© Melsen Kafilaj
(Studiues)
Nga gjiri i kombit shqiptar kanë dalë me dhjetra figura të shquara të cilat kanë bërë historinë e kombeve të tjera, qofshin këto në Orient apo Oksident.Njëri prej tyre është padyshim edhe Riza Tefik Bylykbashi ose i thirrur ndryshe edhe si “Filosof Rizai.”
I lindur në vitin 1869 në Bullgari prej një babai Dibran, Mehmetit dhe një nëne Çekreze, Mynires familja e tij do të largohej prej andej dhe vendosej në Stamboll.Filloren ai do ta kryente në Shkollën Hebraike “Sion” të Stambollit, që drejtohej nga Aleanca Universale Izraelite (Alliance Israélite Universelle) ku i ati shërbente si mësues i persishtes dhe arabishtes kurse gjimnazin në Gallata.Ndërsa përsa i përket arsimit të lartë, ai do të rregjistrohej fillimisht në të famshmen “Mekteb-i mülkiyye” por për shkak të temperamentit, “kokës së nxehtë prej shqiptari” dhe ideve të tij liberale do ta pezullonin prej andej për “thyerje disipline”. (Rizai kishte marr pjesë në një sërë protestash studentore, botonte ilegalisht një gazetë politike dhe lexonte gjithashtu një duzinë autorësh të ndaluar rreptësisht prej kësaj shkolle) Më vonë ai do të ndiqte Shkollën Perandorake të Mjekësisë (“Mekteb-i Tıbbiye-i Mülkiye-i Şahane”) ku do të dilte prej saj i laureuar në këtë fushë në vitin 1899.
Rizai kishte një interes të thellë për njohjen e botës njerëzore.Për këtë qëllim ai iu vu studimit të filosofisë, misticizmit, letërsisë, sociologjisë, etj.Gjithashtu ai ishte një poliglot i afirmuar.Krahas shqipes për të cilën krenohej se ishte gjuha e tij e gjakut, fliste turqisht, hebraisht (Ladino), spanjisht, italisht, greqisht, anglisht, frëngjisht, persisht, arabisht dhe armenisht.Ajo ç’ka vlen për tu theksuar është fakti se kontakti i tij me Sufizmin dhe misticizmin islam ishte mjaft i hershëm.Qysh në rininë e vet ai kishte frekuentuar disa rrethe sufiste midis të cilëve edhe “Dervishët Rrotullues” të Urdhërit Mevlana dhe i kishte lexuar “Masnavitë” e Rumiut në persisht.Më vonë ai u bë pjesë e Urdhërit Bektashi dhe mbante edhe titullin fetar “Baba”.Rizai ishte i famshëm për poezitë me tematikë mistiko-spiritualiste (tekke edebiyati) të cilat këndoheshin prej dervishëve të urdhërit në fjalë.Ai gjithashtu kishte përkthyer edhe “Rubaitë” e Khajamit në turqisht.Stili i tij poetik me kalimin e kohës do të ndryshonte, sidomos pas Lëvizjes për Literaturë kombëtare (1913) duke marr më tepër trajtë, ritëm, fjalor dhe frymë popullore.Madje një poezi e shkruar me këtë lloj stili, “Fluturoni zogj, fluturoni” (“Uçun kuslar, uçun”) tashmë është bërë mjaft e njohur si këngë në Turqi, falë edhe interpretimit mjeshtëror të këngëtarit Ahmet Kaya.
Në lidhje me botëkuptimin e tij filosofik pohojmë se ai kishte një natyrë sintetike.Filozof Rizai e njihte në mënyrë të përkryer historinë e mendimit filosofik perëndimor, atë lindor dhe misticizmin islam ndaj shkrirja, amalgamimi apo edhe mpiksja e këtyre elementeve në shkrimet e tij tregojnë për rolin e tij vizionar si urëlidhës kulturor dhe emancipues mendor brenda një Perandorie anakronike dhe konservatore.Madje ai e kishte zakon që të thoshte se Parimi i Absolutes (një koncept qëndror në filosofinë e tij) është esencialist i njëjtë si tek Ibn Arabi, Herbert Spencer po ashtu edhe tek Henri Bergson. Gjatë periudhës 1914-1922 ai kishte shkruar mbi 50 artikuj në këtë lëmi.Një vepër e shkëlqyer e cili e bëri atë të famshëm në rrethin e Orientalistëve Perëndimor është padyshim “Étude sur la Religion des Houroufis”, një studim ky i cili u kushtohej Hurufive, një sekt mistik gjatë Shek.XIV-XV dhe ndikimit të tyre në Poezinë Osmane.Një fakt interesant që do të doja të shtoja është se elemente nga doktrina mistike e këtij sekti vihen re edhe tek përmbledhja poetike “Lulet e Verës” e poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri.
Filozof Rizai gjatë jetës së vet shkroi një larushi veprash filosofike, që varionin që nga metafizika dhe ontologjia e deri tek estetika, etika dhe historia e ideve.Eshtë me vend që të përmëndim këtu disa prej tyre. Kështu psh, “Felsefe Dersleri”(Leksionet Filosofike) është përmbledhja e materialeve që ai jepte si mësues i filosofisë në shkollën e mesme “Rehber-i Ittihad-i Osmani” në vitin 1913. “Darülfünun Ders Notlari” (Shënimet e Ligjeratave Universitare) përfshin 4 leksione të mbajtura nga ana e tij gjatë kohës kur ishte profesor i filosofisë në Universitetin e Stambollit. “Bergson Hakkinda”(Mbi Bergsonin) i kushtohet mendimit filosofik të këtij mendimtari të madh francez. “Ömer Hayyam’ın Felsefesi”(Filosofia e Omar Kajamit) është një tribut “për këtë kampion të mendimit të lirë” siç do ta quante Noli ynë. Ndërsa vepra e jetës, edhe pse nuk u përfundua dhe rreshti tek gërma “C” mund të themi me plotë gojë se është padyshim “Mufassal kāmūs-i- felsefe” (Fjalor i Detajuar i Filosofisë).Kjo vepër jo vetëm e shpërfaq atë si një figurë me kulturë enciklopedike por gjithashtu hedh bazat për njëhësimin e terminologjisë filosofike dhe shkencore në botën turke.
Por ndërsa jeta intelektuale e Riza Ishraqi-t (“Të Ndriçuarit”) qe më e qetë dhe më produktive, ajo politike do të ishte e stuhishme, e trazuar dhe me të përpjetat e tatëpjetat e saj…Në vitin 1907 ai do të bëhej pjesë e Komitetit për Bashkim dhe Përparim (“İttihat ve Terakki Cemiyeti”), ky i fundit i themeluar gjithashtu prej një tjetër shqiptari, Ibrahim Temos.Ai do ti ngjiste shpejt shkallët e politikës dhe pas mbështetjes së Revolucionit Xhonturk më 1908 do të zgjidhej në parlament si deputet i Edirnesë.Ai do të ishte gjithashtu njëri prej anëtarëve të Këshillit Suprem të të Nëntëve vendimi i të cilit çoi edhe në ngritjen e “Dritës së Madhe të Stambollit” (1909). Më 1911 Rizai do të largohej prej “Komitetit” dhe do të ishte në radhët e themeluesve të Partisë opozitare për Liri dhe Marrveshje (“Hürriyet ve İtilāf”) Me kryesimin e partisë së tij ai do të shërbente 2 herë si ministër; Ministër i Edukimit dhe i Postë-Telegrafit (1918-1919).Ndërsa gjatë viteve 1919-1920 do të ishte senator dhe 2 herë drejtues i Senatit Turk.Duke pasur këtë post, ai do të ishte edhe një prej firmëtarëve të Traktatit të Sevrës (1920) i cili do të vuloste ndarjen dhe administrimin ndërkombtar të Perandorisë Osmane.Duke qënë se Rizai ishte gjithashtu një kritik i ashpër i politikës së Ataturkut, ky i fundit duke e pasur kundërshtar e shfrytëzoi këtë rast dhe e vuri atë në listën e “150 të Padëshiruarve”, duke përdorur ostracizmin politik “ndaj tradhëtarëve të interesit kombëtar të Turqisë” siç i quante ai në një fjalim.
Kështu që nga viti 1922 deri në vitin 1943 kur do ti jepej amnistia, Rizai do të provonte bukën e hidhur të emigrimit në disa vende si Qipro, Hixhaz të Arabisë Saudite, Oman, Jordani, Liban, etj dhe ai që do ta nxirrte përherë nga balta do të qe intelekti i tij brilant.Kështu psh, gjatë qëndrimit të tij në Oman, Emiri Abdullah do ta emëronte si Drejtor të Arkeologjisë të Sulltanatit. Ndërsa në Jordani, Dinastia Hashemite do ti besonte atij Bibliotekën dhe Muzeun Historik Kombëtar.Ai do të ndahej nga jeta në Stamboll në vitin 1949.
Teksa Filozof Rizai nuk njihet ende në vendin tonë, mendova që të përcjellë sot atë lutje shqip që më bën prej vitesh: “Më lini të flas pak!”
© Melsen Kafilaj
(Studiues)