• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mjerimi i Industrisë së Naftës në Shqipëri

April 10, 2022 by s p

Prof.Dr. Romeo Gurakuqi/

Ne vitin 1987, “Petroleum Geological Analysis Ltd”, me baze ne Reading, England, UK dhe “Dolan & Associates” me baze ne Surrey, po ne England, UK, botuan nje raport te detajuar, ne te cilin jepeshin vleresime mbi eksplorimin gjeologjik per naftë dhe shtresat hidrokarbure te Zones se Adriatikut Lindor, zone qe mbulon sektoret jugosllave dhe shqiptare te Detit Adriatik dhe ato te lidhura ngjitur me tokën.Ky raport u be pas zbulimit te nje numri te konsiderueshem te dhenash te mbledhura mbi Shqiperine, fillimisht prej Administrates Ushtarake Britanike ne vendin tone, pas Luftes se Dyte Boterore, te cilat u kombinuan me te dhena shume te pasura mbi gjeologjine e Mesdheut dhe veprat e gjeologjisteve te petroliumit, jugosllave dhe italiane, mbi zonen e Adriatikut. Fokusi kryesor i ketij studimi ka qene Shqiperia, shtresat e hidrokarbureve ne territorin e administruar nga shteti shqiptar. Raporti eshte shume i ilustruar dhe me rreth 80 harta, seksione dhe diagrama. Ne te jepen perllogaritje te detajuara mbi rezervat e hidrokarbonit nder anet tona dhe mundesite e shfrytezimit.Ky raport u publikua 4 vite para hapjes se Shqiperise, nderkohe qe varferia ishte ne ekstrem, por perdorimi i pasurive natyrore te vendit pengohej nga skemat politike te udheheqjes komuniste.Pas renies se regjimit diktatorial, institucionet kerkimore gjeologjike te specializuara, ne vend qe te perdoreshin per t’i sherbyer publikut te nje vendi te varfer, u shkaterruan, ndersa puna kerkimore e disa brezave te gjeologjisteve shqiptare, nuk dihet se ku ka perfunduar. Po ashtu, qeverite e tranzicionit, ne vend qe te orientoheshin ne gjetjen e investitoreve strategjike, serioze, nga vendet demokratike, aleate, u enden drejt zgjidhjeve, qe nuk paten asnje impakt mbi pasurine e qytetareve shqiptare, as ne garancine strategjike te Shqiperise. Sot, industria e naftes ne Shqiperi ndodhet ne gjendje te mjeruar, ne copetim klientelist shokesh dhe shoqesh ‘stratege’, miq te femijeve te politikaneve kryesore te vendit, kontrollore te gjithpushtetshem dhe te dhunshem te vendimarrjeve themelore, kurse e ardhmja e ketij sektori realisht strategjik, themelore per mireqenien nacionale, nuk ka asnje planifikim korigjues.Rasti i Industrise se Naftes ne Shqiperi eshte nje nga te shumtit shembuj te grabitjes se pasurive natyrore te Shqiperise dhe Publikut, perkunder interesave komunitare; drejtimet e gabuara te dhena ne raste si ky, i heqin kujtdo te drejten per te qene edhe me tutje sherbyes dhe drejtues te qytetareve shqiptare, mbasi jo vetem kane shperdoruar besimin, por kane qene te paafte per te kryer detyren qe kishin para vendit dhe te ardhmes se tij.

Filed Under: Politike Tagged With: Romeo Gurakuqi

Një vlerësim mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912, dhe sjelljen e autoriteteve otomane ndaj shqiptarëve në agimin e pavarësisë së Shqipërisë

November 27, 2021 by s p

Prof.Dr. Romeo Gurakuqi/

Shqyrtimi i mëposhtëm është pjesë e një kumtimi të ndërtuar mbi dokumentacionin arkivor të konsujve të Mbretërisë së Bashkuar të  Britanisë së Madhe, që gjendeshin në vitin 1912 në qendrat e tre prej katër vilajeteve shqiptare nën Perandorinë Osmane, pikërisht në pragun e pavarësimit të Shqipërisë. Bëhet fjalë për dosjet e nënkonsullatës britanike në Shkup të drejtuar nga Peckham, nënkonsullatës britanike në Monastir nga e cila kanë raportuar Greig dhe Morgan dhe nënkonsullatës britanike në Shkodër drejtuar nga Nikolla Suma, shkodran, të cilave u janë shtuar analizat përgjithësuese të Konsullit të Përgjithshëm Harry Lamb në Selanik. Një rëndësi të veçantë kanë sidomos raportet e zv konsullit britanik në Shkup, Peckam, mbasi Vilajeti Kosovës u bë qendra më e trazuar botës shqiptare në vitin 1912, gjegjësisht në prag të shpërthimit të luftrave ballkanike dhe pavarësimit të Shqipërisë. E ndjeva për detyrë ta botoj pjesën konkluzive të punimit tim, në kuadrin e debatit të hapur nga qarqe të caktuara politike joshqiptare dhe trysnisë së ushtruar mbi studiuesit shqiptarë në muajt e fundit, për rishkrimin, sipas orekseve politike të çastit, të historisë së Shqipërisë nën pushtimin otoman. Kjo trysni po orvatet të imponojë deri edhe vetëpërmbysje të punës së bërë për dhjetëvjeçarë nga studiuesit, të imponojë tërheqje nga puna e bërë, shmangie nga kriteret shkencore, përkulje intelektuale dhe rrumbullakosje të fakteve historike.

TRYSNIA NEO-OTOMANISTE MBI SHQIPËRINË DHE KOSOVËN E FILLIMSHEKULLIT XXI

Trysnia neo-otomaniste mbi Shqipërinë dhe Kosovën e fillimshekullit XXI vjen në një moment fort mirë të studiuar nga ata që e kanë inicuar. Shqipëria dhe Kosova aktuale janë dy shtete të dobëta politikisht, me rryma të forta paqartësie në aspektin identitar arbnor paraotoman, me probleme të rënda në respektimin e shtetit ligjor, me ecje të ngadalshme, dikund edhe të prapësueme, në procesin integrues europian dhe me mungesë përkrahje në totalitet nga tërësia e vendeve të Bashkimit Europian. Kësisoj ajo përpjekje mund të konsiderohet shumë e rrezikshme dhe përçarëse për bashkësinë e qytetarëve të lirë shqiptarë të dekadës së dytë të shekullit XXI, të cilët deri tani e kishin në çështje të zgjidhur teorike, vlerësimin mbi trashëgimin osman në trojet e tyre.

Shqyrtimi i kujdesshëm i mbi 900 faqeve dokumentacion, të dy dosjeve të vitit 1912 më ka mundësuar të rikrijoj një tablo të plotë të ngjarjeve që historiografia i konsideron si kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, parë në këndvështrimin e raportuesve britanikë. Dokumentacioni të jep mundësinë të vlerësohet kronologjia e ngjarjeve, niveli i përhapjes së lëvizjes kryengritëse nacionale në Shqipëri, intensiteti i veprimtarisë kryengritëse në të gjitha krahinat shqiptare, rrjedhat e verteta të ngjarjeve në vilajetet shqiptare në vitin 1912, programet politike, situata në ushtrinë turke, gjendja kulturore, niveli i perceptimit politik i shoqërisë shqiptare dhe orientimet politike të krahinave të ndryshme shqiptare në linjat përparimtare apo regresiste shqiptare, impostimet politike të shtresave të ndryshme dhe krahinave të ndryshme të shoqërisë shqiptare në orientimet e jetës së brendshme të Perandorisë Osmane dhe niveli i tronditjes së solli kryengritja mbi shoqërinë politike otomane të kohës.

KRYENGRITJA NË VILAJETIN E KOSOVËS SI PJESË PËRMBYLLËSE E REVOLUCIONIT NACIONAL SHQIPTAR

Së pari, më duhet të saktësoj, se kryengritja e vitit 1912, e filluar në Vilajetin e Kosovës, ka qenë pjesa përmbyllëse e Revolucionit Nacional Shqiptar të viteve 1910-1912. Ajo kryengritje është kulmimi i tretë i rizgjimit më të rëndësishëm të popullit shqiptar nën Perandorinë Osmane, rizgjim i cili ka ndodhur në rrethanat e presionit të thellë shtypës dhe otomanizues të qeverisë së Turqve të Rinj mbi kombin shqiptar, shtypjes së thellë ekonomike mbi popullsinë dhe pasqyrimit të procesit dekompozues të ushtrisë otomane dhe sistemit të arrnuar politik të këtij shteti në vdekje e sipër.

Së dyti, një nxitje të rëndësishme për ngjarjet në Vilajetin e Kosovës kanë luajtur pjesmarrja e disa prej anëtarëve më të rëndësishëm të parisë krahinore në jetën politike turke dhe bashkëveprimi me opozitën Ententiste kundër qeverisë së Komitetit “Bashkim dhe Përparim”. Duhet të saktësohet, se paria e vilajetit njëlloj si paritë e vilajeteve të tjera, i përkiste formimeve të ndryshme politike. Anëtarët e saj kanë pasur vizione jo unitare mbi të ardhmen e vilajeteve shqiptare në Perandori dhe në Ballkan dhe kësisoj janë paraqitur me programe jo plotësisht unitare në përfaqësimin e tyre pranë autoriteteve osmane. Grupet shqiptare të Vilajetit të Kosovës me qendër në Shkup përshkruhen në këtë mënyrë nga diplomati britanik, përsa i perket orientimeve politike. Ai dallon tri grupime politike brenda levizjes shqiptare në Vilajetin e Shkupit: 1. Grupi i parë ishte ai opozitar Ententist (dhe përfaqësohej nga Hasan Prishtina, i cili arriti të fitonte objektivin e vet kryesor, rënien e qeverisë së Komitetit “Bashkim dhe Përparim” dhe kërkonte më pas diçka më shumë se garanci, që Shqipëria nuk do të trajtohej në të ardhmen ashtu sikurse kishte qenë trajtuar në të shkuarën. 13 pikat e kërkuara në programin e përpiliuar nga ai pasqyrojnë në një farë mënyre politikën e këtij grupimi. 2 Grupimi politik Autonomist i përfaqësuar nga Riza Beu (Kryeziu). Kjo parti synonte si hap të fundit, në qoftë se jo autonominë e menjëhereshme, një Guvernator të Përgjithshëm të zgjedhur. 3 Partia Konservatore e përfaqësuar nga Isa Boletini, përfaqësonte fiset malore dhe qëllim i tyre ishte ruajtja e shoqërisë tradicionale, organizuar dhe ruajtur nga zakonet tradicionale të krahinës së tyre, në të cilën ata ishin mësuar të sundonin. (PRO.FO.195 2407. doc.no.67, faqe 256-257, Peckham to Lamb, Uscub, August 12, 1912.)

Së treti, kryengritja e vitit 1912, me epiqendër Vilajetin e Kosovës, është shoqëruar me precipitim të situatës edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, në Vilajetin e Manastirit kryesisht, por edhe në atë të Janinës dhe të Shkodrës. Gjithashtu nga drejtuesit e krahut përparimtar të kryengritjes është pretenduar dhe bërë çfarë ka qenë e mundur në kushtet e Shqipërisë së asaj kohe, që kryengritja e nisur në Kosovë, të shoqërohej me zhvillime të ngjashme edhe në krahina të tjera të Shqipërisë. Në të vertetë, ajo çfarë ka ndodhur në Vilajetin e Kosovës në rrjedhen e muajve maj-gusht 1912, nuk është shoqëruar me të njejtën masë, intensitet ushtarak dhe luftarak edhe në pjesët e tjera të vilajeteve shqiptare, por gjithsesi situata ka qenë ngjashmërisht e tensionuar, mjaftueshëm për të tronditur seriozisht sundimin ottoman në Shqipëri, por edhe për të ndezur përgatitjet e qarqeve të caktuara ballkanike për të ndaluar procesin e krijimit të një entiteti të ri ballkanik që do të mbante njëlloj të ngushtuara hapësirat gjeopolitike të tyre në Ballkan. Emërtimi kryengritje e përgjithshme kësisoj, së paku do të duhet të ridimensionohet, saktësohet, të vendoset në kontekstin e zhvillimeve konkrete të ngjarjeve të periudhës dhe të analizohet në të gjithë elementët e saj përbërës. Nga ana tjetër, që të kesh kryengritje të përgjithshme duhet të kesh një organizatë mbarëkombëtare drejtuese. Një organizatë e tillë nuk është se nuk ka ekzistuar, por asaj i ka munguar një efiçencë në praktikë. Unë besoj se ka qenë jo e mundur në rrethanat e sfondeve të ndryshme kulturore, organizimi dhe mbajtja nën një shtyllë te vetme e të gjitha prirjeve të parisë shqiptare.

ZHVILLIMET POLITIKE USHTARAKE TË KRYENGRITJES SHQIPTARE NË VILAJETIN E SHKUPIT

Së katërti, zhvillimet politike ushtarake të kryengritjes shqiptare në Vilajetin e Shkupit më 1912, i janë bashkëngjitur ç’organizimit të përgjithshëm ushtarak, rebelimeve të herëpasherëshme të ushtrisë otomane në vilajetet e banuara nga shqiptarët. Ky ç’organizim vërtet është përshpejtuar nga vala e papërballueshme dhe masive e kryengritjes në krahinë, por nga ana tjetër, bashkëshoqërimi i kryengritjes me këtë rebelim të ushtrisë si dhe me veprimtarinë e partisë opozitare turke, ka kornizuar shpesh herë ligjërimin patriotik shqiptar, ka moderuar objektivin e pastër antiosman dhe karakterin laik e iluminist përbashkues të të gjithë segmenteve përbërëse të lëvizjes kombëtare shqiptare, duke krijuar në këtë mënyrë një qasje më të prapësueme se programi politik, tehu i qartë antiosman i kryengritësve të Malësisë së Madhe të vitit 1911, programi i Memorandumit të Greçës dhe nga aktiviteti albanianist i qarqeve shqiptare me formim të europianizuem nën ndikimin dhe mbështetjen e fuqishme edhe financiare të  Austrisë, mbrojtësës së vetme madhore të popullit shqiptar.

Së pesti, progamet politike të kryengritjes së vitit 1912 kanë një bazament themelor të përbashkët dhe diferencohen në pikat e tyre kulmore varësisht vendit ku janë prodhuar, ku janë rishkruar, varësisht aspiratave të individëve udhëheqës së krahinave respektive. Dokumentacioni që kemi pasur në dispozicion na mundësoi të dallojmë shkrime programesh politike, vetëm në muajin gusht 1912, një në Vilajetin e Shkupit, një në Shqipërinë e Jugut dhe një në Shkodër. Të tri këto manifeste pretendojnë të jenë pjesë e një lëvizjeje, por ata dallojnë në pikën goditëse të procesit shkëputës nga Perandoria Osmane. Gjithsesi, ndikimi i klasës së otomanizuar dhe turkomane ka qenë një faktor i rëndësishëm frenues që ka përkulur tehun e qartë kombëtarist, albanianist, të unifikuar e mirëfilli separatist të kryengritjes shqiptare të vitit 1912 dhe kjo gjë vihet re krejtësisht qartë sidomos në rrjedhat e ngjarjeve Vilajetin e Shkupit më 1912. Lëvizja e Vilajetit të Shkupit i bashkëngjitej programit më të përparuar politik të Malësisë së Madhe, krahinë e cila, pikërisht në këtë kohë, siç duket serish me nxitjen edhe të Ismail Qemalit, ka avancuar një memorandum me kërkesat e mëposhtme: 1.përkufizimin e kufijve politikë të Shqipërisë; 2.njohjen e flamurit shqiptar; 3.emërimin e një guvernatori të përgjithshëm për të gjithë Shqipërinë, të zgjedhur nga fisnikëria e vjetër shqiptare; 4.Heqjen nga Shqipëria të të gjithë zyrtarëve që u përkisnin racave të tjera dhe emërimin e shqiptarëve në vend të tyre; 5.pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, e cila do të duhej të mësohej me germa latine; 6. Pranimi i të gjitha këtyre kërkesave duhej të garantohej prej Fuqive të Mëdha (PRO.FO.195.2406 Inclosure No.1, in Consul-General Lamb’s dispatch No.67 of 22 May, 1912, Translation of letter in “Yeni Asr” of the same date from a correspondent at Uscub.) Me datën 7 gusht 1912 Hasan Prishtina, Mehmet Pashë Tetova, Riza Kryeziu, Isa Boletini dhe Jahja Aga paraqitën një Mazbatë me kërkesa si më poshtë vijon: Albabeti kombëtar me germa latine të përdorej për gjuhën shqipe në katër vilajetet shqiptare;  Një Lice duhej të ndertohej për çdo sanxhak të vilajeteve shqiptare; Gjuha amtare e nxënësve duhej të ishte gjuhë e arsimimit në të gjitha shkollat fillore; Me perjashtim të rasteve të jashtëzakonshme, shqiptarët duhej ta kryenin shërbimin ushtarak në Turqinë Europiane; Qeveria duhej t’i pajiste banorët e krahinave kufitare me armë; Zyrtarët qeveritare duhej të dinin gjuhën shqipe dhe të njihnin zakonet krahinore; Një amnisti e përgjithshme dhe e pakushtëzuar për të gjitha veprat penale që nga fillimi i kryengritjes; Nxjerrja para gjykimit parlamentar (Impeachment) i kabinetit të Said Pashës; Rrugët dhe hekurudhat të ndërtoheshin sa më shpejt që të ishte e mundshme; Ligji zakonor shqiptar të aplikohej në disa krahina dhe lokalitete; Të formoheshin nahije të reja; të fillohej shfrytëzimi i minierave dhe pasurive pyjore; dhe reduktimi i taksës se deles (Aghnan) (PRO.FO.195.2407, doc.no 65, faqe 214, Peckham to Lamb, Uscub 8 August 1912). Ndërkaq, në Memorandumin e shfaqur në Monastir formulohej edhe kërkesa për një guvernator të përgjithshëm europian, në memorandumin e Shqipërisë së Jugut (Sinjë) kërkohej caktimi i një Inspektori të Përgjithshëm për një përiudhë të përcaktuar (PRO.FO.195. 2407 doc no 109, faqe 307- 3089 dhe 309-310. Lamb to Lowther, Salonica 19 August, 1912. Incolure No 1 in Consul General Lamb’s Despatch no 109 of 19,. August 1912), kurse Memorandumi i shfaqur në Shkodër në disa aspekte shkonte shumë përtej dokumentit të Sinjës, duke përcaktuar krijimin e një Asambleje Nacionale Shqiptare, të pavarur nga Parlamenti i Stambollit, i cili do të kontrollonte financat e Shqipërisë dhe forcat e veta territoriale. (PRO.FO.195. 2407 doc no 109, faqe 307- 3089, dhe 309-310. Lamb to Lowther, Salonica 19 August, 1912. Incolure No 1 in Consul General Lamb’s Despatch no 109 of 19  August, 1912.)

SJELLJA E AUTORITETEVE OSMANE NË VILAJETIN E KOSOVËS

Së gjashti, sjellja e autoriteteve osmane në Vilajetin e Kosovës, ndaj shqiptarëve edhe të moderuar pjesmarrës në lëvizje, ka qenë e ashpër, edhe përkunder kodeve të së drejtës zakonore shqiptare. Rasti më flagrant, që ndodhte jo në fillimet të pushtimit barbar pesë shekullor, por në muajt e fundit të agonisë osmane në Shqipëri, ka qenë transferimi, dmth internimi dhe mbajtja nën mbikqyrje si pengje, e grave dhe familjeve të disa prej liderve të kryengritjes shqiptare të Kosovës, të transferuar në Shkup, të cilin dokumentacioni britanik na lejon ta ridimensionojmë dhe faktojmë duke përcaktuar shumë qartë, se sjellja e qeverisë osmane në Shqipëri ishte në konstanten e vet antishqiptare, njëlloj si në ditën e parë të pushtimit edhe pas pesë shekujsh barbarizëm, çkombëtarizim dhe përkulje identitare iliro-arbnore. Ky ka qenë një prej veprimeve më të rënda që ka shokuar opinionin publik në Kosovë. Në këndvështrimin e diplomatit britanik zv.konsullit Peckham, ky veprim përbënte provokimin më të rëndë për nxitjen e një kryengritjeje të përgjithshme shqiptare në Kosovë (PRO.FO.195.2407, doc no. 49, faqe 5, Uscub, July 9, 1912).

Së shtati, punimi sjell një panoramë të plotë të zhvillimeve ushtarake në terren. Mbi të gjitha dokumentacioni mundëson të saktësohet, se ajo çfarë është konsideruar në historiografinë zyrtare shqiptare si pushtim i qyteteve të vilajetit, Prishtinë, Ferizaj, Shkup, ka qenë më së shumti një invadim popullor shqiptar, kryesisht i armatosur, per shkak të mosreagimit të vërtetë ushtarak të ushtrisë turke në kushtet e zgjedhjes se qasjes mosreaguese nga ana e autoriteteve qeveritare qendrore osmane dhe dezintegrimit të njësive ushtarake. Kjo zgjedhje politike e Stambollit ka ardhur për shkak të intensitetit të veprimeve kryengritëse, presionit të gjërë popullor shqiptar kundër pushtimit dhe procesit dezertues në ushtrinë turke, në kushtet e rritjes së ndikimit të opozitës politike në radhët e ushtrisë.

SJELLJA ZYRTARE E STAMBOLLIT NDAJ SHQIPËRISË DHE POPULLIT SHQIPTAR

Në fund fare duhet të theksojmë se sjellja zyrtare e Stambollit ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar edhe në momentet e fundit të agonisë së autoritetit shtetëror otoman në trevat tona, për shkak të goditjes rrënjësore të kryengritjeve 1910-1912, ka vazhduar te jetë e njejtë: një politikë e pasinqertë, dredharake, përherë brutale dhe kriminale, regresive dhe frenuese në aspektin e emancipimit arsimor dhe kulturor, shtypëse në aspektin e lirisë në përgjithësi. Kjo politikë dhe ky veprim ushtarak e la territorin e katër vilajeteve në prag të fillimit të luftrave ballkanike, në një gjendje të mjeruar në pikëpamje të kohezionit material, të papërgatitur në pikpamje të organizimit politik dhe administrativ, dhe krejtësisht e “gatshme” për të qenë një prehë e pambrojtur para stuhisë së shfrenuar të qarqeve shoviniste ballkanike. Kjo situatë rezultoi fatale në përiudhën vijuese, veçanërisht për hapësirat skajore të trojeve të banuara nga shqiptarët, në të cilat, goditja e ashpër ushtarake e ushtrive ballkanike, e gjeti popullsinë në një situatë post-traumatike dhe përgjithësisht të paorganizueme në masën e duhur për të përballuar intensitetin e makinerive ushtarake të shovinistëve fqinjë. Në pikëpamje të përballimit politik të agresionit dhe mbrojtjes së tërësisë territoriale në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në fund të vitit 1912 dhe fillim të 1913, Shqipëria, ndonëse e identifikuar territorialisht në mendjen e lidershipit rilindas shqiptar, ka qenë e paidentifikueme administrativisht dhe politikisht nga kanceleritë e fuqive, që patën në dorë fatin e të ardhmen e këtij vendi. Kjo sepse presioni shtypës i shtetit osman mbi shqiptarët, mungesa e tolerancës minimale politike për të pranuar programin autonomist për riorganizimin e katër vilajeteve ku shqiptarët jetonin në shumicë, mungesa e tolerancës kulturore edhe në mësimin e gjuhës shqipe dhe ndërtimin e sistemin arsimor shqiptar, nuk u mundësoi shqiptarëve, qoftë edhe në rrjedhën e vitit 1912, të identifikoheshin administrativisht dhe politikisht nën një njësi të vetme territoriale brenda perandorisë, gjë që do ta kishte lehtësuar veprimin politik të fuqisë së vetme mbrojtësë të Shqipërisë, Perandorisë Austro-Hungareze, në diskutimet diplomatike të kohës, respektivisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku Ballplatz-i u gjend i vetëm në mbrojtje të kombit shqiptar.

E gjithë kjo na nxjerr sërish në përfundimin se kasta drejtuese otomane e Kostandinopojës, operoi mbi popullin shqiptar dhe tokat shqiptare, deri në momentin e fundit të agonisë së sundimit të saj në trevat tona, njëlloj si në ditën e parë të pushtimit, me mentalitetin, mjetet dhe metodat e pushtuesit. Faktet për këtë sjellje gjenden me shumicë, para së gjithash në arkivat otomane, të cilat rezultojnë të jenë të studiuara në mënyrë të papërshtatshme dhe aspak shterruese. Edhe sikur sot dikush apriori të kërkojë të ndryshojë thelbin e pushtimit otoman në Shqipëri, do të duhet të kujtojë që brezat e ardhshëm do të jenë të lirë dhe plotësisht të çliruar nga vargonjtë e presioneve politike, të gërmojnë me kompetencë arkiven e pamasë otomane për Shqipërinë dhe dokumentacionin po aq të gjërë të kancelerive të fuqive të mëdha për periudhën e pushtimit otoman në këtë vend.

Filed Under: Analiza Tagged With: Romeo Gurakuqi

DREJT NJË STRATEGJIE TË ALBANOLOGJISË

October 27, 2021 by s p

Në datat 25-26 tetor 2021, Akademia e Studimeve Albanologjike organizoi konsultën “Drejt një strategjie të Albanologjisë”. Të ftuar në këtë aktivitet ishin Instituti i Albanologjisë-Prishtinë, Instituti i Historisë “Ali Hadri”,Prishtinë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup si dhe Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së Shkup. Ky aktivitet u zhvillua ne Sallen e Senatit te Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.

PROF.DR. ROMEO GURAKUQI kërkoi në takim që: Akademia e Studimeve Albanologjike të ringrihet te statusi i vjetër juridik dhe trajtimit në nivelin akademik dhe duke qenë se është vijuese e Institutit të Studimeve Shqiptare të drejtuar nga Ernest Koliqi, Mustafa Kruja, Anton Harapi, Cabej, Paluca, Kamsi, Kurakuqi, Xhuvani etj dhe të trajtohet me të njëjtin status nga Protokolli Zyrtar i Republikës së Shqipërisë.

A do të vazhdojë albanologjia me statusin e një qendre të kërkimit shkencor që i kërcënohet kohë pas kohe pavarësia? A është kjo shkencë në vendin e saj dhe a mbështetet sa duhet nga shteti? Çfarë duhet të bëjë vetë albanologjia për të mos qenë një shkencë lokale por evropiane? Nga këto çështje nisi konsulta “Drejt një strategjie të albanologjisë” e mbajtur në Shkodër në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, me pjesëmarrjen e tri qendrave albanologjike të Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit. Këto pyetje u shtruan fillimisht nga prof. dr. Luan Përzhita, rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, por në vazhdim doli se ndajnë të njëjtat shqetësime edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës bashkë me Institutin e Historisë “Ali Hadri”, krahas Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve në Shkup përfaqësuar nga dr. Skënder Asani dhe prej Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës e RMV-së po në Shkup përfaqësuar nga prof. dr. Ylber Sela. Veçanërisht këtyre dy strukturave albanologjike në Shkup u duhet të përpiqen dyfish për statusin e një etnie që kërkon të ruajë identitetin e vet shqiptar. Situatat e ngjashme në vendet respektive kanë të bëjnë me: centralizimin nga akademitë honorifike, gjë që mund të zgjidhet vetëm se nga një kuadër i ri ligjor; me keqfinancimin dhe reduktimin në minimum të kapaciteteve shkencore; me integrimin e dijes albanologjike në rajon e më gjerë, në hapësirën evropiane të shkencës; me investimin për ruajtjen e arkivave albanologjike në kushte optimale dhe digjitalizimin e trashëgimisë së vjelë në formatin klasik; me aksesin te publiku e librit albanologjik. Pikërisht libri, si produkti kryesor i shkencave albanologjike, ishte një nga pikat qendrore të diskutimit. Botimet e të tria qendrave albanologjike nuk shpërndahen, nuk kalojnë në Evropë, nuk njihet ende botimi i librit në formë elektronike dhe shpërndarja e tij në magazinat e mëdha elektronike të librit si Amazone. Edhe cilësia e botimit lë shumë për të dëshiruar. Prof. dr. Hysen Matoshi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, përmendi edhe fatin e revistave shkencore dhe indeksimin e tyre në platforma ndërkombëtare. Prof. asoc. dr. Sabit Syla nga Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, e vuri theksin te nevoja e unifikimit të teksteve shkollore të historisë. “Janë në një gjendje për të ardhur keq sepse nuk kalojnë përmes ekspertizës së instituteve të historisë. Fëmijët tanë këtej dhe andej kufirit mësojnë histori të ndryshme. Ai propozoi ngritjen e një këshilli koordinues për kalendarin e punëve të përbashkëta mes tri qendrave albanologjike. Nëse ky takim i parë ishte një diskutim i hapur dhe shpesh edhe me tone vetëkritike për atë që është arritur dhe ku duhet të shkohet, siç u pa në diskutimet e prof. asoc. dr. Afrim Krasniqit, prof. asoc. dr. Belisa Mukës, dr. Olsi Lelajt, studiuesit Aurel Plasari, arkeologut Bashkim Lahi etj., një takim i dytë do të duhet të përcaktojë detyrat konkrete të bashkëpunimit. Në konsultën e Shkodrës u tha se Akademia e Studimeve Albanologjike është nga të paktat institucione në vend që nuk është prekur nga sëmundjet e shoqërisë shqiptare, por kjo nuk mjafton për çfarë pritet më tej prej ASA-së. Në përfundim të takimit profesorët pjesëmarrës arritën në disa konkluzione si: – zgjidhja e statusit të qendrave albanologjike jo thjesht si element administrativ, por edhe juridik e politik; – autonomi shkencore dhe financiare, sepse albanologjia, ndryshe nga shkencat e tjera, mbetet një shkencë me mision kombëtar; – rritje e cilësisë së librit albanologjik dhe e qarkullimit ndërkombëtar të dijes albanologjike; – t’u rikthehet institucioneve albanologjike një përqindje nga të ardhurat që produkti i tyre arrin të ketë (arkeologjia hap një diskutim të tërë në këtë pikë për bashkëpunimin në fushën e turizmit kulturor);- certifikimi i teksteve shkollore që nxënësit të marrin në mënyrë serioze dije historike, etnografike, arkeologjike; – botimi i veprave nga arkivi, vepra në dorëshkrim apo të ndaluara për arsye politike të cilat mund të vinin në kuadër të 110-vjetorit të pavarësisë vitin e ardhshëm; – ASA në Tiranë, si udhëheqëse e këtyre reformave të nevojshme për të tria qendrat albanologjike, është e mendimit se duhet të jetë pikërisht ajo sipërmarrësja dhe propozuesja e zgjidhjeve edhe pranë qeverisë shqiptare; – krijimi i një këshilli koordinues Tiranë-Prishtinë-Shkup. Kjo frymë e konsultës në Shkodër, ka rastin të reflektohet së afërmi edhe në Ditët e Albanologjisë në muajin dhjetor. (Faqja zyrtare e Akademise se Studimeve Albanologjike)

Filed Under: Opinion Tagged With: Romeo Gurakuqi

Kryengritja e Postribës dhe rrjedhojat e kësaj lëvizjeje për Shkodrën dhe Shqipërinë?

September 9, 2021 by s p

Nga Romeo Gurakuq

iSe pari, ajo nuk ka qene nje levizje spontane por pjese e Rezistences se programuar te Shkodres dhe Malesive te saj kunder depertimit komunist jugosllav ne kohen e LDB dhe vendosjes se diktatures komuniste. Qe në fundin e verës së vitit 1943, Malësitë e Mbishkodrës, që përfshinin edhe trevat shqiptare të lirueme (të Hotit, Grudës, Triepshit, Kojës) dhe Postriba, kishin bërë një Besëlidhje me objektiv kryesor mbrojtjen e shtetit në tërësinë e vet tokësore nacionale. Besëlidhja është nënshkruar nga Krenët e Hotit, Krenët e Grudës (Krenët e Tuzit, Vranës dhe Vllanës), Krenët e Kelmendit (Bajrakët e Nikç, Vukël, Selcë, Bogë), Krenët e Kastratit, Krenët e Shkrelit, Krenët e Tripeshit, Krenët e Koqes (Kojes) (Krenët e Fundës, Laurë –Ledinë); Krenët e Reçit, Krenët e Lohes, Krenët e Rrjollit, Krenët e Koplikut, Krenët e Postribës (Bajrakët e Boksit, të Drishtit dhe të Sumës). Besëlidhja e Malësisë së Madhe dhe e Postribës eshte nenshkruar me 23 shtator 1943, ora 16.30. Përfaqësuesit e Malësisë së Madhe dhe të Postribes, deklaruan me këtë rast se nuk bënin pjesë në asnjë parti, përkrahnin dhe bashkëpunonin me ato parti, që mbronin interesat e Atdheut, sipas parashikimit të pikës së mbrojtjes së Tokës Shtetnore. Garantë të kësaj marrëveshjeje u bënë: Major Mul Delija, Major Dodë Nikolla, Kapiten Llesh Marashi, Kapiten Gjelosh Luli. Ne fakt, Beselidhja e 23 shtatorit 1943 ishte perforcim i punes pararendese te një komision krahinor, pjese e “Komitetit per Shpetimin e Shqiperise” te krijuar me 15 gusht të vitit 1943, në Gradiks të Lohes në Malësi të Madhe, me anëtarësinë e çetave të ndryshme të zonës së Reçit dhe Postribes, nën kryesinë e Jup Kazazit. Përmbajtja e deklaratës dhe bashkësia e të besëlidhurve, që përfshinte edhe përfaqësuesit më të rëndësishëm të “Tokave të Lirueme” Veriperëndimore, brenda Mbishkodrës, janë fakte të mjaftueshme për të kuptuar mënyrën se si përballej kjo anë e Shqipërisë me rrethanat e reja të pushtimit gjerman. Kemi të bëjmë me një përpjekje strategjike për akomodim, në rrethanat e tranzicionit politiko-ushtarak të pushtimit gjerman. Është një manovër politike për kompaktësimin e qendrimit të Mbishkodrës, në bashkim, para rrezikut të rikthimit të kuadrit shtetëror shqiptar, në kushtet e një kufiri, që prirej të kthehej mbrapa në kohë, për shkak të përparimit komunist jugosllav në këto anë permes ushtrive partizane shqiptare te drejtuara nga PKSH. Pa kuptuar këtë vendosje politike dhe ushtarake të parësisë së kësaj ane ne vjeshten e vitit 1943 dhe rrjedhen e vitit 1944, nuk mund të kuptohet, as qendrimi vijues i këtyre bashkësive shoqërore, dhe as përballja që ato do të kenë, në fund të vitit 1944, ne fillim të vitit 1945 dhe ne Kryengritjen e Postribes me Forcat e Ndjekjes se MPB te Qeverise se Enver Hoxhes.Se dyti, pas hyrjes së trupave partizane në Shkodër me 29 nentor 1944, opozita e armatosur e kesaj strukture u zhvendos drejt zonave periferike më të mbrojtura, në Malësi të Madhe, Dukagjin, Pukë, Mirditë etj. Pikat e fillimit të rezistencës së armatosur: në Malësi të Madhe nga Llesh Marashi dhe Prenkë Cali; në Anë të Malit nga Hasan Isufi; në Bardhaj nga Jup Kazazi.Kemi të bëjmë me një pushtim të një pjesë të Shqipërisë, të komuniteteve historikisht të lira dhe më të emancipuara të Shkodrës dhe hinterlandit të saj, të Mirditës, të Zadrimës, të Bregut të Matës, të Malësisë së Madhe, të Postribës, të Dukagjinit, nga forcat partizane të sigurisë, që nuk i përkisnin aspak, nga kompozita krahinore, përbërjes dhe mentalitetit të popullsisë vendase të Veriut.Kryengritja e pare kunder okupacionit komunist ka qene ajo e Kelmendit e drejtuar nga Prenk Cali. Pas shtypjes se Kryengritjes se Kelmendit, Brigada XI, nga data, 15 shkurt 1945, filloi operacionet në shkallë të gjërë në Shalë dhe Shllak, në komandën e Ndreko Rinos. 4 batalione të Brigadës I, nën komandën e Ferit Radovickës, më, 19 shkurt 1945 filluan operacionet rrënjësore në Hot, Kastrat, Shkrel, Rrjoll, Postribë. Një batalion i Brigadës IV u dërgua në Pukë, Brigada XVII, nën kryesimin e komandantit të Divizionit VIII, vijoi operacionet në Mirditë. Në Mat dhe Dibër operonin Brigada XXVII; Brigada XVIII operonte në Lumë dhe pjesërisht në Fan të Mirditës, ndërsa krahinat e Krumës, të Tropojës, Hasit, Nikajve, Merturit, në muajin shkurt të vitit 1945 ende nuk ishin shkelur nga forcat komuniste, por parashikohej dërgimi i Brigadave XXIV dhe XI, sapo të mbaronte operacioni në Dukagjin.Operacioni i zhvilluar në katër muajt e parë të vendosjes së regjimit të terrorit komunist në Qarkun e Shkodrës, dha frytet e veta në mposhtjen dhe frikësimin masiv të popullsisë. Goditja kryesore ka qenë ndaj Kishës Katolike, që nga komunistët paragjykohej si “flamurtare e reaksionit”. Pavaresisht ketij represioni në krahinë vazhdonin të gjenin strehim të padorëzuar, Mark Gjon Markaj, Padër Anton Harapi, Llesh Marashi, Jup Kazazi etj. Forcat nacionaliste shpresonin ende në këtë kohë për një ndërhyrje të britanikëve dhe amerikaneve qe nuk erdhi kurre.Agresioni i Ushtrisë së Enver Hoxhës në Shkodër dhe në Veri mund të konsiderohet pa frikë, një nënshtrim me anë të terrorit. Këtë nuk ngurrojnë ta pranojnë as vetë protagonistët e këtij depërtimi, kur shprehen se në “përgjithësi mund të themi se Prefekturën e Shkodrës e kemi okupuar ushtarakisht”, ose “Prefektura e Shkodrës e ka ndjerë grushtin e forcave tona me plot kuptimin e fjalës”(AQSH, Fondi 14, Viti 1945, D. 215, fleta 81-87. Raport i Ushtrisë Partizane, pa nënshkrim, që mban datën 18 shkurt 1945)Se treti, e gjithe cfare ka ndodhur ne Shqiperi ne rrjedhen e viteve 1945 deri ne Kryengritjen e Postribes ne shtator te vitit 1946 do te duhet te perkufizohet ne nje Faze te Katërt e Luftës Civile ne Shqiperi. Kjo faze e katert fillon me nënshtrimin e Kelmendit në janar- shkurt 1945 dhe përfundon me shtypjen e Kryengritjes së Postribës në shtator të vitit 1946. Fazë e Katërt e Luftes Civile ne Shqiperi, produkt i specifikave te Shqiperise ne LDB, ka qenë vetëm një proces pastrues nga rezistenca e popullit, nje raprezalje ndaj krahinave që nuk dëshironin t’i nënshtroheshin pushtetit komunist dhe shumë pak kishte të bënte me një ballafaqim me organizatat rivale të luftës.Ne zonen e Postribes, periferinë veriore dhe verilindore te Shkodres, pas LDB qarkullonte dhe kishte gjetur strehim Jup Kazazi. Saktësisht aktiviteti i tij ishte në Boks, Drisht, Ura e Mesit, hapësirë nga ku komunistët nuk kishin arritur të depërtonin shpirtërisht në popull. Pikërisht këtu filloi në shtatorin e vitit 1946, Lëvizja e Postribës, që në fakt është edhe Kryengritja e Parë e Madhe dhe Lëvizja e Dytë e Qëndresës në Shkodër kundër regjimit të terrorit komunist, pas Kelmendit. Kryengritja në Postribë, ka qenë një kryengritje e mirëfilltë kundër pushtetit komunist, bazuar mbi Beselidhjen e arritur qe ne kohen e luftes, qe per keto ane nuk kishte mbaruar me nenshtrim. Se katerti, eshte interesant fakti se shtypja e Kryengritjes se Postribes sherbeu si pretekst dhe alibi per shtimin e represionit dhe goditjen e grupit te dyte te deputeteve. Pastrimi brenda FNÇ-se.I akuzuari i parë me kete rast ishte deputeti Riza Dani. Më, 23 dhjetor 1946, Kuvendi Popullor vendosi t’i heqë atij mandatin dhe imunitetin parlamentar. Mandati iu hoq edhe tre deputetëve të tjerë të Shkodrës: Kol Prelës, Zef Haxhisë dhe Hysni Pejës. Ndonëse ishte arrestuar më herët se deputetët e tjerë, gjyqi ndaj Riza Danit u zhvillua më vonë. Më, 15 maj 1947, Ministria e Punëve të Brendshme i kërkoi Presidiumit të Kuvendit Popullor, që të hiqte imunitetet e deputetëve opozitarë: Shefqet Beja, Kol Kuqali, Selaudin Toto, Enver Sazani, Irfan Majuni, Faik Shehu, Sheh Karbunara, Kostandin Boshnjaku dhe Islam Radovicka. Heqja e imunitetit parlamentar në Kuvendin Popullor u krye pa debat të mirëfilltë parlamentar, në një situatë të tensionuar dhe aspak normale. Krahas deputetëve, në organizatë u përfshinë dhe një sërë figurash e personalitetesh të tjera, si: Sulo Konjari, Ramazan Tabaku, Riza Alizoti, Foto Bala, Abdyl Kokoshi, Syrja Selfo, Mestan Ujaniku e shumë të tjerë. Shumica e deputetëve u akuzuan, se kishin nxitur dhe organizuar Kryengritjen e Postribës. Ne fakt asgje e tille nuk ishte e vertete. Sfondi i Kryengritjes se Postribes dhe permbajtja kishin te benin me nje formacion krejtesisht tjeter opozicioni.Si konkluzion duhet te themi se Ballafaqimi i Ushtrisë dhe Forcave të Ndjekjes në Shkoder dhe Malesite e rrethet e saj, në rrjedhën e viteve 1945 – 1946, jo vetëm ka qenë një rezistencë ndaj depërtimit komunist, por edhe ndaj rikthimit të tokave të Malësisë në shtetin e dytë jugosllav, të krijuar nga aleati i Enver Hoxhës, Josif Broz Tito.Regjimi që u instalua nga komunistët rezultoi edhe më represiv se sa ai që kishin ndërtuar Italia fashiste dhe posaçërisht Regjenca shqiptare në kohën e mbisundimit të Wehrmacht-it. Objektivi kryesor i komunistëve ishte marrja e pushtetit dhe shkatërrimi i bazës humane të rezistencës kundër ardhjes së tyre, që u përvijua gradualisht në shoqërinë shqiptare. Pas kesaj ngjarje Shkodra dhe Shqiperia do vijojne te jetojne nen nje klime terrori gjithnje e me te rende.

Filed Under: Politike Tagged With: Kryengritja e Postribës, Romeo Gurakuqi, shqiperia

VITI I GJERGJ KASTRIOTI- SKENDERBEU, SI KOHE REFLEKTIMI

January 18, 2018 by dgreca

 

1 ok Romeo salleIMG_95141 romeo shoku1 Gjonaj Romeo1 Balaj Romeo1 Deda Romeo1 a salle em vatrane

NGA PROF. ROMEO GURAKUQI*/

Sot, më datë, 17 janar 2018, populli shqiptar në çdo  trevë përkujton 550- vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skanderbe, e njohur si figura më e madhe e historisë së kombit shqiptar, falë të cilit ne kemi lirinë dhe një atdhe, por edhe si një nga figurat e mëdha të historisë europiane të kohës kapërcyell, ndermjet Mesjetës dhe Kohës së Hershme të Modernitetit Europian.

Në këtë 550- vjetor popullli shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, si dhe në trojet e tjera shqiptare Malësi, Ulqin, Dibër, Tetovë, Gostivar, po e pret me nderim të veçantë përvjetorin e 550-të të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeg, në këtë kohë reflektimi, mbasi ai është më afër andrrës ri-europianizuese, pas një ndërprerje afatgjatë të shkaktuar nga regjimet e dhunës së gjithanshme, të udhëheqjeve të deformuara në aspektin e kodeve tradicionale patriotike arbnore dhe kulturës politike dhe shtetformuese skenderbegiane.

Nën udhëheqjen e Skenderbeut, arriti kulmin lufta një shekullore, që arbërit banë për mbrojtjen e vatrës së tokës amë dhe lirisë, kundër pushtuesve osmanë, asokohe rishtarë në Ballkan. Në këtë epope, lufta për organizimin dhe bashkimin politik të të gjithë shqiptarëve, të shpërndarë deri më atëherë nën sundimin e princërve të veçantë arbnorë, shënoi një hap të mëtejshëm, drejt bashkimit shtetëror, i përgatitur ky bashkim mbretnor, nga e gjitha faza pararëndëse e ecjes së njëkohshme e popullit tonë, krahas popujve të tjerë europianë.

Në shekullin XV, shqiptarët, nën udhëheqjen e Skenderbeut, duke luftuar për të mbrojtur tokën, familjen, përkatësine europiane të kombit, lirinë e vet, u banë nji ledh mbrojtës për të ndalur vërshimin shkatërrues të agresionit të sulltanëve, kundër qytetërimit europian të Arbërisë adriatikase dhe joniane dhe qytetërimit romano-bizantin në tanësi. Kështu, populli ynë, dha një kontribut të shquar në një nga çastet ma vendimtare për mbrojtjen e Europës dhe kulturës së saj, nga pasojat shkatërrimtare, që sillte me vete pushtimi huaj i ardhur nga djerrinat.

Heroi ynë kombëtar ka nji rol te rëndësishëm themelor, si udhëheqës shtetëror dhe prijës ushtarak i Arbërisë, të riformatuar territorialisht, në kushtet e vështira të shekullit XV. Figura e tij qëndron ndërmjet dy periudhave të mëdha të historisë kombëtare, si udhëheqës i epokës së randësishme kapërcyell, ndërmjet mesjetës arbnore rilindase dhe humaniste (kuptuar se pari konvencionalisht), dhe modernitetit të hershëm europian, nëpër të cilin, Arbëria, si pjesë e pandarë e kontinentit dhe qytetërimit Adriatikas, kishte filluar te ecte , duke konsoliduar themelet e bashkimit të popullit të Gegërisë dhe Toskërisë të saj si dy njësi të pandara mes tyre. Këte e them mbasi, pavarësisht vështirësive, që krijonin ndarjet ndërmjet dy Kishave, ndarjet krahinore dhe politikat separatiste të principatave feudale arbnore, karakteristike për periudhën e Mesjetës të Epërme, populli shqiptar hyri në periudhën kur ndodhi invadimi i sulltanëve, i formësuar si një kombësi e përcaktuar, me një ndërgjegje pak a shumë të qartë për rrugën  e vet të veçantë, si një unitet me vete, i formuar historikisht, në bazë të origjinës së gjuhës si dhe një formimi shpirtëror e kulturor të përbashkët. Ka qenë kjo ndërgjegje dhe kjo pjekuri evolutive politiko-kulturore, që i mundësoi popullit shqiptar, t’i bëjë ballë rrezikut më të madh, që njohu deri atëhere, pushtimit të shtetit osman, që i kanosej, jo vetëm me asimilimin e plotë politik, por edhe me zhdukjen e tij të plotë fizike dhe shkrirjen e komponentëve identitarë kulturorë, vendas. Po kjo ecje nuk ishte produkt i izoluar i kësaj ane të Europës, por ishte kah europian zhvillimor. Epoka e Skënderbeut ka qenë produkt i idesë së kombësisë të sapoformuar, i kulturës arbnore të ngjizur me humanizmin italik dhe ndikimin e mbetur kulturor, që Perandoria Bizantine ushtronte ende mbi pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Kjo epokë ishte produkt i themelimit, nga fillimi i shekullit XIV, i strukturave shtetërore me vulë tipike arbnore. Nga njëra anë kemi princat shqiptarë dhe bri tyre qytetet e Arbërisë Venedikase. Është koha e ekspansionit të arbërve etnikë brenda strukturave të tyre të trashëguara kulturore dhe kishtare. Arbërit etnikë e përvetësuan atë përzjerje ndikimesh latine dhe greke, katolike dhe orthodokse, mbasi pikërisht në këtë hapësirë të Arbërisë së Mesme, kalonte asokohe, brezi i gjërë kufitar ndërmjet besimit katolik dhe orthodoks, midis kulturës katolike më vulë italike dhe traditës dhe kulturës orthodokse bizantine. Epoka e Skënderbeut ka qenë kulmi i procesit të vitalitetit të arbërve etnikë, i ristartuar nga fundi i shekullit XIII, të cilët ishin mbizotërues të porteve të Durrësit dhe Lezhës, zotërues të ofiqeve të larta në Kishën Katolike të Arbanonit, Durrësit, Shkodrës, Ulqinit dhe brendatokës. Ishte koha kur kultura arbnore, e fuqizuar nga marrja e kontrollit të Kishës Katolike në këto anë nga vendasit, fillon të mbizotërojë mbi larminë e kulturës bizantine. Jo rastësisht, prijësit shpirtërorë të Arbërisë, si: Pal Ëngjëlli, ishin jo vetëm, kishtarë dhe ambasadorë, por edhe kultivuesit e parë të shkrimit të gjuhës shqipe, d.m.th të mjetit komunikativ mes një populli me ndërgjegje dhe me udhëheqësi. Arbëria ishte pjesë e gjithë prirjeve të zhvillimit të përgjithshëm europian, dhe mbi të gjithë i prijeve politike shtetformuese nacionale. Parë në këtë këndvështrim, në epokën e Skenderbeut dhe nën udhëheqësinë tij, ne mund të zbulojmë pa mëdyshje procesin fillestar të themelimit politik të kombit (pas separatizmit feudal pararëndës), proces që u ndal dhe u amortizua nga pushtimi otoman.

Por, gjatë epopesë së shekullit XV, nën udhëheqjen e Skenderbeut, u kalit ai unitet, dhe ajo trashëgimi historike pararandëse, në mënyrë të atillë, sa, me gjithë kushtet e vështira të robërisë gati pesë shekullore otomane, ky popull arriti të dalë nga kjo periudhë e errët, në shekullin e XIX, me shtylla të ngjizura kombëtare në udheheqësi, për shkak të farkëtimit rezistent të zemrës arbnore skënderbegiane. Rilindja (Rinashimentoja) Arbënore e shekujve (XIV-XV) (në qoftë se e përdorim se pari konvencionalisht si kohë, si ndikim anësor i gadishullit italik, si ndikim i Kishave, si proces politik përbashkues politik, i principatave të vogla në një Principatë të madhe) pavarësisht robërisë pesë shekullore, arriti të prodhojë Risorgjimenton shqiptare (Rilingjalljen Kombëtare) të shekullit XIX dhe XX. Dhe kjo falë kujtesës së Gjergj Kastriotit dhe pasuesve të tij të lavdishëm, të asaj kohe historike, popullit në Shqipni dhe komuniteteve të lira arbëreshe dhe arvanitase, gjakut tonë rezistues, që na qëndron përherë si kujtesë për vëmendje, kurajo për mbijetesë dhe pamposhtje para sfidave, që forcat e errësirës ripërtërijnë në kohë.

E tham këtë, se Gjergj Kastrioti dhe pasuesit e tij, bazuar në Kodin Shqiptar të Fjalës së Dhanun, arritën të ndërtojnë Besëlidhjen, të mbrojnë popullin dhe ta orientojnë atë për nga hapësira nga ku lind liria. Pse e themi, që bazamenti i këtyre dy shekujve kapërcyell shërbeu si bazë për Rilindjen Kombëtare? Sepse duke u nisur nga gjysma e shekullit XIV, mbi gërmallat e Perandorisë së Car Dushanit, u mëkëmbën principatat e Balshajve, Topiajve, Komnenëve, të Spatajve, dhe hapësira e gjërë e qyteteve arbnore të Adriatikut, që nuk kishin pothuajse asnjë ndryshim, përsa i përket zhvillimit ekonomik, shoqëror, kulturor dhe institucional, krahasuar me hapësirën italiane të Rinashimentos dhe Humanizmit, i cili prodhoi një modul të qenësishëm dhe të qëndrueshëm ngjizjeje kulturore, gjuhësore dhe të krenarisë së hershme të nacionalitetit. Ashtu si edhe në bregun perëndimor të Adriatikut, edhe Arbëria dhe principatat e saj në pjesën lindore, kishin formësuar karakteristikat e njësive të vogla shteterore, ndërsa Rilindja dhe Humanizimi i shekullit XIV dhe lufta e përbashkët e rezistencës së shekullit XV, farkëtoi kulturën, jetën dhe veprat, shekullare dhe kishtare, ngjashmërisht sikurse pjesa ma e përparuar e kësaj kulture në Perëndim të Europës.

Pikërisht në periudhën e  shekujve (XIV – XV), kur principatat mesjetare shqiptare, afërsisht të ngjashme si edhe principatat mesjetare gjetkë në Europë qenë formësuar, mbi trojet shqiptare vërshoi invazioni i shtetit të osmanëve, dhe kështu, arbërve dhe ballkanikëve të tjerë, iu desh të përballen, në Maricë në vitin  (1371), në Savër në vitin  (1385), në Fushë –  Kosovë  ne vitin (1389), në Krujë në vitin (1415), në Berat dhe Vlorë  në vitin (1417), me vërshimet e akixhinjve ardhacakë, që ishin shekuj mbrapa në procesin zhvilllimor shoqëror, ekonomik dhe institucional, krahasuar me kulurën e kontinentit ku shkelën të paftuar. Mbi të gjitha, ata ishin krejtësisht të ndryshëm nga pikëpamja e vlerave kulturore dhe institucionale.

Dhe pikërisht në këtë kohë fatale, në mbrojtje të trojeve të Arbërisë, spikat një burrë shteti, udhëheqës ushtarak më i shquari ndër të gjithë princërit arbënorë, djali i Gjon Kastriotit, Gjergji, i mbiquajtur, Skanderbeg  për arsye të rrethanave të veçanta të jetës së tij të trazuar, nder pengje dhe deportime sulltanësh.  Ai u bë përfaqësuesi ma i spikatur i Parësisë arbnore, në kryesimin e një fronti të rezistencës dhe mbijetesës së qytetërimit europian shqiptar, në mbrojtje dhe të kulturës europiane, kundër invadorëve osmanë. Pas rënies së parë të Arbërisë, ishte ai që ndërmori kthesën historike dhe vendimtare, për Shqipërinë, gjatë viteve (1443-1449), gjë që nuk ndodhi për principatat e tjera ballkanike. Ishte ai, që me udhëheqësinë dhe largapamësinë e tij, diti të ndërtojë metodën për kapërcimin e përçarjes së vendit ndër zotërime vasale, drejt krijimit të një njësie përbashkuese, shtetërore dhe ushtarake, që i qëndroi nga (25 – 35) vite përparimit të shtetit osman, pikërisht në apogjeon e shtrirjes së tyre të pandalun në Europën Juglindore.

“Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush… armët nuk jua solla unë, por ju gjeta të armatosur”, përbëjnë thelbin e startit, që na e sjell sot të pastër dhe të freskët penda e humanistit shkodran Marin Barleti, themeluesit të historiografisë shqiptare. Mbi këtë fillesë, Gjergj Kastrioti, në pranverën e vitit 1444 thirri Kuvendin e Lezhës, ku prijësit e krahinave, që bënin një jetë politike të veçantë, nën hijen e peshës së kambës së sulltanëve, Gjergj Araniti, Andre Topia me dy djemtë, Komninin e Muzakën dhe nipin Tanushin, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Muzakajt me vend,  Lekë Zaharia, Pjetër Spani me katër djemtë, Lekë Dushmani, etj, formësuan institutin e Besëlidhjes Ndërshqiptare, dhe e kurorëzuan atë në Institucionin Politik, që në histori ka hyrë me emrin “Lidhja e Lezhës”. Lidhjes së njësisë së gjuhës, kulturës, tokës amë, iu bashkëngjit tashmë lidhja shtetërore, një bashkim në plan politik dhe ushtarak i vendit, i nxitur nga nevoja e mbijetesës dhe emergjenca e ndaljes së goditjes shkatërrimtare mbi nacionalitetin e sapongjizun arbnor. Lidhja e Lezhës ishte kështu organizata e parë politike e përbashkët, që njësoi në një drejtim, prijësit feudalë shqiptarë, njësim ky, që hidhte themelet e bashkimit shtetëror, me të cilin, kombi ynë në formësim e sipër, u orvat të dilte nga mesjeta në modernitetin e parë, modernitet fillestar, që u ndal fatkeqësisht nga rasti historik, jo fatlum. Detyra themelore, që shtrohej para anëtarëve të Kuvendit të Parësisë në Lezhë, ka qenë gjetja e rrugëve dhe formave për bashkimin e forcave politike dhe ushtarake të vendit. Kuvendi arriti të ndërtonte një udhëheqësi të vetme, të përhershme politike dhe ushtarake, të kryesuar nga Gjergj Kastrioti.

Por megjithatë, ky organizëm i parë politik ndihmoi popullin shqiptar, për më shumë se tre dhjetëvjeçarë, përmes betejave ngadhnjimtare, të njohura në histori si ajo e Terviollit, e Drinit, e Ujit të Bardhë, Krujës dhe Shkodrës, zhvilluar në vitet (1474 – 1478 – 1479), të mposhtte rezistencën e një makinerie të re, të pandalshme dhe shkatërrimtare, që derdhej mbi qytetnimin tonë, dhe të bahej bastioni i ndaljes, dhe llogorja e bashkimit, fronti i rezistencës së popujve europiano qendrorë (hungarez) dhe italikë.

Jo rastësisht, shtetet italiane e vendosën Shqipërinë e Skenderbeut, në radhën e partnerëve të të gjitha aksioneve diplomatike, që u zhvilluan në lidhje me çështjen e pushtimit të huaj, që vinte nga  rrugëkalimi i Europës Juglindore. Skënderbeu u përpoq të bashkërendonte veprimtarinë ushtarake, politike dhe diplomatike, me hungarezët, gjatë viteve (1443-1444), 1448, 1456, me shtetet italiane, Papatin dhe Napolin, Venedikut, posaçërisht në harkun kohor të viteve (1463-1468). Ky bashkërendim, në këtë fazë ka qenë vendimtar, mbasi Arbëria e Skanderbegut, bëhet partner me shtetet europiane, që mbartnin nivele shtetformimi modern dhe përfaqësonin vatrat themelore të kulturës së Humanizmit dhe Rilindjes, dhe vendi ynë  u vendos dhe u konsiderua  në një radhë me ata, politikisht, ushtarakisht, kulturalisht, për t’i bëre ballë kërcënimit osman. Skënderbeu dhe Gjergj Araniti, që prej vitit 1451 qenë pjesë e aksionit të gjërë diplomatik, të startuar nga Alfonsi i Aragonës dhe i Napolit, Mbretëria e Napolit në vitin 1455 dhe Venediku në periudhën e fundit të jetës së Skenderbeu, gjate viteve (1463-1468).

Këto shtete, kanë qenë pjesëmarrëse me forca të armatosura në mbështetje të epopesë shqiptare. Në periudhën e viteve (1460-1462), Gjergj Kastrioti ishte vetë në një sipërmarrje diplomatike në Italinë e Jugut, për t’i bindun shtetet kryesore italiane si : Napolin, Shtetin Papnuer, Milanon, të angazhoheshin seriozisht në frontin shqiptar, aty ku luhej fati i Europës, në atë moment, dhe jo më vonë. Skënderbeu u përpoq të bëhej, së bashku me Papën Piu II, nismëtar i një aksioni të përbashkët europian për  përballimin e agresionit. Por koha ishte tragjike dhe fati gjeografik, u kishte dhanë shqiptarëve misionin vetësakrifikues, për të ndalur përkohësisht agresionin mbi pjesë tjetër të Europës.

Me Gjergj Kastriotin dhe familjen e tij është e lidhur edhe historia e flamurit tonë kombëtar. Historiani i parë i veprës së Gjergj Kastriotit (Skanderbe), bashkëkohës dhe bashkëluftëtar i Heroit tonë kombëtar, Marin Barleti, ka lënë si dëshmi një flamur të kuq të qëndisur me shqiponjën dykrenare, që Skënderbeu  e mbante në duar dhe që ky flamur  ishte flamuri i fisit të tij. Flamuri i kuq me shqiponjën dykrenare, u ruajt në kujtesën  e një populli, të ndodhur  nën peshën e randë të pushtimit, dhe shërbeu si simbol i rezistencës së një kohe lavdiplotë, për t’u ngritur sërish pas 500 vitesh robëri, me, 6 prill 1911, në Bratilë të Deçiqit nga Dedë Gjo’ Luli dhe me 28 nëntor  1812 në Vlorë nga Ismail Qemali, Dom Nikollë Kaçori, Luigj Gurakuqi dhe etërit tanë shtetformues, të cilëve duhet t’u jemi përjetësisht mirënjohës, për ngjizjen e drejtë të trashëgimisë skenderbegiane, ngjizjen e kombëtarizmit shqiptar në bashkëkohësinë europiane, mbi parimin e parë, atë të albanianizmit, gjegjësisht shqiptarizmit, laicizmit, vllaznisë së pandame ndërshqiptare pavarësisht besimit, njësueshmërisë kulturore, bazuar në gjuhën, kulturën, doket, zakonet, respektin e dinjitetit njërëzor, konstitucionalizmin e bazuar mbi Besëlidhjen ndërshqiptare, lirinë e përbashkët dhe ri-vendosjen në gjirin e kulturës europiane. Kur rilindasit tanë rikonceptuan flamurin e Skandergut si flamur kombëtar, nuk kishin aspak para tyne një model pikture të kjartësueme të flamurit të Kastriotëve. Ata thjesht morën nga Barleti informacionin, i cili qe i mjaftueshëm për ta zgjidhur mbi një bazë të sigurt historike, një herë e mirë, problemin e bashkëngjitjes së simbolit nacional me kombin dhe historinë e tij të lavdishme.  Mbi bazën e këtij riskicimi të rilindasve, në mënyrë indipendente nga njëri – tjetri, terzitë shkodranë në vitin 1911 dhe udhëzuesit e Marigosë në vitin 1912, qendisën Flamurin Kombëtar Shqiptar, i cili na bën sot krenarë, ne Bijtë e Shqipes të shpërndame në të katër anët e globit.

Shteti shqiptar i Gjergj Kastriotit (Skenderbeu), në aktivitetin e vet diplomatik, e vlerësoi randësinë e bashkëpunimit me Europën, si kusht të domosdoshëm për të mbijetuar. Periudha e viteve (1466 -1467) ka qenë nje periudhë shumë kritike, ndaj ai u bëri thirrjen e fundit për ndihmë aleatëve europianë. Ai dërgoi të birin në Venedik, ndërsa në dhjetor  të vitit 1466 u nis vetë për Romë, për ta bindur Papa  Palin e  II mbi nevojën dhe  domosdoshmërine për ndihma. Skënderbeu arriti në Romë më, 12 dhjetor 1466, i veshur me zhgunin e ashpër e të thjeshtë që mbante gjatë luftës, i shoqëruar nga kalorësit e tij. Thuhet, se Qyteti i Romës i bëri heroit tonë, një pritje madhështore, të denjë vetëm për një udhëheqës të mbuluar me lavdi. Me ndihma të kufizuara Skandërbeu u kthye në Shqipëri, në fillimin e  prillit 1467 dhe për 9 muaj rresht iu desh të përballonte ekspeditat e Mehmet Fatihut, të cilin, pengesa shqiptare e kishte ndalur në rrugën drejt Italisë. Fitoret e shqiptarëve dhe mbrojtja e Krujës, i krijuan hapësirën e nevojshme kohore Skanderbeut për të mbledhur, një kuvend të krerëve shqiptarë, sërish në Lezhë, në janar të vitit 1468. Në pragun e mbajtjes së kuvendit, një ushtri osmane e ardhur nga Kosova, sulmoi Shkodrën. Skënderbeu, i cili ndodhej i sëmurë në Lezhë, nuk mundi të merrte pjesë në luftime, por ushtria e tij, edhe pse pa prijësin e saj, arriti të korrte një fitore tjetër të rëndësishme mbi sulmuesit. Pas pak ditësh, me, 17 janar 1468, i mbuluar me lavdi të përjeshtme, Gjergj Kastrioti, ndërroi jetë në Lezhë dhe u varros, në Katedralen e Shën Kollit, aty ku ndodhet sot Mauzoleu, i cili u zbulua dhe u përcaktua si vendvarrim i prijësit legjendar, nga arkeologut të famshëm  Frano Prendi.

Vdekja e tij u përjetua si tronditje e thellë e Arbërisë, mbasi shqiptarët humbën prijësin, që i udhëhoqi për një çerek shekulli në një luftë të pabarabartë, si një ushtarak i madh. Fitoret e njëpasnjëshme  provuan, se Skanderbeu ishte një strateg i shkëlqyer, me aftësi të radha. Ai arriti të korrte fitore të suksesshme në beteja spikatëse siç mund të përmendim: betejën e  fitores duke u tërhequr në Torvioll, duke sulmuar në Ujët e Bardhë, duke luftuar kundër kalorësve të lehtë turq ose kalorësisë së rëndë italiane, apo duke i hapur betejë ushtrisë armike, si në: Oranik e Pollog, në shtigjet malore si në Grykën e Vajkalit. Figura e Skënderbeut mbeti po aq madhore dhe e dashur për popullin, që drejtoi edhe pas vdekjes së tij. Kronisti venedikas, Antonio Sabeliko shkruante 19 vjet pas vdekjes së heroit, në vitin 1487, se populli shqiptar “i këndon trimëritë e tij të çuditshme me vjersha solemne dhe me kanë treguar burra të denjë për t’u besuar se, ndërmjet zjarrit të luftës, në çastin kur çdo gjë dridhej përpara armëve të barbarit, një numër i madh vajzash mblidhej çdo ditë në udhëkryq të atyre vendeve ku Skanderbeu kishte sunduar, dhe këndonin lavdinë e princit të vdekur, ashtu siç e kishin zakon të moçmit në gostitë e hrejonjve të mëdhenj”. Një burrë shteti anglez, që jetoi në  shekullin XVII, i quajtur William Temple, e ka vendosur Skenderbeun në radhën e shtatë kapitenëve të mëdhenj, jo mbreterorë, pranë Belisarius, Huniadit, etj. Kujtimi i Gjergj Kastriotit mbeti i paharruar dhe u ruajt si gjëja ma e shtrenjtë dhe u bë burim frymëzimi për luftën çlirimtare edhe në kohët më të errëta Emri i Heroit u bë flamur i bashkimit të shqiptarëve në kalvarin e gjatë të mbijetesës së tyre, për t’u shfaqur pas 5 shekujsh, si simbol i bashkimit për të gjithë, në luftën për lirinë e vendit dhe krimin e shtetit të pavarur shqiptar.

Epopenë e Skënderbeut, ne tradicionalisht e kemi të ndërtuar sot, duke u mbështetur në veprat e dy autorëve, Marin Barletit dhe Giammaria Biemmi. E një rëndësie të veçantë është edhe vepra e humanistit shkodran “Historia e Skënderbeut” , pasi përmes kujtimeve të bashkëkohësve dhe bashkëluftarëve, u botua për herë të parë në Romë, në harkun e viteve (1508-1510). Kopjet unikale të kësaj vepre ruhen si një relike e shenjtë, edhe në Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” , si dhe  në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Barleti na kujton faktin, se Emri SKANDERBEG, me të cilin u ba i famshëm heroi ynë kombëtar, prej emërimit të tij nga osmanët pas dorëzimit peng, kishte parasysh Aleksandrin e Madh të Maqedonisë, dhe është i lidhur  para së gjithash me madhështinë e figurës dhe veprës së tij , si dhe me rolin që ai luajti  për mbrojtjen dhe prirjen e rilindjes së një populli në një moment aq të vështirë historik. Kastriotët dhe Kastrioti i madh, përpunuan një stemë, që t’i lidhte ata me kohët e lavdishme të Molosëve Epirotas, Pirros, nga rridhte edhe Aleksandri i madh, të cilët, siç na e kumton Marin Barleti, shqiptarët e shekullit XV i njihnin me krenari, si pasardhës të tyre të drejtpërdrejt. Vetë Skenderbeu i shprehej kështu Princit të Tarentit në vitin 1460: “Ne quhemi epirotë dhe duhet ta dini, se në kohë të tjera, stërgjyshërit tanë, kanë kaluar në vendin tuaj, që ju e mbani sot dhe kanë bërë me romakët luftime të mëdha dhe e dimë se më të shumtën e herës, u ndanë me nder se sa  me turp”.

“Historia e jetës dhe e veprave të Skanderbeut, princit të epirotëve”, e Marin Barletit, asht nji vepër e përbame prej 13 librash, e mbështetur në dëshminë e tij personale, të bashkëqytetarëve të tij, që kanë qenë luftëtarë në Ushtrinë e Skenderbeut, ndërmjet të cilëve spikat, Pjetër Engjëlli, shok lufte dhe pjesëmarrës i drejtpërdrejt në epope. Dashuria për Atdheun, është një nga idetë më të larta, që përshkon si një fill i kuq gjithë veprën e Barletit, të cilën ai e jep në përshkrimin e veprës së Skanderbegut. Dhe ai e vendos këtë fill në fjalët e Skanderbegut: “nëse dashuria për atdhe, burrëria, nderi i prindërve, mund t’ia ngjallin ndjenjat krenare ndokujt, atëherë, rrëmbeni armët, mprehni me plot të drejtë shpatat, mbrojini po e deshi puna edhe me gjak, Krujën e truallin e të parëve… kryejeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin kurrë s’duhet kujtuar, se është derdhur tepër gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër”.

Viti i Skanderbeut, asht nji kohë reflektimi, për së paku dy parime themelore drejtuese ndër shqiptarët e thjeshtë dhe ata vendimarrës (politikëbërës):

Së pari, është koha që trashëgimia europianiste, albanianiste, laike, konstitucionale dhe liridashëse, e epokës Skenderbegiane, të jetë aksioma udhërrëfyese e kombit tonë në procesin e bashkimit njërëzor ndërshqiptar dhe e drejtimit shtetëror drejt integrimit në Europën e Bashkuar. Dy shtetet shqiptare, pavarësisht mbështetjes së jashtëzakonshme të dhënë nga Aleati ynë themelor strategjik, krijuesi, mbrojtësi dhe garantuesi ndërkombëtarë i qenieve tona shtetërore në kohë të ndryshme, SHBA, gjenden sot në një moment frenimi në aspektet e ndërtimit të strukturave bashkëkohore të shtetit të së drejtës, respektimit të lirive, demokracisë funksionale, shekullarizimit të pacënueshëm. Sfidat e antishtetit, të lidhura me korrupsionin politik, krimin e organizuar, dobësia e shtetit para depërtimeve antialbanianiste, fryma e largimit të forcave të mirëfillta intelektuale dhe profesionale, kanë ndalur kohën e ecjes së procesit integrues europian dhe i kanë kthyer dy vendet shqiptare, nga pararoja të procesit integrues Euro-Atlantik, në vagonin e fundit të trenit të vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Brukselit. Dhe ky pozicion duhet të ndryshojë. Por mos harroni, se Shqipëria dhe Kosova, vetë, pa ndihmën e kualifikuar të burimeve të ditura shqiptare, të mbeshtetura nga Aleati ynë strategjik, nuk do të munden dot ta ndryshojnë këtë pozicion aspak optimist. Një pakt i menduar mirë, që do të skicojë një road map europianizues për Shqipërinë dhe Kosovën, do të ishte një imperativ, që Viti i Skënderbeut do të duhej ta prodhonte, dhe komuniteti shqiptar në SHBA do të duhej ta lobonte në të gjitha anët.

Së dyti, studimet shqiptare dhe shkenca shqiptare e studimeve për periudhën e Skënderbeut dhe historinë mesjetare në përgjithësi, kanë nevojë për një program të mbështetur në mënyrën më profesionale. Nuk duhet të fshehim më, se numri i studiuesve të kualifikuar, të cilët janë në gjendje të punojnë në mënyrë indipendente në burimet historike të shekujve (XII-XVII) është aq i kufizuar, sa shkenca shqiptare e studimeve mesjetare nuk është në gjendje të marrë pjesë dhe të përballojë debatin shkencor bashkëkohor në lidhje me problematikat, që shkencëtarët e huaj, kryesisht fqinj paraqesin herë pas here. Shteti, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është tërësisht i pavëmëndshëm ndaj një ripërtëritjeje të strukturuar të Shkollës së Studimeve Historike dhe Albanologjisë e Ballkanologjisë në përgjithësi, ndërsa shkollat universitare vetë, pa një ndërhyrje strategjike të shtetit, nuk do ta kenë edhe për një përiudhë të gjatë mundësine për rivendosur në shtyllat e duhura procesin e formimit të studiuesit të mirëfilltë medievist.

Tiranë, më, 15 janar 2018,Nju Jork, 17 Janar 2018

* Mbajtur në Simpoziumin me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu organizuar nga Kisha Zoja e Shkodrës dhe Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA”

Filed Under: Featured Tagged With: Romeo Gurakuqi, SI KOHE REFLEKTIMI, VITI I GJERGJ KASTRIOTI- SKENDERBEU

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT