• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PSALM

February 3, 2014 by dgreca

 (Për shëlbimin hyjnor)        

Nga Rexhep Kasumaj/ Berlin/

O Zot’ynë që je në qiell, na mëshiro e ruaj nga,

Tirania (e çdolloji)

Padrejtësia

Milicia e

Neo-shkinia dhe,

Njësoj, nga,

Mjerimi (shpirtthyes a jetëmarrës)

Mbidurimi (poshtërues)

Verbimi e

Dorëzimi,

Mandej nga,

Kuvendarët (në rehatinë e tyre sfiduese)

Pajtimtarët

Serbofalësit a

Ultraklanësit (e të gjithë ngjyrave)

Papagallësit e

Sojdalësit dhe,

Gjithnjë nga,

Paqësoristë e

Belicistë dhe,

Prore me shpresë nga,

Çlirimtarë a

Shpëtimtarë

Komandarë e,

Gjeneralë (pa beteja)

Rrogëtarë

Vizionarë e të

Marrë dhe,

Pastaj nga,

Veteranët (e robnisë)

Rishtarët, sikundër nga,

Martirët (e motit të ri, me emblemën vezulluese të korrupsionit)

Tinzarët

Ziliqarët dhe,

Sa druajmë shumë, shumë nga,

Udbistë (të sinqertë), a hiç më pak nga,

Sigurimsa (parashtetërorë)

Kombëtaristë

Jugosllavistë (në pritje) e,

Sllobodanistë (t’fshehtë e të hapur n’për shkolla nate)

Protoenveristë

Majtistë e

Djathtistë (të posavluar të kapitalit egërshan),

Por dhe nga,

Mondialistë (shfytyrak)

Konservativistë

Idealistë (të molisur)

Moralizantë e,

Arrivistë (të molepsur)

Na mbro o Zot nga,

Mburracakët (e mejhaneve)

Tredhakët e

Hiperprodhuesit apo

Hiçbërësit

Kumtarët e

Thashethemtarët dhe

Veçanërisht nga,

Përbetues apo

Denoncues (të rremë)

Kolaboratorë

Hetues (vullnetarë)

Qefinpunues e nga,

Fatpajtues (bestytnorë) porse,

Njëkohësisht nga,

Servilosës a

Flirtuesë (vangoshë)

Sherbëtorë e

Mallkuesë (të vjetër)

Pseudovajtuesë

Gazmorë (cinikë) dhe,

Si të rënda supesh, na ruaj nga,

Hordhia

Zogoria

Lukunia e,

Bashkë me to, nga

Naciokratët (e shtirosur)

Vulgokratët,

Mullokratët e

Mafiokratët dhe,

Në fqinjërim të tyre, nga

Demon-kracia

Gëzofndërresa (sipas motesh)

Vetëshëmtimi e,

Harbimi (kopeist)

Mërgimi dhe,

Përherë nga,

Kuazi-europianët

Diplomatët (e dëgjueshëm nga kooperativa fisnore politike)

Filoaziatët e

Megalomanjakët (e shtuar),

Sikurse dhe nga rrëzoma e,

Papunësisë (së pafaj)

Apatisë

Varfërisë (kronike) e,

Rrjedhimisht nga,

Pritmëria (kotnare)

Mërzia

Bezdia e

Blasfemia dhe,

Gjithësesi na ruaj nga,

Ajatollahët (mbikëqyrës)

Tempullarët e

Idhujtarët, po,

Dhimbsurisht nga,

Predikuesit (e mefistos)

Neostambollitët

Konvertitët dhe,

Padyshim, nga syri i keq i,

Fanatistëve

Vehabistëve (të disiplinuar) e,

Jezuitistëve dhe,

Pse jo, nga

Lideristët (e shumëzuar)

Tenderistët

Opinionistët apo nga,

Solidaristët (fjalamanë)

Fetishistët

Idolatristët dhe

Nihilistët (e mërzitshëm)

E poashtu, nga

Rektorë (të partishëm)

Profesorë (tek ndihin politikën për të ndrydhur kulturën e revoltës),

Studentë (oborrtarë)

Doktorë (etikëprishur)

Mentorë e,

Ndrymë me ta dhe nga

Injoranca apo

Dijeblerja (industriale)

Polpotizmi e,

Plagiatizmi (i konsoliduar)

Miopizmi dhe,

Na çliro, o Madhni, nga,

Mesianizmi

Snobizmi (kolektiv) e,

Nepotizmi dhe,

Njëherësh nga,

Xyfëria (gati identitare)

Shpifëria

Qenëria e,

Skuthëria dhe,

Pokështu na parzmo atërisht nga,

Kanunëria,

Gjakësia (vëllashojtëse) e,

Ngujimsia dhe,

Aq dashunisht, nga

Mujshia (brutale)

Paligjësia e

Përunjësia

Por edhe nga,

Spiritualiteti (që s’qaset dot njëherë)

Gjenialiteti (i afishuar vetë kudo në shtylla udhësh, mure e porta) e,

Mediokriteti (lumturak)

Arroganca apo

E parasë xanxa

Ruana, ruana fort nga,

Provincializmat a,

Krahinarizmat

Purizmat (e kulluar)

Egoizmat e

Kosmopolitizmat (e falsuar)

Sigurisht dhe nga,

Radikalët (pa krahë)

Vandalët

Imoralët a

Çakallët (e ndërkryer)

Na dil krah dhe përballë,

Skribomanëve

Piromanëve apo dhe,

Kleptomanëve (serikë)

Kurvomanëve

Manenutave (të braktisura) e,

Skutave

Kërkojmë përulshëm mbrojtje nga,

Ankestarët a

Suflertarët

Pendestarët (e vonë)

Hënëmarrokët e

Atllarët (e paçertifikuar të Kombit)

Prijatarët dhe,

Natyrisht, nga,

Laraskat a

Korbat

Fakirët (hatërmbetur)

Sorrëshkinat e,

Sokëllimat

Të ligj e të shumtë janë dhe,

Vetëurrejtësit

Smirëzinjtë e

Qejfprishësit (zelltarë)

Kodoshët (neveritës)

Përnxirësit apo

Laryshirësit

Na ruaj nga ata, sikur poaq nga,

Iskariotët (kujdestarë)

Poliglotët

Konkubinët, e nga

Gjahtarët (e zejes a karrierës)

Lepurushët

Strucët e

Llaskucët

Mirëpo dhe nga,

Titajt (e vranshëm)

Titujt (e huazuar e t’stërgjatë në kierarkisë lodhëse)

Suporet e

Llogoret (e lavdisë)

E gjithmonë nga,

Ngutësit

Tutësit

Kukuvajësit e,

Sidomos nga,

Sheshet (vocërrane, sa vocërrane për bustet e shumtë!)

Përleshjet e

Përqeshjet dhe,

Prapë nga,

Gënjeshtarët (mashtrues)

Lajkatarët e

Vrastarët dhe,

Mos na lër kurrë nën krusmën e,

Sodomistëve

Vetëshkërdhyesëve a

Edipistëve dhe,

Tevona na ruaj se plasëm nga,

Retorët (bajatë)

Dredhorët e

Pështymorët, dhe

Nga terri i,

Ksenofilëve (të sprovuar)

Kriptopedofilëve

Kopilëve dhe,

Gjithaq i,

Përdhosjes

Pështirosjes a

Munxosjes

Dhe, sërish, nga,

Deliri (i përsosmërisë)

Luciditeti (kaq i rrallë)

Misionarizmi e

Heroizmi (pagan) dhe

Përgjërohemi për rojë nga,

Fatthënësit (ndikimorë)

Kundërthënësit

Keqthënësit

Mosthënësit (e përjetshëm)

Nder – humbësit dhe,

Nder – shkelësit!..

 

Të gjithë, apo pothuajse çdo popull, racë fe e gjuhë, vuajnë vrajë të tilla apo të ngjashme: cene, vese e ligësi, por, ndryshe nga ata, për shqiptarët, me sa duket, krijuesi s’ kishte kursyer dorën. Ndaj i lutemi Hyut të na mbrojë, jo nga prania (“Njeriu është krijuar i dobët”) e pashmangshme, por nga tepria e tyre.

Amin!

R. Kasumaj

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Psalm, Rexhep Kasumaj

SEDËRHOLLA E HISTORISË

January 10, 2014 by dgreca

(Prizreni që s’pret/

Shkruan: Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

1.

Një qytet i lashtë ka sedër të hollë. Prekja e saj mallkon. Veçanërisht e rëndë është nëma kur mbi fytyrën e tij ka përftuar shumë lot, gjak e dhimbje njerëzore. Prizreni është njëri prej tyre, qytet i ndjeshmërisë, krenisë e kujtesës   historike. Dhe ai gatitet sërish, si kryehershëm, të presë e ndijojë krerë të epërm shqiptarë. Por, konformohet vallë plotësisht caksynimi i këtyre që vijnë tani (anëtarë qeverish të të dy vëndeve), në madhështinë e historisë që ky qytet e ka për zemër? Apo do mbetet stoli e simbolikës së tij?

Dikur, aty patën zbritur misionarë kombi nga e gjithë hartografia etnike, për të përskajuar mëvehtësinë unike të tokave të Arbërit, ndërkohë që tani pararendësit e tyre latojnë një bashkëpunim mes dy shtetesh (njërit sovran, po të këputur nga bijtë e vet dhe një tjetri të gjysmëndaluar e brejtur nga çdo anë) në hapsinë ende të coptuar nacionale. Është mot tjetër, njëmend, por megjithatë një paralele shpaloset idhshëm mbi rrethnajën dhe protagonistët e saj. Ata kishin sakrificën – kurse këta veç përfitimet, ata kishin çiltërinë dëshmidhënëse – e këta kanë meskinërinë fuqimarrëse, mandej, ndërsa ata shkrinin pasurinë për idealet –  këta shkrijnë idealet e shkërmoqura për pasurinë përrallore, ata jepnin vizion e shpresë – këta ravijëzojnë ëndërr e të ardhme, ata, tutje, nuk agjitonin askurrë fetë – këta, fatmjerisht, i shpërdorin për resurse pushtetare, po, në fakt, religjioni i tyre i vërtetë është religjioni i arrogancës bestiale të parasë, ata, së mbrami, nuk kishin vokacionin negativ të krahinarizmit provincial – e këta janë, përfundimisht, flamurtarë të paemancipuar të feudëve të tyre politikë.

Rrjedhimisht, ka pësuar mort klinik vetë ideja e lirisë. Dekadenca e saj gërryen e gropos themelet e qenies nacionale. Shteti e kultura janë antagonistë. Kur shteti, e pra dhe fuqia  militare, shtohet, aherë zvetnohet kultura e tij. Ndaj, gjemanët janë mërzitur me shpirtin, sepse shteti gllabëron gjithçka të bukur shpirtërore. A ka libra të mirë në Gjermani? Po, Bizmarku, u thoshte Niçe me qesëndi miqëve të penës jashtë Atdheut! Poashtu dhe ndërsjelltas, kur kultura flakëron, shteti tashmë është i tërhequr në bedenat e vet modest. Kështu mendonte ai, por me sa duket, ka dhe një gjëndje të midisme, si në truallin verior të shqiptarëve: kur të dy bashkë, shteti e kultura, katandisen keq!

2.

Natyrisht, konteksti ka konstelacion e shenjëzim të rinuar. Po dhe trashëgimi të vjetër, poashtu. Shqiptarët, vegjëlia e tyre, kanë bërë tutje ndër vite. Kanë zhvilluar prapë luftëra dhe kanë kapur kurora triumfesh. Por, ndonëse lëvizën më shumë drejt interesit jetik shqiptar në fundshekull, janë gjithnjë sallonet e errëta të rezonit shtetëror, që, tash si atëherë, bëjnë të jetë akoma e trishtuar ëndrra e Burrave të shquar të Lidhjes.

A do arrijë, prandaj, ky samit i lartë guvernash të vete përtej shakullimës zhurmore të tij (Fondi i Luginës, që për dallim nga ai serbian për veriun, e ka të pasigurtë legjitimimin ndërkombëtar, pastaj Arsimi, komplementariteti ekonomik…) apo, s’do të begatojë veçse simbolikën e qytetit kujtestar? Për të pasur një paravlerësim, duhet parë se ç’objektiv është vënë përpara në këtë fillimmijëveçar të ri! Bëhet me dije se aty, në përmbyllje, do të dokumentohet një partneritet strategjik mes dy landesh shqiptare. Rëndësore, pa dyshim. Po a ngjan, ndërkaq, i denjë ky fill për ti dhënë atij përmasën e veçanësisë? Pak vështirë! Pse? Sepse strategjike janë cilësuar, pokështu, dhe raportet me shtetet e turkut e grekut. Madje, me tension emfatik e besim ardhmërie. Ku do të qëndronte, që këtej, përveç përbashkësisë plenare, e ndryshmja e relatave strategjike me Kosovën? Do të donim që prapa termit formal të diplomacisë mbarëshqiptare, të drunjtë e ngurruese, të ngjizet një marrëdhënie speciale si embrion vlere paralajmëtare. Porse, i mësuar me zhgënjimet e të vetëve dhe përbetimet e të huajve, Prizreni s’pret shumë. Ndoshta pritja e tij i përket një kohe tjetër. Një kohe që vjen. Me flijim e heronjë të rinj.

 

R.Kasumaj, Berlin, janar 2014

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Histori, Rexhep Kasumaj, sederholla

RANË KËTO DOSJE E U PAMË

January 5, 2014 by dgreca

Cinizmi i fitores së humbësit/

Nga Rexhep Kasumaj/ Berlin/

1./

Ai  merr ashensorin i këndellur në këtë fillimjavë të pranverës ringjallëse dhe niset lirshëm drejt zyrës së tij. Hap derën dhe gatitet me një buzëqeshje të çiltër të përfalet kolegun e ri. Por befas shtanget. Nuk mund tu besonte syve. Përballë, me kundrim nga dritarja, qëndronte një i njohur i vjetër.

Nga koha e virgjër e fëminisë?

Nga vitet çapkenërore të studimeve?

Jo, jo!

Kujtesa e kthente rrufeshëm në një tjetër periudhë të jetës së tij: në motet e trishtuara burgëtare. Po përse ky shqetësim? Ja, një bashkëvuajtës me të cilin do evokonin stuhitë e ikura. Thënia e një urtaku lashtësie se është dëshpëruese të evokosh kohët e gëzuara në mjerësi, tani merrte kuptimin peshëplotë, pikërisht pse, ndoshta, ngjante e kundërta: do kujtonin kohët e liga në fatlumësi! Madje, për më tepër, ndryshe nga të bugosurit ordinarë apo mundimtarët e tjerë të jetës, këta kishin dhe një shtysë djellandritëse më shumë: shihnin të sendërtuar ëndrrën e tyre sublime.

Por çfarë ndodhi?

Përse ky nuk arriti për disa çaste që zgjatën një përjetësi, të frymonte për të thënë dhe një gjysmëfjale? Një pyetje idhtane si re shiu që errëson gjithçka përpara, i erdhi vetimthi e nuk ikte dot: Si ishte e mundur? Ishin po ata sy picërrues që zhbironin urrejtshëm e po ato duar që ruanin ende tizgën e gjakut. Megjithatë, mblodhi veten dhe shqiptoi përshëndetjen mirëmjesore me një zë të mekur e vështrim gati të rrëzuar përdhè. Iu bë se dëgjonte sërish fyerjet e goditjet më mizore dhe psherëtimat e britmat më pikëllimore. Tani, me një lehtësi të padurueshme, bëri rindarjen e roleve dramatike: ky e miqtë e tij të idealit qëndronin këndej, në një anë – në anën e dhimbjes e poshtërimit, kurse tjetri që tani rrinte ulur aty me një qetësi të habitshme përhihur njëj nënqeshje qesëndisëse, gati sfiduese, ishte andej, në anën e shkaktarit të dhimbjes – në anën e ofenduesit të ultë dhe torturantit të pashpirt. Dhe, si dredhë ere që përplas çdogjë, nuk tretej assesi pyetja shungulluese: Si ishte e mundur? Si ishte e mundur që tani, në një kohë të dytë, të ishin sërish të pabarabartë? Ky kishte lirinë për të cilën flijoj njomësinë e djalërisë, po dhe tjetri do të bënte herët një flijim, veçse, për ironi, në kah të kundërt: përdhoste shtegun e po kësaj të shkrete liri, që tash e gëzonte, në altarin e interesit të huaj. Ky kishte, tutje, epërsinë morale, por tjetri kishte armën tjetër që nuk i vjetërohej kurrë, cinizmin triumfues: aq ia bënte atij për etosin, ndërgjegjen dhe pendesën njerëzore!

Ndërsa bluante përfundimin e tillë, i ulur dhe ky pranë skrivanisë, diçka do thyhej e shmagjepsej, për të gurëzuar një zhgënjim të thellë brënda qenies së tij: ishte ideja tragjike se kjo s’ishte piktura e lirisë, por hirnosja e saj. Kurse  ai tjetri, mentori dhe ekzekutori i rrëzomës së kazamateve e të popullit  të ndaluar, që kishte nisur, ndërkaq, të dërdëlliste për punën – i dukej tmerrsisht i fituar!

2.

Kjo traumë i do ti ndodhte një të burgosuri politik, në beharin e shkuar, në një nga institucionet e rëndësishme politike të Kosovës së lirë. Dhe unë do endja atë në këto radhë, i frymëzuar nga paralajmërimi belgradas, si detyrim Europe, për të hapur dosjetë e Udb-së famkeqe që pat nxirë jetën shqiptare, aherë dhe pështjellon shpirtërat e saj, sot.

Dhe le të hapen, më në fund, o Zot!

Le të shohim, ditën për diell, cilët kjenë zyrtarë rrogtarë, e cilët bashkëpunëtorë të fshehtë!?

Mandej: Cilët ishin vullnetarë të zellshëm shërbimi dhe cilët sish rekrutë të zorit: pra, të dhunës e varfërisë!?

Tutje poashtu: Cilët i përkisnin rangut të ulët dhe cilët patën përbetuar në rrathët e sipërm të kierarkisë!?

Pastaj: Cilët janë përshpëritur a nofkuar, po, mbase, nuk paskëshin qenë të tillë!?

Dhe akoma: Cilët naltçmoheshin si burra të ndershëm kombi, madje duke ngjitur dhe karrierë me këtë profil publik, dhe nuk kjenë të këtij soji, por, përkundrazi, sigurimsa sekretë!?

Mëtej prapë: Cilët kishin autorizime vocërrane lajmdhënëse, e cilët ishin misionarë realizimesh “madhore”, nga ngujimi i lirisë e deri tek privacioni i jetës!?

Tutje: Frekuentonin vetëm këtë agjenturë apo, në multifunksione, dhe të tjera?

Dhe së fundmi: Cilët janë shuar dhe ç’bëjnë të gjallët? Kanë lënë zejen apo ushtrojnë ende pasionshëm e aktivisht atë dhe ku? Në ç’instancë e me ç’objektiv?

3.

Nëse, prandaj, nga Belgradi nuk vjen një mashtrim i ri çorientimor dhe, njëkohësisht, nëse shqiptarët, kthjelluar  kulture shtetërore e jashtë komleksesh provinciale, ndërtojnë një konsens nacional për të diferencuar kristalisht të mirën dhe të keqen – aherë Republika ende e brishtë, duhet të bënte lustrifikimin e kësaj  mbeturinë të neveritshme e, poaq, gjakmpikëse në trupin e saj.

Por dhe nëse eprorë të kastës politike nuk reflektojnë, prirë nga pragmatizmi votëprurës apo solidarësia natyrale e racës me ta, së paku ne vdektarët e pashibluar ti njohim bëmat dhe fytyrat e tyre. Dhe, duke i njohur, të mos i njatjetojmë respektshëm në udhë e sheshe të pafajshme. E, së mbrami, me një ofshamë klasike të themi çlirueshëm: ranë këto dosje e u pamë!

R.Kasumaj / janar 2014

Filed Under: Featured Tagged With: e u pame, Rane keto Dosje, Rexhep Kasumaj

NEGATIVIZMI I FUQISË VETMITARE!

December 27, 2013 by dgreca

“Në varrezën e iluzioneve të botës le të gatitet një pllakë përkujtimore për ëndrrën dhe sprovën e shuar të Shteteve të Bashkuara të Europës”./

Shkruan:Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

1 Boris Johnson-i, prefekt i Londrës, ëndërron të ribëj lavdinë. Parathotë se britët e tij, në pak vite e dhjetëvjeçarë, do të bëhen një e tillë mbifuqi demografike, e rrjedhimisht, politike, që kryeqyteti i tyre ta kalojë Nju-Jorkun, kurse Britania e tërë, ta lë pas – Gjermaninë!  Mirëpo ky nuk është i pari e, as do jetë i fundmi vegim për shtegëtim vetmitar. Kombet e Europës, ndonëse të nyjëtuar në një traktat të çlirët, akoma endin, ndaras e nënujshëm, fije të madhështisë: për të shtuar popullsinë a rinovuar armët dhe për të sofistikuar intrigat a për të ekspanduar influencat e tyre. Asgjë e huaj për natyrën klasike të shteteve, sikur individualizmi negativ që ruan rudimente rivalitetesh të vjetra, të mos binte ndesh me fizionominë dhe aspiratën komunitare.

Prej nga rivjen ky ngazëllim për shtetin kombëtar? Këtë pyetje reflektuese bënte një gazetë gjermane, duke nënvizuar se vetëm në faqen e 156 të Kontratës koalicioniste, gjendet fjalia e kursyer se “Bashkimi i Europës është detyra më e rëndësishme e Gjermanisë”! Pse kaq poshtë e kaq shkurt? Ndjesia e zhgënjimit a lodhjes sikur sëmbon të gjithë. Një palë kalojnë krizë dhe, në kulmet e saj, sikur pëshpërisin se pa kupolën e epërme dhe monedhën unike, do të rikuperoheshin shpejtësisht. Kurse një tjetër, për të cilët “kriza e mirë” është shndërruar në shans flatrimi prosperues, nuk duan të shpenzojnë mjete e fantazi për bllokun e “shpejtësisë së dytë”!  Dhe  ky është, me ç’duket, vetë mëkati i zanafillës (i fajshmi Maastricht): historia e qenja, kujtesa e shpirti dhe vatra e interesi, mbeten përjetë tipare prijëse, të pashkrifta e ekzistenciale.

E pra, 28 Kombe, 28 Guverna dhe poaq Armata, shenjojnë po të njëjtin objektiv: mirëqenjen, sigurinë dhe shkëlqimin e Europës. Porse leksioni i Ukrajinës (ndoshta pajtesa e ngutshme për datënisje negociatash me Sërbinë është një përpjekje kompensimi për këtë) që, e dorëzuar para shantazhit rus, i ktheu krahët turpshëm, dha kumtin që meriton ti bëhet një lexim historik. 28 pushtetet, ekonomitë dhe ushtritë e tyre, dëshmojnë shkathtësi mahnitëse për ndërkëmbëza të ndërsjella në mikroplanin e shtëpisë që zvoglohet ngaherë e vazhdimisht. Jashtë saj, ndërkaq, shumica syresh gjenden vështirë dhe në hartën e botës.

Pikërisht ky lloj dyzimi përjashtimor midis shteteve me politikat nacionale në lidhjen e tyre, akoma të brishtë dhe intencës qendërzuese të Brukselit, që  idealistët do deshnin ta shihnin të inkarnuar në sajesën federale të quajtur, shpesh, me mallëngjimin e t’pambërritshmes – Shtetet e bashkuara të Europës, është honi që greminos përjetshëm ripërtrirjen e  “perandorisë universale” atërore të Karlit të madh! Madje, më tej se kaq. Vullnetet dhe vizionet ngjajnë dëndur të pakonformueshëm dhe, ndonjëherë, të përballur pa shpresë. Një pol landesh ndërkallet emocionesh të turmës (ndjekur, jorrallë,  demagogjie të klasës politike) për të hyrë nën kulmin e Shtëpisë Europë, një tjetër, tutje, duke qenë tashmë nën strehën e saj, refuzon bjerrjen e ingerencave nacionale, kurse një i tretë, skeptik prore, kumton ndërdyshas një deklarim referendar për dalje prej saj. Të parit i përkasin ballkanësit e harruar ndër shekujt e gjatë, të dytit i prinë Vacllav Klausi i çekëve, që ka marrë mundin të krijojë një bosht solidarësie vëndesh që, të vogla siç janë, i trëmben majorizimit poshtërues dhe, të tretin fare, e përfaqësojnë britët e vetmuar me lojën e dyfishtë: përplasen me familjarë kontinentalë për formulën e bashkëjetesës, tek ndërkohë vjelin partneritetin natyral me Amerikën që bën gjthnjë ligjin ndërkombëtar. Ndërkaq, si tendencë e pamirë që përhihet kudo, madje dhe aty ku politika i bën apologjinë rituale, është ngritja mbi 50 përqind e ndjesisë qytetare joentuziaste për Europën e njësuar.

2.

Shkurorëzimi i ishullorëve, qoftë dhe si ide a shakullimë kalimtare, do t’kurajonte grupe dytësore politike që qyshmoti i bëjnë asaj gjyqin përfundimtar. Këtë  komocion ua jep atyre dhe gjeopolitika pozitive: janë larg zonave të përskajuara si tiranike, eruptive dhe antiperëndimore, e pra, rrezikprurëse për sigurinë e tyre.

Po a është krejt kjo e përligjur?

Koncepti i sigurisë, tashmë, ka ndërruar dhe ajo nuk cënohet vetëm së jashtmi, por poaq së brëndshmi nga tenja përbluese në vetë strukturën societare. Sidoqoftë, britët, si mesazhon plot vaktësi kryebashkiaku i metropolit të tyre (transmetuar nga “SZ”), planizojnë aventurën e vetmuar të fuqisë. Dhe, po tu besohet tumirësve të rrëmbyer, predispozitat nuk janë të papërfillshme. Trualli e tradita, kultura e gjuha e mbarëfolur, sikur premtojnë jetësimin e dalldisë. Por, njëkohësisht, dyshimtarët gjykimftohtë që pretendojnë realizmin, shprehen të kenë të drejtë dhe, sipas tyre, zhvillimet venë vështirshëm hullisë dëshirake. Përkundrazi: përvijimet dëshmojnë një prirje tjetër.

 

Si do arrihej a restaurohej ky rang madhnues?

 

Nga lindshmëria hovmarrëse e nënave angleze? Apo prej emigrantësh të ish-kolonive që sjellin me vete barqet pjellore të grave, varfërinë e injorancën lapidare – në një anë dhe – në anën tjetër, prej oligarkësh të kamur nga Rusia a vendet e Golfit, që pushtojnë zonat e bukura të qyteteve, duke shtyrë e zhvendosur vendësit dorëhollë të Mbretërisë së bashkuar? Recesioni ekonomik, braktisja e mundshme e Bashkimit Europian, pastaj lokomotiva e ardhësve të pandalshëm, zvetnimi i “Leit-kulturës” (çdo i dyti qytetar nuk e flet, tashmë, anglishten si gjuhë amtare) dhe mëvetësimi i mundshëm (pas 300 vitesh kaohabitimi) i Skocisë, bëjnë një piketë fundore që rrah ta thërmojë projekt-ëndrrën, për ta kthyer Anglinë  në një vend të vogël, margjinal dhe me shfytyrim të thellë identitar!

3.

Në fakt, pothuajse të gjithë vuajnë idhujtarinë e tillë vetanake dhe, njëherësh, limitet e liga gjakmpikëse. Kriza e diferencuar finansiare, dështimi i multikulturalitetit, e pra e kryevlerës së civilizimit demokratik, mandej, si një hije vrugtane, tymi i konfliktit midis, si thuhet, “kulturës së mirëseardhjes” dhe “populizmit të djathtë” shkaktuar nga ikanakët e hershëm apo arratiakët e vonë të skamjes (gjysma jovëndore e banorësisë së vetë kryeqendrës, 16 milionë gjermanët me prejardhje të huaj, karvani i pambarimtë i veriafrikanëve në Francë, tregtimi fitimprirës paradoksal i shtetësisë malteze) – janë pamje që drynojnë prapa vetes po atë brejcë largvajtëse. Po ato janë, poashtu, gurëprova që do të duhej ti këndellte ithtarët e idesë së skifterëve të vetëmjaftuar, për ti kthyer vrullshëm në frymën e ideatorëve të hershëm të përbashkësisë. Vegëzat që do të duhej ti mbanin europianët sedërhollë në njëshmërinë e tashme simbolike, apo ti çonin drejt një shtetërie federale – më shumë se glorifikimet egoiste, janë pellgjet e dikurshme të gjakut pa ngadhnjimtarë, vlerat e reja egalitare, pastaj droja nga teatri i vjetër armiqësive totale dhe, veçanërisht tani, nga gogolë të konsoliduar a të posashfaqur në arenën e madhe të botës.

Megjithatë, qasjet e afinitetet kolizive vrujojnë, ballas e dorëfshehtas, me shkallëzim e horizonte ndryshmërisht të largët: nga ata që janë frustruar pritmërish të papërmbushura dhe deri tek ata (rënja e euros do të shuante 200 mijë vënde pune në Gjermani) që eurozonën e përjetojnë si një mrekulli për aftësinë e tyre kompetitive dhe që kërkojnë klauzolë suspendimi për  “delikuentët” e zonës mesdhetare.

Nga kjo arsye i nxitur, një admirues i përkorë i bashkimit, Prof. Winkler (nga Universiteti Humboldt i Berlinit), përpiqej të gjente pikëqendrën e ekulibruar të përafrimit të tyre: pa ofenduar të mëdhenjtë dhe pa lënduar të vegjëlit e saj! I ndërgjegjshëm për sensibilitetet etnike, ai pledonte për një përbashkësi shtetesh postklasike, e kurrsesi shtetesh postnacionale, që do të thoshte – sa më shumë politika harmonike, por pa dorëzuar asnjëherë substancën e sovraniteteve kombëtare. Sado i matur e i baraspeshuar, ky përceptim sikur nuk joshte dot nihilistët e kryehershëm. Ndoshta balansimi artificial – është gropa e tij vetë. Mosdashësit refuzojnë një mbishtet përbindshor dhe, thjeshtë, nuk e besojnë ardhmërinë e tij. Dhe ata, nga ana e tyre, betohen në dashurinë për Europën. Veçse me një dashuri ndryshe. Çdokush të jetë zot në shtëpi të vet. Që në vitin e 1946 W. Churchill-i fliste për kombet e federuara të Europës, po natyrisht, pa Britaninë në radhët e tyre. Mbase anglezëve do tu voliste alternimi i principit të federalizmit me atë të subsidiaritetit (vetëpërgjegjësisë) dhe, që këtej, nëse ata hezitojnë, aherë përse frëngjët duhet të delegojnë pjesë të sovranitetit në supershtet? Pse, poashtu, gjermanët që, si shprehet filozofi Hermann Lübbe, ende kujtojnë trishtëm tundimin e De Golit për të coptuar edhe atë Gjermani të ngelur perëndimore sipas kartave të Napoleonit? Për bashkëkombësit e tij ai thotë se, në punë të një instance madhore shteti të legjitimuar të Europës, janë iluzionistë të përsosur dhe nga ky cen i ruajnë, faltlumnisht, vetëm fqinjët e mirë. Njëri prej tyre nga galeria e mohimtarëve, Henryk M. Broker-i, shtron diskursin se a mund të profilohet fare identiteti i njeriut europian? E vijon mëtej: a mund të ngrihet e mbijetojë një krijesë shtetesh të federuara pa këtë identitet? Vështirë, pohon ai dhe, pa rezervuar as gjasën teorike të së kundërtes, pyet sërish se a nuk provuan këtë marrëzi sovjetët, Pol-Potët zymtorë dhe e dëgjuara shkollë e Odenwaldit në Heppenheim? Dhe a nuk dështuan të gjithë me laboratorin e krijimit të njeriut të ri? Biles, ata patën rrethana më të pllenueshme e instrumente më efektive për këtë. Kishin tiranitë e ideologjitë dhunëtare për të tretur e mekur “njeriun e keq të vjetër”. Dyshimtar i pandreqshëm, Broker propozon, prandaj, që në varrezën e iluzioneve të botës të gatitet një pllakë përkujtimore për ëndrrën dhe sprovën e shuar të Shteteve të Bashkuara të Europës!

 

Kujt do i përkasë e ardhmja? Vetë Lübbe shfaq bindjen se e keqja po izolohet dhe e ardhmja nuk do jetë pronë e saj. Po, fundja, për ç’nëvojitet zindjellja? Dhe ç’fillesë tejpamësie ka koston më të lartë: caksynimi ngulmëtar apo paragjykimi negacionist? E kaluara ishte e mnershme. Forca dhe inteligjenca nuk ishin gjithherë bashkë. Kohët prodhonin zinxhirë e skllevër edhe për mëmëdheun e Brokerit, Poloninë e vajtueshme. Europianët ndajnë një truall, një kulturë e një fat dhe çdo projeksion mbifuqie kundër njërit, si ëndrra e vetmore e prefektit londinez, shndërrohet ligjshmërisht në strall përdjegës për të gjithë.

 

Ndaj, anipse duket një romantikë iluministe, Europa duhet të vijëzojë njëherë kufijtë – gjeografikë e vleftorë, e, mbi këtë definim të ri, të kultivojë jetikisht njësinë e kombeve dhe të ruajë paprekshmërisht emrin e saj: si gurrë e pashuar e dijes dhe djep i barazisë së jetës!

R. Kasumaj/ Berlin, dimër 2013

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Negativizmi i fuqise, Rexhep Kasumaj, vetmitare

KTHIMI I RI SËRBIAN

December 22, 2013 by dgreca

Një shteg gjithmonë i hapur/

Shkruan: Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

1.

Fjalë kritike ndaj guvernantëve të Kosovës dëgjojmë çdoditë nga mëndje të hapura e vënddashëse. Epo, jemi  shoqëri e lirë. Apo? Ndoshta! Por, për të gëzuar këtë epitet sublim mungon dhe diç fundore: sado të mprehta, të kthjellta e të sakta të jenë ankesë-akuzat, ato nuk i shkundin dot titajt lëkurëtrashë me ansamblin institucioneve  të sunduara dhe, për çudi, as elektorët indolentë e harrestarë. Mirëpo, mjerisht, hidhen poashtu vlerësime që dhe desperadosin më të thekur e shpërthyes do ta bënin të rimenduar e dyshimtar total: ndaj gjithçkajes e ndaj të gjithëve! Njeriu politik, i thjeshtë e vdektar, përfundimisht e ka tepër të vështirë zgjedhjen! Më rastisi të shihja këto ditë një shkrim, që nuk e di në  përfaqëson opinionin oficial, doktrinar të ndonjërës nga kooperativat e shumta politike. Me një gjuhë paksa klerikale, shpallej nëma: “Komandantët e hoteleve kanë kthyer pa kushte Sërbinë në Kosovë”.

Më herët, mbase nga i njëjti taborr, do të flitej shpesh se Sërbia është gjithnjë këtu dhe bën e drejton politikat sipër nesh. Aherë, po t’ketë qenë kështu, ç’kuptim ka tehu i oponencës se ajo është kthyer, kur s’kishte ikur fare?  Nga shkrimi i sipërcituar del se ajo kje shpërngulur njëherë dhe tani –  ç’ligësi – pa kushte paraprake e paskan kthyer prapë. Përpiqem ta mirëkuptoj orvatjen për një rezon shtetëror, kryeftohtë e racional. Por dhe këto radhë pretendojnë këtë. Nuk janë retorizëm apo ligështim emocional.

2.

Është kthyer, prandaj, Sërbia në Kosovë?

Po, po, thotë, por shih tani çudinë: komandantët e shkretë kanë bërë këtë prapësi pa asnjë kusht! Athua paskësh qenë e parathënë (traktate të fshehta, pëndesë euroatllantike, ndryshim i skemave gjeopolitike – si azhurimi i datënisjes së negociatave me Sërbinë për të kompensuar disfatën në Kijew), të rivinte doemosshëm ajo në Kosovë? Nuk e besoj aspak këtë. Por, me sa rrjedhon drejt e pa keqlexim, përgjigja e autores së nderuar është tragjikisht pohuese. Edhe ajo nuk i kundërqëndron trokut serbian, veçse pajtimin do ta jepte me ca kushte! Vallë, përmbushja e cilit kusht madhor, jetik a të shenjtë, do t’përligjte kthimin e saj?

Ndjesa? A do t’mjaftonte një përulje, qoftë dhe vilibrantjane për të hedhur ajo prapë pëlhurën e harresës dhe zinxhirët e zbukuruar mbi fytyrën e Kosovës?

Reparacione? Ç’para mund të blinte gjakun e derdhur shqiptar kundër bankave të tyre të vdekjes? Dhe për ç’para do vinte sërish qafën nën zgjedhë ky popull, që tashmë ka lindur e po rritë brezin e parë pa shfytyrimin e robnisë  dhe vetë idenë e tij?

Çuarja dorë nga viset veriore e establishmentit serbian? Veç arsyeve të ditura (qeverisja e pamirë, korrupsioni si alkimi, pakti me mafiokratë) që dobësojnë qëndrueshmërinë e Kosovës, a është dhe fuqia reale e saj e tillë që të mbaj peng konstelacionet ndërkombëtare? Aleatët strategjikë ia shkëputën Kosovën Sërbisë dhe tani kërkojnë bashkëpunësi e koncesione për t’ia shkëputur dhe Sërbinë Rusisë. Një Ukrajinë, a një Kubë e dytë, nuk do të lejohej në Ballkan!..

Apo është kushti i njohjes? Po dhe ky, në fakt, do t’ishte një contradictio in adiecto i kulluar, sepse si mund ta njihte Belgradi shtetin e ri e sovran dhe, njëkohësisht, të kthehej aty ku ishte, e si ishte, tash 100 vjet?

Por ja: një palë pa kushte fare, kurse kjo tjetra, anipse e kudocilësuar si kundërshtare konceptesh e morali të saj – me kushte, por gjithësesi do të pranonte (e, kushedi, mirëpriste) kthimin e Sërbisë në Kosovë! Dhe në esencë ky është boshti i higjienës kombëtare: të tjerat janë ngjyresa të hirta e trishtuese të gjëmës së saj.

R.Kasumaj, Berlin, dhjetor 2013

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: kthimi serbian, Rexhep Kasumaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT