• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ku po shkon Shqipëri?

April 22, 2017 by dgreca

*Ku shkon Shqipëri? Kur do të shkëputesh nga mentaliteti  komunist  që  të  ka mbërthyer dhe të ka zënë frymën? Deri kur kështu?/

Nga Reshat Kripa/

Në këto ditë ku ndjehet ende atmosfera pashkëve më vjen parasysh thirrja që Jezusi i drejtoi Shën Pjetrit kur ai braktisi Romën nën presionin e paparë të kundërshtarëve të krishterimit. Jezusi iu shfaq atij dhe i thirri: Quo vadis? (Ku shkon?). Dhe Shën Pjetri  u kthye përsëri në Romë ku edhe u martirizua. Kjo thirrje më del parasysh sot dhe dua t’ia bëjë Atdheut tim dhe në mënyrë të veçantë gjithë personaliteteve shqiptare. Përse ua drejtoj këtë pyetje biblike?

Për çdo ditë në organet e shtypit të shkruar dhe në mediat audiovizive nuk shohim gjë tjetër veçse figurat e atyre që kanë mundur të ngjiten në shkallët më të larta të politikës shqiptare. Këto figura zenë më shumë se 50% të programeve të shtypit dhe të medias audiovizive.. Ndaj edhe unë dua të drejtoj thirrjen biblike:

“Ku shkon Shqipëri? “

Sot mundësitë e informacionit janë të pakufishme. Kështu edhe unë kam mundësinë të ndjek informacionet edhe nga media të huaja. Po përqëndrohem vetëm  në ato të shtetit fqinj, Italisë. Në  të gjitha emisionet e organizuara nga Rai Uno apo Mediaset nuk shoh që në më të shumtin e programit të tyre  ta zënë figurat politike, kryeministri apo opozita. Besoj se në një linjë me këto duhet të jenë edhe kanalet e mediave  të shteteve të tjera perëndimore. Përse kjo nuk ndodh në vendin tonë? Mund të mos kem të drejtë por mendoj se një gjë e tillë ndodh pasi në Shqipëri vazhdon ende mentaliteti komunist dhe kjo gjë ka verbuar edhe personalitetet e larta që mendojnë se duke u shfaqur sa më shumë në shtypin e shkruar apo në median audiovizuale ia rrisin më shumë vlerën vetes së tyre. Në të vërtetë, me këtë mënyrë ata janë bërë të bezdisshëm, madje do të thoja të padëgjueshëm., pasi i kanë tejkaluar kufijtë e një paraqitje normale. Unë nuk arrij të kuptoj se si vetë ata nuk  mundin ta kuptojnë një gjë të tillë..

Këto ishin mendimet e mia për figurat e larta politike por nuk janë vetënm ata. Nëpër organet e shtypit apo medias audiovizive lexojmë dhe shohim për çdo ditë faqe të tëra ku personazhe janë  po ato figura, po ata individë që i kemi parë dhe dëgjuar me qindra herë gjatë këtyre njzetegjashtë viteve pas përmbysjes së sistemit komunist që të grihen ca djathtas dhe ca majtas për çështje të ndryshme që në të vërtetë ndofta nuk i interesojnë askujt prej atyre që nuk janë verbuar nga propaganda e kohës. Kështu dëgjojmë dhe shohim  po ato figura analistësh dhe opinionistësh dhe habere të tilla si, për shembull, për një analist që paska denoncuar babanë e tij apo për një shkrimtar të dëgjuar që megjithëse paska qenë me funksione të larta, çuditërisht,  na paska qenë i përndjekur politikë, madje duke na i tejkaluar edhe neve që i hoqëm mbi shpinat tona tmerret e atij regjimi.

Nuk e di nëse të sipërpërmedurit përfitojnë ndonjë honorar nga organet ku ligjërojnë apo shkruajnë pasi jetojmë në sistemin kapitalist ku çdo gjë çmohet me pagesën përkatëse. E them këtë pasi personalisht nuk kam përfituar asnjë honorar, megjithëse gjatë këtyre 26 viteve kam botuar mbi 300 shkrime në shtypin e shkruar dhe mediat audiovizive, kam dhënë në to mbi 14 intervista të ndryshme dhe kam marrë pjesë në mbi 15 biseda të ndryshme në TVSH. Ora News, Planet, Shijak Tv, Top Chanel, Scan, NTV e të tjera.

“Ku shkon Shqipëri?”

Një ditë isha ulur në një bar dhe po pija kafe. Në krye të sallës ishte një televizor i madh. Kamarieri me pultin në dorë ndërronte stacionet njëri pas tjetrit. Një kanal transmetonte një intervistë me një drejtues të pozitës. Një tjetër një bisedë me një  të opozitës. Një i tretë një takim me një ish-informator të Sigurimit të Shtetit që kërkonte të na mbushte mendjen  me “heroizmat” e tij. I katërti një debat midis disa opinionistëve të njohur, që nuk ka ditë të mos i shohim nëpër ekranet e ndryshme. I pesti një takim me një drejtues të partive të vogla të pakicës, ndërsa i gjashti atë me një drejtues  të partive të vogla të shumicës.

I ngrati barist nuk dinte se në cilin stacion ta linte. Klientët, të djathtë dhe të majtë,

kërkonin secili kanalin që i përshtatej ideve të tij. Ndërkohë dëgjoj një zë tenori që foli:

– E di ç’ke more djalë, më mirë ktheje nga ndonjëri nga stacionet muzikore. Boll i kemi dëgjuar ato kambana të vjetëruara. Sido që të jenë, ato vajzat që këndojnë dhe kërcejnë pothuajse nudo, janë njëqind herë më mirë se pallavrat e tyre.

Baristi e dëgjoi dhe e vendosi përfundimisht televizorin në kanalin që transmetonte muzikë. Unë hodha vështrimin nga personi me zë tenori dhe njoha një mikun tim. I fola dhe ai erdhi.

– Kaq poshtë paske rënë, or mik, – i thashë – sa qënke katandisur të dëgjosh më mirë ato këngë që nuk dihet se kush i ka shkruar dhe cilit vend i përket, sesa debatet politike?

Miku buzëqeshi hidhur nën mustaqet që i lëviznin të nervozuara dhe u përgjigj:

– Për një gjysmë shekulli nuk dëgjuam gjë tjetër veç politikës. Nuk dëgjuam veç për Enverin dhe Partinë. Ka njëzetegjashtë vjet që ata u përmbysën dhe politika vazhdon të mbizotërojë në ndërgjegjen e njerëzve. Vazhdon të flitet, njësoj si atëherë, me elozhe për drejtuesit e partive. Në shërbim të kësaj janë vënë të gjitha organet e informacionit. Ato janë në garë me njëra-tjetrën se kush do të transmetojë ose do të shkruajë më shumë për ta. Jemi lodhur me këtë zhurmë propagandistike. Nuk durojmë dot më.

Heshti. Edhe unë nuk e ngacmova më tej. Nuk doja ta acaroja më tepër. Fjalët e tij bënë që mendimet e mia të fluturonin larg, në atë kohë kur njeriu nuk ishte njeri, kur personaliteti i tij pothuajse kishte rënë për tokë.

Para syve më dilnin ato ditët e viteve të kaluara, kur nëpër rrugët e qyteteve tona buçisnin zërat e “intelektualëve të shquar” që çirreshin sa dëgjoheshin gjer në kupë të qiellit:

“Lini zyrat burokratë, merrni rrugën për në fshat!“ ….A thua të kishin me të vërtetë aq dëshirë për të shkuar në fshat? Dhe ku? Në fshatin socialist që prodhonte grurë por hante misër. A mos vallë ishin zhveshur nga çdo ndjenjë personaliteti? Nuk e di nëse e kujtojnë ndonjë herë atë periudhë, kur sistemi i kishte shndërruar në kameleonë që nuk guxonin të shprehnin asnjë mendim, përndryshe do të përfundonin atje ku shkuan shumë të tjerë, në hapsanat e panumërta.

Para syve më dilnin disa filma, prodhime të kinostudios “Shqipëria e re”, ku çdo intelektual i shkolluar në Perëndim ose çdo  misionar  i  besimeve  fetare,  duhej  të  ishte patjetër “armik i popullit“. Për çudi këta filma i shoh të shfaqen ende nëpër ekranet e disa televizioneve.  Dëgjoj  dhe  disa  prej  krijuesve apo interpretuesve  të  tyre  të  mburren  me  këto  prodhime, ashtu siç mburren edhe disa krijues të këngëve apo shkrimtarë të realizmit  socialist  me  veprat  e  tyre  standarde  që,  në  më  të  shumtën  e rasteve, nuk kishin asnjë vlerë.

Këto skena sillja ndër mend në ato çaste që përmenda më lart. I kujtoja dhe mendoja:

– Vallë këta politikanë dhe intelektualë, a kanë sy të shohin të vërtetën? Apo nostalgjia e së kaluarës ua ka verbuar ato dhe nuk i lë të shohin realitetin ndryshe që ka filluar të lulëzojë në vendin tonë? Si nuk kanë kurajo qytetare të hedhin poshtë atë pjesë të jetës së tyre që sistemi ua shkatërroi?

Në këto çaste më kujtohen fjalët e Hamletit që ia drejtoi nënës së tij, mbretëreshës Gertrudë:

  • O nënë, hidhe poshtë gjysmën e keqe të zemrës dhe rro me gjysmën tjetër më të mirë.

Fatkeqët. Siç duket nuk u ka mbetur asnjë gjysëm tjetër e mirë. Në sytë e mi më duken si liliputë mjeranë që zvarriten për të gllabëruar një post ose për të fituar pasuri. Atëhere i dhashë të drejtë mikut. Ai më pa që po mendohesha dhe më tha:

– Mos u mendo fare. Do të të them diçka. Neve na i mori hakun vetë Enver Hoxha. Ai i qëroi të gjithë ata që na vranë neve. Sikur të kishte jetuar edhe ato pesë vjet, deri në  90-tën,  me siguri do t’i kishte qëruar të gjithë dhe do të kishim shpëtuar prej tyre.

Këto më bënë që para syve të më dilte thirrja e famshme biblike dhe në analogji me të unë dua të thërras:Ku shkon Shqipëri? Kur do të shkëputesh nga mentaliteti  komunist  që  të  ka mbërthyer dhe të ka zënë frymën? Deri kur kështu?

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ku po shkon, reshat kripa, shqiperi

A është korrekt shtypi shqiptar?

March 31, 2017 by dgreca

1-Reshat-Kripa-300x150

Nga Reshat  Kripa/ Nè kètè shkrim dua tè ngre njè çèshtje mjaft tè rèndèsishme të ditëve të sotme:A èshtè me tè vèrtetè  korrekt shtypi nè Shqipèri?Lidhur  me  sa  mè  sipèr  dua  t’jua  konkretizoj   me   njè  shembull. Nè  datat  13, 16, 18 dhe 20 mars u kam dèrguar me e-mail gazetave “Telegraf”, “Mapo”, “Gazeta Shqiptare” dhe “Panorama”, respektivisht zoterinjve Engjell Musai, Fitim Zekthi, Elsi Murati dhe Robert Rakipllari shkrimin “Refleksion i ditève tè zeza tè 1997-ës” me rastin e 20 vjetorit tè atyre ngjarjeve tragjike ku  shkruaja:“Po ju dèrgoj shkrimin kushtuar kujtimeve tè mia pèr periudhèn e zezè tè vitit 1997. Nè rast se e shihni tè arsyeshme botojeni, nè tè kundèrt do tè doja njè pèrgjigje nga ju. Me respekt. Reshat Kripa

  Çuditèrisht kaluan  ditè te tera dhe as shkrimi u botua dhe as mè erdhi ndonjè pèrgjigje. Sè fundi  ua  dèrgova gazetave “Koha Jonè”  dhe “55” qè e botuan, madje zotèrinjtè Mili Hoxha dhe Ilir Nikolla mè njoftuan mè parè pèr botimin dhe për këtë i falënderoj për korrektesën e tyre.

Shtoj se ky nuk èshtè rasti i vetèm qè mè ndodh njè gjè e tillè. Gjatè periudhès 2012-2017 iu kam dërguar edhe herë të tjera shkrime këtyre gazetave dhe përsëri asnjera nuk ka denjuar të më ktheje  përgjigje megjithëse ua kam kërkuar një gjë të tillë, aq më tepër që shkruesi i këtyre radhëve asnjëherë nuk  ka këkuar apo përfituar ndonjë honorar për botimin.

Personalisht nuk kërkoj që detyrimisht  ata duhej t’i botonin shkrimet e mia pasi kjo varet nga këndvështrimi i tyre, por etika gazetareske i detyronte  që të më kthenin  përgjigje aq më tepër kur këtë ua kërkoja unë. Ndaj është pikërisht kjo që më detyron të mendojë se në Shqipëri nuk ka shtyp korrekt dhe të pavarur. Mungesa e korrektesës është vesi me i ulët për çdo njeri por në mënyrë të veçantë për një intelektual dhe për një organ që e quan veten korrekt dhe të pavarur.

Duke përfituar nga shkrimi i mësipërm dua t’ju lexoj vargjet e një poezie të  shkruar disa vite më parë që i përshtaten çështjes që sapo ngrita të titulluar: “Zë në shkretëtirë”:

           Ditën rri menduar, natën rri pa gjumë,

         Zemra turbulluar, nuk e di as unë.

         Hidhem e përdridhem, mendjen vras më shumë.

         Të gjej të vërtetën, kur punët venë lumë.

 

         Dua që të shkruaj, dua që të flas,

         Dua që të ndihem, dua të thërras,

         Sado që mundohem , sado që bërtas,

         Hap pas hapi ndeshem, male rrugës has.

 

         Zëri im i dobët, zëri im i fortë

         Ngjan si pëshpërimë, ngjan si zë i kotë,

         E mbulojnë atë, zhurmë zërash plotë,

         Zërat e çakejve, që sundojnë në botë.

                                               

         Janë po ata zëra, shumë kemi dëgjuar,

                    Hosana t’u bëjnë idhujve dështuar,

        Idhujve të kohës, kohës perënduar,

        Idhujve  përçmuar, plot me turp mbuluar.

        

        Këta shakaxhinjë, oh të përparimit,

        Si ç’i quante Noli, pjellat e mashtrimit,

        Vallë si nuk skuqen, në pellg të mjerimit,

        Ku kanë hedhur veten, turpi njerëzimit?

 

        Si nuk kanë sedër, kur thërrasin haptas,

        Ca janë  të djathtë, të tjerë janë majtas,

        Ca janë zhonglerë, klloun ecin praptas,

        Kudo vjellin vrerë, me turpin  janë baras.

           

        Në këtë kaos, këtë vend të nxirë,

        Nga këta “bandillë” këta “xhevahirë”,

        Zërat tanë të fortë, zërat tanë të mirë,

        Zërat tanë të lirë, zë në shkretëtirë! 

E pra, unë nuk dua të mbetem zë në shkretëtirë. Zotërinjtë e përmendur më sipër po të munden le të përgjigjen në organet e medias shqiptare.

Bashkangjitur keni edhe shkrimin”Refleksion i ditëve të zeza të 1997-ës” Lexojeni dhe gjykoni.

Në kuadër të 20 vjetorit

Refleksion i ditëve të zeza të 1997-ës

Disa ditë parë  ndërsa zbrisja nga  kodrat e qytetit ku kisha dalë për shëtitje, u ndala në një bar dhe porosita një kafe. Në dy tavolina pranë meje qëndronin disa burra që nuk i njihja se kush ishin dhe që ia kishin shtruar me raki dhe meze dhe bisedonin me zë të lartë. Biseda e tyre ishte përqëndruar në ngjarjet e vitit 1997. Mendimet e tyre ishin të ndryshme. Disa ia hidhnin fajin ish presidentit të asaj kohe që me autoritarizmin e tij paskësh shkaktuar revoltën popullore.. Të tjerë flisnin se si ka mundësi që udhëheqës të së majtës të lëviznin fare lirshëm në Vlorën e ndezur flakë të atyre ditëve, kur shumëkush nuk guxonte as të dilte në qytet. Madje njeri prej tyre tregonte se si nje ish-udhëheqës i së djathtës shqiptare, që na ishte shndërruar papritmas në të majtë,  në nje miting të organizuar në  sheshin historik të qytetit paskësh deklarur se si Vlorën do ta bëjmë të gjithë Shqipërinë dhe, si për ironi Vlora në atë kohë ishte kthyer në gërmadhë. Kudo shihje godina dhe banesa të hedhura në erë. Ngado dilte tym dhe flakë. Siç duket zotnia në fjalë kështu donte ta bënte të gjithë Shqipërinë. Çuditërisht ky zotni, pas përfundimit të turbullirave, për këto “merita“, u shpërblye me poste ministri dhe diplomati

Në mes të kërij diskutimi të zjarrtë, njeri prej tyre thirri me zë të lartë:

– Vlora i vuri zjarrin Shqipërisë!

Ndjeva një revoltë brenda vetes sime. Pa e kuptuar as vetë, si vlonjat, nga brenda ndërgjegjes më doli pyetja:

– A e ka hak Vlora një emërtim të tillë?

Për një çast m’u duk sikur qytetit tim iu mohua e kaluara dhe heronjtë e saj, ju mohua 1912-ta dhe 1920-ta, ju mohua  lufta kundër pushtuesve dhe rezistenca kundër komunizmit, ju mohua Ismail Qemali dhe Qazim Kokoshi, Osmën Haxhiu dhe Qazim Koculi, Hysni Lepenica dhe Skënder Muçua, si dhe plot burra të tjerë që tashmë kishin hyrë në analet e burrave të shquar të këtij kombi. Iu mohua gjaku i  të rënëve në luftën për liri, iu mohua gjaku  i mbi 600 të pushkatuarve nga diktatura e kuqe, iu mohuan sakrificat e mbi 4000 të burgosurve politikë dhe mbi 7000 familjeve të internuara, iu mohuan vuajtjet e një numri rekord mbi 40.000 të përndjekurish politikë që kishin ndjerë mbi shpatullat e tyre shtypjen gati pesëdhjetë vjeçare të diktaturës më të egër në botë.

Por iu mohua edhe kontributi i dhënë prej saj në ditët e para pas përmbysjes së madhe të sistemit totalitar.          Iu mohua 27 nëntori 1991 kur dy djem vlonjatë Xhemal Mustafaraj dhe Fadil Ndreu  në mënyrë demonstrative grisën dhe dogjën yllin e urryer që komunizmi kishte vendosur mbi flamurin kombëtar. Iu mohua 28 nëntori i po atij viti, dita e festës kombëtare kur të përndjekurit politikë dhe populli i rrethit të Vlorës do t’i thonin ndal kryetarit socialist të Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, duke mos e lejuar të ngrejë flamurin kombëtar në shtizën e tij historike. Atë flamur e ngritën duart e pastra të Altin Kokoshit, bir i një familje të nderuar nacionaliste. Kjo do të ndodhte në një kohë kur parlamenti shqipëtar nuk e kishte miratuar ende heqjen e yllit nga flamuri.

Ishin familjet fisnike vlonjate ato që, me gjithë kushtet e terrorit, u bënë strehë për djemtë e SHIK-ut dhe policisë duke i strehuar në shtepitë e tyre për t’i shpëtuar nga masakrimi i përbindshave të droguar që vepronin në atë kohë në qytet.

Ato ditë në Vlorë filloi të shfaqej një simbol i ri, simboli serb i tri gishtave. Por atë simbol nuk e sollën vlonjatët. Atë e sollën banditët që erdhën nga qytetet e tjera dhe që u ngritën në krah po nga banditët e Vlorës. Natyrisht që në atë katrahurë që u gatua edhe vlonjatët kanë pjesën e tyre të fajit, ashtu si e kanë edhe qytetet e tjera, me përjashtim ndoshta

të Shkodrës, Kavajës apo ndonjë qyteti tjetër

Ata u bënë pre e një indoktrinimi të paparë ndonjëherë. Por ky indoktrinim nuk filloi në vitin 1997. Për atë ishte investuar që me rënien e monumentit të diktatorit më 20 shkurt 1991. Atëherë mendonim se me rrëzimin e monumentin kishim rrëzuar edhe  mentalitetin e diktatorit. Por gabuam. Kishim rrëzuar vetëm bronxin e atij monumnenti, ndërsa shpirtin e tij e kishim lënë të lirë për të përgatitur kasaphana të tjera. Nuk është rastësi që qysh në vitin 1991 në Vlorë të lindnin kërpudhat e para me helm të quajtura “VEFA‘’ dhe ‘’GJALLICA‘’, për të vazhduar në vitet e mëvonshme me të tjera të quajtura ‘’KAMBERI‘’, ‘’CENAJ‘’ dhe ‘’SILVA‘’, në krye të të cilave qëndronin ish-oficerë të sigurimit të zi të shtetit apo njerëz të lidhur me ta.  Ato nuk droguan vetëm popullin e Vlorës, por i shtrinë tentakulat e tyre në të  gjithë Shqipërinë. Ato mashtruan edhe Qeverinë Shqiptare që u tregua e pa aftë për t’i ndaluar.

Shpesh herë  lexojmë nëpër gazeta apo dëgjojmë të ashtuquajtur analistë që të thonë se  protestat  në Vlorë paskan qënë të organizuara nga populli dhe paskëshin qënë paqësore, se ato u bënë për të kërkuar paratë e humbura në firmat huamarrëse dhe si pasojë e indiferencës së qeverisë së atëhershme. Nuk dua të mbroj atë qeveri e cila duhet ta mbajë vetë përgjegjësinë e saj, por duhet të them se protestat nuk kanë qënë asnjëherë paqësore.

A mund të quhet paqësore revolta e parë më 16 janar 1997 kur nuk u lanë më gur dhe sende të tjera të forta pa u hedhur mbi muret, dyert dhe dritaret e bashkisë së qytetit? A mund të quhet paqësore djegia e bashkisë më 26 janar? Po sulmi mbi komisariatin e policisë më 10 shkurt a ishte i tillë? Pamjet e transmetuara  nga rrjeti televiziv Euroneës përpara restorant Holliday tregon qartë se sa paqësor ishte. Po vrasjet dhe rrëmbimet e qytetarëve dhe bisnesmenëve a ishin paqësore? Si dhe ku u zhduk biznesmeni Pirro Kodhima, një nga nismëtarët e rrëzimit të monumentit të dikatorit, eshtrat e të cilit edhe sot ende nuk janë gjetur? Kulmi i egërsisë do të arrinte më 28 shkurt me masakrën para zyrave të SHIK-ut. Kush e organizojë sulmin kundër punonjësve të SHIK-ut, ku mbetën të vrarë dy të përndjekur politikë, Lek Çoku dhe Besnik Hidri, gjakun e të cilëve e thithi një vampire që më vonë do të shpërblehej me një post drejtoreshe? Kush e kultivoi këtë urrejtje kaq të madhe, në një kohë kur për ish sigurimin famëkeq të shtetit totalitar, kur njihen botërisht krimet e kryera prej tij, në vitet 1992 nuk pati asnjë reagim të tillë hakmarrës.  Kush e organizoi pritën kundër punonjësve të policisë së qytetit ku mbetën të vrarë tre vetë, midis të cilëve dy të përndjekur politikë, Besim Manoli dhe Gëzim Shabani, të dy bij ish të burgosurish? Kush i vrau punonjësit e policisë Valter Harizajn dhe Viron Rapajn edhe këta dy të përndjekur politikë?  Si për çudi në ato ditë vriteshin kryesisht ish të përndjekurit politikë.

Çdo gjë në ato ditë në Vlorë zhvillohej nën drejtimin e përsosur të një dirigjenti të padukshëm. Dihej që më parë çdo gjë që do të ndodhte. Një zë misterioz pëshpëriste me saktësi kohën dhe vendin ku do të ndodhte aksioni. E megjithatë asgjë nuk e pengonte. Kështu ndodhi me djegien e bashkisë, plaçkitjen e depove të rezervave të shtetit, grabitjen e bankës tregëtare dhe asaj bujqësore, djegien e doganës, bibliotekës dhe  objekteve të firmave huamarrëse për të përfunduar me hapjen dhe grabitjen e armëve te depot e ushtrisë shqiptare.

Por çudia më e madhe ishte ajo që zor se mund të besohej. Si u hipnotizuan turmat nga demagogjia e kërbaçit? Si është e mundur që në mes të këtyre turmave të kishte edhe prej atyre që dikur e hiqnin veten si demokratë dhe përgjëroheshin për demokracinë? Si është e mundur që në këtë vorbull të futeshin edhe disa ish të përndjekur politikë apo anëtarë të partive të tjera të djathta nacionaliste duke harruar gjakun e të parëve të tyre, duke harruar vitet e burgut apo internimit të tyre? E ardhmja do t’i vërë vulën përgjigjeve për këto pyetje.

Ngjarjet absurde të atyre ditëve ishin të panumurta, por unë do t’ju kujtoj vetëm tre prej tyre që me janë ngulitur në mendje.

Ishte dita kur digjej bashkia. Si për ironi, zjarri ishte vënë në zyrat e komisionit të kthimit të pronave. Sigurisht donin që këto prona të mos u ktheheshin pronarëve të ligjshëm. Njëri nga zjarrvënësit  kishte  mbetur  i  rrethuar nga flakët në zyrat e katit të sipërm ku ishte edhe kontrolli i shtetit. Zjarri nuk e lejonte të largohej nga porta dhe mundohej të shpëtonte nga djegia duke u ngjeshur pranë dritares. Në atë kohë punonjësit e zjarrfikses që kishin mbërritur për të shuar zjarrin, i hodhën një litar me të cilin ai mundi të zbriste poshtë. Nuk më habiti veprimi i zjarrfiksve, se ai ishte një veprim human, por çudia ishte kur një pjesë e mirë e turmës që bënte sehir nga poshtë, brohoriste ‘’heroin zjarrvënës‘’ për veprën që kishte kryer, dhe ai kalonte krenar në mes të tyre. A keni dëgjuar ndonjëherë për të tillë absurditet ku të përshëndetet ‘’Neroni‘’ që i ka vënë zjarrin qytetit të tij? Kjo ndodhte në qytetin tim në ato ditë të çmendura.

Porsa ishim kthyer nga ceremonia e varrimit  të  të ndjerit Enver Sorra. Një zjarr i paparë i të gjithe llojeve  të armëve kishte mbuluar qiellin. Ngado shiheshin njerëz që bridhnin nuk e di se për ku me armë nëpër duar duke thirrur:

– Kanë ardhur helikopterët e Saliut. O burra t’ua sh………. nënën!

Ndërkaq në qiell nuk shihej asnjë helikopter apo avion. Duke kaluar nëpër rrugicën që të shpinte në shtëpinë time, nga një portë aty pranë doli një djalë që nuk duhej të ishte më shumë se shtatëmbëdjetë vjeç me fytyrë të shpërfytyruar dhe me automatik në dorë, duke vrapuar për në ‘’frontin e luftimeve‘’ duke sharë me shprehjet më banale qeverinë dhe Presidentin e Republikës, ndërsa nga pas e ndiqte me lot ndër sy dhe duke iu lutur që të kthehej e ëma, një grua që dikur punonte si punëtore bujqësie në ndërmarrjen ullishte, ndërsa në atë kohë kishte mundur që së bashku me të shoqin të hapte një dyqan ku tregëtonte prodhime ushqimore. Edhe sot e kësaj dite nuk arrij të kuptoj se kush ia kishte grumbulluar atij djaloshi këtë urrejtje kaq të madhe, kur nga një familje që deri më dje nuk arrinte të mbushte as barkun me bukë, sot bënte një jetë më se të rregullt? Kundër kujt shkonte të luftonte? Nëqoftëse ai djalosh paska patur të drejtë, atëhere çfarë mbetet për ne që diktatura na vrau njerëzit më të dashur, që na burgosi dhe internoi për vite dhe vite me rradhë? Ç’duhet të bëjmë ne?

Në  mbrëmje  televizionet  dhanë  lajmin  se ata helikopterë ishin një  aksion  blic  i

marinës  dhe  i  aviacionit  italian  për  të tërhequr qytetarët e tyre që punonin në qytetin e Vlorës.

Një ngjarje e rëndë ndodhi në ditët e para të marsit  të  atij viti. Në rrethana që akoma nuk janë zbuluar, pranë Urës së Mifolit vriten inxhinieri i talentuar Ridi Hamzaraj së bashku me të ëmën e tij. Një zë i fshehtë pëshpëriti se i paskëshin vrarë forcat e Gazidedes  në Urën e Mifolit, kur dihej që kjo urë ishte nën kontrollin e fortë të bandave të të ashtuquajturit Komitet i Shpëtimit Publik dhe ato të  Zani  Çaushit.. Për çudi këtë variant e besuan edhe një pjesë e njerëzve. Si mund të besohej një absurditet e tillë? Kush ishte Ridi? Ai ishte shef i urbanistikës në bashki,  ish i përndjekur politik. Atëhere kush kishte interes për zhdukjen e tij? Kjo nuk do shumë mend për t’u kuptuar.

Në ceremoninë e varrimit mori pjesë e gjithë Vlora. Funerali u nis nga shtëpia e tyre në Skelë dhe vazhdoi gjatë bulevardit që të shpie në Vlorë. Gjithçka po shkonte sipas riteve të një funerali të tillë. Kur arkivolet me trupat e të ndjerëve mbërritën në Sheshin e Flamurit, atje tashmë ishin vënë në funksionim për xhirim kamerat e Euroneës-it, Doice Ëelle-s, Rai 3-it, televizionit lokal të lindur ndër ato ditë, “Teleblu”, dhe plot kamera të tjera të televizioneve të huaja. Pikërisht në atë kohë dirigjenti i padukshëm dha komandën dhe nga turma një grup njerëzish thërritën:

– I vrau qeveria! I vrau qeveria! – duke e shoqëruar këtë me përplasje pëllëmbash.

Ishte kjo komandë që e bëri turmën, edhe kundër vullnetit të saj, të uleshin për tokë dhe të ngriheshin përsëri sipas ritmit të këtij dirigjenti misterioz. Manipulimi i turmës pjesmarrëse në ceremoninë mortore ishte i plotë. Së bashku me një mikun tim u larguam nga ajo turmë. Me ne u larguan edhe shumë të tjerë. Më erdhi shumë keq që nuk munda të hedh një grusht dhe mbi varrin e atyre fatkeqëve, aq më tepër se me ta kemi patur miqësi familjare, por nuk mund të pranoja që të bëhesha bashkëpuntor i atij manipulimi të paskrupull. Në mbrëmje televizionet në fjalë,  në emisionet e tyre informative, akuzonin qeverinë shqipëtare për këtë vrasje.

Sot, njëzet vjet pas atyre ditëve të errëta për kombin tonë, dëgjojmë zëra majtas dhe djathtas që pëshpërisin sipas orekseve të tyre. Madje disa janë edhe figura të njohura të politikës dhe publicistikës shqiptare, ish pjesëmarrës në këto ngjarje, pro apo kundra. A do të zbardhet ndonjë ditë kjo ngjarje? Ndoshta, për fat të keq, vetëm atëherë kur ata që e përgatitën dhe pinjollët e tyre të mos jetojnë më.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: A është korrekt, reshat kripa, shtypi shqiptar?

Jehona e protestës

February 18, 2017 by dgreca

Nga Reshat  Kripa/

1 basha-protestuesit1-696x464

Duke qenë pjesëmarrës në këtë protestë madhështore kundër pushtetit të bandave dhe korrupsionit,parasyve më del ajo pamje e tmerrshme e atyre viteve të errëta të kaluara në periudhën e zezë të sundimit komunist. Mbi të gjitha më dalin para syve figurat e ndritura te atyre burrave te shquar, ajkës së kombit shqiptar, që shkuan para plumbit dhe litarit me thirrjen : “Për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi”. Më dalin figurat e papërsëritura të atyre që më mirë pranuan prangat e rënda të burgut se sa lirinë e dhunuar. Më dalin figurat e atyre mijra grave heroina dhe fëmijve të tretura thellë nëpër kampet e tmerrshme të internimit.

Para syve më dalin figurat e mbi 6.000 të vrarëve me dhe pa gjyq. Më dalin figurat e mbi 10.000 të vdekurve nëpër burgje dhe kampe internimi.  Më dalin  figurat e  mbi 17.000 të burgosurve politikë dhe mbi 100.000 të internuarve nëpër kampet e vdekjes.

Më dalin këto pamje dhe nga zemra më shpërthen një thirrje: “Mos harroni”!                                    Mos harroni të rënët tanë, por mos harroni edhe ata që i vranë, pasi ata dhe pinjollët e tyre janë  sot  në krye të shtetit  dhe një nga këta është edhe Kryetministri Edi Rama.                                          Mos harroni të burgosurit dhe të internuarit politikë, por mos harroni edhe ata që i burgosën dhe i internuan, pasi ata vetë dhe pinjollët e tyre sot po pwrpiqen t’i bwjnw varrin demokracisë.                Mos harroni vitin e zi 1997 të organizuar dhe drejtuar nga falangat socialisto-komuniste. Mos harroni martirët e rënë në ato ditë të zeza. Mos harroni Bujar Kaloshin, Lekë Çokun, Besnik Hidrin, Bashkim Shkurtin, Fredi Shehun, Besim Manolin, Gëzim Shabanin, Gjergj Mehmetin, Azem Hajdarin, Besim Çerën, Adem Shehun, Skënder Kalenjën dhe plot të tjerë bij nënash të familjeve të përndjekura dhe demokrate.

Mos harroni se kur votohej ligji “Për dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë”, me urdhër të Edi Ramës dolën nga salla e kuvendit deputetët socialistë, ndërsa sot ky kameleon hipokrit pretendon se qenka në krah të tyre, madje krijon edhe një parti me të ashtuquajtur të përndjekur politikë në krye të së cilës emërohet një renegat i kësaj shtrese që ka mohuar edhe paraarsdhësit e tij.           Mos harroni se po me urdhër të Edi Ramës, deputetët socialistë dolën përsëri jashtë kuvendit kur dikutohej ligji i  lustracionit të hartuar nga Partia Demokratike, që do të flakte jashtë politikës ish-prokurorët, ish-gjykatësit dhe ish-bashkëpunëtoret e sigurimit të shtetit dhe sot ka miratuar një ligj sipas të cilit këta kriminelë vazhdojnë të jenë në krye të komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë, në krye të qeverisë, në krye të administratës shtetërore

Ndaj le të ngrihemi të gjithë për t’i thënë  “Jo” pushtetit të kriminelëve që kanë zaptuar shtetin. T’i themi “Jo” korrupsionit që mbizotëron në vendin tonë. T’i  themi “Jo” mashtrimit dhe hipokrizisë shtetërore. Ti themi “Jo” drogës dhe trafikimit. T’i themi “Jo” blerjes dhe vjedhjes së votës së lirë.      Le t’i themi “Po” rivendosjes së shtetit ligjor të së drejtës. T’i themi “Po” rivendosjes së të drejtave të njeriut. T’i themi “Po” Shqipërisë europiane.

Para syve më dalin vargjet e pavdekshme të poetit të madh Ali Asllani që shkruante:

“Grushti do të bjerë mbi kokat e zuzarëve,

  Koha është e maskarenjve,

              Por Shqipëria  është e shqiptarëve!”

Po, Shqipëria është e shqiptarve dhe ata të bashkuar do të dinë të përmbysin hienat komuniste në pushtet!

 

Filed Under: Politike Tagged With: Jehona e protestës, reshat kripa

Në nderim të martirëve të lirisë

February 3, 2017 by dgreca

Nga Reshat Kripa/*

….Nata e 14 janarit të vitit 1948. Një natë e zezë. Qielli qante papushim. Retë nxinin mbi Gjirokastër. Gjëmimet ushtonin me forcë. Dukej sikur Zoti me këtë donte të ndalonte gjëmën që po ndodhte. Por djalli në ato kohëra ishte më i fortë. Ai e kishte futur në kthetrat e tij Shqipërinë e gjorë. Ajo nuk kishte më zë. Kishte vetëm urdhëra monstruozë, të dhënë nga njerëz monstruozë. Në të gjithë vendin hidheshin vallet e vdekjes.

14 janar, katërmbëdhjetë burra ecnin me kokat lart të lidhur dy nga dy. Rreth e rrotull një tufë hienash të kuqe, me sytë e skuqur nga etja për gjak dhe uria për mish kufomash. Zoti me gjëmimet dhe vetëtimat e tij mundohej t’i ndalonte, por ata nuk besonin në Zot.  Zoti i tyre ishte vetë djalli. Midis tyre, te lidhur me pranga edhe tre klerike, At Gjergj Suli, Baba Ali Tomori dhe Baba Shefqet Koshtani. Ata ecin dhe kujtojnë. At Gjergjit në  ato momente i kujtohen vargjet e një kënge të vjetër:

Papa Kristonë e vranë,

Dhe për të s’ra një kambanë!

Ndryshimi i vetëm ishte se ndërsa Papa Kristonë e helmuan andartët grekë, At Gjergj Sulin po e vrisnin vëllezërit e tij shqiptarë. Edhe për vdekjen e tij nuk u dëgjua asnjë kambanë. Thuhet se një prift i Leklit i ra kambanave në një orë jo të zakonshme Një gjë e tillë i kushtoi disa vite burg.

Baba Shefqeti ecte i menduar. Jo se i vinte keq për vdekjen. Tashti i kishte kaluar të gjashtëdhjetetretat. Në dorën që e kishte të palidhur, mbante një  palë  tespie ,  të  cilat  i  numëronte duke u lutur. Edhe në vdekje donte të shkonte me bekimin e Zotit, të cilit i kishte shërbyer për gjithë jetën. Një nga hienat e pa, ia rrëmbeu  dhe i vërviti në errësirën e natës.

– Zoti ta faltë gjynahun, se edhe ti vetë nuk di se ç’bën! – i tha Babai me qetësi.

Në rreshtin e tretë ecte i qetë Baba Aliu, një tjetër shërbëtor i devotshëm i Zotit. Kur shkuan ta marin për ta pushkatuar një roje u përpoq ta mbante për krahu. Mendonin se Babai do të trembej para vdekjes. Kurse ai i qetë i tha:

– Mos kij merak se mbahem vetë, biri im!

Kështu shkuan drejt vdekjes këta martirë, ashtu siç kishin shkuar vite më parë bilbilenjtë. Ja  si  e  përshkruan momentin e ekzekutimit të Baba Aliut  shkrimtari Novruz Shehu:

Njeri nga pushkatarët rrëzohet, i bie të fikët. Nuk mund të qëllojë.

– Nrehu bir! Qëllo bir! Zoti qoftë me ty!… Ngrehu biri im! Po s’qëllove ti, do të qëllojë dikush tjetër. Po s’vrave ti, do të vrasë dikush tjetër. Gjak, gjak, gjak sa të zbuten djajtë në shpirtin e njeriut.

Toga hapi zjarr disa herë. Trembëdhjetë burra bien për të mos u ngritur më, ndërsa Baba Aliu, për çudinë e të gjithëve, vazhdon të qëndrojë në këmbë.

– Do të të heq taçin Baba

Eshtë dervish Resuli.

– Hiqe bir!

Dervishi u ul, I puthi këmbët.

– Falmë Baba!

– Të kam falur bir!

– U shoftë Shqipëria me këtë farë të keqe që ka ardhur!

– Mos e mbush gojën bir, mos e rëndo shpirtin! Se Shqipëria është e të gjithëve, e të gjallëve dhe e të vdekurve. Dhe sikur të mos e duan të gjallët, nuk e lënë të vdekurit. Mos e ngarko shpirtin! Shqipëria duhet. Shqipërinë e ka bërë Zoti të jetojë!

Një batare tjetër u dëgjua dhe Baba Aliu ra me emrin e Shqipërisë në gojë. Ishte ora dy pas mesit të natës të dates 14 janar 1948.

Cili ishte qëndrimi i këtyre burrave në natën e fundit të qëndrimit në qelitë e burgut të Gjirokastrës? Lexojmë librin e Ibrahim Vasjarit, birit të Syrja Beut, pushkatuar në të njejtën ditë me ta dhe me Zenel Shehun:

Sapo kishte kaluar mesnata. Errësirë. Jashtë, nëpër qiellin e grisur, përpëliteshin mes resh të largët, të ftohtë. Palcë dimri                                                                                                           – Kot   vrasim   mendjen    Syrja!    –    tha     Baba   Shefqeti.  –   gjithçka   është ëndërr. E vërteta është vetëm Perëndia., që është “Një“ dhe shokë tjetër nuk ka.

– Ashtu është Baba, kemi bërë gjumë të keq, – tha Syrjai.

– Gjumë? Pothuaj e kemi harruar fare gjumin, – tha Zeneli – sa shokë na janë vrarë?

– Dhe sa do të vriten akoma! – tha me një ironi të hidhur At Gjergji.

– Po kjo është ndryshe,krejt ndryshe, – iu përgjigj Zeneli – kjo është e pakuptueshme.

– Nuk ia vlen të kërkosh arsye, – tha Baba Shefqeti, – e keqja nuk fillon dhe nuk mbaron me ne. Ky është mallkimi i Perëndisë. Mendjet tona nuk janë në gjendje ta gjykojnë. Gjarpri do ta shtrëngojë për gryke këtë vend për një kohë të gjatë.

Të katër heshtën për një çast të mbyllur secili në veten e tij.

Së fundi më lejoni të tregoj një histori intime, lidhur me këtë ngjarje:

Po shkonim për në Libohovë për të kremtuar 80 vjetorin e lindjes së mikut tonë Tomor Alikos. Isha me mikun tim Eqerem Shehun, djalin e Zenelit. Në të dalë të Gjirokastrës, Eqeremi i foli Fejzit, që drejtonte makinën:

– Ndale pak të lutem!

Makina ndaloi dhe ne zbritëm.

– Këtu është pushkatuar babai me shokët e tij, – tha Eqeremi

Ne qëndruam në heshtje në formë respekti. Në atë vend tani ishte ngritur një hotel. Një gjë e tillë sepse më kujtoi legjendën e Rozafës. Edhe në themelet e atij hoteli ishin bërë kurban njerëz. Tregojnë se në kohën kur filluan punimet për ndërtimin e tij, punëtorët gjetën eshtra njerëzish. Lajmëruan organet kompetente se dyshuan mos ishin varreza të gjirokastritëve. Por përgjigja erdhi të vazhdonin punën se ato ishin eshtra të “armiqve të popullit“.

  • Fejzi, bjeri bories – i tha Eqeremi

Boria ushtoi në ato brigje në kujtim të martirëve.

Kanë kaluar 26 vjet nga përmbysja e sistemit totalitar dhe këta martirë janë pa një varr ku familjarët të vendosin një tufë me lule apo të derdhin dy pika lot, ashtu si çifutët dikur që mbetën në shkretëtirë gjatë shtegtimit të tyre për në malin e Sinait. Mendoj se kjo duhet të jetë një detyrë parësore e shtetit shqiptar. Shkoni në Hungari apo në Gjermani dhe do të shihni se krahas varrezave të dëshmorëve të atdheut, janë edhe ato të viktimave të komunizmit.Kur do të kujtohet Shqipëria për bijtë e saj të rënë për liri dhe demokraci?

  • Kumtesë e mbajtur në promovimin  e librit “Baba Shefqet Gllava, Martir i Demokracisë“ me autor Kujtim Boriçin dhe Syrja Xhelajn, libri i parë i kolanës “Klerikë Bektashinj të Persekutuar“, organizuar nga Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve.

Filed Under: ESSE Tagged With: ne nderim, reshat kripa, të martirëve të lirisë

Kuvend kombëtar me të përndjekurit politikë- A DO TE DENOHET ENVER HOXHA?

January 28, 2017 by dgreca

*A do të kërkojnë rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri?/

*A do të kërkojnë bërjen publike të  gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet komuniste?/              *A do të kërkojnë hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit?/

*A do të kërkojnë heqjen nga të gjitha funksionet qe kanë sot në nomenklaturën/  shtetërore ish- prokurorët, ish-gjykatësit dhe ish-drejtuesit e lartë të organeve të diktaturës?/                                    *A do të kërkojnë gjetjen dhe rivarrosjen e gati pesëmijë të rënëve për liri dhe demokraci, kundër diktaturës së egër komuniste?/

Deklarate për shtyp*

Këto ditë  një lajm i bujshëm po qarkullon në vendin tonë. Më datën 28 janar në sallën kryesore të Pallatit të Kongreseve do t’u organizoka një kuvend kombëtar me të  përndjekurit politikë ku do të shpallet edhe një parti e tyre dhe sipas të dhënave, organizatori i saj do të jetë ish-anëtari i komisionit të posaçëm të Partisë Socialiste për hartimin e programit të kësaj partie dhe drejtori aktual i Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola. Organizimi i një kuvendi të tillë në një sallë të tillë kushton disa miljona lekë  që  organizatori i saj ia di burimin dhe ai është Partia Socialiste që e sponsorizon                                                                                          Per  cilët  të   përndjekur  e  quan   veten    përfaqësues  të    tyre personi i mësipërm?  Të përndjekurit politikë jo   të   gjithë  kanë të njejtin ideal. Midis tyre ka të djathtë dhe të majtë, ka demokratë, republikanë, liberalë, ballistë, monarkistë, socialist, social-demokratë, madje edhe komunistë. Një pjesë e tyre kanë patur idealin e Shqipërisë  Etnike dhe janë sakrifikuar për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi ndërsa të tjerë idealin komunist por që përfunduan në burg apo interninm për ndonjë tekë apo mosmarrëveshje jo parimore me idhullin e tyre diktator. Madje ka patur edhe nga ata të dënuar ordinerë që vidhnin apo kryenin veprime incesti me familjarët e tyre dhe regjimi totalitar, për t’i dënuar më tepër, u shtonte edhe akuzat politike për agjitacion dhe propagandë apo tentativë arratisjeje, si dhe të tjerë që u thyen dhe u vunë në shërbim të nomenklaturës së kuqe duke spiunuar deri edhe shokët e tyre Atëherë prej cilës prej këtyre shtresave të përndjekurish do përbëhet partia  e tij? Mos vallë me këto të fundit? Do të jetë një parti e djathtë apo e majtë? Cilët do të jenë aleatët e saj? Në rast se do e quajnë veten parti të djathtë, mos do të hyjnë në aleancë me Partinë Socialiste dhe aleatët e saj komunistë ashtu si ati i tij, Kurt Kola, që  me partinë “Rruga e lirisë” u bë pjesë e kësaj aleance?

Lidhur me sa më sipër neve na lindin këto pyetje:

A do të kërkojnë dënimin e diktatorit Enver Hoxha?

A do të kërkojnë rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri?

A do të kërkojnë bërjen publike të  gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet komuniste?

A do të kërkojnë hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit?

A do të kërkojnë heqjen nga të gjitha funksionet qe kanë sot në nomenklaturën  shtetërore ish- prokurorët, ish-gjykatësit dhe ish-drejtuesit e lartë të organeve të diktaturës?

A do të kërkojnë gjetjen dhe rivarrosjen e gati pesëmijë të rënëve për liri dhe demokraci, kundër diktaturës së egër komuniste?

A do të kërkojnë rishikimin e librave shkollore, rikthimin në muze të burgjeve  politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve të rënë për liri dhe demokraci?

A do të kërkojnë organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve si dhe të ekspertëve të OJQ-ve,  për krimet e kryera nga regjimet totalitare?

Ne kemi bindjen se, duke u nisur nga veprimet e tij të deritanishme nuk do të ketë kurajon të kërkojë një gjë të tillë. Po mundët na ktheni përgjigjen tuaj për të gjitha këto pyetje.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë të përndjekurve politikë, të mos marrin pjesë në këtë lëvizje sharlatanësh pasi ajo është kuvendi i hipokritëve, është kuvendi i  servilëve të regjimit të perënduar komunist dhe sundimtarëve të sotëm, që nuk kanë asnjë lidhje me të përndjekurit politikë të vërtetë. U bëjmë thirrje të mos bini pre e manevrave të ulta politike të ideatorit të kësaj lëvizje të re, Kryeministrit Rama, që ka si qëllim përçarjen e të përndjekurve politikë të vendit gjë që nuk do të mund ta realizojë kurrë.

*Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve      Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit

Politikë Demokratë të Shqipërisë                      të Përndjekurve Politikë

 

Shoqata e të Përndjekurve Politikë Shkodër(Titulli i Diellit, foto-arkiv)

Filed Under: Komente Tagged With: A DO TE DENOHET, Enver Hoxha, Kuvend kombëtar me të përndjekurit politikë-, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT