• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Letër të hapur ambasadorit amerikan në Tiranë z. Donald Lu

July 21, 2016 by dgreca

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë-Dega Tiranë/

Nr. 5  Prot/

Tiranë, më 21 korrik 2016/

Letër e hapur/

Drejtuar:  Zotit   Donald   Lu-Ambasador i Shteteve të Bashkuar të Amerikës-Tiranë/

I nderuar zoti Ambasador,/

Më datën 05.06.2015 ju kemi dërguar, për dijeni, shkresën tonë me numër protokolli 5, datë 20.06.2015, drejtuar komisioneve te Dekriminalizimit dhe atij të Reformës në Drejtësi pranë Kuvendit të Shqipërisë me anën e të cilit kërkonim që në ligjet e Dekriminalizimit dhe Reformës në Drejtësi të ketë një nen ku nuk lejohet që një ish-anëtar i trupave gjykuese të regjimit komunist që ka dhënë dënime të padrejta për motive politike, të bëjë pjesë në organet e larta të drejtësisë si në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, madje edhe në gjykatat e  shkallës së parë dhe ato të apelit. Gjithashtu të mos bëjnë pjesë në organet e prokurorisë, si në atë të përgjithshme ashtu edhe në ato të rretheve. Po ashtu largimin e tyre nga të gjitha hallkat e pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv. Një gjë e tillë do të tregonte se vendi ynë po ecën me të vërtetë në rrugën e demokracisë së vërtetë dhe po shkëputet nga influenca e mentalitetit komunist që ekziston në çdo qelizë të vendit tonë. Një gjë të tillë e bëmë bazuar në ligjin numër 7514, datë 30.09.1991 “ Për pafajsinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” në të cilin në dy nenet e para thuhet:

Neni 1

Jane te pafajshem dhe quhen te padenuar per efekte morale, politike, sociale dhe ekonomike te gjithe personat qe jane denuar per agjitacion e propagande kunder shtetit, per arratisje, per sabotim, per krijimin ose pjesemarrjen ne organizata politike, per moskallezim te krimeve kunder shtetit; ata qe jane denuar per shpifje dhe fyerje kunder organeve me te larta te shtetit e te partise, per shkelje te dekretit nr.7459, date 22.1.1991 “Per respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve qe lidhen me historine kombetare dhe te simboleve shteterore”, si dhe per shkelje te dekretit nr. 7408, date 31.7.1990 “Per mbledhjet, grumbullimet dhe manifestimet e shtetasve ne vendet publike”.

Neni 2

Jane te pafajshem te gjithe shtetasit shqiptare qe jane arratisur nga  Shqiperia  gjate  luftes ose pas Çlirimit te vendit deri me 8 maj 1990, per shkak te bindjeve ose  te  veprimtarise  se  tyre politike me perjashtim te atyre qe kane kryer akte terroriste e diversioni, kur keto vepra kane sjelle vdekje ose pasoja te tjera te renda. Te tjeret amnistohen.

Atëherë si ka mundësi që sot në Shqipëri ish-gjykatësit, ish-prokurorët, ish hetuesat, ish-operativët e Sigurimit të Shtetit diktatorial, që kanë hartuar akuza false apo  na kanë dënuar në mënyrë të padrejtë, duke shkelur ligjin e mësipërm, të jenë në krye të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor? Ju do të thoni se kush janë ata. Ne i dimë, por edhe ju i dini. Sot ata  ndodhen ne krye të komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë, në krye të organeve qeveritare, në krye të tre shkallëve të gjykatave madje edhe ne Gjykatën Kushtetuese. Vallë a u shua Shqipëria dhe nuk paska kuadro te reja që kanë përfunduar dhe laureuar në universitetet  më të mira të botës perëndimore, qofshin këta socialistë apo demokratë, që të zëvendësojnë “xhaketat e vjetra dhe të diskredituara” të sistemit të përmbysur totalitar?

Këto ishin arsyet e shkresës së mësipërme por, për fat të keq, nuk morëm asnjë përgjigje nga komisionet në fjalë. Nuk dëgjuam asnjë deputet t’i zinte në gojë këto kërkesa. Prisnim që ju të na kishit kthyer një përgjigje e cila, sipas mendimit tonë, duhej të ishte në përkrahje të nismës tonë por, me keqardhje, edhe kjo nuk mbërriti. Përse? Këtë e dini vetëm ju.

Ju bëjmë me dije, zoti ambasador, se shoqata jonë është shoqata më e vjetër në Shqipëri e të përndjekurve politikë. Eshtë pasuesja e shoqatës së krijuar më 28 prill 1991 me në krye të paharruarin Osman Kazazi që ka shtrirje në të gjithë teritorin e republikës. Është shoqata që duke iu referuar shifrave zyrtare të shpallura nga Komisioni tre palësh i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Komitetit Shtetëror të të Përndjekurve Politikë dhe Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë, përfaqëson:

Të ekzekutuar 6.023  persona

  1. Të vdekur në burg 1.065       “
  2. Të burgosur           17.300       “
  3. Të sëmurë mendorë    260       “
  4. Të internuar                     90.000      “
  5. Të vdekur në internim 10.000       “

Shtojmë se nga të vdekurit në burgje dhe internim rreth 8.000 nuk kanë ende një varr ku familjarët të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule.  Shtojmë gjithashtu se shoqata jonë është anëtarja e vetme e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër ne Berlin dhe që përmbledh në gjirin e saj 16 shoqata të përndjekurish politikë nga ish-vendet komuniste të Europës Lindore.

Të përndjekurit politikë, zoti ambasador, kanë patur, kanë dhe do të kenë një simpati të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata gjithmonë shpresën për një Shqipëri me të vërtetë demokratike e kanë patur tek ky simbol i demokracisë. Për këtë ata luftuan dhe u sakrifikuan gjatë periudhës gati gjysmë shekullore të sundimit komunist, pasi kishin bindje se vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’u vinte Liria Në këtë vend jetuan, punuan dhe u prehën shumë nga burrat e shquar të vendit tonë. Të përndjekurit politikë janë aleati më i besueshëm i vendit të demokracisë.

Lidhur me sa më sipër më lejoni t’ju tregoj një rast të jetës time në të kaluarën. Ishte viti 1951. Së bashku me dy shokë të klasës time, të nxitur edhe nga aeroplanët e NATO-s që hidhin trakte që përmbanin thirrje për revoltë, formuam një organizatë antikomuniste që shpërndante trakte në qytetin e Vlorës. Ishim të moshës 15 vjeçare, në klasën e parë të shkollës së mesme. Arrestohemi dhe mbyllemi në qeli. Gjatë hetimit hetuesi më pyeti:

  • A je penduar?

Unë iu përgjegja shkurt:

Më vuri para letër dhe penë dhe më tha :

Unë shkrova deklaratën e mëposhtme:

Deklaratë

Unë, Reshat Kripa, nga Vlora dhe banues po në Vlorë, në lagjen Vrenez, mbasi u pyeta prej hetuesit që proçedohem si pjesmarës dhe element kryesor i grupit me pseudonim “Atdhetari” që përbëhet prej meje, Myrteza Baboçit dhe Jorgo Beshos, në se jesh penduar për fajet e  kryera  kundër pushtetit ju përgjegja si më poshtë:

Unë Reshati deklaroj se rrugën që kam ndjekur duke treguar aktivitet kundër pushtetit, e quaj të drejtë për deri sa gjendja në vëndin tonë nuk  ka ndryshuar dhe se unë këtë ndryshim e pres nga  t’arratisurit e  jashtë shtetit anglo-amerikanët etj.

Këtë deklaratë e shkruaj dhe e nënshkruaj vehtë pa u imponuar sepse janë deponimet e mia.

Deklaron i burgosuri

Reshat   Kripa

 

Vlorë më 11-VIII-1951

Origjinalin e kësaj deklarate mund ta gjeni në dosjen time me numër 8445 pranë Arshivës së Ministrisë së Brendëshme dhe për këtë keni autorizimin tim për ta kërkuar.

E solla këtë shëmbull për t’ju treguar se kush kanë qenë Shtetet e Bashkuara te Amerikës për mua dhe për të gjithë të përndjekurit e tjerë. Ndaj, t’ju them të drejtën, u habita kur ju pashë pranë një grupi anonim përfaqësuesish të një të ashtuquajture “shoqëri civile” të financuar nga SOROS-i. U habita pasi pashë se midis tyre kishte shumë individë që dikur iu ishte ngjirur zëri duke thërritur kundër Shteteve të Bashkuar të Amerikës apo pinjollë të tyre dhe që tashti, çuditërisht na qenkan kthyer në dashamirës të mëdhenj të atij shteti të madh. Pjesmarrja juaj në të dhe heshtja po juaja kundrejt shkresës tonë na le shumë dhimbje. Po mundët, përgjigjuni.

Të gjithë jemi dakord se vendi ka nevojë për një reformë të vërtetë në drejtësinë shqiptare që është mbuluar nga korrupsioni. Por kjo reformë duhet të fillojë qysh nga periudha totalitare dhe deri në ditët tona. Në të kundërt ajo nuk do të jetë një reformëdemokratike dhe reale për vendin tonë. Ne kërkojmë që reforma në drejtësi të mbështetet në rezolutat numër 1096 (1996) “Mbi masat për të  çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve të mëparshme komuniste totalitare” dhe numër 1481 (2006) “Nevoja për ndëshkimin  ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës si dhe në rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në tetor 2006 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”.

Këtë letër mendova të mos ua dërgoja direkt juve por ta botojë në median e përditëshme dhe atë online për të pritur përgjigjen tuaj, në rradhë të parë, dhe më pas opinionet e lexuesve.

 

Me respekt

Kryetari

Reshat    Kripa

 

Adresa:            Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve

Antikomuniste Demokratë të Shqipërisë

Dega  Tiranë

Builevardi “Dëshmorët e Kombit”, godina 3

Tiranë

E-mail:kripareshat@yahoo.com

Filed Under: Opinion Tagged With: ambasadorit Amerikan, Letër të hapur, në Tiranë z. Donald Lu, reshat kripa

Shakaxhiu i Përparimit

July 5, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa/

Ne pergjigjen e shkrimit tim te dates 27.06.2016 qe me dergonit ne dy gazeta te perditeshme ju shkruanit:

“Nuk ka forcë tokësore që më vendos mua përballë të përndjekurve. Unë, qëkurse jam kthyer nga studimet në vitin 2000, jam dhe do të mbetem në krah të komunitetit tim, si një aktivist  i kauzës së të përndjekurve politikë.”

 Lidhur me sa më sipër desha t’ju pyes:

  • Per cilët të përndjekur e quani veten aktivist i  tyre, pasi  jo  të  gjithë  të  përndjekurit

kanë të njejtin ideal. Disa janë të djathtë, të tjerë të majtë. Një pjesë e tyre kanë patur idealin e Shqipërisë Demokratike Etnike, ndërsa të tjerë idealin komunist por që përfunduan në burg apo interninm për ndonjë tekë apo mosmarrëveshje jo parimore me idhullin e tyre diktator. Madje ka patur edhe nga ata të dënuar ordinerë që vidhnin apo kryenin veprime incesti me familjarët e tyre dhe regjimi totalitar, për t’i dënuar më tepër, u shtonte edhe akuzat politike për agjitacion dhe propagandë apo tentativë arratisjeje.

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, ku bëjë pjesë edhe unë, është krejtësisht e vendosur në krahun e atyre që aspirojnë për një Shqipëri Demokratike Etnike.

Po ju, zoti Kola, ku bëni pjesë? Në rast se do të shohim prejardhjen e familjes tuaj do të vemë re se i përket një fisi me bindje plotësisht të djathta. Përveç atyre që ju përmendni në përgjigjen tuaj mbi paraardhësit tuaj unë do t’u shtoja edhe ato që shkruan babai juaj, Zoti Kurt Kola:

Marrëveshja e fshehtë e UDB-së jugosllave me Sigurimin e shtetit shqiptar, dënoi me pushkatim, por pa gjyq dhjetë pjesëtarë të familjes sonë, midis të cilëve babain tim, 2 vëllezërit e mi, dy nipërit, dajën tim etj. Kështu, duke konkretizuar masakrën e klanit komunist me pushkatimin e 19 personave të pafajshëm të familjes së tij, Kurt Kola, rrëfen se lufta civile e pashpallur, në fakt filloi pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.

Llogjika e do që me këto të dhëna ju të kishit bindje plotësisht të djathta. Por a ndodh kështu? Unë nuk e besoj. Një fjalë e urtë popullore thotë se nga ferra del trëndafili dhe nga trëndafili del ferra. A nuk i ndodhi kështu, të madhit Skënderbe me nipin e tij Hamza Kastriotin? Ndaj edhe për ju nuk e besoj të jeni i djathtë pasi shoh veprimet që kryeni dhe qëndrimin që mbani përballë forcave politike. Si ka mundësi që dikush që pretendon se ka bindje të djathta, madje të ketë qenë, sipas jush, kandidat për deputet i një partie të djathtë si LZHK-ja, të jetë anëtar i komisionit të ngritur nga Partia Socialiste me në krye zonjë Bazhdari, ish-kryetare e Partisë Socialiste për Shkodrën, për të hartuar programin e kësaj partie për të përndjekurit? Si ka mundësi që një parti si ajo e mbiquajtur “Rruga e Lirisë”, e krijuar nga ati juaj, të pranojë të vihet në aleancë me bllokun e partive të majta? Madje ka zëra që thonë se jeni antarësuar në Partinë Socialiste dhe se së shpejti do të krijokeni një parti tjetër të të përndjekurve. Nuk e di se si do ta quani këtë parti të djathtë apo të majtë?

Një gjë e tillë më kujton një përrallë që kam lexuar dikur:“Një natë, ndërsa flinin, bashkëshortja i thotë Nastradinit: – O burrë, në krahun e djathtë ke një qiri, të lutem ndize! – Nastradini, ashtu i përgjumur që ishte, i përgjigjet: – E ku e di njeriu natën se ku e ka krahun e djathë dhe ku të majtin?”

    Kjo sëmundje më duket se ju ka zënë edhe juve, zoti Kola, ndaj nuk e dini se kush është e djathta dhe kush e majta.

Me shkresën Nr. 557, datë 15.07.2014 shoqata  jonë së bashku me Shoqatën Mbarëkombëtare të Integrimit të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë i paraqiti Kuvendit të Shqipërisë propozimin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin  e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist” të ndryshuar. Propozimi ishte firmosur nga dy kryetarët respektivë, zotërinjtë Simon Mirakaj dhe Adem Hallçi. Në propozimin e bërë përveç të tjerave përfshiheshin edhe këto dy pika:

  1. Ish-të dënuarit politikë që janë gjallë dhe kanë mbushur moshën 75 vjeç për meshkuj dhe 70 për femra, dëmshpërblehen me dy këste.
  2. Afati i përfundimit të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë nga regjimi komunist është viti 2017

Bashkangjitur me këto ishte edhe relacioni shoqërues  i tyre.

Gjatë diskutimit të tyre në komisionet e kuvendit u thirr edhe shoqata  jonë, madje kam qenë edhe unë pjesëmarrës. Parshtruam propozimin tonë dhe kërkuam përkrahjen e pjesëmarrësve. Atje ishit edhe ju, zoti Kola dhe ne menduam se ju do të dilnit përkrah nesh, por kjo nuk ndodhi.  Zëri juaj nuk u dëgjua në mbrojtje të këtij propozimi gjë, që normalisht duhej ta kishit bërë. Por ju nuk guxuat dhe shkakun e dini ju vetë. Para disa ditësh deklaruat se dëmshpërblimi do të shlyhet sipas mundësive financiare që ka shteti shqiptar por nuk e di si nuk e paskeni marrë vesh se katër vite më parë Kryeministri juaj dërgonte në SHBA 80 mijë dollarë vetëm për një fotografi me Presidentin Obama.

Jam anëtar i Partisë Demokratike qysh prej 6 janarit 1991. Kam qenë anëtar i kryesisë së kësaj partie për Vlorën dhe Drejtor i Departamentit të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë në vitet 2001-2002. E kam mbështetur këtë parti në të gjitha aktivitetet e saj për liri dhe demokraci, por kam pasur edhe vrejtje kur shihja se disa veprime të individëve të saj nuk pajtoheshin me parimet e demokracisë perëndimore. Një gjë të tillë e kam pasqyruar në shumë shkrime të mijat, ndërmjet të cilave theksoj të mëposhtmet:

“E majta brenda së djathtës” gazeta “Telegraf” datë 8 dhe 11 prill 2007

“Letër e hapur Kryeministrit të Shqipërisë” gazeta “Telegraf” datë 9 gusht 2007

“Mbi ndëshkimin e krimeve të komunizmit” gazeta “Metropol” datë 16 gusht 2011

“Dosjet dhe të përndjekurit politikë” gazeta “Metropol” datë 4 nëntor 2011.

“A po zbatohet Katovica?” gazeta “Metropol” datë 14 qershor 2012.

“Edhe një herë mbi dënimin e krimeve të komunizmit” gazeta “Metropol” dhe “Republika” datë 24 gusht 2012.

Hapni faqen time në internet ose lexoni artikujt e mësiperm në gazetat përkatëse në bibliotekë dhe pyeteni veten:

  • A do të jeni në gjendje të bëni të njejtën gjë edhe ju?

Unë nuk e besoj pasi shoh veprimet e përditëshme tuajat.

Ju më akuzoni se e paskam bërë me keqdashje  kur  ju  paskam  thënë  se  pse  nuk  paske

kërkuar heqjen e dekoratave diktatorit Hoxha. Ju përgjigjeni se këtë e paskeni berë në faqet e google. Ju jeni drejtor i një institucioni të njohur shtetëror. A i keni dërguar Kuvendit të Shqipërisë një propozim për këtë çështje në emër të institucionit që përfaqësoni? Nuk e besoj pasi një gjë e tillë do të kishte qenë në faqet e para të shtypit të shkruar dhe atij viziv. Madje jo vetëm për këtë çështje por edhe për të gjitha çështjet e tjera të ngritura në shkrimin tim të mëparshëm nuk keni dhënë përgjigje. Përse? Edhe këtë e dini vetë ju. Unë dua përsëri t’ju pyes:

  • A jeni dakord  me  rezolutat  e  Asamblesë  Parlamentare  të  Këshillit  të  Europës  të

viteve 1996 dhe 2006 si dhe të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”?

Së fundi në përgjigjen tuaj ju paska zënë meraku për moshën time se qenkam plakur. Mos u   merakosni   fare.  Duke   parë  shqetësimin  tuaj  më  kujtohen  disa  vargje  të  Anakreontit  të

famshëm:

Anakreont qenke plakur, gjithë gratë po më thërrasin,

                        Dhe pardje më dhanë në mbudhë një copë xham që të më ngasin.

                        ……………………………………………………………………………………………..

                        Porse unë nuk e çaj kokën, në më thonë babush u plake,

                        As pse koka ime djeshme, sot ka mbetur lapurake.

Ndaj edhe unë nuk e çaj kokën sepse ky “plakushi” qysh nga viti 1991 ka botuar rreth 300 artikuj të ndryshëm në organet e shtypit, ka mbajtur rreth 50 kumtesa nëpër konferenca të ndryshme shkencore dhe përkujtimore, ka botura 4 romane, “Shkallët e Ferrit”, “Sekreti i Varrit të Vetmuar”, “Në kërkim të Lirisë” dhe “Ëndrrat e Thyera”. Ka botuar një libër me kujtime  “Rini e Copëtuar”, një libër me poezi “Dhimbje”, një monodramë “Hijet Lëvizin” dhe një libër me tregime “Një Tregim Për Mikun Tim”. Po ju more zotni, që jeni ende në moshën e rinisë, çfarë veprash keni lënë? A keni botuar ndonjëherë ndonjë shkrim që të ketë lënë gjurmë apo ndonjë libër tjetër. A keni mbajtur ndonjë kumtesë në ndonjë konferencë shkencore? Për më tepër ju keni atë që mua më ka munguar, pasi nuk më  lejoi regjimi i përmbysur, arsimin e lartë dhe nuk e di nëse e keni parë ju atë  apo ju ka parë ai ju.

Këto ishin të gjitha ato që doja t’ju thoja në lidhje me reflektimin tuaj. Është e drejta juaj të përgjigjeni ose jo, por ju bëjë me dije, se nuk kam për t’i lexuar më ato që do të shkruani dhe nuk do të kem më dëshirë dhe kohë për t’u përgjigjur. Kohën dua ta shfrytëzojë vetëm për arritjen e qëllimit që i kam vënë vetes. Po të kishte qenë gjallë Noli i madh, me siguri do t’ju kishte quajtur “Shakaxhiu i Perparimit!”

Filed Under: Analiza Tagged With: reshat kripa, Shakaxhiu i Përparimit

Ju lutem, më ktheni një përgjigje, zoti Drejtor?

June 27, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa/

Para disa ditësh në Tiranë, me nismën e Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë dhe Fondacionit “Kondrad Adenauer”, u zhvillua konferenca kombëtare me temë: “In  memoria – Së bashku në nder dhe respekt të kujtesës kombëtare të viktimave të ish-diktaturës komuniste në Shqipëri”, me pjesëmarrjen e Drejtorit të këtij instituti, zotit Bilal Kola, Avokatit të Popullit, zotit Igli Totozani, Ministrit të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, zotit Blendi Klosi, Kryetarit të Bashkisë së kryeqytetit, zotit Erjon Veliaj e të tjerë. Këtë lajm e mësova të nesërmen nëpërmjet njoftimeve në shtypin e përditshëm. Mendova se edhe mua, Kryetar i Shoqatës Antikomunste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës, anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit, me qendër në Berlin, normalisht duhej të më kishte ardhur një ftesë  gjë, që për asnjë arsye nuk arrij t’i kuptoj, nuk më erdhi.

Para dy ditësh në Shkodër, me nismën e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, u zhvillua një manifestim i të përndjekurve politikë në nderim të 25 vjetorit të vrasjeve në kufi  në vitet 1989-1990, pas daljes së dekretit të Kuvendit të Shqipërisë ku termi “Tentativë arratisje” zëvendësohej me “Kalim të paligjshëm të kufirit” dhe dënohej vetëm me pak vite burg. Në këtë manifestim mori pjesë edhe drejtori i Institutit të Përndjekurve Politikë, zoti Bilal Koli, i cili e mori edhe fjalën dhe foli mbi problemet që, sipas tij, shqetësojnë shtresën që ai përfaqëson.

Duke qenë i pranishëm në këtë manifestim dhe duke dëgjuar kumtesat e mbajtura apo parë pamjet e filmit ku pasqyroheshin emrat e viktimave të këtij genocidi të zhvilluar në prag të përmbysjes së madhe, më dilte para syve pyetja:

  • Kush janë autorët e kësaj masakre? Ku ndodhen ata sot?

Sipas kumtesave të mbajtura pjesa më e madhe e tyre ndodhen në detyra drejtuese në administartën shtetërore dhe atë gjyqësore. Lidhur me sa më sipër dua t’i drejtoj zotit Kola pyetjen e mëposhtme:

  • A do të ngrini ju, si Drejtor i  Institutit  të   Përndjekurve Politikë,  një  padi  kundër

të gjithë këtyre kriminelëve që, duke shkelur ligjin që vetë e miratuan, vranë  një  numër të madh të pafajshmish duke përfshirë edhe gra e fëmijë? Sot shikojmë që gjykatat tona dënojnë të gjithë ata që në kundërshtim me ligjin kryejnë vrasje. Po për vrasësit e viteve 1989-1990 përse nuk zhvillohen gjyqe por, në të kundërt, ngrihen në detyra të larta? Ju lutem më ktheni një përgjigje.

Në konferencën e cituar në fillim të këtij shkrimi, ju zoti Kola shpallët nismën tuaj për domosdoshmërinë e ngritjes së një memoriali në kujtim të viktimave të komunizmit, nismë që u përkrah nga të gjithë pjesëmarrësit e konferencës. Por ju harruat se kjo, e ashtuquajtura nisma juaj, ka vite që është shtruar, qysh në vitin 2006 me rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, në mbështetje të rezolutave numër 1096 (1996) “Mbi masat për të  çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve të mëparshme komuniste totalitare” dhe numër 1481 (2006) “Nevoja për ndëshkimin  ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Madje për këtë ekziston edhe një ligj i miratuar disa vite më parë po nga Kuvendi i Shqipërisë për ngritjen e këtij memoriali. Atëherë si ka mundësi që e paraqisni si një nismën tuaj? Ju lutem më ktheni një përgjigje

.Le të shikojmë edhe disa nga pikat e tjera që përmban kjo rezolutë. Në njerën  prej tyre thuhet për akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq  për arsye politike. Sipas të dhënave zyrtare sot në Shqipëri janë ende mbi 5000 të vrarë që nuk  e kanë një varr ku të afërmit e tyre të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë me lule. A keni dëgjuar të jetë aprovuar ndonjëherë ndonjë fond për gjetjen dhe rivarrosjen dinjitoze të tyre. A do të kërkoni ju akordimin e një fondi të tillë? Ju lutem më ktheni një përgjigje.

A do të kërkoni ju dënimin e diktatorit Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore që çoi në varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe heqjen  e të gjithë titujve dhe dekoratave të dhëna atij dhe bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist, ashtu siç përmbahet në këtë rezolutë? Ju lutem, më ktheni një përgjigje.

A do të kërkoni rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore?

A do të kërkoni bërjen publike të të gjithë dokumentëve që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve?

A do të kërkoni hapjen e dosjeve për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara? Për sa më sipër qysh në prill 2015 është miratuar nga kuvendi një i ashtuquajtur ligj për të cilin ju në një intervistë dhënë gazetës “Sot”, më 19 qershor 2015, keni deklaruar se pas një muaji do të bëhet zgjedhja e anëtarëve të autoritetit  për informimin dhe brenda tre muajve duhet të ketë përfunduar procesi i mbledhjes së dokumentave. Ka kaluar më shumë se një vit dhe autoriteti në fjalë ende nuk është zgjedhur dhe si rrjedhojë dhë as procesi i mbledhjes së dokumentave. A do ta kërkoni shkakun e kësaj vonese? Ju lutem, më ktheni një përgjigje.

A do të kërkoni hartimin e një strategjie kombëtare për eliminim e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipari dhe a do të ftoni institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur me statusin e të përndjekurit politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë?

A do të nxisni fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komunsite duke përfshirë rishikimin e librave shkollorë, shpalljen e një dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe kthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike?

A do të kërkoni organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist? Të gjitha këto janë kërkesa që i përmban rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë. Ju lutem më ktheni një përgjigje.

Hap faqen tuaj ne google dhe lexoj:

“Bilal Kola i ftuar në emisionin Jamais Vu të gazetarit Mustafa Nano në Ora News. (Minuta 48:00- 49:00 në videon e emisionit të plotë Jamais Vu) deklaroi:

 

  • Aspiroj  të  jem  në   Por në mënyrën më kategorike të  mundshme, nëse  do

isha 100 vjet jo një mandat, në mënyrën më  kategorike nuk do të lejoj njeri të  më  përdor  si

pushkë apo si plumb për të bërë maskarada të tilla” tha Bilal Kola

 

            Aspironi të jeni në kuvend? Është e drejta juaj por dua t’ju pyes:

  • Nëpërmjet kujt mendoni të shkoni në kuvend? Këtë të drejtë e  kanë vetëm  partitë

politike. Mos vallë nëpërmjet Partisë Socialiste? Ju lutem më ktheni një përgjigje.

Ju thoni se nuk lejoni njeri t’ju përdorë si pushkë apo si plumb për të bërë maskarada të tilla. Por a e kuptoni se organizimi i një konference si ajo që iniciuat ju ishte një  maskaradë  në kurriz të të përndjekurve politikë?

Këto ishin pyetjet për të cilat ju lutem të më ktheni përgjigje. Në të kundërt do të më vinte keq për mungesën e kurajos tuaj. Ju nuk jeni një njeri çfardo. Keni mbaruar në South Bank në Londër për drejtësi. Keni marrë diplomë në të Drejtën Ndërkombëtare të Aviacionit. Zotëroni Masterin në të Drejtën Ndërkombëtare Tregëtare nga Universiteti Metropolitan  i Londrës. Keni marrë titullin Doktor Shkencash  nga Universiteti Ndërkombëtar Montgomeri në SHBA. Në këto kushte është i papranueshëm ndryshimi i karakterit tuaj. Rrjedh nga një familje e njohur nacionaliste njëra nga figurat më të shquara të së cilës është edhe gjyshi juaj që ju i mbani emrin. Keni lindur në internim dhe e njhni mirë tmerrin e atyre kampeve.Ndaj nuk ka se si shpjegohet që jeni hedhur në prehërin e së majtës shqiptare. Megjithatë kjo është e drejta juaj që të zgjidhni.

Unë do t’ju lutesha të më ktheni një përgjigje për të gjitha këto.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ju lutem, më ktheni një përgjigje, reshat kripa, zoti Drejtor?

DITE TE ZJARRTA

June 15, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa*/

…Ishte mbrëmje. Fatosi po dëgjonte emisionin qëndror të lajmeve. Spikerja, me një zë që dukej sikur nuk ishte i zakonshëm, po tregonte për një demonstratë që ishte zhvilluar në qendrën e studentëve në kryeqytet.  Fatosit i dukej sikur zëri i saj dridhej. Fliste, por herë pas here, pushonte dhe pas disa sekondave fillonte përsëri.

– E ka nga emocionet, – mendoi Fatosi.

Spikerja fliste për një djalosh, student i fakultetit juridik, që ishte vënë në krye të studentëve. Ajo fliste dhe Fatosi dëgjonte. Një ndjenjë nostalgjie e  kishte  pushtuar. Nuk e di sepse por nga sytë i rrodhën dy pika lot.

– Babi, çfarë ke? –  e pyeti vajza që porsa kishte ardhur.

– Filloi! Filloi! – i tha ai me një zë të gëzuar.

– Kush filloi?

– Furtuna. Furtuna e madhe  që  do  të  fshijë  nga faqja e dheut përbindëshin që na shpërfytyroi, që na sakatosi dhe depersonalizoi.

Shikonte në ekran studentët që njëzëri thërrisnin: E duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe para syve  i  dilte fëminia e tij. I dilnin shkrepat dhe  gërxhet  nëpër  të  cilat ishte detyruar të kalonte.

– Edhe   ne  kështu u ngritëm  kunder tiranisë, – i tha së bijës. – Por atëherë ishim në gojën e ujkut dhe duhej të luftonim në ato kushte.

Fatosit  iu  shfaq  para  syve  gjithë  e  kaluara  e largët. Iu kujtuan ditët kur ai së bashku me dy shokët e tij, Mondin dhe Janin, fshehurazi shpërndanin trakte nëpër rrugët e qytetit.

I lindi ideja të shkruante diçka. Por për çudi asgjë nuk i vinte ndër mend për ta hedhur në letër. U mundua më kot për një kohë të gjatë, por frymëzimi nuk donte që nuk donte t’i  vinte.  U  ul  në  kolltuk,  mori një libër dhe filloi ta lexoj por, shpejt e kuptoi se nuk mbante mend asgjë nga ato që kishte lexuar. Hoqi dorë.

Ndërkohë dëgjoi tingujt  e  një  kënge  të  njohur. Nga shtëpia pranë vinte zëri i radios, volumi i së cilës ishte hapur aq shumë  sa dëgjohej në të gjithë bllokun. Ky ishte zakoni i njerëzve në atë kohë. Dueti italian Albano dhe Romina Pauer po këndonin këngën Libertá. Vargjet e saj kumbonin fuqishëm në veshët e tij

Një ndjenjë e çuditëshme e pushtoi. Ishte një ndjenjë dhimbjeje dhe krenarie. Kush  ka provuar robërinë mund t’i ndiejë më thellë vargjet e kësaj kënge.  Ndjenja e lirisë, për të cilën kishte luftuar që fëmi, e bënte që t’i dridhej zemra dhe  t’i  rridhnin  lotë  nga  sytë.Para syve i doli e kaluara.

…Mblidheshin çdo pasdite dhe shkruanin traktet. Kur errej i ngjisnin  mureve të rrugicave dhe shesheve të qytetit. Në mendjen e tij ato rrugica dhe sheshe kishin mbetur ashtu si ishin atëherë. Vrenezi e Muradija, Varoshi e Tophanaja, Çolja e Kumja, Sheshi Kateqit e Sheshi Pashait i dilnin para syve me traktet në muret e tyre.

            Ishin ditë të turbullta. Shpesh herë monotoninë e përditëshme e prishnin avionët e huaj që gëvishtnin qiellin shqiptar dhe që shoqëroheshin me një breshëri të paparë kundërajrorësh  e mitralozësh që mundoheshin t’i godisnin, por asnjëherë nuk ia arrinin qëllimit. Avionët hidhnin trakte ku bëhej thirrje për kryengritje të armatosur. Njerin prej këtyre trakteve  Fatosi  e  kishte  gjetur  në taracën e shtëpisë. E kishte  hapur dhe në krye të tij kishte  lexuar:  

            “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” 

            Më poshtë vijonte thirrja për t’u ngritur kundër sistemit totalitart dhe në fund nënshkrimi:  

    Komiteti  Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. 

            Ky trakt iu ngulit në mendje dhe, në mënyrë të veçantë, shprehja e shkruar në krye të tij, një shprehje nacionaliste shqiptare, që tregonte përse kishin luftuar ndër vite bijtë e këtij kombi. Ndoshta ishte  ky një nga shkaqet që ai së bashku me dy shokët e tjerë, Mondin dhe Janin, të krijonin  organizatën antikomuniste “Atdhetari” dhe të shpërndanin trakte në qytet. Në krye të çdo trakti shkruanim shprehjen:

           “PërLiri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

            Para   se   të   fillonin   aktivitetitin   Fatosi    kishte vrapuar në shtëpi ku kishte marrë një flamur pa yll, që e ëma e ruante në sëndukun e saj dhe që dikur e vendosnin mbi portën e hyrjes së shtëpisë në ditën e Festës Kombëtare. E  shtruan  mbi  tavolinë  dhe  duke  vendosur duart e djathta mbi shqiponjën dykrenore u betuan: 

            “Për liri, pë Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”

Duke shqiptuar këtë shprehje,  ndien  t’u  lageshin sytë. Ishin lotë dhimbje për lirinë, për atë që u kishte munguar me vite.

            Mësimet pothuajse i kishin harruar fare. Ishin në vitin e parë të gjimnazit. Po afronte fundi i  vitit  shkollor. Një ditë i thirri, Harilla, drejtori i shkollës.

            – Përse kjo rënie në mësime?- u tha. – Ju jeni nxënës të shkëlqyer.

            Ata rinin të heshtur. Nuk dinin si  të  përgjigjeshin. Me veten e tyre mendonin se ishte pikerisht drejtori  ai  që i kishte mësuar ta donin atdheun dhe lirinë dhe për to të sakrifikonin edhe jetën, po të ishte nevoja. Atyre iu kujtohej se kur drejtori fliste per lirinë (ai u jepte lëndën e letërsisë), deklamonte vargje të tilla si këto:

                        Të kisha ah, fuqi prej perëndie,

                        T’i  jepja shkelmin kësaj gjithësie,

                        Dhe të krenja botë tjetër ku të kishte,

                        Çdo plotësim dëshire e lirie! 

Mendonin   se   ëndrrat   mund   të  realizoheshin vetëm me traktet e tyre. Mendonin se ishin të pakapshëm. Por, një ditë, ato u ndërprenë. Ishte maj kur Dhimitri, punonjësi i ofiçinës së qytetit, që më vonë do të  merrte, si shpërblim për shërbimin e kryer, bursë studimi në shkollën e aviacionit në Bashkimin Sovjetik, i denoncoi  në  organet  e Sigurimit të Shtetit.

            Kështu filloi kalvari i përndjekjeve dhe  secili  prej tyre ndoqi rrugën që i kishte caktuar fati. Jani me temperamentin e tij të rrëmbyer u mundua të çante perden e hekurt, duke marrë rrugën e emigrimit, por nuk i eci. Një sëmundje e rëndë e ndau nga jeta, kur sapo kishte filluar ta jetonte atë, kur sapo kishte filluar të bëhej diçka. Mondi i matur dhe i ngadaltë u end për vite të tëra nëpër fshatrat e veriut të vendit duke kënduar me zërin e ëmbël këngën e tij të preferuar ‘’Erëza Malore‘’. Ndërsa Fatosi i   qëndroi   besnik   qytetit   duke    ngritur    mure,    duke ëndërruar për të ardhshmen, duke  ëndërruar  për lirinë.

  Albanua me  Rominën  kishin  kohë  që  e  kishin përfunduar këngën e tyre. Kurse atij vazhdonin t’i buçisnin në vesh vargjet e saj: Io vivrò per avere te!

           Shikonte studentët e Universitetit të Tiranës që marshonin nëpër rrugët e kryeqytetit me parullat  për liri dhe demokraci dhe në to vështronte rininë e tij në ato ditë të zjarrta. Mendonin se do të  ishin  të  përjetshëm,  se  nuk do  të  kishte  forcë  në  botë   që  mund  t’i  ndalonte.  Por mosha në të cilën ishin, nuk i lejonte të shihnin realitetin.

Tanimë kohët kishin ndryshuar. Vala e lirisë ishte përhapur në të gjithë Lindjen, vendet e të cilave kishin muaj që e kishin fituar. Nuk  mund të mbetej prapa Shqipëria. Mjaft ishte vonuar deri më sot. Koha nuk  priste.  Rinia  ishte  ngritur  më  këmbë. Ishte ajo që kishte marrë përsipër përmbysjen e madhe,  të  ëndërruar dhe  të  larë  me  gjak  dhe  vuajtje  për  gati  një  gjysmë shekulli.

*Kjo ditë kishte arritur.

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: DITE TE ZJARRTA, reshat kripa

Ese për mendimet e mia

June 1, 2016 by dgreca

Nga Reshat Kripa/

Para syve më dalin vargjet e një poezie të një poeti anonim, më falni nëse e kam përdorur edhe herë të tjera, të një poeti që më janë fiksuar në mendjen time. Këto vargje më dalin parasysh tani:

                                      Strukur thellë në qoshen time,

                                      Zog i mbyllur në kafaz,

                                      Para syve shumë kujtime,

                                      Zemra gati nuk më plas.

Para syve më del vetja ime e viteve të kaluara dhe e këtyre të sotme. Më dalin mendmet e mia dhe pyes veten:

  • A i kam qëndruar besnik këtyre mendimeve?

Nuk e di. Në këtë kaos ku është zhytur ky vend edhe unë nuk e di se ku

jam dhe ku duhet të jem.  Nuk e di se ku jam, pasi duke dëgjuar këta zëra korbash që këlthasin në politikën shqiptare, më duket sikur nuk kam asnjë mendim. Nuk kam pasi klithmat e korbave të zinj nuk më lejonte te shpreh mendimet e mia, pavaresisht nese do të dëgjohen ato apo jo. Është pikërisht kjo që zemrën time e bënë të plasë. Megjithatë unë dua të flas dhe, e them me zë të lartë, do të flas. Do të flas për atë që më kanë mësuar ata burra që kurrë nuk do t’i vijnë më Shqipërisë. Edhe këtë e kam thënë edhe herë të tjera por do ta përsëris sa të jetë e nevojshme deri sa daullet e kësaj thirrje të dëgjohen nga shqiptarët.

Mësuesit e mi më kanë mësuar se duhet të luftojë për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike. Por a është e tillë Shqipëria e jonë? Për fat të keq jo. Shqipëria që unë kam ëndërruar dhe kam luftuar nuk është kjo e sotmja. Nuk është Shqipëria ku forcat politike e shohin njera-tjetrën si armik dhe jo si kundërshtar politik, njësoj si në periudhen e përmbysur kur vendi ishte ndarë në dy kampe, në mbështetës të sistemit komunist dhe kundërshtarë të tij dhe kur këta të fundit ishin te detyruar të ropateshin burgjeve dhe kampeve të internimit. Nuk është Shqipëria që drejtohet nga njerëz me të kaluar kriminale. Nuk është Shqipëria ku ish përgjegjësit kryesorë të diktaturës komuniste sot janë në krye të pushtetit qëndror dhe atij lokal. Nuk është Shqipëria ku sundon hipokrizia dhe servilizmi ndaj udhëheqjes shtetërore. Nuk është Shqipëria ku mungon ndjenja e personalitetit të njeriut dhe ku njerëzit janë kthyer në manekinë që veprojnë sipas shkopit të dirigjentit.

Dua që të çirrem, dua të thërras deri në kupë të qiellit. Dua të shpreh mendimet e mia. Por nuk gjej terren. Nuk gjej terren pasi në Shqipëri, megjithëse ka një numër të madh organesh të shtypit të shkruar dhe atij viziv, që e quajnë veten të pavarur, rrallë ndonjeri pranon që t’i botojë mendimet e mia. Këtë e kam provuar me shumicën e organeve të shtypit të shkruar në Shqipëri por nuk kam marrë asnjë përgjigje prej tyre. Mendoj se një përgjigje, dhe kjo është edhe në etikën e një organi shtypi serioz, duhej të ma kishin kthyer. Por kjo mungoi. Atëherë çfarë duhet të bëjë unë? Nuk më ngelet gjë tjetër veçse t’i drejtohem të vetmit shtyp të shkruar në Shqipëri që më ka botuar dhe organeve të shtypit elektronik të cilët, për të thënë të vërtetën, gjithashtu më kanë botuar gjithçka iu kam dërguar.

Më lejoni t’iu jap një shmebull. Para disa kohe shkrova një monodramë subjekti i së cilës ishte infiltrimi i ish-punonjësve të Sigurimit të Shtetit në organet e drejtësisë shqiptare të sotme. Ua shpërndava disa specialistëve të njohur të teatrit shqiptar por, me përjashtim të vetëm njerit prej tyre, nuk u denjua të më kthehej një përgjigje. Ua dhashë dhe ua dërgova edhe disa teatrove dhe regjizorëve në Kosovë por përgjigje nuk mora. Përse? Nuk vlente monodrama? Mua nuk do të më vinte keq nëse do të më shprehnin një mendim të tillë, por ky nuk erdhi. Nuk mund ta vinin në skenë për shkak të frikës së kundërshtimit të atyre që sot drejtojnë vendin? Nëse edhe kjo do të ishte e vërtetë unë do ta prisja me kënaqësi një përgjigje të tillë. Por edhe kjo, përsëri nuk erdhi. Atëherë përse? përgjigjen jepeni ju të nderuar lexues.

Kjo është gjendja e Shqipërisë së sotme. Duke perifrazuar me librin e Lewis Caroll do ta quaja “Shqipëria në botën e çudirave”. Këto janë mendimet e mia që rrijnë të ndrydhura në memorien time. Nuk e di nëse ndokush do të më tregojë rrugën që duhet të ndjek për të shprehur këto mendime. Në pastë ndonjë do ta prisja me kënaqësi.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Ese për mendimet e mia, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT