• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARAGJYKIMI I ÇELEKULLAVE

April 1, 2014 by dgreca

Refuzim i një amze të vjetër racizmi/

Nga Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

1.Në një shkrim të posaçëm dedikues për aneksimin  e Krimesë (lexuar tek “Tema”), intelektuali i shquar frëng Bernard-Henry Levy, përjashton simetrizmin justifikues rus me intervenimin ushtarak e moral të aleatëve euroatllantikë në Kosovë.

Ndërsa në Siujdhesën e Detit të zi, shpjegon ai, nuk kishte segregim e represalje të ligjëruar sistematike, në Kosovë, ndërkaq, përtej tyre akoma, pati program gjenocidi mbi shqiptarë, faji i vetëm i të cilëve ishte pse kishin lindur myslimanë.

Athua të ketë qenë, njëmend, ky qëllimi e pasioni i ekspanzivitetit serb, doktrinë e kahershme të cilën, në motin e ri, do ta konfirmojnë  “Memorandumi” i Akademisë dhe  “Franca 7” e selisë së Shkrimtarëve të urrejtjes? Teza thuase rehabiliton diskretisht Millosheviqin, gjakësin që udhëhoqi plojën e ideuar, si Kryqzatarin e flijuar në ledhet e Europës! Veçanësia religjioze, sigurisht, do të duhej të mjaftonte për distancë etike, stigmë dhe ndëshkim mbarëbotërorë. Mirëpo, pandehma nuk është e vërtetë. Ajo është hedhur n’anën tjetër, në anën e mohit të së vërtetës, madje, edhe për boshnjakët që kultivojnë këtë veti si përcaktues qenësie identitare.

Përse ende ky kundrim i vëngër, i anasjelltë dhe i përmbysur i humanistit të njohur? Si është e mundur të kurthohet si peng i amzës së vjetër të paragjykimeve raciste që ndanë popuj në renditje vlerash të subordinuara tabelare? Dhe e gjitha frymëzuar njëj sindromi të trashëguar, për të parë Ballkanin me optikën imperiale serbe? “Kurrë nuk e mora vesh”, shkruan bashkëkombësi i Levy-t, Kouchner, “se kush dha urdhër për të ndaluar Ushtritë çlirimtare tek ura e lumit Ibër ”! Ai mbase nuk e shpallte, por aluzioni ose supozimi ishte i qartë si drita e diellit. Vendi i tij u shtrëngua më pas nga real-politika e joqejfërisht, të njohë vetejetesën e Kosovës, por për kompensim ngushëllues e shplarje detyrimi ndaj miqëve, do të krijonte artificialisht në katrahurën e “interregnum”-it, enklavën veriore për të shantazhuar funksionalitetin e saj, në pritje të një kohe të dytë.

2. E ripohojmë me konsederatë përfundimin e tij mbi teknologjinë e planizuar popullvrasëse, por, njëkohësisht, refuzojmë me përbuzje arsyen (athua kishte fare arsye?) e kryerjes së krimit kolektiv serbian. Në fakt,  shqiptarët janë kryesisht myslimanë laikë, veçse nuk ishte ky tipar religjioz kryemotivi që lëvizte lokomotivën e parambrehur shfarosëse ndaj tyre. Rezistenca e shqiptarëve ishte fundamentisht nacionale: as civile, për ndërrim regjimi, e as fetare, për “Republikën e Zotit”. Kishte aq shumë shqiptarë të krishterë, më shumë se pjesa e tyre përpjestimore në banorësinë kosovare, që i dhanë asaj viktima, dëshmorë e tribunë të denjë për përmendore të ngritura tejendanë.

Luftëra për jetë vdekje pati kudo midis fiseve sllave në zonën perëndimore të Gadishullin ilirik. U gjakosën serbët dhe me sllovenë e kroatë, të dy të konfesionit katolikë, sikundër që, po ti voliste interesit kombëtar do të hartohej zellshëm, poashtu, një strategji gllabërimi kundër “vëllezërve” ortodoksë, malazezë e maqedonës. Porse, prania militare amerikane në Shkup dhe trëmbja nga betonimi i dasisë së përjetshme në Mal të Zi, bënin një rrethanë specifike frenuese që i shtynte serbët të reflektonin për rreziqet e të mblidhnin veten. Maqedonia gjysmëshqiptare, kjo “Serbi e vjetër” si e quajnë prore nostalgjikët, largohej disi vazhdimisht, ndërkohë që “serbëve të vërtetë” të Cetinjes, besojnë t’ua shformojnë ndjesinë dhe projektin e renesancës së tyre: nga brënda, heshtur e me durim të gjatë!

I kujtojmë, pra, filozofit të respektuar, se njandej nuk është ngjizur bërthama e luftës. Gjithçka kishte levë shkakësore yshtjen tradicionale belgradase për dominancë e territor, për “lebensraum” të shtrirë në dëm të hapsirës, poashtu, jetike të kombeve të tjerë. Serbia, fillimisht, desh të rikthente statusin e bjerrë hegjemon në sajesën shtetërore pastitoiste, të lëkundur ngasjeje për të tkurrë e shtypur autonomitetin e subjektëve të barabartë federalë dhe forcat centrifugale legjitime që i druanin prishjes së baraspeshës së brishtë. Pastaj, kur kjo do të rezultonte e pamundur në udhë politike, ata do ti rrekeshin armëve. Prijësi i tyre idhullor, i cili vite më vonë, do të vdiste në Hagë si kriminel lufte, brohoriste triumfalisht (në Fushë-Kosovë, 1989) se “sendërtimi i aspiratës sonë, po të kje nëvoja, do të kalojë nëpër zjarrin e konflikteve dhe se serbët, nëse nuk dijnë të punojnë, dijnë gjithësesi mirë të përleshen”! Taktikat ishin stërholluar qëmoti dhe prisnin orën e tyre. Ngjashëm me Kremlinin e tashëm që shpallte se nuk pati dorë në rebelimin autentik të rusëve të Krimesë, Belgradi do të shplahej me sintagmën tinzare” Serbia nuk është në luftë”. Ushtri e paramilitarë mbillnin mort e shpërngulje, kallje e rrënime përtej imagjinatës së futuristëve për mbarimin e botës, por kjo gjëmë nuk ishte veçse vetëmbrojtje jetimërore e serbëve të pakrahë lokalë. Pikërisht ky është çelësi i artë zbërthyes, i ditur tashmë dhe nga zogjtë në degë: ose federata sllavo-jugore do të shndërrohej sërish në pronësi serbe me resurse e njerëz që i shërbejnë përulshëm shkëlqimit të zotnisë në Dedinje, ose ajo do të çartet themelësisht dhe, në pluhurin e saj, si një feniks i paqenë kurrë, do të lindte ngreha e re – shteti i madh serbian.

Çarkullonin atëbotë dy postulate të llojit arianist që shenjëzonin karakterin dhe përmasat e rrëzomës së tillë. “Të gjithë serbët në një shtet”, ishte njëra anë e ideologjisë së përfaqësuar nga politika oficiale, kurse tjetra vinte nga komuniteti i fashistizuar akademik që duhej ta përligjte shpirtësisht atë. Autor i zbulesës së fundme, V. Drashkoviqi (i dizajnuar më pas), të cilin shtypi gjerman e cilësonte si folklorik në politikë dhe mediokër në letërsi, përvijonte kështu kufijtë e Rajhut të përtrirë: “ Serbi do të jetë nga varret në perëndim dhe deri tek tempujt në jug”, e kjo dmth nga riviera veriore kroate e deri aty ku ajo do prekte trupin e shtetit të cunguar shqiptar. Etnitë që i banonin territoret e shenjuara kompakte, duhej ti bindeshin sundtarit të ri. Por meqë eksperiencat e hershme nuk premtonin shumë, aherë ata duhej zhbërë fare: të vriteshim e shporreshin përgjithmonë. Operacioni ishte i vështirë. Ishte kohë tjetër, kur syri zhbirues i botës së lirë survejonte gjithçka. Ndërmarrja tragjike kërkonte përpunim të hollë e fshehtësi të plotë. Nëse turqit ndërtonin kulla kafkash njerëzore, për të demonstruar fuqi e tmerr, fantazia makabre serbiane, për ta përfeksionuar aktin e krimit, do të shpikte mjeshtërinë autentike të këmbëfshehjes. “Çelekullat” e llojit otoman, tani nuk ngriheshin drejt qiellit, por poshtë dheut. Piketohej efekti mashtrues e preventiv, sepse, ndryshe nga të nëndheshmet, ku trupi i pafat ngujohej në terr bashkë me gjurmët e dëshmisë që do të akuzonte, “Çelekullat” a varrezat publike janë përherë një promemorje dhe farë idhnake e rebelimit të ardhmë!.. Makineria e mnerit synonte, poashtu, dhimbjen dyfishtë: për atë që ishte jetëprerë vetëm pse kishte lindur në kohë e truall të gabuar dhe për të gjallët, të cilëve iu këputej e drejta e ngushëllimit për të dashurin humbak: me lot, lule e kujtesë pieteti në muranën e amshuar. Dhe ata, njësoj si të mbijetuarit, meqë kjenë nga të gjitha besimet, do ti jenë përfalur të gjitha faltoreve dhe mesazherëve hyjnorë. Ky nuk ishte mëkati tyre. Motivi i nëmur i zhbimjes s’kje feja a keqorientimi qytetnues. Ishte nacioni dhe vendzënja e tyre në tokën e lakmuar – verdikti i vdekjes së parathënë qyshkur në skenarët e zinj.

3. Po si mund t’jetësohej ëndërrkeqja? Pushtimet, spastrimet dhe dyndjet e përdhunshme biblike, për vetë esencën e panatyrshme të krijesës së fiksuar, ngeleshin mjeti i vetëm i saj. Mirëpo siç e dijmë tashmë, nga dishrimi i padrejtë, ëndrra u dogj. Ishte joreale dhe e jashtëkohshme. Kurse demiurgët e saj, për mungesë korpusi biologjik e fuqie ekonomike, kjenë krejt të                                                                                            pafuqishëm për ti dhënë jetë dhe së mbrami, serbët nuk kishin, e s’patën si të kenë, magjinë tërheqëse të qytetnisë që të joshnin të tjerët me sipërinë e rrezës së tij. Më e kohës e legjitime dhe, prandaj, më e fortë e bardhësore do të ishte kundërëndrra. Ëndrra e armiqëve të ëndrrës serbe: vullneti i tyre titanik për liri!

Kjo panoramë e shkurtër, ndoshta, arrin të dëshmojë se Luftërat në hemisferën ish-jugosllave, aq më pak drama e Kosovës, nuk patën në gjenealogjinë e tyre, si vlerëson ngushtësisht me syrin e keq, humanisti Levy – as nacionalizmin gjuhësor të romantikëve minoritarë dhe as flamurtarizmin e misionuar fetar. Në gjirin e shpirtit kryengritës të popujve joserbë qëndronte, thjeshtë, e drejta e lartë e jetës!

E jetës së lirë, në atdheun e lirë!

R.Kasumaj, Berlin, mars 2104

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: PARAGJYKIMI I ÇELEKULLAVE, Rexhep Kasumaj

RINDEZJA E DRITAVE MBI EUROPË

March 25, 2014 by dgreca

Betejat e Amerikës për Kontinentin mëmë/

Nga Rexhep KOSUMAJ/ Berlin/

1. “Dritat po fiken mbi Europë dhe s’kemi për ti parë më të ndizen sa të jemi gjallë”! A nuk ishte ky trishtim i E. Grey-t, tek shihte të fikeshin dritat në Whiteholl, natën kur britë e gjermanë filluan përballjen e armëve, një thirrje përligjëse e ndihmës në pragun e “megavdekjes”? Dhe, poashtu, shpresë e përkorë e një bekimi? Po nga të vinte? Nga qielli demoniak i luftës?

S’ishte e para herë që ato shkimeshin mallkueshëm e pa shpresë. Europianët ishin përgjakur luftërash kronike që, ndonjëherë, zgjasnin dhe 100 vjet. Veçse e mnershme e totale dhe idhujtare e fantazmagorike, do t’kje epoka e re, kur ajo ndodhej akoma e vetmuar në kobet e saj. Ishte jehu i Monrosë (James Monroe, President i Shteteve të Bashkuara) dhe e doktrinës së tij të vitit 1823, që përskajonte pikëthemele strategjike të Amerikës: njëra, izolacionizmin selektiv, pra ajo mund të identifikonte interesa gjithandej botës, mjaftonte të mos përzihej në punët e Europës dhe, tjetra, funddhënja e kolonializmit, hapsirë, vakumin e së cilës gatitej ta rimbushte ajo vetë.

Por doktrina e famshme do të evoluonte. “Ajo ( interpretuar sugjestivisht nga G.G.Smith, Prof. i Yale-it), si fjala e Zotit, parathoshte shumë gjëra, për njerëz të ndryshëm në kohë të ndryshme”! Përshtatja e saj me sprovat e botës dhe fuqizimin planetar, deri aherë modest, të kolosit që po lindte, do ta bënte Amerikën në nisje të qindvjetit  të shkuar, pjesë e arbitër fatprerës të zallahive të Europës. Megjithatë dijetarë të temës ngrejnë akoma dilemën se ç’do të ndodhte sikur Hitleri, të mos ishte ngashnjyer nga Londra e Parisi për të invaduar në Poloni, i gjendur ashtu papritur e frikshëm përballë Rusisë e Amerikës dhe, poashtu, sikur t’mos i shpallte luftë kësaj të fundit, luanit që dremiste? Sidoqoftë, ai u zgjua dhe u nis për të rindezur prapë dritat mbi Europë!

Pa u tretur në përimtime historike, biografia e bujshme politike e Europës rrëfen për shumë beteja që do ti shkaktonte vetë, për të ngelur në fund veçse një peng i tyre i plagosur. E kush i zgjidhte ato ndër vite? Ndër “mote fluturakë kur e shkuara nuk kthehej, e ardhmja kje shtyrë dhe e tashmja ishte e hidhur” (Hobsbawn)? Aleatja dhe, njëherësh, rivalja e fuqisë që i ka llastuar paq europianët me komocionin e zotërisë i cili ka gjithë të drejtën të punojë, të kamet e gëzojë lirshëm – se për të tjerat punë është strehësi i madh i përtejdeteve…

 

2.

Është, prandaj, krejt logjike pyetja: do ta fitojë Amerika (me mënyrën dhe mjetet e mundshme) si kampione e lirisë, dhe “betejën e re ukrajinase” për Europën?

Në fakt, kjo do ishte beteja e pestë për qenien e saj. E para kje arritur në mbyllje të Luftës së parë të 14-tës, në Konferencën e Paqes në Paris (1919), kur fuqitë e errta latino-sllave kishin shkrojtur kartat e zeza, ku shlyheshin si një njollë, popuj të tërë, midis të cilëve sidomos populli i lashtë shqiptar. Padrejtësia kishte ndodhur. Trungu shqiptar ishte prerë. Mirëpo Wilsoni legjendar me parimin etnikogjuhësor të vetëvendosjes së “një komb-një shtet-i”, së paku, do të shpëtonte atë gjysmë trualli Atdheu, të lodhur Azie e të shqyer Sllavie.

Mandej, e dyta betejë e Amerikës, e cila tash e tutje do të inaugurohej në instancë vendosjeje e ikonë moraliteti planetar, ishte çlirimi i Europës nga hekurat e makthit arianist të messhekullit, kur pëllumbat, të trëmbur nga gjakprishja njerëzore, nuk fluturonin më mbi Katedralen e Salzburgut dhe as trëndafilat e përbuzur nuk çelnin më në fushat e Shlezisë!.. Ajo Luftë në Europë s’ishte më një përplasje e kufizuar aristokratësh e nuk kallej për hire të fisnikërisë. Ishte, si e cilësojnë paksa përçudshëm, “demokratike”, e kjo dmth totale e popullore, plot armë shfarosëse, urrejtje e helm. Për të mposhtur Gjermaninë që ndehej nga tokat spanjole e deri në Ural, u deshën afro 4 vjet, ndërkohë që Japonia e sertë do të mposhtej vetëm për tre muaj!..Ndaj, sikur Amerika të mos impenjohej në katrahurën e saj vetëshojtëse, Rajhu i tretë, nëse aq, do të mbijetonte shumë gjatë, harrueshëm gjatë!

Një mesbetejë tjetër që do ti printe asaj të mëpasmes, ishte dhe ribërja e Europës së rrënuar nga vetë bijtë e saj. Natyrisht, kjo nuk rezultonte vetëm një dalzotësi familjare (mes ëmës e të bijes) dhe as mbëltim idealesh të lirisë. Ishte poaq, si sot e përherë, interes i saj kombëtar. Vetën një ekonomi dhe treg i riaftësuar europian, do të konsumonte mbiproduket amerikane. Po interesat e ndërsjellë, nuk hijesojnë askurrë solidarësinë: rrethimi rus i Berlinit, ura ajrore dhe duart e të pandihmëve që zgjateshin drejt qiejve – janë prova e saj e gjallë dhe e paharruar.

Amerika do të mandatohej, kështu, misionarisht për ta rilindur Kontinentit mëmë: me rimëkëmbjen e ekonomisë së rrëzuar (Plani Marshall –oficialisht ERP- që përfshinte kredi, mallra e ushqime në vlerë prej afro 14 miliardë dollarësh), mandej me arkitekturën e sigurisë (Nato, që do të ngrihej pas idesë çërçilljane të Perdes së hekurt, 1949), dhe me asistencë kultivimi politik të demokracisë. Qarkullonte, tashmë, ngutshëm shprehja apotheotike “përtrirje materiale”, sepse duhej të shprishte ekuivalencën paraprake të saj që kishte shpikur imagjinata negative naciste. “Materialschlacht”, krahas mortit kolektiv, ishte nocioni programatik për asgjësimin e të mirave materiale të armikut, si taktikë ndihmëtare për gjunjëzimin e tij. Rinisja e një jete të mirëqenë duhej, njëkohësisht, të zvetnonte agjitacionin e bolshevistëve që, si rregull, vigjëlonin gjasën e nxënjes së idesë në gjëndjen e demoralizuar dhe skamnore të turmave. Sovjetët imnspironin e nxisnin grupe ekstreme majtiste për të destabilizuar botën e “kalbur” kapitaliste, porse do të ndeshej me doktrinën e Trumanit (Harry S.Truman, President i Shteteve të Bashkuara), të vitit 1947, që angazhohej “të mbështeste gjithandej kombet e lira nga ataku i pakicave të armatosura”! Pikërisht për këtë, do t’rrjedhonte më e lehtë ringritja infrastrukturale e ndërtesave, fabrikave, udhëve e shkollave të bëra hi e pluhur, sesa ana tjetër vitale e misionit madhor: rikuperimi shpirtëror i njeriut!

E mëtej, beteja e tretë e kurorëzuar prapë, kje triumfi në Luftën e ftohtë dhe disfata spektakulare e komunizmit. Ajo do ti printe frontit paralel kundër së “Perandorisë së të keqes”. Si u quajt drejtësisht (nga  furiozi Ronald Regan) shteti lubi i Sovjetëve. Përmes prangash vorfnore që i shtrëngonte gara e pandjekshme në armatim (“Lufta elitare e yëve”), do të gërryhej përtokshëm ngreha mizore e carëve të kuq. Shkërmoqja e Murit berlinez dhe bashkimi i dy Gjermanive i pararendnin ashtu, si një sihariq historie, bashkimit të të dy Europave: të vjetrës, të lirë dhe të së resë, të shtypur e robnuar 50 vjet nën sundin e zotërve barbarë të Kremlinit! Berlini i ri (që kishte bërë katarsis e nuk ushqente më andrrallat e “shpirtit superior që do të përtrijë botën”) merrte përsipër rolin e Piemontit për tu dhënë krahun e për të këndellur jo veç bashkëkombësit e saj, por mbarë fqinjësinë e sfilitur.

Dhe kur dukej se dielli do ndrinte të gjithë, në zemër të kontinentit të harbuar, kishte ende terr. Populli i viktimizuar në altarin e paqes së pistë të një “Belle Époque”-e të dytë dëshirake, (si e thotë diplomati anglez në përfundim të Konferencës së Londrës, 1913), ishte pranguar ende nën zinxhirët e pushtimit serbian, barbarë e të vjetër sa bota. Ishte një epigon i vonë e voglan, i shartuar egërsisht nga mbeturinat ariozofike dhe frymësia testamentale e Naçertanies hegjemoniake, me emrin përjetësisht të urryer, Millosheviq, që orvatej me hekur e gjak të përligjte stau-quo-në koloniale edhe në Rendin e ri, të vranshëm e të pakthim. Kishte provuar të pamundshmen, holokaustin e dytë në mbarim mijëvjeçari. Por, Amerika, në gjurmë flijimi, gati biblik, të vetë shqiptarëve, do ta fitonte dhe këtë betejë: betejën për ndreqjen e ligësive fatale të europianëve miturakë, për mëvetësinë e Kosovës dhe arkivimin e gjithmonshëm të Jugosllavisë serbiane, sajesë e trilluar burgëtare nga ruso-francezët për ta vënë në unazë rrethimi hapsirën jetike gjermanike. E, pra, kishte bërë dhe betejën e katërt sublime për Europën: lirinë dhe natyrshmërinë e saj.

Në fakt, mëvetësia e Kosovës nuk është akoma epilogu, kapitulli i fundmë i lirisë së Europës. Ka gjithnjë popuj a pjesë të tyre (shqiptarë në Iliridë, Malit të zi, Preshevë, pastaj baskë të shumëvuajtur, katalonës, skocezë…), për të cilët kuptimi dhe shija e lirisë janë një ëndërr e ndaluar.

3.

“Koncerti” i Fuqive të mëdha të Europës (si shkruan H.Münkler) patën dikur dy tipe ose nivele kufijsh: kufijtë e qartë e të paprekshëm të shteteve territoriale dhe, poashtu, kufijtë e tjerë alternativë të perandorive koloniale. Europa e sotme, ndërkaq, ndërdyshet midis kufijsh të shteteve territoriale dhe kufirit të jashtëm, kuazi-perandorak të saj, krejt fluid e i pahorizont! Dhe pikërisht ky është, shpesh, nyjëtimi i orientimor: hapi i pasigurtë dhe e ardhmja e amullt e saj. Nëse më parë kufijtë kolonialë kishin prerje të rreptë, por nuk përfaqësonin njësojshmëri identitare, Europa tani ka përmasë e strukturë tjetër: gjeografia (kufijtë) dhe filozofia (vlerat) mund të pleksen në një tërësi traditash e asimetrish të pashmangshme, po të bukura dhe unike të saj.

Së mbrami, pra, a kanë marrë mësim europianët për të mos krijuar kriza e nyjëtime që nuk mund ti zgjidhin vetë? E prapë: a do laurohen ata ngadhnjimësisht apo, si kurdoherë, do të jetë sërish Amerika që do ta bëj këtë për Europën, e cila konfirmohet a goditet këtoditshëm në votrën e Kijevit?

Real-Politika, mbi të cilën Putini mbajti një leksion shkollaresk, ka përcaktuar përherë marrëdhëniet ndërkombëtare. E drejta, etika a parimet janë përfillur, ose është parë ashtu, vetëm kur kanë përkuar me interesat e zhveshur. “Bota tjetër” ku, sipas kancelares Merkel vegjeton Putini, është e vërtetë dhe e arsyeshme (konsideron kolumnisti i “Sternit”). Është, vijon ai, bota e të mashtruarit në vitet 90-të, kur mori premtimin jokontraktual se sistemi i Nato-s nuk do të përshtrihej në Lindje dhe tani, aspiratës së rishfaqur, iu gjegj me Politikën e Fuqisë, që së paku, Flota 200 vjeçare e Detit të Zi, të mos bjerë në radiusin e tyre. Cila do të jetë hullia, poashtu, real-politike e Europës dhe protektorit të saj ndanë revanit rus? Do të pozicionohet maturisht si pledon, bie fjala, Laschet i CDU-së diktuar nga sensi i përfitimeve (gati 200 miliardë dollarë europianë gjenden “në flakë” në Rusi), ose me abstinencën absolute të majtistëve dhe ekologjistëve, që i pat bezdisur zbarkimi i aleatëve në Kosovë (viti çlirimtar 1999) dhe tash lexojnë Krimenë si faturë për të? Apo, ndoshta, me Politikën e pashmangshme të Fuqisë, që nuk nënkupton përherë vringëllimën e armëve?

Europa? Do të bëj ajo politikë krye në vete? Dhe a ishte vrulli lindor vetëm ide e menagjim i saj? Vështirë e besueshme!

Sidomeqenë, Rusia despotike, e njëj populli të skamur e nëpërkëmbur, që hodhi gurin e precedentit me ngasjen dinake për ta turbulluar Europën, nuk bën të dalë e fituar kurrësesi! Do të ishte, që s’mund të jetë, një traumë kundërhistorike dhe, rrjedhimisht, një brejë në portat e trandura të perëndimit të lirë.

Berlin, mars 2014

 

Filed Under: Analiza Tagged With: mbi Evrope, Rexhep Kasumaj, Rindezja e dritave

RIARDHJA E HISTORISË

March 16, 2014 by dgreca

Ora e madhe e Europës/

Nga Rexhep Kasumaj/ Berlin/

1. Qysh herët, pa nisur mirë viti simbolik, patën vërshuar shkrime, teza e vrojtime krahasimtare për Luftën e parë të përbotshme dhe qindvjetin e saj.Një palë do t’mjaftoheshin me evokime të shkasit, kompleksitetit dhe pjesëmarrësve të dramës, ndërkohë që të tjerë do të parathoshnin ngjizje postulatesh e faktorësh që do t’mund ta përsëdysnin atë me tragjizmin e vjetër.

Veçse muzgu i paqes në Europë nuk duket ende kund. Miljeu i kësokohshëm nuk identifikon, tashmë, vegëza shtytësore që ai të beh befas i vrugët: vegëza që patën shuar arsyen aherë dhe do ta terronin sërish sot. Despoti i rrëzuar Janukoviq, që nuk personifikon trupëzimin shpirtësor të Princit të atentuar e të fismë Ferdinand, kurse, nga ana tjetër, vetmia strategjike, sikundër venitja ekonomike e Rusisë – a nuk janë përcaktorë që thyejnë çdo paralele reminishencash të Luftës së parë në motin e ri?!

2- Mirëpo, nëse votra e përflakur e Ukrajinës, që vete përtej aspiratës për demokraci e vetëjetesë dhe konteksti saj rrethues, nuk përgjason me të parën, aherë ajo sikur rreket tu japë këtyre të fundmëve njëlloj parashfaqjeje të provës së hidhur të Luftës së dytë. Duma ruse iu qas miratimit të një ligji të çuditshëm, me të cilin u bëhet thirrje viseve me banorësi a ndjeshmëri ruse, ti bashkohen, po të duan, territorit amnor. Është një mosnjohje e rendit të tashëm dhe një konkurs vetor për riskicim sferash interesore në Europë e rreth saj. Sfidë më totale e përçmuese nuk ka parë akoma Europa e re. Është cënim i vetë ekzistencës, qytetnisë dhe shpallja e fletëvdekes së saj. Madje më shumë se kaq. Tablloja e përftuar njëherë mirë në messhekullin e ikur, përplotësohet fatzisht. Tiranët përpunojnë prore shpirtërat në kulturë që pena, kënga dhe fjala e bukur ta përligjin ideologjinë e tyre.

Pesha e saj, ndërkaq, nuk është kudo e as kurdo njësoj e rëndë. Gjithçka varet (si shkruan Eleonore Büning në “Faz”) nga prurja e  historisë dhe konstalacioni i fuqisë. Dirigjenti venezuelas i Filharmonisë së Los Angelesit, Gustavo Dudamel, nuk bëzan fare për mbytjen bestiale të antiregjimorëve në Karakas. Dhe për këtë nuk shqetësohet kush. Por është padyshim shumë e errtë, deshpëruese dhe rrezikzezë (shton ajo), kur Valery Georgiev, shef i Marinsky- teatrit të Petërsburgut, i Filharmonisë londineze dhe, nga viti 2015, i Filharmonisë së Mynihut, hesht ose mbështet hapur e krenisht diktatorin e tij Putin. Marshimet hitleriane patën po këtë amzë përlindëse. Fillimisht nuk u morën me brëngë “Birraria e Mynihut” e, më pas, as paternalizmi pangjermanik që do të bënte uvertyrën e kataklizmës dhe të cilëve i mbanin ison pikërisht këta falangjistë e gjenetistë, letrarë e artistë të formatuar të Rajhut shpëtimtar.

3.

Megjithatë, ndonëse ende larg linjës komparative mes dy kohëve, përgjakja e Ukrajinës dhe, si me thënë, dalja e saj në tregun e lirë të gjahut gjeopolitik, i jap asaj përmasat e betejës për Europën. Baltikasit dhe ish-bllokistët lindorë janë të garantuar si pjesë e sigurisë atllantike, porse ç’ti bëhet thesarit nëntokësor të Ukrajinës (sepse Krimeja ka humbur) po të shprehen, referendarisht, të ishin të lumtura nën stemën shtetërore ruse? Memorandumi i Budapestit (viti 1994) midis Amerikës, Britanisë e Rusisë do të duhej ta siguronte integritetin e saj, po a do ta respektojnë të gjithë? Kujtesa ende ruan dridhshëm tmerrin e “Anschluss”-ve të Fyhrerit që paralajmëronin agoninë e vdekshme të Europës. Natyrisht, aluzioni ka cenin, sikurse dhe njëjtësinë e vet: aktorët nuk përkojnë me fuqinë, por i bashkon përçmimi i armiqëve dhe dalldia e marrë për të fshirë kufijë e popuj, në emër të ideve sipërore e të fundme.  Aneksionizmi do t’ishte varri i Europës. Krimeja tashmë spekulohet si mall këmbimi për zonat e influencës. Ndërsa më herët Moska, me një parimsi të shitirur, cilësonte Kosovën shembull tipik abuzimi me të drejtën ndërkombëtare, tash ajo dhe Krimeja, në vështrimin e rinovuar pragmatik, qenkëshin “përjashtime apeciale” të pangjashme në botë. Një gjë duhet prerë: Krimeja ( e jo Ukrajina) mbase mund të ketë ndonjë fije të përbashkët me Kosovën, por kurrë asnjë të tillë me veriun e saj!..

4.

Sidoqoftë, meqë çdo sprovë, sado e vështirë ka dhe pozitivizëm kolateral, kërcënimgoditja në trupin e Europës do të duhej të këndellte skeptikët më të thekur të idesë a projektit të saj, për të parë në hijen e armëve dhe arrogancës ruse, epërsinë e krijesës së tyre të lirë, paqësore e të begatë. Në bashkësinë institucionale globale, qarkullojnë shumë katallaj (Rusia, Kina, Brazili…) të pabesë që shkelin, si për lojë, normat e praktikat e mirësjelljes ndërkombëtare. Cili shtet a komb i veçuar Europe do të mund të përballej me ta? Është, prandaj, një çast i dhuruar qiejsh që ajo të promovojë rritën e saj: të flasë me politikën e fuqisë. A do ta bëj këtë? “Ne do bëjmë politikë fqinjësie të mirë, e jo gjeopolitikë”, është formulim i përgjigjes zëulur. Mbase vetëm finokëri diplomacie, do thoshte ndokush, sepse, si të flasësh shtruar kur tjetri, i ndërkryer si përherë, bën gjeopolitikë klasike, duke pretenduar përtrirjen e statusit të hershëm të fuqisë botërore! Por jo, kanceleritë e saj përjashtojnë opsionin ushtarak, qoftë dhe si gjuhë taktike, për të adoptuar defansivisht në vend të saj, simbolizmin komik me të cilin shpresojnë ta disiplinojnë Putinin e hallakatur. Kriza përreth Detit të zi, është, njandej, metaforë e kthesës së vërtetë të Europës: do të ngrihet në këmbë, pa shuar (si besohet iluzorisht) shtetet dhe popujt shtetërorë, apo do të mbesë përjetë në moshë adoleshence, e pazonja për vetëjetesë unike e të pavarur.

Kjo është ora e saj!..

Berlin, mars 2014

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Rexhep Kasumaj, riardhja e Historise

DËNIMI PA AFAT

March 8, 2014 by dgreca

   (Një promemorje për Fishtën e shpërfillur)/

Shkruan: Rexhep KASUMAJ/Berlin/

1.Ndërsa kthehej në shtëpi, tashmë i liruar nga burgjet ku ishte kalbur një jetë të tërë, At Zef Pllumi do të ndalonte një çast mbi një urëz, poshtë së cilës rridhte rrëke uji, e prajshme dhe e vjetër. Dhe i menduar, ofshante me deshpërim: asgjë e re, po ai uji, po ajo botë…O Zot, si ishte e mundur që njeriu të kishte mbetur poaq barbar si tash e 4000 vjet më parë!..

Njëmend, si është e mundur? Dhe si është e mundur, veçanërisht, një barbari e tillë e njeriut shqiptarë! E njeriut që vijon ende ta mbajë në vuajtje dënimi pa afat poetin kombëtar, Gjergj Fishtën: fjalën dhe frymën e tij të amshuar. “Nji kryq drunit, t’kjosha true…” e asgjë më shumë. Madje dhe ai i përdhosur urrejtshëm nga turma flamurtarësh të paemër e hallakatur, të mnirur e inferiorë, të “botës së re”.

Tek fliste për anatemen politike të Poetit dhe riardhjen e tij nga vdekja, Aurel Plasari thoshte bukur se “ jo veç Fishta duhet të gjej vëndin që i takon, por letërsisë shqipe duhet ti kthejmë atë që i mungon..! “Vota e dashurisë” që Aureli kërkonte për traditën letrare, do të jepej e kursyer ose e padrejtë. Ndërkaq tani flasim për njëlloj tjetër pieteti, për një tjetër kujtesë të shkrimtarit të madh. Në botën e emancipuar ngado shihen pllaka përkujtimore sipër muresh e portash, pas të cilash kanë jetuar krijues, dijetarë e prijës të shquar. Ato evokojnë çdo gjurmë, krajatë e dhimbje të tyre, si promemorje nderimi për breznitë që vijnë.

2.

Si u bë, prandaj, që afro tre dhjetëvjetësha të pastiranisë, shtëpia e Homerit të shqiptarëve të mbetet një gurinë gjysmë e rrëzuar?

Kryehershëm, komunistët do ta poentifikonin atë si pinjoll të anës përballëse të barrikadës gjatë Luftës së dytë, kur pat nisur të hidhte rrënjë rendi i tyre. Tevona, rolet sërish do të fortifikoheshin pse, derisa Poeti mallkonte artistikisht dyndjen e re dhe të përgjakur të fiseve sllave në pragjet arbnore, ata shejtorët e së kuqes, tashmë të betuar në faltoren e internacionalizmit proletar, shpallnin dashurinë vëllazërore me bijtë mashtrues e dhuntarë të tyre.

Pas rënjes së dinastëve, kur pritej me ngazëllim rikthjellimi i arsyes, do të përsëdytej gjëma: dënimi vijonte e s’kish të sosur kurrë. Guvernat e pasandejme të agut të quajtur lirak, do t’shpërfillnin të gjitha njësoj Korifeun e ndaluar! Nëse më parë ekskomunikimi i tij ishte i tipit censural, më pas do t’ishte i tjetër forme. Titani braktisej në harrim: me shtëpinë, bibliotekën, gjuhën, varrin…Shurdhimi nuk kje asnjëherë çështje limitesh (donatorët, vullnetmirët…) të arkës së shtetit. Nuk mund të ishte as pasojë e obskurancës shfajsuese. Megjithatë, inercia e mendësisë klasore dhe klanësore, si një ndëshkim i epërm, do t’çojë prapë në përfundimin se kjo, në një kuptim, është eminentisht një klimë dhe gjëndje e përndritjes së vobektë kolektive. Një shkollë e mirënxënë e revanshizmit bolshevik të hatruar e të dyfishtë: politik, për shkak të dogmës dhe kulturor, për shkak të smirës ndaj letrave sipërore të klubit të iluminuar françeskan. Ngjan i habitshëm, sidomos, mohi i së djathtës që kryesoi politikën shqiptare me dorën dhe vullnetin e hekurt për  gati 13 vjet radhas. Më saktë, i shtetarit të saj të parë që do të duhej të kishte ruajtur në konstitucionin e tij shpirtëror zjarrin vullkanik dhe muzikën shungulluese të vargjeve fishtjane apo kulturën e madhërishme të kullave dhe hijerëndën e tyre!..Por, meqë pothuajse të gjithë ishin ngjizur e vinin nga e njëjta epruvetë, aherë në qendër të shpjegimit s’ka si t’mos qëndrojë trashëgimia e moteve të komunizmit, tek shtjellet akoma në trajta e ngjyresa të gjithëfarshme alternuese. Persekucioni i kuq do ti linte, ngadalë, vëndin – heshtjes së zezë dhe mpirjes së verdhë, simbole të dekulturimit paradoksal në epokën e dijeve dhe interferencave globaliste.

Ka tretur shumë kohë, kohë e rikëndelljes kombëtare dhe (si më ka rastisur të lexoj diku) vetëm pasunarët, veç e bashkë, arrijnë të kompensojnë shpejtësisht atë. Qëndrimi ndaj postamentit material të Fishtës është, në fakt, qëndrimi ndaj kulturës, e pra, ndaj vetë kombit dhe finikërimit të tij. Kurse përbuzja e tij e ultë, për pasojë, jep mnerisht atë shenjë qytetnie zhelane ndër shqiptarë që, si do shkruajë Kamy (“Letra mikut gjerman”), kanë humbur keq ekuilibrin mes shpatës e shpirtit në miljeun e gjatëpritur të lirisë, thuase robnia e shekujve i shkonte më mirë e harmonishëm shtatit të tyre.

3.

Gurina e mbetur nga shtëpia e Fishtës është, që këndej, dhe një metaforë e kulluar e përceptimit të Europës dhe refuzimit të saj të fshehtë. Hipokrizia e kastave politike tharmohet, ashtu, në një pozicionim të dyfishtë: fjalamani e bezdisshme me gjuhë e apotheozë epike, për reintegrim në strehën e kombeve të bashkuar të saj dhe, njëherësh, tkurrje autarkike, braktisje e kriptuar e shtegut të largët përmes prishjes brutale të ëndrrës së njeriut të vogël e të pafaj të nënqiellit të tyre. Eshtë e njohur, ndërkaq, se çdo krizë sociale a politike, në imanencën e saj s’është, veçse gjenealogjiksht, krizë etikës. Pikërisht ky rrjedhon të jetë defekti i ndërgjegjës së amullt demokratike dhe i higjienës së munguar nacionale të Shqipërive të shumta lumturake.Porse e keqja fantaziplotë, përveç si makth i përzgjatur i diktatit njëmendimësor, redimensionohet tani në rrafshin tjetër përplotënues, gjithnjë humbës e të lig, në pellgun e dyzimit identitar, që bën kurorën verbuese të saj: duan vallë shqiptarët të rimbyllen në autarki ose, nga skaji i kundërt i absurdit, të katapultohen (si do ti përkufizonte Bassam Tibi) në “hixhra-misionarë”, të programuar? Në përçues e flijues absurd për zemrën e doktrinës së huaj e cila pretendon alternativën e vetme universaliste e mohimtare të “Europës së pafe”?! Apo, si e do interesi dhe mesazhi i lashtë, të bëhen, krejt mirë e natyrshëm, “qytetarë civiliteti”, individualistë e kultivues të lirë fatesh të saj!

Vrujimet përshfaqin çarje e hamendësim orientimor dhe kjo është, definitivisht, krusma e trishtimit të vërtetë: sëmbimi dhe terri i tij i kafshues. Një vetëmohim i çuditshën negativ në dishrimin e egër për zhbërje entuziaste të krijesës amtare!

“Dantja nuk e ka shkruar Komedinë hyjnore për ju, po për ne”, i pat thënë At Pllumi (sipas rrëfimit të Kadaresë) një mikut italjan gjatë një evenimenti letrar në Tiranë, pak para se të ndërronte jetë. Mjerisht, monumenti i gjallë i rezistencës që ishte zotuar të “rrnonte për me tregue”, kishte sërish të drejtë. Shqiptarët që kanë mbuluar Poetin sublim me pëlhurën e qefintë të mosqenies, janë ende brënda, gjithmonë banorë të saj!.. Berlin, fror 2014

Filed Under: ESSE Tagged With: Denim pa afat, Fishta, Rexhep Kasumaj

“NËNTË KAFETË E GJUMIT” SKLLAVNOR!

February 14, 2014 by dgreca

Mbi ofshàmën e ndaluar dhe kulturën e mohimit/

Nga Rexhep KASUMAJ/ Berlin/

“Dhjetë kafe gjumë kanë zbritur në këtë botë, nëntë i kanë pirë robërit dhe një të vetme të mbetur – gjithë bota tjetër”. Kështu shkruan Talmudi i mirë, duke i bërë, ashtu, pikturën më të saktë tipologjisë së gjithmonshme robnore. Këtë evokim të artë do ta mendoja si pararendje të pyetjes fundore: deri ku mund të greminoset fashitja, pritja bestyte dhe fatpajtimi me të keqen që ka, tashmë, shenjën nacionale? Më parë se konkludimi i prerë, fillimisht e pashmangshme ngjan pyetja tjetër: ka ngelur liria veçse një gëzhojë? Pa esencën lëngësore të saj? Pa mishin e butë të jetës dhe pa shpirtin e përkorë të krijimit?

     1.

Në ngarendje pas emblemës së re të demokratizmës, ideologë, aparatçikë e retorë të komunizmit janë rezervuar qyshkur si referenca e zezë e çnjerëzisë: pa ndjesinë e kultivuar humane e, ndër popujt që ishin kundërvullnetshëm pjesë perandorish, dhe pa fillesën etnike të tyre! Por konteksti i kohës sikur rrah, jo ta justifikojë, por ta shpjegojë ngrehën e hemisferës së kuqe në arenën e madhe të botës. Ishte, së paku në hapsirën e palirë arbënore, monarkia shfarosëse serbiane, dhe më pas, ariozofia përtrollisëse që i dhanë asaj frymëzim, krah dhe legjitimitet  gjysmëshekullor. Pastaj ajo, si dihet, rezultoi krejt natyrshëm në disfatë dhe sprovë dështake të historisë. Porse zezona e saj, veç formulës ekonomike stanjative, pati gjithësesi dhe kundërthënjën dialektike në përqasje ndaj nacionit, në një anë dhe njeriut, në anën tjetër. Ai, ideologjizanti e praktikanti komunist (shpesh dhe figura të denja kombi) mund ta kenë dashur, sipas mënyrës së tyre, krijesën e vet amtare. Fundja, komunizmi asnjëherë (anipse proklamohej një edukatë e tillë) nuk e përjashtonte afeksionin nacionalist. Por ishte, njëkohësisht, revanshi i dogmës fatkeqe që përthante esencën sublime të tij. Përse? Sepse, tashmë në rrafshin e dytë, vriste e shuante njeriun brënda bashkëkombësit të admiruar kot. Madje kjo vrasje, për shkak të mosligjërimit të mendimit opozitar, shpesh nuk ishte vetëm dhunësi shpirtërore e morale, por mbaronte në represalje fizike: burgje e kampe, internime e likuidime që gjunjëzonin fare popuj të gjendur në skeptrin e tiranisë. Ndaj, si mund të ishte kjo dashuri e paqme dhe e vërtetë? A mund ti shpallej kombit një dashuri e zjarrtë, ndërsa prishen pjestarët e tij? Ajo, abstrakte e shpifarake, përfundonte në levë lajthitëse që duhej të krijonte imazhin e rremë altruist dhe të shplante trurin e përpunuar të “njeriut të ri”!

Rëndesa e saj ishte ende më e përgjakur atje ku, si në trojet e Shqipërisë së jashtme, shtypja ideologjike kishte dhe një instancë tjetër ndajshtimore: okupimin e egër serbian, të cilit ajo i shërbente si veglëri komplementare në ngasjen, gati testamentale për ta arkivuar çështjen e nëpërkëmbur shqiptare. Por as sistemet e mëpasme, si ky i demokracisë parlamentare që trumpetohet më i afërti me natyrën e njeriut, nuk është i fundmi dhe as përkryer. Nuk është ende shelbimi i tij. Dhe pasardhësi i Papës së zhgënjyer Gjon Pali, Françesku reformator, do të shpallte në Encyklikën e parë, vlerësimin proverbial: “Kapitalizmi vret”! Me sa duket, në rendin e përtashëm ndëshkimor, nuk mund të etablohet assesi një sistem i harmonisë absolute toksore. Po kjo është një temë tjetër dhe, ndoshta, një luks për ata që ende përpeliten për ringjitje nga pluhnaja harrestare e kohës.

2.

Po tani ç’ndodh?

Përse kjo shmagjepsje me indipendencën, votën e tregun e lirë dhe gjenin vetiak? Ku nis krusma e saj? Armiku qindvjeçarë, përbetimi i jashtëm, vonesa objektive e ardhjes në tryezën e popujve të arrirë?

Këta përcaktues, sigurisht, nuk janë hipotetikë.  Janë të gjallë e të frigshëm. Por a mbaron këtu tabela e shkaqeve të shmagjepsjes tragjike? A janë shqiptarët, më saktë paria e përzgjedhur sovranisht, krejt dorëjashtë në fatkeqësinë e vet? Aspak! Përkundrazi!

Dhe është gjithësesi vulgu aristotelian (“Demokracia rrezikon të shndërrohet shpesh në sundim vulgu”, thoshte ai para mijëra vjetësh) që është fronësuar e sundon qenërisht, arsyeja pse ndokujt do ti shpëtojë padashje një ofshamë tek kujton “kohën e vjetër të ikur”, që më ka rastisur ta dëgjoj të shprehur në sintagmën dridhmuese: “Kur e kishim keq, jetonim më mirë!”. Ç’është e drejta, nostalgjia për kohën e bukur që s’vjen më, është një kurth i vjetër. Njeriu përherë kujton me mall rininë e humbur. Në zemër fshehet njeriu, e jo në kokë, pohonte që moti Schopenhauer. Dhe bukuria e saj, herr kujtesën në vitet e vona për ta stolisur vetëm me çastet dritësore të saj. Pra, e bukura herake që kujtohet mallëngjyeshëm nuk është gjithmonë e kohës së ikur, por e rinisë së bjerrur. Megjithatë ajo “ psherëtima përmalluese”, mbërthen, mjerisht, dhe postulatin tjetër antinomik: “atë të jetesës së mirë në kohën e keqe”! Dhe kjo është dhimbja e saj. Një dhimbje që, si do thotë Niçe, e varrosur për së gjalli ngrihej sërish pasi kishte dremitur pak! Helmi i frymës do t’kje veçse një mit i lashtë sikur t’mos kishte aftësinë e përhapjes së heshtur e ngulmëtare. Ajo tejçon rrathët e saj përtej “ofshàmësit” të mekur, atje ku nis rropama e breznisë së re republikane. Madje, e mëkuar faktorësh pëprlindës, kërcënon të marrë dhe konturat e doktrinës. Të doktrinës së pritjes. Të pritjes së një kohe të dytë të korbave…

Si përhihet kjo rrëzomë e ligë dhe ku zanafillon ajo? Si thamë, komplotet dhe armiqtë, nuk mjaftojnë për ta zbërthyer nyjën e saj. E, pra, as për ta përligjur atë! Përgjigjen, me sa duket, pa hyrë në labirinthet e lodhshme të stërhollimeve teorike, do t’na e japë i lashti burrështetar, Hamurabi madhnor. Para rreth 3500 vjetësh, u drejtohej ai sundtarëve me këshillën e përsosur: “Qeveriseni mirë popullin, se, ndryshe, çdo invazion të huaj do ta presë e përjetojë si çlirim”! Ndoshta, pra, andej vjen e ngjizet  kjo ofshàmë pikëlluese, loja dhe goditja më idhnake e ironisë së jetës! Të jesh i ndaluar e të ëndërrosh, të jesh i segreguar e të rezistosh, të jesh i kolonizuar e të luftosh flijueshëm për lirinë – dhe pastaj, së mbrami, në duar të mbash vetëm gërdhàjën e saj: të ngrënë e duhmosur nga pinjojt bastardhë, nga Edipët e shkërdhyer dhe nga Judat e shumtë si krimbat, që i pijnë gjakun t’ëmes së vet? Ah, një rrëzomë e papërballueshme në mnerin e saj dhe një çekulibrim që prek themelet e qenies kolektive.

Por terrina nxinë mëtej. Pasvështrimi s’ka si t’mos tërheq mbi vete cilësorin komod të trathtisë nga arkivi i higjienës kombdashëse. Mbase ajo dhe duket se fqinjëron me të. Po kush është, njëmend, fabrikuesi e, njëkohësisht, manipuluesi pervers i ndjeshmërisë dhe lojës diskredituese të saj? “Pësherëtitësi” i këputur si gjethi vjeshtak? Apo titullarët e harbuar të entitetit shkurtabiq? Nëse patriotizmi i vjetër etnik i moteve bizantine i ka lëshuar vëndin patriotizmit kushtetues për mëkëmbjen e një shoqërie të lirë, të përparuar dhe egalitare, aherë, legjitimisht, dhe ekuivalencën e kundërt negative – trathtinë e dikurshme etnike, do ta ketë spostuar lënda e re e saj: trathtia kushtetuese si një përceptim posesiv i pronave dhe ardhmërisë së landit të epërm shqiptar. E, për pasojë, ndërsa tek humbamanët e “ofshàmës” ilegale ajo shfaqet vetishëm, pa vullnetin a mendimin e bluar – tek shtetshaluesit e ndërkryer krejt e ndryshmja ndodh: si dijekeqësa meskinë, ata prijnë përherë me gërmadhë morali a qëllim ultësor. A nuk janë këta të dytët vetë, e askush tjetër, mbëltuesit dhe kultivatorët, rojat e autorët e “psherëtimës” mpakëse? Që këtej, pesha e fajit, zymtor e i përzitshëm, rëndon i gjithi mbi ta, mbi kalorësit e tregtizës provinciale politike. Gjëndja e makthit, kjo pengmbetje në hiret e së shkuarës, nuk është një mëkat i rezervuar i viktimës së pafat. Plebësit që shkumojnë të hipur salloneve, janë, prandaj, farkuesit e përbuzshëm të saj dhe, deduktivisht, trathtarët e vërtetë të idesë dhe çështjes së frenuar kombëtare.

3.

Rjedhimisht, shpirti i njeriut të vogël zhbiron e përballet dy udhësh shtegdalëse nga apatia përmbytëse: arratia nga realiteti apo aktivizmi qëndrestarë. Vite të tëra i refuzuar nga bota, ai kishte bërë dorëzimin pranë të parës, arratisë, që do ta shndërronte ngadalë në theror të përpjekjes për tu çliruar e realizuar në botën kujtimore: thërriste dromcat e saj të stisura, të shformuara e të sedefta, që rrekeshin të thurnin një kuazi-jetë paralele imagjinare, në mbrojtje fiktive nga padurueshmëria e jetës reale në kalvarin e mbijetesës.

Ishte mësuar të bënte qëndresë jetike, solidarësi nëvojtare e kryengritje përflakëse. Por, i tillë dhe në flatra mirëbesimi entuziast, ai tani ka humbur orientimin. S’di si t’ja bëj me të vetët. Ata e shpërdorin mjeshtërisht mungesën e kulturës politike të lirisë dhe pritjen e tij lapidare që Republika e re të marrë këmbë njëherë. Dhe pikërisht ky shpërdorim i abstenimit a shpërqëndrimit social të “ofshàmësit” të sfilitur e, sidomos i fisnikërisë atdhetare të pritjes, me njëlloj niçeanizmi primitiv, e bën klasën e guvernantëve të tij, më të poshtrën në Europë.

Athua i ka ardhur fundi mashtrimit dhe rrjeshtimit të vjetër – vetëm kundër serbit, këtij fatprerësi të përjetshëm të shqiptarëve? Dhe a janë pirë, tashmë, të nëntë kafetë e gjumit robnor?

Mbase, tradicionalisht, nuk ishte etabluar kultura e revoltës europiane të mohimit, sepse, thjeshtë, ajo është produkt e bashkërritet me shtetin kombëtar, i cili poashtu mungonte për mijëra vjet. Ndërkaq tani, për të qenë sërish e askundshme, do të merakosej sistemi  veshtar i kriptodespotisë: me shantazhimin trembës të shumicës ose korruptimin shpirtshitës të pakicës.

Ndaj, ç’lidhje strukturale ka, rëndom, mes varfërisë dhe ideologjisë? E gëzon, vallë, skamnori komoditetin e rrjeshtimeve partiake në revanin e tyre pushtetmarrës? Apo të vajtjes pas një beteje sindikale, të dyshimtë e lojalizuar, të ndehur e mbivëzhguar? Apo të ndjekë atllarë të vetëçertifikuar kombi në ankthet e tyre për lavdinë? Përgjigja është, mjerisht, negative. Ekzistenca i prinë prore identitetit. E assesi e kundërta. Ky është kodi hyjnor i këtejbotshëm. Për rrjedhojë logjike, ngurrimi përnxitet nga frika e humbjes së statusit të varfërisë. Humbje të statusit të varfërisë? E çuditshme? Në dukje mbase, por kjo s’është aspak e tillë. Sepse humbja e saj çon në një stadium tjetër ende më poshtërënës të rrokullimës: në atë të urisë kronike kur jeta merr kuptim vetëm nga të qënit gjallë. E njësojtë me vdekjen!..

Varfnjaku a ùntaku, për të qenë pjesë e lëvizjes përmbystare të mohimit, kërkojnë tjetër levë e kauzë: kërkojnë një trup popullor të primë dijes e moralit të burrave të mirë dhe prej tyre vetë. Jashtë dorëzave e maskave të partive a ideologjive të kompromituara që janë vetë promotori i keqrrnesës së tyre. Çdo epokë ka resurset, idealet dhe heronjtë e vet. Historia e një populli nuk është tjetër, veçse biografia e njerëzve të tij të mëdhenj!

4.

Dhe tash kur duket se shqiptarët (e lëvizjes protestore rektoriale), kanë bërë tutje në leksionet e lirinxënjes – nga ariozofë miturakë a kombtaristë të ribërë me afat skadence, dezhurojnë nofkat për varietetin racor (që predikojnë dëlirësinë e gjakut), për udbashizmin e posashpluar (që s’e kishim ditur kaq total, gati mbarëpopullor) dhe për komunizmin famkeq (po kush ka tagër etik ta dënojë atë, kur pothuajse të gjithë kjenë të tillë?!), tek hidhen si çelës i zbardhjes magjike të rrënjës së  keqësisë. Të nyjëtuar me uniformitetin vezullues, si nxënës të rryer të bolshevizmës, janë veç këta – vulgokratët me armatën e milicëve dhe sigurimsave parashtetërorë, pëshpëritësve e denoncuesëve, neostambollitëve e levantinëve, skribomanëve e kurvomanëve, polpotistëve e qefinlënursëve, që i mbajnë në jetë reminishencat dhe, kësaj udhe, përftimin e vakët, lajthitshëm të vakët të “ofshàmës ilegale”, për “ditët kur ishte keq, e jetohej më mirë”, të kësaj ftome aq të trishtme në sythimin e brishtë të lirisë!

Mirëpo sado dredharakë e ndërskëmbëcorë të jenë – është Hamurabi i pavdekshëm që i kap n’flagrancë dhe nxjerr në pah fytyrat e tyre shëmtane. Pushtetarët e këtij miljeu, që sipas urdhërit të species, përçmojnë dijen e urtinë, nuk denjojnë ta shohin aksiomën e tij. Le ta ndjekin aherë vuajtësit e tyre me hovin kreativ: jo për të mirëpritur invazorë, por për të kallur e rrëzuar përdhè të kësokohëshmit inkuizitorë!..

 

Filed Under: ESSE Tagged With: nente kafete e gjumit, Rexhep Kasumaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT