• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Epitafi i hipokrizise

January 18, 2017 by dgreca

1-Reshat-Kripa-300x150Nga Reshat  Kripa/ Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës/

Një ditë prej ditësh m’u tek të shkoja të vizitoja varrezat e qytetit. Ide e çuditshme do të thoni ju. Me të vërtetë ashtu është, por ja që mua m’u tek ta bëja një gjë të tillë. Kështu mbërrita atje. Sapo hyra ne bllokun e varrezave më tërhoqi vëmendjen një varrosh me të vërtetë madhështor që ndodhej  në krye të parcelës kryesore. U afrova dhe u mundova të lexoja emrin e të ndjerit që prehej aty. Për çudi, vura re se nuk kishte as emër, as mbiemër dhe asgjë tjetër përveç një epitafi  të gdhendur në pllakën e mermerit:

“Këtu prehet hipokriti

                                                Gojëmjaltë e trupërlyer,

                                                Që s’tha fjalë pa lezet,

                                                Që s’u prish në muhabet,

                                                Dhe s’e ndyri kurrë gojën,

                                                Me ata që kish nevojën!”

            Qëndrova i habitur dhe po kundroja atë varrosh të çuditshëm. Po thartoja trutë për të gjetur se kush duhej të ishte ky i paemër që prehej aty. Mendja më vajti tek “i paemri” i romanit të Petro Markos. Por jo, nuk mund të ishte ai. Ai personazh ishte vetëm fryt i fantazisë së shkrimtarit.

Nga kjo fantazmagori më zgjoi një zë që dëgjova pas meje:

– Çfarë halli të ka zënë, mor mik, që e ke humbur pusullen kështu?

Ktheva kryet dhe  pash një plak që po i afrohej të njëqindave.

– Jo, or mik, – iu përgjigja, – nuk kam asnjë hall, por më çuditi ky varrosh pa emër.

Plaku qeshi si me qesëndi dhe u përgjigj:

– Ky varrosh dhe ky epitaf u kushtohet atyre që sa janë gjallë  ligjërojnë e ligjërojnë lloj lloj mbroçkullash pra që  kanë dy fytyra, njërën për eprorin dhe tjetrën për vartësit.

Plaku nuk foli më dhe unë nuk e ngacmova më tej. Po mendoja dhe po mendoja për ndonjë figurë të tillë që kisha njohur. Në të vërtetë ishin të shumta figurat që më dilnin përpara syve,  por ajo që më tërhoqi më shumë vëmendjen ishte ajo  e  një “bandill këndezi” që kishte fluturuar nga “qymezi” dhe që kishte zaptuar faqet e para të mediave të shkruara dhe atyre vizive, madje edhe të mediave ndërkombëtare..

Në të vërtetë ky bandill rridhte nga një familje me emër në krahinën e tij. Por fati e kishte degdisur nëpër disa hone dhe shkrepa, sa që ia kishte trazuar trutë fare. Fatmirësisht, kjo kohë kishte perënduar dhe kishin ardhur ditë më të mbara. Fati i kishte çelur edhe bandillit tonë dritën e gjelbër. E kishin emëruar drejtor të një institucioni që merrej me rehabilitimin e njerëzve të përvuajtur.

U copëtua dhe u ropëtua i ngrati që t’i ringjallte përsëri të mjerët e përvuajtur. I ranë këmbët sa në një dikaster në tjetrin, duke bërë lutje e duva për ta.  Por shumica e tyre e përcillnin ashtu siç kishte hyrë. Kjo gjë bëri që në ndërgjegjen e tij të rrënjosej një ndjenjë tjetër, ajo e inferioritetit, si pasojë e të cilit i lindi vesi i hipokritit, shumë i përhapur në kohët tona. Kështu që arriti puna deri aty sa, kur ndodhej para ndonjë eprori, për të kërkuar diçka, harronte përse kishte shkuar dhe në fytyrën e tij dallohej vetëm një buzëqeshje skllavi dhe një përulje alla Uriah Hip i Dikensit. Një buzëqeshje e tillë nuk i mungonte edhe kur dilte para ekraneve të televizioneve për të dhënë ndonjë intervistë ose për të shfaqur ndonjë mendim, që natyrisht nuk ishte i tij. Mblodhi majtas e djathtas kallëpe të llojeve të ndryshme, ca gjoja filozof, ca gjoja për të drejtat njerëzore dhe ca për bodigardë dhe arriti në majën e të përvuajturve. Tani të tjerët i shikonte nga lart poshtë dhe në zërin e tij ndihej toni i autoritarit.

Një ditë prej ditësh një lajm i bujshëm mbushi faqet e medias. Bandilli do të organizonte një kuvend të madh, në sallën kryesore të pallatit më luksoz të kryeqytetit, me njerëzit e përvuajtur ku do të shpallte edhe krijimin e një partie të tyre dhe, natyrisht sipas mediave ai do të ishte kryetari i saj. Një kuvend i tillë në një sallë të tillë kushtonte disa miljona të holla, por bandillit kjo nuk i interesonte pasi e dinte ai se kush do ta sponsorizonte. Kështu, ditë për ditë, në çdo konferencë shkencore ku ishte i ftuari i perhershem, ai deklaronte:

“Nuk ka forcë në botë që më vendos mua përballë të përvuajturve. Unë jam dhe do të mbetem në krah të komunitetit tim, si një aktivist  i kauzës së tyre. Tek unë ata do të gjejnë udhëheqësin që do të realizojë aspiratat e tyre.”

Lidhur me sa më sipër unë do të doja ta pyesja:

  • Per cilët  të   përvuajtur  e  quani veten  përfaqësues  të  tyre,  pasi   jo   të   gjithë  ata kanë të njejtin ideal. Midis tyre ka të djathtë dhe të majtë, ka demokratë, republikanë, liberalë, ballistë, monarkistë, socialist, social-demokratë dhe ku e di unë se çfarë tjetër. Një pjesë e tyre kanë patur idealin e Shqipërisë  Etnike, ndërsa të tjerë idealin komunist por që përfunduan në burg apo interninm për ndonjë tekë apo mosmarrëveshje jo parimore me idhullin e tyre diktator. Madje ka patur edhe nga ata të dënuar ordinerë që vidhnin apo kryenin veprime incesti me familjarët e tyre dhe regjimi totalitar, për t’i dënuar më tepër, u shtonte edhe akuzat politike për agjitacion dhe propagandë apo tentativë arratisjeje. Atëherë prej cilës prej këtyre shtresave të përvuajturish do përbëhet partia  juaj? Do të jetë një parti e djathtë apo e majtë? Cilët do të jenë aleatët tuaj?

Këto pyetje i bëjë pasi vë re se në Shqipëri nuk merret vesh se kush është e djathta dhe kush e majta.  Ka parti që e quajnë veten të djathtë por që janë në aleancë me të majtën, madje edhe financohen prej tyre dhe midis tyre është edhe një parti tjetër e të përvuajturve e drejtuar nga një bandill tjetëri njohur.

Një gjë e tillë më kujton një përrallë që kam lexuar dikur:

“Një natë, ndërsa flinin, bashkëshortja i thotë Nastradinit:

 – O burrë, në krahun e djathtë ke një qiri, të lutem ndize!

Nastradini, ashtu i përgjumur siç ishte, i përgjigjet:  

– E ku e di njeriu natën se ku e ka krahun e djathë dhe ku të majtin?”            

Mua më duket se kjo sëmundje ka kapur edhe bandillin tonë ndaj nuk e di se kush është e djathta dhe kush e majta. E them këtë pasi po ta dinte se ishte i djathtë ai, si drejtor i institutit të të përvuajturve  qysh prej disa vitesh, duhej t’i ishte drejtuar qeverisë prej së cilës varet realizimi i rezolutës së miratuar vite më parë mbi te përvuajturit:

A do të kërkonte bandilli si kryetar partie dënimin e diktatorit të përmbysur si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër  diktatorial komunist  në  Europën

Lindore?

A do të kërkonte rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore?

A do të kërkonte bërjen publike të të gjitha dokumentave që dëshmojnë krimet e regjimit komunist përfshirë dhe dosjet e krijuara në ish-institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Prokuroritë, Gjykatat dhe Komitetet e Dëbim-Internimeve?

A do të kërkonte hapjen e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të  administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara?

A do të kërkonte hartimin e një strategjie kombëtare për eleminimin e pasojave të totalitarizmit gjysmëshekullor në Shqipëri dhe a do të ftonte institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur  me statusin e të përvuajturit për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike?

A do të kërkonte fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste duke përfshirë rishikimin e librave shkollore, shpalljen e nje dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe rikthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar?

A do të kërkonte organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe të ekspertëve të OJQ-ve,  për krimet e kryera nga regjimet totalitare?

Personalisht jam i mendimit se bandilli ynë nuk do të mundet t’i realizojë këto, pasi nuk do ta lejojnë padronët e tij. Ndaj dua t’i drejtohem atij me vargjet e të pavdekshmit Ali Asllani:

“Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zoq e zoga si përhera?
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Shqipëria e  shqipëtarve!”

 

 

                                                           

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Epitafi i hipokrizisë, reshat kripa

Një ditë historike

November 28, 2016 by dgreca

reshat-foto-250x272Në  kuadrin e 25 vjetorit të ngritjes së flamurit kombëtar pa yllin komunist/

Nga Reshat  Kripa/

28 nëntor 2016. – Vegime të ndryshme shfaqen para syve të mi. 28 nëntor 1443, kthimi i Gjergj Kastriotit në Krujë. 28 nëntor 1912, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare nga Ismail Qemali.  Para syve më  shfaqet gjithashtu edhe 28 nëntori 1991, dita kur në Vlorën e flamurit u ngrit për herë të parë,  pas dyzeteshtatë vitesh, flamuri i kuq me zhgabën e zezë dykrenore në mes pa yllin e kuq të komunizmit.

Për 28 nëntorin, në periudhën e sundimit komunist  flitej fare pak, sa për të mos harruar se ekzistonte një datë e tillë. Madje, një datë tjetër, 29 nëntori, dita e vendosjes së diktaturës komuniste, i bënte hije kësaj date historike.

28 nëntor 1991. – Po afronte dita e shenjtë  e  flamurit. Por ajo  nuk ishte si ditët e  tjera.  Ishte festa e parë e flamurit në liri. Në ato ditë në zemrat e qytetarëve sundonte një shqetësim i madh,  cili flamur do të ngrihej, do të vazhdonte ai me yllin e komunizmit që sundoi vendin për gjysmë shekulli, apo flamuri pa yll i Ismail Qemalit? Kuvendi i Shqipërisë  ende nuk e kishte vendosur heqjen e yllit nga flamuri.

Diskutime te mëdha zhvilloheshin nëpër tryezat e bisedimeve. Mendimet përplaseshin  njëri me tjetrin.  Një pjesë fanatikësh, që u kishte mbetur ora në vitin 1945,  mbronin tezën se duhej ngritur flamuri me yll, ndërsa pjesa tjetër, më e madhja, të kundërtën. Miti i komunizmit kishte filluar të shembej, por komunistët ishin ende në fuqi. Ata ishin të gatshëm të përdornin çdo lloj forme për të ruajtur pushtetin e tyre. Këtë e kishin treguar   disa   muaj   më   parë  në  qytetin  demokrat  të Shkodrës, ku kishin vrarë katër martirë. A do të pranonte qyteti turpin që në shtizë të ngrihej flamuri i urryer i tradhëtisë së madhe? Këtë shqetësim e ndjente pothuajse i gjithë populli, por më tepër  e ndienin ata që  i  provuan  mbi  shpatullat  e  tyre gjëmbat vdekjeprurës të atij ylli, të përndjekurit politikë.

20 nëntor 1991. – Zhvillohej mbledhja e Kryesisë së Degës së Shoqatës së të Përndjekurve Politikë të Rrethit. Merrnin pjesë të gjithë anëtarët e kryesisë, kryetari Hysni Alimerko, nënkryetari Burim Kokoshi, anëtarët Alajdin Alemi, Klito Lamaj, Fahri Shaska, Sefer Dauti, Neshet Merkaj, Bashkim Ndreu. Merrnin pjesë edhe disa të përndjekur politikë të tjerë, personalitete të kësaj shtrese, Vendigjar Hamzaraj, Shaban Xhyheri, Neço Çapaj, Maliq Agaj, Shpëtim Sharra, Bardhosh Gjonzenelaj, Cane Agaj, vëllezërit Teki dhe Memisha Gjonzenelaj, Astrit Agaj, Xhemal Mustafaraj, Fadil Ndreu dhe të tjerë. Nga Tirana kishte ardhur, si i dërguar nga Shoqata Kombëtare,  Viktor Dosti. Protokollin e mbledhjes e mbaja unë si sekretar i degës së shoqatës.

Viktori hodhi i pari mendimin se ditën e flamurit duhej të ngrihej me çdo kusht ai pa yll. Një gjë të tillë duhej ta realizonin të përndjekurit politikë, ata që ishin  sakrifikuar  më  shumë  se kushdo për atë flamur. Të gjithë e miratuan. Por, një gjë e tillë, ishte e pamundur pa pjesëmarrjen e forcave të tjera  të djathta. Shoqata iu drejtua partive politike dhe shoqatave opozitare për veprim të përbashkët, Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe Shoqatës “Çamëria“. Ato e përshëndetën një vendim të tillë.

Më 22 nëntor u bë takimi i përbashkët i  tyre.  Të gjithë ranë dakord që t’i drejtonin një  peticion Komitetit Ekzekutiv Pluralist të Rrethit, ku partitë opozitare ishin në pakicë. Në atë peticion me një ton ultimativ, kërkohej ngritja e flamurit pa yll. Duke pasur shumicën në   këtë    komitet,  socialistët  refuzuan. Të   njëjtin   qendrim   mbajti   edhe Byroja  e  Rrethit  e   Partisë.

Por të  përndjekurit  politikë  nuk  u  tërhoqën  nga  kjo  pengesë. Më  24  Nëntor  me  një

mesazh drejtuar radiotelevizionit  “Zëri i Amerikës“, të cilin ai e transmetoi një ditë më vonë, ata deklaronin se nuk do të lejonin ngritjen e flamurit me yll dhe i bënin thirrje gjithë qytetarëve të merrnin pjesë në manifestimin e madh të festës së pavarësisë. Midis të tjerave në mesazhin theksohej:

 

Dita e 28 nëntorit, dita e shenjtë e flamurit,  festa jonë kombëtare arriti. Këtë vit kjo festë ka diçka të veçantë. Për herë të parë pas dyzeteshtatë vitesh robërie komuniste, në qytetin tonë do të valëvitet krenar flamuri kombëtar, pa yllin e urryer të sistemit totalitar komunist.

            Duçja i vuri flamurit tonë spatën e fashizmit, Enver Hoxha yllin sllav të komunizmit. Por këtë radhë do të valojë flamuri i Ismail Qemalit, ai flamur që u bë simbol i nderit dhe trimërisë, i qëndresës dhe vetëmohimit. Do valvitet flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dykrenore në mes dhe jo flamuri i komunizmit me yllin e urryer.          

Ka kohë  që  nga  vatrat  tona  ka  ikur  gazi  dhe hareja. Vendin e tyre e kanë zënë brengat dhe lotët. Regjimi e katandisi vendin në një gjendje të tillë që asnjë   mendje   e  shëndoshë  nuk  mund  ta  përfytyrojë. Njerëzit janë pa punë, pa bukë, pa strehë, pa mbrojtje.

            Kasta e përmbysur përpiqet me të gjitha mjetet, që ende janë në dorën e saj, të fusë vendin në një rrugë pa krye. Në krye të kësaj kaste qëndron Presidenti i vendit, hija e diktatorit të përmbysur. Dora e tij është ndjerë kudo. Është ndjerë gjatë viteve të sundimit komunist.   Është   ndjerë   në   dhjetorin   e   kaluar,   kur  urdhëronte goditjen e studentëve. Është ndjerë  në  shkurt  kur rrëzohej shtatorja e  diktatorit.

Qindra flamuj kuq e zi pa yllin e kuq të komunizmit  do të valëviten në këtë ditë të shënuar  përmbi të gjitha do të ushtojnë vargjet e himnit tonë kombëtar,  të harruara qëllimisht nga regjimi i kaluar:

 

Se Zoti vetë e tha me gojë,                                          

Që kombet shuhen përmbi dhe,

                                                Por Shqipëria do të rrojë,

                                                Për të, për të jetojmë ne!

 

27 Nëntor 1991. –  Prologu   i   ndeshjes   së   madhe.  Në  shtizën  e  flamurit,  me  urdhër  të kryetarit socialist të Komitetit Ekzekutiv Pluralist, për të provuar vendosmërinë e të përndjekurve  politikë, u  vendos flamuri me yll. Por llogaritë ishin bërë gabim. Qyteti kishte djem të gjallë që nuk mund të pajtoheshin me një veprim të tillë. Xhemal Mustafaraj, një ish i burgosur politik, së bashku me të lindurin në internim, Fadil Ndreu, duke hipur mbi shpinat e shokëve të tyre,  u ngjitën në shtizën e flamurit, grisën yllin, e dogjën  dhe ngritën lart flamurin pa njollën e turpit  Një turmë e madhe i shoqëronte me brohoritje. Në mbrëmje vonë, Komiteti   Ekzekutiv Pluralist  u  detyrua  të pranojë ngritjen e flamurit pa yll

Po atë mbrëmje, në mbledhjen e grupit të shoqatave  dhe partive politike opozitare, diskutohej se kush duhej ta ngrinte flamurin. Mendimet ishin të ndryshme. Një i burgosur politik tha se atë duhej ta ngrinte njëri prej të rinjve që grisën yllin. Një tjetër propozoi që të ngrihej nga një prej përfaqësuesve të vjetër nacionalistë të shoqatës. Së fundi  u ngrit dentisti Avdulla Iljazi, një demokrat i orëve të para, dhe propozoi:

– Unë mendoj se duhet të ngrihet prej një djaloshi të ri, një trashëgimtari të një prej familjeve më të njohura me traditat kombëtare, një pasardhësi të familjeve që e ngritën  në  Vlorë

më 1912.

Dikush propozoi që ky të ishte  Altini, 17 vjeçar, biri  i  Burim  Kokoshit,  ish  i  burgosur

politikë dhe nipi i  njërit  nga  nënshkruesit  e Aktit  të  Pavarësise,  Qazim  Kokoshit,  vdekur  në

burgun komunist.

Atëherë   u   ngrit më i vjetri i grupit, Hysni Alimerkua  dhe  shprehu  mendimin  e rrezikut që paraqiste një vendim  i tillë. Sigurimi i Shtetit ishte ende në veprim. Ngjarjet e 2 prillit 1991 në Shkodër e kishin treguar këtë. Nuk mund të rrezikohej jeta e një djali, aq më tepër që ai ishte i vetmi i familjes së tij.

Heshtja   mbuloi  fjalët  e  Hysniut.  Të  gjithë  prisnin vendimin e Burimit. Vetëm ai e kishte këtë të drejtë. Burimi u ngrit  dhe me një zë të vendosur tha:

– Në rast se për djalin tim është vendosur të  shkojë te Zoti,  kjo  është dita më e bukur!

Askush nuk pati kurajo ta kundërshtojë. Gjithë pjesëmarrësit u shpërndanë për   të  kryer  detyrat  e caktuara.

28 Nëntor 1991 –  Në të gjitha fasadat e godinave binin në sy flamurë pa yll që ishin ngritur në  të gjitha pikat dominuese të qytetit. Në sheshin historik filluan të grumbullohen njerëzit. Në duart e tyre shumica mbanin flamurë të vegjël, gjithashtu pa yll.

Ora 10.00.  Kryetari socialist  i  Komitetit  Ekzekutiv Pluralist, i shoqëruar nga përfaqësues të tjerë të atij komiteti u drejtua për të kryer ceremoninë e ngritjes së flamurit. Pompoziteti i tij ishte i jashtëzakonshëm. Para portës së lulishtes qendrore, një grup i madh njerëzizh u preu rrugën. Shumica ishin  ish të dënuar politikë. Një pjese prej tyre diktatura u kishte rrëmbyer njerëzit më të dashur. Të tjerët i kishte syrgjynosur në burgjet dhe kampet e tmerrshme. Midis pjesëmarrësve edhe një dërgatë e të përndjekurve të Beratit me në krye kryetarin e tyre, Fatos Zdrava. Bashkë me ta edhe demokratë të tjerë që ishin ngritur kundër kësaj  diktature.  Në krye kryesia e degës së shoqatës.  Aty,   në   këmbët   e obeliskut mbi të cilin ngrihej shtiza e  flamurit, u zhvillua dialogu i mëposhtëm:

– Zoti Kryetar! Në emër të të përndjekurve politikë dhe popullit të këtij  qyteti,  ju  nuk  do ta  ngrini flamurin.

– Kush do ta ngrejë atëherë?

– Atë do ta ngrenë duart e atyre që nuk janë njollosur me gjakun e këtij populli.

Kryetari shtriu përpara duart dhe foli:

  • Duart e mia nuk janë të  përgjakura. Unë nuk kam vrarë njeri.

Kjo përgjigje u ngjalli shumë kujtime të paharruara të pranishmëve. Para syve u dolën ngjarjet e viteve të gjata të diktaturës. U dolën fytyrat e mijëra të rënëve për liri dhe demokraci.

– Edhe në qoftë se nuk keni vrarë, i keni shërbyer asaj partie që vrau një komb të tërë.  Ndaj duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e Ismail Qemalit! Ky flamur është i yni.

Kryetari u detyrua të tërhiqej.

Ndërkaq,   ndërsa   qëndra   e   zërit   transmetonte Himnin   e  Flamurit   duart  e  njoma   dhe  të  pastra  të Altinit ngrinin lart flamurin kombëtar.

Sheshi filloi të buçiste nga duartrokitjet dhe brohoritjet. Kudo ndiheshin përqafime, urime. Këngët patriotike pushtuan sheshin. Një vizitë në varrin e Plakut të Pavarësisë dhe një mori kurorash dhe lulesh zbukuruan atë varr historik. Pastaj jashtë çdo zyrtarizmi, në podiumin para përmendores së  Pavarësisë hipën ata që për pesëdhjetë vjet e kishin të ndaluar të flisnin dhe të mendonin ndryshe. Ata nuk i caktoi njeri për të dalë aty. Dolën   me   dëshirën   e   tyre   për   të  shprehur  atë  që mendonin prej vitesh. Në Sheshin Historik të Flamurit gjëmuan zërat e tyre. Së fundi një vizitë e përbashkët në Muzeun e Pavarësisë, pranë bregut  të  detit. Kështu  u  mbyll kjo ditë e shkëlqyer historike që për  pjesëmarrësit e saj do të  mbetet  një nga ditët më të paharruara të jetës së tyre.

E tillë do të mbetet kjo ditë edhe për mua, një ditë historike si një kujtim i paharruar i jetës time. Më dukej vetja sikur isha në Vlorën e 28 nëntorit 1912, në krah të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, në krah të Luigj Gurakuqit dhe Mithat Frashërit. Por, çuditërisht,  për fatin e keq të këtij vendi, kjo ditë historike nga media  e shkruar dhe ajo vizive si dhe nga politika shqiptare është lënë në harresë dhe nuk përmendet në asnjë rast.  Përse???

Filed Under: Opinion Tagged With: 28 Nenetori, nje dite historike, reshat kripa

ISH URDHERVRASËSIT TANË JANË NË KRYE

November 23, 2016 by dgreca

Në kuadrin e 70 vjetorit/

 *Këto nuk duhen harruar: ish vrasësit tanë, ata që urdhëronin kryerjen e masakrave nga më të tmerrshmet apo pinjollët e tyre të jenë në krye të politikës dhe shtetit shqiptar. Ata kanë zaptuar  kreun e disa institucioneve gjoja të pavarura, si Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithëshme dhe gjithë rrjetin e drejtësisë në vend. /

1-reshat-kripa

Nga Reshat  Kripa/*Jemi mbledhur sot në këtë tubim, për të nderuar emrat e pavdekshëm të martirëve të lirisë dhe demokracisë, ekzekutuar nga klika diktatoriale komuniste më 22 nëntor 1946.      Jemi mbledhur për të përkujtuar emrat e tyre, por  njëkohësisht edhe për të mos harruar. Me keqardhje konstatojmë se ende në Shqipëri, ish vrasësit tanë, ata që urdhëronin kryerjen e masakrave nga më të tmerrshmet apo pinjollët e tyre të jenë në krye të politikës dhe shtetit shqiptar. Ata kanë zaptuar  kreun e disa institucioneve gjoja të pavarura, si Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithëshme dhe gjithë rrjetin e drejtësisë në vend.  Ata i gjen pothuajse në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, në parlament, në administratën shtetërore,  madje edhe në disa shoqata që veprojnë në vendin tonë.      Ne nuk jemi për hakmarrje personale ndaj kriminelëve që na vranë dhe burgosën, nuk duam më gjak se boll është gjaku që kemi derdhur ne gjatë kaq viteve,  por kërkojmë që drejtësia të thotë fjalën e saj dhe të mos heshtë sikurse ka bërë gjatë këtyre njëzetetegjashtë viteve. Le të hapen pa hezitim dosjet e ish sigurimit të shtetit, por më parë krahas tyre duhet të hapen edhe ato të punonjësve të diktaturës komuniste, të drejtuesve të komitetetve të partisë komuniste, të shefave të kuadrit nëpër ndërmarrje dhe kooperativa bujqësore, të këshillave popullore të lagjeve dhe fshatrave si dhe gjithë institucioneve të tjerë të dhunës  politike. Hapja e tyre do të pastrojë politikën shqiptare nga llumi ku e kanë futur këta bastardë të sistemit të përmbysur.                              Ne duam të harrojmë të kaluarën e errët të vendit, për të parë drejt së ardhmes botërore të planetit tonë, që retë e zeza të së kaluarës na e pengojnë. Një gjë të tillë na e kërkojnë të rënët tanë midis të cilëve janë edhe këta martirë për të cilët jemi mbledhur sot, eshtrat e të cilëve akoma nuk dihet se ku ndodhen. Ata kërkojnë një varr dinjitoz, ku të afërmit e tyre të derdhin dy pika lot, apo të vendosin një tufë me lule. Një gjë të tillë na e kërkojnë edhe fëmijët tanë, që nëpër shkolla vazhdojnë të mësojnë ato që serviri propaganda komuniste për gati pesëdhjetë vjet.           Kjo është Shqipëria jonë sot.  Një vend ku nuk merret vesh se kush ishte paditësi dhe kush i padituri, kush ishte krimineli dhe kush viktima. Pothuajse të gjithë hiqen “të paditur” dhe “viktima”. E pra, janë pikërisht lakejtë e komunizmit ata që sjellin këtë kaos ku ndodhet vendi.

Ishte 8 nëntor 1946, ora 9:30, ditë e premte. Në sallën e kinemasë “17 Nëntori”    ( ish-“Nacionali”) ndodheshin shumë të pranishëm “të zgjedhur” në sallë. Fillon gjykimi kundër gjashtëmbëdhjetë anëtarëve të “grupit sabotator për tharjen e Kënetës së Maliqit”. Ishte “ditë e madhe, feste të madhe”. Ishte pesëvjetori i themelimit të një partie “të madhe”, që kërkonte kurban të madh. Mjerisht, ishte edhe fillimi i një tragjedie të dhimbshme e të përgjakshme, që do të vazhdonte gjatë… Altoparlantët përcillnin me gjithë fuqitë e tyre atë që ndodhte brenda. Flitej për një “krim të madh”, që do të merrte një ndëshkim gjithashtu edhe më të madh. Procesi zgjati dhjetë ditë. Sipas medies e shtypit, u ndoq në të gjithë Shqipërinë, madje dhe nga popujt fqinjë (ishim të rrethuar me Jugosllavinë socialiste motër) Trupi gjykues, argumenton akuzën e ngritur nga prokurori Nevzat Haznedari dhe jep vendimin: Dy me varje në litar, pesë me vdekje me pushkatim, disa të tjerë me burgim të përjetshëm e më poshtë. Natyrisht, ishte vetëm grupi i parë, se më pas do të vazhdonin pafundësisht arrestimet, vdekjet në tortura, pushkatimet e raprezaljet e familjeve të të gjithë atyre që kishin kryer shkollën amerikane të Fulcit dhe që sipas drejtësisë mjerane të diktaturës ishin prekur nga virusi i spiunazhit anglo-amerikan, ishin bërë agjentë të tyre. Po si qëndronte e vërteta?                                                                                                    Ja si është paraqitur ajo sipas vete Harri Fulcit dhënë në kujtimet e veta  përmes  së  bijës, Xhoanës.

“Gjykimi për gjoja tharjen e kënetës së Maliqit filloi pesë ditë para largimit të misionit amerikan nga Shqipëria. Dy nga të ekzekutuarit ishin ish-studentë të Shkollës Teknike, që u arrestuan për këto arsye:  Vinin nga familje patriotike të Vlorës, prandaj duheshin trajtuar si armiq të klasës. Të dy kishin vëllezër që kishin  shpëtuar  duke  ikur  ne  Itali  (Ymer  Sharra,  vëlla  i  Abdylit,  ishte gjithashtu ish-profesor i vjetër i shkollës teknike që në themelimin e saj). Duhej gjetur një kokë turku për të justifikuar dështimin e tharjes së kënetës, që me mburrje ishte premtuar se do të bëhej brenda tetë muajve. Gjyqi duhej të shërbente për diskreditimin e Fulcit dhe për të shmangur ndikimin e prestigjit amerikan e të Shkollës Teknike në pragun e kthesës që do të bëhej në të ardhmen.

 Kush martirizohej?…

Kujtim Beqiri, 30 vjeç nga Velça e Vlorës, bir i një familjeje patriotike (i ati pjesëmarrës aktiv në ngritjen e flamurit më 1912 dhe në luftën e Vlorës më 1920). Në vitin 1932 kryen Shkollën Teknike (dega elektrike). Në vitin 1940 përfundon me medalje të artë inxhinierinë civile, rruga-ura në Universitetin e Vjenës. Në korrik 1946 dërgohet në punimet e Maliqit. Pa kaluar as 3 muaj, fillojnë arrestimet, që nisin më parë me teknikët (Hans Vala, Mirush Përmeti, Pandeli Zografi, Eugjenio Skaturio, Mario Guernieri). Vijojnë me dorën e dytë: Mihal Stratobërdhen, Jani Vasili, mjeku italian Anastasio Riçio, për të përfunduar me inxhinierët Vasil Mano me të shoqen Zyrakën, Abdyl Sharrën e Kujtim Beqirin.

Si mund t’i shpëtonte Kujtim Beqiri skenarit, edhe pse nuk kishte as tre muaj në detyrë? Kishte qenë student i shkëlqyer në Vjenë dhe kishin kërkuar ta emëronin si pedagog atje. Për të vetë drejtori i Shkollës Teknike, Harri Fulc, duke shprehur simpatinë e madhe, i thoshte se “ti do të bëhesh si Benjamin Franklini”. Ishte ai që në vitin 1976 do të ishte i 22-ti “Yll i Universitetit të Vjenës” (në çdo 50 vjet zgjidhej një nga studentët e shkëlqyer), por mjerisht kishte 30 vjet që ai ishte varur nga bashkatdhetarët e tij këtu në Shqipëri. I vëllai, Skjarrim Beqiri, kujton:

 “Në atë kohë i them Kujtimit se «po arrestojnë shumë njerëz këtu dhe mund të të kapin edhe ty… Ka rrezik të të vrasin për të justifikuar mostharjen e kënetës në afatin e kërkuar». Ai m’u përgjigj: «Unë punoj 18 orë në ditë dhe s’kam pse të kem frikë. U ktheva në Shqipëri. Për sa i takon sabotimit që ti thua, mbaje mend mirë se asnjë teknik kurrë nuk e saboton veprën e tij, se në të ai ka nderin, dinjitetin, aftësinë e vet.”.

Pas dhënies së dënimit me varje në litar, më 19 nëntor, dëshmitarët tregojnë: “Pas dënimit me varje i shkon në birucë djali i xhaxhait, Saliko Sulua, dhe e pyet: «Si veprove kështu?» Kujtimi i përgjigjet: «Nuk kam bërë asnjë faj, por e dija se kam për të vdekur dhe desha të vdes si njeri e jo si qen». Po fjala e tij e fundit para varjes? “Fajin tonë do ta tregoj historia. Të rrojë Shqipëria! Të rrojë flamuri!” Thonë se e shtyu vetë karrigen dhe litari u zgjat deri në tokë, por prokuror Haznedari shpejtoi dhe, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare,   e vari për së dyti.

Abdyl Sharra, 35 vjeç, nga Vlora. Kryen shkollën teknike të “Robert Kolegjit” në Stamboll dhe Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Romë me medalje ari. Emërohet kryeinxhinier në ndërmarrjen për tharjen e kënetës së Maliqit dhe pas tre muajsh arrestohet si “armik i popullit, si iniciatori kryesor i sabotimeve në stil të gjerë për ndërmarrjet e mëdha që bënte pushteti popullor”. Sipas akuzës mjerane, kryeinxhinieri udhëzimet i merrte nga Fulci dhe raportimet i bënte përmes Zyraka Manos… Po vetë Zyraka Mano? “Ngrini sytë nga qielli të na shikojë Zoti, se Ai dhe ne e dimë që jemi të pafajshëm”, – do t’i thoshte ajo të shoqit, Vasil Manos dhe Eugjenio Skaturos ndërsa shkonin drejt vendit të pushkatimit. Mos harroni1 Në atë kohë Zyraka ishte shtatzanë. Mjerisht, nuk mund të ndalemi më gjatë në kuadrin e një kumtese, por nuk mund të mos përmendim shkrimet e mashtrimet letrare të realizmit socialist që vijuan më pas. “Armiqtë” do ta titullonte romanin e tij Fadil Paçrami, i dënuar më pas edhe vetë si armik. “Këneta” do të titullohej romani i Fatmir Gjatës, që do të studiohej me dhjetëra vjet  ndër shkollat shqiptare. Vijonin në masë edhe arrestimet, torturat, dënimet e pushkatimet e të tjerëve nën akuzën tashmë standarde të sabotimit të kësaj kënete famëkeqe të Maliqit.

Po Mirush Përmeti, 34 vjeçari nga Manastiri, biri i doktorit Bedri Përmeti, që në moshën 70-vjeçare do të lutej:“Djali im e ka thënë që është i pafajshëm. Të gjithë shpresën e kam varur te ky djalë i vetëm që kam. Kam besim të madh se ky apel nuk do mbetet pa u dëgjuar.” Mjerisht, besimi ishte i humbur, sepse i arrestuar më 29 nëntor 1946, më 3 dhjetor do të dilte vendimi i Gjykatës së Lartë, i miratuar nga vetë komandanti suprem gjeneralkolonel Enver Hoxha për vdekje pushkatim edhe për Mirushin, djalin e doktorit, i cili në pritje të pushkatimit gjente mundësinë të nxirrte nga burgu shkrimin për të shoqen, ku e porosiste:“Kujdes gjithmonë ti do të kesh të dy fëmijtë. Pas dore kurrë të mos i lësh. T’i rrisësh për Shqipëri sido që të jetë fati ynë. Ndër mend të kesh gjithnji se i pafajshëm isha gjithmonë. Punova për Shqipëri.           

Ky ishte mesazhi fisnik i Mirushit, që përcolli në emër të të gjithë martirëve që përkujtojmë. Mesazhi fisnik i të gjithë atyre që dhanë gjithçka për Shqipërinë, por vetë Shqipëria i vrau. Ishin pikërisht projektet e këtyre inxhinierëve të shquar që bënë të munduar tharrjen e kënetës së Maliqit dhe kënetave të tjera më vonë. Por për fatin e keq të kombit autorët e tyre nuk ishin më gjallë. Diktatura komuniste i kishte ekzekutuar. Sigurisht, ishte koha e një diktature që sapo niste një rrugë të gjatë mjerane, por fatkeqe e të përgjakshme për vete Shqipërinë e shqiptarët. Ishte mesi i një shekulli që, mjerisht, do ta sillte ndryshimin vetëm në fundin e tij. Deri atëherë numri i martirëve do të ishte i shumtë, lista e gjatë, e pafund, por pa dyshim vendin e tyre në piedestalin e demokracisë shqiptare do ta zinin përjetësisht edhe martirët e kënetës famëkeqe të Maliqit, ata që nga katakombet e hekatombet përkujtohen edhe sot mbas shtatëdhjetë vjetësh.

Le të hapen pra dosjet! Le të hapen dhe të publikohen të gjitha dosjet e sistemit totalitar. Është e drejta e qytetarëve të mësojnë mbi gjithçka që ka lidhje me to. Le të hapen dosjet për të mos lejuar që vendet në parlamentin shqiptar, qeverinë, sistemin e drejtësisë dhe administratën shtetërore dhe vendore të zihen nga të korruptuarit e sistemit të përmbysur. Kështu do të kemi një parlament të pastër, një qeveri të pastër, një drejtësi të pastër, një administratë të pastër, një shtet të pastër. Në rast se sot flitet për një shtet të korruptuar, kjo vjen edhe si rezultat se në të bëjnë pjesë edhe të korruptuarit me dosje që sjellin frymën korruptive të sistemit që i degradoi deri në atë gjendje.                                                                                                                                   Le të hapen dosjet që të mos kemi më në krye  njerëz që ruajnë në ndërgjegje gjynahet e kohës së përmbysur.

Le të hapen dosjet që të mos kemi më gazetarë, analistë, komentatorë e të tjerë që me artikujt, analizat dhe komentet e tyre shtrembërojnë në mënyrë flagrante të vërtetat e këtij kombi.

Le të hapen dosjet që të mos kemi më mësues e këshilltarë gjynahqarë që helmojnë ndërgjegjen e fëmijve tanë apo të mbarë popullit.

Le të hapen dosjet të gjitha dhe të përlyerit të hiqen nga detyrat shtetërore që mbajnë. Këtu nuk bëhet më fjalë për ndëshkim, pasi tani është shumë vonë për këtë. Një gjë e tillë duhej të ishte bërë shumë vite më parë, kur ishin gjallë një pjesë e mirë e fajtorëve të katastrofës së kaluar. Vetëm atëherë do të kemi një Shqipëri të pastër, një Shqipëri dinjitoze. Vetëm atëherë do ta meritojmë të jemi vend anëtar i Bashkimit Europian, të jemi të barabartë me kombet e tjerë.

Së fundi le të hapen dosjet edhe për të ashtuquajturit “të përndjekur politik” që u dënuan për vjedhje apo përdhunime të familjarëve të tyre dhe shteti komunist u shtoi edhe nenet tentativë arratisje apo agjitacion e propagandë për t’i dënuar më tepër dhe që që natë e ditë i dëgjojmë të dërdëllisin për heroizmat e tyre. Këtu dua të shtoj se, për fat të keq, kemi midis nesh disa ish të përndjekur politike që kanë haruar rrugën nga e cila kanë ardhur dhe prejardhjen e tyre familjare dhe janë bërë palë me ata që na vranë, që na burgosën, që na internuan, duke arritur poste të larta në hierarkinë e sundimtarëve të sotëm.

Jemi i vetmi vend i Europës Lindore që nuk i kemi hapur dosjet. Jemi me shumë vonesë, por një fjalë e urtë thotë: “Më mirë vonë, se kurrë!” Mos u mundoni të kopjoni modelin gjerman. çek apo të ndonjë vendi tjetër pasi asnjë prej atyre vendeve nuk mund te krahasohet me krimet e kryera ne Shqipëri. Shqipëria ka një specifikë të veçantë në lidhje me vendet e tjera të lindjes. Ajo ishte vendi që pësoi genocidin më të egër në krahasim me vendet e tjera.

Por a do të happen me të vërtetë dosjet? Personalisht mendoj se kjo është një lodër politike e sundimtarëve të sotëm të shtetit shqiptar.

Ndaj nuk duhet të harrojmë. Nuk duhet të harrojmë të rënët tanë por nuk duhet të harrojmë edhe ata që i vranë. Nuk duhet të harrojmë të burgosurit tanë por nuk duhet të harrojmë edhe ata që i burgosën. Nuk duhet të harrojmë të internuarit tanë por nuk duhet të harrojmë edhe ata që i internuan.

Këto nuk duhen harruar!

*Kumtesë mbajtur në konferencën përkujtimore me rastin e 70 vjetorit të pushkatimit të martirëve  të të ashtuauajturit “Grupi sabotator i kënetës së Maliqit”

 

Filed Under: Politike Tagged With: ISH URDHERVRASËSIT TANË, JANË NË KRYE, reshat kripa

Kurajoja civile

November 13, 2016 by dgreca

Nga Reshat  Kripa/

Kurajoja civile është një nga  vetitë më të çmuara të njeriut modern. Shembulli më i mirë në këtë drejtim janë zgjedhjet e fundit për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë fushatës elektorale të dy palët nuk lanë më bateri pa zbrazur mbi kundërshtarin e  tyre por, kur çdo gjë përfundoi, të dy i dhanë dorën njeri-tjetrit. Kjo është Amerika demokratike. Kjo është demokracia e vërtetë. Kjo është kurajoja civile.

Po Shqipëria?  Shqipëria është shumë larg këtij nocioni të demokracisë. Deri më sot në vendin tonë nuk është ndjerë zëri i kurajos civile për të hedhur poshtë të keqen e madhe të së kaluarës, për të kërkuar ndjesë për këtë të kaluar dhe për të ecur përpara drejt së ardhmes. Ky zë nuk është ndjerë nga asnjë politikan, nga asnjë qeveritar, nga asnjë intelektual i shquar. Jemi i vetmi vend i botës ku kjo ndjenjë mungon. Megjithëse e kam thënë edhe herë të tjera por do ta përsëris deri sa ky zë të dëgjohet. Papa Gjon Pali i Dytë kërkoi falje për krimet e kryera nga kisha katolike gjatë mesjetës. Kancelaria Merkel kërkoi falje për krimet e kryera nga nazizmi gjatë luftës së dytë botërore.  Së fundi qytetari gjerman kërkoi falje për krimet e kryera nga i ati në masakrën e Borovës. Atëherë përse në Shqipëri, ku genocidi komunist ka qenë më i egri se kudo, nuk ndihet një zë i tillë?

Më së fundi ky zë u ndie. U ndie, madje në shkallën më të lartë të shtetit shqiptar, në Presidencën e vendit. Presidenti i Republikës kërkoi fal;je për krimet e kryera nga regjimi komunist. Faleminderit, i nderuar zoti President!  Faleminderit nga të gjithë të përvuajturit nga ai regjim gjakatar! Xhesti juaj ishte shprehje e kurajos civile që ju karakterizon. Këtë e keni treguar edhe në raste të tjera. E keni treguar edhe kur për të parën herë një udhëheqës shteti shqiptar vizitonte vendin e vuajtjes dhe krimeve të kryera nga regjimi totalitar, kampin famëkeq të Spaçit. E keni treguar me dekorimin nga ana e juaj të shumë ngjarjeve dhe individëve të dalluar në luftën kumdër tiranisë komuniste. Për të gjitha këto ju falënderojmë!

Shumë zëra korbash u ngritën kundër jush për këtë qëndrim dinjitoz tuajin. Klithmat e hienave të zeza pushtuan faqet e medias së shkruar dhe asaj vizive, mbuluan ekranet e ndryshme të televizioneve, por ju vazhduat në rrugën tuaj, në rrugën e arsyes dhe të nderit, në rrugën e kurajos civile.

Do të kisha dashur që rrugën tuaj ta kishin ndjekur edhe të tjerë. Kanë kaluar 26 vjet  nga përmbysja e madhe. Komunizmi perëndoi dhe nuk mundet më kurrë të kthehet në trojet tona. Por ai, siç thotë një fjalë e urtë, ka lënë litarin përjashta dhe ky litar është mentaliteti komunist i gjykimit të çështjeve. A do të munden shqiptarët të shkëputen nga ky mentalitet? A do të munden politikanët dhe shtetarët e të gjitha ngjyrave të kërkojnë falje për veprimet e tyre apo të sistemit të kaluar? A do të munden shkrimtarët, regjizorët, aktorët piktorët, skulptorët, skenaristët, libretistët, të kërkojnë falje për veprat e tyre që ngrinin në qiell sistemin mizor? A do të kenë kurajo civile ta bëjnë një gjë të tillë? Këto pyetje presin një përgjigje.

Mua më duket, në kushtet në të cilat po kalon shoqëria shqiptare, se një gjë e tillë është tepër e vështirë. Tepër e vështirë pasi nuk e lënë zërat e korbave të përmendur më sipër. Janë këto zëra që i shohim përditë në stacione të ndryshme televizive të shfaqin filmat diskriminues të periudhës së komunizmit. I shohim nëpër faqet e shtypit të përditshëm ku përshkruhen me nostalgji faqe nga ”veprat” e kriminelëve të përmbysur. I shohim në reklamat që u bëhen individëve të ndryshëm duke i paraqitur ata si dishepuj të diskriminimit komunist. I shohim disa ekzemplarë, ish përfaqësues të sistemit të kaluar, të gllabërojnë majat e disa shoqatave apo të të ashtuquajturave “Shoqëri Civile’ dhe janë pikërisht këto monstra që mbulojnë edhe faqet e ekraneve televizive.                                                                                          Një gjë e tillë nuk ndodh në vendet e tjera të Europës Lindore. Një miku im më tregonte se në Gjermani nuk studiohej fare historia e Hitlerit deri në vitet 80-të dhe kjo bëhej që populli gjerman ta harronte krejt atë periudhë. Atëherë përse të mos zbatohet edhe në vendin tonë një praktikë e tillë? Personalisht jam i mendimit se gjëra të tilla nuk e nderojnë vendin tonë, se gjëra të tilla e mbajnë larg mentalitetit demokratik të vendeve të tjera.

Ç‘duhet bërë atëherë? Një gjë të tillë do ta rregullojë vetëm koha. Shqipëria do të bëhet demokratike vetëm atëherë kur në krye të dalin bijtë e atyre prindërve që kanë lindur pas vitit 1990. Për këtë duhet të presim të paktën edhe një gjysmë shekulli. Por vitet rrjedhin si lumi dhe ajo ditë do të vijë pamvarësisht se ne nuk do të jemi më. Le ta gëzojnë brezat e ardhshëm!

Filed Under: Opinion Tagged With: Korajoja civile, reshat kripa

Klithmat e hienave bolshevike

October 27, 2016 by dgreca

1-reshat-kripaNga Reshat Kripa/*

Ditët e fundit, si në një kor te dirixhuar nga hienat e zeza te sistemit të përmbysur, kanë mbushur faqet e mediave të shkruara dhe atyre vizive klithma ogurzeza te leshuara nga pinjollet bastarde të tyre., ca te ashtuquajtur historianë fatkeq që nuk e dinë as ku e kanë kokën e tyre, ca pseudo veteranë që në kohën e luftës së dytë botërore nuk kishin mbushur as 10 vjeç,  madje edhe disa të ashtuquajtur të përndjekur politikë që ndodhen në poste drejtuese të disa partive dhe që kanë qenë dënuar për motive të ulta ordinere, siç janë përdhunimi i familjarëve të tyre apo vjedhja dhe që regjimi për t’i dënuar më tepër u shtoi edhe nga një akuzë politike si “tentativë arratisje ‘ apo “agjitacion dhe propagansë” dhe sot, në këtë mish-mash që ekziston në vendin tonë dalin si përfaqësues të të përndjekurve të vërtetë politikë.Kjo është, për fat të keq, Shqipëria jonë e soitme. Shqipëria që nuk e dënoi si duhet kolerën komuniste, nuk dënoi kjriminelët që e mbajtën gjallë atë sistem. Ja si është shprehur Zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek, në seancën e miratimit të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës:

Nuk   ka   asnjë vend ku   komunizmi ka ardhur  në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.

Ndaj kot lehin zagarët e rrugëve pasi dhëmbët e tyre nuk mund të  kafshojnë  më. Koha  e tyre perëndoi qysh në dhjetorin e 90-s dhe bashkë me të edhe ideologjia e tyre totalitare. Sot është koha e së vërtetës dhe këtë nuk mund ta mbulojnë klithmat e tyre ogurzeza.

Lidhur me sa më sipër ditët e fundit kambana e dështakëve  filloi të çirret dhe këlthasë duke “protestuar‘ për një dekret të Presidentit të Republikës, të nderuarit Bujar Nishani, me anën e të cilit dekoronte me urdhërin “Martir i Demokracicë“ 82 viktima të nderuara të rrethit të Lushnjes, të masakruara më 21 tetor 1943 nga krimineli komunist Mehmet Shehu dhe bandat e tija terroriste. Atë dekorim Presidenti e bëri në bazë të një kërkese të bërë nga Shoqata Antikomunste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë dhe jo me urdhër të Partisë Demokratike siç shkruajnë “shakaxhinjtë e përparimit“ siç i quante Noli pjellat e këtij lloji. Madje do të thoja që Partia Demokratike u tregua e pakujdesëshme që nuk dërgoi një përfaqësues nga qendra për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Ajo nuk u zhvillua në heshtje dhe fshehurazi se këto nuk janë metodat tona por tuajat dhe sistemit tuaj. Ceremonia u zhvillua ditën me diell, ne lapidarin madheshtor ngritur ne qender të Divjakës ku ndodhi ky krim dhe kumtesat u mbajtën në sallën e Shtëpisë së Kulturës të mbushur plot e përplot.

Ndaj heshtni! Martirët tanë janë gjallë pasi gjallë janë edhe parimet për të cilat ata ranë. Sepse sikurse shkruan poeti:

Kush ban dekën për atdhe,

                                                Ai s’ka dekun, por ka le!

                                                                *Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës/

Filed Under: Opinion Tagged With: e hienave bolshevike, Klithmat, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 31
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT