• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ankthi i kohëve shqiptare

July 1, 2016 by dgreca

(Një revoltë e pashuar)/

Nga Rexhep Kasumaj/Berlin/

Megjithë emblemat e ndryshme ndër vite, kohët shqiptare i njëjtësonte prorë një tipar unik, si postament i shekujve të tyre.

Ishte njëherë turku zotnues me të drejtën e "gjatësisë së shpatës" dhe njeriu i nënshtruar shqiptar, i vogli, i numërti – kishte ankth për bukën, për "katil-fermanin" e andejdetit, për ditën e nesërme të fëmijëve që lindnin njëj Moti statik e obskur, t'pandrrueshëm e të vjetër sa vetë fillimi i botës…

Do t'vinin pastaj monarkistët në gjysmën e atdheut matanë kufijëve, por Indipendenca e varme herë nga Roma e herë nga Belgradi dhe, mbanë tjetër, feudokapitalizmi primitiv, prodhonin sërish atë t'vetmen shenjë të trishtuar: ikonën e përjetshme të ankth-ziut.

Në trojet e jashtme, ndërkaq, kje më keq akoma: shërbëtor tragjik i sllavëve të jugut, veriu i Arbërit vuante, si pat thënë përmbledhshëm Noli, doktrinën "treaktshe të shpronsimit, shpërnguljes e shfarosjes"…Rrjedhimisht ndaj, mbahej konstante gjëndja e ngrirë e ankthit se ç'do sillte muzgu, e a do çelte agu me varrezë masive në Kodrën e madhe…

Më vonë, kur Europa u dogj në flakët e Ariozofisë, do të hidhte rrënjë ideja, e fill pas saj, praktika e sistemuar komuniste. Nismërisht një alternativë altruiste në vëndet skamnore që duhej të ndante barazisht varfërinë, ajo, si keqkuptim historie a dështim njerëzie, do të përdhoste shpejt idealin e vet…Absurdi do prekte kulmin kur një simbol i marrëzisë, aziati i quajtur Pol Pot, për të zhdukur borgjezinë desh të bënte rrafsh me tokë qytetet e pafajshme. "Njeriu i ri", jo i Niçes, por i Josifit s'do kishte më trashëgimi biologjike e as rreth ndikues social…Do lindte vetëm si organizëm nul, të cilin Partia do ta kultivonte në agronom, punëtor a kopshtar…Në fakt, këtej në truallin shqiptar, do të shpallej me fuqi religjioni adhurimi i zjarrtë për bashkëkombësin e lodhur, por do vritej njeriu brenda tij, e s'mbetej veçse lëvozhga etnike, e rrudhur, e thatë dhe e mbështjellë hijes së ankthit si fat i parathënë gjenetik.

E Kosova, me vise rreth e rrotull, përveç tiranisë së dogmës, do t'përjetojë krusmën e kohës së dytë serbiane, që do të vente përtej sprovës apokaliptike të "njeriut të ri socialist". Inxhinieringu i saj kolonialist ishte shumë më i errtë e specifik: u rrek të krijonte një "homo-shqiptar" të veçantë. Të ostracizuar. Pa vullnet për lirinë dhe admirues të çuditshëm të robnisë së vet…Dhe ankthi kje, ashtu, sërish qendra e dhimbjes shqiptare…

Së fundmi, demokracia e ligjëruar në "shtetet e shumta shqiptare", e brohoritur si alkimi e lumnisë, nuk arriti ta çlirojë njeriun e tyre nga ankthi kujdestar, nga roja e mizore në shpirtin e tij. Krimi ordinar, tashmë me status të lirë qytetarie, cilësohet – një zotësi e kooperativës politike, kurse dorëvënja në pasurinë publike – një krenari e denjë ekzemplare…Në sferat e epërme, si ana hijesore e diellit, improvizohet pothuajse gjithëçka. Ndërsa të gjithë shkruajnë më shumë se ç'lexojnë, censura e dikurshme politike është pasuar nga një tjetër më pikëlluese: indiferenca ndaj librit të pluhnosur dhe zhvendosja e betejës intelektuale në rrjetët socialë ku, si ankohej Eco, flasin me kompetencë prej nobelisti injorantët më të pështirë…Për pasojë, prapë e gjithnjë, vrujon thershëm apotheoza e një cope buke, në avullin e së cilës (Remark në "Nata e Lisbonës"), ndryhet gjithë shpresa e botës dhe, njëkohësisht, tortura e heshtur e "vrimës së zezë interesante në dysheme", drejt së cilës vështrojnë të poshtëruar sytë e ulur të ankthit…

Filed Under: Analiza Tagged With: Ankthi i kohëve shqiptare, Berlin, Rexhep Kasumaj

IDEJA E VËSHTIRË E GURUS!

June 22, 2016 by dgreca

(Epope mbi martirët e rinj)/

Shkruan:REXHEP KASUMAJ, BERLIN/

1.  “Pesë minuta pas shuarjes së jetës, trupi njerëzor nis shformimin. Njëherë së brendshmi e, mandej, përshfaqet prishja jashtësore. Dhe fundi i tij, nuk është veçse fillim i një gostie të madhe për organizma të tjerë të uritur”.

Pikërisht kësisoj fillon “Kimia e vdekjes”. Në dukje e trishtme, por, thelbësisht, këtu nuk ka asgjë pesimiste. Shpirtthyese. Përkundrazi. Përvoja e prekshme e përkohësisë së jetës që jepet në tabllonë e sipërme të thrilerit nga Simon Beckett dhe ideja e transcendencës do të duhej, si thonë dhe librat e shenjtë, të paqësonin njeriun. Ta bënin më të dashur e të dhëmbshur, më të prajshëm e modest. Me të gjithë. Por ai, me gjasë, është i pandreqshëm. Indusi i çuditshëm Prahlad Jani tash 70 vjet jeton pa ngrënë asgjë. Merr, thotë, energji kozmike nga meditacioni dhe hyjnitë që e kishin kontaktuar kur ishte vetëm 8 vjeç.

Mirëpo, shëmbuj të tillë ngjajnë dëshpërues jo pse ky njeri, duke qenë në kufi të t'mbinatyrshmes, është i paimitueshëm, por pse, meditacioni i tij çlirues si armë e mbijetesës, nuk i qaset shpirtërave te vobektë politikë. Që këtej dhe rrjeshtat mendimthellë të autorit të “Kimisë …”, të lartë si yjet, nuk kapen dot nga thundrat e deleve (si do të thoshte Niçe). Ndaj, mneri i asgjësë dhe frika e ndëshkimit qiellor sikur nuk mjaftojnë për ta disiplinuar njeriun. Aq më pak për ta fisnikëruar atë. Mbase, një tjetër drojë e ndëshkim, toksor tashmë, i shkon më shumë natyrës së tij.

2.
Ndoshta ky do të ketë qenë kryemotivi inspirativ që Ramikshan Alipur Radavi, i njohur si Guru dhe mjeshtër i Jogas, të vendoste të përfshihej në garën e mëhershme zgjedhore për legjislaturën e Kuvendit federal të Indisë. Në vendin e tij i kishte dalë nami si konservativ e nacionalist dhe kjo, në të parë, nuk është se bën një lajm të veçantë.

E ndryshmja e nominimit të tij është filozofia elektorale dhe një premtim i vështirë. Janë, ndërkaq, interesante dy mesazhe që i japin veprimsisë së tij politike njëlloj idealizmi mesianist: i pari i drejtohet ndjekësve të tij, kurse i dyti – gjithë botës. Vetëm kur të kemi spastruar shpirtërat tanë, pohon ai me bindje gati fanatike, do të spastrohet demokracia e Indisë dhe, pastaj, një Indi e shpëtuar do të shpëtojë rruzullimin. Mirëpo i vetëdijshëm për pamjaftësinë e Jogas, ligjërimit mistik dhe praktikave spiritiste, si për të përplotësuar këtë, ai, në rast fitoreje, premton një ligj-rrufe të padëgjuar: ligjin për dënim me vdekje të autorëve të veprës korruptive!

3.
Anipse i ashpër e drakonik, fillimisht do të mrekullohesha me idenë-ligj të Gurus. Por, duke persiatur mbi përmasat e tejshtrira të korrupsionit në Kosovë, do ta humbja entusiazmin shpejt më pas. Thashë: lehtë e ka ai të dënojë me vdekje krimin e korrupsionit. Të korruptuar ka më pak ndër bashkëvendës (relatorët e huaj u rezervojnë përherë shqiptarëve një ndër vendet e para të nderit në këtë zejë) dhe India e tij është aq e paanë. Ndërkohë që në Kosovë ka një shpërpjestim krejt të kundërt: të shumtë, si krimbat, janë korruptantët e palodhshëm dhe i ngushtë, tepër i ngushtë është landi verior i shqiptarëve. Për pasojë, do të shfaqej një problem madhor: ata do iknin – por duke lënë pas, në formë varresh, nishanet e tyre të pështirosura. Të dëndura, të kudoshfaqura dhe monumentale, ato, varret e heronjëve tanë të korrupsionit, do të shtriheshin vrânshëm gjithandej Kosovës së vogël. Varret e rëndomta civile, madje edhe ato të dëshmorëve të kombit, do të pakoheshin e përbuzeshin ndanë varrezave gjigante të martirëve që janë fikur për të mbajtur sa më lartë pishtarin e bëmës historike të hajnisë popullore. Dhe, tutje, ndërsa ato të vdektarëve të thjeshtë do të rrafshoheshin gati të paemër, të mbuluar me bar e harresë – ato të të dënuarve prej gjahtarësh të pashpirt të ligjruajtësve e drejtësiprerësve europianë me “procese të montuara politike”, do të ndrinin me kurora lulesh përherë të freskëta, vënë plot dhimbje e politesë nga mehybët, të mëshiruarit dhe përfituesit e skemës bashkëhajnore.

E pra, ku do të merrnin shqiptarët e gjorë, si indusët në subkontinentin e tyre të pamatë, gjithë atë tokë, atë rezervat shtetëror për varrezat e titajve të idealit të ri? Për të gjallë, ata ua vodhën elektorëve të tyre bukën e fëmijëve, kurse me vdekjen pompoze do ua rrëmbenin, ashtu, hapsirën jetësore e s’do tu mbetej veçse braktisja dhe mohimi i atdheut…

Ndërkaq, nismërisht, do të rrjedhonte natyrshëm hapja e një diskursi, të madh e të lodhshëm, kombëtar për mënyrat e ekzekutimit të të dënuarëve të panumërt e ballhapur! Propozimet e “institucioneve indipendente”, shoqatave të bamirsisë, veteranëve të torturës, personaliteteve emblematikë, të specialistëve të dhimbjes shpirtërore e të tjera, do të ishin të ndryshme, të egra ose më të mëshirshme, por gjithsesi të habitshme e marramendëse: që nga teknikat moderne e deri te ato mesjetare me elefantë të shkujdesur (që duhet importuar enkas, si kosto shtesë e buxhetit të konsoliduar) apo peshq të uritur!..I gjithë spektakli (u muar vesh, po u miratuan dënimet mesjetare) do të ishte madhështor, madje me një hir të rëndshëm perandorak, si kompensim i vonë për shkëlqimin e munguar, por poaq dhe i pakollajtë për menaxhim, ngaqë do të duhej të dëshmonte efiçencë të lartë për të kapur ashtu kurorën e lavdisë së “shtetit shkurtabiq” (për të shmangur hatërmbetjet saktësojmë se të tilla cilsohen, rëndom, krijesat shtetërore ose me banorësi të paktë, ose me territor voglan ose me sovranitet të cunguar!), këtij veterani robnie që i zbardhi vonë dita në fushën e mëllenjave! Kremosja, nga ana tjetër, nuk do të ishte zgjidhje më komode. Tagri i saj do të ishte njësoj i rëndë: vendstacionimi i qendrave të tyre, shpenzimet e ndërtimit, mirëmbajtja e kujdesshme profesionale, të gjitha bashkë bëjnë një rëndesë aspak të lehtë në kushtet e stanjacionit zhvillimor dhe kufizimeve energjetike!.. Mandej, po të mungonte dhe filtrimi i stërholluar, shtjella e pluhnajës së ngritur nga kallja e çdoditshme (se e gjatë do ishte radha e tyre) do të ndotte ambientin dhe skandalizonte natyralistët, ata që merren oficialisht e të tjerë që janë adhurues të flaktë të natyrës së pafajshme.

Mandej do të pllakoste, e padurueshme në sfondin e saj romantik, zallahia e gjyqeve të mëdhenj. Gjyqeve epokalë me fjalime solemne të të pandehurve që janë krenarë e s’kanë përse të pendohen dhe faqe gazetash të stërmbushura me kronika luftëtarësh të dalluar për shtimin e rendimentit të të lashtave korruptive, avoketër të ndërkryer pas fitimesh përmbytëse që u vijnë nga “fonde për mbrojtjen e vjedhjes atdhetare” dhe familjarë që betohen, heshturazi disa e zëshëm ca të tjerë (me grusht a me dy, tre e me shumë gishtrinjë të ngritur, s’ka rëndësi) për hakmarrje dinjitoze si e do besa e nderi i fisit…

Madje jo vetëm kaq. Si shpërblim mbarëpopullorë për trashëgiminë e tyre që s’i bindet as mortit, turma e lumnuar me prijës të tyre nga jeta profane civile, do të ndjenin detyrimin, tashmë në sferat e epërme të shpirtit e kulturës, edhe për përuljen, kujtimin e paharruar, përrallat me legjenda uliksësh për fëmijë para gjumit, kapituj të tërë lektyrash shkollore, festa, përvjetorë, betime të zjarrta, akademi solemne ku do të flisnin përlotur pleq të rrjedhur…Dhe do të përçudnohej ashtu e gjithë kulla vlerore: edhe tradicionale edhe kontemporane!

Përfundimisht, nga sa do të reflektoja (anipse kjo punë nuk është në dorën time) ideja e Ramikshan Alipurit të urtë, mu duk jo pak e zorshme dhe e huaj. E bukur, po njëkohësisht e largët, si India e tij magjishme. Ndërkaq e besoj, mjerisht, një epilog krejt më të lumtur. Ashtu si ndodhi ditë më parë në një konte amerikane (raportuar nga mediat gjermane), edhe ndër shqiptarë, e veçanërisht në Kosovë, kur ligjzbatuesit do të çojnë korruptantët e pranguar në vuajtje dënimi dhe pasi drejtoria e burgjeve tu thotë ankueshëm e shkurt: nuk ka vend, jemi plot, ata, më në fund, do të marrin urdhërin e shumëpritur e gazplotë nga autoriteti sipëran: lërini të lirë!

Berlin, qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: E GURUS!, IDEJA E VËSHTIRË, Rexhep Kasumaj

KOHA QË S’ËSHTË

April 28, 2016 by dgreca

(Mbi iluzionet e hidhura)/

Nga Rexhep KASUMAJ-Berlin/

1.Përtacia është nëna e çdo psikologjie. Si? Psikologjia na qenka një…ves?Ah, sikur protagonisti i këtij shkrimi të kishte, si thotë Niçe, vetëm vesin e përtacisë. Por, jo! Ai del të jetë dhe karakterialisht i ulët e fundërrinor: mizor ndaj të vetëve e vernil ndaj eprorëve të tij, pastaj vjedhacak që mburret dhe, njëkohësisht, shpirt vorfnor që lehtësisht tregtohet.

2.
Grupime e oligarkë të politikës sllave të Shkupit përplasen keqas midis tyre. Dhe, si rrjedhojë, gjithandej vijnë ankesa, qortime e indiferencë simbolike. Nga Europa e lodhur me ballkanës, gjithësesi. Veçse një zë i rëndshëm, mbështjellë me delir madhështie, pretendon veçansinë. Është ky Ahmeti, Ali – që porositë partitë e hallakatura: pranoni kompromisin se, thotë ai i brëngosur, janë ditë vendimtare. E gërryen meraku, të shkretin, se mos i zhbëhet atdheu…Kjo s’është e para herë që ai jep provën e limitit tejpamës dhe errësinës etike: komik, soditës e anashkqyrës, teksa popullit të tij i prejnë kostumin e ngushtë të tjerët, ata që kanë rrëmbyer territor e histori të huaj. Po vërtetë, ç’është ky? Ajatollah, instancë shpirtërore, shtetar fqinjë, palë jashtësore a misionar i huaj  shërbimesh të mira që ndjek nga bregu i qetë zallahinë?..

Sa i mjerë e poaq i lig, ky robi yt, o Zot!

Ndërsa sllavët xyfen në log për krejt Maqedoninë, pra përfshirë hapsirën etnike shqiptare – këta, prijës e popull, heshtin. Shurdhohen. Bëjnë sehir e shohin qiellin, thuase q’andej do përmbushet një divnesë lumnore… Asnjë distancë, një lëvizje a një program alternativ nuk përfton në horizont. As dhe një ide, sado nismëtare, që s’do përligjte më koekzistencën e tillë dhuntare! Vijojnë të përkunden zellshëm në iluzionin komod sesi përballësit e tyre përlahen e shterrojnë energjitë. Ndërkaq, janë dy fakte që do të duhej të shkundnin pluhurin nga sytë e tyre: e para, sllavët nuk ndeshen politikisht vetëm për zonat që i banojnë, por dhe për ato të bukurat toka që shqiptarët i zotërojnë, kurse, e dyta, ata shtyhen e konfrontohen mes vete, por të gjithë bashkë, si qentë para ujkut, bashkohen si një grusht përçmues e mohues ndanë shqiptarëve!

3.
Në fillimvitet 90-të, kur flakët e luftës kapulluan Jugosllavinë, do të mblidhej me ngut Bundestagu i Gjermanisë së njësuar të Helmut Kohlit. Reflektimi historik i Berlinit të ri mbi gropën ku shkërmoqej krijesa burgëtare e “një prillit”, ishte madhor, natyral e realist: askush, theksohej në Rezolutën e miratuar, nuk mund të shtrëngojë popujt të jetojnë pavullnetshëm bashkë.

Ndaj dhe nuk pledoj kurrësesi që shqiptarët të bëhen pjesë e përdhéshme e planimetrive nguctare sllave. Përkundrazi: të kalkulojnë urtësisht, preras e me vështrim në larginë interesin e tyre kombëtar. E ky interes nuk mund të identifikohet detyrimisht, si zanafillshëm dikur, brenda kësaj sajese shtetërore të falsuar e unitare.

Së këndejmi, pra, pse të mos e shpallin me zë të lartë dhe të artikuluar: ju mund të grindeni deri në përgjakje, por për ne, fëmijët tanë e brezat pasrendës – vendosim vetë e kurrkush tjetër në emrin tonë e kundër nesh!

Me të lindur të aftësisë për të kuptuar, do të lindë dhe aftësia për të dëshiruar: urrejtja e dashuria, frika e shpresa…Këtë gjejmë tek penëholli Borhes dhe, në gjurmë të tij pyesim: a kanë shqiptarët kohë? Kohën e tyre që, thjeshtë, ecën, vonon, ndalet a shpejton me tabelën  kuptimit dhe dëshirave kolektive? Apo është vesi i dyfishtë, përtacor e poshtnor, i këtij Ahmetit (Ali), që përcakton qenien e saj..!?

Berlin, fundprill 2016

Filed Under: ESSE Tagged With: KOHA QË S'ËSHTË, Rexhep Kasumaj

Jehonë sakrifice..

March 31, 2016 by dgreca

(Shpalesë kohësh të mëdha)/

Nga Rexhep Kasumaj- Berlin, mars 2016/

Në lektyrë e kujtesë Bruti i perandorisë më lucide të botës, njihet për “thikë pas shpine”, për trathti e besëpreje legjendare…Por në librin e Alexander Demandt “Atentati në histori”, do t’gjejmë, tashmë në gjurmët e një letre, dhe anën tjetër të profilit të tij historik.

Në muzgun e 13 korrikut të vitit të stuhishëm 1793, që i hidhte pëlhurën e mugët një dite të bukur parisiene, Charlotte de Corday, trokiste lehtë në portën e Jean Paul Marat -it. Ai, pasi dëgjoi zëra, kërkesë, ndalim, doli i turbulluar e u tha njerëzve të tij: lëreni të hyjë. Madje e shoqja do ta shoqëronte atë mikpritshëm deri në sallon. Vetëm ca minuta më vonë një nga prijësit shpirtëror (revista “Miku i popullit”, mandej Montanjar e Jakobin i zjarrtë) të Revolucionit francez mbeti i vrarë. U godit me thikë në zrmër nga mysafirja e largët. Ishte akuzuar, por rrjedhoi të mos ketë qenë autor i masakrës së shtatorit. Ndaj do shdërrohej në martir revolucioni dhe mbetjet e ti trupore do ekspozoheshin muaj me radhë në Panteon…

Krahas sulmit mbi Bastille-n dhe shkokëzimit të Lui-t të XVI-të, goditja e tij kje ngjarja tjetër madhore që shenjëzoi ndërgjegjen politike të kohës.

Megjithëse thuhet ta ketë atentuar pse admironte privilegjet fisnike, rekonstruimi i ngjarjes ngjan prorë mundimtar
dhe i errtë. Charlotte, njëmend, vinte nga një familje e epërme pronarësh toke të Normandisë. Veçse, njëherësh, në orën e arrestimit (katër ditë para se të gijotinohej) në çantën e saj gjendeshin broshurat e atij që posa i kish marrë jetën.

Në kapitullin e veçantë: “Dialektika e viktimës”, shpalosen fragmente impresive nga letra e sipërthënë, që s’arriti kurrë adresantin e vet. Ndërsa priste vdekjen, dorasja shkruante në burg se ndjehej çlirimtare e vërtetë ndanë “revolucionarëve gjakpirës” dhe se Marat- in universi vetë e kishte mallkuar. Ah, sa pak patriotë dhe sa popull i trishtë për të themeluar Republikën, vijonte ajo ankueshëm. Më pas, për të përligjur moralisht aktin e saj, evokonte Brutin e Romës antike që paskësh lënë të dënoheshin edhe fëmijët e tij sepse patën shpërfillur ligjet dhe interesat e  Atdheut.

Teksa shfletoja këtë libër të vyer, një reflektim mësimnxënës rrekej e kërkonte trollëzim. Por, sikur e ka vështirë të bëj vend në truallin arbnor..!

Filed Under: ESSE Tagged With: Jehonë sakrifice.., Rexhep Kasumaj

FLETA QË S’SHKRUHET

March 24, 2016 by dgreca

(Një paralele e pamundur)/

Rexhep KASUMAJ, Berlin, mars 2016/

Ishte një mëngjes i bukur. Ai do jetë zgjuar i këndellur e me gëzim. Udha që çonte në Zyrën e Kancelarit shkurtohej shpejtësisht dhe personeli i tij do të ketë filluar, tashmë, ta imagjinonte redizajnimin e saj.

Por papritur, shtabi, këshilltarët, krerët e partisë, miqët e ngushtë, ai vetë kishin shtangur. Rivalët e tij dinakë do të publikonin një pandehmë të ashpër morale. Të ruajtur kujdesshëm për orën e ligë kur karroja elektorale të marrë teposhtëzen, ata e shpallnin atë si flamur të rreckosur fitoreje: sfiduesi i tyre i pandalshëm paskësh qenë në dijeni të një vrasjeje të hershme dhe kishte heshtur.

Ishte ky Björn Engholm, intelektual i hollë e plot sharm, që rridhte nga elementi nordik gjerman. E kishin nominuar për Kancelar Socialdemokratët e margjinalizuar, përballë Kohlit demokristjan që pretendonte mandatin e katërt dhe të fundit të tij.

A kje taktika bizare e kundërshtarit, pat gënjyer vërtetë apo, thjeshtë, fati i lig politik që e shtyri atë drejt rrëzimit – nuk do thoshja specifikisht asnjëherë. Me gjasë kanë qenë tri shkaqet bashkë: e ai, me ndjesi e kulturë qytetarie, dorëhiqej burrërisht nga rendja brilante për ta dërguar Helmutin e hargjuar e provincial në shtëpi.

Përse nuk zanafillohet kurrësesi ky stil i lartë i ndarjes me politikën ndër shqiptarë?

Premieri i hallakatur i Kosovës, s’ka heshtur një vrasje, por madje, ndryshe nga Björni, ka tumirë qindra të tilla dhe ka mallkuar – jo dorasin serb, por viktimën e pafaj shqiptare fundvitesh të stuhishme 80-të, kur do të bëhej pjesë e kabinetit mëkëmbës të Slobodanit.

Pastaj gënjeu se nuk kishte fyer, ndërkohë që tabulati telefonik i pasdëgjuar dëshmon faktueshëm të kundërtën. E, mbanë tjetër të Dhéut të Europës, veç imazhit të dobët, squllosjes vetore a karizmës impresive të Angelës, kësaj “Zonje të Europës”, ishte pikërisht dhe një gënjeshtër që do ta hidhte një figurë kohëgjatë politike me emrin Peter Strinbrück jashtë betejës zgjedhore për ta alternuar atë. Doli të kje një fakt i provuar më pas – por nismërisht i mohuar prej tij, se kishte konflikt interesi e përfitonte të hyra prrallore nga punë e agjenci të tjera…Tani u bënë 4 vjet qyshkur ai gëzon prehjen e ditëve të vona pensionare.

Dhe, ç’është poaq zi, Premieri fillhumbur – ka kërcënuar shtypin e lirë. Një përvojë e ngjashme, prapë nga landet sipër Vjenës, rivjen kujtese e akuzon. Anipse në një formë tepër më të kadifenjtë dhe elegante, bashkëpunëtorë të afërt t’një Presidenti kishin kërkuar mosbotimin e një lajmi. Redaksia nuk u spraps. Do të editonte mandej informatën se ai kishte huajtur para, por tok me vërejtjen ndjekëse mbi kanosjen ndërhyrëse të oborrit të Bellevú – së. Përse të mos financonte ndërtimin e shtëpisë nga Banka, pyeste opinioni i zhgënjyer. Dyshohej, ndaj, se në këmbim të huadhënjes ai do ti ketë bërë ose premtuar favore të jashtëligjshme mikut të tij të pasur. Dhe Christjan Wulff do të shtrëngohej edhe për kërcënim të stafit të gazetës “Welt kompakt”, të braktiste turpërisht Rezidencën presidenciale të Gjermanisë e të paraqitej në gjykatë.

“Pothuajse të gjithë Presidentët amerikanë kishin sensin për të bërë histori”, shkruan Jon F. Kennedy në librin “Kurajë civile”. Porse historia shkruhet jo gjithnjë kur arrin të ngjitesh, veçse poashtu kur di ngadalë të zbresësh. Dhe kur rrokullisja nuk rrëmben më vete si ortek bore jetë të vogla brezash…

Por, si shihet përfundimisht, për Premierin Mustafa dhe manjatët e tjerë të Fuqisë politike që e rrethojnë, kjo lloj flete historie është e mbyllur: matanë rezonit shtetëror, edukatës kombëtare dhe kulturës lamtumirëse..!

Filed Under: Opinion Tagged With: FLETA QË S'SHKRUHET, Rexhep Kasumaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT