të jashtëzakoneshme në futboll, si kampionë bote ,e cila nuk ka shëmbull të dytë deri tani dhe më sot në historinë e futbollit shqiptar, e vetme dhe e pa përsëritur. . Jugosllavija dhe Serbija,  jo vetëm si shtete vecanërisht në futboll kanë ndryshime të mëdha. Serbia nuk ka më futbollistët e Sllovenisë, Kroacisë dhe të Kosovës [F.Vokri],  të cilët e përshkallëzonin lart e më lart Jugosllavinë në garat e mëdha ndërkombëtare. Lojtarët e tyre kanë treguar në duelet botërore, që vlera e tyre, i jepte shumë kapacitet futbollistik lojës së jugosllavëve. Jugosllavia që luajti me ne,  në Tiranë fitoi 2-0, përballë Italisë në finale të Kampionatit Evropian  barazoi 1:1,  brenda në Itali,  në një ndeshje dramatike. Në këtë lojë shënuan dy të mëdhenjtë Luixhi Riva dhe Serbi,  Dragan Xhaic  i cili në 4 golat e shënuar në Beograd kunder nesh, nuk shënoi asnjë. Barazimi i finales  kërkonte përsëritje dhe ajo u bë dy ditë më vonë, në dt. 10 qershor 1968-ë. Italianët fituan me dy gola nga Domengini dhe Anastasio. Po Serbia sot? Thellësinë e interpretimeve teknike duhet ta bëjnë specialistët,  që mbulojnë gjurmimin e ekipeve rivale. Në këndvështrimin e një specialisti për problemet e tjera,  duhen cilësuar karakteristikat psikollogjike të një ndeshje, ndërmjet dy shteteve ku kanë mbetur akoma skorje nga e kaluara,  por jo të atij karakteri si dikur,  që shumë kush i quante dhe armiq. Pavarësisht se Serbia ka pak vjet që luan e vetme si shtet,  duhet thënë qartë që fabrika e saj dhe ekipet e klubeve të saj,  kanë nxjerrë lojtarë të nivelit të lartë europian. Nëse Danimarka ish -kampione e Europës dhe Portugalia me Yllin e saj botëror Ronaldon,  dhe me një të kaluar shumë productive,  janë pengesë shumë e vështirë,  për t’u kapërxyer, Serbia mbetet alternativa e vetme,  për të dhënë mundësinë e formulës së kualifikimit. Ndeshja ka në vetvete faktorë objektivë, fusha që është e jona dhe që ndikon në rritjen e kapaciteteve futbollistike të lojës.  Gjithashtu ana tjetër vështë, pjesëmarrja e lojtarëve tanë kosovarë,  pa u prirur për të fantazuar keq,  duhet të ruajnë qetësinë,  kur do të luajnë me futbollistë,  që personalisht ata nuk kanë mbeturina për Kosovën dhe lojtarët kosovarë,  por inndirekt përfaqësojnë një vend,  i cili ka ushtuar genocid në Kosovë. Loja e fortë sportive është në kufi me veprime të dhunëshme,  prandaj ju takon psikologëve të ekipit të merren me këtë problem. Ndeshja e madhe  me RFGJ më1967-ën, me Danimarkën [1-0]1963eshin, me Belgjikën 2-0 1984, me Greqinë,  fitoret në Athinë, në vitin 1991-ë,  dhe në  Tiranë, 1992-in,  janë fitore të cilat tregojnë mundësi edhe për të fituar.Gjithësesi,  duhet të njohim,  që ndeshjet nuk kuptohen plotësisht pa zbulesën,  që të jëp mundësinë të shikosh të papriturat.

–A jeni i kënaqur me atë c’ka keni arritur në atë kohë? Casti më i vështirë për  Todo Vason?

 I përkas plejadës së  pa numurt  të njerëzve  të angazhuar gati një  shekull [nga 1909] për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e sportit në Shqipëri. Kjo kohë e gjatë më lejon të kujtoj mjaft prej tyre: Z.Gjinali, O.Caslli-, L.Alla, Pilo Qirinxhi, Maqo Prodani, Stavri Tole, Ilia Shuke, L.Borici, R.Spahiu, R.Resmja, K.Kraja, M.Ndini, Z.Konci, S.Dedja, S.Koca, P.Mile, A.Deli, M.Tuxhari, A.Pilika, S.Jareci dhe qindra bashkëlojtare në një periudhë, mbi 15 vjecare dhe  një protogonist që ishte 7 vjet kapiteni i ekipit korcar. Kënaqësinë,  nuk mund ta marrësh plotësisht, sepse asisoj je në kufirin absolut, e të pakonceptueshme. E fillova me të rinjtë e Tiranës dhe u kurorëzuam – Kampionë. Ja arrita, që me cilesitë dhe punën time, të përkushtuar,  të vlerësohem nga specialistët dhe trajnerët, dhe  të kuadrohem në përbërje të ekipeve për të rritur Dinamo, 17 Nëntori, Skënderbeu, Partizani, të ekipeve kombëtare të futbollit të rinj, shpresa dhe të ekipit kombëtar të futbollit të Shqipërisë. Nuk ndjehem mirë, nëse jam i kënaqur vetëm me arritjet sportive. Ndjehem tepër i respektuar, jo vetëm për emrin sportive, por sepse bashkë me të, nëpërmjet sjelljes dhe edukatës të familjes [kryesorja ], dhe kulturës nga shkolla,  dhe shoqëria, respekti, vleresimi i spektatorëve i njerëzve sportdashës,  më ka shoqëruar në të gjitha ambjentet publike. Ndjehem i miratuar për kohën tjetër pas lënies së lojës në fushën e futbollit. Ju kushtova energji,dije, punë, përkushtim, qindra futbollistëve fëmijë, të rinj, të rritur dhe nxënësa, elita e të cilëve kaluan në ekipet përfaqësuese, të të gjitha moshave futbollistike dhe në ekipet e të rriturve,  në shumë klube futbolli të qyteteve shqiptare dhe jashtë Shqipërisë. Ja disa prej tyre: Dh.Xhambazi, M.Kërcic, P.Tole, G.Muhaxhiri, GJ.Kushe, Bledi Shkëmbi, Paulin Dhëmbi, Ligor Tiko-Stavrian,  Lako -Rigels Qose, Bledi Kadiu, B.Vila. Këtë karrierë në qytetin e Korcës dhe nëpër SHqipëri e vlerësojnë,  duke me folur me titullin Profesor. E përmend,  sepse është në të vërtetë nderim,  për një angazhim e punë,  që ka lënë gjurmë të vlefëshme. Casti më i vështirë  ishte kur u pushova nga puna dhe po atë vit [1996], erdhi goditja e dytë. Vajzës sime,  e cila i gëzohej diplomës me nota absolute 10-ta,  për gjithë vitet e gjimnazit në shkollën ”Raqi Qirinxhi”, mesatare për medaljen e artë,  nuk ju aprovua kërkesa për studime në Fakultetin Juridik,  në Tiranë. Kishte ikur koha e biografive të njerëzve,  që shoshiteshin për kohën para vitit 1944 dhe kleckave në pushtetin popullor,  por  shikoheshin biografitë në pushtet. Kështu nga 11-ë kërkesa me mesatare notë 10-ë,  fituan 10 aplikantë, nga të gjithe aplikantët 160-të, fituan 60-të,  vetëm Praksiela Vaso,  vajza Teodor Vasos, nuk fitoi të drejtën e studimit. I kërkova Kryeministrit Aleksandër Meksit,  të korrigjonte n padrejtësinë absurde. Akoma dhe sot,  nuk e di,   ja dhanë letrën time apo jo. Pedagogu Stavri Cece, që është edhe miku im më i mirë,  në Fakultetin”Juridik, më tha:-Mos u sorollat nëpër Tiranë, listat e të drejtave të studimit,  vijnë nga rrethet përkatëse dhe ti e di kush i bën. Në cdo qytet mijra njerës marin ujë nga rubinetat e rrjetit, por celësin kryesor të tyre, e ka vetëm një njeri, personi që merr urdhërin e zbatimit nga shteti dhe ai nuk është kurrë “një i vetëm”!

”Zotëri ju na bëni ndër që këtë vajzë,  me këtë diplomë të shkëlqyer,  dëshironi ta dërgoni për studime në universitetet tona arabe”. Me këto fjalë më priti Ambasadori  i Ambasadës të Egjiptit në Tiranë. “Ju i dhatë bursën,  dhe na bëtë nder të madh,- vazhdova unë duke e falenderuar atë.  Dr. Bujar Isaku,  Kryetar i Partisë Demokratike të Korcës në atë kohë,  me respekt e konsideratë dëgjoi ankesat e mia në fjalë. Ajo që është e pa konceptueshme, qëndron tek kontrasti në dy sistemet. Në kohën e diktaturës të gjithë kolegët e mij mësuesë,  nga të gjitha kategoritë,  jo vetëm që gjendeshin në punë,  por ata ishin në shkollat më të mira të qytetit. C’bëhej me mua në këtë sistem demokratik? “Është bërë një padrejtësi, gabim i rëndë,  do të rregullohet. Ashtu u bë,  por vajzës nuk i erdhi kurrë,  përgjigje dhe kur u bënë shtesat rezervë në dispozicion të Kryeministrit.

-Mesazhi për publikun sportdashës të futbollit dhe ëndërrimtarët, futbollistët e rinj…

– Jetojmë një kohë,  që mjaft të huaj për shumë ndodhi, mbas vitit 1990-ë, e kanë anatemuar kulturën dhe nderin e popullit tonë. Njerëzit e shumtë,  nëpër stadiume janë burim,  që gjenerojnë urtësi, edukatë, pastërtinë morale të popullit,  pjesë e të cilit janë. Duhet t’i tregojmë botës,  që ne jemi popull i emancipuar dhe nuk pajtohemi me veprime huliganizmi,  që janë antisportive. Me sjelljen dhe dashamirësinë, kulturën dhe dashurinë për sportin e futbollin të  bëhemi pengesë e veprimeve të shfrenuara, që ndeshjet të zhvillohen në shtratin e një lufte të fortë,  por të pastër në sjellje ndaj rivalëve. Ky është misioni i vërtetë i sportit historikisht.

 Ju faleminderit!

Bisedoi Raimonda MOISIU

* Pjesa e dyte e Intervistes me Legjenën e “Skënderbeu-t” të Korcës, Todo Vaso

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Alarmi i Byrose Politike, futbollistet e kelnit, ne Tirane, Raimonda Moisiu, Todo Vaso

Legjenda e “Skënderbeu”-t të Korcës –Teodor Vaso rrëfen jetën e tij sportive

March 27, 2014 by dgreca

Teodor Vaso: Debati mes Beqir Ballukut dhe Mihallaq Ziçishtit që të luaja me “Partizanin”/

Bisedoi: Raimonda MOISIU/

E kush nuk do të dëshironte sot të kthehej ndër ato vitë të shekullit të kaluar, të sillte panoramën- kujtesë, mbresëlënëse dhe historike, elitën e shquar të sportit shqiptar, ata që bënë historinë e futbollit shqiptar, futbollistët legjendë dhe heronj të kohës që jetonin, të cilët  me inteligjencë, pasion, talent e profesionalizëm,  arritën të shkruanin historinë në nivel kombëtar, europian  e botëror. Disa prej tyre prehen në Paqen e Amëshura, disa prej tyre janë aty edhe sot –fisnikë e krenarë, idhuj e legjenda, ata  janë e do të mbeten figura madhore,  jo vëtëm  për gjeneratën që i përkisnin dhe të ardhmes, por edhe për ata ëndërrimtarët, sportistët e rinj, që dëshirojnë t’iu ngjajnë atyre; që bënë Epokën! Ndër ta është edhe legjenda,  ikona e futbollit korcar dhe atij shqiptar-i pakalueshmi,-Teodor Vaso- një figurë sportive dominuese në ndeshjet kombëtare e ndërkombëtare, që  i dhanë famën dhe historinë e një futbolli  më profesional, spektakolar, historik e mitik  të shekullit të kaluar! Teodor Vaso është futbollisti mes më të mëdhenjve  futbollistë shqiptarë, që ka njohur ndonjëherë historia e futbollit shqiptar,  që me lindjen e tij. Më një karrierë të artë, që përputhet me biografinë e mahnitëshme e të pakalueshmit -Teodor VASO.

Ka lindur dhe aktualisht jeton në qytetin e  Korcës. Është diplomuar në Institutin e Kulturës Fizike ”Vojo Kushi” në Tiranë. Trajner  dhe Specialist futbolli pa ndërprerje,  që nga viti 1972-, -55 vjet aktivitet sportiv. Në dy vitet e fundit, 2012-2013,  në funksionin e të deleguarit të  FSHF-së,  për ndeshjet në qarkun e Korcës. Kampion kombëtar me ekipin”Partizani”në vitin futbollistik 1963-64 dhe fitues i Kupës së Republikës në atë vit dhe në vitin 1966-ë. Fitues i Kupës Ballkanike me klubet,  në  1970 –ën,  vecmas me ”Partizanin”. Fitues i anketës 5 Sportistët më Të  Mirë të vitit 1967-ë,  në përbërje të ekipit kombëtar të futbollit, që eliminoi RFGjermane, në 17-12-1967—ën. ”Mjeshtër i Merituar i Sportit”,  dekoruar me “Medaljen e Artë” për merita të shquara në sport’, me rastin e 90 vjetorit të themelimit të Shoqërisë së parë kulturalo- sportive, në  Korcë.  Medalje e FSHF ,  me motivacionin për rezultate të larta në ndeshjet e futbollit me ekipet, që ka luajtur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Futbollisti ”Më i Mirë i Shekullit ” për Korcën, në anketën e bërë me rastin e 90 vjetorit në fjalë. Ka luajtur në të gjitha rolet e formacionit futbollistik, me përjashtim të rolit të portierit,  në të gjitha ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka shënuar 26 gola duke qenë në  role mbrojtëse, dhe ka qenë përfaqësues në 36 ndeshje ndërkombetare, 18 ndeshje me kombëtaren shqiptare, 15 ndeshje me skuadrën”Partizani dhe 3 me skuadrën Korcare. Në këtë intervistë ekskluzive, – Teodor Vaso rrëfen historinë futbollistike të jetës së tij, sportit shqiptar dhe të plot kolegëve, që së bashku bënë Epokën   e Futbollit shqiptar, -na rrëfen dritën që ata  lanë pas.

 

Bisedoi Raimonda MOISIU

 

-Së pari ju faleminderit për këtë bisedë të ngrohtë e miqësore. Nuk na bashkon vetëm ndjenja e bashkëqytetarisë, të qenit korcarë, 24 karat, por kemi qenë edhe kolegë të gjimnazi “Themistokli Gërmenji”. Kjo njohje jonë e hershme më dha shansin e mrekullueshëm për këtë intervistë. Kush është Teodor Vaso dhe dicka nga fëmijëria tuaj?

 

Fëmijëria ime ka qenë e vështirë,  si gjithë familjet në atë kohë, por jo në një varfëri të dukëshme, kjo falë përkushtimit, punës, vështirësive dhe sfidave të prindërve të mij. Mbaj mend mëmën,  kur më merrte me vete ngado, vecmas për të blerë bukën e ditës, në një furrë në zemër të Korcës.  Erdhi një ditë,  që  atë e quajtën ”Furra e Vdekjes”. Kjo më frikësoi më shumë dhe e ndiqja nga mbrapa mëmën, kur ende nuk i kisha  mbushur 8 vjet. Në rradhë me gratë e tjera, në të ftohtë, por edhe kur i nxehti të përvëlonte, unë  e prisja mëmën përballë rradhës së grave. E dalloja lehtë, që prej së largu, atë zonjën e bukur, të mirën e fisniken  e bëshme dhe të fortë, me flokët e saj ngjyrë ari. Mëma ime përballonte shtrëngimet dhe shtyrjet e rradhës njerëzore,  për të marrë pak jetë në duar.  Këto vështirësi dhe sakrifica për të jetuar, jo vetëm më maturuan para kohe moralisht, por më forcuan edhe fizikisht. Shkoja  në shkollën “7 Nëntori”,  quhej atëhere, ndërsa sot  është shkolla “ Sevasti Qiriazi”. Luaja shpesh  futboll  në shkollë dhe me sporte të tjera. Fillova stërvitje në një ekip boksi. Luaja vazhdimisht volejboll, ndërsa në grupin ‘Futbollisti i Vogël “, luaja përherë. Tharmi më kërkonte të gjendesha nën fanellën dhe tutat e një ekipi për t’u stërvitur. Një ditë u gjenda në ekipin e boksit e të  mirënjohurit, Profesor  Niko Mile. Të djelave me djemkat  e rrugicës sime, frymën e mbanim përpara telave,  që rrethonin terrenin dhe ambjentin,  ku ishte fusha e futbollit të Korcës,  për të parë skuadrën e qytetit tonë,  “Puna” e Korcës. Zvarriteshim nën telat, për të hyrë vjedhurazi brenda, dhe  të shihnim ata,- të magjishmit e lojës me top futbolli. Ruanim rojet, që sapo fillonte ndeshja, herë-herë shkonin pranë rradhëve të njerëzve në kornizën e fushës,  për të parë dicka nga loja. Ne atëhere turreshim për të hyrë brenda. Disi kuptonim, që ata e bënin me qëllim, sikur nuk na shihnin duke na dhënë  mundësinë,  për t’u futur në stadium. Më pas u largova për të studiuar në politeknikumin “7 Nëntori”, Tiranë.  Pas disa vjet, babai që shiste në pazar certurina, falimentoi. Erdhën dy të këqija bashkë. Babai mbeti pa punë, mua më prenë  bursën në teknikumin “7 Nëntori” në Tiranë. Një masë kjo  ndaj  tregëtarëve të kohës. U ktheva në Korcë,  pranë telave me gjemba të terrenit. Aty ku mbaronte qyteti në veri të tij, aty trokiti te unë  shpirtambicja,  për t’ju ngjarë lojtarëve,  që kalonin para syve tanë,  ëndrra dhe dëshira e papërmbajtur, për t’u futur në fushën e lojës. Borici, Gjinali, Resmja, Fagu, S.Jareci, Q.Vogli, P.Mirashi, Teliti, dukeshin të mëdhenj, shumë të mëdhenj, male,  vecse malet nuk lëvizin. Ata lëviznin, qeshnin, përshëndetnin, shënonin,  lodronin.

-Si trokiti te ju, dashuria për sportin, në mënyrë të vecantë për futbollin, ishte traditë familjare, sfidë e ambicjes së moshës apo rastësi?

Me djelmosha të tjerë të moshës, por edhe të lagjeve të tjera,  luanim në sheshkat apo rrugicat e mëhallës, futboll dhe lojra të tjera. S’afron aspak kujtesa,  për të thënë shkakun,  pse nuk më pranuan në ekipin e  futbollit,  të moshave në Korcë. Pas boksit fillova atletikën. Brenda vetes më vlonin energji pa fund dhe diku duhej të shprehesha. Krejt rastësisht më rrëmbeu vala e aktivitetit sportiv. Që në moshën 15 vjecare,  më dërguan  në punë,  për t’i dhënë krah familjes. Fillova punë si “nxënës”, në prodhim në lokalin Republika. E ndante vetëm një mur me kinema ” Moravën” sot “Milenium”. Shoh dy burra,  që nxitonin në hapësirën mes tavolinave, dhe  ndaluan para këmbëve të mija. Ti je Todo Vaso?- më pyetën. Kërkonin vrapuesa për kampionatin lokal të atletikës. Garova në 800 m. Para finishit,  më kaloi një figurë sportive në vrap, vetëm një hap para meje, preu shiritin,  atlehti Pandi Nika, kurse unë një hap pas finishit u rrëzova në tokë. Ashtu shtrirë ai rrëzim i beftë,  më njohu me dy trajnerët e atletikës Kico Nuke dhe Andrea Berberi, të cilët u befasuan nga rezultati i një adoleshenti,  që zbuloi një talent të ri. C’duhej të bëja?  T’i gëzohesha dëftesës me nota maksimale! Erdhi një agim i ri në ditët e mija. Më lajmëruan që doli bursa përsëri, për në Shkollën e Rezervave të Punës, në Tiranë. Me mësues Osman Caslli trajner, konkuruam në kampionatin e shkollave të mesme të Tiranës dhe u shpallëm kampionë. Në parkun automobilistk të Tiranës,  ku bëja praktikën mësimore, fillova të luaja në kampionatin e ndërrmarjeve. Më pas më zbuloi Usta Zini Gjinali, i cili kërkoi që stërvitjet t’i bëja me Dinamon. Në fund të vitit 1957-ë u rreshtova për herë të parë përballë trajnerit kampion,  Gjinali dhe në krah të lojtarëve të ”Dinamos”së famëshme.

– C’mund të na thoni si u gjendët pjesë e  ekipit të futbollit  “Skënderbeu”?

Teksa u shkëputa nga mosha e rinisë dhe quhesha i rritur mbas dy titujve N/kampion në gara atletike dhe fitimit të titullit Kampion me të rinjtë e 17 Nëntorit -A. Rruga me të rriturit mori emër me shënimin e golit të parë,  që në ndeshjen e parë kundër ekipit tim Dinamo, që më kishte lejuar të luaja me Tiranën. Dalja në  publik nxiti  shumë shpejt ofertat. Dinamo, pronarja ime e parë, 17 Nëntori, që kishte zyrtarizuar Federimin e parë dhe  Skënderbeu, që  u befasua,  kur pa një atleht të  tij të luante në formacionin e 17 Nëntorit  me të rriturit në stadiumin “Qemal Stafa”,  në Spartakiadën e Parë Kombëtare,  në  tetor të vitit, 1959-ë. Më propozuan kushtet, për të vazhduar karrierën me ekipet e tyre. Në shpirt trazonin dy nxitës; Familja, që priste krahë- hapur për ndihmë djalin e ri mekanik, me diplomën në xhep. Bashkë më të  dhe brenga e madhe që më shqetësonte prej kohe; më thërriste, zëri i qytetit tim. Në stadiumin “Qemal Stafa”, ndeshja Dinamo -Skënderbeu përfundoi 1-0 . Goli u shënua nga Dinamo me një 11m, që  aty në fushën e lojës nuk dukej gjëkundi, por vetëm në mendjen e gjyqtarit,  Izet Cani. Skandali përfundoi me anullimin e ndeshjes, që në përsëritje Dinamo fitoi 5-0. Kjo më bëri që unë u ktheva në Korcë.

-Skuadra e Skënderbeut është shpallur kampion në vitin 1933. C’mund të na thoni rreth historikut të  skuadrës korcare. Kur u themelua dhe kush kanë qenë lojtarët e parë të saj?

E para shoqëri sportive në Shqipëri,  që u krijua dhe me karakter kulturor, e pa diskutueshme deri më sot, është shoqëria Kulturore-Sportive “Vllazëria”, e datuar me 14.04.1909-ë,  në Korcë. Shoqëria e dytë është shoqëria “Vllaznia” e datuar me 16.02.1919-ë,  të dyja janë ngritur  nga i njëjti person -Hilë Mosi. Lindja e Skënderbeut nuk ka  qenë e rastësishme. Pra,  sa thashë më lart dhe e përsëris, se skuadra e parë në Korçë me emrin “Vllazëria” ishte krijuar më 14 prill të vitit 1909 nga Hil Mosi. Pas saj, gjatë viteve 1920-1922, në Korçë nisën të krijohen shoqëritë e para të futbollit, si; “Përparimi” apo Sport klub “Korça”; më 1917 u themelua shoqëria “Shpresa” e liceut frances në Korçë, ndërsa në vitin 1925 do të vinte në jetë Skënderbeu. Futbolli ishte kthyer në një ëndërr të madhe. Futboll luhej në çdo oborr shtëpie. Lagjet e Korçës përpiqeshin të nxirrnin skuadrat e tyre. Pas Skënderbeut,  më 1926 u krijua shoqëria “Zhgaba”, ndërsa në vitin 1927 lagjet nxorrën skuadra të tilla, si; Leka i Madh, Pirro, Brekverdhit, Zjarri, Tigri, Diamanti etj, por Skënderbeu, kjo skuadër e qytetit, shkëlqente. Për sa i përket futbollit në vitin 1913–ë, jepet e faktuar e para ndeshje futbolli zyrtare ndërmjet skuadrës” Indipendenca” dhe skuadrës të ushtrisë Austro-Hungareze, që ndodhej në Shkodër.  Ky fakt jep një argument, që fillesat e konfirmuara të lojës së futbollit në Shqipëri gjenden në Shkodër. Ja edhe një interpretim nga publicisti dhe gazetari sportive, më në zë në Shqipëri,  Besnik Dizdari[shkodran], për atë kohë: “…është përkujtuar në Shkodër,  viti 1905-ë,  si viti i lindjes së futbollit në  Shqipëri. Unë kam qenë gjithmonë skeptik, për këtë vit, përderisa nuk ka asnjë dokument autentik të ruajtur që e provon atë (Libri Historia e Kampionateve të Shqipërisë, vitet 30′ f.11). Historia e shkruar, duket që ka mbetur me mangësi,  për fillesat më të herëshme të konfirmuara në dokumentacione, sepse historia për futbollin shkodran ka dy data zyrtare;  1-Data e  parë për tërë Shqipërinë, ajo  e zhvillimit të një ndeshjeje zyrtare,- është në vitin 1913-ë [korrik-gusht. 2-Data e dytë,  është ajo e  formimit  të  shoqërisë së parë shkodrane futbollistike me 16.02.1909. Në vitin 1925  dy skuadra, u formuan të tjera skuadra si ”Brekëverdhit”dhe ”Ylli i Mëngjezit”. Skënderbeu, mbas fillimit të kampionatit të parë të vitit 1930, pikërisht në vitin  1933-ë,  në kampionatin e katërt i dhuroi Korcës -titullin e parë kampion, derisa pas tij, duhej të vinte viti i largët 2011-ës dhe  të përsëritej një lavdi e tillë. Ai ekip i lavdishëm në kurorëzimin e titullit lexonte këta lojtarë: K.Marjani, T.Bimbli, A.Cani, A.Miti, L.Petra, F.Stasa, N.Dishnica, T.Ypi, TH.Vangjeli, S.Teofik Agaj, E.Kulla, V.Trebicka.Trajner Qemal Omari. Në këtë formacion mungonte Teli Samsuri, që është quajtur në publicistikën sportive të kohës , si më i miri i korcarëve dhe  më i miri i futbollistëve shqiptarë të kohës – qendërsulmuesi model historik, produkt jo vetëm i vlerave futbollistike. Kampionja vinte natyrshëm nëpërmjet zhvillimit ekonomik, shoqëror dhe kulturor në raport me gjendjen në Shqipërinë e asaj kohe. Mbas një lufte kundër tendencave klubiste të kohës,  ku si dukshëm në historinë e futbollit shqiptar, Tirana impononte,  skuadra korcare “Skënderbeu”, kapi një titull Kampion,  dy N/Kampion dhe 4 në vend të katërt. Ajo do t’u mbijetonte vështirësive që do t’i dilnin përpra, madje edhe intrigave të politikës.

-Falë kontributit tuaj të cmuar energjik, i jashtëzakonshëm, brilant, plot talent e profesionalizëm, c’mund të na thoni, se cilat janë disa nga karakteristikat më të rëndësishme dhe aftësitë e nevojëshme për një futboll profesional e spektakolar? Çfarë  ju motivonte  për të mbajtur gjallë pasionin për futbollin?

Lëvizja e një trupi njerëzor në hapësirë me top, merr vlerë nga sinteza e disa cilësive.Vlera e tyre kushtëzohet nga aftësia e organizmit të njeriut në përgjigje të përmbushjes së kërkesës së disa faktorëve përbërës stë lojës së futbollit. Mënyra dhe cilesia e përfundimit të veprimit,  japin vlerën e suksesit  apo dështimit. Cilësitë janë:aftësitë fizike-teknike e përdorimit të topit në kohë dhe hapësirë në raport me vendosjen e rivalëve dhe të lojtarëve partnerë. Këto janë brenda fushës së lojës. Para se lojtari të bëhet aktor përpara spektatorëve është i domosdoshëm procedura mësimore stërvitore shumë vjecare, mbështetur në zbatim metodiko- shkencor të realizimit të elementeve përbërës të lojës së futbollit. Të tre pergatitjet e cilësive fizike, teknike, taktike këërkojnë përpunim mjeshtëror, duke e ushtruar atë tek elementi i seleksionuar me predispozitat fillestare premtuese të talentuar, të cilat janë të matura, por që seleksionohen nga dhuntia natyrale, që e dallojnë specialistët përkatës. Dallimi konsiston në aplikimin e njëkohshëm të disa veprimeve të  përbashkëta, që kryen lojtari me virtuozitet apo ngathtësi. Këto duken në matjen e cilësive fizike në shprehitë lëvizore me top dhe aftësitë intelektuale, për t’u përshtatur dhe orientuar në situate, ku veprojnë disa elementë përbërës të lojës. Futbolli profesionist dallon nga ai diletant nga mënyra e veprimeve kolektive të grupit të skuadrës, ku respektohen detyrat e trajnerëve, sjelljet me rivalet dhe kolegët, demostrimi jovetëm të një loje mjeshtërore,  por dhe sjelljeve me kulturë, që përcjellin tek spektatorët,- edukim dhe humanizëm. Motivimi është forcë e brendeshme mendore dhe psikollogjike, që  e angazhon  njeriun, për të realizuar dëshira apo qëllime të vecanta. Në zanafillë luaja për kënaqësi dhe argëtim. Jeta më coi tek ekipi i të rinjve të Tiranës. Tiranasit më dhanë shiritin e kapitenit të skuadrës së futbollit, që u kurorëzua Kampione e Shqipërisë për të rinj.Teksa në vesh më vinin fjalë lavdërimi, për lojrat e mija, pakaluar ende java nga gëzimi i titullit kampion,  u rreshtova me të rriturit e 17 Nëntorit,  kohë kjo  kur kishin dalë Yjet e rinj të tij si; Panajot Pano, S.Halili, F.Frasheri. Ato ditë ndricoi  në mendjen time një dritë e fortë dhe nëpër të përsëriteshin  fjalët e kurajos; mundesh, mundesh, mundesh tashmë, të ngjitesh më lart. Shumë shpejt lindën motive të tjera. Korcari që sapo kishte lënë konviktin, duhet  të gjente bazë jetese. Dinamo”pronarja” e parë e imja, 17 Nentori, që më dha ndeshjen e parë të startit me të riturit dhe ”Skënderbeu”, që nuk e njihte për lojtar futbolli, Teodor Vason,  shikonte që atleti i të rinjve të Korcës në garat 400 dhe 800 m luante në formacionin e 17 Nëntorit për të rritur dhe kërkuan që të federohesha me ekipin e tyre. Vecse, ”Skënderbeu”, ishte skuadra, që  nuk më shqitej nga mendja, ishte vendlindja. Korca më frymezonte, prindërit më prisnin si ujin e ftohtë. Komentet nga  Korca përcillnin zëra,  që në fushën e futbollit kishin filluar të dukeshin figura të talentuar futbolli: A.Pilika, M,Tuxhari, V.Bicolli, V.Samarxhiu, Dh.Dhami.  Kjo bashkësi më motivonte, për t’u bërë bllok dhe për të kontribuar me ta në fillimin e ri, të dekadës 1960-‘70-ë. Dashuria, respekti, interesimi i disa korcarëve të punësuar në Tiranë,  më frymëzoi idenë, që loja e futbollit,  do të më jepte prestigj, personalitet, respekt. Ti je djali i Korcës dhe me shokët,  do t’i jepni perspektivë të ardhmes së futbollit korcar, që lavdinë e ka lënë vite larg. Futbolli u bë qënje brenda qenies sime, që me nxiste, më motivonte, sepse larg tij do të tjetërsohesha. Pergatitja e brezave të rinj, më motivonte, për të ndihmuar e kontribuar në pergatitjen e brezave të rinj, të të cilëve e shoh se edhe tani[2014]-kam cfarë t’ju jap. Qindra futbollistë që më dërgojnë mesazhe, kujtojnë punën tonë me brezat kur dolëm, brenda  4 vjetëve  -3 herë N/Kampion kombëtar për të rinj dhe shumë prej tyre: Dh.Xhambazi, M.Kërcic, P.Tole, G.Muhaxhiri, Gj.Kushe, Bledi Shkembi, L.Tiko, P.Dhëmbi, S.Lako,G.Qose,etj. Nëse ulem më poshtë se niveli i lojtarëve të ekipit kombëtar shpresa dhe të rinj,  do të më duhet të shkruaj dhjetra e dhjetra emra të lojtarëve që kam pasur kënaqësinë në vijushmërinë e tyre t’i stërvit e t’i mësoj ata. Të jesh aktiv në stërvitje dhe në procesin mësimor edukativ, është motivi, që i jep jetës gjallëri, freski, kuptim. Misioni është jo vetëm professional,  ai të mban të lidhur me jetën e rinisë, me kohën në kalim me atë që quhet punë e dobishme.

-Ku qëndronte forca e suksesit në fazat kulminante të skuadrës së Skënderbeut me skuadrat e tjera, që na dhuruan futbollin spektakolar të viteve ’70-ë?

Në historinë e skuadrave të futbollit botëror në etapa të ndryshme tek shumë ekipe është shfaqur një bum suksesi në nivelin e garave, që janë përfaqësuar.nSkuadra korcare ka kaluar deri sot[2014]tre “bume” të tillë. Në vitet 1930-ë,  Skënderbeu u shfaq i magjishëm në fushat ku luhej me top futbolli. Korcarët më 1931-ë fitojnë 7-0 me Beratin[Muzaka], më 1933-e, fitojnë 9-1 me Kavajën, më 1934-n,  fitojnë në Vlorë 5-0. Kjo është fare pak nga uragani i futbollit të Skënderbeut në ato vite. Duhet që pas 30 vjet lojrat e Skënderbeut  të ngrinin peshë zemrat e sportdashësve korcarë. Pas vitit 1944-r,[pas luftës], futbolli korcar kaloi situata të vështira. Vetëm në vitin 1947-ë dhe 1957-ë,  ai u përfaqësua denjësisht. Periudha tjetër kishte mjaft rezultate të dobeta. Në  periudhën 1960-1973-e,  Skënderbeu shpërtheu perseri. Duelet e tij me 3 skuadrat e kryeqytetit ishin problem kryesisht me dy superklubet ushtarake [Dinamo-Partizani], që kishin, përvec kapaciteteve të tyre futbollistike potenciale dhe suportin e emërtesave të tyre shtetërore. Para viteve ’60-ë,  Korca mund të kapte ndonjë barazim me dy ekipet ushtarake dhe vetëm një fitore 1-0 , në 1957-ën, me Partizanin në  Korcë. Spektatorët korcarë, që kishin parë futbollin korcar të viteve 1930-ë,  u ngazëllyen përsëri dhe ndjesia e shtrënguar brenda qenies së tyre në vitet e zbrazësisë,  u clirua dhe gufoi përsëri si dikur. Skënderbeu filloi të fitojë dhe të barazojë me të gjitha ekipet e qyteteve shqiptare. U krijua një ansambël potencial, në një gërshetim të vlerave ekzistuese të kontegjentit të qënët  në ekip dhe grupit të lojtarëve të rinj, prurjeve te reja. Trajneri sovjetik pranë FSHF, në vitin 1960-ë,  shkruante  në shtypin sportive: “E gëzueshme për futbollin shqiptar është se kanë dalë mjaft të rinj, sikundër; Halili, Pano, Bushati, Frashëri, Dingu, Pilika, T. Vaso, që janë një e ardhme e mirë për futbollin tuaj. Dy emrat -Pilika dhe T.Vaso janë korcarë në elitën e futbollit kombëtar, të marrë për sipër me kontigjentin tjetër të Skënderbeut,  për të përfaqesuar fort futbollin korcar. Kënaqësia e sportëdashësve për të shuar afshin e tyre,  për të mundur korifenjtë e kohës u realizua. Fituam me Dinamon, Partizanin, 17 Nëntorin,  brenda në Tiranë. Ishte koha kur sportdashësit korcarë që jetonin ndjesi ndrydhëse larg ëndrrave të tyre në vite e vite u cliruan. Tashmë kishte kaluar koha,  kur tre ekipet e Korcës,  Tiranës e Shkodrës i mposhtënin ekipet e rretheve të tjera dhe me rezultate bombastike mbi 7-0. U rikthyen duelet Tirana –Korca, që ishin dikur dhe të përkeqësuara. Njëherësh lindën duele të reja me dy ekipet ushtarake Dinamo Partizani. Loja e Skënderbeut ishte ngritur në nivelet e futbollit bashkëkohor modern me karakteristikat e futbollit total, të stilit hollandes i kohës. Nëpërmjet koncepteve të trajnerit Ilia Shuke, që kishte lënë detyrën e Pedagogut në Institutin e Lartë të Fiskulturës në Tiranë, Grupi i lojtarëve përbërës të Skënderbeut . tashmë si asnjëherë tjetër në hisrorinë e tij,  kishte në përbërje 5 lojtarë të përfaqësueses shqiptare të futbollit; Todo Vaso, Koco Dinella, Aleko Pilika, Dhimitraq Dembo dhe Dhimitraq Xhambazi. Publiku jetonte  Skënderbeun  i tij, që  kishte gjetur vetveten dhe pikën kulminante e arriti,  që në një periudhë pandërprerjeje të bëjë 29 ndeshje pa asnjë humbje [Fitore dhe barazime] dhe me ndeshjet pergatitore miqësore. Befas doli në pah një dukuri e pa parë ndonjëherë në Korcë dhe në qytetet e tjera shqiptare me parullat: ”Skënderbeu Kampion”, duam ”Kupën Ballkanike”. Këtë epokë,  që u quajt ”epoka e brezit të ri”, u paraqitëm me vlerat e konfirmuara në rezultate. Në vitin 1960-ë,  Skuadra korcare  u klasifikua në vëndin e katërt mes 10 ekipeve të kampionatit. Me 1962- u barazua në Tiranë,  1-1, me ekipin kampion Partizani dhe 0-0 me Dinamon, ndërsa me 17 Nëntorin fitoi 3-1. Në vitin 1963-e,  fitoi në Tiranë 1-0, me Dinamon e Tiranës dhe fiton në Korcë 1- 0 me Partizanin. Në vitin 1965 kap finalen e Kupës së Republikës në ndeshje me Vllazninë e Shkodrës dhe klasifikohet e dyta në ndeshjet me 32 ekipe e Shqipërisë për  Kupëmn. Një vit më vonë filloni”Epoka e Ilia Shukes’,  me dy barazime 0-0 me dy ekipet më të Forta  të Tiranës! 17 Nëntorin dhe Partizanin, sepse tashmë Dinamon e Madhe e kishte ”spostuar” 17 Nëntori. Korca fiton 2-0 në Vlorë, barazon në Kavajë 0-0, barazon në Tirane me Partizanin 0-0, që  të treja në  nëntor të vitit 1966-ë. Skënderbeu fitoi në Elbasan[1967],  4-0 në Berat 2-0 [1968], në  1969 fitoi në Tiranë 1-0 me Partizanin dhe 1-0 me 17 Nëntorin,  kurse në Korcë me Tiranën  0-0. Vazhdojnë fitore dhe barazime në Kavajë, Fier me Vlorën 4-0 , në Korce dhe përsëriten rezultatet me tre ekipet e Tiranës. Dhe vjen një kulm. Më 17 shtator 1970 zbret, që nga veriu i Evropës në Tiranë ”Ajaksi” i frikëshm, i madhërishëm, fantastik dhe finalistët e kampionatit botëror të 1974,  me RFGJ. 17 Nëntori barazon 2 – 2 me ta.  Një rezultat impresionist dhe dinjitoz. Pikërisht,  ballafaquar me këtë product, të një ekipi të madh, dy javë më vonë duken vlerat befasuese dhe bindëse, të një ekipi tjetër shqiptar, Skënderbeut të Korces ku reflektoheshin të  gjitha dukuritë e futbollit modern. Ai fiton bindshëm në Tiranë 1–0 kundër 17 Nentorit, që sapo kishte bërë një shkëlqim historik në futbollin shqiptar. 17 nëntori jo vetëm barazoi me “Ajaksinë” e madh,  por ai ishte dhe kampion kombëtar në vitin 1970-ë. Këtë periudhë, që vinte pas shkëlqimit të viteve 1930-ë të Skënderbeut kampion,  publicisti model sportive B.Dizdari, e konfirmon në shkrimet e tij historike: “Pas luftës  Skënderbeu është personifikim i Kocos, G.Larës, P.Qirinxhiut, M.Ndinit, S.Lubonjës, Celës, Miles, M.Tuxharit, Prodanit, Dvoranit, Pilikës, Raqi Piskut,  të cilët vetëm luftuan të mbanin një traditë. Skënderbeu është i Todo Vasos, legjendës së Kombëtares së Shqipërisë, stoikut të paharrueshëm të gjermanëve; është i A.Pilikës, qendërsulmuesit, ndër më modernët e Shqipërisë, njeriu që e bëri Korcën sfiduese të 77-ës. Skënderbeu është i Koco Dinellës, portierit gjigand të Shqipërisë, por edhe i papërkulshmëve Dembo e Shule. Skënderbeu është i Jani Kacit,  portierit mq elegant tq futbollit shqiptar. Skënderbeu është i Dhimitraq Xhambazi e Milutin Kërcic, modernët e fundit të Korcës. Skënderbeu është i Shqipërisë, pjesa e ndritur e futbollit kombëtar.”

-Prof. Vaso,  ju kini qënë një nga mbrojtësat më të mirë të futbollit shqiptar, që ju jepte shansin të ishit titullar i formacionit të 11-tëshes të kombëtares sonë. Cila ka qënë ndeshja më cilësore për ju jashtë Shqipërisë, kur, në cfarë viti dhe ku?

Vlerat sportive të klasifikuara,  i matin shifrat me metra, kilogram dhe sekonda [pas minutave, apo të qindat e sek.]. Këto kanë bango prove për kompionatet botërore,  Olimpiadat apo garat kontinentale etj. Në  lojrat sportive ato maten në garat e formateve të lart përmendura. Janë dy ndeshje ndërmjet shumë të tjerave. E para në lojën në Beograd më 12.11.1967 kundër kapitenit të kombëtares Jugosllave,  sulmuesit të majtë më të mirë të Evropës të kohës  Dragan Xhaic, i cili për bllokimin gjatë ’90,  që ju bë  nga unë u befasua dhe në prani të shumë sportdashësve kosovarë në stadium dhe në banketin pas ndeshjes,  më uroi për lojën e shkëlqyer dhe u shpreh: ”më befasuat me lojën tuaj të cilën nuk e prisja kursesi”. Loja tjetër,  që ka një kurorëzim të vecantë është kundër formacionit të kombëtares turke në Stamboll më 13.12.1970. Disa gazeta turke vlerësonin lojën e futbollistëve. jo me nota, por me yje, njëra prej tyre e  ka cilësuar nga ekipi turk lojtarin e tyre Metin,  dhe nga kombëtarja shqiptare me vlerësimin maksimal me 4 YJE- Teodor Vaso. Gazetën dhe një foto kundër futbollistit turk ma dhuruan në banketin mbas ndeshjes. Por vlerësimin më të madh e ka dënë trajneri legjendar i R.F. Gjermane – Helmut SHE,  i cili në dy ndeshjet; në Tiranë kundër RFGJ me 1967ën,  dhe 1971-ë,  ka vlerësuar midis lojtarëve shqiptarë,  dy herë vetëm –Panajot Panon dhe Todo Vaso.Këto vlerësime janë të botuara në gazetën ”Sporti Popullor”mbas dy ndeshjeve.

– Në vitin 1972,  në prani të 50 mijë spektatorëve, Kombëtarja Shqiptare ka luajtur në stadiumin “Mitat Pasha” të Stambollit. Në formacionin e Kombëtares kanë qenë edhe dy futbollistë korcarë Teodor Vaso dhe Koco Dinella. Si arritët ju djemtë korcarë,  të jeni pjesë e këtij formacioni, kur dihej që në 11-shen e Kombëtares,  atë kohë luanin djemtë e “Bllokut”?

Prej vitit 1945-ë deri në vitin 1990–ë, fanellën e Kombëtares Shqiptare,  e kanë veshur  tre futbollistë korcarë;- i pari- Teodor Vaso, i dyti -Koco Dinella, dhe i treti – Jani Kaci, por u aktivizuan në formacionin e saj;- A.Pilika, Dh.Dembo, G.Ibro, dhe me kombëtaren shpresa Milutin Kërcic, Dh.Xhambazi, G.Lici, P.Tole, G.Rapo. Të gjithë nga familje puntore. Dy djemtë  korcarë  që luajtën në Stamboll, ishin  Todo Vaso dhe Koco Dinella.  Koco Dinella,  më i madhi i ndeshjes me “Ajaksin” në Hollandë në fund të shtatorit 1970-ë dhe Todo Vaso, më i miri me 4 yje në fundin e vitit 1970-ë [13.12.1970],  me kombëtaren turke. Shtypi hollandez shkroi  për ndeshjen e “Ajaks-17 Nëntori”, vecanërisht për Koco  Dinellën, ekzaktësisht: “Një skuadër e vogël [17 Nëntori] me një portier të madh”. Shtypi turk vlërësoi lojtarët më të mirë të ndeshjes Turqi-Shqipëri: Metin [Turk]dhe Vaso [Shqipëri] me 4 YJE, si lojtarët më të mirë të ndeshjes, me vlerësimin maksimal. Nuk ekzistonte asnjë lloj problemi futbollistik. që fanellën e kombëtares ta uzurponin fëmijët e ”Bllokut’, ‘po aq sa e vërtetë ishte cështja e ndikimit të futjes në përfaqësuese të lojtarëve të superklubeve shqiptare me qendër në Tiranë. Duhet të kujtojmë të vërtetat. Në atë kohë lufta e klasave përziente biografitë, kurse tani në kohën e sotme, në sport përzihen të vërtetat. Fëmijët e asaj kohë mund të futeshin në cdo ekip sportive,  pa asnjë detyrim, tashmë,  shumë fëmijë të talentuar, nuk mund të veshin kurrë këpucë futbolli dhe as t’i afrohen një ekipi, sepse nuk përmbushin dot detyrimet financiare të kërkesave të stërvitjeve dhe ndeshjeve.Është mëkat i madh!

– Cilat kanë qënë ndeshjet, dhe takimet me personalitete të rangut të lartë,  që të kanë lënë më shumë mbresa? Ka rastisur që të kanë kritikuar gjatë karrierës tuaj?

Ata i shërbyen një sistemi tjetër të kaluar. Të vegjëlit, që sillen si të  jenë të Mëdhenj, të mëdhenjtë, që bëhen njësh me të vegjëlit në sjellje. Ai zbriti nga makina i vetëm pa roje,  pa salltanete, ma bëri me dorë. Këta janë në tërë kohërat. Ishim afër buzë detit në Durrës. Sikur të ishim të njohur me kohë u fut në bisedë. Pa lajmëruar më parë, ai priti aty –kohën-  për të ardhur trajneri ynë i kombëtares,  Loro Borici. Stërviteshim në fushën e futbollit të shtëpisë së pushimit të ushtarakëve. Do të shkonim, për ndeshje në Zvicër dhe në Irlandën e Veriut. Dy vite më parë futbolli ynë kombëtar pësoi një humbje në Danimarke 4–0, jo larg një vit më pas humbi në Hollandë 2–0 dhe po atë vit,  kur do të luanim në dy ndeshjet e cilësuara,  humbëm në Tiranë me Hollandën dhe Zvicrën,  2-0. Ky bilanc përbënte shqetësim për udhëheqjen e lartë. Zyrtari i lartë, natyrshëm e solli bisedën në mundësitë tona të situatës futbollistike, që ndodheshim.  Kështqë unë,  ashtu sikurse e përfytyroja gjendjen disi me një angazhim moral patriotic,  i bëra një ekspoze të mundësive tona. Përfitova nga rastësia dhe e pyeta:- A mund të priste një nga shokët e mij? Sipër tij ishin  vetëm Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, mundësia më e madhe për të zgjidhur problemin. “E njoh problemin tënd. Jashtë shtetit do të shkosh vetëm në vendet e lindjes”. Dhe aty shkuam, ishim të dy me ekipin Partizani një vit më vonë. Kaloi një vit tjetër dhe lufta e klasave,  që u rindez përsëri ja preu rrugën. Pa lejën e tij nuk mund ta përmend emrin. Ai është miku im, është më i miri, miku im. Ndjesitë e mija nuk kanë të bëjnë,  në e dua apo e urrej atë burrë që quhej – Ramiz Alia. Ai foli me mikun tim ngrohtë, miqësor, me respekt. Atë shumë kush mund ta urrejë, por e vërteta e atij takimi,  është kjo që  rrëfej,  pa asnjë ekzagjerim. Na përshëndeti përzëmërsisht dhe hipi në benz-in e  tij,  sikur të udhëtonte me një taksi.Korrieri i Kom. Ekzutiv të  Rrethit,  la te prindërit në shtëpinë time, porosinë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm,  Petrit Dume, që:- Rezervisti Todo Vaso nuk do të shkojë në lojën e”Bodesë”[1968]. Ditën tjetër prapa portës, që trokiti pashë një oficer të ri:-Shoku Vaso,  të pret në Shtëpinë e Oficerave gjeneral Petrit Dume!”. Kur ai po zbriste shkallët e katit të dytë me një grup ushtarakësh, që i vinin nga pas, adjutanti i tij më lajmëroi në Bar bufe,  të dilja në holl. “Shkoni në detyrë,- u tha ai gjithë oficerëve prezent. Mbasi më takoi, dolëm përpara ndërtesës, në trotuari.

“Kaloi trauma e ndeshjes me gjermanët?-më pyeti.

“ Po,  shoku general!”

“Nuk do të shkosh në lojën e “Bodesë”,  që ka filluar edhe sikur të të lajmërojnë përsëri. Je bërë anëtar Partie?”

“Jo!”

“Duhet të të kishim bërë,  që kur ishe në klubin tonë sportive”.

Pas disa hapave u gjendëm ballë për ballë me monumentin e Themistokli Gërmenjit. Ai hodhi shikimin nga luftëtari.

“Kjo trevë ka nxjerrë shumë luftëtarë trima”.

Atë cast meditova; Nuk di ku e fut veten me trimëritë e treguara për të”

“ Ne luftuam kundër gjermanëve me armë, Ju të dy me Dinellën,  dy djem korcarë në atë ndeshje treguat, që dhe në fushën e futbollit, Korca ka luftëtarë të mëdhenj. Mirëupafshim!- teksa unë civil nuk di pse atë cast e nderova ushtarakisht. Tregonin që bëmat e tij ishin ngritur lart në emrin e një legjende, prandaj shumë kush e nderonte instiktivisht ushtarakisht.

Në fund të shtatorit të atij viti mbas fitores së bujëshme me “Torinon’” e madhe të Italisë në Tiranë, më thirri përsëri dhe më kërkoi mendim.

“A mund të bëjmë ndryshime në formacion për ndeshjen në Itali”?

“Më falni,  por ju kini një staf shumë të specializuar të ekipit, Gjeneral?

“Po, por unë dua të tërheq mendimin dhe të teknikëve jashtë stafit, sepse mund të ketë dhe familjarizim me lojtarët vendas. Aty do të luajë dhe futbollisti  i përfaqësueses francize, Kombin,  i cili nuk luajti në Tiranë. Atij lojtari shtatlartë dhe solid,  i përshtatet stoperi Gjergo Shule. Këtë ma kanë sugjeruar dhe disa specialistë futbolli. Të bqhet gati ai djalq, të pergatitet dhe moralisht.”-tha Gjeneral Petrit Dume.

Gjergo u befasua kur i thashë. Loja e tij shumë e mirë tregoi që varjanti i menduar,  ishte një zgjidhje e drejtë.

Gjatë karrierës shumë vjecare jam takuar dhe biseduar me shumë personalitete të asaj kohe; Ramiz Alia, Beqir Balluku, Petrit Dume, me kryeminstrin pas {M.SHehut} Adil Carcani, Mihallaq Zicishtin Zv/Ministër i Punëve të Brendëshme, Pirro Kondi e Peti Shamblli, antarë te\ë KQPPSH, Ramadan Xhangolli Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë, Korcë, me Gjeneralët: R.Përllaku, Th.Xhixho, Q.Kapizyzi, T.Naci, V.Gjino-S.Avdija, H.Xhelo, etj., dhe me personalitete të tjerë të Partisë dhe pushtetit të kohës. Me duhet të jap pak dritë mbi një bisedë me zv/Kryeministrin Beqir Balluku, sepse ngjarja ka një sinonim me ngjarjen e mikut tim legjendë futbolli, Skender Halil, qendërmbrojtësin e përmasave Evropiane [tani i pa jetë], qe ju ”masakrua”karriera në kohën e lulëzimit të saj. Ja dhe ngjashmëria, por fundi krejt fatal për njërin nga ne të dy. Do të luanim një ndeshje shtesë për titullin kampion të vitit 1965-66, -17Nentori-Partizani –në  12 qershor. Të dy ekipet e mbyllën kampionatin me 38 pikë secila. Disi cuditshëm, aty në lulishten e shtëpisë së pushimit të ushtarakëve në Durrës. Në orët e pushimit,  u afrua një oficer të cilit i njihja vetëm fytyrën:

“-Vaso, eja se do të takohesh me një shok Partie.”

Në katin e dytë të ndërtesës së parë dykateëshe,  pas asaj qëndrores,  kur hyra brenda,  në krye të dhomës,  pashë Beqir Ballukun, veshur civil me këmishë të bardhë. Mbas dy muaj sipas ligjit të ri që kishte 2-3 vjet në funksion,  duhet të kthehesha në Korcë,  të luaja me Skenderbeun. Ai u interesua për gjendjen time familjare dhe kushtet e jetës të njerëzve të mij. Mbas një bisede futbolli dhe për ndeshjet ndërkombëtare,  Balluku prerë më pyeti:

“Vaso, dëshiron  të kethehet  në Korcë, apo dëshiron të luajë me ”Partizanin”?

“Të dyja skuadrat më pëlqejnë shumë, por dëshira ime, lidhet me vazhdimin e studimeve, të cilat mund të bëhen vetëm në Tiranë,  për një karrierë normale. Kam qënë nxënës me mesatare të lartë.”

“Me ”Partizanin” mund të qëndrosh, nëse do të lejohesh nga Korca, prandaj, duhet të bisedosh me shokun Mihallaq Zicishti.”

Dërgata të ndryshme nga KS Partizani, gjatë verës të vitit 1966-ë,  në takim me Zicishtin u kthyen bosh. M. Zicishti,  duke përdorur metaforën ”Sa të më punojë patllakja, që më ka dhënë E.Hoxha” ti Vaso, do të kthehesh në Korcë!”

Kështu m’u përgjigj ai kur i thashë që më ka dërguar B.Balluku.Dhe ashtu u bë! Në shtator 1966 u ktheva në vendlindje dhe vesha fanellën e Skënderbeut. Po sinonomi I ngjarjes të  Skënder Halilit?!

Ja shkurtimisht ngjarja:Biseda e Skënderit u bë një vit më parë se ajo e imja. Mbeti një ngjarje e mjegulluar. Para fillimit të kampionatit 1964-65-ë, Skënderi që u lirua nga shërbimi ushtarak, kohë që luante me Dinamon e Tiranës, iu kërkua, që të mos kthehej tek skuadra e 17 Nëntorit, të qëndronte te  Dinamo, duke deklaruar, që ai ishte vullneti i tij. E cuar në nivelet e larta të shtetit, këtë të ashtuquajtur marrëveshje, problemi mori karakter skandali, sepse atëhere kur pritej, që ai të dilte në ndeshjen e parë me fanellën e Dinamos, u pa i veshur me fanellën e 17 Nëntor-it. Dinamo nuk ja ”fali” këtë ”prerje” në besë dhe u gjet një gabim ordiner,  që e cuan Skënder Halilin në burg,  duke i burgosur përfundimisht dhe futbollin e tij. Më pyet se a ka rastisur të më kritikojnë gjatë karrierës sportive?! Në cilësinë e kësaj pyetjeje po iu rrëfej të vetmen kritikë në formën hipotetike: ”Pardje ne nuk e pamë Vason e zakonshëm, aq energjik dhe të sigurtë”, shkruhej  në gazetën Sporti Popullor [16.05.1967], për ndeshjen Shqipëri – Jugosllavi në Tiranë, të cilën e humbem 0-2.

Karriera ime ka dy ngjarje të rënda dhe të cuditëshme, që shumkush i ka quajtur absurde. Në kampionatin e vitit 1973 – 74-ës,  pas një ndeshjeje futbolli, një grup i madh sportdashësish protestuan përpara tribunës qëndrore, për një arbitrim të keq të ndeshjes. Me përjashtim të thirrjeve dhe fjalëve bombastike, nuk pati veprime prishëse. Befas në mbrëmje vonë,  më thërresin  në hetuesi, në një dhome më katër – pesë agjentë,  ku më kërcënuan: “….ju po prishni rendin dhe  frymëzoni masat e tifozëve për veprime huliganësh. Ne ja u presim ‘K…” që t’u tregojmë, se kush jeni ju.! Ik tani dhe kjo bisedë mbetet këtu midis nesh sakën se…!! Në të vërtetë nuk kishte kuptim përse duhej bërë fjalë,  aty ku aludonin ata. Por, Sekretari i Komitetit të Partisë Enver Halili, i cili në atë kohë  në Korcë,  krijoi opinionin,  që problemet i zgjidhte,  i prirur nga toleranca dhe ndihmesa, më tha: “Vaso, unë kam mbaruar dhe fakultetin Juridik, hetuesia thërret njerës, për të marrë të dhëna, për cështje anti ligjore.Unë jam anëtar Partie dhe sipas ligjeve duhet të më përjashtojnë nga partia për të më thirrur në hetuesi. Do ta zgjith unë këtë problem, dhe  e mbylli ai bisedën. Dhe u mbyll, por unë e njihja burimin nga kishte dalë orientimi, hetuesia vetëm sa kryente porosinë. Për të mos u marrë për karshillëk, jo shpejt,  por pas disa muaj kërkova doëeheqjen,  të cilën po Enver Halili e pranoi dhe në opinioin u duk sikur trajneri Teodor Vaso u shkarkua nga detyra. Kjo ngjarje u bë e njohur,  kur unë pas ndryshimit të sistemit me 1990-ën,  e tregoja në biseda me miqtë e mi. Për këtë ngjarje kam shkruar  në gazetën Koha Jonë në vitin 1994-r,  me autor gazetarin Pandi Konci. Ngjarja e dytë u bë e njohur publkisht në vitin arsimor 1996-97,  përpara kolektivit të mësueseve të shkollës ”Stavri Themeli”. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF në vitet 1990-1997, tani Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Federatën Spanjolle të Futbollit, z.Eduard Dervishi,  në një seminar futbolli në Tiranë më tha: “Eprorët e mij pyetën se cfarë ka bërë Todo  Vaso,  që e kanë pushuar nga puna mos ka ”vrarë”njeri?” Volejbollisti i shquar Pirro Demiri i dorëzoi triskën e antarësisë të Sindikatës,  sepse asnjë mësues tjeter nuk protestoi apo kerkoi motivet e pushimit nga puna. Së bashku me gruan kaluam një vit shumë të vështirë,  sepse edhe atë e pushuan nga puna ngaqë fabrika ku ajo punonte, u privatizua. Tashmë marr një pension të cunguar.U desh ndërrhyrja e organeve qëndrore të arsimit, që të rikthehem në punë në gjimnazin “Themistokli Gërmenji”. Edhe kjo ngjarje absurde nuk ishte angazhimi i shtetit të asaj kohe apo i Partsë Demokratike,  por i personave të vecante që vepronin duke thurrur intriga dhe dënime militantizmi absurd. Shumkush,  as nuk e beson,  por te e  fundit,  ngjarja dhe pasojat janë konsumuar dhe mbeten si ngjarje historike.

Vijon në numurin e ardhshëm

Bisedoi:Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: legjenda e Korces. bisedoi, Raimonda Moisiu, Teodor Vaso

Një jetë e jetuar me pasionin për artin dhe letërsinë….

March 25, 2014 by dgreca

Intervistë me Aurora Ndreu Cakaj-vajza e shkrimtarit dhe publicistit të mirënjohur salariot,  Ferhat Cakaj./

Paradokohësh u nda nga jeta Shkrimtari dhe Publicisti Ferhat Cakaj,  i cili ishte dhe do të mbetet, si një nga figurat më të spikatura të letërsisë shqipe mes dy epokave;-  të  shekullit 20-të  dhe  të 21-ë. Fitues i disa cmimeve në letërsi si Mjeshtër i rrëfimit  në gjininë e romanit  dhe i dekoruar me “Urdhërin Naim Frashëri”, erudicioni, urtësia dhe mëncuria e Ferhat Cakaj, do të mbeten  në historinë e letrave shqipe, për stilin e vecantë në përshkrimin e realitetit të dhimbshëm, sidomos i ngjarjeve të mëdha historike dhe sociale në rregjimin komunist. Sot gjithsecili nga ne, pavarësisht gjeneratës që i përkasim,  kemi obligimin qytetar e intelektual, në publikimin e këtyre vlerave me prirje të forta qytetarie, intelektuale e krijuese  të shoqërisë shqiptare.  Në këtë intervistë me vajzën e Shkrimtarit dhe Publicistit Ferhat Cakaj, ajo na rrëfen udhën e vështirë, të bukur e të dhimbëshme, mbresëlënëse e historike, të Atit të Saj të shtrenjtë, se si nga një  i lindur në jug të Shqipërisë në Salari të Tepelenës,  dhe i rritur në shtëpinë e fëmijës, u bë mësonjës, përcues i dijes dhe arësimit në Kukësin verior –të cilit,  realiteti jetësor dhe historik i kësaj treve, dashuria dhe mëncuria e kuksianëve, e frymëzuan për të shkruar dhjetra romane, esse dhe publicistikë, ashtu sikundër patën frymëzuar Migjenin e Madh, të shkruante në Vrakë e Pukë kryeveprat e tij. Ikja e Ferhat Cakaj ishte e heshtur dhe plot shpresë,  se në shpirtin e cdo njeriu gjithmonë ka pranverë, sikundër pati gjithmonë pranverë në shpirtin e Mjeshtrit  të  romanit, Shkrimtarin e Publicistin Ferhat Cakaj.

 “….ka një pranverë në shpirtin e njeriut. Ajo lulëzon atje, në thellësi të tij, në sytë a tij, ndjehet tek buzëqeshja e fëmijëve, tek njerzit e dashur. A beson se do të vijë ndonjëhere kjo stinë? Unë besoj. Do të vijë një kohë, kur në të gjithë Shqipërinë, njeriu për njeriun do të jetë si një yll. Bota do ti kthej sytë tek ne, ndoshta edhe në atë qytezën ku jetoj unë sot dhe do të shikoj e cuditur shpirtin e madh shqipëtar. Kjo pranverë do të vijë më duket se e shikoj….”(F.Cakaj te “Pranvera do të vijë”-roman.) Për më shumë ndiqni intervistën.

 

 

Bisedoi: Raimonda MOISIU

-Zonja Aurora, vitin që kaloi u nda nga jeta Ati tuaj i shtrenjtë shkrimtari dhe publicisti Ferit Cakaj, një personalitet i shquar intelektual dhe vlerë kombëtare e letrave shqipe. Pranoni ngushëllimet e mija, – Si ishin momentet e fundit të tij?

Në fillim duke ju falenderuar për intervistën,do doja të tregoja shkurtimisht kush ishte Ferhat Cakaj. I lindur në Salari të Tepelenës më 2 Prill 1935, në Shkodër  kryen shkollën e mesme pedagogjike, kurse studimet e larta në fillim për Gjuhë -Letërsi dhe më pas Fakultetin  Histori Filologji, degën gjuhë letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës .Në fillim e emëruan mësues të letërsise në gjimnazin e Kukësit, ku u pensionua në vitin 1991.Me letërsi filloi të merrej, që kur ishte në shkollën e mesme. Ka shkruar novelat”Mësuesi i cmendur”,1967,”Kështu është”1969, përmbledhjet me tregime “Lugina e nuseve “, 1969, “Në korie mes lisash”, 1972, romanet “Njerëzit e qytezës në mal,1976, “Nesër do të jetë vonë”, 1976, “Jam bir i popullit tim”,1978, “Zemërimi” 1980, “Përmendorja”,1985, dramën “Kosovarët,1987,  “Bardhyli kërkon Gjergj Elez Alinë”,  refleksion eseistik  “E vërteta mbi eposin Serb”,  “Të gjallë e të vdekur”, duke përshkruar  në një farë mënyre  krijimtarinë e 50 vjet punë, lodhje, pagjumësi,  nga njëra anë, por dhe gëzim i papërshkrueshëm kur i botoheshin romanet dhe  merrte përgëzime nga të gjithë njerëzit,  lexuesit e tij, nxënësit,  ku jepte mësim, një jetë e jetuar kjo  me  pasion të vecantë për artin e bukur të të shkruarit, deri në momentet e fundit të jetës së tij. Isha mësuar të shkoja cdo ditë pranë tij,  t’i jepja ilacet. Atë ditë kthehesha nga puna si zakonisht dhe do merrja rrugën për në Qytetin Studenti,   ku jetonin prindërit e mi. zkishte më shumë se dhjetë ditë që babai doli nga spitali, ku qëndroi rreth dy muaj e gjysëm. Kam qëndruar pranë tij, gjithë kohën,  duke i shërbyer deri në fund. Bie telefoni  dhe për disa minuta u gjendëm në  urgjencë, ishte shumë rëndë  dhe mezi mbushej me frymë. Momentet e fundit ne i kaluam tek spitali Q.S.U.T “Nënë Tereza, ku pas një ataku të dytë kardiak, megjithë përpjekjet e ekipit shëndetësor të mjekëve, fatkeqësisht  nuk u arrit të mbahej në jetë. Nuk më hiqet nga sytë ajo pamje, kur më mbante dorën shtrënguar, duke luftuar  me vdekjen dhe u shua ngadalë para syve të mi dhe të familjarëve. Ajo mbrëmje do mbetet në memorien dhe kujtesën time sa të kem jetën.

– Çfarë mendoni se janë elementët thelbësorë që e bëjnë Atin tuaj  të çmuar e të vlerësuar për kontributin e tij nga bota shqiptare?  Si do ta përshkruani erudicionin  krijues në fushën e shkrimtarisë, poezisë, publicistikës, dramave dhe botimeve të tij?

–Jetoi për një kohë të gjatë në Kukës, larg  kryeqytetit, por do thoja  a ndikoi kjo në krijimtarinë e tij. Do tju kujtoj vetëm një gjë; Migjeni i shkroi  kryeveprat e tij në Shkodër, Vrakë dhe Pukë, Nekrasovi poemat e tij të mrekullueshme  i shkroi në internim, Ukrahinasi Shefcenko, gjithashtu.është  relative varësia e veprës  nga jetesa  ose jo në Tiranë. Në Kukës vërtet mungonte biblioteka kombëtare, kontaktet me inteligjencën, por këto u plotësuan nga biblioteka  e tij në rusisht, në takimet e shpeshta  në Degën e Lidhjes  në Tiranë duke mundësuar  lidhjet  me  shkrimtarët më të mirë, nga lidhjet e vazhdueshme me njerëzit në të gjitha trevat verilindore,dashurinë e nxënësve të tij  dhe gjithë popullit të cilit i thërrisnin të gjithë “ profesor Ferhati”. Mënyra  se si fliste dhe afronte cdo njeri  të cdo profesioni, duke  i rrahur shpatullat  të impononte respekt të vecantë ,dhe  të gjithë  rendnin pas tij  duke e adhuruar si mësuesin  më të mirë të Letërsisë, shumë nga nxënësit  i sillnin fletoret në shtëpi me vjersha  dhe mbaj mend  që i priste me buzë në gaz, si një njeri me zemër të madhe, i inkurajonte  dhe shumë prej tyre sot  kanë botuar veprat e tyre. Ai  ishte  trupshkurtër, me flokë të thinjur,  që i shkonin dhe  e tregonin shumë fisnik, i mbajtur mirë dhe i veshur me sqimë.  Gjithmonë e mbaj mend me  këmishë  të bardhë  me kravatë në cdo moment i rregullt, i qeshur, i mëncur dhe me sytë e tij të vegjël që shkelqenin  në cdo kohë. Nuk e hiqte  stilografin  nga  dora , gjithmonë  shkruante në  studion e tij i rrethuar nga libra të pafund  vendosur  me rregull  në raftet e bibliotekës. E mbaj mend gjithmonë  shkruante natën, pasi muzgu  mbulonte  atë qytet të vogël në veri të Shqipërisë,  ku shkroi romanet e tij të para, i rrethuar mes miqsh të shumtë, kaloi pjesën më të madhe të jetës në qytetin e  Kukësit. Kukësi ishte vendlindja e tij e dytë, ishte ky qytet  i pranishëm në të gjashtë romanet e tij, në novelat dhe në tregimet. Kukësi i dha dashurinë e thellë njerëzore dhe padyshim  dhimbje. Ai i fali atij qyteti  rininë, burrërinë, aftësitë intelektuale dhe akademike,  duke qenë një mësonjës sic e donte Kukësi, duke qënë shpesh  këshilltar përherë në mbrojtje të qytetarëve,  shkrimtar  që nuk e ndante  krijimtarinë  nga njerëzit e atij rrethi aq të pasur dhe aq të varfër. Njerëzit, folklori popullor kuksian, larmia shumëngjyrëshe shprehëse kuksiane, historia e lavdishme dhe e re e fiseve të Kukësit, gjithshka e atij rrethi ishte e tij, ishte dhe mbeti në librat e tij. Ferhat Cakaj është autor i romaneve që kanë pasur një objekt krejt të vecantë: rolin e fisit në shoqërinë totalitare uzurpimin  prej tij të administratës dhe të ndërmarrjeve. D.m.th fisin,  një forcë konservatore, regresive. Prandaj romanet e tij”Njerëzit e qytezës në mal”,”Nesër do të jetë vonë”,”Përmendorja”,”Zemërimi”,”Të gjallë e të vdekur”, kanë  tendenca të vecantë realiste. Ai rrëfen fuqinë e fisit në epokën komuniste pushtetin, tentakulat e të cilit  shtriheshin ngado, Megjithëse romanet janë shkruar në një mënyrë positive, sipas modelit të realizmit socialist,  që ishte metodë zyrtare,  këmbëngulja e tij  ishte, për të përshkruar me hollësi  gëlimin e kudogjendshëm e të pa asgjesueshëm të klaneve  në gjirin e shoqërisë shqiptare. P.sh tek romani “Pranvera do të vijë” ,tregon mundësitë dhe të papriturat ekzistenciale të individit dhe të familjes shqiptare në regjimin komunist e në kapërcyell të sistemeve politike. Jeta sjell shpesh vuajtje, zhgënjime dhe goditje  të forta të fatit, por ajo meriton të jetohet me dashuri dhe shpresë. Dhe ketë ai e shpreh që në titull e deri në fund të librit, me historinë e jashtëzakonshme të Neritanit e të Virgjinës.

-Si e keni mësuar se Ati Tuaj ishte pasionant i letërsisë? Si e keni përjetuar këtë nismë e pasion të tij dhe cila është poezia apo tregimi i parë që keni lexuar prej tij?

–Ai u rrit në shtëpinë e fëmijës që nga viti 1945 në Gjirokastër pastaj po në shtëpinëe fëmijës  në Tiranë  e në Shkodër. Me letërsi, kish filluar të merrej, që kur ishte nxënës në shkollën e mesme dhe krijimet e para i botoi në faqen letrare të“Zërit të rinisë” etj.Është marrë me prozë për lexuesit e rritur,  dramaturgji dhe me ndonjë studim letrar. Pasionin për letërsinë dhe gjuhën shqipe ja transmetoi dhe vajzave,  ku dy prej tyre kanë mbaruar  studimet e larta për Gjuhë –Letërsi. Në shtëpinë tonë,  në studion, ku ai shkruante, kishte libra pafund, shumica e librave  ishin botime të herëshme  që i kish blerë që në rini të tij,  që nga vitet 1950-ë dhe shumica e tyre ishin botime  në rusisht. Ishte njohës  shumë i mirë i gjuhës ruse, mbaj mend kur na lexonte  me zë, recitonte pjesë nga poemat më të bukura ruse, duke i lexuar jo një por disa herë  shumicën prej tyre. E kam adhuruar gjithmonë  babin tim, për mënyrën e rrallë si sillej me librin,kujdesin që ai tregonte për to. Më pas kur u rrita, lexoja Servantesin, Heminguejin, Olldingtonin, Shollohovin, Brehtin apo Faladen, Kuperin-kryeveprat e letërsise botërore. Libri i parë që kam lexuar prej tij ka qenë “Jam bir i popullit tim”një roman për fëmijë jashtëzakonisht shumë i bukur i vitit 1978, i përkthyer më vonë  dhe në greqisht në vitin 1981,gjithashtu dhe radio dramë nga  Teatri Popullor me regji të Andon Qesarit. Ky roman ishte vepra e tij e parë për fëmijë, është shkruar kundër mëshirës, përbuzjes dhe neverisë, në raportin e njeriut jetim me shoqërinë. Sepse shpeshherë shoqëria e hedh tutje këtë fëmijë, Si fabul ngjarja zhvillohet në Shtëpinë e fëmijës në Shkodër, Ai roman u vlerësua me cmimin e parë të Republikës, cmim i cili ju dorëzua nga i madhi Dritero Agolli në Lidhjen e Shkrimtarëve. Ndërsa për pasionin për letërsinë,  mund të them që edhe sot tregohet  nga nxënësit e tij, “Kur Ferhat Cakaj shpjegonte  Migjenin në orën e letërsisë  nxënësit nuk pipëtinin,duke dëgjuar mënyrën e bukur dhe të vecantë, atë shpjegimin  me pasion që dinte ta bente vetëm ai.”

 

-A ka lënë dorëshkrime ? Kush do të  kujdeset për mbledhjen e botimin  e tyre?

Gjithmonë e përfytyroj me stilografin e tij,i përkulur mbi makinën e tij të shkrimit,duke shkruar  gjithmonë ditën dhe natën, cigarja që harrohej  dhe digjej ngadalë, duke përjetuar cdo moment ngjarjet dhe personazhet,  që mernin jetë  nëpërmjet  shkrimeve të tij. Janë shumë dorëshkrime në gjininë e tregimit, novelës, romanit, si dhe të publicistikës. Jam kujdesur për to,  që kur babi ishte në jetë, dhe mendoj që është një mision jetësor i imi dhe i motrave, që me anë të botimit të shkrimeve të pabotura, të vazhdojmë dhe të mbajmë gjallë krimtarinë e babit dhe shkrimtarit Ferhat Cakaj. Do bëjmë të mundur  botimin e tyre, si shkrime të papublikuara akoma, pasi janë shkruar para shumë kohësh  dhe janë aktuale  dhe për ditët e sotme, gjithashtu  dhe  shkrime  të cilat janë shkruar tani vonë. Nëpërmjet shkrimeve të tij, ai do të vazhdojë të mbetet  i gjallë për lexuesit e tij të dashur  dhe për  shumë vitet me radhë.

-Një situatë  të  vështirë të babait tuaj?

Do thosha  fëmijëria,  një familje me gjashtë fëmijë, dhe me një gjendje ekonomike shumë  të dobët, Në vitin 1941 i vdes nëna, ishte vetëm 5 vjec dhe kishte  një motër më të vogël. I kaloi vitet e luftës në varfëri dhe  skamje dhe për më tepër pa nënën. Në vitin 1945 bashkë me tre femijë të tjerë  nga fshati Salari ku u lind,u dërgua në shtepinë e fëmijës në Gjirokastër, ku vazhdoi dhe shkollën  ku u cilësua  si një nga nxënësit më të mirë.Një fëmijë i rritur pa prindër ka nevojë për veshje, për ushqim, për punë e mbi të gjitha ka nevojë për dashuri njerëzore. Sepse ajo i mungon. Shumë njerëz nuk kishin kushte për të jetuar  dhe u grumbulluan në këto shtëpi fëmijësh, dhe tregohesh kujdes derisa  dilnin në jetë.

-Një situatë  mbresëlënës?

– Kurorëzimi i një pune  krijuese, në mësimdhënie,”Urdhëri Naim Frashëri” i klasit te III-të si mësues dhe edukator, 1976, Urdhëri “Naim Frashëri” kl II-të si shkrimtar e romancier, viti 1982, Titulli “Mësues I Merituar” viti 1989, mund të shtoj që shpërblimi më i madh i jetës së tij ka qenë respekti dhe dashuria, gjatë 39 viteve, e popullit  të Kukësit. Mund të them  që ai vetë ishte mbresëlënës  për të tjerët. I dashur,  gojëëmbël me të gjithë, gëzonte dashurinë dhe respektin e të gjithë  atyre që e kanë njohur, dhe kanë patur fatin ta takojnë qoftë dhe njëherë në jetë. Në vitin 2010, me rastin e 75 vjetorit të tij kam organizuar ditelindjen më të bukur e të vecantë të jetës së tij, duke i ftuar të gjithë shokët, miqtë, familjarë, gazetarë, studiues, shkrimtarë, shumë i gëzuar,  me lot ne sy, i rrethuar nga miqtë, përjetoi   me emocion  të madh  përshendetjet e miqve duke ë uruar suksese  në krijimtari dhe në jetë.

-Kush është Aurora Ndreu-Cakaj, për lexuesit e kësaj interviste?

Vajza e dytë e Ferhatit, aktualisht  ekonomiste  pranë Tirana bank. Mendoj që profesioni,  që kam zgjedhur,  nuk ka shumë lidhje  me librin, por  unë trashëgoj nga babai artin e të shkruarit. Kam në dorë një libër me tregime ende të papërfunduar  me tematikë  sociale. Ky libër ka një pjesë të shpirtit tim human, kjo jam unë. Libri përfshin  jetën në metropol, Tiranë, histori  të vërteta njerëzore, ku përfshihet jeta e individit të harruar  nga shoqëria, të gjymtuar në trup e në shpirt, histori  me të cilat ne përballemi cdo ditë, Gjithashtu mendoj  që së shpejti të hap një ekspozitë në pikture, punime të cilat  janë të parat për mua, ku për të gjitha këto kam mbështetjen e madhe  të familjes sime, bashkëshortit dhe dy fëmijëve. Kam qenë gjithmonë e privilegjuar, kam lindur dhe jam rritur në një familje intelektuale mësuesish, e edukuar  më së miri  nga prindërit e mi të shkëlqyer, të cilët më dhanë  shkollimin, edukatën,  më mësuan rregullin  estetikën  dhe cfarë është më e rendësishme  edukatën e punës. Kam punuar që e vogël  dhe njëkohësisht kam vazhduar shkollën dhe mendoj,  që kjo ka  influencuar  në edukimin  dhe formimin tim. Pas humbjes së babait, mendoj që e rëndësishme  dhe parësore  për mua e  për familjen time është  botimi i veprave  të lëna përgjysëm nga babai,  duke bërë të mos harrohet  dhe të mbetet i gjallë për lexuesit e tij dhe për shumë kohë .

-Cfarë dëshironi të shtoni në fund të kësaj interviste?

Do dëshiroja t’ju falenderoja me gjithë shpirt  për intervisten, ju zj.Raimonda që bëtë të mundur  dhe më dhatë mundësine  që të flas  për jetën dhe veprën e babit tim të dashur  dhe të paharruar  shkrimtarit e publicistit -Ferhat Cakaj.

Bisedoi:Raimonda MOISIU

Filed Under: Interviste Tagged With: Ferhat Cakaj, interviste me Aurora Ndreu Cakaj, Raimonda Moisiu

Mihallaq Qilleri:Shoqëria shqiptare do vijojë të zvarritet edhe ca kohë në pluhur!

March 18, 2014 by dgreca

Shkrimtari Mihallaq Qilleri është një nga figurat më të mirënjohura e të talentuara të letërsisë shqipe, me një ndikim të jashtëzakonshëm në gjeneratën e tij. Veprat e shkruara prej tij vazhdojnë të kenë ndikim e frymëzojnë brezat që vijnë. Romanet, tregimet, dramat dhe poezia e shkrimtarit Qilleri janë portretizim i gjallë i jetës sociale dhe përvojave jetësore  të kohës që jetojmë. Ato kanë luajtur e luajnë një rol progresiv në reformimin e shoqërisë shqiptare . Ai njihet si romancier dhe mjeshtër i tregimit të shkurtër e të plotë. Romanet dhe tregimet e tij janë të njohura për portretizimin  e ndjeshëm të ndjenjave të brendëshme të personazheve, që ai përfaqëson në to. Autori Qilleri përshkruan  me dashamirësi portrete realiste  me jetën, me të mirat e të metat e tyre,  problemet dhe sfidat,  mes të bukurës e së përditshmes njerëzore. Karakteristika kryesore e shkrimtarisë interesante të Qillerit është përdorimi i gjuhës së thjeshtë,  të ngrohtë dhe mbresëlënëse. Në këtë intervistë, shkrimtari Mihallaq Qilleri rrëfen momente nga jeta dhe krijimtaria e tij letraro-artistike dhe dimensionale në dramë, poezi dhe publicistikë. Por, kush është shkrimtari dhe publicisti Mihallaq Qilleri, që krahas profesionit të inxhinjierit, ai u bë edhe shkrimtar me prirje të forta qytetarie, intelektuale e krijuese. Si arriti ai të bëhet një nga zërat më të vecantë në letrat shqipe e publicistikën shqiptare, do t’I mësoni në këtë intervistë interesante e mbresëlënse.

Mihallaq Qilleri ka lindur më 25 Tetor 1948. Është Diplomuar për  Inxhinjeri dhe Gjuhë _Letërsi në Universitetin e Tiranës. Biografia e tij letrare:

KRIJIMTARIA- P R O Z Ë

– JETA MBI SHKEMBINJ – TREGIME – 1975

– ZBULIMI I ISHUJVE TË HUMBUR, – NOVELË, 1976

– DËBIMI I HIJEVE, – NOVELË DHE TREGIME, – 1977

– JETË DHE DASHURI – ROMAN – 1979

– ROBI I MALIT TË ARGJENDT, – TREGIME – 1979

– NË VITET SHTATËDHJETË, – ROMAN, – 1982

– KRISTALI BLU, – NOVELE,-1986

– SHKËLQIMI I DËBORËS, – 1987.

– NJË VJESHTË ME ELIAN, – ROMAN- 1990.

– ENGJEJT E VITEVE TË VËSHTIRA, – ROMAN – 2003

– MËKATI I MURGESHËS, – ROMAN, – 2009

– BRENGA DASHURIE, – NOVELË DHE TREGIME, – 2009

D R A M A

– KUFIRI I GJAKUT, – DRAMË – 1981

– SHQETËSIMET E ANËS, – DRAMË, – 1981

– MIDIS DY DASHURIVE, – DRAMË, – 1983

– NATA E GJATË E SË SHTUNËS, – 1984

– KËRKOJ TË VËRTETËN, – DRAMË,- 1988

– KRISTALI BLU,- DRAMË, – 1990

\-TAKOHEMI PAS SHIUT-POEZI

 Bisedoi: Raimonda MOISIU

-Në një nga fotot e bibliotekës  tuaj në FB, kam lexuar këtë epigraf; “Këtu ngopem dhe më merr uria, këtu gdhihen e ngrysen fantazitë e mia.” Shumë interesant e mbresëlënës ky epigraf, që nënkupton krijimtari dhe krijimtarinë. Cilat janë trajektoret e karrierës tuaj krijuese?

Kjo dhomë pune e mbushur me libra është i gjithe thesari im shpirtëror. Ne shtëpinë  ku linda babai im kishte nje sasi librash të kohës së para Luftës Botërore, por që për fat të keq, nga që nuk ekzistonin bibliotekat ne kuptimin e konstruktit të sotëm, ato mbaheshin ne nje sënduk të madh. Nje dimer Narta, vendlindja ime,- një vend buzë ujërave, – u përmbyt dhe kjo pasuri e babait u dëmtua. Megjithatë diçka mbeti. U kujdesa ta shtoja kur shkova ne shkolle të mesme. Me ato pak para që më dërgonin prindërit. Kur u martova dhe do të ikja nga shtepia atërore, im vëlla, shumë më i vogël se unë, më luti të mos i merrja të gjitha librat, por t’i lija edhe atij diçka. Iu përgjigja se po i lija 100 libra me kushtin që, nëse pas një viti ato nuk do ishin bërë 200, do t’ja merrja edhe ato. Për fat edhe ai shtoi.. Biblioteken më të madhe private e kam parë te shtepia e prof. Dhimitër Shuteriqit, një mik i im i asaj kohe. E pata zili. Dhe luftova ta pasuroja biblioteken time. Kur emigrova dhe shtëpia mbeti ne dorë qiraxhinjsh, më shumë se gjithçka u dëmtua biblioteka. Sot mund të kem vetëm gjysmen e librave që pata në fillim të viteve ’90.

Sa për të krijimtarinë mund t’ju them se ajo ka nisur thuajse ne adoleshencë. Duke pasur një bibliotekë, sigurisht ajo ka edhe sirtare e dollape dhe atje une ruaj edhe dorëshkrime të moshës 14-15 vjeç. Sot natyrisht nuk kanë asnjë vlerë, por mund t’i quaj si ushtrime fillestare aritmetike për të arritur të zgjidh me vonë ekuacione të komplikuara letrare. E nisa pra me poezi. Shumë shpejt besoja se isha i patalentuar atje. Proza sikur më krijonte më shumë hapësira të shprehesha. Letërsia, si të gjitha krijimtaritë e tjera, lind nga nevoja që ndjen individi për të shpërfaqur publikisht mendimet e tij për jetën e shoqërisë. Tregimet e para të botura i përkasim një moshe shumë të re dhe botoheshin ne te vetmet gazeta letrare të kohës, “Zeri i Rinisë” dhe “Drita”. Libri parë me tregime, megjithatë vonoi disi. Ai pa raftet  e librarive vetëm në vitin 1975.

-Vepra juaj dëshmon gjithnjë e më shumë se jeni ndër poetët tanimë të shquar, nisur që nga shekulli i kaluar. A ka diçka të tillë në fëmijërinë tuaj që ju hapi rrugën për të shkruar poezi?

Është interesante të këmbëngul se unë nuk e quaj veten poet i shquar. Përkundrazi. Mendoj se jam një poet i zakonshëm, natyrisht me pjekurinë dhe përvojën që me jep letërsia në përgjithësi, që më jep njohja me shumë poetë shqiptarë e botërorë, por kryesorja është ndjesia ime e brëndshme e këtyre 10 viteve të fundit për t’iu rikthyer poezisë si në adoleshencë. Ka disa shkaqe. Së pari vet proza e botuar në Shqipëri, -sidomos ajo e pas viteve ’90-, sikur ka humbur “gjelbërimin” e vet. Letërsia , para së gjithash, është strukturë e ndërtuar me fjali të bukura. Kur në prozen e sotme nuk ka vizatime karakteresh, kur nuk përshkruhen mjediset ku zhvillohen ngjarjet, kur natyra përreth nuk ka asnjë ngjyrë, kur idetë thuajse mungojne, kur skematizmi të zë frymen, natyrisht ajo mund të jetë gjithëçka, por jo letërsi. Shenjat e një “kashtëzimi” të tillë sikur ndjeva edhe në prozen time. Kritika e vjetër më konsideronte një tregimtar të spikatur jo aq për temat, por atë mendim e vizatim të hollë që kishin mjediset e ngjarjeve të mia. Poezia të imponon të krijosh vargje të bukura. Të filozofosh më shumë e ta ngjeshësh mendimin. Metaforat e bëjnë lexuesit të klith nga zbulimi, ose të ngjethet nga e bukura. Me këtë mendim unë nisa të vargëzoja. Pa menduar kurrë se do të botoja ndonjëherë një vëllim poetik. Por ja që poezitë e krijuara u bënë shumë. Miq e dashamirës më këshilluan t’i përmblidhja në një vëllim poetik dhe, megjithë ngurimin, ja tek dritën e botimit “Takohemi pas shiut”. Ndonëse sot mendoj se ndonja 20 a 30 poezi duhej të mos ishin përfshirë në atë libër.

 -Ju keni shkruar shumë lirika dashurie e mesa di unë iu kanë quajtur “poeti rebel i dashurisë”. A ka dicka të vërtetë në këtë thënje? Kur shkruan poeti krijime të tilla?

Së pari kam mendimin se poeti e shkrimtari duhet të eksperimentojë me stilin e vet. Kjo do t’i jepte dorë të lirë të mos kufizohej nga rregulla “spartane” të letërsisë së deri atëkohëshme. Eksperimentet natyrisht kanë lidhje me formën, por edhe me përmbajtjen. Dhe kryesorja nuk është motivi, apo ngjarja, sesa ideja që kërkon të përcjellësh. Shoqëria njerëzore ka përparuar shumë, sidomos me zhvillimin e elektronikës. Koncepte të tjera për kohën, hapësirën, shpirtin, për anatominë e biologjinë njerëzore duhet të ndiqen kokëulur edhe nga artet, letërsia, muzika, piktura, etj. Dikur e quanim modernizëm këtë devijim nga tradicionalja, sot modern, apo post-modernizëm, surealizëm, a realizëm magjik etj. Krijuesi zgjedh vet metodën, sepse prej saj ai dallohet nga të tjerët.

Le të kthehemi tani se tematika e poezive të mia, të cilat ju thoni se janë erotike, apo i këndojnë dashurisë. Duhet të bëjmë një marrveshje fjalësh. Letërsia në përgjithësi e poezia në veçanti, janë ajka e së bukurës njerëzore. Por kryevepra e sjelljes njerëzore është dashuria. Një letërsi pa dashuri, pa praninë e femrës, sidomos, brenda saj , mendoj se do të na sterilizonte bukurinë e frazës, apo vargut, bukurinë e përmbajtjes, nëse do të lexonim një roman pa dashuri.

Dashuria, nga ana e saj, duke u shpërfaqur aq fine, aq e ndjeshme, aq imponuese lemon edhe shpirtëra të ashpër, kurse prej atyre të ndjeshëm do të shihnim një mirësi të pafundme. Një shkrimtar i madh, duke lexuar një poemë të stërmadhe të një poeti, tha fare thjesht se ajo nuk ishte letërsi, nuk mund të quhej poemë, sepse atje brënda mungonte femra, Nuk mund të përjashtojme balada epike, apo poema historike, por ato shkruhen për nevojat e ngutshme të brumosjes atdhetare të popujve të pushtuar, a të shtypur.

-Lexova një poezi tuajën të re “Prekje fatale”. Ja disa vargje prej saj: Në stacionin e zhurmshëm e habitur zbrite,/Duke kërkuar një ëndërr, dashuri, poezi, /Një palë duar të pasigurta aty të takuan,/ Një palë duar gjithë ankth, të ftohta për çudi.” Më mrekullon se sa bukur ju e përjetoni dhe flisni  në vargje,  për njerëzit që takoni në jetë qoftë edhe virtualisht. C’mund të na thoni për këtë privilegj njerëzor që ekziston dhe cila është ajo, që u jep ju shpresë në të përditshmen njerëzore?

 Nuk është ndër poezitë e mia më të mira “Prekje fatale”. Por , pa marrë pozicionin e mësuesit, kam mendimin se autori pasi të ngopet me idenë e tij duhet ta shpjerë diku atë, ashtu të ngarkuar në shpinën e mendjes dhe atje, – ku ndihet mire, – të krijojë kopshtin, oborrin, apo kështjellën ku ideja e tij mund të lëviz lirisht. Atje ku vargu mund të prek gjithçka të domosdoshme për t’u mbajtur në këmbë, pa harruar asnjëherë se së shpejti duhet të bëjë rrugën e rikthimit. Mbi shpirtin e poetit tani do të qëndroj në nje stacion nga duhet ta njohin të gjithë lexuesit. Të gjitha këto kërkojnë disa kushte, Së pari vet ideja është vlerë intelekti. Së dyti, duhet të dish sesi ta shkruash atë. Së treti të jesh i sigurt se do të ndikosh sado pak te shpirtërat që të lexojnë. Të gjitha këto arrihen pas nje eksperience njerëzore, por edhe kulture. Mirë është që poeti, – pasi të ketë shfryrë afshein e vet, – ta lerë qenien të ftohet disi e pastaj ta shikoj si i huaj krijimin e vet. Kjo do ta detyronte ta redaktonte, ose ta griste.

-Kur shkruani poezi, cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio,  në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?

   Poezia, ose proza, natyrisht shkruhen në studjo, ose, në mungesë të tij, në një ved ku nuk të shqetëson njeri. Me që përmenda prof. Dh. Shuteriqin, mund t’ju sjell ndërmend bashkëmoshatarëve të mi se ai punonte zakonisht në një tavolinë pranë dritares të kafe “Tirana”, e cila gjëndej përfund banesës së tij. Thashë që Shuteriqi kishte një bibliotekë të madhe, një shtëpi të madhe për kohën, etj. Por duhet të them se ai atje nuk bënte letërsi në kuptimin e vërtetë të fjalës. Në arkivin e Shuteriqit ruhen mijëra e mijëra skeda të mbushura me shënime të çuditshme, të cilat atij i vlenin për të shtruar kopshtin e veprave të veta. Shumë syresh ndoshta nuk i vlejtën kurrë. Por njëp ndër këshillat e tij për mua aso kohe ishte se duhej të punoja përditë. Nuk kishte rëndësi se sa. Por përditë. Të nesërmen ato rrjeshta mund të mos vlenin, sikundër mund të të ngjanin interesante muaj, apo vite më pare. Unë punoj në studjon time..

-Cfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike, sipas mendimit tuaj? Cfarë ju shtyn të shkruani një poezi protestë me ton qytetar e intelektual?

Muza, apo Pegasi janë simbole mitike për të përcaktuar këtë veçansi të shpirtit të poetëve të lashtë. Në të vërtetë unë nuk i besoj muzës. Tashmë kur kam afro 45 vjetë që shkruaj, mendoj se të shkruarit është nevoja ime e brëndshme për të folur me zë publik, për t’u zemëruar, për të klithur, për të shpënë lule diku, për të ndjerë diellin si ngroh trupin tim, shiun se si më lag, barin që mbin çdo pranverë rreth varrit të prindërve të mi, ndërsa mua më vjen keq që vetëm ata nuk ringjallen përsëri. Talenti është i lindur. Nuk them asgjë të re nëse shtoj se ai duhet ushqyer. Në fillim të kësaj interviste shënova se krijimtarinë e nisa me poezi, por shpejtë hoqa dorë prej saj. Ku u binda, prej kujt, cili qe ky çast? E thjeshtë. Kisha një mik tepër të afërt,- të cilin e kam ende, – dhe ai shkruante poezi. Por poezitë e tij ishin ku e ku më të bukura se të miat. Ishte mosha kur tek ai kishte trokitur dashuria e parë dhe vargu, lengu, fjala e tij ishte shumë më e bukur se vargu im steril që nuk ndikohej prej asgjëje materiale, të vërtetë, por qe thjeshtë një imitacion poetësh të huaj. Për fat të keq, miku im aq i talentuar nuk u bë asnjëherë poet i dëgjuar. As ndonjë libër nuk botoi. Sot ai është një ndër avokatët më të mirë të vendit, por dembelizmi për ta ushqyer dhuratën genetike që mbartte, i humbi një rrugë të bukur për të shijuar.

-Mu kujtua shprehja e  shkrimtarit të madh, Stefan King, kur e pyetën: “ Se si mund   të bëhesh  shkrimtar. Ai iu përgjigj –“merrni ndër duart tuaja libra të shkrimtarëve të tjerë dhe lexoni cdo gjë të tyre, –mos mendoni jo vetëm si të shkruani libra.” A ndani të njëjtën filozofi me të?

Përvojat personale të çdo krijuesi janë të ndryshme, sepse vet jetët njerëzore janë të ndryshme. Po aty mund të gjëndet edhe ajo që quhet origjinalitet. Të lexuarit natyrisht është alfa dhe omega e të ushqyerit shpirtëror. Dikujt mund t’i kenë ndodhur në jetë ngjarje dramatike të paimagjinueshme nga një tjetër, por ai nuk di jo më t’i bëjë ato vepra letrare, por as t’i rrefejë. Atij i mungojne dy elementë thelbësorë. Talenti dhe mungesa e kulturës letrare. Por ka shumë intelektualë që kanë lexuar me mijëra libra në jetën e tyre, por nuk kanë guxuar kurrë të shkruajnë vet një libër.

 – Ju jeni prozator; romane novela, tregime esse, ….Tashmë një shkrimtar i afirmuar, autor i dhjetra librave.Cfarë mendoni se ka mbetur konstante?

Mendoj se kam pasur një fat në ciklin e krijimtarisë sime në prozë. Tregova se fillimisht shkruajta tregime. Tregimi është për mua gjinia më e vështirë e prozës, Pastaj shkruajta novela e më pas romane. Romani im i parë, ai me titull “Jete dhe dashuri” u botua në vitin 1979, pra pas katër librash në prozën e shkurtër. Romani u pëlqye shumë atë kohë dhe i gjithë tirazhi i tij kolosal prej 16.000 kopjesh u shit me shpejtësi. Por sot, kur ndonjë mikeshë e gruas vjen në shtëpinë tonë dhe kërkon ta rilexoj këtë roman, për shkak të ndjesive të dikurshme, unë preferoj të mos ia jap. Së pari vlera e një vepre rritet edhe për shkak të kulturës së shoqërisë së asaj kohe, të interesave të saj, etj. Ne rilexojme Tolstoi, apo Balzakun sot dhe, megjithë mrekullinë që rindjejmë, e kuptojme se disa  nënshtresa të shoqërive borgjeze të shek. XIX janë tejkaluar. Dashuria jo..Ajo vazhdon të mbart dramën dhe bukurinë e saj së paku nga koha e Homerit. Në se poezinë do ta imagjinoja si një kasolle të ndërtuar me degë palmash, në prag të flladeve e psherëtimave; në se tregimin do ta konsideroja si një shtëpi misterioze, ( kush e njeh Tiranën ndoshta ka patur rastin të shohi një banesë dy katëshe përballë kishës së re ortodokse); në se dramën do ta përkufizoja si një kështjellë ku dëgjohen vazhdimisht klithma, përplasje shpatash por edhe ndonjë e qeshur, romanin, përkundrazi, do ta krahasoja me një ndërtesë shumëkatëshe, me themele te forta ku shkrimtari së pari ndërton kollonat e ngjarjeve, krijon dhomat e kapitujve, hap dritaret e ideve, e mbush me tullat e fjalëve, dialogëve, përshkrimeve, e së fundi, e suvaton këtë pallat me grafikën e kopertinës.

-Si mendoni ju, cilat janë elementët thelbësorë të një prozë, në rastin tuaj, të romanit. Sfida që përballeni me ndërtimin e tij, duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. Ju i paraqisni personazhet tuaja nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?

  Natyrisht ka disa raporte që secili shkrimtar krijon mes së vërtetës dhe artit , mes letërsisë dhe filozofisë që kërkon të transmetoj në veprën e tij. Shkrimtari është një qytetar dhe muzat nuk janë aspak flutura që hyjnë tinëz vetëm në dhomën e tij të punës. Sidomos proza e gjatë kërkon një punë selektive të gjithanëshme. Në krijimtarinë time unë kam pasur pikënisje ngjarje të vërteta. Ato i kam ruajtur në memorje aq sa mund t’i shpërbëja. Kjo është nisja. Nëse ato nuk mund të çeleshin, të stërholloheshin, atëhere nuk ishin për krijimtarinë time. Por një roman shpesh nuk kërkon edhe aq një ngjarje të madhe, sesa një ide të madhe, ide të pathënë, një mendim shoqëror i pakonsumuar. Por, ashtu siç kanë treguar edhe shkrimtarë më të vjetër e më eksperiencë, personazhi mund të ketë fytyrën e një qengji dhe trupin e një renoceronti. Karakteri rikonstruktohet sipas nevojave e përfundimeve intelektuale. Skematizmi, i përdorur gjerësisht dikur, në foshnjërinë e letërsisë sonë, por sidomos tani në depersonalizimin e saj për shkak të së ashtuquajtur “Liri të mendimit e të drejtën e shprehjes së tij”, për fat të keq magazinat e shtepive botuese kanë mbetur plotë nga libra që nuk i blen njeri, jo aq se nuk kanë ngjarje, se sa nuk janë shkruar bukur ato.

-Shquheni në prozë  për mendimin inteligjent, plot figura letrare, artistike, psikik dhe mendimin filozofik. Ku qëndron forca e inspirimit si një shkrimtar që i përket dy epokave – realizmit socialist dhe periudhës postkomuniste?

Tregova me sipër se kam pasur fat në ciklet e krijimtarisë sime shumë vjeçare. Pas botimit të romaneve të para , nisa të shkruaja dramaturgji. Në kohën e pare besohej se një shkrimtar i njohur si unë, pse të mos bënte edhe drama edhe për teatrin e qytetit? Kjo ishte një kërkesë e here pas herëshme, por përjashtoj kategorikisht imponimin.

Në të vërtetë përfshirja në krijimtarinë dramaturgjike më ndihmoi të isha më racional në prozën time, të ndërtoja kulme ngjarjesh të cilat më pare vinin disi të shtrira në kohë e në nervin e vet, të përsosja karaktere dhe të ndërtoja dialogë intensive, nervozë, rrëmbyes..Shkruajta shumë drama, 6 prej të cilave u vunë edhe në skenat teatrore të disa qyteteve të mëdha të vendit. Sikundër dramatizova edhe ndonjë romanin tim.

Epokat e shndërimeve shoqërore e politike vetëm se e pasurojnë çdo shkrimtar mendjemprehtë dhe që doemos di të dalloj ndyshimet me frymën e lirisë, të mirëqënies, por edhe të vlerave njerëzore. Kam shkruar një roman me titullin “ Engjejt e viteve te veshtira”, botuar në vitin 2004, ngjarjet e të cilit përfshinin një kohë historike të gjatë. Ato nisnin nga viti 1967 e mbaronin në mesnatën e mbarimit të shekullit XX. Pra, përfshinte të dy epokat. Por kam mendimin se kapitujt e tij më të bukur janë ato të mesit të epokave që i linin vendin njera-tjetrës, sepse atje sheh nje transformim dramatik të mentaliteteve njerëzore, dukuri që shpesh mund të shpien edhe ne anarki. Por drama aty qëmtohej më qartë, përvijohej më saktë. Di të them se shkrimtari i vërtetë është kalorës i lirisë e dinjitetit njerëzor dhe ai nuk mund të pajtohet a priori me asnjë regjim politik, sepse asnjë prej tyre nuk i zgjidh si me magji hallet e shumicës së qytetarëve të tij. Diferencimet pasurore krijojne vetiu konflikte të mëdha. Askush nuk mendon për barazitizmin absurd të së kaluarës, por dinjiteti njerëzor duhet respektuar.

-Kur ju shkruajtët romanin “Mëkati i murgeshës”, i vlerësuar shumë nga kritika e kohës, ky roman nuk është fantazi, por është bota e brendëshme njerëzore. Si shkoni ju në lidhje me vendosjen e emrave, të vendeve në ndërtimin e një “bote të re” me tipikë; burim-rrëfim-frymëzim-kulturë?

“ Mekati i murgeshës” u botua në vitin 2008, por nga brezi i vjetër i lexuesve përmbajtja e tij qe e njohur perms novelës “Kristali blu”, botuar afro 15 vite më parë, por ehe dramës me të njejtën titull të shfaqur nga Teatri i Dramës së Vlorës. Në këtë vepër, e cila pati shitjet më të mëdha, edhe si novelë, edhe si roman, biletat më të shumta edhe si shfaqje teatrore, mendoj se meritë të veçantë ka jo aq krijimi artistik i autorit, sesa ngjarja e vërtetë. Ishte aq e veçntë jeta e personazhit tim, sa doemos do të krijonte keqinterpretime, por edhe lexime të ethshme. Për shkak pra të llojit “sui generis”-siç ma konsoderonte Kadare ne reçensionin e vet,- nxiti pështjellime edhe në kohën e regjimit komunist, por edhe në regjimin demokratik, duke spekuluar me reminishencat e asaj kohe. Kjo ishte arsyeja përsëse “Kristalin blu” unë vendosa ta ripunoja e ta botaja tashmë të plotë, duke shtuar edhe pjesët që dikur isha detyruar t’i hiqja. Nga ana tjetër tashme unë isha një shkrimtar më i lirë për të shfaqur mendimet e mia, madje edhe të interpretoja shkaqet e vërteta të dramës së personazhit tim.      Është me fat një krijues kur ndesh me ngjarje të tilla..Por ato, ashtu siç të ndihmojnë të shkruash një vepër të mirë, po aq të vendosin në qendrën e ciklonit të kritikës, madje edhe të politikës.

-Ju jeni edhe publicist dhe një nga gazetarët më aktivë në mediat e vendit me  shkrime publicistikë, analiza politike, sociale, si dhe shkrime të vecanta studimore në fushën e letërsisë dhe kritikës letrare. A mund të na përshkruani  momente  nga eksperienca tuaj mbresëlënëse?

Gazetaria është po aq e vjetër sa edhe letërsia. Madje ajo sikur më bëri të ndihem dikushi dhe të kem pretendime më të mëdha ndaj vetes. Por gazetaria nuk është letërsi, madje mendoj se shpesh e prish letërsinë. Gazetaria i vlen letërsisë vetëm si përvojë jetësore, si vlerë njohëse, e pasuron shkrimtarin ose poetin të mos jetë nje individ pa njohje të realitetit shoqëror, pse jo edhe të vet relievit të vendit. Interesat intelektuale të një shkrimtari përgjithësisht duhet të jenë të gjera. Ai nuk ka përse të zgjidh edhe ushtrime algjebrike, por ama të dijë diçka nga Kushtetuta, nga Ligjet e shtetit, të dijë shumë për historinë e vendit të tij, të lexojë vepra politologësh e psikologësh, të ketë një minimum njohurish për mjeksinë në shërbim të jetës së  personazheve të tij, të ndjek politikat e kohës, pse jot ë njohi edhe kombinimet e politikës ndërkombetare, e të tjera fusha. Kjo veçse mire i bën korpusit të veprës së tij. Unë kam pasur fatin të punoj disa kohë si gjeolog dhe me kete rast të njoh nga afër  shumë treva të vendit, por edhe zakone, folklore, të ndjejë deri në palcë varfërinë ekonomike të zonave të thella malore, por edhe të veçantën e kësaj jete baritore të njerëzve. Shumë syresh do të ishin personazhet më interesante të tregimeve të mia.

-Cfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, Ballkanike apo Lindore, në krahasim me atë perëndimore, bazuar në ato c’ka ju keni lexuar, dhënë lajme  apo vënë re?

Nuk e konsideroj veten ekspert të gazetarisë prandaj nuk mundem të jap edhe receta në këtë drejtim. Por duke qenë në disa vende të botës, duke lexuar shtypin e atjeshëm, ose pare emisionet televizive të kronikave, kam mendimin se gazetaria jone është tepër komuniste. Ashtu e përçarë keqas me interesa politike të pandryshueshme, me gazetarë që pavarsinë e tyre e lidhin me rrogën që marrin, ose nuk e marrin, me pozicionin që kanë sot shumica e gazetare, por edhe e kanaleve televizive, personaliteti i gazetarit, sidomos i gazetarit investikativ, është shumë i ulët. Kjo vjen, përveç të tjerave, edhe për faktin se shtypi dhe medja janë aksesorë të veprimtarisë ekonomike të pronarëve. Pra, edhe me gazetat e quajtura të mëdha, bëhet një politikë e biznesmetit që ka përtej një kompani të fuqishme ndërtimi, apo fabrikë, minierë, apo aksione të tjera. Gazetarët nuk paguhen mire, nuk janë të siguruar, ndërsa as që bëhet fjalë për honorare të bashkepunëtorëve. Gazetat dalin me disa opinione, me ngjarje të kronikës së zezë, me aforizma të marra nga kushedi se cila agjenci, me fjalë-kryqe dhe me modën e VIP-ave shqiptarë të pasuruar ne menyrë maramendëse tashme. Asnjë shkrimtar nuk është i pasur. Asnjë. Sado libra që të ketë shkruar..Letërsia, – e cila duhet të ishte një pasuri kombetare- trajtohet si mbijetesë pasionesh që sa vine e dobësohen. Ka gazeta të quajtura letrare që shiten vetëm në saj të këtyre pasioneve mjerane dhe askujt nuk i paguhet një qindarka për krijimtarinë e tij. Botuesi, po, merr një rrogë për kalamajtë edhe ai..

-Cfarë mendoni për statusin aktual të kritikës? A ka kritikë të mirëfilltë sot për sot? Cili ka qënë keqkupimi më i ndjeshëm gjatë karrierës tuaj krijuese?

Nuk ka kritikë..Nuk kemi përse të flasim më shumë. Nëse ajo do të ekzistonte, ashtu e ashpër dhe e vërtetë, sot do të ishin më pak të rënduara raftet e librarive dhe lexuesi do të dinte të kërkonte një autor të njohur. Tani as vet autorët nuk gjejne botimet e tyre.

 -Mendoni e shpresoni se gazeta “Drita”, do të rikthehet”

Gazeta “Drita”, apo një organ i mirëfilltë letrar si ai i dikurshmi do të ishte e mundur të çelej, nëse krijohet Lidhja e Shkrimtarëve, apo se si mund të quhet ndryshe për të mos lënduar sedrën e kundërshtarëve të së kaluarës. Shteti duhet të ndihmojë shumë në këtë drejtim, A kanë piktorët nje galeri Arti? A kanë aktorët një sallë teatri? A kanë muzikantët e këngëtarët sallat përkatëse, a kanë kineastët kinema ku shfaqin filmat e tyre? Po shkrimtarët çfarë kanë, çfarë u ka mbetur. Dikur, në kohën e komunizmit, kur një poeti i botohej nje poezi në “Drita”, apo “Nentori”, i thoshte mikut të vet: “ Sot kam një gëzim. Do vish të pimë nga një varg?” Nje varg kostonte aso kohe mesatarisht 15-20 lekë. Me to mund të pije dy kafe e dy raki, ose dy birra. Sot i mbush tjetrit nje faqe gazete dhe ai as të falenderon..

 -Si shkrimtar, poet  dhe publicist cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë` në vëndin tonë?

Fola pak me lart për politikën, për shtratin shoqëror të saj, për klimen depressive që shtrin në të gjitha kapilarët e jetës intelektuale. Shqipëria po kalon nje tranzicion sklerotik. Mendoj se demokracia si vlerë e marrdhënieve ndërnjerëzore ka gjithmonë një parahistori. Historia ka  pasur një kulture, ndërsa ndërgjegja e individit duhet të “genetizohet” nga të gjitha këto. Në se një vend nis e shkruan me alfabetin e vet vetëm një shekull më pare, në se krijon universitet në mesin e shek. XX, kur Çekia, p.sh. kishte univeritetin e Pragës qysh në shek. XIII, kur gjysma e popullsisë rurale jeton ne kushtet skandaloze të Mesjetës, kur gruaja vijon të trajtohet si inferiore, atëhere nuk ka se si këto mendësi të mos ndikojne edhe ne politikat dhe zhvillimin e vendit. Sa për kombin më duhet të them se ai është Brenda dhe përqark nesh, por bota është jashtëzakonisht e hapur, e madhe, me mundësi të pafundme për të jetuar me ndershmëri dhe kombi duhet të varet në një kornizë e të mbahet në dhomën më të mire të shtëpisë, port ë mos bëhet më mollë sherri e kapardisjesh.

-Projektet tuaja në të ardhmen?Cfarë iu ka mbetur peng?

Peng me kane mbetur shume gjëra. Sa më shumë ikin vitet, aq me tepër ndihet ankthi e dhimbja për të parealizuarën, për të pamundurën. Kam disa projekte të cilat nuk e di nëse do të kem kohë t’i përfundoj deri në fund. Ato janë romane, drama, vellime me poezi, por edhe një liblër me disa mendime historike për Epirin si trevë ku kundërshtojë edhe pikpamjet greke, por edhe ato shqiptare për zotërime teritoresh që nuk kanë qenë të askujt veç e veç..Nejse, kjo është një temë tjetër.

– A është i lirë shtypi sot?

Mendoj se shtypi është pjesërisht i lire, për të mos imituar edhe unë disa raporte ndërkombëtare. Shtyp të lire krijohet me gazetarë të lire, me rroga të mira, me sigurinë e jetës ekonomike të tyre, pa ndikime nga qendra të poltikave të ditës.

-Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot….

E quaj veten teper modest për të dhënë mesazhe inteligjencës. Unë përthith çdo ditë kumte nga pjesa më e ndritur e kësaj inteligjence. Pa rolin e saj shoqëria shqiptare do vijoj të zvarritet edhe ca kohë në pluhur!

Ju faleminderit!

Bisedoi:Raimonda MOISIU

Filed Under: Featured Tagged With: Interviste, me Mihallaq Qilleri, Raimonda Moisiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT