• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDALE DORËN, O HASHIM THAÇI?!

August 26, 2015 by dgreca

Opinion nga Ramiz LUSHAJ/
Më 27 gusht 2015, në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Vjenë, sipas gazetës malazeze “Vijesti” keni për të nënshkrue Marrëveshjen për Demarkacionin Kosovë-Mali i Zi. Sigurisht, nuk ka shtet pa kufinj, po çfarë shtetari je o Hashim Thaçi kur do me ia fal Malit të Zi 120 km2 të Kosovës. Kjo sipërfaqe toke është ma e madhe se ajo e komunës të Junikut (mbi 86 km2) apo e Hanit të Elezit (83 km2), pothuaj sa komuna e Zveçanit (mbi 122 km2), pak ma e vogël se komuna e Shtimjes (134 km2). E, krahasue me botën është ma e madhe se e pesë shteteve të pavarura në Europë e Oqeani të marra sëbashku: Vatikani, Monako, Nauru, Tuvalu, San Marino.

Enver Hoxhaj – ish ministër i Jashtëm e kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme deklaroi me rrenacaki se Malit të Zi nuk i jepet asnjë metër tokë (!) Ndërkohë: “Vijesti” citon burime të qeverisë malazeze në Podgoricë: “lokacionet në Kullë afër Rozhjës dhe në Grykën e Rugovës poshtë Çakorrit ku ndodhen stanet e shqiptarëve, sipas Marrëveshjes do të mbeten brenda territorit të Malit të Zi”(!) Po aty, kjo gazetë malazeze, shkruan dhe për protestat e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për caktimin e kufinit, Deputeti elitar i PDK në Pejë, Ramiz Kelmendi, me biznese fuqiplote në brigjet e Drinit, Limit e Moraçës, më 14 mars 2015 në TV Dukagjini e ngriti me shqetësim të madh çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Ish ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, disa herë, prej shtatorit 2010 në Pejë, ka folë me shifra e fakte për cënimin e interesave të Kosovës në kufinin me Malin e Zi. Ali Lajçi pjestar i Komisionit të Kosovës për Shenjimin e Kufinit me Malin e Zi dhe prijtar i protestave të gushtit 2015 kunder caktimit të Kufinit, e quan Demarkacionin “politikë jokombëtare e vagabondëve në qeveri”. Komunat në Rrafshin e Dukagjinit, që preken nga avancimi i kufinit malazez deri edhe në 5 km në tokën e Kosovës, e kanë institucionalizue qëndrimin e tyre, si komuna e Pejës me mbledhje të jashtëzakonshme të Asamblesë së saj (13 mars 2015), po dhe komunat e Junikut, Deçanit e Istogut. Banorët e tyre, të brezit kufitar, kanë folë me revoltë në televizione e gazeta deri dhe për “gjakderdhje”, etj.
Principata e Malit të Zi kryehere kishte vetëm 1.500 km2 në katër katunde. Tani ka 13.812 km2 tokë, ku mbi dy të tretat e saj janë tokë etnike shqiptare që na i ka marrë në dy shekujt e kaluar. A thue o Hashim Thaçi edhe në shek, XXI jemi të dënuar nga Historia, nga Europa, nga Zotnia e Jote, për me ia dhanë dhe 120 km2 të tjera nga toka e shtetit të ri të Kosovës?!!
“Mali i Zi ishte pika e avancuar e marshimit sllav…Mali i Zi e kishte dyfishuar, trefishuar sipërfaqen e tij, kishte kaluar me një të rënë të lapsit nga 4.405 në 15.355 km2 në dëm…të Shqipërisë… Ne po e sabotonim, po e qethnim territorin e Shqiperisë në dobi të Malit të Zi dhe Shqipëria ishte pa mbrojtje.”- shprehej diplomati D’estornelles de Constand, Senator francez, Nobelist i Paqes (1909), Sekretar i Caktimit të Kufijve mes Shqipërisë e Malit të Zi (1879-1880). Ai u pendua se veproi asokohe si i thanë Fuqitë e Mëdha, sipas Marrëveshjes së Europës me Turqinë në dam të Shqipërisë. Ai, tevona, deklaroi botnisht: “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë; unë do t’ia paguaj këtë borxh të rinisë…”. Dhe ky diplomat i huaj u ba një nga miqtë e mëdhenj të Shqipërisë deri në fund të jetës së tij, kreu shërbime të çmuara për Shqipërinë. E shleu borxhin e tij.

O Hashim Thaçi, ende nuk e dijmë: çka të ka thanë në vesh Europa e Bashkuar, për Marrëveshjen për Demarkacionin Kosovë-Mali i Zi. Sa je i kushtëzuar nga (mos)penaliteti në Gjykatën Speciale të Kosovës?! Sa ka lidhje kjo firmë e juaja me zgjedhjen tuaj President i Kosovës?! Etj. Gjithashtu, nuk e dijmë se cili është roli i bashkëfirmëtarit të Demarkacionit, të Igor Lukiç, ministrit të Jashtëm të Malit të Zi, ideatorit e promotorrit të një Federate Pansllave në Ballkanin Perëndimor, ku don të përfshijnë dhe Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Bosnje-Hercegovinën?!
Diçka po due me të dvet: Sa është sipërfaqja reale e shtetit të ri të Kosovës? S’muj e thue se do të çohej shqiptarët patriotë të Kosovës (ndoshta tue iu prirë dhe sekti politik i Vetëvendosjes) e do të gjuanin selinë tande e të Qeverisë tande me gurë nga varret e martirëve të Kosovës dardane në shekuj, nga gurët e kufinit…Veç një fakt po ta përmendi botnisht: sipërfaqja e Manastirit të Deçanit (tashti si pjesë Metohie e copë Serbie – ku dhe ti kryediplomat i Kosovës pranohesh veç me leje-hyrje) është ma e madhe se shteti i vogël i Monakos (!) A mundesh me i kallxue popullit të Kosovës se pas faljes zyrtare të 120 km2 për Malin e Zi sa do të jetë sipërfaqja reale e shtetit të Kosovës?! Kjo Marrëveshje e Vjenës, e 27 gushtit 2015, bie erë tradhtie kombëtare, do të gjykohesh nga Historia…, prandaj ndale dorën në hedhjen e kësaj firme o Hashim Thaçi?!

Tiranë, 25 gusht 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: NDALE DORËN, O HASHIM THAÇI?!, Ramiz Lushaj

IA MBAJNË LART EMRIN BABËS E FISIT TË VET

August 3, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Erdhi me qeshje dritë. me energji rinore. U ul aty, në atë tavolinë skej Rrugës së Dibrës në Tiranë. Më befasoi qyshce në takimin e parë. Ai e donte një pemë gjeanologjike të fisit të tij të Ponarëve në rrethin e Tropojës. E për ma tepër për dhjetë ditë kohë: në “Të dyzetat” e babës së tij, Kadri Qerim Ponari – një njeri i fismë që ndrroi jetë ende i ri, i mbajtun, i fortë.
Kreshniki ishte i qartë, i vendosur, aktiv, pasionant e korrekt në nismën e tij. Djalë 31 vjeçar, i pashëm, i ditun, i shetitun. Prej vitesh jeton, punon e veprimtaron në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër. Ai donte me i njohë brezat e vet Ponari me rrënjë e degë, nga ma i pari i fisit Leka e dekterit tek djali i tij, Ayrtoni i vogël, i bukur e i lumtur. E, çka është ma e veçanta: e donte një njohje të tillë brezash: vertikalisht dhe horizontalisht, me degëzime për çdo derë e individ të fisit të Ponarëve, deri në dekadën e dytë të shek. XXI. Ai dëshironte mos me e harrue kërrkend: as ata që për arsyena të ndryshme nuk kanë lanë trashëgimtarë.
E, tjetra, ma e pazakonta: Kreshniki donte me i pasë degë breznie jo vetëm në linjën e gjakut, po edhe të tamlit (qumështit). Pra, dhe bijat e Ponarëve, me nipa e mbesa, me stërnipa e stërmbesa. Kjo nuk ka ngjarë në traditën etno-historike të Veriut. Po kjo ndodhi tek Kreshniki: ai në degëzimet Halilukaj (Qerim Q. Zenunit, Halit Q. Zenunit, Arif H. Bajramit, Azem Sh. Bajramit…), Hysenukaj, Metibraj, etj. i paraqiti dhe bijat e Ponarëve me brezni të tyne. Kjo tregon kulturën e tij qytetare, emancipimin e tij bashkëkohor. Një tjetër qasje të tij ndaj etno-historisë së fisit e të kohës.

2.
Aty, në krye të saj, e kisha futë një thanie: “Ponarët janë fisi më i vjetër në Malësinë e Gjakovës”. Menjëherë Kreshniki më dveti: a është e vërtetë kjo?! Kur i shpjegova se Krasniqja (dhe fisi Nikaj), Gashi e Bytyçi kur erdhën në brigje të Valbonës, në Lugun e Malësisë, i gjetën aty Ponarët e, përndryshe: prej atyhit u shpërndanë në vendbanimet e sotme të Tropojës, etj. ai u ndje ma i qetë, krejt i sigurtë. Ai donte që çdo fjalë për fisin e tij të ishte fakt, realitet, pa shtesa e nënkuptime. Ai nuk donte asgja të tepërt, të pa merituar e të pa faktuar, për fisin e tij.
Kjo anë e personalitetit të Kreshnik Kadri Qerimit të Ponarëve ishte një tjetër gëzim që më dha njohja me të, si një djalë i kohës, i të ardhmes.

Njohja me Kreshnikin ishte e rekomanduar për mirë nga daja i tij, Besnik Bajraktari, një nga djemtë ma inteligjentë jo vetëm të Tropojës, një jurist i zoti që ka marrë pjesë dhe në kongrese ndërkombëtare, një shahist i rrallë që luajtur dhe me Garry Kasparov – ma i madhi mjeshtër i shahut në të gjitha kohërat. Pra, Kreshniki e ka nanën e tij të shenjtë bash nga dera fisnike e bajraktarit të Shipshanit: e Din Bajram Bajraktarit, e Bekë Din Bajraktarit, e Tahir Bekë Bajraktarit, e Sali Tahir Bajraktarit, të cilët ishin në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, në Lidhjen e Pejës, në Kryengritjet e Mëdha të Veriut, në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë. Duket se dhe Kreshniki, ky ponaras i fort i veçantë, ka marrë shumçka dhe nga genet e dajëve të vet. E, për të dyja, le të ndihet krenar i përjetshëm: edhe si djalë ponaras, edhe si nip i derës së Bajraktarit të Shipshanit.

Takimi ma i fundit me Kreshnikun ishte tek fillesa e “Tregut Çam”, kah rruga “Myslym Shyri”, tek një repart pune i specializuar për korniza të llojeve të ndryshme. Aty i kishte përgadit dy korniza me përmasa 60 cm x 80 cm, në të cilat kishte vendos skemën (pemën gjeanologjike) të fisit të Ponarëve. Iu kishte vnue dhe kambalec mbajtës, pasi dy kornizat si ekspoze do t’i vendoste në dy anët e hyrjes në lokalin në Tropojë, ku do të kryenin “Të Dyzetat” për babën e tyne Kadri Qerim Ponari, njeriut emërmirë, shpirtpastër, dinjitar në brezni. Atë ditë, në atë sallë, për kulla e brezni ponarase do të shpërndanin si dhuratë dhe 40 skema (pemë gjeanologjike) të tilla, si nderim, si homazh, si mesazh. Ky ishte një akt tejet i veçantë, që nuk e kam parë në asnjë rast tjetër në jetën time, në brezat tanë, në kohën tonë.

3.
Kastriot Ponari, ma i madhi ndër tre djemtë e Kadri Qerim Ponarit është biznesmen i mbarë, i punës, i fjalës. Është humanist, njerëzor, shoqëror. Me fitime të firmës së tij “Kassel Albania”, me kursimet e tij familjare, ka pak kohë që po punon për hapjen e një rruge 1.9 km të gjatë, 6 metra të gjanë, me standarde të nivelit të lartë: me kanalazime, tubacione të mëdha, etj. Kjo rrugë humaniteti, amaneti, hyjnore niston nga kulla e Qerimit e të çon për tek Varrezat e Ponarëve në Dushaj të Epërm po ecë drejt përfundimit. Në të vërtetë ka qënë një nismë e vet Kadri Qerim Ponarit, ndaj është me vend të mbajnë dhe emrin e tij.

Ai e ka dhe dy sipërmarrje: Pastrimin e Gështenjave të Ponarëve dhe me i hapë pesë puse për ujë në truallin e fshatit të vet, tek Ponarët. Në këtë vendbanim skej Drinit e Valbonës dhe veprës energjitike të Fierzës, ka legjenda e realitete për një kishë katolike të moçme të Dioqezës së Pultit dhe për ujin që vinte prej matanë Drinit, që u shterrë në një kohë, etj.

Kadri Qerim Ponari i ka lanë pesë fëmijë: dy çika e tre djemë. Ma e madhja Majlinda (me dy fëmijë Igli e Erisi). Pastaj vjen Mimoza. I treti është Kastrioti, babë i ri, me katër fëmijë: Kersli, Esteri, Haidi, Klestli. I katërti është Kasmeti, i martuar, e ka një djalë: Rigelsin. Kreshniki është ma i vogli, dhe ky me një djalë: Ayrtonin. E paçin njani-tjetrin kaq mirësisht, si deri më sot. I pastë gjithmonë kaq dinjitarë edhe dera e vet, nana e vet fisnike, fisi i vet emblematik, koha jonë shqiptare
E, me e lidh fillin aty ku e lame, themi se këto nisma si kjo për Skemën (gjeanologjia), Rrugën e re për tek Varrezat e Ponarëve, pesë puset në Dushaj të Epërm, pastrimi i Gështenjave të Ponarëve, e kanë një të veçantë: Ato po marrin udhë e disa sish kryhen për “Të Dyzetat” e babës së tyne, Kadri Qerim Ponari. Si rrallëherë e rrallëkund pesë fëmijët, veçmas Kastrioti e Kreshniku, i kanë ba të tillë homazh nderimi babës së vet në një kohë përkujtimore kaq të afërt: në 40 ditë, e medoemos ndonjë merr ma shumë kohë. I rëndësishëm është humanizmi, mesazhi i tyre.
Kastriot Ponari në faqen e tij në FB e cilëson Rrugën “një nismë e babit” dhe na e jep krejt motivin e humanitetin e ndërtimit e përfundimit të saj: ‘Shkoftë për shpirtin tënd, babi”! Kjo është një arsye tjetër ma shumë që të vlerësohet nga Bashkia e Tropojës emri i Kadri Qerim Ponarit, nisma e tij, këto kontribute humanitare të djemëve të rinj të fisit të moçëm të Ponarëve.

Filed Under: ESSE Tagged With: BABËS, E FISIT TË VET, IA MBAJNË LART EMRIN, Ramiz Lushaj

DEMARKACIONI: NJI LUFTË E RE KOSOVË-MALI I ZI ?!

July 11, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Pashallarët e shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi e Co, kanë pesë vjet (2011-2015) në 16 bisedime ndërkufitare me Malin e Zi për caktimin e vijës të Demarkacionit në mes dy vendeve fqinjë, sipas kushteve të paracaktuara nga Bashkimi Europian.
Kjo histori aktuale më kujtoi kohën e hershme të guvernatorit otoman të Pejës, mytaserif Ali Pashë Gucia që pas Memorandumit të Stambollit të 12 prillit 1880 midis Perandorisë Otomane e Principatës të Malit të Zi duhej të ishte kryesues i caktimit të vijës së kufinit. Faktikisht puna në terren nisi me vonesa e pengesa: vetëm në pranverë 1882 dhe zgjati pesë vjet, deri në verë 1887.
Dy shembuj krejt të ngjashëm. Paralele në kohë të ndryshme.
Si atëherit edhe sot, të tjerët po na vnojnë kushte të randa në dam të kombit shqiptar, tue na i marrë hjekësisht e padrejtësisht tokat tona etnike ardhacakët sllavë.
2.Ali Beg Gucia, një nga personalitetet piedestal të historisë tonë kombëtare shqiptare, iu prini luftënave të mëdha në mbrojtje të territoreve të Plavë-Gucisë me rrethina, si ato më 1854 kundër kryengritësve të Vasojeviçit, ato më 1861 dhe më 1876-1878, të cilat kulmojnë me dy betejat në “Lufta e Ultinës së Epërme të Limit” (dhjetor 1879 – janar 1880) që ishte Parathënia e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorën e 1912-tës.
E, të madhit Ali Beg Gucia, i erdhi koha e vështirë për me e “zvogëlue” vetveten tek çështja e caktimit të “kufinit të lodhshëm” me Malin e Zi. Ai përpiqej atdhetarisht të ruante sa ma shumë territore nga krahina e Plavë-Gucisë, etj., pavarësisht nga presionet nga Stambolli e Çetina, nga përfaqësitë e huaja në Prizren, Shkodër e Çetinë. Kjo, ndër të tjera, dhe për dy arsye: E para: kishte prona të vetat në këtë krahinë etnike shqiptare, të cilat ia punonin çipçinjtë e krishterë (Ah, çka i bane me ta asimilimit të kësaj krahine, o Ali Beg i kazasë së Gucisë!!!). Mali i Zi i premtonte se do t’ia ruante pronësinë pronave të tij, do t’ia jepte të ardhurat nga çifligjet, etj., po ai nuk i besonte krajl Nikollës e Co. E dyta arsye: kishte përkrahje dhe nga krejt populli i sanxhakut të Pejës, ku përfshihej dhe Rugova, dhe Plavë-Gucia, etj.
Sulltan Abdulhamid II e kishte mik personal Ali Begun e Gucisë, të cilin e bani mytesarif të sanxhakut të Pejës, i dha titullin “Pashë”, e thirri disa herë tek Porta e Lartë në Stamboll, etj. Në dokumenta diplomatike të huaja shkruhet: “Sulltani e mbloi Ali Pashën me të mira, vetëm e vetëm që t’ia lehtësonte këtë përcaktim të lodhshëm kufijsh” me Malin e Zi. Njëherash, nga ana tjetër, Sulltani, tue fillue prej vitit 1883, e kishte mik fort të afërt dhe Krajl Nikollën e Malit të Zi, të cilit i bani mjaft lëshime tue i dhanë kohë pas kohe toka etnike shqiptare.
Ma në fund u thye Ali Pashë Gucia. Në gusht 1887 u caktue vija e kufinit me Malin e Zi. U damtuen interesat kombëtare shqiptare në këto treva të Shqipërisë së Veriut.
3.Disa muaj ma vonë, më 29 nëntor 1887 thuhet se një i rugovas e vrau Ali Pashë Gucinë E qëlloi me plumba në mes të qytetit të Pejës, në kryeqëndren e Sanxhakut.
Ndoshta i rugovasi ishte i shtyrë drejt kësaj vrasjeje tragjike, të pabesë, antikombëtare. Ndoshta ishte hakmarrje padrejtësie vetjake ndaj tij…Sidoqoftë. diplomati austro-hungarez, Theodor Ippen, konsull i Përgjithshëm në Shkodër (1884, 1896-1903), referent politik i Komandës A-H në Plevlje të Sanxhakut (1885-1887), ministër i Jashtëm (1920), në një vepër të tij historike të shkruar për Shqipërinë e të botuar në Sarajevë (1901-1902), flet për vrasjen e Ali Pashë Gucisë. Ai dokumenton se “atentati ndodhi për shkak të pakënaqësisë së fisit të Rugovës, i cili humbte me caktimin e kufirit të ri disa kullota, të cilat i kaluan Malit të Zi”.
Krimi ndaj jetës së tjetrit gjithmonë duhet ndëshkue, veçanërisht kur kemi të bajmë me figura të tilla panshqiptare. Po, Ali Pashë Gucia, në vitet e fundit të jetës së tij filloi ka e tepron pa cak me sjelljet e vendimmarrjet e tij, shpesh arbitrare, ka’i’herë dhe me frymë e akte antikombëtare. Shqiptarët, veçmas pas caktimit të kufinit me Malin e Zi, patën fillue ka e etiketojnë e thërrasin si “tradhtar”. Ndoshta kjo vrasje e poshtër ndikoi që t’ia shlyente sadopak damkën si “tradhtar”, pasi pati një vdekje si martir i kombit të vet.
4.Tashti jemi para një situate të re, pothuaj krejt të ngjashme me atë të vitit 1887.
Prapë Mali i Zi po don’ me marrë toka etnike shqiptare me të ashtuquajturin “Demarkacion”, ku në qarkoren Çakorr-Mokën-Kullë, humbin mijëra hektarë tokë etnike të shtetit të ri të Kosovës. Në vijën kufitare Kullë ka mbi pesë kilometra hyrje malazeze brenda territorit të Kosovës.
Ali Lajçi, një nga të “plotfuqishmit” për Demarkacionin Kosovë-Mali i Zi, ka deklarue së fundit (maj 2015) se shteti i Kosovës e qytetarët e saj damtohen me rreth 12 mijë hektarë. Përndryshe: 120 km2, nga të cilët 70 km2 në pjesën e Rugovës dhe 50 km2 në atë të Podgurit e vendkalimin kufitar Zhlep…
E përllogaritur, me krahasime, del se Mali i Zi don t’i marrin Kosovës një sipërfaqe pothuaj sa katër herë qyteti i Tiranës metropolitane ( 31 km2 x 4 = 124 km2) apo dy herë ma e madhe se shteti San Marino (61 km2 x 2 = 122 km2), etj.
Sipërfaqja nuk është e vogël. Rreziku i tradhtisë kombëtare shqiptare në Pejë me rrethina është i madh, tepër i madh. Ndaj kjo tradhti duhet ndalur dhe në fjalorin e politikanëve dhe në terrenin konkret të Demarkacionit me Malin e Zi.
Kjo tradhëti nuk është e para dhe as e fundit që i bahet Kosovës nga politikanët e mëdhenj të saj, nga ata politikanë që i solli Lufta e UÇK-së apo prodhoi Paqja e EULEX-it. Mjafton të kujtojmë një fakt: sa km2 sipërfaqe i marrin Kosovës së pavarur Patriakana e Pejës, Manastiri i Deçanit, Manastiri i Graçanicës, etj. Janë plot 27 të tillë e disa sish dhe në mbrojtje ndërkombëtare nga UNESCO, e në ruajtje nga KFOR, etj. Vetëm Manastiri i Deçanit ka 50 ha sipërfaqen e tij territoriale dhe mbetet i pakënaqun pasi kërkon 700 ha sikur i kishte më 1946 në Jugosllavinë e Titos e për ma keq nuk lejon me kalue as rruga ndërkombëtare Deçan-Plavë nëpër juridiksionin e saj. Çështje pronësore ka dhe Demarkacioni i Kosovës me Maqedoninë, si në vijën kufitare të komunës Viti me mbi 17 ha, etj. Shembuj të tilla janë gjithata. Çka po bahet me Mitrovicën me rrethina?!…Me i mbledhë me nji aritmetikë të thjeshtë të gjitha tokat që Kosova i ka dhanë me e padashje për të tjerët, për fqinjët e vet sllavë, atëherit kish me u çue populli shqiptar i Kosovës e me i ndjekë nga zyrat e shtetit me hy të çamë, etj. Dhe e kanë pak këtë ndëshkim popullor. Toka është e shenjtë. Japonezët e kanë një thanie të veten: Tokë më fal që të shkel me kambë!
Demarkacioni me Principatën e Malit të Zi më 1887 thuhet se i hangri kryet Ali Pashë Gucisë, njeriut që bani aq shumë për kombin e vet në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Nga gadishulli gjeopolitik i Ballkanit filloi Lufta e Parë Botërore (1914-1918).
Çështja shtrohet qartë, ballas: klasa politike e Kosovës dhe e Malit të Zi me vijën e kufirit midis tyre po e çojnë Ballkanin drejt një lufte të re, pas asaj të Parës e të Dytës nga krajlitë sllave, pas kësaj të fundit nga Millosheviçi.
Diplomacia, Politika, Tradita…duhet me pasë kujdes që të mos krisin pushka e Rugovës për pronat e veta… Rugova duket e vogël në hapësirë territoriale etno-historike, po pushkën e ka të madhe.
Zgjatjet e proçeseve të tilla mbartin pabesi, po ne, shqiptarët e Kosovës e të Ballkanit kurrkujt nuk jena ka i lypim besë, veçse po kërkojmë drejtësi. Demokracia kërkon Drejtësi për Demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi. Të gjithë e kemi në dorë ta ndalim Luftën e pritshme në emër të Paqes të sotme e të nesërme.

Filed Under: Analiza Tagged With: demarkacioni i kufirit, Kosove-Mal i Zi, Ramiz Lushaj

BOHEMA E “SENATORIT” DEMOKRAT BAHRI HOXHA

June 29, 2015 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/Bahri Haki Hoxha është një nga senatorët e PD në Durrës e në Shqipëri. Nr. 3 e mban libreza e antarësisë së tij në PD-në e Durrësit. Ndër të parët: prej 24 dhjetorit 1990.  Kësokohe ke antarësue dhe nipi i tij, Flamur Lufti Hoxha, me të cilin më 25 dhjetor, ende pa u krijue dega e PD në Durrës, e themeluan seksionin e PD në Bisht-Pallë (Porto-Romano), pasi në këtë vendbanim e kishin qëndrimin e fundit në internimin 14-vjeçar. I kishin sjellë aty nga Kukësi i Dy Drinave, pasi rregjimi i enveriadës e shënjestroi këtë derë të fisme nga Bicajt e Lumës, nga e cila kanë dalë burra të përmendun ndër kohëna si mulla Idriz Tahiri, Haki Hoxha, Lufti Hoxha, Fadil Hoxha, Bahri Hoxha,…e deri tek i sotmi, Flamur Lufti Hoxha.     Ishte 5 janari i vitit 1991. Bahri Hoxha me të vetët, demokratë të vjetër e të rinj, ndër ta dhe Arben Çejku (tevona, ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë e në Maqedoni) organizuan në Katundin e Ri në Durrës të parin miting antikomunist në zonat rurale në Shqipëri.

   Krejt jeta e Bahri Hoxhës është demokraci shumëdimensionale: demokraci e traditës genetike familjare, demokraci e punës, demokraci e vlerave, demokraci e mbijetesës e qëndresës…Në çerek shekullin e fundit, pas Dhjetorit ’90, përjetoi Demokracinë si sistem, si regjim, si realitet. Ishte luftëtar i saj e mbetet veprimtar i saj. Prej fillimit e deri kah viti ’98 ishte në strukturat e PD, i seksionit të organizmit në degën e PD të rrethit të Durrësit. Atëherë kapërceu detin Adriatik e shkoi në Firence të Italisë. Atje rrinë familjarisht prej atëherit e dektri më sot. Emigrant i thonë. Si shqiptar i madh njihet.  Kombi është zemra e tij, palca e tij, krejt venat e indet e tij. Demokracia është oksigjeni i tij, frymëmarrja e tij. Bahri Hoxha me përkushtimet e sakrificat e tij, me bohemën e tij, është një nga imazhet e demokracisë së re shqiptare.
      Sivjet, si përhera, prej nga maji 2015 erdhi nga Firence e Italisë në Shqipëri. Kahmos: nga Tirana në Kukës, nga Mallakastra në Durrës, Shkodër…
 Atje në Kukës është nismëtari kryesor i ngritjes së një Shtatoreje për poetin disident Havzi Nela, i fundit martir i fjalës së lirë i dënuar me varje nga rregjimi komunist në krejt Europën Lindore. Kësaj vere, ndoshta deri kah vjeshta, kur të nisin mirëfilli punë bashkia e re në Kukës ka me fillue dhe puna e ngritjes së shtatores, nga vendimmarrja, vendngritja, mbledhja e fondeve, etj.
 Bahri Hoxha ishte një nga “senatorët” e fushatës të Grida Dumës në bashkinë e re të Durrësit. Ai, vullnetarisht, me zërin e ndërgjegjes e përkushtimin demokrat, me përvojën e tij të madhe në fushata e me devotshmëri në fitore punoi në Ishëm e Manëz, në Perlat e Hamallaj, për fitoren e Grida Dumës. Shumkush nga deputetë, veteranë të PD ndër vite, veprimtarë të PD që gëzuan poste e funksione shtetërore në qeverisjen e PD, iu shmangën fushatës ballore për Grida Dumën, nuk punuan me strukturat në bazë, nuk shkuan deri tek votuesi ma i thjeshtë e ma i largët. Kjo nuk ndodhi me veprimtarin fisnik Bahri Hoxha, njeri besnik i idealeve të tij demokratike, i pakthyeshëm e i pathyeshëm në rrugën e tij demokratike.
 Gjatë muajve maj-qershor 2015 Bahri Hoxha iu përkushtua fushatës elektorale të demokratëve edhe në Kukës-vendlindjen e tij, në Tiranë,  në Shkodër. Ai bani fushatë të mirë dhe për Grida Dumën, dhe për Halim Kosovën, dhe për Voltana Ademin, dhe për Bashkim Shehun.
 Shumkush flet për mijëra vota të siguruara prej punës së tij elektorale, nga njohjet e tij të vjetra e të reja, nga përvoja e tij në gjithato fushata elektorale në Durrës, nga shembulli i tij si “senator”i PD-së, nga përkushtimet e tij. Mbi 2.000 vota i ka sigurue në këtë elektorialë për Zgjedhjet Vendore, më thotë dikush. Ndoshta dhe mbi 3.000 vota, shton një tjetër. Po, sidoqoftë nuk kanë randësi shifrat, pavarësisht se vendosin për fitoren, po shembulli i tij i veçantë që të çon gjithmonë drejt fitores elektorale. Në se do të kishim ma shumë Bahri Hoxha në Elektoriadën 2015 atëherit do të kishim dhe ma shumë kryebashkiakë fitues. Edhe në Tiranë. Edhe në Durrës. Gjithandej. Edhe të majtët në pushtet po të kishin në përballje elektorale sa ma shumë Bahri Hoxha do të kishim ma pak vota të vjedhura prej tyre.
 “Senatori’ demokrat, 65 vjeçari Bahri Hoxha, qytetar i Kukësit, Durrësit e Firencës, qytetar i lirë i botës, demokrat i kohës,  ban një apel panshqiptar, partiak, qytetar: Të gjithë demokratët duhet të mbështesim kryetarin e ri të PD Lulzim Basha për një fitore të demokratëve në Zgjedhjet Parlamentare 2017!

Filed Under: ESSE Tagged With: BAHRI HOXHA, BOHEMA E “SENATORIT”, demokrat, Ramiz Lushaj

JOZI,Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e Lulzim Bashes

June 28, 2015 by dgreca

*Në koftë se Shkodra i dha mijera vota veç prej jush e veç nga puna jote,Voltana Ademit , atëherit po, i duhet demokracisë me ta ngritë për së gjallit një shtatore në mes Shkodres si Isa Boletinit e Prek Calit./
*JOZEFINA, Zgjedhjet Vendore 2015 nuk janë të Lulzim Bashës.Patjetër, Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e tij, do të jenë fitore e tij…/
Ne Foto:Voltana Ademi, fituesja e Shkodres/
Opinion nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Jozi, edhe kësaj here, pothuaj nga gjithkush e gjithkund, paradihej se në Shkodër do të fitonte për të shtatën herë PD. Veç dy gjana nuk diheshin kaq fort: fitorja e Voltana Ademit me pesë shifra dhe vetmburrja e jote bio-politike me frymë ezopike e imazh prej hijene, tue nxjerrë brirët e djallit nga kulisat e politikës së kaherit e të ditës. Në koftë se Shkodra i dha mijera vota veç prej jush e veç nga puna jote atëherit po i duhet demokracisë me ta ngritë për së gjallit një shtatore në mes Shkodres si Isa Boletinit e Prek Calit.
 Ju si politikane kariere keni pasë fat që keni lind e jeni rritë në Shkodrën e demokracisë, po çfatkeqësi kena ne të tjerët me t’i ndie deri në masmedia orakull e profeci politike tuajat si një veterane e demokracisë. Ndërkohë, mendoj se duhet t’i leni brezin e ri të kontribuojnë jo vetëm me idealizëm në fushata, por edhe në drejtimin vizionar të PD… 
Ju, Jozi (Zhozi) ato mend që kishit në politikë dhe për politikën i dhatë deri në kulmime si nënkryetare e PD e nënkryetare e mbasandejna kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ato që të kanë mbetë mbaji ma fort për veten tande për me i shpreh në vendin e duhur, në kohën e duhur, në mënyren e duhur. 
E, përndryshe: mbaje veten burrneshë!
 2.Jozi, sa mirë të kanë urue deri në pasmesnatë të rinj e të reja të Shkodrës të demokracisë e të qytetërimit antik e modern, po qysh nuk gjete një fjalë, nuk pate pak kohë, me i gjend nga afër apo larg në krah fushate Grida Dumes në Durrës. Se mos ishin shumë. Dy kandidate, në këto dy bashki të mëdha: njana në Shkodër e tjetra në Durrës.
 3.Sivjet, në Vendoret 2015, PD në opozitë, mori 14.310 vota ma pak se në Vendoret 2011 kur PD ishte fuqishëm në pushtet dhe asokohe kur Basha u zgjodh kryebashkiak i metropolit shqiptar – Tiranës.
 Në vitin 2015, krahasue me Vendoret 2007, PD mori 44.935 vota ma shumë. Një përllogaritje e shpejt: mbi tre herë ma shumë vota se në Vendoret 2011. Nuk janë pak, tue ditur se kësokohe PD ishte në kulmin e forcave e energjive të veta në shekullin e ri, XXI.
Pra, nuk është nevoja të ballafaqohemi me vitin pluralist 1991, kur kemi shembuj krahasues ma të afërt: më 2007 e më 2011.
 4.Jozi, pa shkue në vitin 1991 ndalu pak në Vendoret 1996 kur PD në pushtet  mori 741.682 vota gjithsej. Një lartësi elektorale. Pikërisht në këtë vit ju u zgjodhët deputete e PD në rrethin e Shkodrës. Menjëherë, më 1997, u zgjodhët dhe nënkryetare e PD e, njëherash, nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë. 
 Në Zgjedhjet Vendore 2011 PD mori 330.950 vota gjithsejt. Në 15 vite u përgjysmue vota e PD. Një rënie e thellë. E pazakontë. E papërseritshme.
Kjo më përnget me atë historinë e “e plakës në mulli”, e cila “i poqi tre kuleçë në hi”.
 Ju, Jozi, ishit përseri nënkryetare e PD e kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, ndaj kjo rënie ishte e mbetet dhe përgjegjësi e juaja. Sikurse dhe e nënkryetarit tjetër: Topit bajekeq ndaj partisë së tij. Sikurse dhe e  Bodes si sekretar i Përgjithshëm i PD.
 Kjo përgjegjësi elektorale mbetet edhe e kësaj treshes tuaj në krye të PD, sepse i mbajtët këto poste në opozitë e pozitë, në mbi 10-15 vite. Thue se ishit Angela Merkel apo Helmut Kohl?! 
 Si thoni ju, Jozi: a mundej Lulzim Basha ta ringrinte në fitore Partinë Demokratike në harkun kohor të dy viteve të zgjedhjes së tij kryetar i ri i PD?! Ai arriti mjaft: nuk e thelloi humbjen e vitit 2011, pasi sivjet, në Vendoret 2015, PD nuk ra nën 300 mijë votues. 
 Sigurisht, këto Zgjedhjet Vendore 2015 nuk janë të Lulzim Bashës.
Patjetër, Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017-tës do të mbajnë emrin e tij, do të jenë fitore e tij.
 5.
Jozi, të flasësh për fitore të PD e të Djathtës në Shkodër është si të thuash se dallandyshet, lulet…njoftojnë stinën e pranverës. 
 
Kjo për faktin e njohur: ndër të gjitha bashkitë e mëdha në qendra të 12 qarqeve të Shqipërisë (sipas një studimi politolog të Afrim Krasniqit) Shkodra është e vetmja që ka fituar shtatë herë në elektoriadat lokale. 
Ndryshe ka ndodh në qendrat e qarqeve të tjera. PD ka fituar vetëm tre herë në Tiranë (pas një dekade me humbje fitoi dhe Basha 2011-2015), nga tre herë në Elbasan e në Korçë,nga dy herë në Durrës e në Vlorë, etj. 
Vërtet Shkodra është një shembull i veçantë në Shqipëri, model për PD, po nuk është i vetëm. Nuk mbetet i vetmi. PD ka fituar dhe në Kamëz (bashkia e katërt në vend), në Lezhë e në Vorë, në Pogradec e në Kukës, në Përmet e Mat, në Tropojë e Selenicë, etj. 
 
Ju, Jozi, në disa mandate ish nënkryetare e PD, ish nënkryetare e kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, si e deleguar (ngarkuar) e përhershme e PD në Shkodër e Qarkun e saj, nuk mund të flitni vetëm për fitoren në bashkinë e re të qytetit të Shkodres me dhjetë ish-komuna përrreth, po dhe për fitoren e PD (kryebashkiak e këshill bashkiak) në Vaun e Dejës. Sado pak mund të ndjeni përgjegjësi dhe për humbjen e PD në bashkitë e reja Pukë, Malësi e Madhe e Fushë-Arrëz. 
 
Në përmbyllje, fitorja meritore e madhore e Shkodrës, si për kryebashkiak e për këshill bashkiak, si gjithçka tjetër, i përket vet Shkodrës, vet Demokracisë Shqiptare.
Kjo fitore e mirëpritur e dinjitare nuk ka sepse të pronësohet dhe as të fronëzohet nga askush. Aq ma tepër të hyjnizohet. Aq ma keq me këtë fitore të shtantazhohet politikisht brenda në parti apo në opinionin publik shqiptar.
 
 Natyrisht, kjo nuk duhet të ndodhin as nga ju, Jozi me kontribute e atribute në demokracine shqiptare. E themi këtë, pasi akte e veprime të tilla Jozi të çojnë drejt asaj që t’i ngjasësh një grifshe politike…
 
 
 
Ramiz LUSHAJ
 
 
Tiranë, 28 qershor 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Jozefia Topalli, Ramiz Lushaj, shkodra, zgjedhjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT