Me reciprocitetin e larguar në fundjavë dhe me fushatën aktive të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, synohet t’u jepet intensitet veprimeve në rinisjen e dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje finale. Por mbetet e paqartë se kush do ta ndërmjetësojë rikthimin e palëve në tryezë- Brukseli apo Washingtoni.
Pavarësisht veprimeve të Serbisë dhe deklaratave kundër Kosovës, për Shtetet e Bashkuara njohja e plotë është ajo që duhet synuar në fazën përfundimtare të dialogut, ka shkruar sot gazeta”Koha” ne Kosove.
Gazeta ka pyetur në zyrën e Richard Grenellit, që është emisar i presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, nëse është duke u përgatitur mbajtja e ndonjë takimi dhe kohën kur mund të ndodhë kjo, por kanë sugjeruar që për këtë të pyetet Ambasada e këtij shteti në Prishtinë. Në përgjigjen e Ambasadës amerikane të dielën nuk kanë saktësuar ndonjë datë, vetëm kanë thënë se presin që dialogu të rinisë sa më shpejt. Po ashtu, kanë treguar se cili është interesi më i mirë për të dyja palët.
“Ne e mirëpresim vendimin e Qeverisë për heqjen e të gjitha masave të ndërmarra kundër Serbisë dhe tani presim që dialogu të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Njohja e plotë është në interesin më të mirë të Kosovës dhe të rajonit, për të siguruar kështu stabilitet dhe përparim ekonomik”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane dërguar gazetës.
Shtetet e Bashkuara, që janë përfshirë aktivisht në dialog, e kanë lënë në dorën e Kosovës dhe të Serbisë që të arrijnë zgjidhjen që duan. Me ndërmjetësimin e emisarit të presidentit Trump, ambasadorit Richard Grenell, deri tani janë nënshkruar edhe disa marrëveshje që prekin linja hekurudhore dhe ajrore.
Edhe njohësi i çështjes së Ballkanit, Daniel Serwer, ka parashikuar ndezje të motorëve në funksion të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.