• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RREZE SHPRESE

March 15, 2016 by dgreca

Nga Remzije Zekolli/

Sapo kishte filluar janari, me qiellin me retë plot vranësira, atë ditë pikat e shiut binin në xhamat e dhomës sime dhe krijonin një melodi mahnitëse. Kohëve të fundit shpesh pyes veten çka me shtyri t’u kthehem  kujtimeve të viteve të largëta që ngjallin emocione shumëngjyrëshe si kryevepra e pikturës së tij, një nostalgji shpeshherë e ngatërruar. Kujtime, të cilat u takonin vetëm atyre, i ruanin mirë e që i kishin bërë personash të ngritjeve e të rënieve të tyre gjatë viteve të stuhishme që përjetuan.

Ato kujtime i ruanin në kullën stërgjyshore të cilat ishin shumë larg njëra- tjetrës e që vuajtja i afronte ata. Kishin lindur të njëjtin vit, ai në pranverë, në kohën kur Adonisi vjen mbi tokë e natyra ringjallet përsëri, gëzohej kur ai dilte në sipërfaqe. Ajo, në dimër, të mbuluar me petkun e saj kristalor e që fëmijët e dëshironin aq shumë, një princeshë dëbore që bënte  vallëzim patinazhi.

Ende pa mësuar hapat e parë në jetë, babai i tij u largua në mërgim, i mungonte dashuria atërore, nuk shihte rritjen dhe gëzimin e tij fëmijëror. Nëna e saj ishte bërë banore e klinikave të njohura të kohës, luftonte të rikthehet pranë fëmijëve, mungesa e saj shkaktoi dhimbje në shpirtin njomëzak.

Koha ecte si një lumë herë- herë i rrëmbyeshëm, nuk ndalej. Ata rriteshin e së bashku, me ta rriteshin edhe brengat e tyre rinore. Amfiteatri i madh i fakultetit ishte pikëtakimi i tyre si dhe i studentëve të tjerë. Atëkohë asnjeri s’e dinte historinë e mungesës për së gjalli së prindërve të cilët kishin shumë dashuri për fëmijët e tyre. Edhe ata u bënë pjesëmarrës të protestës, e cila ndodhte në  kohën e zbehur për popullin e që ishte frymëzim për rilindje të re kombëtare. Familja e financonte shkollimin e tyre, për të fituar betejën e diturisë e cila u hapte rrugë drejt horizontit. Në fundjavë shkonte vizitonte kullën e tij, në prag të saj e priste nëna krenare e çmallej me përqafimin engjëllor të saj. Ndërsa  ajo çdo ditë kthehej në shtëpi që sapo shkelte pragun e saj  e priste një kujdes i shtuar  i nënës dhe fëmijëve më të vegjë, sa bukur   luante rolin e saj.

Vitet kalonin, gjërat nuk shkonin aq mirë, përsëritej rutina e jetës së asaj kohe, kujdes prindëror, aktivitete kombëtare, e duke lënë anash dashurinë.  Pa dashur mori rrugën e mërgimit, filloi jetën plot elan, plot dëshira për të arritur suksese, gjeti fatin e jetës i kurorëzuar me tri princesha të tij, një dashuri e madhe e fundosur si titaniku. I mbyllur brenda vetmisë shihte hapërimet e tyre që qanin ndër stinë.

Historia u përsërit të cilën ajo e kishte kaluar. Ndonëse plaga e shpirtit i goditi, ata ecjen për ta fituar besimin në dashuri nuk e ndalonin dot. Ky rrugëtim i bashkoi në udhëkryqin e jetës, e cila tek ta u shfaq si një ylber pas shirave që shpeshherë e lagën ashtin e tyre njomëzak. Së bashku do të kompozojnë simfoninë e dashurisë, që të rrëqeth melodia e saj mahnitëse, piktori do ta dhuroj pikturën për agimin e dashurisë, shkrimtari tregimin më të mirë sepse vetëm për dashuri, flijimi e ka kuptimin e vet. Do lartësohet në qiellin që i ngjasojnë syve të tij. Fati i pret në horizontet e jetës. Sapo kishte kuptuar se jeta filloi të rridhte më ndryshe…

Filed Under: ESSE Tagged With: Remzije Zekolli, RREZE SHPRESE

ZEMRA DHE GURI

February 12, 2016 by dgreca

Nga Remzije ZEKOLLI/
 Një mijë në qëndrofshin, do të qëndroj dhe vetë,/
Po edhe njëqind në mbetshin, nuk tundem kurrsesi;/
I dhjeti do të jem, poqese mbeten dhjetë:/
E ne mbettë veç një – do të jem unë ai- Viktor Hygoi/
 Jashtë bie dëborë…
Në shtëpinë e Ramadan Shaqirit, edhe një herë shpalosen kujtimet e hidhura, por dhe krenare, të një kohe të vështirë…
– Në rastin e familjes sime, ajo thënia e vjetër popullore – “… kur thyhet qerrja udhë gjenden mjaft” – disa herë u rivërtetua, – ndërhyn në bisedë gruaja që përjetoi tragjedinë e rëndë të familjes-vrasjen e dy djemve dhe të bashkëshortit, zonja Minire, tash pesëdhjetë e sa vjeçe.
– Pra, vazhdon të flasë rëndë ajo, – qerrja u thye… Kosova frymonte në pranga dhe gjak, njerëzit ndiqeshin, në forma të egra, largoheshin nga puna, vriteshin… Ramadanin, bashkëshortin tim, pas vitesh të derdhjes së djersës aty, veç pse ishte shqiptar e larguan nga puna… Nuk ishte ky vetëm një problem si të mbesim gjallë, si të siguronim kafshatën e gojës. Kishte qindra halle të tjera këtu, secili më i rëndë se tjetri… Në situata të këtilla, udhë ka shumë: cilën të marrësh? Një udhë shpinte andej, udha tjetër këndej, e treta udhë ikte në kahe të tretë. Ngelën njerëzit si bibat në mjegull… duhej pritur pak, sa të bëhej më i kthjelltë uji: s` dihej me kë të flasësh, me kë të rrëzosh gurin nga zemra?

-Në këtë kohë…
… kohë e vështirë, kohë protestash, kohë helmimesh, vrasjesh, kohë kushtëzimesh të ndryshme…
Në këtë kohë, dyert e shtëpisë sonë i njohën edhe ata, që krijonin çelulet e para guerile të UÇK-së, edhe ata – që para dhunës dhe skamjes, merrnin botën në sy, e lenin Kosovën dhe ikin diku në botë për të siguruar kafshatën e gojës.
Po flas gjithnjë për vitet e nëntëdhjeta, apo më afër, për vitin `94. Serbia përdorte metodat më barbare për ta thyer rezistencën e popullit shqiptar, të cilës i printe Rugova, përdorte metodat më perfide për ta zbrazur Kosovën nga banorët autokton shqiptar…
I larguar nga puna, ngase nuk kishte dashur ta pranojë shtetin okupator serb, ngase nuk kishte paguar për sindikatën serbe, bashkëshorti im Ramadani të gjitha këto i përjetonte në mënyrën e vet-rëndë, shumë rëndë. “Vetëm unë jam zot i vetvetes, i djersës së ballit tim, thoshte ai me vendosmëri. – Apo, edhe kështu: po ikin njerëzit nga këtu. Unë nuk do të ik, kurrë… Nuk ka dhunë që më largon nga toka ime, nga guri im.
Guri dhe zemra janë një, or të dashurit e mi”, thoshte sypatrembur.
– … Pak para se të binte mbrëmja,- i kujtohet Minires, – me një rast, në dyert e shtëpisë trokiti dikush. Ishte kohë kur nuk vijnë mysafirë, – mendoja në vete, – kush mund të jetë?
Njerëzit humbnin pa gjurmë.
As kufomat nuk ua gjenin familjarët.
– Kush mund të jetë më rëndonte në kokë, ndërsa Ramadani po i hapte dyert.
Në derë u shfaq Agimi, një mik nga puna i bashkëshortit tim.
– Hë, Agim, ç`e mirë të qiti në këtë kohë, – ia bëri Ramadani, duke mos pritur ndonjë të mirë.
– Ç` e mirë, thua, thuaj ç’ e keqe, – foli Agimi. Ia zgjatën dorën njëri – tjetrit dhe ashtu dorë më dorë hynë brenda në shtëpi.
– Më larguan dhe mua nga puna, – foli Agimi, sapo u ul.
– S`ke ç` bë. E keqe tjetër mos qoftë…
– Ma ofruan një dokument ta nënshkruaj… Do të thotë, ta nënshkruaj se i jam lojal udhëheqjes së dhunshme të Serbisë. E ti, Ramadan, e di: unë – sikur dhe ti, vdes e moralin tim nuk e shkel. Mund të nënshkruaj vetëm për Republikën e Kosovës, vetëm për shtetin e Kosovës…
Në dhomë, ndërkohë, ra një heshtje e rëndë.
– Na sjell nga një kafe, – m`u drejtua Ramadani. Dhe, derisa dilja nga dhoma dëgjova t`i thoshte Agimit, – Do të na largojnë të gjithëve, më parë nga puna, e më pastaj edhe nga Kosova. Aty është qëllimi i tyre, ta zbrazin Kosovën nga shqiptarët. Ky është synim i tyre i kamotshëm.
– Po, – foli Agimi hijerëndë, – dhe do t`ia dalin ta realizojnë atë që e kanë paraparë. Ja, sot më largojnë mua, nesër ty e kështu me radhë-një nga një…
– Jo, Agim, – e ndërpreu Ramadani, – nuk do t`ia dalin kurrë ta realizojnë skenarin e tyre famëkeq. Kurrë…
– …por, ja, unë erdha te ti, të tregoj se po iki nga këtu. Nuk kam çfarë të bëj tjetër… Nuk kam nga t`ia mbaj?
– Ke, Agim, ke… mos i merr ashtu punët me ngut. Ka udhë, ka zot.
– …por, – deshi të thoshte diçka Agimi.
– Nuk është zgjidhje ikja, – i ndërhyri në fjalë Ramadani.
– Ama, Ramadan, ata që po ikin hë përhë, nuk po e harrojnë gurin e vet, po na ndihmojnë në mënyra të ndryshme… Ikin përkohësisht. Ata, me paratë që po ndajnë nga djersa e tyre për ne, po e mbajnë gjallë rezistencën këtu.
A është kështu, apo jo? Ja, dhe unë erdha të të tregoj se do të shkoj edhe unë. Veç, ndoshta do të ishte mirë të vish edhe ti… Ja, ti ke shumë fëmijë, e ke vështirë të kujdesesh për ta, pa tokë të mjaftueshme të bukës, pa punë.
– Ti shko, – ia bëri Ramadani. – Nuk e bën nga qejfi këtë punë, shko, por mos e harro atdheun tënd. Kurrë. Në rastin e parë, mblidh plaçkat dhe kthehu… E, sa më përket mua, unë nuk lëviz nga këtu, kurrsesi. Këtu është guri dhe zemra ime. E guri dhe zemra në këtë pjesë të ashpër të fatit tonë janë një. Edhe guri, edhe zemra ime do të mbesin këtu…
Do të mbijetoj disi… – foli preras Ramadani.
E dogjën edhe nga një cigare bashkë, i pinë kafetë dhe u morën ngryk- secili në mënyrën e vet i dëshiroi fat tjetrit.
Po binte mbrëmja. Një mbrëmje me shllunga terri të dendur.

Filed Under: ESSE Tagged With: Remzije Zekolli, Zemra Guri

OPUSI KRIJUES I PIKTORIT GAZMEND FREITAG

January 18, 2016 by dgreca

Shkruan: Remzije Zekolli/
ë shkruash për figura të rëndësishme kombëtare të cilat me veprën dhe krijimet e tyre kanë lënë gjurmë të thella në krijimtarinë botërore, nuk është punë fare e lehtë. Populli shqiptar, si populli ndër më të vegjëlit në botë, asaj i dha figura të mëdha në fusha të ndryshme. Figurat e personaliteteve qoftë kombëtare, qoftë botërore, për talentin e tyre të lindur, dallohen në familjet e tyre, në lagjet e tyre dhe në mesin e shoqërisë së tyre. Figurat e mëdha shquhen në fusha të ndryshme,si : në politikë, në arsim, në art, në kulturë, në shkencë, në sport, etj.
Shikuar historikisht, qysh nga Skënderbeu, Galibardi, Aleksandër Mojsiu, Nëna Tereze, Ismail Kadare, Bekim Fehmiu, Gazmend Freitag, Eliza Dushku, Rita Ora, Lorik Cana, etj etj, ndonëse jetuan dhe jetojnë larg vendit të tyre, ata krijuan dhe denjësisht e përfaqësuan dhe po e përfaqësojnë popullin shqiptar. Këto figura ndriçonin në rrugëtimin e tyre në hapësirën ku jetuan dhe jetojnë.
Figurat e ndritura të kombit, erërat botërore i morën me vete në shtete të ndryshme ku ata gjetën prehjet e tyre edhe me krijimet e tyre. Ndonëse janë maja botërore, ata përherë e lartësojnë origjinën e tyre të pastër sa herë që paraqiten para publikut botëror.
Në mesin e figurave brilante kombëtare, që po lë gjurmë në artin e pikturës, është maestro Gazmend Freitag, i cili pikturën e dashuron shpirtërisht. Figura e tij artistike, karakterizohet me këmbëngultësinë e tij për të arritur qëllimin që ai dëshiron ta hedhë me pikturë, ai mjeshtërisht di të hyjë në fshehtësinë e artit, hyn në thellësinë e tij si të oqeanit dhe kurrë nuk mbytet, por fitimtar del në sipërfaqe duke realizuar piktura, portrete, peisazhe të mrekullueshme që me vete bartin mesazhe fisnike te publiku. Vallë a nuk është dashuria diçka hyjnore, fisnike që të fascinon në kornizën e tij? Pikturat e tij i karakterizon begatia, forca, mrekullia të cilat e mahnisin vizitorin në galeri. Edhe në jetën private është i kujdesshëm, njeriun leht e bën për vete.
Për figurën e tij flet edhe humanistja austriake, Marianne Graf, e cila, gjatë luftës në Kosovë, i ka ndihmuar popullit në vatrat e krizës. Gazmendi në shenjë mirënjohjeje asaj i dhuron një portret. Mendoj se në këtë rast Gazi ka zëvendësuar shtetin tonë. Humanistja e dalluar austriake, në mes të tjerash do të theksonte: ”Më erdhi një surprizë. Është diçka e veçantë të portretizohem nga një artist si Gazmendi. Ai gjithashtu është aktivist, nuk është i bezdisshëm, është i interesuar për fushatën humane. Ai është elegant në skenë. Faleminderit! Përqafime”.
Në numrin mars-prill 2014, revista më prestigjioze e artit në Itali, “Effetto Arte”, në rubrikën “Grandi Maestri”, prezentohet nje kritikë shumë pozitive nga Caterina Randazzo: “Gazmend Freitag është një artist që njeh sekretet e figurave dhe i përdor për të prodhuar vepra të fakturave të larta. Në pikturë, në veçanti me portrete, arrin të përcjellë emocione të tërhequra nga vëzhgimi nga ajo që e rrethon, duke hapur dimensione të reja stilistike. Figuracioni i piktorit Gazmend Freitag, jet e kuptushme si një shfryrje e talentit të tij dhe krijimtarisë së tij. Në fakt artisti paraqet mbi pikturë ripunimet e tija nga realja, duke vënë në dukje, me theks të veçantë në fytyrat e portretëve. Sinteza e tij kompozicionale ndjek diktatet e mësimit të mënyrës dhe plotësohet me konsiderata të përshtatshme të cilat theksojnë romantikën”.
Figura e tij është unikate. Ai guximshëm në ekspozitat e tij shpeshherë paraqitet me punimet e tij nudo të cilin drejtim e specializoi në dy semestra në Universitetin e Artit në Linz, tek profesoresha Mag. Annelies Oberdanner. Kjo veçanti e dallon Gazmendin nga piktorët e tjerë shqiptarë. Ai merr ftesa nga galeritë austriake, italiane, sllovake për t’i ekspozuar pikturat e tij. Krijimet e tij nuhaten, preken përmes motiveve të ndryshme të cilat janë mahnitëse. Stili i tij i pikturimit është vetjak, i pahuazuar, burimor, në përgjithësi është human, njerëzor, artistik, shkurt ai është vetvetja.

Gazmend Freitag, Baresha, 2013

Piktori ynë me sukses u paraqit në ekspozita personale në Vjenë dy herë, Linz një herë, pjesëmarrës në Bienalin e parë në Verona, ekspozitë internacionale në Bratisllavë dhe qytete të tjera, si dhe në disa ekspozita kolektive. Në këto ekspozita me sukses paraqiti krijimtarinë e tij artistike, por edhe atë shqiptare gjithashtu.
Tani në Vjenë ende është e hapur ekspozita e tij me titull “Momente të bukura” si dhe më 2 shkurt 2016 do hapet ekspozita e tretë personale e tij në Vjenë, organizuar nga Kunstprojekte, presidente e së cilës është kuratorja, zonja Ursula Pfeiffer.
Gazmendi, shoku im i gjeneratës, fuqishëm është duke ecur binarëve të aktorit të madh shqiptar, Aleksandër Moisiut, i cili edhe sot mbetet legjenda e teatrit botëror. Aktori i madh gjerman Albert Baserman, pasi e hodhi unazën në trupin e tij tha: “Unë po ta lë ty Unazën e Inflandit Ti e meritoje këtë Moisi i dashur”. Unë them “Ai e mori Inflandin me vete, por pas vetes la krijimtarinë e tij një thesar të çmuar që ende ndriçonë si gurë diamanti në horizont” ( RZ).

Gazmend Freitag, Aleksander Moisiu, 2012

Piktori dashurinë e tij fisnike për aktorin e madh shqiptar e tregon edhe me financimin e librit “Moisiu dhe Moisiu”, një ribotim i gazetarit kosovar, Shaqir Foniqit, me shumë simbolike prej 1000 eurosh. Ai bibliotekës së qytetit ku jeton, në Linz, i dhuroi 10 ekzemplarë të librit në gjuhën shqipe për aktorin e madh.
Të bësh një paralele mes aktorit Moisiu dhe piktorit Gazmend i cili synon të arrijë suksesin e tij është një përgjegjësi e madhe përpara këtyre dy figurave të shquara krijuese të kombit tim, por edhe për mua si autore. Krijimtaria e tyre shpeshherë kryqëzohet në rrugëtimin e tyre fisnik krijues, por edhe ka momente që rrugëtimi i ndan ata. Gazmendi ende i takon moshës së re. Me talentin e tij, dhunti nga Zoti, dhe karakteri i tij i pamposhtur, do të arrijë atje ku edhe Aleksandri ynë mbërriti. Të tillë e njoh dhe e kujtoj shokun tim të dashur.
Paralelet mes tyre. Të dytë janë shqiptarë që krijuan në shtete të tjera. U larguan në mërgim pa dëshirën e tyre. Jetuan në shtetin austriak. Natyra e butë njerëzore dhe eleganca në skenë i bashkon ata. Moisiu luajti 200 role , Gazmendi pikturoi afër 1000 piktura, Moisiu luajti në 12 filma, Gazmendi bëri 20 ekspozita, prej tyre katër personale, Mosiu shkroi dramën“ I Burgosuri”, Gazmendi financoi librin për të “Mosiu dhe Mosiu”. Aleksandri luajti në tetarin e Vjenës, ndërsa Gazmendi deri më tani, po në këtë qytet paraqitet me tri ekspozita personale dhe disa kolektive.
Siç shihet diagonalja mes tyre është se Moisiu ka shkruar dramën dhe ndonjë tregim, ndërsa Gazmendi ende se ka bërë një gjë të tillë. Gazmendi ende është i ri dhe me elanin e fuqishëm si kurrë me parë në jetën e tij, që kohëve të fundit e ka intensifikuar, kam besim të plotë se me sukses do e arrijë famën e të madhit Moisi.
Një jetëshkrim nga piktori ynë i madh, mendoj se në këtë moment do të ishte më se i mirëseardhur për adhuruesit e tij. Ende pa mbushur 10 vjet në krijimtarinë e tij si piktor, me 20 ekspozita, Gazmendi ka arritur suksese solide, por që kanë shkëlqyer në ekspozita për t’i çelur rrugen e tij të dëshiruar: t’i arrijë majat e artit të pikturës në botë.
Mbetet obligim moral i shtetit shqiptar, edhe të Kosovës, t’ia mundësojë hapjen e ekspozitës së tij në Tiranë dhe në Prishtinë, pasi me punën e tij krijuese ka lartësuar pikturën shqiptare në botë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Gazmend Freitag, OPUSI KRIJUES I PIKTORIT, Remzije Zekolli

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT