• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Disa vrejtje për mikun tim dhe hapja e Dosjeve

July 22, 2013 by dgreca

Mendoj se një zgjidhje e kësaj është ajo që kemi vite që e kërkojmë, hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, hapja e dosjeve të aparateve të Partisë dhe Komiteteve Ekzekutive, hapja e dosjeve të prokurorive, gjykatave dhe komiteteve të internim-dëbimit, hapja e dosjeve të organizatave të masave, rinisë, gruas, bashkimeve profesionale, këshillave popullore të lagjeve dhe rretheve.  Mendoj se pa hapjen e tyre askush nuk ka të drejtë të përgojojë ndokënd. Por a do të hapen vallë? Gjithë vendet e Europës Lindore i kanë hapur me kohë. Vetëm ne, si në çdo gjë, jemi të fundit. A do të presim shumë. Nuk jam  në gjendje të jap përgjigje. Po mundët, jepeni ju i dashur mik./

Nga Reshat Kripa/ Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të  të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë/

          Dëgjova këto ditë intervistën e një mikut tim, në një nga kanalet televizive të vendit. Miku im i përket asaj shtrese që për gati një gjysmë shekulli nuk pa veçse ditë të errëta. Një ish i burgosur politikë që kurrë nuk iu nënshtrua dhunës komuniste. Pasardhës  i një personi naconalist të dëgjuar, që kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e këtij vendi dhe që i kishte mbyllur ditët e fundit të jetës së tij në qelitë e errëta të burgut të Burrelit.  E dëgjova me interes intervistën e tij. Shpresoja të dëgjoja veten time në atë intervistë. Por kjo nuk ndodhi. Këtë e kuptova më vonë, kur në faqet e shtypit ultra të majtë, shikoja citate nga  intervista e tij. Vini veshin! Shtypi ultra i majtë na qenka mahnitur me këtë intervistë dhe, për këtë, e ngrinte në qiell deklaratën dhe personalitetin e këtij të përndjekuri politikë. A thua kaq shumë i dashkan këta të përndjekurit politikë? Shumë shpejt qenkeni kthyer nga qabeja zotërinj! Do të desha të pyesja mikun tim: A mos vallë ke mbetur aq keq  sa të arrish të marrësh  lëvdata  nga ata që të shkatërruan jetën, që doje të studioje dhe nuk të linin  për të studiuar, doje të punoje dhe nuk të linin për të punuar, doje të jetoje dhe nuk të linin as për të jetuar. Në rast se këto nuk janë të vërteta atëherë, i dashur mik, më thuaj dhe unë jam gati t’ju kërkoj të falur.

          Tani le të futemi në temë. Midis shumë gjërave, për të cilat ju kishit të drejtë, cituat, madje sulmuat, disa individë për të cilët, t’ju them sinqerisht, nuk më erdhi mirë. Në intervistën tuaj sulmuat kryetaren e një shoqate joqeveritare për faktin se nuk paska kërkuar ndjesë për atin e saj, sipas jush, agjent i Sigurimit të shtetit. Sulmuat dy analistë, që paskan qenë bashkëpunëtorë të këtij sigurimi. Së fundi sulmuat edhe një bashkëvuajtësin tuaj, tashmë të dekoruar nga Presidenti i Republikës, duke e quajtur atë spiun të komunizmit. Unë nuk dua t’i dal në krah askujt, pasi nuk kam asnjë të dhënë për secilin prej tyre por, duke u nisur nga intervista juaj, arrij në përfundimet e mëposhtme.

          Lidhur me kryetaren e shoqatës jo qeveritare, ju deklaruat se babai i saj u paska dalë dëshmitar juve dhe të tjerëve në proceset e montuara. Në rast se kjo është e vërtetë, dhe këtë duhet ta vërtetojë ose jo e interesuara, atëherë, me të drejtë, ajo duhet t’ju kërkojë ndjesë. Për dy analistët, di se ata e kanë pranuar prej kohësh një gjë të tillë, madje ky ishte shkaku përse njeri prej tyre refuzoi propozimin e bërë për President i Republikës, pikërisht për këtë shkak. Unë mendoj se një gjest i tillë duhet përgëzuar dhe jo denigruar. Ky xhest tregon fisnikëri dhe jo harbutëri. Në rast se sot ushtrojnë të drejtën e profesionit të gazetarisë, unë mendoj se kjo është një e drejtë e tyre, qoftë edhe sikur të jetë e vërtetë ajo që thoni ju.  Sa për bashkëvuajtësin tuaj, nuk ju dëgjuam të thoni asnjë fakt që ai paska qenë spiun, se cilin paska spiunuar, cilit i ka dalë dëshmitar në një seancë gjyqësore të montuar apo diçka tjetër të kësaj kategorie. Një gjë e tillë do ta kishte bërë deklaratën tuaj plotësisht të besueshme dhe detyrimisht do të kishte vënë në lëvizje edhe organizmat e tjera që merren më këto çështje. Në të kundërt ajo mbetet një shashkë e hedhur në erë.

          Sido që të jetë më lejoni,  i nderuar,  t’ju përshkruaj, shkurtimisht,  përmbajtjen e romanit tim, “Shkallët e Ferrit”, bazuar në një ngjarje të vërtetë, botuar në vitin 2008.  Agron Canaj, biri i një dëshmori të luftës nacionalçlirimtare, inxhinier elektrik studiuar në Çekosllovaki, vihet para presionit të Sigurimit të Shtetit për të deponuar kundër dy shokëve të tij me prejardhje nga shtresa e përmbysur. Karakteri i tij nuk e lejon të pranojë një veprim të tillë. Presioni i Sigurimit të Shtett arrin deri aty sa të tentojë përdhunimin e gruas dhe vajzës 15 vjeçare, gjë që , më në fund e detyroi të nënshkruajë gjthshka donin ata. Më thoni, i nderuar mik, a do ta dënoni një njeri të tillë?

          Edhe   një   rast   tjetër.  Diskutohej   ligji    mbi    dëmshpërblimin    financiar    të    të përndjekurve politikë. Midis neneve të projekt-ligjit ishte një pikë e nenit 6 që përjashtonte nga ky dëmshpërblim ata që kishin nënshkruar deklaratën e bashkëpunimit. Atëherë, bëra një shkrim që e botova në një nga gazetat e përditëshme. Në atë shkrim ngrija arsyet që i kishin detyruar një pjesë prej tyre për këtë nënshkrim. Sillja edhe rastin e përmendur në roman. Pas disa ditësh më vjen një letër anonime ku midis të tjerave shkruhej:

          “Ju falënderoj për shkrimin tuaj dhe mendimet e shprehura në të. Unë jam një nga ata që përfshin neni 6. Vetëm unë e di se si isha i detyruar ta pranojë atë veprim të turpshëm.  Mund edhe t’jua tregoj por më duket një justifikim i kotë . Ndaj po hesht. Qëndroj i vetmuar , me ndërgjegje të copëtuar, në strofkullën  time,  ku jetoj së bashku me familjen. Vetëm një gjë nuk di. Si do t’ua shpjegoj fëmijve të mi se përse nuk e përfitoj dëmshpërblimin? Kjo është brenga ime më e madhe.”

          Kështu më shkruante i panjohuri. E lë në logjikën tuaj të mendoni se a ia vlen sot, pas njëzetetre vjetësh të hapen ato letra?

          Këto ishin vrejtjet e mia për mikun tim.  Nuk e di se si do t’i kuptojë ai. Unë vetëm dua t’i them se do të vazhdoj të jem miku i tij, se do ta respektoj gjithmonë ashtu siç e kam respektuar deri tani. Këto që kam shkruar, i kam bërë me të vetmin qëllim për t’i bërë të ditur se duhet të shkëputet nga pasionet e errëta ndaj bashkëvuajtësve të tij. Dua t’i bëjë të ditur, gjithashtu, se sot nuk është koha të sulmojmë njeri- tjetrin, qoftë edhe sikur ndonjeri të ketë shkarë në pellgun e së kaluarës. Mendoj se shigjetat tona duhet të drejtohen kundër atyre që shkatërruan  jetën  tonë, atyre që gatuan mynxyrën e këtij kombi. Të mos i harrojmë. Ata i gjen kudo. Disa kanë arritur edhe majat më të larta të politikës. Në këto kushte a ia vlen të merremi me njeri-tjetrin?

          Mendoj se një zgjidhje e kësaj është ajo që kemi vite që e kërkojmë, hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, hapja e dosjeve të aparateve të Partisë dhe Komiteteve Ekzekutive, hapja e dosjeve të prokurorive, gjykatave dhe komiteteve të internim-dëbimit, hapja e dosjeve të organizatave të masave, rinisë, gruas, bashkimeve profesionale, këshillave popullore të lagjeve dhe rretheve.  Mendoj se pa hapjen e tyre askush nuk ka të drejtë të përgojojë ndokënd. Por a do të hapen vallë? Gjithë vendet e Europës Lindore i kanë hapur me kohë. Vetëm ne, si në çdo gjë, jemi të fundit. A do të presim shumë. Nuk jam  në gjendje të jap përgjigje. Po mundët, jepeni ju i dashur mik.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: disa vrejtje, per mikun tim, reshat kripa

E djathta dhe e majta

June 28, 2013 by dgreca

NGA RESHAT KRIPA/

Një anekdotë e vjetër tregon se kur Neroni i vuri zjarrin Romës, populli u ngrit në revoltë dhe rrethoi pallatin perandorak. Neroni, i frikësuar, thirri këshilltarin e tij, të urtin Seneka, dhe i tha:

– Si t’ia bëjmë, ata po hyn në pallat?

Seneka iu përgjigj:

– Hidhua fajin të krishterve.

Në atë kohë krishterimi kishte vetëm pak kohë që kishte lindur dhe Shën Pjetri ndodhej në Romë.

– Po, a do të më besojnë? – pyeti Neroni.

– Populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret, – iu përgjigj Seneka.

Kjo sentencë u vërtetua më së miri me rezultatin e zgjedhjeve që sapo mbaruan. Populli u besoi gënjeshtrave të shumta të Edi Ramës se tani e tutje do të hanin “me lugë të florinjtë”, siç thoshin  dikur ish komunistët. U besoi gënjeshtrave për qindramijrat që do të punësoheshin, për shërbimin shëndetësor falas, për heqjen e taksave për bisnesin e vogël, për legalizimin e banesave e të tjera, e të tjera që do t’u kryekan brenda një afati prej një viti. Populli u besoi ndaj ia dha shumicën dërmuese të votave Partisë Socialiste dhe koalicionit që ajo drejton.

Le t’i hedhim një vështrim rezultatit të zgjedhjeve që tashmë kanë përfunduar. Sipas tyre PS ka fituar 66 mandate, PD 49, LSI 16, PR 3, PDIU 4, PBDNJ 1 dhe PKDSH 1. Si koalicione ASHE ka fituar 60% të votave baras me 84 mandate,  ndërsa APMI 40% ose 56 mandate.

Natyrisht një rezultat i tillë shokoi edhe ata parashikuesit më të aftë të rezultateve, madje edhe vetë fitimtarët. Si ka mundësi një humbje e tillë për Aleancën ë Djathtë? Si ka mundësi që Elbasani, të cilit sapo i mbaroi autostrada moderne që e lidh me kryeqytetin brenda një gjysmë ore, të votojë për Aleancën e Majtë? Si ka mundësi që Shkodra dhe Kavaja, që për njëzetedy vjet kanë qenë bastione të së djathtës, të votojnë për të majtën?

Me daljen e këtyre rezultateve Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha,  doli para zgjedhësve të vet dhe me një kurajo prej fisniku pranoj përgjegjësinë për humbjen dhe deklaroj dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij, një veprim që Edi Rama duhej ta kishte bërë që në vitin 2009, pas dy humbjeve radhazi të zgjedhjeve për pushtetin lokal apo qëndror,  por që nuk pati kurajon ta bënte, megjithse një gjë e tillë parashikohej edhe në statutin e partisë së tij. Një veprim të tillë nuk e kanë bërë edhe drejtuesit e një mori mini-partish, djathtas dhe majtas, që figurojnë artificialisht në skakierën e politikës shqiptare, por që gjatë këtyre 22 viteve pluripartitizëm, nuk kanë arritur asnjëherë të fitojnë. Për këto mini-parti, për vite të tëra, nuk kemi dëgjuar të zhvillohen kuvendet e tyre dhe të zgjidhen organet drejtuese megjithatë, çuditërisht,  kryetarët mbeten të përjetshëm.

Por le t’i analizojmë të dhënat e dala nga këto zgjedhje dhe le të nxjerrim detyrat që duhet të ketë opozita e re në të ardhmen. Këtë e bëj pasi, sipas mendimit tim, përsëritja e tyre do të bëj që në të ardhmen Partia Demokratike të pësojë fatin e simotrave të saj në vendet e Europës Lindore. Ndaj le t’i rendisim njera pas tjetrës.

Në rast se do t’i referohemi rezultateve do të konstatojmë se PS ka fituar aq mandate sa në vitin 2009, ndërsa PD ka 25 mandate më pak, pasi në numrin 49, katër deputetë janë të partive të tjera të koalicionit dhe dy të ardhur para pak ditësh nga Partia Socialiste. Kështu që mbeten 43 deputetë. Me pak fjalë, ka më pak deputetë se në vitin 1997 kur këto zgjedhje u zhvilluan pothuajse në kushte lufte dhe ky koalicion nuk u lejua as të bënte fare fushatë. PR dhe PDIU kanë fituar nga 4 mandate, aq sa nuk i kanë arritur ndonjëherë në këto 22 vjet zgjedhje pluraliste. Kjo i çuditi edhe ata vetë. Por çudia më e madhe qëndron te LSI-ja që fitoi 16 mandate nga 4 që kishte. Siç shihet kjo nuk është një fitore e PS-së. Kjo nuk është edhe një fitore e LSI-së, por është një dhuratë që ia bëri PD-ja. Në vitin 2009 PD-ja fitoi, së bashku me aleatët, 70 deputetë. Në pamundësi të formonte qeverinë preferoi të fuste në koalicion 4 deputetët e LSI-së dhe gaboi. Gabimi ishte se nuk mund të futen në të njëtin stan si ujqërit dhe delet. Ilir Meta e kishte treguar veten se kush ishte, që me çështjen e arit të Krabës, qëndrimin ndaj Nanos dhe  arrestimin e Sali Berishës. Çuditërisht, këto u harruan dhe LSI-së, zyrtarisht, iu dorëzua 20% e  pushtetit

që në fakt e tejkaloi këtë shifër. Iu dorëzuan tre ministritë kryesore, Ministria e Jashtme, e Ekonomisë

dhe e Shëndetësisë si dhe posti i Zëvendëskryeministrit. Një gjë e tillë solli pushimin nga puna të një numri të madh të përndjekurish politikë dhe simpatizantësh të PD-së dhe zëvendësimin e tyre me militantë të LSI-së në tre dikasteret qëndrore dhe drejtoritë përkatëse në rrethe dhe natyrisht një gjë e tillë solli edhe një farë pakënaqësie brenda rradhëve të vetë PD-së. Ky ishte një nga shkaqet që solli rrjedhjen e mandateve nga PD-ja te LSI-ja.

Por si do t’i vej filli krushqisë së re Rama-Meta? Ndoshta nuk kam të drejtë por, duke u nisur nga ngjarjet e kaluara, dyshoj se krushqia e tyre do të përfundojë me sukses. Si do ta zgjidhë zoti Rama çështjen e 21 janarit pasi dihet mirë qëndrimi ato ditë i Metës në këtë ngjarje. Si do ta përmirësojë gjendjen e shëndetësisë pasi ishte ministri i Metës në krye të atij institucioni. Si do ta zgjidhë çështjen e ekonomisë së vendit, pasi ishte përsëri ministri i Metës në krye dhe është edhe përgjegjësia e tyre për gjendjen që, sipas Ramës, qenka e mjerueshme. A do të emërojë ndonjë nga ish ministrat e mëparshëm të Metës në këtë detyrë? Do të presim dhe do të shohim. Viti i parë i qeverisjes  kalon shpejt. Koha do të tregojë se sa do t’i realizojë premtimet.

Qëndrimi ndaj të përndjekuve politikë Është e vërtetë që PD-ja është e vetmja forcë që ka përkrahur të përndjekurit politikë. Një gjë e tillë u reflektua më së miri gjatë periudhës së parë (1992-1997) të qeverisjes së saj. Por nuk vazhdoi ky trajtim me të  njëjtin ritëm gjatë qeverisjes së dytë (2005-2013). Le ta ilustrojmë me shembuj konkretë.

Në vitin 2006 u miratua Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë në mbështetje të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Për Ndëshkimin e Krimeve të Kryera nga Regjimet Komuniste”. Kanë kaluar shtatë vjet nga miratimi i saj dhe deri më sot është realizuar vetëm një pikë, ajo e  krijimit  të  Institutit  të  Hetimit  të  Krimeve  të  Komunizmit.  Çfarë  e  ka  penguar  Kuvendin  e

Shqipërisë t’i heq titujt dhe dekoratat  ish  diktatorit  Enver  Hoxha?  Çfarë  i  ka  penguar  historianët  të

rishikojnë historinë e Shqipërisë? Çfarë e ka penguar Ministrinë e Arsimit të rishikojë tekstet shkollore? Përse nuk hapen dosjet e bashkëpuntorve të ish Sigurimit të Shtetit dhe pse nuk bëhen publike dokumentat që dëshmojnë krimet e komunizmit? Përse ende nuk janë kthyer në muze burgjet dhe kampet e tmerrshme, nuk janë hapur muzeumet e krimeve të komunizmit, nuk është ngritur memoriali në nderim të atyre që  dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot? Të gjitha këto pyetje kërkojnë përgjigje.

Po Partia Socialiste si do të veprojë lidhur me këto? Unë nuk besoj se ajo do të jetë e gatshme t’i zgjidhë këto çështje. Nuk besoj duke iu referuar fakteve të këtyre viteve. A nuk ishte ai që nxorri deputetet jashtë kur miratohej ligji për dënimin e krimeve të regjimit komunist? Kjo tregon se ai asnjëherë nuk ka qenë i gatshëm për të dënuar këto krime.

Është miratuar një ligj për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë por zbatimi i tij le shumë për të dëshiruar. Dëmshpërblimi i të pushkatuarve pa gjyq dhe të internuarve në tela me gjëmba sapo ka filluar. Një projekt-ligj i Qeverisë mbi dëmshpërblimin e menjëhershëm të atyre që kanë kaluar moshën 85 vjeç,  heqjen e nenit të terrorizmit për të dënuarit politikë dhe zgjatjen e afatit të dorëzimit të dokumentave, ka mbi një vit që është miratuar nga komisionet parlamentare, megjithatë, nuk  kaloi në seancë plenare për miratim, aq më tepër kjo ndodhi kur në krye të Kuvendit kishim një kryetare nga shtresa e të përndjekurve politikë.

Nuk besoj gjithashtu se do të jetë Partia Socialiste ajo që do t’i zgjidhë  këto çështje. A nuk ishte Edi Rama ai që i nxorri jashtë deputetët kur miratohej ligji mbi dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë dhe amendamenti mbi dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq? A do ta bindë dot ish kryeministrin Majko të kërkojë falje për shprehjen “Ata ishin plehra” të thënë në Komisionin e Ligjeve kur diskutohej ky ligj? A nuk ishte ai, së fundi, që i nxorri jashtë deputetët nga salla kur miratohej ligji për lustracionin? Mendoj se, para së gjithash, i takon atij të kërkoj falje para shtresës së të përndjekurve politikë për këto veprime të kryera me urdhër të tij. Unë do t’i kujtoja se të përndjekurit politikë nuk janë ato kokra që ka mbledhur pas vetes, individë pa personalitet që nuk përfaqësojnë as veten e tyre, Të përndjekurit politikë janë një shtresë e gjërë që në plan të parë kanë parimet e tyre, kanë çështjen kombëtare.

Një çështje tjetër që ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve është edhe burokracia administrative që  ka

pushtuar disa institucione të vendit. Nuk janë të pakta rastet ku për një çështje apo tjetër po t’u drejtohesh drejtuesve të institucioneve askush prej tyre nuk denjon të kthejë përgjigje. Lidhur me këtë kam raste personalisht që për çështje që i përkasin shoqatës ku bëj pjesë apo çështje personale u jam drejtuar disa herë drejtuesve të Ministrisë së Ekonomisë, Financës apo institucioneve të ndryshme deri edhe Kryetares së Kuvendit por asnjë nuk është munduar  të kthejë përgjigje. Kjo nuk i nderon.

Partia Socialiste i fitoi këto zgjedhje. Rama do të jetë Kryeministri i ardhshëm. Do të formojë qeverinë e re. Dhëntë Zoti të mos jetë e vërtetë ajo që shkruajnë gazetat se paska bërë marrëveshje me një sharlatan si Spartak Ngjela, që deri tani ka ndërruar pesë apo gjashtë parti, për ta emëruar Ministër të Drejtësisë. Po të jenë edhe ministrat e tjerë si ai, lumi ta marrë Shqipërinë. Koha do të tregojë se si do të rrjedhin ngjarjet.

Shkëputja nga mentaliteti komunist është një pikë tjetër që nuk ka mundur të realizohet në vendin tonë. Shfaqje e kësaj është hymnizimi i drejtuesit, që në vendin tonë ka arritur në përmasat e një Perëndie të re. Një gjë e tillë e ka lodhur këtë popull. A nuk ishin mjaft 46 vitet e diktatorit Hoxha, ku të ngratit popull i zunë duart kallo nga duartrokitjet dhe iu ngjir zëri nga të brohoriturit? Drejtuesit e partive kryesore politike duhet ta dinë se dalja vend e pavend, disa herë brenda ditës dhe në të gjitha kanalet televizive apo faqet e gazetave, të rrethuar nga analistë militantë, më tepër i largon ata nga masa e gjërë e popullit të tyre. Një gjë të tillë nuk e shohim në vendet e tjera me traditë demokratike. Nuk shohim ovacionet frenetike ndaj drejtuesve në këto shtete.

Këto ishin disa arsye, sipas mendimit tim, që Partia Demokratike dhe koalicioni i djathtë i humbi zgjedhjet. Do të doja t’i drejtohesha dhe t’i thoja Kryetarit te ri të Partisë Demokratike se ajo humbi vetëm një betejë.  Beteja të tjera na presin. Kjo shtron si detyrë që ajo të refrlektojë sa më parë dhe ashtu si duhet. Mendoj se kjo gjë nuk mund të zgjidhet me një mbledhje Kryesie apo Këshilli Kombëtar. Mendoj se është e domosdoshme një mbledhje e gjërë e të gjithë atyre që i janë kushtuar kësaj partie, që kanë besim se është ajo që do të vendosë demokracinë e vërtetë perëndimore në vendin tonë. Në këtë mbledhje duhet të dëgjohen zëra nga të gjitha krahët, madje edhe nga ata që mendojnë ndryshe. Duhen shprehur të gjitha alternativat dhe duhen zgjedhur më të mirat.  Jam anëtar i kësaj partie qysh në ditët e para të themelimit të saj, më 6 janar 1991 dhe do të vazhdoj të jem edhe në ditët e saj më të vështira, duke shprehur hapur mendimet e mia.  E lë në mendimin tuaj të çmoni në se kam të drejtë apo jo.

Do t’i sugjeroja zotit Rama se , në rast se dëshiron të ketë sukses, të realizojë ato të meta që kam konstatuar më sipër. Kjo do ta kthejë Partinë Socialiste në një parti të vërtetë të majtë europiane. Por kam dyshime se kjo, për vetë përbërjen e saj, është e vështirë të realizohet.   Një katrahurë sundon sot në vendin tonë. Miku i djeshëm papritur është bërë armik ose e kundërta. Nuk janë të rralla rastet kur pelivanë politikë hidhen nga njeri kamp në tjetrin, aty ku mendojnë se gjejnë terren më të favorshëm për realizimin e prapësive të tyre. Drejtues të së majtës, pa pritur e pa kujtuar kthehen në të djathtë madje, me këtë mënyrë, arrijnë të zgjidhen edhe deputetë . Nga ana tjetër ka drejtues të djathtë që bien në prehrin e së majtës dhe bëjnë karrierë. Me pak fjalë janë kthyer në trafikantë idealesh. Kjo gjë më bën të pyes:

– Çfarë jeni ju, mor zotërinj, të djathtë apo të majtë?

Kjo  më kujton një anekdotë tjetër të vjetër, me të cilën dua të mbyll shkrimin tim.

Një natë, ndërsa flinin, gruaja i thotë Nastradinit të famshëm:

– Or burrë, në krahun e djathtë ke një qiri. Të lutem ndize!

Nastradini, i përgjumur, i përgjigjet:

– Eh, moj grua, ku e di njeriu natën se ku e ka krahun e djathtë dhe ku të majtin?

Në një gjendje të tillë janë edhe shqiptarët dhe me këtë gjendje nuk mund të shkohet në Europë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: e djathta e majta, reshat kripa

Përpara drejt fitores…!

June 20, 2013 by dgreca

Nga RESHAT KRIPA*/

Në këto ditë të fundit të fushatës zgjedhore për Kuvendin e Shqipërisë, para syve më del ajo pamje e tmerrshme e atyre viteve të errëta të kaluara në periudhën e zezë të sundimit komunist. Mbi të gjitha më dalin para syve figurat e ndritura te atyre burrave te shquar, ajkës së kombit shqiptar, që shkuan para plumbit dhe litarit me thirrjen : “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”. Më dalin figurat e papërsëritura të atyre që më mirë pranuan prangat e rënda të burgut se sa lirinë e dhunuar. Më dalin figurat e atyre mijra grave heroina dhe fëmijve të tretura thellë nëpër kampet e tmerrshme të internimit.

Më dalin këto pamje dhe nga zemra më shpërthen një thirrje: “Mos harroni”! Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi pinjollët e tyre janë ata që sot duan të dalin në krye të shtetit për të ringjallur përsëri figurën e diktatorit të përmbysur dhe një nga këta është edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ati i të cilit, Kristaq Rama, ishte ai që firmoste, pa nguruar aspak, dënimin me varje të poetit Havzi Nelaj në gushtin e vitit 1988, në një kohë kur komunizmi në botë kishte filluar të merrte rrokullimën. Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot janë mbledhur rreth Partisë Socialiste për t’i bërë gropën demokracisë në vendin tonë, për të restauruar kohën e përmbysur.

Mos harroni! Kujtojini dhe votoni për Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë, sepse ishte ky koalicion që në legjislaturën e parë të tij 1992-1997, realizoi përmbysjen e regjimit totalitar, që u dha lirinë ish të dënuarve politikë, që shkolloi me mijra bij tanët që regjimi i kishte lënë në errësisrë, që punësoi me mijra të tjerë në të gjitha rangjet e administratës, duke filluar nga drejtorët e institucioneve shtetërore dhe deri në krye të parlamentit dhe partive politike.

Mos harroni vitin e zi 1997 të organizuar dhe drejtuar nga falangat socialisto-komuniste. Mos harroni martirët e rënë në ato ditë të zeza. Mos harroni Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Besim Manolin, Gëzim Shabanin, Gjergj Mehmetin, Azem Hajdarin, Besim Çerën, Adem Shehun dhe plot të tjerë bij nënash të familjeve të përndjekura politike dhe demokrate, një masakër e vërtetë që pasoi me nxjerrjen nga burgu të autorëve përgjegjës të dhunës komuniste dhe dëmshpërblimin e tyre, anullimin e ligjit të lustracionit të miratuar dy vjet më parë, i cili nuk i lejonte këta persona të merrnin pjesë në administratën shtetërore, pushimin nga puna të mijra të përndjekurve politikë e të tjera.

Mos harroni, por votoni për Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë, pasi ishte ky koalicion që i rezistoi me vendosmëri dhunës së kuqe dhe që solli, në vitin 2005, përsëri në pushtet Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë.

Mos harroni Partinë Socialiste dhe koalicionin e majtë por shikoni se si ka vepruar ajo gjatë këtyre viteve. A nuk ishte ajo që, me urdher të Edi Ramës, i nxorri jashtë nga parlamenti deputetët e saj kur votohej Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të asaj të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës,  “Mbi ndëshkimin e krimeve të komunizmit”? A nuk ishte ajo që, kur votohej ligji “Për dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë”, po me urdhër të Edi Ramës i nxorri deputetët nga salla? A nuk ishte ajo, kur diskutohej amendamenti mbi dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq, përsëri me urdhër të Edi Ramës, i nxorri deputetët nga salla, madje pati edhe ndonjë, si ish kryeministri i zbardhur para kohe i socialistëve, Pandeli Majko, t’i quante ata “Plehra”? Cilët ishin plehra, zoti Majko? Mos vallë vullnetarët e batalionit 4000 të NATO-s që vinin në Shqipëri për ta çliruar atë nga thundra komuniste? A  jeni me NATO-n ju zoti Majko, pasi ajo qysh prej themelimit të saj në vitin 1949 deri më sot është e njëjta? Po patët ndopak kurajo në ndërgjegjen tuaj duhet të përgjigjeni për këto pyetje. A nuk ishte, më së fundi, Partia Socialiste ajo që, me urdhër të kryetarit të saj, Edi Rama, doli përsëri jashtë kur dikutohej ligji i ri i lustracionit që do të flakte jashtë politikës  më shumë se gjysmën e socialistëve të Shqipërisë.

Mos harroni, por votoni Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë  sepse  ishte  ky  koalicion

që e futi Shqipërinë në Këshillin e Europës qysh në legjislacionin e parë të tij, që e futi Shqipërinë në NATO dhe liberalizoi vizat me Bashkimin Europian, në legjislacionin e dytë. Që do ta fusë Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe do të liberalizojë vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në legjislacionin e ardhshëm. Votoni për Partinë :Dermokratike dhe koalicionin  e djathtë që ndërtoi Autostradën e Kombit, rrugën që bashkoi dy shtetet shqiptare me njeri-tjetrin, autostradën Tiranë-Elbasan, autostradat Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë, mijra kilometra rrugë rurale, që po ndërton rrugën e Arbërit dhe rrugë të tjera në të katër anët e Shqipërisë. Votoni Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë për ngritjen e mirëqënies së vendit tonë, për zhvillimin e bujqësisë moderne shqiptare, për rritjen e pagave dhe pensioneve. Së fundi, votoni Partinë Demokratike dhe koalicionin e djathtë se është e vetmja forcë politike në Shqipëri që do të zgjidhë brenda një kohe relativisht të shkurtër problemet e të përndjekurve politikë duke filluar nga dëmshpërblimi deri në kërkesat e tjera të tyre.

Mos harroni! Nxirreni në pension të parakohshëm dështakun e artit, dështakun e sportit, dështakun e familjes, dështakun e politikës, karrieristin dhe anarshistin, Edi Rama, kopjen e diktatorit fashist, Benito Musolini, që në rininë e tij ishte një socialist i flaktë por që karrierizmi dhe anarshizmi e shndërroi në kryetar të partisë fashiste që u bë shkak i shpërthimit të një lufte botërore. Lereni të pushojë fatkeqin në plazhet nudo të Francës, ashtu siç ia lejon edukata e tij, ashtu siç e ka zakon.

Përpara drejt fitores! Përpara!

*Mbajtur në takimin e të përndjekurve politikë të kryeqytetit me kandidatët për deputet dhe përfaqesuesit e partive të koalicionit të djathtë të kryesuar nga Partia Demokratike në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit më 18 qershor 2013

Filed Under: Komente Tagged With: perpara derjt fitoreve, reshat kripa

Bedri Çoku dhe libri i tij “Përtej dhimbjes”

June 15, 2013 by dgreca

Ne Foto: Bedri Coku, autor i librit”Pertej Dhimbjes”

Nga Reshat KRIPA/

Këto ditë doli në qarkullim një vepër tjetër e mikut tonë Bedri Çoku, romani “Përtej dhimbjes”. Ç’ka dashur të thotë autori me këtë titull? Heroi i romanit, që praktikisht është vetë autori, pasi ka vuajtur pothuajse një çerek shekulli burg, papritur e sheh veten të lirë. Tani kohët kanë ndryshuar. Sistemi i tmerrshëm që e dënoi përjetësisht është shembur dhe populli gëzon ditët e para të lirisë. Por autori mediton. Mediton  rrugën nëpër të cilën ka kaluar, një rrugë të tmerrshme e mbuluar me ferra dhe gërxhe.       Ai kishte një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donte të shkruante atë që mendonte, atë që ëndërronte. Por jetonte në një kohë kur çdo gjë ishte e ndaluar, kur nuk mund të shprehte atë që i buronte nga zemra e tij, nuk mund të shprehte mendimet e tij të lira, ndjenjat e shpirtit të tij të pastër. Jetonte në një kohë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.

Ai nuk i përkiste atyre që talentin e vunë në shërbim të diktaturës, duke u shndërruar në lakej të tij. Ai i përkiste atyre që i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve abstrakte në format nga më të ndryshmet, atyre që, megjithë masat shtrënguese, gjenin mënyrën për t’u shprehur, atyre që luftonin kundër nënshtrimit apo lirisë së dhunuar, atyre që nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Kështu  ai nuk shkroi, me gjithë dëshirën e madhe që kishte. Ndonjëherë, atje në qelitë e errëta të burgut, i lindte dëshira për të shkruar. Dora i hidhte ato në letër. I lexonte dhe i rilexonte, ndonjëherë ia tregonte edhe ndonjë miku të ngushtë. Por vetëm kaq. Ato mbetën “Kangë të pakëndueme”, të cilat prisnin një ditë “me shpërthy dhe me u këndu pa frik e pa zori”.

Merita e tyre ishte se  këto vepra, mbajtën gjallë ndërgjegjen kombëtare të tyre, qoftë dhe si ushqim i ëndrrave më intime të individit se, një ditë,  ato do të bëheshin realitet. Ato frymëzonin dashurinë për kombin, që në atë varfëri shpirtërore ku e kishte katandisur sistemi, shqiptarët të gjenin veten duke pasuruar shpirtin me ndjenjën e së bukurës, urtësisë, dijes dhe mendimit të lirë.

Kështu ai heshti për një periudhë te gjatë dhe vetëm kur u krijuan kushtet për një krijimtari të lirë, pas përmbysjes së madhe, u ul dhe shkruajti ashtu siç ia diktonte zemra e tij dhe ja ku kemi një libër tjetër të këtij autori tashmë të njohur.

Lexoj rreshtat e këtij libri dhe në sy më ringjallen ato skena të dhimbshme nëpër të cilat kishte kaluar autori. Më del parasysh familja e tij dhe në mënyrë të veçantë nëna e tij heroinë që përballoi me dinjitet katër të burgosur, bashkëshortin  dhe tre djemt e saj, që përballoi 65 vjet burg të kryera prej tyre. Më del fëminia e autorit dhe shokët e tij të klasës, një pjesë e të cilëve e ruajtën miqësinë me të edhe pse ai ndodhej në kondita krejt të kundërta me ta. Më del dashuria e rinisë së tij që, si shumë të tjera të asaj periudhe, ishte një “mollë e ndalueme” dhe që u zëvendësua me një tjetër dashuri që do të krijonte një familje të shëndoshë. Më del optimizmi dhe përkushtimi i tij për ndërtimin e një Shqipërie të re, demokratike.

Duke lexuar librin, nëpërmjet  përshkrimeve  të  holla  të  penës  së  tij,  ndjen  një dridhje në zemër. Këtë dridhje e ndjen sepse të duket sikur vazhdon të jetosh në atë botë të zymtë të mbuluar nga dimri i tmerrshëm i quajtur komunizëm. E ndjen sepse të duket sikur vazhdon të jetosh i rrethuar nga burokratë të pështirë apo individë servilë, të shndërruar në kameleonë të neveritshëm, jeta e të cilëve ishte kufizuar vetëm në brohoritjet për liderin monstër. Këta tipa, këta “Njerëz të rinj” të sistemit socialist, nuk ishin tjetër veçse hiena që kërkonin të ushqeheshin deri edhe me kufomat e njerëzve të ndershëm.

Veprën e përshkron fund e krye një gjuhë dhe stil i sigurtë. Kjo tregon se autori, na del i plotë, i sigurtë në veten e tij. Përshkrimet e skenave të ndryshme janë një dëshmi e pjekurisë së tij artistike sa që të duket sikur ai ka vite që shkruan.

Duke lexuar veprën nuk ka se si të mos reagosh. Sot ende ne shohim pinjollët e atyre që kanë kryer krimet më të rënda të ngrenë veshët dhe të mburren me bëmat e zeza të prindërve të tyre. Por kjo nuk do të vazhdojë gjatë. Drita e së vërtetës më në fund do të sundojë mbi errësirën dhe, pavarësisht nëse do ta shijojë apo jo brezi i ynë, fëmijët tanë do të dijnë ta drejtojnë këtë vend në rrugën e duhur.

Mbajtur në takimin e zhvilluar për promovimin e librit “Përtej Dhimbjes” më 14 qershor 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: i Bedri Cokut, pertej dhimbjes, reshat kripa

Poeti “rebel”, Pano Taçi

April 22, 2013 by dgreca

Nga Reshat KRIPA/

Sipas mitologjisë Feniksi ishte një shpend përrallor që kur mbushte moshen 500 vjçare bënte çerdhen, e shtronte me bimë aromatike dhe vdiste mbi të. Nga hiri i tij ai rilindte përsëri dhe ushqehej po me bimë aromatike. Ndaj sot, me përurimin që i bëjmë librit me poezi “Muzgu vjen papritur” të Pano Taçit, e kemi atë përsëri midis nesh, të rilindur si Feniksi, pasi poetët nuk vdesin kurrë. Ata rrojnë nëpërmjet vargjeve të tyre.. Dhe poeti shkruan:

Tërë jetën ç’jam përpjekur,

                                                si t’ia zbus shpirtit hallin.

                                                Për ç’premtova duke vdekur,

                                                them se vargjet me ringjallin.

                                           Për ç’jap shpirtin zemërmekur,

                                                N’atë varr ku do më kallin,

për ç’këndova duke vdekur,

them se këngët më ringjallin.

 

Ndaj sot e kemi përsëri të ringjallur bohemin e fundit apo poetin rebel, siç e kanë quajtur miqtë e tij. Pano Taçi i përket atyre poetëve që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por për fatin e tyre të keq, kishin lindur në një epokë të gabuar. Jetonin në një epokë kur nuk mund të shprehnin atë që u buronte nga zemra e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në një epokë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj, ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit, për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist“, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.

Megjithatë talentet e mëdha i rezistuan, çuditërisht, shtrëngimeve në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa lirinë e dhunuar. Të tjerë provuan prangat e hekurta në vend të nënshtrimit. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Këto vepra autori i lexonte dhe rilexonte me vete, pa guxuar t’ia trgonte njeriu, me përjashtim ndoshta ndonjë miku shunë besnik. Ato ishin shkruar nëpër qelitë e errëta të burgjeve apo  kasollet ku jetonin të izoluar nga bota e madhe. Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë. Këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Me to kënaqej vetëm autori i tyre dhe prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori“. Autorët e këtyre shkrimeve nuk u bënë kurrë servile dhe hipokritë, nuk u bënë lakej oborri.

Një nga këta ishte padyshim edhe Pano Taçi. Ai i përket atij grupi poetësh që kishte dëshirë të mësonte, por nuk e linin për të mësuar, pasi ai qysh në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare do të provonte prangat e rënda të burgut për gati njëzetepesë vjet. Kishte dëshirë të punonte, por nuk e linin për të punuar, pasi për të lejohej vetëm puna në bujqësi apo ndërtim. Kishte dëshirë të jetonte, por nuk e linin as për të jetuar, sepse edhe jeta u lejohej vetëm servilve apo sharlatanve të regjimit. Kujt i mohoheshin këto? Atij, që qysh në moshën fëminore rrëmbeu armën për lirinë e vendit. Atij që ëndërronte për një Shqipëri të lirë, pa ferra dhe gjëmba? Dhe poeti shkruan:

Të rinj, naiv, si partizan,

                                                dolëm malit për vatan

                                                për çlirim të Shqipërisë

                                                nga zinxhiri robërisë.

                                                Dhe me ç’di ne bëmë mirë,

                                                që morëm plagë për liri

                                                e kur ne u bëmë të lirë

                                                për duart tona, për çudi,

                                                nuk kujtoheshin,

                                                o Perëndi!

                                                Në terr ne po farkëtonim

                                                ca zinxhirë të rinj zezona

                                                për plagët, për duart tona

                                                me hallka kyçur në qeli.

 

Fundi i viteve 80-të do të tregonte se forca e mendimit të lirë do të fitonte  betejën me diktaturën. Perdet e hekurta që ndanin të dy botët do fillonin të  shembeshin.  I  fundit nga vendet totalitare të Europës do të ishte vendi ynë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, do të ishte konkretizimi logjik i fitores së ideve demokratike mbi ato diktatoriale. Lufta për këtë fitore kishte filluar qysh më 28 nëntor 1944 dhe për të ishte derdhur shumë gjak dhe ishin bërë shumë sakrifica, për gati pesëdhjetë vjet me rradhë. Dhe Panua shpërtheu. Nxorri nga arkivi i burgut poezitë e krijuara nëpër qelitë apo vitet e  “vetmisë së madhe” dhe për një periudhë pesëmbëdhjetëvjeçare, nga viti 1994 deri më 2009 botoi pesëmbëdhjetë përmbledhje me poezi dhe drama.

            Përse është quajtur poet rebel Pano Taçi? Sepse kishte nje shpirt rebel, nje shpirt që në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohej me padrejtësinë dhe ngrihej kundër saj. Që fëmi u ngrit kundër robërisë. U rebelua kur pa se idealet për të cilat kishte luftuar ishin tradhëtuar nga klasa sunduese. U rebelua edhe pas përmbysjes së regjimit totalitar kur pa se një pjesë e klasës  politike të vendit i kish transformuar idealet e dhjetorit 1990 në interesa personale duke mos përfillur shtresat e tjera të popullsisë dhe u shua me zemër të plasur.

            Pano Taçi ishte edhe një poet lirik, Ai i këndoi dashurisë. Dashuria, së cilës ai i këndoi, ishte platonike. Vetëm kjo i lejohej. Atij ia prenë që herët ëndrrën e dashurisë. Regjimi nuk e lejonte as të dashuronte. E ku do të dashuronte ai, mos vallë në qelitë e errëta ku e kishin përplasur? Hyri në burg në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare dhe doli prej tij në atë dyzetetrevjeçare. A mund të dashuronte ai kur gati gjysmën e jetës e kishte kaluar në skëterrë? Megjithatë, çuditërisht, dashuroi. Dashuroi nëpërmjet vargjeve të tij. Por edhe këtu ndihet dhimbja, një dhimbje që plekset me dashurinë. Poeti shkruan:

Kur mbi varr me ngashërim,

                                                            Do më qash tek rri në gju,

                                                            Sytë e tu mbi varrin tim,

                                                            Varri im mbi sytë e tu.

Ky ishte Pano Taçi. Ky ishte poeti ynë rebel, poeti i dhimbjes dhe dashurisë, poeti i revoltës dhe kundërshtimit, një Omar Khajam i letërsisë shqipe. Tërë jetën luftoi për të krijuar figurën e tij. Shumë u munduan ta pengojnë. ;Shumë u munduan ta lenë në hije. Por nuk ia arritën qëllimit. Ai triumfoi mbi të gjithë. Dhe vargjet e tij gjëmojnë fuqishëm:

Hieja ime del nga varri,

                                                            Më thotë: – Pse s’vjen të bësh gjumë?

                                                            I them: – S’vij unë qyqari,

                                                            Pa i lënë jetës një gjurmë.

 

                                                            Ndjenjat bëj t’i lë mbi letër,

                                                            që të thonë se jam dikushi.

                                                            Kur të vij te bota tjetër,

                                                            Si mik do më presë Lasgushi.

Pano Taçi la gjurmë të pashlyeshme në jetë dhe në letërsi. Ai ishte me të vërtetë dikushi.

 

 

Mbajtur në ceremoninë e zhvilluar për promovimin e librit të Pano Taçit, “Muzgu vjen papritur”.                                      

Filed Under: Featured Tagged With: Pano Taci, poeti rebel, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT