Nga Reshat Kripa/
Ata kishin një dëshirë, një pasion aq të madh për të shkruar atë që mendonin, atë që ëndërronin, atë që dëshironin. Por a mund të shkruheshin ato që buronin nga zemrat, që frymëzoheshin nga mendimet e lira, që shprehnin ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Ndodhte shpesh herë që dora i hidhte këto shkrime në letër. Autori i tyre i lexonte dhe i rilexonte pa guxuar t’ia tregonte kujt, me përjashtim të ndonjë miku shumë të afërt. Kështu ato mbetën “Kangë të pakëndueme“, me të cilat kënaqej vetëm autori i tyre dhe prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori“.
Talentet e mëdhaja i rezistuan, çuditërisht, shtrëngimeve në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa lirinë e dhunuar. Do të përmendja këtu emrat e paharruar të Dom Ngre Zadesë, Trifon Xhagjikës, Vilson Blloshmit, Genc Lekës, Havzi Nelës e të tjerë. Martirë të tjerë provuan prangat e hekurta në vend të nënshtrimit. Nuk do t’i përmend emrat e tyre pasi ata janë të shumtë dhe do të duheshin faqe të tëra për t’i përmbledhur në një shkrim. Megjithatë ata shkruan. Shkruan me gjakun e tyre në muret e qelive ku i përplasën egërsisht. Shkruan për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruan për dhimbjen, për mallin, për shpresën. Shkruan për gjithçka. Në shkrimet e tyre ndihej besimi për të ardhmen edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë.
Por kishte edhe nje kategori tjetër që shkruante. Kjo kategori i përket atyre të përmendur në paragrafin e parë të këtij shkrimi. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë. Autorët e këtyre shkrimeve nuk u bënë kurrë servile dhe hipokritë, nuk u bënë kurrë lakej oborri si shume prej bashkohësve të tyre që i thurrnin lavde sistemit të dështuar totalitar e që, edhe sot e kësaj dite, nuk kemi dëgjuar asnjerin prej tyre t’i flakë tutje këto të ashtuquajtura vepra të “realizmit socialist” por, në të kundërt, këlthasin kundër njeri tjetrit se dikush paska qenë shkrimtar disident dhe dikush tjetër jo. Këto janë klithma hienash të dështuara. Ata janë si kentaurët e dikurshëm, simbol të dhunës dhe çfrenimit. Ata janë hije që nuk duken, por janë kudo dhe kur shfaqen sjellin fatkeqësi.
Në të kundërt me këta që përshkova më sipër, ngrihet lart figura e një disidenti të vërtetë, një intelektuali të shquar, që kishte dëshirë për të punuar, por që e detyruan të punonte si një punëtor i thjeshtë krahu, që kishte dëshirë për të jetuar, por nuk e linin as për të jetuar, sepse edhe jeta u lejohej vetëm servilve apo sharlatanëve të regjimit. Kush ishte ky titan? Ishte ai që qysh në moshën e rinisë rrëmbeu armën për lirinë e vëndit. U rreshtua në rradhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare qysh në fillimet e para të saj por nuk kaloi shumë kohë, në pranverën e vitit 1944, u bind se kjo luftë ishte tradhëtuar nga Partia Komuniste Shqiptare dhe e denoncoi atë si vegël të Partisë Komuniste Jugosllave. Largohet nga Shqipëria për studime në Austri por, në vitin 1946, e therret zëri i atdheut. Kthehet por arrestohet menjeherë. Për mungesë faktesh lirohet përsëri dhe detyrohet të bëjë punë të rëndomta. Në vitin 1960 internohet në ishullin e Manastirit në Zvërnec të Vlorës, ku qëndron për pesë vjet. Kjo është edhe periudha e krijimtarisë së tij më të shkëlqyer letrare. Ndërroi jetë në janarin e vitit 1977, si pasojë e një ataku kardiak që i erdhi pasi u detyrua, si hamall që punonte, të shkarkojë një kamion.
Ky ishte “Dostojevski” i letërsisë shqiptare, Agron Çorati. Për të folur për personalitetin dhe botën shpirtërore të tij dhe personazheve të veprave, mendoj se e ka më të lehtë ai që i ka përjetuar vetë ngjarjet që përshkruan. Them se e ka më të lehtë, pasi duke qenë vetë një Faik apo një Ninetë mund të kuptosh më mirë rënien morale të intelektualit nën presionin fizik, apo nëpërmjet fyerjes dhe denigrimit të ushtruar nga një pjesë e shoqërisë mbi pjesën tjetër të saj. Duhet të kesh qenë vetë një Mirë apo një Linë, një Lilianë apo një Zeliha për të kuptuar më mirë se çdo të thotë të të vriten ëndërrat rinore, apo të biesh shpirtërisht kur sapo ke filluar të hysh në jetë.
Autori shkruan:
‘’ Mjerë ata që kanë qënë të gjallë dhe kanë vdekur gjatë atyre dekadave! ‘’
Vini veshin, ai thotë ‘’ të gjallë ‘’, mbasi jo të gjithë që jetojnë në këtë tokë janë të gjallë. Shumica e njerëzve të kësaj bote vijnë dhe ikin si hije. Të paktë janë ata që lenë gjurmë. Një ndër ta ishte edhe Agroni.
Lexoj krijimtarinë e tij, librin me tregime “Miqtë e babait” dhe romanet “Në kërkim të vetvetes”, “Njeriu i ri”, “Liliana” dhe romanin në dy vëllime “Klasa e tetë” dhe “Njerëz të shprishur”. Vini veshin! Këto vepra janë shkruar në një perioudhë 12 vjeçare, 1963-1975. Çfarë mund të ishte bërë ky njeri në kushte normale? Ai mund të ishte bërë gjithçka. Me karakterin që kishte ai mund të arrinte majat më të larta. Por sistemi i kishte prerë rrugët e krijimtarisë së lirë.
Ai nuk pranonte kurrë të bënte art të imponuar. Karakteri i tij nuk e lejonte që t’i thurrte ‘’Hosana Barabajt‘’. Dora e tij mund të shkruante vetem ato që i diktonte zemra dhe jo diktati i të tjerëve. Dalja në dritë e veprave të tij e vërteton këtë.
Agronin e mundonte rruga pa krye në të cilën kishte hyrë atdheu. Atë e preokuponte e ardhmja e tij. Por më tepër e shqetësonte brezi i ri që po rritej pa principe dhe moral. Ai e dinte se ky brez i ri, i ashtuquajturi ‘Njeri i ri socialist‘’ do të bëhej në të ardhshmen një faturë e rëndë, të cilën do t’i duhej ta paguante kombi. Ja se si shkruan ai :
‘’Njeri i ri! Njeri i ri! Paske shumë frikë të flasësh për atë që ke brënda! Pa dil në shkretëtirë, ngjitju malit më të lartë, aty ku nuk të dëgjon njeri e villi të gjitha, çirru e thuaj një herë me zë të lartë, ato që prej shumë vitesh po i ndrydh me forcë! Mos ki frikë nga vdekja! Ç’qënke bërë kështu mor njeri i ri, Adami i brezave të ardhshëm?‘’
Duke lexuar veprat e Agron Çoratit, nuk ka se si të mos prekesh nga ndjenjat e shprehura në to. Të duket sikur ke të bësh me një autor të afirmuar. Në veprat e tij secili nga ne do të gjejë diçka nga jeta e vet. Duke i lexuar secili prej nesh do të bashkëjetojë me autorin për ato që shkruan. Dhe kjo për arsyen e vetme se ai ato i ka mbijetuar vetë mbi shpatullat e tij. Heronjtë kryesorë të veprave janë persona realë, miq të ngushtë që shiheshin shpesh të shëtisnin së bashku në bulevardin e qytetit dhe të hidhnin ndonjë gotë në lokalet e mbushura nga tymi i duhanit. Atë e shqetësonte e ardhmja e personazheve të tij. Ai jetonte së bashku me ta. Ai vuante së bashku me ta. Vuante pasi e shihte se këta personazhe të tipit të Fatosit, Besnikut, Piros, Vanit, pjella të të ashtuquajturit ”Njeriu i ri”, do të ishin kthyer në vrasës profesionistë kontrabandistë, trafikantë, politikanë të paskrupull në të ardhmen e vendit.
Ja se si shkruan ai për njerin nga personazhet e romanit, “Në kërkim të vetvetes”, Foton:
“Në kohët e lira kishte filluar përsëri të shkruante Sa të ndryshme nga shkrimet e tij të para, ku çdo gjë përfundonte me plotësimin e ëndrrave!… Sa të ndryshme nga shkrimet e mëvonshme, ku heronjtë nuk merreshin me ëndrra, por vetëm me aksion e luftë. Kurse tani s’kishte më heronj, as ëndërrimtar kotësirash…Personazhet e tij tani përmbyseshin. Kërkonin të futeshin diku thellë në brendësinë e sendeve e të ndjenjave, e aty humbisnin e hutoheshin. Ata gjithmonë vuanin. Në fillim tërhiqeshin nga patosi i jetës, pastaj thyheshin…Nuk mund te kishte fitimtarë. Vetë vdekja, kjo dhunti e natyrës, tregonte se ngadhnjimi nuk ishte njerëzor”.
Të tillë janë edhe personazhet e romanit në dy vëllime. Të trembëdhjetë maturantët e gjimnazit të Tiranës ëndërronin për një Shqipëri të lirë, europiane. Ata kishin idealet e tyre, ëndrrat e tyre. Ndaj hidhen të gjithë në luftën për liri. Midis tyre, Agimi, që, pa i thënë askush, mban një fjalim të zjarrtë në demostratë. Kjo gjë i kushton internimin në Itali. Por, çuditërisht, atje ai arrin të përfundojë shkollën e lartë dhe të diplomohet mjek. Si ka mundësi, do të pyesni ju, që kjo të ndodhë në Italinë fashiste? Unë do t’iu përgjigjem me një pyetje tjetër: Si ka mundësi që në “Shqipërinë Socialiste” një të internuari i ishte ndaluar edhe të mendonte? Por, ja që paska patur mundësi! Kjo është diferenca ndërmjet dy sistemeve totalitare. Ju bëni vetëm krahasimin.
Së fundi, Agimi kthehet në atdhe dhe sheh se si po zbatohej e famshmja “Luftë e klasave”. Sheh se ajo po zbatohej edhe me shokët apo shoqet e klasës së tij. Diziluzionohet nga kjo gjë dhe shndërrohet në “Njerëz të shprishur”, siç do ta quante librin e dytë të romanit autori. Pranon të nëshkruajë deklaratën e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit të servirur nga shoku i tij, Vani. Ja disa fragmente nga dialogu me Pirron mbi torturat që zhvilloheshin në qelitë e sigurimit:
“Kishim një të burgosur në birucat e drejtorisë. Ndenji afro një vit në atë birucë. Gjatë atij viti mund ta kemi totruruar qindra herë. Edhe unë vetë. I futeshim në birucë…Ai sapo hynte drita nga dera e hapur, mbulonte sytë e “bëhej gati”. E kupton se ç’do të thotë “bëhej gati”? Ishte mësuar aq shumë me torturat tona, sa që nuk donte të humbiste kohë…Na dukej sikur na përqeshte. Nga inati e torturonim më shumë. Ai lëshonte ndonjë “oh” e asgjë më tepër. Nuk fliste…Nga urrejtja e torturoja më shumë. Ai na përbuzte ne, që ishim zotërit dhe padronët e tij. Mund të bënim me të ç’të donim, mund edhe ta vrisnim, t’ia bënim mishin copa-copa, apo ta varnim. E megjithatë, ai na përbuzte në mënyrën më përçmuese”.
Këto fjalë i thoshte Piroja, shoku i tij, që ishte shndërruar në një satana.
Karakterin e Agimit e kanë pothuajse të gjithë personazhet e romaneve të Agron Çoratit. Ata janë njerëz të çoroditur që nuk dinë se ku e kanë kokën e tyre. Ata duan të dashurojnë, por nuk dinë se a mund të ketë dashuri të vërtetë? Të gjitha këto sjellin prishjen e familjeve, tradhëtitë bashkëshortore dhe shoqërore e të tjera. Vështirë se mund të gjesh një personazh me të vërtetë pozitiv në këto vepra. I vetmi, të cilin mund ta quajmë të tillë, është Niku, i çmenduri, siç e quajnë ata që jetojnë në këtë botë të çmendur. Dialoget që zhvillohen ndërmjet Nikut dhe personazheve të tjerë të romanit, ashtu si pjesa më e madhe e dialogeve të tjerë dhe që janë të shumtë në këto romane, janë nga më të arrirat. Në to është kristalizuar një filiozofi e tërë. Ja si shprehet Niku në një dialog të tillë:
“Në botë nuk ka “të mirë të plotë” dhe “të keqe të plotë”, të ndara njera nga tjetra, qoftë edhe sikur t’i marrim të pranueshëm si dogma të përjetshme parimet morale që themi se rregullojnë jetën normale të njerëzve.. Nuk ka tezë dhe antitezë të ndarë, nuk ka “njerëz të mirë”e “njerëz të këqinj”. Nuk ka njeri që të mos bëhet gjatë jetës së tij edhe i dashur edhe i urryer, edhe i drejtë edhe gënjeshtar, edhe i ndershëm edhe hipokrit, edhe i pastër edhe i poshtër, e shumë e shumë epitete të tjera të kundërta.”
A nuk janë ide filozofike këto mendime të këtij individi që opinioni publik e ka renditur në botën e të marrëve? Atëherë, kush është me të vërtetë i marrë.? Lexuesit le të nxjerrin përfundimin.
Duke lexuar këto romane më lind pyetja që e kam bërë edhe herë të tjera, kur kam lexuar vepra të kësaj kategorie: Çfarë vendi do të kishte zënë ky shkrimtar në rradhën e bashkëqytetarëve të tij, madje edhe në atë të botës mbarë, në rast se nuk do të kishte jetuar në një sistem totalitar që i qëndroi si shpata e Damokleut përmbi krye dhe që i shkurtoi jetën në kulmin e krijimtarisë së tij? Me siguri që do t’i kishte lënë prapa shumë prej atyre shkrimtarëve që iu nënshtruan pushtetit dhe që edhe sot janë në krye të klasifikimit. Kurse Agron Çoratin, këtë “Dostojevskin e letërsisë shqiptare”, siç e kam quajtur në fillim të këti shkrimi, e njohin vetëm fare pak. A nuk duhen propaganduar dhe përhapur veprat e tij? A nuk duhen përkthyer ato në gjuhët më kryesore të botës? A nuk duhen ribotuar në mijra kopje për t’u njohur nga të gjithë lezuesit shqiptarë? A nuk duhen futur në programet e shkollave të vendit?
Të gjitha këto pyetje presin përgjigje. Lexojini veprat e Agron Çoratit dhe po mundët më ktheni një përgjigje nëse kam të drejtë apo jo për këto që kam shkruar. Në mënyrë të veçantë, specialistët e letërsisë. Unë jam në pritje.
Të përndjekurit politikë dhe të drejtat e njeriut
Nga Reshat Kripa/
Në njerën nga frazat e tekstit të Deklaratës së Pavarësisë Amerikane thuhet:Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe Mundësia për të ndjekur suksesin dher lumturinë.
Mesazhi i kësaj fraze është se natyra dhe jo qeveria të gjithë njerëzve u ka falur të drejta themelore dhe të pamohueshme dhe se qeveritë krijohen prej tyre me të vetmin qëllim për t’i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave. Sa më e afërt të jetë një qeveri me të drejtat e popullit të vetë, aq më demokratik do të jetë vendi.
Kjo aksiomë është një tregues i qartë i shkallës së demokratizimit të vendit. Më lejoni të paraqes disa mendime lidhur me mesazhet e kësaj fraze.
Para disa ditësh, më në fund, Komisioni Europian miratoi dhënien e Statusit Kandidat vendit tonë, vendim të cilin ne e përshëndesim sinqerisht. Ky ishte një vendim që në kushte normale duhej të ishte fituar me kohë, por ne jemi mësuar që të jemi të vonuar në të gjitha kohërat. U vonuam në shpalljen e pavarësisë në krahasim me komshijtë tanë. U vonuam në lidhje me përmbysjen e komunizmit në krahasim me vendet e tjera të Europës Lindore. U vonuam edhe tani me fitimin e Statusit kandidat për në Bashkimin Europian. Në rast se forcat politike, që drejtojnë vendin tonë, do të kishin mundur të gjenin gjuhën e përbashkët për një problem kaq madhor, atëherë ky status do të ishte fituar me kohë.. Nuk dua të akuzoj një forcë të caktuar politike apo një tjetër për këtë çështje, por dua të them se më së fundi fitoi vullneti i një populli të tërë që, për vite me rradhë, ka ëndërruar për një Shqipëri europiane dhe demokratike, për një Shqipëri ku të mbizotërojnë parimet e shprehura në Deklaratën e Pavarësisë Amerikane. Me kënaqësi ne sot mund të mburremi se më në fund, me fitimin e statusit, po realizohen parimet e shprehura në vitin e ndryshimit ta madh, kur populli i tërë thërriste: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” apo :E duam Shqipërinë si Amerika”.
Janë pikërisht këto parime për të cilat ky popull u sakrifikua për gati një gjysmë shekulli deri sa e shporri pergjithmonë kuçedrën e kuqe që e kishte zaptuar. Para syve te mi më dalin të rënët në këtë betejë të paparë në historinë e njerëzimit, më dalin mijrat e të burgosurve, internuarve, dëbuarve, më dalin burgjet dhe kampet e tmerrshme të punës së detyruar apo të internimit, më dalin qelitë e errëta të sigurimit të zi të shtetit komunist, më del humbja e personalitetit të njeriut dhe zëvendësimi i saj me të ashtuquajturin “Njeriu i ri socialist”, që sot është shndërruar në një politikan pa skrupull, në një trafikant femrash, fëmijësh, droge, në një vrasës me pagesë apo të tjerë tipa të kësaj natyre. Shkrimtari i madh amerikan Mark Tëain ka thënë:
Patriotizëm do të thotë të duash atdheun tënd gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë vetëm kur ajo e meriton
Praktika e këtyre njëzetekatër vjetëve ka treguar se jo gjithmonë kemi qëlluar në shenjë. Një gjë e tillë bie në sy, më tepër, në premtimet që janë berë për çështjen e kthimit të pronave pronarëve të ligjshëm dhe sidomos në trajtimin e të përndjekurve politikë dhe dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist. Lidhur me këtë, në përgjithësi, në vendin tonë është ndjekur taktika e lënies në heshtje të së kaluarës së errët, në mënyrë që ajo të harrohet Në të kundërt, kohët e fundit kanë filluar të ndihen zëra që kërkojnë të rehabilitojnë sitemin e përmbysur. Rastet e shfaqura në ditën e dëshmorëve apo në përvjetorin e Kongresit të Përmetit ku, në sytë e pushtetarëve, u shfaqën portretet e dikatorit të rrëzuar, ku fëmijë të pafajshëm ishin instruktuar të nderonin me grushtin, simbolin e komunizmit dhe ku disa përfaqësues të lartë forcash politike predikonin për të ashtuquajturën “ditë e çlirimit”.
Përse ndodhin fenomene të tilla në vendin tonë? Kjo ndodh sepse, në kundërshtim me vendet e tjera ish socialiste, nuk është dënuar ideologjia komuniste. Madje, për më tepër ajo sapo vjen dhe po propagandohet më tepër. Një gjë e tillë është në kundërshtim me parimet demokratike të Deklaratës së Pavarësisë, që përkujtojmë sot.
Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës, miratoi rezolutën numër 1096 “Mbi masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve të mëparëshme komuniste totalitare”, rezolutë e firmosur edhe nga delegacioni ynë në këtë asamble. Por, çuditërisht, mungoi publikimi i saj në shtypin shqiptar. Përse? Askush nuk përgjigjet.
Më 25 janar 2006, me nismën e deputetit suedez Goran Lindblad, Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës, miratoi një rezolutë tjetër, atë me numër 1481 “Nevoja për ndëshkimiun ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” edhe kjo e firmosur nga delegacioni ynë. Më 30 tetor 2006 Kuvendi i ynë miratoi rezolutën përkatëse “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”. Çuditërisht deputetët socialist dolën nga salla në çastin e votimit të saj. Përse? Askush nuk përgjigjet.
Kambanat e alarmit fillojnë të bien. Në muajin mars 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkon Shqipërisë të dënojë krimet e komunizmit. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara të kërkojë dënimin e krimeve të komunizmit duhet që ai t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje dhe kjo njëzet vjet pasi Shqipëria pretendonte se kishte përmbysur komunizmin. Përse? Askush nuk përgjigjet.
Më 14 dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, letër që Komisioni i Be-së, të cilit i ishte drejtuar ajo, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Letra në fjalë përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Për fat të keq, në këtë dokument mungonte firma e Ministrit tonë të jashtëm. Ministër i Jashtëm ishte Ilir Meta. Përse? Përsëri askush nuk përgjigjet.
Ç’duhet bërë? Përgjigja është një e vetme, ajo që përmendëm më sipër, zhdukja e pasojave të rregjimit komunist. Për sa më sipër shtroj pyetjet e mëposhtëme:
1. Kur do të organizohet konferenca kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët? Aq i vështirë qenka organizimi i kësaj konference, kur në vendin tonë organizohen me dhjetra të tilla për çështje që nuk mund të krahasohen me ato të të përndjekurve politikë si për shembull mbrojtja e të drejtave të romëve apo homoseksualëve?
2. Kur do të fillojë puna për gjetjen e të vrarëve dhe të zhdukurve me ose pa gjyq për arsye politike? Kur familjarët e tyre do të kenë një varr ku të vendosin një tufë me lule apo të derdhin dy pika lot?
3. Kur do të dënohet diktatori Enver Hoxha si ideatori, frymëzuesi, dhe
ekzekutuesi i sistemit më diktatorial të Europës Lindore?
4. Kur do të rishikohen datat dhe simbolet e sistemit komunist që shënojnë instalimin diktaturës komuniste? Kur do të hiqen këto data nga protokollet zyrtare shtetërore? Sa do të vazhdojë të qëndrojë në varrezat e dëshmorëve të kombit ylli komunist në një kohë kur gjembat e atij ylli vranë edhe martirët tanë që prehen atje? Dhe të tilla simbole, për fat të keq, i gjen në çdo skaj të atdheut tonë.
5. Kur do të hapen dosjet e ish bashkëpuntorëvë të sigurimit të shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive apo të shkruara?
6. Kur do të bëhen publike dokumentat që dëshmojnë krimet e regjimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim- Internimeve?
7. Kur do të bëhet rishikimi i historisë dhe i teksteve të librave shkollore, në mënyrë që të mos helmohen më nga propaganda komuniste fëmijtë tanë? Kur do të hapen muzeumet, kthehen në muze burgjet e tmerrshëm, ngrihen memorialet në nderim të shqiptarëve që u vranë nga regjimi totalitar?
Të gjitha këto kërkesa janë pjesë të rezolutës së miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2006 që, për fat keq, ende kanë mbetur në letër. Atëhere çfarë pritet që të zbatohen? Mendoj se, sa më parë, duhet të gjenden rrugët për zbatimin e tyre. Ne sot paraqitemi në prokurori dhe në gjykatë për ndonjë problem dhe nuk janë të rralla rastet që para të gjejmë hetuesit tanë apo bijtë e tyre. Një fenomen i tillë ndodh edhe në disa institucione të tjera, ku ndeshim njerëz të këtij kallëpi. Madje farsa ka arritur deri aty sa një pjesë e tyre janë dekoruar nga presidentët e republikës për “merita të veçanta”.
Shoqata e jonë është anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit me qendër në Berlin. Për çdo vit kjo shoqatë zhvillon kuvendet e saj, ku pjesëmarrësit vizitojnë burgjet dhe kampet e kthyera në muze. Në vitin 2009 ky kuvend u zhvillua në Tiranë por ne, në ndryshim me vendet e tjera, nuk kishim asnjë burg apo kamp ku t’i shpinim pjesëmarrësit.
Të nderuara zonja dhe zotërinj!
Sot jemi mbledhur për të përkujtuar 238 vjetorin e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së. Në këtë ceremoni do të donim të kishim prezent ambasadorin e SHBA-së, zotin Alexandër Arvizu, por ai na njoftoi se agendën e kishte të zënë. Donim edhe ndonjë përfaqësues tjetër të asaj ambasade, por asnjë nuk u paraqit. Para syve të mi më del figura e ambasadorit amerikan të viteve të përmbysjes së madhe, të nderuarit zotit Ëilliam Rajerson, i cili gjendesh shumë pranë të përndjekurve politikë duke pirë kafe me ta në shtëpinë e ish kryetarit të parë të shoqatës tonë, të nderuarit Osman Kazazi. Unë kam besim se SHBA do të jenë gjithmonë pranë shtresës tonë.
Luftëtari i shquar i të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë i njerëzve me ngjyrë, Doktor Martin Luter King, ka thënë:
Ajo që është më e rrezikshme nuk është vetëm njeriu i keq, por dhe heshtja e njerëzve të mirë.
Ndaj ne nuk duam të heshtim më.
Kumtesë mbajtur në konferencën shkencore mbi 238 vjetorin e shpalljes së Deklaratës
së Pavarësisë së SHBA-ve.
Dedikim drejtuar bashkevuajtesve te mi
Nga Reshat Kripa/
Këtë shkrim ua dedikoj bashkëvuajtësve të mi që ishin ngujuar, qysh prej njëzet ditësh, në një grevë urie. Ua dedikoj Fatmirit, Gjergjit, Fazliut, Lulzimit, Ilmiut, Syrjait, Fadilit, Vilsonit, Fiqiriut dhe Agronit.
Ju nuk u futët në këtë grevë për interesat tuaja personale. Nuk u futët për arsye ordinere, si disa të tjerë që, si qëllim kryesor, i kishin vënë vetes përfitimin e një grushti të hollash që qeveria do ua jepte në shenjë lëmoshe. Ju u futët për ato parime që kishit luftuar vite më parë, kur preferuat më mirë prangat e hekurta në duar se sa dhunimin e lirisë për atdheun. Ky parim ishte: “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!”
U futët në grevë për zbatimin e rezolutave të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës numër 1096 (1966) “Masat për të çrrënjosur trashëgimin e sistemeve totalitare komuniste”, atë me numër 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, të firmosura edhe nga delegacioni parlamentar i Republikës së Shqipërisë, si dhe rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, të tetorit të vitit 2006, “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”.
U futët për dënimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha, për rishikimin e datave simbol të sistemit komunist, për bërjen publike të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet e regjimit komunist,për hapjen e dosjeve të krijuara nga ai regjim, për përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore lidhur me statusin e të përndjekurve politikë, për hapjen e muzeumeve dhe kthimin në muze të burgjeve dhe kampeve të tmerrshme politike, për ngritjen e një komisioni për gjetjen dhe rivarrosjen e të rënëve në luftën kundër komunizmit, që ende nuk kanë një varr. Për ngritjen e memorialeve në kujtim të këtyre martirëve dhe së fundi organizimin e një konferemce shkencore kombëtare, për krimet e kryera nga regjimi totalitar komunist.
Këto ishin motivet që ju çuan në grevë urie. Për këto motive ju sakrifikuat edhe jetët tuaja. Ndaj, me ju sot jemi edhe ne të tjerët,, ne që i kemi hequr mbi shpatullat tona tmerret e atij sistemi. Ju u sakrifikuhat edhe për ne. Ndaj edhe unë po ju drejtohem pikërisht juve.
A e shihni qëndrimin e qeverisë shqiptare karshi jush dhe në përgjithësi kundrejt shtresës tonë? Në cilindo vend të botës që të kishte ndodhur një ngjarje e tillë, do të tronditej një shtet i tërë. Kurse tek ne sundoi heshtja më e thellë. Përse ndodhi një gjë e tillë? Sepse në krye të shtetit janë po ata që na kishin dënuar dhe masakruar apo pinjollët e tyre. Fatkeqësia e tyre është se nuk po munden kurrë të shkëputen nga mentaliteti komunist i vështrimit të ngjarjeve dhe shikim i tyre nën prizmin demokratik.
Megjithatë, ata janë humbësit e mëdhenj. Nuk jemi ne që u ngritëm dhe luftuam kundër tyre për gati një gjysmë shekulli. Nuk jeni ju që u ngujuat në grevë urie për rivendosjen e demokracisë së vërtetë në vendin tonë. A ju kujtohet drejtuesi i tyre, diktatori Ramiz Alija kur deklaronte në vitet 90-të: “Ne i kemi vrarë baballarët e tyre” apo “Edhe bar do të hamë, edhe gjak do të derdhim”. A i dëgjoni deputetët e tyre që deklarojnë pa u skuqur fare, me një prepotencë të paparë, se kanë vrarë një, dy apo më shumë martirë? Këto janë monstrat që drejtojnë shtetin shqiptar.
I kemi parë për vite me rradhë. Por më tepër i pamë në këto vite pas përmbysjes së madhe. Përsëri ishte shtreasa e jonë që do të derdhte gjak. Përsëri do të ishte dora e tyre që do ta shkaktonte këtë gjak. Mos harroni Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Gëzim Shabanin, Besim Manolin, Fredi Shehun, Valter Harizin, Kujtim Frangun dhe plot martirë të tjerë, rënë për një demokraci të vërtetë, për një Shqipëri moderne europiane.
Ndaj mos u çudisni përse ata nuk denjuan të uleshin me ju për bisedime. Nuk denjuan sepse donin t’ju shihnin të vdekur. Sepse donin të pinin gjakun tuaj ashtu si vampirja e Vlorës që piu gjakun e Lekë Çokut më 1997. Ujku qimen ndërron por zakonin nuk e harron. Kështu janë ata.
Ndaj ju drejtoj thirrjen:
– Rrofshi e qofshi! Greva ia arriti qëllimit. Në mbështetje të saj u ngrit i gjithë
opinioni i shëndoshë i vendit tonë. U ngrit shoqata mbarëkombëtare “Vatra” e cila në deklaratën e saj shkruante:
Një vend që synon të shkojë në Europë, nuk duhet të heshtë përballë kërkesave të drejta të të përndjekurve politikë. Në një kohë kur në mitingjet qeveritare shfaqen portretet e diktatorit Enver Hoxha, kërkesa e të ngujuarëve për dënimin e tij si ideator dhe zbatues i ideologjisë totalitare, që sundoi vendin për 46 vite dhe heqjen e të gjitha titujve të fituara gjatë periudhës komuniste, është jo vetëm kërkesë e drejtë por tepër e vonuar. Politika shqiptare ka zvarritur dhe ka futur në “kalendrat greke”, dekomunistizimin e shoqërisë dhe nuk ka dënuar krimet e komunizmit, ideatorët dhe ekzekutuesit. Të përndjekurit e ngujuar po kërkojnë hapjen e dosjeve për ish-bashkëpuntorët e Sigurimit të Shtetit dhe të atyre që i detyruan të bëhen të tillë për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive dhe të shkruar.
Me ju, së fundi, u bashkua edhe Presidenti i Republikës i cili u premtoi se do të përdorte të gjithë autoritetin e tij për zbatimin e kërkesaveë tuaja dhe unë kam besim, se këtë premtim ai do ta mbajë.
Rrofshi e qofshi! A e shihni se sa pak kemi mbetur ende gjallë? Ejani të gjejmë rrugë të tjera për zgjidhjen e problemeve tona. Demokracia ka shumë rrugë për zgjidhjen e tyre. Konferencat shkencore, përkujtimoret, shtypi i shkruar dhe ai audio-viziv, takimet me përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtare e të tjera janë disa nga shumë format e ndryshme të protestës tonë.
Do të doja prononcimin e Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë dhe posaçërisht të drejtorit të tij, zotit Bedri Blloshmi për këtë çështje. Do të doja gjithashtu prononcimin e Institutit të Hetimit të Krimeve te Komunizmit, të partive të djathta politike, të shoqatave të të përndjekurve politikë, të akademikëve, të historianëve, të ekspertëve të OJQ-ve, të përfaqësuesve të medias së shkruar dhe asaj vizive. Sot është koha që të gjithë këto indstitucione të ngrenë zërin në mbrojtje të interesave kombëtare dhe kundër ringjalljes së frymës komuniste që po përpiqen ta rifusin në ndërgjegjen e kombit tonë.
Ju dhe ne të gjithë jemi fitimtarët e kësaj beteje të madhe ndërmjet komunizmit dhe antikomunizmit, ndërmjet sistemit socialist dhe atij në të cilin ndodhemi sot. Jemi fitimtarët pasi ishim ne që hodhëm bazat e përmbysjes së madhe të arritur në fundin e viteve 90-të. Ndaj ejani që së bashku të luftojmë për ta bërë sa më të denjë këtë vend, për të hyrë me meritë në gjirin e shteteve europiane, për të zhdukur, njëherë e përgjithmonë, mentalitetin komunist të gjykimit të ngjarjeve, që ekziston ende në vendin tonë.
Ndaj, ejani të luftojmë së bashku! Këtë thirrje, jua bëj unë, jo vetëm në emrin tim, por edhe të gjithë bashkëvuajtësve të tjerë. Ejani!
Ay, vetëm një
Nga Reshat Kripa/
Po pija kafe me një mikun tim kur tringëlliu zilja e celulatrit. E hapa. Ishte një e njohura ime. mbesa e një mikut tim të vjetër.
– Me falni që po ju shqetësoj, – më tha. – Jam këtu me Avdurrahmanin.Kemi ardhur në grevën e urisë së të përndjekurve. Kemi më tepër se dy orë dhe Durua nuk do të largohemi. Ju lutem, ejani ndoshta i mbushni mendjen. Ju e dini që ai, tashmë është shumë plak.
Me Avdurrahmanin jam njohur shumë vite më parë. Isha pothuajse fëmijë. U njoha me të në kampin e punës së detyruar të Urës Vajgurore. Nuk i kisha formuar ende bindjet e mia politike. Ai u bë një nga mësuesit e shumtë që njoha në atë skëterë. Deri atëherë historinë e Shqipërisë e njihja siç ma kishin mësuar në shkollën komuniste. Por Abdurrahmani dhe mësuesit e tjerë që ndesha atje, më mësuan se Shqipëria kishte edhe një histori tjetër, ndryshe nga ajo që kisha mësuar deri atëhere.
Ai më mësoi të luftoja për flamurin kuq e zi, për një Shqipëri të lirë, demokratike, etnike, me baza shoqërore moderne, për një Shqipëri ku të mbretëronte liria e fjalës dhe e mendimit. Më mësoi të luftoja për një Shqipëri të drejtuar nga njerëz të pakompromentuar, nga shqiptar që nuk janë kursyer, në çdo kohë e në çdo rrethanë, për shpëtimin dhe të mirën e këtij vendi, prej burrash punëtorë, të aftë dhe të ndershëm. Për një Shqipëri që do të dënojë pa mëshirë dhe në mënyrë shembullore antipatriotët, tradhëtarët, spekullantët, spiunët, për një Shqipëri ku nuk do të ketë vend për dallkaukët, servilët, dhe të gjithë ata që pengojnë zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë së rilindur, per një Shqipëri të shqiptarëve.
Këto m’i mësonte ai, një luftëtar i orëve të para të luftës kundër pushtuesit fashist, një i internuar nga fashistët në kampin e Ventotenës, një i dënuar politik nga regjimi komunist për bindjet e tija nacionaliste demokratike. Shpesh herë rrinim deri vonë në mbrëmje dhe atje, në errësirën e kampeve të punës së detyruar, ai me fliste për nacionalizmin shqiptar, për parimet e tij dhe luftën e zhvilluar kundër pushtuesve të huaj.
E lashë menjëherë kafen dhe u drejtova nga vendi ku zhvillohej greva e urisë së të përndjekurve politikë. E gjeta, të ulur në një karrike në çadrën e tyre. U fliste grevistëve me një pasion të papërshkrueshëm. U bënte thirrje që të mos tërhiqeshin nga rruga e nisur. Shprehte dëshirën për të qëndruar edhe ai me ata.
Por ai, tashmë ishte në pragun e 96 vjetëve. Të ngujuarit i thoshin se nuk mund të pranonin sakrificën e tij, se atyre ai iu duhej për eksperiencën e gjatë si një enciklopedi e vërtetë e historisë së nacionalizmit shqiptar, si një histori e Shqipërisë së vërtetë.
Iu afrova dhe i fola me një zë të butë:
– Eja të ikim, tani e kryet detyrën tuaj. I shikon, ju i ringjallët këta me fjalët tuaja.
Më vështroi me një shikim sikur do të më përpimte.
– Edhe ti, djali im, më thua kështu? – më tha.
Unë heshta. Nuk dija si t’i përgjigjesha. Të ngujuarit u mblodhën të gjithë rrotull tij
dhe filluan t’i thonë se duhej patjetër të kthehej në shtëpi. I thanë se mbesa e tj, që e kishte shoqëruar po e priste dhe ai nuk duhej t’ia thyente sakrificën që ajo po bënte.
Avdurrahmani kaloi një jetë të vështirë. Pati fatin të njihej dhe të martohej me një zonjë që rrallë se mund t’i gjendet shoqja në botë, me Lilin, motrën e legjendarit Xhelal Koprencka, pesë herë i dënuar nga regjimi komunist dhe, së fundi, ekzekutuar për një letër që i kishte shkruar diktatorit. E kalonin jetën të dy së bashku, në harmoni të plotë. Fati nuk iu fali fëmijë. Por fati e dënoi Avdurrahmanin. Zoti i rrëmbeu bashkëshorten e tij duke e lënë të vetëm dhe në një moshë mjaft të thyer. Mbeti i vetëm, pa asnjë njeri pranë. Por iu ndodh, në ato çaste të vështira, e mbesa, Liliana Shehu, që e mori në shtëpinë e saj dhe filloj të kujdesej për të si për prindërit e saj.
Së fundi, Avdurrahmani u bind. U takua me të gjithë grevistët. U premtoi se do të vinte gjithmonë t’i takonte. E mora për krahu, së bashku me mbesën dhe u larguam. Në mendjen time vinin rrotull mendime nga më të ndryshmet. E përfytyroja atë ashtu siç e kisha njohur vite më parë por, më shumë, më vinte para syve qëndrimi i tij përpara kësaj greve urije. Pyesja:
– Ku jini, o shtetarë? Ku jini ju, që e quani veten përfaqësuesit e popullit, kur i lini
keta grevistë të vdesin urije dhe askush nuk kujtohet të bisedojë me ta? Merrni shembull nga ky 96 vjeçar dhe ejani uluni në bisedë me këta martirë. Qëndrimi juaj është modeli më i keq i qeverisjes së një vendi demokratik.
Kur u ndava me mikun tim m’u kujtuan vargjet e një poezie të poetit të madh francez, Viktor Hygo:
Njëmijë po të mbeten, do mbetem edhe vetë,
Edhe njëqind të bëhen, nuk tundem, jo, q’aty,
I dhjeti do të jem, po qe se mbeten dhjetë,
Dhe në mbet vetëm një, unë do jem ay!
Ay, vetëm një që ka mbetur, është miku im, Abdurrahman Kreshpa.
Mos heshtni, zotërinj!
Nga Reshat Kripa/
Luftëtari i shquar i të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë i njerëzve me ngjyrë, Doktor Martin Luter King, ka thënë:Ajo që është më e rrezikshme nuk është vetëm njeriu i keq, por dhe heshtja e njerëzve të mirë./
M’u kujtua kjo aforizmë, pasi vë re se edhe në ditët tona, kur demokracia mendohet se ka arritur shkallët më të larta, vihen re raste të heshtjes së pajustifikuar të personaliteteve të ndryshme shtetërore apo partiake karshi protestave të bëra, sidomos nga përfaqësues të shtresave të veçanta shoqërore siç është për shembull ajo e të përndjekurve politik nga regjimi totalitar. Këtu e kam fjalën për grevën e urisë të shpallur qysh prej 13 ditësh nga një grup përfaqësuesish të kësaj shtrese.
Dëgjuam një deklaratë për shtyp të njerit nga përfaqësuesit e kësaj greve, Gjergj Hani, drejtuar Presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, zotit Ilir meta, Kryeministrit të vendit, zotit Edi Rama, Kryetarit të opozitës, zotit Lulzim Basha, Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, OSBE-së, Këshillit të Europës, Bashkimit Europian, të gjithë mediave të shkruara dhe audio-vizive. Deklarata ishte nënshkruar nga:
1. Fatmir Hoxha, – Lindur në kamp internimi. Familjarisht 120 vite burg dhe internim
2. Gjergj Hani, – 10 vite burg politik
3. Fazli Deliu, – 27 vite burg politik
4. Lulzim Emini, – 8 vite burg politik, 35 vite burg dhe internim familjarisht
5. Ilmi Osmani, – 13 vite burg politik
6. Syrja Fero Babaj, – 25 vite burg dhe internim për motive politike.
7. Fadil Dema, – 5 vite burg politik dhe pas tij internim
8. Vilson Dida, – i internuar, babaj 25 vite burg politik.
9. Fiqiri Hyzellari, – babai i vdekur në burgun e Burelit
10. Agron Cico, – i internuar, babai 15 vite burg politik.
Çfarë kërkojnë kata martirë që po sakrifikojnë jetën e tyre për një kauzë të shenjtë?
1. Dënimi i diktatorit Enver Hoxha si ideator dhe zbatues i ideologjisë totalitare që sundoi vendin për 46 vite. Heqja e të gjitha titujve të fituara gjatë periudhës komuniste.
2. Hapjen e dosjeve për ish-bashkëpuntorët e Sigurimit të Shtetit dhe të atyre që i detyruan të bëhen të tillë për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore dhe lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive dhe të shkruar.
3. Kthimin në punë të të gjithë të pushuarve padrejtësisht nga administrata shtetërore dhe që kanë fitur gjyqet përkatëse.
4. Përfundimin e dëmshpërblimit financiar brenda afateve të caktuara në ligj dhe premtimeve të dhëna gjatë fushatës elektorale.
Këto janë kërkesat e tyre. Ka 13 ditë që këto kërkesa përsëriten por çdo gjë, bie në veshin
e shurdhër të politikës, me përjashtim të ndonjë konference shtypi të opozitës. Gjëndja e grevistëve sa vete dhe po rëndohet më tepër. Mos vallë doni sakrificën sublime të tyre? Ata janë të gatshëm ta bëjnë edhe atë, por ky do të jetë turpi juaj. Ndaj unë ju drejtohem juve dhe ju them: – Mos heshtni, zotërinj!
Mos heshtni, zoti President i Republikës! Ju jeni Kryetari i Shtetit. Përdoreni
autoritetin tuaj për sensibilizimin e çështjes së tyre. Jeni ju që duhet të ndërhyni pranë organeve qeveritare, për zgjidhjen e problemit. Jeni ju që duhet të ndërhyni pranë autoriteteve ndërkombëtare për arbitrimin e çështjes në fjalë.
– Mos heshtni, zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë! Ishit ju që deklaruat se kushdo
ka të drejtë të bëjë të drejtë urie. Për çfarë të drejte flisni? Për atë të humbjes së jetës së tyre, apo të heshtjes tuaj?
– Mos heshtni zoti Kryeministër i Shqipërisë! Jeni ju i pari, që duhej t’iu kthenit një përgjigje grevistëve. Është e drejta juaj t’ua ktheni atë, pozitive apo negative, por një përgjigje ata e duan.
– Mos heshtni zoti Kryetar i opozitës! Është e drejta juaj që ta ngrini deri në qiell zërin për të drejtat e të përndjekurve politikë dhe jo vetëm me konferenca shtypi por edhe me sensibilizimin e autoriteteve ndërkombëtare.
– Mos heshtni, zotërinj të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë! Një nga shkaqet përse ata që ndodhen në grevë kanë qenë dënuar nga regjimi komunist, ishte edhe arsyeja sepse donin një Shqipëri si gjithë bota perëndimore demokratike. Ndërhyni pranë qeverisë shqiptare për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
– Mos heshtni, përfaqësues të mediave të shkruara dhe atyre audio-vizive! Ju keni një armë të fortë për të ngritur zërin në kupë të qiellit në mbrojtje të këtyre martirëve.
Mos heshtni zotërinj! Heshtja e juaj është vrasje për ta. Dërgoni përfaqësuesit tuaj pranë tyre! Dëgjojini dhe vendosni! Ata duan një përgjigje nga secili prej jush.
Mos harroni sentencën e përmendur në krye të këtij shkrimi nga i paharruari Doktor Martin Luter King.
- « Previous Page
- 1
- …
- 20
- 21
- 22
- 23
- 24
- …
- 31
- Next Page »