Nga Ramiz LUSHAJ/
Lulzim Basha, si lider i ri euro-atlantik i të sotmes, nuk ra në kurthin e politikës aktuale superbizantine të mazhorancës Rama-Meta për një mandat të dytë si kryebashkiak i metropolit shqiptar. Jo se Lulzim Basha nuk do të fitonte, siç ka fitue për deputet i Tiranës më 2005 kur kryetar i shtabit elektoral kundër tij ishte Edi Rama, siç ka fitue në Elbasan si deputet e si qark më 2009 kundër Edi Ramës e Ilir Metës dhe siç fitoi më 2011 kundër Edi Ramës për kryetar bashkie i kryeqytetit. Po këta donin për ta tërhjek atë në një përballje sa ma kohëplotë e frontale elektorale në Tiranë, që ky të mos mundet me u marrë gjithësisht si lidership misionar me Elektoriadën Lokale 2015 në krye të PD-së e të koalicionit opozitar në të gjithë territorin e Shqipërisë, etj. A mos kujton ndokush se mazhoranca është e ngopur edhe sikur të humbin Opozita në kryeqytet apo dhe në shkallë vendi? Jo, more, jo. Këtyne, të dyve, Ramës dhe Metës në sulltanatin e mazhoranës, parasëgjithash e mbigjithçka iu duhet “koka” e Lulzim Bashës. Ky është sllogani i fshehtë i mazhorancës makbethiane drejt 21 qershorit 2015.
Në perspektivë: me lulëzimin e Lulzim Bashës si kryetar i Opozitës së sotme e kryeministër në ardhmëri të shpejtë, dyshja Rama e Meta veniten dhe vetëm veniten politikisht në Shqipëri e tek Ndërkombëtarët – Miqtë e Shqipërisë, përndryshe deri apo pas zgjedhjeve Parlamentare 2017 këta mbeten të pakohshëm në krye të vendit si dhe të partive të tyre, e partitë e tyne. PS dhe LSI do të kërkojnë që, pas Marrëveshjes së Prillit 2013 në Shkodër, të arrijnë (ndoshta) në bashkim aliazhor e me lider të ri bashkëkohor.
Aktualisht: dyshja Rama e Meta janë në krizë, në një krizë të papame prej nesh e të paprovueme e të pa përballueshme prej tyne. E kanë tejet të vështirë me e menaxhue e aq ma shumë me e tejkalue. Kriza e shumëfishtë ekonomike, financiare, politike e Shqipërisë. Kriza i ka kaplue kaherit e ngërçue me ngjarjet e fundit të parlamentarëve të vet, edhe këta dy liderat kryesorë të mazhorancës, në krye të vendit: kryeministrin e kryeparlamentarin. Ma saktë: kjo është Kriza e Moralit. Kriza e Besimit. Saktësisht: kjo është Kriza e Lidershipit të Mazhorancës. Në këtë krizë e kanë futë veten e tashti e kanë të vështirë me dalë prej oktapodit të saj. Ju duhet një shteg, një udhë, një “kurban” politik i shpejtë, i madh… E ky, sipas kthinave e kthetrave të tyne politike, është Lulzim Basha. E kjo po duket në deklaratat e shumta kërcenuese ndaj tij nga dy partitë politike në pushtet: PS dhe LSI.
Përpjekja e fundit e dyshes Rama-Meta është largimi nga skena politike e lidershipit Lulzim Basha, sepse po e shohin si një fuqi demokratike lidershipi në krye të PD-së. Një lidership me vizionin , frymën e imazhin e tij. Një lidership menaxher i mirë i politikës së ditës e të perspektivës. Një lidership që ndryshe nga Rama e Meta nuk ndrroi parti prejce nga Dhjetori ’90 kur ishte simpatizant i PD-së e deri më tani që është lideri i saj kryesor. Një lidership me përkrahje popullore të pazakontë në demonstratat e protestat paqësore të dy viteve të fundit. Një lidership që u rrit i tillë si lidership në vite e vende e struktura shtetërore të demokracinë euro-atlantike. Një lidership me profil e format ndër-kombëtar, që e don e kërkon e sotmja dhe e nesërmja shqiptare. Nëse do ikte Lulzim Basha nga drejtimi i PD-së e i Opozitës e do të vinte një tjetër lider tjetër i ri, atëherit dyshja Rama-Meta do ta kishin pushtetin ma jetëgjatë dhe kriza e shumëfishtë në Shqipëri do të ishte ma të madhe, sepse Krizen e tyne të Lidershipit si Maxhorancë do ta përcillnin tek Opozita.
Shprehje e Krizës aktuale të Lidershipit Rama-Meta është dhe përfshirja de facto në koalicionin elektoral për Zgjedhjet Vendore të PDIU me kontratën e fundmarsit 2015, të kullufitjes të asaj, Partisë të Frymës së Re Demokratike të një ish-presidenti qyshse në zgjedhjet lokale 2013 në bashkinë e Korçës, marrja në disa funksione zyrtare shtetërore e diplomatike të disa elementëve të njohur të së djathtës që i vihen në funksion me përulje lojës politike të së majtës, etj. Kjo ka dy anët e medaljes: edhe tregon fuqinë e lidershipit Lulzim Basha në përballje politike dhe pafuqi të mazhorancës për t’u përballur me kuazën e lidershipit Lulzim Basha, i cili e ka ankorue të sigurtë anijen e tij politike euro-atlantike jo larg brigjeve të detit politik me fuqi tek ndjekësit e simpatizantët e të djathtës, kurse mazhoranca e ka në lundrim të largët, në mes dallgëve të veta…, si këto të kohëve të fundit.
KJO ËSHTË EDHE KOHA E FLAMUR LUTFI HOXHËS
Shkruan:Ramiz Lushaj/
1.I riu bregdrinas, 23 vjeçari Flamur Lutfi Hoxha, i internuar politik në Porto-Romano, më 5 mars 1991, kah pesë e sydritës, në kërkim të ëndrrave, lirisë, ardhmërisë, u nis drejt Brindizit në Italinë fqinjë me anijen “Legend” të shtetit panamez të Amerikës Latine. Ajo kishte kapitenin grek. Ishte e tejmbushur plotepërplot me pesë mijë refugjatë politik shqiptarë e me tonelata çimento në trupin e saj lundrues. Ajo la mbrapa portin eksodal biblik të Durrësit, tue i dhanë nji goditje të madhe (ndër)kombëtare diktaturës komuniste në Shqipëri. Në dy ditë, në mbi 23 orë rrugëtim sfidë e mbijetesë të kësaj anije legjendare në det të hapur, e mbingarkuar me miliarda qeliza e valë shprese njerëzore shqiptare drejt Perëndimit, i fektuen dhe katër delfinë, dy helikopterë italianë… dhe foto të saj banë xhiron e botës, asokohe, në kapërcyell të dy shekujve, në harkun e tri dekadave të derisotme.
Atje, në Itali, ky refugjat politik shqiptar i përvujtun nga rregjimi komunist, Flamuri i qytetit të Kukësit të Dy Drinave ishte e mbeti Flamur në virtyte, vlera, vlerësime, visare. Ai e kishte marrë Atdheun me vete në zemër, sy… E lumturoi jetën e vet me të nesërme meritë e mirësi. Krahas traditës genetike familjare ndër breza, përgjatë dyviteve në mërgim tue punue e kontribue me inteligjencë e përkushtim të veçantë vetjak përfitoi një kulturë të lartë menaxhimi si biznesmen bashkëkohor. Ai la atje emër të mirë e mori me vete përvojë të madhe.
I riu çerekshekullor, dinjitari Flamur Lutfi Hoxha, tue e dit’ se Dheu i Huaj nuk të bahet Atdhe, tue e pa se Shqipëria kishte nevojë dhe për dijet, arritjet e kontributet e tij të shumanshme e të vazhdueshme, në vitin 1993 rikthehet me avion në Tiranë – metropolin shqiptar si nji biznesmen me të ardhme, si Administrator e, njiherash – aksioner, i një firme shqiptaro-italiane tek NPV 2 (sot – UET). Pastaj, tue i matë forcat e parë mundësitë doli me biznes më veti, me emën e mbiemën të tij, me kompaninë e tij të Veshjeve/fason “Kler” Sh.p.k. – që nuk është vetëm një eksportuese e prodhimeve të saj, po edhe një “ambasadore” përfaqësuese e vlerave e arritjeve të Shqipërisë të sotme euro-atlantike.
2.
Dera e njohur e Xhemë Bicit, me tri mëhalla pasardhëse në Bicaj të Kukësit: Mustafajt (mëhalla e Gurit), Osmanaj (Osmanit), Canaj (Hasanit), në rremin genetik prej tek Ali (Hoxha) Mata, sipas dokumentave të kohës, i rendohen 25 hoxhë në katër barqe të saj. Një prej tyre është dhe Mulla Idriz Tahiri – stërgjyshi i Flamur Lutfi Hoxhës. Ky fakt ua ngjiti në kohëna mbiemnin e sotëm – Hoxha.
Atdhetari Mulla Idrizi ishte njeri i ditun, hoxhë me shkollë. E thotë vet titulli i tij fetar “mulla”. Kjo i dha atij kulturë orientale, pasi Perandoria Otomane e Stambollit ishte një nga ma të mëdhatë e kohës, e cila në fazën e tretë të saj pati elementë të qytetërimit perëndimor.
Po Mulla Idrizi kishte dhe një dyqan në Bicaj, në kit’ vendbanim historik të Lumës e të Kukësit. Ishte tregtar i vaktit, i breznive të tij. Bante tregti jo vetëm me Prizren, Pejë, Gjakovë, Plavë-Guci, po edhe me Shkodër, Ulqin, Lezhë, etj. Lidhjet me Bregdetin Adriatik të Mesëm ia rritën ma shumë kulturën perëndimore atij e familjes së vet të gjanë. Ai kishte thue për tregëti, dinte me i mbath patkua asaj. Mujke me i ndejt tregëtisë në kambë e me i ecë në udhë. Ai mbeti njeri i mirë, i nderave e nderimeve të mëdha.
3.
Djali i tij, Haki Hoxha, i eci në ferkema. Edhe në atdhetari, në fe, në tregti. E kreu Medresenë. Punoi dhe në detyrën e “Mësuesit të Besimit” mysliman në shkollën e vendlindjes në Bicaj në vitet 1941-1942, sëbashku me Xhafer Korbin – kryemësues, Qamil Hoxhën (deri më 13 mars 1942 – kur u zëvendësue nga Rakip Domi i Topojanit) dhe Rifat Spahiun. Kjo shkollë u themelue me nismën e Hasan Prishtinës në vjeshtë 1914 dhe vjet, në 100 vjetorin e saj, u përmend për mirë edhe emni e puna e Haki Hoxhës.
Ky, i fismi, i ndritshmi, Haki Hoxha, ishte një patriot i mirë, me kulturë e veprimtari patriotike. Ai e njifte historinë e kombit, Eposin e Kreshnikëve, “Lahutën e Malcis” të Gjergj Fishtës, folklorin e krahinës… Ishte i dhanun pas librit e studimeve. Shpesh, në vite të Luftës së Dytë Botërore, ai vet dhe me shoqëninë e tij, në oda e kuvendime, e recitonte me pasion dhe “Hymnin e Flamurit” të Fishtës: “Mbi atë Flamur Perëndia / me dorë t’vet e ka shkrue: / për Shqiptarët do t’jetë Shqipnia / kush e prekt’ ai qoftë mallkue / Bini toskë e bini gegë / si dy rrfe që shkojnë t’u djegë…”/.
Ai, Haki Hoxha, u lidh dhe me LANÇl. në Bicaj qyshce në vitin 1943, i zgjedhur kryetar i këshillit nacionalçlirimtar për Lumen – me qendër në Bicaj. I kontribuoi aktivisht e lartësisht dhe rindërtimit të vendit pas luftës. Klani sllavo-komunist në Kukës, në atë kohë, në kundërshtim me Ligjin (pasi qënia kryetar i këshillit nacionalçlirimtar në kohë lufte ishte me status njëlloj si partizan dhe përjashtoheshin nga shërbimi ushtarak) e dergojnë ushtar në Jorgucat në Provokacionet e Gushtit ‘49 me Grekët, vetëm e vetëm për ta larguar nga Kukësi, me shumë shpresë se mos ngelej atje. Kjo për faktin se ishte potencialisht konkurent për organet e pushtetit. Deri më 1975 është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit të Shqipërisë shtatë herë me motive të ndryshme, pa qënë asnjëherë i organizuar në parti, ndaj pikërisht dhe për këto ai u ba i padëshirueshëm për klanin sllavo-komunist të Kukësit. Që nga viti 1945 iu turravën e cakatavën si gërryes e shkyes, ia vunë në shpinë Sigurimin famëkeq të Shtetit, ishin shumë xheloz ndaj tij, pasi ai, Haki Hoxha, njihej personalisht me disa figura kryesore të Qeverisë, të cilët në kohën e luftës kishin qëndruar në shtëpinë e tij në Bicaj. Për 30 vjet ky klan çfarë nuk sajoi për këtë njeri atdhetar e qytetar me kult e kulturë të lartë, siç ishin: intriga, shpifje, provokacione, deri sa më 1974 i mbushën një thes me akuza nga më të ndryshmet, duke prodhuar dëshmitarë, disa sish – njerëz me karakter të dobët, dhe arritën ta dënojnë atë me dënim kapital. Dëshmia e Penalitetit, e lëshuar nga organet e drejtësisë në kohën e Ramiz Alisë, shenjon:“Agjitacion e propogandë kundër Pushtetit Popullor dhe sabotim”(!)
Djali i tij, Lutfi Hoxha (babai i Flamurit), ndërvite, ishte në kërkim dinjitar, të pandalur, të paepur, për të drejtën e shkelur, prangosur e përgjakur ndaj të atit, Haki Hoxha.Ai u takua me personalitetet e drejtësisë si dhe me vet Ramiz Alinë në vitin 1986, të cilët i kanë thënë se është parë puna e tij dhe i kanë ra shumë nga akuzat (pas vdekjes). Shprehimisht, vet R. Alia – i ka thënë se “me këtë njeri (Hakiun) edhe mund të kemi bërë ndonjë gabim…”.
Ky, Haki Hoxha, ishte i traditës së vet në tregëti. Si i ati, mulla Idrizi. I këndonte puna në duar. Kishte biznesin e vet derisa u vu në Këshillin Nacionalçlirimtar dhe të gjithë mallin e dyqanit e vuni në dispozicion të Luftës. Ai kreu disa detyra shtetërore në Kukës, ndër to dhe drejtor i Tregëtisë. Prof. dr. Shefqet Hoxha, “Mësues i Popullit”, “Personalitet i Shquar i Qarkut të Kukësit”, kushërini i tij, më fjalathotë se “Haki Hoxha ishte shumë i zoti, i mirësjellshëm, bajemirë,…”. Ishte dhe i besës, më thotë shumkush ndër miqtë e mi kuksianë. Kit’ e ka provue disa herë me të tjerët. Ai i nderonte shumë patriotët, luftëtarët e lirisë, si Muharrem Bajraktarin e plot të tjerë.
Familja e martirit Haki Hoxha me disa breza në kullë, në disa dekada kohë, ka jetue në një nga vendet ma të bukura të botës, me një klimë të rrallë, me njerëz të mirë, aty ku bigohen Dy Drinat (i Bardhë, i Zi) në qytetin e Kukësit të Vjetër. Aty tek kinemaja e kishin kullën, biznesin, jetesën e vet deri në maj 1976. Pas dy vitesh ky qytet u përmbyt nga liqeni i Fierzës, por dhe pas’ dy dekadash pasardhësit e tij nuk kanë marrë asnji shpërblim zyrtar, ligjor për pasuritë e veta të patundshme në atë vend. Bahri Hoxha, ndër të parët nismëtarë të Partisë Demokratike në Durrës dhe në Tiranë, prej kohësh në Itali, kur më fliste në tetor 2014 për atdhetarin Haki Hoxha më dukej sikur hapej qielli e fjalët i rrezatonin dritën e shpirtit të tij të mirë për njeriun e vet të shquar e të rrallë.
4.
Lutfi Hoxha, baba i Flamurit, ia ka fillue herët punës si ndihmës-mjek veterinar në Kukës. Qyshce 17 vjeç. E donin të gjithë, se ishte i derës së mirë dhe i punës së mirë. Ai po i gëzohej jetës me prindër e fëmijë, po politika e mbrapshtë e kohës së djallit të kuq, klan-politika provinciale e zezë, donte me ia krasit’ degën e tij të palctë e të trungtë, me ia tharë përgjakshëm rrënjët e tij atnore, me ia ndal hovin atij e breznive të mapasme. Qafirat e frymës ideologjike e praktike moskovite i ranë në qafë Haki Hoxhës me plot tepri, mbrapshti, shëmti, padrejtësi. E morën në qafë Haki Hoxhën pa pasë fajësi ekstreme të provuar e dëshmuar realisht. Kulshedra e kuqe komuniste vrastare donte patjetër gjakun e tij, kërkonte ekzekutim kriminal maksimal për një njeri të meritave të mëdha atdhetare e ndërtimtare për vendin. Ndaj tij, ma e shumta masë mund të merrej kjo: t’i hiqej e drejta për të drejtuar në atë post shtetëror, po jo e drejta e Zotit dhe e robit për të jetuar jetën e vet, në vendin e vet.
Haki Idriz Hoxhën e burgosen, e keqtrajtuan, i dhanë dënim kapital. E pushkatuan në shtator të vitit 1975. Vetëm në vitet e demokracisë iu gjet varri në një gropë kolektive dhe u rivarros nga të vetët e shteti demokratik me nderime merite. Kulshedra me pushkatimin e Haki Hoxhës të burgosur, kit’ njeri shpirtgjanë e punëmadh, ia “pushkatoi” nja pesë muaj ma përpara familjen e tij të madhe duke i larguar fillimisht krejt trungun e tij familjar nga të gjitha llojet e punëve, përveç kazmes.
Më 10 maj 1976 i internuan në Kepin e Rodonit, në fshatin Shetaj. Në kit’ aksion politik morën pjesë gjithato forca policie e shtetërore. Ishin 8 skoda me rimorkio për transportin e tyne. Haki Hoxhës ia interrnuan familjarisht të katër vllaznit, katër mixhët (xhajat) e tij. Të gjithë njerëz të nderuar, aspak fajtor. Po rregjimi enverist në bazë e qendër donte me iu ba dënim kolektiv politik. Me i shpall “kulakë”. Me i internue nga vendlindja e vet, Kukësi, tue i çue me qindra kilometra larg, përtej maleve, luginave e lumenjve, në Kepin e Rodonit. Gjithçka u krye sipas modelit të Stalinit, sipas Rusisë bolshevike, armiku historik i Shqipërisë Etnike.
Ky emni i Stalinit më kujton një histori të treguar kohë ma herët nga një komandat partizan pjesmarrës në Aksionin e vitit 1944 në rrugën Kukës-Prizren kundër gjermanëve në ikje, ku morën pjesë dhe forca partizane të Kukësit. Aty, në një makinë ushtarake, e kapën rob lufte një oficer të lartë gjerman. I kërkuan atij nji kusht të vetëm: nëse shante Hitlerin do ta linin të lirë, do i falej jeta. Oficeri gjerman nuk pranoi kurrsesi. I tha në gjermanisht partizanit-përkthyes: Unë them Rroftë Hiteri” se ai është gjerman, po më habitni ju shqiptarët me thirrjet “Rroftë Stalini”, kur sllavët i keni armiq historik”.
Asokohe Lutfi Hoxha trokiti fort në të gjitha dyert e shtetit për padrejtësinë që i banë babës së tij, Haki Hoxhës, duke e dënue me vdekje. Ai, Lutfiu, tashma kishte statusin e “kulakut”, po mbart’te në vetvete fuqinë e të drejtës, forcën e arsyes, ndjenjën e shpresës. Ai u interesua si djali për babën e vet tek shteti komunist që e njihte për “Babë” Stalinin. Askush nuk vuri dorën në zemër, vetëm gishtin në këmbëz…
5.
Në një nga skodat me rimorkio që po i çonte më 10 maj 1976 drejt internimit në Shetaj, Kepin e Rodonit ishte dhe familja e Lutfi Hoxhës. Ai vet, me tre fëmijët e tij. Kishte me veti djalin e vetëm: Flamurin, që e morën nga bangot e shkollës në Kukësin e Vjetër, nxanës shembullor, në të dytën klasë të fillores. Kishte me veti dy çikat: Thëllenxa e Drita, ndërsa Elida e Brisilda kanë lindur në internim. Gruan ia dënuan me pesë vjet burg për dëmtim të pasurisë socialiste(!) Të pesë emrat e fëmijëve janë bashkëkohorë, modern, të bukur. Shprehin kulturën e Lutfiut, qytetarinë e tij e të familjes.
Atje, në rrethina të Durrësit: në Shetaj të Kepit të Rodonit (dy vjet), në Perlat të Sukthit (tre vjet), në Bisht-Pallë apo Porto Romano (1982-1990), në internim politik 1976-1990, mes rrethatimeve vija-kuqe, përballë trysnive ideo-politike të kohës komuniste, larg vendlindjes së vet, Hoxhajt e Bicajve e të Kukësit të Vjetër përjetuan një realitet ndryshe, të ri, të egër, të papamë. Ishte Shqipëria Tjetër – ishte “shteti i të Internuarëve e i të Përndjekurëve Politikë” nga rregjimi komunist enverian, moskovit, i pashoq në llojin e vet. Në truallin gjeo-politik të Shqipërisë, “Blloku i Udhëheqjes” në Tiranë, krahas shtetit të “njerëzve me biografi të mirë” kishte krijue plot “shtete” të tillë në rrethe të ndryshme, shtete “të njerëzve me biografi të keqe”, që ishin fut’ në “klon” e plan shënjestër me rrethatim nga politika e klanet e saj, etj. I kam pasë parë e njoftë disa nga këto “oaze politike” të “shtetit të njerëzve me biografi të keqe”, po di të them se ma të lira ishin kafshët në Parkun “Kruger” me 28 mijë km2 në Afrikën e Jugut se sa këta të internuar e të persekutuar politik në vendin tim.
Të gjithë Hoxhajt e Bicajve e Kukësit të Vjetër në ato vite të internimit pa kokërr faji dhe majemale me sakrifica, dhimbje të madhe e dinjitet të lartë luftonin për bukën e gojës, për mbijetesë. Me i shkrue ato duhen si i thonë fjalës “netë dimni” apo, ndryshe – volume librash. Atje punonin të gjithë: i madh e i vogël. Në këto 14 vite internimi e persekutimi politik punonte dhe Flamur Hoxha, që u sakrifikua tepër herët, që e la rininë e vet në to, që u burrërua parakohe. Ai e gëzoi rininë e vet vetëm gjatë e pas Lëvizjes së Dhjetorit ’90, kur ishte dy vjet refugjat politik në Itali dhe kur u kthye 25 vjeçar në Shqipërinë e vet dhe e ngriti “perandorinë” e biznezit të tij në Tiranë.
6.
Flamur Lutfi Hoxha ka një inteligjencë natyrore – të lindur, krejt genetike – të trashëguar nga të parët e vet në brezni të trungut të ngushtë e të gjanë familjar. Po edhe në shkollë ishte shembull i rrallë, ndonëse nuk i ra kurrnjiherë me e krye arsimimin në një vendbanim të vetëm. Në çdo dy-tre vjet ndrro shkollë e shoqëri. Ende pa mbarue klasën e dytë në qytetin e Kukësit të Vjetër, më 10 maj 1976, e internuan në Shetaj të Kepit të Rodonit, ku atje kreu të tretën e të katërten klasë, tue përmbyll arsimin fillor. Në Perlat-Kulle të Sukthit ia nisi arsimit 8-vjeçar, ku bani tri vite jetë e tri klasë (V-VII). Në Porto Romano e mbaroi të tetën klasë dhe përfundoi shkollën e mesme të ndërtimit në Shkozet (1982-1986) me rezultate të shkëlqyera. E fitoi kategorinë e pestë si murator. Punoi në Ndërmarrjen Bujqësore të Spitallës (1986-’88), në sektorin e ndërtimit, derisa e çuan ushtar (1988-1990) në repartin e xhenjos në ishullin e Sazanit në Vlorë.
Flamur Lutfi Hoxha kishte një dëshirë të pazakontë për të ndjekë arsimin e lartë, në një nga universitetet e Shqipërisë, po i nxirrnin pengesë arsyet politike…Ai shpesh thoshte diçka tejet të veçantë: “O Zot, më hiq pesë vite jetë, vetëm më jep pesë vite shkollë të lartë!”. E, kjo dëshirë e zemrës e mendjes iu plotësua në vitin 1990 kur fitoi konkursin për në Fakultet Ekonomik në Tiranë, po iu ndërpre nga ikja si refugjat politik në Itali. E fitoi në Itali ndjekjen e fakultetit, por e ndërpreu për t’iu dedikuar punës dhe ndihmës së familjes në Shqipëri. Pas kthimit në Atdhe, brenda dy viteve kreu ditën Fakultetin Juridik në Universitetin e Shkodrës. Ëndrra e rrallë iu ba realitet në vitet e demokracisë së re shqiptare.
Siç kishte Flamuri një dëshirë të madhe për studimet universitare, edhe i ati, Lutfia, kishte një dhimbje të madhe njerëzore, një tragjedi brenda vetëvetës, të cilën e pati shprehë ndonjëherë dhe në sy të djalit të tij të vetëm: “Kam vdekë që ditën kur ma morën babën!”… Pra, që kur rregjimi komunist ia arrestoi, burgosi, dënoi e pushkatoi të atin, Haki Hoxha. Dhimbja e gjakut ishte e madhe. Thirrja e gjakut ishte e fortë. Ai, tek dhimbja e palctë e quante veten “vdektarë i gjallë”, ndërsa tek mbijetesa në internime ishte një gjallnik sfidant i rrallë. Ai, burri i mirë, Lutfia, në vitet e demokracisë jetoi rilindjen e tij, një jetë të dytë, të paimagjinueshme, të pakrahasueshme. Flamuri, ky djalë e burrë i mirë për babë, prindër e motrat, për gruan Emiren e tre fëmijët e tij talent rrezatues e me emra bashkëkohorë: Kleidi, Erta, Enjo, gjatë viteve në Itali dhe veçmas pas ngritjes me ecuri të mbarë të biznesit të tij në Shqipëri, u përkujdes që i ati, Lutfia, të rrinte larg shqetësimeve të përditshmërisë së biznesit. Ai duhej vetëm të jetonte jetën, të ishte sa ma i lumtur në moshën e tretë, derisa ndrroi jetë para dy vitesh. Flamuri e shihte babën e tij dhe si shok të shpirtit, si vlla të zemrës.
7.
Kryehere, prej nga viti 1993, Flamur Lutfi Hoxha e ngriti biznesin e tij në një zonë preferenciale të Tiranës, skej Unazës, tek NPV 2 (sot UET). Kur shkonin klientë nga kryeqyteti e rrethet e Shqipërisë për të marrë rroba aty nuk thoshin: Ku është Flamuri i NPV-së?, po ndryshe, shpirtërisht, realisht: Ku është Flamuri i PD-së?
Ata, asokohe, e neve sot, kemi të drejtë të themi: “Flamuri i PD-së”, pasi ishte e mbetet i tillë. Jo vetëm Flamuri i PD-së, po një ndër të shumtit Flamurtarë të PD-së, prejce nga themelimi i saj, në të gjithë hapat e vështirë e të mirë të saj. Ai është njeri i heshtur, me një heshtje filozofike, burrënore, qytetare, klasike, biblike. Njeri pa hije, plot me dritë. I flet vet puna. Ai nuk është militant i ekstremit, ndonëse i militon veprimtaria demokratike rranjë e majë. Ai është sot një nga Senatorët e PD-së.
Flamur Lutfi Hoxha kishte fitue konkursin për Fakultetin Ekonomik në Tiranë, ndaj prej 20 dhjetorit 1990, me statusin e studentit, hyri aktivisht në Lëvizjen e Dhjetorit ’90, përkrah liderit Azem Hajdari e demokratëve të parë të Shqipërisë së Re dekteri tek ata ma të rinjtë si gjimnazisti i përkushtuar Lulzim Basha, kryetari i sotëm i PD-së e kryebashkiak i Tiranës. Kësokohe, Flamuri ishte i ri, 22 vjeçar. Demokracinë e solli me vete. E kishte në shpirtin e tij, në jetën e tij, në ëndrrat e idealet e tij. Demokracinë nuk e gjeti rrugës dhe as nuk ia dha ndokush rrugës. As nuk e la rrugës. Më 24 dhjetor 1990 antarësohet në Partinë Demokratike sëbashku me axhën e tij, Bahri Hoxha, tashti në Itali. Ndejti aty, solid, në Lëvizjen Studentore në Tiranë, në Qytetin “Studenti”- deri më 15 janar 1991, aktiv në të gjitha mitingjet, grevat e demonstrat e saj. Pastaj, në Durrës, në vendbanimin e tij. Është krijuesi i seksionit të parë të Partisë Demokratike në Bisht-Palle – sëbashku me xhaxhain e tij ,Bahriun, më 25 dhjetor 1990, ende pa u krijuar dega e PD në Durrës. Është zgjedhur sekretar i atij seksioni. Flamuri shkonte shpesh dhe në Tiranë apo në rrethe, derisa iku refugjat politik në Itali. Pra, ishte ndër të parët e PD-së. Nuk luajti astenjiherë nga istikami. Mbeti ndër vite e dekada një nga emblemat e shumta të saj.
Flamur Hoxha është vet një “barometër” i demokracisë, me jetën e veprimtaritë e tij, si prind, si qytetar, si demokrat, si biznesmen. I shkolluar – jurist. I kulturuar me gjuhë të huaja: italisht, anglisht. Me njohje dhe ndërkombëtare. Njeri nderues ndaj të tjerëve dhe i nderuar nga të tjerët. Si një shqiptar atdhetar i vijës së parë, pasi jeta dhe rrënjët e tij genetike e banë patriot të flaktë, bashkëkohor. I traditës dhe modern. Si e ka emnin është dhe vet: Flamurtar. Kjo është Demokracia. Të tillë duhen demokratët e sodit, ata të vërtetit, të pathyeshëm, të pakthyeshëm.
Flamur Hoxha është administrator i firmës së Veshjeve-fason “Kler” Sh.p.k. me seli në Autostradën Tiranë-Durrës, që kryen eksport shqiptar në disa shtete të Europës: Itali, Gjermani, Francë, Zvicër, Suedi, Rusi, etj. Një nga pionerët e parë të kësaj sipërmarrjeje në Shqipëri.Në katër vite ishte kryetar i Shoqatës së Fasonëve të Shqipërisë. Ia ban hyzmetin biznesit të vet. I sheh në sy njerëzit.
Ai, i veçanti Flamur Hoxha, është i dhanun fort e shumë dhe pas sportit. Një sportdashës i mirë. Njëherash, ndërvite, një nga financuesit dallimtar të ekipit të futbollit “Kukësi” dhe, ndërkohë, zv/president i tij. Ky ekip bregdrinas, prej vitesh me arritjeje sportive të larta po synon me dalë kampion i Shqipërisë.
Ai ka dekada i larguar nga Kukësi i Dy Drinave, por ka dhanë investime dhe për letërsinë e kulturën e Kukësit siç është rasti i financimit të librave të rëndësishëm “Dëbimi i shqiptarëve prej Kosove në vitin ‘99” të Sulejman Didës, “Unë i kam shumë borxh Shqipërisë” të D’Estournelles de Constan, “Shpërngulja e shqiptarëve” të Vaso Çubrilloviçit (botime të “Klubi i Poezisë”), etj.
Biznesmeni i veprimtarimit kombëtar e qytetar, Kadri Morina, më thotë se Këshilli i Biznesit në Kukës i ka dhanë Flamur Hoxhës vitin e kaluem Çmimin “Pjetër Bogdani”. Të tjerë bregdrinas më dijenojnë se Bashkia e qytetit të Kukësit e ka nderue me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, është shpall një nga “Pesë Personalitetet e vitit 2013” në Kukës, etj..
Flamur Lutfi Hoxha udhëtoi 8 vjeçar mbi skodë me rimorkio nga Kukësi i Vjetër në internim politik në Kepin e Rodonit. Pastaj, me anije “Legend” iku refugjat politik në Itali, e u kthye prej andej me avion si biznesmen. Ai tani udhëton drejt Kukësit me makinën e tij private nëpër Udhën e Kombit (Autostradën Durrës-Kukës-Prishtinë), lundron me anije në liqenin e Fierzës ku gjendet dhe kulla e tij e përmbytur në Kukësin e Vjetër dhe, tashma, qyteti i tij i Kukësit ka dhe aeroportin e vet të kategorisë ndërkombëtare C, i dyti aeroport civil në Shqipëri, ku mund të ulen njëherash pesë aeroplanë. Kjo është Koha Shqiptare, dhe koha e Flamur Hoxhës. Këto janë Lartësi të Kohës Shqiptare, janë lartësi dhe të Flamur Hoxhës…
KURTHI PER SHPERNGULJEN E SHQIPTAREVE TE VUTHAJ
HIDROCENTRALI AUSTRIAK QË HYN NË LOJËN SHOVENE TË MALIT TË ZI PËR SHPËRNGULJE TË SHQIPTARËVE ETNIK NË VUTHAJ TË GUCISË/
Nga Ramiz LUSHAJ/
Ambasadori Johan Frilih i Austrisë në Malin e Zi tepër vonë (6 shkurt 2015) e paska mësue rrugën për në krahinën e Plavë-Gucisë, tue pasë kësaj here me veti në suitën e tij dhe presidentin e një firme austriake, “Energy Eastern Europe”. Shkelqësia e Tij ka harrue apo duhet me ia kujtue se ka shkel në trevën komunare ma pro-austriake në krejt Malin e Zi, Kosovë e Shqipëri, pasi në fill shekullin e kaluar, në kohën e otomanizmit, në vitin 1909-‘10, mbi 80 për qind e saj, e shqiptarëve plavë-gucias vendali të atyhit, e kishte shtetësinë austriake. Vizita e Tij, në kit’ të ftohtë dimni e në acar malazez çetinë e gjukanoviç, pothuaj një shekull vonesë nga koha kur Hasburgët e Luftës së Parë Botërore qeverisnin si pro-shqiptar dhe në Plavë-Guci, nuk na ngrohë aspak. Shkelqësia e Tij kreu një vizitë (jo)diplomatike të errët.
Eh! Firma rreth 8 vjeçe: EEE (Energy Eastern Europe),e themelueme në vitin 2006 në një nga shtetet e Austrisë e me mbështetje nga kompani deri çerekshekullore, siç ia thotë dhe emni i vet, është një nga ato kompanitë që disa vende të Perëndimit i krijojnë enkas për vendet e ish-Europës Lindore, në rastin konkret për Ballkanin Perëndimor, përndryshe: Bosnje-Hercegovinë (2007), FYROM-Maqedoni (2008) dhe, së fundit, në Malin e Zi (2009) me përfaqësues të saj, Denis Hotin. Kjo EEE erdhi mbi 3 vjeçe në Podgoricën etnike shqiptare e, më duket, se ngriti aty nji hidrocentral me ujët e Moraçës që ende kullon gjak shqiptar shumshekullor.
Kjo firmë prej vitit 2009 ka pesë minihidrocentrale në ndërtim, nga të cilët tre në Bosnje-Hercegovinë e dy në Maqedoni. Ky në Vuthaj të Gucisë do të jetë i gjashti, ku puna proceduriale ka nis prej vitit 2010, tash pesëë vjet. Që kur kryekomunari i Plavës, Skënder Sharkinoviçi, iu dha leje me shkrim e tashti Qeveria MZ ua dha konçesionin EEE. Komuna e re e Gucisë tue pi Coco-Cola i dha “Okej” kësaj firme e ambasadorit austriak, që nuk e ngriti zanin një herë të vetme për hallet e mëdha etnike e gjithfarëshe të shqiptarëve në Plavë-Guci. Duhet me ua ba të ditun qysh herët dy komunave, asaj të Gucisë e të Plavës, që ky nuk do të jetë hidrocentrali i vetëm. Të tjerë do të ngrihen ma pas. Kjo u përfol dhe në takimin e 6 shkurtit 2015. Po të ish kanë firmë shqiptare do ta kishim “hangër të gjallë”, po meqë është firmë e juaja ndoshta do të presim të ndodhë e kundërta.
Gjithandej përflitet se ky hidrocentral në Vuthaj është “mini”, është “i vogël”. Po 4 MW nuk është pak. Të kujtojmë një fakt: në vitet e para të pas Luftës së Dytë Botërore, ndër veprat e para në Shqipëri, u ndërtue me jehonë të madhe hidrocentrali “Lenin” në Tiranë, i cili ishte 5 MW.
Vlera e ndërtimit të projektit, me marrje uji direkt në burim me tubacione me diametër 1.6 m, parashikohet të jetë 4 milionë Euro. Nuk është pak, po as shumë. Kur të hyjnë në punë ky hidrocentral, i pari i rradhës energjitike, një miku im specialist kryesues apo në ekip të projektimit të 60 hidrocentraleve të tilla në Shqipëri më thotë se të ardhurat e tij vjetore do të shkojnë rreth 1 (një) milionë Euro. Kjo domethanë se në mbi 4 vjet ky hidrocentral do iu dalin “falë” austriakëve, përndryshe: do ta shlyejnë vetëveten. Kjo është çështje e “xhepit të tyre”. Çështja shtrohet” çka hyn në “xhepin” e vuthjanëve e të komunës së Gucisë?!! Pothuaj kudo në botë këto hidrocntrale të tilla i kalojnë një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre për njësitë vendore e komunitetin ku ndertohen ato. Po ajo çka mendojnë përfaqësuesit austriak është shumë pak, saç mund ta bante dhe një vuthjan në mërgim përtej Atlantikut. As fuqia punëtore për hidrocentralin e Vuthajve nuk mund të merret në konsideratë, pasi në të tilla raste teknologjia e përjashton “punësimin”, ndaj mund të mbahen aty në rastin ma ekstrem deri në dy-tre vetë.
Ngritja e këtij hidrocentrali në Vuthaj të Gucisë, i zyrtarizuar nga qeveria e kryeministrit antishqiptar Milo Gjukanoviç, i përkrahur dhe nga ambasadori i Austrisë në Podgoricë, me shtysë nga vet presidenti austriak i EEE, ka gjithato të këqija që i vijnë si “lumë” Vuthajve, Gucisë e Plavës, shqiptarëve etnik e të origjinës dhe gjithë komuniteteve të atyshme.
1. Në fillim të fillimit, pikësëparit, bie në kundërshtim me vet Kushtetutën e Malit të Zi, bash me nenin e parë të saj, që e quan Malin e Zi “shtet ekologjik”(!) Jo se austriakët nuk e duan e ruajnë ekologjinë, po vet ekologjia e Vuthajve e Plavë-Gucisë nuk e don e duron kit’ hidrocentral, që sjell e përcjell pasoja e rrjedhoja ekologjike (in)direkte.
2. Deri më tani nuk ka ndodhur kurrë në asnjë vend të Europës, që për shfrytëzimin e forcës së ujit të ndërhyhet direkt në zonën, nga ku buron uji – iu ankimon presidentit, kryeministrit e dissa ministrave të Malit të Zi, më 26 prill 2011, Dr. Marianne Graf Gössendorf, Konsulle Nderi e Shqipërisë në Austri, kryetare e Shoqatës Shqipëri-Austri, kandidate për Çmimin Nobel per Paqe më 2007.
3. Uji është Jeta. Ky hidrocentral e cenon vet ekzistencen e jetës së njerëzve në trojet e veta etnike, pasi uji i lumit që trupon përmjedis Vuthajve përdoret dhe për ujë të pijshëm për banorët, për bagëtitë dhe për ujitjen e tokave të tyre që prodhojnë të mira materiale për jetesë. Pra, kujt i intereson që t’i futin Vuthajt e banorët e saj në “krizën e Ujit” që po e kap botën e shek. XXI dhe t’iu rrezikojë atyne jetën e bukën e gojës, në tharjen e tokës, në denatyralizim të mjedisit përrreth hidrocentralit gangrenë.
4. Ky hidrocentral do të cenojnë dhe shenjtëritë shqiptare të Vuthajve dhe të Plavë-Gucisë, rrënjët mitologjike pellazgo-ilire dhe etnike të saj, pasi vendi i burimit të ujit që shfrytëzohet për hidroenergji është një “Sacred Place”. Aty gjenden “Ujëvara Gërla”, “Ujëvara e Zanave”, “Shpella e Shpirtit të Ujit”, “Burimi i Gruas së Bardhë”, “Krojet e Vuthajve” (ua kanë ngjit’ së vonit dhe “Krojet e Ali Pashë Gucisë”), etj. që vet personalitete austriake i vlerësojnë me vende të rralla si Ayers Rock në Australi, Kailash në Tibet, Geysire në Islandë, etj. Disa kanale ujitëse që marrin ujë nga ky lumë i krahasaojnë me kanalet e vaditjes në Tirolin Jugor, aq të lakmuara nga turistët, etj.
Ky vis shqiptar në vend që të merret në mbrotje nga UNESCO, do të shkatrrohet nga malazezët e Çetinës e austriakët e kompanisë EEE.
5. Ky hidrocentral gjatë ndërtimit dhe pas tij, me futjen e tubacioneve në zonën e burimit, etj. e shkatërron në një masë tejet të madhe e të rrezikshme ardhmërinë turistike të Vuthajve, të komunës së re të Gucisë dhe asaj të Plavës.
Pra, shteti i Malit të Zi po don shkatërrim gradual të kësaj treve me bukuri të rralla natyrore në vend që ta futin në hartat turistike të botës, ta marrin në mbrojtje nga vet shteti si “Monument Natyre”, “Monument Kulture”, etj.
6. Ky hidrocentral i Vuthajve e asgjeson randshëm dhe biosferën e kësaj treve
me florën dhe faunën unike të saj.
7. Ky hidrocentral i austriakëve po hyn në lojën shovene të Malit të Zi për shpërngulje të shqiptarëve etnikë të Vuthajve në komunën e Gucisë, pasi po rrezikohet ekologjia e saj sikurse me deponinë vdekjeprurëse në Martinaj të Gucisë, do të sjellin vështirësi jetese për shqiptarët e atyhit e damtojnë ardhmërinë e turizmit, etj. Vuthajt e Martinajt janë dy fshatra shumë të mëdha shqiptare në komunën e Gucisë, të cilat kanë mbi 90-99 për qind shqiptarë, të cilat kanë shekuj pa u asimilue, ndaj po synohet shpërngulja e tyre nga trojet e veta etnike.
Tiranë, më 21 shkurt 2015
_____________________________
Foto ilustruese e takimit te 6 shkurtit 2015 ne komunen e Gucise: nga Nuki Lucević në Guci
AI ISHTE SALI BERISHA
Nga Ramiz LUSHAJ/
Ajo ditë e ftohtë e 12 dhjetorit 1990 ishte nga ma të veçantat. Aty kah pramja, nga valët e “Zërit të Amerikës” në Uashington, një za i paharrueshëm po fliste nga kryeqyteti i Shqipërisë Londineze – nga Tirana komuniste, për idealin e madh të kohnave, ëndrrën e pambyllun të brezave: “Kosova të Bashkohet me Shqipërinë”!
Askush në Shqipërinë komuniste, Brenda kufijëve të saj të izolimit të hekurt, deri në atë çast të rrallë nuk kishte marrë guxim shqiptar kaq madhor e sfidë kaq të lartë për me fort folun zyrtarisht e botnisht për Bashkim Kombëtar, për Shqipërinë Etnike.
Atë ditë ishte themelue Partia Demokratike e Shqipërisë nga Studentët e Dhjetorit ’90 e Intelektualët e Kombit. E para parti opozitare demokratike postkomuniste, që do të sillte Pluralizmin dhe Demokracinë, një Kohë Tjetër, një Jetë Ndryshe, një të Ardhme përtej Ëndrres…
Ai, Sali Berisha, po fliste në “Zëri i Amerikës” për Bashkim Kombëtar – kauzën genetike të jetës së tij, ideali kryerend i Programit të Partisë Demokratikë të porsalindur për vepra të mëdha.
Atë ditë i lumturoheshim mrekullisë diellore të kësaj fjale kombëtare hyjnore: Kosova të Bashkohet me Shqipërinë”.
Njëherash, gjithandej, tek shumëkush, ngriconte frika se mos rregjimi komunist i Tiranës do ta arrestonte Sali Berishën, Fjalësin e Lajmësin e kësaj ëndrre të pashueme, të burgosur, të përgjakur, të pamposhtun. Atë natë mijëra familje e sy i mbajtën dritat e shpirtit të ndezuna: Kosova ishte kryefjala e atij mëngjezi që po rilindte për me thye klonin e kufinit, me rrëzue piramidat, me bashkue gjakun shqiptar e tokat etnike.
Njeriu që po i diellnonte kohës shqiptare dhe botës së re euro-atlantike me thanien historike, hyjnore, aksiometrike: “Kosova të Bashkohet me Shqipërinë” ishte ky i sotmi dhe i nesërmi, kombëtari i përjetshëm, Lideri Historik i Shqiptarëve, ish-kryeministri e ish-presidenti: Sali Berisha.
Këtë fakt rideshta ta përcjell sot në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, veçmas për të gjithë ata që iu rrenë mendja se prof. dr. Sali Berisha nuk i ka këto qëndrime e veprime genetike të truallit e derës së tij fisnike e patriotike, të vetëdijes së tij kombëtare, të prejardhuna prej të djeshmes në rrugëtim paqësor e suksesor drejt të nesërmes.
Tiranë, 11 shkurt 2014
MUHARREM HUDENISHTI I POGRADECIT,MË 8 MAJ 1919,NË DOSJEN E KONFERENCËS TË PAQES NË PARIS
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Xhydollarët e Pogradecit i njeh historia. Ata janë udënishtas. Derë Age. Bregliqenas. Rrënjas. Të përkushtuar e të sakrifikuar për kombin e vet. Të mendjes, të pushkës.
Një prej tyre është dhe Muharrem Hudënishti. Patriot i kohës. Luftëtar me merita. Burrë i zoti. I ditun, i fortë. Personalitet përfaqësues i Hudënishtit në periudhën e Pavarësisë deri kah pushtimi fashist i Shqipërisë. Me emën e vend ndër figurat e shquara të Pogradecit. Edhe në Qarkun e Korçës. Dhe në dy anët e liqenit të Ohrit e të Prespës. Dhe në gjithato qëndra e rrethina përgjatë Drinit të Zi, Shkumbinit e Vardarit.
Patriotit Muharrem Hudënishti i ka ecë emni e firma në kancelaritë e botës, tek Fuqitë e Mëdha. Ai është në Dosjen e Konferencës së Paqes në Paris (1919-1920), përndryshe “Konferenca e Versajës”, e cila u mblodh në dy vite e nënshkroi pesë traktate: me Gjermaninë, me Austrinë, me Hungarinë, me Bullgarinë, me Turqinë. Aty, gjatë diskutimit plot debate të Traktatit të Fshehtë të Londrës (1915) dhe në kuadrin e “Çështjes së Adriatikut”, u trajtua dhe Çështja e Shqipërisë Londineze, e cila rrezikohej t’i merrnin territore fqinjtë e saj ballkanik e mesdhetarë si Greqia, Jugosllavia Versajiste (Serbia e Mali i Zi) e Italia. Aty, Shqipëria pati mbrojtjen Uillsoniane, pasi Greqia kërkonte Korçën e Gjirokastrën, ashtu sikurse Mali i Zi Shkodrën e Italia Vlorën, etj. Kjo Konferencë ishte një domosdoshmëri e kohës dhe mbetet një shembull i keq i botës për arsyenat se nuk u zbatuan parimi i kombësisë dhe i vetëvendosjes së popujve, nuk mori në konsideratë kërkesat e interesat kombëtare të Shqiptarëve për një shtet në kufijtë e vet natyral të 1878-tës, solli prapë copëtimin e Shqipërisë për të kënaqë shovinizmin e egër të fqinjve tanë, shërbeu si një “armëpushim” ndërmjet dy luftarëve botërore, përshpejtoi ardhjen e komunizmit bolshevik të Moskovit, etj. Kjo Konferencë, si edhe të tjerat më 1978 e 1912-’13, do të mbeten të mallkuara në shekuj nga varret e djepet shqiptare.
2.Luftëtari kombëtar Muharrem Hudënishti figuron në një dokument të dërguar nga “Të parët e krahinës së Pogradecit” për Konferencën e Paqës të Parisit. Ay dokument, i nënshkruar në Pogradec, mban datën 8 maj 1919. I bashkalidhet Notës XXII të dërgatës Shqiptare në kit’ Konferencë Ndërkombëtare. Është “Aneksi IV” i saj. Sigurisht, ky dokument ka pasë rolin e vet në atë kohë të vështirë diplomatike, politike, me luftna, aneksime territoresh, etj.
Emni i Muharrem Hudënishtit është i dhjeti nënshkrues në kit’ dokument me 26 firmtarë pogradecarë të 1919-tës. Janë burra të mëdhenj të trevës së tyne, në historinë e Pogradecit…Kjo madhështi iu duket edhe tek mbiemnat, që kanë emnat e viseve të tyne: Pogradeci, Starova, Hudënishti, Çërrava, Memëlishti, Trebinja, etj.
Njëzet ë gjashtë firmëtarët atdhetarë të këtij dokumenti të 8 majit 1919 janë emën ndritunit:
Istref Sulejman Starova,
Jashar Isuf Starova,
Hasan Demir Starova,
Dilaver M. Starova,
Zenel Shahin Zagoriçani,
Muharrem Abedin Zagoriçani,
Emin Reshit Vërdova,
Bahri Reshit, Vërdova,
Riza Rexhep Memëleshiti,
Muharrem Abedin Hudënishti,
Hysen Shemsejdin Vinçani,
Arsllan Demir Çaushlliu,
Adem Ymer Trebinja,
Rakip K. Pogradeci,
Hydriz D. Pogradeci,
Zia H. P. Pogradeci,
Koçi Tushi,
Tanas Kërxhali,
Pandi Pasko,
Arsllan Mehmeti,
Riza Xhaferri,
Muharrem Rushani,
Riza Rexhep Pretusha,
Dervish Karafil Shkoza,
Faik Pashë Çërrava,
Adem Selman Leshnica.
3-Konferenca e Paqes kishte katër muaj që ishte mbledh në Paris. Kësokohe mblidhen “Të parët e Pogradecit” e ia nisin kërkesën e tyne të 8 majit 1919.
Ata flasin si “përfaqësonjës të popullit të 140 fshatrave të Pogradecit”. Ata i denoncojnë e demoskojnë planet e intrigat e serbëve për t’u futun si pushtues e aneksues në anën tjetër të liqenit të Ohrit, në krahinën e madhe të Pogradecit.
Ky dokument nuk është thjeshtë një mbledhje e 26 firmëtarëve të tij. Jo. Ai hartohet pas një veprimtarie kombëtare të pogradecarëve, pasi “dje, më 7 maj, u mbajt një meeting 3.000 vetësh në fshatin Podgorije”. Pra, aty, është zëri i tyre. Demonstrohet fuqia e tyre. Janë kërkesat e tyre.
Vet ky dokument dijenon se “vendimet e mbledhjes së Podgorjes, të nënshkruara nga të gjithë përfaqësonjësit e fshatravet ua kemi dërguar Fuqive të Mëdhaja Beslidhuna e të Shoqëruara si dhe Konferencës së Paqës”.
Në atë Kërkësë për të Mëdhenjtë e Kohës e të Botës 26 firmëtarët e saj pogradecarë iu bajnë të ditun se “Në këtë mbledhje kemi treguar edhe një herë sheshit mendimin t’ënë që nuke duam kurrsesi t’i shtrohemi Serbisë, se jem e duam të mbetemi shqiptarë e se nukë munt të thyhen ato lidhje qi na bashkojnë me Atdhe”.
4.Konferenca e Paqës në Paris, vet kryetari i saj Georges Clemenceau– kryeministër i Francës, dhe përfaqësuesit e neltë të Fuqive të Mëdha: Woodrow Willson – president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David Lloyd George – kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar i Britanisë së Madhe, Vittorio Orlando – kryeministër i Italisë, dhe stafet e tyre të atyshëm, u njohën dhe me Kërkesën e Pogradecit të nënshkruar nga 26 përfaqësues lokal të tij.
Kësokohe, ky vit i pas Luftës së Parë Botërore (1914-1918), ishte tejet i vështirë për Kombin Shqiptar, sikurse dhe për Pogradecin e krejt Qarkun e Korçës, ku ishin prezent dhe forca franceze. Nga njana anë Korça, si gjithnji, ishte në rrezik nga grekët. Nga ana tjetër Pogradeci, si gjithmonë, ishte në rrezik nga serbët. Ata iu flasin me sinqeritet e besë shqiptare Konnferencës së Paqes, gjithsecilit nga “Katër të Mëdhenjtë”: “Sot për sot jemi të çarmatosur, po gjendja e ushtrive frënge në vent ësht për ne garanti e mprojtje”.
Letër-Kërkesa e Pogradecit e mirtuar nga 3.000 pogradecarë dhe e nënshkruar nga 26 firmëtarë pogradecarë iu përcjell deklaratën e tyre: “E shofim për detyrë të dëftejmë edhe se jemi betuar për të mbajtur tërësin’ e tokës s’onë e se do t’u bëjmë garth me zembrat tona sulmevet t’armikut që kërkon të futet mbrënda”. Sigurisht, këta pogradecarë me “armik” kuptojnë e luftojnë si serbët dhe grekët e çdokush tjetër ngado që të vijnë në trojet e tyne etnike shqiptare.
Ata, në përmbyllje të lëtres së tyre, theksojnë se “Duke iu bërë të njohur vullnetin e popullit tënë” duan që nga Dërgata Shqiptare dhe në Konferencën e Paqes në Paris “të drejtat tona të mirren në kujdes”.
5.
Patrioti Muharrem Abedin Hudenishti, një ndër nënshkruesit e kësaj Kërkese për Konferencën e Paqes, ishte një ndër “Të parët e Pogradecit”, një trashëgimtar emblematik i Derës së Xhydollarëve të Hudenishtit.
Ai ishte një luftëtar kombëtar me kontribut në mbi tri dekada kohore, nga Shpallja e Pavarësisë e deri në vitin e pushtimit të Shqipërisë Londineze nga fashizmi italian. Ai është pjesmarrës e prijës si një figurë vendore në gjithato ngjarje lokale, krahinore e kombëtare, sidomos në vitet 1912, 1915, 1919, 1920, 1930 e 1939. Ai ishte dhe oficer i lartë i Kavalerisë Mbretërore në kohën e Zogut. Vinte nga një familje me gene, zemër e veprimtari monarkiste, legaliste. Edhe vet ishte i tillë.
Muharrem Hudënishti është kushëri i një gjaku, i një zjermi, i një dere, me Nanëmadhen Demire Xhydollari-Durollari, nanën e dr. Guri Durollarit i cili për Mbretin Leka e Familjen Mbretërore, për Monarkinë Shqiptare kreu akte, aksione e ngjarje politike e publike panshqiptare e ndërkombëtare.
Lidhja e Muharrem Hudenishtit me kusherinën e saj Demire dhe me familjen e Durollarëve u ba ma e afërt, pasi i shoqi i saj, Rrapush Durollari, e kishte mik të shumëfishtë: edhe të pragut, edhe të idealit, edhe ta armëve. Shkonin mirë sëbashku. Ishin kundërshtarë e qëndrestarë dhe të pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Këta të dy, jo vetëm lindjen në një fshat, në Hudenisht të Pogradecit, po edhe vdekjen e patën në të njëtin vit, më 1939; nga i njëjti armik – pushtuesit fashist italianë.
Luftëtari i çështjes kombëtare shqiptare, Muharrem Hudënishti, ngaqë nuk e kishte pranue pushtimin e vendit, as bashkëpunimin e ofruar me të huajin, u burgos nga fashistët italianë në burgun e Tiranës. Pati një vdekje misterioze. E helmuan në burg në muajt e parë të pushtimit. Ia zhduken edhe trupin, Ai ende dhe sot ka mbet pa varr. Një humbje e madhe, tejet tragjike.
Miku e shoku i tij, Rrapush Durollari, e pati vdekjen nga italianët, në Prrenjas, në vitin 1939, duke e lanë Nanëmadhen Demire Durollari, e cila rrnoi 115 vjet, me tre fëmijë jetimë: Gurin, Shyqyrien e Lirien, të cilët në Amerikë kanë krijue një “brigadë shqiptare” me djemë e vajza, nipa e mbesa në disa breza vargni genetike e jetike.
Një nga nipat e sotëm të prijtarit lokal e luftëtarit kombëtar Muharrem Abedin Hudenishtit, që i shkroi sëbashku me 25 pogradecarë të tjerë Konferencës së Paqes në Paris më 1919, jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E mban emrin e tij: Muharrem. E ka për nder kit’ emër. Ia mban lart emnin gjyshit të tij. Edhe kur për shpagim si familje monarkiste e legaliste ishte në burgun e egër të Spaçit për dhjetë vite gjatë komunizmit bolshevik. Edhe kur punonte në fshat e në miniera. Ai, Muharremi pasardhës ishte prapë i “prekur” në biografinë e tij, jo vetëm si mbretnorë, po edhe për faktin tjetër: ishte martue me Lirien, me motrën e poetit martir Vilson Blloshmi, të cilit diktatura ia mori jetën për me ia ndal lirinë e fjalës, vargun poetik, rrugëtimin perspektiv. Muharremi qëndroi dinjitar edhe kur pas Dhjetorit ’90 erdhi Demokracia në Shqipëri e punonte zyrtar i shtetit në Ministrinë e Rendit e Ministrinë e Drejtësisë. Ky, Muharremi i Xhydollarëve, i kishte të gjitha: edhe i fismë nga genet, me kontribute brezash në histori, me përvojë në jetë, i shkolluar me arsim të lartë në dekadat e fundit, po prapëseprapë, edhe një tjetër herë, socialistët e ardhun në pushtet me rebelemin e vitit ’97-tës, e hoqën nga puna, donin t’ia mbyllnin rrugët. Po ai iku në Amerikë. Po i përplot gati dy dekada atje, me nusen e tij e dy djemtë. Atje, ky “Muharremi i Dytë” ka shkrue edhe një libër me tregime. Kot nuk e thashë që kryerradhë se këta Xhydollarët e Hudënishtit janë edhe të pushkës, edhe të penës. E mbajnë lart emnin e të parëve të vet, si të Muharrem Abedin Hudenishtit, që luftoi deri në vetmohim për Çështjen Kombëtare Shqiptare, që i shkroi edhe Konferencës së Paqes në Paris.
- « Previous Page
- 1
- …
- 11
- 12
- 13
- 14
- 15
- …
- 29
- Next Page »