• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MALËSIA NËN MAL TË ZI KA ME SHPËRTHYE SI “MITROVICË” APO DO TË KTHEHET NË ÇAMËRI?!

February 5, 2014 by dgreca

JANUSI DYFYTYRËSH NË PORTËN E ULQINIT/

Nga Ramiz LUSHAJ/

Në Ulqinin antik e modern, dikur seli e mbretëreshës ilire Teuta dhe e dinastisë shqiptare mesjetare të Balshajve, këto zgjedhjet (s)morg të 26 janarit 2014 më përngasin me perëndinë dyfytyrësh Janus (Janari) të mitologjisë ilire, statuja e të cilit rri në muze të Vatikanit.

            Ky Janusi “Perëndi e Tranzicionit” e hapte për luftë pushtuese portën e qytetit bregdetar, pavarësisht se aty e kishte edhe tempullin e vet, ushtronte funksione të lundrimit me anije e të shkëmbimeve tregtare, ruante lidhjet me Portanus, çelësmbajtës i portës së qytetit. Thue, sikur është Ulqini!Njejtësisht Janusi dyfytyrësh e kishte të vështirë me e mbyll paqen, me e nënshkrue ndonjë marrëveshje paqësore pas luftësjelljes. A thue njisoj sikur tani në Ulqinin historik në mes partive politike shqiptare pas zgjedhjeve të 26 janarit 2014?!

Përndryshe: ky Janusi (Janari) e kishte zakon me e kthye kryet e me kqyr mbrapa dhe përpara, si nga e djeshmja dhe nga e nesërmja. Kisha me thanë: a thue këta “pulatikajt” kur e kthejnë kryet mbrapa nuk shohin përtej Krajl Nikollës të vjetër, kurse kur  kqyrin përpara nuk shohin përtej krajlit të ri malazez, Milo Gjukanoviçit (!)

Përveç kësaj, ky Janusi perëndi e muaj kalendarik, kur kqyr stinët mbrapa e ka dimnin dhe përpara pranverën. Po a e dinë këta “pulatikaj” që edhe me (pa)fajësitë e tyne e nxorën në ankand Ulqinin, po bajnë tender me Tuzin, po e çkyejnë mëdysh Plavë-Gucinë…

Trevat shqiptare nën Mal të Zi veç dimën kanë pasë me Krajl Nikollën e Parë të Çetinës. As pranverë shqiptare nuk do të ketë treshen kundërshqiptare të piramidës malazeze: Me kryeministrin e kryesocialistin Milo Gjukanoviç, krajlin e ri malazez me seli kryeministrore në Podgoricën etnike shqiptare. Me presidentin socialist Vujanoviç e  me kryeparlamentarin social-demokrat Ranko Krivokapiç, te dy me seli institucionale në Çetinë. Këta të tre janë rreth dy-tre dekada në pushtet të palëvizshëm  dhe e kanë “fut në grusht” Malin e Zi dhe duan t’i shqyejnë me thonj të politikës shovene trevat shqiptare e shqiptarët e tyne etnik.

VARRI I BAJLOZIT TË ZI NË BREGDETIN E ULQINIT

 

Në shfletime të studimeve etno-historike kam has diku një fjalathanie sikur “bajlozi i zi” që u ndesh me Gjergj Elez Alinë e paska varrin në Ulqin. Nuk e di sa është e vërtetë, pasi nuk kam krye asnjë hulumtim vetjak.

Diçka tjetër po due me thanë: Shumkush e shumçka nga politika shqiptare në Ulqin, Tuz, Plavë-Guci…hiqen si “Gjergj Elez Ali modern” (duket sikur) luftojnë me “bajlozin blueportokalli Gjukanoviç”. Mirëpo, edhe ndonjë nga këta shpesh paraqitet edhe si “shenjt” kombëtar.  Dhe, e kundërta, ndonjë kësish, tue e pasë Gjukanoviçin brenda në bark e mbi plisin e bardhë, shpesh ndokush ri-kthehet në “djallë” për shqiptarët etnik.

Kurrkush nuk fjalathotë se Gjergj Elez Alia e ka varrin në Ulqin, sikurse “bajlozi i detit”.

Po bash aty, në breg të detit e thellësi të tokës ilire, gjendet varri i njërit prej “Gjergjelezalive” të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kryetarit të saj, Ymer Prizrenit.

Një tjetër “Gjergjelezali” i Ulqinit, oficeri detar Mujo Ulqinaku, luftoi e u vra ballas më 7 prill 1939 në Durrësin bregdetar që të mos e lejonte dhandrrin e Krajl Nikollës të Çetinës, Viktor Emanuel III i Italisë, që të pushtonte Shqipërinë Mbretnore, që çika e krajlit të zi, Elena, të mos bahej Mbretneshë edhe e Shqipërisë (16 prill 1939-8 shtator 1943).

Selitë zyrtare malazeze në Podgoricë e Çetinë po rrgallen e vorbullojnë për mos me e lanë me ndejt në kambë dhe as me lind ndonjë “Gjergj Elez Ali” i politikës nacionale shqiptare nga Ulqini e Tivari, nga Podgorica e deri në Plavë-Guci e Rrozhajë.

 

12 NETËT E UJQVE-NJERËZ

Mitologjia ilire rrëfen për “12 netët e ujq-njerëzve”. Thuhet se kremtohet në muajin shkurt. Diku, ka mesi i dimnit, pas “Arbainit” të egër që i “ha pleqtë” e “tuj ra dielli cof dhe ujku”. Kësokohe këta “ujq-njerëz” dalin në rrugë e bestytnitë fjalaflasin se fryma e tyne sjell kobin e vdekjes. Pra, duan me ua ba dimën të zi jetën njerëzve!

Në këto “12 netët e ujq-njerëzve” të shkurtit janë çue “ujq-njerëz” të politikës malazeze në selitë zyrtare në Podgoricë dhe në Çetinë dhe po lobin, hovin e kobin kundër shqiptarëve e trevave të tyne nën Malin e Zi:

a) Kjo ndodhi në marrjen gjukanoviçiane të komunës shqiptare të Ulqinit. Marria politike shqiptare e mafizioteti shoven malazez i janarit dolën përkryet vendit e kohës. Gjatë shkurtit po ka cijatje e negociata gjithfarësh për postet drejtuese të komunës.

b) Kjo po duket në lojën e re politike me allishverishe e aleanca pa fryt për Tuzin (Malësia) si “komunë e kryeqytetit”. Këto ditë shkurti dhe partitë politike shqiptare po (ç)ngrefen, shkoklohen e goglohen ma së keqi përballë Gjukanoviçit që drejton në tre dekada Malin e Zi, përballë tri partive që drejtojnë Tuzin – komunë urbane, etj.

c) Kjo po ngjet edhe në ndamjen padrejtësisht dy copash të komunës etno-historike të Plavë-Gucisë. Tashti po lypet me u mbledh me përnguti Parlamenti i Çetinës në seancë të jashtëzakonshme gjatë shkurtit 2014!

Problematike nuk është vetëm një “Deponi” në Martinaj të Gucisë. “Deponi” të tilla në shpërthim si “Mitrovica e Veriut” janë edhe “Parku Nacional” që u rrëmben prona shqiptarëve në Plavë-Guci, “Të Mirat detare” në Ulqin, cënimi shtetëror i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit, etj.  etj.

Po kush janë këta politikanë “ujq-njerëz” të uritunit e të pangopur me urrejtje shovene bio-politike dhe gjakatare e grabitqare kundër shqiptarëve etnik të Ulqinit, Tuzit, Plavë-Gucisë, Rrozhajës, etj?!

Një ndër ta, ma kryesori ndër liderët e sotëm malazez, është kryeministri e kryesocialisti, Milo Gjukanoviçi.  Ky “ujk-njeri” kundërshqiptar ka mjaft data evenimente në muajin shkurt. E para, ka lind më 15 shkurt 1962 në Nikshiq afër Kotorrit. E dyta, në këtë trevë nikshiqiane e rrethina ilire të saj për kah perëndimi panonik ka pasë në hershmëni një festë ujqish, e cila thirrej “Luperkalia” e, si për koinçidencë me rastin gjukanoviçian, edhe kjo binte  pikërisht më 15 shkurt të çdo viti kalendarik, pikërisht në datëlindjen e Gjukanoviçit. E treta, Gjukanoviçi edhe karierës politike ia ka nisë më 15 shkurt 1991, kohë kur u zgjodh ma së parit kryeministër i Malit të Zi. Ky, pothuaj çdo herë, në një mandat të vetëm si president e në shtatë mandatet e tij si kryeministër është zgjedh në stinën e dimnit e në ma të shumtat raste në muajin shkurt. E katërta, Gjukanoviçi edhe në bizneset e veta e kërkon shkurtin, biles së fundit, më 25 shkurt 2008 e ka themelue biznesin e tij të pestë, firmën “Global, Mali i Zi”.

Ulqini rrënjas shqiptar, i përmendur në histori nga autorët antik si Tit Livi, Plini, Ptolemeu, duket se edhe nga luftërat me “ujqërit-njerëz” që donin ta pushtonin, nënshtronin e aneksonin qyshse në lashtësi këtë qytet portual i mbeti ky emën i prejardhun nga fjala ilire  ulk (ujk) – Ulqin. Mitologjia ilire teksa gurron me “12 netët e ujqërve-njerëz’ më duket sikur  burimon në Ulqin.

Prapë ulqinakët duhet të luftojnë shqiptarisht që të mos e nënshkruajnë kapitullimin politik përballë Gjukanoviçit.

 

KA ARDHË DITA “ME I LA MËKATET”

 

Kur viti me dhjetë muaj ia shtoi vetes, fill pas janarit, edhe shkurtin, e patën thirrë ndër mote: fruer (fror). Ky emën vjen nga latinishtja “februare”, që merr edhe kuptimin “të lashë mëkatet”.

E në koftë se dikush ka me la gjynahe në këtë botë për humbjen në Ulqin janë partitë nacionale shqiptare nën Malin e Zi. Ma së parit partitë politike që e kanë për kryeqënder Ulqinin shqiptar, komunën me popullsinë ma të madhe në Malin e Zi.

Forca e Re Demokratike (Forca), krijuar më 2005 e me degë edhe në Tuz, me kryetar Nazif Cungun, e cila deri më 26 janar 2014 ishte forca e parë politike në Ulqin. Sivjet  mbeti e dyta, pas PDS të Gjukanoviçit. Njëherash, e para ndër partitë shqiptare. Mori vetëm 8 këshilltarë, tre ma pak se në zgjedhjet e kaluara. Gjithsej 2.930 vota.

Unioni Demokratik Shqiptar, themeluar më 1993, me qendër në Ulqin, me ish kryetar Ferhat Dinosha, e tashti drejtohet nga Mehmet Zenka, e ka mbajt disa vjet në udhëheqësi të saj komunën e Ulqinit. Në zgjedhjet e fundit në këtë komunë mori tre këshilltarë apo, e thënë ndryshe: 1.057 vota.

Koalicioni “Sëbashku për të ardhmen e Ulqinit” me tri parti nacionale me seli në Ulqin, të cilët morën shtatë mandate, 2.366 vota gjithsej. Lidhja Demokratike, (sipas një burimi zyrtar publik) e para parti politike shqiptare në Malin e Zi, themelue qyshse më 9 shtator 1990, me kryetar Mehmet Bardhin. Partia Demokratike me kryetar Fatmir Gjekën, krijue së vonit, më 24 dhjetor 2011 dhe “Lëvizja Qytetare Perspektiva” me kryetar Amir Mollaj.

Treshja Cungu, Gjeka e Zenka e dijnë fort mirë se kush është Gjukanoviçi e partia e tij në pushtet, çfarë qëllimesh ka për marrjen e Ulqinit shqiptar nëpermjet votës së popullit. Këta tre burra të Malësisë e politikës së saj, e kanë në dorë, si po thonë shqiptarët e mediat: “me na e zbardh faqen”, pasi humbja e Ulqinit na ka dhimbtë në shpirt, në palcën e kombit, pavarësisht se si shpesh herë Ulqini ynë shqiptar u la i vetëm në fatin e vet elektoral.

Këto pesë parti në Ulqin dhe ato të tjerat parti nacionale shqiptare në Tuz si Alternativa Shqiptare me kryetar Gjergj Camaj, krijue më 2006, Partia Inisiativa Qytetare me kryetar Gjeto Sinishtaj etj., të gjitha forcat politike kombëtare shqiptare sëbashku, kanë “mëkatet” e veta jo vetëm për Ulqinin e Tuzin, por edhe për mos ndalimin e përpjekjeve gjukanoviçiane drejt finalizimit legjislativ të ndarjes së Plavë-Gucisë në dy komuna; për shqiptarët e Podgoricës e të Rrozhajës, të Tivarit, etj.

Ulqinin e kanë “lëshue dore” pjesa ma e madhe shqiptarëve, me ose pa dashje, të cilët nuk votuan për partitë politike kombëtare shqiptare të Cungut, Gjekës, Zenkës; të cilët votuan për partinë (PDS) të Gjukanoviçit apo atë të “Malit të Zi Pozitiv”, etj.

Një e keqe tjetër e madhe po duket në horizont për shqiptarët nën Malin e Zi, në shtetin që ka ma shumë parti se çdo shtet tjetër ballkanik. Politika e Gjukanoviçit e Co po e kapicë krijimin e dy-tre partive të reja politike shqiptare në viset shqiptare në Bregdet, në Ultinën e Podgoricës, në Alpe. Demokracitë e lodhuna, si kjo malazeze, krijojnë kaq shumë parti, saqë me u hjekësue shqiptarët për me pasë rreth 10 parti për mbi 20.000 votues shqiptarë, një pjesë e të cilëve nuk janë në vendbanime e nuk shkojnë në votime. Diktaturës së fortë millosheviçiane i interesojnë kaq shumë parti politike. Kjo politikë merimangore ballgure e partive politike ba me e “hanger” shqiptarët do të ishte kob i zi e qefin i bardhë për vet shqiptarët. Njerëzit e ditun tue e pa merimangën e kanë ba jelekun antiplumb dhe, të tjerët, kur e kanë nënvleftësue merimangën i ka kafshue me helm dëmtues e deri vdekjeprurës.

Ulqini është vendlindja e të madhit Gjon Buzuku, i cili bash 460 vjet ma herët, pikërisht në vitin 1554, ia nisi me e shkruejt veprën madhore  kombëtare “Meshari”, që e botoi një vit ma vonë si të parën vepër në gjuhën shqipe dhe në letërsinë shqipe.

Prandaj ka ardhë dita vendimtare që Ulqini, shqiptarët e tij, edhe autorët e aktorët shqiptarë të 26 janarit 2014, me fol Shqiptarisht, me i shtrengue rradhët etnike shqiptare e rrathët e politikës së tyre  për ta mbajt prapë të vetmen komunë me shumicë shqiptare në shtetin malazez.

 

THAÇMET E HASHIM THAÇIT

DHE SELAMET E DITMIR BUSHATIT

 

Kurrësesi nuk mund ta kuptoj kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili ka ba shumë për lirinë e pavarësinë e sotme të shtetit të ri të Kosovës, i cili çohet pikërisht më 26 janar 2014, në ditën e zgjedhjeve në Ulqin, e ban deklarata politike në favor të Gjukanoviçit, kryetarit të PDS që i fitoi zgjedhjet në këtë komunë.

Thaçi deklaroi para botës shqiptare e euro-atlantike se “komuniteti kombëtar malazez do të hyjë në aktin më të lartë të Kosovës, gjë që është edhe kusht nga Podgorica për vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike”. Ky lider shqiptar i Kosovës gjunjëzohet para Gjukanoviçit, nuk i shtron asnjë kusht për shqiptarët nën Malin e Zi, ia plotëson të gjitha kushtet kolegut e mikut të tij malazez. Ia shton “Kosovës multietnike” edhe një minoritet malazez. E, për këtë kusht gjukanoviçian, premton se do të ndryshojnë edhe Kushtetuten e re të Kosovës.

A nuk mujte o Hashim Thaçi me e lanë pa lëshue të tilla thaçme pikërisht në ditën e votimeve në Ulqin. A nuk mujte me ndejt për pa folë në heshtjen zgjedhore shqiptare në Ulqin. Çka kie me i thanë historisë shqiptare për të tilla veprime ndikuese që i kryen ndaj Ulqinit shqiptar edhe nga (para)skena të dialogut ashtonian me kryeministrin serb, Ivica Deciç(!) Ndoshta është koha me ta kujtue se i qite prapa krahëve dhe i le rrugës ato çka të kërkuan në Nju Jork në shtator 2013 disa shoqata shqiptare nga trevat shqiptare nën Malin e Zi. Apo premtimet e kohëpaskohshme për hapjen e rrugës ndërkombëtare Deçan-Plavë, etj.

Gjithësesi nuk po duam me u fut në thelluta diplomatike e politike ndërballkanike, po vizita e djalit me të ardhme, ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati,  në Podogoricë e Çetinë më 23-24 janar 2014 ishte veprim tejet i gabuar e në kohën e gabuar. Kjo mund të shmangej kryehere nëse nuk kemi të bajmë me një lojë të zezë kundër Ulqinit e ndihmesë për Gjukanoviçin.

Ministri shqiptar Ditmir Bushati kreu vizitën në përvjetorin e 136-të të pushtimit të Ulqinit nga Mali i Zi, ku paraardhësit e tij të derës së Bushatllinjëve kanë luftue gjithë jetën kundër tyne, biles edhe vra në betejë me malazezët si Kara Mahmut Pasha Bushatlliu i Shkodrës në vitin 1796. Gjithashtu, vizita e tij kryhet një ditë pasi Gjukanoviçi realitetoi një miting elektoral në Ulqin me 800 pjesmarrës, tue pasë devizë elektorale hymnin malazez kundërshqiptar  të  princit poet Krajl Nikolla, në të cilin ban thirrje për ta pushtuar Shqipërinë në brigjet e detit Adriatik e të lumenjve Moraça, Drini, Limi e dekteri në Prizren, siç e provuan malazezët edhe në vitet e Luftërave Ballkanike  1912-1913. Për fat të keq kjo vizitë e Bushatit pati ndikimin e vet (in)direkt në zgjedhjet e 26 janarit në Ulqin, në humbjen e shqiptarëve.

Nuk e di saktësisht se çfarë strukturash kundërshqiptare në Malin e Zi e jashtë tij  e kanë fut ndër shqiptarët e Malësisë nga Ulqini në Rrozhajë dhe në diaspora të tyre në botë idenë e mbrapsht e shpresë kotë, sikur Edi Rama e Hashim Thaçi e kanë mik Milo Gjukanoviçin e, tashti këta të tre ndërveti, kanë me ua zgjidh punërat e heq thundrat sllave  shqiptarëve etnik edhe në Ulqin, edhe në Tuz, edhe në Plavë-Guci…

Edi Ramën e Hashim Thaçin i duam si kryeministra shqiptarë, po këta të sillen si të tillë, si shqiptarë kombëtar edhe me shqiptarët etnik në kufi me Shqipërinë e me Kosovën, pasi asnjani prej tyne nuk i ka ngritë kurrnjiherë në mënyrë institucionale problemet e mëdha të shqiptarëve nën Malin e Zi në institucionet shqiptare në Tiranë apo në Prishtinë, në institucionet ndërkombëtare në Bruksel e në Amerikë, në shtete euro-atlantike aleate strategjike.

Nëse fqinjët tanë në të katër anët, si Greqia edhe Maqedonia ndaj Shqipërisë apo Serbia edhe Mali i Zi ndaj Kosovës, ushtrojnë trysni politike për komunitetet e tyne etno-kulturore, biles edhe kushtëzime për “hapje ambasade”, për “votë kundër në BE”, etj. po Tirana e Prishtina zyrtare pse nuk veprojnë njejtësisht në politikën  e diplomacinë e tyne (ndër)kombëtare edhe ndaj Malit të Zi, pasi shqiptarët etnik në këtë shtet ballkanik shoven janë ma të diskriminuarit në të gjithë Europën e sotme euro-atlantike. Prapë presim. Ende kemi shpresë. Përndryshe ka me ardhë ajo që u gatue nga të gjithë e pritet nga të gjithë: Malësia nën Malin e Zi nga deti në male ka me u kthye në një “Mitrovicë Perëndimore” ose ka me mbetë një “Çamëri e dytë”(!)

Filed Under: Analiza Tagged With: apo Cameri, Malesia, Mitrovice, Ramiz Lushaj

PSE NË POLITIKAT ZYRTARE TË MALIT TË ZI SHQIPTARËT E PARTITË POLITIKE SHQIPTARE JANË TË “DORËS SË TRETË”?!

January 29, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
    1.
            Partitë politike shqiptare aktuale nën Malin e Zi janë “dora e tretë” në Koalicionin e sotëm “Mali i Zi Europian”, një koalicion me devizë e sigel të pandryshuar qyshse nga elektoriada parlamentare 2006. Ky koalicion fitimtar në mbi dy dekada u riformatua para tetë vitesh sipas modelit të aleancës zgjedhore të vitit 2002 “Lista e Malit të Zi Europian”, asokohe, e thirrun edhe ndryshe: “Lista Milo”, prej liderit të saj Milo Gjukanoviç.
“Dora e parë” e këtij koalicioni në Elektoriadën e fundme të 14 tetorit 2012 ishte aleanca parazgjedhore trinjake e të majtës malazeze: Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Gjukanoviçit, e cila fitoi 32 vende në Parlament; Partia Social-Demokrate (SPD) e kryeparlamentarit në katër mandate, Ranko Krivokapicit, e cila siguroi 6 vende; Partia Liberale e qëndres së majtë (PL) e Andrija Popoviçit, që kapi vetëm një vend në Parlamentin e Malit të Zi.
Në kit’ koalicion, nga rradhët e DPS, doli edhe një deputet shqiptar, Luigj Shkrela, disi një moderator politik i problematikave aktuale shqiptare, që mund të bajnë mjaft edhe për ndarjen e pushtetit komunal paszgjedhor në Ulqin, ku partitë shqiptare të marrin kryekomunarin e partia e Gjukanoviçit kryetarin e këshillit komunal.
Koalicioni Mali i Zi Europian nuk mujti me tejkalue 50 përqindshin elektoral, pasi kishte vetëm 165.380 vota (45.6 për qind) e, të tria sëbashku,siguruan vetëm  39 deputetë nga 81 vende në Parlament. Me kaq vota e vende kryesocialisti Gjukanoviç nuk mund të rikthehej kryeministër pas dorëheqjes se 29 dhjetorit 2010 nga trusnia e kushtëzuar euro-atlantike, nuk mund të miratonte qeverinë e tij të re, nuk mund të (ri)zgjidhej kryeparlamentari Krivokapic (SPD) nga rradhët e koalicionit parazgjedhor, etj.
2.
“Dora e dytë” e partive aleate (jo)pralamentare u thirr me nguti në aleancë paszgjedhore me Koalicionin tashma qeverisës “Mali i Zi Europian” ende pa shpall “de facto” KQZ rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 14 tetorit 2012. Sapo iu muar fjala verbale për hyrjen në koalicion dy partive parlamentare të pakicave, atyne boshnjake e kroate, Gjukanoviçi e deklaroi menjëherë zyrtarisht e publikisht veten si shumicë fituese dhe, pastaj, udhanisën mandatimi, negociata e marrëveshje për pushtetin legjislativ dhe atë ekzekutiv të Malit të Zi.
Ma e para parti, si “dorë e dytë” në Koalicionin e zgjeruar paszgjedhor, u thirr  partia ma e vjetër në Malin e Zi, Partia Popullore (NS) e Predag Popoviçit, mjaft e preferuar për interesat politike të Gjukanoviçit. Kjo parti u themelua qyshse në vitin 1906 si parti me frymën e imazhin e Krajl Nikollës së Parë dhe e mban ende hymnin krajlnikollian antishqiptar “Përpara”(!) edhe pas ringritjes së saj më 1990 e më 1997. Pas kësaj force politike, u thirrën edhe Partia Qytetare e Malit të Zi (GP) e themeluar në vitin 2002, e cila prej vitesh drejtohet me rrotacion nga një ekip katërsh; Partia e Unitetit Kombëtar të Malit të Zi (NS CG) e themeluar në vitin 2000 me kryetar Novak Kilibarda; Partia Liberal-Demokrate (LDP).
Këto katër parti politike malazaze  preferenciale vërtëtë hynë në “dorën e dytë” (atë paszgjedhore) sepse asnjana prej tyne nuk fitoi vende ulës në Parlament, por nga pushteti politik e shtetëror i Gjukanoviçit prej kohësh trajtohen si të rendit të parë në mazhorancën politike në Malin e Zi. Trajtohen edhe ma shumë e ma mirë se dy partitë politike parlamentare të pakicave, si ajo boshnjake e Husoviçit e ajo kroate e Vuçonoviçit. Trajtohen krejt ndryshe nga dy koalicionet (partitë) politike kombëtare shqiptare parlamentare, të cilat si gjithmnonë e si gjithnji mbeten në rendin e fundit politik në këtë shtet të vogël ballkanik, pasi shqiptarët etnik i shovinojnë si “tepricë nacionale”(!), shpesh herë edhe ma keq se komunitetet kulturore ardhacake të romëve (mbi 6.000) e të egjyptianëve (mbi 2.000 vetë).
Këto katër parti politike malazeze jo parlamentare në Koalicionin “Mali i Zi Europian” kanë në historikun e tyre disa përveçime lidhtore historike, politike, nacionale e morale me Gjukanoviçin, me partinë e tij në pushtet, me qeverisjen e tij prej tre dekadash. Këto parti, veçmas në Referendumin e 21 Majit 2006 dhe në tre palë zgjedhje parlamentare në Malin e Zi shtet i pavarur e sovran, kanë dëshmue besnikëri ndaj politikave (ndër)kombëtare të Gjukanoviçit. Këto janë ma afër etnisë malazeze dhe ma larg opozitës së sotme. Këto luftojnë me patriotizëm deri në ekstremitete për konsolidime të shtetit malazez (sipas tyre) pa ribashkime e ndikime (inter)nacionale, politike, fetare, ekonomike e ushtarake nga shtete të ish-Jugosllavisë të Dytë e të Tretë (sidomos nga Serbia). Këto kërkojnë rikthimin si trashëgimi e shumanshme kombëtare malazeze të Derës princore të Petroviç-Njegos, të Krajl Nikollës së Parë e epokës së tij princore e mbretnore. Këto flasin e veprojnë për lidhje me kushtëzime diplomatike, politike, ekonomike e kulturore të Malit të Zi me dy shtetet shqiptare fqinjë. Këto katër parti politike malazeze mbeten prej themelisë së tyne politike për trajtime politike të diferencuara me disa kushtëzime e përjashtime jo veç politike të partive të etnive të tjera, sidomos ndaj partive politike kombëtare shqiptare, ndaj pothuaj gjithë liderëve politikë shqiptarë, etj.
Pas dhe njëherash me këto katër partive politike jo parlamentare, siç e theksova edhe ma nelt, u thirën në koalicionin qeverisës “Mali i Zi Europian” edhe dy parti parlamentare të etnive boshnjake e kroate, sepse Gjukanoviçi për herë të parë qyshse nga viti 2001 nuk mundi të siguronte shumicën në zgjedhjet parlamentare të 14 tetorit 2012. Partia parlamentare Boshnjake, e themeluar më 24 mars 2006, me qendër në Rrozhajë, me kryetar Rafet Husoviç, ndryshe nga elektoriada e maparshme, kësaj here  siguroi 3 vende në Parlament. Partia parlamentare Inisiativa Qytetare Kroate (HGI), e themeluar në vitin 2002 me qendër në Tivat e me kryetar Marija Vuçonoviç mori vetëm 1 vend në Parlament.
Këto dy parti parlamentare të pakicave, të dyja sëbashku, hynë si “dorë e dytë” preferenciale sidomos për nga afati procedurial e kohor në koalicionin e zgjeruar Qeverisës të Gjukanoviçit, si nevojë jetike politike aleancore tue i garantue shumicën parlamentare e fuqinë qeverisëse me 4 deputetë ma shumë, me 43 deputetë gjithsej.
Gjukanoviçi, për të kap disa parametra demokratik të kohës, i thirri në koalicion qeverisës boshnjakët e Husoviçit, pasi malazezët  (rreth 280.000 apo mbi 45 për qind) sëbashku me boshnjakët (mbi 54.000 apo rreth 9 për qind) e tejkalojnë mbi gjysmën e popullsisë të krejt Malit të Zi. Njejtësisht edhe kroatët e Vuçonoviçit i thirri në këtë koalicion, jo veç për një deputet, po edhe për faktin tjetër: e plotësonte ma fort konfiguracionin fetar: me malazezët ortodoksë, me boshnjakët muslimanë dhe me kroatët katolikë e protestanë.
Kësokohe, edhe partitë e koalicionet politike kombëtare shqiptare kishin fillue bisedat e negociatat “e brendshme” në zyra e në kafe dhe ato “të jashtme” në mediume lokale e kombëtare e në masmedia (ndër)kombëtare, po shqiptarëve e liderëve të tyne disa parti politike të koalicionit të sotëm qeverisës nuk iu dolën besëmbajtës në fjalë-angazhimet apo ua ndryshuan fjalë-premtimet.
3.
Koalicioni i zgjeruar qeverisës “Mali i Zi Europian” nga zgjedhjet e 14 tetorit 2012 deri me betimin e Gjukanoviçit si kryeministër më 4 dhjetor 2012, i la realisht në opozitë përkohore katërvjeçare disa parti e koalicione politike rivale. Opozita e ka dhanë goditje si “tërmet politik” ma shumë se tre herë mazhorancës së sotme, pushtetit politik të Gjukanoviçit. Në vitin 2001 nuk e lanë Koalicionin gjukanoviçian “Fitore, Mali i Zi” të merrte shumicën parlamentare pa koalicon të zgjeruar. Kjo histori politike u përserit edhe në zgjedhjet parlamentare të 14 tetorit 2012. Ndërsa më 7 prill 2013 gati ia rrezikuan fitoren edhe kandidatit presidencial Filip Vujanoviç i partisë (DPS) të Gjukanoviçit. Veçanarisht këto dy “tërmetet” politike të fundit më 2012 e 2013 provojnë se pushteti politik i Gjukanoviçit ka fillue “rënien e lirë” nga piramidat e pushtetit e të shtetit malazez prej konsumimit të tepërt politik të tij e të kastës së tij politike në mbi tre dekada. Asnjë lider politik si Gjukanoviçi, asnjë parti politike si DPS e Gjukanoviçit,  asnjë koalicion partiak si i Gjukanoviçit, nuk ka qëndrue kaq gjatë në pushtet, në asnjë shtet tjetër ballkanik dhe në asnjë shtet euro-atlantik.
Në opozitë mbeti edhe Koalicioni “Fronti Demokratik” me dy partitë e tij  aleancore: Lëvizja për Ndryshim” (PzP) e themeluar më 2002 e ristrukturuar më 2006, me qendër në Podgoricë, me kryetare Nebojsha Medojeviq si dhe Partia Demokracia e re Serbe (NOVA), e themeluar më 2009 me qendër në Podgoricë e me kryetar Andrija Madiq, të cilat sëbashku morën  plot 20 vende në Parlamentin e Malit të Zi.
Edhe Partia Popullore Socialiste, e themeluar në vitin 1997/1998, me qendër në Podgoricë, me kryetar Srdjan Milic, mbeti në opozitë pasi fitoi vetëm 9 deputetë. Kjo parti parlamentare, dikur, ishte krahu i djathtë politik i Millosheviçit në Malin e Zi.
Partia ma e re në shtetin e vogël malazez, Partia “Mali i Zi Pozitiv” (PCG), e krijuar rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve, me seli në Podgoricë, me kryetar veprimtarin ekologjist Darko Pajoviç, mori 7 deputetë, po mbeti në opozitë. Një prej deputetëve të saj është edhe  shqiptari Dritan Abazoviq, i cili duket ma aktiv për problematikat shqiptare në Malin e Zi se deputetët e partive politike shqiptare në Parlamentin e pasvitit 2012, aqsa t’ia ngrejë temperaturat politike Gjukanoviçit deri në çartani psikike me fyerje të ulta.
Pjesë e opozitës mbetën edhe dy kualicione të tjera të etnisë serbe në Malin e Zi si “Aleanca Kombëtare Serbe” (Partia Radikale Serbe, Partia Demokratike Serbe, Këshilli Nacional Serb) dhe, tjetri, “Serbët e Bashkuar”, përndryshe: “Uniteti Serb” (Partia Popullore Serbe, Lista Serbe, Partia Serbe “Atdheu”, Qëndra Demokratike “Boka”, etj.), si edhe Grupimi “Sëbashku” (Partia e Pensionistëve, Invalidëve dhe për Drejtësi Sociale, Partia Komuniste Jugosllave e Malit të Zi). Asnjani nga këto tri blloqe politike elektorale nuk mundi të sigurojnë të paktën një deputet të vetëm.
Këto 14 parti politike (jo)parlamentare në opozitë, pothuaj të gjitha e shpeshtas, kanë ndaj partive politike nacionale shqiptare, ndaj veprimtarëve të tyne cilësorë e ardhmnor, ma tepër se kundërshti bio-politike aktive e të egra, veçmas partitë (pro)serbe si ato radikale, etj.
4.
“Dora e tretë” e thirrun në Koalicionin paszgjedhor “Mali i Zi Europian” me 6 nëntor 2012, gati një muaj mbas zgjedhjeve, ishin partitë e koalicionet politike kombëtare shqiptare, të cilat i besuan vetëvetes dhe Gjukanoviçit vetëm kur Marrëveshja u akt-krye zyrtarisht e publikisht.
Shumësia e partive politike shqiptare në Malin e Zi lidhën aleanca në dy koalicione partiake zgjedhore: në atë “Për Bashkim” (tri parti: Forca e Re Demokratike, e themeluar në vitin 2005 në Ulqin e me kryetar nazif Cungun; Partia Iniciativa Qytetare – Tuz  me kryetar Gjeto Sinishtaj; Lëvizja Perspektiva) si dhe “Koalicioni Shqiptar” (me tri parti: Lidhja Demokratike, e ngritur qyshse më 1990 në Ulqin me kryetar Mehmet Bardhin; Partia Demokratike me kryetar Fatmir Gjekën; Alternativa Shqiptare, krijue më 2006 në Tuz me kryetar Gjergj Camaj). Konkuronte edhe UDSH-PPD me kryetarin e sapozgjedhur, Mehmet Zenka. Aleanca Rinore Shqiptare, e Anton Lulgjuraj, doli nga zgjedhjet me 531 vota, ma keq se të gjitha forcat partiake politike në Elektoriadën e Tetorit 2012.
Dy koalicionet shqiptare me gjashtë parti shqiptare morën vetëm nga një deputet shqiptar secili: Fatmir Gjeka për “Koalicionin Shqiptar” dhe Genci Nimanbegu i koalicionit tjetër: “Për Bashkim”. Kjo ishte një humbje politike kombëtare e madhe, një ndëshkim politiko-elektoral i pamerituar: partitë politike kombëtare shqiptare patën dy deputetë shqiptarë ma pak se sa kishin në zgjedhjet parlamentare të vitit  2009.
Kryetari i Koalicionit “Mali i Zi Europian”, kryesocialisti Milo Gjukanoviç, kur nënshkroi më 6 nëntor 2012 Marrëveshje me aleatët (pas elektoral) ishte përfaqësues kryetari i Partisë Boshnjake, Rifat Husoviçi, i cili firmosi edhe për partitë (koalicionet partiake) shqiptare(!) Kjo vaki fyese ngjau keqas pavarësisht faktit se aty ishin të pranishëm edhe Nazif Cungu (kryetar i Partisë Forca e kryekomunar i Ulqinit shqiptar) përfaqësues për Koalicionin “Për Bashkim” dhe deputeti Fatmir Gjeka (kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare) përfaqësues i “Koalicionit Shqiptar”.
Për shumë arsye të (pa)thëna kryelideri malazez, Milo Gjukanoviçi, koalicioni i tij qeverisës, të nesërmen e Akt-Marrëveshjes firmëtare në Podgoricë, i dha Sulo Mustafiqit – njërit nga zyrtarët e lartë të Partisë Boshnjake të Rrozhajës, një nga tre vendet e nënkryetarit të Parlamentit të Malit të Zi me seli në Çetinë.
Më 4 dhjetor 2012 Milo Gjukanoviçi, edhe me vota të deputetëve shqiptarë, u zgjodh për herë të shtatë kryeministër i Malit të Zi me 44 vota pro, 26 kundër, 1 abstenim, ndërsa 10 deputetë nuk morën pjesë në votim. Mirëpo, ndodhi e (pa)pritura  politike denigruese: nuk u (për)zgjodh asnjë shqiptar për postin e Ministrit të Drejtave të Njeriut e të Pakicave, siç ishte, fjala vjen, politikani Ferhat Dinosha, në mandatin e kaluar qeverisës, i cili tani ka statusin e ambasadorit të Malit të Zi në Shqipërinë Londineze.
Dikushi mund të dvetin: Pse partitë (koalicionet) politike kombëtare shqiptare nën Malin e Zi janë të “dorës së tretë” në politikat e ndryshme presidenciale, legjislative e ekzekutive të këtij shteti të vogël ballkanik me urrejtje e luftë bio-politike shovene ndaj shqiptarëve etnikë, ndërkohë që po ecën drejt integrimeve euro-atlantike në BE e NATO? Faktet flasin vet: Marrëveshja e 6 nëntorit 2012 për koalicion pas zgjedhor; mosdhania e asnjë posti të lartë për shqiptarët në “kryesinë e vogël” të Kuvendit 81 vendësh të Çetinës; heqja e një posti ministror shqiptar në qeverinë e re të Podgoricës; mos ligjësimi në shtator 2013 (sipas Marrëveshjes) i statusit komunë e plotë e më vete i Tuzit urban; marrja përtej akteve politiko-mafioze më 26 janar 2014 e të vetmes komunë shqiptare të Ulqinit nga partia udhëhjekëse e Gjukanoviçit; procesi final shoven në shkurt 2014 i ndamjes së Plavë-Gucisë etno-historike shqiptare në dy komuna për haraç e llogari malazeze-serbe-boshnjake në brigjet e Limit e të Moraçës, etj., etj.
Çështja shtrohet edhe ndryshe: Atëherë, pse i mori Gjukanoviçi partitë (koalicionet) politike kombëtare shqiptare në Koalicionin “Mali i Zi Europian”?! E para: në koalicion kanë hyrë parti politike të etnive apo pakicave, që janë kufi me Malin e Zi, si partia parlamentare”Inisiativa Qytetare Kroate” në qytetin Tivat (Kroacia), Partia parlamentare Boshnjake në Rrozhajë (Bosnje-Hercegovina e Sanxhaku-Tregu i Ri në kufi me Serbinë), prandaj u futen edhe këto dy koalicionet (partitë) politike kombëtare shqiptare (Shqipëria, Kosova). E dyta, shqiptarët etnik mbartin elementin tre/fetar me mjaft peshë dhe i japin “kolorit fetar” qeverisjes gjukanoviçiane në sytë e botës euro-atlantike, pasi shqiptarët nën Malin e Zi zenë realisht vendin e dytë për nga besimi musliman (pas boshnjakëve) dhe vendin e parë për nga besimi katolik (37 për qind e kryesisht në Tuz, Ulqin, Plavë, etj.) e të ndjekun nga kroatët. Dihet lufta e përjetshme e Derës Princore të Petroviç-Njegos e deri tek e Milo Gjukanoviçit për ta kthye Malin e Zi në shtet ortodoks sllav tue e sulmue kataloçizmin me shpërngulje ose asimilim në ortodoksë, e njëjtësisht e njësoj edhe fenë muslimane e mbartësit e saj, veçanarisht shqiptarët muslimanë, etj. E treta, aktualisht në Malin e Zi nuk janë popullsi mbisunduese, as malazezët (45 për qind), as serbët ( 28. 7 për qind), ndërsa në vend të tretë vijnë boshnjakët (shumica e tyre shqiptarë muslimanë të asimiluar) e në të katërin shqiptarët etnikë. Kjo i obligon së tepërmi (ndër)kombëtarisht qeverisjen politiko-shtetërore të Gjukanoviçit që të përfshijnë në koalicion qeverisës edhe shqiptarët etnikë, sikurse malazezët, serbët e boshnjakët dhe aq ma shumë kur hyjnë edhe kroatët që nuk i kapin as 1 për qind të popullsisë të këtij shteti multietnik. Ky është edhe një tregues tjetër që i duhet Malit të Zi gjukanoviçian për ecurinë e integrimeve euro-atlantike. E katërta: Gjukanoviçi i merr partitë politike kombëtare shqiptare në pushtet dhe i lenë “pa pushtet”(!), sepse i duhen edhe si “kartë politike”, edhe si “peng politik” (kushtëzime), edhe si “urë pa harqe”, në marrëdhëniet diplomatike, politike, kulturore, ekonomike, fetare, etj. me dy shtetet shqiptare kufitare: me Shqipërinë Londineze e Kosovën dardane Euro-atlantike. Kjo shfaqet në kërkesën malazeze ndaj Shqipërisë- vend antar në NATO  për lobim shqiptar për ta antarësue edhe Malin e Zi në NATO; duket në kushtet diplomatike për “minoritetin malazez” në Kosovë; shihet në hapjen e pikave kufitare e doganore me Shqipërinë e Kosovën; ndihet në lobimin për sjelljen e gazsjellësit TAP nga Shqipëria në Mal të Zi; provohet në projektin madhor të Rrugës Adriatik-Jon dhe të rrugëve që e lidhin Shqipërinë e Kosovën me Podgoricën, Ulqinin, Plavë-Gucinë, etj. etj. E katërta: nëse Gjukanoviçi nuk i merrte partitë politike kombëtare shqiptare në koalicionin qeverisës katërvjeçar, atëherë këto do të kalonin me opozitën e përbame ma së shumti me forca politike serbe. Kjo do ta fuqizonte edhe ma tepër opozitën e sotme në zgjedhjet lokale të pritshme e ato qëndrore të ardhshme, biles do t’ia merrnin pushtetin e sotëm me votë Gjukanoviçit e koalicionit të tij qeverisës. Një fakt disi i “fshehtë”: për mosdhanjen e statusit komunë e plotë komunës urbane të Tuzit nuk janë thjesht arsyet ekonomike, po kryesisht  edhe ato politike, pasi Gjukanoviçi ka frikë se komuniteti ardhacak serbë do ia marrin pushtetin vendor në Podgoricë, në komunën ku ndodhen selitë e Qeverisë e të ministrive të saj. E pesta: Gjukanoviçi duke i pasë partitë politike shqiptare në koalicionin e tij edhe i kontrollon, edhe i dëmton ma lehtë e ma fort ato dhe liderët e tyne jo vetëm me (mos)dhanien e investimeve në komunat me popullsi etnike shqiptare, etj. Aq kohë sa partitë politike shqiptare nën Malin e Zi merren  kot e hopa me njani-tjetrin  po kaq kohë Gjukanoviçi me strukturat e tij mbi e nëntokë, haptas e fshehtas, lufton me na e marrë të ardhmen e përbashkët në trojet etnike shqiptare në Mal të Zi. Nëse Krajl Nikolla me Milicën e tij na i morën me pushtime të përgjakshme e aneksime të padrejta tokat etnike shqiptare, Gjukanoviçi po lufton përditë me na i marrë njerëzit tanë, shqiptarët trojenik…
Liderët e strukturat e partive e koalicioneve politike kombëtare shqiptare nën Malin e Zi duhen mirëkuptue ma qartë edhe në një pikë të vetme që nuk e dinë as Toka e as Qielli, as varret e shumta të shqiptarëve trojenik e as lapidaret e paktë të shqiptarëve heroik, faktin nëse është ma mirë në opozitë apo opozitë, nëse je ma mirë me malazezët apo me serbët, etj. Fakti që politikanët shqiptarë nën Malin e Zi bien pa u ngrit mirë si figura politike publike është përgjegjësi edhe e faktorit politik shqiptar në Ballkan sidomos Tirana e Prishtina zyrtare që nuk iu rrijnë afër e drejtësisht për t’i promovuar mirësisht në hapësira etnike shqiptare, në diasporat shqiptare e në institucione (ndër)kombëtare. Po fatkeqësisht politika kombëtare zyrtare shqiptare as në Tiranë apo në Prishtinë nuk mundet seriozisht e plotësisht me “iu dhanë dorë” liderëve politikë shqiptarë nën Malin e Zi, pasi i kanë lanë disi “jashtë dore” prej hejcekurit çështjet etnike e problematikat shqiptare në Malin e Zi dhe nuk janë marrë të paktën si me luftën e armët kimike të Sirisë (!)
Politik(ç)bërës shqiptarë, ju shoqëri civile, shqiptarë etnik atdhetarë në trevat etnike shqiptare nën Malin e Zi, në Shqipërinë Londineze, në Kosovën dardane Euro-atlantike, etj. e deri në Bruksel e në Amerikë: Malësia shqiptare nga Ulqini në Rrozhajë është një “Mitrovicë e heshtur” që po kthehet haptas e shpejt në një “Çamëri të Dytë”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Mali i Zi, partite politike shqiptare, Ramiz Lushaj

SHQIPËRIA NË GJEOSTRATEGJINË E SOTME TË BALLKANIT PERËNDIMOR

January 27, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/                                    1.

Një Gupim Gjashtëshe (West Balkan Six), tip “Komënuelthi Ballkanik”, po siluron si nismë diplomatike e Malit të Zi. Arkitekt prijtar ka kryeministrin socialist, 51 vjeçarin Millo Gjukanoviç, ndërsa ideolog, pasues e zbatues ministrin e jashtëm malazes, 37 vjeçarin Igor Luksiç – ish kryeministër (2010-dhjetor-2012), ish ministër i financave. Përpjekjet për të tilla lidhnaja ballkanike janë të vjetra sa Rusia Cariste, Serbia Berlineze, Jugosllavia Versajiste, janë të reja sa vet koha pas rënies së Murit të Berlinit.

Ky termi “Ballkani Perëndimor”(BP) u pagëzue në vitin 2000 në Zagreb (Kroaci) në Samitin BE-BP, që përfshinte shtete të Procesit të Stabilizim-Asocimit (pa Slloveninë e plus Shqipërinë dhe tevona, pas Kroacisë-edhe Kosova). Ky “Union BP”, përndryshe:“Jugosllavia e Re”, në projektin e vet, i përfshin gjashtë shtete: Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Bosnje-Hercegovina. Dy shetet e tjera ballkanike: Sllovenia e Kroacia nuk e pëlqejnë një federatë të tillë, pasi e shohin si tepër të dyshimtë rolin e qëndrimet e Serbisë, etj. Sllavët e Malit të Zi e të Serbisë, veçanarisht pas 1 korrikut 2013 të antarësimit të Kroacisë në BE, duan t’i kthetrojnë medoemos e me përngutje ofensive në këtë nismë të re ballkanike, Shqipërinë e Kosovën.

Në strategjinë e paarritshme Gjashtëshja Ballkanike (G-6) parashikon në ardhmëri disa përbashkmëri edhe përtej modelit të avancuar Nordik: një Asamble Parlamentare (10 përfaqësues nga secili shtet antar, me seli qëndrore në Beograd), një treg ekonomik, një polici, një sistem të edukimit e të arsimimit; bashkëpunime disaplanëshe si në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, etj.

Kjo nismë malazeze, në (prapa)skenën e saj diplomatike e politike nuk është gja tjetër veçse një “Komënuelth Serb”, në një farë përafërie sikurse Komënuelthi i sotëm Rus. Krijimi federal i një “Jugosllavie të Re”, e katërta në histori, është e rrezikshme për vet Ballkanin e Europën. Jugosllavia Versajiste, Avnojiste, Unioniste millosheviçiane u përmbytën në gjakun e dy luftërave botërore e të tri luftërave ballkanike, tue përfshi si “të tretën luftë” edhe këto ma të fundit në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë e Kosovë.

Presidenti i Serbisë, ekstremisti kundërshqiptar Tomisllav Nikoliq, gjatë vizitës së tij në fundgusht 2013 në kryeqytetin kinez, Pekin, deklaroi botërisht:“Serbia do të jetë lider i Ballkanit”. Përndryshe: i kësaj “Jugosllavie të Re” në projekt gjeostrategjik, që po merr udhënisjeje të nëndheshme mafioze për zbatim diplomatik, politik, ekonomik, etj.

Bashkimi Europian në Bruksel, me disa personalitete si politikani e diplomati çek, Stefan Fyle e të tjerë dhe struktura të saj si RCC në Sarajevë, me drejtues diplomatin serb, Goran Svilanoviç, etj. po e promovojnë në forma e metoda dhe me praktika e mjete të ndryshme platformën e ecurinë e kësaj nisme të Malit të Zi gjukanoviçian. Këta të dy e të tjerë, shpeshherë e gjithandej, këtë nismë malazeze ua (keq)paraqesin shteteve ballkanike dhe botës euro-atlantike në emër “të integrimit në Bashkimin Europian”, etj.

Kjo nismë malazeze e prosllave ka lidhjen e peshën e vet ajzberige edhe me Dialogun e hapur Kosovë-Serbi; edhe me traktate e marrëveshje ndërballkanike si kjo e pritshmja “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë” në mes  dy shteteve shqiptare: Shqipërisë e Kosovës (Rama-Thaçi); edhe me ndikime në rrotacione politike ballkanike si në Shqipëri veçanarisht pas fjalës kombëtare të Sali Berishës më 25 nëntor 2012 në Shkup, etj.; edhe në krijimin e  një trekandëshi të liderëve Rama-Thaçi-Gjukanoviç për t’i pasë bota euro-atlantike e ballkanike si “faktor paqeje e stabiliteti” në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, etj.

Disa politikanë euro-ballkanik duhet të tregojnë ma tepër vëmendje që “Bisedimet Kosovë-Serbi”, të stërgjatura e me disa arritje të njohura, të mos instrumentalizohen nga (pro)sllavët me kahje që çojnë në hulli shovene të tilla si kjo nisma federaliste e Malit të Zi të Gjukanoviçit kundërshqiptar, politikanit ma jetëgjatë në Ballkan, ish mik i vjetër i Millosheviçit. E ngrejmë këtë çështje me problematika në rritje sepse “eposi” euro-atlantik e ballkanik i këtyre “Bisedimeve” në një korridor pa dalje fitimtare për shqiptarët, qyshse tani në hapat oazorë të nismes unioniste të Gjukanoviçit, kanë krijue dhe po përcjellin disa fenomene të rrezikshme. E para: po krijohet një diferencim proçesor i (pa)ndjeshëm e i disaanshëm në mes dy shteteve shqiptare në Ballkan, midis Shqipërisë dhe Kosovës. E dyta: mbi këtë hendek të saponisur, me zhelozi në rritje e rivalitet të heshtur, klasa politike zyrtare e Tiranës po e kaluçon Kosovën për me shkue turravrap në Beograd. Prisni, shikoni, dëgjoni: shumë shpejt edhe Edi Rama do falmeshëndetet në kryeqytetin e serbëve. Në asnjë kryeqytet ballkanik fqinjë me Shqipërinë Tirana zyrtare, klasa politike elitare kombëtare e saj, nuk mund të shkojnë në asnjë rast sipas formulës diplomatike-politike të Edi Ramës “Zero probleme me fqinjët”(!) Rruga e politikanëve shqiptar të Tiranës për në Beograd kalon vetëm nga Prishtina e Presheva e, pse jo, edhe nga Sanxhaku shqiptar  (Novi Pazari – Tregu i Ri) dhe vetëm duke u zgjidhur problematikat shqiptare të prejkohshme e të reja.

Në start e ecuri të kësaj nisme malazeze diçka është fort e qartë dhe shumë e sigurtë: Të parët do të përfitojnë Serbia dhe Mali i Zi për vete e nga të tjerët. Serbia qyshse në nisje po e përdor këtë nismë për t’u integruar sa më shpejt në BE, duke mos e njohur Kosovën si shtet i pavarur e antar në OKB. Mali i Zi, shtet gjeo-strategjik bregdetar e malor, me rolin e tij promotorr i shtohen pikët për antarësim në BE e në NATO.

Të parët e të fundit, si gjithmonë – edhe kësaj here, do të humbasin Shqiptarët në Ballkan (Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni, Luginën e Preshevës). Qyshse në start kjo nismë sllave e parasheh Kosovën në kuadrin e Rezolutës 1244 të OKB, me status të kategorisë së dytë, si “territor i (pa)varur”. Mjafton vetëm ky fakt që Shqipëria, shtet 101 vjeçar, të mos bahet pjesë diplomatike, politike e administrative e kësaj nisme të Malit të Zi, këtij shteti republikan 8 vjeçar.

Kosova, me gadishmërinë e saj për të mbështet çdo nismë ndërkontinentale integruese,  edhe në takimin e 16 korrikut 2013 në Budva ishte në nivel përfaqësimi si MPJ me një drejtor të përgjithshëm dhe me drejtorin për Ballkanin). Tani, Kosova,e njohur si shtet i pavarur nga 105 vende të botës, ende ka kohë të tërhiqet ende pa hyrë në thelluta të kësaj nisme slave.

 

2.

Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, mbetet një nga përkrahësit e flaktë të “Inisiativa G-6” të Malit të Zi. Vet zëdhënësi i tij, Peter Stano, pohoi para disa ditësh: “Komisioneri për Zgjerim e përkrah këtë inisiativë, në përputhje me rëndësinë që ajo atribuon për bashkëpunimin rajonal”. Komisionieri Fyle, disi i njohur për disa shtysa (jo)politike edhe për integriminin e Shqipërisë në BE, ndihej i interesuar për kryenegociator i bisedimeve Kosovë-Serbi, sidomos në kohë-krizën e bisedimeve në prill 2013 kur shefja e diplomacisë europiane, baronesha Ashton, paralajmëroi se mund të japë dorëheqjen. Nejse! Gjithësesi, shpresojmë që ky burrështetas, ky komisioner europian, të mos kapërthuret shumë në këtë nismë malazeze e prosllave, por të flasin e të veprimtarojnë ma shumë në emër të së ardhmes se sa të shkuares, t’i shohin shqiptarët në kompleks e pa komplekse si një faktor politik e demografik në Ballkanin Perëndimor, pasi janë të dytët për nga popullsia, etj.

Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (RCC) me seli në Sarajevë e zyrë ndërlidhëse në Bruksel (në BE) po kërkon në mënyrë diplomatike-politike publike, të paktën qyshse në takimin e 16 korrikut 2013 në Përzhno (Budva) në Mal të Zi, që të jetë “dora ekzekutive” e këtij “Unioni” të Ballkanit Perëndimor. Pse po ndodh kjo?! Sekretar i Përgjithshëm i RCC është 50 vjeçari Goran Svilanoviç, ish ministër i Jashtëm i Unionit Serbi-Mali i Zi në kohën e Millosheviçit. Ky e drejton RCC, këtë  institucion vazhdues i Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore (SEECP), i cili grupon 46 vende, organizata ndërkombëtare, institucione financiare, dhe prej shkurtit 2013 përfaqësohet edhe Kosova (pa siglen: UNMIK).

Këta të dy, Fyle e Svilanoviç dhe nga stafet e tyre, e kanë kaluar nëpër duart e bisedat e veta platformën malazeze të këtij Komënuelthi qyshse kah prilli 2013. Pra, kanë pasë njohje e sugjerime para se dokumente të tilla t’iu shpërndaheshin “Gjashtëshes Ballkanike” (G-6). Të dy në bashkari iu kanë parapri apo i kanë ndjekë edhe takimet në Budva – Mal i Zi, në Ohër – Maqedoni e deri në Nju York – SHBA.

Komisionieri Fyle ishte nisiator edhe i një takimi diplomatik në nivel të lartë të gjashtë shteteve ballkanike, sipas disa burimeve, i mbajtur më 26 shtator 2013 në Nju Jork, me objektiv: jetësimin e “Unionit Ballkaniko-Perëndimor” apo siç i jep tjetër format Serbia: “Jugosllavia 4” (Versioni 4.0 i Jugosllavisë”).

Kjo dyshja Fyle-Svilanoviç i rrijnë deri në tepri në krah njani-tjetrit në ecuri e ngecje të kësaj nisme malazeze. Në takimin sa sekret dhe të hapur të 16 korrikut 2013 në Përzhno të qytetit bregdetar Budva në Mal të Zi dukej sikur Svilanoviçi i RCC ishte “i pari i vendit” me direktiva e kërkesa të tij demokratike, të dyshimta, etj. Po as Komisionieri Fyle nuk mungonte aty. Ishte ambasadori i Delegacionit të BE në Mal të Zi, Mitika Drobniç, që i përcolli selamet diplomatike të diskutueshme të Fyles me thaniet (jo)diplomatike si: nisma malazeze, ky takim në Budva, po ndodh “në kohën e duhur”,  Fyle “iu sheh të gjithëve si të barabartë”, etj.

Për çdo shqiptar kombëtar çështja është ma problematike nga ç’duket realisht. Diplomacia ndërkombëtare nuk mundet që në shek. XXI të futin  Shqiptarët në një komënuelth të këtillë si ky “Jugosllavia 4”, siç veprohej dikur në konferenca ndërkombëtare, si ato të Berlinit (1878), Londrës (1913), Versajës (1919), etj. Kjo nuk duhet të paraqitetet nga asnjë palë ndërkombëtare apo rajonale si një mundësi, kusht apo alibi për antarësimin në Bashkimin Europian. Ne, shqiptarët e Ballkanit, do të integrohemi në BE vetëm me integritet kombëtar.

Dyshja Fyle-Svilanoviç apo ndokush tjetër nuk mund të jenë të dërguarit e Perëndisë dhe as të jenë vet Bashkimi Europian. Këta mund të kenë një rol frymëzues, përçues e realizues ndaj një nisme gjukanoviçiane të Malit të Zi për një “Jugosllavi të Re”. Mirëpo, Shqiptarët në dy shtetet e derisotme: Shqipëri e Kosovë, nuk i presin integrimin kombëtar e euro-atlantik as në Serbinë e Nikoliqit e Tadiçit, as në Malin e Zi të Gjukanoviçit, Vujanoviçit e Luksiçit, as në Maqedoninë e Gruevskit e Ivanovit, por me antarësimin në Bashkimin Europian.

3.

Pjesmarrja e Shqipërisë në nismen malazeze për një “komënuelth” të Ballkanit Perëndimor është një theqafje kombëtare. Përndryshe: u cilësue edhe si një “tradhëti kombëtare” mbi gjakun e plagët e të rënëve dhe mbi ëndrrat e sakrificat e të gjallëve. Kësodore, me të tilla etiketime politike e nacionaliste, u sulmue muajt e fundit edhe kryeministri Sali Berisha e qeveria e tij për “përfshirje” me pëlqim apo veprim në “Projektin Malazez”, për dhanie “konsensusi” për “Serbinë e Madhe”, etj., Mirëpo, ende hidhen dyshime të pambyllura për takime shqiptare të hapura apo të fshehta, si më 16 korrik 2013 në Budva të Malit të Zi, etj. Sidoqoftë, kundërshtari i tij politik, kryeministri pasues Edi Rama, deklaroi në mënyrë dinjitare në një konferencë online të 1 tetorit 2013: “Qeveria e mëparshme ka plot faje, po jo këtë”. Edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, del disi “i larë” nga projekti për Unionin Ballkaniko-Perëndimor (UBP), pasi e bojkotoi Samitin e Ohrit të 1 qershorit 2013, ku atje u fol “në kambë e në dorë” për këtë projekt ballkanik, që po s’na futi ujë nën kambë sot, ka me na ra kokës nesër.

Kryeministri i ri, Edi Rama, deklaroi në atë konferencë online: Nuk ka një projekt të tillë?! Ashtu qoftë! Po kryeministri Ivica Daciç, kryetari i Partisë Socialiste Serbe, ka folur për një “lidhje ballkanike nordike”, të ngjashme me një “Beneluks Panshqiptar”(!) dhe ka deklaruar  se këtë ide e ka pasë edhe ma herët, se Serbia “është ende në shqyrtim të saj”, etj. Këto qëndrime të kryeministrit serb, Daciçit kundërshqiptar, janë të muajit të kaluar. Këto i pohojnë edhe nga Milivoje Mihajloviç, zëdhënës i Qeverisë Serbe, edhe socialistja Dijana Vukomanoviq, anëtare e Komisionit për Integrime Europiane në Qeverinë e Serbisë, etj.

Vërtet shtetet ballkanike nuk japin detaje plotore rreth kësaj nisme malazeze, po i vërtetë është edhe fakti tjetër: Në zyra diplomatike e politike, natyrisht edhe në Shqipëri, ka ftesa, ka shkresa, e përveç këtyre qarkullon gjithandej edhe një  farë platforme me 20 pika” etj. Pra, kësisoj, nuk është vetëm një ide, por me mjeshtëri diplomatike (jo)shovene po jetësohet ashiqare në realitetin gjeopolitik ballkaniko-perëndimor. Edhe nga vet Brukseli i Bashkimit Europian, pikërisht nga Komisionieri Europian për Zgjerim, Stefan Fyle, vjen një deklarim zyrtar mediatik: “Iniciativa G-6 e Malit të Zi, ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes shteteve të Ballkanit Perëndimor”, etj.

Gjithandej (për)flitet për një takim të Gjashtëses Ballkanike (G-6) në shtator 2013 në Nju Jork. Troç: Edi Rama (vet)akuzohet për përkrahje të kësaj nisme malazeze!  Kësohere nuk po e akuzojmë kryeministrin Edi Rama për “tradhëti kombëtare” siç vepronin të tjerët në këta muajt e fundit ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha tek e (para)gjykonin për këtë nismë sllave. Dihet: genet e Edi Ramës në breza nga baba e nana e tij nuk ia lejojnë të rrëshqasin kaq shpejt e kaq lehtë në “tradhëti kombëtare”. Një fakt bindës: stërgjyshi i tij, Kristaq Rama në Durrës ishte ndër firmëtarët e ngritjes së Flamurit të Pavarësisë në këtë qytet bregdetar në fundnëntorin 1912, (sëbashku me të vllain, Mihal Rama) iu ba krah Ismail Qemalit në nëntor 1912 kur erdhi në Durrës, ndërkohë që ortodoksë e boshnjakë të atyshëm i dolën kundra, i banë antimiting. Kryeministri i ri Edi Rama po vepron ndryshe: po bahet mjaft i rrezikshëm me mospërfilljet e tij, pasi nuk po i informon institucionet e shtetit shqiptar e popullin shqiptar për nisma të tilla si kjo G- 6 ballkanike apo ajo G-6 afrikane e latino-amerikane, etj. Rreziku i tij i madh për shoqërinë e sotme demokratike është se ai kujton sikur shteti ynë/tij është “shteti i babës” dhe “shteti i dajës”, sikur ai “ka lindur për shtetin”, ndërkohë që shteti ka lindur për njerëzit. Ai duke hipotekue klanin e tij nga bashkia deri tek qeveria, kujton sot apo do të kujtojnë nesër sikur hipotekën e tij është krejt Shqipëria.

Kryeministri Edi Rama duhet të shpjegohet për nismen malazeze të Gjukanoviçit kundërshqiptar. Kjo për pasi disa arsye: Flitet për një takim në fundshtator 2013 në Nju Jork të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Vet Edi Rama pati disa takime e biseda në Nju Jork me Gjukanoviçin, si në një takim  zyrtar dyshe si kryeministra të dy shteteve ballkanike, pjesmarrja e përbashkët në veprimtarinë vjetore të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Nju Jork, etj. po këto nuk janë takimet e para dhe as të fundit që këta dy lider ballkanik bajnë ndërveti.

Kryeministri e kryesocialisti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç (sëbashku me ish-presidentin serb, Boris Tadiç) ishin në qytetin e Shkodrës më 22 prill 2013 si “palë e tretë”, si “bashkidealistë socialistë”,etj. në beslidhjen e Partisë Socialiste të Edi Ramës e të Lëvizjes Socialiste për Integrim të Ilir Metës. Gjukanoviçi rivinte në këtë solemnitet në Shkodër fiks 100 vjet pasi Esad Pashë Toptani kreu besëpremjen e dorëzimit tek krajl Nikolla i Malit të Zi të Shkodrës qëndrestare (9 tetor 1912-22 prill 1913). Të nesërmen, më 23 prill, dy liderat Rama-Gjukanoviç me suitat e tyre politike e të tjerët, drekuan në Budva, në këtë vend turistik në komunën e Tivarit të të tragjedisë së mbi 4 mijë shqiptarëve të vrarë nga etërit e tyre bio-politik sllavo-komunistë rreth shtatë dekada ma herët, në prill 1945. Kësokohe, në prill 2013, Mali i Zi i Gjukanoviçit e nxori në skenën diplomatike ballkanike e euro-atlantike nismen G-6 të Unionit Ballkaniko-Perëndimor. Patjetër që dy “arinjtë polar” të politikës ballkanike si “i vjetri” Gjukanoviç dhe “i riu” Rama, të dy të rrezikshëm njësoj – njëri në ngritje e tjetri në rënie,  nuk mund të bindin askënd që asokohe këta të dy të mos kenë folë për nismen malazeze G-6?!

Paradoks diplomatik, politik e moral: Nisma e Malit të Zi, sipas platformës parasheh edhe luftën e përbashkët kundër korrupsionit, si një nga kushtet që BE parashtron për këto vende ballkanike të G-6. Aty, sipas një përkthimi, thuhet: “Meqë është rënë dakord se lufta kundër korrupsionit paraqet një komponent të rëndësishëm dhe të përpjekjeve të përbashkëta, vendet anëtare do të sugjerojnë konsolidim të Iniciativës Rajonale për Migracion, Azil dhe Refugjatët, dhe Iniciativës Rajonale Anti-Korrupsion me qëllim të krijimit të një qendre rajonale të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Dihet: kryenismëtar i “Unionit Ballkaiko-Perëndimor” (Jugosllavia e Re) është politikani bankier, Millo Gjukanoviçi, që i mban rrobat sipas trupit, kravatit sipas qejfit e orët e shtrenjta sipas shijes, i cili është edhe një nga liderët ma të akuzuar në botën e sotme për korrupsionin e tij, që e ka krye me vendet fqinjë të tokës e të detit, sidomos me Italinë për cigaret e me Shqipërinë për naftën. Mbi Gjukanoviçin, që i ka të gjitha në vetveten e tij: komunist dogmatik, nacionalist sllav, patriot malazez, strateg në luftë kundër kroatëve, përkrahës i luftës kundër boshnjakëve në B-H, “baba i Pavarësisë” (siç i pëlqen ta quajnë të tjerët), “njeri i hekurt” -i pamëshirshëm në politikë e në biznes, (me bandat e kondrabanden e tij), mban gjithato akuza për korrupsion e lidhje me mafien. Gjukanoviçit i kanë tërheq vëmendjen për korrupsionin edhe personalitete të larta botërore, e ka shpall në kërkim edhe Prokuroria Italiane, opozita malazeze si Nebojsa Medojeviç – ish kandidat për President më 2008, e cilëson si “nun” i “shoqatës kriminale” të pak familjeve super të pasura në Malin e Zi. Thuhet në dokumente se mafia me kondrabandën nëpër Mal të Zi ka fituar miliarda lekë të ardhura. Gjukanoviçi kundërshqiptar, ky kameleon politik, që hiqet e duket si njeri karizmatik në Malin e Zi, që ka ngrit edhe universitet privat, etj. me fjalën e gojën e tij “brisk rroje” justifikohet për gjithçka në akuzat ndaj tij.

Millo Gjukanoviçi shtatë herë kryeministër i Malit të Zi dhe Edi Rama i sapo zgjedhur kryeministër i Shqipërisë janë miq të hershëm, pasi të dy janë politikanë socialistë, të dy janë  sportistë basketbollistë, me tipare lideri e praktika politike pothuaj të njëjta. Gjukanoviçi është politikani ma jetëgjatë në Ballkan, kurse Rama është një nga dy politikanët zyrtar ma jetëgjatë në Shqipëri (pas Berishës), pasi ishte ministër i Kulturës, kryebashkiak i Tiranës, e së fundit, kryeministër. Kjo shoqëri ndërveti ka disa ndërvartësi të këqija për vet Edi Ramën; I ban kopjaci atij. Gjukanoviçi në fushatën elektorale parlamentare më 2012 e ngriti Koalicionin “Mali i Zi Europian”, çka edhe Rama më 2013 e quajti koalicionin e majtë Aleanca “Për Shqipërinë Europiane”. Pra, njësoj. E keqja ma e madhe është se Rama si kryeministër (pas tij edhe Thaçi) po e imitojnë në vazhdimësi Gjukanoviçin, mikun e tyre, pikërisht në atë përvojën e tij tepër të keqe, që e drejton  prej kohësh Malin e Zi si një shtet privat.

4.

Atë çka ka ndërmend e në letra të nismes së hapur e të fshehtë Gjukanoviçi i Malit të Zi na e thotë kohët e fundit edhe Ivica Daciç, kryeministri e kryesocialisti i Serbisë. Këta flasin për një “Benelux” panshqiptar. Kjo thanie përforcohet edhe nga Milivoje Mihajloviç, Dijana Vukomanoviq, etj. në prapaskenë thuhet se do të jetë hapi i parë i Unionit të Ballkanit Perëndimor. Ky “Beneluks Panshqiptar” do të mbetet i tillë edhe pas ngritjes së Unionit (UBP). Ky Beneluks do të përfshijnë tri shtete ballkanike: Shqipërinë, Kosovën e Malin e Zi. Rreziku kombëtar ma i madh i kësaj trinjakërie shtetesh do të jenë trevat shqiptare në Malin e Zi, që shtrihen nga deti në male përgjatë kufirit të Shqipërisë e të Kosovës si komunat e Ulqinit, Podgoricës (Tuzi, etj), Plavë-Gucisë, Rozhajës, etj. Po kështu do ta pësojnë keq edhe Lugina e Preshevës (Kosova Lindore), Mitrovica me komunat përrreth, etj.

Hije të zeza diplomatike e politike të këtij Beneluksi Panshqiptar u shfaqën keqas edhe në Nju Jork në darkën e 17-të gala të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NACC) më 27 shtator 2013, ku ishin të ftuar nderi tre kryeministrat: Edi Rama i Shqipërisë, Hashim Thaçi i Malit të Zi dhe Millo Gjukanoviç i Malit të Zi. Disa pyetje: Përveç “dorës së Sorosit” kush tjetër i tuboi bashkarisht në një takim të tillë panshqiptar? Pse nuk erdhi edhe tjetri kryeministër kundërshqiptar, Gruevski i Maqedonisë, ku edhe përqindja e shqiptarëve në këtë shtet është më e lartë se sa në Malin e Zi, ku në këtë veprimtari kishte edhe personalitete të larta shqiptare nga Maqedonia si Musa Xhaferri, etj.?! Aty mund të ishte edhe Ivica Daciç i Serbisë, pasi për shqiptarët e Ballkanit e të Diasporës të janë njëlloj, një brumë sllav kundërshqiptar. Të tre kryeministrat e “Beneluksit Panshqiptar” para se të vinin në këtë veprimtari të NACC ishin takue ndërveti në Nju Jork.

Shqiptarët në Amerikë me origjinë nga trevat etnike shqiptare në Mal të Zi, qyshse më 17 shtator 2013,  të përfaqësuar nga shoqatat e tyre: Ana e Malit, Dedë Gjo’ Luli, Kraja në Nju Jork, ajo e Intelektualëve të Pavarur e Malësia e Madhe në Detroit, Fondacionet Plavë-Guci dhe Dom Simon Filipaj dhe Fondi Humanitar Malësia në Nju Jork kundërshtuan atdhetarisht e publikisht pjesmarrjen e Gjukanoviçit në këtë veprimtari pothuajse panshqiptare. Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” udhëtoi 12 orë rrugë nga Detroiti në Nju Jork për të protestuar (bashkë me të tjerë) më 27 shtator 2013 para selisë së OKB, konsullatës malazeze në Nju Jork dhe tek rruga 42 – tek salla Cipriani e darkës solemne e festive të NACC. Protestuesit nuk i takoi askush përveçse ministrit të Jashtëm të Kosovës, zotit Enver Hoxhaj. Të tre kryeministrat trinjak ballkanik hynë bashkarisht e mospërfillës në sallë. Të nesermen MPJ e Malit të Zi lëshoi deklaratë kundër shqiptarëve protestues në Nju Jork, duke i etiketue “grupe radikale”, etj. Dy kryeministrat shqiptarë heshtën ndaj shqiptarëve të Malit të Zi për hatër të Gjukanoviçit. Asnjë nga shoqatat apo shqiptarët protestues nuk e dinin plotërisht se mospërfillja e tyre i kishte rrënjët edhe tek “Beneluksi Panshqiptar” i pritshëm e i frikshëm i Gjukanoviçit në Podgoricë-Kotorr dhe, në (prapa)skenë shovene, i Ivica Daciçit në Beograd.

Treshja Rama-Thaçi-Gjukanoviç i sfidoi shqiptarët në Nju Jork e në Mal të Zi për hir të miqësisë e të pushtetit të vet politik. Këtyre tre kryeministrave iu intereson ma shumë një mandat i tretë i Thaçit në Prishtinë se sa kërkesa tre dekadore e Tuzit për komunë më vete, etj. Edi Rama i ka njëjtësisht larg Tiranës edhe Tuzin, Ulqinën e Plavë-Gucinë, ashtu sikurse Hashim Thaçi i ka nga Prishtina si Plavë-Gucinë e Rrozhajën. Këto treva shqiptare janë ma afër se liderët malazezë të Kotorrrit: Gjukanoviçi e Vujanoviçi.

Klasa politike shqiptare e pas rënies së Murit të Berlinit si në Mal të Zi, në Tiranë e në Prishtinë, etj. ka me mbajt përgjegjësi historike edhe nga brezat pasardhës për trevat shqiptare në Mal të Zi e për shqiptarët e saj, pasi kanë hyrë në dekadën e tretë duke heq vallen (anti)shqiptare sipas kukës së Gjukanoviçit. Nuk është në nderin tonë kombëtar që shqiptarët në Malin e Zi ende të mbeten “të tradhtuar” kaq keqaz, sepse Mali i Zi multietnik don të bahet shtet etnik sllav (po mundi edhe malazez) me tokat e shqiptarëve, se Gjukanoviçi me të tijët don të rrijnë në pushtet, sepse Tirana e Prishtina duan të jenë “faktor paqeje” në Ballkan, etj.

Në Nju Jork gjatë shtatorit 2013 dy kryeministrat shqiptar, Rama e Thaçi, u takuan me Gjukanoviçin. Çka diskutuan ndërveti del sipas deklaratave të tyre për shtyp. Edi Rama flet si pan-europian për degëzimet e rrjetit TAP drejt Kosovës e Malit të Zi dhe për ndërtimin e një autostrade që do të kalonte nga Kroacia drejt Mal të Zi e Shqipërisë për të lidhur bregdetet Adriatik me atë Jon. Pra, nga fusha e Shah Denis të Azerbajxhanit do të vijnë gazsjellësi gjigand TAP për të cilin kanë nënshkrue Memorandum Mirëkuptimi qyshse në maj 2013 katër shtete ballkanike: Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia e Bosnje-Hercegovina. Aty, në maj 2013, ishte dhe foli edhe Igor Lukshiç, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme e Integrimit Europian i Malit të Zi, ideologu e promotorri flamurmbajtës i nismes malazeze për federatën ballkanike G-6. Edi Rama flet si pan-europian për “Korridorin Dalmat” nga Trieste në Igumenicë, negociatat për të cilin kanë nistue qyshse më 2004 dhe do të jetë sipërmarrje madhore edhe e Bashkimit Europian. Edi Rama të bahej ma tokësor, të tregohej ma shqiptar. Të fliste për rrugën Han i Hotit-Vermosh-Plavë-Guci, për hapjen e pikave kufitare si ajo e Çeremit dhe ndertimi i rrugës Dragobi-Çerem-Plavë-Guci.

Në krahun tjetër, Hashim Thaçi i mburret mikut të tij, Gjukanoviçit, se tashma në Prishtinë do të hapet ambasada e Malit të Zi. Ky, njeriu që luftoi për lirinë e pavarësinë e Kosovës në male e kancelari të botës nuk e përmend hapjen e Rrugës Deçan-Plavë, që iu ka premtue disa herë kryekomunarëve, shqiptarëve e banorëve të tjerë të kësaj treve etnike shqiptare. Thaçi nuk flet as për kufirin Kosovë-Mali i Zi, etj.

Dy kryeministrat shqiptarë: Edi Rama i Tiranës e Hashim Thaçi i Prishtinës, që saherë takohen me Millo Gjukanoviçin na fyejnë në krenarinë e ardhmërinë kombëtare shqiptare, kanë pasë dhe kanë çka të diskutojnë për çështjet problematike të pazgjidhura të shqiptarëve në Malin e Zi: çpopullimi i trojeve tona nga shqiptarët; mos lejimi i perdorimit të lirshëm i simboleve kombëtare; ndryshimi i ligjit për përfaqësimin e popullatës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi; arrestimet dhe burgosjet gjatë aksionit famëkeq e terrorizues “Fluturimi i Shqiponjës”; injorimi dhe mos dhënja e të drejtës për komunën e Tuzit; tentimi për ndryshimin e strukturës demografike duke sjellur ardhacakë nga veriu i Malit të Zi në Tuz; arrestimet e gjykimet e padrejta të 23 shqiptarëve në fshatin Martinaj të Plavë-Gucisë; eksproprimi i pronës private në emër të krijimit të parqeve nacionale në pronat private të shqiptarëve të Plavë-Gucisë; marrja e kompetencave në mënyrë arbitrare për pasuritë detare të komunës së Ulqinit si dhe konfiskimi i pronave private të shqiptarëve në Gjirin e Valdanosit.

5.

Shqipëria Europiane, me aktin ajzberig të kryer nga kryeministri Edi Rama të hanën e  23 shtatorit 2013 në Nju Jork, u fut në Grupin e Gjashtëses (G-6): “Liderët e Rrjetit Global të Shkëmbimeve” (Global Network of Global Delivery Leaders). Ky projekt i përbashkët me nismëtar ish-kryeministrin britanik, Tony Blair, e mbështetës presidentin e BB, Jim Yong Kim, e keqdegdis dhe e barazon Shqipërinë me vende të botës së tretë, me ato afrikane: Etiopia, Gana, Malawia, Senegali dhe me Haitin, latino-amerikan. Pas kësaj, një pyetje të hapur: Shqipëria euro-atlantike a do të rikthehet tek politikat ekonomike të botës së tretë?!

Një absurd diplomatik e politik: kjo aleancë u lidh në Nju Jork “kryeqendrën e botës”, në ditët e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, në prani të disa personaliteteve botërore e liderë rajonal, por nga kryeministri i ri Edi Rama u mbajt tepër e fshehtë për shtetin e popullin shqiptar. Masmedia shqiptare stërfolën për takimet e Ramës me Blair e Kim, po askund nuk u cek e as cing një fjalë e vetme për këtë kahje pa busull, kaçimak diplomatik, labirinth donacionesh. Nga “tuneli” i këtij takimi enigmatik Edi Rama nxorri të nesërmen në faqen e tij në fejsbuk vetëm 8 foto pa deçitura, ndërkohë që pikërisht ato ditë i cullakoj në treg diplomatik e publik plot 83 foto me kryekoment e pamje jo të mira edhe nga wc përdhese nga Kryeministria e tij/jona e shtetit të vet/tonë. Si prirje drejt numerologjisë, ishin aq foto sa ditë kishte i zgjedhur e dekretuar si kryeministër i pas 23 qershorit 2013. Nejse! Edi Rama erdhi në të parafundmen ditë të shtatorit në Tiranë. Prapë, më 1 tetor i ripublikoi në websajtin e Kryeministrisë ato 8 fotot heshtanike të Nju Jorkut. As cijatje zyrtare për mbrapshtinë e rradhës: Rrjetin G-6. Heshtje diplomatike e mjergullt edhe nga miku i madh i shqiptarëve, Tony Blair, që në fillnisje të tetorit ishte misionar i jehonshëm në Tiranë, në cilësinë e re – këshilltar i ligjshëm i Qeverisë Rama.

Presidenti Xhon Mahama i Senegalit gjysëmpresidencial në Afrikën Perëndimore përmes faqes zyrtare të Presidencës e njoftoi publikisht vendin e tij disa orë pas takimit njujorkez për “Nismën G-6”. Krejt ndryshe po vepron kryeministri Edi Rama. Ka plot një muaj që manifeston shpërfillje të patolerueshme mosinformimi ndaj institucioneve të larta të Shqipërisë për këtë vendimmarrje të tij ekstreme për inkuadrimin e vendit tonë euro-atlantik në Afrikë e në Amerikën Latine.

Ftesa Blair-Kim e 1 gushtit 2013 për kryeministrin në pritje Edi Rama e cilëson takimin e Nju Jorkut si “event” dhe “mbledhje private” me krerë shtetesh “për të ndarë eksperiencat e  implementimit të qeverive të suksesshme”. Mirëpo, OKB e BB, të dyja në një ditë, më 3 tetor, në buletinin e lajmeve, në websajtet e tyre, publikuan njoftimin për nismen G-6: “Liderët e Rrjetit Global të Shkëmbimeve”. Kësisoj, ky takim, kjo nismë, u zyrtarizue publikisht e botërisht. Prej kësaj dite edhe shqiptarët e mësuan prej të tjerëve të vërtetën e përfshirjes me diplomaci jo dinjitare e politikë disi urithore të Shqipërisë në Grupin G-6. Ende Edi Rama e mbart si “nismë private” takimin e platformën e Grupit të Gjashtëve. Nuk ka një diskutim publik e miratim zyrtar as Qeveria, as Parlamenti, as Presidenca. Heshtje apo vonesa të tilla po e thyejnë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Kombi shqiptar nuk ka nevojë për një kryeministër me shumë fytyrësi politike, ende pa konstrukt palcor diplomatik. Kryesocialisti Edi Rama vitin e kaluar e akuzonte kryeministrin paraardhës Sali Berisha se po don ta kthejnë Shqipërinë në një Etiopi (Paskuqan, 9 dhjetor 2012). Kur ishte në opozitë bojkoti për tre ligjet që i jepnin vendit tonë statusin për në BE parapëlqente të perifrazonte krahasime të Shqipërisë me Etiopinë (Tiranë, 29 janar 2013). Menjëherë pas ardhjes në pushtet, vetëm shtatë ditë pasi betohet si kryeministër i Shqipërisë, lidh aleancën G-6. Në G-6 tashmë është edhe RPD e Etiopisë së lashtë e multietnike, tejet e lodhur nga kryengritje antikomuniste, luftëra civile dhe me fqinjët, gjyqet për krime lufte, aqsa edhe një raport i OKB e rendit në vendin e dytë në botë për nga përqindja e njerëzve të varfër. Etiopia, në këtë rrjet trekontinental, është i vetmi vend që ende nuk e ka njohur shtetin e ri të Kosovës. Kryeministri Edi Rama në takimin njujorkez me homologun e tij bashkëmoshatar, kryeministrin etiopian, Hailemariam Desalegn, nuk dihet nëse veproi suksesshëm sikurse kryeministri turk, burrështetasi proshqiptar, Rexhep Erdogan, i cili ndikoi tek presidenti Wade e kryeministri sheik Soumare të Senegalit për ta njohur Kosovën dy ditë pas shpalljes së Pavarësisë së saj, më 19 shkurt 2008.

Ky projekt Blair-BB qyshse në start po pritet me dyshime hetimi ndaj nismëtarëve. Peter Koula në Londër, kryetar i institucionit Bretod Uds, me një gjysëm shekulli historik monitorimi të projekteve të ndërmarra edhe nga BB e FMN, shprehet për “konflikte interesi me bollek”, paralajmëron se për këtë çështje “mund të flitet me vëllime”. Në Shqipërinë Londineze po ngjet krejt e kundërta: ende Parlamenti nuk e ka thirrë në interperlancë parlamentare kryeministrin Edi Rama për shpjegime e përgjegjësi për këtë kahje mbrapshtie ndaj traditës historike properëndimore të shqiptarëve të Ballkanit.

Kryeministri socialist Edi Rama po vrapon me dorën e kambën e djathtë në Europë. Në anën tjetër, me dorën e kambën e majtë po magnetizohet në Afrikë e në Amerikën Latine, në grupime të tilla si G-6: “Liderët e Rrjetit Global të Shkëmbimeve”. Vërtet “Afrika e Zezë” nuk është ajo e viteve ’60, po as Shqipëria nuk është “Afrika e Bardhë” e viteve ’90.

Shqipëria – vend antar në NATO, KiE, OSBE e vend kandidat për në BE, me këto shtete afrikane e latino-amerikane takohet vetëm në një organizëm ndërkombëtar, vetëm në OKB dhe vetëm me Senegalin në Konferencën e Vendeve Islamike (OIC). Përndryshe: në këto vende ende problematike për botën Kombet e Bashkuara kanë investue edhe me forca paqeruajtëse: në Etiopi me misionin UNMEE (2000-2008), në Haiti me misionet UNMIH (1993-1996), UNSMIH (1996-1997), UNSMIH, MINIGUA, UNTMIH (1997), MIPONUH (1997-2000), MICAH (2000-2001), etj.

BB dokumenton se (GNI) niveli i të ardhurave kombëtare bruto për frymë (PPP) për Shqipërinë për vitin 2012 është 9.390 USD, ndërsa për për Malawin 880 USD, Etiopinë 1.140 USD, për Haitin 1.240 USD, për Senegalin 1.920 USD, për Ganën 1.940 USD. Shkalla e zhvillimit varion nga 5 deri në 10 herë më e lartë për Shqipërinë.

Nga vendet G-6, gjithnjë sipas BB, Shqipëria renditet në vendet me të ardhura mesatare të larta (4.148 USD të ardhura vjetore për frymë), ndërsa Gana (1.604 USD) renditet në vendet me të ardhura mesatare të ulta, kurse Senegali (1.034 USD), Haiti (770 USD), Etiopia (470 USD), Malawi (268 USD për frymë). Kështu, Shqipëria e ka treguesin e të ardhurave për frymë ma shumë se këto pesë shtete sëbashku apo ndryshe, me një rritje pesë herë ma të madhe se sa mesatarja e përbashkët e tyre.

Ky “klub”, projekti G-6, ka mision shkëmbimin e përvojave të qeverisjes ndërveti të një vendi euro-atlantik si Shqipëria me pesë shtete si ato afrikane e latino-amerikane. Disa liderë, si presidenti i Senegalit në deklaraten e 24 shtatorit 2013 për takimin e Nju Jorkut, nuk begenisin t’ia përmendin as emrin Edi Ramës dhe as Shqipërisë së tij/tonë. Qeveria e re Shqiptare, me “qeverisjen e frikës”, me “diktaturën e bardhë” të liderit, “diktaturën e kuqe” të etërve të majtë, etj. po iu shembëllen këtyre shteteve të aleancës së re. Kjo duket edhe tek qëndrimet e veprimet me ligjin e Statusit të Nëpunësit Civil: thyerja me arbitraritet të tejskajshëm i konsensusit pozitë-opozitë i 30 majit 2013, shkarkime kolektive nga puna edhe brenda një dite si kryepolicin e shtetit me 12 drejtorët e policisë në 12 qarqet e vendit, 88 policë të policisë rrugore të Tiranës, 150 oficerë të Antikrimit Ekonomik, etj. akt-shkatërrimet e institucioneve shqiptare rreth 90 vjeçare si Garda e Republikës, etj.

Raste të tilla ekstreme të qeverisjes së majtë në Shqipëri vijnë në vargnim faktik përgjatë dy muajve, të cilat janë krejt të ngjashme me ato në Haitin amerikano-latin, ku janë krye 32 grushte shteti; me ato në Etiopinë afrikane me dhjetra raste të burgosjeve edhe të deputetëve të opozitës të cilët edhe Amnesty International i cilëson “të burgosur të ndërgjegjes”, etj.

6.

Ballkani si asnjë rajon tjetër i botës së sotme është i mbushur deri në tejngopje me organizata e organizma ndërkombëtare e rajonale si OKB me agjensitë e saj, NATO, BE, KiE, OSBE, si edhe Procesi i Kooperimit të Europës Juglindore (SEECP), Konferenca e Vendeve Islamike, Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (RCC), Nisma Adriatiko-Joniane, Nisma e Europës Qendrore, Nisma e Detit të Zi, SECI, Forumi i Kartës Adriatik 5, etj.

Çështja shtrohet: Çka i duhet Ballkanit edhe një organizëm tjetër federalist G-6 (West Balkan Six): Unioni Ballkaniko-Perëndimor (Jugosllavia 4, etj.) dhe brenda formatit të saj nismëtar e bashkudhtar, ngritja parësore e mbajtja edhe e mapasme e një “Beneluksi Panshqiptar” (!) Për ma tepër çka i duhet realisht pjesmarrja e një vendi ballkanik si Shqipëria në një tjetër G-6: “Liderët e Rrjetit Global të Shkëmbimeve” (Global Network of Global Delivery Leaders)  me shtete afrikane dhe latino-amerikane të botës së tretë. Deri kur Parlamenti e Presidenca e Shqipërisë do të heshtin dhe nuk do të kërkojnë përgjegjësi ndaj kryeministrit Edi Rama për angazhime të heshtura e të hapura në këto dy grupime G-6.  Njejtësisht kryeministri Rama duhet të shpjegohet edhe pwr takimin e tij në shtator në Nju Jork me ministrin e Jashtëm Rus, Sergei Lavrov në kohën që presidenti amerikan Barak Obama mbante fjalimin historik në sallën e OKB, sepse kryediplomatit rus i është premtuar futja e oligarkëve rusë në ekonominë shqiptare, për një numër projektesh të Rusisë me Shqipërinë, etj. Kryeministri Rama duhet të arsyetojnë ftesat e tij për ngritje të një superushtrie me këshilltarë  të huaj në Shqipëri si “Njësi speciale për G-6 me vendet afrikane e latino-amerikane, siç po i ngrejnë edhe këto në vendet e tyre; grup me këshilltarë nga disa vende Arabe; grup këshilltarësh nga Turqia, etj. etj. Patjetër duhet të rrëfehen për takimet e ndryshme në ditët e Asamblesë së Përgjithshme të OKB në Nju Jork lidhur me projektet për Shqipërinë, për Çështjen Kombëtare Shqiptare në Ballkan, etj. Ndihet nevoja kombëtare që të sqarohet ma tej e ma tepër nga kryeministri Rama ideja e tij e hedhur në Parlamentin e Kosovës për një pesëkandësh gjeo-politik Itali-Turqi-Greqi-Shqipëri-Kosovë, që, ndoshta, edhe me afrimin e Malit të Zi, do të kemi një tjetër G-6, në të cilën a jetësohet “Beneluksi Panshqiptar”, etj.

Përndryshe, në mungesë të shpjegimeve të tilla dhe të mos institucionalizimit zyrtar të këtyre nismave G-6, etj. nuk na mbetet gja tjetër veç të themi se në këto veprimtari diplomatike, politike, etj. nuk kemi vetëm dy grupe G-6, po kemi vetëm një grup G-666, që në numerologji simbolizon “Djallin”. Pra, G-666 është Edi Rama, që po vjen në skenë e rri në karriken kryeministrore si Djalli vet. Pra, djalli vet është Edi Rama, pasi me grupime të tilla si UBP na çon tek djajtë e kuq të kombit tonë, tek sllavët.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ramiz Lushaj, Shqiperia ne Gjeostrategjine e sotme, te Ballkanit

DORUNTINA MODERNE, DRANDE JAKJA…

January 24, 2014 by dgreca

… QË DO T’I JEPTE KADARESË ÇMIMIN NOBEL APO HOLLIVUDIT AMERIKAN NJË FILM NOBEL/

Shkruan: Ramiz LUSHAJ/

1.

Pena mjeshtërore e Ismail Kadaresë e nektari baladën shqiptare “Konstandini e Doruntina” tue e mjaltë romanin “Kush e solli Doruntinën” (Tiranë, Naim Frashëri, 1979), i përkthyem në disa gjuhë të botës deri përtej Atlanikut e Paqësorit. Çka është më e themeltë, e shtylltë: Kadare me Doruntinën i ngre një tempull apollonik kombit shqiptar tue e fjalartë institucionin e lashtë e tejet shqiptar të Besës (Besa-Besë) e cila është një fjalë e papërkthyeshme në të tjera gjuhë nacionale; tue artnue motivin hyjnor shqiptar të ringjalljes (Konstandini shqiptar u ringjall edhe para Krishtit, edhe para Lazarit); duke provue botnisht se balada e personazhet e saj: Doruntina e Konstandini (motër e vlla) janë rrënjas të trollit gjeografik e etno-historik iliro-shqiptar. E dyta pas Doruntinës të baladës së lashtë ilire është legjenda e re dhe reale, Nanëmadhja Drande Jakja. Përndryshe: Doruntina moderne. Çikë bregdrinase nga dera e fisme e Jak Gjonit në Fierzën e dritës të Përtejdrinit. Nuse e martirit të pakthyeshëm Vuksan Prek Ndou i Nikaj-Mërturit, djalë i derës së patriotit luftëtar e dijetarit pasanik, Zeqir Dema i Btoshës. Prej disa dekadash jeton në Bukovë të Lugut të Malësisë së Gjakovës. Ndër kohna i ka tejkalue me sfidë mbijetese kryelartësore gjashtë sisteme rregjimi. Po e kap shekullin e jetës. Është 98 vjeçe. Ia ka mbrri të mbajë në prehrin e saj edhe stërnipa të brezit të pestë.

Doruntina moderne Drande Jakja vjen me bohemën e jashtëzakonshme e qëndresën mbinjerëzore në monografinë 137 faqe nga vepra “Gruaja që sfidoi fatin” (Tiranë, Kristalina- KH, 2013) e autorit nikajmërturas, Pjetër Meta (Përpalaj), i cili e shkroi këtë vepër në moshën që kishte Kadare kur e ribotoi romanin “Kush e solli Doruntinën” (Tiranë, Onufri, 2004). Pjetër Meta i fisit Nikaj (nga Peraj) e paraqet fillepërpe me vërtetësi detajore e realizëm përshkrues plot tragjedi e sfida këtë heroinë të heshtur që me akte të saj ringjalli lartësisht legjendat e vjetra, sepse fatmirësisht ka lidhjet e veta farefisnore me Drande Jaken, nuse e re e zonjë e moçme në fisin Mërtur, në Btoshën e urtisë e të trimnisë. Pjetër Meta ka përvojën e tij në fushën e letrave me pothuaj një gjysmë shekulli bashkëpunime në shtypin e shkruar, me romanin “Fundi i kalvarit” (Tiranë, Geer, 2010, 335 faqe) e monografinë “Ka thënë Pal Kokrri (Neçaj)…!” (Tiranë, Belina H, 2011, 370 faqe), që i kanë motive e personazhe nga treva etno-historike e Nikaj-Mërturit, të cilën autori  e njeh në thelbin e jetës ndër shekuj e në histori të kullave malësore të saj. Ndoshta, në një të nesërme të afërt, publicisti, shkrimtari e studiesi Pjetër Meta, për Drande Jakun – Doruntinën shqiptare të Drinit, Zetës, Vjosës, Valbonës e të Alpeve, ka me na e risjellë një botim më vete e, pse jo, edhe dygjuhësh: shqip e anglisht, pasi është mision i mirë për kohnat e breznitë shqiptare në Ballkan e në diasporat në botë.

2.

Konstandini i dha Besën nanës së tij se motrën e vetme, Doruntinën, të cilën e martuan shtatë male larg do e sillnin në tpanë në kullen e vet të lindjes, me e pa me sytë e saj. Nana e truen të birin për Besën e lanë udhës, ndaj ai ngrihet nga varri e merr kalin erë të legjendës dhe e sjellë Doruntinën në derën e prindërve. Besa u krye. Pas kësaj, nanë e bijë vdesin sëbashku, në trollin e vet.

Doruntina e sotme, Drande Jakja e Btoshës, në fundnëntor 1948, kur Perdja e Hekurt e Lindjes ra si gurë mes dy syve në mes Shqipërisë Londineze e Kosovës Dardane, u falmeshëndet përjetë me burrin e saj kaçak, Vuksanin, që ia ktheu pushkën komunizmit prej se kur hyni me brigada partizane në nëntor 1944 në Qafë të Kolçit për me e zotërue Nikaj-Mërturin. Drandja ia dha besën Vuksanit (fq. 137) se ka me i rritë djemtë burra në trollin e vet dhe ka me i përcjellë çikat nuse në dyer të mira. Kësokohe, ma i vogli ndër katër fëmijët e tyne, Zefi, ishte veçse dhjetë ditësh.

Në vitin 1949, pa i ikë dimni tokës, policia e sigurimi i shtetit e shpërngulën Drande Jaken me katër fëmijë në kalvarin e shtatë internimeve: tri vendqëndrime në krahinën e Nikaj-Mërturit, në Tropojë (Astë, qendër e rrethit) për gjashtë javë e, prej këndejna, në kambë me djep në shpinë e fëmijë përdore deri në Kukës e, mbasandejna, me makinë në Kalanë e Beratit, ku ndejtën tre muaj e, në fund, në dy kampet famëzeza, në Turan e në Tepelenë.

Në kampin çnjerëzor të Turanit, me disa tragjedi në ditë, ku edhe brenda 24 orëve kanë vdek 33 fëmijë, ia rrëmbeu vdekja edhe djalin e saj të vogël, Zefin dyvjeçar. Drande Jakja me tepër vështirësi ia bani një vorr të sigurtë me thellësi e dërrasa tek varrezat e ushtarëve italianë të luftës, sepse nuk donte me iu ndodh si disa të internuarëve të tjerë, që ua merrnin erozioni i malit apo ujrat e Vjosës eshtrat e të vdekunve të tyne të pafajshëm.

Po vjen koha me iu fal internimi një pjese të madhe të të pafajshmëve, pasi edhe Drande Jakja e ngriti zanin e arsyeses e të protestës dhe, për ma tepër,  kampet ishin tejmbush me të internuar (49 kamiona me të internuar vetëm nga Mirdita pas vrasjes së Bardhok Bibës). Atëherë Drande Jakja me zgjuarësi e sakrifica sëbashku më çikën e madhe Zojën, ikin nga kampi i Tepelënës në atë të Turanit, tek varri i Zefit. Drandja Jakja tue gërmue me mjete rrethanore e gishtat e saj të përgjakur e nxjerr djalin e varrosur para tre muajsh. E mbshtjellë djalin fytyrë paprishun me çarçafë të bardhë të bamun katrash dhe rikthehet në kamp. Tragjedia e sfida vazhdojnë. Shtatë javë e ka mbajt Nanëmadhja Drande Jaku djalin e saj në kampin e Tepelenës tue ia ba tana përkujdesjes e mshefjes e të higjienës, që t’ia ruajnë fytyrën djalit e vetes. Kur e pa se kurrkush nuk po mundej me e përcjellë për në Tropojën e largët, çohet e ta merr lejen e largimit e në një makinë rasti ngarkue me pambuk rrugënisen nga Tepelena në Shkodër. Aty shkon nga tregu i mirë i Shkodërloces, ku i kishte ble dikur rrobat e nusnisë e me kursimet e veta ia ble veshje e mbathë djalit të vdekun, që e kish lanë në hotel me fëmijët e tjerë në pritje të ardhjes së dajës së tyne. As në andërr, Zefi tashti çehrebardhë prej deke, nuk e kishte mendue veten të veshun aq bukur.

Doruntina reale, Drande Jakja, tamam si në legjenda, pasi kapërceu shtatë lumenj të mëdhenj nga Vjosa tek Drini, pasi kapërceu shtatë vargmale nga Tepelena në Nikaj-Mërtur, pas shtatë ditëve rrugëtim me makinë e në kambë nga kampi i internimit në Fierzë e në Btoshë, e varrosi Zefin e vogël dyvjeçar pranë gjyshit të tij, Prekë Ndout, në trollin e Zeqir Demës, në fshatin e tij të lindjes. Kahmos, nga dy anët e Drinit, nga Malësia e Gjakovës e Malësia e Madhe, erdhën në këtë rivarrim mortor të papamë e të pandiemë, me e krye me nderime traditore këtë përcjellje e t’pame.

Burrnesha e maleve shqiptare, Drande Jakja, ia kreu amanetin e vet burrit të saj e ndryshe nga Doruntina e lashtë e miteve iliro-shqiptare mbeti gjallë atë ditë e sot.

3.

Doruntina moderne, Drande Jakja, është një legjendë e gjallë, e cila ndryshe nga Doruntina e lashtë që udhëtoi mbi kali shale me të vllanë e vdekun, Konstandinin e ringjallur nga vorri, kjo malësore plot bukuri e forcë vitale, ka rrugëtue në kambë përkrah burrit të saj, Vuksan Prekës, dy herë vajtje-ardhje nga Btosha në Nikshiq të Malit të Zi, pasi përndiqeshin nga rregjimi shtetëror i kohës së Zogut sepse nuk pranuan me i dorëzue armët, biles me djelminë e Btoshës e të krahinës ua kthyen edhe pushkën të dërguarëve të qeverisë së asaj kohe.

Prapë si në legjenda: i kanë kapërcye shtatë male deri në Nikshiq në këtë vend që asokohe ishte me shumicë sllavë e pakicë shqiptare. I kapërcyen shtatë lumenj deri në lumin Zeta, që bashkohet me Moraçën para derdhjes në detin Adriatik.

Prapë si në legjenda: Kah ka mërgue për në Mal të Zi, si e kumton disa herë edhe autori Pjetër Meta në monografi, Drande Jakja ishte shtatëzanë me fëmijën e parë në bark, me Zojën, e cila u lindi në Nikshiq. Edhe në rrugën e kthimit, pas katër vitesh qëndrimi të atjeshëm, ishte shtatëzanë me fëmijën e dytë, me Nikën, i cili lindi më 31 janar 1941 në trollin e të parëve të vet, në Btoshë dhe tashti jeton në Amerikë, tek djali i tij, Gëzim Nika, kangtar epik e lirik i përmasave kombëtare shqiptare.

Drande Jakja e sotme nuk është Doruntina e hershme e baladës së vjetër e as e romanit të Kadaresë, që përcillet larg tek burri i saj dhe kthehet mbi kali shale në vendin e vet. Përkundrazi: kjo Doruntina e re ka qëllue me dalë kaçake maleve përkrah burrit të saj të pashëm e të fortë, Vuksan Preka, qyshse në vite të para të nusërisë, biles edhe kur ishte në muajt e parë të shtatëzanisë. Në këtë kohë nga ma të veçantat në jetën e një çifti të ri iu ra me pasë ndeje me çoje nga shtëpia në male të krahinës e Rrafshit të Dukagjinit, derisa emigruan përkohor.

Në kohën e Luftës së Dytë Botërore Vuksani e Drandja, çift nga ma të mirët edhe përtej krahinës së Nikaj-Mërturit, qëndruan pothuaj katër vjet paqësisht e lumturisht në trollin e tyne në Btoshë. Në fundvitin 1944, Vuksan Prek Ndou, përkrah btoshasve e bashkëkrahinarëve të tij, mori pjesë në Qëndresën Antikomuniste të Nikaj-Mërturit dhe derisa u mbyll kufini më 1948 qëndroi kaçak maleve me armë në dorë e shpesh e rrezikonte veten për me ndejt tek shtëpia në Btoshë, derisa në vitin 1952 e pushkatuan pa gjyq vet të tretin policia e sigurimi i Jugosllavisë së Dytë, në vise të Kosovës dardane.

Doruntina e lashtë veçse shkoi nuse larg e kur u kthye në trollin e vet ndrroi jetë, ndërsa Doruntinës moderne, Nanëmadhes Drande Jakja, ia nisi tri herë jetës nga e para në Btoshë: kur shkoi nuse, kur u kthye nga mërgimi në Nikshiq dhe nga internimi në Tepelenë. Ia nisi jetës shtatë herë nga e para: tri herë gjatë internimeve në Nikaj-Mërtur, një herë në Tropojë, kryeqëndren e atëhershme të rrethit, në kalanë e Beratit, në Turan dhe në Tepelenë. Ngulimi ma i fundit i saj, kur e filloi prapë nga e para, është Bukova në komunën e sotme të Llugajt në Lugun e Malësisë së Gjakovës, ku hapi tokë të re për truall e bukë, ngriti kullën e ndërtoi jetën e vet përmbi një gjysëm shekulli.

Sot, Nanëmadhja Drande Jakja jeton në Bukovën e bukur, në afri të bigimit të Bushtricës me Valbonën, në afri të Fierzës të Përtejdrinit, në afri të Btoshës. Nganjëherë i dëgjon në televizione kangët e nipit të saj, Gëzim Nikës, kangët hymn për lirinë e Kosovës “N’Dardani bjen ni tupan” apo kanga e mallit të mërgimtarëve “Shqipëri, o Nana ime” e dhjetra të tjera. Kjo 98 vjeçare është e lumtur që ia mbrrini kësaj dite, me i ardhë Shqipërisë Londineze Demokracia, me e fitue Kosova Lirinë e Pavarësinë, me i këndue nipi në skena të Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Plavë-Gucisë e Tuzit dhe deri në Amerikë.

Me Doruntina të tilla si Doruntina e lashtësisë dhe deri tek kjo Doruntina moderne Drande Jakja ka jetue në histori e në troje të veta kombi shqiptar në shekujt e vet të vështirë.

Përndryshe, kisha me thanë edhe kështu: në koft se Kadare i madh do të shkruante një tjetër romanin për kit’ Doruntinën tjetër, atëherë me siguri kjo vepër do ta çonte atë drejt Çmimit Nobel, ashtu sikurse edhe bohema me tragjedi e sfida e Dorunintinës  së sotme, Drande Jakes, në monografinë e autorit Pjetër Meta është e denjë për një film të rrallë, për një film nobel në Hollivudin amerikan.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Doruntina moderne, Drande Jakja, Ismail Kadare, Ramiz Lushaj

AMANETI I SHKJAUT MALAZEZ MBI LOTËT E SHQIPTARIT E SAKICËN E HJEKËSISË

January 16, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

1.

Etno-historia dëshmon se Mahmudët e Hotit, ashtu sikurse edhe Kurtët e Hotit, janë rrënjas në Hotin e Vendit mbi liqen të Plavës, janë dera ma e vjetër e këtij fisi  flamur, e këtij visi dinjitar. Përndryshe, siç ma tha me artin e fjalës një hotjan në Amerikë: “Mahmudët kanë lind para lisave në Hot”. Këta nuk kanë lidhje gjaku me vllaznitë e tjera të derisotme të Hotit të Vendit, pasi ishin të degëzuar genetikisht në breza si bark më vete. Njihen si Derë e madhe dhe e fortë, aqsa kujtesa popullore kallxon se ishin të njoftun në krajlitë e kohës “nga Stambolli në Çetinë”. Kjo derë e trimave nuk la pasardhës, pasi mashkujt iu vranë në luftra, në duele ballas, në hjeksi  pritash, në flakë të betejave. Në shekullin e kaluar, në dekadën ’70, u shue nga shëndetligësia edhe i fundmi i tyne, Rexha, i mbetur i vetëm e pa kujdes e përkrahje nga shteti okupues sllavo-komunist malazez. Emni i kësaj dere të lavdisë shqiptare ka me mbetë në historinë tonë kombëtare.

Një nga lisat e kësaj dere të Mahmudëve të Hotit të Vendit, një nga trimat e mëdhenj të Shqiptarisë në Ballkan, është edhe luftëtari epik, epope e epokal, Osman Murat Mahmudi, për të cilin më rrefejnë se “ka lind me orë” dhe emnin e tij e lidhin ngushtë me “Luftën e Nokshiqit” (Lufta e Ultinës së Epërme të Limit). Kjo ka shpjegimin e vet domethanës: Ky është dëshmori i parë i Luftës së Nokshiqit, i cili eci prijtas para hotjanëve të vet, ku luftoi i vetëm tue vra 15 pushtues malazezë. E mbrapa tij, ballas betejës, ia nisën luftës edhe Alush Smajli Haxha me vllazën, vet i 37-ti apo 43 luftëtarë nga te’tana vllaznitë e Hotit të Vendit: Mehaj, Sinanaj, Hysenaj,Mujaj, e ngjitas me ta edhe një i Dedushajve të Vuthajve.  Hotjanët tana herët kanë shkue bashkarisht, krahë e supe lidhun jo vetëm në beteja luftarake, po ata, të nisun nga Kodra e Rexhës, binin në kuaj shale e në vargni ecjeje edhe në tregun e Plavës e atë të Gucisë nga 20-30 veta. Malet e njerëzit thoshin asokohe: “Erdhën djemtë e Hotit…”

Shpesh Osman Muratin e Mahmudëve, si hotjanët edhe plavë-guciasit, e thirrnin: “Murati i Dytë”, në nderim të babës së tij trim i rrallë, që ishte vra heroikisht në luftë jo vetëm me malazezët. Nga ky titull i fisit të vet e i viseve përreth, i mbeti edhe emni tjetër popullor, ndryshe: Murat Osmani. Boshnjakët (shqiptarë të atyshëm të asimiluar, ardhacakë nga rrethinat) i thirrshin: “Murata Osman” dhe e përdornin atë shprehjen e famshme të mbetun në kohna: “Nema rata, bes Murata” (Nuk ka luftë pa Muratin). Edhe Osmani me ia përtri në gene breznie të gjakut të vet emnin e lavdinë ia vnoi djalit të vet emnin: Murat, i cili (siç e lart thashë) la pas vetit një djalë: Rexhën (Rexhin).

Fishta i madh, “Homeri Shqiptar”, teksa ngrinte monumentin e tij kombëtar, kryeveprën “Lahuta e Malsisë” (Lahuta e Malcies) i shkeli me kambët e veta krahinat luftarake nga brigjet e Liqenit të Shkodrës deri në Liqenin e Plavës, përndryshe edhe “nga Hoti (i Rrafshit) në Hot” (i Vendit). A kanë mysafir nderi edhe në kullën e Alush Smajl Haxhajt, derë e parë e Hotit të Vendit, të cilët me mikpritjen e vet të fisme e mbajtën ma shumë se një natë e, sipas traditës shqiptare e hotjane, ishin në sofrën e bukës e të muhabetit përfaqësues të atëhershëm nga të gjitha vllaznitë e sotme: Mehaj, Sinanaj, Hysenaj, Mujaj. Edhe aty Fisha u njoh me madhështinë e Luftës së Nokshiqit, natyrisht edhe me të Osman Murat Mahmudit (Murat Osmanit), heroi legjendar i kësaj lufte, që u vra më 4 dhjetor 1879…

2.

Kësaj here po due me fol për Murat Osmanin e Mahmudëve të Hotit të Vendit. Due me e zdrit anën njerëzore të tij, si njeri me besë hotjane, si njeri me shpirt bardhësi. Kjo ishte ana e medaljes shqiptare. Njëkohësisht po due me rrëfue edhe anën antinjerëzore të shkjaut malazez me kapicë të zezë, me pabesi malazeze, me shpirtzi, me bio-urrejtje ndaj shqiptarëve trojenik të fisit të Hotit të Vendit e të fiseve të Plavë-Gucisë, si kelmendas, etj.

Ky luftëtari i madh hotjan, i thirrun Murat Osmani  i Mahmudëve, e kishte një malazez “mik për shpirt”. Dikush më kallxonte se kit’ malazezin e kishte probatin (vllam) e të tjerë më thonë se e kishte “kumbar”. Në të vërtetë shqiptari luftëtar Murat Osmani e kishte malazezin gjithçka, ndërsa në të vërtetë ky malazezi shqiptarin Murat Osmani e kishte si i thonë asaj fjalës kundërthënëse:  kurrgja(!)

Sllavët (malazezët e serbët, po nganjiherë edhe boshnjakët ekstremistë) për me i zhduk lisat e trimërise e fisnikërise shqiptare të dyerve të mëdha, luftëtarët e trimërive të rralla, si Mahmudët e Hotit të Vendit, i përdornin duelet e hjekësitë. Jo pak burra të mëdhenj u sakrifikuan në të tilla raste në Hotin e Vendit, në krahinën e Plavë-Guci, në trollin e Mahmudëve të Hotit.

Shkijet, për me e farue krejt derën e fortë të Mahmudëve ia banë skenarin e hjekësisë vrasëse tue e (keq)përdor kumbaren e tij malazez. I thanë me i krye disa akte: me e cokat mirë sakicen tande, me e thirr në shtëpinë tande Murat Osmanin dhe kur të flejnë gjumë në oden e miqëve të shtëpisë tande kie me u çue e me ia pre kryet, me e pre në qafë, me ia këput krejt kryet nga trupi. Atëhere merrja kryet me veti e çoje tek krajl Nikolla në Çetinë e ta shohin se çfarë fati kanë shqiptarët si Murat Osmani që luftojnë kundër malazezëve.

Ia çuan fjalën Osman Muratit të Mahmudëve të Hotit: e kie kumbaren shumë të lig e a ka do me dekë, ndoshta pa e nxanë e nesërmja. Ky lajm e preku thellë në zemër luftëtarin e madh hotjan, ndaj e pleqnoi me vllaznit e vet të Hotit të Vendit dhe e mori rrugën për tek shtëpia e kumbarës  të vet. Ka shkue me një frymë, aqsa lodhjen e ndjente edhe kali i tij i shalës kur e lidhi në oborrin e kumbarës malazez.

I thirri tek dera me tanë fuqinë e shpirtit e hyni brenda me merak të madh për fatin e jetës së probatimit të tij. Në të vërtetë ish kanë i smutë randë kumbara i tij. Ishte tepër ligsht në krevat. Ishte i lodhun në të pame e në të folune. Ai e pa se nuk i qeshnin sytë dhe as nuk i dilnin fjalët si herët e tjera.

Kur Murat Osmani i Mahmudëve të Hotit e pa gjendjen e randë të probatimit të tij, ndonëse ishte luftëtar i madh në beteja me malazezët pushtues, i ranë lotët nga sytë e nga thellësia e zemrës së tij njerëzore i dolën lotët e shpirtit. Po qante me za të neltë. As kur hyni në odë gruaja e kumbarës të tij nuk mujti me e ndalë të qajtunen me lotë. Zakoni nuk e donte që burrat me kajtë në sy të grave, prandaj ajo doli përjashta.

Trimi i përlotur i Hotit të Vendit e ndoi kryet e vet mbi gjoksin e kumbares malazez sikur donte me ia ndie të rrahunat e zemres së tij. Shqiptari ia donte jetëgjatësinë malazezit, kurse e kundërta ishte e planifikuar nga malazezi: ai donte t’ia merrte jetën në mënyrë barabare, antinjerëzore: me kokëprerje, natën në gjumë, në shtëpinë e tij.

– A po ma ndie një fjalë o Murat Osmani i Mahmudëve të Hotit, i tha shkjau malazez.

Vërtetë të paskam kumbar, probatim e gjithçka, se t’u paskam dhimbtë fort. Nuk e di se cili nga të afërmit e mij do ta kishte ndie një dhimbje kaq të madhe sikur tu dhimbta ty kësaj mbasditeje…

–  Ç’ka je ka m’i thue këto fjalë, o kumbara im, i tha shqiptari Murat Osmani i Mahmudëve të Hotit. Ta kam dhanë besën e shqiptarit njëherë e kam me i qëndrue sa të jem gjallë unë e brezat e mij.  Ti  je ma mirë nga shëndeti po unë u ligshtova pak…

Kumbara malazez e çoi dorën tek jasteku nën kryet e vet e prej andejna e nxori sakicën e cokatun, me të cilën donte me ia pre kryet. Ia kallxoi historinë e hjekësisë fill e për pe, qysh e kishte ba planin me malazezët e shtetit për me e vra atë natë.

–          Po ta la një amanet, i tha kumbara malazez: Kurrë mos i beso shkjaut, se ai të

nxenë kumbarë apo probatim veçse me të zhduk, me të farue krejt…

Edhe pak orë kishte me ra nata e asaj dite vere. Shqiptari trim e njerëzor Murat Osmani i Mahmudëve të Hotit të Vendit, i lypi leje kumbarës së tij malazez për me u çue, pasi e mendonte të keqen tjetër: kur ta shihnin malazezët e tjerë që ishte gjallë do ta vrisnin me ndonjë hjekësi. Me hjekësi sllave, të tipit malazeze ose serbe. Ai hypi në kali shale dhe u nisë për udhë si kreshnikët. Ai mori me vete një amanet, një mësim për jetën e tij e të brezave. Ai iku nga ajo shtëpi ku nuk do të trokiste astenjiherë tjetër, pasi kumbara malazez i foli për hjekësinë, i foli për pabesinë e pakryeme ose të pritshme.

Prapa krahëve shqiptari i besës e la Andrijavicen, dikur tokë etnike shqiptare, me shumicë popullsi shqiptare. Luftëtarit e heroit të Luftës së Nokshiqit para syve i shfaqej në vizion Hoti i Vendit.

Me thanë të vërtetën nuk e di se në cilën shtëpi shqiptare ka fjetë atë natë shqiptari i besës, njeriu njerëzor, heroi i mbetur në hije, Murat Osmani i Mahmudëve të Hotit të Vendit.  Po diçka e di saktësisht: amaneti i malazezit ende rrinë zgjuar prej asaj dite e deri më sot, e deri më nesër. Dëgjojeni, besojeni, vlerësojeni!

Ramiz LUSHAJ

@ Nuk lejohet publikimi në faqe interneti e në media pa lejen me shkrim të autorit.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Amanet i shkjaut, mbi lotet e shqiptarit, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT